• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MASAKRA E REÇAKUT, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

January 17, 2025 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).

Frashër Demaj/

Abstrakt/

Sulmet e vazhdueshme të forcave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare vazhduan me intensitet të shtuar edhe në fillim të vitit 1999. Më 15 janar 1999 forcat e policisë dhe ushtrisë serbe sulmuan fshatin Reçak të komunës së Shtimes. Në Reçak në fillim të vitit përveç banorëve të përhershëm ishin strehuar edhe banorë të fshatrave të tjera të zhvendosur për shkak të ofensivave serbe. Policia serbe u fut me dhunë nëpër shtëpitë e shqiptarëve, i kishin nxjerrë jashtë banorët, disa prej të cilëve ishin planifikuar që të ekzekutoheshin. Në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak u ekzekutuan dhe u masakruan 42 persona civilë të pafajshëm, kurse 26 të tjerë burra, gra e fëmijë mbetën të plagosur nga ndërhyrja brutale e forcave serbe.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë që funksiononte në kuadër të OSBE-së që drejtohej nga ambasadori Wiliam Walker doli në vendin e ngjarjes dhe e pa me sytë e vet masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë. Në deklarimin publik para mediave vendore e ndërkombëtare, Walker e cilësoi këtë brutalitet shtetëror të masakrimit të qytetarëve të pambrojtur si krim kundër njerëzimit. Më 17 janar pushteti serb kishte dërguar në vendin e ngjarjes prokuroren e Prishtinës për t’i marrë trupat e masakruar për obduksion në qendrën spitalore të Prishtinës. Kjo ngarendje e shpejtë nënkuptonte se regjimi serb po mundohej që të falsifikonte provat në mënyrë që Masakrën e Reçakut ta përdorte politikisht si një argument kundër shqiptarëve dhe ta fshehte dorën e krimit. Kurse shqiptarët kërkuan që obduksionin e trupave të masakruar ta bënin mjekët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në fund forcat serbe i morën trupat e shqiptarëve të masakruar i dërguan në Prishtinë, por e vërteta rreth kësaj masakre u përhap në gjithë botën. Për Masakrën e Reçakut dhanë lajme mediet më prestigjioze ndërkombëtare.

Fjalët çelës: Masakra e Reçakut, policia dhe ushtria serbe, misioni verifikues i OSBE-së, Wiliam Walker.

Mosrespektimi i njëanshëm i marrëveshjes
Hollbruk-Milosheviç

Në gjysmën e dytë të vitit 1998 dhe fillimin e vitit 1999, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe në të cilat bënin pjesë serbë lokalë nga Kosova, të tjerë të ardhur nga Serbia dhe forca mercenare, intensifikuan veprimet e tyre kundër shqiptarëve duke sulmuar fshatra të tëra me qëllim të vrasjes dhe dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Kjo situatë kishte alarmuar strukturat politike, diplomatike dhe ushtarake ndërkombëtare. SHBA-ja dhe shtetet më të fuqishme anëtare të NATO-s ishin të bindura se Slobodan Milosheviçi e kupton vetëm gjuhën e forcës dhe ka frikë nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s në “RFJ”. Për të qartësuar pozicionet e Aleancës Veriatlantike, Richard Hollbroke dhe përfaqësues të Këshillit të NATO-s kishin vizituar Milosheviçin në Beograd. Synimet kryesore të politikës amerikane ishin arritja e një marrëveshjeje politike përmes “diplomacisë detyruese”. Milosheviçi kishte pranuar marrëveshjen me ndërkombëtaret që në përmbajtjen e saj parashihte hyrjen e Misionit Verifikues në Kosovë, zvogëlimin e numrit të trupave policore dhe ushtarake serbe dhe lejimin e kthimit të shqiptarëve civilë të zhvendosur në shtëpitë e tyre. 

Fillimi i vitit 1999 nisi me një fushatë terrori kundër popullsisë civile shqiptare, e organizuar ekskluzivisht nga shteti serb. Këto forca funksiononin në një hierarki të komandimit duke filluar nga presidenti i RFJ-së Slobodan Milosheviç, vartësit e tij politikë dhe struktura komanduese ushtarake dhe policore. Madje me miratimin e tij u funksionalizuan edhe forcat paramilitare të cilat organizuan edhe parada në prezencën e tij dhe strukturave shtetërore serbe. Forcat serbe duke ushtruar dhunë, terror dhe masakra kundër popullsisë civile shqiptare kishin për qëllim vrasjen, eliminimin fizik, frikësimin dhe futjen e panikut në popullsinë civile që sa më shumë të shpërngulen përmes deportimit masiv, konfiskimit të dokumenteve të identitetit dhe shkatërrimin e tyre për t’ua pamundësuar rikthimin për mungesë dokumentesh të identifikimit. Marrja e dokumenteve të identifikimit nga forcat serbe praktikohej në momentin e dëbimit nga shtëpitë e tyre në fshatra e qytete si dhe në pikëkalimet kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Konfiskime të tilla u bënë edhe gjatë kalimit të shqiptarëve me qëllim strehimi në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Pra tendenca kryesore e dëbimit ishte pastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët dhe rikolonizimi i saj që Serbia synonte ta bënte për të tretën herë brenda disa dekadave (reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës në periudhën midis dy luftërave botërore dhe kolonizimi me refugjatë serbë nga Kroacia dhe Bosnjë e Hercegovina gjatë luftërave të viteve 90).

Masakra e Reçakut dhe disa masakra të tjera në Kosovë ndodhën në një kohë kur ishte nënshkruar Marrëveshja Milosheviç-Hollbruk për tërheqjen e pjesshme të forcave serbe, armëpushimin dhe arritjen e paqes me ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane. I dërguari i ShBA-së Riçard Hollbruk pas më shumë se nëntë ditë e pesëmbëdhjetë orë diskutimesh intensive, arriti marrëveshje për Kosovën me presidentin jugosllav Slobodan Milosheviçin duke arritur që të evitohet kërcënimi i NATO-s për sulme ajrore. Milosheviçi ishte i vetëdijshëm për veprimet politike që po ndërmerrte, sepse disa javë më parë NATO-ja shkoi në prag të përdorimit të fuqisë ajrore ndaj forcave serbe në Kosovë, Serbi dhe brenda Republikës Federale të Jugosllavisë. Milosheviçi pranoi edhe kërkesat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që Jugosllavia t’i japë fund luftimeve në Kosovë, të tërheqë forcat e sigurisë të dislokuara atje që nga shkurti i kaluar, të sigurojë qasje të papenguar në agjencitë ndërkombëtare të ndihmës, të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës dhe të fillojë një proces serioz të dialogut për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Këto lëshime, Milosheviçi i pranoi si rezultat i kërcënimit të minutës së fundit të NATO-s për të nisur sulme shkatërruese ajrore kundër Serbisë. Kjo dinakëri tij e bindi edhe diplomatin më me përvojë të SHBA-së gjatë sesioneve të negociatave maratonë të zhvilluara në Beograd. Hollbruku pavarësisht se nuk besonte shumë në Milosheviçin, ishte i inkurajuar të vazhdonte procesin negociator për të mos lejuar një Srebrenicë të dytë e cila po përgatitej nga regjimi serb dhe mund të ndodhte lehtësisht në Kosovë.

Ndërkohë situata në Kosovë përshkallëzohej çdo ditë e më shumë. Ritmi relativisht i ngadaltë i vendosjes së verifikuesve ndërkombëtarë të paarmatosur nga OSBE-ja dhe një forcë reagimi të armatosur për t’i mbrojtur ata nga NATO-ja i inkurajonte forcat serbe. Pra, situata në Kosovë vazhdonte të jetë dinamike, ku serbët besonin se përdorimi i dhunës ende mund të sjellë përfitime për ta. Kurse shqiptarët besonin në forcat e pakta të tyre të organizuara nga UÇK-ja dhe në faktorin ndërkombëtar, kryesisht tek amerikanët. Ushtria dhe policia serbe sipas raporteve shqiptare dhe disa qarqeve ndërkombëtare shfrytëzonte mungesën e prezencës vëzhguese ndërkombëtare dhe çdo ditë ushtronte dhunë e terror të përcjellë me vrasje dhe masakra të popullsisë civile në gjithë territorin e Kosovës. Pra Milosheviçi hiqej se ishte i interesuar për bisedime paqësore, kurse nga ana tjetër vazhdonte çdo ditë të dërgonte forca ushtarake e policore në Kosovë. Me këto veprime ai njëanshëm hoqi dorë nga respektimi i marrëveshjes me diplomatin amerikan Hollbruk. Mosrespektimi i marrëveshjes dhe vazhdimi i luftës kryesisht kundër popullsisë civile irritoi edhe më shumë diplomacinë ndërkombëtare, sidomos amerikanët të cilët diskutonin çdo ditë edhe për opsione të tjera kundër Serbisë së pabindur në seriozitetin dhe gatishmërinë amerikane për ndërhyrje ushtarake. Milosheviçi inkurajohej edhe nga diplomacia ruse dhe ishte i bindur se ShBA-ja nuk do të futej në konflikt politik e diplomatik me Rusinë për shkak të Kosovës.

Sulmet e policisë dhe ushtrisë serbe dhe
masakra e Reçakut

Masakra e Reçakut dhe masakrat e tjera në Kosovë ndodhën në praninë anëtarëve të Misionit Vëzhgues Ndërkombëtar që funksiononte në kuadër të OSBE-së dhe misioneve të tjera përfaqësuese siç ishte Misioni Vëzhgues Diplomatik (KDOM). ShBA-ja kishte angazhuar Të Ngarkuarin me Punë të ShBA-së në Beograd, Richard Miles. Miles dhe homologu i tij rus filluan Misionin e Vëzhgimit Diplomatik të Kosovës më 6 korrik 1998. Misioni kishte për qëllim të vëzhgojë dhe raportojë për lirinë e përgjithshme të lëvizjes dhe kushtet e sigurisë në mbarë Kosovën. KDOM synonte të ndihmojë në ndërtimin e besimit në të gjithë rajonin duke ofruar një prani të hapur ndërkombëtare të ekipeve të vëzhguesve jondërhyrës. KDOM ishte një institucion i krijuar dhe i integruar nën drejtimin politik të një grupi koordinues të përbërë nga ambasadorët e vendeve të Grupit të Kontaktit në Beograd, si dhe ambasadorët e Austrisë (që përfaqëson presidencën e BE-së) dhe Polonisë (që përfaqëson Kryesuesin në detyrë të OSBE-së). Pra, prezenca shumëkombëshe përmes misioneve të veta në Kosovë kishte për qëllim njoftimin e qeverive të tyre me të vërtetën që po ndodhte në Kosovë. Gjithashtu, kjo prezencë ishte oponencë serioze ndaj regjimit serb mbi të vërtetën e ngjarjeve në Kosovë. Misionet ndërkombëtare do t’ia pamundësonin Milosheviçit servimin e të pavërtetës përmes medieve të kontrolluara në opinionin demokratik ndërkombëtar.

Reçaku, një nga fshatrat e Shtimes shtrihej në një pozitë gjeografike rreth 2 kilometra në jugperëndim të qendrës komunale, në skajin lindor të maleve të Carralevës. Fshati kishte afër stacionin policor të instaluar nga Serbia dhe në afërsi rreth 350 metra nga Pishat e Shtimes ishin të stacionuara forcat ushtarake serbe që të dyja së bashku përbënin kërcënim serioz për banorët e komunës së Shtimes dhe komunave përreth. 

Forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim të janarit 1999 intensifikuan veprimet e tyre të dhunshme në territorin e komunës së Shtimes dhe Ferizajt. Më 10.1.1999 një ekspeditë policore e ushtarake rrethoi fshatin Slivovë duke bastisur e demoluar rreth 70 shtëpi. Për pasojë u arrestuan 15 banorë dhe u rrahën e u maltretuan fizikisht shumë qytetar shqiptarë. Të nesërmen më 11 janar në Shtime u arrestuan 6 qytetarë shqiptarë dhe një numër i madh u keqtrajtuan, njërin prej të cilëve (Metush Hamdi Bislimin 25 vjeç) e fusin në bagazhin e automjetit dhe e marrin me vete në drejtim të postkomandës policore. Kurse 10 kamionë ushtarakë nga Shtimja u vazhduan në drejtim të Grykës së Carralevës. Të gjitha këto veprime brutale dhe lëvizje ushtarake e policore ishin një paralajmërim se forcat serbe po përgatiteshin të ndërmarrin aksione të mëdha në vendbanimet shqiptare. Konfliktit me përmasa të mëdha në relacionin Shtime-Ferizaj i druheshin edhe misionarët vëzhgues të cilët më vonë u deklaruan për situatën e sigurisë në prag të Masakrës së Reçakut. Më 15.1.1999 forcat serbe në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 6:30, me transporterë, autoblinda, tanke, gjuajtës kundërajror dhe mjete të tjera luftarake sulmuan fshatrat Belincë, Reçak, Petrovë dhe Mollopolc të komunës së Shtimes. Forcat serbe fillimisht nisen granatimin e këtyre fshatrave nga pozicionet e tyre te Pishat e Shtimes, nga Kryqi i Belincit dhe Kodra e Gështenjave për të vazhduar pastaj me këmbësori. Ata kishin bllokuar hyrje-daljet në Shtime dhe bllokuar rrugët magjistrale Shtime-Suharekë e Shtime-Ferizaj. Këtë bllokadë e bënë për arsye strategjike duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe duke e pamundësuar afrimin e forcave të UÇK-së që operonin në atë zonë. Këtyre sulmeve serbe iu ishin përgjigjur luftëtarët e UÇK-së që ishin numerikisht më pak dhe me armatime të lehta që nënkuptonte vështirësi të mëdha për t’u përballur me forcat serbe dhe për të mbrojtur me sukses popullsinë civile. Sipas dëshmitarëve ndërkombëtarë që ndodheshin në vendin e ngjarjes për të vëzhguar situatën, forcat serbe kishin zënë pozicione luftimi me tanke, autoblinda dhe mjete të tjera luftarake në vendin e quajtur Kodra e Gështenjave (Chesnut Hill). Kurse te Pishat e Shtimes kishte forca të tjera të mobilizuara dhe në gatishmëri ushtarake duke pritur urdhrin për sulm. 

Fshati Raçak, para masakrës kishte një popullsi prej rreth 2,000 banorësh. Gjatë ofensivës në shkallë të gjerë të qeverisë së Serbisë në gusht 1998, policia serbe granatoi Raçakun dhe disa objekte familjare u plaçkitën dhe u dogjën. Që atëherë, shumica e popullsisë ka jetuar në Shtime ose në fshatrat e tjera në rrethinën e Ferizajt. Në Reçak në fillim të vitit përveç banorëve të përhershëm ishin strehuar edhe banorë të fshatrave të tjera të zhvendosur për shkak të ofensivave serbe. Policia dhe ushtria serbe e shoqëruar edhe nga serbë lokalë që ishin mobilizuar, pas granatimeve u fut me dhunë nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Ata i ndanë familjet, burrat të cilët kishin planifikuar që t’i ekzekutonin. Para se t’i vrisnin ata u torturuan mizorisht. Në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak u ekzekutuan dhe u masakruan 42 persona civilë të pafajshëm, kurse 26 të tjerë burra, gra e fëmijë mbetën të plagosur. Shqiptarët e ekzekutuar në mesin e të cilëve kishte edhe gra e fëmijë, u masakruan në mënyrat më çnjerëzore. Atyre iu prenë dhe iu hoqën pjesë të trupit, si: sytë, kokat, zemrën, thyerje këmbësh e shpërfytyrime nga më të ndryshmet. 

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë që funksiononte në kuadër të OSBE-së që drejtohej nga ambasadori Wiliam Walker doli në vendin e ngjarjes dhe e pa me sytë e vet masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë. Ambasadori Walker shoqërohej edhe nga persona të tjerë që ishin pjesë e misionit dhe nga gazetarë të mediave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Ai hyri në oborrin e një shtëpie dhe me sytë e tij e pa trupin e pa kokë të Banush Azemit dhe deklaroi se “kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”. Walker i shoqëruar nga fshatarët civilë u ngjit shpatit për të shkuar te vendi ku sipas informacioneve ishte kryer masakra serbe ndaj popullsisë civile shqiptare, të cilët ishin marrë të gjallë dhe ishin dërguar aty për t’u vrarë e masakruar. Ai dhe shoqëruesit e tij panë me sytë e tyre duke u bërë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të veprimeve kriminale të policisë dhe ushtrisë së shtetit të Serbisë. Shefi i Misionit të OSBE-së, ambasadori Wiliam Walker pasi pa me sy shumicën e të masakruarve në konferencën me gazetarë deklaroi: “Duke parë kufomat jam i bindur që ky është një ekzekutim. Këta njerëz të vrarë mua më duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë që definitivisht nuk e kanë merituar të vdesin kështu dhe nuk më intereson cili ka qenë motivi”. Në vazhdim të komunikimit me medie ambasadori theksoi “Të shohësh kufomat me fytyra të shkatërruara që si duket janë bërë për shkak armëve që janë mbajtur në kokat e tyre, t’i shohësh 15 në gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar mendoj që më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them” tha Wiliam Walker. Ambasadori pastaj u ndal me bashkëpunëtorët e tij për t’u konsultuar para se të ktheheshin në Prishtinë duke premtuar se pas marrjes së informacioneve të plota në vendin e ngjarjes do të organizonte sërish konferencë shtypi në Prishtinë. Në konferencën e dytë ambasadori Walker duke ripërsëritur qëndrimin e tij të bazuar në skenat e llahtarshme të Masakrës së Reçakut deklaroi “Personalisht nuk kam fjalë të përshkruaj revoltën time, si dhe të atyre që ishin me mua për atë që mund të cilësohet si krim i papërshkruar. Asnjëri prej tyre nuk ishte i veshur ndryshe përveç në rroba civile, të gjithë dukeshin si fshatarë të vuajtur dhe njerëz të thjeshtë. Edhe pse nuk jam jurist, nga ato që kam parë nuk ngurroj ta kualifikoj ngjarjen si masakër dhe krim kundër njerëzimit”. 

Vëzhguesit ndërkombëtarë konstatonin se ato ditë në disa lokalitete në Reçak ishin gjetur trupat e 45 shqiptarëve prej të cilëve 3 gra dhe 1 fëmijë. Bazuar në faktet e gjetura në teren misioni verifikues ndërkombëtar akuzuan forcat serbe për krimet e tmerrshme në rajonin e Shtimes që ishte rreth 30 kilometra larg nga kryeqyteti i Kosovës. Walkeri gjithashtu vazhdonte me akuza kundër shtetit serb duke ua rikujtuar se disa ditë më parë UÇK-ja ka liruar 8 ushtarët jugosllavë të zënë rob, kurse jugosllavët me këto veprime po i shkatërrojnë përpjekjet ndërkombëtare për ndërtimin e besimit reciprok në mes të palëve. Sipas tij Masakra e Reçakut e ka kthyer në pikën zero besimin e njerëzve se mund të krijohet një situatë e paqes dhe t’u hapet rrugë negociatave për zgjidhje paqësore të problemit. Prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë ashpër këto veprime kriminale, kurse Qeveria e RFJ-së duhet t’i identifikojë dhe t’i nxjerrë para gjyqit të gjithë pjesëtarët e policisë dhe armatës jugosllave që kanë marrë pjesë në këtë krim. Walkeri i bënte thirrje edhe Tribunalit Ndërkombëtar të Krimeve të Luftës për territorin e ish-Jugosllavisë që sa më parë të vijnë në vendin e ngjarjes, të mbledhin prova, t’i hetojnë krimet dhe akterët t’i nxjerrin para drejtësisë në mënyrë që ata të marrin dënimin e merituar.

Ambasadori amerikan kishte udhëzuar misionin verifikues për të qëndruar në Reçak edhe ditën e shtunë më 16 janar për të përcjellë situatën e sigurisë dhe pengimin e forcave serbe për të vazhduar masakrat ndaj civilëve shqiptarë. Gjithashtu, ai kishte kontaktuar edhe me forcat e UÇK-së të cilëve u kishte tërhequr vërejtjen se pavarësisht nga dhimbja, nervoza, emocionet dhe frustrimi të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos hakmerren. Kurse qeveria e Beogradit në shenjë hakmarrjeje ndaj ambasadorit Walker, e shpalli person “non grata”, kurse prokurorës së Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi, Louise Arbour, nuk iu lejua hyrja në Kosovë. Konstatimi i Walker-it ishte përkrahur nga raporti zyrtar i Misionit Verifikues në Kosovë që deklaronte së forcat jugosllave janë përgjegjëse për krimin në Reçak. 

Për shkak të qëndrimeve të tyre korrekte në përshkrimin e ngjarjeve, shumica e anëtarëve të misionit vëzhgues dhe përkthyesit e tyre pavarësisht nga nacionaliteti ishin të kërcënuar nga policia, ushtria dhe paramilitarët serbë. Këto konstatime i vërteton edhe Edward Sullivan, vëzhgues i KDOM-it, i cili në një intervistë kishte deklaruar se “gjatë kryerjes së detyrës sime herë pas herë në gjoksin tim më janë drejtuar kallashnikovë nga policët serbë dhe ushtria jugosllave”. Pavarësisht nga tendencat për t’i frikësuar dhe kërcënuar me jetë, misionarët vëzhgues vazhduan misionin e tyre në shërbim të humanizmit duke e konsideruar si vlerë të civilizimit të demokracive të zhvilluara të qytetërimit perëndimor. Vëzhguesit, afër kufomave të të masakruarve gjetën letërnjoftime të dëmtuara nga plumbat dhe bajonetat, kuleta të zbrazëta, pako të zbrazëta cigaresh etj. që nënkupton se ata përveç se u vranë dhe masakruan, u vodhën për së vdekuri nga forcat serbe. 

Në anët tjetër pas ultimatumit serb ndaj ambasadorit Walker që për 48 orë ta lëshonte Kosovën, e vizituan Beogradin dy gjeneralët me të lartë të NATO-s, Wesley Clark komandant suprem i NATO-s dhe gjenerali gjerman Klaus Nauman kryesues i Komitetit ushtarak të NATO-s të cilët në takim me Milosheviçin kërcënuan se Aleanca është e përgatitur për të sulmuar ushtarakisht. Temë e rëndësishme e takimit ishte edhe çështja e ambasadorit Walker dhe hyrja e kryeprokurores ndërkombëtare Luis Arbor në Kosovë për të hetuar Masakrën e Reçakut. Megjithatë, sipas James Rubin-it, zëdhënës i Stejt Departmentit, ky takim nuk i dha rezultatet e pritura, prandaj gjeneralët do të takohen me ambasadorët e vendeve të NATO-s për të diskutuar rrjedhën e bisedimeve. Pra Milosheviçi vazhdonte tentativat e tij për fshehjen e krimeve serbe në Kosovë, kalkulimet politike e diplomatike për të evituar sulmet eventuale të NATO-s dhe mashtrimet në dialog me ndërkombëtarët. Ai nuk u përmbahej zotimeve të tij që dilnin si rezultat i dialogut me ndërkombëtarët, por gjithmonë pas largimit të tyre nga Beogradi “harronte” marrëveshjet dhe vazhdonte diskursin nacional-shovinist në opinionin publik serb për të përmbushur apetitet e qarqeve të ndryshme në kuadër të konsumit të përditshëm nacionalist në Serbi. 

Reagimi i politikës evropiane dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare ndaj veprimeve të forcave serbe në Reçak

Masakra e forcave serbe ndaj shqiptarëve civilë në Reçak u gjykua si veprim kriminal dhe i papranueshëm për shtetet dhe popujt e qytetërimit evropian. Shumica e shteteve evropiane reaguan me tone të ashpra ndaj Serbisë, përmes qeverive të tyre, ministrive të jashtme, ambasadave dhe përfaqësive të tjera diplomatike, si dhe përmes instancave të institucioneve të përbashkëta evropiane. Masakrën e Reçakut, me tone të ashpra e dënoi edhe kryesuesi i OSBE-së, norvegjezi Knud Volebek i cili deklaroi se përkrah fuqishëm konstatimin e ambasadorit Walker dhe mban përgjegjës forcat jugosllave për masakrimin e shqiptarëve civilë të paarmatosur. Edhe ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fischer, në letrën e tij drejtuar presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç, në emër të Bashkimit Evropian i quante shokuese ngjarjet dhe veprimet e policisë dhe ushtrisë jugosllave ditëve të fundit, sidomos vrasjet masive si në rastin e Reçakut që janë të pajustifikueshme dhe të papranueshme për Bashkimin Evropian.

Fisher kërkonte nga Milosheviqi që menjëherë të anulohet vendimi për shpalljen person non grata të kryesuesit të Misionit Verifikues Ndërkombëtar Wiliam Walker; të respektohen në tërësi të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me OSBE-në dhe NATO-n; të ndërmerren masa konkrete për sigurimin e jetës së personelit ndërkombëtar në Kosovë; të bashkëpunohet pa asnjë kusht me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës dhe të lejohet hyrja dhe veprimtaria e papenguar e prokurores Louis Arbour. Ai në emër të Bashkimit Evropian kërkonte nga Milosheviçi që të mos manipulohej me Masakrën e Reçakut sepse të vrarët dhe të masakruarit nuk ishin pjesëtarë të UÇK-së. Kjo bie në kundërshtim me të vërtetën sepse vëzhguesit e paanshëm të OSBE-së, raportojnë për 45 civilë të paarmatosur shqiptarë të cilët u vranë dhe masakruan në fshatin Reçak.

Dhe në fund kërkohej që ekzekutorët e masakrës së Reçakut bashkë me urdhërdhënësit dhe ushtarakët që kanë marrë pjesë të pezullohen nga detyra deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Masakra e Reçakut u dënua ashpër edhe nga kryeministri italian Massimo D’ Alema, i cili këto akte i konsideronte të papranueshme. Në këtë linjë u deklarua edhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Lamberto Dini, në komunikim me homologët e tij evropianë. Ministri i Jashtëm britanik, Robin Kuk, duke dënuar aktet e dhunshme të forcave serbe dhe masakrimin e shqiptarëve civilë të paarmatosur kërkonte që palët të ulen në dialog për të gjetur zgjidhje paqësore. Kurse Sekretari gjeneral i NATO-s Havier Solana deklaronte se “është i shokuar nga kjo masakër”.

Masakrën e Reçakut e dënoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm të vrasjeve. Në mbledhjen e KS të OKB-së u kërkua nga Milosheviçi edhe shfuqizimi i vendimit për dëbimin e ambasadorit Walker. Në vazhdimësinë e gjykimeve ndërkombëtare ishte edhe reagimi në unison i vendeve të Grupit të Kontaktit të cilët dolën me një deklaratë të përbashkët ku dënuan masakrimin e shqiptarëve në Reçak dhe kërkuan hetimin ndërkombëtar të ngjarjes dhe iu bënë thirrje palëve për uljen e tensioneve dhe për vazhdimin e dialogut në tavolinën e bisedimeve. Të gjashtë vendet e Grupit të Kontaktit i bënë thirrje qeverisë së Beogradit dhe shqiptarëve që të ulen së bashku për të diskutuar në mënyrë konstruktive një plan ndërkombëtar për ta zgjidhur krizën. 

Edhe Human Rights Watch si një organizatë prestigjioze hidhte poshtë pretendimet e qeverisë së Beogradit dhe konstatonte se të masakruarit ishin civilë të vrarë e jo siç pretendon qeveria serbe dhe jugosllave se ata ishin luftëtarë të UÇK-së. Pra forcat serbe janë përgjegjëse për krimet e luftës në Reçak, sepse ata bënë ekzekutime të kundërligjshme. Notë proteste i kishte dërguar Ambasadës së “RFJ”-së edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Diplomacia shqiptare hidhte poshtë spekulimet dhe propagandën e Beogradit për “vrasjen e bandave terroriste“, duke akuzuar policinë dhe ushtrinë serbe për vrasjen e civilëve të pafajshëm dhe kërkonte ndërhyrjen urgjente nga bashkësia ndërkombëtare për të ndihmuar popullin e Kosovës që po masakrohej nga forcat serbe. Kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko i kishte dërguar letër presidentit të ShBA-së Klinton që i kërkonte ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së dhe NATO-s për të shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja që po i kanosej çdo ditë e më shumë nga brutaliteti dhe masakrat e forcave serbe anembanë Kosovës. Reagime të ngjashme pati edhe nga organizata të tjera joqeveritare që në fokus të veprimtarisë së tyre kishin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Reagimi i Departamentit të Shtetit dhe presidentit Klinton për Masakrën e Reçakut

Informatat për Masakrën e Reçakut në pasditen e 15 janarit, i pranoi me shqetësim edhe Shtëpia e Bardhë në Uashingtonin. Lajmin e kishin trajtuar këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Presidentit Clinton kurse Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright po bënte presion për t’i bindur presidentin për të rritur presionin për ndërhyrjen e ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë. 

Të gjithë autoritetet e Shtëpisë së Bardhë atë ditë kishin nxjerrë një konkluzion të përbashkët duke konstatuar se presidenti jugosllav Slobodan Milosheviç nuk po i mban, premtimet e tij por vazhdon me aksione kundër shqiptarëve etnikë. Albright deklaronte se me Milosheviçin nuk funksiononte dhe kishte ardhur koha për të lidhur kërcenimin e forcës me një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë për të siguruar një paqe të qëndrueshme. Sekretarja e shtetit kërkoi gjithashtu që sa më shpejt të revidohet vendimi për dëbimin e ambasadorit Walker në mënyrë që ai të rifillojë punën e tij në drejtimin e rreth 700 monitoruesve ndërkombëtarë. Ajo i rikujtoi Milosheviçit se “urdhri aktivizues” për përdorimin e forcës ushtarake ndaj RFJ mbetet në fuqi.

Albright-i dhe disa personalitete të tjera të Stejt Departamentit kërkonin rishikim të vendimmarrjes në Uashington dhe Bruksel. Sipas tyre Reçaku e transformoi politikën në Ballkan të Perëndimit, duke qenë një ngjarje e veçantë dhe e papranueshme dhe demaskoi demagogjinë dhe politikën e dhunës serbe ndaj shqiptarëve. Ajo duke marrë shkas nga brutaliteti i forcave serbe në Masakrën e Reçakut dënonte me forcë regjimin e Beogradit dhe kërkonte që ShBA-ja të merret me thelbin e problemit që është zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe rënia e Milosheviçit i cili përdori kartën e Kosovës dhe nacionalizmit serb për të forcuar pushtetin e tij, prandaj Kosova duhet të jetë fundi politik i tij.

Presidenti amerikan Klinton pas marrjes së informacioneve për masakrën e Reçakut, më 16 janar 1999 e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë duke e quajtur si masakër të qëllimshme të forcave serbe. Në deklaratën e plotë të presidentit thuhej:” Ky ishte akt i qëllimshëm i vrasjes, i disejnuar për të mbjellë frikë te popullsia e Kosovës. Është qartazi një përdhunim i premtimeve që autoritetet serbe i dhanë NATO-s. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këto veprime”. Në fund të deklaratës së tij presidenti amerikan deklaroi se është në kontakt të përhershëm me sekretarin e NATO- s dhe do të punohet intensivisht për ndalimin e dhunës dhe represionit në Kosovë. Nga ana tjetër presidenti i bënte thirrje palës kosovare dhe asaj serbe që të ulen në tavolinën e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.

Përpjekjet serbe për fshehjen e krimit

Që nga fillimi i luftës në Kosovë, politika serbe përdori strategjinë e stigmatizimit të shqiptarëve si terroristë, për t’i pasur duart e lira të ushtronte dhunë e terror ndaj tyre. Krimet e njësiteve të uniformuara serbe, si policë, ushtarë e shpesh herë edhe paramilitarë të kryera ndaj civilëve shqiptarë paraqiteshin nga propaganda serbe si “dëm kolateral”. Bazuar në këto konstruksione propagandistike, pushteti okupator serb akuzoi shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare për kurdisje të masakrës së Reçakut. Propaganda serbe e quante inskenim të shqiptarëve dhe Wiliam Walker-it gjithë ngjarjen e tmerrshme të ndodhur në Reçak. 

Beogradi pas protestave ndërkombëtare për masakrën, u mundua që të fshehë dorën e krimit sepse druhej nga një gjykim kolektiv ndërkombëtar. Pushteti serb instrumentalizoi mediet në gjuhën serbe në Kosovë e posaçërisht ato në Serbi që ishin të lidhura me pushtetin, që të propagandonin edhe më shumë dhe masakrën e Reçakut ta paraqesin si luftë të forcave serbe kundër “bandave terroriste” të UÇK-së. Në të njëjtën linjë me politikën ditore të qeverisë së Beogradit ishin edhe disa medie malazeze të afërta me regjimin e Milosheviçit.

Më 17 janar 1999, pushteti serb kishte dërguar në vendin e ngjarjes prokuroren e Prishtinës, Danica Marinkoviç, për t’i marrë trupat e masakruar për obduksion në qendrën spitalore të Prishtinës. Kjo ngarendje e shpejtë nënkuptonte se regjimi serb po mundohej që të falsifikonte provat në mënyrë që Masakrën e Reçakut ta përdorte politikisht si një argument kundër shqiptarëve dhe ta fshehte dorën e krimit. Tendencat e prokurores serbe e cila kishte marrë urdhrat politikë i demaskoi Michael Pedersen nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, i cili ishte informuar nga të afërmit e viktimave për manipulimet e prokurores Marinkoviç, e cila kishte refuzuar që t’ua dorëzonte familjarëve kufomat e të vrarëve. Autoritetet serbe druheshin nga publiciteti negativ që do të shkaktonte funerali dhe varrosja e viktimave në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend. Kurse shqiptarët kërkuan që obduksionin e trupave të masakruar ta bënin mjekët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Në fund forcat serbe i morën trupat e shqiptarëve të masakruar i dërguan në Prishtinë, por e vërteta rreth kësaj masakre u përhap në gjithë botën. Pavarësisht nga pretendimet serbe për të fshehur dorën e krimit, forcat ndërkombëtare-vëzhguesit i kishin përgjuar radiolidhjet dhe lidhjet telefonike në të cilat ishin dëgjuar të jepeshin urdhra për ndërhyrje brutale ndaj shqiptarëve pas vrasjes së tre ushtarëve serbë. Në këto përgjime ishin dëgjuar edhe Nikolla Shainoviçi, zëvendëskryeministër dhe gjenerali Sreten Llukiçi, ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë duke urdhëruar oficerët e policisë dhe ushtrisë që këto vrasje të duken si pasojë e luftimeve në mes trupave qeveritare dhe forcave separatiste të UÇK-së. Forcat serbe i morën kufomat dhe i dërguan në Institutin e Patologjisë në Prishtinë për obduksion në mënyrë që t’i nxirrnin rezultatet e falsifikuara me porosi të politikës milosheviçiane. Për shkak të presionit ndërkombëtar ata u detyruan të ftonin ekspertë ndërkombëtarë. Në fillim u ftuan patologë bjellorusë e pas tyre edhe specialistë finlandezë të patologjisë. Serbët duke u bazuar në miqësinë e tyre me bjellorusët shpresonin në rezultate të favorshme për ta. Mirëpo ishte grupi finlandez i kryesuar nga dr. Helena Ranta që kishte bërë ekzaminimin e disa kufomave të masakruara, dhe pas rezultateve të analizave konstatuan se këta njerëz nuk janë vrarë në luftime, por janë ekzekutuar nga afërsia. Me këto konstatime përpjekjet e Beogradit nga 15 janari kur u ekzekutuan dhe masakruan civilët shqiptarë e deri me 11 shkurt shkuan huq. Politika milosheviçiane përfundimisht humbi çdo shpresë për manipulimin e rezultateve të obduksionit dhe fshehjen e dorës së krimit.

Të masakruarit, të vrarët dhe të plagosurit në Reçak

Në masakrën e Reçakut u vranë dhe u masakrua në mënyrën më mizore: 

Ahmet Izet Ahmeti

Ahmet Zenun Mustafa

Ajet Minush Brahimi

Arif Murat Metushi

Bajram Haki Xheladini

Bajram Sokol Mehmeti

Bajrush Nesret Shabani

Banush Azem Azemi

Bujar Hanefi Hajrizi

Eshref Halim Jakupi

Fatmir Faik Ramadani

Hajriz Brahim Brahimi

Haki Murat Metushi

Hakip Imer Imeri

Halim Riza Beqiri

Hanumshahe Bajram Mehmeti

Hanumshahe Sadik Mujota

Haqif Shefki Hysenaj

Jashar Milaim Salihu

Lutfi Hasan Bilalli

Lute Asllani

Mehmet Qerim Jakupi

Mufail Mehdi Hajrizi

Muhamet Faik Syla

Muhamet Hafiz Mustafa

Murtez Ramiz Ymeri

Mustafë Beqë Asllani 

Nazmi Nuhë Imeri

Nexhat Faik Ramadani

Njazi Sherif Zymeri

Ragip Jahir Bajrami

Raif Milaim Salihu

Rizah Maliq Beqiri

Sabri Murat Metushi

Sadik Xhemë Osmani

Sahide Haki Metushi

Salih Faik Ramadani

Sheremet Shyqeri Syla

Shukri Milaim Salihu

Shyqeri Ismajl Syla

Skender Sylejman Halili

Xheladin Ahmet Jakupi

Zenel Shefqet Beqiri

Duke mbrojtur trupat e të masakruarve në vendin e krimit, më 19 janar 1999 u vranë edhe Ahmet Kaçiku dhe Vezir Jashari.

Përveç të vrarëve dhe të masakruarve në Reçak, gjatë ofensivës serbe mbetën të plagosur edhe 12 qytetarë të tjerë me plagë të lehta dhe të rënda.

Bajram Fazli Qerimi

Destan Rashit Rashiti

Elhami Bajram Mehmeti (fëmijë 10 vjeç)

Fetihe Shefqet Beqiri

Florie Hajriz Hajrizi

Hamdi Bilall Bilalli (fëmijë 14 vjeç)

Hasan Maliq Bilalli

Haxhi Banush Azemi (fëmijë 15 vjeç)

Hysen Sabri Metushi

Makfire Kadri Hajrizi

Nazmi Nebih Mehmeti

Zuhrie Shefqet Beqiri

Të mbijetuar të masakrës së Reçakut të cilët u rrahën dhe u torturuan me metodat më çnjerëzore janë:

Ali Qazimi

Alush Mustafa

Arben Jakupi

Bilall Bilalli

Hetem Rrustemi 

Imer Hakipi

Imri Jakupi

Mehdi Bilalli

Nusret Shabani

Osman F. Osmani

Ramë Shabani

Sabit Shaqiri

Në përpjekje për të mbrojtur popullsinë civile nga masakra serbe u vranë edhe 9 ushtarë të UÇK-së:

Ali Rakip Beqa

Enver Hyzri Rashiti

Ismail Luma

Kadri Shyqeri Syla

Mehmet Zenun Mustafa

Nazim Kokollari

Sadik Murat Mujota

Shaqir Zejnë Berisha

Skender Nezir Qarri.

Të plagosur nga radhët e UÇK-së, të cilët luftuan kundër forcave serbe në mbrojtje të popullsisë civile prej 15 deri më 20 janar 1999 ishin:

Afet Hasan Bilalli

Ramadan Mehë Hysenaj

Njazi Sadik Mujota

Shaban Zymer Ndrecaj

Zaim Halim Jakupi

Afrim Xhemajl Syla

Luan Salihu

Adem Musli Musliu

Xhevat Qarri

Zymer Jemin Lubovci

Xhevdet Zeqir Sejdiu.

Deri në fund të luftës kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës dhe hynë trupat e NATO-s në Kosovë, nga Reçaku, Shtimja dhe Zona Operative e Nerodimës u vranë dhe u plagosën edhe shumë qytetarë civilë dhe ushtarë të UÇK-së. 

Mediet ndërkombëtare për masakrën e Reçakut

Mediet ndërkombëtare i kushtuan vëmendje të veçantë Masakrës së Reçakut dhe ngjarjeve që vijuan në ditët në vazhdim. Agjencitë prestigjioze në ballinat e tyre botuan tmerret e përjetuara nga popullsia civile në masakrën e Reçakut. “Washington Post” krahas shkrimit kishte botuar edhe një fotografi të familjarëve me trupat e pajetë të masakruarve. Ky medium kishte realizuar edhe një reportazh dhe intervistë me ambasadorin Walker, i cili e kishte krahasuar masakrën e Reçakut me vrasjen brutale të 6 priftërinjve jezuitë dhe dy grave të pafajshme në El Salvador nga ushtria, në kohën kur shërbente si ambasador i SHBA-së në këtë vend. Prandaj thoshte Walker-i nuk mundet dhe nuk do të hesht për vrasjen e fshatarëve të pafajshëm nga forcat serbe. Gazeta franceze “Liberation” më 27 janar 1999 në një artikull të gjatë të titulluar “Masakra në Reçak-tregim i një dëshmitari kyç” kishte realizuar intervistë me një vëzhgues ndërkombëtar i cili kishte deklaruar se ata e kishin përcjellë ofensivën serbe nga një largësi prej 2 kilometrash nga vendi i ngjarjes. Pas tërheqjes së forcave serbe vëzhguesit kishin parë me sytë e tyre se ishin masakruar tmerrësisht shumë fshatarë të paarmatosur. Më 21 janar 1999 “Le Monde” shtronte pyetjen: “ nëse forcat serbe kanë luftuar kundër UÇK-së dhe kanë vrarë terroristë, atëherë pse Serbia nuk i lejon prokurorët për të bërë hetim të paanshëm ndërkombëtar” për të gjetur të vërtetën rreth ngjarjeve në Reçak. Kurse “Newsweek International” më 1 shkurt 1999 duke iu referuar burimeve të Human Rights Watch akuzonte për urdhërdhënie direkt zëvendëskryeministrin jugosllav Nikolla Shainoviç dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë Sreten Llukiç.

Masakrës së Reçakut i kushtuan vëmendje të veçantë edhe medie e tjera ndërkombëtare si: “The New York Times”, BBC, CNN, “Euro News”, “The Associated Press”, “Reuters”, “The Times”, “Newsweek”, “Die Welt”, “Der Spiegel”, “Frankfurter Allgemeine”, “Tageszeitung”, “Sudeutche Zeitung”, “Berliner Zeitung”, “Le Figaro”, etj. Këto mediume në lajmet e para dhe në ballinat e tyre botuan tmerret e përjetuara nga popullsia civile në masakrën e Reçakut.

Filed Under: Histori

NJË PËRKUJTIM PERSONAL ME RASTIN E 50-VJETORIT TË SHKUARJES NË AMSHIM TË ERNEST KOLIQIT

January 16, 2025 by s p

Lidhjet e tij me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe mërgatën në përgjithësi.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

50-vjet më parë, me 15 Janar 1975 ka ndërruar jetë shkrimtari dhe poeti dhe ndër të tjera edhe ministër i arsimit (1941-42) gjatë të cilës periudhë dërgon në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Me atë rast u hapën një numër i madh shkollash fillore dhe të disa të mesme, anë e mbanë trojeve shqiptare. “Ishin këto shkolla që do bëheshin baza me rëndësi për zhvillimin e përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi”, do shkruante më vonë Dr Rexhep Krasniqi, Kryetari i “Komitetit Shqipnia e Lirë” në Nju Jork, njëri ndër mësuesit që shkoi në Kosovë dhe njëri prej bashkpuntorëve të Koliqit.  Frank Shkreli: Thirrje për njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944) anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf

“Qe pishtari kryesor dhe frymëzuesi i vendosur i mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë. Në atë krahinë deri në 1941, shkrimi i gjuhës shqipe ishte privilegj i një pakice mikroskopike”, ka shkruar Dr Hamdi Oruçi për kontributin e Koliqit në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare nën Jugosllavinë asaj kohe. “Ai rekrutoi miqë e dashamirë të gjuhës shqipe dhe i dërgoi në Kosovë. Sot kjo krahinë është bërë prap një shesh përparimesh e studimesh letrare, është ringjallë fryma e poetënve dhe e shkrimtarëve, fryma e Imzotve Mazrreku, Bogdani e Kazazi, e të tjerë aapostuj të gjuhës shqipe. E si konsekuencë e asaj aradhe mësuesish të Ministrisë së Arsimit në Tiranë me 1941, sot nderohet Shtëpia  ku u mblodh Lidhja e prizrenit dhe sot kuptohet rendësia e Kongresit të Manastirit që caktoi alfabetin e sotëm shqqip në ato krahina shqiptare”, do të kujtonte doktori i nderuar shqiptaro-amerikan, Dr Hamdi Oruçi me rastin e kalimit në amshim të bashkvendasit të tij Shkodran, Ernest Koliqit, me 15 Janar, 1975.

Duke marrë parasysh përjashtimin e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, i akuzuar si “bashkpuntor i fashizmit”, i anashkaluar dhe zyrtarisht, i kritikuar madje edhe në periudhën post-komuniste të “demokracisë” shqiptare,  Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf.  Me kënaqësi vura re se një ent zyrtar më rendësi, siç është Biblioteka Kombëtare në Tiranë, njoftoi një, “Ekspozitë me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit shqiptar Ernest Koliqi. Në këtë 50-vjetor të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çel një ekspozitë e cila risjell në vëmendje krijimtarinë artistike, publicistike dhe përkthimet më të mira të Koliqit, për të përkujtuar kështu një figurë që jo vetëm i dha letërsisë dhe kulturës shqipe, por arriti të shndërrohej në një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të zenitit të shkrimtarëve të viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar. 

Ekspozita ka në fokus botimet e para të shkrimtarit, përkthime, ese, publicistikë, përzgjedhje poetike, si dhe shkrime nga revista periodike “Shêjzat”.

                 “T’rrzuemin due t’a çoj nga balta;

                 due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta

                 me shtegtar’ qi kërkojn’ Dritën…”*

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Katin I të BKSH-së, thuhet mëtej në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.  Është ky një lajm inkurajues që tregon se ndoshta diçka po ndryshon në Shqipëri, 35-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar në atë vend – trajtimi pra më i drejtë i të figurave të Kombit dhe kontributit të tyre historik, siç është Ernest Koliqi.

Një shënim personal përkujtimor nga ana ime, në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Ernest Koliqit. Në atë kohë, unë kisha filluar punën në Zërin e Amerikës.  Më kujtohet si të ishe dje, kur i përndershmi Dom Prenk Ndrevashaj më ka telefonuar nga Detroiti ku i shërbente komunitetit katolik shqiptar atje dhe më dha lajmin e keq se miku i ynë i përbashkët, por edhe i mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë, shkrimtari dhe poeti i njohur Profesor Ernest Koliqi, kishte ndërruar jetë në Romë, në mërgimin e pa dëshiruar, siç thonte shpesh ai vet. Më kujtohet se humbja e Profesor Koliqit dhe zbrazëtia që ai la pas — si shkrimtar, poet e politikan — por mbi të gjitha si një atdhetar dhe njeri i thjesht dhe i ndershëm për të gjithë ata me të cilët ai erdhi në kontakt, u ndie për së tepërmi në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai la pas një mungesë e boshllëk të madh në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin ai e vizitonte, nga hera në here, nga Roma ku ishte vendosur që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ernest Koliqi kishte vizituar disa Shtetet e Bashkuara. Komuniteti shqiptaro-amerikan e kujton ende Ernest Koliqin, sidomos, për rolin e tij në shënimin e dy përvjetorëve me rëndësi për historinë e shqiptarëve në shekullin e kaluar: 500-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit (në vitin 1968) dhe 60-vjetori i gazetës Dielli (1969).  Profesor Koliqi si kryeorganizatori i festimeve kastriotiane të 500-vjetorit të Fatosit të Madh Kombëtar, ishte kujdesur që festimet në Romë me atë rast të ishin gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare, për aq sa ishte mundësia dhe mesa lejonin rrethanat politike të kohës. Ishin të ftuar Arbëreshët dhe shqiptarët nga të gjitha trevat. Por për arsye që dihen, ishin të pranishëm vetëm shqiptarët nga diaspora, përfshirë edhe një grup nga komuniteti shqiptaro-amerikan, të përfaqësuar nga organizata Vatra dhe krerët e saj. Në një artikull në revistën Shëjzat (4-6, 1968), pjesëmarrjen mbarëshqiptare në ato festime, Profesor Koliqi shkruan me entuziazëm për “pushtimin” e Romës dhe të Vatikanit nga shqiptarët mërgimtarë: “Kujt nuk i gufoi gjaku hov krenarie tue pa kah valviteshin me 24 prill në Sheshin e Sh’Pjterit gjithë ata flamuj kuq e zi? Shqipja kumbonte në atë Shesh madhnuer, përziheshin ligjirimet e sotëshme të Shqipnisë me ato të motshëme t’Arbërit, t’asaj cope t’Atdheut që lëshoi rrajë e lulzon në tokën italiane si degë e trungut të Kombit. Arbëreshët jo vetëm mbajtën mbrekullisht gjuhën tonë – për ma tepër – e banë me lulzue në vepra letrare dore së parë, tue dishmue se palci fisnuer i kombit të Skënderbegut levizë jetsues kudo në botë, dhe rreth nji votre arbnore mbahen doket e të Parvet”.  Duke përshkruar festimet madhështore të atij përvjetori, Profesor Ernest Koliqi shkruante se për herë të parë në kryeqytetin Italian, “Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tingulloi si za burije…tue u përmend an’e kand emni i Shqipënisë”, duke shtuar se, “Nji të përqethun mallëngjimi e krenarije na rrëshqiti shtatit e shpirtit kur Ati Shejt (Papa Pali I VI) përdori në ligjiratën italishte fjalët shqipe, ‘besë’, e ‘burrni’. Këto vetina dalluese të kombit dhe shprehjen ‘gjaku i shprishur’, që skalitë shpërndamjen e gjindes s’onë në rrokullinë tokësore”. 

Duke shkruar për një pjesë të këtij “gjaku të shprishur”, i shpërndarë anë e mbanë botës, Profesor Ernest Koliqi përshkruante kështu pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festimet në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit:  “Prania e vatranëve, ardhë nergut nga Shtetet e Bashkueme, ia shtoi shkëlqimin kremtimeve. Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun përfaqsoi në rrethe arbëreshe e shqiptare, shoqatën e mirënjohun Vatrën, që dikur aqë hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjesht tonë kryesinë e vatranëve, që në këto kohna të turbullta të sotëme, orvatet me ndjekë gjurmat e mëdhaja të atyne dy Patriotave të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës. Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes, atë ditë po rreshte mbi Bashkimin e Arbreshve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, shëndriste edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, shkruan Ernest Koliqi në revistën Shëjzat, për praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të Skënderbeut në kryeqytetin Italian dhe në Vatikan ku u pritën edhe nga Papa Pali i VI, në vitin 1968.

Një vit më vonë, më 1969 Vatra shënon 60-vjetorin e themelimit të organit të saj Dielli dhe për të marrë pjesë në këto festime në Amerikë, ftohet ndër të tjerë, edhe Ernest Koliqi dhe një delegacion përfaqësues arbëresh, gjithsej nja 60 veta nga Italia. Duke shkruar mbi përshtypjet e tija dhe pritjen madhështore që vatranët i bënë atij dhe grupit arbëresh në Boston dhe në Nju Jork, Profesor Koliqi e cilëson takimin e dy diasporave shqiptare si një rast me rëndësi të madhe simbolike, duke theksuar: “Shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës përtrinë vulosjen e vëllaznimit shqiptar, pohuen gjallninë e rrajve ethnike të zanafillës dhe u besatuen heshtazi me pasë përhera në kujdes fatet e dheut të të Parvet. Arbreshët e Italisë, stërnipa të luftëtarvet që rreth Skënderbegut, në nji varg përleshjesh titanike, shkruen me gjak në faqet e historisë s’Evropës, se Shqipnia ashtë e Shqiptarëve, mbas pesë shekujsh, gjatë të cilave ruejtën gjallë gjuhë e doke. Arbëreshët erdhën në Amerikë me sigurue Vatranët se në veprën e tyne, të djeshme e të sotëme, njohin vazhdimin e përpjekjes ideale të Jeronim de Radës”. 

Profesor Koliqi vazhdon me përshtypjet nga pritja që vatranët dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i bënë atij dhe grupit të Arbëreshëve në Amerikë, duke komentuar se, “Sot dy gjymtyrët kryesore të diasporës, ende plot fuqi e vrull veprues, u bashkuen e shkrinë deshirë e qëllime, me u përpjekë për naltësimin e kombit prej të cilit rrjedhin”, shkruante profesor Koliqi në Shëjzat, (10-12, 1969).

Në mbresat e tij gjatë asaj vizite në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, “Në atë Falëtore orëmirë, ku meshoi dhe predikoi Fan Noli, lutën Perendinë për Shqipni e bijt e saj,  shqiptarët e Bostonit dhe Këshilltarët e Kishës Orthodokse shqiptaro-amerikane… e me ta në shumicë të madhe Shqiptarë besimesh të tjera. Zemrat mbarë të pranishmëve u shkrinë në thirrje mëshire që i naltohej Perendisë, i cili ashtë nji për të gjithë…Shpirtnat vëllaznoheshin në nji flakërim të pastër atdhetarie, mesa fytyrimi i Nanës Shqipni vizatohej i shëjtë në avullime të thimjanës, që valvitej erandshëm nepër kishë”.

Për festimet e këtyre dy përvjetorëve, që shqiptarët e Amerikës dhe Arbëreshët e Italisë bënë së bashku me nismën e Koliqit, Profesor Ernest Koliqi shkruante me entuziazëm aso kohe se, “Gjaku arbnuer njofti nji triumf të papritun ato ditë — Shqiptarë e Arbëreshë — tue u përqafue ndienë e kuptuen veten se me një marrveshje vëllaznore mund u plotësonte porosia që na la Skënderbegu”.

Në shënim personal përkujtimor: 

Po të më lejohet në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të këij gjigandi, një moment kujtimi personal të Profesor Koliqit. Unë e njoha Profesorin në Romë gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, nëpërmjet Dom Prenk Ndrevashajt, i cili kujdesej për refugjatët shqiptarë. Si rrjedhim, vazhdova të isha në kontakt me Profesor Koliqin, duke shkëmbyer letra edhe pasi erdha në Amerikë.  Në fillim të 1970-ve, unë kisha filluar një nismë tepër modeste për botimin e periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, për të cilën ai më dha kurajo dhe këshilla dhe për të cilën pat shënuar në revistën e tij, (Shëjzat 1-4 1972) për sa vijon: “Më kanë ra në dorë dy numrat e parë të periodikut, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, që del në Nju Jork. Ashtë një përpjekje për t’u trimnue e përkrahë. Të rijtë që qenë të shtërnguem me lanë atdhenë, të kenë nji palestër të veten ku të munden të shprehin mendime e ndiesi dhe t’ushtrojnë gjuhën e atdheut në shkrim. Natyrisht, këtyne nisjativave botuese që tregojnë vullnet të mirë dhe shkas idealistik, do t’u kushtohet kujdes i madh si në zgjedhje të landës ashtu në përpunim të stilit. Na jemi të sigurtë se botuesat e këtij perjodiku, tue kërkue e ndjekë këshillat e atyne që kanë përvojë ma të gjatë shtypi, do t’a përmbushin nevojën e nji pranie të masës së re mërgimtare në jetën mendore të diasporës. Na, prej anës s’onë u urojmë redaktuesvet të Rinisë Shqiptare në Mërgim”, veprimtari të mbarë dhe sukses”.  Profesor Koliqi edhe nëpërmjet korrespondencës derisa ndërroi jetë, vazhdonte të interesohej për periodikun, “Rinia Shqiptare në Mërgim” dhe më jepte zemër e këshilla që të vazhdoja studimet dhe duke përcjellur një porosi: Në një prej letrave Koliqi më shkruante:  

“I dashtun Fran,

Më ra në dorë si letra ashtu edhe periodiku Rinia Shqiptare në Mërgim. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që pëpiqesh të ndjekish studimet, e në fund për botimin kushtue masës së re që larg atdheut ka shumë nevojë të ushqehet me shkrime të shëndosha shqipe. Të lumtë! 

“Ashtë një fillesë plotë premtime. Mbaj mend veç fjalën e moçme: ‘Trimi i mirë, me shokë shumë’! Afro moshatarë sa ma shumë që të mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i Tiranës ka përjashtue nga historija e letërsisë shqipe”.

Ky ishte amaneti i tij, ky ishte Ernest Koliqi që njoha unë, i gatshëm për të ndihmuar, i gatshëm për të ndarë përvojën e tij të gjatë e të frytshme me letrat shqipe dhe në gazetari, megjithëse, fatkeqësisht, e njoha për një kohë tepër të shkurtër, por ama ajo njohuri më la mbresa të përjetshme dhe të paharrueshme për këtë burrë të madhe të Kombit.  Ky ishte Ernest Koliqi që njohu komuniteti shqiptaro-amerikan, ky ishte Ernest Koliqi, këshillat e mësipërme të të cilit i kujtoj gjithmonë me mall dhe të cilat me mundësinë time jam përpjekur, modestsisht, t’i përcjellë gjithë jetën time sipas mundësive.  Ky, pra ishte Ernest Koliqi, për mua dhe për të gjithë shqiptarët, sidomos mërgimtarët. Ishte njëri ndër interpretuesit më të spikatur të shpirtit të fisit arbëror dhe të trashëgimisë stërgjyshore, si dhe mbrojtës i vlerave të shpirtit arbëror dhe të prirjeve natyrore të tij, gjithmonë si pjesë e thesarit të vlerave kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit, sidomos të vlerave perëndimore.

Në këtë 50-vjetor të kalimit të tij në amshim, me nderim e mall përkujtojmë Profesor Ernest Koliqin. Ka ndërruar jetë, papritmas në banesën e tij në Romë me 15 janar, 1975 – ku edhe u varros tre ditë më vonë. Në Romë janë varrosur gjithashtu edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit 50-vjet më parë, kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme, kolegë, Shqiptarë e Arbëreshë. Mërgimtarë të ardhur nga Amerika dhe nga shumë vende të Evropës Perendimore, përfshir nga shumë qytete të Italisë. 

Frank Shkreli

                        May be an illustration of textNjoftim i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për ekspozitën me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtarit, studiuesit, kritikut e përkthyesit Ernest Koliqi

Filed Under: Histori

Jeta dhe veprimtaria e Ndre Mjedës si politikan dhe teolog

January 15, 2025 by s p

Inesa Sulaj/

Mjeda politikan – Gjatë viteve 1912-1915, Mjeda u angazhua kryesisht me politikën kombëtare, ndërkohë që eshte“thyer”pendën poetike. Pas 1912-ës kishin ardhur kohë vendimtare për fatet e Shqipërisë, prandaj Mjeda vendosi të sakrifikojë punët dhe planet e vjetra:ai iu kushtua plotësisht politikës kombëtare. Mjeda mori pjesë aktive në jetën parlamentare 1921-1924 duke u rradhitur në opozitën shqiptare,ku u shqua për opsionet,për përgatitjen e gjithanshme, për hartimin e ligjeve, për drejtimin me kompetencë të komisioneve parlamentare, si dhe për debatet në seancat plenare. Mjeda u zgjodh si deputet i Shkodrës që në krijimin e Parlamentit të parë Shqiptarë në vitin 1921.Që në fillimet e parlamentit, Mjeda u zgjodh si anëtar i komisionit parlamentar të bujqësisë, ku u dallua per kontributin e tij. Ai qe mjaft aktiv në debatet për bujqësinë shqiptare dhe për ndihmesën që dha për hartimin e projektligjit mbi favorizimin e bujqësisë shqiptare. Mjeda interesohej për Zadrimën, fshatrat në zonën e Luginës së Drinit, Barbullushin në periudhën që ishte deputet në Tiranë , për të zgjidhur ankesat dhe problemet e fshatarëve. Më 20.07.1921, Mjeda votoi kundër projektit të qeverisë së Xhafer Ypit për futjen e duhanit të huaj në Shqipëri,me qëllim mbrojtjen e prodhimit vendas.

Angazhimet e Mjedës në bujqësi lidheshin ngushtë me aspiratat e tij atdhetare e demokratike. Ai ishte i pari që solli veglat bujqësore për fshatrat e Zadrimës dhe shpenzoi një pjesë të mirë të kohës për tu marr me bujqësi. Mjeda synonte përmirësimin e jetës së popullit , kryesisht përmes punës së vetë njerëzve. Pas drejtimit të komisionit bujqësor, Dom Ndre Mjeda së bashku më Mustafa Krujën u caktuan në Komisionin Parlamentar të Drejtësisë. Mjeda pati një veprimtari të gjerë në këtë komision parlamentar kryesisht për hartime projektligjesh. Mjeda u përfshi dhe në çështjen e Mirditës , në 03.07.1921 Mjeda dhe deputetët e Shkodrës , i drejtohen Kryeministrit, Iliaz Vrioni ku përshkruanin gjëndjen e vërtetë Mirditës, duke treguar rrugët e zgjidhjes së çështjes së Mirditës. Ai ishte krejtësisht i angazhuar në drejtim të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit kombëtar.

Në 11 tetor të këtij viti u krijua me iniciativën e Avni Rustemit Bashkimi i Shenjtë që përbëhej nga 40 deputetë ku morën pjesë dhe Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi të cilët punuan për krijimin e një qeverie të aftë për të përballuar situatën e rëndë të krijuar nga ndërhyrjet jugosllave. Bashkimi i Shenjtë u shpërbë dhe filloi lufta mes dy partive politike të dy partive të mëdha: popullores dhe asaj përparimtares ku bënte pjesë dhe politikani Ndre Mjeda. Nuk ishin të gjithë deputetët në nivelin e Mjedës që të arrinin të përcaktonin bashkëjetesën në mes të diversitetit dhe unitetit , asaj që ishte e tanishme dhe asaj që do ishte e ardhme, e vetjakes dhe përgjithshmes.

Mjeda është ndër politikanët shqiptarë ndoshta i pari që solli praktikën e lobingjeve në Shqipëri, praktikë kjo e vendeve të qytetëruara, ku lufta politike dallohej për tolerancë e civilizim. Në vitin 1923 Ndre Mjeda së bashku me Hilë Mosin përgatitën projektligjin për zbritjen e taksës për lejet e gjahut të peshkut . Mjeda ngriti zërin në seancat e parlamentit, në mbrojtje të interesave të vegjëlisë, të qytetarëve katolikë, për shtresat e varfëra të popullit si dhe për arsimimin e tyre. Në 05.03.1923 Mjeda u zgjodh në Komisionin e Arsimit, Punëve Botore e Bujqësi. Mjeda u tregua ndër më vepruesit në punimet e parlamentit duke punuar njëkohësisht në 2 ose 3 komisione parlamentare.

Ndre Mjeda që kishte njohur rregullat e lojës në perëndim, këmbëngulte për hartimin e ligjeve, rregulloreve që rregullonin veprimtarine e parlamentit. Njohës i mirë i ligjeve si dhe gjuhëve të mëdha europiane , ai kishte mundësi të shfrytëzonte përvojën e shteteve me tradita demokratike. Mjeda u caktua nga Komisioni i Drejtësisë dhe hartoi ligjin e Këshillit ligjgatitës të cilin e ndau në 4 kapituj me 25 dispozita , kapitulli 1 përmbante Krijimin dhe organizimin e Këshillit, kapitulli 2 përmbante Sekretarinë, kapitulli 3 përmbante Të drejtat dhe detyrat e Këshillit dhe kapitulli 4 përmbante Dispozitat tranzitore. Ndre Mjeda hartoi rregulloren e parlamentit Rregullorja e brendshme e Parlamentit e cila u miratua nga Parlamenti Shqiptar. Këto dispozita përcaktonin ligjin për formimin e komisionit për shqyrtimin e zgjedhjeve të deputetëve, si dhe funksionimin e tij.

Mjeda kryesoi komisionin parlamentar të arsimit , ai shqyrtoi organikën e Ministrisë së Arsimit , nga pozita e tij si specialist i vjetër i kësaj fushe . Ai paraqiti në cilësinë e kryetarit të komisionit të arsimit, 3 projektligje të rëndësishme për arsimin kombëtar: ligji organik për profesorët e shkollave të mesme, ligji mbi mësuesit shëtitës dhe ligji mbi revistën pedagogjike.

Në vitin 1923 Parlamenti Shqiptar krijoi komisionin parlamentar të posacëm, Komisionin e Arkeologjisë me në krye Ndre Mjedën. Mjeda njihej për interesimin e tij për gjetjet arkeologjike në vendin tonë, i cili i konsideronte si një nga burimet më efikase për të vërtetuar autoktoninë e shqiptarëve. Me këtë rast u angazhuan studiuesi nga Viena, Dr. Karl Patsch, Justin Godart i cili ishte shef i kërkimeve arkeologjike franceze në Shqipëri dhe Leon Rey arkeologu francez. Ndre Mjeda së bashku me ministrin e arsimit bënë përpjekje për të kufizuar zonat në të cilat ishte planifikuar për të bërë kërkime arkeologjike nga pala franceze në Durrës edhe pse qeveria franceze donte të kishte të drejtë të bënte kërkime në gjithë territorin shqiptar.

Në 12.05.1923 në parlament pasi filluan bisedimet mbi projektligjin mbi komunitetet fetare , Mjeda ngriti zërin për të drejtat e qytetarëve katolike ndërkohë që njihet për përpjekjet për të respektuar besimet e të tjerëve, për të bashkëpunuar e dialoguar me të tjerët.16 Përpjekja e Mjedës për të biseduar me deputetët ortodoksë, flet për botëkuptimin e tij demokratik. Në 1925 Mjeda u tërhoq përfundimisht nga jeta politike , dhe vendos ti shërbejë atdheut në një fushë tjetër në atë të gjuhësisë.

Mjeda Teolog – Ndre Mjeda filloi të shquhej që në moshë të rë për një talent natyror në fushën e letrave dhe shkencave humane.Kjo gjë u dallua dhe u kultivua në kohën e studimeve të gjata të viteve 1880-1895,kur që në moshën 16 vjecare ai u dërgua për studime nga jezuitët në vende të ndryshmë të Europës si: Itali Cremona,Chieri), France(El Pog ,Cosse-le,Vivien),Kroaci (Kraljevica), Spanjë (Porta Coeli,Ara Christi) dhe deri në Poloni)Krakow. Këtu Mjeda përfundoi studimet e larta u shugurua për meshtar të kishës katolike e më pas u laurua dhe Doktor në Teologji. Me kthimin në atdhe , Ndre Mjeda realizoi një prej planeve të tij më të zjarrta: të bëhej misionar. Ai ishte një nga teologët më të shquar të etërve jezuite. Ai botoi shumë libra në ndihmë të meshtarëve si dhe katekizma për të mësuar doktrinen e krishterë. Në 15 qershor 1895 Ndre Mjeda merr kungimin si prift dhe shpallet At i Shoqërisë së Jezuitëve në Kroaci.

Disa prej hartimeve dhe përkthimeve biblike që u botuan gjatë jetës së tij studentore: Jeta e Shën Gjon Brechmansit(1888), Përngjasimi i Zojës së Bekuar përkthyer nga spanjishtja në Romë (1888). Këtë aktivitet Mjeda e vazhdoi dhe pas kthimit në atdhe , duke qënë kjo edhe një fillim i mbarë për zhvillimin e mëtejshëm të arsimimit kulturor e fetar, të cilin ai e kultivoi tërë jetën. Gjatë punës shumëvjeçare baritore e shpirtërore në famullitë: Vig , Mnelë (1899-1900), Dajç të Zadrimës (1902-1906), Kukël (1907-1937) dhe disa famulli të tjera përreth , duke parë nevojën e mësimeve biblike në shqip Mjeda vazhdoi të merrej me përkthimin dhe hartimin e librave shpirtërorë e teologjik. Në vjeshtë të vitit 1898 Mjeda u largua nga Shoqëria e Jezuitëve , një ndarje me karakter të qetë e diplomatik.Në 1899 me kthimin në atdhe , ai u vendos famulltar i Vigut ku qëndroi deri në 15 mars 1902. Gjatë periudhës që Mjeda ishte famulltar i Vigut, krahas angazhimeve të shumta në fushë të letërsisë, gjuhësisë e historisë, ai reformoi gjithë veprimtarinë e tij famulltare. Në këtë mes përfshihet dhe puna e tij për restaurimin e banesës së famulltarisë, dhe kishës.

Në vitin 1901 ai hartoi një doracak të vlefshëm me alfabetin e jezuitëve për famulltaritë e fshatrave, por edhe besimtarët, me titullin “E diela ndër kisha t’katundeve” me një gjuhë të pastër e të kuptueshme duke shpjeguar veprimet që bëhen në kishë,si nga prifti ashtu dhe nga besimtarët. Ndërsa pjesa e dytë që përfshihej në këtë doracak ishte një katekizëm i shkurtër i doktrinës së krishterë më titull T’mbledhunit e vocërr e msimit t’Kshten”. Në prill të vitit 1902 Mjeda vendoset sekretar i Ipeshkvit te Sapës dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1906.

Dom Ndre Mjeda ishte kryetar i Apostullimit të Uratës, si dhe anëtar i Komisionit të ndërtimit të kishave. Mjeda vetë ndërtoi kisha e qela të ndryshme, si Kishën e Shën Mëhillit në Vig , Kishën e Mnelës, Kishën e Kodhelit, Kishën e Nënshatit ku mori pjesë dhe drejtpërdrejtë në ndërtimin e saj. Mjeda ka kontribuar dhe ka qënë bashkëpunëtor i revistave Elcia, Kumbona e së Diellës, Leka, Hylli i Dritës dhe Zani i Shna Ndou. Ndërkohë që jepte mësim në Dajç të Zadrimës në vitin 1904 Ndre Mjeda ka bërë shërbime fetare në ndihme të një famulltari Imzot Lazër Lisma .

Në 17 mars 1905 Mjeda mori detyrën në një nga famullitë më të vjetra në Grash , ku hartoi dhe ndërtoi një qelë me dy kate ku banoi dhe vetë. Në vitin 1907 kur Mjeda u vendos në Kukël, kisha qelë ashtu sikurse i gjithë fshati ishin në gjëndje të vajtueshme . Ai shërbeu plot për 30 vjet në famullinë e Kuklit . Fillimisht ai filloi ndërtoi shtëpinë famullitare dhe më pas Kishën me ndihmën financiare të Perandorisë së Austro –Hungarisë. Mjeda për nevojat e kishës ,për shtresën rinore përktheu dhe botoi, librin Historia Shejtë të teologut të njohur të Kishës Katolike Roberto Ballarminit dhe Katekizmi i Madh e cila ishte një përmbledhje e shkurtër e mësimit të krishterë, i cili gjatë vitit 1927 pati 4 botime. Për edukimin e brezave të rinj shqiptarë, Mjeda përktheu edhe librin e njohur për rininë europiane “Shën Luigi Gonxage”, botuar në Shkodër 1927. Duke vlerësuar rolin që në historinë shqiptare kishte Zoja e Bekuar –nëna e Jezu Krishtit , Mjeda e vuri pendën e tij të mbrehur në funksion të kësaj shenjtëreshe. Ndaj botoi në Shkodër në vitin 1929 edhe pjesën e parë të librit Lumni e Zojës së Bekueme, libër që u përkthye që nga koha studentore. Më pas ai përgatiti një libër tjetër Jeta e se Lumës Virgjin Mri nxjerrë nga vepra Ceta e Profetëve P.Bogdan, botuar në Shkodër 1930. Mjeda, me anë të shkrimeve, hartimeve, përkthimeve të shkëlqyera, shpalosi njohuritë e thella që kishte në fushën e teologjisë.

Filed Under: Histori

GAZETA AMERIKANE (1970) / “DIELLI, SKËNDERBEU, JACK LONDON DHE AMERIKA E TRAZUAR…” — INTERVISTA ME GAZETARIN DHE SHKRIMTARIN NELO DRIZARI

January 15, 2025 by s p


Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17
Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Janar 2025

“Carmel Pine Cone” ka botuar, më 24 dhjetor 1970, në faqen n°17, një intervistë asokohe me gazetarin dhe shkrimtarin shqiptaro-amerikan Nelo Drizari, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Besnik i Amerikës, e do Shqipërinë amtare

Nga Judith A. Eisner

Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17
Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17

Nelo Drizari është një njeri me shtat të vogël, por me praninë dhe dinjitetin e një diplomati karriere. Fakti që ai flet një anglishte të përsosur me një theks të lehtë por të veçantë vetëm sa e përforcon këtë përshtypje.

Drizari, i cili e ka kaluar jetën e tij të rritur si shkrimtar, redaktor dhe mësues, lindi në Shqipëri, djali i Hysen dhe Irenea Drizarit. Babai i tij ishte një udhëheqës gueril, duke luftuar për lirinë e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.

Për shkak se Amerika ishte prej kohësh simboli i lirisë për babain e tij dhe për shkak se jeta e djemve të tij ishte po aq e rrezikuar sa edhe e tija, Hyseni e dërgoi Nelon, kur ishte shtatë vjeç, të jetonte e të studionte në Amerikë.

Vetëm kontakt

Për më shumë se një vit e gjysmë, Nelo i ri ishte konvikt në një shkollë përgatitore për djem në New England. Kontakti i tij i vetëm me kulturën dhe popullin e vendit të tij ishte nëpërmjet vizitave tek pjesëtarët e kolonisë shqiptare në atë zonë.

Më në fund, ai u sëmur rëndë dhe babai i tij e dërgoi në shtëpi.

“Ishte kryesisht malli për shtëpinë”, thotë ai tani. “Unë u rrita mirë në krahët e familjes sime pa parë ndonjëherë një mjek.”

Nelo kujton se u sëmur nga malli për Shqipërinë dhe më pas i kishte marrë malli për Amerikën, sapo u kthye në shtëpi. Kështu ai u kthye në Amerikë, kësaj radhe përgjithmonë.

Nelo u arsimua në lindje të vendit, në Maine dhe Massachusetts, dhe ai mbajti një lidhje të përjetshme me New England. Ai ishte gjithashtu me fat që Bostoni kishte një popullsi të madhe shqiptare prej gati 10,000 banorësh.

Vitet e hershme

Megjithëse qëllimi i tij ishte të bëhej mjek, ai filloi t’i përkushtohej gazetarisë që në moshë të vogël. Në moshën 13 vjeçare, ai shkroi artikuj për patriotët amerikanë për Diellin, një gazetë në gjuhën shqipe e Bostonit. Ai më pas u bë kryeredaktor i saj.

Edhe pse ai aplikoi në Harvard për të studiuar mjekësi dhe u pranua, një ngjarje ndodhi ndërsa ai ishte ende në shkollën përgatitore që ndryshoi rrjedhën e jetës së tij. Ai u zgjodh kryeredaktor i gazetës së shkollës së tij dy herë radhazi, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. “Kjo ma fryu kokën disi,” qesh ai. Dhe një profesor me qëllime të mira e inkurajoi të ndiqte gazetarinë.

Pra, në vend që të studionte mjekësi në Harvard, Nelo studioi gazetari në Universitetin e Kolumbisë. Pendimi i tij i vetëm për ndryshimin e planeve është një pyetje e paqartë, “Ndoshta mund të kisha qenë më i dobishëm për njerëzit që kishin nevojë si mjek.”

Suksesi

Nelo e gjeti suksesin si shkrimtar që herët. Ai u bë gazetar në Nju Jork dhe së shpejti filloi të shkruante artikuj me karakteristikë (më të thellë) dhe skica personalitetesh. Ai gjithashtu dha mësim për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Kolumbias. Ai ka qenë gjithmonë në kontakt të ngushtë me çështjet shqiptare, si në vendin e tij dhe në SHBA.

Lufta e Dytë Botërore e përfshiu Nelon në transmetim për herë të parë. Ai u bë kreu i njësisë shqiptare të Zyrës së Informacionit të Luftës dhe një redaktor i Zërit të Amerikës që transmetonte guerilët në Shqipërinë e pushtuar. Vetëm këtë herë nuk ishin turqit osmanë që po luftonin shqiptarët; ishte Italia fashiste dhe më vonë, pushtimi nazist gjerman.

Jeta e Nelos mund të përshkruhet si një patriotizëm i dyfishtë, pasi dashuria e tij për vendin e lindjes ka qenë po aq e fortë ndër vite sa dashuria për vendin e tij ku u adoptua. “Gjithmonë kam ëndërruar të jem në gjendje të përmirësoj racën njerëzore dhe të mund të bëj diçka për një vend si Shqipëria,” thotë ai.

Transmetimet të tij të Zërit të Amerikës në Shqipëri parapriheshin nga fragmente muzikore si “Rapsody in Blue” të George Gershwin, muzikë që Nelo e donte dhe që ishte tipike amerikane.

Pas lufte

Pas luftës, Nelo vazhdoi të merrte pjesë në aktivitetet e qeverisë. Pentagoni i kërkoi atij të organizonte një departament të gjuhës shqipe në Institutin e Mbrojtjeve të Gjuhëve në Monterey. Vazhdoi deri në vitin 1950, kur iu kthye shkrimit të pavarur, por jo mësimdhënies në Kolumbia.

“Në vend që të kthehesha në Kolumbi, u dashurova me Kaliforninë, dhe veçanërisht me Carmelin dhe vendosa që ky ishte i vetmi vend që doja të jetoja.”

Krahas shkrimit të artikujve, gjë që vazhdon ta bëjë rregullisht, Nelo ka shkruar pesë libra vitet e fundit. Dy janë biografi, një roman autobiografik dhe dy janë vepra jofiksion për gjuhën shqipe.

Biografia e tij, Skënderbeu, tregon historinë e një kalorësi shqiptar të shekullit të 15-të, i cili shpëtoi të gjithë Evropën nga pushtimi i Perandorisë Osmane. I njohur dhe i vlerësuar nga papët dhe princat, Skënderbeu ka rënë në harresë. Nelo aktualisht po ndërmerr një rishkrim “Hollywood-ian” të biografisë, me shpresën se më në fund do të njihet madhështia e këtij njeriu.

Puna e re

Puna e tij e fundit është një biografi e Jack London, një ish-karmelit, të cilën ai e shkroi pasi trashëgoi 150 letra origjinale nga Londra nga miqtë. “Më dhanë dëshirën dhe sfidën për të shkruar këtë libër,” thotë ai. “Më është dashur të respektoj letrat pa u bërë shumë i mërzitshëm, por libri bazohet në kërkime solide.”

Gjatë hulumtimit të librit, Nelo intervistoi të ndjerin Herber Heron, i cili e njihte personalisht Jack London, dhe i cili tregoi kujtime personale të kohëve të shkuara dhe i cili ishte anëtar i Klubit Bohemian. Titulli i Nelos për librin është “Dashamirët dhe bashkëpunëtorët — Lovers and Collaborators”.

Si një njeri që adoptoi Amerikën si shtëpinë e tij, sepse u rrit duke besuar se ishte një bastion i lirisë, Nelo shkroi një roman autobiografik, “Katër dete për tokën e ëndrrave — Four Seas to Dreamland”.

“Katër detet janë Adriatiku, Joni, Mesdheu dhe Atlantiku — deri në Amerikë. Letrat që shkruante vëllai im i madh që ishte në Amerikë para meje dhe mënyra se si babai im fliste për këtë vend dhe lirinë e tij më kishin krijuar një ëndërr…”

A është realizuar ëndrra ?

Përgjigjia e Nelos është e dyanshme.

“Amerika është ende vendi më i mirë në botë për të qenë,” thotë ai me besnikëri. “Por sot, unë kam frikë nga dhuna, revolucionarët dhe diversantët.”

“Shumica e të rinjve nuk kanë asnjë lidhje me dhunën. Pse nuk bëjnë dot diçka për të treguar anën tjetër të jetës në këtë vend ? Ka shumë gjëra për të cilat mund të krenohemi në Amerikë, por ka edhe shumë gjëra që duhen ndryshuar.”

Prioriteti i parë

“Unë mendoj se prioriteti ynë i parë është eliminimi i varfërisë,” thotë ai pa hezitim. “Kjo është baza e trazirave në këtë vend. Në krye ka shumë pasuri, në fund ka shumë varfëri.”

“Nuk duhet ta mashtrojmë veten”, vazhdon ai, duke folur si një njeri që di të lexojë shenjat. “Në këtë vend ka një lëvizje drejt revolucionit.” Ai nuk thotë se mendon se është e rrezikshme.

“Nëse kemi nevojë për ndryshim, duhet ta bëjmë me votim, jo me armë dhe bomba. Dhe tani që 18-vjeçarët mund të votojnë, ata mund të vendosin ndryshimin.”

“Nuk ka asgjë të keqe në sistemin tonë; nëse zgjedhim njerëzit e duhur, sistemi do të funksionojë në mënyrë perfekte.”

“Ne duhet të zgjedhim njerëz me një ndjenjë vlerash, ekuilibri dhe barazie,” përfundon ai.

Artist, gjithashtu

Nelo është njëkohësisht artist dhe shkrimtar. Ai i ka ekspozuar pikturat e tij në San Francisco dhe Oakland. Por ai tha : “Kam vetëm një ide në mendje. Kur shkruaj, më duhet të mbaroj; kur pikturoj, pikturoj. Unë nuk bëj dy gjëra në të njëjtën kohë. Tani për tani, shkrimi është në lulëzim e sipër.”

Ditëlindja

Në prag të Krishtlindjeve, Nelo dhe gruaja e tij Viki do të festojnë përvjetorin e tyre të parë të martesës. Ata u martuan vitin e kaluar në Kishën Wayfarer në Carmel.

Historia e martesës së tij duket e dalë drejtpërdrejt nga një roman. Ai u takua për herë të parë me Vikin në Panairin Botëror të Çikagos në vitin 1934, ku ai dhe ambasadori shqiptar ishin ftuar për të folur në festimet e Ditës së Shqipërisë. Viki punonte në ekspozitë, me kostumin shqiptar, për Fondacionin e Lindjes së Mesme.

Nelo u nderua duke u zgjedhur zot i ceremonisë për këtë mbrëmje. Viki u ul disa vende larg tij. Pas darkës, ai e prezantoi atë me një mik të tij që ishte avokat. Ajo u martua me këtë mik dhe mbeti e ve 24 vjet më vonë.

Pas 34 vitesh, Nelo dhe Viki u takuan sërish në një kongres shqiptar në Nju Jork. Ajo kishte dhënë mësim në Michigan; ai në Karmel, por ata kishin lexuar për njëri-tjetrin në shkrimet e aktiviteteve shqiptare ndër vite.

Këtë herë ai nuk e prezantoi me një mik. Duke i dhënë fund beqarisë, ai e mori atë në Carmel dhe u martua me të.

Dhe ata jetojnë të lumtur përgjithmonë.

Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17
Burimi : Carmel Pine Cone, 24 dhjetor 1970, faqe n°17

Filed Under: Histori

NGA MASAKRA NË MANIPULIM: STRATEGJIA SERBE PËR TË MOHOUAR HISTORINË E REÇAKUT

January 15, 2025 by s p

Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”/

Më 15 janar 1999, në ditën e dytë të Vitit të Ri Ortodoks, Serbia shënoi edhe një kapitull të errët mizorie në historinë së saj. Në fshatin Reçak të Shtimes, forcat serbe masakruan 45 burra, gra e fëmijë – të gjithë civilë dhe të paarmatosur. Ky akt barbar dëshmoi edhe një herë brutalitetin e një regjimi vrastar e gjenocidal në kuadër të projektit për shfarosjen e shqiptarëve.

Nëse deri atë ditë makineria e propagandës serbe kishte arritur të fshihte e shtrembëronte faktet e krimeve të saj në Kosovë, në Reçak triumfoi e vërteta për shkak të syve të ambasadorit William Woker. Mëngjesin e 16 janarit 1999, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Walker, vizitoi vendin e krimit, së bashku me një grup gazetarësh. Para tyre shtrihej një skenë tmerri: trupat e viktimave të masakruara në mënyrë çnjerëzore ishin shpërndarë nëpër luginë dhe zona të tjera të fshatit.

“Masakër” dhe “krim kundër njerëzimit”, kështu e përshkroi Walker këtë akt barbar, duke e kthyer Reçakun në simbolin e tragjedisë së popullit shqiptar nën regjimin e Sllobodan Millosheviçit. Ky krim tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe shërbeu si pikë kthese, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të regjimit serb dhe brutalitetin e tij sistematik ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Reçaku nuk ishte vetëm një masakër; ishte një thirrje për drejtësi dhe ndërgjegje për komunitetin ndërkombëtar. Në një kohë kur negociatat për paqe ishin në pikën më të ndjeshme, ky akt i neveritshëm e thelloi bindjen se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të ndaluar krimet kundër njerëzimit.

Mohimi i së vërtetës dhe propaganda serbe mbi masakrën e Reçakut

Masakra e Reçakut, një akt brutal që tronditi botën, vazhdon të mohohet nga Serbia edhe sot, pavarësisht fakteve të pamohueshme dhe dëshmive ndërkombëtare. Në krye të shtetit serb sot qëndron Aleksandar Vuçiq, ish-ministri i Informacionit në regjimin e Millosheviçit, një figurë që ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në propagandën e asaj kohe dhe që zotëron informacione të sakta mbi krimet e kryera.

Në vitin 2021, Vuçiq e quajti Masakrën e Reçakut një “fabrikim” nga aktorët ndërkombëtarë, ndërsa William Walker-in e përshkroi si një “njeri të frustruar”. Ministri serb Aleksandar Vulin, në të njëjtën linjë mohimi, e cilësoi ngjarjen një “gënjeshtër dhe falsifikim të tmerrshëm.” Ky refuzim i realitetit nuk është vetëm një përpjekje për të mbrojtur imazhin e regjimit të kaluar, por edhe për të vazhduar narrativen propagandistike të Serbisë.

Në vitin 1999, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë pretendonte se “njësitë e saj policore ishin sulmuar nga grupe terroriste shqiptare”, duke pohuar se viktimat nuk ishin civilë, por pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ky version i ngjarjeve u përforcua nga një raport i hartuar nga një ekip mjekësor jugosllavo-bjellorus, i cili pretendonte se të gjithë viktimat, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar, ishin “separatistë guerilas”.

Megjithatë, një hetim i dytë i udhëhequr nga antropologia finlandeze Dr. Helena Ranta, përfaqësuese e Bashkimit Evropian, konkludoi se viktimat ishin civilë të paarmatosur dhe masakra ishte një “krim kundër njerëzimit”. Për fat të keq, publikimi i këtij raporti u vonua për dy vite, duke lejuar Serbinë të manipulonte faktet dhe të përhapte dezinformata. Pavarësisht përpjekjeve për të fshehur të vërtetën, mediat e pavarura ndërkombëtare dokumentuan mizorinë e Reçakut dhe zbuluan tentativat e regjimit serb për të fshehur këtë krim monstruoz.

Në përpjekje për të vazhduar mohimin dhe për të justifikuar veprimet e saj, Serbia prodhoi një dokumentar nëpërmjet Radio Televizionit Shtetëror të Serbisë, duke e përdorur median si një mjet propagande për të shtrembëruar të vërtetën.

Përpjekjet për mohimin e masakrës së Reçakut dhe strategjia e manipulimit serb

Serbia nuk u ndal vetëm me mohimin dhe propagandën, por përdori edhe spiunë dhe operacione të fshehta për të shtrembëruar të vërtetën e Masakrës së Reçakut. Në këtë kuadër, u angazhuan individë që kishin për detyrë të bartnin fajin mbi shqiptarët dhe për të fabrikuar një narrativë të re për të diskredituar masakrën. Ndër këto përpjekje ishte edhe një plan për të krijuar një “shtëpi të verdhë” të dytë pranë Reçakut, për të forcuar akuzat e rreme ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe policisë, arriti të zbulonte dhe të arrestonte dy shqiptarë, Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të cilët punonin për shërbimin e inteligjencës serbe BIA. Hetimet zbuluan se këta individë kishin për mision të përhapnin dezinformata mbi Masakrën e Reçakut dhe të transformonin historinë e luftës në Kosovë në favor të narrativës serbe.

Këta agjentë, nën drejtimin e Serdjan Rosiçit, kishin një agjendë të gjerë: të shtrembëronin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke krijuar idenë se Masakra e Reçakut ishte inskenuar nga ndërkombëtarët si pretekst për ndërhyrje ushtarake në ish-Jugosllavi. Për më tepër, Bedri Shabani kishte një synim strategjik të urdhëruar nga Serbia: të krijonte një kopje të “shtëpisë së verdhë” në Mollopolc të Shtimes, një fshat pranë Reçakut. Kjo ishte një përpjekje për të lidhur ish-spitalin ushtarak të UÇK-së me fabrikime mbi trafikimin e organeve, duke përforcuar propagandën serbe.

Pavarësisht mohimeve të menjëhershme nga BIA pas arrestimeve, përgjimet e telefonatave të publikuara nga hetimet vërtetuan lidhjen e qartë të këtyre individëve me shërbimin serb. Këto dëshmi ekspozuan edhe një herë gënjeshtrën dhe përpjekjet sistematike të Serbisë për të manipuluar të vërtetën dhe për të minuar drejtësinë ndërkombëtare.

Masakra e Reçakut nuk është vetëm një krim kundër njerëzimit, por edhe një test i vazhdueshëm përballë mohimeve dhe manipulimeve të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën e tij. Përpjekjet për të tjetërsuar historinë janë një kujtesë e qartë për rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës dhe të drejtës për viktimat e pafajshme.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT