• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URAT E KOMUNIKIMIT MES KULTURËS ÇAME DHE ASAJ GREKE

January 15, 2017 by dgreca

NGA ENVER KUSHI/ Dielli-arkiv/ 

1 ok Cameri Kushi

Gjeografia shpirtërore e Ballkanit /Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, por edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët  të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të ‘’provuar’’ se ‘’Eposi i Kreshnikëve’’ u përket popullit serb e se shqiptarët si ‘’endacakë’’ dhe ardhës’’ të vonshëm në Ballkan’’,  e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm ‘’Eposi i Kreshnikëve’’,  por edhe mitet gojëdhënat,  legjendat ,siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vedit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftrave për territore në dëm të fqinjëve,  por edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.

Për fat të keq fjala ‘’URË’’ në kutimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjës të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë patur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.

Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre,  janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin… Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë,  por edhe të mençur,  herë- herë kapadaij dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi….. Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregëtarë, që me karvanet e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj ishin padyshim këmbë të forta ‘’urash mes kulturave të Ballkanit’’…

Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat  të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërsisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës sidomos asaj shpirtërore kanë qenë normale dhe të natyrshme.

Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri- tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë,  në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame,  që ishte homogjene,  por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin  si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinoreve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse në Ballkan dhe veçmas në Çamëri mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka patur por ka edhe sot, studjues serijozë grekë ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet , mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare ,siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore pra e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studjues të ndryshëm ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazge) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studjuesve  gjermanë në librin ‘’Këngët e çamëve’’ (Berlin 1965) se ‘’ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.’’.

Kostumi popullor çam, Faik Konica dhe shformimet greke

Në mungesë të botimeve shkencore nga Greqia fqinje për vlerat dhe marrëdhëniet e kulturës çame me atë greke,  por në mungesë edhe  të studimeve shqiptare në këtë fushë, do na duhej të zhvendoseshim në kohë dhe hapësirë, pra të riktheheshim dekada më parë, ndoshta edhe më shumë se një shekull,  si dhe në trojet e Çamërisë për të analizuar jo mekanizmin e marrëdhënieve mes kulturës çame dhe asaj greke si shpirt dhe lëndë, por mekanizmin e përvetësimit të njëanshëm të kulturës çame prej grekërve,  deri në grabitje dhe duke mohuar autorësinë e saj. Këtu jo popujt, por doktrinat      nacionaliste greke kanë shembur njërën këmbë ose tërësisht ‘’urën’’ e komunikimit kulturor.Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare,  duke u marrë me këtë temë ka thënë: ‘’Lufta për autorësinë e vlerave artistike zhvillohet prej kohësh në zonën ballkanike,  ku ajo është veçanërisht e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve kulturore të popujve të Ballkanit  gjatë shekujve. Nënshtrati ndërballkanik, i krijuar si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve , motivet e përbashkëta të epikës e të legjendës kanë qenë një terren tepër i përshtatshëm për incidente e shkelje kufijsh kulturorë,  kacafytjet për përvetësimin e vlerave shpirtërore kanë qenë disa herë jo më pak të egra se kacafytjet e përgjakshme për kufijtë’’.

Popujt e Ballkanit ‘’duke i huazuar njëri- tjetrit  motive, tinguj  ngjyra dhe teknika poetike, asnjëherë nuk kanë menduar se këto dhënie e marrje të bukura e sublime do të shfrytëzoheshin prej shovinistëve për qëllime të ulëta e krejtësisht të huaja për artin’’.  Do të duheshin studime serioze, mbështetur në argumente shkencore për të trajtuar jo vetëm marrëdhëniet mes kulturës çame e asaj greke, por veçanërisht huazimet reciproke. Gjithashtu do të duheshin edhe fushat, ku grekët fillimisht kanë huazuar, por më pas kanë shformuar dhe përvetësim kulturën shpirtërore  dhe materiale të çamëve. Pikërisht në këto shformime e përvetësime ka vepruar tinëzisht politika     e qarqeve ultranacionaliste greke,  një mekanizëm djallëzor, duke përbaltur shpirtin sublim të dy popujve në dhëniet e marrjet e bukura në fushën e kulturës.

Do përpiqem të trajtoj përvetësimin dhe shformimin që grekët i kanë bërë kostumit dhe valles çame.

Studjues serjozë, por jo vetëm ata,  kanë vlerësuar kostumin popullor të çamëve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ai ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë: kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie dhe asnjë prej tyre nuk vë në dyshim se ai u përket shqiptarëve të Çamërisë.

Sipas citimit që bën studiuesi i mirënjohur Hajredin Isufi në librin ‘’Çamëria studime historike – sociologjike shek XIII – XX’’ Çajrëll ka qenë në vitin 1880 mes çamëve në fshatin Mazërrek dhe jep këtë përshkrim: ‘’Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat dhe fustanellat e tyre,  bënin kontrast me livadhin e gjelbërt e me armët e tyre të çuditshme,  që vezullonin në diell…’’

Edhe konsulli francez në Janinë  Pukëvil, që siç dihet nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët,  nuk e fsheh entuziazmin dhe vlerësimin për kostumin e çamëve:: ‘’Udhëtari që do të shikojë ata çamë që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe nga rënia e mortajës do të njohë me vështirësi ata burra të bukur me ato qëndisma të bukura lara- lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm,  që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir.’’.Edhe historiani grek Spiro Mela (sipas citimit që i bën Hajredin Isufi) shkruan për ‘’çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze,  këmisha të bardha të gjata,  të qëndisur anash me ar.’’

Kur është huazuar kostumi popullor i çamëve nga grekët? Është një pyetje, përgjigja e së cilës do të kërkonte hulumtime serioze.

Në qoftë se do t’i riktheheshim kontakteve, por edhe fqinjësisë mes çamëve e grekërve, dhënieve e marrjeve reciproke në fushën e kulturës, kur popujt tanë nuk vuanin nga komplekse dhe ishin normale që në gëzime veçanërisht në dasma të ftoheshin apo të mernin pjesë në pazare, që organizoheshin në Prevezë Paramithi etj e që sot quhen panaire, duhet të ketë qenë i hershëm huazimi i kostumit çam. Jam i bindur se në këto periudha grekët fqinjë të çamëve admironin fustanellën palë- palë, jelekët e qëndisur dhe mëngoret që vareshin, festet e gjata me majë, këpucët me xhufka, levendërinë në të kërcyer të çamëve….

Faik Konica, një nga shkrimtarët dhe kulturologët e mëdhenj shqiptar, përmend shek XIV kur kostumi shqiptar ‘’ka hyrë ndër grekët, kur shqiptarët nën Bua Shpatën sulmuan dhe nënshtruan Greqinë’’. Po Faik Konica, duke u marrë me këtë problem, shkruan: ‘’Shumë më vonë nga fundi  i shekullit të tetëmbëdhjetë, greku praktik e pa se ishte në të mirën e vet që ta pranonte veshjen shqiptare në disa rrethana dhe për disa arsye që i kanë paraqitur disa autorë.’’.

Koloneli Lik në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More, më datën 28 mars 1805, shënon: ‘’Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, edhe në pjesën tjetër të Greqisë…. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke’’. Ndërsa admirali Zhyrjen dë la Gravjerë shkruan: ‘’Shqiptarët përbëjnë një racë të veçantë  në Evropë….Veshja shqiptare u bë e modës dhe osmanët më fodullë e mbsnin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Vetë grekët kur djali i dytë i Aliut, Veli pasha,  qeveriste Morenë e morën këtë veshje si simbol të trimërisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve.’’Faik Konica gjithashtu, duke ju referuar të huajve,  citon edhe G. Finlay, i cili në librin ‘’A history of Greece’’ ka shkruar: ‘’Ka qenë fama e shqiptarëve që i ka detyruar grekët e sotëm të pranonin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Është pasojë e këtij adhurimi për shqiptarësinë që oborri i mbretit Oto merr pamjen e vet melodramatike dhe shkëlqen me një imitim të shtirë e verbues të veshjes së ndritur e të pasur , që ka tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës,por fustanella prej basmeje u varet rreth këmbëve grekërve si fund grash prej letre ndërsa fustanella e bardhë e toskëve, e përbërë nga cohë e fortë e endur në vegjën vendëse bie me pala të hijshme si cohët e lashtësisë’’.

Nuk ka nevojë për shumë koment për të arritur në konkluzionin që siç shprehet Konica,’i ashtuquajturi kostum modern ‘’grek’’ në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar’’ dhe se në shformimin grek të veshjes shqiptare ka një element të palaçove,ë i bën shumë shqiptarë të qeshin, ndonëse të tjerët janë të pakënaqur e të zemëruar. Faik Konica është i pari që vë në dukje dallimet kryesore ndërmjet veshjes së mirëfilltë shqiptare dhe karikaturës greke. Xhaketa në veshjen shqiptare ka një të çarë të lirë te mëngët,  për të lënë të kalojë krahu, ndërsa mngët të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht nuk u u futen krahët. Ndërsa grekët, nënvizon Konica, gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re ose nuk e kanë kuptuar këtë tipar që nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elizabeta ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Edmond Spenser flet për mëngët që u vareshin si të shqiptarëve . Është me interes të nënvizojmë se në këtë shformim nuk ka shpëtuar as fustanella, që përbën elementin kryesor të kostumit çam. Sipas Konicës, në veshjen origjinale shqiptare, fustani ka një numër të vogël palësh, zakonisht gjashtëdhjetë. Veç kësaj ai bëhet me pëlhurë liri të rëndë, të endur në shtëpi dhe është mjaft i gjatë sa mbulon tërësisht kofshët dhe le të pambuluara vetëm pulpat. Burrat më të vjetër e mbajnë fundin tetë deri dhjetë centimetra nën gju. Sipas Likut , por edhe autorëve të tjerë, përshtypja e përgjithshme që krijon fustanella shqiptare është ajo e cohëve të lashtësisë. Si e kanë shformuar fustanellën shqiptare grekët? Ky shformim ka prekur jo vetëm gjatësinë,  numrin e palëve,  por edhe cohen. Ata ‘’kanë shtuar palat e fustanit nga gjashtëdhjetë në rreth dyqind ose më shumë; në fillim ata kanë ruajtur gjatësinë e rregullt të fustanit, por meqë nuk ishin të zotët ta mbanin në vend rreth këmbëve, nisën ta shkurtonin gjithnjë e më shumë,  derisa sot ka arritur një shkurtësi të pahijshme dhe ata përdornin një pëlhurë të lehtë pambuku. Në fakt ata e kanë rrëgjuar fustanin në një fund të lirë baleti e në tërësi ai të jep përshtypjen e diçkaje të neveritshme që nuk u shkon burrave.’’.

Vallja çame dhe ‘’Çamiko’’ e kërcyer nga grekët.

Ndryshe ka ndodhur me vallen çame. Grekët deri më sot kanë njohur çamët si krijues dhe bartës të valles. Në të gjitha grupet foklorike jo vetëm të trevës së Çamërisë së sotme por edhe ato greke apo ansamblet programet televizive shfaqjet kulturore brenda e jashtë Greqisë ajo quhet vallja ‘’çamiko’’ ose thënë ndryshe ‘’vallja e çamëve’’. Unë kampatur rastin në vitet ’70 e më vonë të shekullit që lamë pas të shoh disa ansamblegreke që kanë dhënë shfaqje në Tiranë Durrës e gjetkë. Jam mrekulluar nga niveli il artë dhe muzika moderne greke si dhe këngëtarët e mëdhenj Marinela Mariza Koh Janis Paris etj. Gjithashtu jam mrekulluar edhe nga traditat foklorike të krahinave të ndryshme të Greqisë fqinje. Emocione të veçanta kam ndjerë kur kam parë në skenë valltaret e virtuozë grekë që interpretonin vallen çamike. Ato ishin djem të rinj shumë të talentuar  që e kërcenin me shpirt këtë valle.

….E megjithatë kur kam dalë nga këto shfaqje më janë kujtuar shumë valltarë çam, që unë i kisha parë në dasmat çame. Atëherë isha i ri dhe në qytetin e vogël të Rrogozhinës ku jetonte një numër jo i vogël çamësh kisha parë disa valltarë virtuozë. Nuk do të harroj kurrë Shaban Osmanin nga Salica . Ai ishte dhe një burrë i gjatë shumë elegant që atëherë më dukej një njeri kockalli. I thatë me një fytyrë të mprehtë, kërcinj të gjatë me një mirësi të spikatur  në tërë qenien e tij Shaban Osmani ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të valles çame. Mbaj mend se ai nuk dilte menjeherë në valle. Sheshi ishte bosh  i rrethuar vetëm nga burra dhe orkestrën ulur në krye. I pari çohej në këmbë klarinetisti . Ai quhej Karaman dhe vinte nga Tirana . Karamani ishte i njohur që në Çamëri  dhe thonin se për të klarineta ishte e shenjtë…

Pas Karamanit ngriheshin në këmbë violinisti dhe ai që i binte detit. Karamani ja niste melodisë së valles… Asnjë nuk pipëtinte. Burrat ndërprisnin muhabetin dhe ata që pinin cigare i shuanin ato…. Vështrimet e syve të rishtuar e plot mall të çamëve ishin drejtuar nga Karamani. … Atje kam parë pleq që vinin duartt në dy anët e kokës e disa të tjerë që shihnin herë sheshin bosh e herë- herë qiellin. Ndoshta nga qielli prisnin të vinte vallja çame. Sepse vallja çame kishte shumë nga qielli siç kishte shumë edhe nga toka…. Kalonin kështu i një dy minuta…. Karamani ulte e ngrinte klarinetë. Dukej sikur thërriste shpirtërat e valles çame ose më saktë shpirtin e valles çame…. Dhe ai vinte në minutin e tretë, krejt befasisht sikur të kishte rënë nga qielli ose dalë nga thellësia e tokës. Nuk ishte Shaban Osmani që njihja unë që e takoja thuajse çdo ditë. Ishte Shaban Osmani i valles çame që ulej e ngrihej me një lehtësi të habitshme nga toka shtrihej për t’u ngritur prap në ajër… Shaban osmani ishte edhe ëndërr edhe qiell edhe ditë edhe natë edhe lot edhe gëzim. Shaban Osmani ishte triumfi i njeriut çam kreaneria dhe levendëria e Çamërisë sakrifica sublime, tallaz dhe dehje në beteja….

….Kur kam lexuar librin e Aristidh Kolës ‘’’’Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve’’ valltarët e talentuar të ansableve greke që ikisha parë dukje kërcyer vallen çame çamiko m’u dukën si hije të zbehta dhe vallja jonë e bukur tërësisht e shformuar prej tyre. Atëherë m’u kujtua Shaban Osmani nga Salioca e Çamërisë mjeshtëria dhe virtuoziteti i kërcimit të tij. Aristidh Kola ashtu si Faik konica më parë që publikisht denoncopi përvetësimin dhe shformimin e kostumit shqiptar çam në librin e tij ka argumentuar nga njëra anë madhështinë e papërsëritshme të valles çame dhe nga ana tjetër shtrembërimin dhe deformiomin e saj nga grekët. Studiuesi i mirënjiohur arvanitas qartësisht jep thelbin e valles çame si një valle që pasqyron shpirtin shqiptar.. Ajo sipas Aristidh Kolës kal evenderi krenari bukuri nël ëvizje të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është vaslle erotike . Por gjithashtu nuk është as luftarake as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Diçka që bën të dyshoj nëse mund të ketë të dytë në botë nënvizon Kola. Vallja çame përmbledh me lëvizjet bukurinë levenderinë burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit vtë parë. Sepse duhet theksuar këtu se vallen çame nuk e kërcejnë të gjithë por vetëm kërcimtari i parë. I dyti  ‘’e mban mirë’’ dhe është me të vërtetë e vështirë të ‘’mbas drejt’’ dhe mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.

Ç’ka ndodhur me vallen e famshme çame në Greqi? A është ruajtur origjinaliteti i saj në kërcim? Përveç emrit ‘’çamiko që grekët çuditëriht nuk e kanë ndryshuar të tjerat janë të shformuara. Valltarët e rinj e të talentuar grekë përveç lëvizjeve prej atletësh dhe figurave që krijojnë gjatë kërcimit të kësaj valleje nuk japin asgjë më tepër se kaq. Ky nuk është faji i tyre, por i koreografëve. ‘’Çamikos’’ greke i mungon kryesorja: shpirti shqiptar çam dhe bukuria levendëria burrëria dhe krenaria që karakterizon popullsinë çame. Studiuesi Aristidh Kola me të drejtë konkludon:’’Ata njerez që kanë marrë në duar vallen çame që prej disa kohësh me sa duket qartësisht as arbëreshë nuk janë dhe as idenë s’ia kanë se ç ‘’lloj valleje është vallja çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame që po jua them haptazi kur e shohim arvanitasit nisin e qeshin. E quajnë ‘’Shkollore’’ sepse mësuesit që dërgoheshin nëpër fshatrat arbëreshe pa ditur gjë prej gjëje rreth saj përpiqeshin t’ua… mësonin vallen çame popullit që e krijoi atë duke e bërë kështu imitimin mjaft qesharak”.

Urat e reja të shpirtit ballkanik

Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marrë pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve foklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare ’’nënshtrati ndërballkanik’’ si dhe motivet e e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën… Ishte maji i viti 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjkaderdhjes së tij të fundit… Kanë kaluar gati 20 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndrsyhe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët ,popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e idelogjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944-1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.

Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë por edhe me grekët, vllehët  etj. Ballkani ka nevojw pwr ura tw reja komunikimi mes kulturave tw tij nga mw befasueset jo vetwm tw gadishullit por edhe nw rrafshin europian.

Çamëri, dimër 2010(Dielli-arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: DHE ASAJ GREKE, Enver Kushi, URAT E KOMUNIKIMIT MES KULTURËS ÇAME

Shkodër, 14 Janar 1990, Në kujtim të revoltës për shëmbjen e monumentit të Stalinit….

January 15, 2017 by dgreca

1 Filip GuraziuNga Filip Guraziu/E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë,  përceptohet më mirë, kuptohet më thellë  në qoftë se harmonizohet me të kaluarën. E kaluara kontribuon për konsolidimin e të sotmës dhe të dyja së bashku projektojnë të ardhmen.  Shqipëria para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e varfër dhe me marëdhënie shoqërore pak të zhvilluara, por ishte një vënd ku parimet bazë të moralit pozitiv   mbizotëronin jetën e vëndit;

Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder nga lindja ju vërsul Shqipërisë. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak  njollosi tokën arbërore. Me demagogji, por edhe  me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë.

Për të sunduar dhe për ti shërbyer politikës së huaj eleminoi me metodat më të ulta mendjet më të ndrituëa të shqiptarve.

Historia e shqiptarve nuk kishte njohur ndonjëherë luftë civile si ajo  që u zhvillua në vitet e luftës së dytë botërore.

Historia e shqiptarve nuk kishtë parë ndonjëherë përdhunime, poshtrime, tortura, burgje dhe vrasje  si në vitet e diktaturës komuniste.  

Historia e shqiptarve nuk kishte njohur kurrë atë demonizim  të vlerave morale  të kombit shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtër, spijuni –   hero, krimineli –  qëngj i bekuar ,   njëriu i Zotit  shejtan dhe shejtani u shpall engjëll. !

Për  gjysëm shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës   ushtroi metodat më barbare  për të shkatërruar çdo gjë të mire dhe qytetruese që  përfaqësonte qyteti i Shkodrës.

Për ta mbajtur popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit , aty ku  demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nane Terezes’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura te krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashurinë dhe demokracinë, diktatura ngriti monumentin e urryer të Stalinit, simbolit të së keqes.  

Diktatura komuniste dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte këthyer në skllaveri ekstreme  një popull të tërë nën slloganin e krijimit të njëriut të ri :  një monstër komuniste të pa besim dhe të  pa moral, që zëvendsoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me gënjeshtën.

Ngjarjet vertetuan se diktatura komuniste i pat bërë  gabim llogaritë, pasi  mund të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe  të shkruash histori të rreme,  por  kurrë nuk mundësh të pengosh që ndjenja e lirisë të shpërthejë në shpirtin e të rinjëve.

Dhe shpërthimi   ndodhi me 14 Janar 1990, ishte  një vullkan i fuqishëm nënujor që u pasua  me nje tsunam të vërtetë politik i cili tronditi në themel diktaturën: kohë prapa, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën vjedhurazi nga organet e diktaturës.

Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: qindra qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi  u denuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini  u shtruan në psikiatri dhe shumë familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjëndje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e  kishin bërë efektin makaber!.

Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër.

Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demostruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën  përendimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike nuk mundi ta  pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste.

Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetmohim të malësorve Kelmendas në Janar te 1945 dhe  kryengritjën e  përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shëmbuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shëmbëll  frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton  me repekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.

Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe  u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit  dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin  të  ju rikujtoj   historianëve  faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet  të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër! Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i hemelit, ishte demostrata e 14 janarit 1990.

Filip Guraziu;  Shkodër,  

Filed Under: Histori Tagged With: 14 Janar 1990, Busti Stalinit, Demonstrata, Filip Guraziu, shkoder

DEKLARATA REVOLTUESE E ISMAIL QEMALIT NDAJ ESAT PASHËS

January 13, 2017 by dgreca

DEKLARATA REVOLTUESE E ISMAIL QEMALIT NDAJ ESAT PASHËS NË REVISTËN FRANCEZE « LE TEMPS », PRILL 1913/

1 aurenc

Nga Aurenc Bebja, Francë/14 Janar 2017/

Ismail-QemaliDeklarata në vijim është botuar të martën e 29 prillit 1913 në faqen e gjashtë të gazetës franceze « Le Temps », me qendër në Paris.

200px-Essad_Pasha_ToptaniIsmail Qemali, asokohe kryeministër i përkohshëm i qeverisë shqiptare, gjendej në kryeqytetin francez dhe përfiton nga rasti t’i japë një deklaratë gazetarit me inicialet L.G. për të shprehur pakënaqësinë ndaj Esat Pashës dhe rrezikun në të cilin gjendej tashmë Shqipëria.

Ja deklarata në vijim :

image« Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti se Esat Pasha është larguar nga Shkodra me trupat, armët dhe pajisjet e tij, kjo mund të konfirmojë marrëveshjen e lidhur midis mbretit të Malit të Zi dhe atij. – Ka vetëm dy fjalë për të përshkruar këtë akt : kjo është tradhëti dhe çmenduri !Tradhëti, sepse ai i pret krahët Shqipërisë duke braktisur Shkodrën dhe për faktin se ai e bën praktikisht vendin tonë një zonë aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.Çmenduri, sepse ai na vë në pozitë të vështirë për të vazhduar negociatat me qëllim për të fiksuar kufijtë tanë pikërisht po në momentin e krijimit të pavarësisë sonë.Përveçse ai vë në lojë rrezikshëm pavarësinë, veprimi i tij bie ndesh me interesat dhe bindjet ndërkombëtare të Evropës, e cila është duke punuar në formimin e kombësisë sonë dhe se vullneti i saj i mirë mund të dekurajohet nga loja teatrale që sapo u realizua.Unë jam i sigurtë se popullata shqiptare, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esat Pashës, nuk do ta ndjekë atë.Sigurisht që Esat Pasha i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka një ndikim të mjaftueshëm për të fituar. Sa për Xhavit Pashën, me të cilin (Esati) mund të ketë lidhje, ai nuk është shqiptar.Trupat e Esat Pashës nuk do t’i qëndrojnë besnike, vetëm një pjesë i përkushtohet atij personalisht, ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet.Qeveria e përkohshme, që unë drejtoj dhe e cila proteston kundra këtij atentati ndaj pavarësisë sonë të sapolindur, do të mbështetet edhe nga kontigjentet e Beratit dhe Elbasanit.Sa për Evropën, ajo nuk mund të anojë në favor të gjendjes aktuale, sepse bie ndesh me interesat dhe konventat ndërkombëtare, të cilat ajo ka për mision ti ekuilibrojë. Pavarësia jonë përfshin integritetin e tokave shqiptare, të kërkuar edhe nga Austria, të cilës i jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në favorin tonë, edhe pse ne nuk pranojmë të jemi në kujdestarinë e një shteti tjetër.Ne duam të shkojmë mirë me të gjithë, si me Evropën dhe me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne e kuptojmë nevojën për të formuar një bllok të fortë dhe të qëndrueshëm në interes të pavarësisë sonë. » Në përfundim të intervistës, Ismail Bej Qemali i ka thënë gazetarit L.G. se po nisej po atë ditë për në Londër me qëllim për të shprehur pikëpamjet e Qeverisë së përkohshme shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve.

* Kortezi: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania :https://www.darsiani.com

Filed Under: Histori Tagged With: bebja Aurenc, DEKLARATA REVOLTUESE E ISMAIL QEMALIT, LE TEMPS, NDAJ ESAT PASHËS

Bardha Lleshaj i mbushi 100 vite!

January 11, 2017 by dgreca

Nga Ahmet Zani/

15967444_10207928210463719_800810635_o15992289_10207928210263714_708942538_o16010613_10207928208343666_1213842214_o16010693_10207928210423718_652831976_o

Shiheni portretin e kesaj malesoreje. Quhet Bardha Lleshaj. Sot ka mbushur plot 100 vite jete. Gezuar Ditelindjen Bardha-Edhe shume vite te tjera! Ndonëse epidemia gripale paraqitet mjaft e rrezikshme per moshen e trete, kjo nënë nuk ka patur asnjë shqetësim në shëndetin e saj deri ne momentin e  ketij shkrimi. Në përvjetorin e 100 të saj fëmijët nipërit dhe mbesat kanë rrethuar të moshuarën për ta uruar nënë Bardhen. Tryeza e rrethuar nga familja, të afërmit dhe ne mesin e saj- torta me mbishkrimin:”Urime dhe 100 të tjera”, s’eshet gje tjeter veçse tregues i dashamirësisë pë këtë të moshuar, e cila ka rrugetuar neper vite duke patur  një jetë te veshtire, mjaft të lodhshme. Më 11 janar të vitit 1917 në fshatin Baz të Burrelit ka lindur Bardha e cila në moshën 18 vjeçare sipas zakonit do të lidhej me njjë djalosh mirditor, miqësi e cila është në përforcim. Me familjen Lleshaj ishte një miqësi e meparshme, ndërsa Bardha do të bëhej sebepi i një tjetër miqësie të dytë.

Eshet nej fakt interesant ne jeten e saj: Vetëm pas tre vitesh nga martesa , Bardha do të njihej me bashkëshortin e saj Bibën, i sapo ardhur nga shërbimi ushtarak. Pas disa vitesh familja do të zhvendosej në një fshat të Kurbinit, dhe jeta kooperativiste ishte mjaft e vështirë për këdo, dhe Badha do t’i mbijetonte situatës se veshtire, madje dhe dinjitet. Teksa e pyes për ndonjë histori të veçantë ajo ka mjaft raste por që pak i sjelle në kujtesën e saj, madje rrëfehet për rininë e sotme duke u shprehur ” le ta shijojnë sa më mirë, por jo jashte moralit, tadites dhe nje lloj kontrolli, duek ruajtur personalitetin. Bardha, e cila  sot eshet bere 100 vjecare, ka patur dy raste ne jete që ka përdorur medikamente, nga operacionet në këmbë, ndësa qetesues nuk perdor.

Sekreti i jetëgjatësisë, ajo thote se i vjen nga perdorimi i ujrave termale ne llixha, dhe përdorimi i ushqimeve tërësisht BIO, si dhe integrimi në punët e përditshme, ndonëse mjaft të lodhshme. Tashmë ajo banon në fshatin Fushë Mamurras dhe perkujdesjen ia dedikon dy djemve të saj dhe nuseve të tyre, që i kanë kushtuar mjaft kujdes.

Doda dhe Nikolla janë dy djemtë qe perkujdesen, si dhe nipërit, që e duan dhe kujdesen pë të moshuarën, e cila edhe ne veshje shkelqen nga bardhësia  e rrobave te mbajtura paster. Bardha ka forcë ende dhe ushqehet pa ndihmën e askujt, përdor pak pijet alkoolike, vecanerisht rakinë, gjithashtu cigare, por që nuk e kanë rënduar tek shëndeti.

Ky rast shquhet ndër të rrallët me moshë 100 vjeçare. Bardha ka ditur të mposhtë çdo veshtiresi, si punët e rënda dhe jeten e veshtiresi. Me këtë nënë krenohen jo vetë familja e saj por tërë ata që e njohin, pë dashurinë, mirënjohjen dhe për gjithçka ka dhënë kjo grua e rrallë.

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Zani, Bardha Lleshaj, j i mbushi 100 vite!

Speciale: KUR KOSOVA PRISTE VITIN E PAVARËSISË

January 8, 2017 by dgreca


1rilindja
Rilindja, 31 Dhjetor 2004: KOSOVA PRET VITIN E PAVARËSISË/

1-rugova

 -Lajmi i vitit 2005 në Kalendarin e Rilindjes: KOSOVA VLERËSOHET SUKSES NË STANDARDE NJIHET PAVARËSIA E KOSOVËS/

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova: Vit i progresit më  të madh të Kosovës/

1-behlul-haradinaj

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sigurt do të arrijmë suksesshëm në vlerësimin pozitiv të Standardeve/

1-philip

Ne Foto: Behlul Jashari me Shefin Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg/

-Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg: Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin një Kosovë demokratike dhe tolerante/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 8 Janar 2017/ “KOSOVA VLERËSOHET SUKSES NË STANDARDE NJIHET PAVARËSIA E KOSOVËS”, ky ishte titulli – “Lajmi i vitit 2005 në Kalendarin e Rilindjes”, që e botonte edhe në ballinë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në numrin special të 31 dhjetorit 2004, festiv, në prag të Vitit të Ri.

Lajmi i plotë ishte ky:

Në Shqyrtimin Gjithpërfshirës në Këshillin e Sigurimit, në Grupin e Kontaktit, etj. Kosova vlerësohet sukses në Standarde. Burimet e “Rilindjes” janë të sigurta se bisedimet për statusin final të Kosovës do të sjellin Pavarësinë, madje vlerësimi sukses i standardeve ka mundësi të pasohet me fillimin edhe më të shpejtë të njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga SHBA-të, vende të BE-së dhe fqinje.

“Njohja e Pavarësisë së Kosovës që tani nga SHBA-të dhe BE-ja do të lehtësonte edhe bisedimet për çështjet e tjera me Beogradin”, thekson udhëheqja kosovare.

“Pavarësia e Kosovës është interesi dhe garancia për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet e saj, mundëson një zhvillim më të shpejtë dhe perspektivat e integrimeve euroatlantike, si dhe qetëson rajonin”. Ky është qëndrimi unanim i institucioneve të Kosovës, që pavarësinë e kanë vullnetin, mandatin dhe besimin e popullit, të votës së lirë të zgjedhjeve të vlerësuara ndërkombëtarisht demokratike.

“KOSOVA PRET VITIN E PAVARËSISË”, ishte kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja, ku në mesazhin e Vitit të Ri 2005 Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte VIT I PROGRESIT MË  TË MADH TË KOSOVËS.

Në pritjen tradicionale të fundvitit, Presidentit Rugova i dhurova ekzemplarët e parë të Kalendarit të Rilindjes me simbolet e Vitit historik të Pavarësisë së Kosovës dhe 600-vjetorit të Skënderbeut, të vitit 2005 të jubileut të 60-vjetorit të gazetës tradicionale, siç theksohet në shënimin nën foton në ballinë. Presidetni Rugova përgëzoi në këtë rast Rilindjen në Jubileun e saj dhe siguroi për zgjidhjen që do të bëhet për gazetën, kryeredaktor dhe kryetar i Këshillit Drejtues i së cilës isha.

“SIGURT DO TË ARRIJMË SUKSESSHËM NË VLERËSIMIN POZITIV TË STANDARDEVE”, ishte titulli po në ballinë të Rilindjes i një interviste që kam zhvilluar në fundvitin 2004 me Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte kryeministër – gjatë 100 ditëve të qeverisjes, ku shprehte besimin se pavarësia e Kosovës do të shënojë edhe një fillim të ri për shumë çështje që e preokupojnë rajonin sikurse që është integrimi i shpejtë në strukturat evropiane dhe ato veriatlantike.“Ne bisedat i konsiderojmë si punë e mëtejme për t’i shpjeguar bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithëve edhe vendeve të rajonit se njohja apo  pranimi i vullnetit politik të popullit të Kosovës për pavarësi, pra njohja e pavarësisë së Kosovës është zgjidhja e vetme dhe që siguron ose shënon edhe më tej ndihmesë në stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit”, theksonte Haradinaj.Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehej optimist se Kosova do të arrijë me sukses e me kohë në cakun e caktuar për mesin e vitit 2005 për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës

“Dinamika jonë, angazhimi ynë, reflekton edhe te UNMIK-u dhe mund të them se sigurt do të arrijmë suksesshëm në maj, pra në gjysmën e vitit që vjen me vlerësimin pozitiv. Veç tani ka sinjale të një sigurie të këtillë edhe nga pala ndërkombëtare duke vërejtur seriozitetin me të cilin ne po angazhohemi për zbatimin e standardeve për Kosovën”, theksonte Haradinaj.  Intervista ekskluzive me kryeministrin Haradinaj u zhvillua pasditën e 30 dhjetorit të vitit 2004 dhe u botua të nesërmen në numrin festiv të Rilindjes të Vitit të Ri 2005, në të cilin gazeta tradicionale e Kosovës kishte jubileun e 60-vjetorit. Me këtë rast të jubileut, kryeministri Haradinaj në zyrën e tij në ambientet e Qeverisë së Kosovës priti për intervistë kryetarin e Këshillit Drejtues e kryeredaktorin e Gazetës  Rilindja, Behlul Jashari, tash korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli.Në këtë numër special botohej edhe intervista ekskluzive e Shefit të Misionit të Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Godlberg, që më dha për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në jubileun e saj të 60-vjetorit.

“SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS VAZHDOJNË TA MBËSHTESIN NJË KOSOVË DEMOKRATIKE DHE TOLERANTE”, citohej diplomati amerikan në ballinë e në titull të intervistës,  ku Godlberg theksonte: “Standardet, të cilat i ka specifikuar komuniteti evroatlantik janë idealet dhe vlerat me të cilat ne jetojmë çdo ditë dhe në të cilat ne thellësisht besojmë. Këto janë idealet të cilat e përfaqësojnë Evropën e shekullit 21”. “Viti 2005 do të mund të ishte një vit shumë vendimtar për Kosovën pasi që është vit kur ne do të lëvizim drejt një faze të re të procesit në Kosovë. Në kuptimin që mesi i vitit 2005 është koha kur do të bëhet Shqyrtimi Gjithpërfshirës i progresit në standarde, dhe me shpresë se prej kësaj do të rezultojë edhe fillimi i bisedave për statusin”, shprehej diplomati amerikan Godlberg.

NË BALLINË TË RILINDJES paralajmëroheshin edhe: “Mesazhi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci – Vit i realizimit të synimeve të Kosovës”, “Intervistë ekskluzive me Akademik Idriz Ajetin – Shkencës së gjuhësisë s’mund t’i dalësh zot pa njohur parimet e shëndosha të metodës shkencore”, “Ekskluzivisht shkruajnë minsitrat Lutfi Haziri e Qemajl Ahmeti”, “RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI – Shtojcë speciale – Numri i parë: 12 Shkurt 1945, Prizren”.

Dhe, në këndin lart në ballinë: “RILINDJA” në “JUBILE 60 VJET” uronte “GËZUAR VITIN E RI 2005”.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Kur Kosova, Pavaresine, priste, Ramush Haradinaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 376
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT