• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerika, 239 vjet pavarësi, liri dhe progres

July 2, 2015 by dgreca

Nga Agim Neza/
Populli amerikan feston 239-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo ditë është një festë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Një ditë ku populli amerikan e feston ditën e pavarësisë plot madheshti. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku i vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e Dokumentit të Pavarësisë. Në këtë dokument deklarohej se qeveritë kanë të drejtën të ekzistojnë vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.
Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej gjithashtu se populli ka të drejtën të ndryshojë qeverinë, nëse ajo u mohon atyre të drejtat. Komisioni që hartoi Deklaratën e Pavarësisë u udhëhoq nga Tomas Xheferson, ku merrnin pjesë edhe personalitete që kontribuan për Pavarësinë e Amerikës dhe për demokracinë e saj si Xhon Adams, Benxhamin Franklin, Roxher Sherman, etj.
Si gjithmonë, edhe këtë vit Amerikanët dhe shqiptaro-amerikanët në SHBA kanë filluar përgatitjet për të festuar triumfin e demokracisë, historinë, qeverisjen, traditat e SHBA, me fjalime politike, parada, fishekzjarrë, karnavale, koncerte, piknikë, lojëra bejsbolli, pritje në ambasada etj., por edhe për projektuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar se forcën e saj nuk e tregojnë vetëm nga shkalla e pasurisë dhe forca e armëve, por kryesisht nga idealet e popullit amerikan të cilët bazohen tek forca e demokracisë, lirisë dhe besimin për të pasur një Amerikë të suksesshme. Amerika është një komb emigrantesh, por që janë patriot të Amerikës. Amerikanët nuk e mbështesin patriotizmin në besnikerinë ndaj udhëheqësit apo qeverisë, por në perkrahjen dhe mbështetjen e atdheut në cdo kohë. SHBA, si vendi më demokratik ku jetojnë e punojnë shtetas amerikanë me origjinë nga Irlanda, Shqipëria, Italia, Kina, Afrika, Japonia, Meksika, Spanja etj., dhe ku të gjithë kanë barazi të plotë dhe mundësi për një jetë më të mirë, është një mesazh se si mund të funksionojë me sukses demokracia. Natyrisht, Amerika nuk është përfekte në gjithcka, por qeveritarët e saj, punojnë dhe janë të përkushtuar cdo ditë për të rregulluar ato të meta që shqetësojnë qytetarin amerikan.
Gjatë këtyre dekadave, askush më shumë se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka kontribuar për të ndihmuar demokracinë të triumfojë si sistem universal. SHBA kanë qenë dhe mbeten mbështetëse për të triumfuar ndaj përvojave të hidhura të të gjitha atyre vendeve që përjetuan fashizmin, nazizmin, diktaturën komuniste, regjimet ushtarake dhe qeveritë diktatoriale. Mbështetja e SHBA ndikoi që dëshira e zjarrtë e popujve për liri të rritej dhe në sajë të kësaj mbështetje, popujt vazhduan të marshonin të sigurt drejt fitores së demokracisë. E tillë ishte edhe Shqipëria, e cila e përjetoi demokracinë vetëm pas viteve ‘90.
SHBA, si shteti më i fuqishëm i botës, ka qenë një aleat dhe mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët që nga krijimi i shtetit shqiptar e gjer në ditët e sotme. SHBA kanë kontribuuar në njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo date (4korriku) është e lidhur edhe me fatet e vendit tonë. Kjo datë ishte kushtrim shprese për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikërisht më 4 korrik 1917, Presidenti Wilson deklaronte: “Unë do të kem vetëm nji zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. Ky mesazh i Presidentit Wilson krijoi shpresen tek shqiptarët se një aleat i madh si Amerika do të mbronte çështjen shqiptare. Ndërsa më 15 shkurt 1920, Presidenti Wilson deklaroi se “qeveria amerikane kundërshton me fuqi çdo dëmtim në kurriz të Shqipërisë e në përfitim të Jugosllavisë”. Ai shkoi edhe ma larg duke kërcënuar bashkëpunimin me europianët dhe tërheqjen nga Traktati i Paqes me Gjermaninë. Vetëm nji ditë më vonë, Londra e Parisi u tërhoqën para presionit amerikan. Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Në vitet në vazhdim, në rrugëtimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtuar një rol të vecantë për vendin tonë në konsolidimin e demokracisë, në anëtarësimin në NATO dhe në mbështetjen që u ka dhënë shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë e saj.
Kësisoj, kjo festë është në memorien e shqiptarëve edhe për faktin se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë të shkëlqyera, niveli i bashkëpunimit dhe miqësisë që përjeton populli shqiptar për Amerikën dhe popullin amerikan vështirë se haset diku tjetër. Mijëra shqiptarë që jetojnë në Amerikë jo vetëm që janë integruar, por janë bërë pjesë e suksesit të shoqërisë amerikane. Janë të shumtë numri i shqiptarëve të gjeneratës para viteve 90-të dhe atyre pas viteve 90-të që kanë arritur suksese mahnitese në fusha të ndryshme, për të theksuar në biznes, por edhe që punojnë në institucionet me të rendësishme amerikane.
Është me rendësi të theksohet fakti se gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë, të gjitha qeveritë shqiptare kanë pasur dhe kanë një admirim të madh për Shtetet e Bashkuara, duke u angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat. Por, nga ana tjetër herë pas here drejtues të qeverisë shqiptare kanë acaruar përkohsisht marrëdhëniet me Ambasadorë të SHBA-ve, kjo për shkak të euforisë së pushtetit të liderëve tanë, ose nga paaftësia e ndonjë Ambasadori për të moskuptuar se kush është “burri shteti” i vërtet në Shqipëri. Gjithashtu ka patur raste të pakta të keqkuptimit të iniciativave amerikane sic ishte rasti i refuzimit të armëve kimike të Sirisë (të cilat nuk përbënin asnjë rrezik për vendin tonë, përkundrazi do të përfitonim sic përfituan ato vende ku u bë demontimi i armëve kimike) ka qenë një gabim i pafalshëm për politikën shqiptare. Pavarësisht nga këto raste sporadike, gjatë këtyre 20 viteve, SHBA ka qenë aleati ynë strategjik. Marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën politike, ekonomike, të sigurisë e të mbrojtjes, si dhe luftës kundër terrorizmit. Ky bashkëpunim ka qenë një mbështetje e vazhdueshme për reformat dhe stabilitetin e vendit tonë.
Në këtë 239-vjetor të SHBA duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e të gjithë ambasadorëve shqiptarë dhe ambasadorëve amerikanë të akredituar në Tiranë si: Ulysses Grant-Smith, emëruar më 22 shtator, 1922 – larguar me 8 shkurt 1925; Charles C. Hart, emëruar më 27 maj, 1925 – 12 dhjetor 1929; Herman Bernstein, emëruar më 17 shkurt, 1930 – 24 shtator 1933; Post Wheeler, emëruar më 26 gusht, 1933 – 1 Nëntor 1934; Hugh G. Grant, emëruar më 9 gusht, 1935 dhe e përfundoi misionin kur forcat italiane pushtuan Tiranën më 7 prill 1939. Grant u largua nga Shqiperia me 27 shtator 1939;
Christofor Hill, i ngarkuar me punë, 15 mars 1991; William E. Ryerson (2 dhjetor 1991- 13 tetor 1994); Joseph E. Lake (5 korrik 1994 – 15 mars 1996); Marisa R. Lino (2 korrik 1996 – 20 maj 1999); Joseph Limprecht (7 korrik 1999 – vdekur në Shqiperi me 19 maj 2002); James F. Jeffrey (3 tetor 2002 – 2 maj 2004); Marcie B. Ries (18 tetor 2004 – 30 tetor 2004); John L. Withers II (28 qershor 2007 – 2010); Alexander Armando Arvizu (10 nëntor 2010 – dhjetor 2014); Donald Lu (17 dhjetor 2014 dhe në vazhdim).
Gjithashtu, kontribut të veçantë në marrëdhëniet midis dy shteteve kanë dhënë edhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, si konsujt dhe stafi i zyrës konsullore, atashetë ushtarakë dhe kulturorë, si dhe sekretarët ekonomikë dhe politikë si Lynn Gurian, Thomas Jadzgerdi (aktualisht Drejtor i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit), etj.
SHBA, nëpërmjet ambasadorëve dhe pjesës tjetër të stafit të Ambasadës ka dhënë një kontribut të veçantë dhe ka inkurajuar marrëdhëniet bashkëpunuese të Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm në drejtim të reformave. Kjo bazuar në dy parime themelore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qënë e mbeten aktuale; mbështetja në drejtësi dhe vetëvendosja për të gjitha kombet, të mëdha e të vogla.
Askush më mirë se SHBA nuk e ka përcjellë mesazhin se një Europe të lirë dhe në paqe i duhet një rajon i qëndrueshëm dhe i integruar ballkanik. SHBA kanë kontribuuar në harmonizimin e politikave rajonale, të cilat kanë gjeneruar stabilitet dhe siguri më të madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Europës Juglindore.
Sot, SHBA kanë një vizion dhe strategji për një botë më të mirë. Strategjia e SHBA është një strategji partneritetesh që afirmon rolin jetësor që kanë NATO dhe aleanca të tjera që kanë SHBA, duke përfshirë edhe OKB-në. Kjo strategji është e rrënjosur në promovimin e lirisë dhe dinjitetit në të gjithë botën, që ka të bëjë me shtetin ligjor, lirinë e fjalës, lirinë e fesë, tolerancën fetare dhe etnike, të drejtat dhe respektin për gratë, dhe respektin për pronën private etj.
Strategjia e SHBA është për të siguruar një botë ku të gjithë njerëzit të jetojnë me dinjitet, në liri dhe në paqe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë promovuar dhe promovojnë dinjitetin njerëzor dhe demokracinë jo vetëm në Amerikë, por edhe në botë, me qëllimin që paqja të ruhet, të mbrohet dhe të zgjerohet. Demokraci do të thotë komunikim midis njerëzish, të cilët shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin për hallet e përbashkëta dhe punojnë për një të ardhme më të mirë. Demokracia kërkon kompromis, tolerancë dhe bashkëpunim. E ardhmja u përket atyre që duan të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë. E kjo është bërë realitet në Amerikë. Por, këtë mund ta bëjmë më mirë edhe ne shqiptarët. Në këtë 239-përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, të gjithë i bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjnë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe ata të ardhshëm. E këtë mund ta bëjmë edhe ne shqiptarët.
Në tekstin e Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se: ”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se perëndia u ka falë atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.” Këtë mesazh, pas 25 viteve demokraci, duhet ta kuptojnë dhe ta zbatojnë politikanët shqiptarë. Ky është një mesazh domëthënës se perëndia dhe natyra i ka falur popullit të drejta themelore dhe të pamohushme, kësisoj qeveria dhe parlamenti duhet të respektojë popullin e saj duke qenë se krijohen nga populli me qëllimin për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore të pamohueshme. Këtu qendron edhe suksesi i qeverisjes amerikane, ku për rreth dy shekuj e gjysëm ka tërhequr në tokën e saj breza të tërë nga vende të tjera për faktin se ka respektuar testamentin e saj të shpalljes së pavarësisië bazuar në idealet dhe filozofinë e saj se njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.
Megjithëse kanë kaluar 239 vjet, demokracia amerikane ka qenë dhe mbetet e suksesshme për faktin se drejtuesit e politikës amerikane, pavarësisht sukseseve që ka arritur në standardin e jetesës dhe zhvillimin ekonomik, ata janë realistë dhe përgjegjësia e tyre nënkupton për të bërë më të mirën për vendin dhe qytetarin. Natyrisht, Amerika nuk është përfekte në gjithcka, por qeveritarët e saj, punojnë dhe janë të përkushtuar cdo ditë për të rregulluar ato të meta që shqetësojnë qytetarin amerikan Vizioni i Presidentit Obama është realist, i ndjeshëm për qytetarin amerikan dhe optimist për një të ardhme më të mirë kur ai thekson se: “E dimë se ka nëna e etër që pasi do të përcjellin për në gjumë fëmijët, do ta kalojnë natën zgjuar duke vrarë mendjen se si do ta përballojnë pagesën e kredisë, faturat e dritës, ilaçet apo shkollën e fëmijëve. Duhet të krijohet një energji e re, duhet të hapen vende të reja pune, të ngrihen shkolla, të përballohen rreziqe e të ndreqen aleanca. Përpara na pret një rrugëtim i gjatë. Do të ngjitemi në rrëpira”. Dhe në fakt Amerika cdo ditë krijon një energji të re si dhe mirëqenie për qytetarin amerikan, ku shpresa dhe besimi për një jetë më të mirë është një realitet.
Gëzuar 239 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës! Një vend i bekuar ku asgjë nuk është më e cmueshme se sa pavarësia dhe liria. Amerika, një tokë e lirisë dhe mundësive të mëdha.

Filed Under: Histori Tagged With: 239 vjet pavarësi, Agim Neza, amerika, liri dhe progres

Kosovë – Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 po fiton peshën historike që i takon

July 2, 2015 by dgreca

Nga Prishtina: Behlul Jashari/
Ne Foto:Gazetari Zenun Celaj/
– Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Gazetari Zenun Çelaj tregon: Unë e daktilografova Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, dorëshkrimin e Gazmend Zajmiit e dogjëm.
Zenun Çelaj:/
Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 po fiton peshën historike që i takon realisht.
Asaj i paraprinë shumë zhvillime në radhët e Alternativës Shqiptare, siç nisën ta quanin atëherë lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve. Kështu e quanin jo vetëm ithtarët e rezistencës paqësore ndaj synimeve serbe për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, por edhe vetë shqiptarët. Ishin protestat gjithëpopullore të vitit 1988 e 1989, Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt ’89), “Apeli 215” i intelektualëve, që u quajt kështu sipas numrit të nënshkruesve (mars 1989), dorëzimi i librezave partiake të gazetarëve të “Rilindjes” (më 30 janar 1990), që i priu zhbërjes së Organizatës së lidhjes Komuniste në Kosovë, helmimet masive të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, Deklarata mbi Çështjet Kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (14 qershor 1990), pastaj Deklarata e Forumit Demokratik (përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe shoqatave të shqiptarëve) me të cilën u kërkohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbronin pozitën kushtetuese, autonominë e Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ nga viti 1974, vrasjet e shqiptarëve, arrestimet e dënimet.
Por Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ka një parahistori para se ajo të arrinte në duart e delegatëve të Kuvendit të Kosovës (delegatë quheshin deputetët). Rastësisht jam protagonist i kësaj historie, kjo falë miqësisë që kisha me akademikun Gazmend Zajmi, një personalitet jo vetëm me njohuri të thella juridike dhe të të drejtës kushtetuese, por edhe me sensin për të vlerësuar momentin. Ishte koha kur në fakt ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe rrezikohej e gjithë ekzistenca kombëtare. Derisa po shëtisnim në korzonë e Prishtinës më thotë se do të ishte mirë që delegatët të miratonin një deklaratë kushtetuese, me të cilën do të anulonin ndryshimet e bëra arbitrarisht nga Serbia. “Si gazetar që je, mund të kesh ndonjë delegat që mund t’i besosh”, më tha, “i cili do të mund ta fuste në procedurë kuvendare (pra parlamentare) një deklaratë kushtetuese”. Kur ia pohova mundësinë, e lamë që të nesërmen të ma dorëzonte tekstin e saj dhe u takuam në shtëpinë time. Ai e kishte hartuar me dorë tekstin, ndërsa unë e daktilografova. Kishte përfshirë gjashtë pikë. Pas diktimit dorëshkrimin e tij e dogjëm. Nuk deshëm të lëmë gjurmë që do ta penalizonin Gazmendin, i cili më herët kishte pasur disa probleme shëndetësore. Ndërkohë Deklaratën ia dhashë delegates Leonora Binishit – Zajmi, që ishte bija e kunatës sime. Ajo e kishte kryer punën si është mirë. Delegatët, që tashmë vepronin në baza nacionale, e kishin trajtuar tekstin e Deklaratës, por jo në ambientet e Kuvendit, që tashmë thuaja mbahej e kontrolluar nga milicia (policia) serbe. Pas disa ditësh më konsultuan nëse autori, pra Gazmendi, do të pajtohej të hiqej pika e fundit. Gazmendi u pajtua plotësisht me kërkesën, madje tha se ajo pikë ishte krejtësisht e panevojshme.
Ndërkohë, pasi u caktua data kur do të miratohej teksti i Deklaratës, brenda ose jashtë objektit të Kuvendit, në cilësinë e veprimtarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë sigurova praninë e një delegacioni vëzhguesish nga Federata e të Drejtave të Njeriut në Francë, pastaj të një veprimtareje të shquar të të drejtave të njeriut nga SHBA (Eva Brendli) që kështu shpallja e Deklaratës të kishte edhe njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar.
Më 2 Korrik 1990 delegatët shqiptarë, të cilëve u ishin mbyllur dyert e objektit të Kuvendit, pas disa seancave dramatike, u mblodhën para dyerve të tempullit të demokracisë, ku u lexua teksti i Deklaratës. Atë paraprakisht e kishin nënshkruar 114 delegatë. Ndërsa delegatët ishin mbledhur për të miratuar këtë dokument, që ndërkohë do të trajtohet si një prej gurëve themeltarë të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, Kuvendi ishte i rrethuara nga tanke e forca të mëdha të milicisë. Leximi dhe shpalla e Deklaratës u shoqërua nga duartrokitje të gjata të delegatëve, por edhe të qytetarëve që po e ndiqnin në mënyrën më të pazakonshme punën e një parlamenti në rrugë.
Kamerat televizive do të përjetësojnë skenën kur Milicia do ta shoqërojë veprimtaren nga SHBA, Eva Brendli me gjithë qenin e saj, dhe Luljeta Pulen.
Ata që e ndoqën shpalljen e Deklaratës u shpërndanë të lumtur dhe me shpresën se po niste koha e zgjidhjes së nyjës së Kosovës. Ajo do t’i printe shpalljes së Kushtetutës në Kaçanik dy muaj më pas, më 7 shtator, që Kosovën e deklaronte Republikë. Pas shpalljes së deklaratës kushtetuese do të mbylleshin mediet në gjuhën shqipe – “Rilindja” e RTP, do të suprimohen thuaja të gjitha institucionet autonome të Kosovës dhe do të fillonte një dekadë e rëndë e mbylljes së shkollave e fakulteteve, e largimeve nga puna, e persekutimeve, arrestimeve e dënimeve, që do të kulmonin me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për të përfunduar me çlirimin e Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke. Teksti i plotë i Deklaratës ishte ky:
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990/
” Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)/
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
Do ditur teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Deklarata e 2 korrikut, kosova, Zenun Celaj

2 KORRIK 1950 – 2015- 65 VJETORI I DON KOLEC PRENNUSHIT N’ AMSHIM…

July 1, 2015 by dgreca

Ne Foto: Don Kolec PRENNUSHI(1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950)/
Nga Fritz RADOVANI/
■Vetem në Shekullin XX, kësaj epoke të ndritun dhe të lavdishme per Klerin Katolik në Shqipni, Familja Prennushi me origjinë nga Zhupa i dha pesë Klerikë të njohun dhe të përgatitun per Vetflijim në sherbim të Atdheut dhe të Fesë, Don Matinë, At Matinë, Imz. Vinçencin, At Karlon dhe Don Kolec Prennushin, nder të cilët tre mbesin të pavdekshem si Martir të Kishes Katolike në kohen e pushtimit sllavokomunist, nga viti 1944 – 1991.
■At Matia ishte Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë dhe u pushkatue në vitin 1948, Imzot Vinçenci ishte Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës dhe vdiq në 1949 në burgun e Durrësit, ndersa Don Koleci vdiq në Shkoder me 2 Korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi. ■Kështu, Gjenocidi i shtetit komunist mbrenda tri vjetësh zhduku edhe Klerikun e fundit të Prennushve, që gjithë jeten e vet ia kushtoi Fesë Katolike dhe Shqipnisë së Kastriotit perballë luftës ateiste shkatrrimtare komuniste. Këta Klerikë njihën edhe nga historia e Malëve tona si Burra që u vetsakrifikuen për Trojet e Shqipnisë së Lirë e Demokratike. Në asnjë periudhë historike Ata nuk janë pajtue me sundimin e të huejve, monarkinë dhe sistemet diktatoriale cilatdo kjofshin ata, por kanë mbyllë jetën e vet të martirizuem po, por edhe të nderuem nga shfarosja e atij Gjenocidi që ka përfshi gjithë Popullin aqsa Atdhetar aq edhe besimtar katolik Shqiptar mbas vitit 1944.
■Don Koleci asht lé në Shkoder me 2 Janar 1902. Mbas studimeve të para në vendlindje, studimet e nalta teologjike i ka perfundue në Linz të Austrisë. Asht shugurue meshtar me 25 Qershor 1925. Ka sherbye në fshatra të Shkodres. Kur ishte në Dajç të Bregut të Bunës, ku ka mbyllë jeten e Tij me 2 Korrik 1950, asht arrestue me 5 Dhjetor 1948 dhe mbas 11 muejsh asht lirue i shkatrruem nga torturat, pasojë e të cilave edhe ka vdekë.
■Nder ditët e para mbasi u lirue nga hetuesia, gjendja shëndetsore e Tij ishte vazhdimisht me trazime dhe në ramje. Nana e Tij Ninia, u mundonte me ia zgjedhë gojën, si thotë populli, por “një grup tre – katër vetësh i panjohun” që vinin e shkonin nga Tirana, mbasi rrinin të mbyllun me nga 5 – 6 orë në dhomën e pritjes vetem me Don Kolecin e shqetsonin aq shumë sa asnjëherë nuk mund ta harroj merzinë e Tij, ndër ato orë që nuk kalonin kurrë “diskutimesh të pafund…”.
■Njëditë e motra Roza e marakosun për ardhjen e tyne e kishte pyet, se kush janë e pse vijnë, po Ai i kishte përgjegjë shkurt: “Nuk tregojnë kush janë, po nga gjuha kuptoj se vijnë nga Tirana për me më pyet rreth lidhjeve që ka Kisha e jonë me Vatikanin…”.
■Lirimi i shumë Klerikëve Katolik nga hetuesia ishte kuptue vetem atëherë kur 6 ase 7 muej mbas në Argjipeshkvinë Metropolitane të Shkodres, ku ishte vetem Imz. Bernardin Shllaku dhe Don Ernesto Çoba, mbasi Ipeshkvijt tjerë nuk ishin ma, u patne ba edhe dy mbledhje aso kohe, që zbuluen arësyen e “lirimit” sepse qeveria e Tiranës, nëpërmjet gojës së “shokut” Tuk Jakova, i kishte ba të ditun Klerit Katolik se Papa i Romës dhe Vatikani, janë “armiq të betuar të socializmit” prandej, duhet mendue rruga nga Kleri per shkëputjen përfundimtare. Tashti orjentimi dhe veprimet e qeverisë sonë ishin direkt nën urdhnat e padronit vendeve të Lindjes komuniste, Bashkimit Sovjetik e Stalinit të “math”, prej ku “buronin” mjerimet e njerzëve të skllavruem mbas vendimëve të Jaltës.
■Kleri Katolik kishte ngarkue Don Kolec Prennushin për shqyrtim të “Projekt Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” si teolog i njohtun. Ish xhakojt, ndonjë nga ata që mendonin me u ba meshtarë apo që kishin marrë edhe urdhna mësheftas mbas 1944, nuk janë kenë lejue me marrë pjesë ndër ato mbledhje, kështu, shkrimet apo shpjegimet e tyne që nuk ishin klerikë për atë kohë, nuk janë të sakta, siç, më ka shpjegue për këte fakt At Konrrad Gjolaj OFM., i cili, ka shkrue mjaft gjatë për “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare” (fq. 123 – 129) në librin e Tij “Çinarët”.
■Çeshtja thëmelore mbi të cilën bazohej kundërshtimi i “Projekt Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik ishte kenë, siç më ka shpjegue At Konrradi, nga argumentët e paraqituna prej Don Kolecit se: “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit. Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sëpse, Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat, asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët Shqiptarë kanë për nacionalen e tyne.”
■At Gjolaj shkruen: “Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do t’ na thonë se do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë.
E, nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj..! Unë do të qendroj në këta mendime, fjalë tjetër s’ kam!…Zgjedhja e ipeshkvijve nga qeveria, asht shkatrrim i Kishës.”(Çinarët, fq. 125).
■Don Koleci shkruen: “Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë si meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona.” (Parathanje ‘Rrimë shtremt e flasim ndrejtë”)
■Don Koleci me guxim shprehet për At Gjergj Fishtën: “Poemi epik “Lahuta e Malcis” asht nji vade mecum i çdo atdhetari”
■Papritmas me 2 Korrik 1950, Don Koleci keqsohet dhe dy mjekët e ndodhun aty prezent Dr. Karaxhozi dhe Prela, vertetojnë vdekjen e Tij nga zemra e shkatrrueme në tortura. Me 3 Korrik, Ju ba salikimi në Kathedrale tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë, në fundin e Kishës, ku përveç Don Ernestos, ishte edhe Imz. Bernardin Shllaku dhe fratel Ljarja…Kishte shumë fshatarë nga të gjitha fshatrat e Bregut të Bunës dhe qytetarë të Shkodres…mungonin xhakoj e priftën, shumica e të cilëve nuk kanë marrë pjesë nga frika…Vorrimi u ba familjar në Rrëmaji, në Shkoder.
***
■Disa mendime të përsonalitetëve të asaj kohë për Don Kolecin:
■At Gjergj Fishta OFM., i tha Nanës Don Kolecit (rreth vitëve 1915 – 16):
“…Ai do të bahet nji prift i mbrekullueshëm, se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për Meshtar.”
■Ai njihëj ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Thaçit, At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës. Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e Shkodres.
■Imzot Gasper Thaçi, me humor thonte: “…Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku me predikue na të tjerët?”
■Kur z. Nush Tukja ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej po zhdukej Kleri Katolik, e kishte pyet me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?” … At Frano Kiri i ishte përgjegjë: “Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, ashtv Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!..”. At Frano Kiri kur fliste për té, mbas vitit 1964 më thonte: “Don Koleci ishte shpnesa e fundit e jona!..”.
■At Pjetër Meshkalla SJ., shkruen në kujtimet e Tija: Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vjenë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Ketedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pergatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: “Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964). Dhe po aty shkruen:
“Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjen e mikut tem të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”
■Kardinal Mikel Koliqi, tha (në vitin 1951): “Don Kolecin e paska dashtë Zoti ma fort se ne të tjerve, …Ai vdiq me faqe të bardhë. Zoti e mori për mos me e lanë me ra në durtë e këtyne, ndërsa, halli i jonë nuk po dihet, por ishalla edhe ne na ruen që mos turpnohemi. Vullnesa e Tij u baftë!”
■Kardinal Koliqi në vitin 1992, më thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë, edhe ate e mori vala komuniste.”
■“Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik Shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitëve, mbasi ata jo, vetëm, e respektonin por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij.” (1964)
■At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për Shqiptarë, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”.
■Don Kolec Prennushi (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950), vdiq në moshen 48 vjeçare…
Në këte 65 vjetor të vdekjes së Tij, këta pak rreshta të jenë një lule e freskët nga Autori.
Melbourne, Korrik 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 2 korrik 1950, Don Kolec Prenushi, pervjetori 65

Pse Pjeter Bogdani në gojën e tradhtisë kombëtare ?

July 1, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Shqiptar quhet ai, që ka lerë në atë toke, ku ka lindur i ati, gjyshi stergjyshi dhe katragjyshi i tij per mijëra vjet, që e ka folur atë gjuheë si nëna, gjyshja dhe katragjyshja e tij kane folur ne vatrën e familjes kur koha filloi te rridhte, quhet ai që ka të shenjtë nënë e at, nder e besë, qiell e tokë, quhet ai qe ndjek prijësin e vet deri ne sakrificë, quhet ai qe nuk ulët ne gjunjë para Perendisë por e nderon atë në këmbë, sepse Perendia e tij ja kerkon që ai te rrojë me dinjitet, quhet ai që lufton si askush tjetër, per të mbrojtur vatër e atdhe, femijtë vëlla e motër, dhe që nuk lufton për fe sepse fe e ka atdheun, ka të parët, ka diell e hënë, ka tokën ku ka lereë, ka gjakun dhe besën e dhënë.( dias10 )
Po sot si jemi?
Pjetër Bogdani përmend thënjen e Herodotit: Cezar Augusti “Dëshironte fort me pasun ndë ushtritë tinë t’arbëreshëtë. Përse thonj pësonjënë shumë e nuk druhen për hu e për het, se janë më zemërorë se të tjerëtë„ .
Pse u ngriten zërat kundër Pjetër Bogadanit ? A nuk jemi ata që në valën më errët kundërshqiptare:
“ Në vitin 1982, studiuesi e kritiku i njohur Ibrahim Rugova botoi te Rililindja e Prishtinës librin Vepra e Bogdanit 1675–1685, që konsiderohet një nga studimet më të mira të veprës së Pjetër Bogdanit.”
Pse i lejuam më të prapambeturit e kombit të flasin kundër kur Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare “Çeta e profetëve” (Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë, më 1635 me ndihmën e një miku të vet.
A e dijmë që? “ Kudo që punoi , qoftë si peshkop i Shkodrës dhe administrator i kryepeshkopatës së Tivarit, qoftë si kryepeshkop i Shkupit, të gjitha këto detyra Bogdani i kreu jo vetëm si klerik, por edhe si patriot. Bashkë me predikimin fetar dhe nën petkun e klerikut ai edukonte te besimtarët edhe ndjenjën e dashurisë për liri e për atdhe dhe urrejtjen ndaj pushtuesëve osmane, nxiste dhe organizonte qëndresën kundër tyre dhe, jo rrallëherë, ka marrë pjesë drejtëpërdrejt në kryengritjet antiosmane që shperthyen në atë kohë.”
Për t’u shpëtuar këtyre ndjekjeve, atij i është dashur shpeshherë të merrte udhët e maleve. Madje edhe sot nëpër vendet ku ka kaluar ka shpella që mbajnë emrin e tij e që tregojnë se ai është fshehur në to për t’u shpëtuar operacioneve ushtarake turke. Gjatë këtyre arratisjeve, me sa duket, ai merrte me vete biblotekën personale, ose , të paktën, dorëshkrimet e vyera, sepse sikurse e thotë vetë me keqardhje, gjatë këtyre shtegtimeve të detyrueshme atij i humbi (hupi si krypa nd’ujët-shkruan ai) dorëshkrimi i gramatikës së të ungjit.
Po kujt i pengonte Lufta turko-veneciane ? “Gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), ai u përpoq që të organizonte veprime të përbashkëta me venecianët kundër pushtuesve osmane. Po kështu edhe në konfliktin turko-austriak (1689) Pjetër Bogdani mori malin për të organizuar kryengritjen e armatosur, dhe, kur forcat austriake hynë në Prishtinë, me ta u bashkuan edhe rreth 500 luftëtarë të cilët kronisti austriak i cilëson “arnautë”, d.m.th. shqiptarë. Bogdani ishte faktori vendimtar i këtij bashkëveprimi, aq sa kronisti i mësipërm, kur vdiq, më 6 dhjetor 1689, në mënyrë lakonike shkruan se “me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë”. Dhe me të vërtetë, ushtria austriake filloi të pësonte disfata të përditshme.
Ai e rrespektonte kombin ,pa marrë parasyshë përkatsinë fetare dhe që “frytet e punës politike të Bogdanit për afrimin e shqiptarëve myslimane e katolike kundër zgjedhës shekullore, sidomos simpatinë që gëzonte ai tek shqiptarët myslimanë, e dëshmon edhe suksesi që pati më 1680, kur pajtoi brenda tri orëve fiset e Krasniqit dhe të Gashit, që ishin në gjakmarrje.”
“Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare”… por deshtën që ne ta harrojmë, ta shajmë që përveq eshtrave dhe varrit që s`i dihet ta ngrysim edhe emrin dh eta terrojmë veprën e tij
Dhe kush? Shikojeni videon “
https://www.youtube.com/watch?v=H2Mb7JUXIro
Dhe shpirti i tij prej atdhetari :“Në vitin 1689 depërton ushtria austriake. Në nëntor kjo ushtri arrin në Prishtinë. Bogdani të niset me ushtrinë për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë dhe bashkë me ta arrin atje. Atje sëmuhet nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim te mjekët gjermanë, po më kot. Vdes në fillim të dhjetorit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset. Siç njoftonte nipi i tij Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake ato ditë, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij.
Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.
Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkritarë të njohur shqiptarë e të huaj si Gaetano Petrotta, Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Alberto Straticò, Mario Roques, Justin Rrota, Matteo Sciambra, Injac Zamputti, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj. Në vitin 2006, studiuesja Anila Omari, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Akademinë e Shkencave, botoi një studim të plotë të “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit. Në 950 faqe, studiuesja Omari ka sjellë të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tentuar edhe një publik pak më të gjerë se ai me përgatitje shkencore..
Fahri Xharra, 01.07 15 Gjakovë
Literatura “
https://www.youtube.com/watch?v=H2Mb7JUXIro
http://www.forumishqiptar.com/threads/4939-Pjet%C3%ABr-Bogdani-pene-e-arte-n%C3%AB-letersine-Shqiptare
https://www.shqiperia.com/kategori/kat/knr/310/Pjeter-Bogdani
http://www.poezishqip.com/pjeter-bogdani/
https://sq.wikibooks.org/wiki/Vitviteja/Pjet%C3%ABr_Bogdani/dhe_muzik%C3%ABn

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: Fahri Xharra, Pjeter Bogdani

Kosova, Shteti me 110 njohje

July 1, 2015 by dgreca

Ilaz Ramajli: Kosova në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, shtet me 110 njohje/
Nga Prishtina: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 1 Korrik.-Kuvendi i Republikës së Kosovës mblidhet në 2 Korrik 2015 në orën 11:00 në një seanca solemne me të vetmen pikë në axhendë: Shënimi i 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.
Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
“Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë…”, pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri, pavarësi e demokraci,
e shpallën në Prishtinë delegatët shqiptarë, po edhe nga komunitete të tjera, para dyerve të Kuvendit kosovar, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi, që kishte vendosur gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor.
Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 25 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arresoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 16 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet shtatë vite – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.
“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e Rilindjes – gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë, ku theksoja se, “Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, në një rast përvjetori në bisedë ekskluzive për ATSH-në, kujtonte:
“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë… Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”
Në kohën e Deklaratës së 2 Korrikut, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Ilaz Ramajli, i cili faktikisht udhëheqte me shumicën e delegatëve, meqë kryetari ishte nga radhët e serbëve që kundështonin autonominë dhe pavarësinë e Kosovës.
Më pastaj, Ramajli udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, Ilaz Ramajli në 20 vjetorin e Referendumit, theksonte se, “janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit – Deklarata Kushtetuese në 2 Korrik 1990 dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e nxjerrë në 7 Shtator 1990”. Ato, shtonte ai, “shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit Sovran”.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën, ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, shprehet Ramajli.
Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, një ekzemplar të së cilës e kam të ruajtur edhe pas 25 vitesh, që kur ma dhanë vetë delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, dhe përmbajtja e plotë e saj është kjo:
“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA (Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve) të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990.
Delegatët, nënshkrues të Deklaratës:”
Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, në 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat.
Sipas shumë vlerësimeve, në shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 hapi i 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq “ishte baras me kapjen e armës për lirinë, që do të vinte”.
Theksohet se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke.

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, Behlul Jashari, deklarata Kushtetuse, Ilaz ramajli, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 507
  • 508
  • 509
  • 510
  • 511
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT