NGA ASLLAN BUSHATI/
Duke u afruar 20 dhe 21 shkurti i (cdo viti) e vecanërisht i këtij viti, fluturimthi mendja me shkon tek ngjarjet e një cerek shekulli më parë. Ishte shkurti i vitit 1991, kur u ndodha në vorbullën e ngjarjeve të pa harruara të atij shkurti,të cilat tashmë kanë hyrë në histori e për të cilat është folur gjate. Edhe unë kam shkruajtur kujtime, artikuj të ndryshëm dhe kam dhënë intervista. Por në këtë të sivjetmin do të përpiqem të mos përsëris ato që kam thënë, por të shpreh disa ndiesi të mijat personale për mjedisin ushtarak të asaj kohe.
Për të ardhur tek 20-21 shkurti, kalendari i vitit 1990 dhe janar-shkurti i 1991, ishte i mbushur me shumë ngjarje, por më i madhi ishte ardhja e pluralizmit, ku më 12 dhjetor 1990 u formu Partia Demokratike. Kjo ngjarje për pjesën më të madhe të ushtarakëve të lartë ishte si një bombë atomike, sepse pjesa kryesore e nomeklaturës së lartë të ushtrisë ishte e lidhur me një mijë fije, me nomeklaturën e lartë komuniste. Kurse për një pjesë fare të vogël (përfshi edhe mu), formimi i PD-së, ishte një gëzim dhe një shpresë shumë e madhe, për tu larguar nga neopotizmi, format dhe tutela e regjimit totalitar.Në atë moment unë isha Zëvëndës Drejtori i Drejtorisë së Kimisë së Ushtrisë dhe kisha një përvojë pune 22 vjecare , nga komandant toge deri në atë post,pa ndihmën dhe përkrahjen e askujt, por vetëm me punë cilësore,kualifikim dhe përkushtim në shërbim të atdheut.Në asnjë aspekt nuk ndjehesha borxhli para askujt, sepse askush nuk më kishte bërë ndonjë privilegj personal. Ndjehesha kompetent, krenar për punën që bëja, por edhe prudent në hapat që hidhja sepse situate ishte shumë e rrezikshme.
Në këtë kohë vajzat e mija ishin të vogla,por në një farë mënyre kisha nën mbikqyrje fëmijët e një kolegut tim të kimisë ( Ndue Isufi nga Kurbini- në atë kohë me banim në Berat), Agron dhe Arta Isufi të cilët ishin student. Që në grevat e studenteve Agronin e provokova me një slogan të rëndomtë të sferave të larta,për të parë në se ishte i vetëdijshëm ai vetë për ato që donin të bënin studentat, apo shkonte mbas berihajit. Duke ditur se gjyshi tij nga nëna ishte kosovar, dhe kishte vuajtur nëpër burgje, i thashë: “Agron , kosovarët që janë këtu thuhet se më shumë janë agjentë të Serbisë se sa atdhetarë, prandaj ndoshta është mirë të mos lidhesh fort me to në këto situate të turbullta të levizjes studentore”. Ai mu përgjigj:”më vjen shumë keq që e dëgjoj një gjë të tillë për kosovarët nga goja juaj”. Nuk i thashë se e provokova, sepse u binda se ishte i vendosur për të marrë pjesë në lëvizjen studentore. Thellë në shpirt mu bë qejfi se ishte në anën e duhur. Agroni dhe Arta morën pjesë në lëvizjen studentore dhe më 18 shkurt 1991 më thonë se;” kemi vendosur të futemi në grevë urije së bashku me studentët e tjerë deri sa qeveria ta heqi nga universiteti emrin e Enver hoxhës”. U thashë se do të jetë një ndërmarrje e vështirë në radhë të parë për shendetin tuaj , por mendimi juaj eshte i drejtë dhe e respektoj. Kështu në pasditen e 19 shkurtit së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat shkuam tek studentët e grevës urisë në qytetin student me synim që të takonim Agronin dhe Artën e t’ju jepnim dicka për të ngrënë para se të futeshin në grevë. Për fat të keq nuk i takuam, por qëndruam me studentët 3-4 orë. Isha i veshur ushtarak dhe në një moment Azem Hajdari më tha “Të falenderoj që ke ardhur me familjen këtu ,por duke qenë me uniform ushtarake ndoshta po rrezikohesh”.Më pas kur punoja në PD në Departamentin e Mbrojtjes ,ma ka përmendur këtë gjë si një cmenduri të vogël të vitit 1991.
Të nesërmen në orët e para të mëngjezit të 20 shkurtit, situata në Ministrinë e Mbrojtjes ishte shumë e tensionuar. Vinin pa ndërprerë fonograme e mesazhe nga poshtë për situatën, u bënë dy mbledhje me funksionarët kryesor, u dëgjuan vlerësime për situatën në Qytetin e Studentit dhe cdo gje ishte në një shkallë të lartë gatishmërie, por edhe një presion psikologjik në rritje ishte i pranishëm.
Nga jashtë godinës Ministrisë, dëgjoheshin brohoritje e parrulla të ndryshme dhe krejt pa pritur një sasi e madhe demostruesish të mbledhur në Sheshin Skenderbej, filluan të drejtohen në drejtim të Hotel Dajtit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë moment në një makinë të vogël me megafon në dorë u cfaq Neritan Ceka i cili u bënte thirrje demostruesve të këtheheshin prapa në shesh.Këto skena i pashë nga dritaret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe më pas hypa në taracë nga ku pashë edhe rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës. Në vetevete u gëzova pa masë dhe zbrita poshtë për në zyrë, por gëzimin nuk nund ta cfaqja sepse koridoret gumzhinin nga zhurma, të thirrurat me zë të lartë dhe thirrjet frenetike se:”Kush e tradhëtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhetoi Komandantin e Pergjithshem? Kush e tradhëroi atdheun? Kush na i vrau idealet tona ?Pse qëndrojmë me armë në brez e në krah dhe s’jemi në gjendje të bëjmë asgjë? Ishim me të vërtetë të gjithë të armatosur rëndë dhe përplasja më e vogël mund të degradonte tek përdorimi i armëve. Me indiferencë i kalova zhurmaxhinjt e koridoreve, shkova në zyrë dhe në orën tre u largova për në shtëpi. Pas dite nuk dola në zyrë,por edhe në shtëpi pata shumë telefonata, nga vartës, kolegë dhe miq. Me sejcilin fola vetëm zyrtarisht pa emocione dhe me një farë vetpërmbajtje , pa cfaqur gëzimin që ndjeja në veten time.
Të nesërmen më 21 shkurt, situate ishte më e zymtë dhe më shpërthyese se një ditë më parë. Në mesditë u mblodhëm në sallën e madhe nën drejtimin e Ministrit (Kico Mustaqi) dhe Shefit Shtabit Përgjithshëm (Halim Abazi). Dëgjuam komunikatat operative të ardhura nga njësitë dhe repartet. Kudo flitej për gjendje të tensionuar, por fokusi u kthye nga shkollat ushtarake, sepse prej tyre kishte ardhur dhe një njoftim që bënte me dije krijimin e të ashuquajturit “Komiteti Ushtarak për shpëtimin Kombëtar”. Pas leximit të këtij materiali gjendja u bë më shpërthyese, parrullat e ditës së më parëshme të thëna koridoreve fillun të hidheshin në sallë;”Kush e tradhëtoi Enver Hoxhën? Kush e tradhetoi Komandantin e Pergjithshem?Pse nuk u mbrojt munomenti tij në qendër të Tiranës? Kush ka përgjegjesi për këtë tradhëti komnëtare? Tradhëtarët të arrestohen dhe po qe nevoja të pushkatohen. Shtatorja e Enver Hoxhës e Shkollave Ushtarake të trasferohet dhe të vendoset në vendin e atij që u rrëzu. Ushtria të marr situatën në dorë dhe të stabilizojë jetën e vendit etj”. Shkurt në frymën e dokumentit të ardhur nga shkollat ushtarake, propozohej hapur kryerja e një lëvizje te beftë politike, duke sjellë në fuqi ushtrinë, për të shpëtuar gjoja atedheun ,por ne fakt behej fjale per funksionet, njerëzit dhe strukturat e rregjimit totalitar 46 vjecar.
Ministri i ndodhur ngushtë nga pyetjet dhe për të lënë të kuptohet se si person dhe shtetar ishte i pastër por dhe i fuqishëm tha se:” përgjigja e këtyre pyetjeve i kalon kufijt e kompetencave të mija si ministër, prandaj qëndroni këtu sepse unë për 10-15 minuta do të sjellë me të mirë a me të keq para jush Komandantin e Përgjithshëm. Ai ka kompetencë t’ju përgjigjet pyetjeve tuaja”.
Ashtu ndodhi gati për 10 minuta e solli në sallë ish presidentin Ramiz Alia. Ky moment është komentuar si një arrestim i ish Presidentit nga Ministri Mbrojtjes me një staf të afërt të shërbimit sekret ushtarak. Këtë as nuk mund ta pohoj,por edhe as nuk mund ta mohoj. Ajo që mund të them është se Presidenti Alia kur hyri në sallë ishte shumë i zbetë në fytyrë, dhe filloi të fliste me një zë krejt të mekur dhe gishtërinjt e duarve që po i dridheshin kur filloi të fliste.Në një moment kur po fliste për figurën e Enver Hoxhës ,filloi të lotonte për tu treguar të pranishëve se jo vetëm nuk i kishte tradhëtuar idealet dhe veprën e tij, por me qetësimin e situatës do të vendoste cdo gjë në vendin e duhur. Përmbajtjen e bisedës së tij e kam treguar më parë dhe gjykoj se nuk është e nevojshe ta përsëris. Por ajo qe dua të theksoj, është se me një mendim të qartë, me sllogane komuniste, me fjali të shkurtëra, me fjalë angazhuese, me lëvdata për kuadrot e ushtrisë dhe vecanërisht të MM-së, e qetësoi situatën dhe e solli aty ku ai deshi. Situata e një grushti shteti nga ushtria ose shpërthimi i një lufte civile në Shqipëri, u eleminu pikërisht nga Ramiz Alia e nga ajo sallë e MM-së më datën 21 shkurt 1991.
Pas vitit 1974, unë e kam urryer me gjithë shpirt regjimin komunist në Shqipëri. Për Ramiz Alinë nuk kam patur asgjë simpati, por nuk e kam urryer sic urreja disa udhëheqës të tjerë të kupolës lartë komuniste. Por me ato që pashë në sallën e MM-së më 21 shkurt, me bisedën që bëmë në telefon me Shefin e Shtabit Përgjithshëm Halim Abazin më 22 shkurt për ndalimin e përdorimit të kloropikrinës (lende helmuese shqetesuese) kundër demostruesve në sheshin “Skenderbej”, me menaxhimin e situatave të pas shkurtit 1991,me llogjikë të ftohtë mund të pohoj se Ramiz Alia e ndaloi pucin ushtarak te vepronte dhe nuk lejoi zhvillimin e një luftën civile në Shqipëri. Shpresoj që edhe historianët të jenë në të njejtin mendim me mu, duke ja njohur këtë meritë Ramiz Alisë pavarsisht se nuk më lidh sagjë me atë as si person dhe as si funksionar i atij regjimi.
Përsa i përket të ashtu quajturit”Komiteti Ushtarak për shpëtimin Kombëtar” të krijuar nga drejtues, pedagogë, akademistë e student të shkollave ushtarake, mendoj se ishte një reagim i pjesës me konservative të Byrosë Politike. Ai ishte presion i hapur ndaj rrugës pluraliste dhe drejt për së drejti kundër Ramiz Alisë me veprimet e të cilit ata ishin shumë të pa kënaqur se po humbisnin gjithë previlegjet e regjimit të më parshëm. Ideatorët e këtij komiteti ishin njerëzit më të afërt të kastës siper përmendur. Ata nxorrën ne krye një oficer ( ish akademist ) ,person të cilin e kam njohur kur jepja mësim si pedagog i jashtëm në Akademinë e Mbrojtjes. Ai ishte një student i nivelit mbi mesatar, i sjellshëm, i etur për dije,por aspak një protagonist i përmasve per të realizuar kthesa të mëdha si ato të thëna në deklaratë. Mendoj se ai si person nuk kish asnjë lidhje me nomeklaturën e lartë komuniste ,pra ai ishte vetëm fasadë, ishte si figure, prapa të cilit fshiheshin beniaminët e Byrosë Politike.
Pas rezistencës së fortë të PD-së dhe të qytetarëve të Tiranës të cilët e mbushën Rrugën e Dibrës me pengesa të pa kalueshme,pas deklaratave të qytetarëve se vetëm kur të kaloni mbi trupat tona mund ta rivendosni munomentin e diktatorit në sheshin qëndror të Tiranës, pas zbutjes që i bëri Ramiz Alia situatës në MM, i ashtu quajturi Komitet i mbrojtjes Komëtare, u cfry si një tollumbace. Por ai i la historisë së Ushtrisë Shqiptare një njollë të shëmtuar, e cila do të përmendet gjithmonë në historinë e Shqipërisë.
Rrëzimin e munomentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës (një cerek shekulli më parë) më 20 shkurt 1991, që i bënte hije e karshillëk munomentit dhe sheshit Skenderbej, e kam përjetuar si vdekjen e dytë të diktatorit, si një ndjenjë që rrallë të takon ta përjetosh dy herë në jetë, si clirimin tim shpirtëror, të familjes, gjakut e gjinisëm time, si një shpëtim i shqiptarisë nga kolera komuniste.
Me këtë rast dua të t’ju shpreh mirënjohjen time personale studentëve, popullit të Tiranës e gjithë Shqipërisë, PD-së dhe udhëheqësve të saj,që e bënë një gjë të tillë.Në se fjala mirënjohje e përfaqëson në mënyrën më të plotë të mundëshme veprën e tyre , atëherë e gëzofshi atë nga zemra e një ish ushtaraku të lartë i Ushtrisë Shqiptare.