• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DORËHEQJA E ISMAIL QEMALIT

January 22, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Për të triumfuar, kemi nevojë për udhëheqës të frymëzuar nga idealizmi, udhëheqës me vizione madhështorë, që ëndërrojnë të pamundurën dhe luftojnë për t’i bërë ëndrrat realitet; që mund të ndezin shpirtin e popullit me zjarrin e shpirtit të tyre. Udhëheqësi i momentit, kushdo qoftë ai, është thjesht një mjet, që përdoret derisa të konsumohet dhe më pas lihet mënjanë; dhe nëse ai vlen diçka, nuk do të shqetësohet më shumë kur ai të “thyhet” sesa një ushtar që sakrifikon jetën e tij për fitoren.” – Theodore Roosevelt, ish-president i SHBA-së.

Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme. Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë në Vlorë, më 22 janar 1914, mbetet edhe sot e gjithë ditën një nga ngjarjet më domethënëse, por edhe më të keqkuptuara në historinë e Shqipërisë. Por le të përpiqemi të kuptojmë arsyen, pse!?

Më 2 janar 1914, vetëm pak ditë para dorëheqjes së tij nga kryesimi i Qeverisë së  Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i shkruajti një letër prefektit të Elbasanit Aqif Pashës. Në këtë letër Ismail Qemal Vlora analizonte me një qartësi mbresëlënëse situatën politike në vend dhe tregonte rrugën drejt së ardhmes: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm tërë mbretëritë ta pranojnë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik dhe prandaj është e domosdoshme për paqen botërore të Evropës dhe me ndihmën e perëndisë, nuk ka mbetur vend për ndonjë rrezik që të na shqetësojë në të ardhmen. Por për ne ka mbetur vetëm një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë dot njëri-tjetrin dhe, e mirë apo e keqe, çdo gjë që bëjmë në anën tonë, has në vështirësi dhe sjell pasoja. 

Sa për ekzistencën e Shqipërisë, që jua kemi njoftuar herët a vonë, të gjitha mbretëritë e mëdha ekzistencën e saj e konsiderojnë të domosdoshme dhe janë të vendosura unanimisht dhe me një mënyrë të prerë që t’ia plotësojnë tërë nevojat e saj, saqë të mos mbetet e shtrënguar të varet e të lidhet me ndonjë anë. Po, për fat të keq, ai bashkim që ndodhet në mes të mbretërive të mëdha, midis nesh mungon. Megjithëkëtë, atdhetarët duhet të mos dëshpërohen, mbasi të zotërit e vullnetit të mirë dhe të iniciativës, do të shpëtojnë atdheun e tyre edhe nga kjo fatkeqësi. Në mes të këtyre patriotëve në shkallë të parë dhe vendin më kryesor e keni zënë zotëria juaj. 

Shqipëria në rast se nuk tregon zotësinë e saj që të rrojë si komb ballkanik, nuk mundet të rrojë si mbretëri – po kjo vallë si duhet të realizohet? Më parë duke pasur një formë qeverimi që ta bëjë kombin tonë të rrojë në harmoni të përbashkët me mbretëritë perëndimore dhe e dyta në krye të këtij qeverimi duhet të ketë një sovran, i cili, duke qenë i pajisur me një aftësi të mirë, me fisnikëri dhe me cilësi të shkëlqyera, të mundet të lidhë marrëdhënie miqësie me mbretëritë e Europës. 

Ata njerëz që dëshirojnë të na privojnë nga këto dy mirësira, pa dyshim meritojnë emrin intrigantë dhe tradhtarë dhe propaganda e tyre, burimi dhe shkaku i së cilës le të jetë si të jetë, duhet të mallkohet nga ana e të gjithë atyre që pretendojnë se janë besnikët e popullit dhe të atdheut. Unë e di, Esad Pasha dhe pasvajtësit e tij, lartësinë e tij princin, në një anë po e ftojnë në një mënyrë tepër tërheqëse dhe patriotike, nga ana tjetër, po përpiqen të dredhin e të përdredhin intriga kundër tij dhe më mirë të themi, kundër teorisë sonë politike dhe filozofike. Në një krah anojnë të ngrehin marrëdhënie intime me Stambollin dhe kësisoj duan të sigurojnë fuqinë dhe interesat vetjakë nën maskën e myslimanizmit, dhe në krahun tjetër, nuk mungojnë të marrin çdo iniciativë për t’i shërbyer armikut tonë, i cili përpiqet të na copëtojë atdheun.

Misterin e këtyre gjërave të vërteta ua kam njoftuar hollësisht atyre që duhet t’u njoftoheshin dhe me ndihmën e zotit shpresojmë se qëllimet e tradhtarëve, nuk do të realizohen. Mënyra e pritjes së princit dhe vendi ku do të qëndrojë, do të caktohen nga ana e atdhetarëve dhe brenda kushteve legjitime që i kërkon interesi i atdheut. Mbi këtë çështje, me delegatët e kontrollit jemi në një mendim…”

Liderët e farkëtojnë lidershipin te hollësitë e vogla. I ashtuquajturi “komploti i Beqir Grebenesë” u nxit nga xhonturqit, të cilit synonin të ruanin sërish kontrollin mbi Shqipërinë, duke shfrytëzuar situatën e vështirë pas luftërave ballkanike dhe paudhësitë e disa bejlerëve shqiptar. Kaosi i krijuar në Shqipërinë e Mesme nga Esat Toptani dhe pasvajtësit e tij ishte një tjetër faktor që i hidhte benzinë zjarrit. Prandaj, Ismail Qemali e zgjidhi krizën e krijuar me dorëheqjen e tij. Me këtë akt, që shpalos virtuozitetin e lidershipit të tij, Ismail Qemali synonte që ti jepte mundësi KNK-së, që të bashkonte vendin nën një qeverisje unike. Ai u bë kështu edhe dorëheqësi i parë. Pra, edhe themeluesi i institutit të dorëheqjes në politikën shqiptare. 

Dorëheqja e Ismail Qemalit krijoi një boshllëk, i cili nuk mund të mbushej nga administrata e KNK-së. Ismail Qemali së bashku me familjen e tij u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.

Ky është teksti i plotë i proces-verbalit ku pasqyrohet zyrtarisht dorëheqja e Ismail Qemalit: “Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se rruga e vetme për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë, që sundon në vend është krimi i një qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë, dhe, meqë në rrethanat e tanishme ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse ai e kalon pushtetin në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si përfaqësues i Fuqive të Mëdha, në prani të ministrave të tij ia përsëriti Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kërkesën e paraqitur më parë, që ky Komision të marrë përsipër këtë detyrë dhe të marr pushtetin në duart e tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit çmon me respekt ndjenjat atdhetare nga është nisur Shkëlqesia Ismail Qemal Bej në veprimet e tij, e pranon këtë delegim pushteti dhe, me autorizimin përkatës të Fuqive të Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë. Nënshkruar: “Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew.”

Shqiptarët e ndershëm, të hidhëruar e mirëkuptuan sakrificën e Ismail Qemalit. Me keqardhje ata e pranuan këtë akt. Ata shpresonin që largimi i Ismail Qemalit nga drejtimi i vendit, do të ishte i përkohshëm. Në telegramin dërguar Ismail Qemalit, më 23 janar 1914, patriotët elbasanas shprehen: “Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta të tonat për burrënijën e atdhetarien që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë ju gjanë asaj burrënie që ngrite flamurin për të parën herë në Vlonë. Këto dy punë nuk ka me t’i harrue Shqipënia kurrë.”

Patriotët lushnjarë e shprehën keqardhjen e tyre për dorëheqjen e Ismail Qemalit, me telegramin e datës 23 janar 1914, në këtë mënyrë: “Lajmi i hidhur i largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkëlqesia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Gjesti i Shkëlqesisë S’uaj që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe nderuar prej të gjithëve. Është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme.”

Bashkëpunëtori i tij besnik, Aqif pashë Elbasani, në telegramin dërguar Ismail Qemalit, shkruan se: “Gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj u shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj.”

Ismail Qemali do ti shkruante gazetës franceze “Le Matin”, të martën e 3 shkurtit 1914, duke reaguar ndaj një shkrimi të botuar pak kohë më parë në gazetën italiane “La Tribuna” lidhur me dorëheqjen e tij: “Nëse u kërkova Fuqive të Mëdha që të lejojnë përfaqësuesit e tyre të marrin qeverinë e Shqipërisë deri në ardhjen e princit, kjo ishte vetëm për një qëllim thjesht patriotik dhe me miratimin e lartë të tyre.”

Ismail Qemali u largua nga Vlora dhe shkoi për të pushuar pak kohë në Nicë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri në maj 1914. Prej andej ai ndiqte me kujdes ngjarjet në Shqipëri. Zhvillimet e mëpasshme në Shqipëri do t’i jepnin atij plotësisht të drejtë. Ai ishte zhgënjyer me zgjedhjen që bënë Fuqitë e Mëdha, në caktimin e një sovrani anonim. Kjo pasqyronte mungesën e vëmendjes së tyre ndaj Shqipërisë. “Në politikë, ajo që parashikohet nuk ndodh kurrë,” – thoshte Ismail Qemali. Por, ai paralajmëroi Princin Vidin, për pasojat e vendimeve të tij të gabuara.

Princi i ri u vendos në Shqipëri. Ai përzgjodhi si kryeqytet dhe si rezidencë mbretërore Durrësin, të cilin Ismail Qemali e shikonte si më pak të përshtatshmin. Ai vijoi me vendime të tjera të gabuara, të cilat do të përshpejtonin fundin e mbretërimit të tij të shkurtër. Akti i parë i tij, ende pa zbritur në tokën shqiptare, ishte ai i emërimit të Esad Pashë Toptanit, si ministër i Luftës dhe si gjeneral i parë i Shqipërisë. Madje ishte vetë Esadi ai që e priti në bregun e Durrësit, më 7 mars 1914. Gjithsesi, Ismail Qemali e përkrahu Princ Vidin, pavarësisht se e dallonte paaftësinë e tij.

Në intervistën e dhënë për gazetarin italian Arnaldo Cipolla, natën e 22 janarit duke u gdhirë 23 janari 1914, Ismail Qemali thotë se, çështja “Grebeneja” dhe dorëheqja e tij nuk kanë asnjë lidhje: “Ardhja e Princ Vidit,” – tha ai – “nënkupton domosdo se nuk do të ekzistojë asnjë qeveri e përkohshme shqiptare.” Ismail Qemali vijoi më tej duke u shprehur se: “Është një lloj manie që keni ju dhe kolegët tuaj për të përzier dy çështje që s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën: njëra që lidhet me komplotin e xhonturqve dhe tjetra me pezullimin e qeverisë. Jua përsëris se nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët mes fantazive të xhonturqve, që nuk mund të ringjallen kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së qeverisë.”

Fjalët e Ismail Qemalit në përfundim të intervistës shpalosin gjendjen e tij shpirtërore, në çastet e largimit nga atdheu, ku ai sapo kishte krijuar shtetin modern shqiptar. Ai i shpjegon gazetarit arsyen e vërtetë pse po ikte: “Nevoja për pushim, jo arsye tjetër. Më besoni, jam tmerrësisht i lodhur! Përpiquni të mendoni se çfarë barre të madhe ka në shpinë qeveria e përkohshme, një qeveri e varfër dhe e keqtrajtuar, se çfarë pune ka bërë ajo për të mirën e vendit, që nga dita e paharruar kur u shpall pavarësia në atmosferën e dhimbshme të shkaktuar nga bllokada greke, e deri më sot. Ishim ne që e ushqyem atë flakë të parë e të ndrojtur të lirisë. Na e njihni këtë meritë, para se të përfundojë misioni ynë. 

Ismail Qemali thotë se, në ditët që i paraprin ardhjes së Princ Vidit, pozita e tij nuk ishte aspak e këndshme, dhe citon thënien proverbiale që përshkruante më së miri gjendjen e tij: “Proverbi juaj i krishterë nemo prophetia in patria (nuk ka profet, në vendin e vet) është më i vërtetë se kurrë në tokën tonë të dhimbshme. Por unë nuk jam lypsar në kërkim të bamirësve.”.

Në librin e tij “Ben Kendim”, i botuar në Londër në vitin 1924, ushtaraku, diplomati, punonjësi i shërbimit sekret dhe deputeti britanik Aubrey Herbert, rrëfen një histori tepër domethënëse për mendësinë e mbrapshtë të politikës shqiptare. Aubrey Herbert ishte mbrojtësi i çështjes shqiptare në skenën politike britanike. Pas qëndrimit në Vlorë dhe takimit me Ismail Qemalin, ai rrëfen edhe për takimet e zhvilluara me Dervish Himën dhe Esat Toptanin, në Tiranë, më shtator të vitit 1913, lidhur me të ardhmen e Shqipërisë:

“Dervish Hima, një burrë i madh, brutal, shërbyes i Esat Pashës, dhe mënyrë sjellje dhe fjalor si ajo e Turqve të Rinj.

Dervish Hima: “Le gouvernment d’ismail Kemal est maudit.” (Qeveria e Ismail Qemalit i ka ditët e numëruara dhe nuk zgjat shumë.)

Aubrey Herbert: “Ayez la bonted d’expliquer, je nouve en prie” (Kini mirësinë që të ma shpjegoni, ju lutem.)

Dervish Hima: “Il n’a pas fait une route. Il n’a pas donne abandomment a manger a douze mille refugees. Il faut avoir un nouveau gouvernement.” (Nuk ka ndërtuar rrugë. Nuk u ka dhënë për të ngrenë12 mijë refugjatëve. Na duhet një qeveri e re.)

Aubrey Herbert: “Nuk do ishte më mire që të përqendroheshit që të ushqenit refugjatët, dhe të mendonit për përmirësime sado të vogla por të domosdoshme, sesa merreni me konflikte politike?”

Biseda me Esat Pashën:

Esat Pasha erdhi në drekë. Folëm turqisht në fillim, por aty ishte një shqiptar që fliste në frëngjisht dhe na përktheu.

Esat Toptani: “Ismail Qemali është hajdut dhe njeri pa rrënjë. Ç’ka dua unë është që të mbroj Shqipërinë dhe të tërhiqem.”

Aubrey Herbert: “Ismail Qemali ka të njëjtin opinion për Shkëlqesinë tuaj. Vendi juaj do të ishte më i sigurt vetëm kur ju të dy të merreni vesh dhe jo të ziheni e përçaheni.”

Esat Toptani: “Diferenca midis meje dhe Ismail Qemalit është se unë jam i sinqertë, kurse ai jo. Unë mund të tregoj më shumë për të.”

Aubrey Herbert: “Një i huaj nuk mundet që të hyjë në këto çështje. Evropa njeh Ismail Qemalin më mirë sesa Shkëlqesinë tuaj, dhe ajo preferon dikë që njeh, me gabime, në vend të dikujt që nuk e njeh, i cili mundet po ashtu që të ketë gabime.”

Esat Toptani: “Shkova në Vjenë para disa muajsh ku më premtuan një Princ brenda 10 ditësh. Pastaj shkova në Romë me shpresën se kjo do të ratifikohej, dhe si përfundim kjo nuk ndodhi. Dyshoj se Ismail Qemali u ka thënë italianëve që do ishte më mirë të mos emërohej Princi, që të mos ketë asnjë vështirësi, që ai të veprojë lirisht. Besoj se Ismail Qemali, kërkon me çdo kusht të jetë virtualisht Princi i Shqipërisë, dhe një ditë kjo do të sanksionohet me ligj.”

Aubrey Herbert: “Për këtë kërkohet miratimi i Komisionit. Pa miratimin e tij, ky ligj nuk ka fuqi.”

Esat Toptani: “Komisioni dhe diskutimet do të zgjatin disa kohë, dhe ne fund do e pranohet (un fait accompli). Ju nuk i dini problemet që unë kam pasur nga thashathemet se dua të bëhem Princi i Shqiptarëve.”

Aubrey Herbert: “Po të isha unë në vendin tënd Shkëlqesi, nuk do shqetësohesha nga kjo, sepse ka gjëra të tjera më të këqija që thuhen për ju.”

Përkthyesi: “Faut-il le dire, si brutalement?” (Duhet që ta them në mënyrë kaq brutale?)

Aubrey Herbert: “Po. Situata aktuale, e pa stabilizuar, dhe mungesa e një dorë e fortë udhëheqëse përbëjnë rrezik, tanimë që edhe vendi është i pushtuar. Planet e Shkëlqesisë tuaj, mua, më duken sikur duan të rrisin këtë pasiguri, dhe duket sikur ju luani lojën e serbëve dhe të grekëve, të cilët kërkojnë që t’ju paraqesin juve në Evropë si një vend i pacivilizuar dhe i përçarë.”

Esat Toptani: “Unë mendoj që të mbledh burrat më të shquar. Pastaj do të thërrisja Asamblenë e Përgjithshme”. 

Aubrey Herbert: “Domethënë do të marrësh mandat nga i gjithë vendi?”

Esat Toptani (heziton): “Shqiptarët e Jugut kanë me pak rëndësi se provincat e tjera. Do ta bëja këtë nëse qeveria do të vendoset në Durrës.”.

Aubrey Herbert: “Sikur qeveria të vendoset në Durrës, mundet që opinioni i huaj të thotë se, kjo ndodhi se ju Esat Pasha dominoni Durrësin.”

Esat Toptani: “Nëse është ky problemi, atëherë le të shkojmë diku tjetër. Nuk dua të përplasem me Ismail Qemalin. Ai është fajtori. Unë besoj shumë tek mbështetja angleze.”

Aubrey Herbert: “Dhe Shqipëria do ta marr mbështetjen, vetëm atëherë, kur ju personalisht të mos krijoni trazira.”.

“Esat Toptani,” – rrëfen Aubrey Herbert në librin e tij “Ben Kendim”, – “pasi  kishte përvetësuar një sasi të konsiderueshme parash në Durrës, i dërgoi një ultimatum Ismail Qemalit në shtator 1913, që selia e Qeverisë të zhvendosej në Durrës. Dhe në këtë mënyrë edhe sasia e madhe e parave të ndahej midis tyre. Por kjo ishte diçka e papranueshme për Ismail Qemalin…”

Esat Toptani me akrabanë e tij dëshironin që të ruanin në Shqipërinë e re, privilegjet e vjetra.  Ata ishin me idenë “që gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”. Prandaj, ata nuk ju bashkuan kurrë Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë në rrugën e vështirë të bashkimit kombëtar.

Duket sikur situata politike e përshkruar më sipër është përsëritur herë pas here përgjatë historisë sonë kombëtare. Kultura e mbrapshtë politike, paaftësia proverbiale për t’u bashkuar si një trup i vetëm dhe paaftësia për të menduar strategjikisht, duke lenë mënjanë interesat e vogla personale për hir të interesit të madh kombëtar, i ka munguar shpesh  klasës sonë politike…

Historia që po sjellim më poshtë është metafora më e mirë për të ilustruar mendësinë e ndryshme që karakterizonte Ismail Qemal Vlorën dhe Esat Toptanin. Ajo është një histori që na vjen nga Solomoni, një nga sovranët më të shquar të Izraelit: “Dy gra që jetonin në të njëjtën shtëpi kishin lindur dy foshnje në distancë prej pak ditësh nga njeri tjetri. Për fat të keq një natë njëra prej foshnjave vdes. Nënat nuk po gjenin paqe, se kush prej tyre do ta mbante foshnjën që mbijetoi. Prandaj vendosën që ti nënshtroheshin gjykimit të mbretit. Solomoni urdhëroi që ti sillnin një shpatë që ta ndante fëmijën në mes, në mënyrë që secila prej tyre të mbante një pjesë. Nëna e vërtetë me lotët në sy lejoji që fëmijën ta mbante gruaja tjetër, me qëllimin e vetëm që ti shpëtonte atij jetën. Në këtë mënyrë iu çor maska gruas tjetër dhe nëna e vërtetë arriti që ta mbante përfundimisht fëmijën e saj…”

Ismail Qemali është kritikuar shpesh për aktin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Shqipërisë. Një gjest ky i rrallë për udhëheqësit edhe sot, sepse është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pushteti. Ndërthurja e egoizmit, megalomanisë dhe tiranisë e bëjnë shpesh këtë të pamundur për natyrën njerëzore. Prandaj dorëheqja e Ismail Qemalit duhet parë jo si dobësi, por si akti më sublim i atdhedashurisë. Ai nuk donte që të përfshihej në atë moment në një luftë pushteti me Esat Toptanin. Pasi kjo luftë e kombinuar me propagandën sllavo-greke, e cila i paraqiste shqiptarët si njerëz me bisht në sytë e opinionit publik evropian, do të ishte vdekjeprurëse për shtetin shqiptarë të porsalindur…

Gjithë liderët e mëdhenj në historinë botërore kanë siguruar arritje të mëdha për vendin e tyre, duke pasur fuqi të mjaftueshme ekonomike e ushtarake, tek e cila mbështeteshin. Ndërsa, Ismail Qemali arriti që të themelonte në Shqipërinë e varfër e të robëruar një shtet, pa pasur as forcën ekonomike as atë ushtarake. Bile i luftuar nga jashtë edhe nga brenda vendit. Por, pikërisht në këto detaje qëndron forca e lidershipit të Ismail Qemal Vlorës.

Në një fjalim të tij të tetorit 1913, Ismail Qemali do të deklaronte para popullit të Vlorës: “Mundet se që atëherë e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’mund t’i mohohet qeverisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bëri qeveria për të mos lanë të vobektin të vuajë…”

Duket se më këto pak rreshta Ismail Qemali, ka përmbledhur më së miri thelbin e trashëgimisë së qeverisjes së tij të shkurtër. Sepse nuk ka rëndësi se sa zgjat jeta e një njeriu. Rëndësi ka mënyra sesi ai i shpenzon vitet e jetës së tij, qofshin ato pak apo shumë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqësinë. Nuk ka rëndësi se sa shumë vite qëndron një lider në pushtet. Më e rëndësishme për lidershipin është trashëgimia ideore e shpirtërore që ai lë pas. Të dish se kur është koha e duhur për të hequr dorë është pjesë vendimtare e udhëheqësisë.

Kryeministri i parë i Shqipërisë Ismail Qemali, kishte kuptuar një nga parimet kryesore të demokracisë: gjëja më e vështirë në sistemin demokratik nuk është të fitosh pushtetin, por të dish se kur duhet ta dorëzosh atë. Në shtator të vitit 1913, mbasi e kishte realizuar vizionin e tij për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, Ismail Qemali do t’i deklaronte deputetit britanik Aubrey Herbert-it: “Unë jam një burrë i vjetër. Unë dua vetëm që atdheu i im të eci me këmbët e veta – dhe pastaj do të jap dorëheqjen. Jam i lodhur. Jam shumë i lodhur.” Aubrey Herbert ushqente simpati për Ismail Qemalin. Ai do të shkruante: “Plaku i shkretë mund t’ia ketë hedhur kujtdo dhe kurdo, por ai ka më shumë burrështetësi në një gisht sesa të gjithë të tjerët së bashku.”

Mënyra më e mirë për ta kuptuar një lider është tek fakti se si ai e përdor  pushtetin. Pena e Ismail Kadaresë e përshkruan kështu aktin e fundit të Ismail Qemalit: “Themeluesi, jo vetëm i dha lamtumirën gjithë asaj tradite që mund të quhej si tmerri i themeleve, por, si të mos mjaftonte kjo, kishte shkuar më tej. Bashkë me shtetin, e pak kohë pas krijimit të tij, ai kishte themeluar diçka që ndoshta ishte edhe më e vështirë se vetë shteti: dorëheqjen. Ai ishte Dorëheqësi i parë në këtë vend, e ndoshta në krejt gadishullin dramatik.”. 

Psikologia Tasha Eurich, në Harvard Business Review, shkruan se: “Kërkimet sugjerojnë se kur ne e shohim vetveten më qartë, ne kemi më tepër vetëbesim dhe kreativitet. Ne marrim vendime më të mira, ndërtojmë marrëdhënie më të forta, dhe komunikojmë më efektivisht. Jemi më pak të prirur që të gënjejmë, mashtrojmë, dhe vjedhim.”

Poeti i shquar vlonjat Fatos Arapi me finesë arrin që depërtojë në thellësinë e shpirtit të plakut fisnik, kur shkruan se: “Sa herë që i afrohem Ismail Qemalit në studimet e mia, ndjej si një dhimbje, si një brengë që e mundon kryetarin e parë të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë së Pavarur.” Poeti me ndjeshmërinë e tij të spikatur e kupton brengën e madhe të Ismail Qemalit, e cila lidhet me pamundësinë për të vijuar punën për realizimin plotësisht të vizionit të tij për bashkimin e përparimin kombëtar.

Ismail Qemali nuk do ta ndalte kurrë luftën për çështjen shqiptare dhe lirinë njerëzore. Motoja e tij ishte, “Mos u dorëzoni kurrë. Kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë.” Ai do ta vazhdonte betejën e tij deri ditën e fundit të jetës së tij, duke i përfshirë të gjithë patriotët në sfidën e madhe për ngritjen, bashkimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Në nëntorin e vitit 1917, Ismail Qemali do t’u drejtohej shqiptarëve me këto fjalë: “Nuk do të dyshoj asnjë minutë që të hyj në një luftë të re për të shpëtuar atdhenë tonë të dashur, kur jam i forcuar nga besimi dhe dashuria e bashkatdhetarëve të mij të dashurë dhe nuk dyshonj për fitim të plotë vetëm po të mund t’u gjejnë të gjithë bashkuarë duke lënë mënjanë kundërshtimet dhe grindjet…” Njeriu është mbi të gjitha një qenie shpirtërore. Koha dhe hapësira i bashkojnë shpirtrat njerëzorë, duke mundësuar kështu tejkalimin e sfidave të epokave të ndryshme, të cilat janë vendimtare për fatin e lirisë njerëzore. Providenca është fati. Fati kur i shërben një qëllimi sublim për nga vetë natyra.

Tipari më madhështor i njerëzve të mëdhenj, është aftësia për të lënë mënjanë interesin vetjakë për hir të së mirës publike. Ky ështe një tipar dallues i udhëheqësisë madhështore. Ismail Qemal Vlora është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe themeluesi i institucionit të dorëheqjes në Shqipëri.

Ismail Qemali krijoi diçka që nuk mund të zhbëhej më. Kundërshtarët e tij mund të krijonin çdo gjë tjetër, por kurrsesi të ndërtonin një Shqipëri të re. Shqipëria, krijesa e tij aq e dashur, tashmë qëndronte aty, si dëshmi e pamohueshme e lidershipit të tij virtuoz.

Megjithatë, trashëgimia sublime e Ismail Qemalit, nuk është kuptuar asnjëherë drejtë. Vdekatarët e zakonshëm shpesh harrojnë që pushteti nuk është qëllim në vetvete, por një mjet në shërbim të së mirës publike.

Politikanët tanë harrojnë një nga parimet bazë të udhëheqësisë. Lideri ka mbi vete jo vetëm përgjegjësinë  për të ditur se kur është personi i duhur për të udhëhequr, por edhe përgjegjësinë për të ditur se kur nuk është më personi i duhur për të udhëhequr…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Filed Under: Histori

SOCIÉTÉ DES NATIONS (1923) / FJALIMI I KRYEMINISTRIT TË SAPO ZGJEDHUR AHMET BEJ ZOGU NË DHOMËN E PËRFAQËSUESVE MBI PROGRAMIN E TIJ POLITIK ME 2 DHJETOR 1922

January 22, 2025 by s p


Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65
Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Janar 2025

“Société des nations” ka botuar, më 1 maj 1923, në faqen n°508, fjalimin e kryeministrit të sapo zgjedhur Ahmet Bej Zogu në Dhomën e Përfaqësuesve mbi programin e tij politik me 2 dhjetor 1922, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Programi i qeverisë aktuale.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Më 2 dhjetor 1922, në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, kryeministri i sapo zgjedhur, Ahmet Bej Zogu, përvijoi programin e tij politik, në të cilin përfshihen pikat e mëposhtme :

Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65
Kabineti qeveritar i Ahmet Zogut — Burimi : Our World, Shtator 1922, f.65

“Qeveria synon të ndjekë një politikë kushtetuese dhe demokratike; ajo është në favor të lirisë së shtypit. Ajo njeh vështirësitë e shkaktuara nga ekzistenca, në popullatë, e tre elementeve të kulturave të ndryshme — njohuritë e përgjithshme dhe interesi i shfaqur për çështjet publike duke u zhvilluar më shumë në mesin e banorëve të jugut — por ajo shpreson të fitojë besimin e të gjithë këtyre elementëve të ndryshëm duke i trajtuar me drejtësi dhe duke e lënë secilin prej tyre të lirë të ndjekë prirjet e veta. Përpjekjet për organizimin e një kishe ortodokse të pavarur kanë qenë tashmë të suksesshme dhe qeveria do të përpiqet të inkurajojë zhvillimin e një organizimi më modern të Kishës (Xhamisë) Myslimane në Shqipëri. Qeveria shpreson të thërrasë Asamblenë Kushtetuese në shtator; ajo ka premtuar se do të qëndrojë neutrale në zgjedhje. Buxheti për luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera është dyfishuar dhe ekspertë nga jashtë do të merren për të ndihmuar në luftimin e këtyre sëmundjeve. Është reduktuar buxheti, është zvogëluar numri i nëpunësve civilë dhe tashmë qeveria ka filluar të riorganizojë administratën. Prefektët do të zgjidhen sa më shumë në bazë të eksperiencës që kanë në qarqet ku do të emërohen. Një ekspert juridik i huaj do të ndihmojë në riorganizimin e legjislacionit dhe gjykatave. Ushtria do të reduktohet sa më shumë dhe do të caktohet një organizator i huaj për këtë qëllim. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet punëve publike dhe tre batalione rekrutësh, në vend të një, si në të kaluarën, do të punësohen vetëm në ndërtimin e rrugëve, për të përshpejtuar krijimin e rrugëve të reja dhe riparimin e rrugëve ekzistuese. Parashikimet e buxhetit për 1923, të reduktuara rëndë, aktualisht kapin shifrën e 17 milionë frangave ari. Të ardhurat vlerësohen në 19 milionë; do të fitojmë kështu një tepricë prej 2 milionësh, të cilat do të mund të ndahen për punë publike shtesë.

Arsimi publik do të zhvillohet me miratimin e një regjimi kombëtar të vendosur me ndihmën e një eksperti të huaj. Por, mbi të gjitha, qeveria do të përpiqet të zhvillojë tregtinë, amullia e së cilës ka ndikuar në shqetësimin e një pjese të madhe të popullsisë. Qeveria shpreson se do të arrijë të tërheqë kapital të huaj në Shqipëri dhe pret që Lidhja e Kombeve të emërojë së shpejti këshilltarin financiar që ka kërkuar.

Në çështjet e politikës së jashtme, qeveria do t’i përmbahet rreptë neutralitetit, do të përpiqet të ruajë marrëdhëniet sa më miqësore me vendet fqinje dhe të qëndrojë në kontakt të ngushtë me Lidhjen e Kombeve, së cilës Shqipëria i detyrohet kaq shumë.

Qeveria shqiptare ka shprehur në disa raste dëshirën e saj të madhe për të siguruar bashkëpunimin e këshilltarit financiar që do të caktohet nga Lidhja e Kombeve; kjo do të ndihmojë në realizimin e programit të mësipërm dhe në zbatimin e reformave nga të cilat varet prosperiteti i ardhshëm i Shqipërisë.

Qeveria vendosi gjithashtu, siç u tha më lart, të caktojë ekspertë të huaj në çështjet e jurisprudencës, xhandarmërisë, arsimit publik, punëve publike, higjienës dhe ndoshta më vonë, shërbimeve të tjera.

Këta ekspertë, duket se duhet të caktohen në marrëveshje me këshilltarin financiar, i cili duhet të japë kreditet e nevojshme për pagat e ekspertëve, si dhe për zbatimin e projekteve që ata propozojnë.”

Filed Under: Histori

Mustafa Merlika – Kruja, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare

January 21, 2025 by s p

Prof.Dr. Nevila Nika/

Kur përpara disa muajsh z. Eugjen më foli për vendosjen e bustit të gjyshit të tij Mustafa Merlikës në qytetin e tij të lindjes natyrisht e urova, por njëkohësisht e vlerësova si një gjest patriotik e qytetar të banorëve të këtij qyteti emërmadh. E vlerësova si të tillë pasi që të gjithë jemi dëshmitarë se ende shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndarë në llogoret e përcaktuara duke nisur qysh në vitet e Luftës së Dytë Botërore filimisht nga Partia Komuniste dhe e vazhduar më pas nga qeverisja e saj, Diktatura e Proletariatit. Kërkesës së Eugjenit për të thënë dy fjalë në këtë ditë të shënuar për familjen Merlika, vendlindjen e Mutafait, por gjykoj për mbarëshqiptarët kudo që janë ju përgjigja pa mëdyshje pozitivisht. Ishin dy arsyet që më shtynë të pranoja ftesën.

E para se gjyshi i Eugjenit dhe gjyshi im Hoxha Kadri Prishtina kanë qenë miq e kundërshtarë në mendime, por që të dy punuan, me gjithçka mundën për të realizuar bashkimin e trojeve amtare e për të sjellë përparimin e begatinë atdheut. Dhe e dyta lidhet me profesionin tim, atë të arkivistit. Sipas Kodit Deontologjik të Arkivistit, një arkivist është i detyruar të ndajë me publikun atë ç’ka për shkak të detyrës ai ka mundësinë të njohë.
Njohja ime me këtë personalitet të historisë tonë kombëtare ka qenë e hershme, fillimisht nga familjet e prindërve të mij e më pas natyrisht edhe gjatë viteve të shkollimit. Kontrasti me atë që dëgjoja në mjedisin familjar me atë çka mësoja në shkollë ishte dukshëm kundërshtues, i turbullt dhe kuptoje menjëherë që ishte shtrëmbëruar me dashje e vërteta historike nga historiografia zyrtare. E kjo në ato vite ishte një normë, të cilës nuk i shpëtonte askush, e veçanërisht për historianët.

Por fillimi i punës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në sektorin e dokumenteve të para vitit 1912, më njohu për herë të parë nëpërmjet dokumenteve të kohës të riun Mustafa Asim. Në letërkëmbimin e kohës ai nënshkruan kështu. Nga ky letërkëmbim u njoha me veprimtarinë e tij atdhetare. Është mjaft aktiv në Lëvizjen mbarë kombëtare për Pavarësi si pjesë e forcave kryengritësve, por mbi të gjitha ai është i pranishëm në ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, si përfaqësues i krahinës së vet. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe pjesë e administratës së Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit. Por njohja me kontributin e Musafait nuk u ndal me ngritjen e flamurit në Vlorë.

Trashëgimia dokumentare e tij është e shumëllojshme dhe si e tillë na lejon të gjykojmë për veprimtarinë e tij të gjithanëshme në dobi të çështjes kombëtare, si shtetar, politikan, studjues e pa harruar atë si bashkëshort e prind.
Vlerësimi për të apo thënë ndryshe perceptimi se kush ishte, cila ka qenë veprimtaria e roli i tij në botën shqiptare gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar me kalimin e viteve të punës në Arkiv, si arkivste e historiane po arrija të krijoja në gjithë përmasat që i përkisnin kësaj figure aq shumë të përfolur, të përbuzur, të nëpërkëmbur deri edhe të harruar. Gjithçka kishte ndodhur para vitit 1990 në fushën e njohjes të së kaluarës historike tonë, ishte shtrëmbëruar, fshehur ose thënë ndryshe ishte trajtuar sipas udhëzimeve partiake e jo bazuar mbi dokumentet origjinale.
Duke lënë mënjëanë për pak atë çfarë shkruhet në dokumentet origjnale, që fatmirësisht ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, takimi me dy zonja në derën e Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave në vitin 1993, do të më shtyjë edhe më shumë të njihem me familjen Merlika. Zonjat ishin të veshura thjesht, të dyja kishin lidhur kokën me shall dhe në qafë ju dallohej qartë varëse me kryq. Ishin zonjat Klara e Elena Merlika. Ka qenë një takim, që nuk do ta harroj kurrë. Dallohej qartë se vuajtjet fizike e ato shpirtërore kishin qenë të pandërprera prej 45 vjetësh në jetët e tyre. Foli e para znj. Klara Mirakaj-Merlika e cila u prezantua se kush ishin dhe çfarë kërkonin. Për mua ishte me të vërtetë befasi, po i jepja dorën e po flisja me dy nuset e familjes Merlika.

Fisnikëria e tyre të linte pa fjalë. Vinin nga dekada vuajtjesh të papërfytyrueshme, por asgjë nuk kishte mundur t’jua fshinte qytetarinë e fisnikërinë. E vetmja gja që mund të bëja për to, e plot të tjerë si to, ishte ti ndihmoja sa mundja për të plotësuar kërkesat e tyre sa më shpejt e sa më mirë. Prej atij viti jam me fat që konsiderohem mike prej krejt familjes.
Jeta e Mustafa Asim Merlika-Kruja ka disa etapa të rëndësishme, por në të gjitha ajo që është në themel të gjithçkaje ishin e mbetën deri në fund familja e atdheu. Dha gjithçka pati, të gjitha energjitë e tij sa jetoi ishin në dobi të atdheut, u sakrifikua pa asnjë mëdyshje për arritjen e bashkimit kombëtar dhe rreshtimin e atdheut krah familjes të cilës i takojmë historikisht, Evropës e jo Lindjes sllavo-koministe, për përparimin e kombit duke ndërmarë një nga nismat më domethënëse, atë të ngritjes së të parit institucion shkencor në Shqipëri, Institutit të Studimeve Shqiptare.

Veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, që kulmoi me Shpalljen e Pavarësisë, firmëtar i Aktit Themeltat të shtetit shqiptar; nëpunës në Qeverinë Ismail bej Vlorës; pjesë e delegacionit në Konferencën e Paqes të Parisit; deputet; antizogist; politikan në mërgim; pjesë aktive e mërgatës politike të viteve 1925-39; si shumë të tjerë bashkëkohës të tij në mbështetje të bashkimit të kurorës mbretërore shqiptare me atë të Savojës; refuzues i ashpër i italianizmit të vendit e sidomos të simboleve tona kombëtare; përkrahës i rikthimit të Mbretit Zog, e në fund në krye të Institutit të Studimeve shqiptare, veprimtaria e të cilit ishte kryesisht e drejtuar ndaj çështjes së bashkimit kombëtar. E bash veprimtaria e ethshme e këtij Instituti për ti bërë të njohur mbarë botës të vërtetat e hidhura për coptimin e trojeve amtare, të dhuruara vendeve fqinje nga Konferenca e Paqes e Parisit, vendimet e të cilës kishin sjellë Luftën e Dytë, me anë të botimeve me karakter historik, etnografik, gjuhësor, hartografik, në ndihmë të Komisionit të rivendikimeve shqiptare etj., ishin në qendër të veprimtarisë së Mustafait gjatë atyre viteve.

Ky angazhim tij i fundit tregon më së mirë arsyen që e kishte shtyrë atë, si edhe shumë të tjerë, të përkrahnin në fillim Italinë fashiste, që për qëllimet e saj kishte realizuar në një farë mënyre bashkimin e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar të para Luftës.
Mustafai u largua nga atdheu për shkak të djalit të tij të sëmurë. I shtruar në një spital në Austri sëmundja kishte përparuar, dhe babai Mustafa nuk mund të braktiste të birin vetëm në shtratin e vdekjes. Ashtu bëri, ju gjend pranë tij në gusht 1943. U largua me zemër të thyer për atë që e priste në Austri, e vetëm pak muaj më vonë e pati të pamundur të përqafonte e përkëdhelte bijtë e tij e sidomos nipin, Eugjenin. Ky largim, të cilin nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte pakthim, pati edhe një pasojë tjetër, ai la në atdhe edhe punën e tij shkencore që e kishte aq për zemër, Fjalorin e Gjuhës Shqipe që ende s’kishte parë dritën e botimit. U përpoq me sa mundi në mërgim, por vetëm gërmat A e B mundi ti rishkruante përsëri.
Ai nuk mundi më të kthehej në Atdhe, regjimi komunist, që ai e shumë të tjerë e kishin parë e gjykuar që do të ishte fatkeqësi në se do të vendosej në Shqipëri, izoloi vendin për gati 45 vjet vendin nga bota e qytetëruar.

Pushteti i ri, që vetëquhej “popullor”, e që asgjë nuk kishte të bënte me popullin. U eliminuan fizikisht kontribues të jetës politike, ekonomike, shoqërore, të dijes e kulturës, u ushtrua që në ditët e para dhunë e terror mbi familjet e të afërmit e kundërshtarëve të hapur, por edhe ndaj atyre që hamëndësohej se mund të ishin të tillë. Nuk u kursyen as edhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. U rrëmbyen e u shkatëruan biblioteka e arkiva, objekte arkeologjike e etnografike, relike të shenjta e vepra arti, prona të familjeve të mëdha shqiptare e të komuniteteve fetare, e në fund arritën të përdhosnin edhe varre.
Duke qenë se tashmë prej pjesës dërmuese të studjuesve e natyrisht edhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi është pranuar fakti se, rrëfimi i gjymtuar, i shtrëmbëruar apo edhe i trilluar i jetës dhe veprimtarisë së personaliteteve që kontribuan aq shumë për Atdheun, ka qenë një normë e rregjimit të kaluar, sot kemi një detyrë përpara nesh. Atë të ç’bërjes me çdo mjet e mënyrë këtë normë partiake që aq shumë na ka dëmtuar.

Duke marrë shkas pikërisht nga z. Mustafa Merlika, kemi detyrimin moral si qytetarë e studjues të rishikojmë me më gjakftohtësi , paanëshmëri e profesionalizëm bazuar në dokumente origjinale të kohës jetën e veprën e kujtdo që morri përsipër të ishte në rreshtin e atyre që sakrifikuan gjithçka patën për atdheun. Mustafa Merlika i takon atij grupi personalitetesh të historisë tonë kombëtare që me shumë burrëri e ndershmëri i kanë bërë analizë të thellë qëndrimeve e veprimeve të tyre ndër vite, duke mos lënë asnjë shteg për hamëndësime të rrejshme.
Në fund të fjalës time do të përmendja disa prej “mëkateve” të Mustafa Merlika Kruja për të cilat edhe u anatemua nga rregjimi i kaluar. E deshi pa masë Atdheun e bashkëatdhetarët e vet, punoi pa rreshtur për bashkimin e trojeve shqiptare, dëshmoi respekt të admirueshëm për familjen, si themeli i një shoqërie të shëndetshme, punoi me përkushtim të veçantë për gjuhën amtare, punoi për ndriçimin historisë të kaluarës tonë si popull, ishte shëmbëlltyrë e patriotit fisnik e të ndershëm dhe mbi të gjitha ai ishte kundër komunizmit si ideologji e realitet pasi e gjykonte si zgjidhjen më të keqe e të dëmshme për vendin. E ky ishte pa asnjë dyshim edhe “mëkati” i tij më i madh në sytë e komunistëve.
Krujë, 24 nëndor 2024

Filed Under: Histori

Dr. Ibrahim Rugova Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës

January 20, 2025 by s p

-U shua para 19 viteve në 21 Janar 2006/

-Intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova që nga e para e Shtatorit 1994 deri te e fundit në Shkurt 2005 dhe deklarata tjera/

  -Disa nga raportimet që kam bërë në Janar 2006/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË,  Janar 2025/ Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti historik dhe i Pavarësisë së përjetshme të Kosovës, ideator dhe arkitekt i së cilës ishte, u shua para 19 viteve në 21 Janar 2006. 

Në këtë vit 2025 të 26 vjetorit të Lirisë së Kosovës, veprimtaritë përkujtimore zhvillohen në prag të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008. Në veprimtaritë përkujtimore theksohet se  në Lëvizjen për Liri e Pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

  Që para më shumë se tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Dr. Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit për Pavarësi të fundshtatorit 1991, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh President i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës – në liri, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, po edhe në raste të tjera, e falënderonte e vlerësonte shumë Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha mëse çerek shekulli, nga dita e 24 Majit 1992 kur u zgjodh President.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Ajo intervistë e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. 

“Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistën për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në konferencën për shtyp të 6 Shkurtit 1998 duke u përgjigjur në pyetjet që i bëja theksonte se Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Kosovë para se të ndodhë konflikti, ndërsa reagimi si komb i shqiptarëve është normal dhe e drejtë e çdo populli të rrezikuar.

E pyeta se, duke pasur parasysh intensitetin e shpejtësinë e zhvillimeve të rrezikshme në Kosovë, a priten masa të mjaftueshme e me kohë të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e konfliktit, ndërsa Presidenti Rugova u përgegjegj:

“Ne kemi kërkuar që bashkësia ndërkombatare të intervenojë në Kosovë para se të ndodhin konfrontimet, e jo pasi të ndodhin, sepse do të bëhej vonë, dhe kemi bërë apel që të çmohet ajo që ka sakrifikuar populli i Kosovës për shumë vite që ta evitojë konfliktin. Masat parandaluese ndërkombëtare në radhë të parë duhet të jenë një presion shumë më i madh mbi Beogradin që ka përqëndruar forca të mëdh dhe kërcënon që edhe ushtarakisht ta godasë Kosovën”.

Në pyetjen tjetër që i bëra, se si i komenton deklaratat e politikanëve shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, etj., për reagim si komb në rast konflikti në Kosovë, presidenti Rugova u përgjegj:  “Është i natyrshëm dhe mëse normal ky qëndrim i Shqipërisë, përkundër vështirësive që ka ajo sot. Shqiptarët janë të organizuar si shtet e si shoqëri edhe në Kosovë, edhe pse nën okupim. Edhe shqiptarët në Maqedoni kanë një organizim, që dita-ditës po përparon më shumë. Kemi tërhequr vërejtjen dhe të gjithëve u është bërë e ditur se po të fillojë diçka, më e keqja, në Kosovë, atëherë i gjithë rajoni do përfshihej, edhe Shqipëria, Maqedonia, Greqia, gjithësesi Serbia,  Mali i Zi dhe vende të tjera. Prandaj, është një kujdes i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Rugova i bëri thirrje Beogradit që t’i kthehet dialogut me ndërmjetësim ndërkombëtar për Kosovën, që të  mos e provokojë edhe më tej situatën dhe të ndërpresë dhunën. Ai tërhoqi vërejtjen edhe për seriozitetin e pohimeve se në Vojvodinë (krahinë në Serbi) regjimi serb po rekruton rezervistë për t’i dërguar në Kosovë…

Me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova kam zhvilluar intervista ekskluzive, së pari për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë e pastaj të tjera për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, isha edhe në konferencat e shumëta për shtyp që mbante para, gjatë e pas luftës në Kosovë, ku bëja pyetje e merrja përgjigje, jam takuar edhe në raste të tjera.

Në dokumentarin televiziv “Fakte – Konferencat për Shtyp të Presidentit Rugova”, autori Adnan Merovci – udhëheqësi i Protokollit të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova gjatë viteve ’90-ta dhe deri në vitin 2000, mes gazetarëve të rregulltë që vendin ku do uleshin e kishin thuese të paracaktuar të parin më përmend mua…

Në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku isha atëherë korrespondent i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  tani korrespondent i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i  Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë,  në vendin që në 2025-tën feston 26 vjetorin e Lirisë e 17 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës ushtarake më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s…

 Njëmbëdhjetë vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me Emrin e Shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit historik të Kosovës Rugova, Presidenti Amerikan Clinton shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

 
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 i hyrjes së NATO-s në Kosovë,  për Presidentin historik e kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ngjarje e vitit 2000 ishin zgjedhjet lokale të 28 Tetorit në Kosovë, ndërsa ngjarja që do ta shënojë vitin 2001 do të jetë mbajtja e zgjedhjeve nacionale presidenciale e parlamentare.

“Të mira, të mira…”, përsëriti disa herë Presidenti Rugova, derisa e pyeta të deklarojë për gazetën Rilindja se cilat janë parashikimet e tij, në prag të Vitit të Ri 2001, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Për njohjen e pavarësisë së Kosovës “e presim momentin më të mirë, momentin e duhur, në kohën e duhur”, theksoi Rugova duke shtuar se “vendi është, është vendi i duhur”.

Përgjigja u shoqërua me duartrokitje të gazetarëve të pranishëm dhe me urime, në një atmosferë të gëzuar të pritjes së organizuar në Rezidencën e Rugovës në prag të Vitit të Ri 2001 dhe të fillimit të Milenumit të Tretë.

Ndërsa, duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, Rugova tha: “Unë nuk i ndërroj fjalët shumë, por kur ndryshojnë gjërat i ndryshoj edhe fjalët. Jam duke punuar në ndryshimin e gjërave të mëdha, pra, si pavarësia, etj, që të njihen”.

Presidenti historik Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

 “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretarin Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të Dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Kjo ishte intervista e fundit ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga i cili  kam regjistruar edhe deklaratën e fundit  para përfundimit të vitit 2005.

Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, ritheksonte se pavarësia është e padiskutueshme, tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

Ibrahim Rugova u lind në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës, ndërsa u shua në 21 Janar 2006.

 “Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar në 21 Janar 2006, në mesditë.

 “Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

GAZETA RILINDJA E 27 JANARIT 2006: BOTA NDEROI PRESIDENTIN HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA

  Para 19 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës, Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, ka raportuar se, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit.

Gazeta Rilindja në botimin special, në kryelajmin lart krahas logos-emrit shkruante: 500.000 NJERËZ – MË SE 500.000 NJERËZ NËPËR RRUGËT DHE SHESHET E PRISHTINËS, NË SALLËN “1 TETORI”, TE VARREZAT E DËSHMORËVE E HERONJËVE TË KOMBIT NË LAGJEN VELANIA NË BREGUN E DIELLIT I SHPREHËN NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE PRESIDENTIT HISTORIK TË PAVARËSISË SË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA.

Kryetitulli i ballinës në gazetën Rilindja ishte BOTA NDEROI e nëntitulli NDERIMET MË TË LARTA KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE.

Në ballinën e gazetës Rilindja paralajmëroheshin tre intervista ekskluzive të gjata që ribotoheshin në faqet e brendshme, e që i kisha zhvilluar me Presidentin historik Ibrahim Rugova në kohën e lëvizjes e luftës së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe pas luftës në Kosovën e lirë: PRESIDENTI RUGOVA PARASHIKOI DHE KRIJOI TË ARDHMEN E KOSOVËS DHE TË SHQIPTARËVE. TRI INTERVISTA EKSKLUZIVE, E PARA PARA 12 VJETËVE.

Fotoja e vetme në ballinën e gazetës Rilindja ishte pamja nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, para Kuvendit e Qeverisë, ku tash është sheshi me emrin e shtatoren e Presidentit të parë e historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në atë pamje-fotografi, në plan të parë ishte një pano-bilbord-kornizë ngjyrë ari me portretin e Presidentit historik me Flamurin e Dardanisë në anën e djathtë, nën të cilën ishte shkruar: Dr. IBRAHIM RUGOVA President i Kosovës (1944 – 2006).

DR. IBRAHIM RUGOVA PRESIDENT HISTORIK I PAVARËSISË SË KOSOVËS PËRGJITHMONË, shkruante me shkronja të mëdha gazeta Rilindja nën fotografi dhe me këtë përmbyllej imazhi i faqes së parë.

KOMEMORACION NË RILINDJE – NDERIMET MË TË LARTA PËR PRESIDENTIN E PAVARËSISË, DR. IBRAHIM RUGOVA

Prishtinë, 24 janar 2006 /TN /QIK – Ndërmarrja Rilindja në një mbledhje komemorative ka shprehur sot nderimet më të larta për Presidentin e Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova.

Presidenti historik i Pavarësisë së Kosovës me penën, fjalën e veprën e tij madhore gjithmonë ishte dhe do të jetë në Rilindje, tha krytetari i Këshillit Drejtues e Kryeredaktori Behlul Jashari, duke përkujtuar se kishte nderin që Dr. Rugovës t’i dhuronte Pllakatin e Jubilet të 60 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, të shkruar me ar e argjend. Drejtori i Shtypshkronjës Vesel Makolli në fjalën e tij tha se Rilindja, shtypshkronja e saj, ishte botuesi më i madh i librave – veprës së madhe letrare të Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të Kosovës.

Të pranishmit e shumtë në koomemoracion i shprehën ngushëllimet më të thella e më të sinqerta familjes Rugova.

DISA NGA RAPORTIMET E MIA PËR AGJENCINË SHTETËRORE ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË NË JANAR 2006:

PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

KOSOVË, 15 DITË ZI KOMBËTARE PËR PRESIDENTIN RUGOVA
 

     PRISHTINË, 22 janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova ka shpallur 15 ditë zi kombëtare në Kosovë, duke filluar nga dita e hënë, 23 janar 2006, për nder të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 21 janar 2006. 
     Për katër ditë, prej të hënës deri të enjten, në datat 23-26 janar 2006, institucionet arsimore të të gjitha niveleve në Kosovë nuk do të zhvillojnë mësim. 
     Dita e varrimit të Presidentit Rugova, e enjte, më 26 janar 2006, do të jetë ditë kur nuk do të punohet në asnjë institucion. 
     Këshilli Organizativ i Varrimit të Presidentit Rugova njofton se homazhet publike fillojnë nesër, ditë e hënë, më 23 janar 2006, duke filluar nga ora 12:00, në Kuvendin e Kosovës.      
     Qytetarët do të mund të bëjnë homazhe deri në ora 18:00. 
     Në dy ditët e tjera, të martën dhe të mërkurën, orari për homazhe publike do të jetë prej orës 09:00 deri në ora 18:00. Homazhet bëhen edhe paraditën e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. 
     Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës,  Ibrahim Rugova. 
     Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibilotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Trupin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës./ a.jor. 

PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
     Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar. 
     “Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg. 
     “Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize. 
    Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
    “Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.
/klod/pas/

GEORGE W. BUSH: HUMBJA E RUGOVES NE KETE KOHE VENDIMTARE, TRAGJIKE

-Presidenti i SHBA i shkruan familjes së Rugovës dhe popullit të Kosovës-


     PRISHTINE, 23 Janar /ATSH Behlul Jashari/ – Zyra e Shtypit e SHBA-së në Prishtinë sapo ka shpërndarë për mediat letrën që Presidenti i SHBA-së George W. Bush i ka nisur  familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës. Në letrën e nisur nga Shtëpia e Bardhë shkruhet: “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova. Kryetari Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqë dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
     Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare. 
     Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Kryetarit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës”.

AEROPORTI I PRISHTINËS DO NDIHMOHET EDHE NGA PISTA TE TJERA FQINJE

     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Aeroportit të Prishtinës do t’i vijnë në ndihmë edhe disa aeroporte fqinjë, pasi ky i vetëm nuk mund t’i përballojë fluturimet e shumta speciale të delegacioneve që do marrin pjesë në  varrimin e Presidentit Ibrahim Rugova. 
     Zyrtarë të këtij aeroporti thanë sot (e hënë) se kanë shumë kërkesa për ulje dhe se për shkak të kapaciteteve të kufizuara, shumë fluturime do drejtohen për në aeroportin e Shkupit, në Maqedoni. Sipas të njëjtave burime, do shikohen mundësitë që për këtë qëllim të shfrytëzohet edhe një pistë tjetër uljeje afër Gjakovës.
 /pas/

KOSOVE, RRADHË TË GJATA QYTETARËSH PRESIN TË BËJNË HOMAZHE PRANË TRUPIT TË PAJETË TË  PRESIDENTIT RUGOVA 
 
     PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Shumë qytetarë kosovarë janë mbledhur sot (e Hënë) para Kuvendit të Kosovës, në pritje për t’i bërë homazhe Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.   
     Shumë prej tyre kanë ardhur nga e gjithë Kosova dhe hapësirat e tjera shqiptare dhe kanë mbushur sheshin Skënderbej dhe rrugën “Nënë Tereza” në Prishtinë.  Qindra qytetarë presin të nënshkruajnë Librat e Zisë, që janë vendosur në Bibliotekën Kombëtare e Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
     Kosova mban zi sot për Presidentin e saj, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën, në moshën 61 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
/s.s./lira/  

Filed Under: Histori

MASAKRAT SERBE NË KOSOVË SIPAS MEDIEVE NDËRKOMBËTARE (1998-1999)

January 18, 2025 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).

Teki Kurti/

Abstrakt

Mediet ndërkombëtare vënë në dukje se rebelimi i shqiptarëve të Kosovës filloi të mobilizohej në mbrojtje të etnisë së vet pas vitit 1988, vit kur presidenti i Serbisë Milosheviçi tërhoqi autonominë e Kosovës. 

Represioni serb filloi me pushimin nga puna të shqiptarëve në organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike, si dhe mësuesit e fëmijët shqiptarë u ndanë nga nxënësit dhe mësuesit serbë. 

Rezistenca paqësore e shqiptarëve të Kosovës ndaj masakrave të autoriteteve serbe nga viti 1989-1995 u shndërrua në vetëmbrojtje të armatosur, nga e cila më pas u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. 

Vitet 1998-1999 janë dhe vitet e krimeve masive të regjimit ushtarak serb mbi popullsinë e Kosovës.

Mizoritë e panumërta të kryera nga policia, grupet paraushtarake dhe ushtria kundër shqiptarëve krijoi valë të vazhdueshme refugjatësh, situatë që u bë e njohur në mbarë botën nga mediet ndërkombëtare. 

Mediet publikuan para opinionit botëror ofensivën masive të qeverisë serbe dhe jugosllave në Kosovë, e cila filloi katër ditë para se NATO-ja të niste bombardimin ndaj Serbisë me motivacionin për shpërngulje me forcë nga trojet e veta të më shumë se 850.000 shqiptarëve etnikë.

Sipas mediave ndërkombëtare masakrat serbe ndaj shqiptarëve kishin tri motive të qarta: 

Së pari, procesi i spastrimit etnik.

Së dyti, vrasja dhe asgjësimi i luftëtarëve të UÇK-së dhe atyre që i ndihmonin ata. 

Së treti, masakra për hakmarrje. Tregues domethënës është masakra e Reçakut ndaj grave, fëmijëve e burrave, të cilët i vranë e më pas u gjymtuan trupat. Ambasadori Ulliam Uoker atë kohë u shpreh: “Nuk ngurroj ta përshkruaj ngjarjen si masakër, krim kundër njerëzimit.”Fjalët çelës: masakrat, mediat ndërkombëtare, civilët shqiptarë, NATO, lufta.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vuri në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare në të gjithë Evropën, ashtu edhe në ShBA, duke aktivizuar forcat e NATO-s për të ndërhyrë për çlirimin e popullit kosovar. Mediet ndërkombëtare dhe kryesisht ato të vendeve demokratike kanë ndjekur me vëmendje dhe kanë shkruar për masakrat serbe në Kosovë që në mars-prill 1981, kur kërkesat e shqiptarëve për liri e të drejta demokratike, për marrjen e Statusit të Republikës u shtypën me dhunë policore e me tanket e dërguara nga Beogradi, gjë që shkaktoi gjakderdhje. Mediet nënvizojnë gjithashtu edhe faktin se, Beogradi me ushtri dhe tanke në vitin 1989, si dhe me amendamente antikushtetuese i reduktoi Kosovës edhe autonominë që i siguronte Kushtetuta e vitit 1974.

Mediet theksojnë se shqiptarët revoltën e tyre e shprehën në mënyrë paqësore me një referendum për Republikë të pavarur. Media franceze (Prespecitive Monde) vinte në dukje faktin se dhuna dhe gjenocidi serb kundër shqiptarët u bënë të padurueshme dhe në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Serbia reagoi duke intensifikuar ndërhyrjen e saj. Qindra mijëra shqiptarë marrin rrugën e mërgimit, dhuna arriti një kulm të ri”, theksonte ajo. 

Shtypi francez në faqet e tij të datës 30 mars 1998, duke cituar Muhamedin Kullashi-n, shkruan se: Beogradi ka refuzuar iniciativat e diplomatëve evropianë dhe amerikanë për hapjen e dialogut për çështjen e Kosovës dhe se përdorimi sistematik i represionit tregon që Milosheviçi nuk e ka braktisur projektin e spastrimit etnik. Shkrimi mbyllet me indinjatën që “si ka mundësi që të habitet dikush për zgjedhjen e rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës kur ky pitbull Milosheviçi edhe me kokën e prerë nuk e lëshon kockën e tij të përgjakur”. 

Edhe shtypi kanadez vlerëson se nuk duhet të ketë dyshim që problemi vjen nga Beogradi dhe çështjen e Kosovës e quan si “çështje ekskluzivisht serbe”. Pra kjo qasje e shtypit kanadez vjen si rezultat i mosnjohjes së historisë së zhvillimeve politike dhe problemit të çështjes së Kosovës.

Ndërsa disa medie të Greqisë në analizën që i bëjnë këtyre ngjarjeve, nënvizojnë se 24 marsi i vitit 1999 që lidhet me sulmet ajrore të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake serbe është “operacioni i parë ushtarak kundër një shteti sovran që erdhi si përgjigje ndaj një vale të re spastrimi etnik të nisur nga forcat serbe kundër shqiptarëve.”

Në kundërshtim me faktet historike artikullshkruesi e cilëson Kosovën me tone të njëanshme duke vlerësuar se “Rajoni i Kosovës ishte në mesjetë, zemra e Serbisë”. Pra, kjo referencë vjen si rezultat i ndikimit dhe miqësisë së hershme në mes të Serbisë dhe Greqisë.

Gjithashtu, shkrimi mundohet të justifikojë represionin serb ndaj shqiptarëve si kundërsulm ndaj aksioneve të UÇK-së, të cilët me blerjen e armëve nga Shqipëria shtuan sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë serbe. Shkrimi e vë theksin në vitin 1998, ku UÇK-ja nisi sulmet në gjithë hapësirën e Kosovës duke marrë kontrollin gati në gjysmën e saj. 

Kurse media kroate akuzon hapur Serbinë si shtet organizator i krimeve në Kosovë. Kështu për krimin monstruoz të 26 marsit 1999 të ndodhur në Suharekë ku u masakruan 48 persona, shkrimi akuzon Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Aty jepen të dhëna nga gjyqi i Hagës ku pranohet hapur se shqiptarët ishin civilë dhe nuk kanë qëlluar ndaj serbëve. Nga dëshmitë e të akuzuarve vihet në dukje se spastrimi etnik ishte krim i organizuar nga shteti. 

Disa medie ngrenë dyshime për numrin e viktimave të raportuara nga NATO-ja. 

Kështu, sipas “La Republica” italiane thuhet se, shifra njëmbëdhjetë mijë e deklaruar nga NATO-ja, mund të jetë mashtrim për të justifikuar luftën. Po sipas kësaj medie, mbështetur te vullnetarët e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, të cilët kanë grumbulluar dëshmi për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës, rezulton se: “forcat serbe kanë vepruar me synimin për t’i shpëtuar më pas një gjyqi ndërkombëtar. Kamuflonin uniformat e tyre, shpërndanin kufomat e të vrarëve.” Shkurt serbët u kujdesën për të fshehur krimet dhe përgjegjësitë. Forcat paramilitare u punësuan për reprezaljet më brutale: ku gjakoseshin trupa të gjymtuar të civilëve shqiptarë. Pra ky medium italian ngre alarmin se vetë shteti serb i ka përgatitur dhe paguar forcat paramilitare për të ushtruar dhunë e terror ndaj popullsisë shqiptare.

Media italiane jep të dhëna për 7000-8000 shqiptarë të masakruar e të zhdukur gjatë luftës. Po kjo medie ka konstatuar se Milosheviçi kishte marrë peng rreth 1800 shqiptarë, të cilët nuk i dorëzonte pasi frikësohej nga dëshmitë e tyre, pra nga ajo që ata dinin dhe kishin parë. 

Masakrat serbe në Kosovë, njoftojnë mediet, nuk kishin të sosur. Kështu mijëra shqiptarë u ndoqën përtej kufirit, djegia e shtëpive dhe dokumentet e identitetit kanë për t’i shkatërruar e për t’i shpërndarë, pra do të çrrënjoset një grup njerëzor që në jurisprundencë quhet gjenocid, konstatojnë mediet italiane. 

Media britanike kur trajton masakrat serbe në Kosovë fokusohet në shumë drejtime, por në detaje trajton masakrën e Reçakut, si një rast të veçantë që ofron mundësinë për të analizuar në thellësi ndikimin që ka raportimi i medieve mbi faktorët politikë, me peshë për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.

Duke iu referuar ambasadorit të misionit verifikues të OSBE-së, William Wolker-it, mediet nënvizojnë faktin se, ai, menjëherë pasi vizitoi vendin e masakrës, e quan masakrën “krim kundër njerëzimit”.

Media britanike ironizon dhe medien serbe që kontrollohet nga Beogradi, e cila kërkon që krime të tilla t’i propagandojë si rezultat i luftës së forcave të sigurisë dhe “terroristëve”, ndërsa gjymtimi i kufomave kishte të bënte me një komplot të ndërtuar nga UÇK-ja në përpjekje për të diskredituar Serbinë. 

Media britanike jep fakte rrëqethëse rreth masakrës së kryer nga grupi “Çakallët” në fshatin Qyshk në vitin 1999. Shkrimi nënvizon faktin se, serbët mblodhën banorët, fëmijë, gra dhe burra dhe pasi i ndanë meshkujt, i mbyllën në shtëpi, i qëlluan me armë dhe ua vunë zjarrin duke djegur trupat e tyre.

Për masakrën e Reçakut kanë shkruar edhe dhjetëra medie nga e gjithë bota demokratike, të cilat u referohen drejtpërdrejt korrespondentëve të BBC-së e të CNN-it në terren, të cilët vëzhguan nga afër këtë masakër çnjerëzore. 

Sipas korrespondentëve të CNN-it pas deklaratës shokuese të William Wolker-it, si ish- kreu i misionit monitorues, e cila i kushtoi shtrenjtë, Beogradi urdhëroi largimin e tij nga vendi, ndërsa i gjithë ekipi i OSBE-së ishte i shënjestruar e nën vëzhgim.

Pamjet që transmetuan mediet nga terreni tronditën gjithë opinionin botëror. CNN-i nënvizoi faktin se Presidenti i SHBA, Bill Clinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana dënuan vrasjet çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë. 

Britania kërkoi një takim të Grupit të Kontaktit gjashtë vendesh për Jugosllavinë, që të diskutonte masakrën e fundit të 45 shqiptarëve etnikë në provincën e Kosovës, duke iu referuar këtu CNN-it që publikon deklaratën zyrtare të Sekretarit të Jashtëm, Robin Cook.

Për masakrat serbe në Kosovë një rol të veçantë në informimin e opinionit botëror kanë luajtur edhe njoftimet e herëpashershme në medien online të Organizatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Ajo e informonte publikun mbi ndryshimet që ndodhnin në aparatin e sigurimit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, gjë që tregonte se Serbia po përgatitej për ofensivë. Ajo jep të dhëna për aksionet e policisë, ushtrisë dhe armatosjen e civilëve serbë etnikë. 

Media shkruan për aksionet përreth Vushtrrisë dhe Podujevës që filluan në fund të shkurtit dhe vazhduan gjatë marsit. Ajo vë në dukje se periudha e bombardimeve të NATO-s shënoi sulme të papara kundër civilëve dhe shpërnguljen me forcë të më shumë se 850.000 shqiptarëve etnikë nga Kosova. 

Shkrimi nënvizon faktin që luftimet u zhvendosën nga zonat fshatare në ato qytetare dhe se Slobodan Milosheviçi, duke përfituar nga bombardimet, mendoi të shtypte UÇK-në dhe bazat e tyre në popull si dhe të shpërngulte me forcë një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare të Kosovës. 

Media duke u mbështetur te të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), publikon shifra tronditëse, kur në harkun kohor prej tre javësh u shpërngulën nga Kosova 525 787 refugjatë, të cilët u vendosën në vendet fqinje. Në total shifra arriti 862 979 shqiptarë të larguar dhe mijëra të tjerë të zhvendosur brenda Kosovës. 

Informacioni jep të dhëna për masakrat e shumta ndaj civilëve sidomos në ato zona, të cilat ishin të njohura për lidhje e mbështetje të veçantë ndaj UÇK-së, si komunat e Gllogocit e Skënderajt në krahinën e Drenicës. Po ashtu flitet për vrasje masive, shpërngulje me forcë dhe shkatërrim pasurie për komunat jugperëndimore të Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës, si baza të UÇK-së. Komuna e Pejës dhe Lipjanit që kishin jo pak serbë ishin piketuar për shpërnguljen masive të shqiptarëve etnikë. Po ashtu shkrimi vazhdon të pasqyrojë edhe vrasjet e shumta në zonën e Sllovisë, Ribarit, Lubeniqit, Qyshkut dhe qytetit të Pejës.

Media nënvizon faktin që vrasjet ishin të mirëplanifikuara për të terrorizuar popullsinë që të largohej nga Kosova. Shkrimi trajton edhe faktin që në komunën e Istogut pati shpërngulje masive të shqiptarëve vendas drejt Malit të Zi, të nxitura nga djegia dhe grabitja e shtëpive të tyre. 

Në Istog ndodhi një ndër ngjarjet më të përgjakshme të luftës, ku forcat serbe vranë në maj të vitit 1999 më shumë se 90 shqiptarë etnikë të burgosur në Burgun e Dubravës. Qytete të mëdha u “spastruan” duke përdorur autobusë, trena dhe karvanë të gjatë traktorësh që u drejtoheshin kufijve. 

Human Rights Watch dokumentoi praktikën e njohur të “spastrimit të identitetit”: refugjatëve shpesh u merreshin dokumentet e identifikimit dhe u hiqnin targat e makinave e traktorëve para se të kalonin kufirin. 

Kështu, në këtë mënyrë serbët synonin të ndryshonin demografinë e Kosovës gjë që të çonte në ndarjen e Kosovës në dy pjesë, një për serbët dhe një për shqiptarët. Së dyti, serbët me shpërnguljen, mendonin të destabilizonin dy vendet fqinje Shqipërinë dhe Maqedoninë. Së treti, serbët synonin që të pengonin një sulm të NATO-s nga toka. 

Human Right Watch, duke analizuar vrasjet e civilëve, konkludon se ato kishin tre motive të qarta: 

  1 – Përshpejtimi i procesit të “spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe frikës; 

  2 – Eliminimi i UÇK-së. Udhëheqësve politikë, aktivistëve të të drejtave të njeriut, biznesmenë etj.

  3 – Vrasje për hakmarrje ndaj humbjeve që pësuan prej UÇK-së.

Në këtë luftë për liri të shqiptarëve etnikë bien në sy, që në njërën anë, ishte NATO-ja e shqiptarët, nga ana tjetër, serbët, dhe të paidentifikuar ndoshta për një periudhë, Rusia dhe Kina. 

Por, njëkohësisht nga vargu i informacioneve nga të katër anët, rezulton dhe një qendër tjetër lufte, ajo mediatike, e cila kishte dhe ka si synim të sundimin e opinionit publik ndërkombëtar. “Lufta mediatike bëhet me fjalë ose më mirë me interpretime dhe ‘vlerësime’ të fakteve që kanë ndodhur”.

Si përfundim, konkludojmë, që roli i medies ndërkombëtare ka qenë i jashtëzakonshëm në informimin e opinionit botëror rreth masakrave serbe ndaj popullsisë civile të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë kuadër konstatojmë se kishte edhe medie të njëanshme që nga mosnjohja ose për qëllime të caktuara ishin vënë në krah të demagogjisë dhe makinerisë vrastare serbe.

Mund të themi me bindje të plotë, që ishte media ajo që vuri në lëvizje organizatat më të fuqishme të botës, si OSBE-ë, Organizatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Sigurimit, të gjitha kancelaritë evropiane, e mbi të gjitha ShBA-ë, që udhëhoqën organizatën më të fuqishme politiko-ushtarake të botës, NATO-n në mbështetje të popullsisë së pambrojtur të Kosovës ku bashkë me UÇK-në dhe elitën kosovare, çliruan dhe themeluan ëndrrën e brezave të tërë, Republikën e Lirë të Kosovës.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT