• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NENE TEREZA: Dashuria nis në shtëpi

December 10, 2015 by dgreca

Më 10 dhjetor kujtojmë përvjetorin e dorëzimit të Çmimit Nobel të së Lumes shqiptare – Nënës Terezës, Ganxhe Bojaxhiu, në Oslo në vitin 1979.

Aso kohe qe një befasi e kënaqësi për të gjithë, sidomos për të varfrit e Misionareve të Bamirësisë e për Shqiptarët. Një befasi, sepse shumë njerëz pyesnin: çfarë ka bërë Nënë Tereza për paqe në botë?  Shumë, gjithçka, ajo e dhuroi jetën e saj shërbim të më varfërve ndër të varfër të botës, duke u mjekuar me dashuri plagët e të gërbulurve, duke strehuar njerëzit e braktisur e të mënjanuar, duke u ridhënë njerëzve të përbuzur nga shoqëria bashkëkohore, dinjitetin njerëzor të dhunuar, duke i respektuar e dashur si bijë të Zotit e vëllezër tanë.

Ja Fjalimi i së Lumes Nënë Terezë mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe në Oslo, më 10 dhjetor 1979

E Lumja Nënë Terezë: “Fjalimi në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel (Oslo, 10. 12. 1979)

Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se, për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq shumë.

Mendoj se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për t’ia sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë njeri në gjithçka, veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë. Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë, ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve këtë dhuratë. E si mund të themi se bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet? E ia dha Virgjërës Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi ta jepte lajmin e, si hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja – ende e palindur, në kraharorin e Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari i parë i paqes!

Njohu Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin e mirë, për mua, për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste mbi kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të Kalkutës, por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli këmbë ta donim njëri-tjetrin, ashtu si na kishte dashur Ai vetë.  Lexohet qartë në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua, si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort, sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje. Nuk mjafton të themi: “Zotin e dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen kur thua: “Zotin e dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh, kur nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka shumë rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë deri në dhembje!

I dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i sigurt se do ta kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante urinë tonë për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U krijuam sipas shëmbëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai u bë njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri, i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na kujtojë: “Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë,  e kjo është uri për të varfrit tanë. Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi edhe në strehën tonë! Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një shtëpi, ku strehoheshin një mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të gjithë të flakur në atë institut dhe… të harruar!

Shkova atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura, por të gjithë i kishin sytë të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur. Iu drejtova një motre e i thashë: – Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët i kanë gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që janë duke dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz.

E ajo ma ktheu: – Kështu i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë për t’i parë ndonjë prej bijve a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të harruar, e, shikoni, pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë të duhemi. Ndoshta në familjen tonë kemi ndokënd që  ndjehet i vetmuar, i sëmurë, i shqetësuar, e këto janë ditë të vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i ndihmuar? A është aty nëna, për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur shoh, në perëndim, shumë djem e vajza të droguara  dhe e vras mendjen për të gjetur psenë, pse ndodh kjo? E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për fëmijët e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh rrugëve, gati për të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen! Pikërisht këto janë gjërat, që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës.

E lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër qartë: “Edhe sikur nëna ta harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur në pëllëmbë të dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij! E edhe foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që më trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të harronte…”. Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna  mund të harrojë, na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!

Prandaj bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne. Në çdo orë të ditës e të natës, është dikush, që ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë tek ne, ne do të kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa të panumërta nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë edhe një gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë, banorëve të  barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit familjar.

E vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne. Të varfrit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!

Një mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet tyre, një grua  në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre të parët, për këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë dashurinë, që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një buzëqeshje  të mrekullueshme. Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Nuk mund të  mos zbrisja në fundin e ndërgjegjes sime atë ças, përball së vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”. Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë se kam uri, kam ftohtë, dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa ajo më dha shumë më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me  buzë në gaz.

Ashtu si burri, që e gjetëm në kanal, gjysmë të brerë nga krimbat e e sollëm në shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të shikoje madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste kështu, pa akuzuar kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo është madhështia e njerëzve tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë: “Isha i uritur, isha lakuriq, isha pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi veprimtarë të vërtetë shoqëror. Ndoshta, për sytë e botës, puna jonë mund të duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese, në zemër të botës.  Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi njëzet e katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë e ta çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e bashkuar. E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që shkatërrojnë. Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë, pra, këtë paqe, këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E kështu do të mund të fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje, shumë urrejtje, shumë mjerim. Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta nisim betejën e dashurisë pikërisht nga shtëpia!

Dashuria nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria, në çdo gjë që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta gjykojë  dashurinë me të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun që vuan. Jo shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po fëmijët e morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar në shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap  sheqerin tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i fëmijës e sollën sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e tyre mezi e shqiptonte emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë. Kishte ardhur të dhurojë dashuri.  Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush!

Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfrin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.

Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”.  Pa e zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri. Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri  për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam shumë mirënjohëse.

Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës. E me këtë çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë shtëpi.  Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një shtëpi për të varfrit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej dashurisë, do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfrit. Për të varfrit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!

E ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e ne i ndajmë me Të këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i padëshiruar, i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë – si mund ta kënaq? Më duket tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip njeriu, që mund ta quajmë i varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të luteni për ne, që të jemi të afta për t’u bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se nuk mund të realizojmë asgjë pa ju, sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në vendin tuaj.

Duhet t’i njihni të varfrit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale, ka gjithçka, por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është fillesa e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur takohemi kështu, nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra, për motrat tona, për vëllezërit tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i shërbejnë në të varfrit, së bashku me ju. Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me lutjet tuaja, me dhuratat tuaja, duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë që ju tepron. Nuk dua teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora 15 dollarë nga një burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja pjesë e trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq, është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i kursyer këto para, që po t’i dërgoj.

Duhet të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të, por edhe tepër i bukur. Me paratë e tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit, për gëzimin e të dyja palëve: ai dha, të varfrit morën. E kjo është dhuratë e Zotit për mua e për ju, ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë Jezusit.

Ta duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë. Ta duam njëherësh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq afër. Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta ndajmë këtë gëzim me të gjithë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i vërteti. Nuk kemi arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është në zemrat tona. Krishti është në të varfrin, që takojmë; në buzëqeshjen që dhurojmë e që na dhurohet. Të zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i padëshiruar, e që do ta pranojmë me buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është tepër vështirë të buzëqeshësh.

Pak kohë më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për vizitë rreth 40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në Kalkutë në shtëpinë tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin qenë në shtëpinë tonë ku strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit, pasi erdhën në shtëpinë tonë, ku u folëm për dashurinë, për mëshirën.

Si u fola për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: – Nënë, ju lutem, na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: – Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni!

E njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti: “Jeni e martuar?”.  Po, ia drodha, dhe shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse nganjëherë kërkon edhe tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen dashuria, kur Krishti është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim. Po e them këtu se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do të shkoj  për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet të gatshme për të shkuar në Qiell.

Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë, sepse Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na do e se kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e mëdha, por në të voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të bëhej fole dashurie. E sa gjë e bukur do të ishte, që pikërisht këtu të na dhurohej  një qendër për paqen! Që prej këtu të delte gëzimi për jetën e fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë, që digjet në botë për paqen, atëherë vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin norvegjez. Zoti ju bekoftë!

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: dashuria, Nene Tereza, nis në shtëpi

SHQIPNÌA NË LUFTË

December 6, 2015 by dgreca

NGA MUSTAFA KRUJA/*

Nuk jemi aspak antarë të luftës; si për parime e ideale ashtu edhe për interesa të drejta vetore jemi me gjithë shpirtë kundra saj. Por, megjith’këtê, po t’a kërkojë interesa e atdheut, edhe luftës i themi, e prap me zêmër e me shpirtë: “mirë se erdhe!”

Nuk âsht fjala aty. Duem të kthjellojmë nji fakt, ashtu si ç’na del parasŷshë, pa prekë fare në parime, theoríë, ideale e as dëshire. Shqipnía a âsht në luftë a në paqë? Po i lâmë stërhollimet e shkencës juridike qi e sqyrton punën de facto a de jure ; stërhollime sofistike qi na japin nji përgjegje me dy faqe. Por po pyesim vetëm de facto, do me thânë nj’ ashtu si po na e shohin punën sŷt e po na e ndëgjojnë veshët : si ç’âsht me të vërtetë. E at’herë pra Shqipnía gjindet në luftë, dash’ a pa dashë, qyshë kurë ka shkelë kâmb’ e huej mbi tê, duke e bâ me marrë pjesë prej çdo farë efektesh të luftës. Shbarkimi i ushtríve italiane në Vlorë e kalimi i Serbo-Malazezve nëpër tokën t’onë fatkeqe do të thirrshin, do e mos, edhe ushtrít e anmiqvet të tyne mbrêndë. Me të vërtetë, Austro-Hungarët e Bullgarët nuk vonuen me i ndjekë, kâmbë më kâmbë, të mundëmit e tyne deri n’ Adriatik, ku hasën më nji tjetër fuqí mâ të fortë, me të cilën nuk mjaftoi nji pushkim i vogël si me të parët aty e këtu nëpër pyjet e sukat e Shqipnís; por u desh me bâ nji luftë të vërtetë me të tâna mjetet tokësore, detësore e ersore: luftë qi ka me mbaruë, pa dyshim, edhe ajo, vetëm me paqën e përgjithshëme.

Sod lufta nuk ka në atdheun t’onë atê ngjyrë qi kish në fillesët : at’herë ish ndërmjet Austro-Hungarvet e Bullgarvet më njênën anë dhe Serbo-Malazezvet më tjetrën. Sod vêndin e këtyne të mbrapëmet e zânë Italianët; Bullgarët e Frêngjit mund të mos i numurojmë mbasi përbâjnë nga nji pjesë të vogël të secilës anë.

Pra lufta në Shqipní sod thuhet austro-italiane. A âsht’ me të vërtetë thjesht austro-italiane, edhe tue i lânë më nj’anë Frëngjit e Bullgarët? Jo! Ku po bâhet lufta? Në Shqipní! Cilat qytete e katunde po shkretohen prej kësaj lufte? Të Shqipnís! E díjmë fort mirë se do të gjindet kush me na u përgjegjë prej të huejsh se Shqipnía ishte e âsht vetvetiu nji shkretinë e s’ka ç’i bân e ç’i prish lufta!… Edhe na e díjmë qi vêndi i ynë s’âsht nji Belgjikë. Por na popullin t’onë e të Belgjit mundemi me e krahasue me dy njerëz, nga të cilët i pari âsht’ i zoti i sa milionave prej çdo farë nature dhe i dyti për shêmbëll ka vetëm pêndën e qevet e arat e tij edhe ksollën. Të parit po t’i digjet ndonjê pallat a t’i bâhet ndonjê milion dâm kurrgjâ e ligë nuk e ka gjetun, se ka tjera plot. Por me iu djegë ksolla të dytit, me gjith’ ato dy fije rraqe qi ka mbrênda, ase të ketë rrezikun me i dalë duersh qetë, e ka gjetë gjith’ e zeza, âsht fikë. Do të thuhet se nuk âsht bâ luftë nëpër qytetet t’ona! U lutemi tepër miqvet dhe anmiqvet, të kenë mëshirë e arsye : nuk na e merr mêndja të ketë n’ Austrí e në Gjermaní ndonji qytet qi të ketë hangër bomba sa i mjeri Durrës shqiptar. Bomba me kuintala e me tonelata janë derdhë mbi tê e zjarme të rreptë, sa me u pà me 30 e 50 kilometra për së largu, janë shkaktue! Na nuk duem, as qi e sjellim ndër mênd fare t’u bâjmë qortimet veprimevet ushtarake të Aleatëvet. Nuk e kemi këtê fuqí as këtê kompetencë. Vetëm duem të themi nji të vërtetë për ata qi munden të kërkojnë me na mbyllë nji shtek për ditën në të cilën kanê me u këqyrë hesapet e gjithë botës e gjithë kombësívet qi kanë vuejtë më të kotë prej ksaj lufte. E marrim lirí t’i shtojmë këtij kapitulli sall nji shënim të vogël : për me mêndue qi Shqiptarët nuk ndîejnë në zêmrat e tyne nji ankim mjaft të thellë e t’arsyeshëm kur shohin se falkojt’e Italís fluturojnë deri në zêmrën e anmikut mortar të saj, mun deri në Vienë, e s’bâjnë tjetër përveçse me lëshue teposhtë copa kartash ; ndjekin të tânë bregun e kundërt t’ Adriatikut tue hudhë bomba në Durrës e Shën Gjin të Shqipnís dhe prapë karta në Zara të Austrís ; duhet me i mbajtë a për njerëz të marrë e pa kurrfarë ndîesísh ase për sênde të sypërnatyrshme.

Shqipnía âsht në luftë ; bíjt’ e saj të veriut i pritën ushtrít austro-hungare e bullgare si dorën e Zotit, t’ardhme me u shpëtue jetën e nderën nga kthetrrat e anmikut të pashpirtë, i cili qyshë se i kish futun nën zgjedhë s’kish lânë mjet e mënyrë pa përdorë për me i stërfarë. Gjithashtu u përshëndetën me gëzim e brohorí Italianët e Frêngjit në Shqipnín e Poshtëme ku mizorít e Grekut kundra Shqiptarvet kishin kapërcye çdo farë kufîni qi njeh historía. Shqiptarët nuk u mjaftuen vetëm me nji tregim nderimi e sympathíe kundrejt shpëtimtarvet të tyne, por ngjeshën armët e formuen trupat e vet, qofshin të quejtun çeta a milisa, për me mos ua lânë thjesht të huejve primin e vêndit të tyne.

Kështu bânë të Veriut e kështu të Mesditës, të shtymë njêna palë prej mënís me Slavin dhe tjetra më Grekun. Por mâ në fund fati i qiti edhe përballë shoqi-shoqit. Megjithë këtê ata kudo qi kanë rà kanë qênë me mênde e zêmër të mbushme se gjaku i tyne âsht derdhë për me forcue të drejtat e kombsís shqiptare e t’atdheut shqiptar.

Le të dihet pra se Shqiptarët kanë bâ edhe mjaft sakrifice gjaku, e jo për tjetër por veç për shlirimin e kombsís së tyne nga çdo farë zgjedhe e huej e për sa të jetë jeta.

Në mos na rrêjshin lajmet qi po marrim nga burime të sakta, vëllaznit t’anë n’ Amerikë po bâhen gati të formojnë nji regjiment për me luftue nën flamurin kombtar për krahash me ushtrít e Besatarvet të Prêndímit. Kur të jetë puna me naltue flamurin kuq-e-zi përpara botës së qytetnueme nuk kemi veçse të përgëzohemi me bashkatdhetarët t’anë, kudo qi të jenë e me se do qi të mundohen për atê qëllim të shêjtë; sidomos kur të shohim se vêhet në lterin e sacrificit gjaku i lules së djelmnís s’onë, zêmra na mbushet me miratim për nisatorët e me shpresë për përtardhmen e atdheut.

Duem të besojmë se krênët e kësaj lêvizjeje të bukurmêndueme nuk do t’i kenë mbajtë larg sŷsh disa pika me rândësí kryesore të çâshtjes. Ku, në ç’ballë lufte do të luftojnë ushtarët t’anë t’ardhun prej Amerike? Pas mêndes s’onë atje, ku kombësía e flamuri shqiptar kanë nevojë mâ tepër të duken, të njihen e të konfermohen; atje, ku sheptiqisma drejt vjeftës e së drejtës s’onë tepron mâ shumë se kudo ; atje, me nji fjalë, nga âsht friga me i ardhë Shqipnís shuplaka mâ e rânda : në Francë, për krahnash me ushtarët e Wilsonit. Nuk duem të kemi pikë dyshimi se nji zâ i tmerrshëm qi na ka rà në vesh, pas të cilit regjimenti i ynë, a regjimentat t’anë të formuem n’Amerikë kanë me luftue në Shqipní! Rueina o Zot prej kobesh!… Kurrkund s’mund, s’lypset të vejë Shqiptari me luftue, ku ka gjasë me i dalë në grykët të pushkës nji vëlla i veti.

* MAK.

Gazeta “Kuvêndi”, 15 Gusht 1918

Filed Under: Histori Tagged With: Mustafa Kruja, SHQIPNÌA NË LUFTË

Kujtime personale te patriotit Kristo Kirka per Imzot Nolin

December 5, 2015 by dgreca

Nga Zhani Lito/*

Kontributi i Imzot Nolit per kulturen Shqiptare:

1- Pranvere 1922, Kristo Kirka dhe Noli jane Deputete te Parlamentit Shqiptar dhe qendrojne se bashku ne nje hotel ne Tirane. Kirka kujton se ne nje mengjez Noli ishte cuar shume i gezuar dhe ne humor, keshtu qe e pyeti Nolin pse ishte kaq i gezuar?

Noli ju pergjigj: ” mbreme perfundova se perkthyeri nga Anglishtja, poemen ‘Korbi” te shkrimtarit amerikan Edgar Poe”. Kirka vazhdoi, ” por kjo nuk eshte hera e pare qe perkthen literature te huaj ne Shqip, por ama kete here je shume me i lumtur, pse? Noli buzeqeshi dhe ju pergjigj, ” sepse tingullon shume me bukur ne Shqip….. Sidomos pjesa kur Korbi thote Kurre me (never more), kurrrrreeeee mmmeeee tingullon si Korbi.

2- Imzot Noli eshte mik ne shtepine e Kristo Kirkes

28 Nentor 1923, dita e Pamvaresise. “Ate nate nuk do ta harroj kurre, – rrefente nene Athinaja. Une ndenja ne dhomen e madhe te miqve, midis burrave. Mbaj mend qe ishin At Vasil Marku, krushku Petro Harizi dhe zoterinjte Kole Rodhe, Tefik Panariti, Loni Kristo, Hasan Bitincka, Thoma Orollogai, Kol Tromara, Faslli Frasheri, Sami Koprencka e te tjere. Te gjithe gatimet i beri nikoqirja Niqi. Hiresija e tij hante nga pak por I provonte te tera dhe shprehte kenaqesine e gatimit Korcar. Tek provoj byrekun, tha me Shaka: ” si byrekun I Kolonjes” Qeshen te gjithe. – E ku e ke provuar ti byrekun e Kolonjes!, e ngacmoj Kristoja. – “Ne Amerike, tha Noli”…..

Muhabeti ishte i shtruar e me sere, po me teper degjohej fjala e Imzot Nolit, fjale qe hynte ne zemer e ste shqitej Kurre. Kur e degjoja, thosha me vets: ” Zoti I madh ka zbritur ne shtepine tone vete Krishtin!” – Libri Kristo Kirka faqe 150

3- Vitet e 1930’s, ishin mbushur me ngjarje te rendesishme per Nolin dhe Kirken.

Kristo Kirka ishte kthyer familjarisht ne Shqiperi dhe kishte permbushur disa sherbime patriotike si qeveritar ne Himare dhe Bilisht. Noli, tani ne Amerike, kishte bere paqe me Zogun dhe nuk e kritikonte me.Patriarkana e Stambollit kishte njohur Kishen Orthodhokse Shqiptare si Autoqefale ne 1937. Si rrjedhim, me 1938, Mbreti Zog dergon ne Amerike K Kirken dhe Aqif Permetin me mision special, ti mbushnin mendjen Nolit to kthehej ne Shqiperi dhe te behej Kryepeshkopi i Shqiperise dhe te kryesonte inisiativen per te krijuar nje Universitet ne Tirane. Per fatin e keq kombetar, Shqiperija u pushtua disa muaj me vone nga Italia dhe filloj Lufta e II Boterore.

4- Gjate vitit 1946, Kristo Kirka ishte arrestuar dhe burgosur nga regjimi komunist. Familja Kirka nepermjet kunatit ne Worcester, MA – Dhimiter Harizi i kerkon Nolit te nderhyje prane Qeverise komuniste qe t’ja lehtesonin denimin.

Me poshte leterkembimi I Nolit

me kunatin e Kirkes:

I dashur Tako:

Sipas letres suaj, shkrova menjehere atje ku duhet per ceshtjen e Zotit Kirka. Kam shprese qe lutja ime T’i hynje ne Pune dhe t’ia lehtesojne gjendjen.

Me bekim prej zemre, mbetem

Uronjesi juaj me Krishtin

Peshkop F.S. Noli

Per fat te keq Qeverija Komuniste nuk mori fare parasysh kerkesen e Nolit dhe veprimtarine patriotike te Kirkes. Kristoja dha shpirt ne Burgun e Burrelit me 1955.Kujtimet e K Kirkes mbi Nolin pershkruajne shume bukur Nolin si intelektual, poliglot, fetar, patriot, udheheqes, dhe mik te shtrenjte.I perjetshem qofte kujtimi I Nolit!

* Katedralja Orthodhokse e Shen Gjergjid, Boston – 22 Nentor 2015 – Simpozium per 50 Vjetorin e Vdekjes te Imzot Nolit – Biblioteka F S Noli(Ky ishet vetem nje ekstrat i kumteses, e mbajtur ne shqip dhe anglisht)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kujtime personale, per Imzot Nolin, te patriotit Kristo Kirka, Zhani Lito

TEZA DHE KUNDËRTEZA PËR LUFTËN ANTIFASHISTE

December 4, 2015 by dgreca

*Teza e parë: Lufta Antifashiste e popullit shqiptar/

*Kundërteza: Lufta Nacionalçlirimtare/

NGA URAN BUTKA/

Me pushtimin e Shqipërisë nga okupatorët italianë e më pas gjermanë, lindi qëndresa dhe lufta antifashiste e popullit shqiptar kundër tyre, në krah të Aleatëve të mëdhenj Antifashistë. Në këtë luftë çlirimtare kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmësuar gjithë faktorët  antifashistë, ndaj edhe duhet të quhet saktësishht “Lufta antifashiste e popullit shqiptar”.

Enver Hoxha, ky manipulator madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare, si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë. Qëllimi i tij ishte që të monopolizonte luftën antifashiste, për të monopolizuar edhe pushtetin, që do të vinte pas luftës, pushtetin e vetëm absolut të tij dhe të PKSH.

Këtë qëndrim politik e përqafoi dhe u përpoq për gjysmë shekulli ta impononte e ta publikonte me të gjitha mënyrat e mjetet historiografia komuniste, për të justifikuar pushtetin monist. Këtë mit e mbrojnë edhe sot disa politikanë dhe historianë, që kanë lidhje të pashkëputur me ideologjinë e të shkuarës, por që kanë edhe synime që ta shfrytëzojnë ende potencialin njerëzor të Luftës Nacionalçlirimtare për  interesa politike dhe elektorale.

Në fakt, Lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashiste e çetave të Ballit Kombëtar,  Legalitetit,  lëvizjeve  Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontriubuar.

Madje,  Luftën Antifashiste e nisën së pari intelektualët dhe studentët shqiptarë, që demonstruan kundër pushtimit Italian. Pjesa më aktive e tyre, si Llazar Fundo, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Isuf Luzi, Vasil Andoni, Hasan Reçi, Ndue Pali etj, u burgos dhe u internua në Ventotene dhe e vazhdoi atje rezistencën antifashiste. Luftën e armatosur e filluan atdhetarët  jokomunistë si Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Nazif Mero etj. që i pritën pushtuesit italianë me armë në Durrës, Shëngjin, Sarandë etj. dhe e vazhduan  nacionalistët Myslim Peza, Ismail Agë Petrela, Shyqyri Peza, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Mestan Ujaniku  e të tjerë antifashistë, përpara sesa të themelohej PKSH dhe të niste Lufta Nacionalçlirimtare, e udhëhequr prej saj, që nuk e mohon kush.

Po në këtë kohë u formuan edhe çetat luftarake të Ballit Kombëtar, të cilat nuk ishin inkuadruar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Abaz Ermenji shkruante: “Unë dhe Safet Butka, që ktheheshim nga ishulli Ventotene, mbasi biseduam edhe me patriot të tjerë, sidomos me Skënder Muçon dhe Hysni Lepenicën,( të cilët nuk kishin qenë të internuar  në Itali), vendosëm të dilnim maleve për të krijuar çetat e para me armë kundër pushtuesve fashistë. Ky ishte vazhdim i përpjekjes shqiptare, që u fillua në prillin e vitit 1939. Për t’i dhënë një formë të organizuat kësaj përpjekjeje, u krijua Balli Kombëtar nën kryesinë e Mid’hat Frashërit…”.

Bile edhe betejat e para të mëdha kundër italianëve dhe gjermanëve i kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar në atë kohë. Lufta  e Gjormit, 29 dhjetor 1942, ishte organizuar dhe drejtuar nga Hysni Lepenica e Skënder Muço, në bashkëpunim me çetën Plakë të Vlorës. Forcat kryengritëse shqiptare, afër 1600 veta, përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej më se 2000 vetësh, të komanduar nga Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi ushtarak, sipas urdhërit të kryeministrit kuisling Mustafa Kruja. Në ndihmë të pushtuesve fashistë ishin edhe forcat mercenare të Halil Alisë e të Selim Kaloshit, të dërguara në Mesaplik për të shtypur kryengritjen antiitaliane të qarkut të Vlorës. Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë, ndërsa ranë në fushën e betejës gjashtë nacionalistë dhe katër të plagosur.

Në këtë vazhdë, çetat nacionaliste të Safet Butkës, në bashkëpunim me oficerët britanikë B.Maklin dhe D.Smajl, zhvilluan  betejën kundër pushtuesve gjermanë në Kthesat e Barmashit të Kolonjës, më 13 gusht 1943, duke u shkaktuar gjermanëve 25 të vrarë, disa autoblinda e topa të shkatërruar etj.

Nga ana tjetër, faktorët nacionalistë të paangazhuar nëpër parti si Muharrem Bajtaktari dhe forcat e tij, që luftuan edhe kundër italianëve edhe kundër gjermanëve, nuk pranuan të futeshin në Frontin Nacionalçlirimtar. Po ashtu edhe Lëvizja Kryeziu, refuzoi të inkuadrohej në Lëvizjen nacionalçlirimtare dhe luftoi kundër puahtuesve nazifashistë në mënyrë të pavarur, ndaj edhe u godit dhe u asgjësua nga forcat nacionalçlirimtare.

Të gjithë këta faktorë dhe lufta e tyre as nuk mund të mohohen, as të tjetërsohen, as të përbalten siç është bërë deri tani, sepse gjendet një dokumentacion i plotë arkivor shqiptar dhe i huaj, që i fakton.

Si përfundim,  Lufta Antifashiste e popullit shqiptar  1939-1944  është një kontribut i shquar i shqiptarëve në luftën për çlirim kundër pushtuesve nazifashistë. Ndërsa Lufta  Nacionalçlirimtare, e udhëhequr nga PKSH, është  një pjesë e rëndësishme  e kësaj lufte. Nuk duhet ngatërruar e tëra me pjesën. Çmoj luftën e partizanëve  kundër pushtuesve dhe  dëshmorët e  rënë, ashtu siç vlerësoj edhe luftën e faktorëve të tjerë antifashistë dhe dëshmorët e tyre. Por, përpjekja për ta mitizuar dhe paraqitur Luftën NÇ si luftën e vetme të shqiptarëve kundër nazifashizmit, është një mosnjohje e historisë, një tendencë ideo-politike,  një spekullim  ose një reminishencë e të shkuarës enveriste.

Mitet e luftës duhet t’i çmitizojmë, falsifikimet duhet t’i ndreqim, politizimet t’i mënjanojmë, që të jemi kemi një histori të vërtetë.

 

    Teza e dytë: Marrëveshja e Mukjes bashkoi dy ekstremet e politikës

Kundërteza: Marrëveshja e Mukjes – një tradhti

 

    Marrëveshja e Mukjes (1-3 gusht 1943) është një nga marrëveshjet më të rëndësishme, por edhe më të veçanta mes shqiptarëve në të gjitha kohët, sepse, ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme, ajo bashkoi për interesa madhore kombëtare dy organizatat politike dhe ushtarake të kundërta, madje armiqësore, Ballin Kombëtar dhe Frontin Nacionalçlirimtar, në luftën e përbashkët antifashiste.

Marrëveshjen kombëtare të Mukjes e kërkonte koha. Ishte një produkt shqiptar. E rekomandonin edhe Aleatët antifashistë. “Në konformitet me rekomandimet e bëra nga Misionet ushtarake Aleate, ne zhvilluam një takim me përfaqësuesit komunistë në fshatin Mukje, afër Tiranës Të dy partitë arritën mirëkuptim, që u prit me enthuziazëm  nga populli shqiptar” – shkruhet në manifestin e Mid’hat Frashërit e Abaz Ermenit drejtuar Aleatëve.

Marrëveshja e Mukjes u kthye në një realitet, kur një ditë më pas u organizua nga Komiteti pluralist për Shpërimin e Shqipërisë, një betejë e përbashkët e  nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve në Qafë-Shtamë, më 4 -5 gusht 1943, e komanduar nga major Abaz Kupi. Në këtë luftë u vra kapiteni italian Scarpa, u zunë mjaft robër dhe armatime.

Prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes për shkak të ndërhyrjes jugosllave dhe të luftës për pushtet e dominim, solli ndarjen e thellë mes shqiptarëve dhe luftën civile mes dy organizatave luftarake, por edhe të pjesëve të popullsisë që i mbështeste ato, duke i shkaktuar një dëm të pariparueshëm Shqipërisë dhe çështjes kombëtare.

Marrëveshjen e Mukjes udhëheqësit komunistë e quajtën tradhti. Po kush e tradhtoi atë? E.Hoxha dhe tutorët jugosllavë në Vithkuq dhe në Labinot. Madje edhe nënshkruesit komunistë të marrëveshjes Ymer Dëshnica dhe Mustafa Gjinishi, u akuzuan nga E.Hoxha për tradhti dhe u dënuan. Ndërsa firmëtarëve nacionalistë iu shpall luftë.

E.Hoxha u dërgoi një letër- qarkore gjithë komiteteve qarkore të PKSH: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të”.

Ndërsa M.Popoviç i shkruante Titos “Kemi ndikuar te PKSH dhe në Luftën NÇ, që gjithsesi të prishim marrëveshjen e Mukjes”.

Po mesazhi i Mukjes mbeti dhe është  aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit dhe jo ndarjen, përjashtimin dhe armiqësinë. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.

Mendoj, se tashmë, me ndonjë përjashtim të një pjese të politikës dhe të ndonjë pseudohistoriani, Marrëveshja e Mukjes është njohur, pranuar dhe vlerësuar si një kompromis historik i domosdoshëm dhe i nevojshëm, jo vetëm për atë kohë.

Ndërkohë në Mukje u debatua dhe u shtrua për zgjidhje çëshja e Kosovës mbi bazën e parimit të vetvendosjes së popujve, sipas Kartës së Atlantikut.

    

     Teza e tretë: Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945

Kundërteza: Nuk ka pasur luftë civile

 

Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, nisi Lufta Civile në Shqipëri. Një luftë e brendshme e armatosur, e shpallur nga PKSH dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë, që i rreshtoi shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre, në dy pjesë  armiqsore dhe ndërluftuese.  Ky konfrontim i brendshëm i armatosur për motive politike,  ideologjike, pushtetore e kombëtare midis  grupimeve kryesore politike e ushtarake shqiptare, si edhe rezistenca kundërkomuniste  me armë dhe lufta e përgjakshme për shtypjen e saj,  janë përbërësit  kryesorë të luftës civile në Shqipëri në vitet 1943-1945.

Shpallja e luftës civile u bë në Konferencën e dytë të Labinotit të PKSH (4-8 shtator 1943), ku morën pjesë edhe emisarët e PKJ Në këtë konferencë u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes  si “marrëveshje që është në kundërshim me interesat e PKSH e të luftës” dhe u vendos që  t’i shpallej luftë Ballit Kombëtar, si edhe çdo rryme apo tendence tjetër. Për këtë arësye  Konferenca e Labinotit  u quajt “momenti vendimtar drejt marrjes së pushtetit”. Nga ky moment, ky do të ishte prioriteti i politikës së PKSH dhe E.Hoxhës. “Tash që ne e hodhëm poshtë ujdinë e Mukjes, ata ( nacionalistët ) po përpiqen për të gjetur shtigje të tjera drejt pushtetit. Ne duhet tua mbyllim ato shtigje e mundësi dhe, ndër aktet e para e më kryesorë në këtë drejtim është vendimi që i propozojmë të marrë kjo konferencë: të shpallim pushtetin e vetëm të popullit në Shqipëri.”

Ky vendim i hapte rrugën e një sistemi njëpartiak dhe të një pushteti totalitar. Gjithasashtu, marrja e pushtetit qysh gjatë luftës ( jo në fund të luftës dhe me zgjedhje të lira, siç ishte vendosur bashkërisht në Mukje) dhe me grykën e pushkës, shkaktuan luftën civile në Shqipëri.

Data 1 tetor mund të konsiderohet si fillimi zyrtar i luftës civile, meqënëse në këtë datë urdhërohet nisja e saj. Në letrën dërguar më 1 tetor KQ të PK të Gjirokastrës, E. Hoxha urdhëronte: “ Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është një punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi i tij.”

Po më 1 tetor 1943, E.Hoxha i dërgonte një letër-qarkore Liri Gegës dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të PKSH, në të cilën urdhëron nisjen e luftës  pa marrë parasysh asnjë rrethanë e pasojë kundër Ballit Kombëtar si armik kryesor. “Puna politike kundër Ballit nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë  veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë deçizive, nuk mjaftojnë mitingje e konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti..” – kërkonte me këmbëngulje E.Hoxha.  Në këtë qarkore shpallet hapur synimi, mënyra dhe vendosmëria e patundur për të marrë pushtetin nëpërmjet luftës së armatosur dhe asgjësimit politik e fizik të Ballit Kombëtar dhe të çdo partie tjetër. Ky ishte fillimi i luftës për marrjen e pushtetit me mjete dhune, i kamufluar me luftën kundër pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. ”Neve jemi drejt likujdimit të Ballit, dhe jo bashkimit me të” – udhëzonte E.Hoxha.

Lufta civile e shpallur nga Fronti NÇ, vërtetohet edhe nga një dokument i Shtabit të Përgjithshëm NÇ “Në vjeshtë të vitit 1943 partia Komuniste dhe Fronti NÇ: Në vjeshtë të vitit 1943 Partia dhe Fronti NÇ u detyruan t’i shpallnin luftë për vdekje Ballit Kombëtar” ( Dok. i  Shtabit P., volum i parë, 1965)

Rruga që zgjodhi PKSH për të marrë pushtetin ishte ajo e luftës me armë kundër kundërshtarëve politikë.  Në emër të PK Hoxha lëshon thirrjen: “Me forcë dhe me armë të marrim pushtetin në duar”. Tashmë te PK  zotëron tërësisht fryma, idetë e praktikat e revolucionit bolshevik  dhe ushtria nacionalçlirimtare u kthye në një instrument të këtij revolucioni. Vetë Lufta Nacionalçlirimtare e humbi karakterin fillestar dhe mbeti si një togfjalësh  i tëhuajëzuar, sepse komisarët me në krye E.Hoxhën e braktisën çështjen nacionale, ndërsa luftën çlirimtare e tjetërsuan në luftë civile, luftën e partizanëve, idealin dhe gjakun e dëshmorëve i shfrytëzuan për interesat e tyre pushtetore e ideologjike.

E.Hoxha urdhëronte që mos luftohej kunder gjermanëve, por të ndiqej këmba këmbës dhe të asgjësohej Abaz Kupi.

Një nga aktorët kryesorë të kësaj lufte, Koci Xoxe, në  letrën që i dërgonte E.Hoxhës, më 3.10.1943, shkruante :  “ Përveç goditjeve që u dhamë (nacionalistëve), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç!” Këto fjalë të thëna troç shprehin  strategjinë dhe praktikat e PKSH: shfarosje të kundërshtarëve politikë, luftë civile ndërmjet shqiptarëve dhe shmangie nga  lufta  kundër pushtuesve gjermanë.

Komandanti i Korparma tës I, Dali Ndreu, udhëzonte “Na informuen se A. Kupi me një forcë prej 500 vetësh ndodhet në katundin Prezë dhe në Vorë. Zhdukja e këtij njeriu  dhe shpartallimi e asgjësimi i forcave të tij ka një rëndësi të veçantë dhe do të jetë një fitore për ne… Duhet mbajtur parasysh se pranë Bazit ndodhet edhe Maklini. Për ndjekjen dhe asgjësimin e forcave të Bazit po ngarkojmë një batalion të Brigadës III dhe batalionin I të Brigadës I. Këta dy batalione do të jenë nën komandën e Hamit Keçit , nënkomandant i Brig.III dhe si përgjegjësit politik shoku Sadik Bocaj të Brig.I. Batalioni i Ishmit do të bashkëpunojë me të dy batalionet kundër Bazit..”

Lufta civile apo vallavrasëse mes shqiptarëve u interesonte edhe pushtuesve nazifashistë, që duke qënë shqiptarët në luftë mes vedi, dobësohej forca goditëse ndaj tyre. Më shumë të interesuar ishin edhe jugosllavët, të cilët i nxitën shqiptarët në luftë civile, që ta dobësonin faktorn shqiptar, për ta pasur më të lehtë ripushtimin e Kosovës dhe tërheqjen zvarrë të Shqipërisë pas qerres jugosllave.

Në luftën civile mes shqiptarëve, kanë marrë pjesë edhe kontigjentet e vetëdorëzuara të ushtrisë fashiste italiane, që u bashkuan me ushtrinë nacionalçlirimtare. Në formacionet kryesore të saj, duke filluar nga Brigada e Parë etj, gjendeshin edhe struktura të ushtrisë italiane, sidomos njësi altilerie, që godisnin me altileri nacionalistët shqiptarë, madje edhe fshatra e qendra banimi, mandej sulmonin partizanët. Thuajse në gjithë betejat kryesore kundër nacionalistëve, altileria italiane ka ndikuar në fitoren e komunistëve.

Edhe qenia britanike në Shqipëri, përveç ndihmës së pakontestuar në luftën antifashiste, në konteksin e brendshëm indirekt ndikoi në luftën civile, duke favorizuar njërën palë, komunistët dhe duke toleruar luftën e tyre të armatosur kundër nacionalistëve.

Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në apelin drejtur Aleatëve në korrik 1944, thoshin qartësisht: “Fakti që misionet aleate mbështetën me armë vetëm komunistët, solli gjakderdhje të padobishme te shqiptarët. Lufta civile vlen vetëm për armiqtë pushtues dhe këtë ata e dinë mirë, ndaj edhe nuk bëjnë përpjekje për shkatërrimin  e lëvizjes terroriste, edhe pse mund ta bëjnë fare lehtësisht”.

Në librin voluminoz “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”,  tezën e luftës civile e kam argumentuar katërcipërisht, duke u mbështetur në dokumentet e Arkivit të fshehtë të PKSH, por edhe në raportet e batalioneve, brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë NÇ, që gjinden në Arkivin e FA si edhe në Arkivin e Shtetit, si edhe në dokumentacionin përkatës të arkivave jugosllave, italiane, gjermane, britanike dhe amerikane. Po të marrim vetëm raportimet e komisarëve dhe komandantëve të Ushtrisë NÇ, nuk ka nevojë për gjë tjerër, ata e pohojnë me gojën e tyre luftën civile ( betejat mes partizanëve dhe nacionaistëve, atje ku nuk kishte gjermanë). Po marr vetëm dy shëmbuj, një në jug dhe tjetri në veri:

Një betejën frontale të Grybecit në Gorë më 16 tetor 1943  ndërmjet forcave partizane të tre batalioneve “Tomorri”, “Gorë-Opar” e “Reshit Çollaku” kundër forcave balliste prej më se 600 luftëtarësh të komanduara nga Jani Dilo, Demir Staravecka e Maliq Dushari, u vranë mjaft partizanë e nacionalistë, midis tyre edhe komisari partizan Skënder Çaçi dhe komandanti ballist Demir Staravecka, të dy intelektualë dhe atdhetarë të njohur. Ja ç’thotë një raport i shtabit të batalionit partizan “Tomorri”: “Pas luftimesh shumë të ashpra, batalionet partizane “Gorë Opar”, “Tomorri dhe “Reshit Çollaku”  i thyen keq armiqtë  dhe vazhduan sulmin e papërmbajtur për  të pushtuar “Gurin e Bletës”. Duke depërtuar brënda dispozitivit të armikut, forcat tona filluan një sulm të furishëm dhe vendimtar.. Komandanti i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Teki Kolaneci, që udhëhiqte sulmin e batalionit të tij në krahun tonë të majtë, thirri: “Zjarr, shokë, zjarr të pamëshirshëm kundër krerëve të tradhëtisë!” Plumbat rrëzuan për tokë mjaft kriminelë, duke plagosur rëndë edhe tradhëtarin Demir Straravecka…Nga ana e forcave tona ra komisari i batalionit “Gorë-Opar”, shoku Skënder Çaçi…”

Siç shihet edhe nga kjo komunikatë e Shtabit NÇ, lufta e Grybecit  ishte  një luftë civile midis shqiptarëve. Në këtë dokument dhe në dokumentet e tjerë arkivorë si edhe në kronikën e betejës dhënë nga komisari Shuaip Panariti, nuk thuhet asgjëkundi që atje kishte forca italiane apo gjermane ose që forcat e Ballit luftonin së bashku me gjermanët kundër partizanëve, por për një goditje me armë e tre batalioneve partizanene kundër forcave balliste, që doli “ me sukses dhe  përfitimi ynë politik qe i mjaftë”.

Paradoksi i sotëm qëndron në faktin, që Skëndër Çaçi është “Hero i Popullit”, ndërsa patrioti  Demir Staravecka, një nga të parët luftëtarë antifashistë në Shqipëri (sipas dokumenteve arkivorë), konsiderohet ende sot armik, tradhtar dhe kolaboracionist.

Në Malësinë e Madhe lufta civile zgjati pa ndërprerje plot një muaj e gjysëm ( dhjetor 1944-shkurt 1945) dhe pati qindra vikrima nga të dy palët ndërluftuese. Nga forcat nacionalçlirimtare të Korparmatës III, u vranë 39 partizanë dhe 48 të plagosur, ndërsa nga forcat nacionaliste 137 të vrarë e të pushkatuar. Të gjithë bij nënash shqiptare! Vetëm nga Brigada I sulmuese e komanduar nga Mehmet Shehu ( i cili hyri në Kelmend nga ana e Jugosllavisë), u vranë 30 partizanë dhe u plagosën 34 të tjerë. Kujt i duhej kjo luftë mes shqiptarësh? Dihet se në Kelmend, ku u zhvilluan betejat kryesore, nuk kishte as italianë dhe as gjermanë, por një mësymje e forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste, përfshirë edhe banorët e malësisë. Kështu bie edhe kundërteza komuniste që Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë kundët pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Lufta civile në Shqipëri është evidentuar dhe raportuar thuajse nga të gjithë oficerët britanikë dhe amerikanë, që kanë shërbyer në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë, edhe historiani amerikan B. Fisher ka theksuar në vitin 2012: “Duke  u bazuar në përkufizimin tradicional të luftës vcivile, do të thoja që lufta 1939-1944 në Shqipëri ishte një luftë civile”. Ndërsa në 27 nëntor 2014 ai u deklarua sërish për luftën civile, por u sulmua si atentator i Luftës NÇ etj dhe u shpall “armik”, si në kohën e E.Hoxhës, pse tha një të vërtetë.

”Ndonëse humbjet për frymë të Shqipërisë ishin më të vogla, krahasuar edhe me Jugosllavinë, shumica e të vrarëve u shkaktuan nga vetë shqiptarët në luftë më njëri-tjetrin.” – konstaton ai.

Sipas historiaografisë komuniste, numri i dëshmorëve është 28.000, edhe kjo shifër tejet e ekzagjeruar, për të glorifiluar e himnizuar Luftën NÇ. Numri i viktimave të luftës civile ende nuk është nxjerrë saktësisht, por është disa fish më i madh, rreth 30.000,  sesa numri i dëshmorëve të Luftës antifashiste, që sipas hulumtimeve të mia arrin rreth 5.000 vetë. Ky konstatim u konfirmua edhe në konferencn shkencore të Institutit të Historisë, nëntor 2014, ku u publikuan të dhënat më të fundit për  gjithsej 4744 dëshmorë ( të vrarë nga pushtuesit) .Kjo është e vërteta.

Kundërteza se nuk ka pasur luftë civile, sepse nuk mund të kishte luftë civile kur ishin okupatorët, nuk është argument që qëndron historikisht.

   

    Teza e katërt: Terrorizmi i kuq dhe ai i zi

Kundërteza: Ata që mendojnë ndryshe meritojnë të zhduken

 

Tipari themelor i PKSH dhe i luftës që ajo udhëhoqi, ishte terrorizmi. E cilësuan të tillë edhe disa nga udhëheqësit kryesorë të kësaj lufte si Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Manush Myftiu, madje edhe Enver Hoxha, në plenumin e Beratit, nëntor 1944.

« Terrorizmi në parti, në popull dhe në ushtri tregon dobësinë e vijës sonë politike.. Me terror i zgjidhnim të gjitha. Nuk u çudita kur meë thanë sesa më brutal  e terrorist ishte njëri, aq më komunist ishte  Kështu duken simptomat e degjenerimit nga një parti politike, në një bandë kriminelësh » – raportonte Maleshova.

“Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq e pa faj… Këtë frymë e ka futur Dushan Mugosha. Kështu sot ushtria duket sikur ka dalë të mbysë popullin. Partizanët vrasin vetë, pa i vënë fare njerëzit përpara gjyqit.” dëshmonte Tuk Jakova.

Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës , veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”

Mid’hat Frashëri e konsideron terrorizmin e komunistëve në Shqipëri, terrorizëm të kuq, pjesë të terrorizmit ndërkombëtar të Internacionales komuniste. “Banditët e kuq furnizoheshin rregullisht nga misionet ajrore aleate… Të inkurajuar nga Internacionalja e Tretë, ata nuk hezituan që armët dhe pajisjet e Alleatëve t’i përdornin kundër nacionalistëve shqiptarë, për të imponuar bolshevizmin në vendin tonë e duke e kthyer në një banjo gjaku…Terrorizmi ndërkombëtar u shpall nga ne armiku kryesor i vendit tonë”

Nuk është fjala për element terroristë apo shfaqje terroriste, por për një vijë, një frymë, një praktikë terroriste  të PKSH dhe të Luftës NÇ pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

E rrëfen E.Hoxha me gojën e tij: “ Vija terroriste është e fortë te Dushani. Ke Aliu ( Miladini) me hënë.Dushani ishte gjoja kundër terrorit, ishte kundër asaj që bëri Mehmeti në Dumre. Por kjo s’e pengonte gjëkafshë që të vriste pa gjë të keq më shumë se Mehmeti. Unë në këtë pikë isha pasqyrë e Miladinit, domethënë kur vinte ndonjë raport e thoshte se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim…”

Vetë PKSH ishte një organizatë terroriste, me në krye  një terrorist stalinist si Enver Hoxha, që orientohej nga terroristët jugosllavë Popoviç e Mugosha dhe mësimet e revolucionit bolshevik. E.Hoxha, i dominuar përherë e më shumë nga ambicja   për pushtet, vihet në krye të kryqëzatës për të prerë kokat e kundërshtarëve politikë, edhe nëse këto, sipas shëmbullit të Leninit,  do të bëheshin kodra, por edhe për të prerë kokat e shokëve e bashkëpunëtorëve  të ngushtë me gjakftohtësinë kriminale të mësuesit të tij gjallë, Stalinit.

Metodat terroriste që zgjodhën komunistët, ishin vrasjet pa gjyq të kundërshtarëve politikë, por edhe të bashkëpuntorëve të dyshuar të tyre, vrasjet prapa krahëve, në prag të shtëpive, në prita, vrasjet politike të organizuara nga njësitet ndëshkimore guerilje, por edhe njerëzve të pafajshëm, torturat, djegia e shtëpive, grabitja (sekuestrimi) e pasurive, pushkatimi i robërve të luftës apo i të vetëdorëzuarve e të tjera.

“Parrulla “O me ne, o kundër nesh!” ishte  gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz, që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatisnim terrenin jo për marrëveshje, por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike  katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale , por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit,të zhdukin edhe  anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”- deklaronte gjatë luftës E.Hoxha.

Masakra e parë pas prishjes së njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte ajo e Devollit, më 8 gusht 1943. Nacionalistët e shquar: Dr. Hadi Kasimati, mësuesi Hytbi Kulla,oficeri i kufirit kosovari Zija Gashi dhe këshilltarët Feti Jazxhiu, Adil Graca e Hilmi Perona u masakruan pabesisht dhe u therrën me thika nga komunistët terroristë në Ziçisht, ku kishin thirrur për bisedime dhe “marrëveshje” me komunistët.

Në afërsi të Lushnjës, M.Shehu urdhëroi pushkatimin e 63 fshatarëve të pafajshëm, vetëm se këta nuk pranuan të bashkoheshin me Brig.I. Ata që s’i zuri mirë plumbi, i preu thika e zv.komisarit politik Dushan Mugosha.  Terroristët në Korçë nën drejtimin e Manol Konomit vranë dhe groposën në përroin e Shipskës 187 fshatarë që mbështesnin nacionalistët. Në Martanesh, në fshatin Peshk, M.Shehu urdhëroi për hakmarrje pushkatimin pa gjyq të 22 fshatarëve patriotë, një nga çdo shtëpi, tok me kryeplakun e fshatit. Në Lumë  Shefqet Peçi pushkatoi 22 katundarë të pafajshëm. Në Fushë-Aliaj e Malësi të Madhe brigadat partizane dogjën tëresisht vendin  e të tjera masakra në gjithë Shqipërinë.

Një nga aspektet e dënueshme të terrorizmit komunist ishte edhe pushkatimi i robërve të luftës, qoftë shqiptarë, qoftë edhe të huaj. Mjafton të përmendim pushkatimin e 130 karabinierëvë italianë të vetëdorëzuarnë mirëbesim, por që u masakruan nga njësitet nacionalçlirimtare. Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij, e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë ( edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”.

Terrorizmi i kuq arriti kulmin në Tiranë nga data 28  tetor-16 nëntor 1944, realizuar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kristo Themelko e të tjerë krerë komunistë. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.”

Për këtë terror pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100-tët”

Një nga arsyet që fituan komunistët është terrorizmi i ekstrem i praktikuar prej tyre. Ndaj edhe britaniku Hibbert e quan “fitore të hidhur”. Balli Kombëtar, me në krye Mid;hat Frashërin, përgjithësisht u tregua pacifist e tolerant ndaj aradheve komuniste ( nuk mund t’i vrasim se janë djemtë tanë ). Nga ana tjetër, nuk mund të mos përmendim terrorin e zi të ekstremit të djathtë në pushtet, si masakrat e 4 dhe 28 shkurtit 1944 në Tiranë kundrejt qytetarëve  të pafajshëm, të kryera nga  Xh. Deva, Xh.Staravecka e të tjerë si edhe masakra e disa ballistëve të Mallakastrës ndaj këshilltarëve të Hekalit, që u pushkatuan pa gjyq e pa faj, sepse mbështesnin Nacionalçlirimtaren.

Terrorizmi, nga çdo anë që të vijë, është shkatërrimtar për një popull, madje edhe për njerëzimin, siç ishte dje, siç është edhe sot.

   

    Teza e pestë: Kontributi i aleatëve anglo-amerikanë

    Kundërteza: Rreziku anglo-amerikan

 

Lufta e Aleatëve të Mëdhenj Antifashistë ndikoi që edhe në Shqipëri lufta antifashiste të ishte në kahun e duhur.

Misioni ushtarak britanik që u vendos në Shqipëri qysh në pranverën e vitit 1943, luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet luftarake kundër pushtuesve nazifashistë. Oficerët anglezë u atashuan në Lëvizjen Nacionalçlirimtare ( Maklin, Smajl, Palmer, Smith, Lajën, Tilman etj), te Balli Kombëtar ( Fild, Kuejl etj), Legaliteti ( Maklin, Emer, Smajl, Nil, Sejmur etj) dhe tek krerët e Veriut ( Simkoks, Kemp, Hibbert, Ridell, Hends etj) nxitën dhe ndihmësuan  ushtarakisht dhe materialisht luftën antifashiste të shqiptarëve, ndonëse në mënyrë të shbalancuar dhe pragmatike. Të shpërpjestuar, sepse ndihmuan shumë më tepër Luftën nacionalçlirimtare me armatime veshje e stërlina, për arsye të politikës globale të qeverisë britanike në atë kohë, por edhe sepse komunistët u treguan më aktivë në këtë luftë, ndërsa forcat nacionaliste u ndihmuan konkretisht shumë pak, ose aspak. Madje, armatimet, që merte Nacionalçlirimtarja nga britanikët i përdorte kundër forcave nacionaliste , edhe kur këto luftonin kundër gjermanëve. Ndërkohë, sa herë që forcat nacionaliste në të gjithë vendin bënin luftime kundër pushtuesve italianë apo gjermanë, ato sulmoheshin prapa krahëve nga forcat komuniste, që këto të siguronin monopolin e luftës dhe të pushtetit. Kjo është e dokumentuar gjerësisht.

Nga ana tjetër, britanikët u rrëfyen tejet pragmatistë, duke menduar vetëm për momentin, por jo për të ardhmen e një Shqipërie europiane. Duke mbështetur komunistët, madje duke toleruar edhe sulmin luftarak të tyre mbi nacionalistët ( me përjashtim të ndonjë note të komandës ushtarake britanike, por jo të qeverisë), ata ndihmuan në fitoren e komunistëve dhe vendosjen e regjimit të tyre totalitar.

Mid’hat Frashëri dhe Abaz Ermenji, në promemorien drejtuar aleatëve perëndimorë në muajin korrik 1944, shkruanin: “Ardhja e misioneve aleate vetëm në njërën anë, solli që të rritet fuqia e bolshevizmit në tokën tonë. Është e pakuptimtë se qysh nga fillimi ato filluan të paisnin vetëm komunistët, kur në fakt forcat nacionaliste ishin më superior ose në rastin më të keq të barabarta me komunistët dhe gati për të bashkëpunuar  me Aleatët kundër pushtuesit fashist. Kjo mbështetje morale dhe materiale e misioneve aleate ndaj bolshevizmit theu ekuilibrin në dëm të forcave nacionaliste shqiptare”.

Oficeri  britanik Toni Simkoks, i vendosur pranë forcave çlirimtare të Gani Kryeziut, shqetësohet nga kjo politikë e vendit të tij: “Duke i lejuar komunistët që me ndihmat tona të vrasin, të sulmojnë, apo të provokojnë kundërshtarët e tyre politikë, është më keq se sa ta kishim bërë ne vetë këtë gjë”. Këtë e pohojnë edhe britanikët Emer, Maklin, Smajl, Kemp, Hibert, të cilët kritikojnë qëndrimet e qeverisë britanike ndaj nacionalistëve antifashistë shqiptarë.

Atyre nuk iu njoh asgjë nga të drejtat dhe kërkesat legjitime kombëtare. Madje u vu në pikëpyetje ekzistenca e shtetit dhe e kufijve pas luftës. Britanikët  u bazuan vetëm në interesat e ngushta ushtarake dhe politike të tyre dhe u kërkonin nacionalistëve shqiptarë të luftonin kundër gjermanëve, pa u dhënë thuajse asgjë në këmbim dhe asnjë perspektivë për të ardhmen. Ky diferencim dhe ky qëndrim miop  ka pasur pasoja tepër të rënda politike në Shqipëri. Aq më tepër që edhe ndaj vetë oficerëve britanikë, por edhe qeverive perëndimore, E.Hoxha ka mbajtur gjithnjë qëndrim djallëzor dhe armiqëësor.

Ekstremizmi i tij shkonte deri atje sa ai t’i konsideronte armiq edhe parfaqësuesit e Aleatëve që ishin të akredituar tek nacionalistët “Ne nuk mbajmë asnjë përgjegjësi nëse, në luftën për asgjësimin e Abaz Kupit, do të gjejnë vdekjen edhe oficerët anglezë që rrinë me të. Ne do të bëjmë asnjë dallim midis oficerëve anglezë dhe banditëve si Abaz Kupi. Në rast se i zëmë rob oficerët tuaj, nuk jua dorëzojmë , do t’i mbajmë si robër lufte dhe do t’ia kalojmë gjyqit partizan si kriminelë lufte që kanë bashkëpunuar me armikun.” .

Pëtër Kemp shkruante: “Për sundimtarët komunistë të Shqipërisë, bashkëpunimi me britanikët ishte një krim shumë më i madhe se bashkëpunimi me gjermanët”.

Ndërsa nacionalistët shqiptarë vazhdimish, por edhe në kohën e Luftës, i kanë mbajtur sytë dhe antenat nga Perëndimi, sepse edhe krerët e tyre ishin properëndimorë, ndryshe nga komunistët që u lidhën me Lindjen komuniste.

Apeli i Mid’hat Frashërit drejtuar Aleatëve perëndimorë në ato çaste kritike të luftës, ishte një alarm për shpëtim: “Në lidhje me çështjet e brendshme të popullit tonë, është e qartë se populli shqiptar mirëprët prezencën e trupave anglosaksone edhe për një periudhë të gjatë, deri në një fazë, kur situata  në Europë të jetë më normale. Në çdo rast populli shqiptar pret nga forcat aleate që ata të marrin hapat për një zbarim në Shqipëri, menjëherë pas tërheqjes së trupave gjermane. Përndryshe Shqipëria mund të kthehet në një vend masakrash dhe përgjegjsia morale do të bjerë mbi ata, që armatosën dhe mbështetën  banditët terroristë, të cilët menduan të kënaqin vetëm ambicjen apo urrejtjen e tyre”.

Kjo profetësi e M.Frashërit u vërtetua plotësisht.

    Teza e gjashtë: Kolaboracionizmi, një fakt i keqpërdorur

    Kundërteza: Balli dhe Legaliteti – kolaboracionistë

 

Për mendimin tim kolaboracionizmi është një dukuri historike  e dënueshme për çdo popull.

Unë i parkas një familjeje që ka  luftuar brez pas brezi kundër pushtuesve të huaj, ndërsa personalisht kam një ndjeshmëri të lartë negative ndaj kolaboracionizmit të çdo kohe qoftë. Ndërkohë mendoj që ky fenomen historik duhet studiuar mirë dhe nuk duhet përdorur politikisht, siç është keqpërdorur nga PKSH dhe historiografia e saj.

Nuk është vendi këtu të trajtoj se ç’është kolaboracionizmi dhe historinë e tij shqiptare, sepse e kam bërë tek librat e mi, por do të argumentoj tezën: Balli Kombëtar e Legaliteti kanë qenë organizata dhe lëvizje nacionaliste jokolaboracioniste me pushtuesit, përkundër tezës komuniste se Lufta NÇ ishte luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë.

Ky formulim poltik u përpunua nga emisarët jugosllavë Popoviç, Mugosha, Jovanoviç, Tempo dhe u hodh në Konferencën e Dytë të Labinotit, 4-8 shtator 1943, pra menjëherë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, për të justifikuar sulmin e armatosur të forcave nacionalçlirimtare kundër atyre nacionaliste.

Deri në atë kohë, nacionalistët dhe partizanët kishin luftuar shpesh bashkërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe nuk kishin ardhur në përpjekje ushtarake me njëri-tjetrin. Në Mukje u bë edhe marrëveshja mes dy  organizatave antifashiste e luftarake, Ballit Kombëtar dhe Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët. Si ka mundësi që brenda natës, Balli Kombëtar të quhej organizatë kolaboracioniste me pushtuesit, kur deri atëhere  konsiderohej organizatë partnere me Nacionalçlirimtaren?

Fakti që në këtë Konferencë Balli u quajt bashkëpunëtor me okupatorët, tregon se u vu menjëherë në përdorim formula e përgatitur nga jugosllavët kundër nacionalizmit shqiptar “si bashkëpunëtor i okupatorëve”. PKJ i interesonte përplasja midis dy formacioneve, veçanërisht asgjësimi i Ballit Kombëtar dhe i forcave të tjera nacionaliste. Sipas Tempos, kursi i vetëm që do të ndiqej, ishte që nacionalistët ose të detyroheshin të bashkoheshin si individë me Frontin NÇ, ose të shpalleshin  bashkëpunëtorë të pushtuesit dhe të goditeshin njëlloj si ata. Rrugë tjetër nuk kish. S’mund të luftohej një forcë, pa e njollosur atë dhe pa e urryer si armik. Kjo ide djallëzore u kthye në platformë e në veprim të Frontit NÇ.

Hibbert, oficer anglez, shpjegon: “Strategjia politike e PKSH që punonte nëpërmjet Lëvizjes NÇ, ishte që nacionalistët të dilnin njëlloj, si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve”

Vetëm në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar patriotizmin e shqiptarëve e urrejtjen e tyre tradicionale kundrejt tradhëtarëve dhe duke i quajtur nacionalistët si bashkëpuntorë të pushtuesit, mund të neutralizohej e mandej të asgjësohej Balli Kombëtar e forcat e tjera nacionaliste e demokratike dhe vetëm kështu mund të fitonte terren e mbështetje Partia Komuniste dhe Lufta nacionalçlirimtare.

Deivid Smajl e konstatonte këtë tendencë djallëzore dhe përpjekje të gabuar të udhëheqësve komunistë: “Komunistët thoshin se ballistët bashkëpunonin me gjermanët. Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq  ata që s’mendonin njëlloj  apo që nuk bashkoheshin me ta.”

Kjo situatë e rrezikshme i tronditi faktorët e vërtetë luftarakë dhe njerëzit e ndershëm e atdhetarë nga të dy anët e antagonizmit të imponuar.

Thirrja e Ballit Kombëtar “Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot” në këto çaste dramatike ishte shumë domethënëse:

“Marrëveshja e Ballit me Çlirimtaren është vepra më e bukur, më e urtë dhe e dobishme për shpëtimin e atdheut, por kjo marrëveshje nuk është veçse fillimi. Nuk ka arsye që të mos bëhet më e fortë, më e sinqertë dhe më e përshtatur për kohët e sotme. Ata që mendojnë ndryshe, gabohen… Sot është koha për një Front të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjëve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish: jetën; Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë. Me qindra të tjerë kaluan mbi gjurmët e gjakut të dëshmorëve dhe vaditën me gjakun e zemrës së tyre këtë tokë arbërore…Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: Ja vdekje, ja liri! Jemi vëllezër  s’na ndajnë dot!”

Kjo strategji perfide e PKSH u përdor edhe kundër legalistëve.

A mund të ishin kolaboracionistë legalistët, kur në shtabin e Abaz Kupit, gjendeshin tetë oficerë britanikë?

Britaniku Xhuliano Emer konstatonte: “E.Hoxha, që e kishte përdorur këtë taktikë me ballistët, kishte vendosur ta bënte këtë lojë  edhe me zogistët dhe t’i sulmonte   si “kolaboracionistë”. “Informatorët tanë na tregonin se E.Hoxha kishte bërë plane për të sulmuar zogistët me qëllim të caktuar që t’i hidhte në prehërin e gjermanëve dhe t’i diskretitonte kështu para aleatëve. Identifikimi i rivalëve me armiqtë ishte njëri nga mjetet efikase të arsenalit komunist. Edhe balli Kombëtar ishte shkatërruar me këtë taktikë.”

Dokumentet tregojnë qartazi, se Balli Kombëtar dhe Legaliteti ishin organizata nacionaliste, që e kishin nisur luftën antifashiste përpara komunistëve. Madje legalistët, ishin pjesë përbërëse e Frontit NÇ deri në Mukje. Abaz Kupi ishte anëtar i shtabit të Përgjithshëm NÇ dhe factor bashkues me nacionalistët.

Nuk ekziston ndonjë dokument arkivor shqiptar apo i huaj, që të provojë që Balli Kombëtar apo Lëvizja e Legalitetit të ketë bashkëpunuar me pushtuesit. I vetmi dokument është ai i datës 7 tetor 1943, me anë të të cilit M.Frashëri porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane për shkak të sulmit të dyfishtë, komunist dhe atij nazist. Ky dokument,së pari dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë. Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta marrë pezullimin e përkohshëm si kolaboracionizëm. Mid’hati nuk lidhi asnjë marrëveshje me gjermanët. Ai i pezulloi përkohësisht , për t’i vazhduar  më vonë aksionet kundër tyre, siç ndodhi realisht. Natyrisht, gjatë luftës civile, të vënë mes dy zjarresh, zjarrit komunist dhe nazifashist, disa elementë të këtyre organizatave si Kadri Cakrani, Jup Kazazi, Lef Nosi etj bashkëpunuan me okupatorët, ashtu siç bashkëpunuan edhe disa elementë të Nacionalçlirimtares me nazifashistët si Omer Nishani, Gjin Marku (kompromisi me gjermanët në  Berat e Kuçovë), Xhelal Staravecka,komandant batalioni i Brigadës I S, që u bashkua me qeverinë kolaboracioniste etj. Sepse të dyja palët nuk ishin parti, por ishin lëvizje apo fronte patriotike, ku merrnin pjesë vullnetarisht njerës me bindje e qëndrime të ndryshme. Nuk mund të njolloset e të akuzohet Balli Kombëtar, as Legaliteti dhe as Lëvizja NÇ për kolaboracionizëm, pse disa individë apo pjesë të tyre bashkëpunuan me pushtuesit, në rrethana të caktuara lufte. Madje, PKSH e dënoi kompromisin e Beratit me gjermanët, ashtu si Balli Kombëtar mbajti qëndrim ndaj elementëve që morën pjesë individualisht në komitetin kolaboracionist të Ibrahim Biçakut:

“Organizata e Ballit Kombëtar proteston energjikisht kundër formimit arbitrar të Komitetit ekzekutiv  të Tiranës, duke e quajtur nul çdo veprim të tij. Zoti Lef Nosi, ka marrë pjesë në këtë komitet si individ e, meqënëse me këtë akt ka dalë jashtë direktivave të Ballit, të cilat janë dhe do të jenë gjithmonë për një luftë të paprerë kundër çdo okupatori, organizata nacionaliste “Balli Kombëtar” vendosi dëbimin e z. Lef Nosit në mënyrë të prerë nga radhët e saj”.

Për të njollosur Ballin Kombëtar si kolaboracionist me propagandën e saj mashtruese, PKSH  i futi në një thes të gjithë nacionalistët, duke i quajtur ballistë. Nuk kanë qenë kurrë anëtarë të Ballit Kombëtar Xhaferr Ypi, Mehdi Frashëri, Ibrahim Biçaku, Irfan Ohri, Halil Alia, Xhevat Starova, Anton Harapi, Ismail Vërlaci, Gjon Markagjoni, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva e të tjerë. Këtë fakt e ngatërrojnë qëllimisht edhe sot pseudohistorianët apo enveristët.

Sa për pjesëmarrjen e ballistëve Bahri Omari dhe Kolë Tromara në qeverinë e R. Mitrovicës, që kishte një program kombëtar, theksoj se ata paraprakisht dhanë zyrtarisht dorëheqjen nga Balli Kombëtar dhe u larguan prej tij me motivin se ruajtjes së rendit e të gjindjes shqiptare, të mbrojtjes së jetës së popullsisë civile në gjithë hapësirën shqiptare, por  edhe të mbrojtjes nga rreziku komunist.

Më duhet të theksoj gjithashtu, se Balli Kombëtar e ka shpallur zyrtarisht qëndrimin e tij kundër pushtuesve nazifashistë dhe ka luftuar kundër tyre, por njëherësh ka bërë diferencimin ndërmjet italianëve, që i ka konsideruar pushtues dhe gjermanëve, që i ka konsideruar okupatorë kalimtarë përgjatë luftës, që kishin njohur pavarësinë e Shqipërisë, asnjanësinë e saj dhe kishin ndihmuar gjysmën e kombit të hidhte poshtë zgjedhën serbe.

“Pavarësisht  këtyre arsyeve të mira, – thuhet në apelin e M.Frashërit dhe A.Ermenjit në thirrjen drejtuar Aleatëve Perëndimorë në korrik të vitit 1944, – organizata jonë vazhdoi përpjekjet e saj kundër pushtuesit gjerman për tre muaj me të njëjtin impuls si ndaj pushtuesit fashist, pavarësisht faktit se ne ishim keq tq pajisur me armë dhe të sulmuar nga banditët komunistë të armatosur më mirë se ne… Ashtu siç mund të verifikohet lehtësisht  me fakte të pakundërshtueshme të njohura edhe nga misioni aleat,  kolonat gjermane u sulmuan në mënyrë të vazhdueshme e të suksesshme nga çetat nacionaliste në Shqipërinë e Jugut, në veçanti në zonën e Vlorës. Të gjitha propozimet e bëra ndaj drejtuesve të organizatës sonë nga autoritetet gjermane për të pasur një mirëkuptim, u refuzuan në mënyrë kategorike nga ana jonë”.

Kur politikanët dhe pseudohistorianët e djeshën e të sotëm akuzojnë të tjerët për kolaboracionizëm dhe e përdorin atë politikisht, harrojnë apo nuk duan të pranojnë faktet e dokumentuara tashmë se ishin komunistët ata që kolaboruan me jo vëtëm me emisarët jugosllavë në Shqipëri, por edhe me kontigjente të ushtrisë jugosllave që vepruan në Shqipëri kundër nacionalistëve shqiptarë , bie fjala, batalioni serb që vepronte në Peshkopi e Kukës bashkërisht  me aradhet nacionalçlirimtare shqiptare dhe që komandohej nga krimineli serb Petar Brajoviç, si edhe bashkëpunimin ushtarak të ushtrisë NÇ të Shqipërisë ( Divizioni V dhe VI)  me ushtrinë NÇ të Jugosllavisë (1944-1945) për të mposhtur rezistencën kombëtare në Kosovë e viset e tjera shqiptare, duke  kryer masakra  kundër popullatës shqiptare  ( si masakra e Tivarit, e Dibrës, etj)  si edhe për ripushtimin ushtarak të Kosovës.

 

 

 

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: PËR LUFTËN ANTIFASHISTE, TEZA DHE KUNDËRTEZA, Uran Butka

Gurët e varreve dhe varret i përgënjeshtrojnë shtrembërimet historike në Sanxhak

December 4, 2015 by dgreca

Pse “boshnjaket” e Sanxhakut janë të humbur në gjetje të një identiteti të ri.?/

Nga Fahri XHARRA/
Edhe historia ,pa marrë parasysh se si shkruhet ajo një ditë e ngritë kokën lartë dhe e tregon të vërtetën e saj.. Historia është e saktë si matematika; një edhe një që bëjnë dy ashtu edhe shenjat , gjurmët varret , mbi varret e tregojnë saktësisht të vërtetën. Ndoshta ndokujt nuk i pëlqen kjo ; por s`kam dyshim dhe s`do të ndalem.
Jam në konflikt me të gjithë mashtruesit: të brendshëm apo të jashtëm , që flasin shqip apo turqisht , arabisht apo serbisht; të shkruara tani apo të shkruara që moti . As që më bën.
Kësaj radhe më duhet të fjalosem me “boshnjakët” e Sanxhakut të Novi Pazarit , të cilët mundohen t`i kundërvihen me ngulm “asimilimit historik” serb por duke e zgjedhur një rrugë të gabuar . Sanxhaku ishte dhe ka qenë gjithmonë shqiptar , këtë ata e dinë por ,të futur në kurthin e fesë mundohen të krijojnë identitet të pa qenë , identitetin boshnjak . Kësaj here e kam vetëm me të mashtruarit nga Sanxhaku.
Sikur Turqia ta kishte një disponim të sinqertë ndaj atyre tokave që i mbajti mbi 500 vjet atëherë këta “sanxhaklijtë” kishin për t`iu kthyer rrënjëve të veta të vërteta. Sikur Turqia mos t`i ngashënjente me dogma fetare atëherë kë bij të Sanxhakut nuk kishin folur as serbisht .
Që të jam më bindës se çka shkruhet dhe çka mbrohet nga shkenca” historike “ boshnjake , po e citoj ne origjinal “Në tërë territoret kishte përzierje etnish , Edhe të parët e këtij vendi , ilirët u përzien me ardhësit Keltet (? ) Gotet , Romaket Vlahet(?) sllavët , të cilët kanë lënë gjurmë në onomastiken e Sanxhakut Kështu që edhe lumi Rashka , është emër ilir (akademik Alija Đogović-Atlas dijalektičkih izoglosa Sandžaka). Ende nuk flitet që ekzistojnë dy Rasa, Njëri Ras është derdhjen e lumit Sebeçevke dhe Rasit , Rasi i dytë është larguar vetëm 20 km nga kjo rrugë drejt Dezheves në fshatin Tenjkova. Tregimi që Rasi është në Novi Pazarin e sotëm është prapë mjegullim i historisë. Hartat topografike të Institutit gjeografik të Armatës Jugosllave, të viti 1939 e vërtetojnë këtë fakt të heshtur (Na kraju samo da napomenem zar nepostoje na ovim teritorijama etnička mješanja.Starosjedilaca Iliri koji su prihvaćali pridošle narode Kelte,Gote,RimljaneVlahe,Slovene koji ostaviše svoje tragove u onomastici Sandžaka.Tako da i ta rijeka Raška je riječ čiji je  korjen u Ilirskom jeziku( akademik Alija Đogović-Atlas dijalektičkih izoglosa Sandžaka).Još uvjek se šuti o postojanju dva Rasa.Jedan je Ras na ušću rijika Sebečevke i Raške. Drugi Ras je 20 km udaljen od ovog na putu prema Deževi i selu Tenjkovu. Priča kako je Ras na mjestu današnjeg Novog Pazara je samo opet zamagljivanje historije. Topografske karte Geografskog instituta J.A. po topografskim znacima iz 1939.god. potvrđuju ova dva topnima koji se prećutkuju , Sandzak zemlja dobrih bosnjana Autor: Sulejman Aličković )
Aliçkoviqi për qëllime tjera e tregon rastin e Rashkës “Serbe”.
Në “O nacionalnom kontinuitetu Bošnjaka “ flitet për “etnogjenezën” e Boshnjakëve , duke thënë se fakti i heshtur deri me tani është se ai vend quhej Ilirik. Edhe emri Bosna është me prejardhje ilire por edhe mbrenda Bosnes gjinden me dhjeta toponime dhe hidronime që e ruajnë rrënjën nga ilirishtja” . por autori fillon të largohet nga e vërteta duke thënë se “ Me këtë vërtetojmë se supstrati i gjuhës boshnjake ishte ilirishtja . Bile edhe akademiku Ibrahim Pashiq në librat e tij e paske vërtetuar të njëjtën “( “Stoga se sa pravom može govoriti o ilirskom supstratu u bosanskom jeziku, jer od svih ostalih okolnih jezika sadrži najviše leksema ilirskoga porijekla. Indikativna su u ovom smislu istraživanja akademika Ibrahima Pašića, koji je u jednoj od svojih knjiga (Kulin i Prijesda) nedvojbeno pokazao da se radi o dva imena ilirskoga porijekla unutar vladajuće bosanske dinastije.?)
Ai shkon edhe më larg kur thotë që “ Boshnjakët flasin në gjuhen boshnjake e cila gabimisht klasifikohet si gjuhë e sllavëve të jugut , por është vetë një shkrirje e ilirishtës së lashtë dhe gjuhës së dikurshme parasllave (govornika staroilirskog i praslavenskog jezika )
Boshnjakët e Sanxhakut janë të “dëshpëruar “ , se pse po iu mohohet trashëgimia në varret dhe gurët mbi varre që”ishin “ të të parëve të tyre e jo serbe..
Studjuesi Sulejman Aliçkoviq thotë “ Eshtë interesant që tek ne (në Sanxhak ) çdo fshat e ka fshatin e vet ( do me thënë që pas çdo emri sllavisht është një emer i vjeter , e ai thot që është i paraardhësve të boshnjakëve ) dhe ai emër i vërtetë fshati fshihet në nekropolet me varre. Në të gjitha anët e Sanxhakut gjenden nekropolet që nga Priboji, Prijepolja, Nova Varoši, Sjenica, Novi Pazari, Tutini, Rozhaja, Berani, Plava, Bijelog Polja, Gusija, Brodareva, Pljevala/ (Ovdje je veoma interesantno da naše svako selo ima svoje staro selo. Baš u tom djelu starog sela nalaze se nekropole sa stećcima Ai mban shënime për varrezat e vjetra te gjetura në malet e Veprnja u Blizini Ribarića, Preslo,Culije, Mojstir, Karadže, Kelepolje, Crniš, Vrapce, Dedilovo, Goševo, Jablanica, Vrba, Draga, Špiljani, Maljevci, Kominje, Paljevo, Biohane, Kocarnik, Vele Polje, Žirče, Kovače, Raduhovce, Orlje, Konice, Melaje, Boroštica, Đerekare, Ugo, Detane, Godovo, Izrok, Aljinovići, Rudja, Cukote,Gurdijelje, Crnoce, Ljeskova, Jarebica, Bujkovice, Raduša, Vrujci, Župa, Lukavica, Pruzanj.

Pra “boshnjaket” e Sanxhakut janë të humbur në gjetje të një identiteti të ri. Të kotë e kanë !
Fahri Xharra .04.12.15
Gjakovë

Filed Under: Histori Tagged With: bosnjaket, Fahri Xharra, guret e varreve, Sanxhak:

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • 469
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT