• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKËNDERBEU NË DRAMATURGJINË BOTËRORE

May 6, 2024 by s p

Prof. asoc. dr. Myrvete Dreshaj – Baliu

Prof. dr. Begzad Baliu/

Vepra madhore për Skënderbeun dhe kohën e tij do të shkruhen edhe në gjininë dramatike, si drama, sidomos njëaktëshe, tragjedi, komedi, opera, balete etj. Me dramën dhe llojet e saj letërsia për Skënderbeun do të zgjerohet shumë për nga temat dhe motivet që do të trajtojë. Ndryshe nga poezia dhe poema, të cilat kishin karakter përgjithësisht historik dhe epik, ndryshe nga novela dhe romani në të cilët tema historike merr dimensione më të gjera historike dhe etnografike, drama dhe llojet e saj e zgjeruan shumë temën, motivin dhe karakterin jo vetëm historik, po edhe personal të Skënderbeut.

Drama e ka zgjeruar shumë dhe pakrahasueshëm konceptin europian për Skënderbeun, hapësirën gjeografike të veprimit të tij, natyrën luftarake të tij, duke i dhënë asaj jo vetëm karakterin historik po edhe aventuristik, jo vetëm karakterin epik po edhe sentimental, si dhe duke e vendosur atë jo vetëm në hapësirën gjeografike të Shqipërisë por edhe të Greqisë, qendrës së Perandorisë Osmane, Italisë e më gjerë. Drama zgjeroi dukshëm pamjet nga ambientet historike, sallonet, kafenetë, ambientet urbane, më shumë se ato rurale në jetën dhe bëmat e Skënderbeut.

Drama, ai asnjë gjini tjetër, kushtuar Skënderbut, u botuan dhe madje u shkruan vetëm për teatrot e kohës, po edhe për teatrot e hapura, për publikun e mbyllur, d.m.th. vetëm për mbretërit etj. Ato ishin drama klasike, tragjedi, drama shumë të popullarizuara “comedia famosa” dhe të ashtuquajturat “akte sakramentale”, pra pjesë njëaktëshe që shfaqeshin në zona të caktuara qytetare. Shumë nga ato u botuan dhe tani janë të njohura edhe për lexuesit dhe publikun e sotëm, por mjaft prej tyre janë të njohura vetëm fal tablove dhe reklamave të ruajtura në arkivin e institucioneve përkatëse.

Dramat për Skënderbeun, si askund tjetër dhe për askë tjetër, janë botuar dhe janë shfaqur në qendrat më të mëdha të Europës dhe në gjuhët më të mëdha të saj: angleze, franceze, spanjolle, italiane dhe gjermane. Të dhënat bibliotekare, bibliografitë për dramën europiane dhe studimet e gjertanishme për letërsinë skënderbegiane, dëshmojnë se për Skënderbeun janë shkruar drama nga shkrimtarë të shquar të skenës europiane, sikur është Lope de Vega dhe bashkëkohësit e tij, nga dramaturgë të shquar anglezë, francezë, bashkëkohës të Gëtes në letërsinë gjermane etj.

Përveç komedisë së famshme të De Vegas, “Princi Skënderbej” (1562) vepra dramatike për Skënderbeun kanë shkruar edhe Perez de Montalban, “Princi i robëruar Skënderbej“ (1629), Luis Valez de Guevara (1634), “I madhi Gjergj Kastrioti e princi Skënderbe” (1634), bashkautorët Belmonte Bermudez, Augustin Moreto dhe Antonio Martinez de Meneses “Princi i persekutuar”, shkrimtari Antonio de Meneses, “Shembull i virtyteve morale në jetën e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbej” (1688) etj. Karakteristikë e teksteve dramatike të shkrimtarëve polakë, ndërkaq është gjuha latine e shkrimit të tyre. Shkrimtari Chelmsciane Lunae, ka shkruar dramën “Castriotto Georgius”, (1685) ndërsa shkrimtari Olszowski, ka shkruar dramën “Publica Sarmatiae felicitas in Scanderbego” (1714). Prapa, me tekstet e tyre dramatike të temës skënderbegiane nuk qëndrojnë as shkrimtarët anglezë. Kështu, shkrimtari Kristofor Marlout, botoi dramën “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit”, shkrimtari Tomas Uinkop botoi dramën “Skënderbeu ose Liri e Dashuri”, shkrimtari Uiliam Havard botoi dramën “Skënderbeu”, ndërsa Xhorxh Lilo, botoi dramën e tij “Heroi i krishterë”, me të cilën sikur thuhet nuk pasuroi vetëm dramën dhe teatrin me temën për Skënderbeun po edhe dramën europiane përgjithësisht.

Vend me rëndësi në dramën skënderbegiane zënë edhe shkrimtarët italianë dhe ata gjermanë. Rëndësia e këtyre teksteve nuk qëndron vetëm tek vlerat historike dhe artistike të teksteve të tyre, po edhe tek reflektimi i gjerë që patën ato gjatë shfaqjeve nga njëri teatër tek tjetri, për t’i kaluar një ditë edhe kufijtë e Europës. Në këtë rrjedhë do theksuar dramën e shkrimtarit italian Arkangelos, “Shqipëria e sulmuar” (1650), dramën e shkrimtarit Anton Zanibonit, “Trimëritë e princit Skënderbe, mundësitë e Sulltan Muratit” (1730), si dhe dramën në vargje të Mauricio Gerardinit, “Skënderbeu, princi i Shqipërisë” (1732). Karakteristikë e dramës gjermane është bartja e temës së Skënderbeut në hapësirën dhe ambientet e kohës për liri të popullit grek. Me këtë temë shkrimtari gjerman Karl Sondershauzen, botoi dramën poetike “Çlirimi i Greqisë” (1821), ndërsa F. G. Rudbek botoi dramën historike “Skënderbeu” (1835).

Vepra letrare dramatike, në vargje dhe në prozë, më në fund kanë shkruar edhe shkrimtarët e Gadishullit Ballkanik. Shkrimtarët ballkanikë, për Skënderbeun kanë shkruar jo vetëm poezinë dhe prozën po edhe dramën dhe format e saj. Më 1889, shkrimtari grek Anton Antoniadhi botoi dramën “Skënderbeu”, ndërsa shkrimtari serb Jovan Steria Popoviqi, botoi komedinë po ashtu me emrin “Skënderbeu” (1848) (Schmaus, 1969: 161). Si edhe në dramat e shkruara në gjuhët e mëdha të Europës edhe në dramat e letërsisë së popujve të Ballkanit, Skënderbeu del shembull virtyti i luftëtarit, model i karakterit human e synim çlirimtar i luftëtarit, pra shembulli më emblematik jo vetëm për popullin e tij, po edhe për popujt fqinj.

Filed Under: Histori

Presidentja Vjosa Osmani kujton akademik Fehmi Aganin, në përvjetorin e vrasjes

May 6, 2024 by s p

Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi akademik Fehmi Aganin, mendjendriturin, vizionarin, filozofin dhe njeriun e devotshëm, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë.

Forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 6 maj 1999 vranë mizorisht akademik Aganin, dorën e djathtë të Presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova.

Ata nuk arritën ta vrasin idealin e tij jetësor, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit.

Vizioni i përbashkuesit Agani do të na udhëheq përherë në rrugëtimin për forcimin e shtetit dhe synimin euroatlantik.

Sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm, ndërkaq kujtimi për akademik Aganin është i përhershëm!

Filed Under: Histori

“Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve” nga Marin Barleti

May 2, 2024 by s p

Albert Vataj/

“Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht nga Marin Barleti, prift shkodran, u botua për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510. Kjo vepër monumentale historike tregon jetën dhe veprën e heroit legjendar të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. E përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët evropiane dhe, mbas 500 vjetësh, edhe në gjuhën amtare të Barletit, shqipëruar nga Stefan l. Prifti, ajo përfaqëson ungjillin e patrotizmit shqiptar. Me këtë vepër, Barleti u ka lënë të gjallë breznive figurën e ndritur të Skënderbeut, princit të epirotëve dhe mbrojtësit të krishtërimit.

Marin Barleti, i cili mund të konsiderohet si babai i studimeve mbi Skënderbeun, ka përdorur një stil panegjirik dhe ka shtuar fjalime të krijuara për të theksuar figurën e Skënderbeut. Megjithatë, vepra e tij mbetet më e rëndësishmja mbi të cilën vazhduan studimet mbi Skënderbeun për shekuj me radhë. Pavarësisht kritikave për shtrembërime të mundshme, zbulimet arkivore kanë vërtetuar shumë nga statistikat e tij në mënyrë të pabesueshme duke e vlerësuar veprën e Barletit si referencën kryesore të pasqyrimit të asaj periudhe.

“Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis” (Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, princit të Epirotëve, Romë, midis viteve 1508-1510), të cilës i janë bërë jo vetëm shumë ribotime në gjuhën e origjinalit, latinisht, por në fillim të shekullit XVI edhe ribotime nga përkthimet në gjuhët kryesore të Evropës si gjermanisht (1533), italisht (1554, 1560), portugalisht (1567), polonisht (1569), frëngjisht (1576), spanjisht (1582), anglisht (në fund të shekullit)… Përkthimit shqip në vitin 1965, i janë bërë dhe tri ribotime të tjera para ’90-s si dhe një ribotim, pas vitit 1990.

Vepra u përkthye në shumë gjuhë evropiane (Faksimilet e fotove janë gjermanisht) dhe u ribotua shumë herë gjatë shekullit të 16-të, duke e bërë atë një ndër burimet më të qëndrueshme dhe të qasshme për studimin e epokës së Skënderbeut.

Ajo ka shërbyer si një ndihmë e madhe për shkencën e historisë dhe është një vepër tipike humaniste me një fjalor artistik të veçantë.

“Skënderbeu” i Barletit udhëhiqet nga ide të larta morale. Kur çliron Krujën, përpara qytetarëve të lirë ai mban një fjalim të zjarrtë: “[…] Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. […] Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat dhe në ushtat” (I: 94, 95). Artin e tij të përsosur luftarak Skënderbeu e demonstron me taktikat dhe strategjinë e betejave, që janë përherë taktika të reja, me të cilat ai i njeh gjithnjë edhe ushtarët e tij para luftimit. Ja si u flet sfetigradasve para betejës së Sfetigradit: “[…] O sfetigradas, […] Gjer tani ne kemi luftuar për fitoren, për nderin e mbretërisë, tani ju duhet të luftoni për shpëtimin, për lirinë, për muret e atdheut […]” (IV: 235).

“Historia e Skënderbeut” e Barletit ka mbijetuar testin e kohës si një dëshmi e jashtëzakonshme për jetën dhe veprat e Skënderbeut, duke u bërë një pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar dhe një burim i pashtershëm i inspirimit për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori

Mobilizimi i shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi drejt frontit të Adriatikut- Masakra e Tivarit

May 1, 2024 by s p

Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi

Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë/

Nga shkenca e historisë kemi mësuar se është thelbësore të nxjerrim mësime nga ajo. Nëse nuk mësojmë prej saj, mund të përsërisim gabimet e mëparshme. Historia është një mësuese e çmuar, dhe varet nga ne se si do ta përdorim atë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Prandaj, mund të themi se masakra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në Tivar (ose frontin e Adriatikut) gjatë Luftës së Dytë Botërore është vërtet një nga ngjarjet më të errëta të historisë së Ballkanit. Për këtë masakër nuk u ndëshkua asnjë kush, dhe kjo mungesë e drejtësisë për këto krime ka kontribuar që ato të përsëriten në vitet ’90-të të shekullit XX gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave të popujve, ku u masakruan dhe u vranë mijëra civilë në vende si Bosnja, Kroacia dhe Kosova.

Mobilizimi i shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi drejt frontit të Adriatikut-Komandanti i Shtabit Operativ të Kosovës (SHOK), Sava Drleviq, më 20 mars 1945, kërkonte nga shtabet e divizioneve jugosllave që tashmë ishin vendosur në Kosovë: 41, 46, dhe 52, Grupi i brigadave (malazeze-kosovare) dhe të Komandës Ushtarake Krahinore të Kosmetit (Kosovës – H.A.) që artileria, kalorësia dhe inxhinieria nga radhët e të mobilizuarve t’i dërgoheshin SHO të Kosovës, kurse 800 “njerëz” t’u dërgoheshin “Grupit të brigadave” në Pejë dhe Shtabit të Divizionit 52 në Ferizaj, ndërsa “krejt pjesa tjetër e njerëzve të dërgohen në Prizren, ku do të formohen dy grupe, prej nga do të vazhdojnë tutje” në drejtim të Tivarit. Për mbikëqyrjen e këtyre rekrutëve u ngarkua Shtabi i Divizionit 46-të dhe Qarkkomanda ushtarake e Prizrenit.

Në njërën anë brigadat partizane shqiptaro-kosovare marshonin drejt veriut dhe luftonin përkrah popujve të tjerë të Jugosllavisë për çlirimin e plotë të saj, ndërsa në anën tjetër pushteti i Beogradit synonte që të realizonte “planet për zhdukjen e popullsisë shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia […]”.

Krahas brigadave marshuan edhe kontingjente të tëra të të rinjve shqiptarë që u inkuadruan në formacione ushtarake nëpërmjet mobilizimit të përgjithshëm të dhunshëm gjatë muajve mars dhe prill 1945, për t’i dërguar në frontin e dytë të Adriatikut, në veriperëndim të ish-Jugosllavisë, të gjithë meshkujt nga mosha 18 deri 45 vjeç. Mobilizimi në masë i djemve dhe burrave u bë nga të gjitha viset etnike shqiptare për nevojat e Armatës Jugosllave. Në Prizren të gjithë u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga e gjatë, por kur të mbërrinin në frontin e luftimeve, iu tha se do të pajiseshin me armë moderne angleze. Çarmatosja, iu ka dhënë atyre një sinjal të keq dhe me të drejtë ka lindur dyshimi për përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptarë dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua brigada XXVII e Divizionit 46-të serb e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e 13 mijë mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Depërtimi i shqiptarëve të mobilizuar në muajin mars, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri grupime.

Më poshtë, do të japim rrugëtimin e rekrutëve shqiptarë nga Kosova deri në Tivar të ndarë sipas grupimeve.

Kështu, grupin e parë të të mobilizuarve fillimisht ishte paraparë të përbënin rreth (2200 luftëtarë) nga qarkkomanda e Ferizajt dhe (1500 luftëtarë) dhe nga qarkkomanda e Prizrenit, që do të thotë gjithsej rreth 3700 rekrutë shqiptarë. “Grupi” nga Ferizaj, më 21 mars 1945, duhet të përcillej nga një ose dy batalione të Divizionit të 52-të nën komandën e Radosh Gjudoviqit, qarkkomandant i Ferizajt. Ky grupim duhej të nisej nga Prizreni më 24 mars, i përcjellë prej një batalioni të Divizionit 46-të dhe të 50-të “udhëheqësve nga Armata e IV-të”, ndërsa më 27 mars duhej të arrinte në Shkodër, ku pas një pushimi ditor nisej për në Tivar.

Grupin e dytë, e përbënin rreth 900 luftëtarë nga rrethi i Pejës, nën komandën e Janko Llakiçeviq, qarkkomandant i Pejës, rreth 1400 luftëtarë nga rrethi i Mitrovicës, të komanduar nga komandanti i qarkut të Mitrovicës dhe rreth 1500 luftëtarë nga rrethi i Prishtinës, nën komandën e oficerit të qarkkomandës, gjithsej 3800 luftëtarë. (Sipas Hajdini- Xani, në Eshalonin e Dytë ishin 4700 luftëtarë, Masakra e Tivarit, f.17) Për të shoqëruar kolonën e dytë u ngarkuan repartet e Divizionit të 46-të Jugosllav.

Pas arritjes së të gjitha forcave në Prizren, Shtabi Operativ i Kosovës, bëri ndryshimet përkatëse. Ai i ndau të mobilizuarit në tri grupe me rreth 2500 veta. Për shoqërimin e tyre ngarkohej brigada e 27-të e Divizionit të 46-të.

Komandanti i Shtabit Operativ të Kosovës, Sava Dërleviq u sugjeronte dhe i urdhëronte njësitet e ngarkuara për t’i transportuar njerëzit e mobilizuar që “…gjatë transportit të kenë kujdes që njerëzve t’ua pamundësojnë dezertimin, kurse gjatë pushimit të bëhet bllokimi i kuarteve të banimit”. Komandantët dhe komisarët politikë do të jenë personalisht përgjegjës, nëse nga pakujdesia ua mundësojnë ikjen.

Nga Prizreni, kolona/grupi i parë me 2394 persona ( Sipas Azem Hajdinit Xanit i mbijetuari i Masakrws sw Tivarit bga Prizreni u nisën 3700 luftëtarë, ndërsa nga Shkodra u nisën 2394. Gjatë kësaj rruge u likuiduan ose u zhdukën 1306 persona. Më gjerësisht shih: Hajdini-Xani, Masakra e Tivarit, f.35) u nis më 24 mars dhe në fund të muajit arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të 9-të Jugosllav. Për më tepër në burimet e kohës thuhej: “… disa shqiptarë janë likuiduar pranë Suharekës … disa burra u likuiduan pranë Kukësit, ku ishin trupat e tyre të hedhur në një luginë […]”.Gjatë rrugës janë vrarë rreth 400 shqiptarë, ndërsa sa i përket kushteve gjatë marshimit të detyruar ishin të tmerrshme.

Kolona/grupi i dytë, i përbërë nga 2382 vetë, u nis nga Prizreni më 26 mars. Rekrutët e grupit të dytë arritën në Shkodër më 30 mars, ndërsa kur arritën në Tivar iu dorëzua reparteve më të mëdha të brigadës 10-të malazeze. Rreth 700-800 prej tyre gjatë rrugës u vranë ose u zhdukën, prej të cilëve vetëm në Fushë-Arrëz, 126 persona.

Kolona/grupi i tretë u nis më 27 mars 1945 dhe përbëhej prej 2.700 personave. Për t’i shoqëruar ata u ngarkuan repartet më të mëdha të brigadës 27-të.

Duke u bazuar në të dhënat e mësipërme mund të konstatojmë se vetëm me anë të këtyre tre kolona/grupeve nga Kosova për të plotësuar radhët e Armatës IV të Jugosllavisë u dërguan 7476 luftëtarë të rinj. Gjatë rrugëtimit të tyre për në frontet e Adriatikut, të mobilizuarit-rekrutët shqiptarë, u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë dhe ndihmësit e tyre ideologjik. Për keqtrajtimin e tyre, gjatë rrugës dhe në Tivar, studiuesi Robert Elsie, duke u mbështetur në kujtimet e regjistruara nga at Zef Pllumi, shkrimtar katolik i rendit françeskan, në një nga episodet e shumta të kujtimeve të tij, kujton: “Në hyrje të Shkodrës…kur një grup studentësh që studiojnë për priftërinë vizitoi Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në rrëzë të kalasë për t’u lutur për shpëtim …në kthesë në rrugë, pamë një rrugë të pafundme ushtarësh që vinin tek ne. […]. Ata përparuan ngadalë, duke u ngritur me vështirësi të mëdha në rreshtat e katër. Ishim të tmerruar. Çfarë mund të jetë kjo ushtri? Ata mezi kishin energji për të qëndruar në këmbët e tyre […]. “Nga jeni?” “Nga Kosova”. Ne kemi marshuar vazhdimisht për një javë dhe nuk kemi pasur asgjë për të ngrënë. Kemi ardhur mbi male […].

Për keqtrajtimin e rekrutëve shqiptarë nga pushteti jugosllav mësojmë edhe nga një raport i komandës së qarkut të Shkodrës, që e informon Komandën e Përgjithshme të UNÇSH-së se trajtimi që ju bëhej kosovarëve të mobilizuar ishte tejet i rëndë. Me këtë rast, ajo kërkonte që për të verifikuar saktësinë e këtyre fakteve dhe për t’u dhënë fund këtyre ngjarjeve, duhej të ndërhyhej edhe pranë misionit ushtarak jugosllav në Shqipëri.

Komunistët e Shqipërisë i ndihmuan komunistët jugosllav duke i’a lejuar që nga territori i Shqipërisë jugosllavët të kryenin operacione spastrimi të shqiptarëve. Në mënyrë të veçantë, një përshtypje të hidhur midis popullsisë së qytetit të Shkodrës bënë vrasjet e ndërmarra në të dalë të qytetit, në urën e Bunës, përpara se kolonat të drejtoheshin nga ana e Malit. Për këtë incident më 3 prill, komanda e qarkut të Shkodrës e informon SHP të UNÇSH-së rreth incidentit te lumi Buna, ku në mesnatën e 1 prillit gjatë kalimit të kolonës në skelën e këtij lumi, për arsye të panjohura e ndoshta aksidentalisht, u mbyt një ushtar jugosllav dhe një prej të mobilizuarve. Por, nga të dhënat e kohës, nuk ishte incident por veprim i menduar mirë. Kjo sepse u inskenua rënia e ushtarit malazez nga trapi në lum, i cili bërtiti se gjoja atë e hodhën shqiptarët dhe kërkonte të gjuhej kundër tyre me armë se po e vrisnin. Ushtria jugosllave që shoqëronte autokolonën, duke aluduar së mbytja u bë me paramendim, hapi zjarr ndaj rekrutëve shqiptarë që prisnin të kalonin lumin. Shoqëruesit e Batalionit II të brigadës 27 të Divizionit të 46-të komandoheshin nga Qiro Stikoviq. Gjuajtjet vazhduan deri sa aty kaluan tre oficerë shqiptarë me motoçikletë për në Shkodër. Më pas, erdhi një major serb me disa oficerë që i mblodhën shqiptarët e mbijetuar dhe filluan t’u mbajnë fjalim për “bashkim-vëllazërim”, për UNÇ-në dhe për Titon, me ç’rast u shprehën “keqardhje” për “incidentin” që ndodhi dhe për viktimat e rëna, që sipas studiuesit Nasi, ishin 17 persona dhe shumë të tjerë që u plagosën.

Por, incidenti i sipërshënuar, nuk ishte i fundit dhe më i rëndi për shqiptarët e rekrutuar. Në qoftë se nuk do të ndodhte ajo çfarë ka ndodhur në Tivar, e që do ta shpjegojmë më pas, përgjatë rrugëtimit në drejtim të frontit të Adriatikut te Ura e Tamarës mbetën të vrarë 500 persona. Edhe burimet zyrtare të qeverisë shqiptare pohojnë se me këtë rast u vranë ose plagosën 500 shqiptarë. Shefqet Peçi njoftonte nga Shkodra Komandën e Përgjithshme së “Brigada e Mbrojtjes së Popullit” kapi 10 kosovarë të mobilizuar që kishin ikur nga Tivari. Në pyetje tregojnë sjellje shumë brutale të përcjellësve partizanë jugosllavë, të cilët i kanë futur në një vend të ngushtë në Tivar, dhe pas pushkatimit e mitralimit pa asnjë shkak, kanë mbetur të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 500 vetë. Çështja na duket me karakter shumë serioz.” Pra, gjatë rrugëtimit të rekrutëve shqiptarë të Kosovës drejt frontit të Adriatikut, nuk arritën as një e treta e tyre, ngase gjatë rrugës u vranë qindra e mijëra shqiptarë. Për vrasjen pa gjyq në tokën shqiptare të më tepër se 1000 kosovarëve të pafuqishëm mësojmë nga të dhënat që gjenden në AMEPJ dhe AIDSSH. Por, gjendja e tyre edhe më e vështirë bëhej me të arritur në Tivar, ku lodhja gjatë rrugës, uria, etja dhe pasiguria e jetës tashmë kishin krijuar një gjendje të rëndë tensioni psikik. Me të arritur në Tivar, rekrutët shqiptarë jo vetëm që nuk u armatosën ashtu siç ju ishte thënë, por ndaj tyre u bë masakër me përmasa të mëdha, të cilën e ekzekutuan brigada 10-të malazeze (e Divizionit të 46-të).

Masakra në Tivarë ka ndodhur më 1 prill 1945, në Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit. Kjo masakër u krye vetëm brenda disa minutave, në një sipërfaqe të ngushtë dhe në mënyrë barbare. Ushtria “çlirimtare” serbo-malazeze masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta, mijëra shqiptarë duarthatë, të mobilizuar kinse për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë. Ja si e përshkruan i mbijetuari Xani, këtë krim: “… në të dy anët e hyrjes së oborrit i prisnin me shufra hekuri … Vetëm në hyrje të oborrit mbetën të vdekur 100-150 persona, ndërkohë në ndërtesë ishin futur rreth 1000 persona, ndërsa në oborr konsideroheshin që ishin nga 2200 deri në 2500. Përveç tyre, në rrugë të rrethuar nga ushtarët mbetën 1000 deri në 1100, tani më jo të rreshtuar por grumbull, për arsye se likuidimi i tyre të kryhej sa ma lehtë. Në përfundim të këtij plani, ushtarët kapën Ramiz Loshin nga fshati Vraniq i komunës së Suharekës, me pretekstin se ai ishte njëri nga ata që kishte tentuar ta merrte revolen, andaj mbi të u zbraz një “Shanzher” revolesh. Sipas Azem Hajdinit, i riu Ibrahim Koca, nga fshati Polac i Skenderajt, së bashku me disa rekrutë, u drejtuan tek komanda e shtabit, e cila ishte e vendosur në oborr, për t’ua parashtruar këto kërkesa: Të apelonte që të ndërpritej represioni dhe dhuna ndaj rekrutëve shqiptarë dhe t’u lejonin që t’i ndihmonin rekrutët e tjerë që kishin mbetur tek hyrja e oborrit. Ata u gjuajtën me breshëri armësh nga të gjitha anët por dhe nga këshilltarët infermierë dhe pjesëtarët “gati të gjitha institucioneve civile e ushtarake” domethënë “të gjithë ata që ishin në atë moment aty dhe kishin armë”. Brenda një ore, shumë nga rekrutët shqiptarë, të cilët ishin në oborre dhe në sheshin e ndërtesës, gjetën vdekjen nga breshëritë e automatikëve. Madje, nga tmerri që panë një pjesë e madhe u sëmurën psiqikisht, e shumë të tjerë ranë në gjendje kome. Pas një ore e gjysmë ndërpritet zjarri i armëve, ndërsa atyre që kishin mbetur gjallë iu bë thirrje të ngriheshin, ngase duhet mjekuar të plagosurit. Pra, sërish u tradhtuan pasi, kur ata filluan të ngriheshin në këmbë, repartet rihapën zjarr. U bë thirrja e dytë, sipas së cilës, të plagosurve iu premtua se do të dërgoheshin në spitalet e Tivarit, Dubrovnikut e të Splitit, ndërsa atyre që ishin brenda në ndërtesë iu kërkua t’i ndihmonin për të hapur rrugët.

Sipas Azem Hajdinit për të biseduar me ushtarët doli Isuf Halili nga fshati Radishevë–Skenderaj dhe pasi u premtua se vrasjet do të ndërpriteshin dolën nga ndërtesa të gjallët që ishin brenda. Gjatë daljes së tyre u kontrolluan një nga një dhe iu mor çdo gjë e vlefshme. Pamjet në oborr ishin tejet të tmerrshme. Ishte shumë e vështirë të identifikoheshin njerëzit ngase shumë prej tyre i ishte prerë koka apo i kishte humbur gjysma e fytyrës. Të tjerët, të mbuluar nga gjaku kërkonin ndihmë, ose luteshin që t’i vrisnin e të përfundonte vuajtja e tyre nga plagët e marra.

Hipokrizia e pushtetit komunist-jugosllav vërehej hapur, kur në njërën anë kryenin masakra ndaj shqiptarëve, si kjo e Tivarit, ndërsa në anën tjetër oficerët mbanin fjalime për “vëllazërim-bashkimin”. Gjatë pastrimit të vendit në mjetet e transportit u ngarkuan bashkërisht të vrarët dhe të plagosurit. Pas kërkesave këmbëngulëse të atyre që shpëtuan u bë verifikimi i të gjallëve. Ata ishin gjithsej 810 veta, mbi 90% e tyre ishin nga ata që kishin qenë të mbyllur në ndërtesë. Midis të gjallëve ishin edhe disa të tjerë që kishin mbetur ndërmjet kufomave ose të plagosurve, të cilët ia arritën që të largohen gjatë natës në drejtime të ndryshme. Në bazë të vlerësimeve të atyre që mbetën gjallë, një pjesë e mirë e të plagosurve mund të shpëtonte, në rast se do t’u jepej ndihma mjekësore. Por dhe vuajtjet e të gjallëve nuk mbaruan këtu, ngase atyre përveç që nuk iu ofrua asnjë ndihmë mjekësore, ata u përballën edhe me vështirësinë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Mobilizimi i Prillit – Më 13 prill, SHO i Kosovës, urdhëroi rifillimin e mobilizimit të kontingjenteve të reja, të cilat do të përdoreshin po ashtu për të plotësuar radhët e reparteve të Armatës IV-të jugosllave. Në të njëjtën kohë, Shtabi Operativ i Kosovës ngarkoi komandat vartëse në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Ferizaj, Prizren (por munguan nga qyteti i Gjakovës – H.A.) për të siguruar kontingjentet përkatëse, ndërsa për shoqërimin e të mobilizuarve deri në vendin e dorëzimit ngarkoi forcat e Divizionit të 46-të jugosllav. Grupi i Parë u nis nga Prizreni për në Tivar më 19 prill, në përbërje të 1520 luftëtarëve. Grupi i Dytë me 2626 luftëtarë u nis më 20 prill, nën mbikëqyrjen e forcave të brigadës 25-të dhe të kompanisë së zbulimit të Divizionit 46-të të Jugosllavisë, ndërsa më 24 prill u nis grupi i tretë me 1216 persona, i shoqëruar nga forcat e brigadës 26-të. Pra, në total gjatë muajit prill në veri të Jugosllavisë u dërguan 5362 veta. Rreth 188 burra u zhdukën në rrugë dhe pjesa e mbetur e këtyre forcave u dërgua në Trieste. Kështu, nga burimet e kohës del se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, për plotësimin e Armatës IV Jugosllave u dërguan rreth 13.000 rekrutë shqiptarë nga Kosova, të cilët u detyruan me forcë për të shkuar të paarmatosur në frontin e Adriatikut në Jugosllavi. Gjatë muajit prill u dërguan edhe rreth 5000 luftëtarë të tjerë nëpërmjet brigadës 7-të, që përbëhej nga partizanët shqiptarë të Dibrës, Tetovës, Gostivarit etj.

Sipas studiuesit Shatri, në total nga viset shqiptare në fillim të vitit 1945 u dërguan 14.990 shqiptarë në frontin e Sremit në përbërje të brigadave VI, VII dhe VIII kosovare dhe 5000 nga brigada VII (IV) me shqiptarët nga Maqedonia. Gjatë marsit dhe prillit në drejtim të frontit të Adriatikut nga Kosova u dërguan 12.838 rekrutë, ndërsa shqiptarë nga Maqedonia u dërguan 4594 vetë. Në total nga hapësira shqiptare për plotësimin e reparteve jugosllave morën pjesë 37.424.

Sipas Fatos Bejt, i cili mbështete në dokumente arkivore ndër të tjera thekson së masat që mori ushtria komuniste jugosllave për të nënshtruar Kosovën ishte edhe mobilizimi i detyrueshëm i përgjithshëm i meshkujve të moshës 18 – 45 vjeç. Në periudhën mars – qershor 1945 u mobilizuan rreth 53.000 shqiptarë. Sipas tij, synimi kryesor ishte largimi i këtyre forcave më të afta për luftë jashtë territorit të Kosovës për të realizuar më lehtësisht nënshtrimin dhe riokupimin e saj. Natyrisht që të mobilizuarit nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare kishin një efektiv të konsiderueshëm dhe me ta mund të formoheshin njësitë nga më të mëdhatë të UNÇJ, por këto kontingjente u shpërndanë dhe u përdorën për të plotësuar radhët e reparteve të ndryshme jugosllave. Por, nga radhët e UNÇJ, shqiptarët shiheshin si të “dyshimtë” dhe “reaksionarë”. Kjo përcaktoi padyshim qëndrimin armiqësor që u mbajt ndaj tyre. Në reparte të ndryshme shumë nga ata, që po marshonin drejt veriut të Jugosllavisë, në vend që të trajtoheshin si bashkëluftëtarë, trajtoheshin si të burgosur.

Përveç Masakrës së Tivarit, pushteti komunist-jugosllav kreu edhe një masakër tjetër ndaj shqiptarëve, atë të brigadës që përbëhej nga shqiptarët e Maqedonisë. Një nga format për largimin e popullsisë shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare ishte edhe mobilizimi i tyre në “Brigadat e punës” të cilat do të merrnin pjesë “në ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta”. Në fakt brigada të tilla u krijuan në të gjithë Jugosllavinë, por brigadat e tjera anë e kënd saj punonin në ndërtimin e vendit të tyre, ndërsa brigadat shqiptare u shpërndanë nëpër Jugosllavi. Sipas studiuesit Lefter Nasi, “…ata punonin në sektorët më të rëndë, në kushte shumë të vështira të jetës e të trajtimit, në kujtesën e dëshmitarëve ka mbetur e freskët trajtimi që ju bë brigadës punuese…” Brigada përbëhej nga qytetarët shqiptarë të rajonit të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Kumanovës etj. Brigada kishte rreth 4000 persona dhe duke pritur mjetet e transportit për në Goricë e Trieste ajo kishte ndaluar në Mal të Zi. Pa pritur ndërtesa ku ishte strehuar kishte marrë zjarr. Rreth 90 persona nuk kishin mundësi të dilnin dhe vdiqën.

Në Goricë brigada ishte e detyruar të kryente punët më të rënda dhe nën mbikëqyrjen e reparteve të OZN-as. Studiuesi Lefter Nasi, ndër të tjera, shkruan: “Aty u ndalën me shumë se gjysma të zgjedhur një për një sipas dëshmitarëve i futën në kazerma të veçanta. Mëngjesin e ditës së nesërme shumica e tyre u gjenden të vdekur ndërsa ata që kishin mbetur të gjallë nuk ishin në gjendje të flisnin dhe se sytë ju rrjedhin lotë. Në dhomat e gazit u masakruan gati 2000 veta”.

Këtë masakër që pushteti komunist-jugosllav kreu ndaj ushtarëve shqiptarë të pafajshëm në Goricë e përmend në diskutimet e tij, Rankoviqi: “Rasti i dytë gjithashtu është pasojë e burokratizmit dhe e krimeve të pajustifikueshme që disa shqiptarë nga ai kontingjent u vendosën në lokalet ku më parë ishte një magazinë-baroti, edhe aty u ngulfatën 130 njerëz…Shqiptarët kanë humbur besimin, kjo është e qartë, dhe nuk e kanë humbur për shkak se e kanë ndje në lëkurën e tyre Jugosllavinë e vjetër (Mbretërinë e Jugosllavisë – H.A.), por e kanë humbur për shkak të gabimeve të cilat i kryen udhëheqësit tanë ndaj tyre…”. Shqiptarët për t’i shpëtuar dhunës e terrorit jugosllav arratiseshin nga Kosova, duke kërkuar strehim në Shqipëri. Por, edhe atje ata ndiqeshin nga njerëzit e UDB-së, dhe pastaj shoqëroheshin për në Jugosllavi, ku gjatë rrugës me pretekste të ndryshme, i vrisnin. Në fillim të vitit 1945, autoritetet jugosllave, pushkatuan ilegalisht dhe pa gjyq në territorin e Shqipërisë, më tepër se 1000 shqiptarë nga Kosova. Krimet e terrori i ushtruar në Shqipëri në periudhën e pasluftës, dëshmohet nga deklaratat e bëra nga Enver Hoxha, më 31 gusht 1966, kur flet për vrasjen e 1200 shqiptarëve në Tivar. Po ashtu, për këto krime, flasin dhe ish nëpunës të lartë të shtetit shqiptar, si Nesti Kerenxhi, ish zëvendësministër i Ministrisë së Brendshme, Shefqet Peçi, etj.

Për masakrat në Tivar dhe në Goricë të dhënat e para jo të kompletuara zyrtare i hasim nga Aleksandër Rankoviqi, që ishte udhëheqës i lartë në nivel të Serbisë e Jugosllavisë, i cili i paraqiti të dhënat për këtë ngjarje në Kongresin Themelor të Partisë Komuniste të Serbisë, që u mbajt në Beograd, më 8-12 maj 1945. Në këtë kongres gjatë diskutimeve nga pjesëmarrësit u pranua si një gabim i tmerrshëm, pasi sipas tyre, u vranë 430 persona, mirëpo, kjo shifër u minimizua skajshmërisht. Përveç kësaj, Aleksandër Rankoviqi mundohej që gjithë fajin t’ua ngarkonte udhëheqësve të Kosovës. Gjatë diskutimeve me Dushan Mugoshën, ndër të tjera, ai shprehej: “…Unë nuk do të futem në detaje. Një shqiptar i revoltuar në një përcjellës, hoqi pushkën dhe e vrau. E vrau një shokun tonë luftëtar. Por shokët tanë që në vend se tërë ngjarjen ta zgjidhnin, që të mos nxiteshin grindje, ata kanë dashtë t’i dënojnë, kanë dashtë të zbatojnë reprezalje, deshën të pushkatojnë 40 shqiptarë për një luftëtar tonin të vrarë. Disa shqiptar filluan të hidhnin bomba. U hodhën disa bomba. Ndërsa, udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe vranë 300 shqiptarë. Ky është një shembull që patjetër duhet të mësojmë edhe ne që punojmë me ushtri dhe që punojmë në teren…”.

Por, pa marrë parasysh qëndrimin e udhëheqjes jugosllave, e cila në këtë kongres shprehte “pendimin” rreth tragjedisë së Tivarit dhe të Goricës, duke u munduar që gjithë fajin t’ua hidhte shqiptarëve, kjo çështje mbeti e mjegullt deri në vitet ’90-të të shekullit të kaluar. Arsyeja për këtë ishte e qartë, pasi në vitet në vijim komunistët jugosllavë nën Titon nuk ishin të interesuar për zbardhjen e krimeve të kryera kundër rekrutëve shqiptarë.

Por, ndonëse është shkruar në historiografinë shqiptare për këto masakra, pas viteve 90-të, ende kanë mbetur disa çështje ta pa trajtuara tërësisht, si për shembull numri i të vrarëve, i cili në shumë studime varion me shifra të ndryshme. Kështu, sa i përket numrit të të vrarëve në frontin e Adriatikut mund të themi se ishte tejet i madh. Vetëm gjatë marshimit të rekrutëve shqiptarë në territorin shqiptar gjetën vdekjen nga 400 deri në 1000 shqiptarë.

Siç paraqitet edhe në raportin e përgatitur nga Ymer Berisha ndër të tjera thuhet se: “Shumë partizanë shqiptarë qenë vrarë ose zhdukur në luftërat e shteteve tjera ballkanike. Shumica e tyre janë vrarë si njerëz të dyshimtë nga vetë partizanët, kur e kanë filluar kryengritjen në Kosovë. Numri i të vrarëve saktësisht nuk mund të dihet. Dihet vetëm ajo se në Mal të Zi janë vrarë brenda 24 orëve 1670 njerëz, në Dubrovnik 5 600 ndërsa në rrugën Prizren-Shkodër 700. Deri sot, përafërsisht janë masakruar dhe vrarë në këto qytete dhe rrethet e tyre: Prizren, Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Pejë, Istog, Plavë, Guci, Skenderaj, Rozhaj, Tutin, Pazari i Ri, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj më shumë se 26 000 banorë.”

Sipas raportit te ambasadorit britanik në Beograd, Ralph Skrine Stevenson, drejtuar Sekretarit të Jashtëm, Anthony Eden thuhet se “Pretendohet se në Tetovë u burgosën 7 000 shqiptarë dhe një numër i madh shqiptarësh nga zona e Shkupit iu qepën pyjeve, ndërkohë 140 vetë dezertuan brenda një dite nga centrali elektrik bashkiak. Në Shkup kishte thashetheme të vazhdueshme për probleme me shqiptarët, ku konstatohet se u dëbuan forcërisht në Banat 12 000 shqiptarë nga Kumanova, Gjilani dhe Vraja. Nuk ka shumë konfirmime të pavarura të këtyre raporteve, por nga fundi i marsit kishte fjalë në Beograd se shqiptarët po transportoheshin, përmes Beogradit, në këmbë dhe nën roje drejt veriut për në Banat; gjithashtu, një raport amerikan fliste për raste të tifos midis shqiptarëve aty. Nga Spliti vinin raporte se midis datave 5 dhe 8 prill erdhën tre valë me kosovarë, në total rreth 200 burra, disa prej tyre të ruajtur nga roje, të cilët thuhej se ishin mobilizuar në Kosovë për të spastruar zonën nga fraksione problematike pas trazirave në afërsi të Prishtinës”.

Sipas Shaban Haxhis, komandantit të brigadës 7-të kosovare, në Tivar u vranë 1600 rekrutë shqiptarë. Por, duke u mbështetur në të dhënat e historianit Uran Butka, i cili ka analizuar shifrat e dhëna nga burime të ndryshme, mësojmë që numri i shqiptarëve të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në frontet e Adriatikut varion nga 2.947-3.447. Ndërsa, sipas të mbijetuarit të Masakrës së Tivarit, Azem Hajdinit, në Tivar u masakruan 4.310 shqiptarë si dhe u bë helmimi i më se 1.340 luftëtarëve të tjerë në kazerma ushtarake në Dubrovnik. Ndërsa, sipas studiuesit Robert Elsie, që të dhënat i mbështet në statistika ushtarake, mësojmë që 2.543 rekrutë shqiptarë u vranë, por sipas tij kjo shifër mund të jetë shumë më e lartë, ngase sllavët natyrisht që kishin prirje për ta zvogëluar shifrën e të vrarëve. Shifër të përafërt të të vrarëve na ofron studiuesi Muhamet Pirraku, sipas të cilit, vetëm në Masakrën e Tivarit janë vrarë 1700 shqiptarë, ndërsa po të shtohet edhe numri i të vrarëve në Dubrovnik dhe i atyre gjatë rrugës nga Prizreni deri në këtë qytet, shifra arrin afërsisht 2.400 qytetarë shqiptarë që u vranë në frontin e Adriatikut. Të dhëna për numrin e viktimave na ofron edhe Fatos Beja, ku sipas tij numri i të vrarëve është më i madh se 600 dhe më i vogël se 1560 persona. Për të dalë te numri i saktë i viktimave në Tivar është e domosdoshme të analizohet lista e të nisurve nga Prizreni, ku i janë dorëzuar brigadës 10-të malazeze më 30 mars në Shkodër, si dhe lista prej 800 vetash që u regjistruan në hyrje të ndërtesës së Monopoli të duhanit. Pra, asnjë studim për këto ngjarje nuk mund të konsiderohet i plotë pa shfrytëzuar dokumentet në arkivat jugosllave.

Mund të themi se dërgimi i shqiptarëve në frontin e Adriatikut dhe më pas krimi që çetnikët serbë dhe malazez bënë me rastin e Masakrave në Tivar dhe Goricë, ishte çmimi që ata e paguan me gjakun e mijëra të vrarëve dhe të plagosurve, ndonëse totalisht ishin të pafajshëm. Pra, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, për shqiptarët ishte i tmerrshëm, sepse jo vetëm që nuk fituan të drejtën e vetëvendosjes dhe qëllimin final: bashkimin me Shqipërinë, por u tradhtuan, u masakruan, u torturuan dhe në fund, Kosova u aneksua në mënyrë të dhunshme.

Si përfundim, mund të themi se, nga 1 prilli 1945 e deri në fillim të viteve 90-të kur ra sistemi komunist, ngjarja ndër më tragjiket në historinë e popullit shqiptar është Masakra e Tivarit. Por në të gjithë periudhën e sipërpërmendur, kjo ngjarje e rëndë nuk është trajtuar si duhet dhe sa duhet, për shkak të ndikimit të ideologjisë komuniste. Trajtimi i drejtë i ngjarjes së Tivarit, kërcënonte me destabilizimin e marrëdhënieve etnike dhe të ashpra midis shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve, që jetonin në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin në Jugosllavinë jugore. Madje, jo vetëm që nuk u shkrua asnjë rresht deri në këtë periudhë, por ata që inskenuan këtë tragjedi, sikur deshën të humbnin çdo gjurmë të kësaj masakre. Edhe nga dëshmitarët e kohës, që fati i shpëtoi nga vdekja dhe shtresa intelektuale e akademike deri në fillim të viteve 90-të të shek. XX, sikur e heshtën këtë ngjarje të rënd për popullin shqiptar, në veçanti atë të Kosovës.

Kjo heshtje, si nga ana e botës akademike po ashtu edhe nga dëshmitarët e kohës, mbase ishte e kuptueshme, po të kemi parasysh rrethanat në të cilat ndodhej populli shqiptar i Kosovës pas vitit 1945, periudhë në të cilën nuk ishte e favorshme të diskutohej e të shtrohej kjo çështje. Në Kosovë kjo ngjarje e rëndë për shqiptarët nuk u trajtua, për shkak të regjimit të Beogradit dhe tendencave në vazhdimësi të justifikimit nga ana serbo-malazeze, ndërsa në Shqipëri, Masakra e Tivarit ishte thuajse e panjohur gjatë gjithë periudhës së sistemit komunist të Enver Hoxhës, mbase për arsye ideologjike, apo fajit të cilin e ndjente pushteti i Tiranës. Mirëpo, pas rënies së komunizmit (1990), Masakra e Tivarit, filloi të zbardhej nëpërmjet studimeve nga autorë të ndryshëm andej e këtej kufirit, por megjithatë edhe sot e kësaj dite, kjo masakër ka mbetur e pastudiuar mjaftueshëm, pa përgjegjës e përgjegjësi.

Së fundmi, mund të themi se masakra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm në Tivar (apo frontin e Adriatikut), mund të jetë një ndër krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore në Ballkan dhe jo vetëm, ndërsa për shqiptarët kjo masakër mund të klasifikohet si një ndër katastrofat më të mëdha kombëtare. Ndërkaq, Tivari si vendi ku u krye krimi, nuk u zgjodh rastësisht, por për shkak se ishte larg nga të gjitha lidhjet komunikuese, që ua mundësonte kryerjen e krimit në mënyrë tejet të fshehur. Pastaj, shkëmbinjtë dhe deti i gjerë, ofronin mundësi ideale që t’i ekzekutonin pa gjurmë të gjitha viktimat dhe kufomat e plojës, në mënyrë që tërë ato krime t’i mbulojë heshtja, duke mos dhënë asnjë të dhënë për opinionin, në veçanti atë ndërkombëtar.

Filed Under: Histori

Kush ishte nacionalisti dhe antikomunisti i përbetuar ish Ministri i Brendshëm shqiptaro-amerikani ing. Xhafer Deva?

April 30, 2024 by s p

 “Si e njofta Xhafer Devën? Shkruaj si njeri në moshë të kaluar, por edhe si njeri para Zotit. Zoti dhe kombi, nuk duhet të gënjehen. Xhafer Deva, kishte këto vetijet e kosovarit dhe hidheshe në luftë pa i vënë gurë ballit si asnjë tjetër, për të mbrojtur popullin e tijë. Ishte burri, shqiptari më i shkëlqyer i gjeneracionit të tijë.” – Ago Agaj, ish minister, nacionalist vlonjat

“Këtu provohet se qendrimi kundrejt Kosovës, është trathëtia më e madhe e Enver Hoxhës, që dërgoj shqiptarët me derdh gjakun, për me u sigurue komunistëve jugosllav sundimin e Kosovës.”  Tajar Zavalani, gazetar në BBC dhe studiues, London, United Kingdom

 “Ne, po largohemi nga Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën, për përmbysjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri.” – Mit’hat Frashëri, Paris, Francë, nacionalist

Klajd Kapinova

Ing. Xhafer Deva (1904-1978), ishte një ndër liderët kryesorë të diasporës shqiptaro amerikane (ishte kryetar i Organizatës “Lidhja e Tretë e Prizrenit” (1962, dhe vazhdon edhe sot 2024) me qendër në New York, SHBA, u bë mbeshtësi kryesor i prof. Rexhep Krasniqit (1906-1999), për drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”

“Free Albania” National Committee, (Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”), ishte një organizatë politike e pas Luftës së Dytë Botërore e mërgatës shqiptare në vendet perëndimore. 

Ky komitet, u mbështet fuqishëm nga CIA (SHBA), i vendosur si anëtar i Komitetit Kombëtar për një Europë të Lirë, si pjesë e projektit të madh Plani Marshall, të shpallur nga Kongresi dhe Senati Amerikan, i dominuar asokohe nga patriotët antikomunistë republikanë. Sikurse dihet, Komiteti në fjalë, synonte bashkimin dhe organizimin e mërgatës disidente politike shqiptare dhe bashkëpunimin me fuqitë perëndimore, për të përmbysur regjimin e zi komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. 

Pas vdekjes së Mit’hat Frashërit në Francë, në tetor të vitit 1949, Hasan Dosti e mori përsipër drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, dhe më vonë si drejtues u bë prof. Rexhep Krasniqi (SHBA), një shqiptar nga Kosova u bë kryetar me mbështetjen e ing. Xhafer Devës, që më parë ishte vendosur në SHBA.

Jeta dhe veprimtaria e pasur nacionaliste

Xhafer Deva, ka lindur në Mitrovicë në vitin 1904, nga një familje gjakovare qytetare që kishte zbritur në Gjakovë me origjinë nga Deva e krahinës së Hasit. Një njeri i shkolluar në Stamboll, me profesion inxhinjer, ishte një poliglot në njohjen e shum gjuhëve si anglisht, gjermanisht, turqisht, frëngjisht dhe italisht.

Gjith jetën e tij, Xhafer Deva e ka shkrirë në luftë dhe përpjekje të jashtzakonshme për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe bashkimi me Shqipërinë i të gjitha trojeve të mbetura jasht shtetit amë. 

Më 09 prill 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit, i cili në atë kohë ndodhej në Australi: “Shperthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë, nuk duhet të na gjejë të pa përgatitun. Na nuk mund të bajmë mrekulli, por me një bataljon, të cilin mund ta krijoj dhe udhëheqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund të thejmë një pikë sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit dhe për të ngritur në këmbë mbarë Kosovën e trojet tona etnike. Më 26 qeshor 1950, pak para mesnate filloj hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Ata ishin të gjithë kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në një kamp ushtarak amerikan duke patur Devën ditë për ditë në fushën e stërvitjes”.

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, në të cilen Ministër i Brendëshëm ishte ing. Xhafer Deva, akuzohet nga historiografia komuniste si qeveri kuislinge. Duhet shkuar më tej strategjisë së kësaj qeverie e cila kishte për qëllim të shfrytëzonte konjukturat politike të kohës për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. “Asnjëherë në këtë kohë në Shqipni nuk ka ekzistu një parti naziste, as nuk ka patur formacione të organizuara të rinisë shqiptare. Në asnjë godinë shtetërore ose qendër publike, përveç flamurit kombëtar, nuk është ngritun flamur i huej”. 

Nacionalisti flonjat Ago Agaj, ndër të tjera kujton: “Si e njofta Xhafer Devën? Shkruaj si njeri në moshë të kaluar, por edhe si njeri para Zotit. Zoti dhe kombi, nuk duhet të gënjehen. Xhafer Deva, kishte këto vetijet e kosovarit dhe hidheshe në luftë, pa i vënë gurë ballit si asnjë tjetër, për të mbrojtur popullin e tijë. Ishte burri, shqiptari më i shkëlqyer i gjeneracionit të tijë”.

Është me të vertetë për të ardhur shum keq kur të gjith ata që gjith jetën e tyre luftuan për një Shqipëri etnike demokratike dhe kundër instalimit të murtajës komuniste në Kosovë dhe në Shqipëri të mos vlerësohen por përkundrazi të injorohen.

Kjo tregon se shoqëria jonë dhe politika në Shqipëri është tejet e infektuar nga reminishencat e regjimit komunist. 

Nga ky batak që kemi rënë sa më parë duhet të ngrihemi që të rendim në rrugën e vështirë të demokracisë dhe të bashkohemi me kombet e tjera të qytetëruara.

Trathëtia kombëtare nuk ka qenë kurrë dhe asnjëher në anën e nacionalistëve. Nacionalistët ishin të vendosur në idenë e tyre, të një Shqipërie etnike demokratike të bashkuar me të gjitha trojet e sajë, të mbetura padrejtësisht jashtë shtetit amë nga konferenca e Londrës e vitit 1913. 

Shqipëria dhe çështja kombëtare u trathëtuan nga Enver Hoxha dhe komunistët që shërbyen në veprën e tyre kriminale kundër popullit shqiptar.

“Këtu provohet se qendrimi kundrejt Kosovës është trathëtia më e madhe e Enver Hoxhës që dërgoj shqiptarët me derdh gjakun për me u sigurue komunistëve jugosllav sundimin e Kosovës.” 

Duhet hedhur poshtë me neveri ideja e historianëve mashtrues dhe hipokritë komunistë, që ulurijnë me histerizëm nëpër TV të kapura nga Edi Rama se nacionalistët shqiptarë me Mit’hat Frashërin, Xhafer Devën, Abaz Kupin etj., e kanë humbur luftën, shkruan studiuesi Sejdi Peka.

Është një gënjeshtër monstruoze dhe trushpërlarëse. Duke u larguar nga Shqipëria pas marrjes së pushtetit nga komunistët, Mit’hat Frashëri do të deklaronte: “Ne, po largohemi nga Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën, për përmbysjen e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri”.

Ata kishin humbur një betejë, por nuk kishin humbur luftën. Dhe me të vertetë, pas shumë përpjekjesh, gjakut të derdhur për lirinë e Shqipërisë, komunizmi u përmbys dhe ka fituar ideja e nacionalistëve dhe antikomunistëve shqiptarë, ideja e Mit’hat Frashërit për një Shqipëri të lirë, demokratike të bashkuar me Evropën dhe kundër murtajës bolshevike.

“Numri i të vrarve dhe i viktimave të pafajshme, që u pushkatuan nga komunistët në Kosovë dhe vise të tjera në Maqedoni e Mal të Zi, arrinë në 47.000 deri në 50.000 shqiptarë. Më se ¾ e burrave, ajka e trimave dhe patriotëve të vertetë ranë në sheshin e luftës,” shkruan nacionalisti i shquar Tahir Zajmi, Sekretar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në veprën e tij me të njëjtin titull. 

Drejtuesit e Lidhjes, ata që kishin mbetur gjallë, bashkluftëtarët e Xhafer Devës, oficerët dhe luftëtarët që kishin luftuar trimërisht në formacionet e kësaj lidhje, u dorëzuan në brigadat partizane shqiptare “si shqiptari, në besë të shqiptarit”, por që ata menjëherë u dorëzoheshin forcave jugosllave, që i prisnin me thikë në dorë duke i ekzekutuar menjëher.

Në analizën e tij interesante historike, studiuesi Sejdi Peka shkruan, se në listën e gjatë me qindra mijëra dëshmorësh po përmendim vetëm disa prej tyre: Musa Shehi, Kryetari i Kuvendit të Lidhjes së dytë të Prizrenit, prof. Kol Marxhini, N/kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes, Aqif Bluta N/kryetar i Lidhjes, djemt e Isa Boletinit, Asllan Boletini, Mujo Boletini, Pajazit Boletini, nipat e Isa Boletinit, Kapllan Boletini, Skënder Boletini, Bedri Peja, Sekretar i Lidhjes, Uk Sadik Berisha dhe Shaban Berisha dy djemtë e Sadik Ram Berishës, udhëheqës i kryengritjes së Rrafshit të Dukagjini, Skender Curri, Esat Berisha, mulla Idriz Gjilani etj.

“Një vend nderi të posaçëm lypset dedikue batalionit “Hasan Prishtina të përbame prej të rijve në një moshë fare të njomë, që u shkri në tansi prej 300 vetësh në grykat e Podujevës në mbrojtje të një pike strategjike, kundër ushtrisë bullgare e udhëhequr prej komisarve komunist. Këte betejë të përgjakshme poeti shqiptar e ka quejt “Termopilet e Kosovës”. 

Brigadat partizane shqiptare u dorëzuan forcave komuniste jugosllave që po pushtonin Kosovën edhe shumicën e oficerve të Lidhjes si: Kol. Fuat Dibra, komandant i forcave ushtarake të lidhjes dhe shtabin e tij, Kol. Asllan Vela, N/kol. Sidki Shkupi, Kap. Hajdar Planeja, Kap. Rasim Dajçi, Kap. Gjon Destanishta, Major N. Hoxha, Kap. Mark Thani, toger Nush Dobruna, N/toger Qazim Gostivari, asp. Reshit Kaçaniku etj. Të gjith këta oficerë jan dorëzue në komandën e brigadës partizane në Prizren, e cila menjëher i ka dorëzue në autoritetet komuniste jugosllave që i kan ekzekutue pa vonesë.”

Masakrat, vazhduan edhe pas vendosjes së regjimit komunist serb në Kosovë. Në pranverën e vitit 1945, 8000 luftëtarë të Lidhjes së dytë të Prizrenit dhe patriot të tjerë, lulja e djalërisë kosovare, u grumbulluan në Prizren dhe në internarin Kukës, Pukë, Shkodër, në marrveshje me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës u dërguan në Tivar dhe u ekzekutuan.

Xhafer Deva dhe emri i tij, nuk mund të mbulohet me natë dhe të mbetet peng i historianëve të Institutit të studimeve marksiste leniniste. 

Personalisht unë ndjehem shumë krenarë se Babaj im Iljaz Peka ka qenë bashkluftëtari dhe miku më i ngushtë i Xhafer Devës, si dy bij të trevës së Krahinës së Hasit, në “Lidhjen e dytë të Prizrenit” në luftë për kundërshtimin e instalimit të regjimit komunist në Shqipëri dhe Kosovë por edhe më vonë në kuadrin e Komitetit Shqipëria e lirë në Amerikë.

“Xhafer Deva, vinte nga Polo Alto e Kalifornisë ku banonte, për t’u takuar në New York me Iljaz Pekën, që e kishte mikun e tijë më të mirë,” tregonte aktivisti antikomunist prof. Rexhep Krasniqi. 

Xhaferi, ishte biri i Ibrahim Devës, një tregtar i njohur nga Mitrovica. Origjina e mirëfilltë e kësaj familje është nga qyteti i vjetër i Gjakovës. Ai është shkolluar në gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht, gjermanisht dhe anglisht.

Gjuhën angleze e ka mësuar në Stamboll, në shkollën e quajtur Robert College të Turqisë. Përveç gjuhëve, që përmendem më lart, Xhaferi zotëronte edhe gjuhën italiane, duke lexuar në origjinal shumë kryevepra letrare të autorëve latinë.

Xhafer Deva, gjatë viteve 1941-1943, kishte fituar besimin e Guvernatorit gjerman me qendër në Beograd të quajturit Noi Bayer, dhe në vjeshtën e parë të vjetit 1943, kur italianët lëshuan armët e luftës dhe iu dorëzuan armiqëve, atëherë ushtria gjermane vrapoi për arsye strategjike për të dalë në bregdetin e Shqipërisë. 

Kësaj here, Guvernatori në fjalë, e dërgoi Xhaferin në Tiranë, ku zuri vendin e Ministrit të Brendshëm. Me të drejtë, vlerëson studiuesi e publicisti veteran i komunitetit tonë Idriz Lamaj, se ing. Xhefer Deva ishte një “burrë i shtetit shqiptar etnik, që në emër të atij populli luajti rolin më vendimtar në “Kohën e Shqipnisë”, padyshim është Xhafer Deva”.

Ai, përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944. Para largimit, u bë dorëzimi i zyrës qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për sa kohë që ata qendruan në Kosovë, ing. Deva me shokët e tij, kishin qeverisur, drejtuar administratën e Kosovës, përmes zjarrit të luftës.

Kryetari Deva, me ndershmërinë që e karakterizonte, bëri dorëzimin e të gjithë mjeteve financiare të buxhetit të shtetit (thesarit), në mënyrë korrekte e transparente, duke shprehur edhe një herë moralin e lartë të një njeriu fisnik, që asnjëherë nuk tundohej nga pushteti administrativ dhe pushteti i fuqishëm i parasë.

Shpesh, figura e ing. Xhafer Devës është keqpërdorur në disa drejtime, por, ne po shpiegojmë shkurt, aspektin human të tij. Në një dorëshkrim, që kemi mundur të gjejmë në disa arkiva private, që disponon Lidhja e Prizrenit në New York, mësojmë mbi aktivitetin e ing. Xhafer Devës, e cila është e ndarë në disa pika. 

Dorëshrimi, nuk ka autorësi dhe është realizuar me makinë të vjetër shkrimi, që krijon mundësinë e leximit dhe kuptimit të saktë të çdo fjale. Në dorëshkrim, Deva në veprimtarinë e tij kritikohet, se është treguar tolerant ndaj komunistëve.

Në mënyrë që lexuesit shqiptarë, të krijojë një ide më të saktë, po e citojmë faktoshkrimin mbi biografinë e ing. Xhafer Devës dhe veprimtarinë e tij si Ministër i Brendshëm në mënyrë autentike: 

“S’pari, në vend që t’a shpërndante tokën e t’i kapte edhe ata komunistë që inshin mbetun të pa-kapun në kohën e Italis nga ana e policis shqiptare, aj (është fjala për ing. Devën, shënimi im K.K) hapi portat e burgut në Tiranë, tue i lirue gjith ata komunistat e rrezikëshem, të cilët në vend që të shkojnë nepër shpijat e tyne, ata dulne në mal, ku u furnizuen me arme dhe filluen akcjonet e tyne në të gjitha anët tue vra kundershtarët e tyne. Kështu jeta, malli, pasunija e popullit urtë u ba e pa-sigureme nga ana e qeveris.” 

Në fillim të dhjetorit 1944, grupi kosovar i përbërë nga ing. Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Tahir Zajmi, prof. Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica përshkoi udhën nëpër malet slloveno-austriake (Alpet e Europës), duke mbërritur pas një rruge të mundimshme në shtëpinë e një miku të Devës. 

Më pas, ata së bashku mbërritën në Austri, duke pasur kujdes, që mos bien në sy të komunistëve rusë, që si barbarë sulmonin e shkatërronin gjithçka. Ata, pasi u stabilizuan falë ndihmës bujare të Devës, ranë në kontakt me grupet e nacionalistëve refugjatëve shqiptarë. 

Edhe atyre, ing. Xhafer Deva u siguroi strehë, ushqim dhe nevoja të tjera të domosdoshme për një kohë të mirë. 

Nga letrat e botuara, për herë të parë pas disa dekadave, nga studiuesi i kujdeshëm shqiptaro-amerikanë Idriz Lamaj, mësojmë, se “në mënyrë të veçantë, Xhafer Deva u kujdes për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilit, me anë miqësh përsonale i siguroi strehim në një senatorium, në një rreth të qytetit Feldkirch afër kufirit më Zvicër. 

Në fund të vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, Deva u tërhoq të disa miq të vet në Austrinë perëndimore, prej ku ndejti në lidhje të vazhdueshme me shokët e Grupit Kosovar dhe u përpoq të marrë lajme dhe të krijojë ndërlidhje me qendresën antikomuniste në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni, ku mijëra e mijëra shqiptarë kishin përfunduar nën breshërinë e skuadrave të pushkatimit dhe ndër burgje. 

Lajmi i shuarjes së kryengritjes së Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe prof. Ymer Berishës, ndjekur me vetëmohim nga masa popullore e atij rrethi, la në fushën e luftës mëse 5000 vetë dhe shkrirja në zjarr e 44 katundeve, e tronditi së tepërmi Grupin Kosovar.

Shpresa dhe premtimi, se aleatët mund të zbrisnin në Ballkan, po të kishte kryengritje të tilla të qendresës së organizuar nacionaliste në vende nevralgjike si në Kosovë, filloi të venitet, për të mos thënë se u shua...”

Patrioti nacionalist ing. Deva, asnjëherë nuk u step dhe nuk tregoi shenja pesimizmi në situatën e re të zezë, të krijuar në Ballkan dhe vendlindjen e tij. 

Më 1947, ai gjendet në Itali, ku takohet me patriotët: Tahir Zajmin, Ali Dragën, Xhelal Mitrovicën. Asokohe, ai tërhoqi nga Australia Rexhep Krasniqin e Rexhep Mitrovicën, të përmirësuar nga shëndeti. Gjeografia e lëvizjeve të tij sa vjen e zgjerohet, në shtete të ndryshme të botës. Ajo ishte e larmishme, dhe ai udhëtonte vazhdimisht aty ku gjendeshin shqiptarët të emigruar asokohe. 

Ai duke shfrytëzuar miqësinë, që kishte me një diplomat turk (me origjinë shqiptare nga qyteti historik i Prizrenit), i siguroi Rexhep Mitrovicës një vizë, për të shkuar në Turqi. Kështu 4 nga 5 antarët e grupit kosovar, shkuan në Damask (Siri) në fund të vitit 1947.

Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës Bashkimi i Kombit në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkëatdhetarë dhe patriotë antikomunistë, që kishin emigruar prej kohësh.

Ai ishte përfaqësuesi më i lartë në bisedimet politike të mërgatës, për mbrojtjen e jashtme të kryengritësve antikomunistë. Shumë i madh është aktiviteti i ing. Xhafer Devës në vitet 1948-1949, ku ai përpiqej që në Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë” të përfshiheshin të gjithë viset shqiptare dhe Kosova. 

Për më tepër, studiuesi Idriz Lamaj vlerëson, “Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me inteligjencën angleze, ai ndikoi drejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar.”

U zgjodh kryetar i Kuvendit të Aleksandrisë, në kohën kur Mbreti Zogu I, ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në diasporë. Ing. Deva, ndikoi fuqishëm në krijimin e bazave të rezistencës antikomuniste, në malet e Shqipërisë Veriore, ku u krijuan shumë qendra radiofonike 1944-1953, kundër regjimit antihuman komunist.

Një vit më pas futet në punë, pranë një zyre polake për refugjatët, duke ndihmuar shqiptarët të shkojnë drejt SHBA, Kanadasë, Australi, etj., mbasi kishin mbetur prej kohësh në kampet e emigracionit në Itali e Greqi.

Nacionalisti gjendet në Australi, ku themelon Organizatën “Bashkimin e Shqiptarëve në Australi“. Miku i tij i ngushtë Xhelal Mitrovica, i jep jetë gazetës kuptimplote “Vatra Shqiptare“. 

Një udhëtim tjetër të gjatë, ing. Deva fillon në vitin 1956 në drejtim të SHBA. Asokohe në vendin e lirive dhe të drejtave të njeriut, kryeqendrën kampione të demokracisë botërore, kishin mbërritur shumë emigrantë disident politikë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet etnike shqiptare. 

Si gjithnjë, ai mbajti të ndezuar në zemër ndjenjën nacionale, finikërinë dhe traditën e pasur shqiptare, forcën e karakterit të burrërisë dhe përsonalitetin e vet, të respektuar e nderuar me mirënjohje nga të gjithë bashkëpatriotët.

Ai vazhdimisht punoi me ndershmëri çdo lloj pune në New York, Boston. Nuk i pëlqente të ishte parazit në kurriz të tjerëve dhe shtetit amerikan. Më 1960 shkoi në Kaliforni, në krahinën malore Calavera Coubty, ku qendroi pranë një miku të tij amerikan. 

Si një punëtor i thjeshtë, u punësua në një stabiliment sharrash dhe lëndësh drusore, duke përsëritur të njëjtën punë pas dy dekadash, ç’ka i kujtonte sharrtarët në luginën e Ibrit në Kosovë.

Si një nëpunës zyre, punoi deri sa doli në pension në vitin 1972 në Universitetin e Stanfordit në qytetin Palo Alto të Kalifornisë. Duke qenë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë e zgjeroi shumë rrethin e miqve dhe shokëve, të cilët do të lozin një rol të rëndësishëm në përsonalitetin e tij, duke u bërë shumë i njohur në universitet.

Kësisoj, së bashku me mergatën shqiptare të SHBA, ing. Xhafer Deva do të bashkëpunonte dhe do të pranonte për hir të nacionalizmnit detyrën e Kryetarit të Lidhjes II të Prizrenit, që do të themelohet në SHBA në vitin 1962.

Një ndër miqtë bashkëkohës, studiuesi e publicisti Idriz Lamaj shkruan me respekt, se: “Mërgata etnike e ndjeu vetën të entuziazmuar përsëri si në kohën e qëndresës, kur luftuan me jetën e vdekjen për të mbetur bashkë me Shqipërinë.

Me sakrifica përsonale, Xhafer Deva shkon në New York herë mbas here dhe riorganizon Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, e cila mbështetej në të kaluarën e vet historike dhe në parimet e larta kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit në atdhe. 

Organizatës së ringjallur në New York, Deva i dha formën moderne të kohës, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit.

Megjithëse kjo Organizatë nuk kishte thirrë ende Kongresin e saj të parë, shtypi i Tiranës dhe i Beogradit filluan fushatën e propagandës së tyre kundër përsonit të Xhafer Devës. Nga seria e artikujve të botuar në “Veçernje Novosti” të Beogradit dhe “Zëri i Popullit” me titull “Xhafer Deva në lëvizje”, shihet qartë, se ata nuk kishin harruar, se cili ishte Deva kur vihej në lëvizje.” 

Pas një jetë të tërë kushtuar atdheut dhe bashkimit të trojeve etnike shqiptare, pas shumë udhëtimeve me karakter nacional, pranë bashkatdhetarëve të shpërndarë nëpër botë, pas një jete të përmallshme për vendlindjen e dashur, i zhuritur me mallin për tokën ku lindi dhe u mëkua me ndjënjën fisnike të atdhedashurisë vdiq ing. Xhafer Deva, duke lënë trashëgim për bashkatdhetarët dhe emigrantët nëpër botë testamentin e vetëm të Shqipnisë etnike. 

Pikërisht në pragun e 100 vjetorit të ditëlindjes së “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” 1878, më 25 maj 1978 mbylli sytë, një ndër udhëheqësit e flaktë të nacionalizmit ing. Xhafer Deva. 

Sot hap pas hapi, po ndriçohet kontributi i madh nga studiuesit e rinj të diasporë e trojet etnike shqiptare, të mbështetur kryesisht në arkiva, kujtime të bashkëkohësve. I rëndësishëm mbetet arkivi i pasur i letërkëmbimeve, që ing. Xhafer Deva kishte pasur, me përsonalitete të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim. 

Kur të botohen letërkëmbimet që ka pasur me përsonalitetet e huaja, do te zbardhin shumë aspekte të errësuar nga historiografia komuniste.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT