• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Observatori Megalit Pellazgo -Ilir afër Kumanovës

June 2, 2013 by dgreca

…Vendi i pestë i botës  ku kishte observator ,prej nga vërehej qielli dhe lëvizja e yjeve dhe e Diellit ,edhe sot e kësaj dite banohet nga shqiptarët dhe është në bjeshkët e Kumanovës . Quhet Kokino.( Më vjen keq që unë nuk e di se si ajo bjeshkë quhet shqip)/

Nga Fahri Xharra/ Gjakove/

Sa më shumë po kalon koha ; sa ma shumë po i  afrohemi një errësimi të madh kombëtar aq më shumë po e shoh  se pse i gjithë ky mohim i vetëvetës .  Mos groponi se nuk duhet, mos i preni thonjt natën se nuk duhet , mos i  numroni yjet natën se nuk duhet ; kështu na thoshin.Dhe ne, ashtu pa menduar fare se pse ishin këto këshilla ,bënim atë që na thonin dhe i përkuleshim mosdijës , e përqafonim errësirën dhe dritën nuk na e donte syri.

Na janë mëshefur gjërat me shekuj ,e edhe vazhdojnë të na mëshihen. Prap rreth rrethit  dhe në rrethin pa dalje , dhe prap në frigën nga shpejtësia  e informimit ,mësimit dhe vetëdijësimit. Terr!

Agjensia Amerikane e Hapësirës NASA në vitin 2005 , i përcaktoi këto pesë vende , si trashëgimi botërore e vendeve nga ku është vrojtuar qielli mijëra vjet më herët: Abu Simbel ( Egjypt), Stonehenge ( Britani e Madhe) , Angkor Vat ( Kambogja) , Goseck (Gjermani) dhe … jo nuk e them  dot, se ne shqiptarët kemi nga  ata të cilët nuk e besojnë dhe nuk na lejojnë t`i besojmë . Vendi i pestë i botës  ku kishte observator ,prej nga vërehej qielli dhe lëvizja e yjeve dhe e Diellit ,edhe sot e kësaj dite banohet nga shqiptarët dhe është në bjeshkët e Kumanovës . Quhet Kokino.( Më vjen keq që unë nuk e di se si ajo bjeshkë quhet shqip)

Kush e thot që Kokino ishte Ilire? por kjo është e vërtetë. Kemi pra të bëjmë me të parët tanë që kishin njohuri astrologjike , mjeksore ,anije ndërtimtarije; i kishin qytetet e tyre ,i kishin mbretëritë e tyre , i  farkonin monedhat  dhe shpatat

Pse tani Kokino , kur përditë e më tepër ballafaqohemi me papunësi , me ulje të standardit jetësor  dhe me … me …? Por  ne duhet të dijmë se kush ishim dhe si të tillë ta rrisim krenarinë tonë kombëtare e të mos biejmë pre  e mashtrimeve ,vetëmohimeve dhe autozhbërjes.

Ishte viti 2001 , në udhën që mund të ecet vetëm këmbë  deri në maje të bjeshkës ,afër fshatit Kokino , arkeologu Jovica Stanovski e zbuloi një vend arkeoelogjik që daton  që nga Koha e Bronzit . Vendzbulimi qe e ka një dimension hijerëndë është i gdhendur në dy nivele. “Ulëset “ prej guri e mbizotërojnë vendin dhe janë të pikësuara drejtë lindjes.

A ishin ato vende ashtu të paprekura  nga dora e njeriut? Jo. Që nga vizita e pare verehën gjurmët e ndërhyerjes së dorës së njeriut Çdo gjë është e rregulluar që ti përshtatët një observatori qiellor . Sipas koordinatave të Diellit si dhe nga  qeramika e gjetur është konstatuar që Observatori  daton që viti 1800 paraKrishtit. .Ishim pra, ne aty. Të tanët ,punonin aty. Gropime t arkeologjike aty afër  apo aty në vend zbuluan material tëçmuar fragmente qeramike , eshtra shtazësh ,peshore piramidale, fragmente të guarve të bluarjes , dhe zoti e di çka tjetër që nuk tregohet.

Është vërtetuar se vendi i gjetur është përdorur për gjatë du mijëvjeqarëve prK si Observetor , me të cilën shihet kulura e lartë e popullit ,si dhe organizimi shoqëror i pellazgo-ilrëve të kohës .

Materialët e gjetura në platformën e epërme e që mund të barten tregojnë se ato i kishin edhe qëllimet tjera të përdorimit e që nuk dihet se pse.Por vet vendi dhe koncepti i vendit tregon se aty ishte edhe një Maje e Shenjt.

Shenjat e gjetura të gëdhendura mbi gurë  i tregonin shënimet  e të gjitha pikave karakteristike të lëvizjës së Diellit dhe Hënës në horizontin Lindor. Observatori ishte stacionar ( i pa lëvizëshëm)  nga i cili shenoheshin pozitat e diellit në dimër e verë.Lartësia e tij mbidetare ishte 1 013m . Banorët pellazg i përdorën shkëmbijt natyror vullkanik për të shënuar lëvizjet e trupave qiellor duke e bërë edhe kalendarin lunar( të Hënës) . Por vendi i zbuluar e kishte edhe rëndësinë e tij edhe si vend i ceremonive fetare të herëshme historike. Sipas të gjtha gjasave ,në kohën më të rëndësishme të vitit në kohën e korrjeve “lidheshin” me Perëndinë e Diellit për falënderime dhe për shpresë për në korrje më tëmadhe në vitin tjetër . Ky mal dhe rreth malit janë quajtur “ Mali i Shenjt”.

Në regjionin Kumanovë-Kratovë janë gjetur mbi 10 tempuj , që i takojnë kulturës Kokino, duke shkuar prapa 40 shekuj. Janë gjetur vizatime mbi shkëmbinj e posaqërisht vizatimet e  shqiponjave. . Janë gjetë gjithashtu edhe figurina të njeriut dhe kafshëve. Kokino kultura është një kulturë shumë e vjetër në tokat ilire.

Observatori Megalitik i Kokinos është në veri-lindje të FYROM-t afër kufirit me Serbinë ; afë fshatit Kokino në vijë – kufitare me fshatin Arbanasko.Në të tërë rajonin janë regjistruar vendet arkeologjike që datojnë nga koha e Neolitit duke mbajtur në vete vendbanime të rëndësishme , vende të shenjta  dhe ngjarje derin në 6000 vjet të vjetra.

Vendi ku është vrojtuar  pozita verore e diellit është e ruajtur mirë, vendi i vjeshtës dhe pranëverës ka dëmtime të vogla  ,kurse aty ku është vërejtur pozita më e lartë në qiell gjatë dimrti ka dëmtime të mëdha.

Të gjitha këto dëmtime janë të mundura nga tërmetet që kanë dridhur tokën gjatë historisë. Edhe pozita qendrore e Observatorit është e ruajtur  dhe e shënuar mirë.

 

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Fahri Xharra, Observatori i Kumanoves

PAPA QË FOLI SHQIP…

June 2, 2013 by dgreca

Ne Foto: PAPA GJONI XXIII (1881 – 1963)/

Nga Fritz RADOVANI/

Angelo Giuseppe Roncalli (Papa Gjoni XXIII), ka lé me 25 Nandor 1881. Viti 2013 na kujton disa pervjetor të Kësaj Figure të Madhe Botnore.

Papa Gjoni XXIII, erdhi në Vatikan me 28 Tetor 1958, plot 55 vjet ma parë…Mori këte Emen si Papë me shlye nga historia një tjeter emen që nuk nderoi postin. Nga viti 1904 ka krye detyra të randsishme, ku perfshihet edhe kenja e Tij në vitin 1944, si Nunc Apostolik në Francë, kur Bota ishte e ndezun flakë në Luften e Dytë Botnore.

Në vitin 1953, Papa Piu XII, e shuguron Kardinal, një tjeter pervjetor me u kujtue… Në vitin 1962, me 8 Dhjetor asht hapë Koncili i Dytë Historik i Vatikanit.

Thirrja e Tij ishte: “Pacem in Terris!”, “Paqë në Botë!” e shpallun me 11 Prill 1963.

Mbylli jeten plot lavdi i nderuem me Emnin “Papa i Mirë” me daten 3 Qershor 1963, pra, plot 50 vjet perpara…vit i cili mbeti në historinë e gjithë Botës, viti që mori dy Figurat e Mëdha, të shpresave të mëdha per mbarë njerzimin, po që do të kujtohet si vit i shuemjes së atyne shpresave me vdekjen e Papës Gjoni XXIII, dhe pak muej ma vonë me vrasjen me atentat të Presidentit amerikan Gjon Kennedi, në SHBA me 22 Tetor 1963.

Papa Gjoni XXIII asht njohës i dy luftave botnore, të cilat i jetoi Ai vetë. Nga vitet 1925 – 1935, asht kenë Nunc Apostolik në Bullgari, Turqi dhe Greqi. Ka njohë mirë mardhanjet ballkanike.

Në vitin 1944 kur ishte në Paris, ka njoh tiparet e masonëve dhe të ebrejëve, per të cilët, me shumë perkushtim ka ndihmue në shpetimin e tyne nga nazizmi. Kur ishte në Turqi, ka vizitue me shumë dëshirë Palestinën. Shkruen nder kujtime per Sllovakinë, Rumaninë dhe Hungarinë.

Ardhja e Papes Gjoni XXIII në Vatikan ishte hapja e një rruge të re në mardhanjet e Kishës Katolike me Fuqitë e Mëdha e të vogla tue fillue nga acarimi i mardhanjeve mes SHBA – BRSS e deri tek Shqipnia Europjane, nën pushtimin komunist e diktatorial të pashoq.

Në 25 Dhjetor 1958, Papa i ri Gjoni XXIII, viziton një spital fëmijësh me të meta mendore, “Krishti Fëmij”, ku jep porositë e veta per kujdesin e shtetit në mirtrajtimin dhe edukimin e tyne.

Të nesermen me 26 Dhjetor, diten e Shen Shtjefnit, viziton burgun “Regina Coeli”, ku ishin të dënuemit e perjetshem per vrasje e krime të randa…ku, u tha atyne: “Nuk kam ardhë me më pa ju mue, sot do t’ ju shoh unë ju, unë i kam ngulë sytë tek ju…Eni të gjithë këtu, eni e më shikoni edhe ju e ngulni sytë tuej tek unë, sot due me ua hapë zemren time, e edhe ju, m’a hapni zemren tuej!”

Me fluturimet në hanë Gjoni XXIII shpjegon madhshtinë e Njeriut si krijesë e Hyut.

 

Në Diten e Pashkëve të vitit 1959, në pershndetjen që Gjoni XXIII i drejton Popujve të të gjithë Botës, që quhet “Mesazhi i Paqës”, per të paren herë në historinë e kësaj Feste të Madhe u ndigjue nga goja e Papës në Kishen e Shen Pjetrit, në gjuhën Shqipe: “Per shumë mot Pashkët!”

Sot ndoshta, kjo nuk çuditë asnjë njeri! Po, per né që e kemi jetue dhe ndigjue në radio, tue kumbue zani i Gjonit XXIII, nder dhomat tona të mbylluna hermetikisht që nga viti 1944… Kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe e perjetshme nder kujtesat e dhunueme nga diktatura…

Papa Gjoni XXIII asht Papa që ka folë Shqip! Kujtesa e Tij, ishte shpresa ynë!

***

Me daten 22 Tetor 1962, ishim para një momenti shperthyes të një konflikti mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, i cili kishte instalue disa raketa missili në Kubë. Presidenti Xhon Kennedi kishte blokue anijet detare ushtarake në detin e hapun. Nikita Hrushov kishte ngritë Murin e Berlinit…

Kuba komuniste kishte shpallë edhe luften kunder fesë dhe Kishës Katolike…

Bota po perjetonte çaste frike dhe trishtimi. Konflikti sillte vetem luftë…

Papa mbyllet në kapelen e vet dhe fillon lutjet… Aty e zen nata nder gjunjë para Kryqit…

Askush nuk mundet me parashikue se shka mundet me ndodhë në sejcilin minut…

Me daten 25 Tetor 1962, Papa Gjoni XXIII, me anen e Radio Vatikanit i tregon të gjithë njerzimit “Thirrjen per Paqë” që Ai i drejton me anen e ambasadorëve Shteteve të Bashkueme të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, ku thekson se “Kisha Katolike kerkon Paqë dhe Vllaznim në mes të Popujve të të gjithë Botës, dhe …Kryetarët e Shteteve nuk duhet të mos respektojnë kerkesat e Popujve të vet…Uluni…bisedoni dhe zgjidhni mosmarrveshjet pa luftë, pa vrasje, me Paqë…

Atëherë, do të keni edhe Bekimin e Qiellit!”

Mesazhi u ba shkak marrveshje dhe kriza heshti.

Vetem në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit, kam rikujtue rolin e madh që kanë luejtë në të gjitha ngjarjet ma të randsishme të mbasluftës së Dytë Botnore Figurat e Mëdha, e mbas sa vitesh prap Gjon Pali II, Reagan e Gorbaçov…ndryshuen Boten e molisun nga diktaturat…

Edhe Gjoni XXIII, e mbas Tij, edhe Gjon Pali II kanë folë në Gjuhë Shqipe.

Papa Gjoni XXIII mbeti i perjetshem në kujtesen mbarë njerzimit perparimtarë si: “Papa i Dashunisë, Unitetit dhe Paqës në Botë!”

Melbourne, Qershor 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, PAPA QË FOLI SHQIP…

Dëshmi Historike për Dëshmorin e kombit Jetullah Islami

June 1, 2013 by dgreca

Me rastin e 14 vjetorit të rënjes heroike të Dëshmorit të kombit profesor Jetullah Islami/

 Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

 Njerëzit e mëdhenjë në jetën e tyre sublime të gjakimit për jetë gjatë shtegtimit të dritëjetës, deri në shtegtimin e dritëvdekjes, veçohen me tipare, cilësi, atdhedashuri, flijim për të vërtetën, sakrifikim për të drejtën e kombit dhe atdheut. Njëri mes njerëzve të mëdhenjë të kombit hyn edhe atdhetari, mësues-profesori, edukatori dhe komandanti i UÇK-së prof. Jetullah Islami.

Shënime të shkurtëra biografike

Jetullah Islami u lind më 14.06.1950 në fshatin Dyz të Komunës së Besianës (Pudujevës). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Mitrovicë, ndërsa studimet univerzitare i kreu në Univerzitetin e Kosovës në Prishtinë, në drejtimin e historisë, kurse ato posdiplomike në drejtimin e kohës së re. Punoi si arsimtar. Pas vitit 1981 për shkak të veprimtarisë patriotike e largojnë nga procesi edukativ e arsimor, detyrë e cila i mohohet deri në fillimin e viteve të nëntëdhjeta kur edhe bëhet Pavarësimi i Arsimit shqip në Kosovë. Më pas e kreu detyrën e Drejtorit të Shkollës Fillore në fshatin e tij të Lindjes, në Dyz të Besianës.

Pas shpërthimit të demostratave të vitit 1981, Jetullahu për shkak të organizimit të këtyre demostratave dënohet me disa muaj burgim, por falë qëndresës së shokëve dhe të tij përsonale, e duke mos e zbuluar njëri tjetrin, ata shpëtojnë vetëm me disa muaj burgim për mungesë të fakteve. Në vitin 1991,  me rastin e formimit të Bërthamave të para ushtarake të Kosovës, Jetullah Islami zgjedhet udhëheqës i formacioneve ushtarake në Podujevë për ta mbrojtur Kosovën. Për herë të parë po e bëj publik një fakt, të një qëndrese dhe organizimi ushtarak që kishte bër profesor Jetullah Islami në vitin 1991, dhe, që personalisht vetë ma dëshmoi në nëntor të vitit 1997,  në Kiel të Gjermanisë.

Me rastin e disa bastisjeve që kishin ndodhur dhe që vazhdonin të ndodhnin në fshatrat Dyz dhe Bellopojë, dëshmori i Kombit Jetullah Islami nuk pranoi nënqmimin që iu bëhej shqiptarëve në këtë kohë, por organizoi në armë këto fshatra dhe iu dolën në pritë policisë serbosllave. Pas një qëndrese të fortë, forcat policore serbe u thyen në mes të fshatrave Dyz dhe Bellopojë. Policia serbe i bie në gjurmë se kush ishte ideatori dhe organizatori i kësaj qëndrese. Ku pas rënjes nëpër burgje të një pjese të veprimtarëve kombëtarë, e  që krijuan formacionet e para ushtarake për mbrojtjen e Kosovës, si dhe arratisjes së një pjese të tyre për në Shqipëri, qëndrimi legal i rrezikohet, prandaj ai kalon në ilegalitet.Jetullahu në vitin 1994, me sugjerimin e shokëve, miqëve dhe bashkëveprimtarëve më të afërm që kishte, kalon në Shqipëri, dhe pas një vit qëndrimi në Shqipëri, në vitin 1995, vjen në Gjermani, dhe vendoset në Kiel të po këtij shteti. Me formimin e nëndegës së LDK-së në Shlesvig Holshtajn, profesor Jetullah Islami zgjidhet anëtar i kryesisë së kësaj nëndege, si dhe Delegat i Degës së LDK-së në Gjermani. Dhe nga këtu, së bashku me shokët dhe miqtë e tij, bën organizime të shumta kombëtare, e që vlenë të veçojmë organizimin e tri Demostratave të mëdha të mbajtura në Kiel të Gjermanisë, si dhe pjesëmarrjet e shumta në protesta dhe demostrata në mbarë Gjermaninë.

Gjithashtu duke e parë nevojën e edukimit të brezave të rinjë, edhe jashtë Kosovës ai punoi për disa vite mësues i mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kiel të Gjermanisë. Me shpërthimin e luftës së hapur në Kosovë, në vitin 1998, Jetullah Islami e la Gjermaninë dhe hyri në radhët e UÇK-së,  i cili luftoi me armë në dorë deri në rënjen heroike, me 2 Qershor 1999, vetëm dhjet, ditë para lirisë së Kosovës, duke lënë si testament brezave  atdhedashurinë, besën dhe burrninë, por edhe mësimin se si duhet të punohet e luftohet për atdheun dhe kombin atëherë të robëruar.

Disa tipare karakteristika, veçori dhe cilësi që i kishte dëshmori i kombit profesor Jetullah Islami

Atdhedashuria

Atdhedashuria ishte njëra ndër tiparet kryesore të Jetullah Islamit. Ai qysh herët u vue në shërbim të kombit, rrugën e vazhdoi gjithnjë duke i shërbyer kombit dhe atdheut, pa ndonjë përfitim përsonal, por vetëm me sakrificë dhe vetëflijim, deri sa me 2 qershor 1999 ra në altarin e dëshmorëve të kombit, dhe iu bashkangjit karvanit të heronjëve të tokës Arbërore, duke mbetur në panteonin e shenjtë kombëtar.

Besa dhe Burrëria

Profesor Jetullah Islami i takonte plejadës së burrave të kombit, i cili kishte tiparet e besës dhe burrërisë, ishte fjalëpakë por punë shumë. Nuk rrahte gjoks por kryente punë. Ishte i saktë, dhe çdo gjë që e bënte e bluanta, e mendonte dhe më pas nxirrte përfundimin e vet logjik, pa u ndikuar nga thashë e thënat, pa u ndikuar nga shtegëtarët amaterë të veprimtarisë kombëtare, por me burrëri të pashoqe iu dilte punëve në krye. Jetullahu ishte i fjalës dhe i besës. Nuk hezitonte, që aty për aty ta thoshte të vërtetën, qoftë ajo edhe e hidhurë për bashkëbiseduesin, por atë që e thoshte e thoshte me fakte, me forcën e argumentit, këtë ia mundësonte edhe profesioni prej historiani, se gjerat duhet të thuhen drejtë, edhe pse e drejta shpeshëherë vret.

Edukimi

Jetullah Islami kishte një edukatë të pashoqe, ai shpeshëherë të rinjët i këshillonte, mundohej t’ju tregonte rrugën e vërtetë. Puna me fëmijë i kishte mbetur peng nga Kosova, prandaj ai edukoi edhe fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë me përkushtim, duke punuar dhe mësuar fëmijëve mërgimtarë për historinë kombëtare shqiptare dhe gjeografinë e atdheut, gjeografi që për profesor Jetullah Islamin nuk kishte kufi administrativë të vendosur me dhunë, por ai fëmijët i mësonte për Tiranën e Prishtinën, Shkodrën e Qamërinë, Malsinë e Dukagjinin, Drenicën e Llapin, Shkupin e Prizrenin, Gjirokastrën e Mitrovicën, Shqipërinë e Kosovën, Qamërinë e Iliridën, me një fjalë, ai fëmijëve iu mësonte historinë dhe gjeografinë e atdheut, pa e penguar kufijtë administrativë dhe telat me gjemba të vendosura në fundshekullin e kaluar.

Ideologjia e Profesor Jetullah islamit

Profesor Jetullah Islami ideologji e kishte atdheun, ndërsa idol Bashkimin e Kombit. Ai thoshte, citoji: “Merre cilindo shqiptarë nga të gjitha viset etnike shqiptare, ai do të jetë për bashkimin e kombit, por këtë bashkim po e pengojnë rrethanat historike që po kalon kombi ynë”.

Përjetësia

Profesor Jetullah Islami mbeti në histori për vetëflijim, heroizëm, atdhedashuri, tipare që e përcollën prej lindjes, rritjes, burrërimit e deri në pavdekësi.Veprimtaria e gjatë kombëtare dhe rënja heroike i sollën përjetsinë. Brezat në të ardhmen përmes shembullit të tij do të mësohen se si duhet të punohet dhe vdiset për atdhe. Shkolla e fshatit Dyz, e cila ishte ndërtuar në tokën e tij që e kishte lëshuar pa asnjë kompenzim, e mori emrin e profesor Jetullah Islamit. Bashkëfshatarët në vendin e rënjes heroike i ndërtuan një lapidar në shenjë respekti dhe kujtimi, ndërsa qyteti i Prishtinës emëroi një rrugë me emrin e tij.Nuk e harruan as bashkëveprimtarët e tij në mërgim. Ku tani e nëntë vite me radhë, e zhvillon veprimtarinë kombëtare Shoqata Kulturore Shqiptare “Jetullah Islami”, me seli në Kiel të Gjermanisë, e që udhëhiqet nga kolegët e Jetullah Islamit. Përkundër këtij përjetësimi mungon edhe diçka. Mungon një lapidar përjetësie, një Monografi për arsimtarin, profesorin, intelektualin, komandantin e UÇK-ës dhe atdhetarin, i cili çdogjë shkriu për shqiptarizëm, Shqipëri Etnike e bashkim Kombëtar, që, shqiptarët të jetojnë të bashkuar, ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë. Dhe, derisa po e përfundoi së shkruari këtë Kujtim për Profesor Jetullah Islamin, në 14 vjetorin e rënjes heroike, në vend të vendosjes të një buqete me lule pranë varrit të tij, në mendje më sillet takimi i fundit me profesorin e nderuar një ditë para se të nisej në frontin e luftës, dhe porosia e tij: nëse shpetoj do të kujdesëm, që në Kosovë gjërat të shkojnë mirë e mbarë, por kjo është luftë, e në luftë vriten luftëtarët, por unë po shkoi me vetëdije të plotë dhe i përgaditur për të dy variantët, – me tha profesor Jetullah Islami.Derisa ai u përjetësua në legjendë, neve na mbetet ta kompletojmë përjetësinë e profesor Jetullah Islamit me një Monografi, e që do të shkruhet për veprimtarinë e tij kombëtare gjatë shtegtimit të dritëjetës, e deri në rënjen heroike, ku edhe mbeti legjendë e trimërisë, mençurisë e urtisë, dhe zuri vend të merituar në altarin e shenjtë kombëtar. Por, kjo monografi do të ishte e plotë sikur se të kemi mundësi që në të ardhmën të gjejmë edhe ditarin e luftës që e mbante me pedantëri dëshmori Jetullah Islami. Ai përveç se atdhetar, ishte edhe historian që e dinte shumë mirë se gjërat duhet të shënohen dhe ngjarjet duhet të shkruhen ashtu siç kanë ndodhur, dhe jo siç po i shtrëmbërojnë, disa, për nevojat e politikës ditore.Vërtete jetoi pakë, por brezave të tërë dhe kombit në përgjithësi iu dha shumë, biles duke mos llogaritur as Jetë e as Familje të vet! Lavdi i qoft!

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 14 vjet, Jetullaj Islami, nga renia e deshmorit, Nue Oroshi

KUJTOJME XHON F. KENNEDI NE DITEN E LINDJES

May 29, 2013 by dgreca

Shkruan:  Fritz RADOVANI/Melbourne/

 Xhon F. KENNEDI (John Fitzgerald KENNEDY), ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje irlandeze me besim katolik, i vendosun kur imigroi në Amerikë, në Boston. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi, u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshem jo vetem në Historinë e Amerikës, po edhe até botnore. Njihej si një nder gjenialitetet e universiteteve amerikane, mbasi kishte mbrojtë titullin doktor me një studim të veçantë të zhvillimit ekonomik të ShBA, per 50 vjetët e ardhëshme. Në kjoftë se Europa Perëndimore, ku perfshihej edhe ShBA në zhvillimet politike, kishte arrijtë me krijue njëfarë stabiliteti edhe në ekonomi, Europa Lindore komuniste kishte humbë edhe atë ekonomi që kishte pasë para Luftës së Dytë Botnore, mbasi gjithshka shkonte në buxhetin ushtarak nder të gjitha shtetet që ishin nën dhunen e diktaturës stalinjane bolshevike të Bashkimit Sovjetik, ndersa t’ ardhunat nga kampet e punes dhe të shfarosjes, “rezervoheshin” nder bankat Perëndimore…

Kontrasti ma i madh mes dy bloqeve ishin “të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”. Mbas vdekjes së Stalinit, disa lëvizje me karakter demokratik në Europen Lindore, u shtypen me tanket blokut komunist tue e rikthye pushtimin e tyne nga sovjetikët, që gjoja në vitet 1956 – 58 kishin dënue kultin e Stalinit, me të cilët aso kohe u bashkue edhe “udhëheqja” e Tiranës komuniste, pra edhe Shqipnia, që mbas viteve 1961 – 62 filloi me dënue “revizionizmin modern sovjetik”, mbasi Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk ishin dakord me lëshue postet drejtuese të tyne dhe me ba ndryshimet që vendet e “demokracive popullore” të Lindjes po banin ata vite. Perballë me ShBA, ishte edhe Kuba komuniste, që kishte fillue instalimin e luftanijeve e raketave sovjetike në portet e saja, gja që kishte zgjue prej gjumit edhe amerikanët. Data 14 Prill 1961 sjelli até që Kennedi me avionet e Tij, i tregoi Botës se politika që do të ndjekin shkon drejtë ndryshimeve.

N.S.Hrushov në vitin 1959 ishte kenë “mysafir” i Ajzenhauer në Kemp Devid, të ShBA, por gjithshka mbeti e “mësheftë” mes dy kryetarëve të shteteve ma të fuqishme të Botës.

Ndaj veprimeve të Kennedit kunder Kubës, si kunderveprim Hrushovi, me daten 13 Gusht 1961 filloi mu në zemren e Europës ngritjen e Murit të Berlinit. Gjithshka dukej se bahet në një prag të një gjendjes së re dhe të rrezikshme botnore…

Kennedi ishte nder Presidentët ma të rij (43 vjeç), kur kandidoi si President në ShBA.

Me daten 22 Nandor 1963, Presidenti Kennedi në një limousine me të shoqen Zhaklin Kennedi, shoqnuesin dhe shoferin arritën në Dallas, për zgjedhje të reja. Nga një dritare në një kthesë, Lia Harvei Osvald gjuejti dy here dhe Presidenti, mbas pak kohe vdiq në një klinikë ku e operuen pa sukses. Ngjarja atje ka ngja rreth ores 12.30’. Pra me daten 23 në mengjes në Europë, u hap lajmi i vrasjes së Xhon J. Kennedit. Tue shkue tek stacioni i urbanit me dale në punë, tek Dugajt’ e Reja, lajmin ma dha spijuni Pjerin Vata, i cili ishte i gzuem per suksesin e zhdukjes së Presidentit amerikan, që né e konsideronim President të “ndryshimeve të pritëshme”…

Me daten 24 Tetor (në ShBA), kur policia po çonte Lia Osvald nga burgu per në një burg tjeter, një “qytetar” amerikan i “zemruem” per vrasjen e Presidentit, i quejtun Xhek Rubi (Jack Ruby), në mes rojeve shtinë me pistoletë dhe vret atentatorin Osvald. Në dukje çeshtja u mbyll!

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln dhe Mc. Kinley, në vitin 1901.

Nga Raporti Worren kam veçue një frazë: “Historia rrallë perpilon spjegime të plota dhe bindëse mbi vrasjet e Burrave të shtetit. Një njeri i vetem shumë rrallë kryen ndonjë vrasje.” Po në Raportin Worren, thohet se mbas 50 vjetësh, do të zbulohet e verteta e vrasjes…pra, në 2013.

Në një kohë rekord Ai ka lanë një dafinë lavdije per shpresat e popujve të shtypun.

Në Amerikën moderne, Xhon Kennedi asht Presidenti i parë që u nderue nga zezakët.

Në vitin 1961 erdhi në Europë dhe me 2 Qershor, në Pallatin Shaijo, në  Paris, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën ai mendon se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. Artikulli “Përgjigje zotit Kennedi”).

 

Mbas pak ditësh Presidenti Kennedi u takue me N.S.Hrushovin në Vienë.

Kur Nanë Tereza kerkoi me ardhë në Shqipni, me takue Nanen e vet dhe motren që aso kohe jetonin në Tiranë, terroristi Enver Hoxha, jo vetem, nuk pranoi kerkesen e Saj, por edhe me një mllef të turpëshem shprehi mendimin e vet në gazeten “Zëri i Rinisë” aso kohe… (E ndoshta, ajo deklaratë e tija pengon edhe sot Kuvendin Popullor, “mos me ia prekë tituj e dekorata”!!).

Nanë Tereza iu drejtue Presidentit Kennedi, i cili, iu pergjegjë: “Unë e detyroj qeverinë e Shqipnisë me Ju lejue me shkue mbrenda 24 orëve, por nuk e quej me vend shkumjen Tuej atje, mbasi drejtuesi i shtetit shqiptar jo vetem asht vetshpallë ateist, po asht edhe një terrorist vrasës i shumë klerikëve katolik të pafajshem. Shkuemja e Juej atje asht një nderim që i bahet atij…e ai, nuk mendoj se e meriton këte.”

 

Xhon F. Kennedi në Berlin.

         Me 13 Gusht 1961 Xhon Kennedi shkoi tek Muri i Berlinit dhe aty tha:

“Unë sot jam një Qytetar Berlinez!” dhe vazhdoi:

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..”

Kjo flakë nuk fiket!

Kjo flakë nuk fiket as nder zemrat e mendjet e Atdhetarëve Shqiptarë!

Kjo flakë nuk fiket…Presidenti Kennedi e ka ndezë per mos me u shue kurrëma!

Kjo flakë nuk fiket se asht e ndezun me dashuninë e Tij per jeten, Njeriun, Lirinë!

Ajo flakë, perditë ndritë Boten me virtytet e Shpirtit të Tij human,…

Me “të Drejtat e Liritë e Njeriut”, për të cilat Kennedi, dha edhe jeten e vet.

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, John Kennedy, Kujtojme

Norbert Jokl: Fati i nji biblioteke dhe i nji njeriu që i përkisnin Shqipnisë

May 29, 2013 by dgreca

Shkruan: Ardian Ndreca/

(Dielli-arkiv)/

 Norbert Jokli ka qenë nji prej figurave mâ të shndritshme që ka njohtë albanologjia gjatë shekullit të kaluem. Ai ka lindë me 25 shkurt 1877 në Bzenec apo siç njihet ndryshe Bisenz, në jug të Moravisë dhe ka vdekë në rrethana tragjike në maj të vitit 1942. Por, para se me u njohtë si albanolog i madh ai ishte i çmuem si studjues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadtsbibliothekar) i Universitetit të Vjenës.

Admirues i madh i Fishtës, Konicës, Sqiroit, Naimit dhe traditës bektashjane, njohtës i De Radës dhe i arbëreshëve, simpatizues i Shantojës dhe i Koliqit, Jokli pati nji letërkëmbim të dendun me shumë personalitete kulturore dhe politike shqiptare.

Âsht meritë e tija që qysh në vitin 1914 në Vjenë u kryen, për qëllime studimi, regjistrimet e para zanore në gjuhën shqipe me subjekte shqipfolës. Ai njihet si autor i shumë studimeve që trajtojnë kryesisht probleme etimologjike dhe çeshtje letrare të gjuhës shqipe.

Ernest Koliqi, tue përshkrue nji vizitë të bame së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhetor të 1937, shkruente nji vit mâ vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:

“E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shtî për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zêmra më ndrydhej. Paska qênë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.

Jokli pat krijue nji bibliotekë albanologjije e indogjermanistike me rreth 3000 ekzemplarë libra, prej të cilëve sot kanë shpëtue mâ pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruente dorëshkrimin e nji Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbë qysh në pranverën e vitit 1942.

Duhet thanë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipnisë. Simbas historianëve të sotshëm, ka qenë pikërisht kjo dëshirë fisnike e Prof. Norbert Joklit që ka shenjue fatin e tij mizor. Ngjarjet kanë rrjedhë pak a shumë kështu.

Kalvari i Joklit zen fill në maj të vitit 1938, atëherë kur nacionalsocialistat filluene me e persekutue e me ia mohue të drejtat profesionale. I shtymë prej disa miqsh – ai vendosi me i drejtue në vjeshtën e vitit 1939 nji lutje Gauleiter-it Bürckel, komisarit të Reich-ut për zonën e Ostmark-ut, tue i kërkue njohjen e të drejtave të barabarta me “racat e përzieme të gradës së parë”. Lutja nuk u pranue e kështu që Joklit iu mohue e drejta me konsultue deri edhe bibliotekën dhe iu revokuen të gjitha privilegjet akademike.

Megjithatë, në Shqipni, Prof. Jokli pati gjithmonë dashamirë dhe miq të sinqertë. Me rasën e Kuvendit të parë të organizuem prej Institutit të Studimeve Shqiptare, të zhvilluem në Tiranë prej datës 9 deri me 13 prill 1940, ishte ftue me marrë pjesë edhe “profesor Jokli, albanologu i njohtun izraelit prej Vjenet” – kujton Francesco Jacomoni (shih: La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano 1965, fq. 183). Dihet se organizator i atij tubimi të randësishëm ishte ministri Ernest Koliqi.

Në nji letër të shkrueme në Tiranë me datën 15 prill 1940, Aleksandër Xhuvani ndër të tjera i kumtonte Joklit:

“Kemi pasë këto ditë, si do ta marrish vesh, nji Kuvend të parë të studimeve shqiptare, ku u mblodhën Shqiptarë e Italianë shkencëtarë e studimtarë, ndër të cilët edhe Bartoli e Tagliavini. Ju kemi zanë n’gojë shumë herë dhe na vinte keq që s’gjindeshit edhe ju në mes t’onë. Ju kemi dërgue të fala me disa kartolina.

Gjithë përpjekjet t’ona rrahin që të të sjellin këtu ose gjetiu të veç, për të vijue punën e studimevet t’ueja, dhe shpresojmë që t’ja dalim në krye kësaj dëshire”. (shih: Jokl Nachlass Autogr. 279/114) 

Në vitin 1972 Ernest Koliqi kujtonte ndër vûllajt e «Shêjzave» sesi Prof. Carlo Tagliavini, albanolog i Universitetit të Padovës, me nji «letër kushtrimore»  të datës 14 mars 1941 i kërkonte me bâ diçka për Joklin:

“…bahet fjalë me shpëtue njeriun. Dëshira e tij kishte me qenë, siç e din, me kalue vjetët që i kanë mbetë (tash âsht 64 vjeç) në Shqipni… Un t’i shkruej këto gjana që të jesh në dijeni të plotë dhe n’emën të miqsisë sonë të vjetër të lutem që të bajsh gjithçka âsht e mujtun; bahet fjalë me shpëtue njeriun, me shpëtue albanologun mâ të madh, i cili mundet me i dhanë ende shumë studimeve shqiptare”. (Shêjzat, 1972, n. 1-4, fq. 83-88)

Duhet thanë se prof. Tagliavini e kishte këshillue Joklin me ia falë me anë të nji akti zyrtar bibliotekën e tij Shtetit shqiptar, në mënyrë që me e pasë mâ të lehtë me marrë lejen për me shkue në Shqipni (shih: C. Tagliavini, në Indogermanisches
Jahrbuch
, XXVIII, 1949)

Me 15 mars 1941, konsulli shqiptar në Vjenë, dr. Nikollë Rrota (vlla i piktorit Simon Rrota dhe i gjuhëtarit Át Justin Rrota) i shkruente Koliqit:

“Në rasë të konferencës qi mbajti më 27 fruer v.v. miku i jonë, z. Prof. Tagliavini, e informova hollësisht mbi gjendjen e tmershme në të cilën ndodhet sot Prof. Jokl, kurse rryma e sotshme e Nacizmit ka marrë masa tepër të rrepta kundra çëfutënve […] parashifet qi shpejt do t’instradohet për në Poloni pa pasë mundësí as me e marrë me vehte bibliotekën e tij e as me krye mâ ndonji vepër ditunije. Siç dihet, biblioteka e tij âsht nji ndër mâ të pasunat dhe mâ të vlefshmet mbi letratyrën shqipe, sikurse mund t’a vërtetojë edhe z. Prof. dr. Ekrem Çabej”.

Konsulli Rrota, siç marrim vesht prej nji letre të P. Kretschmer-it kishte fillue përpjekjet për shpëtimin e Joklit qysh në prill të vitit 1940.

Në ketë kohë personalitete të ndryshme të kulturës e politikës europiane dhe të vetë qeverisë shqiptare, të përfaqsueme në personen e Ernest Koliqit, po bânin çmos për me e shpëtue Prof. Joklin – tue e ftue me jetue e me punue në Shqipní. Ketë gja e dëshmojnë letrat e profesorave Krahe, Kretschmer, Tagliavini, Koliqi, F. Ercole, G. Schirò jr., e gjithashtu edhe hapat e marrun në rrugë diplomatike prej ministrit Giuseppe Bottai, prej ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin dhe prej konsullit shqiptar në Vjenë, Dr. Nikollë Rrotës, i cili u përpoq me aq sa mundej edhe mbas vdekjes së Joklit për me dijtë diçka për rrethanat tragjike të fundit të tij.

“Sa mora letrat e Tagliavinit dhe të Rottës, kujtonte E. Koliqi në vitin 1972, unë fola me Kryeministrin z. Shefqet Vërlaci i cili pranoi menjiherë propozimin t’êm me e êmnue Jokl-in Organizator t’Arkiveve Shtetnore dhe të Bibliotekave shqiptare. Mblodhi Këshillin Ministruer, qi njizâni vendosi at êmnim. I a dërgova dekretin përkatës Prof. Jokl-it në Vjenë dhe kumtova njikohësisht Tagliavinin dhe Rottën”.

Mbas këtyne orvatje fillestare, Koliqi do të shkonte apostafat në Romë për me folë për shpejtimin e çeshtjes së Joklit me ministrin Bottai. Ndërkaq ishin tue u bâ traktativa ndërmjet Ministrisë së jashtme italiane dhe asaj gjermane e Bottai e këshillonte Koliqin me folë me Ciano-n, në mënyrë që ky t’i shkruente J. Ribbentrop-it.

Edhe Prof. Eqrem Çabej, i cili ndodhej në Romë në korrik të vitit 1941, mbasi ishte emnue prej Koliqit si përfaqsues i palës shqiptare për hartimin e «Atlantit gjuhësor» për pjesën e arbëreshëve, interesohej në mënyrë aktive për fatin e Joklit.Me 18 tetor të vitit 1941 Prof. Tagliavini, i cili s’prânte tue u përpjekë për kolegun e vet austriak, i shkruente Koliqit se konsulli Rrota dhe Jokli kanë ndeshë në vështirësina të paprituna në marrjen e lejes së kalimit dhe se âsht nevoja që Mëkambësi Jacomoni t’i shkruente nji letër urgjente ambasadorit italian Dino Alfieri në Berlin. Jacomoni e shkroi letrën dhe ia nisi menjiherë ambasadorit italian. Megjithatë, si ministri Bottai ashtu edhe ambasadori Alfieri nuk e përmendin në ditaret dhe kujtimet e veta çeshtjen e Joklit.

Me nji letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavinit i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për me ndërhy nepërmjet kryeministrit Kruja.

Shkruen Koliqi:“Unë nga Tirana i telefonova menjiherë Bottai-t në Romë e shkova mandej fíll tu Mustafa Kruja i cili në sý t’êm mori telefonin e foli me Ciano-n tue e lutë nxehtësisht me bâ çmos për shpëtimin e Jokl-it. Ciano përgjegji se do të lutte Mussolinin me ndërhy pranë Hitlerit”.

Duhet thanë se përveç Gestapos, kishte edhe persona të tjerë që nuk donin që Jokli të gjente strehë në Shqipni, nji ndër këta ishte edhe Viktor Christian, dekani i fakultetit të filozofisë në Universitetin e Vjenës. Christian kishte frikë se tue fitue të drejtën me shkue me jetue në Shqipni, Jokli do të merrte me vete edhe bibliotekën e tij; ndërsa në rasën tjetër, biblioteka e sekuestrueme prej nazistave do t’i kalonte fondit të Universitetit.

Në fakt, dekani i filozofisë Christian, që mâ vonë do të bâhej rektor i Universitetit, i shkruente SS-Hauptsturmführer-it Brunner se në qoftë se Jokli do të shkonte në Shqipni, biblioteka e tij s’do të mbetej në Vjenë, por në rasë se autoritetet do ta internonin në Poloni, dekani i lutej oficerit SS, që biblioteka t’i jepej fakultetit të filozofisë.

Kah mbarimi i prillit 1942, dekani Christian ishte i informuem për internimin e Joklit dhe për faktin që biblioteka e tij – tue i kalue Universitetit të Vjenës – do të vendosej së shpejti në mjediset e Institutit të Indogjermanistikës ose të atij Oriental.

Menjiherë do të interesohej edhe drejtori i përgjithshëm i Bibliotekës Kombtare austriake, Paul Heigl, i cili kërkonte që librat e «çifutit Jokl» të baheshin pronë e komunitetit të gjanë të studjuesve. Edhe ambasada italiane në Vjenë, në emën të së drejtës që kishte fitue Italia prej bashkimit të kunorave mbretnore me Shqipnin, bante hapat e saj për marrjen e kësaj biblioteke me përbamje albanologjike.

Nji ndër gjanat mâ me vlerë që humbën prej asaj biblioteke, âsht edhe dorëshkrimi i Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe.

Nji fat të ngjashëm me Fjalorin etimologjik të Joklit, pati edhe Fjalori i gjuhës shqipe i Mustafa Krujës, i cili, edhe pse ekzistonte në dorëshkrim në Institutin e Studimeve shqiptare, mbas vitit 1944 i humbi fara si mos me pasë qenë kurrë. Fate të ngjashme me bibliotekën e Joklit patën edhe mâ të mëdhat biblioteka që ekzistojshin asokohe në Shqipni: biblioteka dhe arkivat e Lef Nosit, Mithat Frashërit e Eqrem bej Vlorës si edhe biblioteka dhe arkivi i Etënve françeskan dhe i atyne jezuit në Shkodër.

Tue u kthye te Jokli: mjerisht, megjithë përpjekjet e autoriteteve mâ të nalta shqiptare, egërsija naziste nuk i dha mundësí albanologut të shquem me u strehue në vendin tonë.

Me 3 mars 1942 dy nëpunësa të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryene mâ së parit në Sperrgasse e mandej në kazermen Roßauer në Vjenë. Si nji shkencatar i vërtetë dhe si njeri i dashunuem mbas librash, ai ndihej prej kohësh i dëshpëruem vetëm prej idesë se mund të ndahej përgjithmonë prej librave të tij të çmueshëm. Bile, i kishte pohue gjuhëtarit Carlo Tagliavini, se në rasë se do t’i duhej me u nda prej librave të vet, do të preferonte me mbytë veten.

Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por përsa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme. Ernest Koliqi – i informuem prej konsullit Rrota – tregon se gjatë rrugës për në nji kamp përqëndrimit në Riga, Jokli u hodh prej trenit kur po kalonte mbi nji urë të naltë rreth 100 metër dhe mbyti veten. Disa studjuesa austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermen Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it,  nji lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minsk-ut, në Ruteninë e Bardhë. Ka gjasë që ky variant të jetë mâ i mundshmi.

Kampi i Maly Trostinec-it ishte krijue qysh në nandor të vitit 1941 në territorin e ish kolkozit «Karl Marx». Tue qenë se në gjysmën e marsit të 1942 partizanët kishin sulmue kampin tue vra rojet, mbas këtij episodi kompania e rojeve ishte shtue si numër, tue arritë shifrën 250 ushtarakë. Zakonisht ekzekutimet në masë në ketë kamp bâheshin me anën e pushkatimit, i cili kryhej në pyllin e Blagowshçinës.

Simbas listave të transportit të Reichsbahn-it (hekurudhat e Reichut III), mbartja e parë e hebrenjve prej Vjenet për në t’ashtuquejtunin «Reichskommissariat Ostland», u bâ me datën 6 maj 1942. Nji gja të tillë e konfirmon edhe nji raport i detajuem i komisariatit të policisë vjeneze (95. Pol. Revier) i shkruem me datën 16 maj 1942. Raporti përshkruen me hollsi «evakuimin» e 1000 hebrenjve prej Vjenet, lista e të cilëve, sqaron me nji ton të ftohtë burokratik funksionari i policisë, ishte raditë prej kapitenit SS Brunner. Mbasi përshkruen me hollësi nisjen prej Vjenet, itinerarin si dhe ndalesat e ndryshme, raporti ven në dukje faktin se me datën 9 maj – kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekë 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internuem. Emnat e tyne nuk shenjohen, por ka shumë mundësi se njeni sish të ketë qenë albanologu Norbert Jokl.

 Epilog: nazizmi dhe komunizmi si anmiq të njerzimit

Lind pyetja: a do të kishte mujtë me shpëtue Jokli po të kishte mbërrijtë me marrë lejen për me jetue në Shqipni? Deri në nandor të vitit 1944 besojmë se po, por mâ vonë – tue marrë parasysh se Jokli kishte qenë nëpunës i Perandorisë austro-hungareze dhe se në Shqipni kishte shkue vetëm nji herë, i ftuem prej Mbretit Zog për me marrë dekoratën e naltë «Komandar i Urdhnit të Skanderbeut», e cila  i ishte dhanë me rasën e 25 vjetorit të Pamvarsisë; por mbi të gjitha tue mos harrue faktin se kishin qenë fashistat si Ernest Koliqi që e kishin ftue me ardhë përgjithmonë në Shqipni – na duket pak e vështirë se puna e nisun prej Gestapos do të kishte mbetë përgjysmë për mungesë zellit prej homologëve të tyne të shquem të regjimit të Tiranës!

Por tue qenë se punët kanë rrjedhë njilloj keq, mâ mirë që «marrja» për ketë vrasje të poshtër i ka mbetë gjermanve dhe jo shqiptarve.

Edhe pse mbi ndërgjegjen e shqiptarve peshojnë vdekje të tjera po aq tragjike sa ajo e Joklit; bâhet fjalë për emna si Lef Nosi, Pal Dodaj, Xhevat Kortsha, Pashk Bardhi, Bernardin Palaj e shumë të tjerë. Mbi ndërgjegjen e kombit peshon edhe sekuestrimi i mundit të tyne shumëvjeçar dhe përvetësimi i paturpshëm i vlerave studimore prej autoriteteve të vetëquejtuna «shkencore» të regjimit komunist.

Fati i Joklit âsht nji mësim historik dhe njerzor: nazizmi dhe komunizmi janë degët e thata të po të njejtit “dru të shtrembët që âsht njerzimi” (I. Kant).

Në qoftë se në hymje të kampit të Auschwitz-it komandanti R. Höss kishte shkrue: «Puna të bân të lirë», mos të harrojmë se në hymje të gulagëve sovjetikët venin shprehje si këto: «Puna të kthen në shtëpi» ose «Puna në BRSS âsht çeshtje nderi dhe lavdie» (kampi i Vorkutës).

Në vitin 1947, ish-komandanti i kampit të përqendrimit të Auschwitz-it, Rudolph Höss, ndërsa pritte në nji burg polak ekzekutimin e dënimit kapital, shkruente me të shpejtë kujtimet e veta (shih: Rudolph Höss, Kommandant in Auschwitz. Autobiographische Aufzeichnungen, me parathanje dhe komente të Martin Broszat, Stuttgart 1978). Ndër të tjera tregon – tue dashtë me provue se edhe ndërmjet «fitimtarëve» ka njerëz si ai – sesi në kohën e aleancës me Moskën: në vitet 1939-1941, nazistat merrshin eksperiencë prej kolegëve të tyne sovjetikë në fushën e kampeve të çfarosjes në masë. Mbas pushtimit të territorit sovjetik – vazhdon Hoess – nazistat mbetën të mahnitun për punën shumë të respektueshme që kishin bâ kolegët e tyne sovjetikë. Kah ana tjetër komisioni tepër sekret i Vishinskit – shkruen historiani rus Arkady Vaksberg në vitin 1990 – që mbikqyrte punimet e gjyqit të Nürnberg-ut, kishte si qëllim mospërhapjen e «sekreteve» të tilla prej të pandehunve.

Sulmi i Hitlerit ndaj lëvizjes komuniste – simbas dëshmive të hierarkut nazist H. Rauschning – bâhet mâ tepër për arsye taktike sesa ideologjike, tue qenë se themeli i nazizmit ishte vetë marksizmi. Ndërsa socializmi sulmohej për karakterin e vet internacionalist dhe demokratik – ashtu siç sulmoheshin shtetet demokratike për karakterin e tyne plutokratik.

Pesë ditë përpara sulmit ndaj BRSS, J. Goebbels-i shenjonte në ditarin e tij se fitorja ndaj judeo-bolshevizmit do të çonte drejt vendosjes së socializmit të vërtetë (der echte Sozialismus).

Nacional-socializmi hitlerian tue vue në jetë të ashtuquejtunen «zgjidhje finale» për çeshtjen hebraike, nuk bânte gja tjetër veçse ndiqte pikë për pikë mësimet e Marx-it dhe të Engels-it.

Justifikimi i genocidit dhe spastrimi etnik janë karakteristika të Shtetit totalitar dhe të teoricienëve të tij (shih: George Watson, The lost literature of socialism, The Lutterworth Press,1998).

 Siç ka vue në dukje studiuesi G. Watson, në vitin 1849 Friedrich Engels-i kërkonte prej faqeve të revistës «Neue Rheinische Zeitung» – (e cila drejtohej prej mikut të tij K. Marx) – zhdukjen e hungarezëve, mbasi këta ishin rebelue ndaj Vjenës. S’mjaftohej me aq, por donte edhe shuemjen e disa popujve sllavë si serbët, e mandej baskët, bretonët dhe malësorët skocez. Nuk âsht për t’u çuditë që Stalini te vepra e tij “Themelet e leninizmit” (1924) e porositëte këtë artikull si të nevojshëm për t’u lexue prej revolucionarëve. Engels-i edhe te nji letër drejtue Marx-it (23 maj 1851) mohonte ekzistencën e polakëve si komb dhe vlersonte ekspansionin prusian drejt lindjes, si të domosdoshëm; bile edhe çmonte Rusinë e Carit si nji «vend progresist». Engels-i e konsideronte racën si nji ndër faktorët ekonomikë që përcaktojnë fenomenet historike (shih: Letër e Engels-it drejtue W. Borgius, 1894).

Edhe Marx-i te shkrimi me titull «Revolucioni dhe kundërrevolucioni në Gjermani» (botue te NRZ, 1852) mendonte sesi mund të zhdukeshin prej faqes së dheut grupet etnike të çekëve, sllovenëve, dalmatinëve – të cilat simbas tij s’kishin vitalitet dhe duhet të asimiloheshin prej gjallnisë gjermanike.Prej këtyne nënvizimeve jo të rastësishme kuptojmë se doktrinat totalitare duen me shpëtue gjysmën e botës tue shue gjysmën tjetër – e të gjithë ata që i kundërshtojnë janë të destinuem me iu bashkangjitë asaj «gjysmës tjetër».

Tiranët nuk i duen njerzit e lirë të kulturës dhe të shkencës, e edhe atëherë kur mundohen me u paraqitë si shpëtimtarë të kulturës e të vlerave kombtare, tiranët nuk bâhen dijetarë apo të urtë, mbasi ai që tue vra shkencatarin kujton se ka shpëtue veprën, përveçse mizor âsht edhe stramastik i përbuzshëm.

Shenjim:

Dashunia për vendin tonë në nji farë mënyret i ka marrë jetën profesor Joklit, kurse vendi ynë – po të përjashtojmë dekoratën e Zogut – s’i ka dhanë atij pothuejse asgja.

Çka ka teprue prej dorëshkrimeve të tija të vlerta, prej kah u nxorën edhe letrat që po botojmë, gjindet sot e kësaj dite në fondin e Bibliotekës Kombtare Austriake në Vjenë. Âsht për t’u shenjue se krahas origjinalit shqip, në Arkiv ruhet edhe përkthimi gjermanisht i letrës së Koliqit, gja që tregon se Jokli e përdori atë dokument pranë organeve kompetente për me mujtë me marrë lejen e udhtimit për në Shqipní.

Nji katalogim i paplotë i Nachlass-it të Jokl-it âsht bâ prej Dr. Robert Schwanke-s. Duhet shtue se gjatë viteve të komunizmit, në vitin 1979, nji pjesë e letrave të Joklit janë marrë në dorë dhe janë studjue prej profesorave E. Çabej dhe J. Thomai.

————————————————

 Urdhëni i Skënderbeut

 Na, Zogu I. , Mbreti i Shqiptarëve

i akordojmë Z. Profesor Norbert Jockl [sic],

dekoratën Komandar të Urdhënit të Skënderbeut.

 Tiranë, më 16 Dhetuer 1937

Zogu I

 Jokl Nachlass Autogr. 279/115  (ÖBN)

—————————————————————————–

 Mbretnija Shqiptare                                                Tiranë, më 6/X/1941  – XIX

Ministrija e Arsimit

Nr. Prot. 370/33

Shkurtimi:

Gjegje e shkresës Nr.    dt.

 Të nderueshmit Zotni

Dr. Prof. Norbert Jokl

Vjenë

 Tue çmuem veprimtarín t’Uej, qi tash sa vjetë keni zhvilluem rreth ditunís gjuhësore shqipe me anë botimesh të randsishme, Këshilli i Ministravet me vendimin e vet Nr. 1128, me 3 Shtatuer 1941-XIX pranoi proponimin e Ministris s’Arsimit për të Ju marrun në shërbim me kontratë për nji vjetë kohë, d.m.th. prej 1 Korrikut 1941 deri me 30 Qershuer 1942 – XIX si organizatuer të bibjothekavet të Shqipnís me rrogë muejore prej fr. Shq. 600 (gjashtqind).

Jemi të sigurtë se prej veprimit t’Uej arsimi i ynë dhe i tanë populli shqiptar do të nxjerrë nji përfitim të madh shkencuer. Ju lutemi qi porsa t’a merrni ketë shkresë, të kryeni formalitetet e udhtimit e të niseni sa mâ parë për në Tiranë.

 MINISTRI

Ernest Koliqi

 [vula dhe nënshkrimi]

 Jokl Nachlass Autogr. 279/45  (ÖBN)

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Adrian Ndreca, aLBANOLOGU I FAMSHEM, NOBERT jOKKLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 659
  • 660
  • 661
  • 662
  • 663
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT