• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZBULOHEN RRËNOJAT E URËS 2200 VJECARE NË SHKUMBIN

October 29, 2018 by dgreca

1 Kalaja Shkumbin

Ulja e nivelit të lumit Shkumbin nxjerr në sipërfaqe rrënojat e një ure 2200 vjeçare në Sulzotaj të Divjakës/

28 niko ferro2 SHKUMBIN Kala

Shkruan Dr. Niko FERRO/

Stina e thatë dhe mungesa e reshjeve ka ndikuar në rënien e nivelit të lumit Shkumbin. Ku për pasojë në sipërfaqe kanë dalë rrënojat e një ure antike. Për urën nuk ka shumë të dhëna, tek tuk e ndeshim në ndonjë rresht tek libri Apolonia e Ilirisë shkruar nga profesori i nderuar Z. Neritan Ceka, i cili na jep vetëm moshën e saj diku mes shekujve. II – I p. Kr. Vlen të theksohet se ndonjë studim i veçantë për këtë urë nuk është botuar ende dhe se dalja në sipërfaqe e rrënojave na jep mundësinë e artë për njohje dhe dokumentim e plotë të saj. Nuk do ishte e tepërt nëse rrënojat e kësaj urë të përfshiheshin si destinacion turistik për zonën e Divjakës.

Rrënojat e urës ndodhen në lindje të fshatit Sulzotaj tek vendi i quajtur “Pylli Taçes”. Prej saj ruhet vetë shpatulla jugore dhe një këmbëz. Për shpatullën veriore nuk mund ta themi me siguri nëse ajo ruhet apo jo për shkak të bimësisë dhe vendit tepër të thepisur.

Ajo që të kap menjëherë syri është vendi në të cilën është ndërtuar ura, këtu lumi kthen lehtë në të djathtë dhe terreni nuk gërryet. Shpatulla jugore e urës ka këto përmasa është e lartë 2.97 m (pjesa e dukshme ka mundësi të jetë edhe më e lartë por rrënjët e një peme e pengojnë të dallohet më mirë bimësia). Gjerësia është 4.5 m. Ajo përbëhet nga 11 radhë blloqesh guri lartësi dhe 7 blloqe gjerësi. Blloqet përbëhen prej guri gëlqeror dhe konglomerat. Gurët kanë këto përmasa 52 x 33 x 40, 80 x 60 x 60, 75 x 33 x 38. Ka edhe blloqe me përmasa më të vogla. Teknika e përdorur pseudo-izodomike. Gurët janë të punuar mirë. Blloqet janë lidhur midis tyre me shufra hekuri. (dallohet një e tillë). Për këmbëzën e urës mund të thuhet që edhe ajo është e punuar me gurë. Por duke qënë se ajo ndodhet në mes të lumit është vështirë të kuptosh profilin e saj. Në vija të përgjithshme mund të themi se kjo urë ka qenë ndoshta 55 metra? Dhe përbëhet nga vetëm një këmbëz. Ka mundësi që struktura e sipërme të ketë qenë me trarë? Megjithatë është ende herët të jepet një përshkrim i plotë. Në lidhje me urën Muzeu i Lushnjës ka njoftuar ASHA dhe pritet të bëhet një dokumentim i plotë i saj.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Niko Ferro, Shkumbin, Sulzotaj, ura 2200 vjecare

Dervish Ram Gjongecaj “Qytetar Nderi” i Tropojës

October 26, 2018 by dgreca

1 ok Gecaj

Partizani i Kosovës e pedagogu i Tiranës, Dervish Ram Gjongecaj “Qytetar Nderi” i Tropojës/

 Nga Ramiz LUSHAJ/

               Njëqind vjet ma herët, më 1 korrik 1919, në një kullë alpine të lagjes Gjongecaj (sot qyteti i Bajramcurrit) lindi Dervish Ram Gjongecaj. Në këtë fshat qëndror (Kolgecaj), i konsideruar i tillë prej austriakëve që më 1917, e kreu arsimin fillor 5-vjeçar, ku spikati për intelektin e tij, me veçantitë e tij.

I edukuar për të qenë i lidhur fort me tokën, vendin, Shqipërinë Etnike; i pajisur me konstitucionin solid shpirtëror e moral të birit të Malësisë së Gjakovës – si armë, si gjendje mbijetese – në vitin 1943, në moshën 24 vjeç, Dervishi i Gjongecajve u përfshi aktiv në luftën nacional–çlirimtare dhe në vitin 1944, si partizan dallimtar i Brigadës XXV-Sulmuese, ku luftoi dhe në Kosovën dardane e deri në Sanxhak, Bosnje.

Pas lufte, në paqe, u vesh ushtarak, i ndoqi studimet në Shkollën e Oficerëve në Tiranë, po arsye të shëndetit fizik e detyruan të mos vazhdojë mëtejshëm edukimin ushtarak, ndaj kreu studimet e të mesmes në një gjimnaz të Tiranës. Kësokohe martohet me një vajzë nga Berati, Nimete Polovinën, ndërton familjen e tij, me katër çika e një djalë të vetëm.

               Dervish Gjongecaj, për të mbajt familjen e vet, angazhohet në administratën lokale të Tiranës, po pasioni i tij i madh për dijen e kërkesat e larta për ardhmërinë e tij, për të qënë në vijën e parë  të shoqërisë shqiptare, për t’u bërë model real e i prekshëm për fëmijët e tij, për kohën, përfshihet në studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Studimet e larta i mbaron pa humbur asnjë ditë nga koha ligjore, duke studjuar ditën, natën, ecur, punuar, pushuar, përtypur ushqimin… dhe kryer në mënyrë shembullore detyrimet e tij familjare, me një punë titanike.

Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, në vitin 1965 emërohet pedagog në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në katedrën e Ekonomisë Politike, një nga shkencat më të vështira në fushën ekonomike: të asaj kohe, të kësaj kohe dhe të kohëve që do të vijnë. Në këtë mënyrë, Dervishi bëhet pedagogu i parë nga Tropoja në Universitetin e Tiranës, që më vonë, sigurisht, pasohet edhe nga shumë pedagogë të tjerë, të shquar për inteligjencën e tyre.

Dervish Gjongecaj, gjatë kësaj kohe universitare e gjithë jetën e tij ishte një “ambasador” për studentët e Tropojës në Tiranë, ishte një pikë reference e modeli i Tropojës në Tiranë, ishte një nga figurat emblematike të Malësisë së Gjakovës (Tropojës).

Ndër miqtë e tij tropojanë kohanik të vet po i permendim disa prej tyre, si: Idriz Mulosmanaj; Tahir Malaj; Tahir Vukaj;  Halil Margjeka, Can Doçi (Mala), Qazim Mani,  Imer Alushi, Mehmet Bajrami, Azem Abazi, Maxhun Doçi e të tjerë, po dhe brezni të mavonshme si gazetari e pedagogu i ekonomisë Sadri Rrahmani, gazetari e shkrimtari Mehmet Elezi, doktori Sali Berisha, ing. Tahir Aliaj e dhjetra e qindra të tjerë.

Në kohë ligjore, në moshë  60 vjeçare, del në pension, duke qënë thellësisht i bindur se misioni i tij edukues e përkushtimi ndaj vendit, veçanërisht ndaj brengës më të madhe të jetës së tij, Kosovës, nuk ka përfunduar ende. Përkundrazi, ato shpërthyen aktivisht e lartnisht  si kurrë më parë në jetën e tij. Askush që e njihte Dervish Ram Gjongecaj nuk mund të dallonte se ku mbaronte dashuria e tij për familjen dhe ku fillonte ajo për Kosovën, sepse ishte një dashuri e vetme, “një copësh”. Dervish Gjongecaj i Tropojës i mbylli sytë në 15 qershor të 1995, në moshë 76 vjeç, pas një beteje të dhimbshme me sëmundjen. Ishte i qetë, sepse kishte lënë një familje të përgatitur për të përballuar jetën. Por shpirtin e kishte të trazuar kur u nda nga kjo botë, plot ankth, nën peshën e një dhimbjeje që nuk pushoi kurrë së dhimburi: Kosova e burgosur nën pushtimin, aneksimin e barbarinë  sllave, e cila e fitoi Lirinë  4 vjet ma vonë, më 1999 dhe Pavarësinë – 13 vjet ma vonë, më 2008.

 Më 25 tetor 2018, në ditëdhënien ceremoniale nga Këshilli Bashkiak i Tropojës i titullit të lartë “Qytetar Nderi” i Tropojës, në fjalët e tyre kryebashkiaku Besnik Dushaj e deputeti i Tropojës, Isuf Çelaj, ndër të tjera, theksuan se “që në fillim të Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, veterani i luftës e arsimit kombëtar shqiptar, qytetari dinjitar Dervish Ram Gjongecaj u paraqit publikisht në përkrahje të saj. Ajo që e mbushte me një krenari, të cilën nuk e kishte çfaqur kurrë aq hapur, ishte jo lëvizja demokratike në vetvete, por fakti që në krye të saj ishin tropojanët. Kjo ishte prova e pakundërshtueshme për të që ata, tropojanët, nuk ishin “malokë”, por kasnecët e vërtetë të qytetërimit tradicional shqiptar e euroatlantik! Por, kishte një shkak edhe më të thellë që i dha krahë për të përqafuar lëvizjen demokratike të ’90-tës: ideja se vetëm kështu do të bëhej e mundur që Kosova të fitonte Pavarësinë. Kjo ishte bash ëndrra e tij, forma sublime e jetës që e jetoi…”.

Në një bisedë telefonike, intelektuali tropojas në Tiranë, Lirim Mulosmani, më thotë për komshiun e tij ndër vite, për pedagogun Dervish Gjongecaj i Tiranës, se ai “ishte personalitet njerëzor e dijetar, me burrëri të lartë, sojni të çdokohshme, nuk i përseriste fjalët në bisedat e tij; nuk tërhiqte kurrë prej vetes…”.

Dervish Gjongecaj ka shumë kontribute e merita në jetën e tij, po një nga ma madhoret, nga ma të shquarat, është edukimi lartnor i pesë fëmijëve të tij, të gjithë me arsimim të lartë, e dy prej tyre me tituj e grada shkencore si Shpresa Gjongecaj, prof. dr., arkeologe mbi katër dekadore, ish drejtore e Intitutit të Arkeologjisë; pedagogu Besnik Gjongecaj- ish rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës e ish ministër i Arsimit të Lartë e Shkencës të Shqipërisë.

Shembullori në jetë, partizani i sakrificës, pedagogu i shquar, Dervish Gjongecaj, ishte njeri i mirë, model i përhershëm në shtëpi e shoqëri, kontributor ndër kohëra, që nuk i bani hije askujt dhe rrezatonte në gjithçka…Edhe tek emri Ynë Tropojan…! Edhe tek Vlerat e Tua – Shqipëri…!.

Tropojë. tetor 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Dervish Ram Gjongecaj, Nderi i Tropojes, Ramiz Lushaj

Unë dhe diktatura

October 23, 2018 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat Kripa/*

E nderuara zonja Susanne Schütz, Anbasadore e Gjermanisë, Tiranë/

I nderuar zoti Ëalter Glos, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tiranë/

I nderuar zoti Karsten Dümmel, Drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Bosnje Hercegovinë./

E nderuar zonja Jonila Godole,  Drejtoreshë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Tiranë/

Të nderuara zonja dhe zotërinj/

Ju   falënderoj  për  organizimin  dhe  pjesëmarrjen  tuaj  në këtë  simpozium  mbi  ditët  e kujtesës së diktaturës komuniste. Është kënaqësi për mua, por në të njejtën kohë edhe dhimbje, për të shprehur  mendimet e mia për atë periudhë të errët që kaloi kombi ynë. Them dhimbje se, kur kujtoj atë kohë, më del para syve rinia ime, një rini e mbuluar nga hija e pleqërisë. Më del para syve ajo periudhë kur donim të mësonim dhe nuk na linin të mësonim, donim të punonim dhe nuk na linin të punonim, donim të jetonim dhe nuk na linin as të jetonim.

I përkas një familjeje tregëtare nga qyteti i Vlorës. Im atë ka qenë pronar i një fabrike vaji dhe ushtronte tregëtinë e vajit të ullirit. Si parim të jetës së tij kishte mos përfshirjen në lëvizjet politike të kohës dhe këtë porosi na e jepte dhe ne fëmijve të tij. Por, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, nuk mund të qëndroje asnjanës. Kështu, dy motat e mia, nxënëse të shkollës “Nana Mbretëreshë” në Tirnë, Drita dhe Fatushe Kripa, u aktivizuan me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, duke shpërndarë trakte në qytet. Pas përfundimit të luftës, Drita i kushtohet teatrit duke qenë një nga themelueset e Teatrit Kombëtar. Fejohet  dhe më pas martohet me Hysen Pelingun, këngëtar i njohur i operas, komunist dhe pjesëmarrës në rradhët partizane në kohën e luftës. Gjithashtu motra tjetër, Qamilea, fejohet me Muharrem Çoratin, familje komuniste, Zëvendës Ministër i Industrisë dhe Minierave në periudhën 1945-1947.

Çuditërisht, pikërisht në këtë periudhë, me vendimin numër 2 datë 21 tetor 1946 të Komisionit të Rregullimit të Urbanizimit pranë Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës Tiranë, dëbohemi, për arsye politike, në qytetin e Vlorës. Çfarë motive politike kishte familja e jonë për t’u dëbuar? Asnjë, por fantazia e udhëheqësve komunistë kishte shpikur një organizëm që i krijonte armiqtë dhe pa pasur të tillë. Ky organizëm ishte Sigurimi i Shtetit që kishte depërtuar në çdo qelizë të tij në atë kohë.

Kështu, kur u kthyem në qytetin e Vlorës, trajtoheshim si familje  e  armiqve  të  popullit.

Isha në klasën e gjashtë të shkollës shtatëvjeçare. Nuk isha më shumë se trembëdhjetë vjeç. Ora e leximit letrar. Lexohej një tregim i shkrimtarit Aleks Çaçi me titull “Për një shishe vaj”. Ishte historia e një punëtori te një fabrike vaji që, nga nevoja, vodhi një shishë vaj. Pronari e kapi dhe e pushoi nga puna. Çuditërisht, autori, pronarit i kishte vënë emrin Qazim, emrin e tim eti, që ishte gjithashtu një pronar i një fabrike vaji. Profesori i letërsisë thirri emrin tim për të lexuar pikërisht pjesën ku përmendej emri i atit tim. Unë refuzova. Profesori më nxorri jashtë nga klasa. Të nesërmen u njoftua se isha përjashtuar nga organizata e pionierit. Në koridorin e shkollës, te gazeta murit, ishte vizatuar një karrikaturë e imja me mbishkrimin” Poshtë borgjezia”. Kush ishte borgjezia? Mos vallë unë, një trembëdhjetë vjeçar?

Një  trajtim i  tillë  bëri  që  im  vëlla,  Besniku,  së  bashku  me   dy  shokë  të  klasës,  në

moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare,  të  krijonin  një  grup  antikomunist  dhe  të  shpërndanin  trakte

në  shkollë. Zbulohen dhe dënohen me nga pesëmbëdhjetë vjet burg. Kryejnë nga dymbëdhjetë vjet sejcili. Një vit më vonë edhe unë, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, në klasën e parë të gjimnazit,  së bashku me dy shokë të klasës, krijojmë gjithashtu një grup antikomunist që shpërndante trakte  në  qytet. Arrestohemi  dhe,  për shkak të moshës, dënohemi me nga pesë vjet burg, të cilat i kryem të gjitha.

Pas lirimit nga burgu, kryeva edhe shërbimin ushtarak në repartin e punës ku mësova mjeshtërinë e muratorit që e ushtrova gjatë gjithe periudhës së rregjimit komunist. Kisha një dëshirë të madhe për të studiuar. Përfundova arsimin e mesëm me rezultate të shkëlqyera. Kisha bërë kërkesë për arsimin e lartë me korespondencë, por m’u mohua. Kërkova një takim në Ministrinë e Arsimit. Më priti Zëvendës Ministri, Anastas Kondo. Më dëgjoi por, kur mori vesh që kisha qenë i dënuar politikë, më tha:

  • Ik ora djalë dhe vazhdo punën, i di Partia këto gjëra.

Kështu,  dyert e arsimit të lartë u mbyllën një herë  e  përgjthmonë, dhe  unë  vazhdova që

për gjithë periudhën e komunizmit të ushtroja mjeshtërinë e muratorit.

Por, së fundi, komunizmi u përmbys dhe ne, shtresa e të përndjekurve politikë, filluam të marrim frymë lirisht. U hapën rrugët e punësimit dhe arsimit. Të përndjekurit politikë arritën deri në majat më të larta të pushtetit dhe partive politike. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Viti i zi 1997 do t’i përmbyste të gjitha arritjet e atyre pesë viteve të para të demokracisë. Edhe sot, njëzetetetë vjet nga përmbysja e sistemit komunist, megjithëse nuk është më viti 1997, vazhdon të ndihet një heshtje madje, do të thoja, një mospërfillje karshi problemeve të shtresës së të përndjekurve politikë.

Më lejoni t’ju paraqes disa fakte për sa thashë më sipër.

Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshilit të Europës miratoi rezolutën Nr.1096  ”Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”. Në Shqipëri nuk u dha asnjë njoftim, megjithëse vendi ynë ishte anëtar i Këshillit të Europës dhe e kishte nënshkruar këtë rezolutë, madje edhe shtypi i shkruar dhe ai televiziv heshtën. Përse?

Në vitin 2006 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën e dytë, atë Nr. 1481 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”. Në mbështetje të kësaj Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”. Kanë kaluar dymbëdhjetë vjet nga miratimi i kësaj rezolute dhe nuk është realizuar  pothuajse asnjë nga pikat e saj. Lidhur me sa më sipër na dalin disa pyetje

  1. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi,  dhe ekzekutuesi i  sistemit më diktatorial të Europës Lindore? (pika 8)
  2. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që  shënojnë  instalimin diktaturës komuniste? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist? Kur do të hiqet basorelievi nga fasada e Muzeut Historik Kombëtar, një vepër e realizmit socialist, ku dy të tretat i zënë partizanët dhe ndërtimi i socializmit në Shipëri dhe vetëm një e treta për gjithë historinë e kombit shqiptar dhe ku, në mënyre të veçantë, mungojnë trojet e tjera shqiptare?  (pika 9)
  3. Kur do të  bëhen  publike  dokumentat  që  dëshmojnë  krimet  e  rregjimit  komunist,

përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve? (pika 10)

  1. Kur do të hapen dosjet e ish-bashkëpuntorëve  të  sigurimit  të  shtetit  për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive dhe të shkruara? (pika 11)
  2. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të  zhdukurve  me  ose  pa  gjyq  për

arsye politike? (Pika 15)

  1. Kur do  të  organizohet  konferenca  kombëtare  me  pjesëmarrjen  e  përfaqësuesve  të

parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? (Pika 17).

Të gjitha këto janë të përfshira në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjitha këto. për fat të keq, nuk ka asnjë përgjigje. Heshtja sundon.

Le të vazhdojmë më tej’

Në muajin mars 2010  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit. Kuptojeni mirë. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkoj  Shqipërisë të dënoj krimet e komunizmit do të thotë se ky delegacion duhet t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje kudo.

Gjithashtu më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga  ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, si përfaqësues i shtetit me përndjekjen më mizore. Por ajo mungoi.

Dy lajme me të njejtën përmbajtje. Ka kohë që  Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shipërisë, ku unë bëj pjesë, e ka ngritur zërin me forcë për këtë problem, madje në  vitin 2007, në Kongresin e XV-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Çeki, ku mori pjesë edhe një delegacion i shoqatës tonë, u mor vendimi për t’i kërkuar BE-së ngritjen e nje Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Lidhur me këtë, në muajin tetor të atij viti, u mbajt në Tiranë, me nismën e shoqatës tonë,  konferenca shkencore me temë “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare” ku, nëpërmjet kumtesave të mbajtura, ngrihesh domosdoshmëria e kësaj gjykate. Por reflektimi i kësaj ngjarje në opinionin publik ishte fare i vakët, megjithse vetëm një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar rezolutën mbi dënimin e krimeve të  rregjimit komunist.

Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:Nuk ka  asnjë vend ku komunizmi  ka  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë  demokratik.

Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Të mos harrojmë se krimet e komunizmit në Shqipëri i kalojnë disa  herë  atyre  të  kryera

në ish-vendet e tjera totalitare. Më lejoni t’u jap vetëm një  shembull. Sipas deklaratës  së përfaqësuesit sllovak, antarit të kryesisë Dr. Peter Bielek, në Kongresin e XVI-të të Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të komunizmit, mbajtur në Tiranë, dënimi i fundit me  vdekje  në  Sllovaki  është  dhënë  në  vitin 1956,  ndërsa  te  ne  në  vitin  1988,   me

varjen në litar të Martirit të Demokracisë, poetit Havzi Nela. Mos harroni! Ky krim është kryer kur komunizmi po jepte frymën e tij të fundit. Edhe në çastet e fundit të jetës ai kërkonte gjak. Krahasimin bëjeni vetë, të nderuara zonja dhe zotërinj.

Sot në Shqipëri nuk ka një memorial kushtuar viktimave të komunizmit, nuk ka një burg apo kamp të punës së detyruar të kthyer në muze, ndërkohë që ato ekzistojnë në pothuajse të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore që ishin nën sundimin komunist. Ka mbi dhjetë vjet që është krijuar shoqata për kthimin e kampit të Spaçit në muze dhe ende nuk po gjen përkrahje për t’u ngritur.

Në Shqipëri nuk ka asnjë president, kryetar parlamenti, kryeministër, deputet apo  kryetar partie që të ketë kërkuar falje për krimet e  kryera  në  kohën  e  komunizmit,  në  një  kohë  kur  i ndritshmi Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha në mesjetë, Kancelarja Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi, madje edhe një qytetar gjerman kërkoi  falje për krimin që kishte kryer ati i tij, duke marrë pjesë në masakrën e Borovës këtu në Shqipëri.

Në të kundërt, në Shqipëri vazhdon ende politika e vjetër e përndjekjes për kundërshtarët e regjimit. Një shembull konkret në këtë drejtim. Qysh në fillim të vitit 2017, Shoqata e jonë dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithëshme një kallzim penal për krime kundër njerëzimit dhe genocid ushtruar me rastin e masakrës  së të ashtuquajturës bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë më 26 shkurt 1951. Kaloi më tepër se një vit dhe asnjë përgjigje nga ana e prokurorisë. Atëhere Kryetari i shoqatës tonë, zoti Nebil Çika, i dërgoi një letër të hapur Prokurores së Përgjithëshme zonjës, Arta Marku. Nuk kaluan më shumë se dy ditë dhe hakmarrja e institucioneve të larta karshi të përndjekurve politikë arriti. Pikërisht në ditën e përvjetorit  të ditëlindjes së diktatorit Enver Hoxha, më 16 tetor 2018, Ministria e Drejtësisë i dërgon një ultimatum shoqatës duke kërkuar lirimin e zyrave të saj, zyra që janë marrë me një vendim të posaçëm të ish-Këshillit të Ministrave qysh në vitin 1994, pa iu caktuar një ambjent tjetër. Për më tepër ky vendim nuk është marrë nga Këshilli i Ministrave por nga një urdhër verbal i një ministreje dhe si i tillë është një veprim arbitrar. Më thoni, a mund të keq skandal më të rëndë se ky?

Në vendin tonë sot të gjithë thërrasin:  “Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!” Atëhere, kush paska qenë fajtori për gjithë atë tmerr dhe katastrofë që kaloi vendi ynë? Mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetët tona?

Ju faleminderit.

*Kumtesë mbajtur në ceremoninë e zhvilluar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Fodacioni “Konrad Adenauer”, me rastin e fillimit te “Ditëve të Kujtesës”.

 

Filed Under: Histori Tagged With: reshat kripa, Unë dhe diktatura

Peja ’68 dhe 50-vjetori i kërkesave për Republikë…

October 23, 2018 by dgreca

… Kushtetutë e Vetëvendosje/

1 Zymer Neziri

Shkruan: Prof. Dr.Zymer U. Neziri/

Viti 1968, me kërkesat kryesore për Republikë, Kushtetutë e Vetëvendosje u bë pjesë e historisë më të re dhe lidhet edhe me ko­hën nga Kongresi i Ber­linit, 1878, kur Fuqitë e Mëdha e copëtojnë Shqipërinë dhe krimi i tyre va­zhdoi me rico­pë­ti­min e Shqi­­përisë dhe në Konferencën e Am­ba­sa­dorëve në Londër, më 1913. Viti 1968 ta kujton se sot Re­pu­b­lika e Kosovës ka vetëm një pjesë të vogël të territorit të Vilajetit të Kosovës dhe bashkë me Rep­u­bl­i­kën e Shqi­përisë ka­në vetëm afër gjys­mën e viseve shqi­p­t­are. Siç e dini, ajo u copëtua edhe sivjet, më 21 mars, kur 80 deputetë ia dhuruan Malit të Zi një të tretën e Rugovës dhe një pjesë të Podgurit. Viti 1968 lidhet me kohën kur tre milionë shqi­p­tarë ishin nën so­vra­ni­tetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi, dhe dolën në demonstrata. Demostratën e parë e organizoi Grupi i studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. Ky grup, në krye me studentin Meriman Braha, ishte bër­thamë e organizimit në Rrafshin e Dukagjinit, në Prizren, më 6 tetor, në The­ra­ndë (Suharekë), më 8 tetor, për­gjegjës Haxhi Bajraktari, dhe për Pejë, më 19 te­tor, përgjegjës Zymer Neziri.  Ky grup ishte në lidhje edhe me një grup tjetër, për Rra­fshin e Kosovës, në Prishtinë. Lidhjen e mbante studenti Isa De­maj, që veproi edhe në themelimin e Grupit të Pejës, në or­­ganizimin e De­monstratës në Pejë dhe mori pjesë edhe në Demonstratën e Prishtinës, ku u pla­g­os.

Grupi i Pejës, ku bënin pjesë edhe Ramadan Blakaj dhe Xhemajl Gashi, organizoi grupe pune në qytet (nxënës, studentë, arsimtarë, zejtarë, fshatarë) dhe veproi në ilegalitet të thellë. Nga grupet në qytet, kryesori ishte ai i Shkollës Normale: Miftar Tishuku, Demë Mulliqi, Rexhep Ferizi, Sy­­lë Kuçi,  Sadik Bin­aku. Xhemajli e koordinonte punën me këtë grup dhe veproi me shu­më për­ku­sh­tim. Edhe Ra­ma­dani veproi me kujdes dhe guximshëm me grupin the­tër, të Shkollës Ek­o­no­m­ike. Organizime u bë­në edhe në Gjimnaz dhe pjesërisht në Shkollën e Lartë Komerciale.

Ze­jtarët Rexhep Berisha e Ali Azem Lajçi, me nx. Emine Neziri kanë përgatitur tërë natën shenja identifikuese kuq e zi për demonstrantë, kurse studenti Murat Gorani e pra­noi detyrën dhe e solli në Pejë flamurin nga Prizreni. Dua të shtoj se për flamurin kishim më shumë frikë nga ndonjë sulm i popullsisë malazeze sesa nga policia, prandaj u krijua edhe njësiti i mbrojtjes së tij dhe ai ishte shumë i suksesshëm para rrezikut te St. i Trenit. Fatkeqesisht, ai u dogj në pranverën 1999.

Peja dukej madhështore më 19 tetor 1968, nga brohotitjet e rreth 7000 demonstruesve për Re­pu­b­likë, për Flamur, për Kushtetutë e për Vetë­vendosje. Peja nuk ka qenë asjnëherë më e gjallë se atë ditë nga këngët atdhetare, që ushtonin deri në Zatra e në Tabje dhe deri në Grykë të Ru­govës. Peja i shtroi edhe me shkrim kërkesat e veta, që u lexuan në shesh, dhe ia lëshoi radhën Pri­sh­ti­nës. Ndihmuan në organizim edhe Sadri Kelmendi, arsimtar, Riza Smaka, student, Tafë Shala, bujk, nx. Hatmane Selmanaj, Shahë Fetaj, Shpend Blakaj, Sadik Gashi e shumë e shumë të tjerë. Sa do të doja t’i përmend të gjithë, por kjo sot nuk është e mundur. Ndihmë dha edhe brezi tjetër: Ra­madan Shala, Remzi Baloku, Neziri Gashi, Murteza Nura, Avni Lama, Ymer Neziri etj., si dhe brezi pa­ra tyre: Sylë Mehmeti, Mulla Zekë Bërdynaj, Sami Peja, Haj­ru­llah Gorani etj.

Sot, përulemi para pjesëmarrësve të 19 tetorit ‘68, që nuk jetojnë më. I kujtojmë me respekt  mb­ro­­jtësit tanë nga su­lmet politike dhe aku­zat, në tubimet e bashkësive lokale, kurse Kape­sh­ni­cën e tri­­mërisë e kuj­to­jmë me kre­nari, ku u mbajt edhe takimi i parë i Grupit të Pejës, te Mullini i Be­k­ës. Brezi ‘68 bën të quhet hallkë his­to­rike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar, që i hapi derën Brezit ‘81 dhe shënon fi­­llimin e shpër­bërjes së Federatës ju­­go­sllave, që tash nuk ekziston, pas lu­ftës fitimtare të Ushtrisë Çli­rim­ta­re të Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: Peja ’68 dhe 50-vjetori i kërkesave për Republikë..., Prof. Dr. Zymer Neziri

ÇFAR NDODHI NË KANALIN E KORFUZIT MË 22 TETOR 1946 DHE PSE

October 23, 2018 by dgreca

2 ok DRagamina1 Libri Saimir1 Libri_Receta Pa Komb_2018

NGA SAIMIR LOLJA/*

…… Mbyllja e zgavrës në cepin më jugor të Perdes së Hekurt kishte nevojë për një saldim. Në fund të 1944 dhe gjatë vitit 1945, flota mbretërore britanike pastroi minat në Korridorin Medri në Kanalin e Korfuzit edhe në ujërat territoriale shqiptare. Në vitin 1945 ajo i pastroi edhe të gjitha minat detare që flota luftarake gjermane i kishte hedhur me mijëra në ujërat e bregdetit dalmat dhe në veri të Detit Adriatik. Flota jugosllave nuk mund ta bënte vetë atë operacion. Një pjesë e minave, me shumë gjasa 103 prej tyre, u ripërtërinë dhe u lanë në portin jugosllav të Shibenikut nën ruajtjen e flotës jugosllave me dijeninë vazhdueshme të flotës mbretërore britanike dhe Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë.

Misioni ushtarak britanik u largua nga Shqipëria në Prill të vitit 1946 dhe Misioni i Shteteve të Bashkuara u largua nëpërmjet Durrësit më 14 Nëntor 1946. Nuk kishte çfarë të bëhej më shumë brenda një zgavre të mbyllur dhe të lënë nën ndriçimin sovjetik dhe mirëmbajtjen jugosllave.

Shkolla e Kodit dhe Shifrës e Qeverisë Britanike mori emrin Selia Qëndrore e Ndërlidhjeve e Qeverisë Britanike (The British Government Communications Headquarters) në Qershor të vitit 1946. Ajo zbërthente të gjitha mesazhet e shifruara që vinin nga Jugosllavia Nr. 3 e Shqipëria dhe në veçanti shkëmbimet e mesazheve që lidheshin me ngrehjen e skenarit për Ngjarjen e Kanalit të Korfuzit në vitin 1946 dhe më pas. Josip Broz Tito ishte një vegël britanike nën kontrollin e imët të Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë. Është e pamundur që ai të ketë hyrë në lojë spiunazhi me Drejtorinë Ruse të Zgjuarsisë Ushtarake për të ngrehur ngjarjen e Kanalit të Korfuzit e të mos dihej nga agjentët e Shërbimit të Fshehtë Britanik të Zgjuarsisë në Beograd dhe të mos përgjohej nga Selia Qendrore e Ndërlidhjeve e Qeverisë Britanike.

Më 15 Maj 1946, me urdhër të këshilltarëve jugosllavë, artileria bregdetare shqiptare gjuajti kryqëzorët britanikë HMS Orion dhe HMS Superb. Qeveria britanike lajmëroi se priste t’i kërkohej falje dhe paralajmëroi qeverinë shqiptare se anijet e flotës mbretërore britanike do të kundërpërgjigjeshin me zjarr në një rast tjetër të ngjashëm. Si përgjigje, qeveria shqiptare lëshoi një shënim më 21 Maj 1946 se anijet luftarake të huaja nuk mund të kalonin pa leje në ujërat e saja territoriale.

Kryeministri jugosllav Josip Broz Tito pat marrë kukullën Enver Hoxha për vizitë në Jugosllavi në periudhën 23 Qershor – 2 Korrik 1946 dhe më 19 Gusht 1946. I udhëzuar, ai i këshilloi Enver Hoxhës minimin e ujërave shqiptare në Kanalin e Korfuzit. Më 10 Shtator 1946, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugosllave dërgoi një mesazh radiotelegrafik në Misionin Ushtarak jugosllav në Tiranë duke i pohuar gadishmërinë e 103 minave detare për operacionin.

Më 21 Shtator 1946, komanda e flotës mbretërore britanike pyeti Krye-Komandantin e Flotës Mbretërore Luftarake në Detin Mesdhe Admiralin Sir Algernon Usborne Willis nëse ndonjë anije britanike e flotës së tij kishte kaluar përmes Kanalit të Korfuzit që nga Gushti i vitit 1946. Përgjigjja e menjëhershme ishte se ajo nuk kishte ndodhur ende, por ishte planifikuar të zbatohej me kryqëzorët HMS Mauritius dhe HMS Leander më 22 Tetor 1946.

Më 5 Tetor 1946, oficeri komandues i skuadronit të parë të kryqzorëve të flotës mbretërore luftarake në Detin Mesdhe, Ndihmës-Admirali Harold Richard George Kinahan, lëshoi Urdhrin Operativ XCU (Exercise Corfu) për oficerët komandues të kryqëzorëve HMS Mauritius, HMS Leander, HMS Ocean dhe komandantit të flotiles së tretë të anijeve mbrojtëse-shkatërruese. Më 13 Tetor 1946, ai lëshoi Urdhrin Operativ Shtesë XCU ONE. Urdhri Operacional XCU pasoi një vendim politik për të provuar kundërveprimin e qeverisë shqiptare që ishte njoftuar nëpërmjet shënimeve diplomatike se kryqëzorët e flotës mbretërore britanike HMS Mauritius dhe HMS Leander si dhe anijet mbrojtëse-shkatërruese HMS Saumarez dhe HMS Volage do të kalonin nëpër Korridorin Medri të Kanalit të Korfuzit në 22 Tetor 1946.

Urdhri Operativ XCU urdhëronte anijet, të cilat do të lundronin në Kanalin e Korfuzit, të përgatiteshin për luftim dhe kthim zjarri për një orë nëse artileria bregdetare shqiptare gjuante e para. Aeroplanmbajtësja HMS Ocean dhe anija mbrojtëse-shkatërruese HMS Raider do të ishin në mbështetje të tyre në perëndim të ishulli të Korfuzit. Urdhri Operativ XCU e gjykonte zonën e Gjirit të Sarandës pa mina detare. Urdhri Operativ XCU ishte tepër i fshehtë dhe paralajmëronte në mënyrë të veçantë se qeveria greke nuk duhej të kishte ndonjë dijeni për të.

Më 15 Tetor 1946 përfundoi Konferenca III e Paqes në Paris. Pa vonesë, më 18 Tetor 1946, dy peshkarexha jugosllave të quajtura Mljet dhe Meljine, të përshtatura si minapastruese luftarake të llojit Malinska, lanë portin e Shibenikut në Dalmacinë qendrore, në Jugosllavinë Nr. 3, me drejtimin jug. Ato kishin në ngarkesë secila 15 mina gjermane të llojit “EMC”, ose me emërtesën britanike “GY”. Të dy peshkarexhat luftarake ngase ishin mjaft të vogla nuk do tërhiqnin vëmendje e mund ta kryenin shpejt detyrën e shtrimit të minave dhe të ktheheshin vrulltazi mëpas. Ato u ndalën në ishullin shqiptar të Sazanit ku morën në bord Kapitenin e Parë të flotës luftarake shqiptare Abdi Matin dhe komandantin e ishullit të Sazanit Mevlan Dervishin.

Pasi peshkarexhat luftarake jugosllave Mljet dhe Meljine arritën jugun e Kanalit të Korfuzit, ato u kthyen. Dhe duke lundruar për në veri e duke qenë në ujërat territoriale shqiptare, shtruan qilimin e minave nën sipërfaqen e ujit në Korridorin Medri përballë Gjirit të Sarandës brenda 5 orëve gjatë natës mes 21 dhe 22 Tetorit 1946. Qilimi, në ujrat territoriale shqiptare, kishte saktësisht gjerësinë e Korridorit Medri dhe një gjatësi të madhe në të.

Shtrati i detit në Korridorin Medri ishte (dhe është) me baltë dhe ngecja e minave takim-shpërthyese EMC në shtratin e detit bëhej thjesht prej peshës që ishte në fund të kabllit. Si të atilla dhe në një shtrat deti me baltë, ato mund të largoheshin nga vend-hedhja fillestare prej rrymave detare për pak kohë. Antenat përgjuese dhe radar-zbuluese të ushtrisë britanike e amerikane dhe postat e tyre të vëzhgimit ishin pikërisht në brigjet e Korfuzit, drejtpërsëdrejti përballë Gjirit shqiptar të Sarandës. Shërbimi i Fshehtë Britanik i Zgjuarsisë kishte edhe postat e veta. Ata regjistronin dhe vëzhgonin drejtpërsëdrejti çdo barkë ose anije në Kanalin e Korfuzit edhe natën duke përdorur pajisjet e vëzhgimit për natën.

Më 22 Tetor 1946, vargani i anijeve të flotës mbretërore britanike filloi lundrimin drejt veriut në Kanalin e Korfuzit sipas Urdhrave Operacionalë XCU dhe XCU ONE. Pasdite, duke lundruar sipas planit qëllimisht në ujrat territoriale shqiptare, anijet mbrojtëse-shkatërruese HMS Saumarez dhe HMS Volage prekën minat aty. Si pasojë, anija HMS Volage u dëmtua rëndë kurse anija HMS Saumarez u dëmtua në mënyrë të pariparueshme. Artileria bregdetare shqiptare nuk gjuajti gjatë ndodhisë dhe flotilja u kthye në portin e Korfuzit. Për keqardhje dhe pa qenë e nevojshme, 44 marinarë të flotës mbretërore britanike vdiqën dhe 42 të tjerë u plagosën ose ngelën të paaftë.

Më 12-13 Nëntor 1946, flota mbretërore britanike ndërmori operacionin “Retail” (Pakica) për pastrimin e minave në Korridorin Medri pa lejen e qeverisë shqiptare. Operacioni “Retail” nxorri 22 mina takim-shpërthyese “GY”. Shuma e atyre 22 minave me dy minat që goditën dy anijet e flotës mbretërore britanike, plus katër minat që i pastroi flota luftarake shqiptare në vitin 1958, plus dy të tjera të gjendura ende në det në Korridorin Medri në veri të Gjirit të Sarandës dhe zbuluar nga një ekspeditë arkeologjike amerikane në vitin 2008, të tëra shkojnë gjithsej 30 mina takim-shpërthyese “GY”. Ky numër është i barabartë me numrin e përgjithshëm të minave që dy peshkarexhat luftarake jugosllave hodhën në ujrat territoriale shqiptare gjatë natës së 21/22 Tetorit 1946.

Afër kapitullimit të saj më 8 Shtator 1943, ushtria italiane pat lëvizur nga Banka Kombëtare Shqiptare në Tiranë në Bankën e Italisë në Romë një ngarkesë të çmuar me vlerën e rreth 3000 kg ar. Më 11 Shtator 1943, ushtria gjermane mori kontrollin e Romës. Më 17 Shtator 1943, administrata gjermane në Romë për arësye sigurie e pat lëvizur arin shqiptar në Berlin, pa i humbur përkatësinë. Nga atje, ari shqiptar ishte dërguar në galeritë e minierës së kripës Merkers në Gjermani. Pas përfundimit të Luftës II Botërore, Aleatët gjetën atje 2721 kg ar shqiptar, për të cilën Komisioni Trepalësh Britani-ShBA-Francë për Rikthimin e Arit Monetar pas Luftës II Botërore përcaktoi se vetëm 65% e tij, domethënë 1768.65 kg, do t’i kthehej Shqipërisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësië (The International Court of Justice) në Hagë të Hollandës u muar me rastin e Kanalit të Korfuzit të paraqitur nga Mbretëria e Bashkuar kundër Shqipërisë ndërmjet datave 22 Maj 1947 dhe 9 Prill 1949. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk i zgjidhi nyjet se kush i vendosi minat, pse, kur dhe si. Megjithatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pohoi se minat nuk mund të vendoseshin pa bashkëpunimin e heshtur nga ana e qeverisë shqiptare. Prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Shqipërinë të paguante 843’947 Stërlina paund britanike si zhdëmtim për humbjet britanike. Qeveria shqiptare nuk e pranoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Si përgjigje, qeveria britanike mbajti peng sasinë prej 1121.5 kg ar, me vlerë prej 630’000 Stërlinash paund britanike, nga sasia e arit të cilën Komisioni për arin i përbërë nga Britania-ShBA-Franca pas Luftës II Botërore kishte vendosur që i përkiste Shqipërisë.

Për shkak të vonesave në proçesin e shpërndarjes, Shqipëria mori nga Banka e Anglisë 1549 kg ar më 29 Tetor 1996, që përbënte pjesët paraprake dhe pothuaj përfundimtare të arit të kthyer. Më 13 Korrik 1998, Shqipëria mori edhe pjesën përfundimtare prej 219.65 kg të arit të kthyer…….

*Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Saimir A. Lolja, Receta Pa Komb, Sh. B. Helga’s Secrets, Tiranë, 2018”, i botuar edhe në anglisht në www.amazon.com “Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe, Tellwell, Vancouver, 2018”./

Filed Under: Histori Tagged With: 22 tetor 1946, Incidenti i Korfuzit, Saimir Lolja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 288
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT