• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORI AUTOKTONIE ILIRO-SHQIPTARE NGA KALAJA E PODGORËS (MALËSI E MADHE)…

December 5, 2024 by s p

Ndue BACAJ/

Sapo ke mberritur në majen e malit të Podgores në faqen jug-lindore ,me pamje nga fshati Lopç ,dallohen themele dhe rrenoja muriesh të cilat kanë një siperfaqe të dallueshme rreth 1800 m2. Podgorasit ketë vend edhe sot e therrasin KALAJA.. Po ti pyesesh per ketë Toponim ata të trogojnë se e kanë të trashiguar brez pas brezi, duke menduar se kjo kala u ka sherbyer para qindra (e pse jo mijera) vitesh , banoreve të asaje kohe si qendres Urbane (qytezë), por edhe për qellime ushtarake… Një studiues dhe eksplorues i njohur i vendeve me interesë për arkeologjinë e identifikon kalanë e Podgorës si Pikë kontrolli dhe qytezë, ku ndër të tjera shkruan: “Qyteza shtrihet në një terren të thyer . Në krahun përendimor ruhen gjurmët e dy mureve me trashsi 1.40 m dhe 080 m të puthitur me njeri tjetrin dhe lidhur me llaç gelqereje , ruhen në lartesi 2 m. Gjetjet kryesisht amfora që i perkasin shek.IV mbas Krishtit. Varrezat e kësaj qyteze gjinden në vendin e quajtur “Zalli i Banushit” , ku është zbuluar një varr i punuar me mure me llaç gelqereje dhe me inventar të pasur qelqi , fibula bronxi të shek.IV mbas Krishtit”.1. Afër murieve të rrenuara që tregojnë se kanë qënë në trashesin rreth 1.40 m. , gjinden edhe copa të ndryshme tjegullash , e ndonjë copë enësh prej balte apo qeramike , por mjerisht mjaftë të demtuara.. Kalaja e “Podgores” ende nuk gjindet në listen e e atyre Objekteve të identifikuara qartësisht … Por mendojmë se duhet të jenë në listen e Keshtjellave apo Kalave të ndertuara e rindertuara nga Justiniani ( Shekulli i VI ) , por që ende një pjesë e mirë e tyre është e palokalizuar…2. Ndersa organizimi ushtarak i provincës Prevalit duket qartë pas vitit 395 kur Prevali bëhet province kufitare e perandorisë…

Në fortifikimet e kësaj kohe , permenden perveç fortifikimeve të qytetit të Shkodrës , Pukës , Klementianës (që e permend Prokopi i Çezares)… si edhe fortifikime të vogla të gjurmuara në Podgorë…3. Albanologu i njohur Milan Shuflaj shkruan se : “Qyteti i madh … Dioklea (afer Potgorices sotme ,atëherë qender Ilire..N.B.) u rrenua prej katastrofave natyrore dhe fuqive barbare . Ate e goditi termeti i vitit 518. Qyteti u shkretua rreth shekullit VII. Pjeset e tij te shkaperdredhura i rrembyen keshtjellat e aferta…”.4. Gjurmët e reja arkeologjike në zonat përreth Shkodres deshmojnë per një jetë aktive të popullates rurale. Mund të permendim ketu pikat e fortifikuara si në Podgorë dhe kalanë e Hotit e tjer…5. Duke ditur se varret e mesjetes së hershme gjindeshin në afersi apo pranë mureve të Kalasë , por gjithmonë jashtë saj..6. , me siguri kjo “Kala” apo pikë e fortifikuar ka edhe Varret e veta historike , ndonse të pa eksploruara deri tani. Gjithashtu në ketë Kala duhet të gjinden edhe themelet e objekteve të kultit si Kisha e tjer , por edhe të ndertimeve sociale e shtetrore lokale të kohes , duke perfshire edhe Shkollen e “Zejeve”… Per një shkollë të till mendojmë se bënë “fjalë” Regjistri i Kadastrës të viteve 1416 -1417 (perpiluar nga venedikasit) , ku shkruhet se… një copë vresht prej një shati (rreth 500m2 N.B.), i quajtur Stanovina , e mban shkolla e Podgores…7.

Në një shkollë të tillë zakonisht mesohej shkrim e kendim dhe mesime besimi (katekizmi i kishes..), por ekziston mundësia që ishte edhe (thjeshtë) shkollë ku mesohej teknika e kultivimit të vreshtarisë të Podgorës e rrethinave ,pasi prodhimi i rrushit (Vera) (një e dhjeta) dergohej tek “zoterinjet” venedikas të Kalasë së Shkodres…??? Duke ju referuar dekumenteve te kohes ne kemi aresye të besojmë se një shkollë ishte e ndertuar e funksiononte në Kalanë e Podgorës ,apo në Podgoren si qendër urbane. Ketë e vertetojnë edhe libra e vepra kushtuar atyre kohëve , ku ne po cilësojmë librin e Oliver Jens Schmitt ARBERIA VENEDIKE (1392 – 1479) , që shkruan se pranë çdo qendre urbane kishte nga një shkollë (ose kurs) , me orientim njohjen e gjuhes Venete , dhe mesimin e zejeve dhe teknikave të kultivimit të vreshtave , bleteve , derrave e tjer , per te cilat pushteti i asaj kohe vilte taksat…Gjithshtu nga vellimet e ILIRICUM SACRUM (Iliria e Shenjte) tregohet se pranë çdo Kishe (famulli) kishte nga një shkollë , në të cilen mesohej besimi kristian , por edhe shkrim e kendim…

Si pakë Kala apo keshtjella te tjera Ilire , Kalaja e “Podgores” ishte e “rrethuar”nga disa SHPELLA , toponimet apo emertimet e të cilave i trashigojnë edhe sot banoret e Podgores:

NË PERENDIM TË KALASË:

1.Shpella te rrasa e Bletes.

2. Shpella e Dhënve ( në maje…)

3.Grupi i Nënshpellave (shpella të vogla të grupuara).

4.Shpella e Rexhep Hajdarit , që në fakt është një homonim i vonë ,por që nuk njihet emertim tjeter sot..

NË JUG-LINDJE TË KALASË:

1.Shpella e Bishes.

2. Shpella e Fikut (Edhe sot aty ekziston një fik i madh… ).

3.Shpella e dy Binokëve.

4. Shpella Rrethatoke , ketu shihet edhe një gropë e mbyllur e cila mendohet se ka sherbyer si “pus”apo më saktë krua per të mbushur ujë , por thuhet se ndër shekuj është mbyllur duke hellur lesh bagetish. Kjo është shpella me e afert e kalasë ,ku distanca nuk i kalon 70 metrat linar… Sipas gojdhënave thuajse në të gjitha keto shpella kishte burime uji ,që shekujt e motet na i kanë “fshehur”… 8.

TOPONIMI PODGORA !!

Toponimi apo emri Podgora është shumë i hershem , dhe ka qenë i njohur ,jo vetem në fshatin historik të Podgores , apo në kryeqytetin e vonë të Malit Zi (me prapashtesen “Ica”) Podgorica, por edhe në vende e deri krahina etnike shqiptare, ku per ketë po veçojme emrin e një krahine në rrafshin e Dukagjinit (Kosove) , duke ju referuar studiuesit (sllav) Jevto Dedijer ,i cili në librin e tij “Nova Serbja “1913 (Serbia e Re ), duke shkruar per origjinen shqiptare të Karagjorgjeviçve, ndër të tjera citoj: “…Një nga malet më të larta në krahinen Podgorë në Rrafshin e Dukagjinit është i njohur, sepse banoret e tij tregojnë se prej andej e ka prejardhjen familja e Karagjorgjeviçve , stergjyshi i të cileve ka ikur per aresye se kishte vrarë shumë turq. Varret e ketyre ruhen edhe sot e kesaj dite…”.9. E cituam ketë studiues sepse i perket races sllave , dhe pranon se toponimi Podgorë , është toponim me rrenjë shqiptare …Duke “pergenjeshtruar” ata që sot ketë toponim kerkojnë ta bejnë thjeshtë sllav ,(duke perfituar nga deformimet e shekujve ) … Është me vlera të thuhet se Qeveria mbreterore e Shqiperisë gjatë viteve 1937- 1938 kishte organizuar një komision të përberë nga studiues ,historianë , perkthyes dhe albanolog vendas e te huaj te cilet bënë shqiperimin e shumë Toponimeve qe shekujt u kishin dhënë “kuptim” sllav , grek etjer.. Ketë studim shkencore Keshilli i Ministrave e miraton me vendimin nr.753 date 06 korrik 1938 , ku emri i fshatit Podgore shqiperohet me emerin RRANXE… Ky perkthim nuk kishte per baze perkthimin thjesht nga sllavishtja,por ishte ne pershtatje me pozicionin aktual te fshatit Rranxe Malit…Ne duke dashur të jemi sa me realist ,nuk e mohojme deformimin e toponimeve shqiptare në favor të gjuhes sllave gjatë stuhive pushtuese ,që fillojnë të pakten në shekullin e njëmbedhjetë , e veçanarisht gjatë kohes së Stefan Dushanit ,shekulli i XIV-të. Gjithsesi mendimi jonë është se duke analizuar Toponimin Podgora ,apo Potgora ( se D me T nuk kanë qenë të dallueshme shumë per gegnishten deri vonë..), ne mendojmë se ky toponim është bashkim i dy fjaleve shqipe që njihen edhe sot , si Pot apo Pod që është shkurtim i toponimit Potolog ; që do të thotë vend i shesht , i veçuar në një lartesi ,ose ngjitur me një vend me ndryshim relievi…Ndersa prapashtesa Gore , ka të bëjnë me emrin Gurë ,por me deformim të U-se me O ,gjë që duket se i jep trajta sllave pasi fjala Gor do të thote mal… Ne duke hellur mendimin tonë vijojmë të themi se fshati Podgorë është vertet një Pod apo Podolog që ka mjaft gurë ,ndaj themi se ky ndër shekuj ka marrë toponimin Pod apo Podolog guresh , madje edhe mali ngjitur me fshatin është i “pasur” me gurë të permasave të ndryshme… Natyrisht ne duke mos qenë specialist të mirfilltë të kësaj fushe , nuk pretendojmë se qendron plotesisht ky mendim i joni…

REFERENCAT:

1.Zamir Tafilica , Harta arkeologjike e pellgut të Shkodrës , rev.“Gegnia” e perkohshme kulturore -artistke, – 3 -2017 fq.100-101 , viti i dytë i botimit , Bashkia Shkodër , Biblioteka “Marin Barleti”.

2.Myzafer Korkuti , “Parailiret , Iliret , Arberit “, histori e shkurter fq.58 .

3.Bep Jubani, Monumente arkeologjike në Mbishkodër,, botim në “Monumentet”, nr.1-1989 ,fq.134.

4. Milan Shuflaj ;Serbet e Shqiptaret fq.15.

5.Gëzim Hoxha , Muzeu Historik i Shkodres ,kumtari-6- ,fq.81, 1993.

6. Myzafer Kokurti ,veper e cituar fq.72.

7.Regjistri i Kadastrës të viteve 1416 -1417, (fleta 48/a.

8.Per identifikimin e shpellave dhe toponimet e tyre më ndihmoi mesuesi , intelektuali dhe ish kryetari i komunes Qendër z. Fejzi Luli , banor autokton i Podgorës, gusht 2008.

9.Jevto Dedijer, “Nova Serbja“ (Serbia e Re ),1913.

Filed Under: Histori

“AKROLISI: Historia, arkitektura dhe misteret e tij”

December 3, 2024 by s p

Në lindje të qytetit të Lezhës ngrihet një kon i madh me majë shkëmbore, i thepisur nga të gjitha anët, që formon një këndvështrim të dukshëm nga larg, të cilin udhëtari nuk e humbet nga sytë, duke nisur nga lartësitë e kodrave pranë Durrësit dhe deri në bregun verior të liqenit të Shkodrës (1). Ky masiv i lartë shkëmbor, që po të vështrohet nga zonat pranë tij, duket si një piramidë gjigande natyrale, ka një lartësi prej 410 m mbi nivelin e detit dhe njihet nga banorët vendas si Mali i Shëlbuemit (2). Në vitin 1854, albanologu i madh gjerman, Johann Georg von Hahn, saktëson se po ta vështrojmë nga ana e jugut, Shëlbuemi i ngjan malit të Lykabetit (Λυκαβηττός / Likavitos – P.Z.) në Athinë, por është më i lartë se ai (3). Mali i Shëlbuemit formon një kreshtë shkëmbore të ngushtë me dy maja, që zbret në një pjerrësi pothuajse vertikale drejt perëndimit e jugperëndimit dhe zbret më butësisht drejt lindjes (4). Në majën e këtij mali, që dominon të gjithë hapësirën përreth dhe nga ku mund të kotrollohet Gjiri i Drinit në detin Adriatik, gjenden gjurmët e sistemit fortifikues të një vendbanimi prehistorik ilir, i njohur si Akrolis (5).

Kjo kryevepër inxhinierike ndërtimore, në trasenë e mureve të së cilës dallohen dy faza ndërtimi, cilësohet si e pashembullt në territorin shqiptar. Autorët e parë antikë që flasin për Akrolisin janë Straboni dhe sidomos Polibi, i cili na jep një pamje jashtëzakonisht të gjallë të vendndodhjes së këtij fortifikimi (6). Mjerisht, me kalimin e shekujve, janë zhdukur pjesa më e madhe e ndërtimeve të lashta dhe të vetmet struktura që i kanë mbijetuar kohës janë themelet e murit rrethues (7). Të parët që kanë rilevuar rrënojat e Akrolisit, duke na lënë një skicë-planimetri të saktë dhe një përshkrim të hollësishëm, kanë qenë arkeologu Camillo Praschniker dhe epigrafisti Arnold Schober (😎, të cilët, gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) ishin ngarkuar nga Akademia Perandorake e Shkencave, në Vienë, për të gjurmuar dhe regjistruar vendbanime dhe monumente në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Fortifikimi i hershëm i Akrolisit përfshin të dy majat e malit dhe ka trajtë vezake, me drejtim veri – jug (9), me gjatësi 330 m dhe gjerësi prej 80 m (10). Muret e këtij vendbanimi të fortifikuar ilir, janë ruajtur pjesërisht në një lartësi maksimale deri në 1.50 m (11).

Perimetri i fortifikimit është 800 m dhe gjurmët e mureve mbulojnë një sipërfaqe prej 1.5 ha (12). Pjesa më e ruajtur gjendet në anën juglindore, ku muret ruhen deri në 2-3 rreshta gurësh dhe gjerësia e tyre është 3.3 m (13). Ato përbëhen nga dy këmishët dhe mbushja është realizuar me gurë të papunuar dhe çakëll (14). Në skajin verior sistemi i fortifikimit duket se ka qenë veçanërisht i fortë, sepse në të dy anët e majës veriore ruhen ende gjurmët e dy kullave të hapura nga brenda, nga të cilat, ajo lindore është ruajtur më mirë dhe 40 m në jug të kësaj, në anën lindore, ruhen themelet e një kulle tjetër, por me përmasa shumë të vogla (15). Gjatësia e përgjithshme e mureve shkon deri në 500 m dhe ata qarkojnë faqet lindore dhe jugore, duke e lënë të lirë anën e thiktë perëndimore, 300 m të gjatë (16). Duke u nisur nga maja veriore dhe deri te mbetjet në majën jugore pothuajse nuk ka gjurmë, por drejtimi i murit sigurohet nga terreni së bashku me mbetjet e pakta në jug, aty ku muri ruhet në shtresën e tij më të ulët mbi një gjatësi prej 100 m (17). Vetë maja jugore përbëhet nga një verandë si kullë, nga e cila ka tre rreshta blloqesh të mëdha, më i ulëti, i shtrirë në shkëmbin e gdhendur, 0.65 m i lartë, vijuesi 0.45 m dhe tjetri, 0.40 m i lartë (18).

Vetëm në Akrolis dhe në fortifikimin më të hershëm të Butrintit janë evidentuar disa elementë që tregojnë për një zhvillim të mëtejshëm të sistemeve mbrojtëse prehistorike, sepse këtu ndeshemi për herë të parë në kthesa pak a shumë me kënde të drejtë të linjës së mureve, të cilët kishin për qëllim të siguronin një mbrojtje anësore (19). Në Akrolis ndeshemi me dy kthesa të tilla muresh, që janë lehtësisht të dallueshme, por në Akropolin e Butrintit bëhet fjalë vetëm për ato pak gjurmë që janë të ruajtura nga muri prehistorik, të cilat i përkasin pikërisht një kthese këndrejtë, që bën linja e këtij muri (20). Në anën jugore të majës së Malit të Shëlbuemit ekziston edhe një mur i tërthortë, i cili e zvogëlon lehtësisht sipërfaqen e fortifikimit nga 1.5 ha në 1.3 ha (21). Në skajin e këtij murit ruhen edhe gjurmët e një hyrjeje (22). Ajo ka një hapësirë drite 1.40 m, një korridor rreth 3 m të gjatë dhe i shërbente vendit të fortifikuar për një komunikim të afërt me vendbanimin e hapur breglumor (23). Hyrja tjetër, e cila më tepër është një posternë / deriçkë ballore, gjendet në pjesën veriore të fortifikimit (24). Materiali me të cilin është ndërtuar kështjella e Akrolisit në anën jugore, është i njëjti gur gëlqeror triasik nga i cili janë ndërtuar muret e Lisit (25). Po ashtu, dizajni dhe madhësia e blloqeve është gjithashtu e njëjtë.

Ndërsa, në pjesën veriore, në vend të gëlqerorëve, janë përdorur kryesisht pllaka dhe rrasa nga shtresat e poshtme të malit, të cilat prodhojnë natyrshëm blloqe me përmasa më të vogla (26). Duke u mbështetur në ngjashmërinë e madhe tipologjike me ato të qytezave ilire të Marshejt në Malësinë e Madhe dhe të Gajtanit në Shkodër, F.Prendi dhe K.Zheku, në vitin 1972, i kanë datuar muret e Akrolisit si të fillimit të Epokës së Hekurit (27). Mirëpo, në vitin 1988, K.Zheku, duke u mbështetur te disa fragmente enësh prej balte dhe në karakterin tipologjik të ndërtimit, ndryshon mendim dhe e shtyn datimin më larg në kohë, duke arritur në konkluzionin se ndërtimet mbrojtëse të majës së Shëlbuemit mund të jenë bërë në kohë më të hershme se periudha e fundit e bronzit (28). Ndërsa, A.Baçe ka arritur në përfundimin se muratura e fazës së parë është datuar nga qeramika në shek. VIII p.k. (29), duke krijuar edhe një pikë repere për fortifikimet protourbane (30). Akrolisi njihet si qendra e parë e fortifikuar në qytetin e Lisit, duke u mbiquajtur Lisi i parë dhe është arritur në përfundimin se këtu ka jetuar një federatë fisnore, e cila merrej me bujqësi dhe blegtori. Po ashtu, në mesin e banorëve kishte edhe një grup zejtarësh, të cilët prodhonin sende për popullsinë, që banonte rreth kështjellës. Me kalimin e kohës, kjo qendër e parë qytetare e Lezhës u popullua aq shumë, sa në këtë vend nuk kishte më asnjë lloj mundësie për zhvillim të mëtejshëm (31). Të gjendur në këto kushte, banorët shqyrtuan mundësinë e krijimit të një vendbanimi të dytë të fortifikuar.

Të parët që vendosën të zbresin nga maja e malit të Shëlbuemit ishin pikërisht zejtarët, të cilët, për të qenë më afër fushës dhe rrugëve, ndërtuan një kështjellë tjetër të vogël mbi kodër, rrëzë së cilës shtrihet Lezha e sotme (32). Qyteti i ri i krijuar prej tyre, u quajt “Lis”, ndërsa kështjella e vjetër quhej “Akrolis”, që do të thotë “Lisi i Sipërm (33).” Të dy këto vendbanime të fortifikuara i përkasin fazës protourbane ose paraqytetare (34), duke hedhur poshtë mendimin tradicional se Lisi ka qenë një koloni sirakuziane e themeluar në vitin 385 p.k, nga Dionisi Plak, tirani i Sirakuzës (35), të cilin filozofi Platon, që e ka njohur personalisht, pasi ishte shitur prej tij si skllav, e përshkruan si: “Njeriu më i mjerë që qeveris shtetin më të trishtë. Pas krijimit të Lisit, i cili u fuqizua shpejt nga zhvillimi i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë, ripërtëritet edhe Akrolisi, duke u kthyer në një kështjellë ndihmëse në funksion të sistemit mbrojtës të qytetit të Lisit (36). Është konstatuar se muratura e fazës së dytë të ndërtimit të Akrolisit është tipologjikisht e njëjtë me muraturën e fazës së dytë të Lisit, çka tregon se simbioza Lis / Akrolis u planifikua si e tillë, që në vitin 390 p.k. (37). Në fakt, është pikërisht binomi Lis / Akrolis, i cili shërben si shembulli më i bukur ilustrativ i “Simbiozës së qyteteve me kështjellat (38).” Për të mbrojtur qytetin e Lisit duhej një numër i madh ushtarësh, por Akrolisi, nga lartësia dhe nga paafrueshmëria e pozicionit të tij, ishte kaq i vështirë për t’u sulmuar, sa do të mjaftonte vetëm një garnizon i vogël për ta mbrojtur (39). Se sa i rëndësishëm ishte Akrolisi për qytetin e Lisit, këtë e dëshmojnë shumë qartë ngjarjet e zhvilluara në vitin 213 p.k. (40).

Mbreti i Maqedonisë, Filipi V, i cili kishte lidhur aleancë me Kartagjenën kundër Romës, erdhi për të pushtuar qytetin e Lisit, që falë pozitës strategjike ishte vendi më i përshtatshëm për të realizuar planet e tij të luftës kundër Romës, sepse këtu gjente një fortifikim madhështor, portin dhe kantierin për ndërtimin e anijeve (41). Mesa duket, Filipin V po e brente zilia për karrierën famëmadhe të Hanibalit, i cili asokohe po i dërrmonte romakët në territorin e tyre në Itali (42). Pasi bëri paqe me Lidhjen Etole, ai u nis nga Pella dhe marshoi në drejtim të veriperëndimit kundër qytetit të Lisit. Shumë shpejt, ushtria maqedonase kaloi kufirin dhe depërtoi në territorin ilir. Pas dy ditëve marshim, duke kaluar nëpër shtigjet e ngushta të lumit Ardaksanos (Mati i sotëm), Filipi V i afrohet Lisit dhe e vendos kampin e tij jo shumë larg, në një qytet kufitar të quajtur Bassania (43). I mbrojtur nga natyra, si nga deti ashtu edhe nga toka dhe i siguruar nga fortifikimet e tij të fuqishme, Lisi i bën Filipit V një përshtypje të madhe, por në veçanti, kur ngriti sytë përpjetë për të parë Akrolisin të vendosur mbi Malin e Shëlbuemit, ai fillimisht humbet çdo shpresë për ta pushtuar atë me forcë (44). Sipas përshkrimit plastik nga Polibi të sulmit të Filipit V: “Filipi, i cili prej shumë kohësh ëndërronte të shtinte në dorë Lisin dhe Akrolisin, u nis për atje me ushtri. Këtu vuri re se rrethi i Lisit ishte përforcuar shumë mirë nga ana e detit dhe ajo e tokës, nga natyra dhe dora e njeriut. Përsa i përket Akrolisit që ishte pranë, ai kishte aq lartësi të madhe dhe ishte aq i fortë, sa që edhe një sy të vetëm të hidhte njeriu mbi të, do ta kuptonte menjëherë se pushtimi i tij ishte gjë e pamundur (45).”

Duke analizuar situatën me hollësi, Filipi V planifikon të pushtojë vetëm Lisin (46). E vetmja mundësi për sukses ishte qafa malore midis Lisit dhe Akrolisit dhe ai përdor mashtrimin, duke fshehur pjesën më të madhe të ushtrisë së tij në grykat e pyllëzuara malore në brendësi të vendit, pak përtej qafës së malit (47). Ata marshuan në fshehtësi të plotë gjatë natës afër Grykë-Manatisë, përmes luginës, e cila shtrihet në lindje dhe në verilindje rreth Akrolisit dhe më pas u vendosën në formacion prite në zonën e sotme të Varoshit (48). Ditën e nesërme, të gjitha përpjekjet e para të ushtrisë maqedonase dështuan përballë mureve të Lisit dhe pikërisht në kohën kur Filipi V po bëhej gati të largohej me turp, luftëtarët ilirë, duke e kujtuar fitoren e sigurtë, dolën jashtë mureve dhe sulmuan ushtrinë maqedonase në fushë të hapur (49). Në këtë kohë, luftëtarët e garnizonit të Akrolisit, që po vëzhgonin ngjarjet nga sipër, kujtuan se maqedonasit ishin thyer dhe prandaj lanë kështjellën dhe zbritën poshtë në fushë nëpërmjet shpatit të pjerrët të Shëlbuemit (50). Ndërkohë, Filipi V dha urdhër që trupat e tij të armatosur lehtë, që ishin fshehur në Varosh një natë më parë, të fillonin sulmin nga ana veriore e Lisit dhe pasi ata depërtuan në qafën që ndan dy kështjellat, iu prenë mbrojtësve rrugën e tërheqjes dhe e morën Akrolisin e pambrojtur me shumë lehtësi (51). Pas kësaj, ata nuk e patën të vështirë të pushtojnë qytetin e Lisit (52), ku pas disa luftimeve të përgjakshme, arritën të depërtojnë brenda mureve ditën e nesërme (53). Pas rënies nën pushtimin maqedonas, Akrolisi e humbet plotësisht rëndësinë e tij, por edhe pas çlirimit në vitin 197 p.k., ilirët nuk interesohen më për të. Të njëjtën gjë do të bëjnë edhe romakët pasi pushtuan Lisin në vitin 168 p.k., por edhe pushtuesit e mëvonshëm të Lisit apo vetë sundimtarët vendas gjatë Periudhës së Mesjetës. Mirëpo, jeta në Akrolis nuk shuhet përfundimisht, sepse gjatë Mesjetës së Vonë, në pjesën jugore të masivit shkëmbor ndërtohet “Kisha e Shëlbuemit”, që sot është në gjendje rrënojë.

Bëhet fjalë për një kapele të vogël me planimetri të thjeshtë drejtkëndore, që për herë të parë përmendet nga Benedikt Orsini në vitin 1629 (54) dhe nga e cila ka marrë emrin i gjithë ky masiv shkëmbor (55). Më vonë, mbi Kishën e Shëlbuemit është ndërtuar një objekt i kultit islamik, teqe bektashiane, e njohur si Tyrbja (varri) i Xhymert Kasapit ose Kasapit Xhumert (56). Ky i fundit është një shenjtor i panjohur, emri i të cilit është harruar dhe nga rrëfimet e njerëzve, që ka mbledhur Th.Ippen, ai dallohej për bamirësi ndaj të varfërve në ndarjen e mishit, ndaj e mori edhe atë llagap (57). Disa të dhëna mjaft interesante mbi historinë e kasapit në fjalë dhe të tyrbes së tij, i ndeshim në vitin 1905, në veprën “The Burden of the Balkans”, të antropologes angleze dhe mikes së madhe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Mary Edith Durham (58). Ndërsa, 7 vite më vonë, menjëherë pasi trupat serbo-malazeze pushtuan qytetin e Lezhës, më 19 nëntor 1912, një grup me ushtarë serbë u ngjitën në Malin e Shëlbuemit, ku në mënyrë triumfuese u fotografuan para Tyrbes në fjalë, të cilën, ata e identifikonin me Varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pushtuesit serbë do të shfaqin sërish një interes të veçantë për këtë Tyrbe në dimrin e viteve 1914-1915, gjatë Luftës I Botërore (1914-1918), kur ata po tërhiqeshin me shpejtësi drejt jugut nëpërmjet territorit shqiptar, të llahtarisur nga sulmet e armatës së fuqishme të Peradorisë Austro-Hungareze, e cila po i ndiqte këmba-këmbës. Njësoj si në vitin 1912, edhe një foto e shkrepur nga serbët në fillim të vitit 1915, paraqet Tyrben në Malin e Shëlbuemit, të cilën ata vijojnë ta identifikojnë me Varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Edhe në ditët e sotme, në historiografinë zyrtare serbe mbizotëron mendimi i përgjithshëm se kjo Tyrbe, e cila përmendet si “Цафер Касаб (Kasapi Xhafer – P.Z.)” lidhet sipas tyre, me Kishën ortodokse/pravosllave të Shën Nikollës (Православна ирква Св. Николе), ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, eshtrat e të cilit u nxorën nga varri dhe u përdorën si hajmali, ndërsa më vonë kisha u shndërrua nga turqit në tyrbe (59)”! Në fakt, sikurse dihet, në Lezhë dhe as në rrethinat e saj nuk ka patur kurrë ndonjë Kishë Pravosllave, përpos periudhës së pushtimit të egër të car Stefan Dushanit në vitet 1343-1355, kur Kishat Katolike u uzurpuan përkohësisht nga Patriarkane Serbe, por që menjëherë pas dëbimit të serbëve, ata u rikthyen ashtu siç kishin qenë historikisht në varësinë e Selisë së Shenjtë në Romë. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar industrinë e fabrikimit të historiografisë zyrtare serbe, e cila vijon të sajojë dhe të tjerrë teza nga më të çuditshmet. Në faqet e fundit të botimit më të ri në gjuhën serbe (Beograd & Novi Sad: 2018) të kryeveprës monumentale të Marin Barletit, “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Tyrbja e Xhymert Kasapit në Akrolis përmendet si: “Гроб Скендербега (60)”, pra si “Varri i Skënderbeut”! Së fundmi kjo tezë ka gjetur mbështetje edhe nga disa autorë shqiptarë (61), por ajo krijon shumë hapësirë për diskutim. Deri më sot ende nuk ka dalë në dritë ndonjë burim dokumentar apo gjetje arkeologjike, që mundet ta mbështesë këtë supozim. Mirëpo, nga ana tjetër, nëse e shohim vetëm në kontekstin e strategjisë promocionale të Monumentit, kjo tezë krijon një efekt shumë pozitiv, sepse lidhja e këtij siti arkeologjik me emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, zgjon interesin e njerëzve për të vizituar Akrolisin. Përsa i përket vëzhgimeve arkeologjike të ndërmarra pranë rrënojave të Tyrbes së Xhymert Kasapit, përveç të tjerash, janë konstatuar edhe gjurmët e një varreze të krishterë, e cila mund të ketë lidhje kronologjike me Kishën e Shëlbuemit (62). Megjithatë, deri më sot, ende nuk është zhvilluar një ekspeditë arkeologjike e mirëfilltë, e cila mund të na ndihmojë për të krjijuar një definicion shkencor përfundimrar mbi vjetërsinë e Akrolisit si dhe mbi misteret që fshehin rrënojat e Kishës së Shëlbuemit dhe varreza e krishterë pranë saj. Akrolisi është Monument Kulture i kateg. I, shpallur me Vendim të Institutit të Shkencave (botuar në Gazetën Zyrtare Nr. 95, dt. 16.10.1948); Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës/ nr. 6/ dt. 15.01.1963; Ministria e Arsimit dhe Kulturës/nr.1886/ dt.10.06.1973.

BIBLIOGRAFIA:

1) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

2) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 45; K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

3) J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 135.

4) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

5) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

6) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23.

7) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

8)C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23-26.

9) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 16.

10) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

11) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

12) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 483.

13) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 10.

14) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

15) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

16) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 483-484.

17) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 24.

18) Ibidem, f. 24.

19) Gj.Karaiskaj, Fortifikimet prehistorike në Shqipëri, në: Monumentet, 14, Tiranë: 1977, f. 24-25.

20) Ibidem, f. 25.

21) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

22) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

23) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 11.

24) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

25) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

26) Ibidem, f. 25).

27) F.Prendi – K.Zheku, Qyteti ilir i Lisit. Origjina dhe sistemi i fortifikimit të tij, në: Iliria, Nr. 2, Tiranë: 1972, f. 216.

28) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 11.

29) A.Baçe, Arkitektura në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 184.

30) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484; F.Prendi, Aspekte ekonomike dhe kulturore të Lisit deri në shek. I. p.e. sonë, në: Lisi, Nr. 4, Shkodër: Migjeni, 1974, f. 107.

31) N.Ceka, Arkitektura e qyteteve ilire, në: Monumente të Kulturës në Shqipëri, I, Tiranë: “8 Nëntori”, 1975, f. 7.

32) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 45.

33) K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 32.

34) N.Ceka, Në fillimet e qytetit ilir, f. 170-172.

35) J.G.Hahn, Studime Shqiptare, f. 134; C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 14; K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69; L.M.Ugolini, L’antica Albania : nelle ricerche archeologiche italiane, f, 36.

36) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

37) A.Baçe, Qytetet dhe qytezat në ilire dhe në Iliri, Pjesa e Parë: Iliria Veriore (Istria – Drin), f. 484.

38) A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71.

39) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 151.

40) E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 16-18.

41) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

42) E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 130.

43) E.Malaj, Lezha gjatë periudhës së Antikitetit, në: Studime Historike, 3-4/2017, Viti LXXI (LIV), Tiranë: 2018, f. 17-18.

44) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

45) A.Meksi-A.Baçe-E.Riza-Gj.Karaiskaj-P.Thomo, Historia e arkitekturës në Shqipëri: nga fillimet deri në vitin 1912, f. 71; A.Baçe, Arkitektura në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore, f. 185.

46) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 25.

47) Ibidem, f. 25-26.

48) Ibidem, f. 26.

49) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

50) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

51) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

52) N.Ceka, Udhëtim në kështjellat ilire, f. 46.

53) S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 21.

54) P.Bartl, Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte aus Albanien, 1: Diözese Alessio, f. 85.

55) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.

56) C.Praschniker & A.Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 23-24; S.Pulaha & A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 16; G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53.

57) Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 149, 208.

58) E.Durham, Brenga e Ballkanit, f. 328-330.

59) П.Р.Петровић, Ко су Ђурађ Кастриот Скендербег и Кастриоти: према српским повељама и млетачким аналима : (историографска расправа), f. 49.

60) М.Барлети, Ђурађ Кастриот Скендербег : историја и славна дела кнеза епирског, f. 535.

61) G.Çitaku, Akrolisi dhe misteret e tij, në: Koha Javore, Nr. 1134, Podgoricë: 15.11.2024.

62) G.Hoxha-L.Përzhita-F.Cavallini, Monumente Historike të Kultit të Krishterë në Dioqezën e Lezhës / Monumeti Storici di Culto Cristiano della Diocesi di Lezha, Lezhë: Botimet Françeskane, 2007, f. 53, Shënimi nr. 56.

Nga: Paulin Zefi.

Lezhë: 03.12.2024.

Filed Under: Histori

VEPRIMTARIA E KLERIT KATOLIK PËR PAVARËSI 1912

December 1, 2024 by s p

Dom NIKË UKGJINI

SHKODËR/

Nga fundi i shekullit të XIX, Rusia dhe Austro – Hungaria, ishin bërë arkitektet e Ballkanit politik, duke i shkëputur një e nga një popujt e kësaj hapësire nga kthetrat e Perandorisë Osmane. Austro – Hungaria, përmes traktateve të shumta të nënshkruara me Perandorinë Osmane, kishte arritur që ajo të pranonte nënshkrimin e një protekorati fetar dhe etnik për shqiptarë. Qendra më e fuqishme Perandorake e katoliçizmit së bashku me Romën, kishte marrë në dorë fatet tona, si fillim përmes hapjes së shkollave shqipe, ndërtimit të objekteve katolike të kultit, dhe në vijim Perandoria dualiste kishte meritën e arritjes, harmonizimit dhe balancimit nga ana fetare e krahinore të shqiptarëve në të gjitha trevat tona shekullore.

Pjekja e kushteve politike e arritja e unitetit ndërmjet shqiptarëve, ndezi zjarrin e revoltës dhe nxiti organizimin e kryengritjeve të njëpasnjëshme kundër pushtuesve osmanë, që u zhvilluan në krahinat: Malësi e Madhe dhe e Vogël, Dukagjin, Shkodër, Pukë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, dhe në Jug të Shqipërisë.

Klerikët vizionarë të kohës, ishin të bindur se liria dhe qytetërimi tek shqiptarët, arrihet jo vetwm pwrmes shkrim-leximit, botimit të librave në gjuhën shqipe, por edhe përkrahjes dhe nxitjes sw kryengritjet të shumta kundër pushtuesit barbar turk, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit kombëtar. Ata në këto raste udhëhiqeshin edhe nga ideja filozofike e kohës moderne, të artikuluar më vonë dhe nga filozofi francez, Joan Paul Sartre se: “Nuk mund të jesh intelektual po qe se nuk zotëron, përveç dijes, edhe guximin”.

Në vorbullën e kryengritjeve të popullit, për të arritur pavarësinë e shumë pritur të atdheut, u angazhuan, krahas Kryeipeshkvit Pashk Guerrini, nga viti 1910, Imzot Jak Sarreqit dhe klerikët e shquar të letrave shqipe, si: liriku e diplomati, Abati i Mirditës Preng Doçi, romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, poeti më i shquar i Rilindjes, Dom Ndre Mjeda, folkloristi dhe diplomati, Dom Nikollë Kaçorri, dramaturgu, satiriku, liriku më i madh i kombit tonë, Atë Gjergj Fishta etj..

Lëvizjet dhe kryengritjet e armatosura çlirimtare në gjysmën e dytë të shek. XIX në veri të vendit në të cilat mori pjesë gjallërisht edhe kleri së bashku me kryebarijtë e tyre, (ipeshkvijtë), përmbanin karakteristika të mirëfillta me orientim mbarëkombëtar, duke e ngritur çështjen fetare dhe nacionale shqiptare në tryezat e diplomacisë evropiane.

Bartësi fillestar i këtyre aksioneve qe Kryeipeshkvi Pashk Guerrini me prejardhje shqiptare nga Kotorri. Sipas arkivit të Kryedioqezës së Shkodrës krahas, kërkesave për ndihma materiale dhe bisedimeve diplomatike, u përpoq t’a zgjonte popullin në kryengritje për çlirimin e vendit.

Lëvizjet e para të Malësorëve, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, dalin në pah, në korespodencën e Kryeipeshkvit të Shkodrës, Guerrit, me Patriarkun Armen, Stefan Azarjan dhe Propaganda Fide në Romë, që në vitin 1883, si dhe në vitin 1886, ku nga Patriarkut Armen, i kërkohej që zyrtarisht, të ndërhynte tek Porta e Lartë, për ndalimin e dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve katolikë nga Perandoria Osmane.

Në dos. 55, të vitit 1888, në arkivin e kryedioqezës se Shkodrës, gjejmë dhe Promemorien e Guerrinit, drejtuar, Konsullatës austriake në Shkodër, për gjendjen e vështire të popullatës në Shqipëri, si dhe për mundësitë për zbutjes së kësaj situate. Guerrini, çështjen nuk e lë me kaq. Në vitin 1892, personalisht merr rrugën për në Vjenë, duke u takuar me autoritet e larta perandorake, për t’i informuar për gjendjen në terren si dhe për rrugëdaljen nga kjo situatë. shpërthyese në popull.

Se lëvizjet e para shpërthyese kryengritëse të mirë organizuara ishin në dukje, dëshmohet dhe në dos. 12, dt. 29, 8. 1903, ku Guerrini, i përgjigjet Guvernatorit të Shkodrës, mbi ankesën e tij për organizimin e lëvizjeve kryengritëse të disave atdhetarëve malësorë në Malësinë e Madhe. Atdhetarizmi i klerikëve nuk kishte të sosur, kjo dhe nga fakti së në vitin 1904, ata morën guximin që Valiut të Shkodrës, Bedri Pasha, t’i kishin propozonin, kremtimin zyrtar të 500-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit, 1404, dhe realizimin e një medaljeje përkujtimore me këtë rast. Kjo ide, vinte si rrjedhojë e faktit se, për çdo vit, në Shkodër kremtoheshin solemnisht datëlindjet e mbretit Franc Jozefit dhe të sulltanit të Stambollit.

Përfshirja i klerikëve të letrave shqipe

në arritjen e Pavarësisë të vendit 1912

Në këto momente jetike për popullin tonë, në mesin e atyre të cilët, krahas veprimtarive të tyre shkruese e botuese, jepnin përkrahje popullit për një qëndresë të mëtejshme, si edhe qëndronin pranë tyre, ishin figurat e spikatura klerikale, letrare dhe kombëtare, të lart përmendura: Doçi, Nikaj, Kaçorri, Mjeda, Fishta e shumë të tjerë. Sipas kujtimeve të Dom Ndoc Nikajt, mbledhja e vitit 1893, organizuar në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe), me emrin “Bashkimi Shqyptar”, gjykuar nga pjesëmarrës, si: Abat Preng Doçi, Dom Jak Sarreqi, Dom Dod Koleci, Dom Mark Shllaku, etj., hartimi i platformës dhe gjallërimi i saj, ishte momenti kyç, që nxiti organizimin e kryengritjeve popullore në veri të vendit, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe një nxitje për ngjarjet e viteve 1911-1912.

Në vazhdim Nikaj shprehet se: “Nuk bame shkresa qe mos të ndodhte rrezik zbulimi nga ana e qeverisë turke edhe të n`anxente me prova në dorë”(…) “U lidhme më shkrue ne giuhe shqype seicili mbas andjes së vet dhe mbas prirjet përkatse“.

Në mbledhjen e Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi ishin zotuar se do të merreshin me afrimin e shqiptarëve të dy besimeve: katolikë dhe myslimanë. “Në qytetin e Shkodrës, përçarja e shkaktuar nga turqit, ishte evidente”, – thekson Nikaj. Sipas këtij konstatimi, rezulton se afrimi i shqiptarëve të dy besimeve do të ishte puna bazë për përgatitjen e lëvizjeve dhe kryengritjeve, të cilat do të zhvilloheshin kundër Perandorisë Osmane, deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Shqipërisë.

Në janar të vitit 1910, Nikaj filloi të botonte së bashku më Abat Preng Doçin, gazetën “Koha”, e cila, nga numri i dytë doli me emrin “Bashkimi”. Gazeta kishte si motiv të vetin “kujdesin për punët kombëtare dhe të diturisë”.

Nga ana tjetër Abati Preng Doçi, shkrimtar, hulumtues dhe diplomat, në vitin 1897, kishte paraqitur para krerëve të Mirditës në Orosh programin me të cilin parashikonte organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve nga 1897-1912, të tri krahinave: Malësisë së Madhe, Dukagjinit dhe Mirditës. Gjithashtu, Abati përkrahu dhe nxiti mbajtjen e kuvendit të Rubikut, në vitin 1911, në të cilën u hartua projekt-kushtetuta për Shqipërinë autonome, e cila në raportet e konsujve quhej “Memorandumi i mirditasve”. Kjo projekt-kushtetutë qe prezantuar përmes delegacionit mirditor dhe në Besëlidhjen e Shkupit, më 10 gusht 1912.

Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi, gjatë muajt mars-gusht vitit 1911, kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjet e malësorëve në Malësinë e Mbishkodrës. Aq më tepër si klerik i lartë kishtar nga viti 1903 në 1912 dhe në vazhdim, Preng Doçi pati letërkëmbim të vazhdueshëm me Ismail Qemalin, kur ky ishte deputet i Perandorisë Osmane, e më vonë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.

Ëndrra e popullit liridashës për t’u liruar nga zgjedha e vuajtjeve shekullore, nuk kishte si të mos shqetësonte dhe të mos e nxiste për t’iu bashkëngjitur popullit, edhe poeti dhe gjuhëtarin i spikatur i kombit tonë, Dom Ndre Mjedën. Më 26 shkurt 1902 Mjeda hartoi në të gjitha gjuhët e diplomateve në Shkodër, një memorandum, në emër të krerëve mirditorë të Oroshi, Spaçit, Kushnenit, Fandit, Dibrrit dhe bajraqeve të Pukës së sipërme të cilin e dërgoi vetë, në dyert e të gjithave konsullatave të akredituara në Shkodër. Në vitet 1910- 1912, ai kërkonte që të tria besimet e një kombi të bashkoheshin në një lëvizje të vetme kombëtare, me qëllim që të fitohej autonomia për shqiptarët me mënyrë paqësore dhe, më vonë të bëhej shkëputja e plotë nga Perandoria Osmane.

Por, natën e 1-2 nëntorit 1912, duke iu bastisur shtëpia, Mjeda arrestohet nga turqit për herë të dytë. Me këtë rast i digjen dorëshkrimet e vyera në qelën e kishës se Kuklit, ku kryente shërbesat fetare. As ky gjest i shëmtuar i pushtuesit turk, nuk e ndaloi poetin që në nëntorin e vitit 1912, të merrte pjesë aktive tashmë në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, nga sulmet pushtuese malazeze e serbe, të cilëve u ishte rritur oreksi ndaj tokave shqiptare.

Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri

Në vazhdën e lëvizjeve dhe kryengritjeve në veri të Shqipërisë, bëjnë pjesë dhe ato të Kurbinit të viteve 1903-1912. Kjo krahinë, si të gjitha viset e tjera, kërkonte të drejtën e vetëqeverisjes. Me këtë rast, në skenën politike doli, Dom Nikollë Kaçorri, për të cilin Dom Markë Dushi, famullitari i Tiranës, në dorëshkrimin e tij, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Kaçorrit, ndër të tjera shkruante: “Shkëndijën e parë në zemrat e malësorëve trima të Kurbinit për një kryengritje të përgjithshme kundër turkut, që e ndezi Dom Nikollë Kaçorri”. Dushi, duke komentuar cilësitë e Kaçorrit, do të nënvizonte: “I lindur në vend burrash, i mprehtë për nga mendja, orator për nga goja dhe vullkan për nga zemra, për dashuni ndaj atdheut, të gjitha këto e bajn Kaçorrin një personalitet të dalluem në Shqipërinë e skllavërueme, por jo të mposhtun, një shërbëtor të denjë të atdheut”.

Dom Kaçorri, në vazhdën e punës së tij atdhetare, qe zgjedhur anëtar i Kongresit të Manastirit në vitin 1908 si dhe të Kongresit të Elbasanit. Po atë vit qe zgjedhur si delegat i Durrësit edhe në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909. Pasi u zunë disa delbenishtas duke sjellë armë për kryengritësit në Kurbin, Dom Nikollë Kaçorri u arrestua, si nxitës i kryengritësve. Gjyqi i Durrësit më 25 qershor 1910 e burgosi dhe e dënoi Kaçorrin me 4 vjet burg. Por, kjo ngjarje e shëmtuar nuk e shoi dashurinë e Kaçorrit ndaj atdheut, edhe më tepër e ndezi zjarrin e pa fikur në shpirtin e tij për çlirimin e vendit.

Kaçorri njoftonte dhe njoftohej me letra për kryengritje, nga Ismail Qemali, Sali Nivica, Imzot Preng Bardhi, Imzot Jak Sarreqi e tjerë. Në njoftimet që dërgonte ai përdorte pseudonimin “Kunora . Në momentet më kulmore për popullin tonë, Nikollë Kaçorri, si Nën/kryetar i Qeverisë së Përkohshme, qëndroi krah për krah me Ismail Qemalin, duke e ngritur Flamurin kombëtar më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Preng Bardhi (Bianchi), meqenëse nëpërmjet Kaçorrit ishte bërë pjesë e jetës së kryengritësve, e përhapi me gëzim të madh lajmin nga në katër anët e Kurbinit për ngritjen e Flamuri kombëtar edhe në Milot, po më 28 Nëntor 1912, nga dora e Gjin Pjetrit.

Kryengritjet e Malësisë së Mbishkodrës dhe Pavarësia

Pakënaqësia e popullit shqiptar ishte shtuar dhe më tepër pas aprovimit të kushtetutës xhonturke të Perandorisë Osmane më 1908, e sidomos pas një operacioni tejet ndëshkimor të udhëhequr nga Shefqet Turgut Pasha, ndaj Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911, ku qindra familje ishin detyruar t’i lëshonin shtëpinë e tyre, duke u shpërngulur në Podgoricë, sipas marrëveshjes me ndërkombëtarët.

Në këto rrethana, malësorët të udhëhequr nga prijësit e tyre shpirtërorë, kishin vazhduar, në stil të gjërë, luftën e tyre me turqit nga Gryka e Shkrelit dhe Kastrati, deri në Dinoshë, në afërsi të Tuzit. Si rezultat i këtyre luftimeve ka qenë marrja e fortifikimit të Deçiqit, me 6 prill 1911, kur në të cilin më përpara valonte flamuri i Turqisë, dhe tani dhe po atë ditë valoi Flamuri kombëtar, në majën e Bratilës së Deçiqit.

Qëndrimi i malësorëve në arrati u shoqërua me kujdesin e vazhdueshëm të Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, së bashku me Abat P. Doçin, Atë Gj.Fishtën, Dom L. Bumçin, Dom Nd. Mjedën. Figurat e njohura klerikale u përfshinë gjerësisht në ngritjen në këmbë të opinionit diplomatik evropian, duke u angazhuar gjerësisht në modelimin e bisedimeve në mes të kryengritësve dhe të autoriteteve turke.

Meqenëse qeveria turke nuk i plotësoi kërkesat e shqiptarëve, të Kuvendit e Gërçës, qershor 1911, për autonomi, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm, shqiptarët me nxitjen e klerikëve vazhduan kryengritjet në intervale edhe deri në pikën kulmore, kur me ndihmën e Austro-Hungarisë, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Mithat Frashëri, Myfit Libohova, e të tjerët, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë.

Kontribuuesit për shpalljen e Pavarësisë, si: Fishta, Mjeda, Nikaj, Doçi, e tjerë, për shkak të sulmeve malazeze në Shkodër, tetor-nëntor 1912, që vijonin edhe gjatë muajit nëntor 1912, nuk munden të jenë të pranishëm në ngjarjen e Vlorës, por shpirtërisht e ndanin gëzimin me bashkëvëllezërit e tyre të cilët të bashkuar rreth flamurit, shprehnin vullnetin e të gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodheshin.

Për flamurin dhe ngjarjen në Vlorë, i mallëngjyer ishte dhe Kryeipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, i cili duke qëndruar për bisedime diplomatike në Vjenë, rreth lëvizjeve të armatosura dhe të mos lejimit të copëtimin e trojeve. Ai, sipas revistës Leka, ndihmoi financiarisht, Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin që të arrinin me vapor, nga Trieste për në Durrës, e më pas të shkonin drejt Vlorës.

Megjithatë edhe pse me insistimin e Rusisë arriti në vendimet e Konferencën e Ambasadorëve nw Londwr, më 1913, t’i shkëpuste prej shkëputën prej trojeve tona, më shumë se gjysmën e territorit dhe popullsisë, të cilën ua hodhi dhanë krijesave të saj, përqark nesh, pozicionimi i klerikëve katolikë për çështjet në fjalë ishte sa i qartë, aq edhe i prerë historikisht.

Misioni i tyre ishte i mbështetur në trinomin, ‘Për Zot, për Atme e Përparim’, që do të sillte dinjitetin e shtetit shqiptar dhe shqiptarit, kudo që ata do të ndodheshin.

Filed Under: Histori

LEF NOSI DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË

November 30, 2024 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

Pjesa e dytë…

Në vitet 1908-1910, Lef Nosi do të dallohet si drejtues aktiv i klubeve patriotike në qytetin e Elbasanit. Përveç aktivizimit në klubin “Bashkimi”, të ngritur në 1908, ai zgjidhet nënkryetar i klubit “Vllazëria”, i krijuar në vitin 1909. Vazhdoi më tej punën për mësimin e gjuhës shqipe jo vetëm në Elbasan, por edhe më gjerë. Kështu, ai së bashku me Parashqevi Qiriazin, dërgoi në Durrës 100 abetare, me porosi të klubit “Bashkimi” të Manastirit. (AQSH, F. 102, D. 60, f. 2.) Kundërshtoi qëndrimin e ri të xhonturqve dhe së bashku me Dervish Ibrahimin, kryetarin e klubit, i dërgon një telegram proteste Senatit turk, lidhur me vendimin e marrë për mbylljen e klubeve shqiptare, që kishin për qëllim zhvillimin e gjuhës shqipe: “Ndër fletore kena pa me keqardhje se Parlamenti ka vendos me mbyll klubet shqiptare që shërbejnë me përhap gjuhën t`onë amëtare… Lutena nga ai Këshill i Epër me pasë mirësinë me ndryshu këtë vendim që pengon përparimin e gjuhës sonë kombëtare”. (AME, F. 31, D. 2, nr. 5, f. 1.)

Lef Nosi, bashkë me patriotë të tjerë elbasanas, do të bëhet nismëtar i themelimit më 2 maj 1909 të shoqërisë “Afërdita” dhe do të zgjidhet kryetar i saj. Kjo shoqëri krijoi edhe një bandë muzikore me të njëjtin emër (Banda Muzikore Afërdita). Kjo ishte shoqëria e parë e muzikës për qytetin e Elbasanit, e cila shpejt do të numërojë rreth 100 anëtarë.

Lef Nosi ishte organizatori kryesor i Kongresit të Elbasanit, i cili u mblodh në shtator të vitit 1909, në shtëpinë e Dervish bej Biçakut. Tre muaj më vonë, më 1 dhjetor, në zbatim të vendimit të marrë në këtë kongres, kontribuoi edhe financiarisht për hapjen e Shkollës Normale, e para shkollë në vend për përgatitjen e mësuesve. Ishte anëtar i “Pleqësisë kujdestare për shkollën e mësojvet”, shoqatë që mbikëqyrte mbledhjen dhe përdorimin e kontributeve financiare të tregtarëve elbasanas për shkollën Normale (AQSH, F. 102, D. 63, f. 2.).

I vendosur në përdorimin e afabetit latin të miratuar në Kongresin e Manastirit, organizoi mitingun madhështor, më 18 shkurt 1910, në sheshin e Namazgjasë, me pjesëmarrjen e 7000 qytetarëve e fshatarëve të ardhur nga Shpati dhe nga katunde të tjera të Elbasanit, kundër vendimit të qeverisë së osmanëve të rinj për të përdorur në shkollat shqipe vetëm alfabetin arab. Ky demostrim, sikurse edhe të tjerë në qytete të ndryshme të vendit, gjeti mbështetjen e rretheve patriotike brenda e jashtë kufijve. Shtypi i kohës do të shkruante kështu për mitingun e Elbasanit: “… u falem nderit nga ana e gjithë qytetit atdhetarëve të flaktë z. Lef Nosit, Muç Shqiptarit, Beqir Plangaricës, Ali Çiftes, Nexhip Haxhiademit, Ali Çeliramës, Tahsim Myftiut e të tjerë që patën mëndjen e bukurë për të parën herë të çfaqin mentimin qi duhet bamun nji miting prej kombëtarëve të këtushëm… që të protestohet kundër mentimit të paarsyeshëm të shkruhet shqypia me shkronjat arabishte …”. (Gazeta Dielli, Boston Mass, 25 mars, 1910)

Në vitin 1910, Lef Nosi boton dhe drejton gazetën “Tomorri”, e para gazetë e qytetit të Elbasanit. Për qëndrimet e hapura e konseguente të kësaj gazete pro vetëqeverisjes shqiptare, për arsimin në gjuhën shqipe, ai do të dënohet përsëri nga autoritetet xhonturke. Kjo gazetë, mes të tjerash, u vu në shërbim të klubit të ri patriotik “Bashkimi i ri”, që u krijua më 13 mars 1910, nga shkrirja e klubeve të mëparshme “Bashkimi” e “Vllaznia”, ku Lef Nosi u zgjodh nënkryetar i këshillit drejtues i kryesuar nga Hysen Hastopalli, me anëtarë Ahmet Daklin, Emin Haxhiademin, Demir Sulçen, Shefqet Daiun, Qamil Haxhifezën, Ali Çiften e Simon Shuteriqin. (Gazeta Tomorri, Elbasan 1910, 31 mars.)

Personalitete të njohura të lëvizjes kombëtare, si Aleksandër Xhuvani (pseud. Dokë Sula), Luigj Gurakuqi (pseud. Lek Gruda), Simon Shuteriqi (pseud. Shkam`i Letanit), Kristo Dako etj., do të shfrytëzojnë faqet e gazetës “Tomorri” për të shprehur qëndrimin e tyre kundër politikës antishqiptare të ndjekur nga shtetet fqinje ballkanike dhe qeveria xhonturke, si dhe për të mbrojtur tezat e autoktonisë, gjuhës, arsimit e kulturës shqiptare. Përkushtimi politik i Lef Nosit ishte i lidhur me zhvillimin e dijes e të kulturës, të shprehura me veprimtarinë studimore të të dhënave gramatikore të shqipes që në kohët e vjetra. Për këtë qëllim, në faqet e gazetës “Tomorri”, u botuan dhe u komentuan pjesë të marra nga i pari libër në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut. “Këtë copë … e botojmë me gëzim të math se asht mjaft e interesçme për ata që i bajnë prapa letraturës shqipe … Gjith kush që sheh t`shkuarën e vjetër e të folët e sotme, mund të shohë sa t`paka e të vogla janë ndryshimet ndër djalektet të Shkypëris; më kujton edhe se arbëreshët të Siçilies që ikën të shumtë nga Arbëria, sa të dëlirme e ka mbajtur gjuhën te dheu i huaj”. (Gazeta Tomorri, Elbasan 1910, 30 mars.) Dy artikuj të përkthyer nga shtypi i huaj e botuar në gazetën “Tomorri”, bëhen preteks që me vendim të gjykatës së Dibrës Lef Nosi të burgoset në Manastir në gusht të vitin 1910 dhe, në tetor të atij viti, internohet përjetë në Bursë të Anadollit. (AQSH, F. 32, D. 30, f. 7.) Pas ndërhyrjes së vazhdueshme të politikanëve shqiptarë tek autoritet osmane, lirohet nga internimi në prill të vitit 1911 e kthehet në Elbasan. Lajmin e lirimit ia jep Luigj Gurakuqi me anë të një letre: “Ministrija e lartë e Drejtësisë na njofton se, drejtori i gazetës shqiptare “Tomorri”, Lef Nosi, i cili ishte dënuar me internim të përjetshëm prej gjyqit ushtarak të Dibrës, u fal me dekret mbretëror”. (AQSH, F. 32, D. 8, f. 1.) Burgimi e internimi jo vetëm nuk e frenuan, por e nxitën më tej aktivizimin e tij në lëvizjen kombëtare, saqë shtypi i kohës do ta etiketojë me epitetet “i famshmi atdhetar” apo “atdhetar i shkëlqyer”. (Gazeta E Vërteta, Pera 1911, 6 mars.)

Gjendja e re e krijuar në Shqipëri, pas ardhjes në pushtet të xhonturqve, forcoi tek Lef Nosi bindjen se rruga e vetme e shpëtimit të vendit ishte sigurimi i autonomisë me armë në dorë. Në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të lëvizjes kryengritëse antiosmane, kishin nisur veprimtarinë në trevën e Elbasanit çetat e Martaneshit, Shpatit, Bërzeshtës, e më pas edhe çeta e Byshekut, të cilat në vitin 1911, kishin hyrë në fazën e riorganizimit. Gjatë vitit 1912, Lef Nosi do të jetë jo thjesht dëshmitar por edhe pjesëmarrës aktiv në mjaft ngjarje të rëndësishme. Njëkohësisht, ai vazhdonte të mblidhte dhe të ruante një dokumentacion të plotë, që përfshinte shënime, korrespondenca, fjalime, njoftime e kujtime të personaliteteve të ndryshme mbi ditët e zjarrta që po kalonte Shqipëria. (Këto materiale u bënë të njohura me botimin e Lef Nosit në vitin 1924 të “Dokumenta historike në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare. 1924”.) Në fillim të qershorit të 1912-ës në shtëpinë e patriotit elbasanas, Ali Agjahut, nën kryesimin e Aqif Pashë Biçakçiut, u zhvillua mbledhja që vendosi shpërthimin e kryengritjes në trevën e Elbasanit, në kuadrin e kryengritjes së përgjithshme antiosmane. Po në këtë mbledhje u ngrit edhe Komiteti Revolucionar, ku bënte pjesë edhe Lef Nosi. (AME, Fondi 20, D.10, nr. 76, f. 1.) Ky komitet mori përsipër detyrën e organizimit dhe shpërthimit të kryengritjes në prefekturën e Elbasanit. Si anëtar i këtij komiteti angazhohet në organizimin dhe drejtimin e lëvizjes kryengritëse në zonën e Shpatit, duke mbajtur lidhje me koordinatorin kombëtar të kryengritjes, Hasan Prishtinën. Në korrik 1912, në mbledhjen e çetave të armatosura në fshatin Kryezjarr, Lef Nosi ngarkohet të ngrejë e drejtojë çetën që vepronte në fshatrat Seltë e Nezhan të krahinës së Shpatit. Lidhur me këtë, nga Shpati ai do të shkruajë: “Sot erdhëm një komision 5 vetësh në qytet e po merremi vesh me telegraf me Hasan be Prishtinën në Ferizovik (Ferizaj). 1000 shokë të armatosur i kemi lanë rreth qytetit. Çeta ime ka 150 shpatarakë. Sot do të ikim e do të bashkohemi me shokët.” (AQSH, Fondi. 32, D. 132, f. 34.)

Në ngjarjet e vrullshme të vjeshtës së vitit 1912, që i paraprinë ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, Lef Nosi do të fitonte rolin e protagonistit. Së bashku me patriotë të tjerë elbasanas ishin të parët në trojet shqiptare, që, në rrethanat e marshimit të rrufeshëm të ushtrisë serbe, iniciuan e organizuan aktin e shpalljes së mëvehtësisë së Elbasanit më 25 nëntor 1912. Lidhur me këtë ngjarje, ai ka edhe meritën e ruajtjes së dokumentit të aktit të shpalljes së pavarësisë së Elbasanit, nënshkruar nga 35 firmëtarë. Më pas Lef Nosi u nis drejt Vlorës, për t’u angazhuar me energji në procesin e organizimit të Kuvendit dhe të ceremonive kushtuar aktit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Ndërkaq, kontributi i vyer në dobi të lëvizjes kombëtare, i mundësoi atij, bashkë me Shefqet Daiun, Qemal Karaosmanin e Dervish Biçakun, zgjedhjen si delegatëve të krahinës së Elbasanit për në Kuvendin e Vlorës, të 28 nëntorit të vitit 1912. Lef Nosi tregon edhe një herë vlerat e tij si arkivist, duke ruajtur proçesverbalet dhe vendimet e shkruara gjatë ditëve të kuvendit dhe, mbi të gjitha, ai ruajti në formën e saj të plotë, Deklaratën e Pavarësisë, shpallur në kuvendin mbarëkombëtar nga Ismail Qemali, shkruar nga Luigj Gurakuqi, dokument i cili u afishua në ekspozitën e vitit 1937, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Ndër përfaqësuesit e mbledhur në Vlorë, Lef Nosi ishte më aktivi e, njëkohësisht, më i vlerësuari. Që ditët e para të Kuvendit ai u zgjodh nënkryetar i Këshillit Pleqësisë, të kryesuar nga Vehbi Dibra. Vlerësimi ndaj figurës dhe kapacitetit të tij u rrit më tej kur, më 4 dhjetor 1912, delegatët e mbledhur në Vlorë zgjodhën nga rradhët e aktivistëve politikë më të shquar ministrat, që formuan të parën qeveri kombëtare të kryesuar nga Ismail Qemali. Në këtë qeveri, Lef Nosit iu ngarkua detyra e ministrit të Postë-Telegrafave, detyrë të cilën e kreu me përkushtim e rezultate.

Theksuam më lart kontributin e madh të Lef Nosit në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, si atdhetar e mbrojtës i çështjes kombëtare shqiptare, luftëtar i përhapjes së arsimit shqip, si politikan e ideator i shtetit shqiptar, drejtues i lëvizjes së armatosur, arkivues, kronikan, shkrues e botues. Në qoftëse do ta portretizonim në mënyrë më të plotë personalitetin e tij, do të shtonim këtu edhe vlerat që ai mbartte, në këtë periudhë e më pas, si mbrojtës i kulturës kombëtare, mbledhës i folklorit, studiues, arkeolog, numizmat, filatelist etj., vlera këto që e rendisin atë në panteonin e burrave më të shquar të kombit.

Shënim: Kumtesë, mbajtur në Konferencën Kombëtare kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë, 26-27 nëntor 2012, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Filed Under: Histori

Titanët brinjakë, dy brirëshat Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu

November 28, 2024 by s p

Shqiptarët në mbar botën festojnë Nëntorin e flamurit të Skenderbeut që nga turqishtja do të thotë Aleksandrit, të cilit lufta për liri, iu imponua nga hordhitë e osmanëve pushtues por edhe nga Venediku. Thirrje së cilës ai dhe kombi i vet iu përgjigj me lavdi, siç do të bënte stërgjyshi i tij Aleksandri i Madh.

Bota njeh dy Aleksandër, Aleksandri i Madh i Maqedonisë, me gjyshër dhe nënë ilire, dhe me babain e tij Filipin bir i një nëne ilire. Kjo konfirmohet nga disa autorë, për gjithashtu për këtë Sir William Woodthorpe Tarn i Akademisë Britanike në veprën mbi Aleksandrin, të titulluar: W. W. Tarn, Alexander the Great, Beacon Press, Boston, 1966. Në faqen I të librit shkruan: “Edhe pse për të dy prindërit e tij pretendohet për trashëgemi Greke, ai kishte nga babai (Filipi II) dhe e ëma e tij (Olimpia) gjak Ilir, Shqiptar.”

Ndërkohë që vende të ndryshme ngrenë flamujt the mbushin bibliotekat me vëllime për ta përvetsuar Aleksandrin e Madh si pinjoll të tyre, shqiptarët akoma nuk e kanë përqafuar nipin dhe stërgjyshin e tyre ashtu siç atij i takon, në Besën shqiptare.

Aleksandri i Madh fliste dhe lexonte ilirisht. Historiani Jacob Abbott, në veprën e tij “Alexander the Great,” përmend se Aristoteli i dhuroi Aleksandrit vëllime të Iliadës dhe Odisesë. Që ishin të shkruara në gjuhën amtare – të nënës – së Aleksandrit, pasi Aleksandri nuk e kuptonte greqishten.

Gjuha e nënës së Aleksandrit ishte ilirisht. Aleksandri i mbajati me vete këto shkrime gjatë të gjitha fushatave të tij, sipas Abbot kto kopje të dhuruara nga Aristoteli ishin zbukuruar me ornamente artistike, por edhe Aleksandri i dedikoi atyre një arkë të veçantë për ti ruajtur dhe adhuruar, sepse historitë e Iliadës dhe Odisesë ishin frymzim për të.

Ndërkohë, Aleksandri tjetër, ose Skënderbeu, pamvarësisht kontestimeve, njihet gjërësisht në linjën ilir – arbër – shqiptar.

Dy helmetat me brirë të Amonit dhe Amalteas u mbajtën nga burra të lindur jo larg njëri-tjetrit gjeografikisht, duke folur të njëjtën gjuhë amtare – gjuhë të nënës – dhe duke ndarë të njëjtat zakone dhe tradita kulturore, por me një diferencë kohore prej shtatëmbëdhjetë shekujsh. Megjithatë, bota i njohu të dy me të njëjtin emër: Aleksandër.

Në analet e historisë ushtarake, shkëlqimi dhe udhëheqja e këtyre dy figurave qëndrojnë si të paprecedenta. E megjithatë vend prehjet e tyre janë akoma një mister, për të hershmin Aleksandrin e Madh edhe pse e pa deklaruar zyrtarisht, ndoshta edhe mund të dihet vendodhja, por që publiku e njeh me një emer tjetër – Tutankhamun, që përkthehet si “Mishërimi i gjallë i Amonit” titull të cilin Aleksandri e mbante për së gjalli. Pra Aleksandri quhej Tutankhamun. Kjo Eshtë një tezë intriguese, e lëvruar nga studiuesit, përgjigjen përfundimtare të së cilës do ta zbardhte krahasimi AND-së ndërmjet mumjes së varrit KV62 (e dyshuar të jetë mumja e Aleksandrit të Madh) dhe Filipit II të Maqedonisë (359 – 336 P.e.s). Për ti bërë gjërat edhe më interesante Daily Mail, në artikullin mbi zbulimin e varrit të Filipit II të datës 13 Maj, 2015 shkruan, ligjëratë të drejtë “Ndërsa hulumtimi është deri tani më bindësi që varri i përket Filipit II, testet e ADN-së nuk mund të përdoren, që do të thotë se askush nuk mund të jetë plotësisht i sigurt se kujt i përkasin eshtrat.” Skënderbeu, po ashu ishte legjendë e gjallë gjatë kohës së tij, ai mbajti titullin “Athleta Christi”, Kampion i Krishtit, u quajt kështu nga disa Papë, duke përfshirë Papën Kalisti III, Papën Piu II, Papën Pali II dhe Papën Nikolla V. Mendohet të jetë varrosur në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë. Por, edhe këtu ekziston një teori që eshtrat e Skënderbeut mund të jenë zhvendosur fshehurazi për t’i mbrojtur nga osmanët. Disa studiues dhe historianë spekulojnë se trupi i tij mund të jetë varrosur në një vend më pak të dukshëm për të parandaluar që të binte në duart e osmanëve pas vdekjes së tij. Kjo teori ushqehet nga fakti se vendvarrimi i tij i saktë ka mbetur disi një mister gjatë shekujve. Ndoshta vendprehjen e tij vazhdon ta ruaj historia. 

Megjithëse të ndarë me shekuj në kohë këto dy gjeni ushtarak i bashkon gjaku ilir, dhe aftësia e tyre e jashtëzakonshme për të udhëhequr forcat ushtarake drejt fitores, kundër ushtrive më të mëdha. Napoleon Bonaparti pat thënë, “Fushatat e Aleksandrit janë shkolla më e mirë për gjeneralët. Ato tregojnë rëndësinë e lëvizjes së shpejtë dhe elementin e befasisë.” Në fakt, kjo vërejtje për “…rëndësinë e lëvizjes së shpejtë dhe elementin e befasisë…” ngjason saktësisht me strategjitë e përdorura nga Skënderbeu.

Skënderbeu shpesh përmendet për metodat e tij të tipit guerril, por triumfet e tij në betejat në terren të hapur dëshmojnë një dimension tjetër të zgjuarsisë së tij strategjike, të krahasueshme me atë të Aleksandrit të Madh.

Do duheshin studime më të zgjeruara, sepse fushatat e tij nën perandorinë osmane sigurisht nuk ishin luftë guerrile. Por, nuk mund të themi se mungon evidenca e saktë historike që shpalos gjenialitetin unikal të Skenderbeut në betejat në fusha të hapura. Përkundrazi, ajo është e dokumentuar mirë, si në rastet në vinjim.



I

Citohet se nxehti ishte i padurueshëm atë fund Qershor (dt. 29) të vitit 1444 kur Skënderbeu udhëhoqi shqiptarët në kanionin e Torviollit. Plani ishte i thjeshtë por vdekjeprurës. Osmanët e ndoqën, të pavetëdijshëm. Kur gracka u shtrua, ulëritjet dhe vaji i osmanëve, nga tmerri i betejës, jehonin nëpër anët e kanionit. Cdo gjë mbaroi shpejt. Burrat e Skënderbeut lëviznin me saktësi preçize, si ushtarët e Aleksandrit në Issus. Fitorja ishte e shqiptarëve. Në Issus në vitin 333 p.e.s., Aleksandri u përball me mbretin persian Darius III. , si në rastin e Skenderbeut, megjithëse me një ushtri numerikisht më të vogël, gjenialiteti taktik i Aleksandrit dhe përdorimi i terrenit i siguruan atij një fitore deçizive, duke treguar aftësinë e tij për të kthyer të pamundurën, në triumf. Fitorja e Skënderbeut në Torvioll ishte po aq e rëndësishme, duke mposhtur një forcë shumë më të madhe në numër. Historiani Marin Barleti, në biografinë e tij për Skënderbeun, lavdëron këtë fitore si një dëshmi e zgjuarsisë së pashoq dhe trimërisë së Skënderbeut. Kjo është në një linjë me mendimin e Jakob Philipp Fallmerayer, i cili e përshkruan Skënderbeun si “mjeshtri më i përsosur, më fatbardhë dhe më i madh i artit të luftës i të gjitha kohërave.”


II

Një vit më vonë, në 1445, gjenialiteti i Skënderbeut shkëlqeu sërish në Betejën e Drinit. Me vetëm 3,500 burra, ai u përball me një forcë osmane tre herë më të madhe. Sulmet e shqiptarëve ishin mjeshtrore dhe vendimtare, duke ndjellur tmerr dhe konfuzion tek armiku, dhe duke e mposhtur atë përfundimisht. Taktikat e Skënderbeut pasqyronin ato të Aleksandrit në Granikus. Në vitin 334 p.e.s., në Betejën e Granikus, përdorimi strategjik i kalimeve të lumit dhe sulmet e tij të guximshme të kalorësisë shkatërruan forcat persiane, megjithëse numerikisht më të mëdha. Arbërori gjithashtu përdori terrenin dhe befasinë në avantazhin e tij, duke arritur një fitore të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, Fan Noli thekson cilësitë personale të Skënderbeut, si karizma e tij, qëndrueshmëria dhe përkushtimi i palëkundur për popullin e tij, veti këto të cilat frymëzonin besnikëri dhe ishin vendimtare për suksesin e tij në betejë.

III

Në vitin 1448, Skënderbeu u lëshua me 6,000 burra kundër 15,000 osmanëve në Betejën e Oranikut. Megjithëse numerikisht më të shumtë, osmanët u shkatërruan krejtësisht nga strategjitë e tij dhe kundërsulmet e shpejta të forcave shqiptare. Saktësia dhe koherenca ishin çelësi. Fitorja ishte totale. Kjo betejë reflektonte saktë strategjinë e Aleksandrit në Gaugamela, i cili po ashtu mposhti një forcë shumë më të madhe në numër. Në Gaugamela në vitin 331 p.e.s., Aleksandri u përball me një ushtri të madhe persiane nën komandën e Darit. Ku, përmes përdorimit efektiv të manovrave anësore dhe shfrytëzimit të boshllëqeve në linjat e armikut, ai siguroi një fitore monumentale, duke ndryshuar përgjithmonë ekuilibrin e fuqisë në botën e lashtë. Triumfi i Skënderbeut në Oranik tregon po të njëjtën zgjuarsi strategjike, duke përdorur saktësinë taktike në kushtet e disavantazhit të thellë numerik. Historiani Aurel Plasari vëren se aftësia e Skënderbeut për të komanduar forcat e tij me një finesë të tillë të lartë në betejat në terren të hapur tregon zotësinë e tij të shkëlqyer në  funksion të strategjisë ushtarake.

IV

Beteja e Albulenës, e njohur edhe si Beteja e Ujëbardhës, në vitin 1457 shënoi eterizimin e Skënderbeut, dhe ngren edhe sot pyetjen: a ishte ai me të vërtet gjak i Zeusit legjendar? Një nga fitoret më epike të historisë botërore të luftës. Me 7,000 deri në 8,000 burra, ai u përball me një ushtri osmane që e tejkalonte numrin ushtrisë shqiptare me të paktën gjashtë për një, ushtria osmane përbëhej nga rreth 50,000 deri në 80,000 trupa të ndryshme. Dhe më 2 Shtator, arbrorët nisën sulmin kundra osmanëve. Fitorja ishte absolute, me humbje minimale për shqiptarët, dhe një disfatë katastrofike për osmanët. Ishte një strategji madhështore, e ngjashme me taktikat e Aleksandrit në Tyr dhe Gaugamela. Gjatë Rrethimit të Tyrës në vitin 332 p.e.s., Aleksandri demonstroi këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe gjenialitet duke ndërtuar një rrugë për të arritur mbrojtjet e frikshme të qytetit ishull, duke rezultuar në një fitore të rëndësishme pas një rrethimi shtatë-mujor. Taktikat e Skënderbeut në Albulenë reflektojnë një aftësi të ngjashme për nga niveli i inovacionit dhe përshtatshmërisë.

Shkëlqimi i Skënderbeut në betejat në terren të hapur përjetëson gjenialitetin e tij ushtarak përtej nocionit të luftës së tipit guerril. Ndërsa, aftësia e tij për të mposhtur forcat osmane të cilat gjithnjë kishin epërsi numerike, luajti një rol vendimtar në sukseset e shqiptarëve, dhe formësuan historinë e Evropës së shekullit të XV.

Zgjuarsia dhe udhëheqja vizionare e Skënderbeut jo vetëm që u siguruan fitore të lavdishme arbrorëve, por përfaqsojnë edhe gjenialitetin unik të kombit shqiptar si testament i artit të luftës.

Sot, ne shqiptarët, trashëgojmë po këtë flamur, i cili u valvit lart, i pathyeshëm në beteja të lavdishme.

Për këtë trashëgemi nuk na pyeti kush, ajo na u la.

Por, ne e nderojmë çdo Nëntor, duke çmuar lirinë, kujtuar çmimin e saj, dhe përpjekjet shekullore.

E kemi në zemër, dhe të skalitur në trashëgemin tonë shpirtërore.

Jua shpalosim fëmijëve, dhe i mbulojmë kuq e zi.

U mësojmë shqip, gjuhën e zogut, gjuhën amtare të dy Aleksandërve.

Që e ardhmja e tyre të jetë e lirë, dhe e lumtur, si shqiptar.

Bij të shqipes, dy krenare.

Marsel Fregjaj                                            

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT