• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHPËTOHET NGA HARRESA NJË DORËSHKRIM I ÇMUAR I VITIT 1921 PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN

April 22, 2026 by s p

Ka libra që sfidojnë kohën, historinë, por ndonjëherë edhe vetë fatin e tyre. I tillë është rasti i një biografie të rrallë dhe të çmuar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruar nga Petro Qiriazi, botuar fillimisht në Konstancë në vitin 1921. Një vepër që rrezikonte të humbiste përgjithmonë, që mungonte madje edhe në arkivat e bibliotekave kombëtare të Tiranës dhe Kosovës, dhe që sot kthehet në jetë falë studiuesit e koleksionistit të librave të Skënderbeut, Hysen Dizdarit.

Ja si ndodhi shpëtimi i mrekullueshëm. Një kopje e mbijetuar, me kopertinë të grisur dhe lidhje të shkatërruar, u gjet krejt rastësisht mes librave të përdorur në trotuaret e qytetit të Tiranës nga studiuesi i pasionuar, Hysen Dizdari. I blerë dhe i shpëtuar nga zhdukja, kjo pjesë e kujtesës kombëtare u restaurua nga Hysen Dizdari me dashuri për t’ia rikthyer jo vetëm popullit shqiptar, por mbarë botës. Siç shprehet vetë z. Dizdari: “Nuk e shpëtova unë librin e Petro Qirjazit, por ishte forca dhe magjia e Skënderbeut që bëri të mundur të mos humbiste”.

Kjo vepër rilind sot në një format botimi monumental. Nën kujdesin e jashtëzakonshëm të botuesit italian: “Edicion Pergamena” dhe përkthyesit Aldo Diomedes, teksti i Petro Qiriazit është kuruar e faqosur sipas standardeve më moderne ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, është përkthyer në katër gjuhë të rëndësishme: anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht. Kjo është një zgjedhje mirëfilli e dëshiruar nga Hysen Dizdari për ta shndërruar këtë sprovë në një urë kulturore universale.

Ndonëse botimi ka ruajtur me rigorozitet tonin epik dhe saktësinë historiografike origjinale, është pasuruar me infografika elegante përmbledhëse. Këto shtesa i mundësojnë lexuesit modern të vizualizojë menjëherë ndikimin dhe madhështinë e bëmave ushtarake të “Athleta Christi”, heroit që me një grusht trimash shqiptarësh, që rrallë i kalonin 10.000 ushtarë, përballoi një ushtritë të madhe me 150.000 deri 200.000 mijë ushtarë të Perandorisë Osmane për më shumë se njëzet e pesë vjet.

Për të kurorëzuar këtë veprim të jashtëzakonshëm të rimëkëmbjes historike, është realizuar edhe një video prezantuese mbresëlënëse e titulluar “Skënderbeu: Legjendë e rizbuluar”, një prodhim multimedial me ndikim të fortë, që ndërthur epikën e së shkuarës me teknologjitë e së sotmes, të lartësuar, për t’i afruar brezat e rinj me figurën e pavdekshme të Luanit të Shqipërisë. Kushdo që dëshiron të zhytet në këtë faqe të historisë madhështore të Heroit të kombit shqiptare, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të shpëtuar nga harresa, mund ta bëjë, vetëm me një klikim, duke e blerë këtë botim të vyer ndërkombëtar, në Amazon!

Nga: Aldo Diomedes

Blini librin në Amazon

Filed Under: Histori

Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali

April 21, 2026 by s p

#ASHSH

#SkënderAnamali

#InMemoriam

Skënder Anamali, themelues dhe studiues i shquar i arkeologjisë dhe i historisë antike të Shqipërisë, është ndarë nga jeta më 21 prill 1996. Ai ka lindur në Shkodër, ku kreu shkollën e mesme, dhe ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Padovës (Itali).

Më 1947 filloi punën si arkeolog në Institutin e Shkencave në Tiranë dhe, bashkë me H. Cekën, hapën muzeun e parë arkeologjik (1948).

Anamali ndërmori gërmime të pavarura në qytetin e Amantias, në Apoloni dhe në Durrës. Problemet historiko-arkeologjike që lidhen me kulturën e arbërve të hershëm u bënë objekt i kërkimeve dhe studimeve të tij deri në fund të jetës.

Gjatë kësaj periudhe realizoi gërmime sistematike në varrezën mesjetare të Krujës, në Koman, Bukël, Shurdhah, në bazilikën e Linit, në kalanë e Pogradecit, në kalanë e Stelushit, në bazilikën e Ballshit etj. Rezultatet shkencore të këtyre gërmimeve u pasqyruan në mbi 70 artikuj e studime, të botuara edhe jashtë vendit, ku ai përcakton përbërësit e kulturës arbërore dhe procesin e lindjes e të zhvillimit autokton të bartësve të saj.

Skënder Anamali është autor i monografisë për qytetin ilir të Amanties, bashkautor i vëllimit “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë” (1965), si dhe bashkautor i veprave “Historia e Shqipërisë” (1959) dhe “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I (2002). Ai është gjithashtu i lidhur me botimin “Corpus des inscriptions latines d’Albanie” (Romë, 2009) dhe autor i vëllimit “Des Illyriens aux Albanais” (Tiranë, 2011).

Skënder Anamali ishte anëtar i “Shoqatës Ndërkombëtare për Epigrafi Greke dhe Latine”, me seli në Paris.

Historia e kërkimeve arkeologjike moderne për mesjetën e hershme shqiptare filloi, u rrit dhe u zhvillua për afro gjysmë shekulli nëpërmjet punës së palodhur të prof. Skënder Anamalit dhe arkeologëve të tjerë. Ishin vitet ’60 kur arkeologjia shqiptare e drejtoi vëmendjen nga kultura e antikitetit të vonë dhe e mesjetës së hershme. Ky orientim i ri i kërkimeve, i rëndësishëm për historinë dhe arkeologjinë e kësaj periudhe, iu besua prof. Skënder Anamalit.

Tezat kryesore të përcaktuara prej tij janë se kultura e varrezave të mesjetës së hershme të zbuluara në Shqipërinë e Veriut është një kulturë vendëse, e cila lulëzoi në shek. VII–VIII; se bartësit e kësaj kulture janë pasardhësit e ilirëve; se romakët nuk arritën të romanizojnë plotësisht popullsinë e kësaj treve dhe nuk ka prova arkeologjike për ndryshime etnike; si dhe se materialet arkeologjike, ashtu si ato gjuhësore, dëshmojnë autoktoninë e popullit shqiptar.

Skënder Anamali ka lënë një trashëgimi të larmishme me artikuj, referate dhe kumtesa për periudhën antike të vonë dhe mesjetën e hershme shqiptare, të botuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit. Në aspektin historik, këto punime karakterizohen nga shfrytëzimi dhe interpretimi i të dhënave arkeologjike në funksion të ndriçimit të përkatësisë etnike dhe të vazhdimësisë së kulturës nga antikiteti i vonë në mesjetë, si dhe në trajtimin e problemit të gjenezës së arbërve.

Filed Under: Histori

ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE

April 20, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Traktati i Londrës u nënshkrua më 30 maj 1913, në vijim të Konferencës së Londrës 1912–1913. Ky traktat lidhet me armëpushimin midis palëve pas Luftës së Parë Ballkanike dhe me korrektimet territoriale në dëm të Perandorisë Osmane. “Personazhet” e Traktatit të Londrës ishin Liga Ballkanike, që përbëhej nga Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia) dhe Perandoria Osmane.

Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën fuqishëm krijimin e një shteti të pavarur shqiptar. Rusia mbështeti pa rezerva Serbinë dhe Malin e Zi. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar qëndruan neutrale. Në këto vite të turbullta të Ballkanit, kur fuqitë e mëdha vizatonin kufij me laps të ftohtë mbi harta të nxehta gjaku, një komb i vogël kërkonte të lindte. Shqipëria, e mbuluar nga hijet e perandorive dhe lakmitë e fqinjëve, sapo kishte ngritur flamurin e saj kuq e zi në Vlorë. Ishte një lindje e brishtë, e rrezikuar nga copëtimi, por e mbushur me besë dhe krenari.

Në këtë skenë, Konti Leopold Berchtold, diplomati i Austro-Hungarisë, pa më shumë se një flamur të ri: ai pa një kështjellë strategjike, një mur të gjallë kundër daljes së Serbisë në Adriatik. Me penën e tij diplomatike, ai u bë mbrojtës i heshtur i lindjes së kombit shqiptar. Në sallonet e Londrës, mes fjalëve të fuqive të mëdha, Berchtold ngriti zërin për një Shqipëri të pavarur, duke e mbrojtur jo me pushkë, por me traktate dhe argumente.

Shqipëria lindi si një dritë e re mbi Adriatik, e mbrojtur nga gjaku i bijve të saj dhe nga diplomacia e ftohtë e një aristokrati që pa në të ekuilibrin e Ballkanit. Berchtold nuk ishte shqiptar, por në lojën e fuqive u bë mburojë e lindjes së shtetit të ri, duke e ruajtur nga copëtimi i fqinjëve.

Në këtë kontekst, roli i Kontit Leopold Berchtold (Austro-Hungari) ishte shumë i rëndësishëm. Ai mbështeti krijimin e një Shqipërie të pavarur për arsye strategjike – për të frenuar Serbinë dhe Greqinë. Ndihmoi në njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës (1913).

Pa mbështetjen e Berchtoldit dhe diplomacisë austriake, rreziku i copëtimit të trojeve shqiptare do të ishte më i madh. Berchtold kujtohet si një nga figurat e huaja që ndikoi drejtpërdrejt në lindjen e shtetit shqiptar, duke e parë atë si instrument politik në rivalitetin austro-serb.

Ai, qysh në kohën e shpalljes së pavarësisë, këshilloi politikanët shqiptarë që të mos vonoheshin në shpalljen e saj, duke parë rrezikun e copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë u bë në klimën e presionit diplomatik, ku Austro-Hungaria, përmes Berchtoldit, e shihte një shtet shqiptar si barrierë kundër daljes së Serbisë në Adriatik.

Në gazetën austriake “Neue Freie Presse” të 19 nëntorit 1912 gjendet një fragment nga fjalimi i rrallë i ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Leopold von Berchtold, i cili, megjithë kundërshtimet e mëdha, insistoi në parlament se duhej krijuar një shtet shqiptar. Ja argumenti që përdori Berchtoldi, në kohën më të rrezikshme për fatin e Shqipërisë:

“Nëse ekzistenca e një kombi shqiptar vihet në dyshim nga dikush, atëherë do t’i thosha atij se shqiptarët, me gjithë rrethanat e disfavorshme gjatë shumë shekujve, kanë ditur të ruajnë të pacenuara traditat kombëtare dhe veçoritë etnike. Në qoftë se ne u japim tani atyre mundësinë për të përvetësuar të mirat e kulturës perëndimore në një shkallë më të lartë, atëherë unë nuk do ta shihja si të pashpresë një projekt të tillë.”

Nuk gjendet asnjë fjalim i ndonjë personaliteti ndërkombëtar të asaj kohe që të ishte kaq mbështetës për çështjen shqiptare. Është një turp i madh që në Tiranë ende nuk kemi një monument të tij. Jemi mjaftuar me një rrugë në një zonë periferike të Tiranës, që lidh Brrylin me rrugën “Ali Demi” (ky emërtim u vu në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë), dhe me një bust në Shkodër. Ky i fundit me iniciativë të Ambasadës Austriake dhe konsullit të Austrisë në Shkodër, Gjergj Leqejza.

Asnjë fjalë as në tekstet shkollore të ciklit parauniversitar për njeriun që mbështeti shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe loboi për njohjen e saj në Konferencën e Londrës.

Një vëzhgim i kujdesshëm tregon se historiografia sovjetike ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën si u perceptua roli i Austro-Hungarisë dhe i diplomatëve si Leopold Berchtold në historinë shqiptare. Narrativa marksiste-leniniste e shihte Austro-Hungarinë si një fuqi imperialiste, pjesë e sistemit të perandorive që shtypnin popujt e vegjël.

Në këtë këndvështrim, Berchtold nuk mund të paraqitej si mbrojtës i Shqipërisë, por si një diplomat që përdori çështjen shqiptare për interesat e Vjenës. Kjo qasje u përhap edhe në historiografinë shqiptare gjatë periudhës komuniste, e cila ishte e lidhur ngushtë me modelin sovjetik deri në vitet ’60. Kjo bëri që Berchtold të mbetej në hije.

Sot është 163-vjetori i lindjes së Kontit Berchtold.

Lindi më 18 prill 1863, në Vjenë, Perandoria Austriake, në familjen Berchtold von und zu Ungarschitz, një familje aristokrate e pasur me prona në Hungari dhe Moravi. U martua me konteshën Ferdinanda Károlyi më 1893, duke u bërë një nga njerëzit më të pasur të Austro-Hungarisë. Përpara se të bëhej ministër i Jashtëm, ishte ambasador në Rusi (1906–1911), ku fitoi përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

U emërua ministër i Jashtëm më 17 shkurt 1912, pas vdekjes së Alois Lexa von Aehrenthal.

Pas vrasjes së arkidukës Franz Ferdinand, Berchtold ishte ndër arkitektët e ultimatumit ndaj Serbisë më 23 korrik 1914. Ky akt çoi drejtpërdrejt në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Dha dorëheqjen në janar 1915, kur politika e tij u kritikua për dështimet diplomatike dhe përshkallëzimin e konfliktit. Pas dorëheqjes, Berchtold u tërhoq nga politika aktive dhe jetoi në pronat e tij në Hungari. Vdiq më 21 nëntor 1942, në Peresznye, Hungari, në moshën 79 vjeç.

Filed Under: Histori

“SHQIPËRIA IME”

April 18, 2026 by s p

Luan Rama/

“Shqipëria ime”, është një album i plotë fotografik i humanistit zviceran Eugène Pittard mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet 1921 dhe 1924 që u botua këto ditë nga shtëpia botuese « Les livres Rama » dhe Delta Print Studio, nën kujdesin e dizajnerit Xhoan Guga dhe Angjelo Kazo. Ky botim vjen në vazhdën e një bashkëpunimi të ngushtë me publicistin Kudret Isaj, me të cilin ne së bashku nxorrëm në dritë librin monografik voluminoz « Rrugëtimi i mbramë i Helene dhe Eugène Pittard në Shqipëri », të cilën më pas si botues, e botova dhe në versionin frëngjisht përkthyer mjeshtërisht nga Rina Grasset Cela. Më pas bashkëpunuam me ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, shkëlqesinë e saj zonjën Ruth Huber. Pasi përgatitëm për botim albumin fotografik vetëm për vitin 1921, me pak tekste në shqip dhe anglisht të kuruar nga Elton Koritari, botim ky i mbështetur nga ambasada, tashmë botohet albumi i plotë i Eugène Pittard në versionin frëngjisht, me parathënien e mbesës së humanistit zviceran, Claire Pittard, studjuese, me pasthënien e të nipit, Jean-Claude Pittard dhe tekste e analiza socio-historike nga Kudret Isaj dhe Luan Rama.

Në këtë botim janë shfrytëzuar fotografitë e ruajtura në arkivin e Muzeut Etnografik të Gjeneves, ku për herë të parë botohen fotografitë e fondit Pittard për objektet e kulturës materiale të shqiptarëve të atyre viteve, objekte këto shpesh të blera nga Pittard apo të dhuruara nga shqiptarët, të cilat ai i ka ruajtur me kujdes dhe i ka depozituar në Muzeun Etnografik të Gjenevës. Në këtë album, alternohen fotografi dhe tekste, copëza të shkruara nga çifti Pittard gjatë udhëtimeve të tyre, veçanërisht në vitin 1924 kur Shoqata e Kombeve në Gjenevë e dërgoi humanistin dhe politikanin zviceran për të ndihmuar fshatarët dhe malësorët e veriut. Dhe ai, bashkë me gruan e tij, një publiciste dhe romanciere mjaft e njohur në Zvicër dhe në Europë udhëtuan në veriun shqiptar në kohën e « krizës së madhe të bukës », duke shkuar fshat më fshat dhe në kushte tepër të vëshira, shpesh me kuaj apo me këmbë për të mbërritur në shtëpitë e malsorëve tê mjeruar.

Në këtë album Eugène Pittard përmes shkrimeve të shumta të tij, theksonte nder te tjera « Vizitoj një shtëpi pa dritare, një hapësirë të hapur e të vogël nën çati, pa asnjë mobilje. Shtruar me dërrasa. Fshatarët flenë të gjithë së bashku përtokë pa as edhe një batanije. Mjerimi më absolut. Prifti vjen. Një françeskan trupmadh i admirueshëm që drejton shkollën : Qeveria donte t’i mbyllte shkollat, por ai e vazhdon mësimin pa pagesë. Pyetjes: A do të shkonin njerëzit e Prekalit në Shkodër për të marrë misrin e tyre ? Ai përgjigjet: me shpejtësinë e rrezeve të diellit… Një grup të mjeruarish me lecka. Eugene kërkon t’u përkthejnë se Lidhja e Kombeve po u dërgon misër dhe se shpresojmë se do të mbërrijë së shpejti. Eugene bën fotografi. Ne i veshim menjëherë me këmishat e reja. Ato zënë vendin e leckave që meritojnë vetëm të digjen… U nisëm nga Puka në orën 7. Mot shumë kërcënues, erë e akullt. Në Han mësojmë se një grua e moshuar e cila vinte nga Dushka (Dushi) në Pukë për të marrë një këmishë vdiq rrugës në kthim. Ndalojmë tek një kontroll xhandarmërie. U themi disa njerëzve shumë të varfër të vijnë në Gomsiqe për të marrë këmisha. Mbërritëm në Gomsiqe në orën 2, pa ndaluar. Drekë në shtëpinë e priftit. Shpërndarje e këmishave. Njerëz të leckosur. Lamë pëlhura pambuku për familjen e gruas që vdiq. Kthehemi në orën 4 e 30. E pamundur të kalojmë Drinin që është fryrë. Marrim një varkë të vogël që fut ujë. Duke kaluar fushën e Drinit, vëmë re dëmet e lumit i cili merr me vete tokën e punueshme, zvogëlon hapësirën e fushave, shkatërron të mbjellat…”

Nga ana tjetër, në revistën e famshme francdeze “Revues des deux mondes”, gruaja e tij shkruante « Udhëtim në Shqipëri », mars-prill 1924 n (Noëlle Roger.): ” Të heshtur dhe me dinjitet [si fshatari turk, ata nuk kanë asgjë të përbashkët me fatalizmin dhe moskokëçarjen e tij ëndërrimtare], këta malësorë të ashpër [që] kanë ngritur krye gjithmonë kundër fatit të tyre. Ata e kanë ruajtur të paprekur fizionominë e ilirëve të trupmëdhenj me kafka hiperbrakicefalike, një nga racat më të vjetra dhe më të bukura në Evropë. Me tiparet e theksuara, hundët e gjata me kurriz, sytë e tyre gri ose të zinj që shkëlqejnë papritur nën vetullat e ngrysura, ata kanë një fisnikëri të ashpër. Duken si aristokratë të një epoke të lashtë, që mbyllin në vetvete një pasion të fshehtë. Duken si njerëz shumë të lashtë, të harruar nga shekujt, të braktisur dhe të rizbuluar mrekullisht, me shpirtin e tyre të pacënuar, krenar dhe të vendosur, me zakonet e tyre arkaike, kultin e tyre të nderit, forcën e tyre, që ia nuk kanë prekur aspak avatarët e qytetërimit. »

Pas këtyre botimeve që mbyllen me këtë album për këtë figurë të shquar të Zvicrës të lidhur aq ngushtësisht me historinë shqiptare mbetet që ky personalitet, me nxitjen e Akademisë së Shkencave e cila zhvilloi një konferencë për nder të tij, ti propozojë qeverisë që ky antropolog, politikan, arkeolog e humanist i shquar të nderohet nga ana e qeverisë dhe e presidencës shqiptare. Qeveria ndoshta mund të harrojë por populli shqiptar dhe brezat që vijnë nuk do ta harrojnë gjer në fund kontributin e tyre në ato vite aq të vështira kur vetë Pittard luftonte për pranimin e Shqipërisë në Shoqatën e Kombeve” në Gjenevë : « … E gjendur në pjesën gege të vendit, në distancë të barabartë mes veriut dhe jugut të Shqipërisë, Tirana i ka grupuar shtëpitë e saj të vogla, të lyera me gëlqere të bardhë, të mbuluara me tjegulla të mëdha, në një pellg natyror të ngjashëm me pellgun e lulëzuar të Firences…Tirana nuk është qytet shumë i vjetër. Pak më shumë se 300 vjet më parë dikush i quajtur Sulejman, erdhi në këtë luginë me një frymëzim hyjnor. Ai themeloi një xhami dhe një teqe që ekzistojnë ende…Vendi i lutjeve dhe i mbledhjeve publike ndodhet më tutje në qytet, i rrethuar nga një mur madhështor me qiparisa të lashtë, disa grupe shtëpish të ndërtuara me këtë arkitekturë kaq të veçantë të Shqipërisë së lashtë, me majat e fasadave të tyre të pikturuara.

Duhet të ruhen gjithashtu përgjithmonë sheshet magjepsëse të zbukuruara me pemë si dhe xhamitë e pikturuara, grupet me pemë siç i shohim rrallë në Europë, të tilla si rrapi i famshëm, mrekullia e bimësisë, që ndoshta ka strehuar në hijen e tij themeluesit e qytetit, teqet e vjetra, varrezat e hershme. Tirana duhet ta ketë të qartë se, po u shkatërruan, këto fletë të historisë së saj nuk mund të rindërtohen më. Më vonë, kur Shqipëria të jetë lehtësisht e hapur, të gjithë të huajt do të vijnë për të parë këto gjëra. Tirana ka ende një bukuri që qytetet perëndimore nuk e njohin. » (Eugène Pittard. Tirana. Journal de Genève, 14 nëntor 1921.) Por le të sjellim këtu dhe poezinë e Helene Pittard, çka tregon dashurinë e saj të madhe për shqiptarët me titullin « Rrugëve të Shqipërisë » :

« Fëmijë të vegjël më dhanë lule

Lule Shqipërie

Dua t’i kujtoj ngjyrat e tyre

Dhe duart e brishta që i mblodhën

Nga malet, liqenet, pyjet e tyre

Zbritën burra Shqipërie

Lotët u turbullonin sytë dhe zërat…

Sytë e tyre të qeshur do i kujtoj gjithmonë

Nëpër rrugë ndjeva se si rrihte

Zemra krenare dhe e plagosur e Shqipërisë

E njoha e do ta marr me vete

Dashuria e saj do ta mbështjellë jetën time. ( Shtator 1921).

Eugène Pittard nuk ishte një fotograf profesionist siç ishin profesionistët dhe fotografët me emër në Shqipëri si Marubët apo Kolë Idromeno. Fotografitë e tij shqiptare janë në natyrë çka e bëjnë atë një lloj kronisti që donte të dëshmonte botën shqiptare, jetën e përditëshme të një populli, shqiptarët në dinjitetin e tyre, pa dashur të bëhet interpretues i skamjes, por të dëshmojë botën shqiptare, qytetarinë, vende dhe ngjarje, atë çka ai pikëtakonte në udhëtim e sipër, imazhe që do të përbënin më pas dëshmi historike të Shqipërisë së asaj kohe. Në gjithçka që fotografon, ndjehet dashuria e atij që fotografon pas aparatit fotografik. Ai fikson pritjen e jashtëzakonshme që i bëjnë shqiptarët kudo që shkon, në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër e gjetkë nëpër malet shqiptare. Pritja për mikun zviceran është e jashtëzakonshme. Ka një entusiazëm popullor në fytyrat e miqve shqiptarë, në mikpritjen e tyre tradicionale dhe që është një nga virtutet e tyre të veçanta, e cila shfaqet dhe në vallet që hidhen në sheshe për të treguar dashurinë për mikun që vjen nga larg, i cili është solidar dhe tregon dashuri për ta.

Është një kronikë plot imazhe, ku rreth 200 fotografi i përkasin udhëtimit në vitin 1921 dhe 37 udhëtimit në vitin 1924, në pllaka xhami, « plaques de verre » dhe në « negativ souple », imazhe që së bashku, pa inskenime fallco, e që tregojnë dashurinë e shqiptarëve për humanistët e mëdhenj, miqtë e vërtetë, mbojtësit e tyre në arenën ndërkombëtare siç ishte Pittard por dhe për ndihmën konkrete në hallet e tyre për të përballuar skamjen dhe mjerimin në këtë periudhë të historisë kur Shqipëria në Lushnjë sapo bëhej me një qeveri të sajën.

Si kronist që është, përmes objektivit fotografik ai i jep hapësirë kuadrit, i jep ajër që jo të fiksojë jo thjesht ardhjen e tyre por atmosferën e mikpritjes shqiptare apo jetës së këtij populli. Interesante është dhe fotografia kur gruaja e tij, Noëlle, gjendet në portën e një shtëpie beratase bashkë me të zotin e shtëpisë pas kthimit të tyre nga mali i Tomorrit dhe ku objektivi nuk është afruar drejt tyre thjesht për të fiksuar një kujtim personal. Për Pittard ka rëndësi të fotografojë më gjerë, d.m.th. të fiksojë në kuadër, në plan të parë, një fëmijë dhe pak më tutje fshatarë me gomerë apo dhe qytetarë që po ecin në rrugë. Këtë ia ofron vetë çasti, jeta. Kështu fotografia jep një informacion më të gjerë për shikuesin. Në mjedisin e një pazari të Tiranës ai fikson njerëzit, dyqanet dhe në sfond qiparizin e madh pranë një xhamie me një torë të ngritur dhe të këputur, ndoshta nga Lufta e Parë Botërore.

Filed Under: Histori

“Ora e maleve”

April 15, 2026 by s p

Më 15 prill 1923, në qytetin e Shkodrës nisi botimin e saj të përjavshëm gazeta “Ora e maleve”. Ajo u kthye shpejt në një platformë të rëndësishme të mendimit politik, shoqëror dhe kulturor të kohës, duke pasqyruar gjendjen politike dhe ekonomike të vendit, veçanërisht në zonën e Shkodrës.

Gjatë 51 numrave të saj deri në fund të vitit 1924, përmes analizave e kritikave ajo, kontribuoi në mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe u bë zëri i opozitës liberale të kohës.

Në faqet e saj shkruan figura të njohura si Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi, të cilët shpalosën idetë e tyre për një Shqipëri demokratike.

Gazeta ndërthurte seriozitetin politik me elemente satire. Kjo ishte një strategji komunikimi sa inteligjente, aq edhe thumbuese. Nga njëra anë, gazeta trajtonte tema patriotike si integriteti territorial, nga ana tjetër, demaskonte prapambetjen dhe korrupsionin duke përdorur satirën si një “teh” të mprehtë.

Gazeta “Ora e Maleve” pasqyroi zhvillimet e bujshme të vitit 1924 dhe trajtoi edhe programin qeverisës të Fan Nolit.

Muzeu Historik Kombëtar

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT