• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rezistenca në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas këndvështrimit të shtypit anglo-amerikan, në gjuhën shqipe

December 20, 2024 by s p

Prof. asoc. dr. Teki Kurti/

Drejtor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura

Në fondin arkivor të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare pranë Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjendet gazeta “Mundimi”, e cila kishte karakterin e një buletini lufte. Nëpërmjet saj, opinioni publik informohej për rezultatet e ushtrive aleate antifashiste kundrejt ushtrive armike të Boshtit. Gazeta përmbante  një rubrikë të veçantë ku pasqyrohej “Lufta në Shqipëri”.

Gazeta “Mundimi” botohej në Bari të Italisë nën kujdesin e Shtabit Aleat të Mesdheut, i cili, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, drejtonte e bashkërendonte veprimet luftarake kundër pushtuesve gjermanë e aleatëve të tyre në zonën e Mesdheut dhe komandohej nga Gjenerali Henry Meitland Wilson. Kjo gazetë botohej dhe shpërndahej në hapësirën shqiptare nëpërmjet ajrit nga forcat ajrore britanike dhe amerikane. Botimi i saj ka filluar nga muaji mars i vitit 1944 deri në prill 1945 dhe ka pasqyruar të gjithë aktivitetin e formacioneve ushtarake dhe rezistencën e tyre gjatë LDB. Në të botoheshin artikuj mbi luftën që zhvillonte “Ushtria e Kuqe” ndërsa në rubrikën “Lufta në Shqipëri” pasqyronte veprimet luftarake të njësive dhe formacioneve të batalioneve, divizioneve e korparmatave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe njihte opinionin shqiptar mbi këtë  luftë. Ai jep të dhëna mbi aksionet e betejat e zhvilluara në Shqipëri, ndërsa nëpërmjet reporterëve nga terreni jepte informacione të plota mbi Frontin Nacionalçlirimtar dhe ushtrinë e fortë në disiplinë e sakrifica të pashembullta, që luftoi dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë hitleriane deri në çlirimin e plotë të vendit, duke i ndjekur ato edhe jashtë kufijve politikë.

Në krye të herës,  duhet të sqarohet se, në fondin arkivor të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare pranë Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, midis shumë materialeve të dokumentuara, që i përkasin këtij fondi, gjendet edhe gazeta “Mundimi”, e cila kishte karakterin e një buletini lufte. Nëpërmjet saj, opinioni publik shqiptar por edhe europian, informohej për rezultatet e veprimtarive luftarake të ushtrive aleate antifashiste (koalicioni anglo-sovjetik-amerikan) kundër ushtrive armike të Boshtit. Gazeta përmbante  një rubrikë të veçantë ku pasqyrohej “Lufta në Shqipëri”.

Gazeta “Mundimi” botohej në Bari të Italisë, nën kujdesin e Shtabit Aleat të Mesdheut (anglo-amerikan), i cili në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, drejtonte e bashkërendonte veprimet luftarake kundër pushtuesve gjermanë e aleatëve të tyre në zonën e Mesdheut dhe komandohej nga Gjenerali Sir Henri Maitland Uillson (Willson).

Kjo gazetë botohej dhe shpërndahej në hapësirën shqiptare nëpërmjet ajrit, nga vetë forcat ajrore britanike dhe amerikane (RAF dhe USAAF). Botimi i saj ka filluar nga muaji mars i vitit 1944 dhe ka vijuar deri në prill 1945, në rreth 44 numra. Për vetë mënyrën e shpërndarjes së kësaj gazete, numrat nuk janë të plotë as në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura, në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe as në Arkivin Qendror të Shtetit. Në këto kushte, duke mbledhur me kujdes edhe numrat e gjetur pranë institucioneve të tjerë, në vitin 2012, në kuadër të botimeve “Përmbledhje dokumentesh”, në Buletinin Arkivor Ushtarak, organ tekniko-arkivor i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, u pasqyruan dhe artikujt e gazetës “Mundimi”, të skanuar. Ky buletin është shpërndarë nëpër të gjithë institucionet kërkimore e shkencore, në Shqipëri dhe Kosovë.  Qëllimi ka qënë shfrytëzimi i saj në ndihmë të ndriçimit sa më shumë të jetë e mundur të një periudhe të sakrificave dhe luftës së jashtëzakonshme të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore përmes shtypit të vetë aleatëve anglo-amerikanë.

    Për shkak të vetë zhvillimeve që ndodhën në pikëpamje politike ideologjike e gjeostrategjike  ndërkombëtare   pas vitit 1946-1947, Shqipëria u gjend krah Bllokut Socialist Lindor. Në këto kushte, çlirimi i vendit lidhej me sakrificat e popullit shqiptar nën udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha, të frymëzuar nga tradita shekullore liridashëse e popullit shqiptar, si dhe lufta e popujve të Bashkimit Sovjetik, një prej aleatëve të Koalicionit të madh Antifashist Botëror në Luftën e Dytë Botërore, 1939-1945.

Në rrjedhën e viteve dhe për shkak të dallimeve e poziconimit Lindje-Perëndim, në periudhën e të ashtuquajturës era e “Luftës së Ftohtë” 1945-1990, u minimizua e u fashit, aq sa gati u fshi e harrua.  Ndihmesa e çmuar e aleatëve anglo- amerikanë në Shqipëri gjatë viteve 1943-1944,  e zhvilluar në kuadër të Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945, u zbeh dhe u shtrembërua. Për rrjedhojë, u vështirësua puna nëpër arkivat shqiptare me dokumentet apo botimet që hidhnin dritë mbi bashkëpunimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare partizane gjatë luftës me misionet ushtarake britanike dhe forcat ajrore anglo-amerikane.

Vetëm aty nga viti 1982, një ndër drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste në Shqipëri, Hoxha në botimin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” (Kujtime)  përmend gazetën “Mundimi” të Barit, të cilën e quante “fletushka”, e cila botohej në gjuhën shqipe dhe sipas tij “bënte propagandë duke shtrembëruar faktet dhe ngjarjet në interes të tyre”.

Në këtë kumtesë  synohet të evidentohet Lufta e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në këndvështrimin anglo-amerikan nëpërmjet faqeve të gazetës “Mundimi”, për periudhën mars-nëntor 1944.

Që në numrat e parë të kësaj gazete bie në sy nisma për informimin e opinionit shqiptar mbi luftën që zhvillonte “Ushtria e Kuqe”, e cila kishte filluar sulmin kundër pushtuesve gjermanë në një front prej 800 km, front që shtrihej nga Polonia deri në Shtratin e Jugut të lumit të  Dnieprit. Ajo gjithashtu njoftonte se: “Prej 21 janarit e deri më 2-të Marsit të këtij vjeti Aleatët kanë hudhë 36.000 tonelata bomba mbi Gjermaninë veç atyre 10.000 tonelatave që janë hedhur mbi shenjat gjermane në tokat e okupueme prej saj”. Në këtë shkrim arrihej në përfundimin se Gjermanisë,  po i afrohej fundi dhe Evropa do të ishte e lirë.  Gjithashtu, i bënte thirrje shqiptarëve që të bashkoheshin për paqe dhe liri e të ishin gati ditën kur do të mbaronte lufta.

Në një shkrim tjetër të këtij numri, me titull “Të mendojmë kjartë” satirizohet Anton Arapi, njeriu i veshur me petkun e fesë, duke e pyetur “Kur, Gjermania e ka ndihmue ndonjë herë Shqipërinë dhe në ç’rast? Në Kongresin e Berlinit, apo në vjetin 1939 që ndihmoi Musolinin, i cili okupoi Shqipërinë”. Gazeta vinte në dukje  aktivizimin  e tij në Radio Tirana, që ishte vegël e ushtrisë gjermane dhe kishte akuzuar shqiptarët që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre kundra armikut. Ekzistenca e Shqipërisë, theksohet në shkrim, sot varet prej Aleatëve që ditë për ditë po shkatërrojnë okupatorin e shteteve të Europës dhe Gjermania mund të humbasë ekzistencën e saj. Indipendenca nuk falet, por fitohet me luftën kundra armikut, përfundonte shkrimi.

Duke shkruar për luftën, “Mundimi” nënvizonte rëndësinë e saj në  prurjen e një ndryshimi të madh në strukturën shoqërore. Kështu, në shkrimin “Grueja Shqiptare”, theksohet fakti që ashtu si në Rusi e në Angli, “gratë ishin pilote e punonin krah për krah me burrat në industrinë e rëndë ushtarake, ashtu edhe në një vend të vogël si Shqipëria, gruaja shqiptare me gjithë papërgatitjet e saj, ka arrit me e ndihmue lëvizjen kombëtare gati po n’atë shkallë të burrave”. Gazeta theksonte që, kjo ishte e rëndësishme, pasi evidentonte se Shqipëria pas kësaj lufte nuk ishte vetëm e burrave, por ishin edhe gratë shqiptare që në luftën me armë po i dilnin zot, asaj. Shkrimi nuk jep emra të heroizmave të grave pasi mendonte se nuk duhet t’i jepej informacion armikut. Shkrimi arrinte në përfundimin se, gruaja shqiptare me heroizmat e saj ka vënë gurthemelin e parë në Shqipërinë e ardhme e të lirë.

Gazeta “Mundimi” e datës 18 mars 1944, ilustronte me foto, luftime nga fronti i  Ukrainës, të kryera nga aviacioni dhe anijet britanike, nga zbarkimi aleat në Itali dhe foto nga fabrikat amerikane që po prodhonin bombardues katërmotorësh të tipit “Liberator”. Ndërsa kjo gazetë njësitë e Ushtrisë Partizane Vullnetare Shqiptare, në shkrimet e saj, i emëronte “Fuqitë Patriote Shqiptare”.

Duke ndjekur dhe trajtuar situatën e luftës në Shqipëri kundra pushtuesve gjermanë, “Mundimi” në numrin e  datës 24 mars 1944,  e njeh opinionin me veprimet e aksionet luftarake të Brigadës së Katërt dhe të Brigadës së Parë sulmuese të UNÇSH. Ndër të tjera, ajo shkruan se, “Brigada e Katër ka pushtue një pjesë të madhe të rretheve të Mokrës në jug të nënprefekturës së Pogradecit, ku gjenden minierat e kromit. Fuqitë shqiptare janë tu kërcënue garnizonin Gjerman në Pogradec. Brigada e Parë ka kapërcye rrugën Elbasan-Manastir duke vepruar në VP të liqenit të Ohrit”. Më tej, në shkrim vijonte të jepej informacion mbi manovrat dhe përqendrimet e forcave partizane si dhe atyre bashkëpunuese me pushtetin fashist, si dhe veprimet luftarake të tyre si: “Në jug të Shqipërisë, Fuqitë Patriotike kanë rënë në përpjekje me Regjimentin Gjerman 274 Jaeger dhe kanë pushtuar nënprefekturën e Konispolit. Ndwrkohw rreth 4.000 kuislingë kanë mbërritur në Vlorë për me luftue kundra Ushtrisë Nacionalçlirimtare”.

Gazeta “Mundimi”, me shkrimet e saj dilte në përfundimin se, me afrimin e verës luftëtarët shqiptarë  e kishin shtuar veprimtarinë kundra gjermanëve. Në analizën e saj, edhe pse përdor termin Fuqitë Patriotike Shqiptare, gazeta është përpjekur të bëjë me dije opinionin shqiptar, por dhe atë zyrtar, se një pjesë e mirë e shkrimeve, merreshin nga radiogramet e misionarëve britanikë, drejtpërdrejtë nga terreni, që ua dërgonin eprorëve të tyre të qendrës në Bari të Italisë. Radiogrami i botuar në këtë shkrim, përfundonte se “Të gjithë këto lëvizje i detyrohen organizimit të shkëlqyeshëm të Brigadave Nacionalçlirimtare. Fuqia e këtyre patriotëve buron nga energjia, disiplina dhe nga kjartësia e qëllimit të tyre, cilësina këto, që u mungojnë kundërshtarëve të tyre”.

Kurse, në fund të muajit mars,  në një shkrim tjetër të tij  “Mundimi”  arrinte  në përfundimin se, me gjithë motin e keq dhe masat e ashpra të gjermanëve, patriotët nacionalçlirimtarë, kishin vazhduar sulmet e tyre kundra gjermanëve duke i shkaktuar armikut humbje dhe dëme të mëdha.

Po në të njëjtin numër të “Mundimit”, opinioni njoftohej për atentatin e kryer ndaj Xhaferr Deva, anëtar i Qeverisë Kolaboracioniste të Tiranës dhe se gjermanët, për  hakmarrje, kanë vrarë 80 vetë në Tiranë dhe kufomat e tyre i lanë 3 ditë në rrugët e qytetit.

 Duke përkujtuar 7 prillin e vitit 1939, si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste “Mundimi” pasqyronte qëndresën shqiptare, të udhëhequr prej Abaz Kupit. Kurse në ditën që Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë, kuislingët si Aziz Biçaku, Halit Alia, Ismail Golemi, Nuri Dino dhe të tjerë, nuk munguan të shkruajnë emrat e tyre në listat e tradhtarëve, shkruante “Mundimi”. Më poshtë, në këtë shkrim, jepeshin emrat e luftëtarëve të lirisë si Petrit Dume, Haxhi Lleshi, Kosta Peshtani, Mehmet Shehu, Halim Xhelo, Mustafa Gjinishi të cilët, “ndër male ndjekin gjurmët e flakësueme të shek.15-të nga Skëndërbeu i pavdekshëm”.

Gazeta e datës  20 prill pasqyronte betejën e ashpër që është  zhvilluar  në Dardhë të Korçës. Në të tregohej për “katër kolona gjermane bashkë me nja 650 mercenarë, që u hodhën kundra batalioneve të parë dhe të tretë të Brigadës së Katërt, të përkrahun nga Batalioni i Devollit, ndënë komandën e Nexhip Vinçanit”. Shkrimi evokon luftën dhe sulmet partizane mbi nazistët, ku vetëm gjermanë u vranë 32 veta dhe u mor plaçkë lufte, 4 mortaja, bomba, një top mali, 5 mitraloza, 30 mushka dhe 30 000 paketa me fishekë.

 Gazeta “Mundimi”, në vazhdim, demaskon Xhaferr Devën si agjent i Gestapo-s dhe nëpërmjet fjalës së komandantit të Përgjithshëm të Fuqive Aleate në Mesdhe, gjeneral Maitland Uillson (Wilson) u bën thirrje shqiptarëve për bashkim dhe rezistencë ndaj gjermanëve dhe bashkëpunim me Kombet e Bashkuara se vetëm kështu do të fitohej vendi që shqiptarëve “ju takon në tryezën e Këshillit të Kombeve Ngadhnjimtarë”. Po ashtu, ajo njoftonte se gjatë muajit prill, aviacioni ajror britanik (RAF) ka shkatërruar më tepër se 100 automjete gjermane në Shqipëri, shumica e të cilave ishin me ushtarë. Kështu, ajo dilte në konkluzionin se, britanikët po mbështetnin drejtpërdrejtë luftën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare kundra pushtueve gjermanë.

Ndërsa, më 4 maj 1944, “Mundimi” jepte lajmin për shqiptarët, se pjesa më e madhe e Shqipërisë Juglindore ishte çliruar nga partizanët. Ajo vlerësonte heroizmat e Brigadës së Katërt dhe të Parë partizane, duke informuar mbi bashkëpunimin ushtarak të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të aviacionit aleat britanik kundër pushtuesve gjermanë. “Mundimi” në numrin e 25 majit shkruante  për bashkëpunimin e Brigadës së Pestë dhe të Gjashtë Partizane me aleatët për shkatërrimin e komunikatave* gjermane në Ballkan. Komunikata shkruante edhe për çlirimin e Përmetit e të Tepelenës nga  partizanët. Gjithashtu, shkrimi vinte në dukje rolin patriotik të Baba Fejzës së Bektashinjve, i shquar në gjirin e Brigadës së Shtatë. Për këtë shkak, Teqeja e tij ishte djegur dy herë,  nga italianët dhe gjermanët. Shkrimi nënvizonte faktin se “Baba Feza, nj’ashtu si shoku i tij i shquar Baba Faja, ka vue atdhetarinë përpara çdo çështjeje tjetër”.

Në kuadër të përvjetorit të pestë të Statusit Fashist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet sekretarit të Shtetit, Cordell  Hull dhe Senatorit Pepper, anëtar  i Komitetit të Punëve të Jashtme të SHBA-së, bënë këtë deklaratë të përbashkët për Shqipërinë. SHBA dhe tre Fuqitë e Mëdha nuk e njohin aneksimin e Shqipërisë. Në lidhje me këtë deklaratë “Mundimi” shkruante: “Një ndër qëllimet e deklarueme të Fuqive të Mëdhaja asht çlirimi i Shqipërisë.  Partizanët Shqiptarë, të cilët vazhdojnë të luftojnë për me dbue Nazistat nga Atdheu i tyre, janë tue marë armë nga Aleatët, për ti ndihmue këta të fundit me kontributin e tyre të çmueshëm në luftën e përbashkët. Na presim që Partizanët Shqiptarë të bajnë pjesën e tyre në zhvillimet e ardhshme në zonën Mesdhetare të luftës”.

Më pas, “Mundimi” i muajit qershor, nënvizonte faktin se, radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare po shtoheshin nga dita në ditë. Në radhët e saj, shkruhej se: “Komandanti i Gjindarmërisë në Korçë bashkë me 50 gjindarmë hapi burgun politik të Korçës dhe çliroi 250 vetë q’ishin burgosë nga Gjermanët dhe nga kuislingat për faje politike. Të 300 vetët morën malet dhe u bashkuan me Partizanët”.  Informacioni jep të dhëna për sulmet e Brigadës së Gjashtë, të cilat komandoheshin nga Tahir Kadareja kundër gjermanëve. 

Artikulli duke iu referuar ngjarjeve në terren jepte të dhëna mbi betejën e ashpër që ishte zhvilluar më 21 maj 1944 ndërmjet formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe atyre të ushtrisë gjermane në verilindje të Korçës. Konkretisht, bëhej fjalë për Batalionin 2 dhe 4 të Brigadës së Katërt Nacionalçlirimtare, të cilët morën Pojanin dhe Zvezden. Gjermanët kundërsulmuan me artileri dhe gjithçka patën në një betejë prej katër orësh, ku gjermanët pasi lanë 25 të vrarë dhe një numër të madh të plagosurish, u zmbrapsën. Më tej, duke  shkruajtur për  këto luftime, artikulli ndalet në natën e 24 majit, ku Batalioni i Tretë i Brigadës së Katërt sulmoi një kolonë gjermane në Qafën e Thanës, e cila po vinte nga Elbasani. Kurse, Brigada e Shtatë ndërkohë kishte çliruar një pjesë të Beratit, bashkë me kalanë e qytetit. Kjo vlerësohej si fitore e rëndësishme e formacioneve partizane.

Në faqet e kësaj gazete jepeshin të dhëna interesante që kanë lidhje me diskutimet e sotme të disa studiuesve, mbi tezën se Lufta Antifashiste e zhvilluar nga Fronti Nacionalçlirimtar, ishte luftë civile. Kështu, në informacionin e 22 qershorit 1944, gazeta e informonte opinionin publik se Komandanti i Përgjithshëm Aleat i Mesdheut, Gjenerali Uillson (Willson) i drejtonte një vërejtje qeverisë së Tiranës, përsa i përket fuqive të armatosura që ajo kishte rekrutuar për të përkrahur gjermanët kundër aleatëve dhe atyre që luftonin në anën e tyre. 

Në lidhje me këto zhvillime,  gazeta jepte këto fakte:

  1. “Qeveria e Tiranës po rekruton shqiptarë në Divizionin SS Gjerman. Rekrutët shqiptarë vishen me uniforma gjermane. Edhe robërit shqiptarë që u kthyen nga Gjermania u futën në këtë Divizion.
  2. Gjindarmëria dhe Ushtria e Qeverisë së Tiranës janë tue përdorur vazhdimisht për me përkrah gjermanët kundra Fuqive të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare që po i zbardhin faqen Shqipërisë tue luftue në anën e Kombeve Bashkuem, kundra armikut të përbashkët që është Gjermania”.

Si shembull merret rasti i bashkëpunimit të xhandarmërisë dhe njësive të qeverisë së Tiranës në luftimet që gjermanët zhvilluan kundër formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në Pogradec dhe në Patos, më 12 maj të vitit 1944.

  1. “Ushtria e qeverisë së Tiranës është duke u komanduar nga oficerë gjermanë dhe Shtabi i Preng Previzit ishte po me oficerë gjermanë.
  2. Dhe argumenti i katërt ishte se gjermanët kishin shpërndarë 15.000 pushkë, mortaja dhe armë automatike për shqiptarët që kishte grumbulluar qeveria e Tiranës, të cilët bashkë me gjermanët kishin mësy Lëvizjen Nacionalçlirimtare që derdhnin gjakun për çlirimin e Shqipërisë. 

Aty thuhet gjithashtu se bashkëpunëtorët faqezi marrin rroga nga Gjermanët”.

Në një numër tjetër të gazetës “Mundimi”, shkruhet se, oficerët britanikë, “të cilët luftojnë krah për krah me shqiptarët kundra gjermanëve, raportojnë se, morali i Fuqive Nacionalçlirimtare Shqiptare është mjaft i lartë ndërsa ai gjermanëve mjaft i ulët. Nacionalçlirimtarët Shqiptarë janë duke luftuar me zotësi dhe trimëri të madhe”. Gazeta jepte detaje nga lufta e Brigadës së Gjashtë, që drejtohej nga Tahir Kadareja kundër gjermanëve, po ashtu përshkruante aksionet e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që drejtoheshin nga Teki Kolaneci në zonën e Korçës, si dhe bashkëpunimin e ngushtë të Fuqive Ajrore Aleate me Komandën (e Përgjithshme – T.K.) të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kundër ushtrisë gjermane duke i shkaktuar humbje të rënda asaj.

Britanikët, që në qershorin e vitit 1944, nëpërmjet gazetës “Mundimi” jepnin sinjale se bashkëpunimi i shqiptarëve me gjermanët do të sillte pasoja për Shqipërinë në tryezën e paqes të pasluftës. Në gazetë, shkruhej se, “në qoftë se këta njerëz bashkëpunimin me gjermanët e bëjnë për interesa, atëherë i bajnë varrin vetes si kuislinga, me e dëmtue Shqipnin ndaj Kombeve të Bashkuem”. Gazeta theksonte se, bashkëpunëtorët po armatosen dhe po paguhen për të luftuar krah për krah me trupat gjermane kundër aleatëve dhe partizanëve. Gjermanët i kishin bërë apel gjithë shqiptarëve që oficerët aleatë të dorëzoheshin. Britanikët paralajmëronin hapur se në qoftë se populli do t’i toleronte këto çakenj të Hitlerit, Shqipëria do të penalizohej  në tryezën e Paqes duke u vendosur një me aleatët e tjerë të Gjermanisë. Këtë “punë që po bën Qeveria e Tiranës po e lyen me baltë emnin e Shqipnisë”, shprehej ajo në një artikull të saj.

“Mundimi” shkruante gjithashtu për ofensivën gjermane të qershorit 1944 kundër formacioneve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, për të cilën sqaronte se, ajo  ka dy qëllime kryesore: “Së pari hapjen e rrugëve që shkojnë nga kufiri shqiptaro-grek drejt veriut dhe së dyti shpërndan lajmin mbi shkatërrimin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, e cila kur filloi ofensiva ka pas mbërri në një shkallë të naltë efiçence”.

Duke trajtuar përgatitjen e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, “Mundimi” vë në dukje se, ato janë të armatosura mirë në saje të mbështetjes aleate dhe se, “Lëvizja Nacional-Çlirimtare nuk ka qënë kurrë kaq e fortë se sa kur filloi ofensiva gjermane”. Më tej, ai thekson se, për shkatërrimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, qeveria e Tiranës pa marrë parasysh Komandën Aleate të Mesdheut, ka angazhuar në krah të gjermanëve, 2500 ushtarë kuislingë. Por, sipas “Mundimit” mbi 15% e ushtrisë gjermane ishte shkatërruar gjatë betejave të ashpra me formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.  350 luftëtarë të Brigadës së Parë, të Mehmet Shehut më 2 dhe 3 qershor kishin zhvilluar një përleshje të ashpër me një fuqi gjermane, e cila “u dërrmua tue lanë 200 të vrarë dhe 50 robër”. Po ashtu, flitet për aksionin e Batalionit të Katërt të Brigadës së Tetë, si dhe për komandantët Teki Kolaneci e Riza Kodheli. “Mundimi” theksonte faktin se, “në të gjithë betejat kundër gjermanëve, Fuqitë Ajrore Aleate kanë sulmuar armikun vazhdimisht dhe kanë qenë një faktor tepër i madh në fitoret partizane”.

Në njoftimin e datës 6 korrik, gazeta bënte me dije se, operacionet e ofensivës naziste ndaj formacioneve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare u drejtuan nga një prej komandantëve më me eksperiencë agresive në betejat pushtuese në Austri, Çekosllovaki, Poloni, Rusi, Greqi dhe prej andej u soll në Shqipëri, Gjenerali Loehr, i cili drejtoi ofensivën e madhe gjermane kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare në jug. Partizanët shqiptarë, mbasi i shkaktuan gjermanëve humbje tepër të rënda gjatë ofensivës, u rigrupuan nëpër male dhe u furnizuan nga Aleatët me ndihma të reja në armë e pajime. “Mundimi” informon se formacionet e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në datat 13, 16 dhe 18 qershor ishin hedhur  në ofensivë ndaj trupave gjermanë në Përmet, Libohovë dhe Pogradec.

Për herë të parë, në korrik 1944, kjo gazetë në artikujt e saj, shkruante mbi mbledhjen e një kongresi të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, i cili merrte përsipër përgjegjësitë e administrimit të tokave të çliruara nga pushtuesit gjermanë. Në krye të Komitetit të dalë nga ky Kongres ishte  zgjedhur Enver Hoxha dhe zëvendëskryetar Myslym Peza, që të dy patriotë që luftuan si kundër italianëve ashtu edhe kundra gjermanëve dhe ishin ndër themeluesit e parë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Përveç Komitetit Antifashist u zgjodh edhe një këshill prej 30 vetash, me kryetar dr.Ymer Nishanin dhe nënkryetar luftëtarin e shquar, Baba Fajën e Martaneshit.

Ndërsa, gazeta “Mundimi” e datës 13 korrik 1944 i kujton shqiptarëve, se vendi para se të pushtohej nga nazistët gjermanë, ishte i bashkuar, “kur të gjithë partitë, fiset dhe fenat janë tue luftue së bashku për indipendencën e Shqipërisë dhe çlirimin nga invadori”. Kështu, në Elbasan, fuqitë patriote të prira nga Baba Faja i Martaneshit dhe nga Kadri Hoxha, organizojnë sulme të shpeshta kundra karabinierëve dhe postave të milicisë nëpër male. Në Lumë, Muharrem Bajraktari dhe trimat e tij vazhdojnë luftën kundër fuqive armike. Në Dibër, grupi heroik nën komandën e Haxhi Lleshit nuk po i le vend armikut nëpër  male të larta. Ky grup është duke mbajtur lart emrin  famëmadh të krahinës së Dibrës. Në Krujë, grupi i gueriljeve të Abaz Kupit ka ngritur lart flamurin e lirisë dhe të çlirimit kombëtar. Në Tiranë, Shijak, Durrës dhe Kavajë, “grupi heroik partizan i Myslym Pezës është duke goditur armikun haptas”. Por, shkruan “Mundimi”, “gjermani i pashpirtë dhe dhelprak me propagandë dhe rrena e ka prishur këtë bashkim që mbretëronte në Shqipëri”.

Gjithashtu, gazeta, thekson se, aleatët ndihmojnë nga ajri me gjithçka, “forcat liridashëse të Shqipërisë kundra gjakpirësve gjermanë, prandaj aeroplanët aleat duhen konsideruar si Kasnecë Lirie si dallëndyshe të çlirimit të Shqipërisë”. Ajo që bie në sy në këtë numër është se, britanikët deri tani kishin folur për gjermanët dhe për qeverinë kuislinge të Tiranës, xhandarmërinë dhe bashkëpunëtorët e tjerë shqiptarë që po ndihmonin ushtrinë gjermane. 

Në këtë numër “Mundimi”, në artikujt e tij, del hapur kundër Ballit Kombëtar, duke i etiketuar  si bashkëpunëtorë të gjermanëve gjatë ofensivës së fundit në Shqipërinë e Jugut, duke shpjeguar se këto të dhëna i kishin nga burime krejt të besueshme, sepse i merrnin nga oficerët britanikë që ndodheshin në terren dhe ndiqnin situatën drejtpërsëdrejti. Britanikët, raportonin për masakrën gjermano-balliste në Kurvelesh ku u masakruan 60 gra e fëmijë. Në gazetë, shkruhej: “Gjermanët dogjën dhe rrënuan nga do që kaluan, dhe ma zi se kurrë. Në cilin do fshat që hynë gjermanët sëpari plaçkitën gjithë mallin e fshatrave dhe pastaj i vunë zjarrin shtëpive. Disa grupe gjermanësh ishin caktuar me mbledh gjënë e gjallë të katundeve, si: lopë, dele, dhi të cilat i morën me vete. Kështu veprojnë gjermanët në Shqipëri. Këta janë ato gjermanë që kuislingët e Tiranës i quajnë “Miqt e Shqipërisë”.

Kjo gazetë jepte të dhëna edhe mbi sulmet që zhvillonin formacionet partizane kundër gjermanëve në rrugën Berat-Korçë. Divizioni i Parë Partizan nën komandën e Dali Ndreut kishte kaluar në Shqipëri të Mesme duke sulmuar kolonat gjermane në rrugën Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Korçë. Lëvizja e rezistencës po ringjallej edhe në zonën e Dibrës nën komandën e Faik Shehut dhe Esat Elezit. Qendra e luftimeve në 10 ditët e fundit të korrikut ishte bërë trekëndëshi Peshkopi-Elbasan-Lin, ku si rezultat i sulmeve mbi Peshkopi dhe Dibër ishin përqendruar mjaft forca të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare përballë formacioneve të ushtrisë gjermane dhe trupave kolaboracioniste, shumica të Ballit Kombëtar. Kurse, më tej shkruhej, “Brigada e Parë Nacional-Çlirimtare u fut në luftime me 1000 gjermanë të përkrahur nga Gjindarmërija e Dibrës dhe e Strugës. Mbas 2 ditë luftimesh, mbasi gjermanët pësuan humbje të shumta, u tërhoqën drejt Cërenecit”. Ndërsa në një njoftim tjetër, shkruhej “300 gjermanë dhe 250 ushtarë të Ballit Kombëtar janë rrethuar në qendrën e Gjirokastrës nga njësitë e Brigadave të Gjashtë dhe Tetë”.

Në numrat në vijim “Mundimi” informonte mbi riorganizimin e rinisë, të cilët nuk rreshtën duke vazhduar luftën e tyre heroike kundër nazistëve dhe mercenarëve të Ballit Kombëtar. 

Në faqet e gazetës jepeshin të dhëna  mbi formacionet e ushtrisë partizane që zhvillonin luftime me nazistët gjermanë  dhe kudo “gjindeshin dhe mercenarët e tyre ballista”. Kjo situatë, e pazakontë e një lufte çlirimtare, shkruante ajo,  për ditë e më shumë po vinte përballë shqiptarët njëri me tjetrin. Kështu, janë krijuar dy grupime të mëdha përballë njëri-tjetrit. Në njërin krah ushtria pushtuese gjermane, qeveria kolaboracioniste, xhandarmëria shqiptare dhe mercenarët e Ballit Kombëtar e përballë tyre, formacionet e ushtrisë partizane vullnetare shqiptare dhe aleatët anglo-amerikanë.

Këtë situatë të pazakontë që vinte si rezultat i rreshtimit të Ballit Kombëtar në krah të pushtuesve,  miqtë e Shqipërisë e shikonin me dhimbje.  Për këtë gazeta “Mundimi” ka botuar një mesazh të Gjeneralit PERCY, i cili më 8 korrik 1944, me anë të Radio Londrës u drejtohet shqiptarëve. Sqarojmë se Gjenerali PERCY, kishte qënë kryeorganizator i xhandarmërisë shqiptare dhe mik i ngushtë i shqiptarëve. Në fjalën e tij, ai theksonte: “Unë nuk mundem me besue se Lëvizja Nacional-Çlirimtare trime, e cila ka fitue një glorie* kaq të pashlyeshme për veten e saj dhe për Shqipninë gjatë luftës së saj të gjatë, me heroizmin dhe sakrificat e saja, të ngrihet sot dhe t’i kthej armët kundër vëllezërve shqiptar, ato armë që janë caktuar për shkatërrimin e shkelsit gjerman”.  Ndërkohë, ai i bënte thirrje dhe bashkëpunëtorëve të nazistëve: “Atyre që janë përballë partizanëve u them: bashkohuni në luftën e përbashkët kundër armikut të Shqipërisë që është Gjermania. Bashkohuni me vëllezërit tuaj të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Kushtrimi juaj le të jetë: “Bashkim kundra Gjermanëve”.

Kurse, gjatë muajit gusht 1944, gazeta “Mundimi” jepte një përmbledhje të aksioneve të kryera prej formacioneve të Brigadës së Parë, të Katërt, Gjashtë, Tetë, Dymbëdhjetë (I, IV, VI, VIII, XII), kundër pushtuesve gjermanë dhe mercenarëve të Ballit Kombëtar. Po ashtu, përshkruheshin edhe aksionet e forcave të Gani Kryeziut dhe pasuesve të tij ndaj gjermanëve në veri të vendit. Gazeta, gjithashtu e informonte opinionin publik shqiptar, se për herë të parë gjatë kësaj lufte, trupat britanike zbarkuan në Shqipëri. Kështu, më 29 korrik, trupat britanikë zbarkuan herët në mëngjes në breg të detit afër Himarës dhe në bashkëpunim me Brigadën e Dymbëdhjetë Nacionalçlirimtare koordinuan veprimet kundër pozitave gjermane duke u shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme. Në gazetë, theksohej se, britanikët pas një bashkëpunimi në vijim nga ajri filluan dhe bashkëpunimin nga toka me Ushtrinë Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve gjermanë.

Në një artikull tjetër të kësaj gazete, shkruhej mbi veprimet e forcave gjermane të kryesuara nga Balli Kombëtar, të cilat sulmuan pozicionet e Brigadës së Dytë, mbi Kodrat e Hoçishtit, 12 km në lindje të Korçës. Formacione të Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare bashkëpunuan me formacione të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, të Maqedonisë, në Betejën e Dibrës së Madhe kundër gjermanëve.

Ndërsa, gazeta në numrin e 1 gushtit informonte se, Brigada e Parë dhe Brigada e Katërt e Frontit Nacionalçlirimtar bashkë me Brigadën e Parë Maqedonase dhe me Brigadën e Parë Kosovare morën qytetin e Dibrës. Aty, theksohej se, për herë të parë në histori, mbi katër ditë në betejën e Dibrës, shqiptarët dhe jugosllavët luftuan kundra armikut të përbashkët. Ndërsa, gazeta e  datës 31 gusht 1944 jepte shumë të dhëna mbi sulmet e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndaj mjeteve të transportit gjerman në rrugët Tiranë-Elbasan, Burrel-Peshkopi, në Mullet e tjerë. Po në këtë numër bëhej fjalë edhe mbi sulmin e Batalionit të Parë të Brigadës së Tretë, të forcave nacionalçlirimtare më 10 gusht, për një orë rresht, mbi Tiranë.

Po kështu, informacionet vijonin në numrat e radhës të kësaj gazete, ku njësitë e Divizionit të Parë sulmues luftuan kundra një fuqie gjermane të përbërë prej 500 vetësh dhe të përkrahur prej trupave të Ballit Kombëtar, në lindje dhe perëndim të Maqellarës, 10 km në veri të Dibrës. Opinioni informohet edhe mbi sulmin e Brigadës VII kundër gjermanëve në Dobernik dhe Velabisht të Beratit, si dhe mbi sulmet e forcave të Gani Kryeziut ndaj gjermanëve në Kam dhe Kepenik, në verilindje të Shqipërisë tek minierat e kromit. Flitet gjithashtu edhe për bashkëpunimin e Gani Kryeziut me partizanët.

Gazeta “Mundimi” e muajit shtator të vitit 1944 informonte mbi veprimet e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilat po e godisnin kudo pushtuesin gjerman. Në Veri jepeshin të dhëna mbi veprimtarinë e Divizionit të Parë që drejtohej nga gjeneral Dali Ndreu, njëkohësisht në Veri jepeshin të dhëna edhe mbi Gani Kryeziun dhe besnikët e tij, që përkrahen prej partizanëve të formacioneve partizane nën komandën e Fadil Hoxhës. Opinioni njoftohet se Dibra u pastrua prej gjermanëve dhe këtë e realizuan Brigada e Pestë dhe Brigada 18-të, të drejtuara përkatësisht nga kolonel Shefqet Peçi dhe Esad Ndreu. Po ashtu jepej informacion edhe mbi çlirimin e Krujës, më 7 shtator, prej Brigadës së Parë që tashmë komandohej prej kolonelit Muhamet Prodani. Gjithashtu, flitej për aksionet e Brigadës së Tetë, të Pesëmbëdhjetë dhe Dymbëdhjetë që komandoheshin, përkatësisht, prej kolonel Hulusi Spahiut, kolonel Teki Kolonecit, kolonel Rifat Bajramit. Njëkohësisht, Brigada e Dytë e komanduar nga major Beqir Balluku dhe Brigada e 15-të, e komanduar prej major Teki Kolonecit sulmuan autokolonat gjermane që u nisën nga Korça për në Follorinë. Brigada e Shtatë e komanduar prej major Gjin Markut kishte kryer një numër sulmesh afër Beratit dhe pas luftimesh të ashpra me gjermanët, më 12 shtator 1944, çliroi  Beratin. Në jug, Brigada e Katërmbëdhjetë e drejtuar nga major Gjon Banushi çliroi Gjirokastrën. Brigada e Dymbëdhjetë e drejtuar prej Rifat Bajrami ushtronte veprimtarinë e saj në qarkun e Vlorës.

Në numrin e datës 2 nëntor 1944, gazeta “Mundimi” informonte opinionin rreth çlirimit të qytetit të Vlorës. Në një artikull të saj, ajo shkruante: “Shpëtimi i Vlorës prej zgjedhës gjermane i detyrohet kryekëput Brigadës së Dymbëdhjetë të FNÇ-së Shqiptare, e cila për shumë javë me rradhë ka veprue rreth qytetit, tue u çlirue ma në fund nga mesi i Tetorit mbas një lufte tri ditësh”. Artikulli vlerësonte betejën dhe kontributin e një grupi ermenësh, të cilët ishin larguar nga gjermanët dhe  i ishin bashkuar Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftë për liri. Në Fier e në Lushnjë gjermanët u sulmuan prej Brigadës së Gjashtëmbëdhjetë, të komanduara nga major Rrahman Ruçi. Kështu, në tre ditë luftëtarët e lirisë çliruan Vlorën, Fierin dhe Lushnjën, përfundon artikulli.

Në shkrimin e titulluar “Ushtria e Çlirimit Përparon” të kësaj gazete, theksohej se “Ushtria Partizane Vullnetare Nacional-Çlirimtare Shqiptare triumfon në Veri dhe në Jug. Veprat ngadhënjyese të të gjithë brigadave të UPVNÇ Shqiptare, kanë parë vendin e tyre të meritueshëm në këtë fitore. Rrethimi i  kryeqytetit u bë nga Brigada e Katërt, që sulmoi dhe hyri deri në qendër të qytetit më 9 Tetor. Më 17 Tetor Brigada e Pesëmbëdhjetë sulmoi barrikadat jashtë Tiranës. Më 18 Tetor artileria malore e Korparmatës së Parë, në drejtimin e vet komandantit të kësaj Korparmate Major Gjeneral Dali Ndreut* bombardoi shenjat ushtarake gjermane në Tiranë, duke qëlluar dhe Hotel Dajtin ku gjermanët kishin vendosur Kuartjerin e Përgjithshëm të tyre”.

 Më tej, gazeta “Mundimi” informonte mbi sulmet e Brigadës së 15-të, 17-të dhe të 20-të në Elbasan dhe Mokër. Gjithashtu, bëhej me dije, se më 24 tetor ishte çliruar Korça prej Brigadave të 2-të, të 9-të dhe 20-të. Divizioni i drejtuar nga Islam Radovicka* i ndoqi gjermanët nga Saranda në Delvinë dhe prej andej në Jorgucat. Divizioni i Dytë i drejtuar nga kolonel Teki Kolaneci dhe i përbërë prej Brigadës  6-të, 7-të dhe 22-të veproi në rrugën Milot-Mirditë, kur dhe  Mirdita çlirohet. Kurse Divizioni i drejtuar prej kolonel Hulusi Spahiut, i përbërë nga Brigada 3-të, 5-të dhe 24-të bashkë me partizanët e Kosovës vazhdoi rrugën përtej kufirit të Shqipërisë së vitit 1939, çliroi Gjakovën dhe marshoi drejt Prizrenit. Ndërsa “Mundimi” në numrin 33, të datës 9 nëntor 1944, në faqen e parë sjell informacion mbi “Rrethimin e Tiranës”, ku  trajton përpjekjet që  bëri Ushtria Popullore Vullnetare Nacionalçlirimtare për çlirimin e Tiranës. Ajo i referohet komunikatës së UPVNÇ-së Shqiptare të 3 nëntorit, e cila njofton se mbas një muaji rrethimi të paparë, Divizioni i Parë i UPVNÇ-së i komanduar prej kolonel Mehmet Shehut u hodh në një sulm të furishëm kundër garnizonit dhe fortifikatave gjermane brenda qytetit.  Mbas një luftimi 5 ditësh partizanët çliruan tri të katërtat e qytetit dhe i rrethuan gjermanët në Tiranën e Re. Më 4 nëntor, Fuqitë Ajrore Aleate të Ballkanit ndihmojnë UPVNÇ Shqiptare në këtë përpjekje duke sulmuar kazermat gjermane. “Na e kemi për nder të ndihmojmë UPVNÇ Shqiptare në këtë luftë për çlirimin e kryeqytetit të tyre kombëtar”, citohen Aleatët britanikë në këtë artikull. Ajrorët aleatë të RAF-it ndihmuan formacionet partizane dhe në betejën e Prezës, ku Brigada e Parë dhe e Katërt, të komanduara nga major Muhamet Prodani dhe major Nexhip Vinçani kanë sulmuar gjermanët në Prezë dhe Vorë.

Më 23 tetor,  ishte një tjetër veprim i përbashkët anglo-shqiptar, ku forcat e komanduara nga major Hamit Keçi dhe Muhamet Prodani  në rrugën Tiranë-Shkodër, në bashkëpunim me ajrorët britanikë sulmuan gjermanët, ku u vranë 100  prej tyre dhe u shkatërruan 25 kamionë. Gjeneral major Dali Ndreu, komandant i Korparmatës së Parë, brenda së cilit janë dhe këto dy brigada falënderoi RAF-in për këtë ndihmë të vlefshme. Në artikull, citohej fjala e tij: “Ne jemi shumë të kënaqur që të shënojmë një shembull tjetër bashkëpunimi të ngushtë anglo-shqiptar”. 

Si për ironi të fatit të rrugës së ardhshme që shqiptarët do të ndiqnin pas çlirimit, “Mundimi” në numrin 34, datë 16 nëntor 1944, në shkrimin “Z.Eden për Shqipërinë” shkruante se “Qeveria Britanike e quan çështjen e kufijve të shtetit shqiptar të mbas-luftës si një çështje që ka me u dashtë të shqyrtohet në vendosjen e paqes”.

Ç’paradoks i madh?

Edhe pas 80-vjetësh e pakuptueshme kjo praktikë. Në terren, UPVNÇ kishte ndihmën e përhershme në armatime, ushqime, pajime e deri në kordinim të sulmeve të përbashkëta me ajrorët britanikë për shkatërrimin e gjermanëve, ndërsa në planin diplomatik e të marrëdhënieve ndërkombëtare, ishte rishikimi i kufijve të Shqipërisë të përcaktuara qysh më 1913.

Në numrin 35, të datës 23 nëntor 1944, gazeta “Mundimi” njoftonte në një shkrim të saj, se “Tirana u çlirue!” Informacioni e rendiste këtë betejë, që zgjati për tre javë pa pushim,  si  betejën më të rreptë dhe më të përgjakshme që kanë zhvilluar partizanët shqiptarë. Fitorja e formacioneve të UPVNÇ-së Shqiptare “përmbi të gjitha është një fitore e mishit dhe e gjakut përmbi hekurin dhe zjarrin”.

Në artikujt e gazetës, fitorja i dedikohej disiplinës dhe besimit të partizanëve në fitore,  mbështetjes që i dha kësaj fitoreje popullsia e qytetit që u hodh si trup i vetëm në ndihmë të çlirimtarëve. Në një artikull të saj jepej shembulli heroik i një vajze, ku shkruhej:  “Kur vajza po punonte për të ndërtuar një nga barrikadat u godit me një gjyle: ashtu e plagosun dhe me kokë të çame ajo, përpara se të binte në fushën e nderit, u lëshoi za shoqeve dhe shokëve: Mos e lini punën! Përpara!” RAF u erdhi në ndihmë partizanëve duke bombarduar kazermat gjermane dhe pikat e tjera armike. Ai sulmoi dhe ndaloi fuqitë gjermane që vinin nga Elbasani në Tiranë, të cilat partizanët i rrethuan dhe i shfarosën. 

Në një artikull tjetër të kësaj gazete, theksohet se, roli më i madh për këtë fitore kaq të shkëlqyeshme i takonte komandantit të Korparmatës së Parë, major Gjeneral Dali Ndreut dhe komandantit të Divizionit të Parë, kolonel Mehmet Shehut, veteranit të luftës së Spanjës dhe komisarëve kolonel Hysni Kapo dhe kolonel Kristo Themelkos.

Në informacionet në vijim, gazeta  “Mundimi” paraqiste foto nga udhëheqësit e FNÇ në Kongresin e Beratit ku duken gjeneral major Spiro Moisiu, Baba Faja Martaneshi, Gjeneral kolonel Enver Hoxha, Myslim Peza, dr. Omer Nishani dhe dr. Ymer Dishnica. Njëkohësisht jepeshin të dhëna mbi Kongresin e Gruas Antifashiste Shqiptare, që u mbajt po në Berat, më 4 nëntor 1944, i kryesuar nga Ollga Plumbi. Mbledhjen e drejtonte Liri Gega, Sekretare e Gruas Antifashiste Shqiptare. Kongresin e përshëndetën, Komandanti i Përgjithshëm Gjeneral kolonel Enver Hoxha, kryetarët e misioneve ushtarake aleate dhe përfaqësues të gruas antifashiste jugosllave.

Ndërsa gazeta “Mundimi”, numër 36, e datës 30 nëntor 1944, në faqen e parë hapej me shqiponjën e flamurit kombëtar shqiptar, ku ishin vendosur dy data të mëdha historike 1912-1944. Poshtë diçiturës, shkruhej “Tridhjetë e dy vjet më parë Ismail Qemal Vlora shpalli Pamvarësinë e Shqipërisë. Sot pamvarësia po rivendoset”. Ai e quante një fitore shqiptare të shkëlqyer dhe theksonte se 1912, zgjedha shekullore turke mori fund dhe 1944, zgjedha e shkurtër, por e pamëshirshme gjermane ka marrë fund. Ky shkrim hedh dritë mbi datën e çlirimit, ku në këto vite pluralizmi politik është spekuluar pafundësisht dhe djallëzisht. Artikulli nënvizonte faktin se, në këtë ditë të pavarësisë së Shqipërisë, “mbeturinat e ushtrisë famëkeqe gjermane tash gjenden në Shkodër të rrethueme në jug dhe në lindje nga njësitë e UPVNÇ Shqiptare dhe me të vetmen rrugë shpëtimi përmes Malit të Zi…”

Një tjetër artikull i gazetës, thekson faktin, se “as që kemi për të harrue sesa shumë i detyrohemi UPVNÇ Shqiptare dhe udhëheqësit të saj Gjeneral kolonel Enver Hoxhës. Kjo ushtri dhe këta udhëheqës rrezikuan gjithçka patën vetëm e vetëm për të çliruar Atdheun e për të vendosur një Shqipëri Demokratike”.  Opinioni shqiptar informohet se Aleatët e festuan ditën e flamurit shqiptar me një fluturim të veçantë përmbi Tiranën, ku avionët Halifax të RAF-it, lëshuan fletushka me mesazhin: “Me rastin e 28 Nëntorit 1944 përvjetorit të 32-të të Pamvarësisë së Shqipërisë, RAF dhe USAAF i sjellin popullit shqiptar në Tiranën e çlirueme urime nga popujt anglez dhe amerikanë”. Pastaj, avionët hodhën një sasi ushqimi si dhuratë e popujve të Anglisë dhe të Amerikës. Në faqet e para të gazetës,  shpesh botoheshin  urdhërat e ditës së UPVNÇSH.

Duke iu referuar lajmeve të Radio Tiranës dhe urdhrit të nxjerrë nga Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral kolonel Enver Hoxha, me rastin e festës së 28 Nëntorit, ai përshëndeste të gjithë formacionet e UPVNÇSH dhe njëkohësisht urdhëronte: “Komandantë, komisarë, partizanë e partizane. Detyrat që kemi përpara janë të mëdha. Qyteti i Shkodrës ndodhet në duart e okupatorit. Ne duhet të çlirojmë dhe të mos lëmë asnjë gjerman të dalë i gjallë nga tokat tona”. Ky urdhër, i nxjerrë më 28 Nëntor 1944, i lexuar në radio, i botuar në “Mundimi”, 30 nëntor 1944, vërteton plotësisht tezën se 28 Nëntori nuk është data e çlirimit, por më 29 Nëntor, Shqipëria u gdhi  e çliruar nga pushtuesit gjermanë.

Në këtë numër, gazeta e shoqëronte artikullin me një foto të parakalimit të drejtuesve kryesorë të UPVNÇSH para popullit të Tiranës, ku në qendër duket Komandanti i Përgjithshëm i UPVNÇ Shqiptare që sipas saj, “zë vend midis Skënderbeut të pavdekshëm dhe Ismail Qemal Vlorës si një nga çliruesit e Shqipërisë”.

 Në vazhdim “Mundimi” paraqiste mesazhin e urimit të ministrit të Punëve të Jashtme të Amerikës, Stettinius me rastin e përvjetorit të 32-të të Ditës së Pavarësisë, i cila linte të kuptohej që Shqipëria akoma nuk ishte çliruar e gjitha. Në vijim jepej një përmbledhje e ndihmës ajrore të aleatëve anglo-amerikanë që i dhanë Korparmatës së Parë të UPVNÇSH për çlirimin e Tiranës. Miqësia me britanikët ishte lidhur që në vitin 1913, kur ajo e ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po atë vit, Britania e Madhe mori pjesë në ekspeditën për kalimin e Shkodrës si qytet i shtetit të ri shqiptar.

Gjithashtu në vitin 1920, Britania luajti rol të madh në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Xhandarmëria e shtetit shqiptar u organizua me ndihmën e oficerëve britanik. Miqësia shqiptaro-britanike u rrit më shumë dhe bashkëpunoi mbi një vit e gjysëm gjatë Luftës së Dytë Botërore me UPVNÇSH, ku britanikët sollën  një sasi të madhe furnizimesh me armë, municione, veshje, medikamente mjekësore e  tjerë për UPVNÇSH. Këto furnizime e ndihmuan këtë ushtri që të rritej e të luftonte pa ndërprerje si ndaj italianëve ashtu edhe ndaj gjermanëve dhe triumfoi. RAF dhe USAAF i ndihmuan partizanët gjatë fazave më kritike të luftës në Shqipëri. Kështu, gjatë betejës trejavore të Tiranës, ku partizanët po mësynin garnizonin gjerman të kryeqytetit dhe beteja po vlonte, përfundimi i saj u vendos në një betejë tjetër disa kilometra më tej në Qafën e Krrabës, ku u sulmua dhe u shpartallua një autokolonë e madhe armike që ishte nisur nga Elbasani për t’i ardhur në ndihmë garnizonit të rrethuar të Tiranës. Në artikull, nënvizohej se, ndihma nuk ka qënë aspak e njëanshme. Ushtarët britanikë luftuan krah për krah me ushtarët shqiptarë në betejën e Sarandës. Në këtë betejë, njësitë e Brigadës së Dymbëdhjetë dhe Katërmbëdhjetë të UPVNÇSH shpëtuan një njësi britanike, që ishte rrethuar nga gjermanët. Gjithashtu, vihej në dukje, edhe ndihma e dhënë nga ana e partizanëve shqiptarë pilotëve aleatë të rrëzuar nga një avion i Aleatëve.

 Gazeta “Mundimi”, në numrin  37, datë 7 dhjetor 1944, hapej me njoftimin: “SHQIPNIA U ÇLIRUA”, “gjermanët thyen qafën. Shkodra qyteti i fundit në duarë t’anmikut u çlirua. Tash e gjithë Shqipnia asht dhe një herë e lirë nga zgjedha e armikut”.  Në këtë shkrim nënvizohej fakti se “Tue bashkue në një lëvizje patriotike dhe antifashiste të gjithë popullin shqiptar, Fronti Nacional-Çlirimtar mund të formojë një ushtri të fortë. Kjo ushtri, Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare me ndihmën landore britanike dhe me trimërinë dhe entuziazmin e vullnetarëve partizan ka qënë e zonja t’i luftojë gjermanët kamba kambës prej maleve të Jugës (ku ofensiva gjermane e qershorit u thye) përmes fushave të perëndimit dhe maleve të veriut deri në zhdukjen e fundit t’anmikut”. Ajo e quan për nder të uroj dhe të përshëndesi Ushtrinë heroike Nacionalçlirimtare Shqiptare për triumfin e punës së mirë që po kryen.

Në përfundim, mund të thuhet që, gazeta “Mundimi” ka dhënë një kontribut të madh në informimin e opinionit shqiptar rreth ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në vitin e fundit. Gazeta, në çdo numër të saj, jepte informacione me vlera mbi luftën që zhvillohej në të gjitha anët e globit ndaj Gjermanisë naziste. Ai i bënte thirrje të drejtpërdrejta shqiptarëve për bashkim në luftë ndaj gjermanëve, ndërsa kuislingët shqiptarë i këshillonte që të linin bashkëpunimin me gjermanët dhe t’u bashkoheshin patriotëve shqiptarë që luftonin për liri në malet shqiptare. 

Në rubrikën e posaçme “Lufta në Shqipëri”, “Mundimi” pasqyronte veprimet luftarake  të njësive, batalioneve, divizioneve e korpormatave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e informonte opinionin shqiptar mbi këtë  luftë. Ajo jep të dhëna mbi aksionet e betejat e zhvilluara nga UPVNÇSH kundër okupatorit gjerman, qeverisë kuislinge, xhandarmërisë dhe forcave të  Ballit Kombëtar që u bashkuan me pushtuesit kundër luftës për liri që zhvillohej në Shqipëri. Në artikujt e “Mundimit”  flitej edhe për bashkëpunimin e ngushtë që zhvillonte UPVNÇSH me Komandën Aleate të Mesdheut në Itali.

Në këtë gazetë  jepeshin të dhëna mbi kontributin që ka dhënë aviacioni ajror (RAF dhe USAAF) aleat në koordinim me formacionet e UPVNÇSH për asgjësimin e objekteve të armikut. Gjithashtu kjo gazetë pasqyronte me detaje luftën ndaj gjermanëve dhe luftëtarëve si Gani Kryeziu, i cili,  herë pas here kordinonte bashkëpunimin me partizanët e Fadil Hoxhës në Kosovë. Aty gjenden të dhëna edhe  për drejtuesit e formacioneve e njësive të UPVNÇSH. 

“Mundimi” ka arritur që nëpërmjet ushtarakëve britanikë që vepronin në terren të jepte informacione të plota mbi Frontin Nacionalçlirimtar dhe për Ushtrinë Nacionalçlirimtare, e fortë në disiplinë dhe sakrifica të pashembullta, që luftoi dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë hitleriane deri në çlirimin e plotë të vendit, madje duke i ndjekur ato edhe jashtë kufijve politik të Shqipërisë.

Filed Under: Histori

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit kërkesë Kuvendit të Shqipërisë – Të ndryshohet “statusi i dëshmorit”! Të ndryshojë 5 Maji!

December 18, 2024 by s p

“Gjatë punës së tyre studimore, kërkuesit shkencorë të ISKK-së kanë gjetur dokumente që dëshmojnë se regjimi komunist e përdori konceptin e dëshmorit të atdheut si një instrument propagandistik për interesa politike të tij. Këto dokumente – vendime, ligje, udhëzime, të cilat dëshmojnë si Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH) i përdori të rënët në luftë për qëllimet e saj, duke e ideologjizuar konceptin e dëshmorit, prezantohen në këtë raport së bashku me një analizë dhe kontekst historik”.- Ky ka qenë thelbi i një rezolute që kreu ekzekutiv i ISKK-së, Çelo Hoxha, i ka nisur drejtues së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropalit dhe kreut të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Ina Zhupa.

Në rezolutë janë cituar edhe përcaktimet që i janë bërë me ligje të ndryshme të asaj kohe si fjalës “dëshmor” ashtu edhe fjalës “tradhëtar”, çka ka qenë vendimtare në ndërtimin e historigrafisë së kohës.

Ku bazohet ISKK?

Qeveria shqiptare ka pranuar që prej vitit 2006 se numri i Dëshmorëve të Atdheut nuk është ai i pretenduar nga regjimi komunist. Madje, edhe kryeministri Rama, në një debat gjatë ditëve të festave të Nëntorit, në një takim me historianë, ku u prezantua një botim shkencor ku dëshmohet shifra prej 7200 dëshmorësh, ka pohuar se janë të gjitha mundësitë e një rishikimi historik mbi këtë çështje. “Dëshmorët e shpallur me vendime të institucioneve të regjimit komunist janë dëshmorë ideologjikë, që u përdorën nga regjimi komunist për interesat e tij politike. Ata përfaqësonin njërën anë të konfliktit civil që u zhvillua në Shqipëri në periudhën 1943-1944”, thuhet në një nga rekomandimet në raportin e ISKK dërguar Kuvendit.

Në rekomandim e ISKK-së, kërkohet edhe rishikimi i datës së përkujtimit të dëshmorëve, pasi në këtë datë nuk mund të ketë një nderim edhe për ata që u vranë si pasojë e asaj që tashmë historianët e kanë konsideruar si “luftë civile”. Lidhur me numrin e ta vrarëve gjatë asaj që tashmë njihet si “Lufta civile”, ISKK sjellë në vëmendje identifikimin e viktimave të regjimit komunist botimin e Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, ku numërohen 2254 të vrarë si pasojë e këtij konflikti civil mes forcave partizane dhe forcave nacionaliste. “Vazhdimi i kësaj procedure, kur një pjese të popullsisë i duhet të nderojë vrasësit e 2254 familjarëve të tyre është një procedurë reminishente e diktaturës që nuk i bën asnjë nder Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk ndihmon në mbylljen e plagëve të së shkuarës dhe pajtimit kombëtar”, thuhet në rekomandimin e ISKK drejtuar Kuvendit.

Lidhur me këtë proces ISKK shprehet se të mbeturit të fuqi të ligjit me statusin e dëshmorit është rrjedhojë e mungesës së një ligji lustracioni në Shqipëri. Për ilustrime, kreu i ISKK-së ka ilustruar në rezolutë vendimet që kanë përcaktuar nga ana ideologjike çështjen e titullit “Dëshmor i Atdheut”, duke vulosur kështu karakterin e vijimit të asaj që tashmë njihet edhe si “Luftë civile”.

Rekomandimet e ISKK drejtuar Kuvendit

Të abrogojë Ligjin nr. 109/2018, “Për statusin e dëshmorit të atdheut”.

Të hartojë një ligj të ri të pastruar nga fryma ideologjike komuniste në konsultim me ekspertët shkencorë të ISKK dhe institucione të tjera studimore.

Në ligjin e ri sanksionet që statusi i dëshmorit jepet vetëm për persona që bëjnë sakrificën sublime duke qenë ligjërisht të vendosur në shërbim të atdheut.

Të ndryshojë datën e përkujtimit të dëshmorëve me një datë të përcaktuar jo mbi kritere ideologjike (kjo dhe si detyrim që buron nga rekomandimi në pikën 8 të rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri,” 30.10.2006).

T’u japë të njëjtin status të gjithë të vrarëve në periudhën 8 nëntor 1941-29 nëntor 1944, të cilët nuk kanë qenë juridikisht në shërbim të shtetit shqiptar.

T’u njohë statusin e dëshmorit të gjithë të vrarëve nga komunistët (ose formacione të tjera të armatosura) në periudhën 8 nëntor 1941-29 nëntor 1944, të cilët kanë qenë ligjërisht të ngarkuar në shërbim të institucioneve shtetërore, civile ose ushtarake.

Të caktojë një datë përkujtimore për të rënët në luftën civile.

Filed Under: Histori

FAIK BEJ KONICA

December 15, 2024 by s p

(15 mars 1875 – 15 dhjetor 1942)

Plot 82 vite më parë, më 15 dhjetor 1942, ndërroi jetë në Uashington D.C. të Shteteve të Bashuara të Amerikës njëri nga më mendjendriturit që ka nxjerrë toka shqiptare. Ai ishte atdhetari, studiuesi, shkrimtari, publicisti, drejtuesi i Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe ambasadori i Mbretërisë Shqiptare të Ahmed Zogut në Shtetet e Bashkuara, Faik Bej Konica.

Konica është njëri nga ata shqiptarë që u përpoqën fort, me mish e me shpirt, gjithë jetën e tyre, të ndriçojnë shoqërinë shqiptare kur ajo ishte në errësirë të plotë. Gjithë aktiviteti i Konicës është shërbim i devotshëm ndaj shqiptarisë, nga fillimi deri sa mbylli sytë.

Në moshë të re, në vitin 1897, Konica shkoi në Bruksel ku filloi botimin e të përkohshmes “Albania”. Por edhe gërmimet nga Konica të dokumenteve shtetërore veneciane në Londër tregojnë pasionin e një intelektuali klasi që dëshironte të njihte dhe të promovonte mëmëdheun e tij, me histori të lavdishme, por që vuante nën robëri.

Edhe aktiviteti i mëvonshëm i Konicës, përfshirë atë në shërbim të Shqipërisë në kuadrin e aktivitetit të tij në Vatër (i cili u bë i një rëndësie të veçantë kur ai shërbeu si editor i gazetës “Dielli”), por edhe roli si Ministër i Shqipërisë (Ambasador) në Uashington, vënë në pah zemrën atdhetare dhe bagazhin e madh intelektual të Konicës.

Errësira që u trashëgua nga sundimi turk i Shqipërisë, veçanërisht ai në fushat e arsimit dhe kulturës e merakosnin shumë Konicën. Në marrdhëniet shoqërore, ai shprehte simpati për njerëzit e mirë dhe nuk hezitonte të ishte kritik i ashpër i kotësisë dhe i veseve që viheshin re në shoqërinë shqiptare të kohës. Dhe Faiku nuk heshtte. Shpesh, Konica ishte i drejtëpërdrejtë: “Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.”

Herë të tjera, më pak i tillë. Ironia e hollë dhe thumbuese ka qenë dhunti e njohur e tij. Kështu bëri ai kur thumboi “levantinët” të cilët i konsideronte “imitonjës” të veshur me pushtet. Sipas Konicës, atë dalloheshin “nga mënyra e të veshurit, e të sjellurit ashtu edhe në mendime e gjuhë. Faiku ishte mjeshtër i fjalës dhe besonte në përdorimin efiçent të saj, duke promovuar njëkohësisht hijeshinë dhe elegancën gjuhësore.

Konica ishte duke shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Uashington dhe ishte një figurë e nderuar në qarqet diplomatike të kohës, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Ai e dënoi me forcë pushtimin, dhe kjo vihet re qartazi në një intervistë që ai i dha, një ditë pas pushtimit, gazetarit Hilmar Baukage të Radios NBC. Intervista, e zbuluar dhe e publikuar për lexuesin shqiptar nga studiuesi Ilir Ikonomi, hedh dritë mbi patriotin e shqetësuar për fatet e atdheut.

Konica u nda nga jeta tre vjet e gjysëm pas pushtimit. Ja si u përshkrua vdekja e ish-Dekanit të Trupit Diplomatik nga një kritik i Sekretarit të Shtetit Codell Hull në Uashingtonin e kohës, sjellë për lexuesin në librin Faik Konica (Jeta në Uashington) e studiusit Ilir Ikonomi:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.”

Sikur të mos mjaftonte kjo, Faik Konica ishte mes shkrimtarëve të ndaluar dhe të anatemuar gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, por ai ishte në shoqëri të mirë përgjatë gjithë atyre dekadave të zeza, në “shoqërinë” e At Gjergj Fishtës, Lumo Skëndos, Vinçens Prenushit, Patër Anton Harapit, Lazër Shantojës, etj. Në tre dekadat e fundit figura e Konicës po njihet më mirë. Kjo falë punës së studiuesve to pasionuar si Ilir Ikonomi, Agron Alibali etj.

—Administratori (Marrë nga faqja në Fb – Mid’hat Abdyl Frashëri) – Ripostim i 2 viteve më parë.

#TëNjohimHistorinëTonë

Foto: Faik Konica me fustanellë në Boston, Massachusets, Sh. B.A., 1909

Filed Under: Histori

MUSTAFA MERLIKA KRUJA DHE PROJEKTI I TIJ PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE

December 14, 2024 by s p

Qerim LITA – Shkup/

Me nismën e një grupi të intelektualëve shqiptarë të kohës, siç ishin: Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Eqerem bej Vlora, Mati Llogoreci, Eqerm Çabej, Lasgush Poradeci, Aleksandër Xhuvani, Dhimitër Berati, Namik Resuli, Ndue Paluci, Ahmet Gashi etj., në vitin 1940 në Tiranë, formohet “Instituti Mbretnuer të Studimevet Shqiptare”, i cili nga vjeshta e vitit 1943, mori emrin “Instituti Shqiptar për Studime e Arte”.  Drejtor i parë i këtij instituti u zgjodh Mustafa Merlika Kruja, të cilin (pasi në dhjetor të vitit 1941 emërohet kryeministër i Shqipërisë) atë e zëvendësoi, Ernest Koliqi, një intelektual dhe atdhetar tjetër i shquar, i cili ndryshe njihet edhe si nismëtari, organizatori dhe themeluesi i shkollave shqipe në Tokat e Liruara.

Brenda katër viteve sa funksionoi Instituti për Studime Shqiptare, botoi një numër të madh të studimeve albanologjike, që me këtë rast po i veçoj vetëm disa prej tyre: “Konferenca e Londrës mbi çështjen shqiptare”, “Studime historike mbi qytetin e Dibrës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Janinës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e prefekturës së Kosovës”, “Studime historike mbi qytetet dhe fshatrat e Vilajetit të Manastirit”, “Studime historike mbi qytetin e Prizrenit”, “Studime historike mbi Shqipërinë”, “Studime përmbledhëse mbi Shqipërinë” të shkruar nga autorit Ahmet Hamdi në vitin 1920, “Studime historike mbi origjinën e shqiptarëve”, “Studime historike mbi disfatën e ushtrisë turke në luftën ballkanike”, “Roli i intelektualëve për ta çuar Shqipërinë përpara”, “Studime historike mbi figurat e njohura të Rilindjes Kombëtare: Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini etj.”, “Studime historike mbi shqiptarët e Italisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Egjiptit”, “Studime historike mbi shqiptarët e Rumanisë”, “Studime historike mbi shqiptarët e Kaukazit” e shumë studime tjera, të cilat ruhen në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, Fondi Instituti i Studime Shqiptare (200). 

Mustafa Merlika Kruja, i brengosur thellë për fatin e shqiptarëve në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, më 3 shtator 1943, hartoi një projekt, i cili ndër të tjerave parashihte që në kuadër të Institutit për Studime Shqiptare, të krijohej një trup i përbashkët i intelektualëve shqiptarë, të cilët do të angazhoheshin në grumbullimin e të gjitha veprave të shkruara për shqiptarët dhe Shqipërinë nga autorët e huaj, dhe pasi të lexoheshin e të daktilografoheshin të gjitha ato pjesë që bënin fjalë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, të seleksionoheshin, klasifikoheshin dhe botoheshin. Këtë detyrë të shenjtë kombëtare, sipas Krujës, mund ta kryente vetëm Instituti për Studime Shqiptare, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me intelektualët shqiptarë kudo që ato ndodheshin, sepse, siç do të shprehet ai: “...Diplomatët qi do të mblidhen rreth tryezës së gjelbër për të dá fatin e kombevet në konferencën e ardhëshme nuk janë gjyqtar objektivë qi shikojnë vetëm të drejtën, por janë avoketët t’interesave të vêndeve të veta e të miqve dhe t’aljatve të tyne….”. Mirëpo, sipas Krujës, edhe pse nuk mund të shpresohej shumë se në atë “kuvend diplomatësh” do të gjendeshin “miq të vërtetë të Shqipnis”, ata, pra diplomatët botëror, nuk do të kishin mundësi as me i mohuar “kryekëput të drejtat e nji kombi të vogël” të provuara “me argumente të qartë e të forta” përpara tyre e përpara opinionit të popujve që përfaqësojnë…”. Prandaj, për ta bindur botën rreth të drejtave të kombit shqiptar, Kruja propozonte që nga ana e Institutit të ndërmerreshin këto çështje:

“I. Të hartohet një bibliografí e cila do t’i përfshinte të gjitha veprat që flasin për Shqipërinë e shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë, në të gjitha gjuhët e botës; 

II. Të gjitha ato vepra të lexohen me kujdes e të daktilografohen në gjuhë origjinale të gjitha pjesët e tyre që pohojnë për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, sidomos ato etnike. 

III. Ato pjesë të zgjedhura me kujdes prej veprash të studiuara mirë, të seleksionohen, të klasifikohen e të botohen me indekse racionale, në mënyrë që të mundet me u gjetur automatikisht se ç’far dhe nga cili autor është folur për kombin shqiptar.  

IV. Që tërë kjo punë të kryhet në një kohë sa më të shpejtë, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë intelektualëve shqiptar të cilët e njohin mirë një gjuhë të huaj (anglisht, gjermanisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbo-kroatisht, bullgarisht, rumanisht, turqisht) e të cilët kanë vullnet për të hulumtuar e lexuar. Të gjithë ata duhet të rekrutohen vullnetarisht për një kohë të caktuar në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare; 

V. Pasi të jetë i përgatitur katalogu i veprave për t’u studiuar (libra, statistika, karta etnografike, rivista, etj.), të ndahet puna duke i caktuar secilit bashkëpunëtor pjesën e vet sipas kompetencës (gjuhës që din) e sipas kohës që ka në dispozicion; 

VI. Bashkëpunëtorëve duhet t’u caktohet një kohë brenda së cilës do t’i paraqesin Institutit përfundimin e punës që u është dhënë për ta kryer;

VII. Instituti do të formojë një komision prej bashkëpunëtorëve kompetent që banojnë në Tiranë apo që mund të vijnë për të banuar përkohësisht aty për ta bërë seleksionimin e përpilimin e veprës definitive. 

VIII. Fondet e nevojshme për kryerjen e kësaj pune t’i mbuloj Instituti, nëse i posedon, ose nga ndihmat që do të mund të grumbullohen shumë lehtë për këtë qëllim”.

Për fatin tonë të keq, me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste (të cilët miqtë e Shqipërisë e të shqiptarëve i shpallën për “armiq”, ndërsa armiqtë për “miq”, jo vetëm se e hodhën poshtë Projektin e hartuar nga Mustafa Merlika Kruja, por njëkohësisht e shuan edhe Institutin Shqiptar për Studime dhe Arte, me pretekst se i njëjti na qenka formuar nga “reaksioni shqiptaro-madh”. Rrjedhimisht, numër i madh i punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm të këtij instituti u pushkatuan, një numër tjetër në pamundësi për të qëndruar në atdheun e tyre, u detyrua të emigroj në Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, SHBA, Australi dhe në vende tjera demokratike perëndimore, një pjesë tjetër u burgos apo u internua, ndërsa vetëm një numër i vogël arriti të mbijetoj, i cili, edhe në kushtet e një regjimi enveriano-stalinist, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën albanologjike në përgjithësi. 

Fund

Filed Under: Histori

ALI PASHË TEPELENA DHE LUFTA E TIJ ME PËRMASA GENOCIDI KUNDËR SULJOTËVE MË 1803

December 12, 2024 by s p

Nga Ndue BACAJ/

“Një popull që nuk njef t’ ndodhunat e dheut vet, as nuk njeh rranxen e fisnisë t’veteve asht porsi një femi që nuk njeh prindërit e vet”*.

Për Ali Pashë Tepelenën është shkruar nga shumica e autoreve shqiptar me superlative, duke e quajtur luani i Janines e deri figura më e madhe e kombit shqiptar pas Skenderbeut etjerë. Gazetat, revistat, librat dhe studimet më të “zjarrta” për të glorifikuar Ali Pashen i perkasin periulles komuniste, po dhe këtyre viteve post-komuniste. Për Ali Pashen ka shkrime edhe nga studiues, gazetar dhe udhetar të huaj , si dhe nga revista e gazeta (shumica) të shekullit XIX. I dominojnë shkrimet e atyre koheve ato franceze , turke, ruse, angleze etj. Nga ato angleze kujtohen kryesisht ato çfar shkruan poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron… përkunder këtyre siç paralajmrova në titullin e këtij shkrimi unë nuk do të shkruaj për veprat e “mira” të Ali Pash Tepelenes, pasi për këto është shkruar e vijon të shkruhet…Por me këtë shkrim dua te perkujtoj sado pak një veper më të zezë se katrami, luften e Ali Pash Tepelenes me permasa Genocidi, kunder Suljoteve kristian në trojet e veta shqiptare… Ku “kulmi” i kësaj lufte është masakra e dates 12 dhjetor të vitit 1803 , masaker që edhe pse ka kaluar mbi dy shekuj plaget Suljote ende kullojnë gjak me erë genocidi… Shkrimet historike per ketë tragjedi nuk janë të shumta, ku edhe ato me afër kanë harresen se kujtesen. Nga këto shkrime historike per të perkujtuar ketë tragjedi të vëllezerve tanë Suljot, mendova të zgjedhë atë të shkruar nga Dom Ndoc Nikaj në vepren e tij “Historia e Shqipnisë”…Ky shkrimtar e historian mbante lidhje të ngushta me Konicen , vëllezerit Frasheri etj. Vlen të shënohet se per vepren e tij (Histori e Shqipnisë) Dom Ndoc Nikaj bashkepunoi ngushtë me Faik Konicen , që në atë kohë botonte në Bruksel revisten “Albania”.

SULJOTËT DHE ALI PASH TEPELENA

Suljotet që në kohë te vjetra kishin qendruar ndër male të veta të lirë e të pa-shtruam e nuk dojshin mbi vehte dorë të huajen. Rridhnin prej disa fiseve të Kshtena të Epirit , të cilet që me 1660 per me jetua të lirë kah sundimi e besimi kishin kapur malet e germueta të Sulit , ku kishin gjallnua (jetua) pa trazime . Deri ne vitin 1788 ishin shtua e ba 18 lagje me 550 tyme (shtepia), e aty vetsundoheshin me parinë e vet , porsi një Republikë e vogel , ku nuk flitej gjuhe tjeter veçse gjuha shqipe. Ali Pasha kerkoi me i perulë e nenshtrua ,por Suljotet banë qendresë . Ali Pasha me 1788 dergoi një ushtri prej 10.000 vetesh per të nenshtrua Suljotet , por kjo ushtri u thye keqas nga këta malcor të rrebtë. Në vitin 1792 Ali Pasha çoi një tjeter ushtri prej 22.000 vetesh , por edhe ajo kje ndeshë e thye keq prej Suljoteve trima. Në ketë luftë ma të madhe ndere e pati Zhavella (Xavella) me të shoqen , Mosken, e me të bijen , Kaidon, të cilat duke u pri çikave e grave të katundit nuk i lanë gja mangut qendreses kreshnike të burrave që luftoshin per liri t’vet. Të thyemit e ushtrisë së Ali Pashes ishte kaq i fortë sa vetë Ali Pasha s’largut vrente pershkimet e luftes , dhe me shumë veshtirsi mujti me shpetue e mos me mbetë n’dore të tyne. Qendresa kreshnike e Suljoteve na çfaqë zemren e Shqiptarit të vertet që lufton per lirinë e vet , por mjerisht lufta ishte shqiptar me shqiptar.

Mbas pak kohet që Ali Pasha u kthye në Janinë e shoqja e tij Eminia , grua zemergjan dhe e dhimbeshme, guxoi një ditë me i ba lutje që të mos i sulmojnë ma Suljotet , por ti lanë në lirinë e vet. Por lutja u ba e dameshme per të , sepse sa degjoi ato fjalë Ali Pasha, i ndezun në zemrim nxuer koburen dhe ja vuni gryken të shoqes në zemer, por tuj i dhanë gisht ju dhimbtë dhe çoi doren perpjet dhe koburja u shpraz mbi koken e saj. Emines nga tmerri i ra të fiktë dhe u rrezua pertokë, dhe që nga ajo ditë nuk bani ditë të mirë ma deri sa mbas pak kohesh vdiq… Mbas disa koheve Zhavella, me gjithë të birin ishte shti në dorë e u cua para Ali Pashet, i cili duke pasë në atë kohë mendime me shtypë disa Begaj që i rrijshin perball , kerkoj me e thye me butesi tuj e ba vegel me shtrua malacaket e tjerë derisa të kryente punet e veta. E keshtu e nisi per në Sul me porosi me i perkulë miqesisht me i ra në dorë , atij i ndali të birin per peng. Zhavella burr me burrni kreshnike , kur duel në male të veta mblodhi Suljotet dhe i ndezi ma teper n’qendresë , dhe mbrapa i çoi Ali Pashes një leter me të cilen i thotë : “ I lirë ndër male të mia nuk t’a kam besen , por jam gadi me i dalë zot lirisë së plotë t’dheut tem. Djalin tem e ke n’dorë e munde me e mbytë , e une si babë nuk mund të baj tjeter veç me shperblye shumë-fish gjakun e tij.

Ndoshta mund të thonë kush se po diftohem babë i pa zemer per fminë tem , por rrehet. Unë e di se butsia jote nuk asht tjeter veç me na shti në dorë e mbrapa shpata mizore e jotja kishte me pre krenat jo veç të birit tem , por të Sulit mbarë…..Ali Pasha u ndez n’idhnim , por nuk u ngut me ndjekë per ateherë Sulin para se me perulë e me shtypë fqinjen , t’gjithë Begajt e Epirit që i kishte ferrë ndër sy… Sa Ali Pasha ishte tuj zgjanua rrethin e sundimit vet mbi Begaj të Epirit , Ishujt Jonie e qytetet e limanet e Prevezes , t’Parges , t’Butrintit , t’Artes e t’Salahores , që deri ateherë kishin kenë nën sundimin e Venedikut , ranë në dorë të Frances të marruna prej general Gjentilit me ushtritë franceze . Ali Pasha ateherë kerkoi miqesinë e Frances e i mbeshtetun në atë anë shtrojë nën vedi krahinen e Qimares (Himares), edhe u munduan me ba lidhni (lidhje) me Francen per me marrë ishujt Jonie. Një motmot mrapa ,mbasi u ndez lufta ndermjet Frances dhe Turkisë që kje e mbeshtetun prej Hinglizit (Anglezit) , kur Napoleon Bonoparti n’1788 u shtye kahë Misiri , ky ju perkrah Hinglizeve e mori Arten dhe Butrintin , theu francezet afer rrenojave të vjetra të Nikopolit e muer edhe Prevezen që e bani rrfash me tokë. Ali Pasha mbas ketyre fitimeve muar gairet të ri dhe u pergaditë me marrë edhe ishujt Jonie… Por nuk kishte mujtë me ja arritë sepse në mars t’1799 në ato ishuj dolen ushtritë Turke e Ruse , e një motmot mbrapa me 21 mars 1800 ndër marrveshje të lidhuna n’Stambollë ishujt ishin njohur si Republikë në vehte… Por sa humbi uzdajen e ishujve, Ali Pasha në atë vjet 1799 suell mendimin e vet rishtaz per mbi Suljotaj e nisi mbi ata 12.000 ushtarë , por edhe keso here kje thye prej trimniet , sidomos të kapidanave Moskos , Foto Zhavelles e Krist Boçarit e prisave t’tyne. Tue pa Ali Pasha se me fuqitë e armeve nuk i ecte mbarë fitimi i atij vendit iu suall rishtas dredhive per me mujtë me i shti n’rreth me të butë. Per tri vjet rresht ,që me 1800 e deri me 1803 u mundua me shti në mes tyre smira e ngaterresa tui derdhë per dorë të disa ngaterrestareve të pabesë , dhunti e t’holla , e keshtu mbrrini me largue andej Foto Zhavellen që ishte qendra e gairetit (gatishemerisë) të tjerve , e ashtu edhe disa luftetarë ma të nxehtit e ma të idhtit e atij vendi . Kur e pa se shumica e qendrestarve ma t’fortë ishin largue prej andej nisi mbi Suljotet një ushtri 30.000 vetesh . Qendresa ishte e rrebtë , gjaku u derdhë rrkajë, t’ndeshunat kreshnike, por pas tri vjeteve që zgjati ndër ta lufta e rrenimi , t’lodhun per anë nuk mujten ma pertej , e me 12 t’dhetorit 1803 ranë n’dorë. Murgar Samueli, prisi i Suljoteve ndër qendresat më të medha kur e pa të bierrun krejt uzdajen (besimin) e shpetimit nuk desht me ra per s’gjallit në dorë të ushtareve të Ali Pashes, dhe (porsi Oso Kuka 59 vite më vonë perballë malazezve) , porsa u afruan me shumicë tubat e armiqeve per rreth ,me dorë t’vet u dha zjarm baroteve , e kockat e tij njiheri me sa qindra të tjerë prej anmiqeve u shperndanë per anë , nepermjet t’ushtimes e tmerrit që bani me u dridhë gjithë Sulin. Krist Boçari vetë i dhjeti kje shti n’dorë të anmikut dhe u kje dhanë vdekja me mundime të mëdha.

Në ketë qendresë të mbrame e kreshnike t’Suljoteve , sikur gjithë heret luftuan gratë e vajzat perkrah me burra e me vllazen t’vet , e kur u thye qendresa edhe keto nuk u dhanë per s’gjallit. Një faqe historiet t’lumnueshme qendreset t’vendit e lanë mbas vedit , në menyrë të posaçme , gratë trimnesha t’katundit Zalongut , t’cilat nuk panë fitimin e anmiqve e afrimin e tyne kah katundi , por të gjitha me foshnje t’gjinit ngrykë e me femi të vegjël per doret , iu ngjiten shkrepave të naltë të malit e dora dores tuj kendue vallet e trimnive të burrave t’Sulit u leshuan pingul teposhte nepermjet lugajave shkembore , ku gjeten një dekë (vdekje) t’ndershme e kreshnike. Kush ra n’dore të Ali Pashes gjeti vdekje të mnershme (tmerreshme) , e dhanie (pasunia) e katundet e Sulit kjenë ba plaçkë , djegë e rrenua shqimit. Disa tuba Suljotesh iken nga fushat e Parges , por të ndjekun edhe atje ku dolen ndër ishujt Jonie. Ali Pasha keso kohet pati arrite në ma të madhen shkallë t’madhnise vet. Sulltani e kishte pas emnue Pashë per mbi Rumelinë…..”. (DOM NDOC NIKAJ: ”HISTORIJA E SHQYPNIES” Ç’ME KOHË TË VJETRA E DERI M’SOT , fq.136-140 , Shkoder ,shtypshkronja “Nikaj” 1917). Mjerisht Ali Pasha gjatë sundimit të tij nuk mbahet mend vetem per luftën me permasat e genocidit kundër Suljoteve , por mbahet mend edhe per masakra e krime të tjera , deri dhe në tjetersimin me dhunë të shqiptareve kristian në trojet e veta , në besimin e pushtuesit turko-osman , gjë që i regjistronte dhe konsideronte këta shqiptar jo thjeshtë si besimtar musliman , por si turq. Më vonë shovenet grekë duke u bazuar në ketë tjetersim bënë marrveshje me Turqin per t’i derguar keta musliman shqiptar ne Turqi , dhe në trojet e këtyre shqiptareve suallen ortodoks grekë , që kishin jetuar deri ateherë në trojet e tyre të tjetersuara gjatë shekujve si troje Turke etj… Ali Pash Tepelena edhe pse tjetersonte e luftonte shqiptaret Kristian në trojet e veta , ai greket që i sherbyen në ushtrinë e tij dhe qellimeve të tija i shperbleu me troje safi shqiptare , në të cilat banon që prej asaj kohe minoriteti grek (edhe në Shqiperinë politike). Fatkeqesisht edhe sot Greqia duke u bazuar në ketë “peshqesh” të Ali Pashë Tepelenës pretendon për autoktonin greke të banorëve në keto troje të stËlashta Iliro-Shqiptare …

NGA CURRICULUMI I ALI PASH TEPELENËS…

Ali Pashës kishte lindur (rreth vitit 1740) në një nga familjet më të lidhura pas “qerres” të perandorise turko-osmane . Gjyshi i Ali Pashes , Muhtar Pasha ishte luftëtar i famshëm i ushtrisë osmane kunder të krishtereve. Gjeti vdekjen në rrethimin e Korfuzit me 1716 duke komanduar forcat osmane . Gjyshi i Aliut Muhtar Pasha kishte 3 fëmijë me emrat : Salek , Mehmet dhe Veli. Veli Bej pasi morri fuqinë në Tepelenë u martua me Hankon (nëna e Ali Pashës), sepse i ati i saj ishte Kurt Pasha, veziri i Beratit, që kishte fuqi të madhe. Veli Bej, rriti fuqinë e tij, duke marrë sanxhakun e Delvinës. Armiqësia me fuqitë e tjera krahinore dhe sulltanin, përfundoi në humbjen e fuqisë dhe pasurisë së tij. Vdiq në moshën 45 vjeçare më 1758 , duke patur 2 fëmijë me Hankon , Aliun dhe Shanikon , (dhe 3 fëmijë nga marrëdhënie të tjera). Ne keto kushte Aliu edhe i “gjymtuar” fizikisht (pasi ishte topall) rritet dhe u edukua si mos me keq. Hankoja nje grua e perbuzur dhe e mbushur plot urrejtje arriti qe shumicen e kesaj urrejtje t’ia bejë “edukatë” djalit saj Aliut. Aliu mbeti edhe analfabet , por u bë një nga , grabitesit , hajdutet dhe kriminelet më të njohur të atyre aneve . Zona ku “operonte” Aliu ishte një zonë problematike per rendin e sigurinë. Perandoria Osmane pas shumë “peripecive” arrine ta bëjë per vehten Aliun , i cili pasi tradhton e dekonspiron shoket e tij të grabitjeve dhe krimeve merr fuqin ushtarake nga turqit , fuqi me të cilen ai asgjesojë pa meshirë shoket e vet dhe të tjerë. Pas ngritjes së Aliut në keto detyra nuk kishte më grabitje e vrasje kaçakash , por ato i kryente shtetari turko-osman Ali Veli Tepelena.. Perandoria Osmane per të mos lënë rehat pashallaret e tij me origjinë shqiptare , ata i fuste në ngaterresa dhe në e luftë në mes njeri tjetrit ,duke u thenë kush të fitojnë në keto luftra zgjeron pashallekun e vet. Keshtu ndodhi edhe me Ali Pash Tepelenen pasi perandoria turko-osmane e kishte graduar Pasha dhe me 1788 me një ferman të sulltan Selimit gradohet vezir i Janines… Mirpo kur ky Vezir e pa vehten të fuqishem me pashallekun e tij të zgjeruar , të organizuar dhe të fuqishem ushtarakisht , filloi të mendojë per një pashallek të pavarur nga Turqia , ku per ta bërë ketë realitet “lidhi” mardhenie edhe me fuqi të kohes si Franca , Anglia , Rusia etj… Kjo autonomi me 24 janar të vitit 1822 i preu kryet. Nga kjo ditë edhe sot thuhet se kur kryet e preme të Ali Pashes ja çuan Hrushit Pashes , ai pasi e pa u çua në kembë , u perulë me nderim, ju afrua dhe e puthi atë mjeker të bardhë që i jepte hije madhniet , dhe e nisi në Stmabollë si shenjë fitoreje…(Referencë per curriculumin , Ali Pash Tepelena ,Wikipedia shqip në Google).

Duke perfunduar ketë histori genocidi me “nota” perkujtimore deshiroj dhe uroi që të mos u prishi qjefin adhuruesve të Ali Pash Tepelenes , qofshin ata akademikë, professor, doctor, studiues , publicist , gazetar, adhurues të thjeshtë , apo shtetar e politikan etjerë…

*.”Citat” i marrun nga faqja e parë e parathenies së librit “Histori e Shqypnisë “ e D. Ndoc Nikaj , shtypur nga enti botues “Gjergj Fishta” Shkoder 2015.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT