• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAMILJA E HOTIT SHUAR PËR ATDHE

January 13, 2016 by dgreca

Dedë Gjo Luli, Nik Gjelosh Luli, Gjergj Dedë Gjo Luli, Kol Dedë Gjo Luli,
Luc Nishi, Pal Luc Nishi, Gjelosh Luli.

Nga KOLEC TRABOINI/
Nga largësia e një shekulli emri e vepra e Dedë Gjo Lulit shfaqet akoma më madhështore. Me një figurë të tillë në histori krejt ngjashëm të krijohet imazhi i largimit prej një mali. Kur je afër nuk mbërrin me e pa të gjithin, por duke u larguar në hapësirë mali të shfaqet me tërë madhështinë e vet. Koha prej njëqind vjetësh ka qenë një gur prove për shumë figura historike, për mirë apo për keq. Disa lartësohen gjithnjë e më shumë dhe vepra e tyre merr vlerë të jashtëzakonshme për ekzistencën e shtetit shqiptar, mjafton të përmendim Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, Dedë Gjo Lulin, Isa Buletinin e plot të tjerë. Disa prej këtyre burrave të kombit iu pre jeta në mes, e disa edhe e mbyllën përgjithmonë derën e shtëpisë së vet.
Dedë Gjo Luli i Traboinit të Hotit ishte nga fisi Gozdjen ku përfshihen(Dedvukajt, Nicajt , Gjelajt dhe Camajt), që ishte në vllazni me Gojçajt dhe Dushajt. Ishin tre vëllezër pra bijtë e Geg Lazër Keqa Prekës, e prej këtij të fundit burojnë tërë familjet e Hotit. Dedë Gjo Luli ka lindur në Bardhaj të Traboinit në vitin 1840 dhe ishte vojvoda i Traboinit, por për shkak të urtësisë së tij, fjala e tij peshonte në 500 shtëpitë e Hotit dhe dëgjohej me urti edhe nga bajraktari Mul Delia. Dedë Gjoni kishte marrë pjesë në shumë luftëra, por pesha më e madhe mbi supet e tij ra në kryengritjen e vitit 1911, kur ai ishte në moshën 71-vjeçare. Barrë tepër e rëndë për një burrë në moshë kaq të madhe, por ai e përballoi si të ishte në rininë e tij.
E paimagjinueshme se ai me disa familje të Hotit, ma së shumti të fisit të vet Dedvukaj, por edhe Gojçaj e Dushaj, do të lëshonte Hotin e do të kalonte kufirin në Mal të Zi për t’u përgatitur për një kryengritje të madhe, kur i kishte apo s’i kishte pesëdhjetë pushkë. E megjithatë ia nisi një lufte që për çdo mendje të kthjelltë apo profesionale ushtarake do të ishte llogaritur humbëse. Por Dedë Gjo Luli nuk i bënte hesapet me pushkë e fishekë, apo plane shtabesh ushtarake, por me djem e burra të malësisë, duke i armatosur edhe me kmesa, se pushkët ia marrin armikut në luftë.
“New York Times” duke ju referuar “International Herald Tribune” botonte këtë lajm në pranverë 1911: “Nga Shkodra, sot më 30 mars, njoftohemi se Valiu ka deklaruar se Tuzi po e përballon tani për tani mundësinë e sulmeve të më se 5,000 deri në 6,000 shqiptarëve. Pozita e tij megjithatë është e dëshpëruar. Lajmi i shpërthimit të lëvizjes duket se kanë sjellë një situatë të ngjashme me panik në qytetin e Shkodrës, sepse garnizoni (turk) është i dobësuar për shkak të ekspeditës në jug të qytetit, në Lezhë. Valiu bëri thirrje për vullnetarë nëpërmjet kasnecëve në qytet, të cilët krijuan një ndjesi se ishte duke u shpallur një luftë fetare ose luftë e shenjtë kundër shqiptarëve të krishterë.”
Çfarë nuk përdorën pushtuesit otomanë për të përçarë popullin shqiptar e për të izoluar malësorët kryengritës. Arritën të mashtrojnë shumë djem myslimanë shqiptarë të cilët u nisën kundër kryengritësve, por u shpartalluan e u kapën të gjallë me të zbritur në breg të Liqenit dhe u çarmatosën. I kthyen mbrapsht në qytet me varka përmes liqenit pa u dëmtuar, por të turpëruar, me porosinë se duhej të luftonin për atdheun e jo për pushtuesin. Ishte një akt i pashembullt që fitoi simpatinë e gjithë qytetarëve të Shkodrës pavarësisht çfarë feje i përkisnin.
Po bëjmë luftë për kombin. Nuk e derdhim gjakun tonë. – ishte fjala e mençur e kuptimplotë e trimit të maleve Dedë Gjo Luli. Jo vetëm në trimëri, por edhe në fushën morale kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli qëndronin shumë lart. Këtu kuptohen sakrificat e ndërgjegjshme të luftëtarëve malësorë që dëshironin që lufta të mos ish vetëm e tyre por e mbarë shqiptarisë.
Malësorët as donin t’ia dinin për kërcënimet e forcave perandorake që dyndeshin si stuhi e zezë nga Stambolli. Më mirë të vdisnin se sa të vazhdonin të jetonin nën shtypje e nën robëri. Ndjesia e sakrificës ishte e madhe. Jetën e vet askush nuk e vinte në peshore përpara qëllimit të lartë. Të luftoje për liri ishte një nder për çdo malësor kryengritës. Të vriteshe për Atdhe ishte lavdi. Të tilla ngjarje nuk përsëriten shumë herë në histori.
Një përkushtim ky i jashtëzakonshëm në ideal të lirisë, një sakrificë deri në kufijtë e të paimagjinueshmes. Tipike ka qenë biseda e nënës së Luigj Gurakuqit me djalin e vet. Po një nuse, more bir se koha po të ikën, – i tha nëna. Luigj Gurakuqi iu përgjigj: “E kam marrë nusen teme, moj nanë, nusen ma të bukur që mund të gjendet e ajo është Shqypnija”. Ajo çfarë na vë në mendime në këto kohëra të turbullta, është se këta burra të kombit i kishin vënë interesat e Atdheut mbi të gjitha interesat e tjera, madje edhe jetën e shkrinë për Atdhe. E kështu në sakrificë sublime fati tragjik e deshi të shuhen shumë familje shqiptare. Ndër familjet shqiptare të Malësisë së Hotit, më tipikja në histori deri në kufijtë e mitit është familja e Dedë Gjo Lulit, që me bijtë e me kushërinj u shua e gjitha për Atdhe.
DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1915
Vrasja e Dedë Gjo Lulit është trajtuar aq shumë sa mund të krijosh libra të pafund me rrëfime që thonë të kundërta sipas qëllimeve dhe orekseve që kanë njerëzit që i pëlqejnë histori të tilla duke i veshur me konspiracione provincialësh. Kemi pasur luftëtarë të mëdhenj në histori, por duhet pranuar se kemi edhe përrallëtarë të mëdhenj. Dedë Gjo Luli e ka shkruar historinë e vet. E dinte rrugën që kishte nisur që në moshën 20-vjeçare kur shkoi të luftonte në Urën e Rrzhanicës. Që atë kohë e deri sa mbylli sytë përjetë, ai nuk reshti së luftuari për trojet e lirinë e vet e të bashkatdhetarëve të vet, sa fjalët që tha për të kur e priti në derë Ismail Qemali janë lapidare. “Dedë Gjo Luli, pushkë e ngrehun për Shqipërinë.” Dedë Gjo Luli e dinte mirëfilli çfarë po bënte kur mori familjet e Hotit dhe doli në Podgoricë, prej ku nisi organizimin e burrave të Hotit, por edhe në lidhje me tërë Malësinë e Madhe për të shporrur halldupin nga trojet shqiptare. Dedë Gjo Luli e dinte se fuqia e tij ishte e vogël, se edhe jetën nuk e kishte të gjatë, ishte shtatëdhjetë e një vjeç, por ai dinte gjithashtu se të luftosh edhe një ditë për vendin e Atdheun tënd është si të kesh lindur. Prandaj i thoshin në Malësi fjalët madhështore për atë që binte në luftë: “E bëri dekën si me le”. Në të vërtetë Dedë Gjo Luli ashtu e bëri dekën e vet. Ai nuk e donte çastin e fundit ta kishte në shtrat. Vdekjen e mendonte. Ndaj e shkroi testamentin e vet në Kallmet të Lezhës, më 24 qershor 1915. Tokë e mall e çka kishte në Bardhaj të Traboinit të Hotit ia linte Pretë Diloshes, së shoqes dhe të resë Nore Kola, gruas së të birit Kolës. Dedë Gjo Luli vuri vulën, Kola, i biri, vuri gishtin me bojë, po ashtu bëri edhe dëshmitari Lek Prel Martini.
Më pas u strehuan në shtëpinë e Kol Tomës së Velës, ku nuk ndenji shumë se forcat esadiste ishin aty rrotull. Ndaj mori rrugën për në veri. Kishte pleqëruar mendimin për të kaluar në Malësi të Madhe. I rëndë ky udhëtim përmes malesh për një burrë shtatëdhjetë e pesë vjeç. Ishin kohë të vështira për Shqipërinë. Shtetet ballkanike kërkonin ricopëtimin e tokave shqiptare, sikur të mos mjaftonte hanxhari i vitit të tmerrshëm 1913, kur edhe trojet e Dedë Gjo Lulit e hotjanëve të tjerë që luftuan e mundën një perandori, mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe bënë një luftë aq të madhe, aq heroike, bënë një luftë që gazetarët amerikanë e përshkruanin në New York Times në 1911 si “Termopilet shqiptare”, për të mbetur pa troje.
Mbërrin në Spaç, por atje një korrier i dërguar nga Kol Toma i Velës i dorëzon një letër dërguar nga kapedan Marka Gjoni që e ftonte për një kuvend për punët e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli kthen rrugë e niset për tek Kisha e Oroshit ku do të mbahej kuvendi. Të tjerat dihen. Forcat serbe kishin pushtuar Oroshin dhe me ta ishin forcat e Esat Pashë Toptanit, kryetradhtarit të Shqipërisë. Tre emrat që duhen përmendur për masakrën në Sheshëz të Oroshit janë Kapiten Gjura i Serbisë, Sheh Hamdiu dhe Ali Fehmiu, esadistë, bashkëpunëtorë të pushtuesve. Këta dy të fundit ndërsa morën me vete Kolë Tomën dhe Preng Mark Prengën e të tjerët, Dedë Gjo Lulin ua lanë në dorë serbëve, të cilët e morën të lidhur për në vendkomandën e tyre në Nënshejt, por rrugës e ekzekutuan.
Është shkruar për Dedë Gjo Lulin e do të vazhdojë të shkruhet, sepse atij populli i ka kënduar dhe e ka ngritur në lartësinë e një miti. Por jo nga ato mite që i sajojnë agjenturat e shteteve apo veglat qorre të qeverive me qëllime të caktuara. Ai ishte një mit real, tokësor, gjithçka që përshkruhet për të është tokësore. Ai nuk kishte shkuar në asnjë shkollë ushtarake e megjithatë mundi gjeneralët që perandoria otomane i kish dërguar në shkollat më të mira ushtarake në botë. Suksesi i tij nuk qëndronte tek planet ushtarake, tek llogaritë, por thjesht tek prakticiteti. Rrethohej nga njerëz besnikë të cilët nuk kishin asnjë rrugë tjetër veç luftës dhe që kishin krenarinë që të vriteshe për Atdheun është përjetësi. Shumë gjëra kanë ndryshuar në një shekull shqiptar, por ajo çfarë bënë malësorët me Dedë Gjo Lulin mbetet në analet e historisë si akti më i pashembullt i vendosmërisë së shqiptarëve për ta fituar lirinë pas pesëqind vjetëve robëri. Dedë Gjo Luli mbeti burri i panjollë, njeriu me ndërgjegje kristal, njeriu i besës, i burrërisë, i cilësive më të mira të shqiptarit që tashmë reliket kombëtare me të cilat i mburremi sadopak botës.
Fundi i Dedë Gjo Lulit si fundi i një tragjedie të madhe. Me vrasjen e Dedë Gjo Lulit, Hotit iu shua ai mit i madh i ngritur në disa shekuj për të cilët populli kishte thënë fjalë që mbetën në histori e kalonin gojë më gojë: “Bafti i Zotit, pushka e Hotit”, legjendë që kish nisur kush e di sa shekuj më parë, kur dikush vrau një malësor nga Hoti, e si e pa që ra, shkoi t’i marrë pushkën. Tërhoqi tytën e armës, por qe e pamundur, sepse hotjani i vdekur e kishte gishtin të ngrirë në këmbëz. Pushka shkrepi dhe vrasësi me plumbin në lule të ballit u përmbys pikë vdekur. Ata që e panë këtë skenë e treguan, e kështu fjalë pas fjale, ngjarja mori dhenë. Dedë Gjo Luli ishte nga një malësi që kishte emër të madh, por ai me krenarinë e një malësori që e do lirinë mbi gjithçka e çoi edhe më lart lavdinë e të parëve të vet, të Traboinit të Hotit, por edhe mbarë Shqipërisë.
Shteti komunist e ka vlerësuar Dedë Gjo Lulin, por në një anë e vlerësonte në anën tjetër gjithë familjen e fisin e tij e persekutoi në mënyrën më të egër e më çnjerëzore. Ai u përpoq të shfrytëzonte ngjarjen tragjike të 25 shtatorit 1915, për të ulur në sytë e popullit familjen e kapedanëve të Mirditës. Dhe kjo propagandë e stërholluar nuk ishte pa efekt në popull. Ka njerëz që edhe sot thonë se kreshniku i Hotit u tradhtua. Por këta njerëz nuk kanë parasysh faktin se Dedë Gjo Luli e kish dhënë fjalën të dilte në Orosh, madje edhe kur i thanë “kthehu”, ai vendosi të vazhdonte rrugën. Ai nuk mund të vdiste duke e ndjekur me plumb mbas shpine. Dedë Gjo Luli ishte mësuar në jetën e tij të kishte përballë këdo, mik dhe armik. Prandaj iu ngjit Oroshit e ia doli që me faqe të bardhë të mbetej përjetë në histori. Kush nuk e kupton karakterin e malësorit, cilësive të tij të larta, besnikërisë së tij, që sot të shfaqen si ëndrra në këtë kaos ku ndodhemi e ka të vështirë të kuptojë jetën e njeriu që ka principe të larta. Ata që e vranë ishin serbët që kishin pushtuar trojet shqiptare në bashkëpunim me tradhtarët si Esat Pashë Toptani dhe asnjë variant njerëzish që kërkojnë ndasi e përçarje mes shqiptarësh nuk qëndron. Fakti që Dedë Gjo Luli u vra krah për krah shumë mirditorëve trima që i dolën në mbrojtje tregon shumë më tepër se thëniet e liga që duan të trazojnë ujëra në jetën e shqiptarëve.
Monumenti i Dedë Gjo Lulit në qendër të Tiranës që u vendos në njëqind vjetorin e vrasjes, për të cilën dha ndihmesë të madhe diaspora e shqiptarëve në Amerikë, është padyshim triumfi i plotë i madhështisë së figurës së Dedë Gjo Lulit si një nga burrat më të shquar të kombit shqiptar.

NIK GJELOSH LULI
Rënë për Atdhe në Deçiq në vitin 1911.

Kryengritja e nisur më 23 mars 1911 është me të vërtetë si një shkreptimë rrufeje që bie në një pyll të thatë. Gjithë ajo perandori osmane do të lëshohej ta shuante zjarrin për liri që nisi në Malësinë e Hotit dhe u përhap në të gjithë Malësinë e Madhe, por nuk qe e mundur. Por edhe shumë burra nga Malësia u vranë. Deri tani nuk kemi një listë të plotë se sa luftëtarë dhanë jetën në kryengritje( Studiuesi Ndue Bacaj sjell një listë me 104 dëshmorë nga Hoti në kryengritjen e vitit 1911) por edhe në vazhdimin e luftimeve edhe në 1912, ani pse kjo e fundit është lënë në harresë. Gjatë vitit 1912 janë bërë po aq luftime të ashpra e këtë e tregojnë edhe emrat e atyre që u vranë gjatë luftimeve. I pari që u vra në luftë në ditën e parë të kryengritjes më 23 mars 1911 ka qenë Kol Marash Vata e bashkë me të trimi Lek Marash Peci, të dy nga fisi Gojçaj.
Më 25 mars 1911, mbas dy ditësh bien në luftë edhe 6 burra e këta të gjithë të fisit Gozdjen, që i përkiste edhe Dedë Gjo Luli. Po i përmendim këtu në nderim të flijimit për mëvehtësimin e Shqipërisë, meqë askush nuk i kujton në Shqipëri e asnjë institucion nuk është kujdesur për dekorimin e tyre. Dy vëllezërit Gjon e Zef Lulash Zeka, xhaxhai i tyre Gjon Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka. Më 28 mars 1911 pasi çliruan Tuzin, nisën luftime për marrjen e kalasë së Shipshanikut ku ishin jo pak, por 600 ushtarë e oficerë turq. Në këto luftime të rrepta ku mbetën rreth 80 nizamë ishte vrarë një prej luftëtarëve më të shquar, Gjon Ujk Çeku, Gojçaj.
Vijmë kështu në ditën kur bie dëshmor kushëriri i parë i Dedë Gjo Lulit, miku i tij më i ngushtë, kryekomandanti ushtarak i tërë forcave kryengritëse, Nik Gjelosh Luli. Ja çfarë shkruan në poemën e tij historike “Lufta e Maleve” bashkëluftëtari i tij Palok Traboini:
“U thye astjeri kahë Miloshi,
Urra djelm si Shala e Shoshi!»
Por si ndien ky Nik Gjeloshi
hof! prej pritet në kambë çohet,
nafakpremi! shpejt, a rrzohet,
i ra plumbi lules s’ ballit
e përmbys ra anës s’ zallit,
si pra tash me ia ba hallit?
Nik Gjelosh, ora e Malsis,
shpresa e fortë e gjith djelmnis,
Idhtë në jaz ti ne na mblove ,
edhe shpresën na e pakove,
t’ tanë bajrakun e ligshtove.
Vrasja e Nik Gjelosh Lulit ishte e rëndë për Dedë Gjo Lulin. Për gjithçka në nisjen e kryengritjes e pleqëronte me Nikën. Atij i kishte ngarkuar barrën më të rëndë për kryengritjen. E caktoi komandant të gjithë forcave kryengritëse të Malësisë së Madhe. Ishte Nik Gjelosh Luli që i koordinonte veprimet ushtarake me forcat e tjera. Ai ishte një burrë i shtruar dhe trim. E veçanta e Nik Gjelosh Lulit ishte se gjendej kurdoherë në ballë të frontit. Ndërkohë që trupat kryengritëse të Hotit i komandonte i biri i Dedë Gjo Lulit, Kola. Nik Gjelosh Luli kishte një djalë që atëbotë ishte i ri, Luc Nishi që edhe ai mori pjesë në kryengritje përkrah babait të vet.

GJERGJ DEDË GJO LULI
Rënë për Atdhe në vitin 1912
Gjergj Dedë Gjo Luli, i biri i Dedë Gjo Lulit ka marrë pjesë në të gjitha luftimet e vitit 1911, por për të ka pak materiale dhe nuk gjendet një fotografi, veç pohime të dëshmitarëve të ndryshëm, të cilat janë kontradiktore. Në poemën “Lufta e maleve” të Palok Traboinit, pjesëmarrës në të gjitha luftimet, ku përmenden shumë dëshmorë të kryengritjes së vitit 1911 nuk përmendet në asnjë rast emri i Gjergj Dedë Gjo Lulit. Kjo poemë është shkruar në dhjetor 1911 kur kryengritja kishte përfunduar. Në librin e Pal Doçit shkruhet mbështetur në burime që nuk i citon, se Gjergji është vrarë më 29 maj 1911 dhe në një vrasje të veçuar, “një turk i fshehur në do guva e qëlloi mbas shpine”. Ne nuk e dimë se kush nga 12 personat që kanë dhënë tregime gojore për këtë libër e ka dhënë këtë fakt. Por dimë se Pal Doçi ka marrë në Hot të Ri në Shkodër në vitin 1962 shënimet me kujtime të vëllait të Gjok Ujk Çekut- dëshmor, Martinit dhe jo vetëm nuk ia ka kthyer, por as nuk e ka cituar ndër dëshmitarët e vet. Martin Ujk Çeku më ka dhënë edhe mua disa faqe kujtime të rishkruara. Ai që ka qenë pjesëmarrës i kryengritjes, është edhe në fotografi bashkë me vëllanë e vet dëshmor dhe Dedë Gjo Lulin. Martin Ujk Çeku shkruan se Gjergj Dedë Gjo Luli është vrarë më 20 shtator prej nizamëve të ushtrisë turke. Dhe në luftën që është bërë ai nuk ka qenë i vetmi, por janë vrarë edhe gjashtë luftëtarë të tjerë bashkë me të, të cilët po i citojmë: Gjok Kol Preli, Gojç, Dedë Gjoni, Gjon Tom Hasi, Gjon Marash Loshi, Luc Gjergji dhe Preloc Mark Gjeka, të gjithë këta të fisit Gozdjen, të cilit i përkisnin edhe Dedvukajt.
Ne nuk e dimë pse nuk i ka përdorur Pal Doçi shënimet e Martin Ujkës. Nëse i ka do të qe me vlerë t’i ballafaqonim me shënimet që ka lënë për mua në vitin 1972 dhe për të parë pse në librin e tij, studiuesi me një shprehje të shkurtër thotë: “Malësia e Madhe mbeti e veçuar dhe e shkëputun nga lëvizja kombëtare dhe si rrjedhim në kryengritjen e vjetit 1912, nuk dha ndonjë ndihmë të dukshme” (Pal Doçi “Dedë Gjo Luli” f.136, bot. “Geer”, Tiranë, 2003).
Nëse i referohemi Petraq Pepos në librin e tij “Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912”, (f. 446-44, Tiranë, 1962, Kujtime të Martin Ujkës) kemi një pasqyrë të zhvillimeve të luftimit të kryengritësve malësorë edhe gjatë vitit 1912. Aty shkruhet për ngritjen e dytë të flamurit te Kisha e Traboinit, si dhe për luftime të zhvilluara në mes të malësorëve kryengritës e trupave ushtarake turke. Në kapitujt me emrin e vendeve “Përpjekja e Samoborrit” shkruhet: “Natën e 11 korrikut 1912 rrethuem Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbetën dekun prej nesh Lek Dedë Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia”. Ndërsa në episodin tjetër “Përpjekja e Nokonjelit” shkruhet: “Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s’e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka (Traboini) pa lanë kohë ndërmjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’ kish kush t’i udhëhiqte.”
Pra kemi një mospërputhje sa i përket zhvillimit të luftimeve dhe datës së rënies së Gjergj Dedë Gjo Lulit. Dihet që Dedë Gjo Lulit shkuan e i thanë se kanë mbetë në luftë shumë djem Hoti. Ai ra në hidhërim të thellë, por për të mos e lshue veten ua ktheu: “Po burrat në luftë do të mbesin.” Ma vonë ia sollën fjalën se kishte ra në luftë edhe Gjergji, djali i tij. Dedë Gjo Luli pa e dhënë veten u përqendrua e tha: “Po edhe ai djalë nane ishte”.
Në një shkrim mbi 100-vjetorin e vrasjes së Dedë Gjo Lulit, në faqen elektronike Malësia.org, u gjendën shumë komente mbi atë që kishte ngjarë më 25 shtator 1915, madje dikush i ushqyer me frymën e konspiracioneve përcolli një ide që solli një reagim të ashpër tek shumë lexues. Komentuesi me pseudonim “Malësori 2020” hodhi në diskutim gjoja një ngjarje që nuk e dimë nga e kishte gjetur. Sikur Gjergjin, të birin e Dedë Gjo Lulit, e kishin vrarë vetë fisi i vet dhe nuk ishte vrarë në luftë. Madje shtonte edhe ca iniciale për ta bërë me të besueshme rrenën e vet: “Të njëjtin vend ku vrau Gj.D., e vrau edhe Gj.K.C. nga mbrapa, atëherë Hotjani M.Gj.M.N. automatikisht jau mori gjakun të dy Gjergjave duke e lanë të vdekur vrastarin e vëllezërve të vet”.
Mesa duket fshehaniku me epitetin “Malësori 2020” mbas mbi 100-vjetësh që i biri i Dedë Gjo Lulit është vrarë në luftë, nis e tjerr histori, të cilat duken hapur se janë të thurura me pe të kuq a të bëra me porosi. Ne nuk kemi ndërmend t’i japim rëndësi një shpifjeje sepse ajo nuk qëndron, por ka rëndësi të zbulojmë shkaqet se pse bëhen këto insinuata për fisin e Dedë Gjo Lulit, Dedvukajt, që aq shumë kanë sakrifikuar për kombin shqiptar. Është krejt e natyrshme që të vëmë edhe pyetjen se kujt i intereson e gjithë kjo? Kujt i shërben? Të tjerëve sigurisht, se shqiptarëve e Malësisë tonë jo e jo.
Së pari ne nuk kemi as dhe një emër të vrari, në ato që ranë në një ditë me Gjergj Dedë Gjo Lulin që të ketë pasur inicialet GJ. K. C. siç thotë provokatori me pseudonimin malësori. Po si është e mundur që nga ndonjë pinjoll bastard i shqiptarëve të mbetur në Malin e Zi ta ketë gërmuar këtë histori varrezash e ta ketë mbajtur gjallë deri më sot. Kur lexova ato komente njerëzish të shitur që paguhen për të sjellë përçarje e vëllavrasje ndër shqiptarë, m’u kujtua libri i Prenk Grudës me pseudonimin Fatmir Kosova mbi veprimtarinë e UDB-së në radhët e emigracionit shqiptar në Amerikë. Atje shpjegohet shumë mirë se si kanë vepruar agjenturat duke kompromentuar disa shqiptarë me qëllim që ta mbanin gjithnjë nën kontroll komunitetin shqiptar në Amerikë, veçmas ata që vinin nga Malësia e Madhe dhe Kosova. Edhe mjaft vrasje që janë bërë nga malësorët në mes veti në Detroit apo qytete të tjera, kanë qenë dora e zgjatur e UDB-së. Shumë gjëra kanë ndodhur, por agjenturat e vjetra pas një periudhe letargjie për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kanë nisur të aktivizohen. Aq më tepër bie poshtë gjithë kjo shpifje ogurzezë, sepse askush nga malësorët e Hotit të shpërngulur në Shqipëri pas vitit 1920 e të vendosur kryesisht në Hot të Ri, në Shkodër, nuk e di këtë bëmë-gjëmë që na e përcjell një anonim si Jago. Personalisht në vitet 1960-1970 kam takuar njerëz të cilët kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjen e vitit 1911 dhe asnjë prej tyre nuk e kishte në kujtesë një histori të tillë. Dhe nuk është shkruar askund e nuk është folur në asnjë rast. Nore Kolja, gruaja e Kol Dedë Gjo Lulit, vëllait të Gjergjit, me të cilën bisedoja kur isha në moshë shkollore, sepse ishim me shtëpi pranë e pranë, nuk e ka përmendur asnjë herë një gjë të tillë. Si erdhi kësisoj e na u shfaq në vitin 2016? Veç ata që i shërbyen UDB-së me devotshmëri apo bijtë e tyre mund të kenë interes për të sjellë grindje e përçarje ndër shqiptarë përzier kjo edhe me një xhelozi të fëlliqur, sepse Dedvukajt e New York-ut, të Detroitit apo kudo ndodhen, pra fisi i Dedë Gjo Lulit, janë jo vetëm atdhetarë të spikatur, por edhe biznesmenë të suksesshëm. Dhe zilia ta plas syrin e të shtyn që si krimb i zi dheu të kërkosh fakte të sajuara nëpër varreza shekullore, pa e lënë të qetë as dëshmorin e Atdheut Gjergj Dedë Gjo Lulin.

KOL DEDË GJO LULI
I helmuar nga armiqtë e Shqipërisë 1918

Nuk e kishte veç bir Kolën, i ati Dedë Gjo Luli e kishte edhe një nga bashkluftëtarët më të aftë dhe krahu i djathtë i tij në veprimet luftarake në Hot. I rritur pranë të atit në të gjitha veprimtaritë që zhvillonte prijësi i Hotit, Kola mësoi shumë nga trimëria, por mbi të gjitha nga urtia e Dedë Gjo Lulit. Me fillimin e kryengritjes Kol Dedë Gjo Luli u caktua komandant i luftëtarëve të Hotit. Dihet se qendra e kryengritjes ishte në Hot dhe forcat turke të gjithë goditjen e kishin përqëndruar në këtë krahinë, megjithëse luftime bëheshin kahmot në Malësi të Madhe me qëllim që t’i çorientonin trupat otomane. Para se të fillonte kryengritja, Dedë Gjo Luli e mendoi punën hollë. Vendosi që të porosiste një flamur si flamujt e të gjitha mbretërive e shteteve të Europës e për këtë dërgoi në Vjenë të birin, Kolën. Kola shkoi në Vjenë e atje bie në kontakt me Alardo Kastriotin. Duhet thënë se Alardo Kastrioti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në skenën europiane, por kjo veprimtari e tij është lënë qëllimisht në heshtje nga historianët e epokës së komunizmit. Dihet një gjë se Alardo Kastioti e ka ndihmuar Faik Konicën, ka qenë i pari që ka porositur një flamur të Gjergj Kastriotit dhe të tillë flamuj ka shpërndarë që në 1902 në Paris dhe të gjithë flamurët e futur në Shqipëri kanë qenë porositur e financuar prej tij. Madje edhe ai që është ngritur në Deçiq, por edhe në Vlorë është i njëjti njeri që i ka porositur. Kush lexon shënimet historike të Eqerem Vlorës e ka vënë re se flamurin atij ia kishte dhuruar Alardo Kastrioti. Kola, i biri i Dedë Gjo Lulit, në Vjenë shkoi me një mision tjetër, sigurimin e armëve dhe ndihma nga Austria dhe për këtë janë bërë takime të fshehta. Të gjithë në Hot e kanë ditur se Kol Dedë Gjo Luli ka shkuar në Vjenë dhe atje i është premtuar ndihma për Malësinë në rast të një lufte me forcat turke. Por takimet e Kol Dedë Gjo Lulit kanë qenë sekrete dhe për këtë as që është folur. Shkaku ka qenë se perandoria Austro Hungareze druhej se angazhimi i saj në ndihmë të kryengritësve do të sillte një konflikt luftarak me Perandorinë Otomane dhe këtë ajo nuk e dëshironte. Ndoshta për këtë nuk kemi të regjistuar apo të botuar asnjë material ku kryengritësit e Malësisë së Madhe të kenë patur lidhje apo takime me autoritete të Vjenës. Megjithatë dihet tashmë se Austria në marrëveshje të fshehta përdori një kanal tjetër për të ndihmuar kryengritësit. I kaloi ato nëpërmjet Malit të Zi. Ka njerëz ndër shqiptarë që me prirje dhe aspirim të otomanizmit të ri në Ballkan nxjerrin shkrime a foto sikur malësorët ishin mercenarë të Malit të Zi në luftën kundër Perandorisë Otomane. Ky është vetëm një mashtrim historik. Nga Mali i zi kanë ardhur ndihma ushqimore dhe armatim, i cili ishte i financuar nga Austria, por kjo nuk dëshironte të dilte në skenë. Në këtë kuadër ishte dhe vizita e Kol Dedë Gjo Lulit në Vjenë, ku siç thamë u gjet rasti dhe u bë porosia për Flamurin që do të punohej e do të ishte simboli i kryengritjes shqiptare e jo thjesht një revoltë e veçuar krahinore. Ishte lënë që Flamuri të vinte e më pas të niste kryengritja. Por, Flamuri po vononte siç thonë dëshmitarët dhe kryengritja filloi. Menjëherë ka arritur njoftimi se Flamuri nga Vjena ishte nisur. Kolë Dedë Gjo Luli që komandonte trupat kryengritëse të Hotit nuk mund të largohej nga skena e luftës, prandaj Dedë Gjo Luli ka ngarkuar me këtë detyrë mësuesin kryengritës Palok Traboini, i cili e solli flamurin përmes Dalmacisë. Ky është ai që quhet Flamuri i Dedë Gjo Lulit, por edhe i Deçiqit. Duhet thënë se para se të shpalosej Flamuri në Deçiq është shpalosur në vendin e quajtur Logu i Kishës në Traboin të Hotit. Gjithherë është harruar ky fakt, por ky është i regjistruar në poemën e vetë Palok Traboinit shkruajtur në Prizren më dhjetor 1911, ku thotë:
Tue krisë pushka shpat e n’ shpat
gjimojnë malet lak e n’ lak
nji djalë Hotit* vjen prej larg
pa pikë frymë prej Dallmacis,
Dedë Gjo Luli ku e kish nisë
me pru flamurin e Shqipnis.
N’log të Kishsë kur djali a kapë
dy flamurë n’ erë ka hapë,
dy flamurë kuq e zi
qindisë n’ ar për bukuri.
Aty at-herë Kolë Dedë Gjo Luli
njenin flamur n’ bli e nguli
prej të gjithve me u soditë.
pala-pala tue valvitë.
Pra siç shihet flamuri i parë i ngritur ka qenë ai i ngulur në blirin e Logut të Kishës në Traboin të Hotit. Më pas autori që ka qenë vetë protagonist i kësaj ngjarjeje vazhdon në këtë kronikë historike në vargje:
N’ kambë u çuen në shej nderimit
të tanë djelt e Traboinit;
kërset pushka prej gëzimit,
gjithkah hapet brohorija:
“Rrnoftë flamuri e rrnoftë Shqipnija,
orën çuet e ka Malsija!”
Dedë Gjo Luli u çue n’ kambë,
tjetrin flamur ja u ka dhanë
djelve t’ Hotit e u ka thanë:
“Çonju tash, djelt e mi,
me dekë sot për flamuri
se i erdh dita ksaj Shqipni.
Në Deçiq ja u due n’ ket ditë
flamurin n’ majë me e ngritë.
qi ta shohin krali e mbreti
se bajmë luftë na veç për veti
me qitë n’ dritë Shqipnin n’ ditë t’ sotit.
tue u djegë gjallë në flakë t’ barotit.”
Kjo dëshmi historike na thotë qartë se për herë të parë flamurin e kryengritjes e ka ngritur Kol Dedë Gjo Luli më 6 prill 1911 në Traboin të Hotit në vendin e quajtur Logu i Kishës, dhe flamurin tjetër, me urdhër të Dedë Gjo Lulit e kanë ngritur në një grumbull gurësh në Bratilë, në mal të Deçiqit, sepse ishte pika më e lartë nga mund të shihej prej të gjitha anëve, madje edhe prej Tuzit. Ka edhe historianë të cilët kanë rënë në kurthin e kujtimeve sporadike të atyre që mbase as nuk kanë qenë pjesëmarrës ngjarjesh. Dhe një protagonisti të madh në kryengritjen e vitit 1911 si Kol Dedë Gjo Luli, që ishte edhe komandat i luftëtarëve të Hotit shpesh i është anashkaluar çdo meritë, duke e lënë në hije të babait të vet. Është fatkeqësi kur mendësia e kultit të një individi i ngjitet historianëve në kokë si rriqna, sepse nuk ka kryengritje në botë që bëhet me një luftëtar, sado i jashtëzakonshëm të jetë. Dedë Gjo Luli kishte rreth vetes luftëtarë të mëdhenj, emra të mëdhenj që meritojnë të shkruhen në histori me gërma të arta. Dedë Gjo Luli e dinte këtë, e dinte kë kish rreth vetes prandaj dhe mori guximin dhe e filloi kryengritjen. Kryengritja nuk ishte një trill, as një inat apo zemërim i malësorëve, as thjesht se sundimtarët otomanë kërkonin t’u hiqnin armët, por se kishte ardhur koha e shpëtimit të trojeve shqiptare prej sundimit shekullor.
Mbas kryengritjes së vitit 1911, Kolë Dedë Gjo Luli e vazhdoi veprimtarinë luftarake me trimat e Hotit në mbrojtje të trojeve shqiptare. Në ndërrim të viteve 1912-1913 Kola e shoqëron babain e vet në Vlorë, ku u prit nga Ismail Qemali, në maj 1914 u takua me princ Vidin, po atje ishte ministër Esat Toptani që kishte armiqësi me Hotin e Dedë Gjo Lulin. Për këtë forcat e Esat Toptanit që ishin përqëndruar në Durrës, të shumta në numër arritën t’i rrethojnë luftëtarët e Hotit, u zhvillua një betejë në Rrashbull, por në sajë të aftësive të veçanta të komandantit të tyre Kolë Dedë Gjo Luli, malësorët arritën të çajnë rrethimin. Megjithëse në librin e Pal Doçit thuhet se hotjanët nuk patën asnjë humbje në këto luftime, në të vërtetë mbeti i vrarë luftëtari i Hotit Gjok Prel Çeku, Gojçaj më 22 qershor 1914.
Në vitin 1915, Kolë Dedë Gjo Luli u bashkua sërish me babain e vet dhe kudo u gjendën bashkë deri në çastin e fundit në Orosh, ku më 25 shtator 1915 trupat esadiste që bashkëpunonin me ushtrinë serbe e ekzekutojnë kreshnikun e malësisë. Kolë Dedë Gjo Lulin e burgosur forcat esadiste të cilat ia dorëzuan italianëve, ata e internuan në Siçili. Sipas kujtimit të një bashkëkohësi, Ibrahim Shyti nga Vlora, Kol Dedë Gjo Luli erdhi i sëmurë nga Italia. Ishte fundi i vitit 1918. I strehuar në hotelin e këtij qyteti, e helmuan ata që nuk e donin të gjallë këtë luftëtar të madh, këtë simbol trimërie e fisnikërie. Më ndihmën e Ali Asllanit, Osman Haxhiut e disa atdhetarëve të tjerë u shtrua në spitalin e qytetit, por ishte e pamundur të shpëtonte. Kishte shpëtuar prej plumbave të armiqve në frontin e luftës për pavarësi, por tradhtia arriti të bënte atë që nuk e bëri dot plumbi i armikut. Me vrasjen e Kolës, që nuk la fëmijë pas vetes, shuhet familja Dedë Gjo Lulit, dera më e shquar e Malësisë së Hotit.

LUC NISHI
rënë për Atdhe në vitin 1920

Luc Nishi, i biri i kushëririt të parë të Dedë Gjo Lulit, Nik Gjelosh Lulit, ka lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893. Ishte fort i ri në kryengritjen e vitit 1911, por megjithatë mori pjesë në luftime. I edukuar me frymë atdhetare, bir i një luftëtari të madh, Luc Nishi ndoqi karrierën ushtarake. Ishin kohë të turbullta, kur shpesh Shqipëria kalonte nëpër rreziqe të mëdha, ndaj Luc Nishi ndoqi atë rrugë për t’i shërbyer sa më mirë vendit të vet. U martua me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, që ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjo Lulit, e njohur nga të gjithë si Nore e Hotit, ani pse bijë Grude.
Nga kjo martesë oficerit Luc Nishi i lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Pal. Në vitin 1920 ai shërbente në ushtrinë shqiptare. Pikërisht në këtë vit kufiri shqiptar u sulmua nga forcat e bashkuara serbo-malazeze. Shqipëria ishte ende një shtet i dobët dhe fqinjët e veriut menduan se ishte koha më e mirë për të realizuar një ëndërr të kahershme për pushtimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë kombëtare që zgjati 203 ditë, filloi më 27 korrik 1920 e vazhdoi deri më 14 shkurt 1921(megjithëse ishin bërë luftime sporadike dhe më parë) morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas studiuesit Ndue Baca në radhët e luftëtarëve ishin përfshirë edhe 120 trupa nga Rapsha e Hotit si dhe 102 nga Traboini. U zhvilluan beteja në Vrakë, Gruemirë, Grizhë, tek Prroi i Thatë, tek Kodrat e Koplikut, Buzë Ujit, madje luftime u zhvilluan deri në Qytezë të Hotit e deri në Bardhaj e Traboin që ishin lënë jashtë kufijve të vitit 1913. Një prej betejave më të ashpra ishte ajo të Sukat e Moksetit ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë e ku sipas studiuesit Bacaj, “Beteja në Suka të Moksetit përsëriti heroizmin e vitit 1911”.
Në këtë betejë më 25 gusht 1920 mbeti i vrarë nga një e shtënë topi oficeri Luc Nishi, i biri i Nik Gjelosh Lulit, në moshën 27 vjeçare – at e bir në altarin e lirisë së kombit shqiptar.

PAL LUC NISHI
Vdekur në Itali më 1936

Tashmë ishin dy motra, Nora e Katrina, e të dyja me burra të vrarë. Ndryshe prej Nore Kolës që nuk kishte fëmijë, Katrinës së Luc Nishit gjithsesi i kishte mbetë një ngushëllim, i biri Pali, të cilin e rriti me sa e sa mundime, e rriti si një filiz i ri në derën hotiane të Nik Gjelosh Lulit, e rriti me dëshirën për t’i ngja atij trungu familjar që lindi legjenda, por fati për Katrinën u tregua i pamëshirshëm duke i pre shpresën e fundit ashtu si të motrës Nore Kolës.
Pal Luc Nishi, i biri i Katrinës, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli që i përkiste. Pjesë nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, në vitin 1962. Dorëshkrimet origjinale pas vdekjes së Nore Kolës e Katrinës së Luc Nishit, që duhej të ishin në atë kashunin që kisha parë në fëmini, nuk dihet se ku përfunduan. Ndoshta humbën përgjithmonë. Ndoshta i përpiu koha, si shumë e shumë relike e ngjarje. Por kanë mbetur një tufëz shkrime që, siç shkruante redaksia e Almanakut “Shkodra” 1962, megjithë do “zbrasti dhe ndërpremje, të cilat autori mendonte me i plotësue ma vonë, prap se prap përshkohen nga një frymë e zjarrtë patriotike që i bajnë mjaft interesante. Ai andrronte, siç dëshmon e ama, me mbledhë kujtimet e familjes së vet, që kish dhanë aq njerës për lirinë e vendit.”
Po ku janë tani këto shkrime të pinjollit të fundit të familjes atdhetare të Nik Gjelosh Lulit? Nuk dimë ku mund të marrim një gjegje për t’i sjellë në dritën e botimit ato shënime. Disa prej vjershave të veta, Pal Luc Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet që ra dëshmor për Atdhe. Një prej tyre është edhe kjo e shkruar në Chieri të Italisë më 12 maj 1932, kur ishte me studime:

LAMTUMIRË…

Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete,
ushtrinat n’ luftë janë nisë me hi,
e unë në front me ba mos me u gjetë
kishte me kenë si një tradhëti.

Trompeta, pra, ka ra,
e prej këndej më duhet me u largue,
s’ke pse mekësh, duhet me u nda,
pse në detyrë më duhet me shkue.

N’anmik unë me ra,
po sa kam me mujtë,
pse gjaku për vatan
gjithherë më ka luejte.

E, jo mue vetëm,
por edhe të parëve të mi,
të cilët dhanë jetën
të gjithë për Shqipni.

Pse deka për vatan,
s’asht gja, thonë, ma e qetë,
çdo kurban qi don me i ba
atmes në këtë jetë
……………………

Pal Luc Nishi ndërroi jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, Itali, më 31 tetor 1936. Ishte në moshën 22-vjeçare. Ky mort i fundit e mbylli derën e Lucë e Nik Gjelosh Lulit përgjithmonë.

GJELOSH LULI
Masakruar nga komunistët në vitin 1947

Gjelosh Luli është nip i kësaj familje të madhe. Ai lindi në shtëpinë e Dedë Gjo Lulit në Bardhaj të Traboinit të Hotit në vitin 1912. Babai i tij Gjok Luli, u shpërngul e u vendos në Hot të Ri, pranë Shkodrës. Atëherë Gjelosh Luli ishte shtatë vjeç. Duke qenë një nxënës i dalluar dhe nga familje e madhe hotjane iu dha bursa për në Akademinë Ushtarake në Torino prej nga doli oficer. Pas studimeve kthehet në Shqipëri dhe emërohet me gradën toger në Regjimentin e Artilerisë në qytetin e Tiranës. Më pas transferohet në Shkodër me gradën kapiten i parë dhe martohet me Elenën, bijë e familjes së njohur Mirakaj nga Puka. Gjelosh Luli, njohës i disa gjuhëve, jepte edhe mësim në gjimnazin e Shkodrës dhe herë pas here botonte shkrime në shtypin e kohës në të cilën shprehte edhe mendime antikomuniste mbi rrezikun që përbënte për Shqipërinë kjo ideologji e mbështetur dhe përhapur nga sllavo-bolshevikët e Rusisë. Nuk e priti mirë pushtimin fashist, por më pas pranoi të shërbente si ushtarak në ushtrinë kombëtare, siç e cilësonin në atë kohë, por pa angazhime politike. Forcimi i lëvizjes komuniste e detyroi Gjelosh Lulin të merrte pjesë në veprimtari që zhvillonin forcat nacionaliste në përpjekje për të penguar ardhjen në pushtet të komunistëve, por kur kjo ndodhi ai nuk pa rrugë tjetër, por të shkonte e të jetonte në male dhe të organizonte qëndresën.
Bashkëpunoi me Llesh Marashin për të organizuar një kryengritje kundër qeverisë komuniste, por kjo dështoi. Mbajti dhe një takim me popullin në Koplik Nuk pranoi ta braktiste Shqipërinë. Por edhe jeta në male qe e vështirë. Rezistoi mjaft kohë duke u strehuar herë në Traboin të Hotit, por herë në vende të tjera në kushte shumë të rënda moti. Është e njohur strehimi që i bënë vëllezërit Mark e Kol Miri, të cilët anipse të torturuar madje me zjarr e në rrezik vdekje, nuk e dorëzuan Gjelosh Lulin. U strehua gjithashtu në Kastrat. Në dimrin e egër 1947 e mbanin edhe në vig, sepse i ishin ngrirë këmbët. Tregoi një qëndresë të pashoqe. Së fundi u strehua në një shpellë. U rrethua dy herë nga forcat komuniste të ndjekjes, por arriti t’u ikte. Por herën e dytë ndërsa çante rrethimin ngriu nga të ftohtit në dëborë. Ishte në moshën tridhjetë e pesë vjeçare dhe bëri emër aq të madh në një jetë aq të shkurtër. Komunistët e gjetën dikur, por nuk ishin të bindur se ishte ai, ngaqë emri i tij ishte kthyer në legjendën e një trimi që nuk prekej as me dorë e as me plumb. I prenë kokën dhe trupin ia lanë në dëborë.
Vetëm kështu, duke ua treguar njerëzve kokën e prerë, më së fundi e verifikuan se ai ishte kapiteni trim Gjelosh Luli që nuk u dorëzua i gjallë.
Në të dalë të dimrit, në mars të vitit 1948, trupin e tij e gjeti një malësor, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin. Mbas vitit 1991 dy të bijat e gjetën varrin dhe eshtrat e Gjelosh Lulit, ish-komandantit të përgjithshëm të Forcave Nacionaliste të Malësisë së Madhe, u vendosën në varret e Rrmajit, në qytetin e Shkodrës. Ky ishte luftëtari i fundit nga dera e Gjon Lulëve të Hotit që u shua për Atdhe.
Janar 2016
BURIME
“Shkodra” – Almanak 1962
“Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912” – Petraq Pepo 1962
“Lufta e maleve” Palok Traboini, dorëshkrim, Prizren 1911
“Flamuri në Deçiq” – Palok Traboini, Pantheon Book 2012
“Gazeta shqiptare” – Kujtimet e Izabela Lulit nga Dashnor Kaloçi
“Lufta e Koplikut”- Ndue Bacaj
“Dorëshkrime” – Pal Luc Nishi, 1932
“Dorëshkrime” – Martin Ujka 1972
“Dedë Gjo Luli” – Pal Doçi, Geer 2003
“New York Times”- New York, mars 1911
“Gjurmë në histori”- Kolec Traboini, Athinë 1995
“Kujtime” – Dom Ndoc Nikaj, Plejad 2003

Filed Under: Histori Tagged With: FAMILJA E HOTIT, Kolec Traboini, SHUAR PËR ATDHE

ZHVILLIMET POLITIKE NË SHTETIN SHQIPTAR DHE ISA BOLETINI NË VITET 1913-1915

January 12, 2016 by dgreca

Shkruan: Halim PURELLKU/
Ndonëse më 12 dhjetor 1912, në Konferencën e Londrës, u njoh pavarësia formale e Shqipërisë, çështja e saj aty nuk u zgjidh përfundimisht.1) Shteti shqiptar gjatë viteve 1912-1915 ballafaqohej me një sërë sfidash si: mosdefinimi i kufirit shtetëror; caktimi i kryeqytetit të shtetit dhe çështja e caktimit të princit të Shqipërisë etj., të gjitha këto stimulonin dhe më shumë kundërthëniet e brendshme politike, por dhe ndërthurjet e faktorëve të jashtëm në punët e brendshme shqiptare.2) Ndaj dhe për të siguruar njohjen e sovranitetit të Shqipërisë “në të gjitha territoret shqiptare” dhe për përshpejtimin e zgjedhjes së një mbreti, Ismail Qemali i shoqëruar nga Isa Boletini e Luigj Gurakuqi, në prill të vitit 1913 udhëtuan në një turne diplomatike në Romë, Vjenë, Paris e Londër.3)
Nga shtetet më të angazhuara rreth çështjeve shqiptare ishte dhe Mbretëria e Serbisë, e cila ishte fare e pa kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve në Shtetin shqiptar dhe me kufijtë shtetëror të tij. Qeveria e Vlorës dhe veprimtaria atdhetare e Isa Buletinit ishin fort irituese për Serbinë, sepse konsideroheshin si pengesa të mëdha në jetësimin e objektivave serbomëdha në Shqipëri, ndaj dhe serbët Ismail Qemalin e kishin vënë në shënjestër për ta likuiduar.4)
Pas Luftës së Parë Ballkanike, udhëheqësit kryesore të lëvizjes kombëtare nga viset e pushtuara nga Serbia u grumbulluan në territorin e Shtetit shqiptar,5) dhe po vazhdonin aktivitetet e tyre politike. Mehmet pashë Deralla, ministër i Luftës në Qeverinë e Vlorës, në marrëveshje me Isa Boletinin, nga fundi i qershorit 1913, propagandonte haptazi për luftë kundër sllavëve në, si që thuhet shprehimisht, “Shqipërinë verilindore”.6) Pas shumë përpjekjesh, nga fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut të vitit 1913, qe organizuar në Vlorë një Konferencë e rëndësishme e prijësve shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë nën pushtimin serb e grek, në të cilën u morën vendime shumë të rëndësishme politike. Në atë konferencë u zgjidhën dhe disa çështje thjeshtë me karakter të brendshëm shqiptar. Në këtë kuadër, si duket, prijësit shqiptar deklaruan unitetin e tyre rreth Ismail Qemali, sa që dhe Esat pasha qe i detyruar formalisht të pranonte postin e ministrit të brendshëm në Qeverinë e Vlorës, poshtu qe arritur dhe pajtimi i Bajram Currit e Riza Beut me Ismail Qemalin. Pas këtyre këtyre hapave drejt unitetit të brendëshëm, në atë Konferencë qe krijuar një Komitet/ Këshill Qendror i veçantë, i obliguar të organizon dhe të drejton luftën e armatosur çlirimtare kundër Serbisë e Malit të Zi deri në çlirimin e plotë të territoreve shqiptare të pushtuara. Në krye të këtij Komiteti qe emëruar Irfan Ohri, i cili do të qëndronte në Elbasan dhe nga aty do të drejtonte veprimtarinë politike e organizative përtej kufijve shtetëror të Shqipërisë. U mor vendim edhe për formimin e degëve/“këshillave” të Komitet/ Këshill Qendror”, brenda territorit shtetëror të Shqipërisë si dhe në trevat e pushtuara shqiptare, me në krye komisarët e tyre. Detyra kryesore e këtyre degëve/“këshillave” dhe komisarëve të tyre ishte të organizojnë dhe të përgatisin popullin për kryengritje e cila do të shpërthen kur do të vendos për të Këshilli/Komiteti Qendror.7)
Nga ana tjetër, Serbia në forma të ndryshme dhe me mjete të ndryshme vazhdonte sabotimin e ngritjes së Shtetit shqiptarë dhe të Lëvizjes kombëtare e irredentiste shqiptare. Për të arritur këto objektiva, Qeveria serbe kishte rekrutuar në shërbim të saj dhe disa figura politike shqiptare të kohës, nga të cilët edhe Esat pashën. Për të i qëndruar në krah Esat pashës dhe për të ndihmuar forcimin politik të tij, që nga fundi i majit 1913 kishte arritur në Durrës dhe M. Ballugxhiq.8) Ashtu që, po sa Komiteti/ Këshill Qendror në fjalë filloi veprimtarinë e tij pasoj sabotimi i tij nga ana e Esat pashës për interesa të ngushta personale.9) Qe krijuar një opozitë e drejtuar nga Esat Pasha, qëllimi i së cilës ishte grushti i shteti kundër Ismail Qemalit.10)
Këto përplasje të brendshme, gjithsesi të mbështetura dhe nga faktorë të jashtëm, rezultuan me krijimin e kaosit politik-administrativ në vend. Ashtu që në aspektin politik e administrativ Shteti shqiptar u copëtua në pesë (5) rajone të veçanta dhe të pavarura nga njeri tjetri, dhe atë: rajoni i Vlorës, i Durrësit, i Shkodrës, i Mirditës dhe i Matit.11) Lidhur me këtë, Esat Pasha i shkruante Hasan Prishtinës se populli i qarkut të Durrësit është “bashkuar e janë lidhur që urdhri tij (Ismail Qemalit-H.P), në këto vende, të mos zbatohet me asnjë mënyrë”.12)
Ndërkaq, gjatë muajve shtator-tetor revolta shqiptare kulmoi me Kryengritjen e njohur të Shtatorit të vitit 1913, e ndihmuar në formë jo zyrtare nga Qeveria e Vlorës.13) Sipas historianit serb Dushan Batakoviq, kjo kryengritje qe organizuar me insistimin e Ismail Qemalit, dhe se me insistimin e tij Bajram Curi, Isa Boletini, Riza Beu, Isuf Elezi me fuqitë e tyre kishin sulmuar trupat serbe.14) Fillimisht kryengritja arriti suksese të rrufeshme. Kryengritësit shqiptarë çliruan përkohësisht nga pushtimi serb rrethet e Peshkopisë, të Dibrës, të Zhernanicës (Rekës së Dibrës), të Strugës dhe atë të Ohrit, ku dhe qe vendosur pushteti kryengritës shqiptar dhe qe ngritur flamuri kombëtar.15) Isa Buletini, që asokohe konsiderohej nga qeveria serbe si një nga armiqtë e Serbisë,16) në burimet dhe shtypin serb të kohës vlerësohet se ishte i angazhuar drejtpërdrejti në Kryengritjen e Shtatorit 1913,17) sa që konsiderohej një nga drejtuesit kryesor të saj dhe një nga autorët e Planit të Kryengritjes.18) Sipas një raporti të von Stork, diplomat austro-hungarez në Beograd, 24,o9.1913, shqiptarët nën komandën e Isa Boletinit “po përparonin në dy drejtime dhe pikërisht njëra pjesë për në Ohër, Resnjë dhe Prespë dhe pjesa tjetër kundra Tetovës dhe Gostivarit”.19) Po kështu edhe Dr. Shajnoviq, diplomat serb, pohonte se: “Arnautët nën Isa Boletinin… që kishin ardhur nga Durrësi po përparojnë me sukses drejt liqenit të Ohrit dhe drejt Kërçovës respektivisht Galiçnikut-Mavrovës…”.20)
Por, si duket misioni i M. Ballugxhiq, në Durrës, përkatësisht në territorin e Shtetit shqiptar, që filloi nga maji i vitit 1913, rezultonte me suksese në thellimin e kundërthënieve brënda shqiptare. Kështu, nga gjysma e parë e muajit tetor 1913, mosmarrëveshjet midis anëtarëve të Qeverisë së Vlorës po thelloheshin dhe, rezultuan edhe me largimin e shumë prej tyre nga qeveria, ndër ato edhe Hasan Prishtina dhe Mehmed Deralla, ndonëse ky i fundit formalisht nuk kishte dhënë dorëheqje. Largimi i Hasan Prishtinës nga qeveria e Vlorës, dukshëm dobësoi pozitën e Ismail Qemalit.21)
Në Janar 1914 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i mori kompetencat e Qeverisë së Vlorës,22) kurse në mars 1914 arriti princ Vidi në Shqipëri.23) Ardhja e Vidit në fronin shqiptar u pritë në mënyra të ndryshme në radhët e prijësve dhe të grupimeve politike shqiptare. Sipas një raport të komandantit serb të “trupave Maqedono-kosovare”, Smiljaniq: “Me rastin e pritjes së princ Vidit në Durrës, Esat pasha, Mehmed pashë Deralla dhe Hasan beu Prishtina dukeshin shumë të pa disponuar, ndërkaq shumë të disponuar ishin Bajram Curri, Isa Boletini dhe Musa Efendiu nga Prizreni, të cilët veç a veç ishin pranuar në audiencë” nga princi.24) Gjithashtu, rreth Vidit ishin tubuar dhe të gjithë anëtarët e Qeverisë së Vlorës, të cilët u përfshinë dhe hynë në qeverinë e re në krye me Turhan pashën.25)
Por, përpara kaosit që po thellohej në Shqipëri, i shkaktuar nga “Lëvizja epirote” dhe “Kryengritja osmaniste” turkushake kundër princ Vidit,26) më 3 shtator 1914 princi u largua nga Durrësi (Shqipëria), dhe tani pushteti nominalisht kaloi në duart e Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit (K.N.K). Pas largimit të Vidit, Bajram Curri dhe Isa Boletini me fuqitë vullnetare nën komandën e tyre, u larguan nga Durrësi në drejtim të veriut.27)
Pra, dhe gjatë vitit 1914, në kohën e të quajturit “kontrolli fiktiv” nga ana e Fuqive të Mëdha, Shtetin shqiptar e kishte kapluar kriza e brendshme politike e shoqërore që e çonte vendin drejt anarkisë dhe kaosit.28) Nga faktorët kryesor motivues dhe nxitës të trazirave apo dhe krizave në Shtetin shqiptar, ishin propagandat serbe, greke dhe aksioni i xhonturqve.29) Epilog i të gjitha këtyre zhvillimeve dhe të situatës së krijuar ishte, mbetja e Shtetit shqiptar asokohe pa asnjë pushtet qendror.30)
Situatat e krizave të brendshme në Shtetin shqiptar synonin të i shfrytëzonin armiqtë e jashtëm. Nën pretekstin se shqiptarët nuk janë në gjendje të konsolidojnë shtetin dhe të sigurojnë ekzistimin e tij., që në fillim të vitit 1914 Italia hodhi idenë e pushtimit italo-austriak të Shqipërisë.31) Me njëherë pasuan kërkesat e Serbisë për një okupim ndërkombëtar të Shqipërisë me pjesëmarrje të barabartë të të gjitha Fuqive të Mëdha, si dhe për rektifikim e vijës së kufirit shtetëror në favor të sajë te Dibra, Luma dhe Prizreni.32) Mirëpo, ideja e pushtimit të Shqipërisë nga fuqitë e jashtme nuk qe mbështetur nga Anglia dhe Franca,33) kurse kërkesës së Serbisë për rektifikim e vijës së kufirit shtetëror secila nga Fuqitë e Mëdha iu përgjigjën në varësi të pozicioneve dhe interesave të tyre.34) Ashtu që, kur Serbia nuk gjeti mbështetje për realizimin e pretendimeve territoriale tani ndaj Shtetit shqiptar, jo vetëm nga ana e Fuqitë e Mëdha por as edhe nga ana e Greqisë, në maj të vitit 1914 modifikoi kërkesat e saja dhe tani deklarohej për autonominë e Shqipërisë vetëm me kusht, që të sigurohet “dalje e lirë ekonomike” e saj në detin Adriatik.35)
Ndërkaq, Lëvizja Kombëtare shqiptare vazhdonte përpjekjet për të sfiduar pretendimet hegjemoniste e territoriale të fqinjëve dhe të mbështetëseve të tyre. Që nga mezi i janarit 1914, ekzistonte një komitet ilegal shqiptar i quajtur “Shkipnia”, që kishte dhe Programin e vet. Duket se ky komitet njihej dhe me emrin Komiteti Shqiptar “Besa”? Komiteti/ Shoqata “Shkipnia” kishte degët e tij në disa qytete dhe vise shqiptare brenda e jashtë kufijve të Shtetit shqiptar. Ndër anëtarët e saj mendohej se ishin Isa Boletini (nga zona e Mitrovicës), Hasan Prishtina, Mahmud Gjura (nga zona e Pejës), Bajram Curri (nga zona e Gjakovës), Riza Beu (nga zona e Gjakovës), Mersim Dema (nga Malësia e Dibrës), dhe Ali Pustina (nga Dibra) etj. Programi politik i këtij komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i pjesëve të okupuara të Shqipërisë me Shtetin shqiptar.36) Ndërkaq, fillimi i Luftës së Parë Botërore (fillimi i gushtit 1914), e gjeti Shtetin shqiptar (Shqipërinë) pa kufij të përcaktuar përfundimisht dhe të pranuar ndërkombëtarisht. Ndaj dhe menjëherë pas fillimit të luftës, integriteti territorial i Shtetit shqiptar qe kontestuar jo vetëm nga fqinjët por edhe Antanta nuk i respektonte me konsekuencë marrëveshjet e Londrës mbi Shqipërinë.37) Kështu, Serbia, edhe në kushtet e luftës me Austro-Hungarinë, nuk hoqi dorë nga pretendimet territoriale ndaj Shtetit shqiptar, që sipas ambasadorit francez dhe atij rus “nuk ekzistonte më”. Kështu p.sh. nga fundi i gushtit dhe në dhjetor të vitit 1914, Serbia iu kërkoi leje Fuqive aleate për pushtimin e Shqipërisë, por për këtë qe penguar nga qeveritë e Fuqive aleate dhe të qarqeve të caktuara ushtarake serbe.38)
Ndërkohë, aksionet e çetave shqiptare kundër pushtuesit serb vazhdonin edhe gjatë viteve 1914-1915.39) Pas atentatit të Sarajevës, Austro-Hungaria përgatiste sulme/ndërhyrje të reja nga territori i Shqipërisë kundër shtetit të Serbisë, me qëllim të hapjes së një fronti të dytë nga jugu kundër saj (Serbisë). Për këtë qëllim edhe parinë shqiptare; Isa Boletinin, Bajram Curin, Hasan Prishtina i pajiste me armë.40) Për të përfituar nga rasti i sulmit të AH ndaj Serbisë, nga mesi i korrikut 1914 filluan përgatitjet për një kryengritje çlirimtare në pjesën e Shqipërisë nën pushtimin e Serbisë. Përgatitjet dhe drejtimi i kryengritjes u ishin besuar Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Mehmed Derallës, Bajram Currit etj.41) Në kuadër të përgatitjeve për mësymje mbi ushtrinë serbe në “kufi”, më 17 korrik 1914 Isa Buletini me 60 veta u nis nga Durrësi me vapor austriak për në Shëngjin, për të dal në kufirin me serbët, por qe detyruar të kthehet prapa. Ashtu që nga fundi korrik 1914 Isa Buletini dhe Bajram Curri ndodheshin ende në Durrës.42) Ndërkaq, Hasan Prishtina, Selim Batusha, Bajram Daklani, Qerim bej Begolli, Halim bej Deralla, me suitat/forcat e tyre, më 6 gusht 1914 shkuan nga Durrësi për në kufirin me Serbinë, përkatësisht përgjatë “Vijës së demarkacionit”me Serbinë. Me vete morën armë e municione.43) Sipas shtypit të Vjenës dhe informatave tjera, në fillim të nëntorit 1914, kryengritësit shqiptar tri herë i kishin sulmuar forcat serbe në trevën e Dibrës, dhe se çeta shqiptare/guerile vepronin për rreth Tetovës.44)
Rezultat i kësaj lëvizje kryengritëse të armatosur ishte çlirimi i Bregut të Matit nga trupat serbe.45) Përkatësisht, Serbia përpara ofensivës austro-hungareze dhe të lëvizje kryengritëse shqiptare, deri nga fundi i tetorit 1914 i tërhoq trupat e saja edhe nga të ashtuquajturat “pikatë strategjike” në Shqipëri, por pas veti la në Durrës qeverinë proserbe të Esat pashës.
Pushtimi i Vlorës nga Italia më 25 dhjetor të vitit 1914, do të rezulton me ndërlikimin edhe më të madh të pozitës ndërkombëtare të Shtetit shqiptar gjatë vitit 1915, por dhe ashpërsimin e rivalitetit italo-serb në Shqipëri.46) Që nga mesi i shkurtit të vitit 1915 vazhduan përgatitjet ushtarake të Serbisë për invadim në Shqipëri, nën pretekstin e mbrojtjes nga gjoja sulmet dhe provokimet e shqiptarëve ndaj trupave serbe përgjatë kufirit. Në shkurt 1915, në rajonin: Resnjë-Ohër-Strugë, Qeveria serbe kishte përqendruar rreth 3000/4000 trupa ushtarake shtesë,47) kurse në maj ishin të përqendruara aty rreth 15.000 trupa serbe, me synim të pushtojnë Pogradecin dhe pastaj Elbasanin.48) Përgatitjet e Qeverisë serbe për invadim në Shqipëri apo “për tu mbrojtur nga Shqipëria”, si thoshte Grej, ministri britanik, ishin aprovuar edhe nga Britania që në maj të vitit 1915,49) duke e këshilluar Qeverinë serbe që trupat e sajë të mos depërtojnë përtej “Pikave strategjike” apo “rajonit strategjik” e as në Elbasan.50)
Njëkohësisht agresioni serb ndaj Shtetit shqiptar qe kundërshtuar në forma të ndryshme dhe nga shqiptarët. Përplasje midis fuqive kryengritëse shqiptare me trupat dhe xhandarmerinë serbe kishte edhe në gjysmën e parë të vitit 1915. Më 6 maj 1915 një grup më i madh kryengritësish të cilët ishin nga treva e Gostivarit (çeta e Gostivarit), kishin kaluar kufirin shtetëror lindor të Shqipërisë dhe kishin hyrë në Pollog dhe, pas një shkëmbimi zjarri një kohë më të gjatë me forcat serbe mbetën të vrarë një oficer dhe dy ushtarë serb. Pastaj çeta u rikthye në fshatin Radomir të Lumës dhe menjëherë qe vënë nën komandën e Mehmed Derallës. Ndërkaq, trupat serbe në ndjekje të Çetës së Gostivarit depërtuan drejtë Lumës, përkatësisht drejt “Urës së Vezirit “, në Kukës, ku çeta ia doli të ndalon marshin e trupave serbe. Nga këtu Çeta marshoi në drejtim të Shkodrës, ku në luftë me malazezët qe rrethuar dhe u detyrua të dorëzohet. Gjithashtu, edhe Mehmed Deralla me të birin Halimin si dhe Isa Boletini, iu dorëzuan malazezëve dhe pas një kohë qëndrimi në Shkodër u dërguan në Cetinë.51)
Por, kur filloji pushtimi serb në Shtetin shqiptar, dhe kur më 1 qershor të vitit 1915 serbët pushtuan Pogradecin dhe po përgatiteshin të pushtonin Elbasanin,52) Italia rreptë e kundërshtoi invadimi serb në Shtetin shqiptar.53) Për ballë rrezikut të angazhimit ushtarak italian në Shqipëri, me kërkesën e Britanisë (më 16 qershor 1915),54) Rusisë dhe të Francës.,55) Serbia qe e detyruar të ndërpres invadimin ushtarak të Shqipërisë.56)
POLITICAL DEVELOPMENTS IN THE ALBANIA STATE AND ISA BOLETINI IN YEARS 1913-1915
S u m m a r y
Undefined border, setting the capital, the issue of determining the prince, stakeholders rivalry, such as active interference of external factors, challenge the consolidation of sovereignty and international subjectivity of the Albanian State. So, in years 1912-1915 in Albania resembles a series of political developments, as well as armed clashes between rival parties within the country and also against foreign military intervention.
Referring consulting resources and literature, we estimate that during those political developments Isa Buletini was reunited with forces in defense of the independence of Albania. In April 1913, Isa Buletini accompanied Ismail Kemal in his diplomatic tour in Rome, Vienna, Paris and London, as well as he stood by his and the Government of Vlora as long as this government existed.
Isa rejected political fragmentation of Albania in London with all the tools and was one of the most prominent personality of Albanian irredentes. By the end of June 1913 Isa was engaged in the movement for organization of the liberation war in the part of Albania under Serbian and Montenegrin occupation. For this purpose, in early July 1913 was created a Committee / Central Special Council, based in Vlora, where he adhered. Consequently, during September-October 1913 uprising was carried out against the Serbs, which resulted to temporary release of the five circles , in which Isa Boletini played a special role.
In March 1914, when in Albania reached Prince Wied, Boletini was lined up on the side of the prince and was admitted in audience. But, after the departure of Wied from Albania, in September 1914, such as remaining of the Albanian state without any central power, have intensified actions of Serbia for the implementation of territorial claims, Isa Boletini with friends fled from Durres towards the northern border, where continued action of the Albanian fighting units against the Serb occupiers even during 1915.
FUSNOTA/REFERENCA
.) Андреј Митровић, Албанци у политици Аустро-Угарске према Србији 1914-1918, Срби и Албанци у XX веку, Београд, 1991, f. 82, 85-88.
2.) ЦДА, София, ф. 176К, оп. 2, а е. 1376, л. 6, 11, 22, 41-43; а. е. 1378. л. 88, 141, 146, Raport Nr. 17 i konsullit të përgjithshëm bullgar Pavllov kryeministrit bullgar Vasil Radosllavov etj., nga Vlora, më 12 nëntor 1913.
3.) Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Tiranë, 1997, f. 360.
4.) [FO 195/2453], Nr. 42, (Konfidenciale), Zëvendës-konsulli Greig, drejtuar Ambasadorit britanik Sir G. Lowther, Manastir, 5 korrik 1913, në: Luftërat ballkanike, Raporte Konsullore Britanike nga Maqedonia në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, përgatitur për botim nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, Përktheu nga anglishtja: Majlinda Nishku, Ilir Nishku, 2013, fq.203-204.
5. Државен Архив на Република Македонија (më tej: ДАРМ), Скопје, Микрофилм бр. (më tej: M) 30/465, Kraljevsko-Srpsko, Poverlivo, Br. 758. 8 oktobra 1913 god. Debar, Gospodinu Ispektoru Policije Gospodinu Gospodinu Dušanu Alimpiću, Bitolj, Načalnik Okruga, Nenshkrimi, (N. Ćirković-H.P.)
6 . [FO 294/51], Nr. 41, (Konfidenciale), Kopje për Konsullin e Përgjithshëm britanik, Selanik, Zëvendës-konsulli Greig drejtuar Sir G. Lowther, Kostandinopojë, 28 qershor 1913, në: Luftrat ballkanike, Raporte Konsullore Britanike nga Maqedonia…fq. 188.
7 . ДАРМ, Скопје, 30/M-465, Kraljevsko-Srpsko, Poverljivo, Br. 758. 8 oktobra 1913 god. Debar, Gospodinu Ispektoru Policije Gospodinu Dušanu Alimpiću, Bitolj, Načalnik Okruga, Nenshkrimi, (N. Ćirković-H.P.)
8. [FO 371/1827], Nr. 36 , (Konfidenciale), Zëvendës-konsulli Greig drejtuar Sir G. Lowther.—(Marrë nga Foreign Office më 24 qershor), Manastir, 14 qershor1913, në: Luftrat ballkanike, Raporte Konsullore Britanike nga Maqedonia…fq. 178.
9 .ДАРМ), Скопје, 30/M-465, Kraljevsko-Srpsko, Poverljivo, Br. 758. 8 oktobra 1913 god. Debar, Gospodinu Ispektoru Policije Gospodinu Gospodinu Dušanu Alimpiću, Bitolj, Načalnik Okruga, Nenshkrimi, (N. Ćirković-H.P.)
10 .) Prof dr. Hakif Bajram, Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, 1, Prishtinë, 2003, fq. 141.
11.) ЦДА, София, ф. 176К, оп. 2, а е. 1376, л. 6, 11, 22, 41-43; а. е. 1378. л. 88, 141, 146, Raport Nr. 17 i konsullit të përgjithshëm bullgar Pavllov kryeministrit bullgar Vasil Radosllavov etj., nga Vlora, më 12 nëntor 1913.
12.) AIH, Tiranë, A-IV-335, Nr. inv. 1930, Materiale Arkivale II, 11.734, 13 Vjesht e parë 1329/1913
13 .) AIH, Tiranë, Vj. 23.18.1870, Dok. Nr. 116, Vlorë, 24. shtator 1913, konsulli austro-hungarez, Leibanec-Vlorë
14 .) Душан Батаковиљ, Косово и Метохија у србско-арбанашким односима, Друго допуњено издање, Београд, 2006, f. 205 dhe 300.
15.) Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 nëntor 1912-22 janar 1914), Tiranë, 1963, dok. nr. 266, 275, 277, 280, 281, 282, 285, 286 dhe 296; AIH, Tiranë, A-IV-335, Nr. inv. 1930, Materiale Arkivale II, 11.759, Telrgram nga Qukësi Nr. 390, 15 Vjesht e parë 1329/1913, Isufi, nëpunës (kryetar) i Qeverisë provizore civile të Ohrit, Prefekturës Elbasan; A-IV-336, Nr. inv. 1931, Materiale Arkivale, 11.961, 13 Vjesht e dyt 1329/1913, Prefekti i Elbasanit Aqif; Zekeria Cana, Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX, Prishtinë, 1990, fq. 175-176; Lajme të Brendme, “Përlindja e Shqipniës”, Nr. 18, Vlonë, 28/11 Vjesht` e I 1913; ; Богумил Храбак, Арбанашки упади и побуне на Косову и у Македонији од краја 1912. до краја 1915 године, Врање, 1988, fq. 62.
16.) Dr. Bogumil Hrabak, Elaborat srpskog Ministarstva inostrani dela o pripremama srpse okupacije severne Albanije 1915 godine, Vjetar, I II, Prishtine, 1970, f. 11.
17 .) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српско’арбанашким односима…, f. 205
18.) “Radniçke novine”, , Beograd, 13/26.o9.1913.
19.) AIH, Tiranë, Vj. 23.18.1866, Dok. Nr. 608, Belgrad, më 24. shtator 1913, Telegram shifër, nga von Stork, diplomat austruhungarez.
20.) AIH, Tiranë, Vj. 23.18.1855, Dok. Nr. 615, Belgrad, më 25. shtator 1913, Telegram shifër.
21 .) ЦДА, София, ф. 176К, оп. 2, а е. 1376, л. 6, 11, 22, 41-43; а. е. 1378. л. 88, 141, 146, Raport Nr. 17 i konsullit të përgjithshëm bullgar Pavllov kryeministrit bullgar Vasil Radosllavov etj., nga Vlora, më 12 nëntor 1913; САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књига VII, Свеска 2, 1/14 мај-22.јули/4. август 1914, Приредили Владимир Дедијер и Живота АниЋ, Београд, 1980, dok. nr. 364 fq.497.
22 .) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српсско-арбанашким односима, Друго допуњено издање, Београд, 2006, f. 205.
23 .) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српсско-арбанашким односима…, f. 205,
24 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књига VII, Свеска 1, 1/14 јануар-30.април/13. мај 1914, Приредили Владимир Дедијер и Живота АниЋ, Београд, 1980, dok. nr. 466, fq. 608.
25 .) Shukri Rahimi, Një elaborat i konsullit serb në Kor
26 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска I, dok. nr. 596, f. 761: Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 38, f. 162, nr. 37, f. 169-170. nr. 152, f. 287, nr. 248, f. 381.
27 .) Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Tiranë, 1997, f. 371.
28 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска I, dok. nr. 24, f. 140. nr. 64, f. 189-191 dhe nr. 271, f. 407-408; САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска 2, 1/14 мај- 22 јули/ 4 август 1914, Приредил Владимир Дедијер, Живота Антић, Београд, 1980, dok. nr. 75, f. 206.
29 .) Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 48, f. 178-179; Државен Архив на Република Македонија (më tej: ДАРМ), Скопје, Фонд бр. (më tej: Ф) 18- Краљевско српско посланство-Лондон (1879-1918), Кутија (më tej: К.) 6, арх. един. 4, лист 5 (në vazhdim sipas këtij shembulli: ДАРМ, Скопје, 18.6.4/5), Шифрирана телеграма Бр. 4527, 21.о8./3.o9.1914, Ministria e PJ, Legatës në Londër; САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска 2, dok. nr. 48, f. 178-179; nr. 391, f. 526-536, nr. 392, f. 536, nr. 398, f. 541-542, nr. 443, f. 580-581, nr. 453, f. 587-588 dhe nr. 481, f. 617-620; Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српсско-арбанашким односима…, f. 207. (Administrata shtetërore serbe njësimin e kohës e bënte sipas kalendarit të vjetër gregorian, i cili dallonte nga ky i sotmi për 13 ditë).
30 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије…, Књ. VII, свеска I, dok. nr. 24, f. 140.
31 .) ДАРМ, Скопје, 18.6.4/5, Шифрирана телеграма Бр. 28, Београд, 12/25.1.1914, Ministria e Punëve të Jashtëme (MPJ), Legatës serbe në Londër; САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I…, dok. nr. 24, f. 140, nr. 64, f. 189-191. nr. 77, f. 201, nr. 98, f. 228-229.
32.) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I…, dok. nr. 18, f. 137, nr. 108, f. 230-231, nr. 141, f. 271; САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска 2…, dok. nr. 13, f. 138-142.
33 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I…, dok. nr. 66, f. 193-194, nr. 116, f. 245, nr. 453, f. 596.
34 .) САНУ, Документи о спољној политици Краљевине Србије, Књ. VII, свеска I…, dok. nr. 71, f. 201-202.
35 .) ДАРМ, Скопје, 18.6.13/18-19, Пов. N= 1810, Београд, 17/30.о5.1914, Letër e Nikolla Pashiqit për Boshkoviqin, legati serb në Londër.
36 .) [FO 294/53], Nr. 173, Z. Crackanthorpe drejtuar Sir Edward Grey.—(Marrë më 16 shkurt), Beograd, 11 shkurt 1914 dhe 173.1, Shtojcë në nr. 173, Zëvendës-konsulli Greig drejtuar Z. Crackanthorpe (Konfidenciale), Manastir, 29 janar 1914; në: Luftrat ballkanike, Raporte Konsullore Britanike nga Maqedonia…fq. 313-315 Luftërat ballkanike; .ДАРМ), Скопје, 30/M-465, Kraljevsko-Srpsko, Poverljivo, Br. 758. 8 oktobra 1913 god. Debar, Gospodinu Ispektoru Policije Gospodinu Gospodinu Dušanu Alimpiću, Bitolj, Načalnik Okruga, Nenshkrimi, (N. Ćirković-H.P.)
37.) Драгослав Димитријевић Бели, Албанци у Србији и Југославији од 1912. до 1941. Године, Београд, 5. септембар 2014. Године, fq.20.; Срђан СЛОВИЋ, Косово и Метохија од 1900. године до почетка Првог светскограта, Баштина, Приштина – Лепосавић, св.28, 2010, fq. 289.
38 .) ДАРМ, Скопје, 18.6.38/55, Телеграма Пов. Бр. 171, 27.о8./…1914, Telegram i Legatës serbe, në Londër, MPJ, në Nish; Po aty,18.6.21/32-33, Шифрирана телеграма N=. 355, Атина, 11/24.о8.1914, Ballugxhiq, MPJ; Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српскo-арбанашким односима…., f. 213.
39 .) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у српско-арбанашким односима, f. 205
40 .) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија у србско-арбанашким односима…, f. 206-207
41 .) Dr. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina, 1908-1933, Prishtinë, 1990, f. 189.
42 .) Hasan Prishtina, Dokumente, 1983, dok. Nr. 53, f. 94-96; Богумил Храбак, Арбанашки упади и побуне на Косову и у Македонији …, fq. 127.
43 .) Богумил Храбак, Арбанашки упади и побуне на Косову и у Македонији…, fq. 127.
44 .) Богумил Храбак, Арбанашки упади и побуне на Косову и у Македонији…,fq. 149-150.
45 .) Dr. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina…, f. 189-190.
46 .) ДАРМ, Скопје, Фонд бр. 17-Министерство за надворешни работи-Београд: (Јован Јовановиќ-Пижон), Кут. 2, арх. един. 38, стр. 80 (në vazhdim sipas këtij shembulli: ДАРМ, Скопје, 17.2.38/80), Телеграм N= 60, Пов. Бр. 887, из Лондона-Ниш, 25.о1/.1915, Nga Ballugxhiq, ministri serb në Londër, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Nish, Mbi qëndrimin e qeverisë angleze.
47 .) ДАРМ, Скопје, 1034.9.88/553-554, Nr. 26128, Raport i vice konsullit britanik në Manastir, Manastir, 16.02.1915 (i pranuar më 6.o3.1915).
48 .) ДАРМ, Британски конзули во Македонија 1797-1915, Документи, Редакција М-р Драги Ѓорѓиев, Скопје, 2002, dok. nr. 230, f. 442.
49 .) ДАРМ, Скопје, 18.6.184/248, Пов.Бр. 476, Лондон, 25.о4/…1915, Letër e Legatës (Boshkoviqit), nga Londra, MPJ, në Nish.
50 .) ДАРМ, Скопје, 17.2.203/421-423, Телеграма N= 595, Лондон, 30/.о5.1915, Nga Boshkoviq, Londër, personalisht për Pashiqin, kryeministër i Serbisë, përkatësisht përgjigje për telegramin e tij nr. 1436.
51 .) ДАРМ, Скопје, Фонд: Диломатски Архив Белград, Микрофилм (më tej: M) бр. 472, Пов. N= 934, 31. Августа 1915 године, Ниш, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme; . Богумил Храбак, Арбанашки упади и побуне на Косову и у Македонији…, fq. 173 dhe 178.
52 .) Британски конзули во Македонија 1797-1915…, dok. nr. 230, f. 442.
53.) ДАРМ, Скопје, 18.6.14/21, Шифрирана телеграма N=. 123, из Београда, 24 maj/…1915, Pashiqi, Legatës serbe në Londër.
54.) ДАРМ, Скопје, 17.3.20/35-36, Телеграма N= 612, Лондон, 4/17.о6.1915, Nga Boshkoviq, Londër, personalisht për Pashiqin, kryeministër i Serbisë, përkatësisht përgjigje për telegramin e tij nr. 1477.
55.) Душан Т. Батаковић, Косово и Метохија…., f. 214.
56 .) ДАРМ, Скопје, 17.3.18/30-31, Телеграма N= 306, Пов. Бр. 6273, Софија, 5/18.о6.1915, Nga Çollak Antiq, MPJ, në Nish, mbi komentet në gazetën “Bëllgaria”-pushtimi i Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: DHE ISA BOLETINI, Halim Purlleku, NË SHTETIN SHQIPTAR, NË VITET 1913-1915, ZHVILLIMET POLITIKE

PJETËR GEGË GURAKUQI: DOSJA NR. 318…

January 11, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■“Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht akuzue i tillë?
■Vetem pse ka lé në Shkodër… më 2 janar 1912.
Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd.
Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve.
Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri me shkue prap në Berat.
I përgjegjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.
■Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit… Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje…”
■Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.”
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “Si paraqitet Pjertri ? – Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té…Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur.
■Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun. Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v.
■Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.
■Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.
■Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”…
■Cila ishte përgjegja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.

■GJYKATËS USHTARAKE – Berat
Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashniku,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashniku.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.
V.F.L.P.
■Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
***
■Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
“Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm.
Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I Bexhet Mema d.v.”

■“Komandanti” për të gjithë donte me dijtë vullnetin e fundit!! Prandej e kemi “Hero”!

■ShenimFR: HAPJA E DOSJEVE ASHT DOMOSDOSHMENI. AJO PENGOHET NGA PASUESIT DHE TRASHIGIMTARËT E TERRORISTËVE NË PUSHTET.
Melbourne, Janar 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: DOSJA NR. 318..., Fritz radovani, PJETËR GEGË GURAKUQI:

40 vjetori i heroit të qëndëresës antifashiste Abas Kupi dhe pengu i të birit, Bardhit

January 9, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca/
 Sot, e shtunë, 9 Janar 2016, Shqiptarët nacionalistë, Legalistët dhe Familja Kupi në Nju Jork,organizatat e komunitetit, do të përkujtojnë Heroin e 7 Prillit, Abas Kupin në ditëvdekjen e tij.Është 40 vjetori i vdekjes dhe për të 40-tin vit, mërgimtarët shqiptarë në Nju Jork, do të shkojnë tek varri i tij në Queens-NY dhe do ta nderojnë me kurora lulesh dhe fjalime. Ka 40 vjet, që kryhet ky ritual nderimi e përkujtimi. Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri(së bashku me nënën dhe motrat), nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit, kur ndërroi jetë. Shëndeti nuk do ta lejojë që të jetë pranë varrit të të atit këtë 9 Janar, si në cdo përvjetor tjetër pas ardhjes në SHBA….
E kam takuar shpesh herë Bardhin aty pranë varrit, tek ka vendosur lule dhe përherë më ka përmenduar amanetin që i pat dhënë të atit…Më fliste për besën, që i pat dhënë Abas Ages, atit të tij, atë vjeshtë të vitit 1944. Më tregonte se brenda vetes ndjente dhimbjen që i shkaktonte pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë e mbajta besën, nuk e ula koken edhe pse vuajta… nuk ligshtohem, nuk pendohem për atë që kam vuajtë gjatë 45 viteve nëpër burgjet e kampet e internimit. Gjithëçka e kam bërë me vetëdije, se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”
      ***
        Me Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, pata lënë një takim kohë të shkuara tek restoranti “Dani’s House of  Pizza” , që ndodhet në  Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.
Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.
– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji.
Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska, solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.
     Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Jo” të prerë. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:
-Të lutem, mos e bëj këtë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti këmishzinjtë fashistë, me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin,
 
Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve
 
Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e  britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.
Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e  peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e  Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të  Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai  qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e  pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën.
 
Abaz Kupi, shtyllë e luftës
 
Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut.
Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin  e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek ”Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e  tij ”No colour or Crest”.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte  pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri  ai e përshkruan kështu: ”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet  e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët  që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar  që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me  ç’rast armiku la aty shumë të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”.
Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun  dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.
Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.
Kur kronikat e  betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.
Më pas në shtabin e  tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e  Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.
Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e  aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e  mbetur.
Besa dhe pengu i të birit
 
Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë… Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat; . Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:- “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.
Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit. Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.
Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi: ”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”.
Poshtë firma.
Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët.
Kjo e ka ligështuar Bardhin dhe ende vazhdon të pyes ata që kanë qenë afër tij nëse ka kush dijeni për atë copëz letër, që e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes,  apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.
 
ENVER HOXHA, PARA SE TA SHPALLTE ARMIK, E SHPALLI HERO

“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”
*Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943

 
Kur Fatbardhin e provokonin për të atin
 
Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.
Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:  Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam firkë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.
Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?
Ai u përgjigjej: Po vranë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!
Ishte reagimi i një 17 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.
Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik tani!
– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte ekstremist dhe gjaksor, e kujton atë incident të vështirë.
 
 
Arrestohet si armik i popullit
 
Fatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë me vështrim të kthjellët.
Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz kupit. Fillimisht në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.
 Po si erdhi arrestimi i parë? 
Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.
Ai që i dha pushkën thirri fort:- S’ka mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!
Kjo dikënd xhelozoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.
Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës.Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.
Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”
Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.
Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar,  në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.
Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e  tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në  vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.
Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë.
 Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. Atëherë i kishin bërë ekspertizën e një hartimi që kishte shkruar Bardhi në shkollën e natës. Në atë hartim shkruante për vjeshtën, stina ku binin gjethet. Dhe natyrisht që akuzohej se aludonte për rrëzimin e pushtetit.
U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.
 
Me kujtimet për të atin
 
Edhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i Abazit luajmë një shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.
Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një baba trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!”
Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?
Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët që thjeshtë dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”
Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim ia kishte shfaqë edhe Lef Nosit, Patër Harapi. Bardhi sërish u ndje mirë sepse tashti këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.
 
Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin  të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.
– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.
–  Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.

Filed Under: Histori Tagged With: 40 vjetori, Abas Kupi, Bardh Kupi, i vdekjes, pengu i te birit

BEKMI I PAPA GJON PALIT TË II PËR MISIONIN “AGIMI”NË SHQIPËRI

January 7, 2016 by dgreca

Don Giuseppe dhe malet e kanalit të Otrantos ishte rruga për në Shqipëri/
Nga Gëzim Llojdia/*
1.Më 30 tetor 1991 në Otranto, Kryepeshkopi mons.Vincenzo Franco, së bashku me drejtorin e Caritas Don Giuseppe Colavero dhe shtatë anëtarë të tjerë, nënshkruan kartën zyrtare të Qendrës “Agimi”.Ky mision i shërbeu mjaftë jugut të vendit me ndihmat e tij.Më 20 nëntor 1991, Gjon Pali II bekon Statutin e Agimi dhe punën e të gjithë atyre që bashkëpunojnë me Qendrën.
“… Papa dëshiron të falënderojë dhe duke shpresuar për nismën e lavdërueshme, bollëkun e favoreve qiellore, përçon për ju dhe për të gjithë që punojnë në Bekimin Apostolik …”(Me letrën e Papa Gjon Pali II).
2.Botimi nga Prof. Don Giuseppe Colavero të librit “Le montagne sul canale, Otranto-Valona Strada per L’Albania”nga Tipoffsett Colazzo, Corigliano D’Otranto,ishte në mesin e punësive që kishte ndërmarr shoqata” Agimi” me President Don Giuseppe për të ndihmuar shqiptarët c’praj, 4 majit ,të vitit 1991 në Otranto kur në bregdetin pulieze kishin zbarkuar dhjetëra mijëra njerëz. “.Agimi lindi, në një përpjekje për të verifikuar për të ndihmuar , mbi një mijë refugjatë shqiptarë,qw ishin aty. Këtë botim të Don Giuseppe e mora në vitin e botimit ,kur e intervistuam për gazetën lokale rreth ndihmës së paçmuar të Don Giuseppe dhe shoqatës”Agimi” kishte dhënë në Vlorë si dhe në vende të tjera të rajonit. Ngjan si një histori e largët, mirëpo ata që e kanë përjetuar ndihmën e Agimit i kanë të freskëta kujtimet e saj. Në lagjen Kume të Vlorës, sot është një godinë e mbetur në harresë,përmes objekteve të tjera që kanë zhvilluar qytetin jugor. Ngrehina me dy kate dhe me një arkitekturë mjaftë të pasur qëndron ende aty si një fragment i ndihmës, që kishtarët italian i dhanë vendit tonë në kohën e krizës së madhe të tij. Kur pyeta Don Giuseppe se përse ishte në kopertinë një foto me Otranton nga ishulli i vetëm i vendit tonë ,qartazi shihej bregdeti italian. Mirëpo një foto tjetër kishte të fiksuar edhe pamjen e vendit të vogël të shqiponjave,Baba Tomori me dëborë si një hije dhe vend i zotave ishte prezent atje. Don Giuseppe ishte një prift katolik i arsimuar mirë dhe një njeri humanitar. Në fshatin Panaja tw Vlorws , Don Giuseppe dhe misioni i tij humanitar rikonstruktuan me mbi 150 milion lireta shkollën e fshatit duke e rikthyer atë në një qendër të madhe edukimi me kushte të reja,dyer,dritare,pllaka ,tualete.Në fshatin Vajzë të Vlorës,vendlindja e poetit Ali Asllani,ku gjendej një shkollë bash në hyrje të saj një godine, që ishte kandisur si mos me keq, ndonëse asnjë ushtri barbarësh nuk kishte shkuar andej në vitet” 90. Don Giuseppe shpenzoi mbi 60 milion lireta ndihmë të mbledhur ndër kishat e shtetit italian për të shkollën e katundit Vajzë duke kryer rikonstruksione dyer,dritaresh etj. Miliona lireta u shpenzuan edhe për të rikthyer në identitete shkollën tregtare,në Vlorë një institucion që kishte fillimin e tij nw 8 Nëntor 1924 dhe punonte në kushte jo të favorshme. Don Giuseppe e filloi misionin e tij humanitar si një prift i përkushtuar në vendin ku feja zyrtarisht ishte kyçur me vendimin e shkurtit të vitit 1967.
6 Laborator dentar,qendra gjakut,kurim ne spitalet italiane, 3000 lente,laborator analizash diagnostikimi,2 ekografi, bibliotekë shkencor e kompjuterike,pajisje ambulatore,pajisje për lindje, libra,kurse,sesione shkencore mjekësore ,kurse për fëmijët e verbër,etj.
Misionet humanitare të shumë shteteve midis të cilave italianët duhen vlerësuar ngase kanë ndihmuar në fillimet e vitit ‘91 mijëra banorë me pako,libra,ilaçe,shtrime jashtë shtetit për të sëmurët etj. Don Giuseppe ishte një prift i thjeshtë me veshjen e tij,me flokët e rënë në pjesën e parme ,i gjatë dhe me një vështrimin thikë. Rezidencën e parë Don Giuseppe e kishte ngrehur ,në qytetin jugor pranë pusit të Mezine, ku aktualisht dhe gjithë kohës janë rezervat e shtetit. Në Vlorë shoqata analoge pati si drejtues pedagogun universitetit të Vlorës, Petraq Truja.
Në vitin 1996, në qytetin e Vlorës u ndërtua një godinë tre katërshe, e financuar nga partnerët italianë, ku do të përqendroheshin aktivitetet humanitare të shoqatës, që do të shërbente edhe si rezidencë e saj. Projekti, mjaft modern për kohën, kishte si arkitekt një specialist italian. Godina u përfundua dhe u vu në funksion. Mjekë italianë në specialitete të ndryshme, bënin vizita dhe konsulta falas, ndërkohë që, në mjediset e saj, funksiononte edhe një bibliotekë e pasur. “Ky objekt, ishte ndër të parët që u grabit dhe u dëmtua në pranverën e vitit 1997″. Edhe pse e lanë pa shtëpi (ndërtesa ku kishte selinë Shoqata nëVlorë dhe që shërbente si qendër koordinuese e të gjithë aktiviteteve të AGIMI-it për mbare Shqipërinë, u vodh, u plaçkit e, aktualisht, është preokupuar nga familjen), edhe pse deshën ti prisnin krahët që ai të mos fluturonte për të përhapur
dritën e tji, AGIMI vazhdon të rrezatoje: ndihmat humanitare,aktivitetet e shumëllojshme .Qyetet ky kreu misionin shoqata : Vlora, Berati, Maliq, Bilisht,Gjirokastër,Lushnjë,Sarandë,Librazhd,Tiranë,rrethi i Vlorës.
3.
Kush është Don Giuseppe Colavero,prifti i misionit humanitar :”Agimi”?
Lindur në Carpignano Salentino (Lecce), 1942/04/05.Ai studioi në Otranto, Molfetta, Napoli, Lecce,’u shugurua prift katolik në 16 korrik 1966. Ai mori një licencë në teologji në Fakultetin Teologjik të Jezuitëve në Napoli. Diplomohet në letërsi e filozofi në Universitetin e Leçes,mësues i kualifikuar i historisë, filozofisë dhe shkencave arsimore. Ka dhënë mësim në seminarin e fesë gjimnazin e Otrantos, në Shkollën e Lartë Shkencor të Maglie,. Ish-pedagog i historisë dhe filozofisë në Shkollën Eksperimentale Liceo “F. “të Maglie. Profesor i filozofisë teorike dhe Shkrimit të Shenjtë në Institutin e Shkencave Fetare të Otrantos. Themelues i Fratres “vullnetaret e dhuruesit e gjakut” Terra d’Otranto. Drejtori rajonal i Caritas dhe anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Këshilli i Caritasit italian në vitet ’90. Themelues rajonal i “Nevojat dhe Shërbimet”.Drejtori i Caritasit në Otranto nw vitet 1975-1998. Drejtor i revistës “Caritas Otrantian” deri në vitin 1998, dhe revista AGIMI deri më sot.
Koordinator i projektit Caritas në jug të Shqipërisë 1991-1995. Themelues dhe President i Shoqatës Ndërkombëtare “Agimi” (Agimi) .Pastor i famullisë “Zonjës së Virgjëreshës Mari” në Carpignano Salentino që nga viti 1997. Menaxher Kombëtare i Jezusi Caritas dhe anëtar i Asambleve evropiane dhe botërore, që nga viti 2005
Ka publikuar:
-Malet e kanalit, Otrantos-Vlore rrugë për në Shqipëri,1993.
– Në rrugët dhe rreth tavolinë, Graphics Panic, Galatina 1996 .
Shkolla italiane dhe shqiptare, Argo, Lecce 1994 .
– Edukimi për pjesëmarrje dhe demokraci 1994 .
-Ballkani dhe Mesdheu, Botimet Salento, Galatina, 2000,
-Gjiri Adriatik i Evropës 2007.
Ai ka përkthyer ese teologjike dhe vepra shpirtërore nga gjuhët spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Shef i Komunitetit për dhe të pastrehë, AGIMI Eurogiovani në rrjetë (Lecce), Itali.
4.
Më 30 tetor 1991 në Otranto, Kryepeshkopi mons.Vincenzo Franco, së bashku me drejtorin e Caritas Don Giuseppe Colavero dhe shtatë anëtarë të tjerë, nënshkruan kartën zyrtare të Qendrës “Agimi”.Ky mision i shërbeu mjaftë jugut të vendit me ndihmat e tij.Më 20 nëntor 1991, Gjon Pali II bekon Statutin e Agimi dhe punën e të gjithë atyre që bashkëpunojnë me Qendrën.
Rreth një vit më vonë, Ministria e Kulturës dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë njeh zyrtarisht Agimin si “shoqata kulturore dhe humanitare”.Që atëherë ajo shkon në çdo ditë në shumë pjesë të përpjekjeve të Italisë dhe Shqipërisë për pohojnë vlerat dhe parimet e Shoqatës, i mbështetur nga një numër në rritje të njerëzve të cilët, për arsye të ndryshme, janë në kontakt me ta.Në dhjetë vjet ka qenë në veprim të vazhdueshëm në Shqipëri,shoqata Agimi-veçanërisht në pjesën jugore të vendit duke krijuar një rrjet të seksioneve. Rrjet që ka provuar vendimtar për një rritje të rëndësishme kulturore, shpirtërore dhe materiale kulturore, shkencore.
*Ne Foto:Don Giuseppe Colavero

Filed Under: Histori Tagged With: Bekimi i Papa Gjon Palit II, Gezim Llojdia, Misioni Agimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • …
  • 698
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT