Nga GËZIM LLOJDIA/
1.Kosova është një vend ku potenciali arkeologjik është i pambarimtë. Dhjetra lokalitete arkeologjike nga rreth 400 gjithsej të evidentuara në territorin e Kosovës deri më tani dhe të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të Republikës së Kosovës janëtë fokusuara në një guid të Kosovës e cila tregon edhe seriozitetin e punës duke bërë jo vetëm identifikimin, por edhe përcaktimin e vendodhjes si dhe të dhëna të tjera shkencore për zbulimet e territoreve arkeologjike, që ka brendia nëntoka e mbitoka e saj dhe krejt toka e Kosovës.
2.Edi Shukriu duke folur në një intervistë për pasurit arkeologjike, që mbanë nëntoka e Kosovës, ajo shprehet se: Një varg i lokaliteteve dhe i objekteve arkeologjike e meritojnë të përmenden me këtë rast, sepse Kosova ka thesar të vlefshëm arkeologjik dhe mjaft atraktiv, madje edhe për syrin e një vizitori. Sot dimë për shumë qendra dhe zona arkeologjike, peizazhe arkeologjike dhe monumente të luajtshme, për disa prej të cilave duhen jo shumë investime për t’i bërë atraktive për vizitorë. I tillë është kompleksi trashëgimor i Artanës/Novo Bërdës, Ulpianës, Vendenisit te Gllamniku, Municipiumit DD te Soçanica, Gradina e Llapushnikut, e Vlashnjës e shumë të tjera, përfshirë dhe komplekset e trashëgimisë ortodokse, që sot, mjerisht, mbahen të izoluara dhe që, pos që janë trashëgimi arkitektonike mesjetare, përmbajnë edhe trashëgimi arkeologjike. Nga objektet e luajtshme arkeologjik,e që kanë vlera shumëdimensionale shkencore e kulturore do të veçoja Monumentin epigrafik të Hyjneshës dardane nga Smira me labyrinthin rrethor unik, pikturimin shkëmbor parahistorik të Vlashnjës me drerin dhe shumësinë e spiraleve, hyjneshat neolitike që nga ato të Tjerrtores së Prishtinës, Bardhoshit, Varoshit, Mitrovicës e të tjera, si dhe Monumentin mortor nga Dardana/Kamenica, si monument guror unik dhe i rrallë, që i takon kohës së ekzistimit të shtetit dardan dhe që përmban tradita etnologjike para pushtimeve romake.
3.
Dr. Jusuf Osmani shkruan:”Gjurmët e para të banimit në Kosovë datojnë nga neoliti i hershëm (6000 vjetë para e.r.). Këto gjurmë janë verifikuar dhe dokumentuar me gjetje nga hulumtimet sistematike arkeologjike. Rezultatet e fituara dëshmojnë për një civilizim të lartë të periudhës së neolitit.
Koha e neolitit sipas studiuesve të kësaj kohe: përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë.
4.
Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike
Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, shkruan guida turistike , filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (gurit të vjetër), mbi 100 000 vjet më parë. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tilla në territorin e sotëm të Kosovës, siç janë shpellat e Radacit dhe Karamakazit, si dhe shpella të tjera më të vogla.
Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqendroheshin në vende të hapura. Banorët neolitike pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në tarraca lumore qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujësore.
5.
Piktura shkëmbore e Vlashnjes, Duke analizuar gjetjet dhe vendet arkeologjike të kësaj periudhe të rëndësishme thuhet se Territori i Vlashnjes gjendet në sipërfaqen e sheshtë të një tarrace shkëmbore (335 metra lartësi mbidetare) në krahun e djathtë të rrugës Prizren-Zhur, rreth 6 km në perëndim të Prizrenit. Në po këtë material theksohet se edhe vazhdimësia e jetës gjatë disa periudhave kohore si neolit i hershëm (kultura e Starçevës), neolit i vonë dhe i mesëm (kultura e Vinçës), eneolit (periudha e bakrit), periudha e bronzit, epoka e hekurit, periudha helenistike si dhe periudhat e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme. Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë lokalitet hulumtuar në disa sezone që pas viteve dy mijë të mileniumit tonë, nxori në pah fragmente të shumta të enëve nga argjila e pjekur, vegla pune nga guri, stralli dhe kocka, si dhe zbutu Vlashnje. Fragmente të ndryshme të qeramikës me pikturim me vija gjeometrike janë dëshmuar këtu. Po ashtu edhe thika stralli, këto të epokës së neolitit, gjegjësisht të Kulturës së Starçevës, mileniumi i gjashtë, p.e.s.Figurina të ndryshme antropomorfe janë zbuluara gjatë gërmimeve të dekadës së parë të mijëvjeçarit të dytë (2002-2010), nga të cilat spikatet një figurinë antropomorfe, një ekzemplarë tipik për Kulturën e Starçevës. Periudha e Neolitit të Hershëm. Mileniumi i gjashtë p.e.s.
Prof Dr Muzafer Korkuti :Piktura shkëmbore e Vlashnjes, Në kuadrin e projektit të përbashkët midis Institutit Arkeologjik Tiranë e Institutit Arkeologjik Prishtinë, gjatë tri viteve të fundit po bëhen gërmime me karakter shpëtimi në vendbanimin prehistorik të Vlashnjës, që ndodhet 6 km në perëndim të Prizrenit (Kosovë). Drejtuesit e projektit, A.Bunguri e Sh.Gashi, më krijuan mundësinë për të parë pikturën dhe më vunë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm grafik e fotografik për pikturën shkëmboretë Vlashnjës.Piktura e Vlashnjës ndodhet 1,5 km në perëndim të vendbanimit, pranë vendit ku lumi i Prizrenit bashkohet me Drinin e Bardhë. Në një lartësi rreth 30 metra nga niveli i lumit, mbaron pyllime shkurre e lartësohen tri masive shkëmbore, të cilat me kontrastin që krijojnë me ambientin kanë një bukuri të veçantë. Pikërisht në strehën që formon njëri nga masivet shkëmbore, mendja dhe dora e njeriut neolitik ka ngulitur në faqen e shkëmbit pjesë të botës mistiko-religjioze të jetës së tyre. Piktura është realizuar në tri plane, dy plane vertikale dhe një plan horizontal (në tavan). Faqja e shkëmbit është në formë brezash-pllakash, gjë që ka kushtëzuar edhe realizimin e pikturës në tri pjesë në një sipërfaqe prej 16 m². Në tavanin e strehës janë vizatuar 8 spirale të bëra me vija të trasha me bojë të kuqe okër. Katër spiralet e para janë vendosur në grup në një distancë 20-40 cm larg nga njëra tjetra. Spiralet që janë ruajtur të plota e kanë diametrin maksimal 34 cm. Në të djathtë të grupit të parë, me largësi 70 cm është vizatuar një spirale dyshe, me diametrin e madh 80 cm dhe të voglin 37 cm. Në planin e parë (vertikal), në një sipërfaqe prej2,10m x 0,50m, janë vizatuar një kaproll dhe dy spirale. Kaprolli është dhënë në profil, në gjendje qetësie me bojë uniforme që mbulon gjithë trupin. Figura ka përmasat 30 x 28 cm. Në planin e tretë, pjesa më e poshtme e faqes së shkëmbit, në një sipërfaqe prej 2m², është vizatuar
me një spirale dyshe që nga përmasat është më e madhja, me diametër
maksimal 78cm dhe diametër minimal 38cm.Trashësia e vijave të spirales
është 2,5-3cm.Piktura e Vlashnjës ka në qendër simbolin e spirales të bërë në tërë sipërfaqen e përshtatshme për pikturim, e të përsëritur në 12 raste. Spiralet janë teke dhe në dy raste janë spirale të tipit gjyslykore.. Në pikturën e Vlashnjës kemi të realizuar edhe figurën e një dreri, kulti i të cilit
është i pranishëm edhe në pikturën e Trenit (Korçë) dhe në pikturën e
Zhlijebit (Bosnjë).Piktura e Vlashnjës është vepër e banorëve prehistorikë të këtij vendbanimi
6.
Disa lokalitete nolitike.Për Guvën e Mrrizit me simbolin e pikturuar të spirales thuhet se: paraqet një vepër të botës artistike shpirtërore të banorëve prehistorikë të këtij lokaliteti (vend kulti). Guva shkëmbore e këtij pikturimi ndodhet rreth 1,5 km në perëndim të vendbanimit të Vlashnjes në fshatin fqinj Kobaj.Nga shumë gjetje të periudhave të ndryshme historike zbuluar në Vlashnje, spikat një monedhë argjendi e emetuar në vitin 55 p.e.s. Monedha ka një peshë prej 3.72 gramë dhe ishte vënë në qarkullim për nder të edilit të Kretës, Gnaeus Plancius.
Lokaliteti neolitik i Runikut.Lokaliteti neolitik i Runikut ndodhet në komunën e Skenderajt, në fshatin Runik, e pozicionuar në pllajën e Drenicës, rreth 25 km në jugperëndim të Mitrovicës dhe rreth 10 km në veriperëndim të Skenderajtdhe gjendet në aksin rrugor që lidh Skenderajn me Istogun. Këtuështë dëshmuar një nga vendbanimet më të hershme neolitike të Kosovës,që i takon Kulturës së Starçevës, përkatësisht mileniumit të gjashtë p.e.s. dhe pasqyron një qytetërim të zhvilluar të kohës së gurit të ri..Ky lokalitet arkeologjik është hulumtuar gjatë viteve 1966-68,dhe sërish në vitin 1984. Hulumtime këto me karakter sondazhi të shtrira në rreth 35 parcela private të lagjes Dardania, me ç’rast u zbuluan mbetje dhe fragmente të shumta qeramike të periudhës neolitike (6500-3500 p.e.s.) gjegjësisht u dëshmuan kultura e Starçevës dhe ajo e Vinçës
Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit.Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit ndodhet në komunën e Ferizajt, gjegjësisht vetëm 2 km në jug, juglindje të këtij qyteti, në fshatin me po të njëjtin emër.Lokaliteti neolitik i Zhitkocit ndodhet në komunën e Zveçanit, gjegjësisht rreth 3 km në veri të qytezës së Zveçanit, në një rrafshinë afërstacionit të trenit të Zhitkocit. Këtu gjatë disa sondazheve të zhvilluara arkeologjike të vitit 1958, fare pranë brigjeve të lumit Ibër, janë dëshmuargjurmët e një vendbanimi tipik neolitik të të dy kulturave, si asaj më të hershme të Starçevës dhe më të vonshme të Vinçës.Fshati Vallaç gjendet në veri të Zhitkocit- Karagaçit dhe fare pranë grykërrjedhjes së lumit Ibër, e pozicionuar mbi një ngritje të njohur si Kërshi i Vallaçit. Është hulumtuar pjesërisht në vitet 1955 dhe1957. Në shtresën kulturore të trashë 1.8 metër janë zbuluar gjurmë të vendbanimit me kasolle banimi të thurura dhe të mbrojtura me hendeqe përreth.Nga materiali i shumëllojtë arkeologjik zbuluar këtu, veçohen një sasi e konsiderueshme e figurinave antropomorfe dhe zoomorfe, tëpunuara dhe te formësuar me aftësi dhe imagjinatë të bujshme, këtokarakteristike për periudhën e vonë të Kulturës së Vinçës, e njohur si Vinça C.
Reshtani është një vendbanim neolitik i pozicionuar në prapatokën e Suharekës.
Lokaliteti neolitik i Barilevës gjendet në fshatin me po të njëjtin emër, e pozicionuar në arealin e njohur si Arat Kovaçe, tokë punuese e cilësisë së lartë.Bardhoshi gjendet në veri, në dalje të Prishtinës, në krahun e majtë të rrugës për Podujevë. Lokaliteti neolitik (Koha e Vinçës) i Bardhoshit është identifikuar rastësisht në vitin 2002, me rastin e hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie banimi dhe anekseve shoqëruese.Lokaliteti neolitik i njohur me emrin Tjerrtorja është zbuluar rastësisht, me rastin e ndërtimit të fabrikës së përpunimit dhe të produkteve tekstile Tjerrtorja,gjatë viteve ’50, andaj dhe është emërtuar me këtë emërtim, pra në bazë të vendgjetjes.Ky lokalitet gjendet brenda arealit të qytetit të Prishtinës, në lagjen Kalabria (Emshir). Gjurmët e vendbanimit neolitik të evidentuar këtu, materiali i pasur dhe i shumëllojtë neolitik si dhe duke u bazuar nga disa nga gjetjet e figurinave,statujave dhe kokave antropomorfe të terrakotave (të punuara nga argjila e pjekur), të zbuluar në këtë areal të Prishtinës, e që i takojnë periudhës së neolitit të vonë gjegjësisht kultura e Vinçës, prezantojnë dy tipare të mrekullueshme: atë të artit dhe simbolizmit parahistorik.
Lokaliteti arkeologjik i njohur me emrin Fafos gjendet në periferi të Mitrovicës, në arealin e fabrikës së dikurshme të fosfateve.
Lokaliteti i identifikuar neolitik i Surkishit gjendet e pozicionuar vetëm pak kilometra në jug-jugperëndim të qytezës së Podujevës(Besianës), në fshatin me po të njëjtin emër, në parcelën e njohur me toponimin Gumurishtë.I gjithë ky potencial arkeologjik gjendet në tokën e Kosovës duke sjell dëshmi nga kohët e largëta dhe të humbura të njerëzimit është një dëshmi konkrete për ekzistencën e banorëve autoktonë por edhe për shkallën e kulturës. Piktura e Vlashnjës shquhet për një vazhdimësi të gjatë banimi, që fillon nga neoliti i hershëm deri në periudhën e vonë antike dhe atë te hershme mesjetare cituan burimet nga autorët e gërmimit në prill të 2007 në vendbanimin prehistorik të Vlashnjes.
Matëriali bazuar në të dhëna të Dr.Prof M.Korkuti si dhe autorëve nga Kosova si : Edi Shukriu, Dr. Jusuf Osmani dhe Guidë arkeologjike e Kosovës.
“SOT ÇELMË KËTU, ME SHUMË LAVDËRI,NJË SHKOLLË SHQIP”
Faqe nga arsimi shqip, në Çamëri/
Nga: Prof. Murat Gecaj/
“Këtu në Prevezë tashti…zunë të mësojnë shqipen. Pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Ashtu si kudo në vendin tonë edhe në krahinën e Çamërisë u bënë përpjekje të shumta për përhapjen e mësimit shqip dhe për çeljen e shkollave në gjuhën amtare. Kështu, në vitet e fundit të shekullit të 19-të, atdhetari Rexhep Demi e bashkërendoi punën me Sabri Prevezën (1862-1929), me synimin kryesor përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe në të gjithë Çamërinë. U dendësua edhe puna për shpërndarjen e librave dhe të gazetave shqipe, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut. Vetëm në Prevezë, Sabriu ua kishte mësuar shkrimin e leximin shqip disa bashkatdhetarëve. Më 1899, ai i shkruante shoqërisë “Dituria” të Bukureshtit, me të cilën mbante lidhje të vazhdueshme:
“Duhet të zgjojmë ata mëmdhetarë, që gjenden në gjumë e të mos i trembemi Fizanit dhe Bosforit, se posa u trembëm këtyre…s’ fitojmë gjëkafshë. Andaj duhet të kemi guxim e shpejtim në shërbesë të mëmëdhesë, sa që të fitojmë qëllimin. Këtu në Prevezë, tashti…zunë të mësojnë shqipen, pa na duhen abetare të mëdha dhe të vogla. Se, sa herë që i flasim ndonjë shqiptari për nevojën e shqipes, na kërkon abetare. E, kur s’ kemi t’i apim, helmohemi”.
Sabri Preveza, si shumë atdhetarë të tjerë të penës e të pushkës, u përfshi nga vala e kryengritjeve të mëdha antiosmane të viteve 1910-1912, që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. (Më 1925, i ndjekur nga shovinistët grekë, ai u vendos në Sarandë, ku dhe vdiq).
Po tërë kjo veprimtari atdhetare e arsimore tërhoqi vëmendjen e qarqeve shoviniste dhe prandaj iu kundërvunë përhapësve të shqipes. Ashtu si në krahinat e tjera të Shqipërisë, ata u vërsulën me ashpërsi edhe ndaj atdhetarëve në Çamëri. Më në fund, në vitin 1900 e arrestuan Rexhp Demin, në Filat dhe e dërguan në Janinë, qendra e vilajetit. I kontrolluan shtëpinë, sidomos për të gjetur libra shqipe, gjë që për shovinistët përbënte “faj” të rëndë. Librat e gazetat shqipe, që iu gjetën, ia morën të gjitha. Për “krimin”, që kishte bërë, ky atdhetar u mbajt dy vjet në burgjet e mykura të Janinës. Por edhe aty ai nuk u tërhoq nga puna e tij e frytshme për mësimin e shqipes. Në bashkëpunim me nxënësin e tij, Qamil Çami, themeluan një shoqëri të fshehtë, në të cilën bënin pjesë me dhjetëra nxënës. Ajo mori emrin simbolik “Vëllazëria”.
Ndër synimet kryesore të anëtarëve të kësaj Shoqërie, ishte mësimi i gjuhës amtare shqipe. Kështu, pas përgatitjeve të duhura, u arrit që më 7 shtator 1908, në Filat, të çeleshin dyert e një shkolle fillore në gjuhën shqipe. Në një telegram, të dërguar nga Musa Demi, thuhej: “Me gaz të madh u japim një sihari,q se sot çelmë këtu, me shumë lavdëri, një shkollë shqip dhe bëmë disa fjalë mëmëdhetarisht”.(Gaz. “Lirija”, Selanik, 14.09.1908, faqe 2). Afërsisht, po në atë kohë u hap një shkollë tjetër shqipe në Luros të Çamërisë. Mësuesit e parë të shkollës së Filatit ishin: Qamil Izet Çami, drejtor e mësues dhe Hamit Demi, mësues. Shpejt ata morëm masa dhe për kurse mbrëmjeje, ku të rriturit mësonin shkrim e këndim shqip. Reaksioni i armiqëve ishte i madh, ndërsa vendosmëria e mësuesve dhe e prindërve ishin për ta vazhduar me çdo çmim punën e nisur. Për këtë gjë, mësues Qamili shkroi edhe disa vargje, në të cilat shprehej me entusiazëm: “E hapën e u gëzuan (shqiptarët, shkollën),/ grekët e djallit u helmuan,/ çami, bir’ i astritit/ i dha dërrmën moraitit”. Vështirësitë për libra e mjete mësimore ishin të shumta. Por vetë mësuesi Izet Çami punoi për përkthimin e materialeve të duhura nga gjuha frënge. (Ibrahim D. Hoxha, gaz. “Çamëria”, 18.04.1991, faqe 6)
Veprimtarinë e tij, në shërbim të arsimit kombëtar, Qamil Çami e vijoi më tej, duke bërë të mundur ngritjen e një shkolle të mesme shqipe, po me qendër në Filat. Ndër të tjera, aty do të përgatiteshin mësuesit e rinj për të hapur shkolla shqipe, kryesisht në Jug të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi me shtypin e kohës, sidomos me gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”, që dilte në Janinë dhe shkroi vjersha me temë atdhetare. Tërë kjo veprimtari i egërsoi shovinistët, të cilët e vlerësuan “njeri të rrezikshëm”, e pushuan nga puna dhe e internuan në një fshat, afër Edrenesë. Megjithatë, nuk iu bind urdhërit, por rroku armët, doli në mal dhe u bashkua me çetat kryengritëse. Pas shpalljes së Pavarësisë, u vu me të gjitha dijet e aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Mori pjesë aktive në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe e caktuan drejtor shkolle në Konispol. Më pas, e transferuan mësues në fshatra të Beratit dhe, më 1930, në konviktin “Çamëria”-Sarandë. Por, pas tre vjetësh, kur Qamili kishte dhënë aq shumë për Atdheun e arsimin në gjuhën shqipe, vdiq në Tiranë, në moshën 48-vjeçare.
Në vazhdim të punës së bërë, në pranverën e vitit 1910 funksiononin disa shkolla shqipe, përveç asaj të Filatit e Mallakastrës së Çamërisë. Të tilla ishin shkollat në: Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë e Mazarek. Në shkollën Mesare të Leskovikut ishte mësues Haki Glina, intelektual “mjaft i njohur midis atdhetarëve”. Detyrën e mësuesit shëtitës për fëmijët çamë e kryen disa intelektualë atdhetare, ndër të cilët u dallua Hamza Tatzati e të tjerë.
E njohur është dhe ndihmesa, që dha atdhetari Dervish Hima, në verën e vitit 1911. Ai grumbulloi “të holla për të themeluar shkollë shqipe në Filat të Çamërisë”, për të cilën shkruante se: “Kjo shkollë do të jetë shumë e dobishme për ne dhe unë po përdor gjithë vullnetin tim dhe gjithë energjinë time për të arritur suksesin e saj”. Përpjekje u bënë dhe për hapjen e shkollës së Janjarit. Për shkollat shqipe në Filat u caktua si përgjegjës Qamil Efendiu, por në punën e tij i dolën shumë pengesa nga autoritetet qeveritare.
Në Prevezë u kërkua me ngulm që mësimi i shqipes të futej, përveç idadijes, edhe në shkollat fillore turke. Të papërtuar në përhapjen vullnetarisht të mësimit të gjuhës amtare te fëmijët e të rriturit u treguan intelektualët atdhetarë Qamil Çami, Musa Demi e të tjerë. Atdhetarët shqiptarë shtruan detyrë përgatitjen e mësuesve të shqipes në shkollat pedagogjike, që u menduan të hapen në Margariti e Janinë. (Dr. Apostol Pango, Sarandë, 28.02.1999).
Pra, gjatë viteve 1908-1912, ashtu si në krahinat e tjera, mësimi i shqipes në Çamëri mori përhapje edhe jashtë dyerve të shkollave shqipe. Sali Filati (Çeka) shkruante kështu: “Çamëria sot mori një lëvizje përparimi. Ky çip i vjetër i Shqipërisë ngreh gjerdhet nga kopështrat e diturisë dhe sheh bilbilët, lulet, fatbardhësinë e qytetërimit”.(Gaz. “Korça”, nr. 9, 20.05.1910).
Në vitet e mëvonshme, mësimi në gjuhën amtare shqipe në krahinën e Çamërisë u përball me rrethanat e vështira historike, që u krijuan si pasojë e shpërguljeve masive të atyre banorëve, larg trojeve të tyre të stërlashta shqiptare. Megjithatë, kudo që i çuan valët e jetës, në zemrat e tyre mbeti kurdoherë e gjallë dhe pashuar dashuria për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe.
Burgjeve te diktatures – Kampi i internimit në Tepelenë “Auschwitzi” shqiptar
Nga Xhevahir Gradica/
Historia e dhimbshme e familjes së tregtarit të njohur Qamil Qyteza – Rrëfen 70-vjeçarja Fatrije, bashkëshortja e Skënder Qytezës, i cili e kaloi jetën burgjeve të diktaturës/
DURRES- Në “Katër Rrugët” e Shijakut, diku rreth 100 m në të djathtë të segmentit Durrës-Shijak, pas një bërryli të vogël rruge, jeton një grua, e cila ka aq vuajtje sa dhe mosha e saj 70-vjeçare. Quhet Fatrije Qyteza, vajza e patriotit të vrarë në burgjet komuniste, Ali Maliqi nga Dibra, e martuar me të birin e tregtarit korçar Qamil Qyteza. Ndërsa duart i dridhen sa nga vuajtjet, sa nga mosha apo emocionet e shkaktuara nga detyrimi për të risjellë në kujtesë ato vite vuajtje, sytë i flasin shumë. Edhe zërin e ka të fortë, ndërsa dëshmon se është vajzë e një oxhaku të fisëm dhe grua e një dere të dëgjuar korçare. Deri para viteve ‘90-‘92 burrat e djemtë e shtëpisë u degdisën në burgje e kampe, kurse në vitet e paskomunizimit shumë prej tyre morën mërgimin duke mos i dhënë asnjëherë kësaj gruaje të drejtën të gëzohet deri në kufijtë e një nëne.
Historitë e dy familjeve…
Tragjedia familjare e Qamil Qytezës me vëllezër dhe Ali Maliqit nisin shumë herët. Tregtari i madh korçar Qamili u shpëtoi plumbave të skuadrës së pushkatimit, por jo plumbit pas kokës të prokurorit. Shtatë vëllezërit Qyteza: Bektashi, Sadiku, Qamili, Nevruzi, Hazbiu, Haliti dhe Faiku në fillim të shekullit XX ikën nga fshati dhe një pjesë morën rrugën e Turqisë e të tjerë përfunduan në Amerikë. Ata u lindën në Qytezë, në Kolonjë, por fshati ishte aq i varfër sa pula hante gurë. Në Nju Jork e në Çikago nisën të punojnë fillimisht si çirakë, por pak vite më pas blenë lokalin e tyre të punës si dhe gjashtë dyqane të tjera. Djemtë e Zenel Qytezës u lidhën ngushtësisht me shoqërinë atdhetare e patriotike “Vatra” duke u ushqyer në këtë mënyrë nga ideale nacionaliste. Në Shqipëri lanë prindërit për të cilët i paguan një greku 5 000 dollarë asokohe me kusht që t’i bashkonte me djemtë. Tregtari grek u shpenzoi paratë, ndërsa prindërit jetuan të ndarë nga djemtë. Në kohën që në Amerikë nisi të shfaqej në mënyrë të hapur moda dhe vajzat dilnin në rrugë e shkonin në punë me funde shumë të shkurtra, djemtë vendosën të kthehen në Shqipëri. Qamili u ka treguar të bijve se shkaku kryesor ishte vendimi i djemve që të martoheshin me shqiptare. Shitën dyqanet dhe në vitet 1920 me paratë e grumbulluara blejnë në fshatin Rovë, afro 7 km larg Korçës 800 ha tokë buke, arë e pyje. Në Amerikë kishin parë plantacione dhe këtë bënë në Rovë, mbollën sipërfaqe të mëdha me mollë e dardha dhe nisën tregtinë. Plot 14 400 franga ari apo 86 kg florinj u ka kushtuar kjo tokë për të cilën edhe sot pasardhësit e vëllezërve Qyteza ruajnë tapitë e hershme. Më pas blejnë një shtëpi në Korçë, dyqane, magazina dhe nisin të merren me tregti lënde drusore dhe mallra të ndryshëm. Ata furnizonin italianët me lëndë drusore në vitet 1935-‘37 duke krijuar edhe miqësi, ndërsa si familje manifestonin mendime nacionaliste të mbartura nga lëvizja atdhetare e shoqërisë “Vatra”. Për të mos u mjaftuar me kaq ata blinin 2000-3000 krerë qengja me çerek leku dhe 23 muaj më pas ua shisnin ortodoksëve me 3-çerek leku duke nxjerrë fitime të mëdha. Qamili ka qenë tregtari i parë që kishte kamion për transport malli në Korçë si dhe autoveturë “Lance” italiane, ndërsa si klient i bankës “Di Napoli” kishte marrëdhënie tregtare me kompaninë amerikane “2 PON”. Në Korçë vëllezërit njiheshin si tregtarë të ndershëm dhe kjo u krijoi lidhje edhe me figura të njohura si Mit’hat Frashëri apo Safet Budka. Deri në Marrëveshjen e Mukjes Qytezët ishin të patrazuar nga komunistët, ndërkohë që Qamili mbante arkën e Ballit Kombëtar. Deri asokohe, ballistë e komunistë shkonin bashkë fshat më fshat. Pas kësaj ngjarjeje Skënder Qyteza u ka treguar të bijve se ngjarjet u rrokullisën. Edhe pse asnjë nga vëllezërit Qyteza nuk ka shkrehur asnjë herë pushkën dhe asnjëri prej tyre nuk ka vënë në sup armën, djemtë e Zenel Qytezës u cilësuar armiq, tradhtarë e bashkëpunëtorë me armikun. Para se të kapitullonte Italia, Qamilit dhe të birit të tij Skënderit iu ofruar mundësia për të ikur në Itali. Në rrëfimet e familjarëve mësohet se gjithçka erdhi në formën e një shpërblimi për tregtarët Qyteza, të cilët i falën detyrimet një tregtari italian ngase ai nuk kishte me se të shlyente detyrimin për mallin. Sapo u çlirua Korça, tregtarit i morën të gjitha çelësat e dyqaneve, kurse Qamili me të birin e tij Skënderin u arrestuan. Me vendim të Gjykatës Ushtarake numër 1 të datës 31.5.1945 Qamil Qyteza dënohet me vdekje, kurse i biri Skënder Qyteza vetëm 25 vjeç dënohet me 101 vjet burg. Vendimi për pushkatimin e Qamilit vjen pas presioneve që ka bërë Enver Hoxha, i cili nuk ishte pajtuar me dënimin e Qamilit me 101 vjet duke u shprehur se tregtari korçar kishte shumë influencë dhe duhej ekzekutuar. Hoxha njihte mirë këtë familje pasi në Liceun e Korçës kishte njohur Skënderin e Halitin. Pushkatimi nuk vonoi. Tek parku “Rinia” në Korçë u hap një gropë e madhe dhe aty u groposën 13 tregtarët e dënuar me vdekje. Në mesin e tyre edhe Qamil Qyteza, Xhevat Starova, Liço Panariti etj. Të gjithë tregtarë e nacionalistë. Ata u dënuan në akuzën se ishin kriminelë e armiq, por asnjëri nuk kishte shtënë qoftë një herë me armë. Kolonjari Qyteza ra në gropë i pavrarë nga skuadra e pushkatimit, por prokurori që ndiqte zbatimin e vendimit dha goditjen e vdekjes duke e mbuluar edhe atë në gjak. Para se të vdiste Qamili i kishte thënë të birit në qeli se ata që bënin gjykime politike dhe ata që urdhëronin këto gjykime do të përfundonin të shpërndarë një ditë si tespitë e këputur. Por kjo ditë do të ishte shumë e largët, më shumë se 45-vjeçare. Skënderi vuajti fillimisht dënimin në vitet 1945-1954 në Burrel. Më pas në Kuç të Vlorës, Savër, Gradisht, Elbasan, Sarandë. Në vitet e burgut njihet me atdhetarin Ali Maliqi nga Dibra i dënuar me 23 vjet. Miqësia e tyre u forcua me shprehjen e vullnetit nga Ali Maliqi për t’i dhënë vajzën Skënderit. Dibrani, sipas rrëfimit të së bijës, Fatrijes, u vra nga sigurimi i shtetit shqiptar në kampin e punës në Elbasan vetëm 3 muaj para se Ali Maliqi të përfundonte vuajtjen e dënimit në vitin 1967. Skënderi ishte shpallur nga shteti si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kavalieri i viteve ‘35-‘40 që paguante në lokale ahengu me flori kafet dhe muzikën e pëlqyer korçare e kolonjare, ishte bërë për regjimin person shumë i rrezikshëm.
Të dënuarit Qyteza
Hazbi Qyteza, intelektuali i arsimuar jashtë vendit, u dënua nga regjimi me 10 vjet burg. Hazbiu u detyrua të punonte në tharjen e kënetës në Maliq, Terbuf etj. Njëherësh u dënua edhe Halit Qyteza me 18 vjet burg nën akuzën e bashkëpunimit me amerikanët. Haliti kishte pasaportë si nënshtetas amerikan, por ai nuk pati asnjë mundësi të komunikonte pas viteve ‘44 me Amerikën. Edhe Medi Qyteza, i biri i Bektashit, dënohet me 7 vjet burg. Të gjithë të tjerët vuajnë dhjetëra vite në kampe përqendrimi. Por atdhetarët e fisit Qyteza, të njohur si elita patriotike dhe tregtare në Korçë, patën edhe dashamirë e bashkëvuajtës nga derë nacionalistësh. Kështu ata njohën në burgje dhe vajtën së bashku vitet e diktaturës me Sami Dangëllia, Hodo Sokoli, Ceno Qaushi, Xhevdet Kashtica, Sami Bitincka, Zihni Dërvishi, Arif Golja etj. Shtatë vëllezërit dhe nipërit Qyteza numërojnë me dhjetëra e dhjetëra vite burg e qindra të tjera vite internimi. Në kohën e afrimit të perëndimit të diktaturës komuniste pasardhësit e tyre u vendosën dikush në Durrës e Tiranë, të tjerë në Shijak, Lushnjë e Elbasan, ndërsa shumë Qytezë ikën në Amerikë. Pasuria e tyre e sekuestruar kap shifra në miliona lekë, ndërsa në 20 vjet demokraci ata nuk kanë përfituar thuajse asgjë. Ata mbeten ndër familjet që e vuajtën gjithë jetën diktaturën duke sakrifikuar për shkak të ndjenjave nacionaliste edhe jetën.
Dëmshpërblimi sot, vetëm 50 mijë lekë
Si u sekuestrua në ’46-n pasuria e madhe e familjes Qyteza
Me vendim numër 39, të datës 29 janar 1946, disa muaj pasi Qamil Qyteza ishte pushkatuar, pasuria e tyre përvetësohet nga shteti. Në një procesverbal të vitit të mësipërm, cilësohet lista e gjatë e sendeve dhe mallit të sekuestruar. Është e pamundur të rreshtohen të gjitha ngase lista është thuajse pambarim. Regjimi i konfiskoi 800 ha në fshatin Rove, 407 m2 tokë truall në Korçë, 245 m2 shtëpi në Korçë, 4670 e 39 për qind franga ari, 38 dele, 20 mijë tulla, 10 mijë kg. gëlqere karro e makinë barëlidhëse, automjet e kamion. Në të njëjtin procesverbal janë regjistruar të sekuestruar radio “Filips”, kolltukë, orë tryeze, mindere, shilte, qilim muri, krevat, jastëkë, jorgan, gardërobë, sunduqe, tenxhere bakri, tepsi bakri, gjyma bakri, tenxhere alumini, lugë alumini, broke uji, dollap ushqimi etj. Pas viteve ‘90 familja e vëllezërve Qyteza është cilësuar si familje e persekutuar rëndë nga regjimi komunist. Por në këto 20 vjet ata kanë marrë si dëmshpërblim 50 mijë lekë për Skënderin e dënuar me 101 vjet burg, asnjë qindarkë për të pushktuarin e të dënuarit e tjerë, asgjë për vitet e internimeve. Ndërkohë që bashkë me shumën e mësipërme kanë përfituar edhe letër me vlerën 32 milionë, e cila sot këmbehet me 07 për qind. Familjarët kanë vendosur të mbajnë në sirtar letrën me vlerë, ndërsa ata kanë vite që enden dyerve të gjykatës për të kërkuar kthimin e pronave si dhe dëmshpërblim për sendet dhe mallin e sekuestruar.
Kampi i internimit në Tepelenë kujton Fatrija
Nga torturat dhe vuajtjet vdisnin në ditë 20 fëmijë e pleq
Kampi i internimit në Tepelenë qe bërë tmerr për të gjitha familjet e persekutuara. Të rrethuar në tela, në një terren shumë të vështirë dhe në mjerim të plotë mbaheshin më shumë se 1200 vetë. Burrat e djemtë vuanin dënimet në burgje, kurse prindërit e moshuar, fëmijët, gratë dhe të porsalindurit mbikëqyreshin në këtë kamp të egër. Fatrijes i ka mbetur para syve një emision televiziv teksa një gazetare tregonte se si në kampet naziste kishte një stivë të tërë me këpucë të të persekutuarve. “Në Tepelenë asnjë nuk kishte as nallane dhe të gjithë ecnim në këmbë, të leckosur, të uritur dhe të përçmuar deri në palcë”,-tregon Fatrija. E martuar me “armikun e popullit” Skënder Qyteza, djalë i tregtarit dhe patriotit të madh të Korçës Qamil Qyteza, Fatrija dëshmon se vuajtjet e të gjithë të internuarve atje ishin të padurueshme. Gratë ecin zbathur në ditë me ngricë, akull, borë, shkëmbinj dhe nxirrnin dru në malet e Salarisë për furrën e kampit. Nuk i shqitet nga mendja një herë teksa nëna e saj Ilmie ndihmonte një grua të sëmurë duke ia marrë disa dru nga barra. Ushtari që i shoqëronte e ndali karvanin e grave dhe ngarkoi nënën e Fatrijes sa për dy dënga, ndërsa ajo në pamundësi për të mbajtur drutë ra përdhe. Mbi të ranë drutë, por asnjë grua nuk u lejua ta ndihmonte deri sa gruaja u gjakos dhe iu zu fryma. Kjo grua që sot ka mbushur të 76 vitet thotë se e gjithë Mirdita u internua në Tepelenë pas vrasjes së Bardhok Bibës duke ushtruar terror në popull. Kjo nënë është dëshmitare e rasteve pa mbarim teksa në të njëjtin varr futeshin 2 e 3 fëmijë që vdisnin nga uria. Por pas disa muajsh gropa hapej përsëri e mbi ta hidheshin fëmijët e tjerë edhe ata të vdekur nga sëmundjet e uria. “Ne të rriturit hanim bungur (grurë i shtypur) të përzier me gjethe qepe e të mbushur në krimba. Por këtë ushqim nuk e hanin dot bebet e fëmijët”,-tregon për vitet që ka hequr Fatrija në Tepelenë. Në këtë kamp gratë nuk kishin as qumësht gjiri e as ushqim për bebet dhe shifrat e vdekjes rriteshin nga viti në vit. “Me sytë tanë kemi parë se sa shumë vdisnin në Tepelenë, në këtë kamp të tmerrshëm. Nuk i kam numëruar, por them me siguri se në kamp vdisnin afro 20 vetë në ditë, më së shumti të moshuar, fëmijë e bebe”,-kujton Fatrija. Të gjitha familjet që ishin futur në këtë kamp ishin të dënuar të ndërgjegjes dhe për këtë arsye çdo lëvizje dhe grumbullim i tyre përgjohej. Nënë Fatrija e kaloi të gjithë jetën e rrethuar në tela, në varfëri e skamje. Por jo e vetme. Për të dhe familjen e saj burgu e ferri nisin në moshën 12-vjeçare duke i marrë rininë, ndërsa u shpëton torturave e vuajtjeve në moshë të plakur, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1992.
Burgosja e dytë e Skënder Qytezës
“Pas torturave nuk e njoha bashkëshortin tim”
Në vitin 1959 Fatrije Agolli, vajza e Ali Maliqit, martohet me Skënder Qytezën. Ajo ishte asokohe 26 vjeçe dhe gjendej në kampin e internimit në Savër të Lushnjës. Në të njëjtin kamp internimi gjendej edhe burri i saj i ardhshëm, Skënderi. Fatrija ishte nga Dibra, kurse Skënderi nga Korça. Martesa është bërë me shkuesi me pëlqimin e babait të saj, i cili e kishte njohur Skënder Qytezën në burg. Të dy familjet njiheshin në zonat e tyre si familje atdhetare, patriotike, nacionaliste dhe kundër regjimit komunist. Kjo qe ana e fortë e bashkimit, ndërsa Fatrija tregon se dibranët e korçarët kanë edhe anë të tjera të përbashkëta. Për shembull: janë mikpritës, gatuajnë shumë mirë, gratë dhe shtëpitë janë pastërtore, kishin kulturë etj. Në ditën e dasmës Fatrija nuk kishte të atin, por dasmorët ishin të shumtë. Edhe ata të dënuar e të dëbuar nga viset e tyre. “Në ditën e martesës morën pjesë burra e gra të fisit Mërlika, A. Kupit, Mirakajt, Dostët, Kokonët, Kaloshët etj. “Të gjithë fiset më në zë të Shqipërisë ishin të dënuar e të internuar, të gjithë ata erdhën në dasmën tonë”,-kujton Fatrija. Nusja e re e shtëpisë së familjes Qyteza nuk kishte pajë. E gjithë pasuria e çiftit ishin një dhomë e vogël me kallama e dritare plastmasi, një krevat dërrase, një dyshek dhe një jorgan. Në thuajse të njëjtën kasolle ku u martuan, erdhën në jetë në Gradisht të Lushnjës dy djemtë e Skënderit, Arbeni e Arjani. Por gëzimi në këtë familje nuk do të vinte kurrë. Vuajtjet do i ndiqnin deri në shembje të diktaturës komuniste. Skënderin e arrestojnë në vitin 1979, në moshën 59-vjeçare, për të dytën herë. Dënimin e parë e merr në vitin 1944 së bashku me të atin e tij, Qamil Qytezën tregtarin e madh korçar që do të pushkatohet. Skënderit iu kërkua të fliste kundër ish-zëvendësministrit të Kulturës Matho Balës, i cili ishte akuzuar për moral, për një lidhje të padenjë me një këngëtare (S.Z). Ai nuk pranoi të fliste për ato që i kërkuan në hetuesi. Qëndrimi i tij nuk ishte i gjatë në qeli pasi e nxorën para gjyqit tre muaj pasi e kishin përpirë në birucë. Mosnënshtrimi i kushtoi rëndë. Në sallën e gjyqit ishin edhe gruaja e tij, Fatrija, djemtë dhe familjarë të tjerë. “Unë po shikoja nga dera duke pritur të shihja Skënderin. Në fillim u fut një njeri me duar të lidhura, por unë nuk e njoha. Pas pak dëgjova që më thërriti në emër dhe pasi drejtova sytë nga vinte zëri pashë Skënderin. E kishin torturuar aq shumë sa unë nuk e njoha. Në qeli katër herë mjekët kishin mundur ta rikthenin në jetë pas torturave”,-kujton ato vite gruaja e Skënderit. Fatrija tregon se trupi i Skënderit qe tretur, fytyra i qe zbehur dhe eshtrat që e mbanin në këmbë të krijonin bindjen se ai nuk mund të jetonte më shumë se 2ose 3 javë. Trupi gjykues e dënoi për agjitacion e propagandë kundër regjimit popullor, pasi nuk pranoi të pohonte atë që kërkuan hetuesit. Gjatë seancës gjyqësore është rrëzuar disa herë në karrige dhe është ngritur nga policët që i qëndronin aty pranë. I dënuari dërgohet në Ballsh, vendin ku si pasojë e helmeve të fabrikës kanë vdekur më shumë se 400 të burgosur. Nga Ballshi transferohet për në Zejmen të Lezhës, ndërsa në vitin 1986 deri në vitin 1988 vuan dënimin në Përparim të Sarandës, i sëmurë rëndë.
Tentativa e dështuar për t’u arratisur
“Kadri Hazbiu na shante e na qëllonte me shqelma”
Djemtë dhe vajza e Ali Maliqit kishin vendosur të arratiseshin pasi jetesa në fshatin Kërçisht, fshat pranë Maqellarës së Peshkopisë ishte bërë e padurueshme. Babai i djemve, Aliu, vuante dënimin me 23 vjet burg i cilësuar nga regjimi si armik i popullit. Ashtu si dhe vet i dënuari edhe familjarë e të afërm të tij e kishin shprehur mes tyre se Aliu nuk do të dilte i gjallë nga burgu. Në fshat si dhe në rastet kur fëmijët e Ali Maliqit binin në shehër për të blerë sende e ushqime jo vetëm që njerëzia nuk u fliste, por edhe i shikonin me cinizëm dhe lëshonin prapa krahëve një lum me akuza. Edhe ata pak persona që donin të përshëndeteshin e kishin të pamundur pasi djemtë, vëllezërit, nipërit dhe të afërm të familjes së Aliut përgjoheshin nga sytë e agjentëve të sigurimit. Jeta në fshat për ta ishte bërë tepër e vështirë. Askush nuk hynte e nuk dilte në kullën e Ali Maliqit. Varfëria kishte mbërthyer shtëpinë dhe për t’i shpëtuar vdekjes ata menduan të iknin të gjithë. Ishte vjeshta e vitit 1956. Avniu, Agimi e Jashari së bashku me motrën e tyre Fatrijen dhe vajzën e xhaxhait, u nisën drejt malit një nga një për t’u takuar në vendin e caktuar. Ecën më shumë gjunjazi dhe barkas sesa në këmbë që të mos shikoheshin nga fshatarët dhe ushtarët e kufirit. Nga Kërçishti dolën në Rekë të Dibrës. Rruga që shumë e mundimshme për Fatrijen, ndërsa Jashari ishte vetëm 13 vjeç dhe lodhja e tyre i vuri disa herë në rrezik djemtë e Ali Maliqit. “Më ther o vëlla që të mos bie e gjallë në dorë të rojeve dhe ikni se nuk kam më fuqi të eci”,-u është drejtuar Fatrija vëllait, Avniut, kujtime, të cilat Fatrija thotë se i ka të gjalla edhe sot pas 53 vitesh. Në të gdhirë të ditës, pasi kaluan në vende të thepisura, të uritur e të etur deri në vdekje familja e arratisur ndeshi në dy priftërinj. Ata i dërguan në fshatin Idrizovë të Shkupit, ku ndenjën dy javë në një repart ushtarak. Në kohën që menduan se vuajtjet e torturat e tyre përfunduan, vëllezërit, Fatrija dhe kushërira e saj u morën nga ushtarët serb dhe iu dorëzuan policisë dhe ushtrisë shqiptare në Bllatë. Pa asnjë ndalesë, të hipur në një mjet të ushtrisë, të lidhur në këmbë e në duar Avniu, Agimi, Jashari, Fatrija dhe vajza tjetër përfunduan në degën e brendshme në Peshkopi. “Na futen në një dhomë. Sapo hyra pashë një njeri që qëndronte në këmbë. E njoha. Ishte Kadri Hazbiu. Qe veshur me uniformë dhe në supe e në gjoks mbante disa grada. Fytyra e tij qe egërsuar. Kishte ardhur t’u fuste frikën dibranëve duke na bërë shembull torturash e burgosjesh ne, fëmijët e Ali Maliqit”,-tregon Fatrija. Ajo tregon se Kadriu kishte fjalor të rëndë, fyes e denigrues dhe se nuk ka kursyer duke qëlluar e kërcënuar jo vetëm të rriturit por edhe Jasharin 13 vjeç. Në degën e brendshme të Peshkopisë ata janë torturuar, kurse vet Kadri Hazbiu i ka qëlluar me shqelm edhe dy vajzat së bashku me fëmijën 13 vjeç. Avni Agolli u dënua me 15 vjet burg. Vëllai tjetër i Fatrijes, Agim Agolli vuajti 10 vjet burg, ndërsa si familje ata u internuan.
OSMAN TAKA,KAPEDAN I CAMËRISË
Nga Shkruan:Eugen SHEHU/
Rrjedhat e shekujve kanë shkuar në trevat shqiptare të Camërisë,përmes luftërave të hershme dhe të vona.Fati i Kombit tonë,rrethuar kurdoherë prej lakmive të fqinjëve,ka paracaktuar pos
të tjerave se jeta e shqiptarëvet do të shkonte vetëm përmes betejave.Bashkëkombasit tanë, midis rrobërisë dhe ngadhnjimit të lirisë,ata mundën të ngarendnin krenarisht nëpër kohë.Viset e bukura të Camërisë,ata lumenj të qeta dhe male të larta,përkundën kurdoherë djepe fëmijësh që më pas u bënë Kapedanët e furtunave,një ndër ta Osman Taka,me trimërinë emblematike të tijën,ka ardhur deri në ditët e jetëve tona,duke mbartur shembullin e shkëlqyer të atdhedashurisë.
Lindi në vitin e largët të 1848-ës në Konispol,në një prej familjeve më të dëgjuara të asaj treve.I jati i Osmanit, e kish kaluar më të shumtën e jetës së tij nëpër luftëra kundër rregjimit absollutist të Stambollit dhe i dënuar syrgjym disa herë, më në fund shkoi pranë vatrës së tij. Me trimëritë e të jatit,me fjalën e pjekur të tij,u rrit Osmani i vogël,i cili pati një merak të madh,që në vitet e hershme të fëmijërisë së tij.Ai donte të shkonte në shkollë i veshur me kostum karakteristik të krahinës së Camërisë,me ate kostum simbol që pat luftuar i jati nëpër vite.Dhe dëshira iu plotësua.Ndërsa ndiqte mësimet në Medresenë e Konispolit,Osman Taka do të binte në sy jo vetëm për trupin si lastar të tij,por sidomos për kostumin popullor të Camërisë.
Pas mbarimit të mësimeve të para në Medresenë e Konispolit,Osman Taka, shkoi në Janinë për të ndjekur aty studimet në Idadijen e Lartë të qytetit.Janina,ai qytet shqiptar buzë liqenit,gjallonte asaj kohe nga banorët çamë,të cilët ndonëse në shumicën e tyre ishin myslimanë,ruanin marrëdhënie të rregullta e gati vëllezërore me shqiptarët e tjerë të besimit të krishterë.Osman Taka,ishte një prej djemëve,i cili në çdo moment gjendej sa në shoqërinë e myslimanëve aq edhe të vëllezërve të besimit të krishterë. Studimet do t’i kryente shkëlqyeshëm por nuk do të merrte rrugën e Stambollit.Emri i babait të vet ishte lakuar nëpër zyrat e Portës së Lartë si rrebel ,ndaj çdo lloji shkolle nuk do të mund të ngjiste në shkallët e karierës birin e Konispolit.
Në vitin 1867,Osman Taka le Janinën dhe kthehet sërish në Konispol. Familja e madhe e Takajve,me mijëra rrënjë ullinj, toka e kullota të mëdha,donte sigurisht edhe kontributin e Osmanit.Ai shkon atje,duke mos harruar në asnjë ditë që të veshë kostumin karakteristik,ashtu sikundër pat bërë edhe në Janinë. Në moshë 19 vjeçare,trupdrejtë me një palë mustaqe dhe kobure në brez,ai do të binte në sy të autoriteteve turke në Konispol.Nisur edhe nga shkollimi që pat kryer,Osman Takën e thërrasin në xhandarmëri duke i propozuar edhe pagesë të lartë dhe ofiqe.Por biri i Konispolit u thotë se nuk i ka qejf ofiqet,e sa për para ai kishte aq sa të mabnte me bukë gjithë postën e xhandarmërisë së Konispolit.
Dy vjet më vonë, në shtëpinë e madhe të Takajve,troket një ditë dera dhe një fshatar i varfër i Konispolit kërkon ndihmën e Osmanit.Disa hajdutë që ai i njihte mirë,i kishin vjedhur të vetmet kokë bagëti që kishte për të mbajtur frymën gjallë.Fshatari i varfër nuk shkonte në xhandarmëri ngase e dinte që punonjësit turq ishin të mpleksur me hajdutët dhe halli nuk mund të zgjidhej. Osman Taka,me të dëgjuar rrëfimin e bashkëfshatarit të vet,rrëmbeu pushkën duke i hipur kalit niset menjëherë në vendin ku rrinin hajdutët,dy ditë më vonë,këta të fundit i çuan bagëtitë në shtëpinë e konispolatit të varfër pa thënë asnjë fjalë.Kaq është dashur që Osman Taka të marrë emër të mirë nga Konispoli deri në Janinë.“Natyrë krenare e tejet guximtare,shumë i dhënë pas armëve,këngës dhe valles,shpejt u përpi nga ndjenjat e lirisë dhe të atdhedashurisë.Këto cilësi e afruan me masën e popullit duke u bërë njesh me të. Pa kaluar shumë,ai i bë kryembrojtësi i të pambrojturve,i nevojtarëve duke iu kundërvënë sheshit keqbërësve dhe shtypësve.Kryekaçaku Osman Taka u bë tmerr i sundimtarëve“.(Gazeta „Patrioti“ – Tiranë, qershor 1993 ).
Dihet tanimë prej të gjithëve,se në fillim të viteve 70,të shekullit 19-të,atdhetarët shqiptarë nisën të ideojnë besëlidhjen e madhe të shqiptarëve,për të luftuar për autonominë e vilajeteve të tyre,sipas shembullit të vendeve të tjera ballkanike siç ishin Bullgaria dhe Greqia.Këta atdhetarë ngarendnin nga gjitha viset shqiptare,duke dashur të zgjojnë vetëdijen kombëtare të shqiptarëvet dhe duke marrë mbi vete jo vetëm përgjegjësitë e mëdha historike,por edhe rreziqe të mëdha që vinin prej absollutizmit të Portës së Lartë.Natyrisht,këta burra që po u dilnin zot fateve të Shqipërisë,mbroheshin edhe prej trimave si Osman Taka me shokë.Po ashtu në fillim të viteve e 70-ta të shekullit të 19-të,gjithashtu u vunë re lëvizje të mëdha dhe të organizuara të shtetit grek për t’u zgjeruar në kufijtë e Vilajetit të Camërisë.Grekët tashmë kishin haruar se në luftën e dytë kundër Portës së Lartë,për të fituar pavarsinë u ndihmuan në mënyrë të ndryshme nga kapedanët shqiptarë sidomos ata të Camërisë,por meqë kaluan nga rreziku i ushtrisë Osmane,ata nisën të organizoheshin ushtarakisht me synimet e tyre për të pushtuar krejt vilajetin e çamërisë,megjithatë dhe asaj kohe pati burra që nuk mund të durronin t’u shkelej atdheu i të parëvet të tyre,ndër ta në vitet 1872-1876,padyshim emri i Ahmet Nej Dinos,do të përcillej me rrespekt të jashtëzakonshëm,ku mes tjerash disa të dhëna burimore na bëjnë me dije,se në luftërat e zhvilluara prej çetave të udhëhequra nga Ahmet Bej Dino,një krah i djathtë i tij ka qenë Osman Taka.
Veçanërisht i pashoqë trimëria e Osman Takës,ka qenë në betejën e Lekurësit.Kryqëzatat e Athinës,duke dashur të nënshtrojë me zjarr dhe hekur banorët e çamërisë,filluan të ndërmarin një varg luftimesh në Artë,Prevezë,për të ardhur në vendin e quajtur Lekurës,përparimi i kryqzatave greke dhe vënia e kësaj treve nën sundimin e Athinës përbënte një rrezik tejet të madh për kohën. Kjo,sepse në rast të marrjes së Camërisë prej grekërve,atëherë do të vërsuleshin drejt trojeve të tjera shqiptare edhe bullgarët,serbët e malazezët,të cilët ç’prej veçmë kishin të hartuara planet e tyre djallëzore për coptimin e trojeve arbërore me ndihmën e carit Rus.
Pikërisht për këtë u organizua edhe beteja e Lekurasit ku mijëra trima të çamërisë ( disa të armatosura me pushkë të vjetra dhe disa vetëm me ndonjë kobure,apo shpatë) u zunë prita trupave të Athinës.Për nga mënyra e organizimit, beteja e Lekurësit i habiti dhe vetë oficerët madhorë të pushtuesve grekë.Formacionet e tyre u gjendën papritur përballë furtunës së pushkëve çame ku midis prijësave shihnin njeriun me fustanellë e të cilit hapej si një re e bardhë nëpër shkëmbinj.Osman Taka,hipur në kalë ngarendë duke shtënë e duke marrë jetën e dhjetra grekërve që iknin të lebetitur,së bashku edhe me Ahmet Bej Dinon,Adem Kuçukun,Madan Sharretin etj,Osman Taka do të hynte pos kësaj beteje në këngët trimërore të popullit të çamërisë.
Edhe në vitet 1875-1877,Osman Taka do të mbetej figurë më emblematike e qëndresës shqiptare në Konispol e rrethina.Trimi i çartur me vetëm një grusht burrash të Camërisë,ai do të shëndrrohej në tmerr për formacionet prej qindra vetësh të grabitçarëve grekë.Aq shumë e dëgjuar ishte trimëria e tij,sa shpesh ndodhte që kur kriminelët grekë donin të bënin ndonjë zullum ndër viset shqiptare,më parë do të donin të dinin se sa orë larg është shtëpia e Osman Takës!.Po në këto vite trimi i Konispolit do të përmendej jo vetëm për pushkën që godiste në shenjë por edhe për talentin e tij të madh si valltarë.Veshur kurdoherë me kostumin e gjyshërve të tij tradicional çamë,me atë fustanellë që ja merrte era,Osman Taka e shëndronte vallen e marrë prej tij,në një furtunë të vërtetë.Ka patur një ngjashmëri tejet interesante mes valles dhe hedhjes në luftë të tij,një dinamizëm të rrallë dalë prej shpirtit.Është kjo arsyeja që konispolatët,voshtinasit e deri shqiptarët e Janinës e thërrisnin mikun e tyre nëpër gosti të ndryshme,që i motivonte për beteja të mëtejme.
Ndërkaq në sfond të lëvizjes autonomiste shqiptare,po shfaqej besëlidhja e madhe,ai akt madhorë që do t’u tregonte fqinjëve tanë dhe krejt Europës,se shqiptarët nuk mund të lejonin të coptoheshin,pa luftuar më parë deri në pikën e fundit të gjakut.Të mbledhur në Stamboll,atdhetarët shqiptarë nisën të organizojnë dhe ideojnë këtë beslidhje,me ç’rast Abdyl Frashëri u dërgua në Vilajetin e Camërisë.Shkuarja e Abdyl Bej Frashërit në Janinë,Prevezë,Paramithi etj,ai pritej me nderime e respekt të madh.Paria e çamërisë,organizoi disa kuvende në këto treva ku qindra burra dëgjuan mendimin e kthjellët të burrit të Fraashërit.Osman Taka,me trimat e tij,ka qenë i pranishëm në shumë nga këto Kuvende popullore,duke u kujdesur për mbarrëvajtjen e tyre,këtu duhet theksuar se gjitha tentativat e grekërve me dinakëritë e tyre për të prishur kuvendet dështonin pasiqë ndëgjonin se në to mirrte pjesë dhe Osman Taka.
Abdyl Bej Frashëri gjeti në mes të burrave të çamërisë,jo vetëm dëshirën për autonomi të vilajeteve shqiptare,por edhe mundësi e shpresa për të realizuar këtë beslidhje me çfardo çmimi,duke patur pikërisht zërin dhe shpirtin trimëror të tyre,në këto momente Abdyl Beu i dërgon një peticion Sulltanit duke i bërë të qartë atij rrezikun grek i cili do të ndikonte së thelli në ardhmërinë e kombit të vet.Pos të tjerve në këtë peticion thuhej ;“Që të fute në dorë Prevezën dhe Nartën,qeveria e Greqisë i drejtohet përsëri Evropës.Dorëzimi i tanishëm i Prevezës dhe i Nartës,dihet qartë se do të rrite oreksin e Greqisë dhe do t’i shërbeje si shkas për të pushtuar tere toskërinë.Kjo kërkesë e padrejtë e Greqisë rezulton nga epshet e pangopura të Greqisë për shkatërimin e Shqipërisë“.(Lidhja e Prizërenit në dokumentet osmane.Prishtinë 1978,faqe 59).
Osman Taka merr pjesë në Kuvendin e Filatit dhe Paramithisë,në të cilat flitet për rrugët e bashkimit të krejt shqiptarëve përpara rreziqeve të egzistencës së tyre.Fjala e trimit dëgjohet me vëmendje pasiqë të gjithë e kishin të qartë se midis fjalës dhe veprës së birit të Konispolit,nuk kishte kurrfar hapsire, ato ishin bashkuar e bërë njësh.Më tej,Osman Takën e shohim në Konispol e rrethina duke u marrë vetë me organizimin e kësaj beslidhjeje.Si kurdoherë ai do të tentonte të përfshinte në këtë organizim,shqiptarë myslimanë dhe të krishterë,duke u nisur sipas idesë së madhe se fatet e atdheut janë në krye të çdo besimi fetar.E vërteta është se nën ndikimin e tij,jo vetëm krahina e Konispolit por edhe Delvina,Korfuzi etj,patën një zgjim të ndjenjave të thella kombëtare.
Kështu për të ardhur në vitet e lavdishme të krijimit dhe vazhdimësisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e cila është pranuar tanimë se lindi së pari në Toskëri e veçanërisht në shtëpinë burrave të çamërisë.Midis Prevezës dhe Prizrenit,vërtet mund të jenë kilometrat ë tëra toke,por ideja e madhe e bashkimit të trojeve shqiptare të udhëhequr nga një shtet i vetëm shqiptar,i bashkoi së tepërmi Prevezën e Mitrovicën,Kumanovën e Ulcinjin,Vlorën e Shkupin.Dihet tanimë se nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës,në Prizren,burrat e katër vilajeteve shqiptare,shpallën autonominë e trojeve arbërore duke u prerë rrugën pazareve të ndyra që po bëheshin në kurriz të këtyre trojeve.Pos të tjerave në këtë Kuvend madhorë do të potencoheshin këto vendime ;
„Për të siguruar ardhmërinë e krahinave në pjesën e Rumelisë të Perandorisë Osmane,që është strehimi ynë,sidomos për t’i larguar rreziqet që po kanosen drejtpërsëdrejti viseve shqiptare,lidhur me këtë çështje,është marrë vendimi,që përbëhet prej pesë pikave që vijojnë ;
1- Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet,me një seli të një qyteti,i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2- Të gjithë nënpunësit që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllukut duhet të dijnë edhe gjuhën shqipe.
3- Të zbatohen të gjtha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe interesin e shtetit dhe të kombit,të cilat mirren nga Kuvendi i Këshillit Qendrorë,i cili do të mbahet në qendrën e vilajetit duke vazhduar punën e vetë katërmujore në vit.“
(Lidhja e Prizërenit në Dokumentet Osmane.Prishtinë 1978,faqe 467 ).
Për të vënë në jetë këto vendime të marra në Prizren,u organizuan kuvende bese në disa treva të vilajeteve shqiptare,madje deri në Prevezën e largët të Camërisë.Në këtë Kuvend,Osman Taka merr pjesë si përfaques i popullit të Camërisë (janar 1879) madje zgjidhet në kryesinë e degës Jugore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Dhe ç’prej atij momenti e deri në fund të jetës së vet Osman Taka do të luftonte për të vënë në jetë çdo vendim të besëlidhjes emblematike të Prizrenit.Pikërissht në ditët e parat ë shtypjes me zjarr të LSHP, porta e Lartë nisi nisi edhe një fushatë të egër ndaj prijësve shqiptarë,të cilët patën mbështetur idenë e autonomisë shqiptare dhe vendosjes së pushtetit shqiptar në vilajetet arbërore.Ngase Osman Taka kishte fituar një emër të madh në krejt Caamërinë,Stambolli nuk mund të merrte vendime të drejtpërdrejta mbi këtë trim të Konispolit.Ndaj u përpoq ta eleminonte ate në mënyrë tjetër.Kështu,në mars të vitit 1881,kinse akuzohej për një vrasje,Osman Taka arrestohet në qytetin e Janinës dhe dërgohet në burgun famkeq të këtij qyteti.
Kështu do të shpallosej edhe një herë trimëria dhe madhështia e birit të çamërisë i cili vuajti dy vjet torturat e mëdha të burgut por asesi nuk u përkul.Pas dy viteve gjyqi ushtarak i Portës së Laartë,ndonëse në mungesë të plotë të provave,vendosi të egzekutojë Osman Takën duke e varur në litar. E vërteta është se në ditën e caktuar për vrasjen e trimit,në qytetin shqiptar të Janinës mblidhen mijëra njërës,me ç’rast valiu mbetet i habitur.Ai vendos të marrë pjesë edhe vetë në këtë egzekutim duke parë se si shqiptarët ate ditë mbushnin rrugët e qytetit.
Kur Osman taka u çua i lidhur në sheshin në mes të Janinës,ishte vetë Valiu i cili u dha urdhër xhandarëve ta pyesnin trimin për dëshirën e tij të fundit.Biri i Camërisë i veshur me kostumin kombëtar që i ndrinte,me ate krenarinë që e shoqëronte edhe në ato çaste simbolike,u tha xhandarëve se dëshira e fundme e tij ishte të merrte në valle.Menjëherë pas kësaj,nga turma e popullit duaalën miqtë e tij me instrumenta dhe duke marrë lejen e autoriteteve të burgut,nisën një valle të improvizuar,duke e lënë trimin e çamërisë të shpërthejë me fantazinë dhe dinamizmin karakteristik,duke parë se nuk i dridhej syri,përkundrazi tejet krenar,Valiu i Janinës i emocionuar,aty për aty iu drejtua xhandarëve osman „Ështe i pafajshëm,hiqjani litarin dhe lereni të lirë !“.
Pas kësaj fjale sheshi i Janinës gjemoi deri vonë në këngë e valle çame.Osman Takës i çuan atje kalin e vet ( të cilin ndonëse i burgosur e mbante në një han,pranë burgut) dhe ashtu duke kalëruar ai u përshëndet me mijërat e shqiptarëve që patën shkuar ta shihnin trimin për të fundit herë.Më pas,ç’prej Janinë e deri në Konispol,Osman Taka do të përcillej prej dhjetra trimave shqiptarë,të cilët e ndjenin rrezikun e bashkëkombasit të tyre anipse Valiu i qytetit dha urdhër ti falej jeta.Edhe në vendlindjen e tij në Konispol,Osmani do të pritej në mënyrë madhështore dhe siç i kishte hije.Shumë,madje mendusn se duke iu falur jeta prej Valiut të Janinës,trimi do të shihte paskëtej vetëm punën e vet.Por nuk ndodhi ashtu.Osman Taka u vu sërish në krye të punëve për të çuar deri në fund vendimet e famshme të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,ato vendime për të cilat u sakrifikuan miqtë e tij Abdyl Bej Frashëri,Sulejman Vokshi,Iljaz Pashë Dibra dhe krejt një plejadë burrash të famshëm të viseve shqiptare. Pikërisht këtë nuk do tia falte Porta e Lartë.Siç ka ndodhur rëndom në historinë e kombit tonë,turqit paguajnë disa konispolatë,të cilët kinse për marrje gjaku,vunë në jetë planin e turpshëm. „Prita u ngrit në një vend shumë të rrezikshëm.Me tu shkrehur breshëria e parë,Osman Taka si përherë madhështorë,i veshur me rroba kombëtare,pa u tronditur aspak,hoqi pushkën nga krahu dhe zuri të godiste,prtëzënësit e fsheur qosheve e nëpër dritare të kullave.Pas një gjysëm ore luftimesh,Osman Taka ra i vdekur.Fustani i tij si shkumë sapuni shquhej deri larg… Vrasja në rrethana të tilla ia shtoi më shumë lavdinë“.(Gazeta „Patrioti“ – Tiranë, qershor 1993 ).
Me vrasjen e Osman Takës,në vitin e largët 1884,Porta e Lartë vazhdonte reprezaljetaq sa kundër Lidhjes së Prizërenit ashtu dhe udhëheqësve kryesorë të saj.Por vrasja e birit të Camërisë,bëri që krejt kjo krahinë,të ngrihej me armë në dorë e të luftonte trimërisht me këngën e Osman Takës në gojë,duke rrëfyer dashurinë dhe rrespektin për birin e vet.Ajo valle grish edhe sot për Camërinë.
Bern-Zvicër
(Për herë të parë e botoj këtë artikull për këtë figurë të madhe kombëtare me rastin e javës çame,qoftë i përjetshëm kujtimi ndaj tij).
JETA E FAN S. NOLIT
Nga Agim Xh. Dëshnica/
JETA E NOLIT- PARA E GJATE LUFTES SE PARE BOTERORE/
Nëse Autobiografia lexohet pa hyrje e parathënie, Noli merr pamjen e një mali të lartë, të cilin „profesorët“ janë orvatur më kot ta vendosin në krahun për të cilin nuk pat ëndërruar kurrë.
Fan S. Noli u lind më 6 janar 1882 në një familje shqiptare, në qytezën Ibrik Tepe, pranë Edrenesë, në Turqi. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën gjashtëvjeçare për katër vjet. Mësimet e mesme i kreu në gjimnazin grek të Edrenesë. Ndërkohë bashkëpunon me shoqëri të ndryshme artistike. Më 1900 për pak kohë punon në Stamboll. Me shpresë për t’u regjistruar në universitet, niset për në Athinë. Gjen punë vetëmsi sekretar pranë një mësuesi grek. Me rekomandimin e tij, pranohet në një kompani artistike. Askush nuk e beson shpifjen, se Noli i ri qenka “arratisur natën për borxhe”, siç nxihet në letrën e sajuar. Në shoqërinë e aktorëve u shqua për mirësjellje dhe për talent në artin dramatik. Punon me ta rreth tre vjet. Viziton shumë vende të Perandorisë Turke, Ballkanin, Turqinë dhe Afrikën, të cilat i lanë mbresa të pashlyeshme. Në këto vite kërkon të lidhet me lëvizjen patriotike shqiptare, me Nikolla Naçon në Bukuresht dhe Faik Konicën në Belgjikë. Me kompanin ndahet në Egjypt.
Më 1902 nis veprimtaria e tij atdhetare, e lidhur ngushtë me krijimtarinë artistike. Boton në gazetën Drita, të Shahin Kolonjës. Siç del nga letrat dërguar jo një fantazme, por atdhetarëve shqiptarë në Egjypt, u njoh e bashkëpunon me Jani Vruhon, Thanas Tashkon, Spiro Dinen dhe nuk “u arratis për të shpëtuar nga një martesë.“ Me ndihmën e tyre financiare, përkthen e boton në greqisht veprën e njohur të Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’është, ç’ka qenë, e ç’do të bëhetë.” Sipas këshillave dhe ndihmës së tyre bujare, në moshën 24 vjeç, më 10 maj 1906 mbërrin në Nju Jork. Po atë ditë niset për në Bafallo, ku ndodhej shoqëria “Mall’i Mëmëdheut“, themeluar nga Petro Nini Luarasi. Pas tre muajsh, me ftesë të Sotir Pecit, vjen në Boston dhe bashkëpunon në gazetën Kombi. Më 8 janar 1907, themelon shoqërinë patriotike Besa-Besën dhe më 15 shkurt 1909, gazetën Dielli. Kjo gazetë historike i shërbeu çështjes së madhe, lirisë dhe pavarësisë së Atdheut. Aty lexuesit shqiptarë njohën penën e artë të Fan S Nolit.
Theofan Stilian Noli njihet si themeluesi dhe drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare të pavarur në Amerikë.Eshtë koha, kur më 1908 dorëzohet prift në Kishën e Shën Kollit, në Nju Jork.Meshën e parë e jep në gjuhën shqipe, në Boston.Ndërkohë studion për katër vjet në Universitetin Harvard dhe më 1912 diplomohet me sukses për letërsi. Të kësaj kohe janë krijimet në revistën Albania, në gazetat Dielli, Drita etj.
Në vitet 1910 e 1911, përpara shoqërisë Besa-Besën, mban fjalime të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptare në Kosovë, duke ngritur lart luftën e trimërinë e tyre, me Isa Boletinin e Idris Seferin në krye, në betejat e Cernalevës e në Grykën e Kaçanikut.
Më 1911, i ngarkuar me mision fetar e atdhetar, viziton kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje e gjetkë, i pritur me dashuri nga shumë bashkatdhetarë.Në praninë e tyre meshon me gjuhën e bukur shqipe. Pas një largimi të gjatë, në Sofje pati një takim të mallëngjyer me prindët e të afërmit e vet, mandej një ndarje tepër të hidhur.
Në kohën kur Perandoria Turke po humbiste Ballkanin, me nismën e Nolit e Konicës, shoqëritë shqiptare Besa–Besën, Arësimi, Malli i Mëmëdheut, Hylli i Afërditës etj. u bashkuan në Federatën Panshqiptare Vatra, me seli në Boston, më 28 prill 1912. Sekretar i Komisionit Qendror u zgjodh Fan Noli, kurse Faik Konica me Kristo Floqin u caktuan organizatorë të degëve. Noli zgjidhet kryetar i Vatrës më 17 korrik 1915 dhe më 1 korrik të vitit 1917. Krahas Diellit botohet në anglisht, Revista Adriatike.
Federata Panshqiptare Vatra në ato vite, mori pamjen e një qeverie në mërgim. Drejtuesit e saj u mirëpritën nga institucionet zyrtare, si përfaqësues të Shqipërisë. Me ligjëratat e tyre të shkëlqyera, mbrojtën çështjen shqiptare. Fan Noli shpesh largohej i ngarkuar me detyra të rëndësishme. Në vjeshtën e vitit 1912, kur Atdheu ndodhej para rrezikut të copëtimit, i dërguar nga Vatra ndodhet në Londër.Nga kryeqyteti britanik, përshëndet Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.
Më 1913 Federata Vatra, me udhëhqës si Noli dhe Konica, me anën e gazetës Dielli, mitingjeve të fuqishme, momerandumeve dhe telegrameve, të shumta, protestoi me vendosmëri, kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilat përgjysmonin teritoret e Shqipërisë.
Në mars të atij viti Noli së bashku me veprimtarë të tjerë, merr pjesë e flet në Kongresin e Triestes, të organizuar nga Faik Konica, për çështjen e tërësisë tokësore të shqiptarëve. Në korrik viziton për herë të parë tokën amtare. Më 1914 ndodhet përsëri në Shqipëri, në shërbesat e Kishës Ortodokse Shqiptare.
Gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Shqipëria u kthye sërish në një arenë të rrezikëshme për të ardhmen. Në emër të Vatrës, vatranët me Nolin në krye, vepruan gjallërisht me një politikë të zgjuar, kundër qëllimeve grabitqare të shteteve ndërluftuese.
Në momerandumin e dates 28 nëntor 1918, dërguar Preidentit Uillson, ku firmatari kyesor është Fan Noli, pasi parashtrohet historia e Shqipërisë jugore, kalohet në çështjen e Kosovës. Ndër të tjera shkruhet:“Arsyet etnografike nuk janë të vetmet ato, të cilat kërkojnë korigjimin e kufijve në emër të Shqipërisë.. Humbja përfundimtare e krahinave pjellore të Kosovës dhe Çamërisë, apo Epirit të Jugut, do të gjymtojë jetën ekonomike të shtetit shqiptar. Qytetet e Pejës, Prizrenit, Gjakovës , Strugës e Dibrës që iu dhanë Sërbisë e Malit të Zi janë tregje të krahinave që iu hoqën Shqipërisë në mënyrë krejtësisht absurde dhe të padrejtë nga Konferenca e Londrës.”
Lidhjet e fuqishme me veprimtarët në Atdhe, ndihmat dhe nxitja e luftës së tyre për çlirimin e mbrojtjen e tij, u kurorëzuan me Kongresin e Lushnjës dhe formimin e Qeverisë së Sulejman Delvinës.
Më 1920, në emër të Qeverisë Shqiptare, Noli merr pjesë në bisedimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë. Në debatet për çështjen e kufijve, si një diplomat i madh, hedh poshtë argumentet e delegatëve fqinjë, me ligëratat e njohura në histori. Falë zotësisë së tij, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 kthehet në Atdhe. E shohim Peshkop në Korçë, Metropolit në Durrës. Si i dërguar i Vatrës merr pjesë në jetën politike dhe zgjidhet deputet. Gjatë seancave parlamentare Noli ngrihet e flet për çështje të pazgjidhura kombëtare, për probleme të ndryshme ekonomike e shoqërore.Ligjerata e njohur e Nolit në nderim të presidentit amerikan Udrou Uillson, shpreh respektin e thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA, si e vetmja shpëtimtare e Shqipërisë.
Vrasja e Avni Rustemit, më 20 prill 1924, shkaktoi papritur zëmërimin e anëtarëve të Shoqërisë Bashkimi dhe deputetëve të opozitës. Kjo ngjarje në histori njihet me disa emra. Analistët e historisë e quajnë, disa “Kryengritje, disa “Revoltë”, disa “Grusht Shteti” dhe “i ashtuquajtur Revolucion”, por zakonisht në tekstet e historiografisë së majtë, emërtohejme bujë „Revolucioni Demokratik i Qershorit“. Kjo lëvizje intelektualësh, e përkrahur nga qytetet dhe zonat fshatare, u zhvillua pothuaj paqësore, herë si marshim me armë në sup, herë si procesion fetar me qirij ndër duar, ku fryma gandiste e Peshkopit Theofan, ishte e pranishme kudo. Në gjendjen e krijuar, Noli gjykoi drejt, ku mori përsipër me short drejtimin e Qeverisë e re,
Më 10 e 12 qershor 1924, në emër të Vatrës Konica përshëndeste:“Lutemi bëni të njohur ushtërinë kombëtare simpatitë tona prej zemre për veprimin patriotik të saj…Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtariakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e shkëlqyer.”
Sipas Qerim Panaritit, “Me bekimet e Konitzës dhe të Vatrës Noli më 17 qershor 1924 formoi Kabinetin si pason: Noli, Kryeministër; Sulejman Delvina, Ministër i Punëve të Jashtme, Kolonel Kasëm Qafëzezi, Ministër i Luftës; Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave; Qazim Koculi, Ministër i Punëve Publike; Stavro Vinjau, Ministër i Drejtësisë.”
Programi i Qeverisë me tipare amerikane, në fakt ishte një hap përpara në zhvillimin demokratik të viteve 20, por siç dihet për mungesë kohë nuk mundi të zbatohej tërësisht.. Më 24 dhjetor 1924, kur Qeveria Demokratike ra, pas kërcëmit me armë Noli u detyrua të largohej nga Atdheu, duke shmangur luftën vëllavrasëse.
Panariti sqaron se “Viti 1924 i dha funt karierës politike të Nolit dhe filloi kariera letrare. Në shumë bisedime me Nolin gjatë tridhjetë vjetëve të funtme, shpesh herë bisedonim për vendin e tij në historin’ e Shqipërisë, i cili thoshë: nëqoftëse emër-i im do të mbahet mënt në të ardhmen, munt të rronjë, vetëm në fushën e letrave.”I vendosur në Gjermani, krijon poezi të fuqishme dhe shqipëron kryevepra nga letërsia botërore. .Një pjesë e tyre u botua në gazetat Republika, Imigranti, Liria Kombëtare etj. Në mbarim të vitit 1932, vendoset përgjithmonë në SHBA. Republika, Imigranti, etj. u mbyllën, kurse Vatra dhe Dielli vijuan më tej, veprojnë gjallërisht edhe sot.
Sipas Faik Konicës, qysh në vitin 1921, Fan Noli e Ahmet Zogu u njohën e bashkëpunuan në një parti.Pas qendrimeve të kundërta për zgjidhjen e çështjeve kombëtare që shtronte koha, më 1933 u miqësuan sërish dhe patën marrëdhënie të qendrueshme. Kjo u duk në kursin e ri të shtetit shqiptar, nga viti 1933 deri më 1939. Në gazetën Republika të datës 12 mars 1931, Noli boton shkrimin „Atentati kundër Ahmetit.“ Pasi parashtron disa nga idetë e veta demokratike, mban një qendrim të vendosur kundër përdorimit të dhunës: „Atentati i vajtur mbarë munt t’i bënte dëmca më të math Shqipërisë dhe një shërbim të paçmuar Musolinit dhe fashizmës italiane.“
Gjestet bujare të Ahmet Zogut flasin qartë. I pari më 1933, financimi për shërimin e Fan Noli. I dyti më 1938, për diplomimin në Konsevatorin e Nju Englandit në Boston.
JETA E NOLIT
GJATE DHE PAS LUFTES SE DYTE BOTERORE
Jo vëtëm më 1932, por as në vitet që do të vinin, Noli nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë në shërbim të Kombit të vet. Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarsisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: „me alfabetin e Manastirit merrte një herë e mirë fund çështja e shkrimt të gjuhës shqipe, historia e të cilit ka një rëndësi të posaçme për historinë e kulturës e të letratyrës s’onë, pse me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyerë të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një sërë shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë: Naimi, Fishta, Konica e Noli.” Në Albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S Nolit.
Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të kllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Kur Atdheu u rrezikua përsëri më 1939, Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. janë në krye të detyrës. Në gusht të vitit 1942, Konica i dërgon mbretit Zog një letër mjaft me rëndësi për temën që trajtohet. Letrën e gjetëm në anglisht në librin “Faik Konitza- Selected Correspondence.”, botuar në vitin 2000, me hyrje nga Robert Elsie. Ndër të tjera, shkruhet: „Opinioni i popullit shqiptar tashtiështë në favorin Tuaj Madhëri. Dhe ky kryesisht për shkak të gojëtarisë dhe influencës së Imzot Nolit. Unë mendoj se Imzot Noli, do të ishte njeriu ideal për kryeministër, por për fat të keq fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkura një zgjidhje e tillë paraqet vështirësi…“Më 27 maj 1943, Noli i shkruan ministrit të oborrit, Sotir Martinit: “Jam gati të jap gjithçka për Frontin e BashkuarShqiptar.”Në letrën për Anton Logorecin, gazetar i BBC më 1943, shkruan: “Njohja e mbretit Zog, është po aq e domosdoshme si prove e pa ekivoke.”Njëkohësisht interesohet të njihet me grupimet nacionalistë që luftonin kundër fashizmit.Miraton marrëveshjen e Mukjes. Përshëndet rininë trime e cila pat dalë malit kundër pushtuesve fashistë, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Situatën e luftës në Shqipëri e njihte pak a shumë mirë. Në raste të veçanta shprehej optimist, për sigurinë e tërësisë tokësore, me ndihmën e SHBA.Historiani Beqir Meta shkruan:“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. Merita u takon, sigurisht, Fan Nolit, Faik Konicës dhe miqëve amerikanë.
Pas luftës, Noli u ftua të kthehej në Shqipëri për të bashkëpunuar me “Guvernën Demokratke”.Përgjigjet vetëm me një përshëndetje diplomatike.Mosardhja në Atdhe fliste qartë, se ai nuk mund të miratonte një qeveri, e cila drejtohej nga një parti, sado e fshehur në maskën e Frontit Demokratik apo Republikës.Megjithatë punoi energjikisht për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, vetëm për popullin dhe vendin e tij. Me autoritetin e një personaliteti të njohur në SHBA, këtij misioni patriotik, ashtu si dikur, ia doli mbanë.
Më 1945, në moshën 63 vjeçare, në Universitetin e Bostonit, mbron dizertacionin, Gjegj Kastrioti Skënderbe, dhe nderohet me titullin doktor në filozofi. Si kryetar nderi, merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Vatrës.Ndërkohë, me aftësinë e një peshkopi të nderuar, drejton Kishën Ortodokse Shqiptare.
Nga letrat e Nolit dërguar diktatorit E. Hoxha, merret vesh se viti 1946 shënon fundin e marrrëdhënieve të Vatrës me „Guvernën Komuniste të Tiranës“. Shkaqet qenë të shumta që nga mosvarveshjet për çështje kombëtare, politike dhe për ndërhyrjet në punët e brendëshme të Vatrës nga njërëz të dërguar nga diktatori. Në këtë kohë bisedon me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për çështjen e varrimit të Faik Konicës në Atdhe. Ata u përgjigjen: „Shumë mirë munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, por më parë duhet ta sjellim para gjyqit të popullit“. Noli tha: „Po dëgjojmë dita ditës se jeni duke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë! Por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se jeni aq trima sa të hithni në gjyq dhe të vdekurit!“
Më 1947 boton dy vepra në anglisht, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbe” e “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, më 1948, “Albumin” me shkrime letrare, më 1950, „Historia e Skenderbeut“ në shqip, një version i ri dhe më i plotë shkencor Fan Noli ishte i lidhur shpirtërisht me popullin e vet, i cili vuante nën sundimin e një diktature të paparë në histori. Sipas shkrimtarit Petro Marko, në librin “Retë dhe Gurët,, me rastin 28 Nëntorit më 1952, do të fliste në Zërin e Amerikës me këto fjalë: „O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë për të prerë kokat e patriotëve, thuam ç’po bën… Shqipëria pret një Shën Kostandin për të shpëtuar ngakjo kasapanë.”
Në takimin e 50-vjetorit të Diellit më 1958, me një zë djaloshar tha: :“Kishim në program një Shqipëri indipendente, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë. Kishim në program një Kishë Autoqefale, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë.U a lëmë si barrë të tjerëve ta mirësojnë, po ne e bëmë.”Kjo ligjëratë e bukur e inçizuar dhe në një disk, fillon me përshendetjen drejtuar Baba Rexhepit dhe Imam Vehbiut. Në ligjërimet e botuara nga Profesor Jorgaqi, në shënimet e veta këto dy emra kuptimplotë, nuk shpjegohen as më 2002. Por fotografia në gazetën Dielli me deçiturën “Besnikët e Nolit”, tregon në heshtje se si Noli buzëqesh në mes të Baba Rexhepit, Imam Vehbiut dhe demokratëve Anton Athanasit e Kristo Thanasit.
Petro Marko përmend dhe një ndodhi të vitit 1960.Mehmet.Shehu vjen në Nju Jork për të marrë pjesë në një mbledhje të hapur në OKB.Pas dërgimit të tri letrave, për një takim me Nolin, nuk mundi të merrte asnjë përgjigje. Duke kërkuar në arkiva, përgjigjen e gjetëm në gazetën Dielli, 28 shtator 1960: „Letër e hapur Mehmet Shehut.“ Nga mbarimi i kësaj letre të gjatë noliane, lexohet: “Nga sa mund të kuptojmë neve së largu, sistemi juaj, sistem fashist, nuk vepron në bazë të kanunit, shvillohet në bazë të kobures dhe të burgut…“
E kësaj kohe është deklarata tjetër.: „Shteti shqiptar nuk mund të mbahet më këmbë dyke vrarë, persekutuar dhe dyke burgosur kundërshtarët që s’bashkohen me politikë me mejtimet tuaja.”
Më 1961, Fan S Noli, krijon kryeveprën “Sulltani dhe Kabineti”. Më 1963 merr pjesë në një seancë të rëndësishme, në Parlamentin e Masaçusetsit në Boston, kurse më 1964 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Nga fundi i vitit 1964, i sëmurë rëndë, shkruan poezinë e fundme “Vdekja e Sulltanit.”
Ditët e fundit të jetës, i kalon në shtëpinë e bukur, të dhuruar nga Vatra qysh më 1953, në Fort Lauderdale, Florida.Më 13 mars 1965, pasi u ndie më mirë, doli të shetiste nëpër bregun e oqeanit. Befas pranë valëve të zhurmëshme, shpirti i tij fluturoi si një shtërg paqësor i lirisë, duke lënë për brezat e ardhëshme mesazhin:
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Në gazetën Dielli të datës 24 mars, shkruhej: „Ati ynë kaloi ngakjo jetë, si dita që i zen vendin natës.”
NOLI DHE POEZITE E FUNDIT
Lexuesit të njohur tashmë me Fan S Nolin e vërtetë, për marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun dhe me Qeverinë komuniste të Tiranës, e kuptojnë lehtësisht Albumin-1948, me poezi në dukje të “majta”, “antifetare”, “leniniste” dhe “antizogiste”. Në kohën e diktaturës komuniste ato merrnin një kuptim krejt të ri, ndër to, edhe “Sulltani dhe Kabineti“-1961, ku personazhet kryesorë të udhëheqjes komuniste, mbulohen me ofiqe zyrtarësh osmanë dhe tituj fetarë, të pajisur me Bibëll e Kuran. Si diell i ndritur, aty shfaqet gjenialiteti i Nolit të Madh. Edhe krijimi i tij i fundit “Vdekja e Sulltanit”- 1964, i komentuar keq nga profesorët, nuk ka të bëjë aspak me mbretin Zog, është një poezi intime e Nolit!Ashtu si veprat e Shekspirit, edhe veprat e Nolit, jetojnë në kohë përjetësisht.
Për poezine Kabineti dhe Sulltani, pa dashur të paraprij me sqarime të kota , e lëmë lexuesin të nxjerr përfundimet nga vetë poezia e Nolit më 1961, nga shkrimi plotë i Qerim Panarit dhe jo i cunguar nga “nolistët”, në Albumin II, Boston 1966.
Kërkoni origjinalin Albumi- 2 dhe lexoni.
FAN S NOLI
SULLTANI DHE KABINET
(Fragment- botuar për herë të parë në gazetën Dielli- 1961 )
Shokë, sot kam panair
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë.
Kupë e parë, jam aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, shpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.
Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’keni parë;
Pra kur leh duartrokitni,
Zbrasni topat brohoritni!
Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e Xheneti ,
Kijameti e selameti.
Jam xhamia e jam namazi
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi
Kush ngre kokën e merr lumi,
Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me logjikë,
E ka pisk e ngordh si hor
Në konop si tradhëtor.
Ju a nisa historinë,
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim e për lavdi.
Nukë pata parëardhës,
ju lë një bir pasardhës
Gjurmën time të pasonj
Dhe vatanin ta sundojë.
Shkruaj ti o Bash –Qatip
Shkruaj mprehtë’ e me tertip,
Lidhi llomotit’ e mia,
Shkrepi nesër te xhamia.
Ty Abdull- Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrezem;
Merr nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.
Ty Abdull- Xhahil Nefer
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji e bluaji.
Ty Halim që s’di këndim
Je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë,
Me kallamn’ e tradhëtisë.
Leri hapur medresetë
Seminaret e teqetë
Po me gjuhët arabishte,
Hebraishte dhe turqishte.
Këtë urdhër çpalle vrap;
Libër ti laik, mos hap;
Me Ungjillin e Kuaranin
Merret Prifti me Imamin.
Ty Haxhi Domuz evlat
Ty të bënj Vezir Xhelat
Lidh litar dhe mbreh sëpatë
Var e ther po pa shamatë.
Vraji , preji kundërshtarët
Si të funtmët dhe të parët
Se ma prishën qetësinë
Ma çkallmuan mbretëtinë.
————
- « Previous Page
- 1
- …
- 585
- 586
- 587
- 588
- 589
- …
- 697
- Next Page »