Nga Pjeter Logoreci/
Një bisedë me një njohëse të gjuhës shqipe në tetor të vitit 2014, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Mazreku. Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkates bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu me ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një cd, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i vecantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me personazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërine, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikolle Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i perket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjecare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas germave, por dihet (sic shkruhet në letrën e parë) qe …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith´c pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; c´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana permbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në vecanti. Sic kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalore enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”.
“U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me buk kollomoqe….”
Dom Nikolla kerkon mendimin e Jokl-it për sa i perket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma cfaqe me nji leter pershtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua cue…”
Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, qe më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajc të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902. Më vonë u bë pjesë e kolegjit Franceskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu. Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famillia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerim Cabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rroten. Vepren e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten. Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget at Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, at Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në levizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg. Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur perndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura. (Referencat u morën nga libri: Studentet shqiptar te Austrise)
Greci dhe shpëtimi shqiptar i Gadishullit Italian
Nga Shirley DIOGUARDI/
Historia e Grecit është e lidhur në mënyrë të pandashme me rolin vendimtar që figura kryesore historike e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), luajti në shpëtimin e Gadishullit Italian dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore nga dominimi i Perandorisë Turko-Osmane në shekullin e XV-të. Për këtë arsye, Gjergj Kastrioti ishte figurë e lartë e shekullit të XV-të jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë evropianët dhe pse trashëgimia e tij është e përjetshme. Gjeni ushtarak, filozof, mjeshtër i disa gjuhëve, diplomat dhe katolik i devotshëm, Kastrioti ka qenë subjekt i një numri librash në shumë gjuhë, i poezive nga Longfelloë dhe Byroni, dhe i një opere nga Vivaldi. Statuja të figurës së tij ikonike me shpatë në dorë mbi kalin e tij magjepsës i janë dedikuar atij në Romë, Vienë e Budapest. Historia e tij fillon në Shqipëri e mbaron në Greci.
Kastrioti ishte djali i një princi shqiptar, Gjon Kastriotit, i cili i mbajti turqit osmanë pushtues larg për më shumë se njëzet vite derisa ai dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë u detyruan të pranonin një traktat mashtrues të paqes në vitin 1422 me Sulltan Muratin e II-të për të siguruar pjesën e fundit të ushtrisë turke në Evropën Juglindore dhe për ti shpëtuar jetën popullit të tij nga tërbimi i Perandorisë Osmane. Për të garantuar marrëveshjen, Sulltani mori peng katër djemtë e Gjonit dhe i dërgoi ata në akademinë ushtarake osmane në kryeqytetin Adrianopojë.
Raporti shembullor akademik dhe ushtarak i djalit më të vogël të tij tërhoqi vëmendjen e Sulltanit, i cili do ti jepte atij gradën e gjeneralit në moshën 19 vjeçare dhe titullin nderues “Iskender Bey” apo siç njihet më mirë “Skenderbeg” në kujtim të Aleksandrit të Madh. Në vitin 1443, Skënderbeu mori lajmin se babai i tij kishte vdekur në shtëpinë e tij të lindjes në Krujë, Shqipëri. Për shkak se Gjoni ishte i mirënjohur si udhëheqës i opozitës shqiptare ndaj osmanëve, Skënderbeu ndjeu rrezikun që i kanosej atij dhe popullit shqiptar. Ai kapi momentin kur u dërgua në një operacion ushtarak për të mposhtur hungarezët e udhëhequr nga një tjetër luftëtar i madh i lirisë (dhe gjemb në anën e Sulltanit), Janos Hunyadi. Me aftësinë e tij ushtarake, Skënderbeu hutoi vëmendjen e komandantëve të tjerë osmanë dhe la fushëbetejën për t’u nisur për Shqipëri me 300 kalorës të tij besnikë. Pas hyrjes triumfuese në Shqipëri, ai iu vërsul Kështjellës së Bardhë në Krujë me 28 Nëntor 1443 dhe e rrëzoi guvernatorin osman. Për njëzet e pesë vite të ardhshme Skënderbeu do të kryente disa nga të bëmat më të mëdha ushtarake që do ta mbronin Evropën ndaj shtrirjes së Islamit nga Perandoria Osmane dhe do ta shtronin rrugën për shtete të lira e demokratike.
Në vitin 1461, Mbreti i Napolit, Ferdinandi I, i biri i Alphonsit të ndjerë, mik i ngushtë i Skënderbeut, i bëri thirrje atij që ta ndihmonte atë ti kundërvihej pushtimit eminent francez. Skënderbeu udhëhoqi një këmbësori elite prej 4.000 burrash dhe i largoi francezët në betejën e famshme të Apulias, afër Napolit. Si shpërblim për këtë fitore, Ferdinandi i dhuroi Skënderbeut dhe 2.000 ushtarëve të tij fshatin në majë të bjeshkës, Grecin. Siguria e Mbretërisë ishte garantuar kur Kastrioti vendosi të linte kalorësinë e tij në Greci ndërsa ai u kthye në Shqipëri për të vazhduar mbrojtjen e vendit nga dominimi turko-osman. (Vizitorët në Greci mund ta shohin që rruga kryesore mban emrin “Via Skenderbeg”, dhe se shtëpitë e para të ushtarëve të Skënderbeut janë ruajtur, edhe pse ato kanë nevojë të restaurohen.)
Vetëm pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 osmanët ishin në gjendje të nisnin pushtimin e tokave shqiptare, duke i vënë ato tërësisht nën kontroll në vitet 1480-të. Pastaj, qindra mijëra shqiptarë u larguan përtej Detit Adriatik në Mbretërinë e Napolit dhe më gjerë në kërkim të lirisë nga dominimi turk dhe konvertimi i detyruar në fenë islame. Përveçse në Greci, ata do të themelonin edhe 50 fshatra të tjera shqipfolëse që do të zhvilloheshin dhe sot janë duke lulëzuar në Campania, Puglia, Sicili e Kalabri. Refugjatët shqiptarë të quajtur arbëreshë ruajtën traditat kulturore shqiptare, gjuhën dhe trashëgiminë e tyre katolike gjatë sundimit osman të tokave shqiptare që do të zgjaste për 424 vite. (Duke filluar në vitet ‘60-të, gjuhëtari i ndjerë shqiptar Martin Camaj do të kalonte shumë vite në Greci duke studjuar e dokumentuar atë që ai besonte të ishte forma më origjinale e gjuhës shqipe e cila flitej e shkruhej aty.)
Kjo është arsyeja se pse arbëreshët mbeten të lidhur me tokat shqiptare, dhe gjithashtu pse shqiptarët janë përgjithmonë të lidhur me Italinë. Pas rënies së Perandorisë Osmane në vitin 1912, shqiptarët e gjetën vetën duke luftuar kundër inkursionit sllav, duke filluar me Luftërat Ballkanike të 1912-1913. Me pëlqimin e të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha” (Austro-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Italia, dhe Rusia), shqiptarët u ndanë padrejtësisht dhe artificialisht. Vetëm për shkak të ndërhyrjes së Presidentit të atëhershëm amerikan Woodroë Wilson në fund të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 u krijua shteti i Shqipërisë. Tre milion a gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Shqipëri; një tjetër tre milion e gjysmë jetojnë krah për krah në kufijtë e saj – në Kosovë (shtet i pavarur që nga 2008), Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës (Serbi jugore), dhe Çamëri (Greqi veriore). Tetë milionë të tjerë jetojnë në diasporë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Evropën Perëndimore, Turqi, dhe Australi – të cilët i kanë ikur terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet sllave dhe më vonë komunizmit në shekullin e njëzet.
Është Greci, në veçanti, për të cilin shqiptarët në gjithë botën janë të lidhur. Kur një fëmijë lind në një fshat shqiptar në Itali, fëmija ngrihet lart drejt Shqipërisë. Kur një fëmijë lind në çdo tokë shqiptare në Evropën Juglindore, apo në diasporë, ai ose ajo do të rritet duke mësuar për Skënderbeun, dhe se Greci ishte i vetmi fshat shqipfolës në Italinë moderne ku ka shkelur këmba e Skënderbeut.
Skënderbeu është heroi kombëtar që i bashkon të gjithë shqiptarët në një histori ende të papërfunduar kombëtare, që filloi në Itali gjashtëqind vite më parë.
Hamit Matjani Legjenda e agjentit Shqiptare viktim e tradhetise se Kim Fillbit
Kur në prill të vitit 1954, në fushën e sportit në Lushnje, Hamit Matjani ngjitej në trekëmbësh, si i dënuar me varje në Washington dhe Londër i vunë një vizë operacionit “Valuable”/
Nga Beqir SINA – New York/
Xhavit Matjani, djali i vetëm i një prej “komandantëve” më të shquar shqiptar në vitet ´30-të, Hamit Matjanit, kur ishte në Amerikë,një vit para se të vdiste rrëfente nga Amerika ekskluzivisht për “Bota sot” gjithçka që kujtonte ai dhe dinte për babanë e tij “legjendar”. Transferimi i fisit Matjani nga zonat e Burrelit për hir të hasmërisë në kodrat e Peqinit dhe gjakmarrja e re që e bëri Hamit Matjanin, pas hakmarjes, një nga figurat më të njohura të zonës. Si u çua më pas në Napoli të Italisë, nga mbreti Zog, ku mbaroi shkollën e xhandarmërisë dhe emërimi në qytetin e Fierit. Beteja e trupave të xhandarmërisë së Hamit Matjanit me trupat e Riza Cerovës, gjatë kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe shtypja e saj me ndihmën e forca të ardhura nga Tirana.
Simbas rrëfimeve të tij atdhetari dhe nacionalisti Hamit Matjani, lindi më 1910 në fashatin Matian të Lushnjes, fshat ky i krijuar nga njerëz të ardhur shumë kohë më parë nga rrethi i Matit, për hasmëri. Ky fshat i vogël, ka nxjerrë nga gjiri i tij, shumë njerëz patriotë që u dhimbsej atëdheu, dhe ishin gati të jepnin edhe jetën për të nëse do ta lypte nevoja. Dhe, me të vërtetë ashtu ndodhi. Shtatëdhjetë djem në lule të moshës, të cilët komandoheshin nga Isa Manastiri, u pushkatuan nga Mehmet Shehu, mes të cilëve gjendeshin shtatë Matjanë. Mes tyre ishin edhe Hamiti me gjithë dy vllezërit, Asllanin dhe Ibrahimin, Hasan, Dalip dhe Hajdar Matjani, nipërit e Hamitit si dhe Veliu, kushëri i tij.
Fatimeja, gruaja e Hamitit, edhe ajo ka bërë dhjetë vjet burg të regjimit komunist, ndërsa pjesën tjetër të jetës e kaloi në kampet e interrnimit në Savër e Gjazë. Shahe Matjani, gjith-ashtu ka bërë dy vjet burg. Po ashtu i gjithë fshati u internua. Historia e Hamit Matjanit fillon më 1929, kur u mobilizua me xhandarmërinë në Vlorë. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, ai la përshtypje mjaftë të mira tek eprorët, të cilët shikonin tek ai një djalë trim, të shkathët dhe të zgjuar. Ai gëzoi besimin dhe respektin e tyre edhe pasi u largua nga kjo detyre. Më 1931 kur u largua nga ky shërbim, organet kompetente të asaj kohe, deshën ta mbanin ende në atë detyrë dhe i bënë thirrje të qëndronte pasi shikonin tek ai një njeri mjaft të zotin. Hamiti pranoi ta zgjaste shërbimin e tij, duke rritur aftësinë kualifikuese në kuadër të shërbimit të Xhandarmësisë. Duke parë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, organet kompetente të asaj kohe e dërgojnë për studime në Shkollën e lartë të Xhandarmërisë në Napoli të Italisë, të cilën pasi e mbaroi me rezultate mjaftë të mira u kthye sërishmi në Vlorë.
Në prill të vitit 1935, Hamit Matjani transferohet si kuadër i shkolluar në Qendrën e xhandarmërisë në Fier. Më 10 dhjetor të vitit 1935, shpërthen një kryengritje e mercenarëve shqiptarë e pergatitur fshehtazi nga Italia fashiste. Këta mercenarë ishin të paguar nga italia për të përmbysur qeverinë e Ahmet Zogut. Në krye të kësaj kryengritje u vu komandanti, Musa Kraja, i cili qe një antizogist i thekur, i dëshmuar kundër monarkisë. Ai urdhëroi arrestimin e përfaqësuesve të autoriteteve qëndrore, duke shpresuar se shpërthimi i revolucionit do të merrte përmasa më të gjera në gjithë territorin e vendit. Në qytetin e Fierit, Hamit Matjani kishte reputacion të madh dhe bashkë me shokët e tij, ai, krijoi një rezistencë të madhe duke u ndeshur me çetën e Riza Cerovës, të cilën arriti ta shpartallonte duke e detyruar të largohej në drejtim të Mallakastrës, disa kilometra larg Fierit. Qeveria e asaj kohe, u vu në ndjekje të kryengritësve dhe gjatë kësaj lufte u vra edhe Riza Cerova. Ndërsa kryengritësit e tjerë u kapën, dolën para gjygjyt dhe u dënuan. Situata u stabilizua sërish dhe pas kësaj Hamit Matjanin e dërgojnë sërish me shërbim në Vlorë.
Pushtimi Italian në brigjet e Shqipërisë, më 7 prill 1939 në të gjith Shqipërin, nuk u prit me lule por me plumbat e patriotëve shqiptarë, luftëtarëve trima që nga Saranda e deri në Shëngjin, bënë rezistencën. Midis tyre, një rol të vecantë në këtë luftë luajti edhe Hamit Matjani, i cili luftoi me të gjitha mundësitë që ta hidhte në det Italinë fashiste për të mos e zaptuar Shqipërinë. Por kjo nuk u realizua për shkak të fuqisë së madhe ushtarake që dispononte në atë kohë Italia. Italia Fashiste, deklaroi pushtimin e plotë të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me mercenarët e vendit ngriti qeverinë e saj. Por, kjo nisi pik së pari në arrestimin e shumë personave, patriotë dhe luftëtarë që e kishin kundërshtuar planin fashist që çonte në okupimin e vëndit të tyre. Kështu, që edhe Hamit Matjani u arrestua nga pushtuesit Italianët, ku u dënua me vdekje ku do të egzekutohej me varje në litar.
Qazim Dervishi nga Lushnja, ish mik i ngushtë i Hamit Matjanit, njëri nga veteranët e Luftës së Parë Botërore, kur mori vesh lajmin se Hamiti, qe arrestuar nga italianët dhe mercenarët shqiptarë dhe do të varej në litar, mundi të fuste në burgun ku mbahej miku i tij disa ushqime, mes të cilave edhe një sharrë hekuri, e cila do ti shërbente atij që të këpuste hekurat e dritares së qelisë. Kështu Hamit Matjani mundi të dilte e të arratisej duke u larguar në drejtim të fshatit të tij. Atëherë pasi vishet ushtarak, armatoset dhe zgjedh si vendqëndrim pyjet rreth një fshati malor. Arratisja e Hamit Matjanit, solli një shqetësim të madh mes personaliteteve të burgut, të cilët organizuan shumë forca të armatosura dhe u drejtuan drejtë fshatit Matjan për të kapur Hamit Matjanin. Ata nuk mundën ta kapnin Hamitin vetëm sepse ky i fundit zotëronte një dhunti të jashtëzakonshme natyrore, njihte mirë terrenin dhe ishte trim e i zgjuar. Atëherë në shenjë hakmarrje pse nuk mundën të shtinin në dorë Hanmitin, për ta demoralizuar shpirtërisht, vendosën ti interrnonin gjithë familjen.
Por, ky patriot, i shtoi akoma më shumë fuqitë dhe përsosi zotësinë. Ai ngriti çetën e tij me luftëtarë të zotët, djem besnikë dhe u hodh, mal më mal ku ra disa herë në përpjekje. Gjatë viteve 1941-1942, lindën grupet komuniste, të cilat filluan të organizoheshin në çeta të vogla, pastaj kompani, të cilat nisën të bënin një propogandë të madhe bolshevike. Ata afruan pranë tyre njerëz me qëndrime të lëkundura për të shtuar radhët e Partisë Komuniste. Njëri nga këta ishte edhe Mustafa Gjinishi. Pastaj ata i bënë thirrje edhe Hamit Matjanit, që të bashkohej me grupet komuniste, por ai e hodhi poshtë këtë ofertë. Hamiti i tha Mustafait se i vinte keq pse megjithëse ishte një njeri me mjaft kulturë nuk kishte kuptuar ende se komunizmi do të shkatërronte gjithshka në Shqipëri, që nga prona e deri tek identiteti kombëtar.
Në kuadër të kësaj përgjigjje, Matjani i drejtohet Gjinishit duke i thënë se “Ti bashkë me grupet e tua bën mirë të flakësh tej yllin bolshevik, që mban në ballë dhe të vish me mua sepse kjo ishte rruga më e mirë” Pas një debati të gjatë dhe të ashpër nuk u arrit asnjë rezultat dhe si përfundim Matjani i tha Gjinishit se “nëse dëshiron të vdesësh me nder ashtu siç i ka hije një atdhetari eja pas meje, në të kundërt po qëndrove aty ku je do të vdesësh me turp”. Të njëjtën thirrje ai i bëri edhe Sheh Karbunarës dhe mori po të njëjtën përgjigjje që i dha Gjinishi. Më vonë, Sheh Karbunara, bashkë me Gjinishin ranë pre e kurtheve të Enver Hoxhës, ku e pësuan me kokën e tyre. Ata u pushkatuan që të dy. Më 1943, Italia fashiste kapitulloi dhe në Shqipëri hyri Gjermania naziste. Hamit Matjani u vu përballë luftës me gjermanët, por edhe kundër komunistëve që shtoheshin në numër dita ditës. Si komandant i zoti, duke marrë nën kontroll Peqinin dhe Çorovodën si dhe disa zona të tjera, arriti të siguronte një territor për vetën e tij ku nuk qe e lehtë të vepronin komunistët. në kuadrin e luftimeve në të dy krahët , më të rrezikshme ishin luftimet që bëheshin me komunistët, pasi ata, veç luftës me armë përdornin mjaftë mirë edhe instrumentin e propogandës.
Populli nuk qe në nivelin e duhur për ta përballuar këtë propogandë dhe shumica ranë në kurthin e rekrutimit që iu bënë nga komunistët. Më 1944, kur Shqipëria u çlirua prej nazistëve, por jo nga komunistët. Ata morën pushtetin dhe nisën nga larja e hesapeve kundër patriotëve të vërtetë që nuk i kishin përkrahur duke mos u pajtuar me ideologjinë e tyre. Pjesa më e mirë e nacionalistëve shqiptarë e rrasën nëpër burgje, e pushkatuan dhe e dërguan në kampe interrnimi. Hamit Matjani vazhdonte të qëndronte në mal për të luftuar doktrinën komuniste bashkë me çetën e tij. Ai ra disa herë në përpjekje me komunistët. Kjo ndodhi në disa nga zonat më të njohura të asaj ane.
Ai u përpoq të krijonte bindjen në popull se nuk e kishin njohur mirë komunizmin i cili do ti krijonte vendit shkatërrime të mëdha. Ata që e kuptuan, u bashkuan me Hamitin, por rezistenca, për vetë kushtet e krijuara ishte mjaftë e vështirë. Hamiti bashkë me shokët dhe vëllezërit e tij, u rrethua në një pyll nga forca të shumta të ushtrisë dhe policisë. Kjo ndodhi për shkak të tradhëtisë që iu bë atijë nga një person, i cili qe në radhët e tij, por që punonte për sigurimin e shtetit. Rrethimi pati pasoja katastrofike për të, sepse pas një lufte të ashpër ku pati të vrarë nga të dyja palët ai humbi në atë rrethim vëllezërit dhe shokët e tij. Kjo ndodhi i përket vitit 1947. Kjo humbje e detyron Hamitin të largohet nga Shqipëria dhe të vendosej në Greqi bashkë me Nuri Plakun. Gjatë udhëtimit për në Greqi, ata arritën të mblidhnin me vete shumë njerëz të pakënaqur nga qeveria komuniste sepse kishin humbur pronat dhe personalitetin e tyre. Thuhet se kur po
kalonin kufirin, rastësisht ata u takuan me një bari, i cili po kulloste aty bagëtinë. Si u përshëndetën sipas traditës, Matjani i jep atij një cop letër, për të cilën i lutet ta çonte në postën më të afërt ku do ia dorëzonte
komandantit të postët duke i thënë “Ma dha Hamit Matjani”
Siç është parë më vonë, në këtë letër ai shkruante se “unë Hamit Matjani po largohem nga Shqipëria për në Greqi i plagosur rëndë dhe me shok të vrarë. Por kur të shërohem do të vij opërsëri në Shqipëri për ta vendosur në vend idealin tim. Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi. Matjani erdhi në Shqipëri mbi njëzetë e pesë herë ku qëndronte me muaj të tërë nëpër bazat e tij ilegale. Sërishmi është tradhëtia që do ti hajë kokën. Më 1 maj 1953, Hamit Matjani kapet nga agjenti anglez, i cili punonte për shërbimin sekret rus. Ky quhej Kim Fillb.
Anglia mbasi mbaroj Lufta e Dytë Botërore, e mbajti sërish Intiligjent Servisin, që të punonte në mënyrë sekrete kundra rusisë dhe Komunizmit të përbotëshëm, edhe kur Amerika e pa mirë se propoganda komuniste, po shkonte shumë më larg se sa mendohej. Atëhere, Amerikanët dhe Anglezët në lojë kundra Rusisë dhe komunizmit të përbotëshëm së bashku zgjodhën Shqipërinë si vendin më të përshtashëm për të hedhur grupe diversantësh. Shqipëria, mbasi u “shkëput”, dhe nga Jugosllavia, për me i dhënë një grusht
të fort Stalinit, me lidhjen Tito – Hoxha, fituan një farë përkrahje Anglo-Amerikane për të vendosur një rregjim sipasë dëshirës së popullit shqiptarë dhe me njëher u bënë thirrje shqiptarve në perendim kush do me
luftue dhe me shkue në shqipëri vullnetarisht.
Mirpo Anglo-Amerikanët gabuan rëndë, siç u pa ma vonë, se ata nuk kishin pastuar akoma shtëpinë e vetë e lë pastaj të pastronin shtëpinë e shqiptarve nga komunizmimi dhe agjenturat serbo-ruse. Sepse që të pastronin Shqipërinë, duke pasë tradhëtinë në derë të tyre , misjonet e tyre për në Shqipëri ishin tradhëtuar qysh në ditët e para të nisjes së tyre. Duke filluar nga Agjenti angles Arnold Kim Filbi, që ishte i rekrutuar qyshë në moshën 17 vjeçare nga KGB-ja. Agjenti më i famëshëm në botë një ndër më të njohurit e agjenturave në botë, kur e mbaroi misionin e tij, të dubëlspiunazhit në dobi të KGB-ës shkoi e vdiq në Moskë, ku thuhet se ai jetonte me një partner mbasi thuhet që ai ishte homoseksual.
Anglo-Amerikanët e interesuar që Shqipëria të shkëputej realisht nga blloku i kuq Sovjetik i BRRSS, kishte analizuar dhe organizuar dhe zbarkime të grupeve diversatësh në Shqipëri, pasi anglo-amerikanët kishin informata të sigurta se rregjimi komunist në Shqipëri, nuk ishte stabil dhe se kishin lehtësira për ndërhyrje të ndrrimit të një rregjimi, mbasi dhe vetë gjëndja në të cilën ndodhej Shqipëria si niveli i ulët ekonomik e politik, i jepte shkas për të ndërrmarr hapa të tilla. Shteti ishte keqësuar , çdo ditë pushka-toheshin njerëz të pafajshëm, burgoseshin e interrnoheshin.
Kjo erdhi si rezultat kur u “keqësuan” dhe u “prishën” marëdhënjet me Jugosllavinë. Të mos harrojmë kjo periudhë i përket 1948 , perudhë kjo kur elementët patriotë, ballistë e zogistët, ende ishin të gjallë dhe ishin mjaftë aktivë.
Kur gjoja Shqipëria u prishë me Jugosllavinë, ajo faktikisht u gjendë e rrethuar nga të katër anët. Si për shëmbull për të shkuar në Hungari, duhej të hipje në një vaporr që nisej nga Durrësi, t’i bije për qark
deri në Detin e Zi, të dilje në Konstacë(Rumani) dhe pastaj nëpër Rumani të kaloje në Hungari. Jugosllavët i pezulluan dhe i bllokuan të gjitha flutrimet ajrore. Jugosllavët, nuk lejonin që të fluturonin aeroplanët që dilin nga Shqipëria mbi Jugosllavi, ata ju kërcënonin ulje të detyrushme dhe me dhunë në territorin Jugosllav. Kjo mënyr zgjati thuajse deri më 1956. Pra, kjo mënyrë e përdorur nga kjo bllokadë nxiti anglo-amerikanët të inkurajojnë forcat e tyre. Kjo kohë koncidojë me atë që Intiligjent Servisi dhe CIA, gjykuan se kishte ardhur koha e momenti i duhur që t’i jepej një goditje e fuqishme imperatorisë komuniste, të kuqve Moskë, Beograd, Tiranë.
Për këtë qëllim Anglo-Amerikanët zgjodhën Dejvid Smajli dhe Xhulja Emeri si dhe grupe të specializuar që bashkëpunuan me këta agjentë. Në Maltë u organizuan nga ana e Smajlit. Kur anglezët kërkuan ndihmën e Amerikanve , amerikanët krijuan një repart diversantësh e agjentësh me rreth 4,000 vetë në Gjermaninë perendimore me emigrantë shqiptar nga të gjitha trevat, Kosova, Maqedonia, Mali i zi, Çamëria e Shqipëria. Këto forca pasi u përgatitën në këto kampe u hodhën me parashuta në Shqipëri, dhe ranë prehë e pabesisë dhe e tardhëtisë, Ata u sollën në Shqipëri me anije dhe aeroplan por u likujduan thuajse të gjithë.
Për sa dihet sipas dokumnetave të arshivës së Intiligjet Sërvisit, CIA-s , për likudimin e tyre dihet mirë se vendimtare kanë qënë informatat e sakta që jepte Kim Fillbi, sipunit të KGB-ës që punonte me një aeroplan zbullimi MI-6(për agjensinë angleze të kundrasipunazhit) me të cilat Shqipëris i bëhej e ditur për ardhjen e këtyre forcave dhe vend zbarkimin. Angelëzët dhe Amerikanët, sot këtë lojë tradhëtie e kudnrasipunazhi ja atribojnë agjentit me famë botërore Kim Filbi, i cili përmesë Sovjetikve lajmëronte qeverinë shqiptare. Filbi duke ditur datën dhe vedëndodhjen e saktë të këtyre grupve arrinte të jepte alarmin për aksionet që ata kishin në plan të ndërrmerrnin .
Sipas dëshmive Mbreti i shqiptarve Ahmet Zogu, i cili kishte kaluar në ekzil, kishte sinjale se në brëndësi të grupeve kishte kundrasipunazh, prandaj dhe nuk i kishte përkrahur këto grupe dhe aksionet e tyre, duke ju bërë thirrje amerikanve dhe anglezve se po binin në lojën e sipunazhit sovjetik.
Në vitin 1953 hynë në lojë edhe Amerikanët, këta i’u lutën Mbretit t’ju jepte amerikanve katër vetë midis tyre edhe Zenel Shehun, i cili ishte adjutant i Mbretit. Zenel Shehu hyri i pari dhe ra në duart e sigurimit me
gjith paisjen e tij , radio, kodin dhe më vonë me gjith grupin dhe vu në shërbim të sigurimit shqiptar. Kështu përmes Shehut, sigurimi kërkonte armë për”çetat kundër pushtetit”, të cilat kinse ishin krijuar në Shqipëri, pastaj kërkonin dhe njerëz”për ndihmë” të cilët ishin vënë në shënjestër të sigurimit për tu kapur(Zenel Shehu u mbajtë disa vjet në burg, pastaj u lirua.
Hamit Matjani,është dekoruar si ‘Martir i Demokracisë’ nga ish-Presidenti Sali Berisha në vitin 1992.Ai ka qenë një nga desantët më të zhdërvjelltë, i cili ka hyrë disa herë në Shqipëri gjatë viteve 1950-54, në kuadrin e operacioneve agjenturore të CIA-s për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës, deri sa u kap i tradhëtuar nga forcat e Sigurimit dhe u var në fushën e sportit në Lushnjë, në prill 1954.
“ATA TË CILËT U MOHOJNË LIRINË TË TJERËVE, NUK E MERITOJNË AS PËR VETEN”
ABRAHAM LINKOLNI ME RASTIN E 150-VJETORIT TË VRASJES/
Nga Frank Shkreli/
Abraham Linkolni u zgjodh presidenti i 16-tët i Shteteve të Bashkuara në vitin 1861 dhe dy vjetë më vonë më 1863 nënshkroi Proklamatën e Emancipimit me të cilën deklaroi lirinë e përhershme për skllevërit mbrenda Konfederatës. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit president, Linkolni paralajmëroi shtetet e Jugore të Amerikës të cilat ishin kundër heqjes së skllavërisë se: “Është në duartë tuaja, bashkatdhetarët e mij të pakënaqur dhe jo në dorën time, çështja e rendësishme e luftës civile. Qeveria nuk do t’ju sulmojë…Por as ju nuk keni ndonjë të drejtë Hyjnore për të shkatërruar qeverinë, ndërkohë që unë kam detyrën dhe përgjegjësinë e shënjtë për ta ruajtur, për ta mbështetur dhe mbrojtur atë.” Si president, Abraham Linkolni punoi shumë për një organizim të fortë të Partisë Republikane dhe mundi të siguronte edhe përkrahjen e shumë demokratëve në favor të kauzës për bashkimin e shteteteve dhe kundër skllavërisë.
Linkolni e konsideronte ndarjen e vendit veri-jug si të paligjshme dhe ishte i gatëshëm të përdorte forcën në mbrojtje të Bashkimit dhe të ligjeve Federale. Por kur forcat e shteteve jugore sulmuan “Kështjellen Sumter” duke detyruar dorëzimin e saj forcave të jugut, Linkolni u bëri thirrje shteteve të veriut për regjistrimin e 75.000 vullnetarve për të kundërshtuar këtë akt dhe kështu filloi Lufta Civile amerikane. Lufta Civile ishte një luftë e tmershme, njëra ndër më të përgjakshmet e atij shekulli gjatë së cilës, nga të dy palët, humbën jetën mbi 600.000 veta, por megjith sakrificat e pa imagjinueshme njerzore, ishte një luftë kundër skllavërisë, një luftë që më në fund siguroi të drejtat dhe liritë e barabarta për të gjithë brezat e ardhëshëm në Amerikë dhe frymëzoi mbarë botën. Si përfundim i këtyre sakrificave të mëdha, Amerika doli nga kjo luftë si një komb më i mirë, më i fortë dhe më i drejtë, për të gjithë. Kjo është një meritë e madhe e Abraham Linkolnit, e këtij emancipatori të madh të Amerikës dhe të botës, 150-vjetori i vdekjes i të cilit po shënohet në kryeqytetin e kombit në Washington si dhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.
Linkolni bëri ç’mos që bota të mos harronte se Lufta Civile kishte të bënte me një çështje shumë më të madhe dhe më të rëndësishme se sa edhe Bashkimi i kombit. Ai e deklaroi këtë bindje në mënyrën më emocionale që është e mundur, në fjalimin që ka mbajtur në varrezat ushtarake në Gettysrburg duke thënë se, “Jemi këtu për të vendosur njëherë e mirë që këta ushtarë të rënë të mos kenë vdekur kotë — se ky komb nën kujdesin e Perëndisë, do të ketë një lindje të re të lirisë — dhe se qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut.” Ishte ky një mesazh për Amerikën po se spo, por edhe për mbarë botën.
Vetëm pesë ditë pasi mori fund Lufta Civile në Shtetet e Bashkuara dhe para pajtimit të Veriut dhe Jugut, më 14 prill, 1865 u plagos rëndë Presidenti Abraham Linkoln nga plumbi i një vrarësi, simpatizant i kauzës së Jugut gjatë Luftës Civile. Një ditë më vonë, më 15 prill, Linkolni vdiq nga plagët e marra. Ishte ora 7:30 në mengjes, kur zemëra e tij e madhe pushoi së rrahuri, e një burri që është cilësuar si, “miku i të varfërve, emancipuesi i të shtypurve dhe kampioni i zgjedhur i lirisë”. Shpirti i tij u këthye tek Perëndia në të cilin ai besonte fuqishëm dhe me plot bindje se sipas tij, me punën dhe veprat ai ishte në rrugën e drejtë të planeve dhe të gjykimeve të Krijuesit. Në lidhje me këtë, Linkolni citohet të ketë thënë me një rast se, “Nëqoftse Zoti do që murtaja e keqe e luftës (civile) të vazhdojë deri në përmbytjen dhe shkatërrimin e pasurisë së grumbulluar gjatë 250 vjetëve me punë të detyrueshme dhe derisa çdo pikë gjaku e shkaktuar nga përdorimi i kamxhikut, të paguhet me një tjetër pikë gjaku shkaktuar nga shpata, atëherë, ashtu si ka është thënë tre mijë vjetë më parë, të vazhdohet të thuhet edhe tani se, “Gjykimet e Zotit janë të drejta dhe të vërteta.”
Kombi amerikan ka përjetësuar kujtimin e tij me një përmendore madhështore prej mermeri në Washington, ku pas trupores së Linkolnit, lartë në faqen e murit janë të shkruara këto fjalë: “Në këtë tempull – si dhe në zemërat e njerzëve për të cilët ai shpëtoi bashkimin e kombit – Kujtimi i Abraham Linkolnit – Është i shënjtëruar për gjithmonë”. Por kujtimi i Abraham Linkolnit tejkalon kufijtë e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që jeta dhe veprimtaria e tij ka gjetur jehonë kudo në botë ku popujt janë historikisht shfrytëzuar nga regjime dhe diktatorë të ndryshëm, e ku historia ka shënuar krimet e njeriut kundër njeriut në pothuaj çdo vend të botës dhe në të gjitha periudhta e historisë së njerëzimit. Jeta dhe veprimtaria e Presidentit Abraham Linkoln është përjetësuar gjithashtu edhe me botimin e numrit më të madh të librave mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, në krahasim me presidentët e tjetër amerikanë — duke marrë parasyshë edhe botimet në gjuhët e huaja — përfshirë edhe të pakën dy libra në shqip, për të cilët kam dijeni unë — libri i Xhevat Kallajxhiut me titullin thjeshtë Linkoln, një biografi e botuar në New York në vitin 1961 dhe në vitin 1926, Konstantin Çekrezi ka botuar shënime mbi jetën e këtij udhëheqsi amerikan.
Vdekja e parakohshme e Abraham Linkolnit ishte një humbje e madhe për kombin amerikan, ndërkohë që shumë historianë amerikanë dhe të huaj thonë se ai tani u përket brezave të të gjitha kohërave dhe mbarë botës. Jo vetëm Amerika, por edhe bota e atëhershme mbajti zi për vdekjen e tij, 150-vjetë më parë. Revista amerikane Atlantic në numrin e fundit sjellë reagimet botërore të para 150-vjetëve mbi vrasjen e Linkolnit nga njerëz të thjeshtë dhe nga qarqet zyrtare dhe diplomatike të asaj kohe. Madje bota e atëhershme, sipas revistës, konsideronte se vdekja e Abraham Linkolnit mund të kishte pasur të njëjtin efekt në historinë e ndryshimeve në botë sa edhe vrasja e Jul Cezarit, ndonëse për arsye të ndryshme. Revista thotë se sidomos europianët shikonin në presidentin Linkoln dhe në eksperimentin amerikan një vlerësim të idealizuar edhe të aspiratave të tyre. “Abraham Linkolni nuk është vetëm i juaji — ai është gjithashtu edhe i yni”, shkruanin në atë kohë qytetarët e qytetit të vogël Sicilian, Acireale, “sepse ai ishte një vëlla, mendja dhe ndërgjegjëja e guximshme e të cilit udhëhoqi një popull drejtë bashkimit dhe trimërisht çrrënjosi skllavërinë.” Por reagimi më domethënës thotë revista në fjalë mbi vdekjen e Linkolnit, erdhi nga gazeta la Opinion në Bogota të Kolombisë, e cila shkruante se në kuptimin e fjalës të gjuhës së përditshme, “Abraham Linkolni nuk mund të thuhet se ishte një njeri i madh. Ai nuk gëzonte prestigjin e një fituesi të ndonjë lufte. Ai nuk pushtoi popuj e shtete. Por, ai posedonte diçka shumë më tepër se të gjitha këto së bashku, e që nuk mund të barazohet me asnjë nga glorifikimet e kësaj bote. Abraham Linkolni ishte një instrument i Perëndisë. Burri i quajtur Abraham Linkolni ishte liberatori dhe shpëtimtari i një republike madhështore të kohërave moderne…mishëruesi i një ideje që vlonte si flakë në zemrën e tij e që e ngriti atë në nivelet më madhështore humane — të një shpëtimtari të një race të tërë njerzish. ”
Në Gettysburg, Abraham Linkolni ka mbajtur atë që konsiderohet si fjalimi më i rëndësishëm që mbahet mend në historinë e Shteteve të Bashkuara. Duke dedikuar varrezat ushtarake për mijëra ushtarë që ishin varrosur aty pas Betejës së Gettysburgut e ishte zhvilluar vetëm katë muaj më heret, Presidenti Linkoln megjithë periudhën e vështirë nepër të cilën po klaonte kombi i tij, ai deklaroi besimin dhe bindjen e tij, për një të radhme më të mirë, për themelimin e një, “Kombi të ri, i bazuar në liri dhe i dedikuar ndaj objektivit se të gjithë njerëzit janë të krijuar me të drejta të barabarta.”
Presidenti Linkoln u ri-zgjodh në vitin 1864 ndërkohë që fitorja e shteteve veriore kundër jugut solli mbarimin e luftës. Duke planifikuar të ardhmen e vendit të tij në periudhën e paqës, Linkolni u tregua i gatëshëm për bashkpunim dhe tepër i njerzishëm ndaj kundërshtarve plitië dhe ushtarakë duke inkurajuar shtetet e Jugut që të dorëzonin armët dhe të rindërtonin vendin. Në këtë frymë, ai iu drejtua të gjithë bashkombasve të vet me rastin e inaugurimit të dytë, me fjalë të cilat tani janë shkruar në Memorialin Linkoln në Washington: “Me keqdashje kundër askujt, me dashuri e bamirësi për të gjithë, me vendosmëri në mbrojtje të së drejtës, ashtu si na e bën të mundur Perëndia ta shohim të drejtën — le të përpiqemi të përfundojmë punën që kemi filluar dhe të shërojmë plagët e kombit….”
Historianët dhe shkencëtarët politikë amerikanë e konsideorjnë Abraham Linkolnin si presidentin më me influencë të Amerikës, madje disa e venë në vendin e parë për nga arrijtet dhe trashëgimia historike, në krahasim edhe me më të dalluarit siç janë, Franklin Roosevelt, George Washington, Theodore Roosevelt, Thomas Jefferson, Andrew Jackson, Woodrow Wilson, Harry Truman dhe Ronald Reagan. Kështuqë sipas vlerësimit të shumë historianëve por edhe të publikut, Abraham Linkolni konsiderohet edhe sot –150-vjetë pas vdekjes së tij — si Presidenti më i mirë i këtij vendi. Ata vlerësojnë se asnjë president tjetër në historinë e Amerikës nuk është përballur me ndonjë krizë më të madhe se ç’ishte Lufta Civile amerikane, dhe asnjë president deri tani nuk ka arritur aq sa mundi të arrinte dhe të realizonte për kombin e vet Presidenti Abraham Linkoln.
150 vjet nga vrasja e Presidentit Abraham Linkoln
Përgatiti për “Diellin”, Shefqet Kërcelli/
Më 14 prill të vitit 1865, u vra Presidenti Abraham Lincoln. Një shekull e gjysëm më vonë, ai konsiderohet si një nga udhëheqësit më të dashur të Amerikës, legjitimiteti i të cilit vazhdon të frymëzojë presidentët amerikanë dhe udhëheqësit botërorë. Në vijim po i hedhim një vështrim arritjeve kryesore të presidentit Linkoln dhe si po e përkujton atë një kinema-ikonë e Uashingtonit këtë ngjarje historike. Njëqind e 50 vjet më parë, më 14 prill, u vra presidenti amerikan Abraham Lincoln, kur bashkë me të shoqen po shikonte një shfaqje në kinemanë Ford në Uashington. Ndërsa vrasë si i tij, John Wilkes Booth largohej nga skena e krimit, zotin Linkoln e çuan në një shtëpi pranë kinemasë, ku ai vdiq mëngjesin e së nesërmes. Vdekja e tij ndodhi pikërisht në momentet kur ai po e udhëhiqte vendin drejt daljes nga Lufta Civile, gjatë së cilës u vranë mbi 620 mijë ushtarë amerikanë. Shpëtimi i Unionit ishte një prej arritjeve më të shquara të presidencës së tij, thotë Michelle Krowl, historiane në Bibliotekën e Kongresit. “Në se vendi do të ishte udhëhiqur nga një burrë më pak i fortë, më pak i vendosur, më pak mendjemprehtë, shumë thjesht mund të kishte ndodhur ndryshe. Por ai i pa Shtetet e Bashkuara si një eksperiment i demokracisë, që ai po e mbështeste, një çështje që baballarët e kombit e kishin filluar dhe ai nuk donte që ky ekperimentim i demokracisë të dështonte.” Presidenti Lincoln ndihmoi gjithashtu që t’i jepej fund skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. Proklamata e Emancipimit e publikuar më 1 janar të vitit 1863, i hapi rrugën lirisë së afrikano-amerikanëve. Më vonë, po atë vit, zoti Lincoln mbajti fjalimin historik të Getisburgut, katër muaj pasi ushtarët e Unionit mundën forcat e Konfederatës në betejën më të rëndësishme të Luftës Civile. “Kur lexon fjalimin e Getisburgut, Lincolni thotë se “kjo është qeveria e popullit, e zgjedhur nga popullit dhe në shërbim të popullit”, ai e nënkuptonte këtë. Lincolni ishte një njeri i cili donte t’i zgjeronte të drejtat e popullit. Ai donte që Shtetet e Bashkuara ta përmbushnin me të vërtetë potencialin e tyre demokratik, për të qenë një vend që përmbush Deklaratën e Pavarësisë, ku thuhet “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”. Për të shënuar 150 vjetorin e vrasjes së Presidentit Lincoln, muzeumet dhe institucionet historike të mbarë vendin kanë hapur ekspozita të veçanta, ku jepen edhe shfaqje. Një nga më të rëndësishmet është kompleksi i Teatrit Ford. Këtu, objektet paraqiten së bashku për të parën herë që nga ajo mbrëmje tragjike. Mes tyre është edhe një pistoletë e vogël, me të cilën John Ëilkes Booth vrau Presidentin. “Domenthënia e kësaj arme është se ajo ka ndryshuar drejtimin e historisë; në një moment të vetëm, një nga presidentët tanë më të madh e rrëzuan, duke e vrarë.” Tracey Avant, kuratore e ekspozitës, thotë se po ashtu janë ekspozuar shumë nga objektet personale të zotit Lincoln, mes tyre dhe kapelja e tij karakteristike. “Kjo është një kapele-ikonë. Të gjithë e përfytyrojmë Abraham Lincolnin me kapele. Por ajo që e bën atë më të bukur, është se ai i vuri kapeles këtë shirit për të kujtuar djalin e tij Willie, i cili vdiq në vitin 1862 nga ethet e tifos. Kjo tregon se sa shumë e ndjeu ai humbjen e djalit.” Një objekt tjetër i preferuar i vizitorëve janë syzet e Presidentit Lincoln. “Bishti i syzeve ishte thyer, prandaj ai përdorte një copë spangoje për t’i lidhur. Për mua ky është një detaj që e bën atë shumë njerëzor.” Ndërsa jeta e tij u pre në mes, legjitimeti i zotit Lincoln vazhdon të jetojë, si një nga presidentët më të mëdhenj në historinë e Shteteve të Bashkuara. Për të janë shkruar më tepër libra se sa për çdo president tjetër amerikan. Fytyra e tij është gdhendur tek monedha amerikane. Miliona njerëz e vizitojnë memorialin e tij në Uashington. Ndërsa amerikanët shënojnë 150 vjetorin e vdekjes së presidentit të tyre të 16-të, shumë besojnë tek vizioni i Abraham Lincolnit dhe i paraardhësve të tij, – për një vend ku të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, -se një ditë do të realizohet. Nërkohë Presidenti Abraham Linkoln do mbetet dhe për shqiptarët kudo që janë, vecanërisht për shqiptaro-amerikanët, simbol i demokracisë, i së drejtës, i sakrificës, i barazisë dhe humanizmit njerëzor.
- « Previous Page
- 1
- …
- 526
- 527
- 528
- 529
- 530
- …
- 698
- Next Page »