• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Lidhja Kosovare” në SHBA pas demonstratave të vitit 1981

August 7, 2013 by dgreca

Nga Qerim LITA/

Demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, nxorën në pah të gjitha të pavërtetat që i plasonte diplomacia e Federatës së atëhershme jugosllave në botën demokratike perëndimore, për “arritjet e shumta” politike, kombëtare, ekonomike, kulturore, arsimore, sociale etj., të shqiptarëve në atë federatë. Rol të rëndësishëm në zbardhjen e këtij realiteti, gjithsesi se pati emigracioni politik shqiptar, përkatësisht, organizatat dhe partitë politike që vepronin në atë kohë në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Përfaqësitë diplomatike jugosllave, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pandërprerë e informonin Beogradin zyrtar, për aktivitetet e shumta të mërgatës shqiptare, siç ishin tubime, demonstrata, peticione etj., nëpërmjet së cilave, mërgimtarët shqiptarë fuqishëm qëndronin pas kërkesave të drejta të studentëve shqiptarë në Prishtinë. Njëkohësisht, nëpërmjet këtyre manifestimeve, ata shprehnin mllefin e tyre për dhunën dhe terrorin e forcave policore e ushtarake jugosllave ndaj popullsisë civile e të pambrojtur shqiptare në Kosovë, duke kërkuar nga faktori demokratik perëndimor, që të merr masa urgjente për ta ndërprerë atë dhunë të paparë. Gjithnjë duke ju referuar burimeve sekrete të diplomacisë jugosllave, kuptojmë se bartëse e aktiviteteve të tilla në SHBA, ishte Organizata “Lidhja Kosovare” selia e së cilës gjendej në Çikago, e cila nëpërmjet degëve të veta shtrihej edhe në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto, si dhe në shumë qendra tjera të rëndësishme evropiane si: Paris, Bruksel, Kopenhagë, Munih, Romë etj. Në ballë të saj qëndronin atdhetarët dhe veprimtarët e shquar të kauzës shqiptare si: Hafëz Jusuf Azemi, Prof. Luan Gashi, Bardhyl Shatku, Vasil Andoni, Ekrem Bardha etj.
Për të parë se si diplomacia jugosllave e përshkruante aktivitetin e Lidhjes Kosovare gjatë periudhës kohore 1981-1990, nëpërmjet gazetës KOHA, në disa vazhdime do tw publikojmë një numër të konsiderueshëm të dokumenteve të hartuara nga përfaqësitë diplomatike jugosllave në Çikago, Nju Jork, Uashington, Detroit, Toronto etj. Në këtë numër, po i publikojmë pesë njoftimet e Shërbimit për Hulumtim e Dokumentim pranë Sekretariatit për Punë të Jashtme të RSFJ, dërguar shërbimeve përkatëse republikane e krahinore, ku këta të fundit informohen për aktivitetin, përkatësisht “manifestimet anti-jugosllave” të “Lidhjes Kosovare” në SHBA, gjatë periudhës kohore 21 mars- 13 prill 1981. Dokumentet po i paraqesim në tërësi dhe në mënyrë kronologjike:
BEOGRAD, 21 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e Lidhjes Kosovare, mbajtur më 21 km në Aurorë në të cilën kanë marrw pjesë: Jusuf Azemi, Azem Aliu, Ismail Kashtanjeva, Olloman Rushiti, Ajet Rushiti, Naci Korati, Ilmi Hasani, Sadri Shariu, Ismail Osmani, Hysen Ismaili, Shefaki Ismaili, Halil Felbehari, Mulla Nimeti, Nafez Jusufi, nuk u bë fjalë për ndonjë ftesë apo pjesëmarrje eventuale në demonstrata të emigracionit nacionalist ustash, të caktuar për 10 prill. Përkundrazi, u shqyrtua mundësia e mbajtjes së demonstratave të veta për pjesën e parë të prillit (Uashington apo Nju Jork) me rastin e burgosjes së studentëve në Prishtinë dhe Prizren lidhur me çrregullimet kohë më parë në Universitet. Motoja bazë e demonstratave është – shkelja e “të drejtave njerëzore” në KASK dhe “ajka” komuniste ndaj inteligjencës së re shqiptare nga ana e policisë brutale jugosllave. Në to siç thuhet do të marrin pjesë degët nga Çikago, Nju Jorku e Uashingtoni. Paralelisht me organizimin e demonstratave, u bë fjalë edhe për zgjedhjen e një delegacioni të Lidhjes Kosovare, i cili me të njëjtin rast do ta vizitonte senatorin Persi, eventualisht kryetarin e SHBA ku do tu dorëzohej peticioni adekuat. Mbledhja mbaroi pa vendime konkrete”.
BEOGRAD, 27 MARS 1981: “Nga punkti në Çikago morëm informatën se në mbledhjen e degës lokale të Lidhjes Kosovare në Detroit, Ekrem Bardhi, kryetar i LK (Lidhjes Kosovare – Q.L.) në Detroit, Jusuf Azemi nga Çikago, gjithashtu është shqyrtuar çështja e demonstratave, ku është theksuar nevoja e sigurimit të mjeteve për udhëtimin e pjesëmarrësve në Uashington përkatësisht Nju Jork. Është marrë konkluzioni që pjesëmarrësit vetë ti mbulojnë shpenzimet e udhëtimit me autobus nga Detroiti e Çikago, ndërsa ndërkohë do të vendosin për terminin më të përshtatshëm. Ka mbisunduar mendimi se e shtuna dhe e diela nuk janë ditët më të “mira” për shkak se gjatë këtyre ditëve  nuk punon administrata, ndërsa pjesëmarrësit në ditë pune, nëse dëshirojnë të udhëtojnë për Uashington janë të detyruar të marrin ditë pa pagesë. Në fund është vendosur që për këtë çështje të bisedohet përsëri në mbledhjen e degës, i cili do të duhej të mbahet në afat prej dhjetë ditësh. Përndryshe Vasili (Andoni-Q.L) ngelë në SHBA edhe për 4 deri 5 muajsh me qëllim të vizitave degëve të LK.”
BEOGRAD, 6 PRILL 1981: “Punkti i SHHD pranë Sekretariatit Federativ për Punë të Jashtme nga Çikago, njofton se Jusuf Azemi dhe Ajet Rushiti në shoqërim me Luan Gashin nga Nju Jorku më 29 muajin e kaluar (mars 1981 –Q.L.) kanë udhëtuar për Uashington. Qëllimi i udhëtimit ka qenë të vendosen kontaktet me ndonjë përfaqësues të administratës si edhe të shqyrtohet mundësia për mbajtjen e ndonjë demonstrata më të zgjeruar në të cilën do të merrnin pjesë emigrantët nga më shumë qytete të SHBA. Lidhur me këtë “Lidhja Kosovare” ka caktuar mbledhje me 5 prill k.v. në të cilën do të informoheshin për rezultatet e vizitës në Uashington dhe marrjen e qëndrimit përfundimtar për demonstratat”.
BEOGRAD, 8 PRILL 1981:  “Punkti ynë në Çikago njofton si vijon:
1. Në mbledhjen e degës së atjeshme të Lidhjes Kosovare, i cili është mbajtur më 5 prill (1981-Q.L.) nën udhëheqjen e Jusuf Azemit, është vendos që me 20 prill të organizohen demonstrata në Çikago, në shenjë përkrahje të elementeve irredentiste në KAS të Kosovës. Demonstratat do të mbahen para konsullatës së Përgjithshme në kohën prej orës 11 deri 12. Është vendosë që demonstratat të kenë karakter paqësor, pa dhunë, fyerje etj. Për këtë qëllim është zgjedhur ekipi prej dhjetë vetë i cili ka për qëllim që në vendtakim (Aurora) të bëj kontrollimin e secilit demonstrues dhe nëse gjen armë (revolver, thikë etj.) të njëjtën ta merr dhe ta ruaj në selinë e Lidhjes Kosovare, derisa të kthehen nga demonstratat. Janë paraparë parulla të cilat kërkojnë mbrojtjen e të “drejtave njerëzore të shqiptarëve” dhe përmbajnë insistime për lirimin nga burgu të “shqiptarëve liridashës” dhe njëkohësisht e dënojnë “tiraninë komuniste” nga dora e të cilëve kanë ra “njerëz të pafajshëm”. Leja për demonstrata është lëshuar më 6 prill. Udhëheqja e Lidhjes Kosovare, ka lëshuar urdhëresë deri te anëtarësia e saj, që të dalin në demonstrata, përkatësisht që “nuk guxon të ketë asnjë shqiptar i vërtetë” i cili mund të gjejë ndonjë arsye për abstenim. Përndryshe, udhëheqja maksimalisht është mobilizuar që demonstratat të jenë të  suksesshme, për çka është planifikuar pjesëmarrja edhe e grave dhe fëmijëve.
2. Për demonstratat e grupimit të emigracionit nacionalist shqiptar, të cilat janë caktuar për 13 prill në Uashington, në mbledhjet e degëve lokale në Çikago e Detroit të datës 5 prill, është vendosur të organizojnë transport të veçantë (autobus) duke i shfrytëzuar edhe linjat e rregullta dhe veturat e veta, me qëllim të arritjes së suksesit të plotë. Kryhet presion ndaj anëtarësisë së Lidhjes Kosovare dhe ndaj mbarë pjesëtarëve të nacionalitetit shqiptar, pa marr parasysh ngjyrat ideologjike, që pjesëmarrja në Uashington të jetë sa ma masive, për çka është evidente përdorimi i mjeteve arrogante. Nga Çikago planifikohet shkuarja e rreth 200 pjesëmarrësve, ndërsa nga Detroiti rreth 150.
3. Në mbledhjen e sipërpërmendur në Çikago, është grumbulluar shuma prej 11.000 dollar për financimin e shpenzimeve rreth dërgimit të telegrameve protestuese, peticioneve etj., mbarë shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve perëndimore për shkak sjelljes “brutale” ndaj kombit shqiptar në “Jugosllavinë komuniste”. Këto letra duhet të dërgohen nga qendrat evropiane (Bruksel, Romë etj.).
4. Vasili (Andoni – Q.L.) ende qëndron në Detroit, nga ku organizon pjesëmarrjen në demonstratat e 13 dhe 20 prillit. Atij i është dhuruar shuma prej 11.000 dollarë që duhet ti dërgoj në Evropë. Do të ngel në SHBA deri në mbarim të demonstratave, e më pas do të kthehet në Romë.”
BEOGRAD, 16 PRILL 1981: “Më 13 prill 1981 në Uashington me fillim në ora 11,30 sipas kohës amerikane nën organizimin e të gjitha organizatave e grupeve të emigracionit në SHBA, u mbajtën demonstrata anti-jugosllave në të cilat morën pjesë rreth 1.400 demonstrues. Në këto demonstrata morën pjesë demonstrues – emigrant që jetojnë në Çikago, Nju Jork, Detroit, Millvoki, Kenopa dhe nga vende tjera, ndërsa nga Evropa morën pjesë vetëm Vasil Antoni me disa bashkëpunëtor, me të cilët erdhi nga Italia. Fillimi i demonstratave, në ballë të të cilave ishin disa hoxhallarë, ishte nga parku i madh para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa kolona lëvizte në drejtim të Shtëpisë së Bardhë, kah pallati i Kongresit, dhe nga aty kah ambasada jugosllave ku policia kryente sigurim të mirë dhe nuk lejoi që demonstruesit të afrohen deri te ajo. Këtu, më shumë se 15 demonstrues mbajtën fjalim ku në mënyrë të hapur e të ashpër e sulmuan vendin tonë (Jugosllavinë – Q.L.). Është me interes të vihet në dukje se drejtuesit e demonstratave nuk folën, ndërsa nxitën emigrant më të ri të jenë më ekstrem dhe ta shijojnë rolin e barabartë me udhëheqjen. Demonstruesit nga aty u kthyen para pallatit të kongresit ku hynë brenda Jusuf Azemi dhe Ekrem Bardhi (profesor i pensionuar nga Detroiti) ku i pranoi senatori Persi dhe u premtoi se pushteti amerikan sa i përket demonstratave në Kosovë do të intervenojnë deri te qeveria jugosllave. Demonstruesit mbanin pankarte dhe brohoritnin parulla me përmbajtje armiqësore në gjuhën shqipe dhe kroate, edhe atë: “Poshtë Jugosllavia!”, “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë kriminelët jugosllav!”, “Rroftë kombi shqiptar”, “Rroftë kombi kroat” etj.
Nga territori ynë (Maqedonisë –Q.L.) si pjesëmarrës të demonstratave i identifikova personat si vijon: vëllezërit Servet e Sami Xhaferi, Jusuf Azemi, me bashkëshorten e fëmijët, Daut Azemi (vëllai i Jusufit), Llokman Lutfiu me tërë familjen, Aliriza …, nga fshati Dobrosht, Alil Zylbeari me tërë familjen, Bardhyl Shatku nga Gostivari me tërë familjen, Alirami Dauti me bashkëshorten, Haki Idrizi nga fshati Sedllarcë e Epërme, Shukri Memeti nga Tetova emigrant në Toronto, Sinan Abdiu, nga fshati Reçicë e Madhe me bashkëshorten, emigrant në Çikago, Remzie …. nga fshati Odër me djalin.  Shumica e demonstruesve ishin nga rrethi i Kërçovës, ndërsa Ajet Rushiti, i cili është organizator sa i përket pjesëmarrjes masive të emigrantëve nga Kërçova, ka agjituar duke u kërcënuar për pjesëmarrje të domosdoshme në demonstrata. Për 20 prill 1981 në ora 10,00 janë caktuar demonstratat para konsullatës tonë (jugosllav –Q.L.)”. (Në numrin e ardhshëm shpalosim disa burime diplomatike jugosllave që flasin për aktivitetin e Lidhjes Kosovare, korrik-tetor 1981)

*(Ky cikel shkrimesh botohet me kerkesen e Jusuf Azemit ne Chikago.)

Filed Under: Histori Tagged With: Lidhja kosovare, ne SHBA, Qerim Lita

Enigma e Hymnit të Federatës “VATRA”

August 7, 2013 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Federata Panshqiptare e Amerikës ka Hymnin e saj, që në vitet ’20 të shekullit të shkuar. Por saktësisht; kur dhe në ç’rrethana u krijua ky Hymn, nuk gjejmë të dhëna të plota. Në dy historitë e Vatrës, të botuara deri tani, mungojnë këto të dhëna. Nuk ruhet as ndonjë interpretim i incizuari këtij Hymni, edhe pse kompozitori i tij, ka vdekur relativisht vonë, në vitin ’76 të shekullit të shkuar dhe ai i ka pasur mundësitë e ruajtjes së incizimit. Vetë Kompozitori gjatë të gjithë jetës u mor me muzikë dhe tregëtimin e pllakave muzikore, kishte dhe kompaninë e tij të prodhimit dhe tregëtimit të incizimeve muzikore; ai nuk na ka lënë ndonjë shënim se ne cfare rrethanash e kompozoi Hymnin dhe kur e kompozoi atë. Ne kohethemelimin e Vatres kompozitori ndodhej ne Rumani. Duhet të jetë një bashkëpunim i viteve ’20 i kompozitorit me autorin e vargjeve, i cili ka jetuar ne SHBA deri aty nga viti 1931. Dimë vetëm faktin se kompozitori iu bashkua Bandës së Vatrës, kur ajo shkoi në Shqipëri pikërisht në vitin 1920.

Është i njohur fakti qe Banda e Vatrës, në vitin 1920, shkoi në Shqipëri dhe i shërbeu shtetit shqiptar, madje shoqëroi dhe Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në fillimin e mbërritjes së tij në Shqipëri. Bashkë me Bandën e Vatrës shkuan në Shqipëri edhe djemtë e shqiptaro-Amerikanëve për të mbrojtë Atdheun.Trupat mbrojtëse ishin stërvitur në SHBA.Fillimisht Vatra kishte marrë me qera një sallë të madhe në Boston dhe atje mblidheshin vullnetarë nga qytete dhe katunde të ndryshme të Neë Englandit për t’u stërvitur ushtarakisht. Komandanti i trupave vullnetare ishte Aqif Përmeti, i cili shkoi në Shqipëri së bashku me vullnetarët në kohën e Luftës së Vlorës. Sipas Petro Ktonës, ishin 200 vullnetarë që u nisën drejt Shqipërisë. (P. Ktona ”Misioni i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA dje dhe sot”, New York 1978).Aqif Përmeti nuk u kthye më në SHBA, ai hyri në shërbim të ushtrisë shqiptare si oficer i larte dhe i shërbeu Kombit.U gradua gjeneral dhe më 1945 u egzekutua nga Qeveria Komuniste e Tiranës.

Autori i tekstit te Hymnit ishte prefekti i parë i Vlorës

Le të kthehemi tek Hymni; per t’iu pergjigjur pyetjes se cilët janë autorët e tij, duke shpresuar se së shpejti do të saktësojmë edhe kohën kur u kompozua e kur u egzekutua për të parën herë ai.Teksti i Hymnit të Vatrës është shkruar nga Refo Çapari, një figurë e njohur për kohën.

Historiani i njohur çam Ibrahim D Hoxha dëshmon se Refo Çapari vinte nga familja shumë e njohur Çapari e Çamërisë.Tashmë,që nga viti 2006 kemi një monografi që i kushtohet familjes dhe fisit Çapari, një nga katër dyert më të mëdha e më të rëndësishme në Çamëri. Gjatë 150 vjetëve të vazhdimësisë së saj të pandërprerë, kjo familje lëshoi mjaft rrënjë, duke krijuar kështu një pemë madhështore shumëdegëshe. Prej saj dolën plot prijës luftarakë, politikanë, diplomatë dhe burra të tjerë të zotë, ku ndër brezat e fundit u dallua Refo Çapari, i cili u shqua në përdorimin e penës.(IH)

Sjellim këto të dhëna informuse për autorin e vargjeve të Hymnit të Vatrës, Refo Çaparin (1884-1944); ishte një politikan i njohur shqiptar për kohën dhe njëkohësisht udhëheqës po aq i njohur fetar. Çapari kishte krijuar personalitetin e tij duke shërbyer si i pari prefekt i Qarkut të Vlorës dhe biograf i parë i Ismail Qemalit. Ai konsiderohet të jetë i pari përfaqësues i Besimit Bahá’í në Shqipëri.
Refo Çapari ka lindur në veriperëndim të Greqisë, Çamëri. Në fund të viteve 1900 Çapari ishte diplomuar nga shkolla e ligjit të Stambollit. Pas Deklaratës së Pavarësisë shqiptare me 28 Nënëtor 1912, Çapari u bë i pari prefekt i Qarkut Vlorë. Gjatë Luftës së Parë Botërore ai kishte emigruar në SHBA, ku ishte konvertuar në Besimin Bahá’í, ç’ka sipas arkivit Bahá’í, i takon vitit 1928. Mësojmë po ashtu se në vitin 1931 ai u kthye në Korçë, ku ka përkthyer tekstet Bahá’í në gjuhën shqipe. Në 1938 Çapari filloi botimin në Korçë dhe Tiranë të revistës Bahá’í “Pendë supreme” (shqip: pena siprore).
Përkthimi i parë i publikuar i letërsisë Bahá’í në gjuhën shqipe “Fjalët e Fshehura”,është përkthyer nga Refo Çapari (Arkivi i Qendrës Botërore Bahá’í).
Në një letër të dat 19 gusht 1933, Refo Çapari shpall botimin në shqip të librit të Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe një epokë të re”. Refo ishte martuar me Fiqrije Çapari, nënë e dy vajzave, e cila u gjet ne Prizren shumë vite pas vdekjes së Refos.

Mendohet se Çapari ka ardhur në SHBA në vitet 1914-15 dhe është kthyer më 1931, ndërkohë që kompozitori i Hymnit, pasi kishte shkuar në Shqipëri me Bandën e Vatrës kishte ardhur në SHBA më 1926.Se kur dhe nëç’rrethana lindi bashkëpunimi për Hymnin e Vatrës ende nuk mund ta themi me saktësi, veçse njihet bashkëpunimi i tij me Vatrën.Nëse Hymni i Vatrës është egzekutuar për të parën herë pas kthimit të kompozitorit Asllani nga Shqipëria në SHBA, do të jetë më lehtë që të përcaktohet koha e bashkëpunimit.

Kompozitori , muzikant i shquar nga Leskoviku, i diplomuar në Stamboll dhe Bukuresht

Kompozitori i Hymnit është një muzikant që kanë lënë gjurmë pas, jo vetëm në pentagramin ku janë vendosur notat, që kanë muzikuar Hymnin e Vatrës, por diçka më shumë. Kompozitori që muzikoi vargjet e Hymnit të Vatrës quhej Ajdin Asllan.Në shënimet e lëna në një album festiv, në ato që Vatra botonte me urime dhe me fotografi të vatranëve dhe në tërësi të shqiptarëve të Amerikës,gjejmë gjurmët e jetshkrimit të tij. Pikërisht në Albumin festiv të vitit 1953-54, kompozitori i Hymnit ka lënë disa shënime biografike që hedhin dritë në jetën e tij. Përmes atyre shënimeve informohemi se Ajdin Asllan, kishte lindur në rrethinat e Leskovikut me 12 mars 1895. Studimet i pat kryer në shkollën turke dhe greke të vendlindjes, pasi shkollë shqipe nuk kishte përreth. Mësimet shqip dhe ndjenjat atdhetare, siç shprehet në shënimet e veta biografike, Ajdini i mori prej prindërve, të cilët i përcollën ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe.Ndërkohë që mësimet e gjuhës shqipe ai i mori privatisht prej patriotit Stefan K. Postenani, që ishte nga Postenani, Katundi i krahinës së Leskovikut(shënim i tij).

Pas luftës Ballkanike, Ajdin Asllani dhe familja e tij u gjendën në një kolonë të gjatë refugjatësh, që u detyruan të linin trojet dhe vatrat e të parëve pas sulmeve të grekëve, që dogjën dhe shkatërruan fshatra të tërë.Familja u vendos në Stamboll të Turqisë. Prindërit pasi u sistemuan në Stamboll, vendosën që ta shkollonin të birin.Dëshira e tij ishte muzika, prandaj prindërit e regjistruan në shkollën e muzikës, e cila i jepte përveç njohurive teorike edhe mundësi praktikimi.Djali kishte talent dhe prindërit e mbështetën. Më 1915 Ajdini, që tashmë ishte 20 vjeçar e la Turqinë dhe shkoi në Bukuresht të Rumanisë, ku emigracioni shqiptar ishte i më i madh në numër, tepër i organizuar dhe vendimtar për formësimin e çështjes kombëtare së bashku me komunitetin shqiptar në Turqi dhe Egjypt. Ajdini edhe në Bukuresht vijoi studimet për muzikë. Në shënimete veta ai shkruan se në Bukuresht “punoja në varjete për të nxjerrë harxhet dhe për të plotësuar praktikën për të cilën kisha aq shumë nevojë.”

Nga Rumania, instrumentist në Bandën”Vatra” në Shqipëri

Në Bukuresht Ajdinit i dhanë kurajo dhe e ndihmuan shumë shqiptarët, por ai veçon ndihmën që i dhanë “Vëllazëria korcare”, Peço Korça dhe Themistokli Bozhani.Tashmë ai ishte plotësuar me njohuri muzikore dhe fryma kombëtare ishte bërë pjesë e shpirtit dhe ndërgjegjes së tij.

Ndërkohë emri i Federatës Panshqiptare të Amerikës kishte pushtuar zemrat e djalërisë shqiptare.Ajdini dëgjon se Banda Kombëtare që kishte krijuar Vatra në SHBA së bashku me vullnetarët e stërvitur në Amerikë, po shkonin në Shqipëri.Edhe atij i rrahu zemra nga krenaria dhe devocioni kombëtar. Mori rrugën dhe shkoi në Shqipëri dhe iu bashkëngjit bandës. Këtë moment, vetë Ajdini e përshkruan kështu:” Më 1920, kur Banda “Vatra” shkoi në Shqipëri bashkë me vullnetarët, me zjarrësinë që kisha për kombësinë t’onë dhe për vendlindjen time vajta në Shqipëri, ku pa humbur kohë mora pjesë në Bandën Vatra, që në atë kohë u emrua Banda Presidenciale.”

Ajdin Asllani qëndroi në radhët e Bandës së Vatrës deri në vitin 1926, moment kur merr rugën e gjatë për këndej Atlantikut.Pra u vendos në Amerikë.Nuk hoqi dorë nga pasioni i tij, muzika, ajo përbënte profesionin e tij. Përë gjatë të gjithë kohës e ushtroi profesionine muzikantit duke u bërë pjesë e orkestrave të ndryshme ose duke i drejtuar ato. Pa kaluar shumë vite ai krijoi orkestrën e vet.Madje për më shumë se 25 vjet ai arriti që të ketë kompaninë e vet, me të cilën prodhonte dhe tregtonte pllaka muzikore. Kompaninë e tij e kishte pagëzuar me emrin”Balkan Phonograph Record Co.”, ku prodhonte pllaka në gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.

Në shënimet e shkurtra biografike, ai ndjehet krenar që është shqiptar dhe e thekson me dorën e shkrimin e tij se: ”Jam danga nga Postenani i Leskovikut”. Kypohim ka shumë rëndësi pasi janë bërë përpjekje që krijimtarinë e tij t’ia atribojnë tjetërkujt kombesie, vecanerisht asaj greke.

Trashëgimia në SHBA: Rekorde Shqiptare, regjisor “Leskoviku”

Gjenden CD që vërtetojnë autorsinë e Ajdin Asllanit me pseudonimin ”Leskoviku” .Në to shkruhet:”Muzikë shqiptare-Regjisor Ajdin Asllan-Leskoviku”. Ka shumë mundësi që ai përdorte pseudonimin muzikor”Leskoviku”. Gjate kerkimeve të mia kam gjetur dhe kam shijuar krijime të tij si “Valle me Klarinetë dhe llautë “si dhe “Valle devollitçe me gërnetë”.Sipas shënimeve shoqëruse në klarinetë luan vetë instrumentisti virtuozë, që lunate në disa instrumente, Ajdin Asllan.

Kompozitori i Hymnit të Vatrës kishte lindur me 1895 dhe ndërroi jetë në SHBA më 1976. Ai ishte një multi instrumentist që kishtë lënë gjurmë në jetën muzikore të emigrantëve nga shumë vende të Ballkanit.Është e vërtetuar se ai ishte mjeshtër në shumë instrumente si: Klarinetë, Oud, llautë, lauto, ishte njëkohësisht instruktor dhe pronar i pavarur. Orekstra e tij ishte pjesë e skenave të klubeve të natës dhe ishte shumë i kërkuar nga komunitetet shqiptare, turke, greke, madje dhe armene në Avenunë e 8-tënë Neë York City nga mesi i shekullit 20-të deri në vitet ’60.

Ka të dhëna se Ajdin Asllan në vitet ’30 dhe ’40 të shekullit të shkuar ka bërë disa incizime që i dhanë famë. Dikur, ai ka pasë dhe një dyqan të njohur, që tregtonte pllaka me muzikë ballkanike. Dyqani ishte në 42 Rivington në anën e ulët dhe me pas, përfundimisht u vendos në 27 street, mes avenusë 7 dhe 8. Prodhimet e tij shënoheshin me inicialet me etiketën “Me-Re-Rekorde Shqiptare.”

Le të kthehemi tek Hymni i Vatrës. Vargjet shprehin shpresën se lindja e Vatrës do të shkallmojë errësirën dhe skllavërinë, do të sjell një diell plot shkëlqim. Hymni bën thirrje për bashkim rreth Vatrës.

Ja vargjet e plota:

HYMNI I VATRËS

Vëllezër u dërmua

Errësir’ e Skllavërisë.

Lindi me dirsë nderi,

Një djellë plot gëzim

Vatra kështjell’ e dashur,

E mëmë Shqipërisë

Me dashuri na mblodhi,

Rreth Shkabës në mërgim.

Për dashuri dhe për bashkim,

Rreth Vatrës të pa ndarë!

Bashkohuni me një mejtim,

Si burra shqiptarë!

(Autor:Dalip Greca- Arkivi i Diellit, 2011)

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: dalip greca, enigma e Hymnit, te Federates Vatra

100 VJET NGA GJENOCIDI I USHTRISË DHE XHANDARMËRISË MALAZESE NË LUG TË BARANIT

August 6, 2013 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/

Njëqind vjet më parë ushtria e Malit të Zi nën udhëheqjen e kriminelit Sava Llazareviq, i quajtur në popull Savë Batarja, në muajn prill të vitit 1913, në Lug të Baranit te Pejes dhe në pjesët tjera të Dukagjinit te Kosoves, bëri  terror të rëndë fizik e psikologjik të përmasave gjenocidiale. Pas okupimit  nga Serbia dhe Mali i  Zi në vitin 1912, Kosova nga pushtuesit u nda në zona të interesit. Mali i Zi mori pjesën më të madhe të Dukagjinit ( kufiri malazezo- serb  kapej nga burimi i Drinit të Bardhë dhe kalohej deri në rrjedhën e lumit Erenik në Dri dhe ngjitej pastaj nga ana e djathtë e Erenikut drejt Bogiqes), ndërsa pjesën tjetër të Kosovës, Serbia. Si pasojë e dhunës, qindra familje shqiptare iu kapën maleve të ashpra plot borë, duke lënë pas gra, fëmijë e pleq të vdekur, si dhe shtëpi të djegura dhe të shkatërruara.

Krimet masive filluan në fundin e dimrit të vitit 1912, me ardhjen e Avro Cemoviqit, komandant i ushtrisë së Malit të Zi. Qeveria e Kral Nikollës në këtë kohë lëshoi një ultimatum ku ftoi tërë popullatën e Lugut të Baranit të braktis kombin dhe të konvertohej në fenë ortodokse. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend një citat të Dr. Zekeria Canës, lidhur me këtë ngjarje: ” Më 5 prill 1913 Sava Llazareviq me forcën e tij doli në Kryshec të Lugut të Baranit, mblodhi popullin, kërkoi të shkonte drejt në kishën ortodokse për t’ u kryqëzuar dhe kur askush nuk iu bind urdhërit të tij, pushkatoi 12 fshatarë. Në fshatin Kpuz vrau edhe 8 të tjerë, kurse në Dobërdol, Myftar Elezi u masakrua me bojanetë.  Ekzekutimet vazhduan edhe në fshatrat tjera të Lugut të Baranit”. Në valën e këtij terrori, Sava Llazareviq, pasi i kishte detyruar të hapnin vetë varret, pushkatoi 14 fshatarë të Baranit të Epërm.

Urdhërin e autoriteteve malaziase për ndërrimin e kombësisë dhe fesë e kishte refuzuar në mënyrë të prerë edhe Bajraktari i Vranocit, duke u përkujtuar atyre se kjo “ishte punë që s’ bëhej kurrë”  dhe se nderi është mbi të gjitha. Pas refuzimit, krimineli Sava Llazareviq urdhëron Bajraktarin që gjithë Bajrakun e tij ta tubonte: gra, burra e fëmijë dhe t’i dërgonte për t’ u konvertuar dhe pagëzuar në njërën nga kishat ortodokse në Pejë. I ndodhur ngusht, kur popullata shqiptare s’ kishte armë për t’ u mbrojtur, Bajraktari i Vranocit, autoriteteve malaziase u thotë se ” territori i tij është i madh dhe nuk ka mundësi ta tubojë popullin për tri ditë, siç theksohej në ultimatum.

Mirëpo,nën kërcënim të vazhdueshëm të vrasjeve masive të fshatarëve të Lugut të Baranit- popullata shqiptare e kësaj pjese të Dukagjinit u nis për në Pejë, ku te Ura e Gurit, i pritnin xhelatët- ushtria dhe xhandarmëria malazeze, si dhe priftërinjtë ortodoksë që kur të kalonte turma shqiptare ta stërpiknin atë me “ujë të bekuar”. Kësaj mase që po lëvizte drejt qytetit të Pejës u prinin Sali Bajraktari dhe Arif Halili, burra të guximshëm me ndjenjën e thellë kombëtare. Pas shumë provokimesh, gjatë rrugës, nga banorët serbë e malazezë, kjo masë e madhe shqiptare arriti tek Ura e Gurit. Mbi urë ushtria malazeze, të riut Zenel Bajraktarit i fut dhunshëm në duar flamurin malazes, duke e detyruar atë që ta puthte dhe ta mbështillte rreth ballit. Mirpo, i riu nga Vranoci, në vend se ta zbatonte urdhërin, ai e hedh flamurin në tokë dhe, me të dyja këmbët, aq sa kishte fuqi e shkelmon dhe e bën copë mbi copë. Pas këtij akti heroik, xhandarmëria filloi ta kërkonte Zenelin, ndërkohë që para bojanetave të forcave malaziase doli Sali Bajraktari, i cili me një vendosmëri të prerë u thotë” Unë jam organizator dhe unë përgjigjem për këtë popull të pafajshëm- nuk ndërrojmë kurrë as komb as fe”.  Pas këtij qëndrimi stoik, xhandarmëria ekzekutoi menjëherë Sali Bajraktarin e Vranocit dhe Arif Halilin nga Poçesta, të cilët më guxim kundërshtuan politikën gjenocidiale të Kral Nikollës, kundër popullit shqiptar. Pas 87 vitesh u zbuluan vorret ku preheshin trupat e tyre te pushkatuar nga forcat malazese. Ky akt heroik dhe aktet tjera të ngjashme në Lug të Baranit- dhe mbarë Dukagjinin, bënë që të dështojë skenari i turpshëm i Podgoricës. Edhe pas kësaj drame, krimet e ushtrisë malazeze mbi popullatën shqiptare vazhduan bashkë me ushtrinë serbe në gjithë Kosovën. Ky është një tregim i shkurtër i kësaj tragjedie të ndodhur para 100 vjetësh. Drama e tragjedi të tilla brenda kësaj distance kohore, Kosova ka përjetuar në vazhdimësi nga politika fashiste serbo-malazese.

Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në vargjet e kësaj kënge:

 

Haj medet për Lug të Baranit,

n’ kam asht çue Savë Llazari,

Savë Batarja në kam asht çue,

Don shqiptarëve fenë me u ndërrue,

N’ Baran të Epërm, Sava asht shkue…

… Katërmdhet’ burra i ka bashkue,

në Shpat të Baranit na i ka çue,

i ka shtie vorret vetë me i marue,

të katërmdhetit i ka pushkatue.

Kqyr tash Sava çka ka punu

Ai me topa paska gjue,

Në Vranoc gjylet na i kanë shkue,

Krejt Vranoci asht tmerrue,

Janë ndal burrat, janë besatue

Mandej rrugën e kanë fillue

Këtij populli kush i prini?

Sal Bajraktari, Arif Halili…

Nuk po donë në kish me hi

“Bajraktar thonë me na pri

në të zezën Pejë po donë me hi”.

Nën përkujdesjen e presidentit të Kosovës  Dr. Ibrahim Rugova,  në Vranoc dhe në Pejë, në vitin 2003 u përkujtua 90 vjetori i gjenocidit malazes mbi popullatën e Lugut të Baranit. Në shënimin e këtij përvjetori të  kësaj ngjarje të tmerrshme, morën pjesë mbi 5000 vete nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe ambasadori amerikan William Walker, që popullit tonë i kujtohet për fjalët e thëna në Reçak, në janar të vitit 1999, ku vrasjen dhe masakrimin e 45 shqiptarëve  nga policia dhe ushtria serbe e cilësoi si vepër kundër njerëzimit.

Shtrohet pyetja, ku ndodhemi sot si komb, 100 vjet pas kësaj ngjarje mizore në Lug të Baranit?

Pas shumë përplasjeve dhe fustrimeve njëshekullore, me lehtësi mund të konstatojmë se shqiptarët asnjëherë s’ kanë qenë në pozitë më të mirë politike e kombëtare, të orientuar thelbësisht nga Evropa dhe SHBA. Sot Shqipëria është në NATO  dhe kandidate për t’ u bërë anëtare e plotë me të drejta të barabarta me vendet e Bashkësisë Evropiane. Në anën tjetër, Kosova, e cila deri në vitin 1999 ishte e robëruar, fitoi lirinë, ndërsa më 2008 u bë shtet i pavarur dhe sovran, e sigurt për të ardhme evropiane dhe në rrugë për të hyrë në NATO. Mendoj se Tirana dhe Prishtina  duhet të punojnë më shumë për një pozicion më të fortë politik e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi. Prandaj sot shqiptarët ndodhën krejt ndryshe nga e kaluara e tyre e hidhur historike, duke i hapur vetes  perspektivë, mirëqenie sociale, forcim të demokracisë në frymën evropiane, euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur integrues. Sot, 100 vjet pas, shqiptarët ndodhen të grumbulluar në një komb dhe në dy shtete, me një numër shumëfish më të madh të banorëve dhe me një potencial më të madh intelektual e kreativ për ta çuar kombin drejt një zhvillimi e integrimi evropian. Në rrethana tjera gjeo- politike, shqiptarët mund të jetojnë në një shtet të vetëm etnik. Jam i sigurt se koha po lëviz në anën tonë.

Të gjithë e dimë se pa mbështetjen e SHBA-ve ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Pra, shumë mrrekulli ndodhen për shqiptarët në këtë relacion miqësie me Washingtonin. Dhe mu për këtë arsye, shqiptarët kanë një dashuri të thellë ndaj Amerikës, tash e 100 vjet. Ky shtet i fuqishëm na ka mbështetur në ditët më të vështira të ekzistencës sonë, kur të tjerët përpiqeshin të na fshinin nga Ballkani. Në vendosjen e lidhjeve dhe forcimin e kësaj miqësie me SHBA, merita më e madhe u takon shqiptarëve të Amerikës, si më parë, ashtu edhe sot.

Në fund të këtij shkrimi, dua të them një konstatim : Ne, kurdoherë, si sot ashtu edhe në të arshshmen, duhet të përkujtojmë sakrificën e popullit tonë për liri dhe kjo sakrificë duhet të jetë motiv i vazhdueshëm që të ecim përpara si komb dhe në asnjë mënyrë të mos lejojmë që tragjeditë e së kaluarës të na kthehen.

* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria

Filed Under: Histori Tagged With: genocidi, harry bajraktari, i udhtrise malaziase, ne Lug te Baranit

U përkujtua 100 vjetori i masakres serbe kunder shqiptareve ne Qafë të Gostivarit

August 5, 2013 by dgreca

100 vjetori i masakrës serbe mbi popullatën shqiptare në fshatin Qafë të Gostivarit, është përkujtuar me një manifestim të mbajtur në këtë fshat dhe të organizuar nga Komuna e Gostivarit dhe e Kërçovës.

Manifestimin e hapi banori më i vjetër i këtij fshati, banori 82 vjeçar Ismail Rexhepi, kurse theks i veçantë gjatë manifestimit ju kushtua heroinës së kësaj ngjarje, 18 vjeçares Sulltanë Qafa e cila 100 vite më parë e gjendur para një tmerri që po shkaktonin bandat e çetnikeve serb.

Në fjalimin e tij, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta potencoi se ky katund ju takon dy komunave, Gostivarit dhe Kërçovës dhe se paraqitet si krenaria jonë e përbashkët.

“Ne jemi popull shumë i vuajtur, nuk ka shtëpi shqiptare që nuk është torturuar dhe masakruar nga sunduesit e huaj. Nëpër tokat shqiptare kanë kaluar sundues të huaj, qëllimi ka qenë për të na zhdukur. Në aspektin historik jemi kombi më i vjetër, jemi kombi më i ngritur, jemi kombi më i ditur, i takojmë kohës antike. Të tjerët, duke ardhur në tokat tona, për të na i marrë pasurinë tonë kanë bërë masakrime të paparapara në historinë e njerëzimit. Këtë masakrim nuk e duroi Sulltana e Qafës dhe prandaj ajo është heroina e atdheut dhe e respektuar jo vetëm nga banorët e Kërçovës dhe Gostivarit, por nga e gjithë shqiptaria. Sulltana e Qafës, si hero e kombit u takon gjithëve shqiptarëve. Kurse neve si udhëheqës, si qeveritar, na jepen obligime që ne ta çojmë amanetin e dëshmorëve të kombit në vend dhe sa të jetë jeta, në do të punojmë në interes të atdheut, në interes të kombit se shpirtrat e tyre nuk do na lejnë rehat, do na ndjekin deri sa të realizohet amaneti i tyre. Të bashkuar duke mos u përçarë në do ta realizojmë amanetin e të gjithëve dëshmorëve”, tha mes tjerash Bejta.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, theksoi se kjo histori i takon shekullit të kaluar, por ne jemi shekulli që do ta përjetësojmë kujtimin e dëshmorëve të asaj kohe.

“Si çdo trevë shqiptare edhe kjo treva jonë gjatë rezistencës tonë shekullore, përveç atdhetarëve të spikatur dhe të mëdhenj nxori edhe një vajzë trime dhe të guximshme, e cila me heroizmin e saj iu bashkëngjit ushtrisë shqiptare të nënave dhe motrave tona që pareshtur kanë dhënë jetën për lirinë tonë. Sulltana jonë e madhe është pasardhëse e vijës heroike të nënave tona që nga mbretëresha Teuta, Elena Gjika, Bublina e Çamërisë si dhe Shotë Galica dhe Xheva jonë e madhe, bashkëshortja e heroit tonë të madh Femi Lladrovcit. Në këtë vit kujtojmë atë vit të mbrapshtë të 1913-ës, dhe jemi koshient se nuk do të lejojmë kurën e kurës që të përsëritet pushtimi i tokave tona. Ne jemi rrugës së mbarë, që padrejtësitë e shekullit të kaluar ti japim fundin që e meriton dhe ardhmërinë tonë ta kurorëzojmë me lirinë e çdo cepi të atdheut tonë”, tha Dehari.

Doktori i historisë, Ilmi Veliu, tha se e veçanta e këtij manifestimi është fakti se po organizohet zyrtarisht dhe për herë të parë nga drejtuesit e dy komunave shqiptare, Kërçovës dhe Gostivarit.

“Qafa është fshat me histori Ilire dhe përgjatë shekujve, askush nuk ka arritur të ja ndryshojë emrin. Sot është kufiri midis Kërçovës dhe Gostivarit. Në Iliri ka qenë kufiri mes Dardanisë dhe Penestisë kurse më vonë mes Vilajetit të Kosovës dhe Manastirit. Sulltana e Qafës është heroinë njëjtë si Mbretëresha Teuta dhe Shote Galica, por dallon në një gjë. Ajo nuk kishte as armatim si Shote Galica as mbretërinë e Teutës, por me gërshërë mori hakun për popullin e vet”, tha Veliu.

Manifestimi kaloi nën frymën e programit kulturor dhe artistik që në skenë e sollën shoqëri kulturo artistike dhe solistë të Gostivarit dhe Kërçovës.

Në fund u ndanë edhe mirënjohje për personalitete të cilët në një formë kanë dhënë kontributin e tyre, në mesin e të cilëve edhe për kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta dhe kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari.(BS)

 

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjetori, en qafe et Gostivarit, i masakres serbe, u perkujtua

Sali Hallkokondi në krah të Ismail Qemalit

August 5, 2013 by dgreca

Nga Prenjo Imeraj / New York/

Dy gjëra madhore bien me një herë në sy, kur lexon monografinë interesante të Bardhosh Gaces kushtuar kësaj figure me përmasa historike:

1. Si është e mundur, që kaqë gjatë është lënë në harresë një figurë aq e madhe enciklopedike si ajo e Sali Hallkondit!?

2. Vdekja e tij e parakohëshme, me vrasje makabre, në kulmin e moshës, për veprimtari intelektuale dhe atdhetare (ka jetuar vetëm 49 vjet)!…

          Gazetari dhe publicisti i njohur Bardhosh Gaçe është treguar shumë i guximshëm dhe mjaft këmbëngulës në hulumtimin e jetës dhe veprimtarisë së Sali Hallkokondit, kur për këtë intelektual të mirëfilltë dhe atdhetar i flaktë për çështjen kombëtare nuk ishte e shkruar asgjë jo vetëm nga koha e mbretit Zog, që dyshohet se e ka groposur vetë Sali Hallkokondin, por as gjatë regjimit komunist e madje edhe në fillimet demokratike në Shqipëri.

          Ka qenë fat i madh interesimi i ish kryetarit të Akademisë së Shkencave Aleks Buda në Vlorë në vitin 1983, lidhur me librin: “Historia e Shqipërisë” të Sali Hallkokondit, si edhe “Fjalorin e Labërisë” e ndonjë dorëshkrim tjetër të lënë në nga ai jurist dhe publicist i njohur… E quajmë fat se në ato vite e shoqja e Sali Hallkondit, Lutfia dhe djali i tij Eteri, jetonin ende në Tiranë, në derën e të cilëve, autori i kësaj monografie, trokiti në vitin 1985, pasi e gjeti me shumë vështirësi… 

          Gjithkush që e pat njohur Sali Hallkondin, në shkollë apo në punë, në përpjekje apo luftë gjatë ngjarjeve madhore  për fatet e Kombit Shqiptar, në jetë e shoqëri, në familie e fisin e tij të gjërë, kanë folur dhe shkruar me admirim të veçantë… 

Tek Sali Hallkokondi të tërhiqte pamja e tij prej kreshnikësh të trashëguar nga babai i tij Beqir Hallkokondi, syri i mprehtë e vigjilent, që karakterizon jo vetëm fisin e tij, por edhe tërë Vranishnjotët, të dalluar për trimëri, besnikëri dhe fisnikëri.   Vetë emri Vranisht që mban fshati i tij i lindjes, në krahinën e Labërisë të rrethit të Vlorës, mbart në vetvete ngjarje historike të lashta për të zotët e atyre trojeve, të vjetër sa vetë toka…

          I lindur më 14 prill të vitit 1887, në një familie të njohur jo vetëm në fshat e Labëri,  Sali Hallkondi duke u përkundur në djepin tradicional të shqiptarit, do mëkohesh sëbashku me qumështin e gjirit të nënës edhe me ninullat për kreshnikët dhe heronjtë atyre anëve: kapedan Zenel Gjoleka, Cane Miftari, Lulo Abaz Mehmeti, Selim Hasani, Dervish Aliu, Lilo Qendro, Mete Çobo, Leskodukajve të Bolenës, e të tjerët, “të cilët dilnin nga këngët epike duke shkrepëtitur me krisma rrufeshë për luftrat kundër hordhive osmane, në mbrojtjen e trojeve shqiptare”.

          Beqir Hallkokondi(i ati i Saliut) vdiq pa pritur në vjeshtën e vitit 1894.  Padyshim në vdekjen e tij të parakohëshme, ndikoi plaga që kishte marrë në luftën e Lëkurësit, për kundë hordhive otomane dhe vuajtjet në burgun e Beratit.   Sali Hallkokondi mbeti jetim në moshën 7 vjeç sëbashku me dy vëllezërit: Novruzin 9 vjeç dhe Bajramin 4.  Të tre fëmijët u muarën në kujdesin e xhaxhallarëve të tyre: Hakan dhe Elmaz Hallko, blegtorë të zot e të dëgjuar në tërë krahinën e Lumit të Vlorës.

          Të dy vëllezërit, më të vegjëlit, Saliu me Bajramin, pasi patën ndjekur mësimet në vitet e para të mejtepit  të fshatit, nën kujdesin e miqve të families : Isa Isarai, Beqir Sulo dhe Haxhi Muameti, për shkak të zisë së bukës që ra në sanxhakun e Beratit, i muarën në Vlorë, për kujdesje.  Vitet e tjera të shkollës i muarën në Muradie, duke u edukuar edhe me frymën e punës, pasi pushimet shkollore nuk i kalonin kot, por punonin nëpër ullishtat e Agallive.

          Me ndërhyrjen e Haxhi Muametit, në vjeshtën e vitit 1899, Sali Hallkokondi shkoi në Janinë për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme tradicionale të atij qyteti. Aty u njoh dhe zuri miqësi me Ali Asllanin dhe shumë bashkatdhetarë nga shumë vise të Shqipërisë.  Në vitin e tretë të shkollës, nëpërmjet atdhetarëve Kadri Gjata dhe Isuf Bushi, filloi të përfshihej në lëvizjen kombëtare të kohës.Librat shqip të ardhura nga Bukureshti dhe Kajrua filluan t’i shpërndanin në Progonat, Kuç, Mesaplik dhe Vranisht.

Në vitet 1904-1905 ai u rregjistrua në shkollën e lartë në Stamboll për të ndjekur studimet në degën e Shkencave Politike-Juridike-Administrative.Qe  fat i madh se, kur u vendos në Stamboll, u bë shok dhome me Ali Asllanin dhe Gani Tafilin, në rrugën e Gallatës.  Nëpërmjet Mulla Xhafer Drashovicës, që banonte pranë tyre, u njohën me Tahir Bej Vlorën, djalin e Ismail Qemalit dhe Telha Bej Vlorën, të cilët vazhdonin studimet për mjekësi dhe, pak më vonë edhe me Sali Nivicën, i cili për ca kohë shërbeu edhe në “Robert Kollezh” të Stambollit si mësues.

Në vitet 1907-1908 Sali Hallkokondi nisi bashkëpunimin me gazetat shqiptare që botoheshin në Kajro, Boston dhe Bukuresht. Duke ndjekur me vemendje ngjarjet e reja ndërkombëtare dhe, sidomos situatën në Ballkan dhe fatin e vendit të tij të dashur, Shqipëri…  Kështu filloi të kuptonte edhe më mirë regjimin despotik të Stambollit.

Në prill të vitit 1908, për shkak të një letre që i kishte dërguar Ali Asllanit, në atë kohë me punë në administratën e Janinës, u thirr nga xhandarmëria e Gallatës, ku ju tërhoq vemendja për pjesëmarrjen në grushtin e shtetit dhe bashkëpunim me klubin atdhetar “Bashkimi” të Janinës.  Kjo gjë shumë shpejt u la në heshtje, pasi me fitoren e Xhonturqve në korrik 1908, fillimisht ai u bë përkrahës i tyre, duke shpresuar në reformat e reja që do të merreshin, për liri, barazi dhe vëllazërim, për gjithë popujt e perandorisë…  Nga amnistia e  Portës së Lartë  më 5 gusht 1908, pëfitoi edhe ish i burgosuri politik Ismail Qemali, i cili pak më vonë u zgjodh deputet në parlamentin e ri turk, për sanxhakun e Beratit.  Qysh nga ajo kohë ai nuk u nda nga rruga e plakut të Vlorës, për çështjen kombëtare.

Në janar 1909, Sali Hallkokondi e la Stambollin dhe, u emërua stazhier në gjykatën e Kretës, Beratit dhe Vlorës.  Në të njëjtën kohë, nëpërmjet Ibrahim Abdullaut, u lidh me klubin “Labëria”, kryetar i  të cilit ai ishte, sëtoku me miqtë e tij Memo Meten dhe Pasho Ramadanin.  Ky klub e kishte shpallur Ismail Qemalin president nderi.

Qëndrimi xhonturk i klubit “Bashkim e Përparim” në Vlorë dhe izolimi nga xhonturqit i Isamail Qemalit si i burgosur në shtëpinë e tij, bëri që Sali Hallkokondi të distancohet menjëherë nga xhonturqit.  Në kuadrin e veprimtarisë atdhetare të klubit “Labëria” , Saliu u tregua shumë aktiv duke vendosur marëdhënie dhe bashkërendim veprimesh me klubet e tjera atdhetare në Delvinë, Gjirokastër, Korçë, Janinë, Filat, Manastir, Bukuresht, Kajro, Sofje e  gjetkë.   Kur xhonturqit në Vlorë i shtuan raprezaljet ndaj tij, Sali Hallkokondi u largua nga Vlora dhe u vendos në vendlindje, ku qendroi deri në nëntorin e atij viti(1909).

Me ardhjen e djalit të Ismail Qemalit në Vlorë, Qazim Beut, Sali Hallkokondi u tregua shumë aktiv, në mbrojtje të figures së Plakut të Vlorës, ndaj intrigave dhe shpifjeve të Ferid Pashë Vlorës, që nxiste farefisin e tij, për kundër Ismail Beut.   Po atë vit, në Vlorë u krijua një komitet, për të ndihmuar shqiptarët kryengritës në Kosovë dhe viset veriore të vendit, anëtar aktiv i të cilit ishte edhe Sali Hallkokondi.  Kryetar i atij komiteti, që në fakt ishte Komiteti pë “Lirinë e Shqipërisë” ishte djali i Ismail Qemalit, Qazim Beu.  Në vitin 1911  komiteti i fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”vendosi lidhje me Ismail Qemalin dhe kryengritësit në Kosovë.

Në korrik 1911, Sali Hallkokondin është pjestar aktiv, i Kuvendit të Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçes,  për shpërthimin e kryengritjes Vlorë-Mallakastër, nëpërmjet së cilës, Portës së Lartë ju shtruan disa kërkesa për interesat kombëtare.  Gjatë asaj lufte, Sali Hallkokondi sëbashku me kapedan Sali Muratin, u rreshtuan në çetën e komanduar nga luftëtari i shquar Zançe Xhelo, tok me 29 vranishnjotë të tjerë.

Në verën e vitit 1912, do e shohim Sali Hallkokondit të përfshihet në kryengritjen tjetër. Si shkak i asaj kryengritje ishin edhe zgjedhjet për deputet në parlamentin turk dhe, ajo përfshiu të gjitha trevat shqiptare.  Pas kësaj kryengritje, qeveria xhonturke u detyrua të japë dorëheqjen më  17 korrik 1912.  Në muajin gusht, Ismail Qemali hyri në Shqipëri dhe organizoi në Fier një takim me parësinë e Vlorës, Fierit, Beratit, Skraparit, Lushnjës, Mallakastrës dhe Tepelenës, ku i pranishëm ishte edhe juristi Sali Hallkokondi.Në këtë kuvendim, Hasan Prishtina u propozua delegat i tyre, në bisedimet shqiptaro-osmane në Prishtinë, për zgjidhjen e kërkesave që kishin kryengritësit shqiptarë. 

Vjeshta e vitit 1912 solli Luftën Ballkanike, e cila në qendër të saj kishte si qëllim bashkimin kombëtar të  popujve ballkanikë, por fatkeqësisht kjo luftë u zhvillua nën synimet dhe lakmitë grabitqare kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë, sidomos dualën në pah më shumë planet grabitqare të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.  Në një mbledhje që u bë n’atë kohë, midis atdhetarëve vlonjatë erdhi edhe Et’hem Beu, djali tjetër i Ismail Qemalit.  Aty u deklarua: “të marrim armët dhe të mbrojmë mëmëdhenë tonë”, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë.

Në fillim të muajit nëntor, “komisioni i Vlorës”krijoi qendrën administrative, në fshatin Shkozë, duke u bërë një mbështetje e fuqishme me armatime, municione e ushqime për frontin e luftës në Janinë dhe krahinat e tjera të Vlorës.  Kjo qendër, antar i shtabit drejtues të cilës ishte edhe Sali Hallkokondi funksjonoi deri në pranverën e vitit 1913.      

     Me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, Sali Hallkokondi ishte pranë Ismail Qemalit, në mbështetje te Qeverisë së Vlorës të sapo krijuar.  Ai kishte një respekt dhe dashuri të madhe për Ismail Qemalin, të cilin e pat njohur në ditë të vështira.  Ja se si do të shprehej Sali Hallkokondi për këtë ngjarje të madhe: “Kongresi Kombëtar çoi nëpër duar të Plakut të Madh flamurin kombëtar madhështor, i cili  qe i përunjur prej robërisë, atë zhgabë kryelartë , që armiqtë nuk e kishin lënë të flutront lirisht në ajrin e qëruar të Atdheut…” Si jurist, Sali Hallkokondi dha kontribut të çmuar për problemet administrative të qeverrisë së Vlorës, sidomos në ndërtimin e administrates lokale: prefekturave, nënprefekturave, kryekatundarive etj., duke u mbështetur në shembullin e Austrisë, Italisë dhe Rumanisë.  Për këtë qëllim, ai punoi një kohë relativisht të gjatë në administratën e kryekatundarive.

Kur Esat Pashë Toptani dhe pasuesit e tij, filluan ti vendosin shkopinj nën rrota Qeverisë së Ismail Qemalit, Sali Hallkokondi, nëpërmjet gazetës “Përlindja e Shqypnies” botoi shumë artikuj, kundër veprimtarisë përçarëse antikombëtare të Esat Pashë Toptanit dhe përgatitjen e forcave ushtarake të tij kundër Qeverisë së Vlorës.

Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i Kryeministrit të Qeverisë së Vlorës, pasi përjetoi gjëndjen e rëndë të Vlorës në ditët e “Komplotit të Beqir Grebenesë’, e kurdisur nga Fuqitë Europiane, për eliminimin politik të Ismail Qemalit, e trishtoi Sali Hallkokondin, i cili do të shkruante më pas: “Kryetari i Qeverisë së Përkohëshme z.Ismail Qemal duke  parë ndryshimet, përçarjet dhe trubullimet që ngjan si më parë ashtu edhe në kohët e fundit dhe duke e gjykuar se Shqipëria ndodhet e qarkuar midis shumë rreziqeve, mbasi u mendua gjatë e gjërë mbi responsabilitetin që mund të sjellin përfundimet e çështjeve të tmerruara, vendosi që t’iu jap fund punës me një mënyrë të pëlqyer…”

Me gjithë vështirësitë e mëdha të Ismail Qemalit dhe Qeverisë së Përkohëhme të Vlorës, Sali Hallkokondi u qendroi tërë jetën besnik idealeve të mëdha kombëtare të plakut të urtë e fisnik, që dëshironte të ndërtonte një Shqipëri europiane e modern.  Me largimin jashtë vendit të Ismail Qemalit, ai asnjëherë nuk e ndërpreu korespondencën me letra me të, sidomos në situatat e vështira që u krijuan gjatë qeverisjes se Princ Vidit dhe më pas.

Kur në vitet 1914-15 ndodhi drama e madhe e muhaxhirëve shqiptarë për rreth Vlorës, për shkak të raprezaljeve të ushtrive greke nëpër fshatrat e tyre në Shqipërinë jugore dhe, kryengritjes fshatare në Shqipërinë e mesme kundër Princ Vidit, Ismail Qemali u shkëput për pak kohë nga Franca ku qe vendosur dhe, erdhi në Vlorë.  Ai u prit dhe rrethua me ngrohtësi prej bashkatdhetarëve dhe bashkpunëtorëve te hershëm të tij, midis të cilëve ishte edhe Sali Hallkokondi.  Sëtoku me ta, më 30 qershor 1914 ai shkoi në një takim me Princ Vidin në Durrës.

Në “kuvendin” e Vlorës që u mbajt më 15 korrik 1914 në Vlorë, ku Ismail Qemali mbajti një fjalim të gjatë, lidhur me gjendjen e rëndë të krijuar, Sali Hallkokondi ishte njëri nga organizatorët dhe anëtarët më aktivë të atij kuvendi.  Fill pas atij kuvendi, ditët e para të gushtit 1914, në Vlorë bëri një vizitë edhe albanologia e shquar angleze Edit Durham, së cilës ju dhurua një penë floriri dhe u shpall “Qytetare Nderi e Vlorës” për punën e saj të çmuar në dobi të çështjes kombëtare shqiptare…

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, i dha një goditje të rëndë shtetit të pa varur shqiptar.Fuqitë ndërluftuese ballkanike, duke shfrytëzuar edhe grindjet e brendëshme, filluan copëtimin e trojeve të saj.  Kryengritësit rrebelë, iu drejtuan edhe Vlorës.  Gjëndja u bë edhe më kritike.  Atdhetarët Vlonjatë me Sali Hallkokondin midis tyre, pasi u këshilluan nga larg me Ismail Qemalin, pranuan të nënshkruajnë një marrëveshje me rrebelët, sepse rezistenca me armë ndaj tyre, do shkaktonte jehonë të madhe ndërkombëtare , gjë që do të rrezikonte ekzistencën tonë kombëtare.  Në të njëjtën kohë, Sali Hallkokondi me shokë bënë ç’kishin në dorë, për të zbatuar porosinë e Ismail Qemalit, që në Vlorë të mbahej i ngritur Flamuri Kombëtar dhe të mos ngrihej flmuri turk, që mbanin rrebelët, ashtu si edhe ndodhi në të vërtetë:  Flamuri kombëtar valëvitej mbi kokat e rrebelëve dhe Vlorë nuk u shkatërrua nga bandat.

Nga fundi i nëntorit 1914, Sali Hallkokondi me disa atdhetarë të tjerë, për ti shpëtuar raprezaljeve të ushtrisë së Mustafa Ndroqit, u larguan për disa ditë në Itali.Prej andejë u kthyen në mezin e muait dhjetor.

Kur Italia zbarkoi me forcat e saj në Skelë, më 25 dhjetor 1914, Sali Hallkokondi do të deklaronte: ”Opinioni publik i popullit fort i dëshpëruar me shkak që kuptoi fort mirë qëllimin e politikanëve të Italisë, të cilët në kuvendimet verbale tregonin vazhdimin  e një politike të dobishme në të drejtat kombëtare, por mbanë tjetër, veprimet, punërat dhe qëllimet e tyre të shfaqura ua siguronin politikën e tyre grabitësve dhe pushtuesve krejt në dëm të humbjes e interesit kryesor të kombit shqiptar…”

Nga vitet 1916-1921 Sali Hallkokondi si shumë intelektualë atdhetarë të shkolluar në Stamboll, Kajro, Vjenë e gjetkë, u përfshi në disa shoqëri kulturore e atdhetare, të cilat kanë luajtur një rol të veçantë në rritjen e ndërgjegjes kombëtare në qytetin e Vlorës dhe krahinat e saj.  Ndërkaq, në vjeshtën e vitit 1916, forcat e ushtrisë franceze të Armatës së Lindjes hynë në Korçë, ndërsa  ushtria italiane e shtriu zotërimin e vet në krahinën e Gjirokastrës, duke larguar që andejë, pushtuesit grekë dhe, në muajt e parë të vitit 1917, ajo u shtri edhe në Sarandë dhe Ersekë,ku tek Qafa e Qarrit u vendos kufiri me ushtrinë franceze.

Në shkurt 1918 me inisjativën e Halim Xhelos, Sali Hallkokondit, Zaçe Xhelos dhe Laze Malos, u  krijua shoqëria “Opinga”, rregulloren e së cilës e hartoi vetë Saliu dhe që kishte si qëllim organizimi n e luftës për kundër pushtimit Italian.  Rrezia e veprimit të kësaj shoqërie u shtri në Dukat, Kurvelesh, Topallti e deri në krahinën e Kudhësit me tendencë për shtrirje të më tejëshme në Sevaster, Nivicë e gjetkë.                                                                                      Në korrik të vitit 1918 Sali Hallkokondi sëbashku me të vëllanë, Bajram Hallko, një ushtarak i zoti dhe atdhetarë të tjerë, midis  të cilëve edhe Avni Rustemi, që në atë kohë ishte mësues në Vlorë, themeluan në atë qytet shoqërinë patriotike “Djalëria e Vlorës”, e cila synonte në rritjen e frymës antiimperialiste kundër pushtuesve italianë.   Kjo shoqëri ra shpejt në sy të “Zyrës Politike për Çështjet Civile”.  Kryetari i saj Ugo Kapialbi thirri, midis të tjerëve edhe Avni Rustemin dhe Sali  Hallkokondin, duke u tërhequr vemendjen…         “për ruajtjen e qetësisë nëpër qytete e katunde”.  Megjithatë, 28 nëntori i vitit 1918, që shënonte 6 vjetorin e ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, u kremtua me demostratë të madhe, fillimisht  me nxënësit e shkollave të qytetit dhe pas tyre me qindra qytetarë tjerë, me në krye drejtuesit e shoqërisë “Djalëria e Vlorës”.  Me  Flamurin Kombëtar në ballë marshuan nëpër rrugë, duke qendruar disa çaste edhe në sheshin përpara prefekturës, ku midis të tjerëvë foli edhe Bajram Hallkokondi.  Tek sheshi historik  flamurit, u manifestua gjatë, duke kënduar këngë patriotike dhe, ku folën edhe Halim Xhelo, Avni Rustemi, Jani Minga e tj.  Po në atë shesh Bajram Hallkokondi do të deklaronte me pikëllim se:  “Më vjen shumë hidhur që sot në këtë festim të shenjtë rreth flamurit kombëtar, gjenden më shumë italianë se shqiptarë…, por shqiptari nuk trembet kurrë nga disiplina e ushtarëve italianë që gjenden rrotull nesh… Toka e bekuar e Vlorës dhe e tërë Shqipërisë është e jona, në të cilën duhet të rrojmë të lirë dhe asnjë fuqi nuk mund të na ndalojë dot nga ky qëllim…”

Pas Kongresit të Lushnjës, nga shkurti deri në maj 1920, Sali Hallkokondi la gjurmë të thella me veprimatarinë e tij nëpër krahina, fshatra dhe qytetin e Vlorës.Sëbashku me atdhetarët e tjerë bashkëkohorë të vjetër dhe të rinj filluan të mendojnë dhe veprojnë për organizimine rezistencës kundër pushtuesve italianë dhe rreziqeve që u kanoseshin trojeve shqiptare.  Në të gjitha takimet që u organizuan për këtë qëllim në Dukat, Tragjas, Kaninë, Brataj, Mesaplik e Vranisht Sali Hallkokondi gjindet sëbashku me Halim Xhelon, Osman Haxhiun, Alem Memetin, Hamit Selmanin, Hamza Isain, e tjerë.  Midis shokëve të tij, Sali Hallkokondi, u bë një orator i flaktë, në mbështetje të Kongresit të Lushnjës dhe sidomos thirrjes që drejtoi kryeministri Sulejman Delvina, në të cilin kërkohej:  “Një besë e përgjithëshme në mbrojtjen e tokave shqiptare”.

Pas mbledhjeve që u zhvilluan në shtëpitë e Abaz Mezinit dhe  Osman Haxhiut në marsin e vitit 1920 dhe krijimit të organizatës “Mbrojtja  Kombëtare”, për përgatitjen e kryengritjes së armatosur, ashtu si edhe atdhetarët e tjerë të Vlorës, Sali Hallkokondi u largua nga qyteti dhe shkoi në vendlindje dhe kryesisht në krahinën e Mesaplikut, për të organizuar njerëzit e asaj zone.                                                                                     Sali Hallkokondi ishte njëri nga organizatorë e Kuvendit të Barçallasë, ku deklaroi se: -“Këta dyfekë që do krisin nën komandën e Osman Haxhiut, do tronditin Europën dhe do të shkruajnë një faqe të re në historinë e Shqipërisë”

Po në këtë kohë, disa pseudoshqiptarë, të nxitur sillogot Vorio-Epirote në korfuz e Athinë, kërkuan shkëputjen administrative të krahinës së Himarës nga trualli amëtar.Sali Hallkokondi, si i dërguari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i bindi ata njerëz, që kjo çështje të lihej për tu zgjidhur pas Luftës së Vlorës.

Në mbledhjen e Beunit, Sali Hallkokondi u caktua në komisionin ushtarak, i cili luajti rol të madh në organizimin e çetave të luftëtarëve në frontin e luftimeve.Deri në krijimin e Prefekturës së Drashovicës, S. Hallkokondi ishte njëri nga këshilltarët kryesorë të komandantit të përgjithshëm të luftës, Ahmet Lepenica.

Me krijimin e qendrës administrative në Drashovicë, me Prefekt Qazim Kokoshin, Sali Hallkokondit ju besua detyra e N/Prefektit.Sekretari saj u caktua Halim Xhelo.

Me fitoren e Luftës së Vlorës më 1920m Sali Hallkokondi u vendos përsëri në qytetin e Vlorës, si jurist në gjykatë.Gjatë kësaj kohe u njoh me At Shtjefën Gjeçovin, i cili ishte famulltar në kishën katolike të Vlorës, sëbashku me Dom Mark Vasën, në të njëjtën kohë edhe anëtarë të komisionit të manifestimeve të fitores së Luftës së Vlorës.Kjo njohje, u shndrua në miqësi të ndërsjellë dhe vazhdoi gjatë.

Kur Avni Rustemi ndodhej i burgosur në Paris, pas atentatit të famshëm, ndaj tradhëtarit Esat Pasha, ndër atdhetarët Vlonjatë, Sali Hallkokondi ishte ndër më aktivët në organizimin e protestave popullore, hartimin e memorandumeve dhe telegrameve, drejtuar gjykatës franceze dhe Ministrisë së Drejtësisë së Francës, pë lirimin e atij biri të shquar të Kombit Shqiptar. Pas lirimit të Avniut nga burgu francez, si i pa fajshëm, në Vlorë ju bë pritje madhështore e organizuar nga shoqëria “Mbrojtja Kombëtare”, ku dy vëllezërit Sali dhe Bajram Hallkokondi, ishin jo vetëm të pranishëm, por mbajtën edhe fjalime të zjarrta…

Në hartimin e falënderimeve drejtuar në emër të popullit të Vlorës, trupit gjykues në gjykatën franceze dhe Avokatit mbrojtës të Avni Rustemit, u zgjodh një këshillë prej 5 vetësh, midis të cilëve ishte edhe S.Hallkokondi.

Më 21 prill 1921, me inisiativëne Avni Rustemit, në Vlorë u zhvillua kongresi i bashkimit të shoqërive shqiptare në federatën “Atdheu”që siç thoshte Sali Hallkokondi kishte në themel tre parime: Moralin shoqëror, ndërgjegjenkombëtare dhe, edukimin e shoqërisë me civilizimin europian.

Në qershorin e po atij viti, filluan barbaritë e qarqeve shoviniste greke, në trevëne e Çamërisë. Sali Hallkokondi, që kishte qenë në Çamëri në vitet 1904-1911,ushqente një dashuri të flaktë për mëmëdhetarët e kësaj treve të nxehtë kombëtare. Ai me shokët e tij kërkuan nga qeveria shqiptare, të ndërhyej në rrugë dipllomatike për ndërprerjen e dhunës dhe të masakrave ndaj popullsisë çame, dhe sigurimin e ndihmave ndaj atyre që kishin ardhur në Vlorë dhe në Sarandë.

Në vjeshtën e vitit 1921 nga qyteti dhe rrethinat e Vlorës u mobilizua një batalion me 400 luftëtarë për ti bërë ballë ushtrisë jugosllave, e cila kishte mësy në Dibër dhe Mirditë.Me këtë batalion u bashkuan edhe Avni Rustemi, Sali Hallkokondi, Agjah LIbohova, Omer Radhima e tj.  Që nga fronti i luftës S. Hallkokondi shkroi disa artikuj për shtypin e kohës me nëntitujt “Vullnetarët luftëtarë vlonjatë”dhe “Vullnetarët intelektualë të Vlorës”

Sali dhe Bajram Hallkokondi, nga mendimi i përgjithshëm politik, ishin të prirur nga nga mendimet e veprimet e Avni Rustemit e Halim Xhelos me forcat e tjera përparimtare, të cilët ishin kundër çifligarëve dhe atyre pronarëve të mëdhenj,që kishin shfaqur veprime antikombëtare e në dëm të interesave të atdheut.  Në këtë drejtim rol të veçantë luante Federata “Atdheu”ku Sali Hallkokondi luante një rol të veçantë.Ai cili kërkonte që, një rol të madh në jetën shqiptare të luanin gratë, për emancipimin e tërë jetës shoqërore. Në këtë kuadër u bë mbështetës dhe përkrahës i organizatës së gruas në Vlorë me kryetare zonjën Marigo Posio, duke e ndihmuar të bijën e saj, Fereniqi Posion, në botimin e gazettes ”Shpresa Kombëtare”, që dilte në qytet.

Në shtator 1921, në krahinën e Mesaplikut me epiqendër Vranishtin shpërtheu gjakmarrja lidhur me pronësinë.Të shqetësuar për këtë ngjarje të rëndë, Halim Xhelo me Sali Hallkokondin organizuan një kuvend me pjesëmarrës nga gjithë fshatrat e zonës, ku u vendos falja e gjaqeve të asaj krahine.

Më 17 Tetor 1922 u themelua shoqëria”Bashkimi”me kryetar Avni Rustemin.  Sali Hallkokondi do e shikonte programin e saj si udhërrëfyes drejt shkatërrimit të mbeturinave feudale dhe, çeljen e rrugës së zhvillimit të marëdhënieve kapitaliste për përparimin dhe qytetërimin e Shqipërisë.  Gjatë asaj kohe, ai ra në kontakt me mjaft intelektualë të krahinave të ndryshme të Labërisë, për të shkruar librin e tij “Histori e Shqipërisë së Re”, i cili pa dritë në qershor 1923, duke tërhequr vemendjen e opinionit publik dhe shtypit të kohës.

Vrasja e Avni Rustemit në Tiranë më 20 prill 1924, ishte goditje e rëndë për lëvizjen demokratike të kohës.  Sali Hallkokondi me shokët e tjerë drejtues të shoqërisë “Bashkimi” bënë një punë të pa lodhur në organizimin e ceremonisë së varrimit të Avniut, duke strehuar mysafirët nga tërë Shqipëria dhe përgatitën qytetin me petkun e zisë. Në të njëjtën koh ata ata i drejtuan një telegram prindërve të Avniut në LIbohovë me këto fjalë: “Fatkeqësia e juaj dhe e jona, na e përfshiu heroin në altarin e lartë pranë Kastriotit e Qemalit. Bashkë ju, djalëria Vlonjate humbet e vajton birin e vlefshëm të Atdheut…”  Pas kësaj ceremonie madhështore, Saliu me shokët e tjerë të “Bashkimit”, shkuan në Tiranë, duke përjetuar krijimin e Qeverisë së Fan Nolit, me shpresën për të ndërtuar një qeveri demokratike e konstitucionale.  Deri në vitin 1924 Sali Hallkokondi punoi në Ministrinë e Drejtësisë të asaj qeverie.(

Filed Under: Histori, Kronike Tagged With: Prenjo Imeraj, Sali Hallkokondi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 640
  • 641
  • 642
  • 643
  • 644
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT