Kryengritja e Malësisë së Madhe në shtypin Amerikan
Nga Rafael Floqi-Michigan/
Lufta e popullit Shqiptar të Malësisë së Madhe, por dhe vuajtjet e tij kanë qenë objekt i pasqyrimit të shtypit amerikan, kur përveç gazetave të mëdha si “New York Times”, Boston Globe, paraqitja e gjendjes në Evropë dhe në Shqipëri në Vitet 1911-12 në shtypin Amerikan, kryesisht bëhej në rubrikat e ngjarjeve në botë dhe më shumë janë korrespondenca dhe kabllograme të marra nga shtypi britanik dhe evropian.
Kjo gjë rezulton dhe nga një humlumtim i im, në Librarinë e Kongresit ku gjeta mjaft artikuj edhe në gazeta lokale, pikërisht për ngjarje dhe aspekte të veçanta të kryengritjes të Malësisë së madhe për qendrimit e malësorëve tanë trima, ku veç pasqyrimit të qendrimit heroik të tyre pasqyrohen dhe intrigat e fuqive perëndimore si dhe të Knjaz Nikollës të Malit të Zi. Është interesantë se në artikujt për këtë ngjarje gjejmë jo vetëm në gazetat në anglisht, por edhe në gazeta ne gjuhët e komuniteteve si në italisht dhe gjermanisht.
Po sjellim më poshtë disa tituj dhe organin përkatës “General, on Turco -Mootenegrin Border. HOSPITALS ARE OVERFLOWING “The San Francisco Call. (San Francisco), August 06, 1911, “New Ulm review”. (New Ulm, Brown County, Minn.), October 16, 1912, TURKEY THREATENED BY TROOPS OF MONTENEGRO, Nicholas Prepares to Avenge Atrocities in Albania, “Bismarck daily tribune”. (Bismarck, [N.D.]) October 29, 1912, Turkish Supplies Cut Off, L’insurrezione in Albania, Malafede Turca
La Sentinella del West Virginia., June 03, 1911, etj.
I tillë është dhe artikulli në fjalë i përkthyer nga “ Evening star”. (Washington, D.C.)
i datës, 06 Gusht, 1911 marrë me kabllogram special nga “The Star”.
Pas shëprthimit të Kryengritjes së Malsësisë së madhe në mars, më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë Evropiane. Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, të Dedë Gjo Lulit në radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më 22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.
Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14 maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6 000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, – shkruante konsulli austriak në Shkodër, – duke i dëbuar rrebelët pllambë për pllambë”.
Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6 000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000 të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha, e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej në Guci.
Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës dhe Tuzit.
Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi të gjitha katundet që bënë qëndresë. Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë. Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të kalonin në Mal të Zi.
Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda 10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit, për të shlyer dëmet që u ishin bërë kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar të mirën e qetësinë e popullit. Por në shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan, sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre kombëtare. Pikërisht kjo situatë dhe mizoritë e pashës turk paraqiten në këtë artikull të “ Morning Star “.
“Vuajtjet e shqiptarëve përtej asaj që mund të besohet
Fajësohet gjenerali turk Turgut Shefqet Pasha përgjegjës për grabitje, vrasje dhe plaçkitje.
Evening star. (Washington, D.C.) 06 Gusht, 1911,
Kabllogram special nga “The Star”
LONDER, 5 Gusht. Vëzhguesit specialë të dërguar në rajonin e trazuar të Shqipërisë raportojnë për një situatë më të rëndë përtej asaj që besohej. Ata thonë, se nëse nuk do të ndërmerren veprime të menjëhershme nga disa kombe të krishtera, këta fise të fuqishme paqësore, shqiptarët e zgjuar punëtorë të zellshëm së shpejti do të do të asgjësohen.
Ata pohojnë se gratë dhe fëmijët po mbajnë barrën e mizorive turke, dhe ata paraqesin një vend të infektuar nga ethet, e mbushur me mizëri me ushtarësh turq të njohur për aftësitë e tyre për grabitje, vrasje dhe përdhosje e mizori të krahasueshme që s’janë dëgjuar qysh nga historitë e luftërave në Tokën e Shenjtë.
Veçanërisht ato paraqesin famëkeqin gjeneralin Turgut Shefqet Pasha, komandantin të trupave ndëshkuese turke, ku sipas raporteve thuhet “dhe pse Turqia ka prodhuar herë pas here gjeneralë të paskrupullt dhe të përgjakshëm, ajo kurrë nuk ka prodhuar edhe një njeri të tillë kaq djallëzor e mizor në aplikimin metodave të vjetra të luftës turke sesa Turgut Shefqet Pashën .” Ata thonë së ai është i mbështeteur nga qeveria turke, që është gjithnjë pas mizorive hakmarrëse të dëshmuar nga turqit në trajtimin e kundërshtarëve të tyre.
Një racë e zgjuar
Në mënyrë që të vlerësojmë rëndësinë e plotë të kësaj tragjedie historike, që është duke u luajtur në këndin juglindor të Europës, është e nevojshme që të kuptojnë se populli që Turgut Shefqet Pasah po shkatërron pa mëshirë, nuk zotëron asnjë nga cilësitë që u vishen turqve, ose të banditëve të operave komike me të cilat ata janë paraqitur zakonisht. Ata janë një pashëm, një racë inteligjente. Katolike nga feja dhe evropianë në thelb nga origjina. Edhe pse për shekuj me radhë kanë qenë nën sundimin brutal të turqve, ata kurrë nuk kanë adoptuar gjuhën turke apo kanë ndërruar fenë apo metodat e jetës së tyre të vjetër.
Lufta të cilën Turgut Shevket po ndërëmerr tani është është një mizori, një grumbullim metodash dhune (urie, tatimesh, plaçkitjesh, shkatërrimit me zjarr dhe një kasapane mizore).
Malësorët janë duke kërkuar që “premtimet e bëra, kurTurqit e Rinj morën pushtetin në Stanboll, duhet të përmbushen, ndërsa Turgut Shefqet Pasha po iu përgjigjet, duke djegur fshatrat e tyre, duke i larguar ata nga malet, duke iu marrë pronat e tyre në zonat malore, duke i detyruar ata të mbijetojnë gjatë verës së nxehtë, të sëmurë në zonat e ulëta malarike, ku delet dhe kafshët e tyre do të ngordhnin; dule u mbyllur të gjitha burimet e furnizimit me ushqime dhe duke i quajtur të gjithë ata që u japin ndihmë atyre atyre “rebelë”.
Të masakruar në male
Gati gjysma e fiseve malore e kanë traditë qysh nga kohërat e lashta të vijnë çdo vjeshtë me kopetë dhe familjet e tyre, në Bregun e Matës dhe të dimërojnë atje. Por në qershor mizëria e madhe e mushkonjave e kthen këtë vend fushor të pabanueshëm, dhe për këtë arsye ata në fillim të verës kthehen në kodrat e tyre. Turgut Shefqet Pasha, duke përfituar nga ky migrimit vjetor nuk ka mënuar t’i shfarosë të gjithë ata malësorë që kishin mbetur në kodra gjatë dimrit, dhe ata që nuk mund t’i kapte i dëboi përtej kufirit në Malin e Zi.
Herët në pranverë ai i zuri gjithë shtigjet e malit nga pritej kalonin barinjtë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, dhe nuk kanë pranuar t’i lënë ata të kthehen. Kështu këto fise janë të përqendruara tani në vendet e ulta malarike “Aty ku ata janë të detyruar të therrin kopetë e tyre, mbi të cilat varet ekzistenca, duke mbetur pa ushqimet e mjaftueshme në ulësirë, ku si njerëzit po ashtu dhe kafshët janë duke vdekur nga ethet e shkaktuara nga janë detyruar të pijnë ujin e ndyrë e të ndenjur të kenetave. Ibrahim Efendi Kjori, një zyrtar i lartë turk në Shkodër, ka deklaruar publikisht se qeveria osmane synon t’i shpopullojë këto kodra në mënyrë që të sjellë aty ardhacakë që kanë më shumë në simpati për qeverinë turke dhe fenë islame. I njëjti zyrtar turk shton me qetësi se qeveria ka ndërmend t’i lerë Malësorët ” të vdesin në Bregun e Matit si derrat në llucë”.
Turgut Shefqet Pasha duket se është pranë arritjes së këtij objektivi. Vetëm një veprim i bashkuar e popujve të krishterë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mund të ndalojë shfarosjen e mijëra krishterëve në veri të Shqipërisë.
E së njejtës kohë vjen raporti i gazetws tw komunitetit Italian “L’insurrezione in Albania, Malafede Turca “ La Sentinella del West Virginia”, 3 June 1911.
“Cettigne, 3 Qershor, Konsulli aktual i Turqisë në Podgoricë bëri shpërndarjen e shpalljes së Turgut Shefqet Pashës që i ftonte kryengritësit malësorë të dorëzonin armët brenda pesë ditëve. Kopje të shumta të kësaj shpalljeje iu dorëzuan nga konsulli guvernatorit- komandant të Podgoritës me lutjen që ato t’i dërgonin në kampin e kryengritësve dhe, që ai të përdorte ndikimin e vet për t’i nxitur rebelët të vepronin në përputhje me urdhrat e Turgut Pashës, duke iu premtuar atyre se nuk do të kishte asnjë sulm nga ana e ushtrisë perandorake para skadimit të afatit.
Edhe pse afati ishte i shkurtër, Guvernatori i Podgoricës e pranoi, mendueshëm, si një fqinj i mirë,(?!) misionin që ofroi konsulli dhe përdori zyrat dhe influencën e tij për t’i nxitur kryengritësit për të marrë në konsideratë apelin e Turgut Shefqet Pashës.
Përpjekje të tilla do të ishin pjesërisht të suksesshme, dhe ai besonte se me 15 Qershor një pjesë e madhe e kryengritësve do të dorëzonte armët në Tuz; por për habinë e të gjithëve, dhe të Qeverisë, dje, të dielën, mes oërs 4 dhe 5 të mëngjesit, ka ndodhur një sulm i ushtrisë turke të ushtrisë në të gjithë linjën e kufiriti, pavarësisht premtimeve dhe garancive të dhëna nga konsulli turk.
Lufta ishte e ashpër dhe zgjati një ditë të tërë. Ende nuk e dihet rezultati, por pabesia nga ana e konsullit turk dhe Shefqet Turgut Pashës, ka dëmtuar shumë projektet e paqes, dhe ka shkatërruar tashmë gjithçka ç’ka ishte efekti i shpalljes. Nga ana tjetër, sulmi i lidh duart gjeneralit Vouktiç, i cili komandon garnizonin në Podgoricë. Ky akt paprecedent ka prodhuar zemërim të gjerë në të gjithë vendin ».
Duke kujtuar Përvjetorin e 25-të të rivendosjes të marrëdhënieve SHBA – Shqipëri
11 MARS 1948-PUSHKATOHEN PRELATËT E KLERIT KATOLIK SHQIPTAR
Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto- 1946 KISHA E DHUNUEME DHE BURGU I KISHËS-(Fototeka Marubi)/
DOSJA 1302/II- A: “IMZOT FRANO PJETËR GJINI ME SHOKË…”/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■“Për me shkatrrue me kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkoder…”, me porosi të sllavokomunistëve jugosllav, të cilët udhzoheshin nga Moska stalinjane, nder të gjitha vendet e Europës Lindore u zbatue i njajti plan shkatrrimi si në Shqipninë e Veriut, ku në shumë Kisha Katolike, sigurimi i shtetit në vitin 1946, futi arka me armë e bombe per me akuzue Klerin Katolik se gjoja, “këto arka ishin mëshef nga drejtuesit e Kishës…”
■Plot 70 vjetë perpara, ky projekt i komunitëve jugosllavë u zbatue në Kishen e Fretenve të Shkodres. Ndersa në Kishen e Oroshit të Mirditës dhe tek Kisha e Rubikut, u zbatue nën drejtimin e xhelatëve të Petrit Dumes, që ishin ngarkue nga sigurimi i shtetit me porosi të vetë terroristëve Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu.
■Në Shkoder ishte zbatues Zoji Thëmeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Pjerin Kçira, Lin Çollaku, Nush Baba, Gjovalin Mazrreku… që, me datën 17 Nandor 1946, rreth orës 2 të mengjesit, futën armët në Kishen Françeskane të Gjuhadolit. (Dishmi e Zef Bardhokut). Ishin arrestue Provinçiali At Mati Prennushi, rektori At Çiprian Nika, dhe me daten 17 u pranguen të gjithë fretnit tjerë që ishin në Kuvendin e Gjuhadolit, i cili u kthye në burgun ma të mnershem të Shqipnisë komuniste, ku hetimet vazhduen me torturat ma shnjerzore deri në vitin 1948, derisa me 11 Mars t’ akuzuemit u ekzekutuene në Zallin e Kirit, pranë Varrezave të Rrëmajit… E edhe sot “vendi i ekzekutimit” nuk tregohet!
■Per armët e futuna nga sigurimi në Kishen e Oroshit Mirditës asht shkrue shumë pak! E pra, viktimat kanë fillue me Abatin e Mirditës Imzot Frano Gjini, e kanë vazhdue deri me 4 Prill 1986, kur vdiq në burg ordinari i Nderuem i Asaj Kishë Don Lec Sahatçija.
■Gjyqet u zhvilluen në Janarin e vitit 1948…
Tek Dosja 1302/II – A, asht edhe ky Proces – verbal i aprovuem nga E. Hoxha:
Republika Popullore e Shqipërisë V.F.L.P.
Gjykata Ushtarake Shkodër
Shkodër, më 12 mars 1948 Shkresë Nr. 64/III Prot.
GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE Tiranë
Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948: Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
- MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI, 2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe, 3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
- MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
- PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
- DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
- Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
***
■Po, në zyret e kësaj hetuesije, shka bahej mbi trupat e këtyne Martirëve Atdhetarë?!
PER KËTA MARTIRË DO TË FLASIN DËSHMITARËT BASHKVUEJTËS:
■Zonja Terezina Pali (Zorba), më tregonte si e kishin torturue për vdekje në Kishë At Mati Prennushin, kur gjironin filmin jugosllavët tek Elteri me armë në dorë. Mbasi e sollën në qeli e pashë se çalonte, e pyeta: “Çka të banë Padër Mati?” – Ai u përgjegj me za të ultë – mos pyet… por, për mos me i kënaqë këta qej, eja të këndojmë… dhe filloi Ai vetë i pari kangën “Në Shkodër tonë ka ra nji dritë”… Shpesh këndonte me za të ultë për mos me na lanë me u ligështue para torturave, Ai na epte zemër edhe né që aso kohe ishim shumë të reja e shpesh dëshproheshim shumë. Njëditë erdhi i lamë në gjak, se i kishte ra ballit Nesti Kopali… Ndersa, At Çiprian Nika ishte me të vërtetë si Shenjt, vazhdonte Terezina, vuente shumë prej kambëve se ia kishin djegë damarët me hekur të skuqun ndërsa çorapët iu ngjitëshin për mish nga plagët e peshgvës, kësi plagësh kishte edhe në shpinë, këmisha iu shkapte prej plagëve vetëm… kur e thërriste hetuesi, që ma shpesh e siellte pandjenja se me kambët e veta, megjithatë gjente forca me qëndrue … Forca e tyne ishin vetëm urata e lutjët e vazhdueshme…
■Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, Monsinjori u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një peme dhe ia dha Monsinjorit, që kishte mashumë se dy ditë pa pi ujë. I shkreti Monsinjor… piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, Ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë… mendueme se e mbytën, por jo, ishte i gjallë dhe i gjakosun fëtyrët, – E shihni? -Na pyeti Zoi, – kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!… Kur na çuan në dhomë Monsinjori tha vetëm kaq: ”Për hatër të Zotit!….” dhe fshani… Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ia lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i vinin gjithnjë.
Ndërsa, për Imzot Nikoll Dedën tregonte se nuk njifëj ma, ishte ba sa një fëmijë gjithë plagë, i moçatun fëtyre dhe i pazoti me ecë, kambët i kishte të qelbëzueme…
■Një bashkëvuejtës e kishte pyet njëherë, kur e gjet të shtrimë në dysheme: “Kush je ti?” – Ai ishte përgjegjë: – “Kam pas kenë Don Nikoll Deda”, me të vërtetë “s’ ishte ma Ai!” ■I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup, i tregonte një bashkëvuejtësi ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli, se një natë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; – janë ba ose jo mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Don Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës? – Cafi u ishte përgjegjë: – A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet, unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue, e thoni, se ke kenë edhe ti, e mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: “Ah, këta komunistat, janë derbedera! Nuk i njeh kush…” Në darkë i kishte hapë sportelin Fadil Kapisyzi dhe i kishte thanë: “Po ti Caf, na ishe kenë ba edhe avokati i Cin Serreqit, dije mirë se njëqind krena me pasë, një nuk të shpëton as ty, as atij, a more vesh?” dhe me të vërtetë e kishte mbajtë fjalën, tregonte bashkëvuejtësi, mbas pak ditësh u pushkatuen të dy…
■Një Zonjë (V. K.) tregon: “… Na rrahnin, na shanin me fjalët ku ishin ma të ndytat. Ishim të reja, 18 vjeçe, nuk i kishim ndigjue kurrë ato flligështina, na torturonin dhe mandej na çvishnin dhe vetëm ndër këmisha në pikën e dimnit, na hidhnin ndër dhomat e priftënve… por, Ata, menjëherë na mbulonin me pelerinat e tyne, e vetë mërdhitnin të shkretët gjithë natën. Kur na dilte gjumi i ndigjonim tue thanë uratë. Na u thonim: “Merre tash pelerinën dhe flej pak edhe ti, se nuk ke mbyllë sy gjithë natën!
– Jo, jo, vazhdo e flej ti, – na thonin Ata, – flej edhe pak se je e re, na jemi mësue e durojmë.” Porosia e tyne ishte: “Mundohuni me durue për hatër të Zotit!…”
■Z. Ragip Meta, atëherë, i dënuem me vdekje, tregon se ishte kenë në një dhomë me 25 vetë të dënuem me vdekje. “Kur hapej dera, u çonim në kambë ashtu si ishim të lidhun dhe donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjës dhe pagjumësisë”
■Zonja Drita Kosturi më tregonte, sësi e kishin lidhë në një shtyllë druni At Frano Kirin, e kishin nxjerrë në pishën e diellit në piskun e vapës në verë, të veshun trashë. Kur i kërkonte ujë ose me krye nëvojat përsonale, e lironin shtyllën e mbajtun me litar dhe i shkreti At Frano, përplasej me fëtyrë përtokë, gjakosej, humbiste ndjenjat, e lagnin me ujë dhe e ngjitnin prap shtyllën nalt. Disa ditë e kishte pa ajo vetë me sytë e saj …
■Zonja Ana Daja, tronditej kur shpjegonte sësi ka pa Don Anton Muzaj, në hollin e Kuvendit të zhytun deri në bel në një ujë të qelbun, të përzimë me pisllëkun e pusave të zezë, në të ftohtin e dimnit të Shkodrës, dhe kur e merrte kolli, skuqej ai vend nga gjaku që nxirrte përgoje… E torturonte, tregonte Ajo, i pashpirti Pjerin Kçira.
■Z. Tom Leci, pyet Hafiz Dërgutin se cila asht arësyeja që e torturonin aq shumë, Ai i përgjegjet: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça, e nesër me thanë se, u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani çka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
■Z. Viktore Kuka, tregonte sësi njëditë i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaçit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë Dulit. Elezi ia sjellë dhe Duli e pin atë ujë që mbas pak minutash i shkreti Dulo Kali rropatej në birucë nga tmeri, mbasi uji ishte kenë i krypun… Elezi tallej në korridor, “lype ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hu …”
■Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e burgut tregonte si kishte mjekue me duert e saja disa nga këta martirë. Ajo, fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa At Donatit, me që e dinin se asht i smurë me stomak i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet, për mos me kenë kurrë i qetë. Me shumë kujdes Dr. Federik Shiroka i bante injeksione qetësuese, po mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue ashtu si Monsinjor Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu, policët i thanë: “Doktor, mos harxho ilaçe kot, se për t’a pushkatuar kemi!”, – Ai u ishte përgjegjë: “Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija unë do të baj detyrën teme, ndër duert tueja, dini ju çka bani!”. Njeni nga xhelatët kishte murmuritë: “Hajt, hajt, se as ti nuk e ke të gjatë!..”
■Z. Loro Vata më tregonte se, në “Burgun e Kishës së Fretënve”, ka pasë njerëz që prej ditës së arrëstimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje të tjera e kampe, nuk janë la me ujë asnjëherë… se, ma, vendi i ushkurit të mbathjëve, apo vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave.
■Z. Ragip Meta më tregonte, sësi njëditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rinjë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut. Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” … Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah … Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë…”
■Z. Elez Troshani, thonte: “Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Monsinjor Gjinin dhe At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue, se nuk e kuptonin ku po i çojnë, a po i çonin në piknik, apo me u pushkatue. Biseda dhe humori i tyne të largonte frikën e vdekjes…mënyra sësi shpjegonin vdekjen Ata e bante të riun po, por dhe plakun mos me u tutë nga plumbi.”
■Dr. Papavrami, shpjegonte se, atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes sate!” – Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargoj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa … Ranë andej stomit … kur u afrova me vërtetuar vdekjën nuk mujta me vizituar asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri …asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. …..Atëherë, nuk dija me kuptuar si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm … Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor në vitin 1993, në Shkodër).
***
■Për “Lëvizjen e Postribës të 9 shtatorit 1946”, me 11 mars 1948 janë pushkatue:
- Imzot Frano Gjini, 2. At Mati Prennushi, 3. Don Nikoll Deda, 4. At Çiprian Nika,
- Cin Serreqi, 6. Dulo Kali, 7. Caf Dragusha, 8. Guljelm Suma, 9. Ing. Fahri Rusi,
- Murat Hysen Haxhija, 11. Bilbil Hajmi, 12. Pjetër Prendush Pali, 13. Gaspër Simon Gaspri, 14. Xhelal Hardolli, 15. Zef Kol Prela, 16. Rasim Gjyrezi…
E sa qinda të tjerë pa gjyq, që nuk figurojnë as në rregjistrin e të vramëve…
■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm heroik i këtyne Burrave të pastër, lyp drejtësi, paqë dhe shpagim, pa të cilat, Shqiptarët kurrë nuk kanë me mërrijtë në një Pajtim Kombëtar!
■HAPNI DOSJET E KRIMINELAVE!
■Mos harroni! Të gjitha këto vrasje e zhdukje Atdhetarësh per Enver Hoxhen e pasuesit e tij kriminelë ishin një siguri e perjetshme kolltuku, pushteti dhe grabitje e pasunisë së Shqipnisë së robnueme, që po vazhdon edhe sot!
*Pjesa e IV.Vazhdon Pjesa e V…
Melbourne, 10 Mars 2016.
SEVASTI QIRIAZI PIONERE E ÇLIRIMIT KOMBËTAR
Foto;Sevasti Qiriazi 1871-1949/
Shkruan:Eugen SHEHU/
Motrat dhe vëllezërit Qiriazi,të shquar aq shumë në rrafsh të mendimit përparimtar,kanë mbetur në kujtesën tonë si njerëz të mëdhenj,si kapedanë që u ngritën dhe luftuan për kombin e tyre,në stuhitë ballkanike të shekullit që shkoi,duke bërë ç’mos,që të vinin në jetë idetë e Rilindjes sonë kombëtare,në fakt,djemtë dhe vajzat e asaj familjeje të shquar shqiptare dijtën të zgjojnë vetëdijen tonë nacionale përmes çeljes së shkollave shqipe,përmes dritës së diturisë që përcuallën. I jati i këtyre misionareve të dritës,Dhimitër Qiriazi,ka jetuar shumë kohë në fshatin Tërnovë në rrethina të Manastirit.Kur ishte ende i ri ai u martua dhe nisi të merret me tregëti në Manastirin e asaj kohe,i cili në fakt po bëhej për nga pikëpamja gjeografike një qytet i rëndësisë së veçantë.Në veprën e tij „Kamus al alam“ të botuar në Stamboll më 1898,Sami Frashëri na bën me dije se në kryeqendrën e Vilajetit në Manastir,kishte një përzierje të çuditshme racash e kombësish.Më shumë se dy të tretat e popullsisë ishin myslimane e më pas vinin vlleh,grekë,sllavë,çifutë e turqë.Gjuha e qytetit ka qenë turqishtja por është folur edhe shqipja,vllahishtja,sllavishtja,greqishtja si edhe gjuha spanjolle. Ashtu siç dëshmojnë vetë fëmijët me kujtimet e tyre,prindërit Qiriazi,Dhimitër dhe Maria,ndonëse u kërkonin fëmijëve të tyre të mësonin sa më shumë gjuhë të huaja,në shtëpi në mënyrë kategorike lejonin të flitej vetëm shqipja gjuha e nënës.Në këto kushte,në shkurt të vitit 1870,lindi fëmija e gjashtë i Qiriazëve,vajza të cilën e quajtën Sevasti.Tepër energjike në fëmijërinë e vet,vajza çapkëne do të njihej në pothuaj krejt rrugët në Manastir.Ajo do të vazhdonte mësimet në një shkollë greke të qytetit dhe mësuesja e saj një zonjë me origjinë shqiptare,do të pëlqente tek nxënësja Sevasti,shpirtin e madh,këmbënguljen për të studiuar si edhe dëshirën për të kënduar në gjuhën shqipe.Pas mbarimit të shkollës greke,Sevasti Qiriazi i drejtohet shkollës së mesme amerikane të qytetit,falë edhe njohjes që familja e saj kishte asaj kohe me drejtorin e kësaj shkolle.Edhe këtu,ajo dallohet në përvetsimin e dijeve sidomos në lëndët shoqërore. Njëherazi,shkallë për te u bënë mësimet e gjuhës shqipe prej të vëllait Gjerasimit i cili pati grumbulluar rreth vehtes,në vitet 1884-1889 dhjetra djem shqiptarë për t’u mësuar atyre gjuhën,historinë,literaturën dhe traditat e vyera shqiptare.Duke hyrë pa paragjykime në këtë rreth djemsh Sevasti Qiriazi,ndërkohë merrte përsipër të luftonte mendësitë orientale në emër të krejt vajzave e grave shqiptare.
Ka qenë shtatori i vitit 1888 kur Sevasti Qiriazi,la vendlindjen,manastirin dhe iu drejtua Stambollit.Ajo kish fituar të drejtën që të vazhdonte studimet në kolegjin amerikan për vajza dhe që në fillim të shtatorit,i vuri në pozitë të vështirë pedagogët duke u kërkuar që të jepte provimet e vitit të parë dhe të hynte menjëherë në të dytin.Kolegji amerikan për vajza e aprovoi kërkesën dhe trupi pedagogjik e vlersoi masimalisht vajzën shqiptare.Por ata i çuditi më shumë fakti që kur e pyetën Sevastnë pse nxitohej të mbaronte shkollën , ajo iu përgjigj : „Dua të mbroj sa më parë,të marr një rrogë e të ndihmoj vëllan tim i cili kërkon të çele në Shqipëri një shkollë për vasha“(Arkivi Qendror i shtetit,Fondi S.Qiriazi,dosja 2 ,fleta 18 ).
E vërteta është se pasioni i Sevasti Qiriazit për studime,ra shpejt në sy të mësuesve të kolegjit amerikan për vajza të Stambollit.Ata shihnin tek vajza nga Manastiri edhe studiuesen e zellshme por edhe sportisten dhe aktivisten e dalluar e për më tej,shquanin tek ajo vajzë,krenarinë e të qenurit shqiptare.Në të njejtën kohë,e ndihmuar prej shoqërisë së gjërë të vëllait të saj Gjerasimit,Sevastia në Stamboll bie në kontakt me patriotë të shquar shqiptar si Nailm Frashëri,Mid’hat Frashëri,Shahin Kolonja etj.Sidoqoftë,medoj se do të mbetet një shembull trimërror e patriotik,takimi i Sevastisë në burgun famkeq të Jedi Kules,në Stamboll,me rilindësin shqiptar Koto Hoxhi,këtë pioner të përhapjes së shkollës shqipe nga trevat e shqipërisë jugore.Ngase në burg ishte tmerrësisht e ndaluar të hynin femra,Sevastia i preu flokët shkurt,u vesh si burrë shqiptar dhe iu paraqit drejtorit të burgut si i ardhur nga Shqipëria vetëm evetëm për ta takuar mësuesin e vet të dikurshëm.Kur drejtori i burgut e sheh insistimin e këtij „burri“ i jep leje atij të takohet.Ja sa bukur e vizaton me penën e saj,këtë takim,Sevasti Qiriazi ;
„Përshtypja që më bëri kur e pashë në minutën e parë qe ajo e një njeriut,të cilit i qenë shuar fuqitë e intelektit dhe pyeta vetveten;“A është e mundur që në këtë trup të mjerë të rrojë shpirti i Kotos,i prijësit të mth shqiptar ?“.
– Tungjatjeta,Baba Koto ! Guxova ta përshëndes më në fund.
– Kush po më flet ? Mos ndonjë zë nga qielli për të më zbutur zemrën e plagosur ? – tha me një tingull të dobët sa mezi u dëgjua.Ashtu siç ishte përgjysmë i vdekur,bëri përpjekje të madhe për t’u ngritur.U mbështet pas murit,me rroba të shkyera,me flok të pakrehur e me mjekër të ngatëruar që i arrinte gjer te gjoksi.
Lot të nxehtë më rrodhën nëpër faqe dhe i fola me zë të mbytur :
– I dashur at,kam ardhur të të them një fjalë ngushëllimi : Fara që mbolle po jep pemë të mira dhe shpirti yt rron në zemrën e popullit tënd.
-Vërtet ! Atëherë vetëm trupin ma paskan lidhur me hekura ; shpirtin e kam të lirë.E kam të lirë ,dhe asnjë torturë nuk më ndalon të thërres : Jo,Shqipëria nuk do të humbase !Shqiptarët shpejt do të bashkohen e do të bëhen të lirë e të lumtur !Po më thuaj,moj bijë,kush je ti dhe ç’të bëri të vish në këtë vend të nemur…?
Pastaj e pyeta për shkakun që e kish sjellë n’ate burg.Kotoja më tregoi historinë e hidhur dhe përfundoi :
-Sulltani deshi të më fale po me kusht që t’i rrëfenja emrat e gjithë patriotëve që punojnë sot për lirinë e Shqipërisë.Kundërshtova,ai me tha : „Koto,a s’e di ti qe koka jote është në dorën time ?-Po, madhëri- i thashë,e di këtë ; po di që nderin tim e kam une në dorë.Qe kjo përgjigje që më solli në këtë birucë.
Kapërceva lotët e syve të mij dhe e pyeta :
-Si ngjau,i dashur at,që pas tre vjetëve përpjekjesh heroike Lidhja e popullit e humbi luftën ?
– E humbi bija ime,se Turqia e ndan popullin tonë në mysliman e kristian ; politika e sulltanit është „Divide et imepera“.Ne nuk mund të bëhemi shtet i lirë po të mos e ndriçojmë popullin tonë dhe të gjithë t’i bëjmë të kuptojnë që,ndonëse kemi fe të ndryshme,prapseprapë jemi të gjithë shqiptarë.Ti,bija ime,do të bëhesh arsimtare.Arsimi është arma që do ta vrasë tiraninë dhe gëzohem që ke vendosur t’ia kushtosh jetën ndriçimit e lartësimit të motrave shqiptare. Pa dyshim,do të dalin përpara vështirësira që duken sikur nuk kapërcehen kurrë,po bëhu trime si shqiptarët e vërtetë dhe do t’i kapërcesh.Të gjitha sa vinë nën fuqinë e fjalës sate mbushi me idealet e larta të atdheut dhe udhëhiqi drejt vërtetës,se e vërteta është e vetmja gjë që mund ta bëjnë të math një popull“.(Arkivi qendror i shtetit,Tiranë,S.Qiriazi,dos.2,fl.17)
Më pas me ndërhyrjen e vetë Naim Frashërit,i cili punonte si nënpunës i arësimit në Stamboll,Sevasti Qiriazit,iu dha e drejta për çeljen e shkollës së vashave në Shqipëri.Ajo kthehet në Manastirin e saj të dashur,duke iu vënë punës menjëherë për çeljen e shkollës në fjalë.Por nuk kishte qenë aq e lehtë sa ç’e pat menduar Sevastia.Autoritetet osmane të vendit,të nxitur e përkrahur nga kleri ortodoks bullgar e grek,bënë ç’ishte e mundur për ta ndaluar këtë zjarr atdhedashurie që donte të ndizej.Për më tej,ata thurrën plane deri për zhdukjen fizike të Gjerasimit dhe Sevastisë.Meqë nuk mundën të realizonin dot skenarin e vrasjes së tyre,(Qiriazet kishin shumë miq e shokë besnik që i ruanin) kleri ortodoks grek dhe ai bullgar,u përpoqën që të shpifnin se gjoja shkolla e vashave që do të çelej në Korçë,kishte për qëllim t’i bënte shqiptarët protestant,duke i zhveshur ata nga feja myslimane apo ortodokse.Natyrisht kjo propagandë zuri vend,po të kemi parasysh jo vetëm prapambetjen e shqiptarëve në vitin 1891 por edhe armiqësinë e verbër fetare.Për hirë të së vërtetës duhet thënë se Sevastia dhe Gjerasimi,u ndihmuan me 4eljen e shkollës,prej shoqërive misionare angleze dhe amerikane,por këto misione,të vetmin qëllim të tyre,patën zgjimin e vetëdijes nacionale të shqiptarëve.Kjo u duk së tepërmi në programin që Sevasti Qiriazi bëri vetë për shkollën evashave,duke u përpjekur të fusë aty një frymë me të vërtetë të shëndoshë kombëtare.Burime të huaja historike,na bëjnë me dije për këtë.Kështu,konsulli austro hungarez në Manastir,njofton qeverinë e vet lidhur me problemin në fjalë se .“Megjithëse shoqëritë misionare angleze dhe amerikane,që e ndihmuan finaciarisht këtë shkollë,patën qëllim edhe për përhapjen e protestanizmit,shkolla e vashave,në saje të gjuhës dhe mësimit shqip,si edhe të erudicionit të Sevasti Qiriazit,i kthye në shkollë kombëtare dhe qëndroi kurdoherë përmbi frymën dhe dasitë fetare“.(Arkivi i Institutit të Historisë – Tiranë.Sipas dokumentave të Vjenës , dokumenti 47 ).
Ndonëse në fillim me pak vajza,kjo shkollë u çel në qytetin e Korçës,do të mbulohej dalëngadalë nga vashat shqiptare që duke shkelur mbi mentalitetin e mykur të kohës,vijuan të merrnin diturinë e t’i përhapnin ato.Falë miqësisë me patriotë të Stambollit,Sevastia siguroi disa tekste në gjuhën amtare me ç’rast çdo fjalë e shqiptuar aty,në ato banga,dilte vetëm nga gurra e gjuhës sonë të shenjtë.Përdorimi i gjuhës shqipe në bangat e kësaj shkolle,bëri që nxënësit aty,të përvetsonin lëndët me një shpejtësi të çuditshme krahasuar me shkollat e tjera,ku këto lëndë jepeshin në turqisht,greqisht,serbisht apo bullgarisht.Njëherazi,kjo vatër e dijeve merrte vlera të mëdha kombëtare,edhe për faktin se në bangat e saja,merrnin jetë idetë e fuqishme të Rilindjes sonë Kombëtare.Është interesante të sjellim ndërkaq,një pasazh të veprës së autoritetit anglez N.Braisford i cili pat vizituar Ballkanin në fillim të shekullit të kaluar.Duke vizituar shkollën e vashave të Korçës,të ngritur me aq mundim prej familjes Qiriazi,Broisford do të shkruante pos të tjerave ; „Në këtë shkollë,zhvillimi i ndjenjave nacionale dukej se bëhej në mënyrë të fshehtë.Në çdo rast,mund të mbërrinte aty shefi i policisë së Qarkut,duke tringëlluar prangat qysh në oborr dhe disa herë,një grua trimëreshë që jetonte e punonte aty,i kishte dalë trimërisht tek dera duke mos lejuar të zbatohej urdhëri i policisë për konfiskimin e librave“. ( N. Braisford “Macedonia ist Races and their future“ Londër 1906 ).
Ajo çka nuk duhet harruar kur flitet për Sevasti Qiriazin,është gjithashtu fakti që ajo,mundi të zhvillojë në qytetin e Korçës,Starovës madje edhe në Manastir,një propagandë të gjërë lidhur me emnacipimin e gruas shqiptare.Nëpërmjet shoqërisë „Ylli i Mëngjezit“ Sevastia ndikoi së tepërmi që gratë e këtyre trevave,të dilnin sa më shpejt prej kësaj bote të mykur që mbahej ende në këmbë prej Anadollit.Pmavarësisht se të kujt religjioni fetar,ishin,kur dëgjonin për motrat Qiriazi gratë shqiptare bashkoheshin për t’i dëgjuar e për të mësuar prej tyre.Një mbresë tjetër e pashlyer për Sevastinë,do të ishte thirrja e saj në Manastir,në kuvendin do të diskutohej e flitej për shkronjat dhe alfabetin shqip,midis delegatëve të Korçës.Sevastia do të ndihej si e barabartë ngase shkolla e saj tanimë ishte kthyer në fole të rritjes së ndjenjave kombëtare.Ajo do të pritej me shumë përzemërsi në Manstir dhe do të takohej e bisedonte gjatë me personalitete të kulturës shqiptare si Ndre Mjeda,Sotir Peci,Gjergj Fishta,Mid’hat Frashëri,Luigj Gurakuqi,Shain Kolonja etj.Gjatë qëndrimit në Kongresin e Manastirit,Sevastia ndenji në shtëpinë e vëllait të saj,Gjergjit e cila u vu plotësisht në shërbim të kongresit.Është pak të thuash se Sevastia përkrahu alfabetin latin në këtë kuvend.Në bisedat e saj të fshehta,në shtëpinë e vëllait,Gjergjit,ajo ishte njohur me idetë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,duke mbështetur fuqishëm veprimin dhe aksionin konkret.Nëse Sevasti Qiriazi nuk doli në presidiumin e Kongresit të Manstirit,nëse ajo nuk mbajti ligjërata me ate zërin e bukur dhe karakteristik,kjo lidhet me faktin se ajo u druhej turqve të rinj,të cilët disa herë kishin bërë plane t’i mbyllnin shkollën e saj të vashave.Ndaj Sevasti Qiriazi preferoi heshtjen dhe veprimtarinë ilegale,gjithsesi duke qenë plotësisht e orientuar në ngjarjet e mëdha që pasuan për Ballkanin dhe Shqipërinë e saj.
Në fillim të vitit 1908,duke parë se turqit e rinj po vononin në premtimet ndaj shqiptarëve,këta të fundit ndërmorën me nismën e tyre disa aksione,sidomos në rrafsh të gjuhës dhe shkollave shqipe.Klubet dhe shoqëritë patriotike që vepronin jo vetëm në vilajetet shqiptare por edhe në Sofje,Bukuresht,Itali,Egjypt,Amerikë,përkrahën pa rezerva idetë për përhapjen dhe zhvillimin e arësimit Kombëtar duke u nisur gjithmonë nga ideja e madhe që të fitonin pavarsinë ekonomike me pushkë e pendë.Ashtu siç ishte vendosur në Manstir,u thirr tani një tjetër Kongres i alfabetit në Elbasan ku do të vlersohej rruga e nisur,do të shiheshin pengesat dhe si mund të kapërceheshin ato.Edhe kësaj radhe Sevasti Qiriazi u zgjodh si delegate e Korçës dhe së bashku me miqtë e vet ajo iu drejtua Elbasanit, e hypur në kalë ngase Shqipëria e asaj kohe ende nuk ka pasur rrugë automobilistike.Ndonëse midis të pariturave të mëdha duke fjetur në hanet e vegjël shqiptare,Sevastia vetë do të mrekullohej prej pritjes që delegatëve të Korçës iu rezervua në Elbasan. Në kujtimet e saj për këto ngjarje do të shkruante më pas ;“Dyshoj nëse Qezari kur hyri në Romë,me gjithë lavdinë e fitoreve të tij,të ketë ndjerë kete gëzim që ndjemë ne delegatët,në këtë rast.Gëzimi ynë nuk vinte nga nderi që po na bëhej,por nga fakti se të gjithë ne shqiptarët,gëzoheshim për lirinë që kishim fituar në përdorimin e gjuhës sonë,në shkollat që patëm çelur.Ndjenim se porta e hekurt e injorancës ishte rrëzuar dhe tani në Shqipëri mund të hynte gëzimi dhe lumturia“. ( Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë . Fondi S. Qiriazi , dosja 9 , fleta 7 ).
Si e vetmja delegate grua,Sevasti Qiriazi u dëgjua me respekt të veçantë në të tetë ditët që zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit.Ajo ishte ndër nismëtarët e çeljes së shkollës Normale e cila do të përgadiste mësues duke i dhënë kështu një shtytje më të madhe zhvillimit të arësimit kombëtar.Gjithashtu ajo propozoi që të ishte Klubi i Manstirit ai që do të financonte shkollën Normale të Elabasnit,ku do të pregaditeshin mësues nga të katër vilajetet shqiptare.Sevasti Qiriazi vetëm disa ditë pas fillimit të kësaj shkolle,dërgoi aty dhjetar tekste falas duke ua dedikuar mësuesve atdhetare shqiptare.Dihet tanimë se për të luftuar drejtëpërsëdrejti lëvizjen tonë kombëtare turqit e rinj,u pëpoqën me njëmijë e një mënyrë që të fusnin alfabetin arab në themel të gjuhës shqipe.Madje ata arritën deri aty sa të lëshonin „mallkime“ ndaj atyre atdhetarëve që propagandonin e përhapnin alfabetin latin.Kundër mizorive turke u ngritën pikërisht atdhetarët shqiptarë të cilët e dinin se me çfarë mjetesh duhej fituar pavarsia e atdheut të tyre.
Në pranverën e vitit 1909,Sevasti Qiriazi shkon në Korçë dhe fillon nga puna për organizimin e një tubimi sa më madhështorë për t’i treguar Stambollit dhe krejt Evropës që germat e alfabetit shqiptar ishin ato latine,ngase vendi i bashkëatdhetarëve të saj ka qenë Perëndimi i Evropës dhe jo stepat aziatike.Me ndihmën e patriotëve të shquar të Korçës si Ilo Cilka,Mihail Grameno,Sali Butka,Qamil Panoriti,Shahin Kolonja,por edhe të shoqërisë „Vatra“ të Amerikës,Sevasti Qiriazi mundi të shtojë radhët jo vetëm të shkollës së saj,por të shtype edhe disa tekste të reja shkollore me alfabetin e provuar në Manstir.Tekstet e saj,u muarën fshehtas nga patriotët dhe u shpërndanë në krejt viset shqiptare,nga Janina në Shkup nga Mitrovica në Shkodër.Po me nismën e Sevastisë,në dhjetorin e vitit 1909,u organizua në qytetin e Korçës një tubim i paparë ndonjëherë.Rreth 15 mijë vetë të tubuar në qytet mbushën sheshet dhe rrugët duke kërkuar tër mos pengohej arësimi kombëtar shqiptar.Disa ditë përpara këtij tubimi,vetë Sevasti Qiriazi shkroi ato vargje të mrekullueshme për shkronjat shqipe të cilët I këndojnë edhe sot shqiptarët,kudo ku ato janë.Pasi shkroi vargjet,ajo ia dha ato orkestrës frymore të qytetit dhe kënga u kompozua Brenda pak ditësh.Në ditën e tubimit,orkestra frymore shpërndante melodinë,ndërsa qindra e mijëra qytetarë,në kor këndonin ato vargje të mrekullueshme për shkronjat shqipe.Ashtu sikundër edhe pritej tubimi i Korçës shkatoi një pështjellim të madh.Konsuj të shumtë të Manastirit,bënin me dije qeveritë e tyre se “kënga e korit për germat shqipe,u ndie deri në Manastir”.Mjaft nxënës shqiptarë që vazhdonin të merrnin mësime në gjuhën turke i bojkotuan shkollat dhe shprehnin gadishmërinë e tyre për të vazhduar mësimet vetëm në gjuhën shqipe.Po kështu,pati largime masive edhe nga shkollat greke,shtypi shqiptar lidhur me këtë,pos të tjerave do të shprehej ;
“Vajzat bojkotuan shkollën greke dhe kaluan në shkollën shqipe të vashave në Korçë, e cila është e mbushur plot e përplot”.(Gazeta “Shqypja e Shqypnijes” 2 shkurt 1910,Sofje).
Ndërsa një tjetër gazetë,do të shkruante tekstualisht ; “Kombi kurrë s’ka për të harruar shërbimet e zonjës Sevasti Qiriazi dhe shoqeve të saj,të cilat punuan pa rreshtur e me vullnet të madh dhe që dëshirojnë që shkola të madhohet e të përparonjë lart e më lart”.(Gazeta “Liria” – Selanik, 19 qershor 1910 ).
Rrebeshe të tjera provoi mbi supet e saj,(ashtu sikundër provuan krejt atdhetarët shqiptarë) Sevasti Qiriazi, në vjeshtën e vitit 1912.Ndonëse Porta e Lartë ra përfundimisht,ndonëse një grusht burrash të shquar me në krye Ismail Qemal Vlorën ngritën flamurin e lashtë arbëror, Korça,Starova,Kolonja e Gjirokastra ishin pushtuar nga flakët e lutërave të nxitura nga grekët.Andartët grek,ishin të parët që kontrolluan gjendjen në Korçë dhe vranë disa prej mësuesve shqiptarë,rrafshuan teqetë e famshme të Kolonjës e Korçës duke lënë në rrënojat e tyre,kufomat e djegura,të dervishëve dhe baballarëve,të xhamive,hoxhave dhe imamëve.Ata e rrethuan disa herë edhe shkollën e vashave por mbrenda mureve të saj,Sevastia mbante edhe një grup shqiptarësh të armatosur.Për më tej,çetat e Sali Butkës dhe Cerçiz Topullit,patën lajmëruar priftërinjtë grek se “nëse andartët do të futeshin në shkollën evashave,atëherë flakët e zjarrit do të shkonin deri në Selanik”.Ndonëse mësimit vazhdonin fhsehurazi,Sevastia u jepte zemër mësuesve dhe nxënësve të saj,duke u folur për ditë më të bardha që do të vinin paskëtej.Anipse në flakët e këtij terrori helen,Sevasti Qiriazi,u pëpoq të hidhte dritë mbi ngjarjet fatkeq për kombin shqiptar.Ajo shfrytëzoi vizitën e Edit Durhamit,në Korçë në pranverën e vitit 1913 dhe ftoi ate të hynte në shkollën e vashave.Falë intelegjencës dhe asaj anglihsteje të kulluar,Sevastia e vuri në dijeni miken e madhe të shqiptarëve,Durhamin,me të gjitha llojet e politikave të ndyra që grekët donin të rrëmbenin korçën.Madje ajo shoqëroi Durhamin në disa shtëpi ku patën trokitur priftërinj grekë për t’u marrë me dhunë korçarëve firmat,për gjoja bashkimin e tyre me Greqinë.Gjithashtu Sevastia me anën e të vëllait të saj Gjergjit,Shahin Kolonjës dhe atdhetarëve të tjerë,përgaditi edhe një dosje të plotë me dokumente që bënin fjalë për masakrat greke në jugun e Shqipërisë.Këto dokumente autentike,Durhami i dërgoi në dhomenë lordëve në atdheun e saj,Angli,duke dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në çështjen shqiptare.Është kjo arsyeja që disa vite më pas,në një letër prej Durhamit që i dërgonte Sevasti Qiriazit,midis të tjerave i shkruante : “”Është kryesisht ndihma juaj dhe e miqve tuaj,që une u interesova për fatin e shqiptarëve në ato treva… Gjatë këtyre viteve,une kam dedikuar shumë punë dhe mendime për kauzën tuaj”. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi S. Qiriazi dosja 10 , fleta 19 ).
Qershor i vitit 1914 do të ishte tejet i trishtueshëm për korçarët por sidomos për vashat që mbushnin bangat e shkollës së Sevastisë.Asnjë ceremoni s’pati për to,asnjë këngë e valle.Vetëm andartët grek që e mbanin shkollën të rrethuar dhe nuk hynin dot aty pse u tremebshin luftëtarëve shqiptarë.Me largimin e vashave,donte të largohej edhe Sevastia,por një letër e komandës ushtarake greke e ndalonte ate të dilte nga shkolla.Pra ajo ishte e “burgosur” pa gjyq.Përballë kësaj gjendjeje,ishin disa atdhetarë shqiptarë të cilët organizuan arratisjen e Sevastisë nga shkolla e vashave ku rrinte e mbyllur.Mbi dyqind luftëtarë shqiptarë,hynë në mesnatën e 12 korrikut në Korçë.Fshehurazi,ata vranë disa andartë pranë shkollës dhe të gatshëm për të filluar aty luftën e nxuarën Sevastinë nga shkolla dhe e çuan në Mnastir.Edhe ngjarjet që pasuan në Shqipëri me ardhjen e Princ Vidit,nuk suallën shpresa të mëdha tek sevastia.Andartët grek,të detyruar prej Fuqive të mëdha,largoheshin nga Korça e Kolonja jo shumë larg qyteteve.Sapo informoheshin se misionet e huaja ishin larguar për në Tiranë,ata dyndeshin duke vrarë e djegur çdo shqiptar që ishte mysliman,pa kursyer kuptohet as të krishterët patriotë.Ndërsa ndiqte ngjarjet me trishtim nga Manastiri,në kujtimet e veta,Sevasti Qiriazi shkruante.”U takova këto ditë me konsullin anglez të Manastirit,zotin Greg.Jo pa shqetsim,ai më tregoi listën e personave që do të egzekutoheshin nga andartët grek.Në këtë listë une isha e treta… “(Arkivi Qendror i shtetit,Fondi S.Qiriazi,dos.2 fl.67).
Në fund të vitit 1914,Sevastia së bashku me motrën e vet Parshaqevin si edhe burrin Kristo Dakon,udhëton për në Amerikë.Aty,veprimtaria e saj do të ishte politike dhe publicistike.Revista “Ylli i Mëngjezit” e botuar prej saj u shëndrua në një tribunë të mendimit të përparuar shqiptar si në rrafsh të zhvillimeve politike,ashtu edhe sa i përket ndërgjegjsimit të shqiptarëve për shkollën dhe gjuhën kombëtare të tyre.Veçanërisht këtë të fundit,shkollën e vashave,Sevasti Qiriazi u pëpoq ta spjegojë qartë në shkrimet e veta,duke zbuluar deri në një qëllimet dhe veprimet e kishës dhe andartëve greke.Një veprimtari e dendur politike në vitet 1915-1920,do të tregonte vlerat e mëdha të bijës së Manstirit.Tshmë,ajo mban lidhje të ngushta me Ismail Qemalin,Mehmet Konicën,Mehdi Frashërin,si edhe personalitete të tjera evropiane,duke mos munguar asnjëherë të thotë fjalën e vetë të matur përmes një mendimi të thellë.Në prag të vitit 1918,duke parë turbullirat ballkanike,si edhe gjendjen tejet të vështirë në Shqipëri,Sevastia i drejtohet me një manifest të veçantë,ambasadorëve të Evropës në Amerikë.duke u bërë të qartë atyre se shqiptarët,pamvarësisht prej qeverive,do të luftonin me armë në dorë për të kërkuar të drejtat e tyre.Një kopje të këtij manifesti,ajo ia ka dërguar edhe mikes së ngushtë të Shqipërisë,Edit Durhamit,në Angli,me qëllim që edhe kjo ta publikonte mendimin intelektual të shqiptareve.Në përgjigjen që Durhami i dërgonte kohë më pas,lidhur me këtë maniofest i shkruante : “Sapo lexova manifestin tënd.jam shumë e emocionuar për gjithë çka kini shkruar… kam porositur të shtypen 100 kopje prej tij dhe do t’i dërgoi tek ata persona që do të mund të binden që të konsiderojnë çështjen në mënyrë të favorshme.Në tërësi manifesti është shumë i mirë dhe në fakt ai dukej”.( Arkivi Qendror i shtetit , Tiranë – Sevasti Qiriazi , dosja 10 , fleta 24 ).Ngase mbante korrespondecë të shumtë me atdhetarët shqiptarë,ngase ndiqte me vëmendje krejt lëvizjet dinake diplomatike të fqinjëve tanë,Sevasti Qiriazi mundi të parashihte rrezikun italian pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore.Ajo i ka dërguar disa letra edhe ambasadorit italian në Amerikë por përgjigjet e tij kan qenë tejet dinake.Këtë parashihte sigurishtë edhe plaku Ismail Qemali,kur i ka shkruar Sevasti Qiriazit pos të tjerave ; “Koha erdhi dhe shkon,për të kërkuar të drejtat e Shqipërisë.Sot është dita e fundit për Shqipërinë,do të ngjallim apo do të vdesim”. (Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi Ismail Qemali,dosja 1 , fleta 4 ).
Pas luftës së parë botërore,Fuqitë e Mëdha po përhapnin çdo ditë e më shumë , opinjonin se “shqiptarët nuk qeverisin dot”,ndaj patën vendosur që edhe ato troje të mbetura shqiptare,të vireshin në protektoratin italian.Edhe kësaj radhe,puna e Sevasti Qiriazit ishte kolosale.Ajo dërgoi me dhjetar letar,memorandume e peticione,perasonaliteteve evropiane dhe amerikane,madje protestoi fort me zërin e saj,edhe në konferencën e Paqës në Paris. Kongresi i Lushnjës i vitit 1920,do të ishte një ogur i bardhë për motrat Qiriazi,ashtu sikundër për gjith shqiptarët.Qeveria e dalë nga ky kongres,duke ditur meritat e kësaj familjeje,si edhe për t’i dhënë një shtytje zhvillimit të politikave arsimore në shtetin amë,iu përgjigj pozitivisht Sevastisë për çeljen në Tiranë të Institutit “Kyrias” të organizuar e drejtuar nga dy motrat.Ato iu përveshën një ndërmarrjeje të vështirë por sidoqoftë tejet të vlefshme.Brenda pak muajve,falë ndihmesës së qeversisë shqiptare,ato mundën të çelin Institutin në fjalë. Në fjalën përshëndetëse të Sevasti Qiriazit,drejtoreshës së këtij instituti privat,me orientim plotësisht amerikan,pos të tjerave do të thuhej ; “Më pëlqen të besoj,se ju vajzat e reja,që kini ardhur këtu të vazhdoni mësimet,në këtë institut,do të përpiqeni me dëshirë të plotë dhe me vullnet të patundur,të përmbushni pjesën e detyrës suaj,për të mbajtur me nder mbi krye,kurorën e ndriçuar të kësaj shkolle që është fituar me kaq mundime e therori në kohën e tiranisë”.
( Gazeta “Shqiptari i Amerikës “ – Korçë , më 7 korrik 1923 ).
Më pas në vitet që erdhën,Instituti “Kyrias” u rrit,si në pikëpamje të nxënësve,ashtu edhe në godina.E vërteta është se kabinetet qeveritare në kohën e monarkisë,u përkujdesën që ky institut të kontribonte sa më shumë në zhvillimin e arësimit,me motrat Qiriazi,kanë qenë kurdoherë të sinqerta dhe ndonëse disa herë ato u thirrën të jenë në këtë dikaster,Sevastia dhe Parashqevi,parapëlqyen vetëm profesionin fisnik të mësueses.Pas pushtimit të Shqipërisë prej fashizmit Italian,instituti “Kyrias” u sulmua ashpër nga propaganda italofile.Sidoqoftë falë motrave Qiriazi,si edhe ndihmës së paçmuar të nacionalistëve shqiptarë,shkolla mundi të mbijetojë.Paradoksi i madh është se ajo u mbyll në vitin 1944 dhe pas ardhejs në fuqi të komunistëve nuk u çel më.
Sevasti Qiriazi,ajo grua fisnike që qeli dhe mbrojti me shpirt të parën shkollë të vashave,nuk u thirr as në zyrën e thjeshtë të një nënpunësi të shkollave të Tiranës.Sipas udhëzimeve të komunistëve,mjediset dhe mjetet e institutit u konfiskuan ndërsa Sevastinë e shihnin si një agjente amerikane.Ajo mbyll sytë e trishtuar në Tiranë,në gushtin e vitit 1949 dhe në varrin e kësaj gruaje që pat dhënë aq shumë për kombin e vet,u lejuan të merrnin pjesë vetëm dy gra.Kështu godiste komunizmi,shpirtin e nacionalistit shqiptar,kulturën dhe dinjitetin e vet shekullor.
Bern-Zvicër
- « Previous Page
- 1
- …
- 458
- 459
- 460
- 461
- 462
- …
- 709
- Next Page »