• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA E SHKUARA TEK E ARDHMJA, DUHET TË KALOJË KULTURA INSTITUCIONALE E KUJTESËS

April 8, 2024 by s p

(Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të Eksodit të Bllacës në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”)

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Teksa shkruante për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, shkrimtari ynë Ismail Kadare e kishte kapur këtë moment nga një këndvështrim krejt të veçantë:
“Atë Kosovë, që e lanë si një të keqe, shqiptarët do ta mbushin përsëri me praninë e tyre, me djemtë dhe vajzat e bukura, me rrudhat e pleqve, me armatën e pathyeshme të foshnjeve e të fëmijëve, që do të përtërihen të gjitha, siç përtërihej jeta pas ikjes së mortajës…Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që iu ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre…”, shkruante Kadare.

Edhe ne sot, kur po kujtojmë golgotën e Bllacës, e cila ndodhi para një çerek shekulli, në fakt po i shpallim luftë harresës, duke risjellë në kujtesë ato ngjarje që i dhan dinamikë më të përshpejtuar procesit të çlirimit të Kosovës, por edhe e globalizuan solidaritetin njerëzor të botës demokratike, që erdhi si rezultat i një fushate ajrore kundër makinerisë vrastare të regjimit serb të Millosheviqit.

Pra ne nuk po e harrojmë të kaluarën e dhimbshme, por po e çmojmë më tepër të ardhmen, që duhet të jetë më e sigurt, më dinjitoze dhe, fundja, më e njerëzishme.

Sa herë që puna bie të organizojmë ndonjë homazh, si ky i sotmi, vazhdimisht më ka përcjellur një dilemë në formë të pyetjes: A mjafton ta freskojmë kujtesën vetëm me ngjarje e evente, nëse ato nuk legjitimohen sipas një kulture institucionale-shtetërore?

Në kujtim të kalvarit të gjatë të të dëbuarve  të ‘99-ës, që përfundoi në luginën e Bllacës,  para pesë viteve këtu ku jemi sot u vu gurthemelit i Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’. Kjo ngjarje pati bekimin e dy qeverive tona, të Kosovës dhe Maqedonisë, ku Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ishte ideator dhe kreator i kësaj nisme.

Pra ky ishte hapi i parë drejt legjitimimit të kujtesës në formë të kulturës institucionale, për çka Instituti ynë për çdo vit iu ka bërë oferta zyrtare institucioneve të Kosovës, përfshi edhe Kryeministrinë, Presidencën, që ky vend i quajtur Bllacë të ketë një trajtim më substancial, duke u nisur nga fakti se pikërisht këtu u ngjiz shtendërtimi i Kosovës , si rrjedhojë e vuajtjeve të njerëzve pas gjithë atyre ballafaqimeve jo të barabarta në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe soldateskes kriminale serbe të Millosheviaqit, por edhe si rrjedhojë e hakmarrjes ndaj shqiptarëve pas fillimit të bombardimeve mbi caqet militariste serbe. Ideja jonë ishte dhe mbetet, që Bllaca të shndërrohet në një vendpelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat. Me këtë ide i dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, por shprehim edhe një protestë dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë, ashtu siç po mundohet të bëjë aktualisht edhe politika zyrtare e Beogradit, e cila është tepër e shqetësuar pasi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë, në korrik të vitit 1995, me ç’rast forcat serbe  vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh. Pritet që gjenocidi serb të merr përgjigje të merituar edhe në Kombet e Bashkuara më 24 prill të këtij viti, andaj ky është edhe një moment reflektimi dhe mobilizimi institucional, me ndihmën edhe të diplomacisë së Shqipërisë, që edhe Kosova dhe shqiptarët të zëjnë vendin e merituar në  nivelet ndërkombëtare të ndëshkimit dhe penalizimit të Serbisë, ku ajo përfundimisht do të shpallej përgjegjëse dhe autore e shumë krimeve makabre që mbajnë vulën e gjenocidit në Kosovë. Do të doja që në 24 prillin  e vitit të ardhshëm në axhenëdn e OKB-së të përfshihet edhe një rezolutë e cila do të bënte përgjegjëse Serbinë për gjenocidin e kyrer në Kosovë.  

Prandaj, më vjen mirë që këtu në mesin tone sot ndodhet edhe drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili pëfaqëson zërin e qindra mijëra shqiptarëve fatkeq, të cilët në ato ditë të ftohta marsi e prilli- 1999 ishin të detyruar të braktisnin me dhunë shtëpitë e tyre. Ky ka qenë zatën edhe qëllimi final i regjimit të Millosheviqit, që në kuadër të projektit “Patkoi”, të realizojë ëndrrën shekullore serbomadhe për një Kosovë pa shqiptarë.

Shumë reporterë të huaj, por edhe vendorë, atëbotë Bllacën e kishin përshkruar si një vend ferri, ku vdekja ishte më afërt se këmisha e qullosur me djersë dhe gjak. Në skenën e quajtur Bllacë u luajt një tragjedi njerëzore,ndërkohë që regjisorët nga Beogradi komandonin fatin e qindra mijëra njerëzve, të cilët nga halli dhe zori ishin grumbulluar në kërkim të shpëtimti të jetëve.

Dhe ndodhi mrekullia. Gjithë ata lumej të rrëmbyeshëm të dëbuarish në Bllacë, për pak ditë u fashitën, sepse rrezet e ngrohta të solidaritetit triumfuan mbi retë e zeza të shfarosjes. U aktivizuan motrat dhe vëllezërit nga Maqedonia, të cilët ndihmën e tyre e dhanë përmes organizatave humanitare por edhe mbi baza individuale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të dështonte ideja e Gligorovit mbi korridorin që parashihte transferimin e shqiptarëve në vendet e treta pa i lënë ata të shkelin në tokën e Maqedonisë. “Korridori” i Gligorovit ishte menduar si zgjatim i planit “Patkoi” të Millosheviqit, në mënyrë që ideja ogurzeze për spastrimin etnik të trojeve shqiptare të zhvillohej papengueshëm. Por, ja që vetë shqiptarët e Maqedonisë, me bujarinë dhe mikpritjene tyre vëllazërore u bënë pengues të këtyre ideve fashizoide dhe për rrjedhojë Kosova pas 12 qershorit të vitit 1999 u rimbush sërish me shqiptarë, duke iu dhënë goditjen përfundimtare projekteve gjenicidale serbe.

Në përmbyllje të fjalës  sime sot,  do të doja të rikujtoj edhe një herë që Kosova duhet të përgatitet në mënyrë të gjithanshme që një ditë, kur t’i plotësojë të gjitha kushtet, ta parashtrojë padinë e saj pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit në Kosovë. Bllaca, si vend ku gjenocidi serb la gjurmët e veta të pashlyera, mund të shërbejë si pikënisje dhe pikë orientimi i kësaj padie, por edhe gurthemel i një tradite shtetërore për të mos harruar tullat e vuajteve që u bënë kala e shtetit të Kosovës.

Bllacë, 08. 04. 2024

Filed Under: Histori

Pa Dedë Gjo Lulin, s’do ta kishim as Vlorën e vitit 1912-të

April 7, 2024 by s p

Mehmet PRISHTINA/

Shqiptarët duke e parë situatën e rënduar nën sundimin osman dhe lëvizjet politike brenda oborrit të Portës së lartë, krerët shqiptar u rreshtuan krah forcave kryengritëse në revolucionin xhon turk. Ky rreshtim ishte edhe si pasojë e premtimeve të kësaj lëvizje për autonominë e Shqipërisë.

Levizja shqiptare, qysh në fillim të ardhjes në pushtet të xhon turqve u tradhetua dhe si rrjedhojë prijësit tanë u organizuan dhe shpërthyen kryengritjen në Vilajetin e Kosovës më 1910. Kjo kryengritje e popullit tonë u futi frikën pushtuesve turq dhe ata e shtypen atë duke kryer masakra dhe mizori të paparë mbi kombin tonë.

Më 1911, malësorët të prirë nga patrioti Dedë Gjo Luli, ngritën flamurin kombëtar në Deqiq, duke filluar kështu kryengritjen antiosmane për liri dhe pavarësi të trojeve shqiptare.

Dedë Gjo Luli, si një burrë i urtë e largapamës, pas ngritjes së flamurit, i dha patriotit e dijetarit Hasan Prishtina flakadanin prijës për ideimin dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar. Kjo rezultoi me kryengritjen e madhe mbarëkombëtare që çoi deri në çlirimin e Vilajetit të Kosovës deri në Shkup, në gusht të vitit 1912 me kryngritje të tilla!

Pa Deqiqin e malsorëve të Dedë Gjo Lulit, të vitit 1911, pa çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912 dhe Kuvendit të Shkupit, të datës 14 retor të vitit 1912, ku Hasan Prishtina kalon nga kërkesa për autonomi, në kërkesën për pavarësinë e plotë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 28 nentorit 1912.

Vëllezër e motra të të gjitha viseve shqiptare, të dashur vëllezër malesorë, sot jemi në një situatë ndryshe, lufta jonë po vazhdon, por në tjera kushte dhe rrethana politike e organizative. Populli ynë tani është më i fuqishëm se asnjëherë, andaj tani është koha që të rikthejmë pikat politike të Hasan Prishtinës për shqiptarët, pika këto që u përkrahën nga të gjithë patriotët e kohës, edhe nga malesorët e Dedë Gjo Lulit e deri te komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Urime shqiptarë kjo dotë e shënuar në histori me shkrinja të arta dhe I perjetshem qoft kujtimi për Ded Gjo Lulin nga Bardhaj i Tuzit.

Filed Under: Histori

ZBULOHET KARTËVIZITA E ISMAIL QEMALIT

April 6, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Kjo kartëvizitë e Ismail Qemalit shfaqet për herë të parë për publikun. Ajo ruhet në arkivin e familjes “Vlora”. Prandaj, shfrytëzoj rastin për të falënderuar z. Darling Vlora, stërnipin e Ismail Qemalit, për vendosjen e saj në dispozicion. Ajo i përket periudhës 1908-1912, kur Ismail Qemali shërbeu si deputet i Vlorës në parlamentin otoman. Në kartëvizitë shkruhet qartë, shkurt dhe thjesht: Ismail Qemal Bej, deputet i Vlorës…

Me triumfin e Revolucionit Xhonturk u rivendos Kushtetuta, u rikthye parlamenti dhe pluralizmi politik në jetën politike otomane. Në zgjedhjet parlamentare të nëntorit të vitit 1908, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Vlorës. Ishte nëntori i vitit 1908, kur Ismail Qemali arriti në Stamboll si deputet i Vlorës dhe i Beratit, por faktikisht ai ishte përfaqësues i të gjithë Shqipërisë. Turqit e Rinj kishin fituar pushtet dhe ndikim të madh. Ata bënë çmos për ta penguar ardhjen e Ismail Qemalit e për të mos pasur ndonjë pritje me karakter zyrtar ndaj tij. Megjithatë, pritja nga ana e kolonisë shqiptare dhe miqve të tij ishte e shkëlqyer. Një varg i gjatë njerëzish e pritën dhe e shoqëruan Ismail Qemalin nën tingujt e bandës muzikore deri te Klubi i Shqiptarëve, ku u mbajtën disa fjalime patriotike. 

Të nesërmen Kryeministri (Veziri i Madh), Qamil Pasha, i kërkoi takim Ismail Qemalit. Qamil Pasha i propozoi Ismail Qemalit që të bënte pjesë në qeverinë e tij, dhe të merrte postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Ismail Qemali e pranoi në parim postin, por kishte dëshirën që para se të bëhej një ndryshim i tillë dhe për të përforcuar pozitën e Vezirit të Madh, të bëhej një votim në parlament për politikën që ai donte të ndiqte…

Kur parlamenti turk u mblodh më 17 dhjetor 1908, ai kishte 26 deputetë që vinin nga katër vilajetet shqiptare dhe që përbënin grupimin e tretë më të madh etnik në parlamentin osman. Pas fitores së Revolucionit Xhonturk, lufta politike për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar do të mbartej edhe në parlamentin osman. Dy rrymat kryesore që ishin shfaqur te Turqit e Rinj në azil, nacionalistët turq dhe liberalët osmanë, po rishfaqeshin tani edhe në Parlamentin Osman. Nga njëra anë ishin liberalët, që favorizonin njëfarë decentralizimi dhe të drejta autonomie për minoritet kombëtare dhe fetare, nga ana tjetër, ishin nacionalistët, që kërkonin ta forconin më tepër autoritetin qendror dhe sundimin e turqve. Shumica e deputetëve shqiptarë i përkisnin grupit të parë. Me ata u bashkuan edhe disa deputetë të tjerë, kryesisht të krishterë. Në këtë mënyrë ata formuan Partinë Liberale (Ahrar), nën lidershipin e Ismail Qemal Vlorës, e cila i përkiste opozitës parlamentare. 

Ai ishte lideri i opozitës liberale multietnike në parlamentin osman. Ai do të vijonte deri në vitin 1912, betejën e tij parlamentare për reforma administrative decentralizuese, me qëllim njohjen e autonomisë rajonale dhe të drejtave etnike për popujt e ndryshëm në perandori. Ismail Qemali e shpalosi shkëlqyeshëm platformën partiake në një intervistë për gazetën londineze “Pall Mall”, në janar 1909. Ai deklaroi se, shpëtimi i vetëm për Turqinë, është garantimi i lirive të plota. Turqit, grekët, sllavët, armenët, shqiptarët, arabët dhe të gjithë popujt e tjerë të Perandorisë duhet të qëndrojnë të barabartë. Pretendimi se turqit duhet të zënë vendin e parë është një “broçkull”. Ismail Qemali kërkonte që Turqit e Rinj të dilnin hapur dhe të hiqnin dorë nga sekretet, maskat dhe takimet në mes të natës. Ismail Qemali kërkonte që ushtria, marina dhe administrata civile të ishin të hapur për të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet, dhe ata që ishin më të aftët duhet të zinin vendet më të mira. Gjatë ditëve të para të  mbledhjes së parlamentit, si doyen-i i politikanëve osmanë, Ismail Qemali kreu detyrën e kryetarit të parlamentit.

Patrioti Jani Vruho e përshkruan kështu aktivitetin e Ismail Qemalit në parlamentin osman: “Koha po na tregon zotrinë e tij, zotin Ismail Qemal Vlorën nga më të mirët e të gjithë deputetëve shqiptarë! Populli Shqiptar ka borç i tërë anë e mbanë t’i jap votën e tij këtij burri, i cili u rrëfye kaq trim e guxonjës, duke i mburrur të drejtat e tërë Shqipërisë”.

Qëndresa e Ismail Qemalit ndaj xhonturqve, të cilët arritën deri tek sulmi fizik ndaj tij në parlamentin osman, u lartësua edhe nga shtypi ndërkombëtar. Shtypi përdori ndaj Ismail Qemalit epitete si, “shqiptari zemërluan”, “trimi dhe i larti burrë shqiptarë”. Gazeta londineze Daily Telegraf, do të shkruante se në parlament: “Zëri i Ismail Qemal Beut ka rëndësinë e 100 zërave”. Ndërsa gazeta “Albania”, theksonte se, Ismail Qemali tregoi kurajë morale dhe e nderoi emrin e shqiptarit kudo në botë.

Filed Under: Histori

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1933) / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “JA SI PO BORGJEZOHET SHQIPËRIA”

April 6, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të hënën e 9 janarit 1933, në faqen n°12, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth borgjezimit (zhvillimit) asokohe të Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria po borgjezohet

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 9 janar 1933, faqe n°12
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 9 janar 1933, faqe n°12

Është zakon që udhëtarët dhe shkrimtarët t’i referohen Shqipërisë si toka që kaloi me një kërcim nga mesjeta në shekullin e njëzetë në çështjen e transportit; për shembull, nga gomerët e grumbulluar te aeroplanët. Por ndryshimi i shpejtë në jetën shoqërore dhe politike të Shqipërisë është akoma më interesant.

Shqipëria është e mbushur me rrënoja fortesash. Ato janë simbole të organizimit të saj shoqëror të së kaluarës – ose mungesës së tij. Pronarët e tokave, shumë prej të cilëve ishin bejlerë dhe disa pashallarë, dominonin vendin, secili zot i mbretërisë së tij të vogël ose më të madhe. Masa e popullit u shërbente atyre si bujkrobër.

Rezultati ishte varfëria e tmerrshme, analfabetizmi i plotë, padrejtësia e madhe dhe kaosi i përgjithshëm. Nuk kishte rrugë të mira dhe pak ura të klasit të parë. Asnjë qytet modern, një mungesë e plotë e akomodimeve në hotele, pa kulturë popullore dhe pak siguri.

Në atë kohë nuk ekzistonte ndërgjegjja kombëtare shqiptare, por në fillim të shekullit të sotëm pati shenja zgjimi. Kur krerët e kësaj lëvizjeje të re nisën një kryqëzatë për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, panë se bejlerët përbënin një pengesë pothuajse të pakapërcyeshme.

Kishte dy mënyra historike për të kapërcyer kundërshtimin e tyre : njëra ishte që një princ të vinte nga jashtë dhe të zbatonte rendin në Shqipëri me ndihmën e huaj, dhe tjetra ishte që një nga krerët vendas të fitonte epërsi mbi të gjithë rivalët e tij. Të dyja mënyrat u provuan dhe një kombinim i të dyjave pati sukses. Një udhëheqës vendas, i riu, i vrullshëm dhe i aftë Ahmet Zogu, pas shumë revolucioneve dhe shumë mundi, iu imponua Shqipërisë me ndihmën jugosllave dhe italiane dhe u bë Mbret me emrin Zogu i Parë.

Njerëzit e rëndësishëm tani janë organizatorët, oficerët, shefat inteligjentë të departamenteve, shefat e policisë, sipërmarrësit mendjemprehtë, burokratët dominues. Mbreti Zog mbështetet me zjarr nga një grup i ri njerëzish të arsimuar dhe të punësuar.

Këta burra kanë formuar një këndvështrim krejtësisht të ri në Shqipëri. Ata janë për ligjin, stabilitetin, komunikimin e sigurt, policët kompetentë, gjyqtarët e drejtë dhe një ushtri të fortë. Ata do të shkatërroheshin plotësisht nga revolucionet dhe rikthimi i dominimit të baronëve (bejlerëve) të vjetër të tokës.

Shqipëria është borgjezuar patjetër. Për rrjedhojë, kundërshtimi ndaj Mbretit Zog është zhdukur në masë të madhe. Prosperiteti i gjithë inteligjencës shqiptare varet nga ai ose nga dikush tamam si ai. Ai ka inauguruar një sistem që për shumicën e shqiptarëve të arsimuar është i mirë. Atyre iu pëlqen. Sepse do të thotë një rrogë mujore, rroba të bukura, një shtëpi dhe tokë, pak kulturë dhe një vend në botë. Këta liderë borgjezë mund të luftojnë mjaft ashpër mes tyre për kontratat, koncesionet dhe punët më të mira, por secili prej tyre mbetet për Mbretin dhe sistemin e tij.

Kjo do të thotë, për shumë vëzhgues politikë, se ushtria, e cila është shumë aktive, do të bëhet një forcë e madhe politike dhe shoqërore; se do t’i akordohet një vend i lartë në rendin shoqëror dhe se ndoshta do të zhvillohet një burokraci e ngurtë. Ndoshta me kalimin e kohës do të lindë një oligarki.

Por pikërisht tani Shqipëria e gjen veten në atë fazën e parë të lezetshme ku jakat e bardha dhe kostumet formale kanë përparësi ndaj kostumeve tradicionale të bejlerëve dhe ku rrugët e drejta, orkestrat, tualetet dhe llogaritë bankare preferohen në vend të pyjeve dhe luginave të mbushura me bujkrobër. Sistemi borgjez përfaqëson një përmirësim të konsiderueshëm ndaj feudalizmit dhe Shqipëria duket se ka interes të ndjekë rrugën që ka marrë ose po ndjek secili nga fqinjët e saj perëndimorë.

R. H. M. (Reuben Henry Markham)

Filed Under: Histori

25-vjetori i Betejës së Koshares

April 4, 2024 by s p

Glauk Konjufca/

Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Koshares është një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirim nga Serbia. Ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, Beteja e Koshares ia dha namin UÇK-së si një ushtri që ishte e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbo-jugosllave, duke e bërë atë tashmë të paaftë të garantojë kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj, jemi mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së e për të nderuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e saj, në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138.

Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare.

Në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, Beteja e Koshares do të vlerësohet së paku për tri aspekte të veçanta të saj:

E para, kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së, përveç se po ashtu edhe betejën më të përgjakshme me 111 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë që ishin në front dhe në luftë të drejtpërdrejtë kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Kjo betejë mund të themi që ia ndërroi fizionominë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ushtri që tashmë ishte e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Pra, Beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta të një beteje të lavdishme, e realizuar edhe si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK-ja.

E dyta, kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithëpërfshirje të trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën tonë. Kjo e bën këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës. Sepse, në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria!

E treta, Beteja e Koshares është një nga betejat më historike të UÇK-së për faktin që ajo u zhvillua edhe si një operacion krah për krah me aleancën më të fuqishme demokratike të botës, me NATO-n, për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar.

Kjo seancë po zhvillohet pra sot, pikërisht në 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Pra, Beteja e Koshares është një betejë edhe me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë e luftuan, por edhe ranë dëshmorë edhe tre të huaj, por sepse kjo betejë ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve, e po ashtu ia dha goditjen finale Jugosllavisë e Serbisë.

Shënimi i 25-vjetorit të Betejës së Koshares në Kuvendin e Republikës është po ashtu një moment i rëndësishëm i kujtesës dhe reflektimit se rruga jonë për pavarësi e shtetësi është para së gjithash rezultat i sakrificës së popullit e të heroizmit të luftëtarëve e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e heronjve të Betejës së Koshares!

Lavdi heroit Agim Ramadani!

Lavdi Luftës Çlirimtare të UÇK-së!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT