• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dosja e emigrantëve- MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

March 3, 2017 by dgreca

1 Ok TartariARANIT TARTARI, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË/

Mjeku gojë ëmbël, që të shëronte me fjalë, u mbulua në dheun e Filadelfias, të Shteteva të Bekuara të Amërikës. Ne mbuluam dhimbjen në zemrat tona.

1 ok emigranti

Nga Enver Memishaj/Në Vlorë e quanin: Miku i Popullit. I qeshur gjithnjë, i pa përtuar, i duruar, i arsyeshëm , i matur në fjalë e në veprime, por i pa tundur në qëllimin human që i kishte vënë vetes: tu shërbente njerëzve si asnjë tjetër. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor. Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi jetës së tij ishte: t’u bënte mirë qytetarëve të tij.

*     *    *

Babai i Aranitit Azbi Tartari ka punuar si nëpunës në Korçë,Tepelenë  dhe në disa fshatra të Vlorës. Me ardhjen në fuqi të komunistëve të cilët nuk i shikonin me sy të mirë nëpunësit e djeshëm, familja me katër fëmi të vegjël u detyrua të shiste shtëpinë në lagjen Karabash të Vlorës dhe u kthyen në fshatin e origjinës, në Vranisht, por në vitin 1950, u kthyen përsëri në qytet. Në vitin 1957, babai i Aranitit, në një moshë ende të re ndërroi jetë, kështu që Araniti u detyrua të futet në punë.

Pa mbaruar vitin e tretë të gjimnazit e morën ushtar. Eprorët e tij vunë re inteligjencën dhe aftësitë fizike dhe e regjistruan në një kurs për aviator. Kjo ka qenë një nga ditët e lumutra të jetës tij. Tashmë ai do të fluturonte lart në qiell, si shqiponjat e maleve të Vranishtit. Në vitet 1956 -1958 mbaroi  kursin dhe falë aftësive të tij, arriti te fluturonte edhe vetem ne qiellin shqiptar. Ky ishte pasioni më i madh i tij, dhe që do ta kujtonte përherë me nostalgji. Por ëndërrën për të fluturuar me avion ja prenë në mes.

Sigurimi i Shtetit vigjëlonte. Ndërsa ishte nisur të vazhdonte studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, e kthyen mbrapsht nga Rinasi për disa verifikime! Kjo, tregonte më vonë Araniti, ka qenë një nga ditët më të zeza të jetës sime. Kështu ai e humbi dashurinë e parë, fluturimin në qiellin e kaltër, humbi shpresën, zogut i kishin prerë krahët…

Enderrën e prerë në mes për pilot nuk e harroi gjith jetën. Ai më von, ndërsa ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në çdo faqe të leksioneve do të vizatonte aeroplanë dhe posht tyre shkruante:  Guxova dhe fluturova ne qiellin e kalter shqipetar.

Pas kesaj ngjarje ai nuk u dekurajua. Nuk donte që të ishte nën shokët e tij. U kthye në Vlorë, punoi dy vjet si punëtor dhe kreu natën gjimnazin dhe në vitin 1961, fitoi të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Studimet i kreu me sukses dhe në vitin 1966 u diplomua mjek. Në vitin 1967 u specializuar si mjek laborant dhe u emërua në spitalin e Vlorës. Që nga ai vit ai u shërbeu me përkushtim qytetarve të tij për gati 30 vjet. Ngritjen profesionale e arriti nëpërmjet studimeve individuale dhe fitoi vetitë e një shkencëtari. Ai diti të mësonte nga përvoja e mjekëve të vjetër të Vlorës që ishin diplomuar në perëndim: dr. Tepelenës, dr. Hysenbegasit, dr. Myzabegut, dr. Berberjanit etj.

E mbaj mënt, kur çdo ditë e gjeja në laboratorin e tij me dr. Tepelenën duke përkthyer nga revistat e huaja frëngjisht dhe italisht.  Botoi shumë shkrime për mjeksinë në gazetat dhe revistat shkencore.

Te qenurit mjek per te ishte nje mision dhe pergjegjesi e madhe, prandaj çdo pacienti i shërbente me devotshmëri, jo vetem si specialist, por edhe si njeri që dinte të hynte në botën shpirtërore të pacientit dhe gjente gjithmonë zgjidhje.

*      *     *

Dr. Aranit Tartari kishte lindur në qytetin e Vlorës më 16 shkurt 1938, në një familje me tradita atdhetare e qytetare. Ai ishte demokrat në shpirt dhe mendje dhe i priti me entuziazem ndryshimet demokratike duke marre pjese familjarisht në çdo manifestim të Partisë Demokratike në Sheshin e Flamurit.

Doli ne pension ne vitin 1993 dhe ne vitin 1996 emigroi familjarisht në Shtetet e Bekuara të Amerikës siç e quante ai këtë vend të bekuar.

Aranitit nuk i mungonte asgjë për të jetuar në Vlorë. Ai ishte një mjek i talentuar me të dhënat e një shkencëtari, Lutfija, e shoqja ishte mësuese e nderuar dhe e respektuar, Helidoni, djali, një inxhinjer i talentuar dhe Anila, vajza, një mjeke me perspektivë.  Atëhere përse Aranit Tartari emigroi në Amerikë?

Ai njeri adhuronte lirinë dhe ëndërronte të jetonte në vendin e lirisë por edhe pse donte të shëronte atë plagë të rinisë: fluturimin në qiellin e lirsë, që ja vranë  në moshën më të bukur.

Në vitin 2001, pasi kishte punuar e dhënë shembuj qytetarie ai mori nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte një nga ditët më të gëzuara të jetës tij. Tani ai mund të fluturonte jo vetëm në qiellin shqiptar por edhe nëpër qiejt e botës.

*      *     *

Kur mora lajmin e hidhur të humbjes së Dr. Aranitit nuk më besohej. Ai njeri që kishte dalë fitimtar në të gjitha bejejat e jetës së tij, qysh ishte mposhtur. E ktheva kokën pas dhe pash si në një film udhën e jetës që kisha përshkuar me një mik të mirë, si Aranit Tartari…

Ai ishte qytetar dhe mjek me virtyte të rralla. Ishte njeri me shpirt të gëzueshëm, gjithnjë optimist, shakaxhi, bisedat e tij të bëra me hiperbola që veç ai mund  t’i sajonte, i përsërisnin të gjithë gojë më gojë dhe provonin ta imitonin, por pa sukses.

Ishte një nga njerëzit e rrallë të qytëtit tonë, që kishte shokë dhe miq të shumtë, për të mos thënë se qytetarët e Vlorës, por edhe fshatarët, ishin të gjithë miqtë e tij. Ai nuk lodhej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e quanin miku i popullit. Ishte gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbaheshin mënt gjatë.

Edhe Lutfijen, bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i përsosur. Fati e kishte bashkuar me atë gruan që nga karakteri dukej më tepër si motra e tij. Edhe ajo, gjithnjë  qeshur, e gëzuar dhe që të bënte për vete që në takimin e parë . Rrallë çifte ngjajnë dhe shkojnë me njeri tjetrin si Lutfia me Aranitin.

Ajo me fisnikërinë dhe bujarinë e saji i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe i dhuroi dy fëmijë, si vetja Helidonin, që ishte edhe ai Diell si i ati dhe Anilën, të bukur dhe të qeshur si i ati dhe e jëma.

Nga prindërit, si të gjithë ne, nuk trashëgoi pasuri, por ai kishte një shpirt të pasur si asnjë tjetër.Ishte alturist,  i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.Araniti, motra Teferia dhe i vëllai, profesori i njohur Teki Tartari, e shkundën blozën e shtëpisë së Vranishtit dhe hodhën themelet e shtëpisë qytetarëe në Tiranë dhe në Vlorë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.Nga bindja Araniti ishte thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte kundër dhunës. Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës komuniste nuk ua ktheu shpinën. Jetoi me kokën lart, kishte një dinjitet të pa shembullt dhe askujt nuk pranoi t’i përulej.

Me Aranit Tartarin humba një shok të jetës sime, një bashkëqytetar nga më të vlefshmit, një burrë të qëndrueshëm, i cili gjatë gjith jetës tij kreu detyrën qytetare, duke u bërë shërbëtor i vlonjatëve, ditën dhe natën, nuk mungoi në asnjë çast t’u vinte në ndihmë njerëzve, pa asnjë kusht  dhe pa pyetur, si dhe cili ishte ai që vuante, ç’ ngjyrë kishte dhe ç’punë bënte.

Bashkë përshkruam udhën e jetës në të keqe dhe në të mirë, në gëzime dhe në hidhërime. Të kishe shok Aranitin ai ta bëntë diell e dritë, çdo çast të jetës, ta hiqte mërzinë, vujtjen dhe dyshimin, me buzëqeshjen, me pak fjalë dhe me magjinë që të pushtonte. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor.

Doktor Isuf Hysenbegasi që e kishja mësues në gjimnaz, thoshte se ç’farë të shkruaj unë në recetë ti nuk e kuptom, por ç’farë të them me gojë ti e kuptom shumë mirë. I tillë ishte Aranit Tartari, ishte nga ata mjek që të shëronte me fjalë. Të bënin më shumë efekt fjalët dhe këshillat e tij se sa barnat.

Më tha prof. Ëngjëll Saliu që Aniti ishte sëmurë. Shpresoja që të triumfonte mbi sëmundjen, sikundër kishte triumfuar në dallgët e jetës, por besoj se me të njëjtin durim, me të njëjtën burrëri që kishte treguar gjatë jetës për kapërximin e vështirësive do ta ketë përballuar edhe sëmundjen që nuk besoja t’i këpuste fillin e jetës.

Nuk e di, se nuk isha pranë tij, siç dëshëroja, por jam i bindur se ai burrë i rrallë nuk do t’i ketë dalë kurrë prej gojës ndonjë fjalë ankimi dhe nuk do të ketë trguar shenja tronditje sepse ishte trim dhe dinte ta përballonte vuajtjen. E di se e ka duruar dhimbjen.

E di se në çastet e fundit të jetës tij do të ketë përfytyruar malet, burimet dhe bukuritë e Vranishtit dhe bregdetin e Vlorës  tij, me ngjyra ylberi, e drita shumë, do ta ketë ndier mallin e pa shuar që brente zemrën e tij në tokën e ëmbël të Amerikës.

Pusho i qetë në tokën e Shteteve të Bekuara të Amerikës, miku im Aranit Tartari.Ti dhe Lutfia e kryet misionin tuaj në jetë, punuat  jo vetëm për vete por më shumë për vlonjatët, na latë dy fëmi që do ta ngrenë më lartë emërin tuaj.

Aranitin do ta kujtojnë të gjith ata që e njohën si njeri e qytetar model, mjek i talentuar, baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. Për Aranitin jeta ishte shumë e shtrenjtë  sepse ai dinte ta shijonte, dinte të gëzonte dhe këtë u la trashëgim dy fëmijëve të tij Helidonit dhe Anilës dhe dy nipërve: Rafaelit dhe  Brentonit. U la trashëgim dashurinë për njeri tjetrin për lirinë  e kuptohet për Shqipërinë.

I tillë qe Aranit Tartari ky mjek, njeri dhe shërbëtor i popullit të tij, të cilin e mbuluan në dheun e Amerikës më 7 dhjetor të vitit 2016 dhe unë shkrova këto radhë si shenjë e nderim të shërbimeve të shquara që i ka sjellë Vlorës, për miqësinë tonë të gjatë dhe të pa njollë, i hidhëruar që nuk iu gjenda pranë atij miku aq të vlefshëm, atij mjeku që shëronte si me magji plagët e qytetarëve vlonjat, atij qytetari të denj e të nderuar të Vlorës.

Prehu në paqe miku im i pa harruar.

Ai u largua në amëshim, por emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë dhe ëmbëlsinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, të gjith ata që e kanë njohur.

Ai iku po na la gjurmët, shembullin e një mjeku human, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja e emigrantëve-, Enver Memishaj, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

DEDË PRECI: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT

March 3, 2017 by dgreca

HISTORIA TRONDITËSE E DEDË PRECIT: SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI GRUEJA E FËMIJËT./

1 dede-preci

Nga Andrea Dangolli.*/

Dedë Preci po sa mbushi 69 vjetë edhe pse e ndien veten shumë ma të vjetër. Vjetët e kohës së diktaturës malësorit nga Puka i duken atij se zgjatën ma shumë se sa në të vërtetë ishte numri i tyne, për arsye se vuejtjet ishin plot dhimbje.
Duket se vuejtjet e tmerrshme që ka përjetue në burgjet e komunizmit, nuk mund t’i largojë nga kujtesa e tij.
Ende i kujtohen agjentët e sigurimit që e ndiqshin  vazhdimisht dhe torturat mizore kur shtynte zhagas si skllav vagonat e randa me krom.
Edhe pse i lodhun nga jeta, sot përpiqet të përshkojë nëpër mend kujtesën e tij, ato vjete të errta që i mohuen fëmijninë, i burgosën
rininë dhe e përndoqën deri në pleqni.
Ai ka të vështirë të gjejë nji ditë të mirë mbrenda tyne, mbasi edhe sot e ndien veten, si me pa lindun i përndjekun, dhe si i tillë po
largohet nga kjo botë.
Që kur ishte katër muejsh, baba i tij, i detyrue nga presioni i pushtetit popullor u arratis dhe shkoi në Suedi.
Me prejardhje nga nji familje që kishte dhanë dëshmorë në luftën për clirimin e atdheut, kjo gja nuk ishte bindëse për autoritetet e
sistemit. Fati i tij merr nji rrugë tjetër, mbasi ai u interrnue bashkë me familjen në Lushnjë ku ndejtën disa vjetë në kushte të
vështira. Më merrte vaji kur shifshem se si nana ime përpiqej për të na rritun. U mundoshem edhe unë me punue dicka për të sigurue kashatën e gojës.
Në kohën e luftës Ramiz Alia u strehue në shtëpinë e babës tim për muej me radhë, megjithë këtë prangave nuk u pështova thotë 69 vjecari.
Në vitet e para te rinisë së tij Deda tregoi nji aftësi që i befasonte të gjithë. Edhe autoritetet e asaj kohe befasoheshin nga aftësija e
tij. Unë dëshiroshem të bahesha futbollist e për të plotsue këtë dëshirë të madhe, nuk tregoshëm se baba im ishte i arratisun. Po të
tregoshëm këtë gja, edhe shokët që më afroshin do te më largoheshin.
Në atë kohe nji mik i imi më fton në Shkodër, për t’u ba pjesë e nji skuadre të vogël futbolli. Fillova stërvitjet që ishin të shumta, por
tuej qenë se kur njeriu shef se do të mbërrijë nji qëllim me randësi, lodhja nuk shkaton pengesë.
Por ecja mirë përpara i pat ditët e numrueme. Ishëm djal i ri dhe po sa kisha krijue familje. Nuk veprova kurr kundër sistemit, filluen të baheshin lloj lloj shpifjesh kundra meje, për shkak të babës t’im që ishte arratisun. Spiunët dhe dëshmitarët që më vunë prangat, filluen nga kunata ime dhe ish shokët. Shprehjen “i yti t’a punon sot.” thotë Deda, sepse këte gja e kanë pasë ma shumë se kurr.
Me ardhjen e demokracisë unë e njoftova babën se do të shkoshëm me e pa për herë të para mbas 43 vjetësh. Kur baba mori lajmin, ai pësoi nji goditje në zemër. Kur unë mbërrijta, ai ishte në minutat e fundit të jetës së tij, ai e hapi njenin sy për të më pa,u mbush thellë me frymë dhe menjiherë ndërroi jetë,”thotë ish i përndjekuni.”
Mandej ai flet edhe për personat qe e kanë dënue, “e njoh edhe gjykatsin, edhe prokurorin, të cilët sot ngrejnë supet edhe
justifikohen se ashtu ishte sistemi. Ironia asht se ata vadhdojnë të ushtrojnë edhe sot paturpsisht detyrat e tyne.
Megjthse më dënuen 9 vjetë. unë e konsideroi atë si burgim i përjetshëm. Ata më privuen nga e drejta njerëzore, për të pasun nji
familje, edhe sot, fatkeqsisht nuk kam kurkan pranë.

69 vjecari tregon se si e mohuen familjaret dhe e lane t’u drejtohej dyereve te azilit.Lash fëmijët të vogel kur u burgosa dhe i gjeta të rritun kur u lirova. Sot fëmijët e mij nuk duen të më njohin si atin e tyne.
Azili më ka dhanë nji përgjigje negative, e tash jetoi në nji dhomë me kushte të mjerueshme, që më ka lëshue dikush për sevap. Ku të shkoi thotë i perndjekuni,që sot, realiteti i vështirë ku po jeton, i përngjanë nji burgu të ri.
Kur njeriu ndigjon fjalët e tij, të krijohet përshtypja se cdo të thotë, të lejsh i dënuem për të mos jetue kurr.
Përjetimet e vështira i përngjajnë nji filmi të frikshëm, të cilin asht e vështir t’a besojsh se ka ngja në të vërtet.
Deda përfundoi tuej thanë se tregova historinë time për të vu në dukje të vërtetat e diktaturës komuniste.

* E dërgoi për Diellin:Gjon KADELI

Filed Under: Histori Tagged With: : SI MË SPIUNOI KUNATA DHE SHOKËT DHE MË MOHOI, DEDË PRECI, GRUEJA E FËMIJËT

KJO ASHT DITA E MËSUESIT SHQIPTAR

March 3, 2017 by dgreca

Opinion Nga Fritz RADOVANI/

1 normalja-e-elbasanit-19091 DHJETOR  1909- HAPET  SHKOLLA  NORMALE  ELBASAN/
1 Luigj GurakuqiDREJTORI I PARË I SAJ ASHT KENË ATDHETARI LUIGJ GURAKUQI.

Mbas Kongresit të Manastirit me 14 – 22 Nandor 1908, u mbajt Kongresi i Elbasanit nga data 2 – 8 Shtator 1909, ku u vendos hapja e Shkollës së Parë të Mesme Pedagogjike në Gjuhën Shqipe, e njohun me emnin Normalja e Elbasanit. Kjo shkollë do të luente një rol vendimtarë per mësimin e Gjuhës Shqipe nder Trojet tona, si dhe do të kishte per qellim kryesor piksynimin e paraqitun nga Atdhetari Luigj Gurakuqi, i cili me rasën e hapjes së saj tha: “…Shqipnia u lëkund e tana nga zani i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndersa djelmët tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipnisë e u derdhën këtu në Elbasan… Jo vetem nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para nder tregimet kombtare e nder luftat e Gjuhës, por ma fort nga Gegënia e Siperme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili, na rrnoftë përjetë, na erdhën mjaft nxanës sa mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnji kand të Shqipnisë që të mos të ketë këtu mbrenda perfaqësuesit e vet.” Shkolla Normale e Elbasanit tue u rreshtue me Shkollat e njohuna të Shkodres, u ba prita ma e pakapercyeshme nga anmiqtë shekullor të Shqipes së shkrueme: turq e sllav!

E nuk duhet të harrojmë Mësuesit e Nderuem Atdhetarë Shqiptarë, që per kontributin e Tyne në arsimimin e brezave të rijë me Gjuhën Shqipe, dhanë edhe jeten. 2 Normalja sotNdertesa e sotme e Normales së Elbasanit…/

Edhe këte Vater të Kulturës sonë kombtare, po punohet me shkatrrue, me e lanë “pa Emen” dhe pa trashigimtarë, si shumë Vatra të tjera… Sikur kjo shkollë të ishte themelue nga një anadollak në pragun e Pavarsisë, dhe të kishte punue per me nxjerrë nga bankat e asaj shkollë mësues turq… A do të quhej “1 Dhjetori Dita e Mësonjësit ?!”

Në se tek Monumenti i Vlonës së 1912 nuk asht vue as Don Nikoll Kaçorri dhe as Luigj Gurakuqi, simbas porosisë së anadollakut Ramiz Alia: “Këta nuk duhet me qenë aty si Katolikë..!”, asht mirë ti botoni këta “amanete”, dhe të hiqni dorë nga genjeshtrat dhe rrenat 75 vjeçare që pasohen me “mirkuptimet e tolerancat fetare”!..

            Melbourne, Australi

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Luigj Gurakuqi, Normalja e Elbasanit

Veteranët shqiptaro-amerikanë në Boston përkujtojnë betejën në Ivo Jima

February 28, 2017 by dgreca

Veteranët shqiptaro-amerikanë në Boston përkujtojnë betejën në Ivo Jima {Ivo Jima Day}/

3veteranet

Mesazh nga kryetari i shoqatës së ushtarakëve shqiptaro-amerikanë, veterani Ronald Nasson/

1 Boston veteranet

Ne kujtojmë në cdo moment ushtarakët amerikanë për fitoren mbi Japoni. Gjatë këtyre betejave marinsat amerikanë luftuan e sakrifikuan shumë. Në betejën e ishullit Ivo Jima {17 shkurt 1945} dhanë jetën rreth 7000 mijë marinsa. Ne nuk i harrojmë kurrë, ne do ti qëndrojmë besnik idealit dhe atdhedashurisë së tyre. Ata do ngelen gjithmonë në mëmdjet dhe zemrat tona.

Zoti e bekoftë Amerikën! Ju uroj gjithë të mirat!

2 veteranet

We remembered our Military for the victory over Japan, the United States Marines suffered over 7,000 killed in action. We will not FORGET !!!   “Semper Fidelis”

( ALWAYS FAITHFUL).

God Bless America.

4 ok

Ju  Uroj Gjithe te mirat !!!

Per “Dielli-in”, Shefqet Kërcelli

17 shkurt 2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: {Ivo Jima Day}, Shefqet Kercelli, veteranët shqiptaro-amerikanë në Boston përkujtojnë. betejën në Ivo Jima

Musine Kokalari- Pseudonimet e 20 sigurimsave

February 27, 2017 by dgreca

HAPET DOSJA E MUSINE KOKALARIT:20 bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, që për 40 vjet përndoqën e spiunuan Musine Kokalarin, së shpejti do të kenë një emër dhe RRUFEJA,BESA, “Shkëndija”,NJË-ZAMBUTKA,MEDIKAMENTI, ,.SORKADHJA, apo “Piktori”,”MUNELLA”, MALI etj… do të përballen me të vërtetën publike./

Musine Kokalari u përndoq për gati 4 dekada. Por nga 10 shkurti, dosja e saj u hap me kërkesë të vetë familjes, për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe ata që e dënuan gjatë regjimit komunist. Top Channel hap për herë të parë dosjen dhjetëra vjeçare të disidentes së burgosur dhe internuar nga diktatura.Për mbi 20 vjet dosja e saj qëndronte në arkivin qendror të shtetit, mes mijëra dosjeve e miliona faqeve te shkruara për ata që u përndoqën dhe u dënuan gjatë regjimit komunist. Por në 10 shkurt, në 100 vjetorin e lindjes, dosja e Musine Kokalarit u hap e para, për të hedhur dritë mbi të shkuarën, për të mësuar emrat e atyre që e dënuan përjetë në vetmi, për ta zhytur në dhimbje e vuajtje, ata që për 38 vjet e përndoqën në çdo moment të jetës.
Kjo është dosja e Musine Kokalarit, disidentes së burgosur e internuar nga diktatura. Historia rikthehet, këtë herë me kërkesë të vetë familjes, si e para dosje që hapet në sagën e mijëra të tjerave që për dekada u pluhurosën në arkivat e shtetit. Është dosje e vjetër, e paruajtur mirë, ka shkrime të saj, biografinë, shënime, raportime, relacione.
Detajet janë ato që e bëjnë atë të jashtëzakonshme, mbushur me foto e përshkrime të ditëve të saj, aktiviteti para dënimit nga gjykata, koha e burgut apo edhe ditët kur ajo u internua në Rrëshen, madje edhe shëtitjet që ajo bënte për orë të tëra e vetme në këmbë, ku shoqëri i bënte vetëm lapsi dhe letra. Shkruante kudo, edhe në copa fare të vogla letre, për të mos harruar në asnjë moment se ishte e vetme dhe këto copa letre do të mbeteshin kujtimi i saj i vetëm në botë. Mbi njërën prej tyre shkruante:
“Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje sa andej këtej”.
“Ç´fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.
Gjithë materiali është i ndarë në 2 dosje, në njërën përshkruhet i gjithë procesi gjyqësor ndaj Musine Kokalarit, dhe tjetra është kjo dosje, me etiketimin “Top Sekret”. Në të përshkruhet mënyra se si Musineja është përndjekur për gati 4 dekada nga ata që njihen si bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Dhe janë 20 të tillë qe kane pseudonime nga me te ndryshmet:
Pseudonimet e bashkëpunëtorëve
1.BAMJPJEKUR
2.SORKADHJA
3.LULE ZAMBAKUT
4.ÇAJUPI
5.REFERATI
6.NJË-ZAMBUTKA
7.SHKËNDIJA
8.BRISKU
9.KALAJA
10.RRUFEJA
11.BESNIKU
12.PIKTORI
13.LISI
14.MEDIKAMENTI
15.MOTORRI
16.BESA
17.MUNELLA
18.MALI
19.APARATI
20.PLLUMBI
“Musineja kishte një vizion tjetër për të ardhmen dhe ky ishte ai konflikti për të cilën ajo u arrestua. Aty gjenden të gjithë bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit. Zakonisht këta bashkëpunëtorë ishin mbi 18 vjeç, por ka patur raste që ishin edhe më të vegjël. Janë pseudonime dhe emra. Me aprovimin e këtij ligji, do griset ajo perdja e këtyre njerëze. Kanë qenë afro 20 ata që kanë survejuar Musinenë. Ka pas edhe Brenda në burg, por edhe pas burgut, kur u internua në rrëshen. Ajo ka bërë jetë të mbyllur, njerëzit kishin frikë ta takonin, edhe familjarët. Mund të kishin pasoja, edhe familjarët nqs shkonin ta takonin, do kishin pasoja. Ka qenë një luftë e tmerrshme klasash. Ajo bënte një rrugë të gjatë, shëtiste vetëm sepse shihej si armike e partisë”, shprehet Simon Mirakaj, Anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit.
Musineja njihen ndër radhët e bashkëpunëtorëve me epitetin “Armike e Rrezikshme’.
“Se çfarë rreziku vjen nga intelektuale si Musineja, vetëm ai lloj sistemi bën të tilla arsyetime”, vë në dukje Mirakaj.
Vdekja e saj ishte ashtu si vetë jeta:
“Ajo ka vdekur në 1983, ashtu sic jetoi e vetmuar edhe vdekja e saj ishte e vetmuar. E kanë hipur në një riportabël, është makinë me një karroceri prej hekuri që ngarkon beton për ndërtime. Është varrosur nga njerëzit e komunales”, shton Mirakaj.
“Kjo dosje, që është dosja formulare e Musinesë, është hapur nga sigurimi shtetit në 1945, për 39 vjet ajo është ndjekur, para bugrut, në burg dhe pas, gjatë periudhës së internimit në Rrëshen, shprehet Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Sigurimit.
Ajo çka familja kërkon të dijë është kush e ka përgjuar Musine Kokalarin, kush e ka përndjekur hap pas hapi për gati 4 dekada? Ishin të afërm, miq të saj?
“Përgjithësisht bashkëpunëtorët zgjidheshin nga të afërm, rrethi i miqve sepse ishin ata që kishin akses dhe mund të informonin për aktivitetin e saj”, thotë Altin Hoxha.
Dosja e Musine Kokalarit ka vetëm 119 faqe. Nuk përbëhet vetëm nga raportet e hartuara në ato vite nga bashkëpunëtorët e ish sigurimit por edhe nga detyra, plane biografi, një sërë metodash të përdorura në atë kohë për ndjekjen e personave. Top Channel publikon për herë të parë atë çka në dosjen për Musine Kokalarin njihet si “Koncepti i Social-Demokracisë”, material që përmblidhet në 23 faqe, që ishte edhe platforma që Musineja kishte hartuar për vendin.
“Njerëzit që duhet të qeverisin vendin duhet të vijnë nga rradhët e arsimtarëve, mjekëve, artistëve….për 6 muaj me rradhë një grup prej tyre, duhet të shkojnë në terren, në cdo cep të Shqipërisë, të takojnë njerëzit, të njohin realitetin e tyre, pastaj të ulen të gjithë bashkë dhe të hartojnë një platformë të përbashkët. Më pas, po aty të shkojë një grup tjetër, të bëjnë të njëjtën gjë për 6 muaj, të kthehen dhe vetëm kështu mund të kemi një program të denjë politik dhe ekonomik”, citat nga dorëshkrimi i Musinesë.
Për këtë platformë Musineja u dënua me burg.
Pas dënimit, e internuar në Mirditë, ku nisi të punonte me beton tulla e llaç. Një koleg i saji, spiun e bashkëpunëtor i shtetit, i kërkonte gjatë orarit të punës, për të bërë pushim, duke i thënë “mjaft se u lodhëm, fundja ne shumë pak paguhemi”. Dhe Musineja, shkruhet më tej në dosje, I citon një fjali të shkrimtarit francez Zhan Zhak Ruso: “Papunësia është shkak për vese të këqija”. Bashkëpunëtori i sigurimit edhe në raportin e bërë për atë ditë shkruante, Musineja më foli më një Zhak, por nuk e di për kë e kishte fjalën.
“Ju patë platformën e Musinesë për social demokratët. Material 23 faqe, iluminues dhe I pjekur. Është për tu admiruar se si një vajzë vetëm 28 vjece, ishte në gjendje të artikulojë aq mirë. Kërkesa tjetër e familjes ka të bëjë me materialin tërësor, ato duan nëj kopje. Bëhet fillimisht një process kërkimor pëtr gjithë personat e përmendur në dosje dhe më pas fshirja e emrave të personave që janë palë të treta, që sjanë përfshirë në raportin prekur-bashkëpunëtorë. Ishin disa dhjetëra persona. Identiteti i tyre bëhet i palexueshëm. Kemi bërë disa axhustime të shpejta. Hapi tjetër, zbulimi i identitetit të bashkëpunëtorëve”, shprehet Genta Sula, kryetare e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve.
“Misioni hnë kryesor është që s’do ketë më të fshehta, që të keqpërdoren. Familjarët do njihen me dhimbjen dhe ata që kanë shkaktuar dhimbjen. Dosjet s’do përdoren më as për shantazh, as për të trilluar dhe as për inskenime”, thotë Altin Hoxha.
Por në qoftë se për familjarët apo vetë Autoritetin për hapjen e dosjeve, ky proces do të hedhë dritë mbi të shkuarën qe vijon te mundoje edhe sot, Fatos Klosi, ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, thotë se përveç shuarjes së kuriozitetit, hapja e dosjeve nuk shërben për asgjë.
“Dosjet po të ishin hapur dhe të kishin efekt për shoqërinë shqiptare, duhet të ishin hapur që në vitin 1991-1992. Që mbase kishte efekt direkt. Por sot, hapja e dosjeve ka vetëm natyrën e shuarjes së një kurioziteti. Nuk mund të influencojë në shoqërinë shqiptare, çfarë do bëjë? Ja u hapën dosjet…ja dolën dhe ca pseudonime. Edhe pastaj? Nëse ata bashkëpunëtorë, duke qenë në shërbim të atij regjimi, thjesht kanë thënë të vërtetën, unë nuk shoh ku është krimi. E vërteta, hap dosjet, kanë thënë kështu kështu. Asnjë se di, përveç Musinesë vetë, cila është e vërteta. Bashkëpunuesit s’kanë ç’duhen për t’ju mësuar emrat, ata nuk dënohen dot as me ato ligje, as me këto që kemi sot. Ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese”, shpjegon ish- kreu i SHISH.
Për Fatos Klosin, ata që njiheshin si bashkëpunëtorë të sigurimit, në atë kohë ishin njerëz të nderuar.
“Kush ishte bashkëpunëtor, regjimi e konsideronte të nderuar, njeri që i shërbente shtetit, që e ndihmonte shtetin në luftën kundër gjithë armiqve që ishin turrur atëherë. Kjo ishte propaganda”, shton Klosi.
Klosi thotë se një pjesë e dosjeve ende sot nuk duhen prekur.
“Dosjet e zbulimit si ka ngarë njeri. Ato janë të rëndësishme se lidhen me aktivitetin e botës kundër Shqipërisë. Dosjet e kundërzbulimit janë edhe më interesante se është lufta e bërë nga shërbimet e huaja brenda Shqipërisë. Nuk do hapen këto, do ishte një gafë shumë e madhe të prekeshin ato”
Por si e kujton sot familja e Musien Kokalarit këtë “kundërshtare të regjimit komunist”?
“Unë e kam njohur Musinenë pak por e kam njohur shumë nga tregimet e gjyshes time. Ajo fliste përditë, pra ky lloj edukimi ka qenë i përditshëm. Ajo më fliste përditë për gjyshin, për Musinenë, për jetën që ata kishin përpara tragjedisë, pra para vitit ’44”, tregon Linda Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit.
Linda kujton takimin e parë me të pas shumë vitesh, kur ajo dergjej në spital nga sëmundja, sërish e vetme.
“Në atë takim u përqafuam gjatë të dyja. U përqafuam shumë gjatë. U emocionova. Ajo më tërhoqi vërejtje. Më tha asnjëherë mos të të shoh me lot në sy. Kishte ndryshuar sigurisht por më shumë kisha ndryshuar unë. Unë e njoha menjëherë”, thotë ajo.
Mbesa e Musinesë, vajza e të vëllait me të cilin shkëmbente vazhdimisht letra dhe ishte shumë e lidhur kujton një fjali të shkrimtares, kur ajo ka qenë vetëm 20 vjeç.
“Lirinë unë e kërkova gjithandej dhe e gjeta Brenda vetes. Pra flasim për vitet 1940-1942. Parakohshmëria e Musine Kokalarit është e pakrahasueshme. Ajo ishte shumë para kohës së vet. Musine Kokalari qëndron diku lart, është një figurë e përkryer, e paatakueshme, sipas mendimit.”, shprehet Linda Kokalari.
Linda, në emër të familjes Kokalari i ka kërkuar Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, zbardhjen e të vërtetës për jetën dhe vdekjen e saj. Por a do të mjaftojë kjo për të shuar dhimbjen e familjes?
“Nuk di të them do shuhet dhimbja apo jo. Të dalë e vërteta. Të dihet se kush është kush”, shprehet ajo.
20 bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, që për 40 vjet përndoqën e spiunuan Musine Kokalarin, së shpejti do të kenë një emër dhe “Shkëndija” apo “Piktori” do të përballen me të vërtetën publike.
Ky është një proces që sapo ka nisur dhe duket se do të ketë një rrugë të gjatë edhe pse është me shumë vonesë tek ne.
Debati për hapjen e dosjeve e ka shoqëruar politiken dhe shoqërinë shqiptare gjatë këtyre 27 viteve të demokracisë. Në disa vende ish-komuniste dosjet u hapën dhe u panë si çlirim nga e shkuara.
Ndërkohë në Shqipëri dosja e Musine Kokalarit është e para. Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sapo ka nisur grumbullimin e të gjitha materialeve.
Koha do ta tregojë se sa i vështirë apo i lehtë do të jetë ky proces dhe cilat dosje nuk janë prekur deri më sot dhe mbi to do të mësohet e vërteta, apo cilat dosje janë zhdukur ndër vite dhe a do të ketë çlirim për shoqërinë gati 3 dekada pas rënies së Komunizmit. /Top Channel/

Filed Under: Histori Tagged With: e 20 sigurimsave, Musine Kokalari- Pseudonimet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT