• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRANË DREQIT…

April 9, 2018 by dgreca

PO T’ ISHTE ENGJELL… A DO T’A MBANTE DREQI KAQ AFER VETES ?/

1 Xhufi alia

Ne Foto:Historiani Pellumb Xhufi prane Ramiz Alise(foto 1) dhe prane Foto Camit(foto 2)-Kortezi Radi and Radi/

KERKOVA  PO, NUK  E  GJETA  KUND/

Nga Fritz RADOVANI:/

Kam lexue disa artikuj per Pllumb Xhufin, që nuk i shkon ai emen pranë dreqit!

Njeni i thotë “zotni”, tjetri “profesor”, një tjeter “historian”… Ndersa ai, kujton se me të vertetë i meriton “ata tituj” që nuk dij me i kuptue se ku rrijnë… Ndonse, të gjithë “ata” që vajtuen Enverin dhe Ramizin me vjerrsha e fjalime, vazhdojnë me ruejt “titujt”!

Sami Frashëri ka thanë: “Fjalët e keqdashësit janë si qymyri, që edhe po s’të dogjën, të nxijnë!” Me siguri kjo aksiomë asht kryefjala e “akademikëve tanë”! Ata sot nuk kanë se shka me djegë ma, se Shqipnia asht ba zhari… Po, shpifjet e fallsifikimet po e bajnë edhe ata punen e vet, se sllavokomunizmi anadollak i vitit 1941, gjoja “nuk ishte çfarosës”!!..

Ai ishte vertetë sllavokomunizem, që pat fekondue djalin e bylykbashit gjinokastrit. Dhe sot mbas gati 80 vjetësh “toka e nxime si qymyri, nxinë edhe surretnit e pasuesve të tij”!

Po mos t’ ishin shfarosës Tito, Stalini, Mao Ce Duni e sa imoral të tjerë, a do ta pranonin në strofullat e veta Enver Hoxhen e Ramiz Alinë?! Pllumbi me shokë i kanë provue ato!

Sot flitet per Enverin e Hitlerin… Xhufi duhet ta krahasojnë Enverin me Sulltanin që tha: “Duhet të shtijmë në punë të gjitha energjitë dhe armët tona në mënyrë që mos të mbesë gjallë asnji shkodranë…” Per këte temë duhet ti ketë folë si nana dhe motra e tij…

Ata që i krijuen kampet e shfarosjes e burgjet e terrorizmit në Shqipni janë vetem vrasës!

Unë i besoj pa pikë dyshimi asaj që ka shkrue z. Kastriot Dervishi!

Artikullin unë nuk do ta persëris, po do të shkruej vetem si mbyllet:

“Xhufi që ka studiuar mirë mesjetën, në të vërtetë mbron mesjetën më të veçantë të historisë së Shqipërisë, komunizmin. Unë kam bindjen se një njeri që ka origjinën e mëposhtme nuk mund të jetë kurrë objektiv e të dënojë krimet e komunizmit.”

“ -Babanë sekretar në komitet partie”

“-Nënën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”

“-Motrën me punë në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”

“-Dajën prokuror”

“-Burrin e tezes kryetar dege në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit”…

***

Ja pra, kjo ishte çerdhja terroriste e dreqit që e polli Pllumb Xhufin me shokët e tij!

E shka kerkoni me dijtë tjeter gja… A po.., pritni që “historianët t’ ju sjellin ringjalljen”?!

Mos harroni thanjen e Shkodres së vjeter: “Shka leu prej micës gjuen mijë!” Kerkova me gjetë të pakten edhe një historian me këte prejardhje po, nuk e gjeta asnjë per farë!!..

Melbourne, Prill 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, pellumb xhufi, PRANË DREQIT…

KUR MBRETËRESHA GERALDINË REFUZOI OFERTËN PREJ 1 MILON DOLLARËSH

April 7, 2018 by dgreca

1 geraldinaCE SOIR (1939) : MBRETËRESHA GERALDINË KA REFUZUAR OFERTËN MARRAMENDËSE TË HOLLYWOOD-IT PREJ NJË MILION DOLLARËSH/CE SOIR

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Prill 2018*/

“Ce soir” ka botuar, të hënën e 24 prillit 1939, në ballinë, një shkrim në lidhje me ofertën marramëndëse që Hollywood-i i ka bërë asokohe Mbretëreshës Geraldinë për të luajtur një film, të cilën ajo e ka refuzuar në mënyrë kategorike.Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, rrëfimin e plotë të gazetës franceze :Një milion dollarë Mbretëreshës Geraldinë për të luajtur një film

Por ish-sovranja e Shqipërisë, të cilës ky propozim iu bë nga një kompani kinematografike amerikane, nuk dëshiron të bëhet “një objekt kurioziteti publik”

 (Nga ana e të dërguarit tonë special)

Londër, 23 prill (nëpërmjet telefonit)

– A do të vihet një ditë në skenë romani tragjik i mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, vajzës së dukës hungarez Apponyi dhe Zonjës Giraud ?

Në fakt, një kompani e madhe kinematografike amerikane, i ka ofruar gruas së mbretit Zog, një kontratë prej milion dollarësh (ose rreth 77 milionë franga) për të luajtur në Hollywood.

Por sot avokati anglez i Mbretëreshës Geraldinë – pasi telefonoi rezidencën, në Greqi, ku ajo po shërohet nga lindja e saj tragjike – u lejua të komunikojë zyrtarisht :

“Duhet të kuptojmë se Madhëria e Saj nuk dëshiron të bëhet objekt kurioziteti publik. Pasuria personale e mbretit është gjithashtu e mjaftueshme për gruan dhe familjen e tij dhe u mjafton atyre që të bëjnë një jetë të rehatshme dhe të qetë.

Oborri mbretëror i Tiranës është detyruar të shpërbëhet,dhe natyrisht, nëse Mbreti mban vetëm një sekretar dhe një shërbëtor në shërbim të tij, Mbretëresha do të ketë po ashtu në shërbimin e saj vetëm një shërbëtore dhe një dado për djalin e tyre të vogël, i lindur para njëzet ditësh.

Madhëritë e tyre synojnë të shkojnë më pas në Angli, ku gjenden në depozitë të gjitha pasuritë e tyre. Sapo shëndeti i mbretëreshës Geraldinë do të përmirësohet, familja mbretërore e Shqipërisë, do të largohet nga Greqia për të shkuar disa javë në Egjipt.”

*E falenderojme Aurencin e pasionuar pas historise kombtare qe e ndau kete artikull me lexuesit e Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Hollywood, Mbreteresha Geraldine, Oferta $1 milion

TEPELENA-U NDËSHKUAN SE DESHËN TË QETËSONINË FËMIJËT E MBETUR JETIMË

April 7, 2018 by dgreca

PËLLUM XHUFI  NA DËNON PËRSËRI, DUKE MOHUAR VUAJTJET/

2Dobra shefqet

NGA SHEFQET DOBRA-Ish i dënuar në Kampin e Tepelenës/

Në kazermën nr, dy, gazetën e lexonte Bam Brahimi.  Gjatë leximit, polici ishte i pranishëm, të gjitnëjë, edhe ne të vegjlit, nuk mund të shtriheshim. Një mbrëmje, pasi u lexua gazeta, polici mori gazetë dhe iku.Ishte koha kur mund të qetësoheshin, të gjithë ishin të zhytur në mendimet e veta. Leximi i gazetës ishte mërzia më e madhe për këta njerëz. Në gazeta flitej vetëm kundër armiqve të brendshëm- për ne, e të afërmve tanë- as një herë nuk dëgjonim të thuhet: të harrojmë të shkuarën, të vllazërohemi. Fëmijtë e mbetur jetimë, pasi u kishin transferuar prindërit, më shumë e kalonin natën duke qarë. Dy fëmijë, po qanin me kokë të mbuluar, një grua e moshuar, shkoi ti qetësonte.

Një burri i moshuar, që dukej se ishte kthyer në statujë,  me sy të përqendruar në një pikë, filloi të fërshëllente një melodi, aq sa e dëgjonte vetë, për t’i bërë fëmijët të qetësoheshin.

Gruaja i tha Bam Brahimit, ti binte çiftelisë për t’i qetësuar fëmijët. U mendua pa dhe,  nxori nga poshtë shtresave çiftelinë. Pasi rregulloi akordet, gishtat e tij filluan të lëvizin mbi tela lehtë e me shkathtësinë e mjeshtrit. Tingujt e ëmbël të saj, megjithëse shumë të ulët, me gjithëse kazerma ishte shumë e madhe, në atë qetësi, tingujt e ëmbël, u ndjenë nga të gjithë por, nuk po kuptonin nga vinte. Kjo bëri që fëmijët, të qetësoheshin dhe, të gjithë si zogjtë u grumbulluan aty afër Bamit.

Në këtë ferr, nuk mund të mendoje për zbavitje të tilla. Bibla thotë: “Në se udhëheqja është lajthitur, populli është i braktisur”. Ne ishim të braktisur e të harruar. Njëri pas tjetrit, në heshtje filluan të afrohen edhe të mëdhejtë, krevatet e afërt, u mbushën lart e poshtë me njerëz. Asnjë nuk e prishte qetësinë. Një tjetër mori një tepsi dhe filloi t’i binte, sa për të shoqëruar çiftelinë. Një burrë u ngrit nga krevati, filloi të afrohet duke bërë me gojë  pum papapum, pum papapum sipas ritmit, e duke luajtur krahët si të ishte një shpend i stërmadh. U krijua një atmosferë e ngrohtë gëzimi e çlodhëse. Kjo atmosferë i largojë shumë vite më pas, u ngjalli shumë kujtime, TV mbedhejve, që për ta, tashmë ishin fshirë nga kujtesa, këta njerëz jetonin në ëndrrat e së shkuarës, për të harruar të tashmen. Fëmijët veçanërisht, u mbrekulluanë, U panë shumë vetë me lot në sy.   Një plakë, psherëtiu thellë dhe lëshoi një: “Eh jetë, o jetë, paske qenë mizore me ne!”

Filluan të kërcenin dy mesoburra. Ai shesh që krijohej në ndarjen e krevateve të radhës së parë e të dytë, në drejtim të derës, krijoi mundësinë e këtij argëtimi. Dikush, kapi për dore një djalë të ri, rreth të njëzetave dhe tha:  “Tani, do kërcejë Moisi Cami”- ky ishte: djali i Uke Camit dhe, nip i Zenel Shehut. Moisiu ishte i hollë e i gjatë. Ai kërcente aq bukur, uljet e ngritjet e tij të shpejta, dredhjet e trupit, ishin të mahnitshme. Papritmas, me shpejtësi të pakuptueshme, u hodh në gjunjët e Bam Brahimit, që i binte çiftelisë dhe me një salto, u pa në mes të sheshit. Të gjithë brohoritën pa vetëdije. Kur filloi të kërcente vallen dyshe dibrane, një tjetër e kapi për dore. Ulja e tij, duke qëndruar në majë të gishtave të një këmbe, e me këmbën tjetër të shtrirë para, i jepte bukuri të veçantë. Nga kënaqësia, një plak i vjetër, nga krevati i sipërm, xha Martini- tha: “Rrofsh o Mojsi Cami, se na qetësove edhe në pleqve!”  Në kulmin e haresë të këtyre fakirëve,  nga të dy dyert e kazermës që ishin të mëdha si hyrje shpellash, policët, si egërsirat, u futën njëherësh. Të gjithë kishin shkopinj gome në dorë.  Për disa çaste, qëndruan aty. Ishte  fatkeqësi ta prishje këtë gëzim që i kishte pushtuar këta fakir. S’vinte asgjë e keqe nga ajo që panë.  Të dënuarit nuk e vunë re fare praninë e tyre. Pas tyre u dëgjua një zë: Veproni! Në zyrë priste toger Hakiu, i cili, shkak donte dhe këtë shkak e gjeti. Njëherësh u lëshua policia mbi ta. Njëri rrëmbeu çiftelinë dhe e theu në kurriz të Bam Brahimit, vetëm bishti i mbeti në dorë, tjetri hodhi tepsinë në tokë dhe e  shqelmonte me këmbë, thumbat e këpucëve krijonin një zhurmë që të fuste datën, të  tjerët duke përdorur shkopinjtë e gomës  qëllonin këdo që u dilte para, tërhiqnin zvarrë kë të kapte dora. Moisiun e kishin vënë në mes dhe e qëllonin duke i thënë – ti je kërcimtari, ëh – hënë hëëë,,  të bëjmë ne të kërcesh gjithë natën! Britma policësh, të qarat grash e fëmijësh, të zinte veshi. Një i moshuar thoshte: – Mosni more burra, ç’bëni kështu! Nuk bënë gjë të keqe bre! Kazerma ziente nga të bërtiturat e policëve dhe të luturat e të vuajturve. Policët të  shpërfytyruar, tërhoqën zvarrë shumë burra e djem. Pse deshën të qetësonin  zemrat e fëmijët që shteti i la jetim, morën ndëshkimin më të dhunshëm. Atë natë, pamë tmerrin e  vërtetë, që nuk do e harronim kurrë. Barbarët dhe viktimat, bërtitnin, ca nga dhimbjet, të tjerët për të kryer detyrën. Vetëm njerëz, nuk mund të quheshin ata. Ata ishin xhahilë, të pa shpirt.  Rrëmbyen e tërhoqën zvarrë shumë burra e djem, edhe Hazis Allën, -djali i Isak Allës,- unë për atë qava gjithë natën, e kisha kushëri nga nëna, ishte dhe njeriu që më rrinte më pran, që nuk mërzitej kurrë nga tekat e mia, edhe se e shaja apo e qëlloja me gurë. Më në fund, dhanë urdhër për gjumë.

-Asnjë fjale mos dëgjohet! – tha roja- edhe polici, me shkopin në dorë, ndenji brenda. Dhe për të qarë, nuk mundeshim, se po t’na dëgjonte polici, vinte në përdorim kamzhikun. O prapsi, o dreq, me këto bisha, hall i madh na ka zënë. Po këto fëlliqësira, së prapthi kanë lindur, së prapthi do veprojnë! Nata ishte e vështirë, veçanërisht për pleqtë që dilnin shpesh natën për në banjë. Për të zbritur nga krevatet e sipërm, në vend të shkallëve, shërbenin dy tako të vogla, të mbërthyera në këmbët e krevatit, këto ishin shumë të rralla. Që të gjeje në errësirë ato, duhet të mbaje mend sa vetë duhet të kaloje nëpër këmbët e tyre. Këpucët e policit që ndenji brenda, bënin zhurmë ritmike që dukej sikur të godiste diçka në tru.

Nga mezi i natës, pasi ishin fikur dritat. U dëgjua diçka që u përplas në çimento dhe, një rënkim i dobët; polici ndezi shkrepësen të shikonte, edhe disa të dënuar, të njëjtën gjë bënë, ç’të shikonin!? Një plak, shumë i moshuar, duke kërkuar shkallën, kishte rënë në çimento. Ishte xha Martini, ai me zor i zbriste ditën ato shkallë, jo më natën. Lart ia kishin caktuar vendin edhe pse u ishte lutur të shumë të rrinte poshtë. Ishte i vetëm, të bijën e vetme që pati, e kishin larguar bashkë me të tjerët, tani nuk kishte kush të kujdesej për të! Për të mos mërzitur të tjerët sa herë ngrihej natën, u mundua ta gjente vetë shkallën. Nuk ishte i pari ky që ra në çimento, por ky mbeti më i paharruari, se e kish shfaqur më shumë se të gjithë gëzimin atë mbrëmje; shpeshherë, zëri i tij i ulët ishte dëgjuar të thoshte: Ju lumtë! Na gëzuat sonte! Gëzim paçi gjithë jetën. Të nesërmen, të mbështjellë me batanijen e tij, të vënë mbi dy dërrasa, gjashtë burra e përcollën për tek ura e Bënçës. Të gjithë, po më tepër të vegjlit dhe pleqtë, jetonim orë e çast pranë vdekjes. Vdekjen e kishim poshtë këmbëve, aty ku ndiznim zjarret, ku loznim, kudo mund të shpërthente një  predhë e fshehur, ose dhe mund të binim natën nga krevati si xha Martini! .

Ky ishte kampi i pushimit, i Tepelenës, natyrisht, me bolldazier nuk na merrnin, se ne nuk na vrisnin një herësh, por një nga një prej mundt e urisë dhe, varre, nuk do kishte për ne.

Këto që shkruaj une, ata që janë të paktën në moshën tim, e lart, i mbajnë mend dhe, nuk mund të ma hedhin poshtë. Ka tjerë që kanë qenë shumë të vegjël, që nuk i mbajnë mend, ka dhe tjerë  si psh, erdhi një nga Ngurrëza e Lushnjes te shoqatë, kishte një dokument të përndjekuri. E pyeta unë: ku ke qenë i internuar?

-Në Tepelenë- tha.

-Ku ishte kampi i Tepelenës? – e pyeta.

– Në Tepelenë- tha

– Po ku, në Tepelenë?

-po ne Tepelenë ore!

-Në ç’kazerm, ke ndenjur?

-Po, në kazermë, jo përjashta- tha

-Sa kazerma kishte kampi? E pyeta.

-Qenke i mërzitshëm!- më tha.

-Sipas këtyre letrave, je një vit më i madh nga unë- i thash. do të thotë se ti nuk ke qenë i internuar. Unë mbaj mend çdo pëllëmbë të atij vendi. Nuk na latë radhë ne se, më të përndjekur po hiqeni ju nga ne. Këta lloj na e bëjnë vuajtjen te dyshimte ne, dhe këta, nuk janë paisur pa qëllim me dokumente  të tilla.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Shefqet Dobra, tepelena, Xhufi na denon serish

6 Prill 1911- FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

April 6, 2018 by dgreca

Ded Gjo Luli Traboini Pantheon (2)

1 flamuri-i-decicit.DEDË GJO’ LULI (1840 – 1915)/Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; që tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të Parvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë… E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…

Edhe dielli që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë.

Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

107 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Atë Flamur të bekuem, që u shpalos nga gjokset e At Mati Prennushit e At Buon Gjeçaj!..

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

***

  • Shenim nga F. Radovani: Pjesë nga libri i F.Radovanit “DEDË GJO’ LULI”, botue në vitin 2011, me rasen e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Deçiq…

Melbourne, 5 Prill 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 6 prill, Der Geo Luli, Flamuri, Fritz radovani

Flamurin e Deçiqit 107 vjet më parë e solli në Hot Palok Traboini

April 6, 2018 by dgreca

1 Palok Traboini. smallFLAMURIN E DEÇIQIT E SOLLI NË HOT PËRMES DALMACISË PALOK TRABOINI SI SOT 107 VJET MË PARË/

1 Ded Gjo Luli dhe Palok Traboini 1911 FlamuriMë 6 prill 1911 u ngrit flamuri shqiptar në  Deçiq. Është pikërisht ky flamur në fotografi që historianë poturexhinj dhe lakadredhës të politikës e anashkalojnë jo pa qëllim. Qe ti japin mundësi vetes te sajojnë histori te paqena, ta zëmë siç sajon përralla historiani i politikes se djathte, deputet ne listën e Shkodrës, që thotë se ky flamur është punuar nga terzinjtë e Krajl Nikollës. Ky është mashtrim. Se edhe flamurët na i paskan bërë Krajl Nikolla. Aq më tepër se gjyshi i vet a ndonjë kushëri i tij me mbiemrin Gurakuqi, punonte te sarajet e Krajl Nikollës dhe duan ta vendosin në histori përdhuni. 2 Flamurtaret e Decicit 1911.pt FCBPor histori me histeri nuk shkruhet. Ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën kur u bë porosia dhe pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti. Por kur erdh puna për ta marrë atë flamur, lindi një problem se Kol Ded Gjon Luli nuk shkonte dot se ishte komandat ushtarak i trupave të Hotit që kishte filluar luftën kryengritëse. Atëherë Deda dërgoi për ta marre atë flamur sekretarin e vet Palok Traboini(1889-1951) / familja Çeku nga ku është edhe dëshmori Gjon Ujk Çeku/ fisi Gojçaj /dhe Palok Luc Çeku( Traboini) e solli atë flamur në Hot, te Kisha, dhe ja dorëzoi Ded Gjon Lulit. Deda urdhëroi djemtë luftëtarë ta shpalosnin në një pikë të lartë dhe u vendos në një grumbull gurësh ne Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën.

Bashkë me fotografinë e Flamurit Marubi ka ruajtur edhe një foto shumë të rrallë, një grup luftëtaresh që i ka shënuar Luftëtarët e Deçiqit.. Ne atë fotografi janë Palok Traboini, që solli flamurin, Mirash Luca i Kastratit dhe Gjok Prel Çeku e disa që nuk i njohim e nuk i identifikojmë dot, që edhe ky Gjok Prela me vonë është vrarë në luftë kundër  forcave esadiste. Po këta historianet e sajuar, as fotografitë nuk i marrin si dokumenta. madje as poemën me 1700 vargje që Palok Traboini ka shkruar po atë vit që u bë kryengritja e cila është e botuar tre herë. Është poeme historiko-epike me ngjarje e persona reale. As kësaj nuk ja hedhin sytë se duan vetëm rrena që të kenë mundësi të manipulojnë historinë. Ti sajojnë ngjarjet ndryshe.

Sipas një zbulimi të fundit në Arkivin e Shtetit është gjetur nga Nikoll Loka viti i saktë lindjes së Palok Traboinit, më 29 mars 1889 si dhe janë gjetur vitet dhe vendet ku ka shërbyer si mësues, në Shkodër e rrethina, në Kosove dhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. Dihet që Palok Traboini që në moshë të vogël është rritur në Shtëpinë e Motrës Tone dhe është martuar me të bijën e saj Katrina Skanjeti -Traboini.

Shkrimet e Palok Traboinit, poema dhe publicistika e botuar në vitin 1910, tek gazeta “Bashkim” e Dom Ndoc Nikës,  janë mbledhur të gjitha në një libër të veçantë dhe janë botuar nën titullin “Flamuri në Deçiq” 2012 ku autor i librit është mësuesi Palok Traboini.

 

6 prill 2018

Filed Under: Histori Tagged With: Flamuri ne Decic, Kolec Traboini, Palok Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • 312
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT