NJË CEREK SHEKULLI MË PARË , AFËR” PUCIT USHTARAK”
NGA ASLLAN BUSHATI/
Duke u afruar 20 dhe 21 shkurti i (cdo viti) e vecanërisht i këtij viti, fluturimthi mendja me shkon tek ngjarjet e një cerek shekulli më parë. Ishte shkurti i vitit 1991, kur u ndodha në vorbullën e ngjarjeve të pa harruara të atij shkurti,të cilat tashmë kanë hyrë në histori e për të cilat është folur gjate. Edhe unë kam shkruajtur kujtime, artikuj të ndryshëm dhe kam dhënë intervista. Por në këtë të sivjetmin do të përpiqem të mos përsëris ato që kam thënë, por të shpreh disa ndiesi të mijat personale për mjedisin ushtarak të asaj kohe.
Për të ardhur tek 20-21 shkurti, kalendari i vitit 1990 dhe janar-shkurti i 1991, ishte i mbushur me shumë ngjarje, por më i madhi ishte ardhja e pluralizmit, ku më 12 dhjetor 1990 u formu Partia Demokratike. Kjo ngjarje për pjesën më të madhe të ushtarakëve të lartë ishte si një bombë atomike, sepse pjesa kryesore e nomeklaturës së lartë të ushtrisë ishte e lidhur me një mijë fije, me nomeklaturën e lartë komuniste. Kurse për një pjesë fare të vogël (përfshi edhe mu), formimi i PD-së, ishte një gëzim dhe një shpresë shumë e madhe, për tu larguar nga neopotizmi, format dhe tutela e regjimit totalitar.Në atë moment unë isha Zëvëndës Drejtori i Drejtorisë së Kimisë së Ushtrisë dhe kisha një përvojë pune 22 vjecare , nga komandant toge deri në atë post,pa ndihmën dhe përkrahjen e askujt, por vetëm me punë cilësore,kualifikim dhe përkushtim në shërbim të atdheut.Në asnjë aspekt nuk ndjehesha borxhli para askujt, sepse askush nuk më kishte bërë ndonjë privilegj personal. Ndjehesha kompetent, krenar për punën që bëja, por edhe prudent në hapat që hidhja sepse situate ishte shumë e rrezikshme.
Në këtë kohë vajzat e mija ishin të vogla,por në një farë mënyre kisha nën mbikqyrje fëmijët e një kolegut tim të kimisë ( Ndue Isufi nga Kurbini- në atë kohë me banim në Berat), Agron dhe Arta Isufi të cilët ishin student. Që në grevat e studenteve Agronin e provokova me një slogan të rëndomtë të sferave të larta,për të parë në se ishte i vetëdijshëm ai vetë për ato që donin të bënin studentat, apo shkonte mbas berihajit. Duke ditur se gjyshi tij nga nëna ishte kosovar, dhe kishte vuajtur nëpër burgje, i thashë: “Agron , kosovarët që janë këtu thuhet se më shumë janë agjentë të Serbisë se sa atdhetarë, prandaj ndoshta është mirë të mos lidhesh fort me to në këto situate të turbullta të levizjes studentore”. Ai mu përgjigj:”më vjen shumë keq që e dëgjoj një gjë të tillë për kosovarët nga goja juaj”. Nuk i thashë se e provokova, sepse u binda se ishte i vendosur për të marrë pjesë në lëvizjen studentore. Thellë në shpirt mu bë qejfi se ishte në anën e duhur. Agroni dhe Arta morën pjesë në lëvizjen studentore dhe më 18 shkurt 1991 më thonë se;” kemi vendosur të futemi në grevë urije së bashku me studentët e tjerë deri sa qeveria ta heqi nga universiteti emrin e Enver hoxhës”. U thashë se do të jetë një ndërmarrje e vështirë në radhë të parë për shendetin tuaj , por mendimi juaj eshte i drejtë dhe e respektoj. Kështu në pasditen e 19 shkurtit së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat shkuam tek studentët e grevës urisë në qytetin student me synim që të takonim Agronin dhe Artën e t’ju jepnim dicka për të ngrënë para se të futeshin në grevë. Për fat të keq nuk i takuam, por qëndruam me studentët 3-4 orë. Isha i veshur ushtarak dhe në një moment Azem Hajdari më tha “Të falenderoj që ke ardhur me familjen këtu ,por duke qenë me uniform ushtarake ndoshta po rrezikohesh”.Më pas kur punoja në PD në Departamentin e Mbrojtjes ,ma ka përmendur këtë gjë si një cmenduri të vogël të vitit 1991.
Të nesërmen në orët e para të mëngjezit të 20 shkurtit, situata në Ministrinë e Mbrojtjes ishte shumë e tensionuar. Vinin pa ndërprerë fonograme e mesazhe nga poshtë për situatën, u bënë dy mbledhje me funksionarët kryesor, u dëgjuan vlerësime për situatën në Qytetin e Studentit dhe cdo gje ishte në një shkallë të lartë gatishmërie, por edhe një presion psikologjik në rritje ishte i pranishëm.
Nga jashtë godinës Ministrisë, dëgjoheshin brohoritje e parrulla të ndryshme dhe krejt pa pritur një sasi e madhe demostruesish të mbledhur në Sheshin Skenderbej, filluan të drejtohen në drejtim të Hotel Dajtit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë moment në një makinë të vogël me megafon në dorë u cfaq Neritan Ceka i cili u bënte thirrje demostruesve të këtheheshin prapa në shesh.Këto skena i pashë nga dritaret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas hypa në taracë nga ku pashë edhe rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës. Në vetevete u gëzova pa masë dhe zbrita poshtë për në zyrë, por gëzimin nuk nund ta cfaqja sepse koridoret gumzhinin nga zhurma, të thirrurat me zë të lartë dhe thirrjet frenetike se:”Kush e tradhëtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhetoi Komandantin e Pergjithshem? Kush e tradhëroi atdheun? Kush na i vrau idealet tona ?Pse qëndrojmë me armë në brez e në krah dhe s’jemi në gjendje të bëjmë asgjë? Ishim me të vërtetë të gjithë të armatosur rëndë dhe përplasja më e vogël mund të degradonte tek përdorimi i armëve. Me indiferencë i kalova zhurmaxhinjt e koridoreve, shkova në zyrë dhe në orën tre u largova për në shtëpi. Pas dite nuk dola në zyrë,por edhe në shtëpi pata shumë telefonata, nga vartës, kolegë dhe miq. Me sejcilin fola vetëm zyrtarisht pa emocione dhe me një farë vetpërmbajtje , pa cfaqur gëzimin që ndjeja në veten time.
Të nesërmen më 21 shkurt, situate ishte më e zymtë dhe më shpërthyese se një ditë më parë. Në mesditë u mblodhëm në sallën e madhe nën drejtimin e Ministrit (Kico Mustaqi) dhe Shefit Shtabit Përgjithshëm (Halim Abazi). Dëgjuam komunikatat operative të ardhura nga njësitë dhe repartet. Kudo flitej për gjendje të tensionuar, por fokusi u kthye nga shkollat ushtarake, sepse prej tyre kishte ardhur dhe një njoftim që bënte me dije krijimin e të ashuquajturit “Komiteti Ushtarak për shpëtimin Kombëtar”. Pas leximit të këtij materiali gjendja u bë më shpërthyese, parrullat e ditës së më parëshme të thëna koridoreve fillun të hidheshin në sallë;”Kush e tradhëtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhetoi Komandantin e Pergjithshem?Pse nuk u mbrojt munomenti tij në qendër të Tiranës? Kush ka përgjegjesi për këtë tradhëti komnëtare? Tradhëtarët të arrestohen dhe po qe nevoja të pushkatohen. Shtatorja e Enver Hoxhës e Shkollave Ushtarake të trasferohet dhe të vendoset në vendin e atij që u rrëzu. Ushtria të marr situatën në dorë dhe të stabilizojë jetën e vendit etj”. Shkurt në frymën e dokumentit të ardhur nga shkollat ushtarake, propozohej hapur kryerja e një lëvizje te beftë politike, duke sjellë në fuqi ushtrinë, për të shpëtuar gjoja atedheun ,por ne fakt behej fjale per funksionet, njerëzit dhe strukturat e rregjimit totalitar 46 vjecar.
Ministri i ndodhur ngushtë nga pyetjet dhe për të lënë të kuptohet se si person dhe shtetar ishte i pastër por dhe i fuqishëm tha se:” përgjigja e këtyre pyetjeve i kalon kufijt e kompetencave të mija si ministër, prandaj qëndroni këtu sepse unë për 10-15 minuta do të sjellë me të mirë a me të keq para jush Komandantin e Përgjithshëm. Ai ka kompetencë t’ju përgjigjet pyetjeve tuaja”.
Ashtu ndodhi gati për 10 minuta e solli në sallë ish presidentin Ramiz Alia. Ky moment është komentuar si një arrestim i ish Presidentit nga Ministri Mbrojtjes me një staf të afërt të shërbimit sekret ushtarak. Këtë as nuk mund ta pohoj,por edhe as nuk mund ta mohoj. Ajo që mund të them është se Presidenti Alia kur hyri në sallë ishte shumë i zbetë në fytyrë, dhe filloi të fliste me një zë krejt të mekur dhe gishtërinjt e duarve që po i dridheshin kur filloi të fliste.Në një moment kur po fliste për figurën e Enver Hoxhës ,filloi të lotonte për tu treguar të pranishëve se jo vetëm nuk i kishte tradhëtuar idealet dhe veprën e tij, por me qetësimin e situatës do të vendoste cdo gjë në vendin e duhur. Përmbajtjen e bisedës së tij e kam treguar më parë dhe gjykoj se nuk është e nevojshe ta përsëris. Por ajo qe dua të theksoj, është se me një mendim të qartë, me sllogane komuniste, me fjali të shkurtëra, me fjalë angazhuese, me lëvdata për kuadrot e ushtrisë dhe vecanërisht të MM-së, e qetësoi situatën dhe e solli aty ku ai deshi. Situata e një grushti shteti nga ushtria ose shpërthimi i një lufte civile në Shqipëri, u eleminu pikërisht nga Ramiz Alia e nga ajo sallë e MM-së më datën 21 shkurt 1991.
Pas vitit 1974, unë e kam urryer me gjithë shpirt regjimin komunist në Shqipëri. Për Ramiz Alinë nuk kam patur asgjë simpati, por nuk e kam urryer sic urreja disa udhëheqës të tjerë të kupolës lartë komuniste. Por me ato që pashë në sallën e MM-së më 21 shkurt, me bisedën që bëmë në telefon me Shefin e Shtabit Përgjithshëm Halim Abazin më 22 shkurt për ndalimin e përdorimit të kloropikrinës (lende helmuese shqetesuese) kundër demostruesve në sheshin “Skenderbej”, me menaxhimin e situatave të pas shkurtit 1991,me llogjikë të ftohtë mund të pohoj se Ramiz Alia e ndaloi pucin ushtarak te vepronte dhe nuk lejoi zhvillimin e një luftën civile në Shqipëri. Shpresoj që edhe historianët të jenë në të njejtin mendim me mu, duke ja njohur këtë meritë Ramiz Alisë pavarsisht se nuk më lidh sagjë me atë as si person dhe as si funksionar i atij regjimi.
Përsa i përket të ashtu quajturit”Komiteti Ushtarak për shpëtimin Kombëtar” të krijuar nga drejtues, pedagogë, akademistë e student të shkollave ushtarake, mendoj se ishte një reagim i pjesës me konservative të Byrosë Politike. Ai ishte presion i hapur ndaj rrugës pluraliste dhe drejt për së drejti kundër Ramiz Alisë me veprimet e të cilit ata ishin shumë të pa kënaqur se po humbisnin gjithë previlegjet e regjimit të më parshëm. Ideatorët e këtij komiteti ishin njerëzit më të afërt të kastës siper përmendur. Ata nxorrën ne krye një oficer ( ish akademist ) ,person të cilin e kam njohur kur jepja mësim si pedagog i jashtëm në Akademinë e Mbrojtjes. Ai ishte një student i nivelit mbi mesatar, i sjellshëm, i etur për dije,por aspak një protagonist i përmasve per të realizuar kthesa të mëdha si ato të thëna në deklaratë. Mendoj se ai si person nuk kish asnjë lidhje me nomeklaturën e lartë komuniste ,pra ai ishte vetëm fasadë, ishte si figure, prapa të cilit fshiheshin beniaminët e Byrosë Politike.
Pas rezistencës së fortë të PD-së dhe të qytetarëve të Tiranës të cilët e mbushën Rrugën e Dibrës me pengesa të pa kalueshme,pas deklaratave të qytetarëve se vetëm kur të kaloni mbi trupat tona mund ta rivendosni munomentin e diktatorit në sheshin qëndror të Tiranës, pas zbutjes që i bëri Ramiz Alia situatës në MM, i ashtu quajturi Komitet i mbrojtjes Komëtare, u cfry si një tollumbace. Por ai i la historisë së Ushtrisë Shqiptare një njollë të shëmtuar, e cila do të përmendet gjithmonë në historinë e Shqipërisë.
Rrëzimin e munomentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës (një cerek shekulli më parë) më 20 shkurt 1991, që i bënte hije e karshillëk munomentit dhe sheshit Skenderbej, e kam përjetuar si vdekjen e dytë të diktatorit, si një ndjenjë që rrallë të takon ta përjetosh dy herë në jetë, si clirimin tim shpirtëror, të familjes, gjakut e gjinisëm time, si një shpëtim i shqiptarisë nga kolera komuniste.
Me këtë rast dua të t’ju shpreh mirënjohjen time personale studentëve, popullit të Tiranës e gjithë Shqipërisë, PD-së dhe udhëheqësve të saj,që e bënë një gjë të tillë.Në se fjala mirënjohje e përfaqëson në mënyrën më të plotë të mundëshme veprën e tyre , atëherë e gëzofshi atë nga zemra e një ish ushtaraku të lartë i Ushtrisë Shqiptare.
AT ANTON HARAPI: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”
(70-vjetori i pushkatimit të At Anton Harapit(1946) dhe 100-vjetori i rënjes së Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, 1915)
Nga Frank Shkreli/
Shkurti shënon 70-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist të At Anton Harapit, njërit prej atdhetarëve dhe dijetarëve më të dalluar të kombit shqiptar. 70-vjetë më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që as pas 70-vjetësh nuk i dihet as varri i tij. Hapni dosjet! Ashtuqë në këtë 70-vjetor të pushkatimit të këtij personaliteti të shquar të kombit, të zbulohet se ku është varrosur, jo vetëm Anton Harapi, por edhe patriotë të tjerë të kombit, eshtërave të të cilëve u janë humbur gjurmët nga regjimi komunist. Të zbulohet varri i tij dhe varret e shënjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqët historikë të shqiptarëve. Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.” Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtërat t’i treteshin.
At Anton Harapit i kishte falë Perendia shumë dhunti morale dhe talente të shumëta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.
Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli. Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav. Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi. Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare. Në kujtim të 100-vjetorit të rënjes së dëshmorëve Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, vrarë nga forcat serbo-malazeze (1915) dhe duke shënuar 70-vjetorin e pushkatimit të At Anton Harapit shkurtin e vitit 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia vlenë të kujtohemi se çfarë burrash dhe çfarë atdhetarësh kishte dikurë kombi shqiptar.
Fjalimi i At Anton Harapti në ceremoninë e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre:
“DY LOTË E NJË BETIM
Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !
Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.
Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej .
Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.
Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.
E udha e mbarë u qoftë !
Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.
Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.
Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.
Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.
Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.
Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…
Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.
Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.
T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;
Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “ (Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.)
At Anton Harapi nuk ishte as “tradhëtar” as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite — por ishte dhe mbetet një atdhetar i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 70-vjetor të pushkatimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktual – duke u bërë thirrje, ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij në fjalimin që mbajti si anëtar i parlamentit shqiptar në vitin 1944: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”
Kryeministrat e Greqisë bashkëpunëtorë të nazistëve,Shqiptarët e Çamërisë, të vetmit që u masakruan
Shkruan: Arben LLALLA*/
Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive për herë të parë në historinë e re të botës i ndodh një populli që të përbuzet kaq rëndë vetëm e vetëm se disa individë që i përkisnin etnisë së saj ishin spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit paqësor të Greqisë. Gjermanët u pritën me paqe dhe nderime nga politikanët, kisha greke dhe populli i saj. Pra, gjermanët mund të quhen me të drejtë pushtues paqësor të Greqisë. Me gjermanët bashkëpunuan mijëra grekë, vlleh, sllavo-maqedonas, bullgarë, romë, etj., shtetas të Greqisë, por familjet e këtyre bashkëpunëtorëve nuk u dënuan asnjëherë, nuk ju sekuestrua pasuria, por nga familjet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve dolën kryeministra, ministra, deputet, figura të shquara të jetës shoqërore të Greqisë pa u persekutuar asnjëherë.
Më poshtë do sjellim fakte që bashkëpunëtorët e gjermanëve u bënë deputet, ministra, kryeministra dhe kryetar shteti të Greqisë të pas viteve 1945. Lista e politikanëve grek që rrjedhin nga familje që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore mund të jetë edhe më e madhe, por ne po sjellim emrat e disave që janë botuar në gazetar, revistat dhe librat e autorëve grek.
Bashkëpunim me gjermanët ka patur Gjeorgjio Merkuri, kryetari i partisë Nacional Socialiste Greke, i cili është gjyshi i ish-ministres dhe deputetes së ndjerë Melina Merkuri.
Gjeorgjio Simitis është babai i ish-kryeministrit të Greqisë Kosta Gjeorgjios Simitis, 1996-2004, ministër 1985-1990. Gjeorgjio Simitis gjatë kohës së pushtimit gjerman u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bankave të Greqisë, një post i lartë shtetëror. Por në vitin 1944, Gjeorgjio Simitis duke nuhatur se gjermanët po e humbnin luftën ju bashkua në male grupeve të rezistencës. Ai u akuzua për zhdukjen e 8.000 paund që kishin dërguar aleatët si ndihmë.
Konstandin G. Karamanlis (1907-1998), ishte një nga politikanët e njohur të Greqisë. Sipas disa dokumentet e fundit të botuar del se ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik gjatë periudhës 1941-1945. Në dokumentin e CIA-as, 16 shtator 1962, thuhet se emri i Konstandin Karmanlis është i përfshirë në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve të Merten për përzënien e hebrenjve.
Pas pak kohësh pritet të dali në qarkullim libri i Mitch Fatouros, një greko-amerikan i cili do sjelli të dhëna nga dokumentet e CIA-as, fotografi për bashkëpunimin e Konstandin Karamanlisit me pseudonimin “Kryepeshkopi”.
Gjatë periudhës së pushtim gjerman Konstandin Kramanlis shoqëroje me një femër e quajtur Lili Mak me origjinë ruse e cila ishte agjende e Gestapos gjermane. Në vitin 1942 italianët e arrestojnë Lili Mak dhe gjyqi e dënon me burg, por me ndërhyrjen e gjermanëve ajo u liriu. Në vitin 1946 Lili Mak bashkë me nënën e saj Elenin dolën përpara gjykatës greke në Athinë me akuzën si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ato u mbrojtën në gjyq nga avokati dhe deputeti Konstandin Karamanlis i cili e fitoj gjyqin dhe nuk u dënuan.
Konstandin G. Karamanlisi që nga viti 1946 ka qenë deputet, ministër dhe katër herë kryeministër i Greqisë nga viti 1955-1963, 1974-1980. Në vitin 1980-1985, ishte Kryetar i Republikës Demokratike të Greqisë, gjithashtu edhe më 1990-1995 ishte Kryetar i Greqisë.
Konstandin Karamalisi është xhaxhai i ish-kryetarit të partisë Demokracia e Re, Kosta Aleksandër Karamanlis i cili ishte kryeministër më 2004-2009. Nga viti 1989 e deri më sot është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë.
Gjeorgjios Joanis Rallis (1918-2006), është djali i kryeministrit të Greqisë 1943-1944, Joani Rallis i cili ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe vdiq në burg. Gjeorgjios Rallis në vitin 1950 u zgjodh deputet në Kuvendin e Greqisë. Ka qenë ministër i disa ministrive nga vitet 1950-1958, 1961-1963, 1967, 1974-1980. Në vitin 1980-1981, ishte kryetar i partisë Demokracia e Re dhe kryeministër i Greqisë. Dha dorëheqje si deputet dhe u tërhoq nga jeta politike në vitin 1993.
Konstandinos Micotaqis (1918-), është njeri nga politikanët e fortë të Greqisë. Micotaqi është nipi i ish-kryeministrit Elefteros Venizellos. Konstandin Micotaqi u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1946, më 2004 dha dorëheqjen si deputet dhe nga politika. Ka qenë ministër i disa ministrive më 1965-1966, 1978-1981. Në vitin 1984 u zgjodh kryetar i partisë Demokracia e Re, dhe më 1990-1993, ishte kryeministër i Greqisë. Është babai i dy deputetëve Dora Bakojani dhe Qiriako Micotaqis.
Gazeta greke AVRIANI e qershorit të vitit 1985, botoj një fotografi ku shihet Konstandin Micotaqi në mes të dy ushtarëve gjermanë. Në vitin 1989 pas rënies së murit të Berlinit, dy ish-agjentët e STAZIT të Gjermanisë Lindore deklaruan në një emision televiziv se kishin marrë porosi që të gjenin materiale ku të vërtetohet bashkëpunimi i Micotaqit me nazistët gjermanë. Ata kishin gjetur fotografinë në fjalë dhe ua dhanë porositësve. Pas disa vitesh gazeta AVRIANI, botoj një shkrim ku deklaronte se fotografinë ku shihet Micotaqi me dy ushtar gjermanë ua kishte dhënë drejtuesi i lartë i PASOK-ut, Kosta Lalioti.
Sido që të jetë e vërteta ka bashkëpunuar apo jo me gjermanët ish-kryeministri Micotaqi, as gazeta AVRIANI, as Lalioti që u përfol se e ka siguruar këtë foto, dhe asnjë individë që e botoj ndër vite, familja Micotaqi nuk ngriti padi penale për shpifje ndaj tyre. Kjo le të nënkuptosh se fotografia kishte qenë origjinale.
Kosta A. Karamanlis (1956- ), është djali i vëllait të Konstandin G. Karamanlisit i cili është akuzuar kohëve të fundit si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ka patur të dashur në periudhën e pushtimit gjerman një agjende të Gestapos Lili Mak. Kosta Karamanlis, u zgjodh për herë të parë deputet më 1989 me partinë Demokracia e Re. Në vitin 1997 u zgjodh kryetar i partisë së djathtë Demokracia e Re dhe nga viti 2004-2009 ishte kryeministër i Greqisë. Vazhdon të jetë deputet i partisë Demokracia e Re. Pra, Kosta Karamanlisi u përket atyre familjeve që kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë viteve 1941-1944.
Evangjelios Meimaraqis (1953-), kryetar i partisë Demokracia e Re, ish-ministër 2006-2009, ish-kryetar i Kuvendit të Greqisë 2012-2015, deputet që nga viti 1989 rrjedh nga një familje që është akuzuar se ka përkrahur dhe bashkëpunuar me gjermanët në ishullin e Kretës. Familja Meimaraqis për herë të pari nxori deputet në vitin 1915, Vasileos Meimaraqis, i cili dënoj sulmet e kretasve kundër ushtrisë gjermane dhe përkrahu qeverinë e Gjeorgjio Çolakoglu. Gjyshi i tij me të njëjtin emër avokati Evangjelos Meimaraqis përkrahu ushtrinë gjermane dhe dënonte sulmet e guerrilasve kundër tyre. Gazeta AKROPOLI, 4 qershor, 1941 shkruan për vizitën e Vasili Meimaraqit në kampin e trajtimit të oficerëve të qeverisë Çolakoglu dhe dënoj krimet e kretasve kundër gjermanëve.
Më 27 prill 1944, britanikët dhe forcat e rezistencës në Kretë rrëmbyen gjeneralin gjerman Heinrich Kraipe. Emri i avokat Evangjelos Meimaraqis figuron në peticionin e intelektualëve të Kretës që dënonin sulmin dhe rrëmbimin e gjeneralit gjerman Kraipe.
*Historian
70 VJETORI I PUSHKATIMIT TË AT ANTON HARAPIT O.F.M.
Nga Fritz RADOVANI*/
AT ANTON HARAPI O.F.M.(1888 – 1946)/
20 SHKURT 1946 – 2016…/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■Më falni se po e persëris: “…duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Kjo bisedë u zhvillue me 20 Shkurt 1946…
■Me 4 Mars 1946, zbatohet porosia e ambasadorit Titos në Tiranë, pra pushkatohet edhe At Gjon Shllaku O.F.M., me grupin e organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”…
■Me 15 Nandor 1946, Kuvendi i Françeskanëve në Shkoder kthehet në qender torturash të hetuesisë së Klerit Katolik Shqiptar, ku masakrohen mbi 700 Shqiptarë të burgosun…
■Françeskanët e Shqipnisë të kryesuem nga Provinçiali At Mati Prennushi O.F.M., janë “çerdhja”e Klerit Katolik Atdhetar, që “duhen shkatrrue me kulm e temel në Shkoder!”
Ata mbushen 26 hetuesi dhe burgje të qytetit të Shkodres ku torturohej dhe masakrohej inteligjenca, rinia dhe qytetaria shkodrane me atdhetarët e maleve e fushave perrreth.
***
■Po, Rregjenti i Shtetit Shqiptar At Anton Harapi, kush ishte?!
Po thërras malin e t’gjimojë,
Lugu i Cemit n’gjamë t’ushtojë,
Zana e Sukës, t’madhe t’vajtojë,
e Deçiqi – i kjosha true!
T’dahet katrash, t’kjajë me mue,
n ’fund e n’maje lè t’ lëkundet,
t’kjajë mbi tý-o sa ku t’mundet.
Oj e mjera nanë për tý! Hêj… Hêj…
At Anton Harapi – “Andrra e Pretashit”
DOSJA 1068:
■At Antoni asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888. Ka krye studimet në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, dhe vijoi studimet teologjike në Romë. Kur u kthye ishte profesor filozofije e teologjije, predikatar, publicist, shkrimtar, politikan… dhe në vitin 1943 Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, kur Rregjenti Lef Nosi kerkonte nga Eprorët e Klerit që At Antoni me marrë pjesë në Rregjencen Shqiptare.
■Per formimin e Tij Don Kolec Prennushi shkruen në “Hylli i Dritës”, në vitin 1936:
“… mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, nder cillët disa janë kryevepra. Dija e thell, arsytimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem, dallojnë gjith shkrimet e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoht, por ai asht i drejt e i pafajshem.”
■Rregjenti Lef Nosi thonte: “Nguli kambë për qenjen e Tij në Këshillin e Regjencës, se vetem mirë do t’i sjellin Shqipnisë!”
■AT ANTON HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE (1943), “ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”
Disa mendime të At Antonit:
■“Po të mos u xeni besë fjalëve të mija, ja tek e keni veprën teme për peng sigurie!”
■“Çdo ndërtese i vehen themelet në dhè! Edhe në vorr në hijshim, duhet të jemi gurët e themelit të asaj binaje që sot e quejmë Shqipni!”
■“Me gjak të vet e shuguroi elterin e Atdheut, katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri, Gërmenji e Negovani, nuk kanë ndryshim, por janë në nji mendim e në një vendim, në vepër e në vdekje. Ata e vulosen me gjak çfarë qenë; na mbetët ne ta vulosim çfarë jena”!”
■“Nuk shpëton jo, sot, as Xhamia pa Kishë, as Kisha pa Xhami, por as njena e as tjetra pa Shqipni! Me gjak e dasi jena ngopë! Kena pa e provue edhe se çka asht kthetra e huej dhe e kena prekë se një popull i përçamë asht i gjykuem me mbarue! Të ngrihemi pra në kambë! Për një Zot të vërtetë e për një Shqipni të lumtun – na jena vllazen!
A sëbashku e të pështuem a të ndamë e të mbaruem!”
■“Shqipnia u fitue me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqë dhe Drejtsi do të fitohet!”
***■Rregjenti Cafo Beg Ulqini thonte: “Shërbimi i At Antonit për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton! At Anton Harapi asht kenë nji e nuk bahen dy!”
■At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944 dhe mbas, kur Rregjenti Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh të Tij nga Tokat e Malit të Zi, nder shpella, At Antoni u pergjegj: “Kam punue per Shqipni e ballafaqas. Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”
■20 SHKURT 1946…
■Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëri prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.
■“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”… Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij…
■VETEM DOSJET TREGOJNË KUJT I KANË SHERBYE DHE I SHERBEJNË TRADHTARËT E ATDHEUT!
* Melbourne, Shkurt 2016. Pjesa e II- Vazhdon Pjesa e III…
- « Previous Page
- 1
- …
- 452
- 453
- 454
- 455
- 456
- …
- 698
- Next Page »