• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

60 vjetori i krijimit të Shërbimit Hidrografik Shqiptar

September 25, 2017 by dgreca

1 sherbimi hidrografik Port DurrNga Shefqet Kërcelli/Ne Foto:Godina e Sherbimit hidrologjik ne Portin e Durresit/

Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare dhe shtetit shqiptar, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Në fakt ne si popull detar dhe për nevojat e transportit detar na është dashur të përdorim mjete sinjalizimi të thjeshta  që në kohët e vjetra, por vetëm në shekullin e XIX-të u ndërtuan disa fenerë me shërbim të kufizuar për shkak të teknologjisë dhe personelit. Feneri më i vjetër në vendin tonë është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj më 1884, në Shengjin. Mbas clirimit pati një fazë të re të ngritjes së fenerëve.  Gjithashtu gjurmë të këtij shërbimi gjejmë dhe në vitet 1878-1890, kur specialistë të Perandorisë Austro-Hungareze përpunuan hartat e para të vendit, të cilat u përmirësuan nga specialistë italianë në vitet 1933-1941. Gjithashtu ato vendosën disa faro-fenerë në pozicionet kryesore të bregdetit shqiptar si feneri i Durrësit, Kalasë së Vlorës,i Cukës, etj. Mbas clirimit të vendit u bë riparimi i disa fenerëve kryesorë përgjatë bregdetit dhe në bashkëpunim me palën sovjetike u botuan harta të reja për gjithë bregdetin dhe zonën detare të vendit.feneri tek kalaja lekures

Në Foto:Feneri në Kalanë e Lëkursit/

Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor. Zoti Arqile Papadhimitri u caktua shefi i këtij shërbimi, Koco Lati, zv.kom. për punë politike, Mersin Shqypi, Shef i seksionit të hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve, Dhimitër Postoli, për hartografinë dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës. Kështu Shërbimi ynë Hidrografik mori formë të plotë si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor në Flotën Luftarake Detare. Pra, ky shërbim mori një dimesion të ri, cilësor dhe sasior, duke realizuar disa detyra të rëndësishme si në aspektin ekonomik dhe atë ushtarak, psh: vendosjen përgjatë bregdetit shqiptar të fenerëve të rinj dhe përmirësimin e atyre ekzistues, sigurimin e informacionit hidrometerollogjik për flotën tregëtare, luftarake, të peshkimit e sinoptikën detare; ndërtimin e poligoneve në interes të Forcës Detare{IshFLD} dhe botimi i “Udhëzuesit të lundrimit për detin Adriatik dhe Jon” dhe ribotimi i tij në vitin 1989. Përgjatë këtyre viteve, personeli i Shërbimi tonë Hidrografik, ka kryer studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fundit të detit, ka vendosur fenerë, shënja detare, ka përpunuar e botuar harta detare, udhëzues të lundrimit, etj. duke mbajtur në gatishmëri të plotë sistemin e farofenerëve përgjatë bregdetit shqiptar. Gjithashtu u intensifikua puna për përmirësimin e teknologjisë së fenerëve. 1 feneri vloreFeneri ne Vlore/

Krahas vënies në punë të fenerevë me gaz acetilen, u rikonstruktuan mjaft prej tyre dhe u pajisën me aparatura të reja. Në vitet 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8-14 m, në kepin e Palermos, në jug të ishullit të Sazanit, në Shënvasil, Pashaliman, Treport, në Kepin e Selitës, në malin e Durrësit, kepin e Palit, etj. Në v.’84-‘86, u ndërtuan me arkitekturën e kohës dy kulla të reja fenerësh, një në derdhjen e lumit Vjosa, 20 m të lartë dhe në këpin e Palit, 14 m. Mbas ’85 u bë pajisja e disa fenerëve me aparaturë elektronike automatike, që rriti rrezen e tyre të shikimit dhe uli në masën 40% harxhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1985, në bregdetin shqiptar numuroheshin mbi 40 fenerë detarë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri në 13 milje detare, dhe në disa kepe deri 25 milje detare. Në vijimësi shteti shqiptar dhe Komanda e Forcës Detare ka treguar kujdes për zhvillimin dhe modernizimin e këtij Shërbimi të rëndësishëm me interes kombëtar. Për zbatimin e detyrave të institucioneve përkatëse ndaj sektorit të fenerëve, ka një VKM, nr.1, datë 9.02.1985 dhe një tjetër më 13.06.1999, për taksën e farofenerëve, ku specifikohet se 20% e të ardhurave që përfitohet duhet ti kalojë Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht sektorit të SHHSH.

1 fen i vjeter durres

Nga fenerët me te vjetër është ai Durrësit/

Mbas vitit 1990, u shtuan përpjekjet për modernizimin e Shërbimit tonë, për t’ju përshtatur kushteve e kërkesave të reja pasi hidrografimi i hapësirës detare dhe bregdetare konsiderohet si element esencial për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi dhe përfshin jo vetëm portet dhe transportin detar, por dhe shfrytëzimin e mbrojtjen e pasurisë detare, ekologjisë dhe turizmit, si prioritete të vendit tonë.

1 feneri sazani

Feneri i Sazanit/

Vecanerisht mbas vitit 1997, me gjithë vështirësitë dhe mungesat e bazës materiale, në sajë të ndihmës e bashkëpunimit me partnerët tanë u sigurua profilkatika, riparimi dhe mirëmbajtja e fenerëve ekzistues bashkë me vendosjen e disa fenerëve të rinj, me teknologji të avancuar në disa pika të nevojshme për lundrimin e mjeteve detare. Kështu specialistët tanë në bashkëpunim me vendet aleate kanë vënë në punë teknologjinë me llampa të tipit LED, vetushqyese, nëpërmjet paneleve diellore, që kanë disa avantazhe si kërkesa më të vogël në mirmbajtje, riparime të shpejta, ekonomike, të mbrojtura nga dëmtimet dhe pashmëri më të madhe. Kjo teknologji shihet si e ardhmja e sinjalistikës portuale. Aktualisht nga Buna deri në Sarandë numurohen 84 fenerë, të cilët janë në gatishmëri të plotë në sajë të përkushtimit e profesionalizmit të personelit të SHHSH, specialistëve tanë të vjetër dhe të rinj.

Ndërkohë Shërbimi ynë hidrografik vitet e fundit ka bashkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA dhe Flotës së 6-të, me Shërbimin e Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik Italian, Grek,Turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të vecanta, madje ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Vlen të përmendim këtu projektin “304” me palën italiane “Për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit të farofenerëve në Shqipëri’, i cili bëri të mundur riparimin e disa fenerëve në rajonin Vlorë-Sazan-Sarandë, por dhe vendosjen e fareve të rinj në zona delikate, ku ka dhe anije të mbytura si Sarandë, Vlorë, gjiri i Drinit, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe Specialistët Hidrografë të SHHSH, bazuar nga të dhënat e matjeve batimerike të bëra me partnerët tanë ndërkombëtare, në bashkëpunim me specialistë të IGJUI, u prodhuan hartat e para “Paper charts”, për qëllime lundrimore. Për herë të parë në procesin e prodhimit të këtyre hartave u aplikuan standartet ndërkombetare të IHO. Kjo dëshmon rritjen e vetëdijes për rendësine që ka vetë Hidrografia dhe hartografimi detar, kontributin e saj në menaxhimin e duhur të “ekonomisë blu” si dhe varësise njerëzore ndaj këtij ambjenti që është vazhdimisht cdo ditë e në rritje.

Hidrografia dhe hartografimi detar tashmë konsiderohen si elementë thelbësorë në zhvillimin e infrastrukturës kombëtare për detin. Kjo infrastrukturë përfshin jo vetëm portet e transportin detar por edhe shfrytëzimin e resurseve (pasurive mbi dhe nënujore) si dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, mjedisit e ekologjisë detare. Në mënyrë të vazhdueshme janë përgatitur publikime dhe njoftime për lundërtarët. Kështu në bashkëpunim me IGJUI, janë publikuar harta detare, rrugëkalimet detare si dhe listat e faro-fenerëve, me qëllim përmbushjen e nevojave për një lundrim të sigurt.

Natyrisht projekti më i rëndësishëm, është ai me Shërbimin Hidrografik Norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike. Nga ky projekt do përfitojë jo vetëm Forca Detare por të gjithë subjektet detare private e shtetërore. Zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2015 dhe do zgjasë tre vjet. Projekti i perbashkët me Shërbimin Hidrografik Norvegjez është duke u zbatuar sipas një plani të mirë detajuar dhe ka në themel të tij zhvillimin e një politike kombëtare detare për Hidrografinë dhe Hartografimin. Ai kërkon që krahas njohurive esenciale të karakteristikave gjeografike, gjeologjike dhe gjeofizike të shtratit të detit dhe të bregdetit, të bëhet dhe grumbullimi i të dhënave të mjaftueshme për rrymat detare, baticë-zbaticat dhe fenomenet e tjera detare deri në përpunimin përfundimtar të këtyre të dhënave. Sigurisht që ky projekt do shtojë kapacitetet operacionale të Shërbimit tonë Hidrografik, standartizmin dhe ndërveprimin e tij meqëllimqë vendi ynë të përmbushë kërkesat e organizmave dhe legjislacionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë hidrolundrimore.

Synimi final i SHHSH është arritja e standarteve dhe kapaciteteve të kërkuara nga IHO, {Organizata Ndërkombëtare Hidrografike} dhe plotësimi i kushteve për anëtarësim me të drejta të plota në këtë organizatë. Realizimi i tyre vec angazhimit maksimal kërkon edhe përshtatjen e teknologjisë ekzistuese me teknologjinë moderne bashkëkohore apo përzgjedhjen e personelit të kualifiluar për specialitetin e hidrografisë. Nga ky synim burojnë dhe prioritetet specifike për të ardhmen, të cilat janë: Përpilimi dhe publikimi i hartave të reja detare, (paper charts & elektronike) të bregdetit Shqiptar; Pajisja e bregdetit Shqiptar  me mjete dhe pajisje bashkekohore të sigurisë hidro- lundrimore si dhe instalimi i  fenerëve të rinj detarë duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e atyre ekzistuese dhe së fundmi përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka nënshkruar në kuadrin e IMO, SOLAS, UNCLOSS, rezolutës të Kombeve të Bashkuara, UN A53/32. Aktualisht Shërbimi Hidrografik Shqiptar ka status vëzhguesi në “Mediterranean and Black Seas Hydrographic Commission (MBSHC)”, por sfida e këtij shërbimi është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë-IHO, në një afat kohor sa më të afërt. Ndërkohë të dyja këto organizata të rëndësishme hidrografike këshillojnë që vendi ynë të marrë një rol aktiv në këto organizata, për të qënë dhe përfitues i projekteve dhe financimeve të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve tona hidrografike. Sigurisht që për misionin dhe dobinë ekonomike që i sjell vendit, ky shërbim kërkon më tepër vëmendje dhe ndihmë nga shteti shqiptar në të ardhmen.

Në këtë 60-vjetor, kujtojmë me respekt ish Komandantët e Shërbimit Hidrografik Shqiptar, ndër kuadrot më të arsimuar e kualifikuar të Forcës Detare, {ishFlotës-Luftarake}, që nga pionieri i këtij shërbimi zoti Arqile Papadhimitri, e më pas Mersin Shqypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha, Gëzim Koci, Arjan Copani, Lulzim Kryeziu, Artan Malo, etj. Kujtojmë dhe nderojmë oficerin hidrograf Kadri Ylviu, i cili vdiq aksidentalisht më 11.03.1961, kur anija hidrografe u përplas me shkëmbinj të nënujshëm në Porto-Romano. Gjithashtu kujtojmë dhe nderojmë kuadrot dhe specialistët e këtij shërbimi, hidrografë, gjeodetë, kartografë, feneristë, specialistë të sigurisë hidro-lundrimore, ekuipazhe të mjeteve lundruese, që me punën dhe arritjet e tyre e kanë lartësuar imazhin e këtij shërbimi: zotërinjtë Dhimitër Postoli, Liman Limani, Hajdar Lala, Vasil Gjoni, Petrit Ajazi, Përparim Zani, Mina Gjermeni, Agim Musta, Miltiadh Driza, Fadil Nurka, Sadulla Elezi, Bilal Koci, Merdan Kalemi, Nesti…Raqi Kondakciu, Petrit Pasho, Qazim Baza, Viktor Marku, Fatmir Bega, Andi Gerveni, Artan Kambo; zonjat Eleni Ibro, {Gjoni}, Dhimitra Tome, Shpresa Dhima, Yllka Cela, etj. Kjo trashëgëmi e vyer, shembulli dhe profesionalizmi i tyre, frymëzon dhe edukon kuadrot dhe specialistët që shërbejnë aktualisht në Shërbimin tonë Hidrografik për të ecur në gjurmët e tyre.

Literatura:

-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i I-rë, faqe 327-328.

-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i II-të dhe I II-të, faqe 575-582.

Filed Under: Histori Tagged With: 60 vjetori i Sherbimit, Hidrografik Shqiptar, Shefqet Kërcellim

Foto e rrallë/ Momenti kur komunistët arrestojnë At Zef Pllumin

September 25, 2017 by dgreca

Historiani dhe studiuesi Kastriot Dervishi, me anë të një statusi në Facebook, sjell në vëmendje goditjen që regjimi komunist i dha At Zef Pllumit. Ai ka shkruar lidhur me momentin kur eshtë arrestuar nga komunistët, At Zef Pllumi, duke e nisur shkrimin e tij me titullin: “At Zef Pllumi dhe vigjilenca e “njeriut të ri”. Ndiqeni komentin e studiuesit te njohur, Kastriot Dervishi:

1 At Zef Pllumi

50-vjetori i arrestimit të dytë/

At Zef Pllumi dhe vigjilenca e “njeriut të ri”/

Në Shqipërinë komuniste nuk ishin vetëm njerëzit e regjimit keqbërës. Propaganda krijoi “njeriun e ri”, shërbëtorin më të verbër ndaj atij sistemi. “Njeriu i ri” i droguar nga ideologjia komuniste, përkundrejt një teneqeje dekoratë, apo fletëlavdërimi, kujtonte se duke i bërë keq tjetrit i shërbente atdheut. Historia që po tregoj është e vitit 1967, kohën kur Shqipëria komuniste mbylli institucionet fetare dhe goditi gjithë klerin e vendit. Njëri prej këtyre klerikëve, Zef Pllumi, duke mos e duruar dot atë gjendje, provoi të arratisej nga Shqipëria nëpërmjet kufirit tokësor në Rrethin e Shkodrës. U nis i vetëm drejt kufirit. Mori drejtimin e Qafës së Pejës. Arriti t’i shpëtojë syrit të rojeve kufitare të postës së Thethit, por jo syrit të “njeriut të ri”. Në bjeshkët e Nikçit “njeriu i ri”, vigjilonte. 8 punonjës të ndërmarrjes së pyjeve e pikasën dhe kërkuan dokumentin që duhej për të qarkulluar në ato zona. Ata dyshuan dhe e shoqëruan. Procesverbali “për kapjen e personit të dyshimtë Zef Gjeto Pllumi” u hartua nga kryetari i këshillit popullor të zonës, tekniku i pyjeve, kryetari i kooperativës Nikç dhe sekretari i organizatës bazë të partisë. Tekniku i pyjeve (i fotos), i përkushtuar deri në fund për realizimin e poshtërisë së tij, me dy punëtorë dhe dy pushkatarë e dërgoi At Zefin në Tamarë, pikërisht atje ku do ta merrnin njerëzit e specializuar të regjimit, të cilët do t’i jepnin dënimin e dytë me 25 vjet burgim.
At Zef Pllumi u burgos dy herë nga regjimi komunist në periudhat: 15.10.1946-15.10.1949 dhe 27.9.1967-11.4.1989. Kësisoj qëndroi 25 vjet i burgosur.

Fotoja që bashkëlidhet tregon çastin e ndalimit të At Zef Pllumit më 27 shtator 1967. Tekniku me emrin Marash në emër të “njeriut të ri” bën ndalimin në kufi.

Filed Under: Histori Tagged With: arrestimi i At Zef Pllumit, foto e rralle, Kastriot Dervishi

Shtëpia muze e artistit shkodran

September 24, 2017 by dgreca

1 shtepia e zef

Nga Pjeter Logoreci/Vjene/

Gjatë shetitjes në qytetin verior të Shkodres, syrit të vizitorit nuk i shpëtojnë ndryshime të shumta në rrugët kryesore të qytetit (që tashti janë të gurta), po ashtu edhe në stilin e ngjyrën e fasadave të reja, të rikonstruktuara apo të përshtatura nga arkitektët, në mes tradicionales dhe modernes.  Në rrugicat e ngushta që degëzojnë nga shetitorja në drejtim të periferisë, vazhdojnë, aty këtu, të qëndrojnë në këmbë mure të lartë, të mbuluar me shermashek apo lule vile, karakteristike për shtëpitë qytetare shkodrane. Dyer të vjetra e të mëdha prej druri, mbyllin oborre të mbushur me trëndafila e lule të shumëllojshme e shumëngjyrash, apo ndonji cardak karakteristik i cili “vuan” nga  pesha e kohës apo nga mungesa e banorëve, të cilët kanë emigruar.

SONY DSC
Ndërsa pres kafen e mëngjezit, në një lokal pothuejse në pikën zero të qytetit,  më kuriozon “misteri” i një shtëpie tradicionale catia e së cilës shihet pas murit të lartë me gurë zalli në krah të kafenesë. Kjo ndertesë, e cila mban mbi kurriz peshën e dy shekujve, është foleja ku lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia edhe pse me vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore, sot, nuk është një muze i hapur për të gjithë, por një banesë normale private, pjesë e inventarit të objekteve me vlerë dhe të mbrojtura të qytetit, qysh prej viteve 60-të.Përballja me derën e madhe të oborrit dhe avullinë e lartë shekullore, deshmitare të shumë ndryshimeve historike në qytet, më zgjuan dëshirën që ta vizitoj këtë shtëpi, që të shkruaj dicka për të sjell në kujtesën e bashkëqytetarëve këtë vlerë pothuajse të lënë në harresë. Edhe më përpara kam shkruar për disa shtëpi karakteristike të Shkodres, të ciIat i kam njohur privatisht në periudha të ndryshme të jetës, si: shtëpinë e Pashko Vasës, shtëpinë e familjes Ceka apo atë të Gurakuqit. Kësaj here, i shoqëruar nga të zotët e shtepisë, nipat e aktorit Zef Jubani, Cini dhe Viktori (të cilët i falenderoj miqësisht), pata mundësinë të përjetoj momente të bukura e krenari për këto vlera që Shkodra ka trashëguar nëpërmes këtyre familjeve në zë.

Shtëpia Muze Zef Jubani/

SONY DSC

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjindet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për ti shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Sipas familjareve, tregëtari Mati Mesi (pasardhësi i Zefit), i cili vazhdoj traditën e familjes së tij,  bënte tregëti me shumë vende në rajon. Ai ishte një burrë me kulturë përendimore pasi ishte i shkolluar në Venezia. Përvec se tregëtar, Matia njihej dhe si koleksionist i librave dhe fotografive me vlerë të cilat i blinte gjatë udhetimeve të tija jashtë vendit. Ai zotëronte disa gjuhë dhe instrumenta muzikorë dhe ishte ndjekës e pjestar i ahengut dhe grupeve muzikore shkodrane, ku më vonë do të bënte pjesë dhe dhëndrri i tij Cin Jubani. Pas vdekjes në moshë të re (nga zemra) të Matisë,  vajza e tij e vetme Roza, nëna e aktorit Zef Jubani, u martua me Cin Jubanin që vinte nga një familje e mesme qytetare, i cili e trashëgoj shtëpinë në fjalë.

Që në pamje të parë kuptohet se për mirëmbajtjen e shtëpisë nuk është bërë shumë nga shteti. Vetëm pullazi i shtëpisë është rikonstruktuar nga ndërmarrja e Monumenteve të Kulturës në vitin 2005-së, por në pjesët e mbrendëshme edhe pse ka disa probleme, nuk është punuar. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën nëpermes një cardaku i cili deri nga fillimi i shekullit të kaluar ishte i hapur, por për nevojat e familjes është mbyllur dhe përdorur si sallon. Sipas kujtimeve të piktorit të madh Simon Rrota në ditarin e tij, shkruhet se pas termetit të vitit 1905, u bë e domosdoshme riparimi i shtëpive. Shumë familje shkodrane duke parë nga ana praktike shfrytëzimin sa më të mirë të hapsirave të shtëpive (edhe si pasojë e rritjes së fëmijëve), mbyllen hapsirën e stërmadhe të cardakut duke e ndarë atë në siperfaqe të banueshme e dhoma për familjarët.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Rindërtimi vazhdonte gjithnji, por jo ma me atë stilin e vjetër, e nevoja e madhe për ambiente bani me transformue shtëpitë, tue mbylle cardaqe të kotme, tue hjekë musandra e trapazana (Musandra: rafta të mdhej në qoshe të dhomës për me vendose dyshekë, jorgana, shilte, jastëke etj., gjana për fjetje. Trapazan: lloj mensolete druri e gdhendun qi zente pjesën e sipërme të nji faqe muri, përmbi musander, për me vendosë rraqe të ndryshme qi ka shpija, faqja e përparme e mbyllun me drrasë bojë të mbylltë të gdhendun), qi nuk nepshin kurrfarë dobije. “

Në një pikturë të varur në sallonin e shtëpisë me autor  vëllaun e aktorit, Mati Jubanin, vërehet pamja e plotë dhe origjinale e ndërtesës, ashtu sic ishte ndërtuar në fillim, ku për tu ngjitur në katin e sipërm shërbente një shkallë me gurë të latuar me harqe e qemerë.

Kati përdhes është ndërtuar për të shërbyer si bodrum ose ahur dhe komunikon me pjesën e banuar me një shkallë të mbrendëshme. Ahuri është i ndarë në disa pjesë, për ti mundësuar familjarëve vendosjen e objekteve të përdorimit shtëpijak, ushqimeve, pijeve, e sendeve të tjera. Në mes mureve të lartë, gjëlberon një oborr i mbushur me lule dhe pemë, ku dikur nuk mungoni dhe objekte të tjera si: kulla e sanës, jerevija, pusi apo lugu për larjet e rrobave.

Pesë dhomat (odat) e shtëpisë janë: oda e zjermit, oda e bukës e tri oda gjumit, të gjitha të stolisura me punime druri (lisit apo qershije) të gdhendur. Nga druri i gdhendur janë: raftet e murit (musandrat), kapaket e dritareve, pjesët e sipërme të murit (sergjijat) dhe tavanet ku varen ndricues plot elegancë, të një cilësie të lartë, të prodhuar në perëndim. Dy nga odat janë paisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips. Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme  ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Dishmohet që punëtorët që ndërtuen këto shtëpi ishin muratorë ose mjeshtra dibranë të cilët ishin shumë të njohur. ….Këto ustallarë ishin të veshun me dollama (veshje kombëtare, në formë pantallonash të gjana deri pak nën gju), me fesa tanuz në krye (fesa të kuq ngjyrë të mbylltë, jo të naltë, me nji tufë ngjyre blu të mbylltë qi ishte e kapun në majën e nji kordoni jo të trashë në të njajtën bojë si tufa), këpucë të kuqe. Karakteristika më e madhja e tyne ishte qeseri qi e mbajshin në brez. Ata ndërtojshin shtëpijat krejtësisht, pa inxhinier, ashtu në stilin e tyne (si i shohim edhe sot). Mjaftonte qi i zoti i shtëpisë tu diftonte dishirin dhe sasinë e odave, për me pasë nji shtëpi të ndërtueme. Ndër ustallarët që më bien ndër mend mue janë kenë të famshëm, ustah Jashari, ustah Muharremi, ustah Isaku, të cilët ishin teknikë të mirë në ndërtim muresh edhe me latue gurët me mjeshtri të madhe. Ndër katolike janë kenë vetëm Zef Marndreu, Pjeter Gjura, Lazer Sekuj, Mark Dibrani.

Duket se të parët tonë i kanë dhanë randësi të madhe dyerve të oborrit tue shpenzue shumë për punimin e gurëve (të latuem) e të harqeve të bukur, qi sot napin karakteristikën ma të madhe kur i shohim rrugës. Gjithashtu dyert i kanë ba të gjana sa me hi qerrja për cdo nevojë qi ishte p.sh. me shti arkën e nuses, dru zjerrmi, bastan, rrushin prej vneshtet etj.

…nji kujtim i mirë që ka mbetë ndër shtëpijat shkodrane janë punimet me daltë, të bame prej dibranëve tonë sidomos prej mjeshtrit qi ia mbaj mend emnin: Dan Celiketa, i cili ka punue shtëpinë të Sahati i Inglizit, të Lord Pagjot-it. Këto punime gdhendje në dru paraqiten shumë të bukura dhe ekzakte në pikpamje të vizatimit si dhe simetrike si në tavane, trapazana, rafta, dyer. Kto lloj punimesh gjinden ndër shumë shpija të vjetra të Shkodres megjithëse stili i tyne perkon i gjithi me stilin Arab, Persian, Turk Oriental, me nji fjalë nji Bizantinizëm i plotë, qi me kohë vendi jonë i bani për vedi, i edukuem në atë mënyrë mbasi kishin kontakte të ngushta me popuj në kohnat e Turkisë.

Familja Jubani, e cila gëzonte reputacion të mirë dhe kulturë e shkollim përendimor, bëri ndryshime cilësore duke futur elementë dhe objekte moderne në hapsirat e banesës së tyre. Vëndosja e dyerve, dritareve, orendive cilësore e të kushtueshme të firmave të njohura europiane, i dha shtëpisë pamjen e një epoke e kulture tjetër,  ndryshe nga stili oriental i banesës dhe ambienteve për rreth shtëpisë. Familja pat kontakte dhe miqësi me përsonalitete të vyer. Pjestarët e familjes kujtojnë që shpesh ndër odat e mëdha të shtëpisë, ku mblidheshin miq e të njohur, shfaqej film, ndigjohej muzikë e diskutohej për të rejat kulturore të kohës.

Edhe mjeshtri Simon Rrota në kujtimet e tija, shkruan për ndryshimet, modernizimin e ambienteve të mbrendëshme të shtepijave karakteristike të Shkodres.

…disa prej familjeve pasanike, tue kenë se shkojshin në Venedik (Venezia), mundoheshin me stilizue jetën me ndoj send tjetër qi shifshin atje si p.sh. ndonji pasqyrë të madhe me korniqe stilit barok etj. …Por ma vonë, të rijtë qi delshin jashtë për studime e panë vedin se sa mbrapa ishim prej popujve tjerë, athere filluen me ba martesa “alla franca”, me stolisë odat me mobilje, me ndërtue shpija moderne, tue lanë menjanë musandrat e trapazanat e tue marrë nji drejtim tjetër e ma të përparuem, simbas kohnave qi jetojmë sot.

Një vlerë tjetër e shtëpisë muze Jubani është se në këtë shtëpi lindi me 2 dhjetor 1910 Artisti i Popullit, aktori  Zef Jubani, i njohur si Harpagoni shqiptar. Zefi ishte fëmija i katërt i Cinit dhe Rozës Jubani. I rritur në një ambient familjar ku muzika, letërsia e arti ishin pjesë e jetës, Zefi u bë një nga korifejtë e skenës teatrore shqiptare duke arritur kulmin me realizimin e roleve më të vështirë nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në një nga odat e shtëpisë muze ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të këtij personaliteti, trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e vecanta që i perkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në teatrin e Shkodres, rolin e Harpagonit si dhe titulli ARTIST I POPULLIT, i shoqëruar me medaljen perkatëse. Në qëndër të dhomës, në mes të ralikeve të familjes, më tërheq vemendjen një bust i aktorit i punuar me mjeshtri nga artisti shkodran Kolec Ljarja. Për ato që e kanë njohur Zef Jubanin, ngashmëria është e përkryer. Ndërsa, mbi dyshemenë e vjetër, përballë Zefit – Bust, bri oxhakut karakteristik oriental, i ruajtur në mëndyrën më të mirë të mundëshme, ndodhet  djepi-shtrat ku u rritën pjestarët e familjes së Cinit, ndër to edhe Zefi.

Në muret e odës varen perlat e fisit, foto të vjetra, që janë historia e familjes e që duhet të jenë nga fillimet e fotografisë Marubi. Më e hershmja është ajo Zef Mesit me grue,  më pas Matia i biri i Zefit me grue Ninen (viti 1878) dhe me familjen e tij e ndjekur nga fotoja familjare e Cin Jubanit me Rozen e fëmijet (ndër to edhe aktori Zef Jubani). Natyrshëm, po e mbyll këtë shkrim, duke pasë bindjen e krenarinë, që në Shkoder qytetaria jeton, në shumë familje të cilat janë dhe mbesin elitare, për kulturën e traditat familjare që trashëgojnë.

Vjene, me 18.09.2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Shtepia muze, ZEF JUBANI

KUJTESE PER INGJ. LUDOVIK ZOJZI (1910 – 1943)

September 24, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1Ludovik Zojzi

 NE FOTO:Vorrezat ne RRMAJI  SHKODER/

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”/

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.

Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit.

Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali.

Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”.

Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “…Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerë organizatorë…”.

Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?

Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve Atentati kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës Shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”…

Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.
50 VJET PERPARA…1967

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret… e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa Shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse… e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek koka, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit Shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!…  

E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika…. E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por harruen fjalët e Meshkallës, se “ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!”
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!

Melbourne, 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Ludovika Zojzi, Vorrat Romaji

SI E VLERESUAN TE HUAJT UDHETIMIN E EDIT DURHAMIT NGA MALI I ZI DREJT SHQIPËRISË?

September 20, 2017 by dgreca

 Gezim Llojdia

Nga Gëzim Llojdia */

 

burdenbalkans00durhgoog_0009

1-Udhëtimi Meri Edit Durhamit nga Mali i Zi në Shqipëri

Ajo ishte njëqind vjet më parë këtu, shkruan Rudolf Abrahami në :Revistën “Evropa” për udhëtimet e M.Durhamit në Ballkan dhe pikërisht për udhëtimin, që ajo ka kryer nga Mali I ZI drejt Shqipërisë. Këtë udhë studiuesja e M.Durham e ka përshkruar me aparat fotografik:” Abrahami” duke fotografuar ato vise e vende, që përshkoi.

burdenbalkans00durhgoog_0356Ajo, ishte njëqind vjet më parë këtu dhe Edith Durhami u  bë shqiptare , ishin udhëtime në funksion të librit të saj: ” Shqipëria e Eprme”.Ne shikojmë ngjarjet që janë aventurat e Edith Durham në rajonin kufitar Shqipëri ,Mali i Zi.

Fillimi një mëngjes në verën e vitit 1908, një pjesë e vogël la fshatin e Thethit në veri të Shqipërisë. Dhe duke udhëtuar nëpër borë  mes vendeve  të  thellë dhe qafave  e zunë frymën  në Café Pejë, atë kohë udhëtarët zbritën  në luginën Ropojana në atë, që është tani Mali i Zi. Pjesa  përbëhej nga Edith Durham, udhëtari i Ballkanit ,kampioni i  çështjeve shqiptare, së bashku me udhëzues e saj besnik dhe mik i Marko Shantoja.

Ati lokal françeskan dhe shërbëtorit të tij dhe një prijës nga fshati Okoli (Okol). Destinacioni i tyre ishte Vuthaj një vend i vogël, fshat me shumicë muslimane në luginën Ropojana të  cilat, së bashku me pjesën tjetër të zonës së Plavë Gucisëë-ende ishte pjesë e Shqipërisë. Duke kaluar një liqen, me ujëra shumë të thella dhe të kaltra, vazhduan  ata përgjatë luginës, për të arritur në Vusanje, xhami e vogël.

Kjo është vetëm një ekstrakt i revistës Evropa, të cilën e ka shkruar  Rudolf Abrahami.

Ai është  autor i disa guidave  për Kroacinë, Torres del Paine ,Malet e Malit të Zi, të gjitha botuar nga Press Cicëron dhe Kroacia National Geographic Traveler.

Artikulli i  tij në vitin 2009për  malin Velebit në Kroaci, i publikuar në Evropë siguroi një çmim për karakteristikat më të mira nga Shkrimtarëve në natyrë dhe Photographers Sporti Outdoor. Rudolfi është anëtar i Shoqatës Britanike të Shkrimtarëve Travel. Rudolf është duke punuar për  udhëzues për malet e lindore të Turqisë dhe shtigjet me distancë të largët në Northumberland. Gjithashtu ai shkruan për artin dhe arkitekturën islame. Rudolfi jeton në Londër. 

 2-Dr .Olimpia Gargano  ajo ishte fillimi i një dashuri që zgjati gjatë gjithë jetës

Tregimet e udhëtimit në Ballkan është një ndër subjektet  ende më  pak të hulumtuar mes provave letrare e udhëtime në Evropë, në mesin e tyre, shumë më pak të njohura janë librat e udhëtimit në Shqipëri, një vend të cilit e  njohim  kur nisi hapjen e  saj me vendet  jashtë,që  ishin bllokuar për gati 50 vjet të regjimit totalitar, deri në fillim të viteve 1990.

Një prej autorëve do të veproj në mënyrë specifike në projektin tim është anglezja Edith Durham, e  cila në fillim të shekullit 20 udhëtoi vetëm për në Shqipëri. E shtyrë për të udhëtuar nga mjeku i saj, i cili e këshilloi atë që të lëvizë nga koha në kohë për të mbështetur më mirë detyrat e ndihmës për nënën e saj të sëmurë, znj Durham, artiste dhe shkrimtare, udhëtoi në Adriatik në 1900.

Gjatë turneut të tij të parë, ajo vizitoi Cetinjen (Mal i Zi) dhe udhëtoi në Shqipëri  ,ajo ishte fillimi i një dashuri, që zgjati gjatë gjithë jetës.

 Për 20 vjet, Edith Durham i kaloi në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, ka vizituar vende dhe njerëz me përvojë,dhe u bë një partizane më e pasionuar  e pavarësisë së Shqipërisë. Kujtime udhëtimesh në Shqipëri (1909), është ende një nga burimet e njohurive dhe frymëzimet  më të pasura letrare për të gjithë ata, që janë përfshirë në kulturën dhe traditat shqiptare.

 *Studiues, bashkëpunëtor i Gazetës “Dielli” në Shqipëri.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, shqiperi, udhetimi i Edith Durham, Vleresimi i te huajeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 334
  • 335
  • 336
  • 337
  • 338
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT