• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë mund të mësojnë amerikanët nga shqiptarët

August 11, 2025 by s p

Ilir Ikonomi/

Vështirë të gjesh një të huaj që të ketë punuar më shumë për Shqipërinë se sa misionari amerikan Charles Telford Erickson (1867-1966). Në vitet 1922-23, ai propozoi hapjen e shkollave profesionale për djem e vajza në Shqipëri. Për ngritjen e tyre, presidenti amerikan dhuroi 10 mijë dollarë. Shkollat u hapën në Golem të Kavajës në vitin 1925 dhe Ericksoni punoi si drejtor deri në vitin 1937.

Më 27 janar 1942, ai foli në një konferencë për Shqipërinë në Portsmouth të shtetit Virginia. Tema ishte: “Çfarë mund të mësojmë nga Shqipëria”.

Erickson tha se shqiptarët janë një prej racave më të vjetra të Evropës dhe se vështirë të ketë patur ndonjë shekull në ekzistencën e tyre 3-4 mijë vjeçare kur ata të mund ta kenë quajtur veten të lirë e të pavarur.

Nderi personal i shqiptarit, shpjegoi ai, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse shqiptari bën një premtim, ai do ta mbajë se s’bën. “Mendoj se kjo është diçka nga e cila amerikanët mund të mësojnë. Ne nuk i kemi arritur këto ideale të nderit personal, të nderimit ndaj tjetrit”, tha Dr. Erickson.

Në Shqipëri, lidhjet familjare janë të forta, siç kanë qenë për breza të tërë. “Familja është një njësi që e ka vazhdimësinë prej shekujsh”, tha Erickson.

Çdo grup fetar, tha ai, është përdorur nga faktorët e jashtëm për të shkombëtarizuar shqiptarët. Megjithatë, në kremtet e ndryshme fetare, njerëzit e besimeve të ndryshme festojnë së bashku. “Kjo është diçka nga e cila mund të mësojmë ne në Amerikë”. – Portsmouth Herald, 28 janar 1942.

(Në foto: Erickson si delegat i Kryqit të Kuq amerikan në Itali)

Filed Under: Histori

Takimi i Lord Byron-it me Ali Pashën (1809): Një përballje kulturore, politike dhe imagjinatës letrare

August 10, 2025 by s p

Në vjeshtën e vitit 1809, një djalosh 21-vjeçar nga aristokracia angleze, George Gordon Byron – ende i panjohur si poet i madh, por me një temperament aventurieri romantik – mbërriti në Janinë për të takuar një nga figurat më të fuqishme dhe enigmatike të kohës në Ballkan: Ali Pashë Tepelenën, sundimtarin gjysmë të pavarur të Pashallëkut të Janinës. Ky takim, në pamje të parë një episod kurioz në itinerarin e një udhëtari anglez, përfaqësonte në fakt një takim të dy botëve: të një Perëndimi në ngjitje dhe të një Lindjeje osmane që kërkonte të përshtatej me realitetet e reja gjeopolitike.

Viti 1809 ishte një periudhë tronditjesh në arenën ndërkombëtare. Perandoria Osmane, ende një entitet i madh territorial, po humbiste gradualisht kontrollin mbi provincat e saj, ndërkohë që fuqitë europiane – sidomos Britania, Franca dhe Rusia – po e shihnin si një fushë të hapur për ndikim politik dhe ushtarak.

Napoleoni kishte shtrirë ndikimin francez në Mesdheun lindor dhe po tentonte të siguronte aleanca në Ballkan për të kërcënuar pozitat britanike. Britania, nga ana tjetër, kërkonte të forconte lidhjet me figura lokale si Ali Pasha, i cili, ndonëse vasal formal i Sulltanit, vepronte si një sundimtar i pavarur, duke luajtur me kujdes midis Portës së Lartë dhe fuqive të mëdha.

Byron, në moshën 21-vjeçare, ishte në kërkim të përvojave që do ta ushqenin imagjinatën e tij poetike dhe do ta dallonin nga bashkëmoshatarët. Udhëtimi në Greqi dhe Shqipëri nuk ishte thjesht një kapriço romantike; ishte pjesë e një tradite aristokratike britanike – Grand Tour – por në një version ekzotik dhe të rrezikshëm.

Nga takimi me Ali Pashën, Byron priste të shihte një figurë orientale të tipit të Sulltanëve që lexonte në kronikat e udhëtarëve të shek. XVIII: të fuqishëm, misteriozë, ndonjëherë mizorë, por gjithmonë të mbështjellë me një aureolë magjie dhe autoriteti. Ai kishte lexuar për intrigat e Aliut, për pasurinë dhe luksin e oborrit të tij, dhe kërkonte ta shihte me sytë e vet këtë spektakël të Lindjes.

Aliu, në moshën 65-vjeçare, ishte një strateg i stërvitur në diplomaci dhe pushtet. Takimi me një aristokrat të ri britanik, mik i konsullit anglez në Janinë, nuk ishte rastësor për të. Ai e kuptonte rëndësinë e Britanisë në ekuilibrin mes fuqive të mëdha dhe kërkonte ta përdorte Byron-in si një hallkë për të forcuar marrëdhëniet diplomatike. Për të, prania e një udhëtari të tillë ishte edhe një mjet propagandistik: përmes syve të vizitorëve europianë, Aliu mund të projektonte imazhin e tij si një udhëheqës i ndritur dhe modernizues, jo vetëm si një pasha oriental.

Takimi i Byron-it me Ali Pashën, i zhvilluar në një atmosferë mikpritjeje luksoze, e la poetin thellësisht të impresionuar. Byron-i do të përshkruante më pas oborrin e Aliut me gjallëri në vargjet e poemës së tij Childe Harold’s Pilgrimage, duke e kthyer figurën e pashait shqiptar në pjesë të imazhit letrar të Lindjes Ballkanike. Kostumet shqiptare, sjelljet ceremoniale dhe personaliteti karizmatik i Aliut u bënë për Byron-in elemente të një bote poetike ku ndërthureshin aventura, heroizmi dhe barbaria ekzotike.

Për Ali Pashën, takimi shërbeu si një investim politik afatshkurtër: Byron-i u bë një lloj ambasadori kulturor i imazhit të tij në Angli. Përmes shkrimeve të poetit, Aliu u njoh nga një publik europian si një figurë pothuaj legjendare, një princ i fuqishëm shqiptar në kufijtë e botës osmane.

Nga perspektiva bashkëkohore, ky takim nuk është vetëm një episod romantik i një udhëtimi të shekullit XIX, por edhe një shembull i mënyrës sesi imazhet e “tjetrit” ndërtohen nëpërmjet ndërveprimeve individuale. Byron-i projektoi mbi Ali Pashën fantazitë e tij orientale, ndërsa Aliu përdori Byron-in për të ndërtuar një narrativë politike për veten. Ky është një rast tipik i asaj që studimet kulturore e quajnë orientalizëm (Edward Said), ku përfaqësimi i Lindjes bëhet përmes filtrit estetik, politik dhe kulturor të Perëndimit.

Sot, ky episod mund të lexohet si një pikë takimi midis dy projeksioneve – Perëndimi që kërkon ekzotikën dhe Lindja që përdor ekzotikën për të mbijetuar politikisht. Për kulturën shqiptare, ky moment mbetet një shembull i hershëm i ndërveprimit me figurat më të njohura të letërsisë botërore dhe i mënyrës sesi shqiptarët u bënë pjesë e imagjinatës europiane.

1- Litografi né Muzeun Historik të Tepelenës

© Dorian Koçi

Filed Under: Histori

Shqiptarët në Mal të Zi dhe Porta e Lartë

August 8, 2025 by s p

“Pasi kishin pësuar humbje të mëdha në luftimet kundër trupave osmane dhe u thyen edhe këtë herë të fundit, malazezët e kuptuan se e kishin të pamundur që ta merrnin me forcë Gucinë, prandaj iu drejtuan sërish shteteve të Europës për ndihmë. Edhe këta të fundit i dërguan paralajmërime shtetit osman që t’i ndalonte shqiptarët për t’u vajtur në ndihmë banorëve të Gucisë por, meqenëse për gegët çështja e fshatrave Vuthaj dhe Martinaj në kazanë e Gucisë ishte një çështje nderi, qe e pamundur që t’u imponohej diçka e tillë shqiptarëve. Sikurse u përmend edhe më lart, shteti osman e kishte liruar e braktisur kazanë e Gucisë duke e zbatuar vendimin e Kongresit, prandaj ai nuk mbante asnjë përgjegjësi në këtë mes. Po ashtu, nëse nahija e Vasojeviçit të Poshtëm, e cila ishte lënë në anën e Bosnjës, do të shkëmbehej me kazanë e Gucisë, Mali i Zi mbetej i kënaqur dhe çështja konsiderohej e zgjidhur. Ky ishte mendimi im modest, që gjeti edhe mbështetjen e autoriteteve përkatëse por ishte kabineti i Austrisë ai i cili nuk e pranoi këtë formë zgjidhjeje. As Porta e Lartë nuk këmbënguli më gjatë në këtë drejtim. Por ambasadorët kryen një manovër tjetër diplomatike, sipas së cilës kërkonin dhënien e një hapësire tjetër territoriale në vend të Gucisë.

Më konkretisht, ambasadori i mëparshëm i Italisë, Korti do të shprehej se “meqenëse banorët e Gucisë janë myslimanë dhe shqiptarët do t’i mbrojnë vazhdimisht, situata nuk do të gjejë zgjidhje. Ndërkohë që popullsia e zonave në anët e Podgoricës nuk janë kryesisht myslimanë”, prandaj kërkonte që këto vende t’i jepeshin Malit të Zi në këmbim të Gucisë. Ndërkohë që pjesa më e madhe e malësorëve, të cilët u erdhën në ndihmë banorëve të Gucisë, ishin katolikë dhe, sikurse e përmenda më sipër, qëllimi kryesor i tyre ishte mbrojtja e fshatrave dhe e zonave shqiptare. Ishte e qartë se malësorët, të cilët kishin ndërmarrë kaq shumë sakrifica për mbrojtjen e dy fshatrave myslimane, i përkisnin malësisë së Kelmendit. Pra, nuk u kishin ardhur në ndihmë atyre për faktin se ishin myslimanë. Nga ana tjetër, vendet në anët e Podgoricës që përfliteshin për t’ua dhënë malazezëve ishin Gruda dhe Hoti, dy zona të cilat ishin ngjitur me malësorët e Kelmendit. Nëse malësorët ishin ngritur në këmbë për dy fshatra shqiptare në kazanë e Gucisë, sigurisht që nuk do të pranonin t’i jepej Malit të Zi i asnjë pëllëmbë tokë nga zonat e banuara prej tyre. Madje, në një rast të tillë, e gjithë Gegëria do të ngrihej për të sulmuar Malin e Zi. Nuk dihet si ndodhi, por Ministria e Jashtme e pranoi propozimin e Kortit dhe kështu u firmos një dokument që parashikonte pagimin e një bedeli prej malësorëve të Shkodrës në vend të Gucisë…” -A. Cevdet, 1862.

“Histori e Shqipërisë” – Eduart Caka

Filed Under: Histori

KOSOVA DUHET TË BËJË MË SHUMË PËR TË INFORMUAR VETEN DHE BOTËN PËR TË VËRTETËN E HISTORISË SË SAJ TË LASHTË

August 7, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli/

Portali që merret me zbulimet arkeologjike, Arkeonews Archaeologists made a remarkable discovery in Kosovo: Evidence that the great Byzantine Emperor was of Dardanian origin – Arkeonews, njoftoi ditët e fundit se në Ulpianë, qytetin e lashtë të Kosovës, është zbuluar një mbishkrim i dytë me rëndësi dedikuar Perandorit Bizantin Justinianit dhe bashkshotrtes së tij, Perandoreshës Teodora. Në zbulimin e parë po aty, tre vjet më heret, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë që kryesohet nga francezi Christophe Goddard dhe përfshin edhe arkeologët vendas Arben Hajdari e Milot Berisha, në hulumtimet e tyre shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda. Ai e përshkruan atë qytet si një qytet Dardan, në krahinën e Dardanisë. Qyteti dhe kisha, janë themeluar nga paraardhësi i Justinianit, Diokleciani në fillim të shekullit IV. Ekspertët thonë se mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë, ndërsa dëshmon afërsinë e perandorit Justinian ndaj provincës së origjinës së tij. Kisha e atjeshme, deri tani paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm të saj, sipas arkeologëve ndërkombëtarë e shqiptarë, thuhej në njoftimin e tre viteve më parë në lidhje me këtë zbulim të rëndësishëm, dy vjet më parë. Frank Shkreli: Pse jo, Republika e Dardanisë!? | Gazeta Telegraf

Mirëpo, në këtë ndërkohë, në qytetin e vjetër Ulpiana, rrënojat e të cilit gjënden jo larg Prishtinës, grupi i arkeologëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë – kryesisht arkeologë të Kosovës dhe Francës – kanë realizuar edhe një zbulim tjetër historik: një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe perandoreshës Teodora, mbishkrim që i referohet, pikërisht, ndërtimit të bazilikës ipeshkvënore në atë qytet të vjetër dardan. Këto mbishkrime, sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, tregojnë qartë dhe vërtetojnë identitetin dhe afërsinë e Justianianit me vendlindjen e tij, Dardaninë. Njëkohsisht, këto zbulime, tregojnë gjithashtu njëherë e mirë — për të gjithë ata që mund të kenë patur ose kanë gjithnjë dyshime – lidhjet e tija me Dardaninë e lashtë dhe rrënjët historike të identitetit dardan të shqiptarëve të sotëm në trojet e veta autoktone. Zbulimi i dytë i mbishkrimit të jashtzakonshëm në Ulpianë u njoftua, zyrtarisht, në faqën zyrtaree të Hajrulla Çekut, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kabinetin qeveritar të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti: “Ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.

Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon.” Njëkohësisht, Ministri Çeku, deklaron se me këtë rast në Kosovë, “Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet”, duke shtuar se “Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar”. Ndërsa vazhdon Ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës, se njëherazi, po “Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime”. Duke përfunduar njoftimin e tij mbi zbulimin e dytë të mbishkrimit dedikuar Perandorit Justinian e perandoreshës Teodora ai shkruan se, ndërkohë që “Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”. Thuhet, gjithashtu, se mbishkrimi i dytë ofron prova të reja të angazhimit të perandorit jo vetëm ndaj rindërtimit qytetar por edhe ndaj infrastrukturës fetare dhe shpirtërore, veçanërisht ndërtimit të një bazilike (ipeshkvënore) episkopale. Dedikimi i mbishkrimit të dytë si për Justinianin ashtu edhe për Theodorën nxjerr në pah gjithashtu trashëgiminë dhe ndikimin e përbashkët të çiftit në jetën fetare (të krishtër) të rajonit, theksohet mëtej në njoftim. Arkeologët që marrin pjesë në këto zbulime historike thonë se, “ato jo vetëm që konfirmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Justinianit në zhvillimin e qytetit, por edhe e vendosin Ulpianën në hartën historike si një qendër kyçe të jetës së hershme të krishterë në Ballkan”.

Por siç ndodh me çdo sukses në cilëndo fushë qoftë, pyetja lind nëse mjafton kaq, a po duhet bërë më shumë, sidomos, në këtë fushë dhe në këtë kohë, siç është arkeologjia dhe historia kombëtare arbëroro-ilire-shqiptare. E lenë pas dore për më shumë se 5-shekuj otomanizëm, dhe i mohuar dhe anashkaluar nga komunizmi sllavo-aziatik, i pa fe e atdhe. Por mbi të gjitha, ajo mbetet një histori e mohuar vazhdimisht dhe në një mënyrë indiferente, për të mos thenë të qëllimshme, deri në ditët e sotëme, e shkelur dhe e abuzuar nga fqinjtë pushtues, sllav, turq e grekë, për shekuj me rradhë. Prandaj, unë jam i mendimit dhe mbështes deklaratën e ditëve të fundit të Profesorin e historisë James Pettifer të Universitetit Oksford dhe eksperti njohur britanik dhe më gjërë për Ballkanin, i cili është shprehur duke reaguar ndaj lajmit për ubulimin e dytë të mbishkrimit kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Teodora se, “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”. Profesori Pettifer bëri këtë reagim duke shpërndar shkrimin e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në lidhje me zbulimin e dytë në Ulpianën e lashtë të ekipit të arkeologëve nga Kosova dhe Franca. Profesori britanik, eskpert i historisë dhe punëve të Ballkanit Perendim or, e xilësoi subulimin e dytë në Ulqpianë si një, “Lajm vërtetë i mirë. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin”, ka shënuar eksperti britanik në faqën e tij të internetit.

Unë jam dakort me Ministrin Çeku se vitet e fundit vihet re një pëkushtim më i madh sa u përket zbulimeve arkeologjike në territorin dardan. Por mbështes edhe thirrjen e Profesorit të nderuar britanik James Petiffer se duhet bërë më shumë për të informuar botën mbi idetnitetin dhe origjinën e vërtetë të shqiptarëve. Nuk besoj se mjaftojnë, kur të merret parasysh baltosja e historisë së shqiparëve nga të huajt, vullneti dhe mjetet e shumta që kanë përdorur ndër shekuj e që përdorin dhe sot armiqët e Kombit shqiptar për të mohuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta autotokotone. Dardania nuk është as e Serbisë as e Turqisë, sipas pretendimeve të të huajve. Për këtë të vërtetë historike duhet të informohet bota por edhe shqiptarët të cilët ndoshta nuk janë të sigurt për idetnitetin dhe prejardhjen e tyre historike.

Mbishkrim kushtuar Perandorit Justinian dhe Perandoreshës Theodora, zbuluar këto ditë në Ulpianë që hedh dritë mbi periudhën e lashtë të Kosovës. FotoKredia: Hajrulla Çeku

Profesori i historisë në Universitetin e Oksfordit dhe eksperti britanik për Ballkanin, James Pettifer, tha se “Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë”.

Mbishkrimi kushtuar Perandorit Justinian konsiderohet zbulimi më i rëndësishëm në arkeologjinë e Dardanisë/Kosovës. Sipas arkeologëve, kjo ofron prova të origjinës dardane të perandorit të madh bizantin. Perandorit Justinian (527-565). Ai ka lindur në Tauresium, që besohet të ketë qenë afër Shkupit të sotëm.

*Foto: https://arkeonews.net/archaeologists-made-a-remarkable…/

Filed Under: Histori

“Lezha gjatë Mesjetës së Vonë (shek. XIV-XV)

August 6, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Nga qëndresa titanike kundër pushtuesve serbë dhe dëbimi i tyre, te administrimi nga fisnikët vendas; më pas kalimi nën Republikën Veneciane dhe ngritja në kulmin e lavdisë kombëtare gjatë epokës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut; për të përfunduar në rënien tragjike nën obskurantizmin osman dhe shkatërrimin e qytetit.”

Periudha e pushtimit të Arbërisë nga Stefan Uroshi II Milutini, u shoqërua me presion dhe dhunë të egër nga ana e sunduesit rasian ndaj arbërve, veçanërisht kundër pjesëtarëve të Kishës Katolike [1]. Kjo gjendje u pasqyrua edhe në dokumentacionin e zyrave kancelareske dhe në raportimet e autoriteteve perëndimore. Kështu, në vitin 1308, një udhëtar francez që vizitoi viset e Arbërisë dhe të Ballkanit shkruante: “Skizmatikët rasianë dhe mbreti i tyre i persekutojnë pa mëshirë katolikët, i shkatërrojnë, i shkretojnë dhe i okupojnë kishat e tyre; priftërinjtë i burgosin dhe kryejnë edhe të tjera mizori të shëmtuara […] [2].” Ndërsa, për mbretin serb, Stefan Uroshi II, thuhet se: “Po i ndjek shumë katolikët dhe i urren”, pak më vonë ai do ta ndalojë praktikimin e Ritit Latin në Rashë dhe ndërsa në Zetë, të gjithë katolikët në këtë vend “I dogji deri në thua [3].” Ndërkohë, arbërit, edhe pse në kushte shumë të vështira, i bëjnë një qëndresë të vendosur pushtimit dhe shtypjes serbe [4]. Të parët që u përballën me pushtuesit serbë ishin pikërisht Blinishtët, zotërimet e të cilëve shtriheshin nga fshati Gjadër i Zadrimës në perëndim e deri te Mali i Shejtit (Orosh) në lindje, dhe nga Fushë-Arrëzi i sotëm në veri e deri në Ndërfanë, e cila shënonte skajin jugor të principatës së tyre.

Në luftën e gjatë dhe sfilitëse të Blinishtëve kundër serbëve në vitet 1319-1336, një luftë e ndezur nga Selia e Shenjtë [5], pinjollët e fundit të kësaj familjeje u vranë, ndoshta më shumë nga qëndrimi opurtunist i Topiajve dhe Dukagjinëve, të cilët i zgjeruan domenet e tyre në ish pronat e Blinishtëve [6]. Lezha e çliruar nga pushtuesit serbë, kalon fillimisht në duart e Topiajve dhe më pas nën sundimin e zotërve të saj të hershëm, Dukagjinëve. Pasi në Mbretërinë Serbe të Rashës erdhi në fron Stefan (Uroshi IV) Dushani, pushteti serb filloi që të përhapej sërish nëpër trojet arbërore, duke përfshirë brenda saj edhe qytetin e Lezhës [7]. Trupat e Stefan Dushanit marshuan drejt jugut dhe pushtuan të gjitha trojet arbëre, me përjashtim të Durrësit, Butrintit dhe Lepantos (Nafpaktos i sotëm në Greqi – P.Z.), të cilët qëndruan edhe më tej nën sundimin e Anzhuinëve ose më saktë, nën zotërimin e familjeve feudale arbëre, besnike të Anzhuinëve [8]. Pushtimi serb i trojeve arbëre gjatë sundimit të Stefan Dushanit (1331–1355) u shoqërua me pasoja të rënda në planin ekonomik, shoqëror, religjioz dhe etnik, duke provokuar reagime të forta nga popullsia vendase. Ai shquhet për qëndrimin e tij thellësisht armiqësor ndaj katolikëve, ku është e qartë se objektivi i këtij qëndrimi ishte pikërisht pjesa dërrmuese e popullsisë në Arbërinë Veriore [9].

Nga një burim dokumentar i vitit 1332 mësojmë se car Stefan Dushani “Katolicizmin në popull dhe në masa nuk e duronte… Latinët dhe arbërit gjenden në pozitë jashtëzakonisht të vështirë, sepse populli është në pranga, priftërinjtë të fyer, të shkelur dhe të poshtëruar, ipeshkvijtë dhe abatët shpesh herë burgosen… kishat, si ato katedrale, ashtu edhe të tjerat, rrënohen dhe u merren të gjitha të drejtat, zhduken dhe shkatërrohen kuvendet [10].” Për këtë arsye, që në muajin prill të vitit 1332, në viset veriperëndimore shpërtheu një kryengritje e fuqishme antiserbe, e udhëhequr nga bujari arbër, Dhimitër Suma (Demetrius Suma) së bashku me vojvodën Bogoje ose “princin Bogu [11]” dhe në burimet e kohës Dhimitri del i përmendur si “Signorotto albanese di San Sergji”, pra si “Fisnik i vogël arbër nga Shën Sergji” ose Shirgji i sotëm pranë Bunës, në Shkodër [12]. Motivi kryesor i kësaj kryengritjeje ishte ruajtja e ndjenjave fetare dhe kombëtare, kundërshtimi ndaj nënshtrimit prej sllavëve ortodoksë dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare [13]. Prandaj, zhvillimi i kryengritjes çoi deri në angazhimin e hierarkisë së lartë kishtare katolike, konkretisht të arqipeshkvit të Tivarit, dominikanit francez, Guillaume Adae (1270-1341) [14].

Ai ndërmori nisma konkrete për organizimin e një kryqëzate Perëndimore kundër serbëve, duke ia paraqitur këtë projekt mbretit të Francës, Filipit VI Valois (1293-1350). Sipas tij, suksesi i kësaj kryqëzate do të varej nga pjesëmarrja aktive e forcave kryengritëse arbëre në trevat veriore të Arbërisë, të cilët, siç pohonte ai vetë, ishin në gjendje për “të nxjerrë në luftë më se 15.000 kalorës, për të bërë çdo farë lufte, sipas zakonit e mënyrës së vendit, burra të shëndoshë, trima dhe luftëtarë të mirë [15].” Gjatë kryengritjes, forcat arbëre çliruan një sërë qytetesh të rëndësishme në veri të vendit, përfshirë edhe Lezhën, e cila kishte një pozicion të veçantë strategjik dhe ekonomik. Megjithatë, pavarësisht se Dhimitër Suma dhe forcat kryengritëse arritën disa suksese të shënuara, mungesa e bashkërendimit me monarkitë katolike perëndimore, si dhe reagimi i menjëhershëm i car Stefan Dushanit, i cili shpalli mobilizimin e përgjithshëm të forcave të tij, çuan në shtypjen e kryengritjes andej nga fundi i vitit 1332 [16]. Ndërsa, pushteti serb në Lezhë arrin të konsolidohet plotësisht vetëm në vitin 1343 [17]. Sikur të mos mjaftonte pushtimi i egër i Stefan Dushanit, në vitin 1348, Lezha, ashtu si edhe pjesë të tjera të Arbërisë, u prek nga murtaja e madhe e njohur si “Vdekja e Zezë (1346-1353)”, pandemia më shkatërrimtare në historinë e Europës, e cila shkaktoi vdekjen e rreth 50% të popullsisë së Kontinentit Plak.

Megjithatë, Lezha duket se e përballoi këtë fatkeqësi me pasoja më të lehta krahasuar me qytetet e tjera të rajonit. Ndërsa, pas vdekjes së car Stefan Dushanit më 20 dhjetor të vitit 1355 [18] dhe shkërmoqjes së shpejtë të mbretërisë së tij [19], në Arbëri, menjëherë pas çlirimit të vendit nga serbët, filluan konfliktet e fisnikëve vendas, si: Balshajt, Dukagjinët, Jonimët, Zahariajt dhe Topiajt, duke e kaluar Lezhën dhe kështjellën e saj herë në varësi të njërit dhe herë ne varësi të tjetrit. Gjatë luftës së pandërprerë për zotërimin e Lezhës, ku Dukagjinët ishin të parët që u ngritën mbi gërmadhat e pushtimit serb [20], Balshajt shpeshherë patën aty edhe rezidencën e tyre [21]. Balsha I, Plaku, me ndihmën e djemve të tij, Strazimirit, Gjergjit I dhe Balshës II, arriti të nështronte një pjesë të madhe të feudalëve arbër së bashku me qytetet, prej të cilëve Shkodrën e ktheu në kryeqendrën e tij [22]. Vetëm në këtë periudhë, kur Shkodra ishte nën zotërimin e Balshajve më të fuqishëm se Dukagjinët, ajo fitoi përparësi si fortifikim kundrejt Lezhës [23]. Lezha u bë pjesë e zotërimeve të Balshajve gjatë sundimit të Strazimir Balshës (1362-1372) dhe qëndroi nën sundimin e tyre deri në kohën e Gjergjit II Balsha, i cili, duke pasur një pushtet të dobët, nuk mundi t’i mbajë më nën kontroll feudalët e nënshtruar dhe të parët që ngritën krye kundër tij ishin Lekë e Pal Dukagjini, që ia shkëputën atij Lezhën në vitin 1387 [24]. Pikërisht gjatë këtyre sundimeve, Lezha njohu kulmin e zhvillimit të saj në periudhën e Mesjetës dhe mundi të ruajë të drejtën e vetadministrimit të brendshëm, falë forcës ekonomike dhe politike të qytetit, i cili ishte një nga qendrat kryesore të prodhimit të kripës në Arbëri dhe në fushën e zejtarisë, dallohej për punimin e qirinjve [25].

Pra, gjatë kësaj kohe, njësoj si Shkodra, Ulqini, Tivari e Drishti, edhe Lezha ishte e organizuar si një bashkësi qytetare e pavarur, por mendohet se nuk duhet ta ketë gëzuar gjatë si të plotë këtë pavarësi, pasi fisnikët feudalë arbër e respektuan vetadministrimin vetëm kundrejt një haraçi, të cilin bashkësia e qytetit ishte e detyruar t’ua paguante atyre [26]. Asokohe, Lezha numëronte më shumë se 7.000 banorë [27] dhe besohet se funksionet e kështjellës së Lezhës i kishte marrë vetë përsipër zona e Qytetit të Poshtëm në bregun e Drinit, që del e përmendur si: “Castrum Lessi [28]” dhe “Castrum de Leexio [29].” Me pak fjalë, rezulton se Kështjella e Elisonit, që ishte në majë të kodrës, tashmë ishte kthyer në një gërmadhë muresh të rrëzuara [30]. Në vitin 1392, pasi sanxhakbeu i Shkupit zuri rob me pabesi, Gjergjin II Balsha, gjatë bisedimeve për të arritur një marrëveshje midis tyre, sundimtari i Zetës së Sipërme, Radiç Cernojeviç, e shfrytëzoi menjëherë këtë mundësi dhe zhvilloi një ekspeditë ushtarake kundër Balshajve, duke pushtuar Budvën së bashku me disa qytete në Gjirin e Kotorrit dhe më pas marshoi me forcat e tij drejt jugut kundër Dukagjinëve [31]. Në fillim, Radiç pushtoi qytetin e Lezhës dhe më vonë edhe kështjellën e saj [32]. Pas kësaj lufte ai njohu sundimin venecian mbi tokat e tij, duke lidhur një traktat me Republikën Veneciane, më 30 nëntor 1392 [33].

Megjithatë, pushtimi i Lezhës ishte shumë i përkohshëm [34], sepse vëllezërit Dukagjinas ia hoqën atë nga duart Radiç Cernojeviçit në fillim të vitit 1393 [35]. Mirëpo, në muajin maj ose në qershor të vitit 1393, në pamundësi për ta mbrojtur nga sulmet e turqve osmanë [36], ky qytet i lulëzuar, deri atëherë qendër politike dhe administrative e Principatës së Dukagjinëve [37], iu dorëzua me konçesion Republikës Veneciane [38]. Nëpërmjet aktit që princat, Progon dhe Tanushi II Dukagjini, nënshkruan me përfaqësuesin venecian, Giovanni Miami [39], u vendos që të gjitha të ardhurat e qytetit, duke zbritur shumën financiare prej 800 dukatë si shpenzime për rojet, do të ndaheshin në 3 pjesë, nga të cilat 2/3 i kalonin Republikës Veneciane, e cila mbronte qytetin nga sulmet eventuale të Perandorisë Osmane dhe 1/3 e përfitonte Principata e Dukagjinëve me në krye Progonin e Tanushin [40]. Këtë marrëveshje do ta kundërshtojë Gjergj Balsha, i cili më 21 korrik 1393 proteston pranë Senatit Venecian, por ky i fundit i përgjigjet, duke i garantuar se Lezha ishte më e sigurt nga turqit në duart e venecianëve dhe jo në duart e tij, gjithmonë në rrezik [41].

Në vitin 1398, kështjella e Lezhës, e ndërtuar mbi Akropolin e Vjetër, vijonte ende të ishte një gërmadhë, por megjithatë muret e mbetur ishin akoma me lartësi imponuese dhe venecianët u interesuan menjëherë nëse mund të meremetoheshin ato, sepse vetë qyteti nuk mund të mbrohej mirë para një sulmi eventual [42]. Më 8 prill 1401, Dukagjinët e humbën plotësisht të drejtën që kishin mbi këtë qytet, kur ata ia shitën prokuratorit venecian, Giovanni Barbo, dhe më pas Lezha bie plotësisht nën vartësinë dhe administrimin venecian [43]. Mirëpo, Republika Veneciane e qeverisi qytetin me anë të një proveditori, duke ia lënë qeverisjen komunale një “voivoda degli uomini d’Alessio [44]”, çka do të thotë se Lezha gëzonte një farë vetëqeverisje nën Flamurin e Shën Markut. Emrat e disa prej vojvodëve që përmenden në burimet arkivore veneciane janë: Petan Petricij, Georg Noga dhe Jura Kuka [45]. Ndërsa sundimtarët e vërtetë të qytetit në aspektin ekonomik, ishin pinjollët e familjes së fuqishme veneciane, “Barbo”, aq sa kufizimi i saktë i kompetencave midis tyre dhe shtetit shkaktonte vazhdimisht konflikte juridike, duke e detyruar Senatin Venecian që në disa raste të anullonte vendime që binin ndesh me interesat e Barbove në Lezhë [46]. Gjatë kësaj kohe Lezha konsiderohej si “Syri i djathtë i Durrësit [dexter Oculus Durachii] [47]” dhe pa këtë qytet, Durrësi nuk ishte asgjë, sepse perveç mbrojtjes që Lezha i mundësonte Durrësit, ajo ishte edhe pika kyçe për tregtine e këtij qyteti, sepse prej aty furnizoheshin vendet e Sllavonisë me kripë [48].

Në vitin 1404, Republika Veneciane realizoi disa ndërhyrje përforcuese në objektet ushtarake, që ndodheshin në territorin e Lezhës [49], duke kryer punime restaurimi në muret dhe në brezin e ndërmjetëm, ku përveç kësaj këtu u shtua një çisternë [50]. Në vitin 1410 u bënë disa përpjekje të pasuksesshme që Lezha të kalonte nën kontrollin e Tanush Dukagjinit dhe pas zhvillimit të këtyre ngjarjeje, veprimtaria politike dhe ekonomike e familjes Dukagjini u përqendrua kryesisht në rajonin e Shkodrës, ku ishin të pranishme edhe familje të tjera fisnike me ndikim, si Spanët, Jonimët, Zahariajt etj [51]. Ndërsa, 20 vite më vonë, më 1430, Sinjoria mori masa të mëdha për fortifikimin e qytetit të Lezhës [52] dhe po ashtu, u bënë prova për të ndërtuar fortifikata në ishullin fqinj të Drinit [53], pra në Ishullin e Lezhës. Sikurse del nga burimet veneciane të kohës, në vitin 1432, një përmbytje e madhe e lumit Drin pranë Lezhës, jo vetëm shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve dhe rrënoi depot e kripës, kjo fatkeqësi natyrore mori me vete edhe një pjesë të mirë të fortifikimeve [54]. Të tilla përmbytje që përsëriteshin në mënyrë periodike vit pas viti, i detyruan venecianët t’i hedhin sytë nga kështjella e vjetër në Akropolin Ilir, e cila vijonte të ishte në gjendje rrënojë. Vihet rè se në burimet e shek. XV, qyteti përmendet në format e latinizuara: “Alexium, Alessium” dhe në italisht, “Alessio [55]”, duke u bërë i njohur si një nga tregjet më të rëndësishme të Arbërisë [56].

Në vitin 1436, Lezha vizitohet nga humanisti i njohur italian, Qiriaku i Ankonës [57], i cili, midis të tjerash, konstaton se mbetjet e mureve të qytetit antik ruheshin deri në një lartësi imponuese dhe flet për ekzistencën e mbishkrimeve latine të periudhës romake [58]. Rënia e një zjarri të madh në qytet, plaçkitja nga ana e turqve në vitin 1440 [59] dhe kërkesa e vetë qytetit drejtuar Senatit Venecian [60], e detyruan përfundimisht Republikën Veneciane që ta rrethonte Akropolin Ilir me një mur të ri, i cili ekziston pothuajse në atë formë edhe sot [61]. Ndërtimi i plotë i murit përfundoi në vitin 1451 dhe shpenzimet i paguan 50% Republika Veneciane dhe 50% qyteti i Lezhës [62], duke shënuar kështu fazën e gjashtë të ndërtimit të Kështjellës së Lezhës. Siç konstaton Indro Montanelli: “Republika Veneciane e bëri Lezhën një fortesë të vërtetë, një pritë kundër përparimit osman drejt veriut, ku malësorët arbër mundën të rimerrnin të pashqetësuar ose pak të shqetësuar misionin e tyre historik të autonomisë arbëre, vestalë të zjarrit kombëtar [63].” Gjatë kohës kur kështjella po i nështrohej rindërtimit nga venecianët, në Lezhë zhvillohen disa ngjarje historike shumë të rëndësishme, me impakt të madh kombëtar e ndërkombëtar, të cilat lidhen me jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ngjarja më e rëndësishme lidhet pikërisht me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës të mbajtur në këtë qytet më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollit dhe nën kryesinë e Heroit tonë Kombëtar. Ngjarja e dytë lidhet me datën 4 tetor 1448 [64], kur në Lezhë nënshkruhet paqja midis Shtetit të Lidhjes së Lezhës dhe Republikës Veneciane, duke i dhënë fund Luftës Arbëro-Veneciane (1447-1448). Nënshkruesit e kapitujve të paqes nga pala fituese ishin: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, të shoqëruar nga Gjergj Pelini, Abati i Shën Mërisë së Rotecit (me detyrë si kancelar i Kastriotit) dhe Andrea Suma, ipeshkëv i Arbërit, dhe përfaqësuesi i palës tjetër, asaj humbëse në luftë, ishte proveditori venecian i Shkodrës, Andrea Venerio [65]. Ndërsa, në vitin 1467 kemi një ngjarje shumë interesante, e cila çimenton lidhjen e veçantë të kështjellës së Lezhës me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Në letrën që Zacharia Barbarus i dërgon ipeshkvit të Veronës, më 10 maj 1467, nga Venecia, mësohet se rektori i Lezhës kishte njoftuar se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me 1.500 vetë ka kapur vëllain e Ballaban Pashës, kapiten i sulltanit, me të gjitha pajisjet që kishin shkuar kundër Krujës dhe e ka sjellë atë në qytetin e Lezhës [66]. Ndërsa, kronisti venecian, Stefano Magno, në Analet e veta, shton se vëllai i Ballabanit (fradello del ditto Balaban), sapo mbërriti në Lezhë, u mbyll në bodrumet e kullës së kështjellës [67], por nuk e thotë se për cilën kullë bëhet fjalë! Ky vëlla i Ballabanit ishte Jonima i përmendur edhe si Jonuzi, të cilin Heroi jonë Kombëtar, pasi e shpartalloi në betejën e përgjakshme të zhvilluar gjatë natës midis 18 dhe 19 prillit 1467 pranë fshatit Bërzanë [68], e zuri rob bashkë me të birin, Hajdarin [69], ua tregoi të dy të lidhur Ballaban Pashës, që mbante të rrethuar Krujën, me qëllim për ta demoralizuar [70] dhe në fund, vendosi ta dërgojë Jonimën në kështjellën e Lezhës, ku e mbajti të burgosur.

Duke nisur nga data 26 tetor e vitit 1467 [71] dhe deri sa kaloi në amshim më 17 janar 1468, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ka jetuar në qytetin e Lezhës së bashku me familjen dhe me pjesëtarët e oborrit të tij. Pavarësisht se burimet e kohës nuk e përmendin kompleksin rezidencial, ku ai ka kaluar ditët e fundit të jetës së tij, me siguri që nuk duhet të ketë qenë Kështjella e Poshtme në bregun e Drinit, ku ajri ishte mbytës dhe vendi gëlonte nga tregtarët dhe njerëzit e shumtë, por ka më tepër mundësi që ai të ketë jetuar në Kështjellën e Lezhës të ndërtuar mbi substruksionet e Akropolit antik ilir. Me shumë të drejtë Th.Ippen konkludon se: “Në Lezhën e vitit 1467, Skënderbeu me siguri nuk ka banuar në Pazar, në lagjen e barkaxhinjve në breg të lumit. Ai do ta ketë patur rezidencën tij në kala [72].” 10 vite pas kalimit të tij në amshim, në muajin janar të vitit 1478, Republika Veneciane bëri disa punime përforcuese në sistemin e fortifikimit të qytetit të Lezhës, duke marrë masa kundër fushatës së paralajmëruar të sulltan Mehmetit II Fatih [73]. Megjithatë, në fillim të muajit shtator 1478, në pamundësi për t’i rezistuar baticës osmane, kështjella së bashku me qytetin u dogjën fillimisht nga vetë banorët, që për t’u shpëtuar forcave armike u zhvendosën në Ishullin e Lezhës.

Nga burimet veneciane mësojmë se në vitin 1478 rreth “5.000 qytetarë dhe banorë (ciues et habitatores)” të Lezhës morën arratinë prej osmanëve dhe arritën nën muret mbrojtëse të Durrësit [74], çka dëshmon qartë faktin se gjatë Mesjetës së Vonë Lezha ishte një nga qytetet më të mëdha e më të populluar në Europën Juglindore. Më 5 shtator 1478, kështjella u rrënua nga turqit osmanë, pasi këta të fundit pushtuan qytetin [75]. Mbi dinamikën e zhvillimit të këtyre ngjarjeve, rrëfen në mënyrë të detajuar kronisti osman dhe dëshmitari sypamës, Tursun Beu, i cili në veprën e tij “Tarih-i ebu’l-feth (Historia e atit të pushtimeve)” shkruan se: “Pas kthimit të tyre në Fronin qiellor, Sulltani i dërgoi kundër fortesës së Lezhës. Të pafetë e atyshëm ishin tanimë gjysmë të dërrmuar nga lajmi i rënies së dy fortesave të tjera (Zhabjaku dhe Drishti – P.Z.). Njëherësh me arritjen e ushtrisë fitimtare (osmane – P.Z.), nga deti mbërriti edhe një flotë e stërmadhe galerash të të pafeve. Siç thuhet në vargun “do t’i shkatërrojnë shtëpitë e tyre me duart e veta” (Kurani 59:2), gjatë natës banorët e Lezhës u vunë zjarrin banesave të veta dhe hipën në anijet e të pafeve që t’ia mbathnin. Trupat osmane që ulërinin si bubullimat, iu lëshuan të pafeve një stuhi shigjetash nga të dyja anët e ujit (lumi Drin – P.Z.) dhe çuan lart britmën. Mbatharakët, pre e çoroditjes, i përplasën anijet me njëra-tjetrën, duke i bërë copë-copë, duke goditur bregun. Dy galera të fuqishme me gjithë ngarkesë e pasagjerët që ishin në kuvertë ranë në duart e gazinjve. Për më tepër, ndërsa ushtarët sokëllinin nga dy brigjet, të trembur prej oshëtimës së fuqishme të daulleve, shumë nga të pafetë braktisën anijet dhe dolën në ishull (Ishull-Lezhë — P.Z.).

Atëherë gazinjtë arritën në ishull me not, me shpatat ndër dhëmbë dhe, megjithëse ishin një aradhe njerëzish të zhveshur, i shpartalluan të pafetë. I vunë përpara robërit në tufa. Pastaj, duke gjetur lundra të vogla dhe duke vënë të notojnë kuajt, u hodhën në një mësymje mbi mbarë ishullin, ku pasoi plaçkitje e madhe. Kur këto fortesa u morën, Drishtin dhe Zhabjakun i përforcuan, ndërsa fortesës së Lezhës, me gjithë kufomat brenda, i vunë flakën, duke e shkatërruar plotësisht [76].” Krahas shkatërrimeve e mizorive të shumta, ushtria osmane e vijoi djegjen e qytetit për 7 ditë e 7 netë me rradhë, duke djegur Ungjij dhe shkrime të tjera [77]. Ndërkohë që, vetë qyteti u kthye në një hije të lavdisë së tij të dikurshme, banorët e zhvendosur në Ishullin e Lezhës dhe ata që jetonin në rrethinat e Lezhës, vendosën të qëndrojnë me armë në dorë dhe e gjithë kjo energji e akumuluar prej tyre për 21 vite me rradhë, shpërtheu fuqishëm gjatë kryengritjes së madhe antiosmane të viteve 1499-1506. Kjo kryengritje arrin pikën e saj kulmore më 5 mars 1501, kur në Ishullin e Lezhës zbarkon nipi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Gjergji II Kastrioti, i njohur kryesisht si “Skënderbeu i Ri”, së bashku me Span Dukagjinin, të cilët, falë ndihmës së dhënë nga ipeshkvi i Lezhës, Pjetër Malonsi, dhe krerët lokalë, u bë e mundur kapja rob e eminit të sulltanit dhe çlirimi i qytetit [78], rrjedhimisht edhe i kështjellës. Mirëpo, politika dyfaqëshe e Republikës Veneciane, grindja e Skënderbeut të Ri me proveditorin venecian në muajin shtator 1502, por sidomos marrëveshja e paqes veneto-osmane më 14 dhjetor 1502, i dha kryengritjes një grusht të rëndë [79]. Si pasojë e shtypjes së kryengritjes nga forcat osmane, andej nga fundi i muajit shkurt të vitit 1503, u largua nga Ishulli i Lezhës për në Itali edhe Gjergji II Kastrioti, Skënderbeu i Ri [80]. I zhytur në dëshpërim, dy vjet pasi kishte ardhur në Lezhë, në një natë të errët dhe në mes të shtrëngatës me shi, pa e ditur askush, princi e la Arbërinë, duke marrë me vete familjen e tij, dy persona dhe një shërbëtore [81].

Ndërsa, në muajin korrik të vitit 1506, Senati Venecian, i gjendur nën presionin e vazhdueshëm të Perandorisë Osmane, dërgoi në Lezhë një skuadër navale, e cila mbasi ngarkoi mjetet e artilerisë, duke i lënë lezhjanët pa mbrojtje, më pas i vuri zjarrin çdo ndërtese, duke shkretuar të gjithë Ishullin e Lezhës [82]. Banorët e pashpresë, një pjesë kërkuan dhe u bartën në qytetin e Ulqinit dhe pjesa tjetër u larguan në Puglia [83]. Megjithatë, një kontingjent i rëndësishëm prej tyre zgjodhi të zhvendosej drejt zonave malore më veriore të Arbërisë mesjetare, ku themeluan vendbanime të përhershme. Sipas J.G.Hahn: “Banorët e sotëm të Liesinka (Aleksandër) Nahijes në Malin e Zi, thonë se kanë ardhur nga Lezha dhe kur pushtoi Turqia vendin, janë arratisë në ato vise malore që kanë sot [84].” “Љешанска нахија / Lješanska Nahija (Nahija e Lezhjanëve)” është një rajon historik në pjesën lindore të Malit të Zi, që bënte pjesë në të ashtuquajturin “Стара Црна Гора / Stara Crna Gora (Mali i Zi i Vjetër)” së bashku me Катунска нахија (Katunska Nahija), Ријечка нахија (Riječka Nahija) dhe Црмничка нахија (Crmnička Nahija). Në dallim nga grupet e tjera të shpërngulura nga Lezha, të cilët pas vendosjes në Itali apo Dalmaci u asimiluan plotësisht, banorët e Lješanskës, ndonëse të sllavizuar, e ruajnë vetëdijen për prejardhjen e tyre nga Lezha dhe e pranojnë hapur diçka të tillë. Ndërsa, në vitin 1506, skuadra navale veneciane u largua nga Ishulli i Lezhës, duke e lënë të shkretuar këtë vend, i cili kishte dashur të bëhej fillimi i një “Arbërie të lirë [85].”

Ky ishte edhe fundi tragjik i qytetit të Lezhës, apo i Lisit, i cili humbi njëherë e përgjithmonë trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe intelektuale, që kishte arritur në Mesjetë [86]. Me pak fjalë, “Lisi i lashtë dhe vendi i Besëlidhjes u kthye në një qytet fantazmë”! Edhe pas ringritjes së tij të ngadaltë, atë do ta shohim të katandisur në një fshat [8] me fizionomi orientale. Do të duheshin më shumë se katër shekuj që qyteti i Lezhës të ringrihej si Sfinksi nga hiri i vet, për të rifituar numrin e popullsisë që kishte pasur gjatë Mesjetës së Vonë. Faza kulmore e lulëzimit të tij pasqyrohet në burimet arkivore perëndimore, veçanërisht në ato të Romës, Venecias dhe Dubrovnikut (Raguzës), por edhe në zbulimet e pafundme arkeologjike. Ndërkohë, dëshmitë monumentale që pasqyrojnë lavdinë e dikurshme të qytetit dhe begatinë e tij, janë: rrënojat e mureve antike ilire, Akrolisi, kështjella mesjetare në majën e kodrës dhe ajo në Qytetin e Poshtëm, Nekropoli Mesjetar, muret e Katedrales së Shën Nikollit, Kisha e Zojës Nunciatë së bashku me Kuvendin Françeskan, si dhe themelet e disa dhjetëra objekteve të tjera të kultit të krishterë, të cilët dikur ishin aq të shumtë në numër në Lezhë. Ashtu si Roma, që njihet si “Qyteti i Përjetshëm”, po aq me të drejtë është Lezha, që cilësohet si “Qyteti i Pavdekshëm.”

BIBLIOGRAFIA:

1- G.Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, f. 94.

2- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 85.

3- G.Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, f. 94.

4- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 85.

5- E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për Mesjetën, f. 205.

6- S.Prendi, Blinishti në Histori dhe Gojëdhënë, f. 22-44.

7- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 13.

8- I.Montanelli, Shqipëria një dhe njëmijë, f. 77.

9- N.Ukgjini, Kisha Katolike në trevat shqiptare (nga shek. XI- deri sot), f. 55-56.

10- G.Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, f. 95.

11- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 85.

12- T.Suma, Familja Suma: Histori, Etikë, Traditë, f. 8-9, 16.

13- Ibidem, f. 8.

14- Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. I (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – Vitet 20 të shek. XIX), Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, f. 242.

15- A.Buda-I.Zamputi-K.Frashëri-P.Pepo, Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëll. II, shek. VIII-XV, (Redaktor përgjegjës: K.Frashëri), Tiranë: Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1962, f. 111-112, Dok. Nr. 68.

16- J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 275, 286.

17- P.Bartl, Shqiptarët: Nga Mesjeta deri në ditët tona, f. 301.

18- G.Gjini, Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, f. 97; F.Schevill, Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, f. 141.

19- P.Bartl, Shqiptarët: Nga Mesjeta deri në ditët tona, f. 35.

20- I.Montanelli, Shqipëria një dhe njëmijë, f. 79.

21- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 14.

22- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 37.

23- Gj.Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, f. 124.

24- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 37-38.

25- Ibidem, f. 39.

26- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 14.

27- M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 105.

28- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 105.

29- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 56.

30- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 105.

31- J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 418; O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 232.

32- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 215.

33- J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 419.

34- G.Valentini, Vepra III, (Publicistikë, studime dhe tekste), f. 137; O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 232.

35- J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 419.

36- P.Morosini, Historia della citta, e Republica di Venetia di Paolo Morosini senatore venetiano. Distinta in libri vintiotto. Con tauola copiosissima delle cose piu notabili, In Venetia: Presso Paolo Baglioni, MDCXXXVII (1637), f. 364.

37- Gj.Varfi, Heraldika shqiptare, f. 65.

38- J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 419; E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 16-17.

39- S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 154-165.

40- L.Malltezi, Qytetet e bregdetit shqiptar gjatë sundimit venedikas 1392-1478 (Aspekte të jetës së tyre), f. 57-58.

41- G.Valentini, Vepra III, (Publicistikë, studime dhe tekste), f. 137-138.

42- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 57.

43- A.Buda-I.Zamputi-K.Frashëri-P.Pepo, Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëll. II, shek. VIII-XV, (Redaktor përgjegjës: K.Frashëri), Tiranë: Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1962, f. 168-169, Dok. Nr. 99; S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 43.

44- G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 127.

45- O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 522-523.

46- Ibidem, f. 369-371.

47- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 70; M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 62; G.Valentini, Vepra III, (Publicistikë, studime dhe tekste), f. 137.

48- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 18.

49- S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 159-160.

50- O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 528.

51- Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. I (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – Vitet 20 të shek. XIX), Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, f. 268.

52- S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 169.

53- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 57.

54- O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 72.

55- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69.

56- O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 431-432.

57- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 51.

58- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 151-152.

59- M.Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë: kryesisht në Mesjetë, f. 57; Shih edhe A.Sh.Cami, Kalatë shqiptare, f. 12.

60- G.Valentini, Vepra III, (Publicistikë, studime dhe tekste), f. 181.

61- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 42.

62- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 51; G.Valentini, Vepra III, (Publicistikë, studime dhe tekste), f. 181.

63- I.Montanelli, Shqipëria një dhe njëmijë, f. 81.

64- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 15, Doc. Nr. 22; J.V.A.Fine Jr., The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, f. 558; J.Drançolli, Shteti mesjetar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 152.

65- Š.Ljubić, Listine: O odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mletačke Republike, Knjiga IX, Od godine 1423 do 1452, u Zagrebu, 1890, f. 282-283; R.Predelli, I libri commemoriali della Republica di Venezia: Regestri, Vol. V, f. 16, Doc. Nr. 31.

66- Ј.Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 198, Doc. Nr. 359; Shih edhe J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 159.

67- A.Plasari, Skënderbeu – Një histori politike, f. 726.

68- Z.Pergega, Djepi i thyer: “Bassania & Nimpheum”, Vështrim historiko-letrar, f. 41-42.

69- F.Verdizzotti, De fatti veneti dall’origine della Republica sino all’anno M.D.IIII. (1504), In Venetia: Presso Gio: Giacomo Hertz, MDCLXXIV (1674), f. 571-572; G.Guillet, Histoire du regue de Mahomet II empereur des turcs, Par le sieur Guillet, Tome Second, A Paris: Chez Denys Thierry, ruë S. Jacques, à la ville de Paris, devant la rue du Plâtre. Et Claude Barbin, au Palais, sur le seconde Perron de la sainte Chapelle, M.DC.LXXXI (1681), f. 113-114.

70- R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 401; J.C.L. Simonde De Sismondi, Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Tom. X, f. 225; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 144; A.Cutolo, Scanderbeg, f.209-210.

71- Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 205-206, Doc. Nr. 380; P.Xhufi, Skënderbeu. Ideja dhe ndërtimi i shtetit, f. 139.

72- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 210.

73- O.J.Schmitt, Arbëria Venedike (1392-1479), f. 614.

74- Ibidem, f. 155, 615.

75- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 51; S.Daci, Lezha nën sundimin e Venedikut, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 174; S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 125, 162-163; M.Uci, Lezha: tempulli i historisë kombëtare, f. 135.

76- Tursun Beu, vep. cit. f. 195.

77- M.Sirdani, Skanderbegu mbas gojëdhanâsh, Botimi II, f. 99.

78- I.Zamputi, Lëvizja e Lezhës dhe ekspedita e Skënderbeut të Ri (1499-1506), në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 616-640; K.Zheku, Ishulli i Lezhës në fund të shek. XV dhe në fillim të shek. XVI, në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 675-683.

79- S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 58.

80- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 35.

81- I.Zamputi, Lëvizja e Lezhës dhe ekspedita e Skënderbeut të Ri (1499-1506), në: Studime për epokën e Skënderbeut, II, Akademia e Shkencave e R.P.S.SH. (Instituti i Historisë), Tiranë, 1989, f. 616-640.

82- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 58-59.

83- A.Buda-I.Zamputi-K.Frashëri-P.Pepo, Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëll. II, shek. VIII-XV, (Redaktor përgjegjës: K.Frashëri), Tiranë: Universiteti Shtetëror, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1962, f. 366, Dok. Nr. 262.

84- J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 135.

85- S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 59.

86- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 35.

87- N.Vadahej, Lëvizjet e popullsisë së Zadrimës në shekujt XVI-XX, në: Konferenca e dytë e studimeve albanologjike (12-18 janar 1968), Universiteti Shtetëror i Tiranës-Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, II, Tiranë, 1969, f. 457.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT