• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kontributi i Kryeministrit Mustafa Kruja për Dardaninë

December 11, 2024 by s p

Dr. sc. Besim Morina/

Fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX ishte një kohë e lige, kohë e tmerreve, kohë e pakohë për popullsinë autoktone shqiptare në hapësirat ku jetonte. Pushtimi shekullor osman, me masat qe kishte ndërmarrë, kishte krijuar një gjendje të mjerueshme te popullsia shqiptare pothuajse në te gjitha aspektet. Situata është përkeqësuar edhe me tepër pas krijimit te shteteve te pavarura të Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë. Shtete këto qe u krijuan ne kurriz te trojeve tona etnike. Dihet se territori i Kosovës së sotme, në të kaluarën ishte pjesë e Dardanisë antike, Dardania  përfshinte gjithë trevën e Kosovës së sotme, Maqedoninë Veriperëndimore, dhe viset periferike në veri, në vijën Novi Pazar-Nish. Kryeqendër e saj ishte Shkupi.  

Periudha e viteve 1912-1944 ishte periudhë e ndryshime të mëdha në politikën globale, ku si rezultat i sajë kemi edhe ndryshime të papritura në trojet etnike shqiptare. Këto ndryshime sollën rryma të ndryshme politike, të cilat ishin te ndërlidhura me interesat e vendeve fqinje në  trojet shqiptare ne përgjithësi, qëllimi i të cilave ishte pushtimi i territoreve shqiptare si dhe shpopullimi i tyre nga popullsia autoktone shqiptare. Për këtë, vendet fqinje me herët kishin përpiluar plane famëkeqe për zhdukjen e popullit shqiptar, plane këto të cilat janë të publikuara.

Vendimet e Konferencës se Londrës (1913), njohën shtetin Shqiptar në kufijtë e sotëm qe ka Shqipëria. Çështja kombëtare, çështja e Kosovës, e Dibrës, e Çamerisë, e trevave shqiptare në Malin e Zi, e qyteteve të Jugut, e Janinës, Prevezës, Artës u bënë guri i provës për atdhetarët shqiptar. Studiuesi i mirënjohur kroat, Branimir Anzulovic,  pohon se “Po mos të ishte intervenimi i Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, Kosova do ti jepej Shqipërisë”. 

Duhet ditur se problemet e Shqipërisë mbetën të pazgjidhura qe nga traktati i Shën Stefanit e deri te Kongresi i Berlinit. Shqiptari trim e fisnik prape se prape vuajti e gjëmoi ndër gazepe, në varfin e në mjerim.  Në këto çaste të vështira, duhet ripërtërire saga, duhet ndjekur rruga e idealit të një Shqipërie të lirë e të vetë administruar, që synon mirëqenien dhe përparimin e bijve të saj. Elita e popullit shqiptar përbëhej nga kuadro të vjetra të perandorisë dhe nga intelektual të rinj, të shkolluar në Stamboll e vende tjera, qe kishin një horizont të gjerë dhe prirje properëndimore. Pjesë e kësaj elite ishte edhe Mustafa Merlika Kruja. Një personalitet shqiptar i radhës së parë, ashtu sikur edhe e quan Karl Gurakuqi. Shpallja e Pavarësisë e gjen në Vlore, në krah të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, si përfaqësues i qytetit të Krujës, nënshkrues i pavarësisë se atdheut krahas  atdhetarëve ma të  shquar  të  kombit  tonë.  Me  formimin  e  qeverisë është  emëruar si zëvendës prefekt në Vlorë dhe ma vonë sekretar i kryesisë së Këshillit të  Ministrave. 

Në këto rrethana, ku popujt fqinje kishin krijuar shtetet nacionale, kishin kishat e tyre nacionale, gjithashtu ne shërbim te zgjerimit te shteteve te tyre, kuptohet ne trojet etnike shqiptare, ishte domosdoshmëri ndërgjegjësimi i popullit shqiptar. Për te dalë nga kjo gjendje e mjerueshme, shpëtimi i vetëm ishte krijimi i shtetit shqiptar, i cili ishte garantues i vetëm për mos zhdukjen fizike te popullit shqiptar nga faqja e dheut. Këtij kushtrimi, ju përgjigjën bijtë dhe bijat me të devotshëm te kombit shqiptar, të cilët nuk mund të heshtnin para padrejtësive, nuk mund të heshtnin para vrasjeve, nuk mund të heshtnin nga heqja dorë e identitetit kombëtar. 

Por, në realitet, ishte shumë e vështire krijimi i një uniteti kombëtar, sepse sikur e thotë studiuesi Meta “Prej robërisë së gjatë shqiptarët kishin humbur kuptimin e bashkimit. Helmi i propagandës së huaj kishte brejtur dhe paralizuar fijet e nervave të kohezionit kombëtar”.

Edhe pse në mërgim, Mustafa Kruja, hapin qe kishte marr Zogu në formimin e Qeverisë se Mehdi Frashërit, e kishte konsideruar ngjarje të rëndësishme, duke shtuar se çdo regjim është me i mirë se anarkia, dhe se ishte i gatshëm të njihte Zogun për Mbret. Duhet shtuar se kërkesës së Krujës drejtuar prijësve të emigracionit shqiptar, për te lidhur armëpushim me mbretin Zog, një pjesë e tyre e refuzuan, duke menduar se nuk ishte në dobi të Shqipërisë. Disa prej pjesëmarrësve të asaj mbledhje, qe për parimet nuk pranonin të bisedonin me Ahmet Zogun apo me Mehdi Frashërin, mbas disa vitesh shkuan për të biseduar me zëdhënësit e Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, gjithmonë në mbrojtje të “parimeve”. Sikur shihet, parimet e tyre ishin parime demagogjie, kur dihet se si e shihnin çështjen e Kosovës anëtarët e PKSH-së (Partia Komuniste e Shqipërisë). Në mbledhjen themeluese të partisë Komuniste të Shqipërisë, nëntorin e vitit 1941, çështja e Kosovës as që u përmend, ndërsa për këtë çështje pllakosi po ashtu një heshtje e plotë edhe në Konferencën kombëtare të partisë, në marsin e vitit 1943. Studiuesi i mirënjohur Noel Malcom, pohon se “Nacionalistet shqiptar ishin antikomunist se konsideronin se komunistët kërkonin kthimin e sundimit Jugosllave”.

Studiuesi i mirënjohur i kulturës shqiptare, At Valentini kishte vlerësuar virtytet e Krujës duke shtuar: “Megjithatë, nuk është se ai nuk vlerësoi as pasuri të tjera kulturore kombëtare. Ndër të tjera, jam mirënjohës që mund të them se ai, i lindur musliman, kishte të gjithë vlerësimin e vlerave shpirtërore të katolicizmit që mund të themi se është pothuajse tradicionale tek patriotët shqiptarë myslimanë më të mirë dhe më të kulturuar”. Ky vlerësim i At Valentinit, për atdhetaret shqiptar na jepe te kuptojmë, për virtytet e larta qe posedonin, virtyte këto te trashëguara ndere breza.  

Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike evropiane. Forca e Shqipërisë ishte e atillë që e vetme nuk  mund të garantonte dot as mbrojtjen dhe as integritetin e vet. Në këtë gjendje kaq kritike, Shqipëria kishte vetëm një rrugë shpëtimi: rrugën e bashkimit e të koordinimit të të gjitha forcave e energjive të popullit për t’iu paraqitë politikisht, moralisht dhe ushtarakisht, miqve dhe armiqve, gjithë botës, si një trup i vetëm i pandarë. Një bashkim i tillë mund të realizohej në saje të një vije politike e luftarake thjesht shqiptare. Kryeminstri Mustafa Kruja dhe kabineti i tij qeverisës, ishin mundësia me e mirë e Shqipërisë për ta përfaqësuar denjësisht. 

Ata qe dje nuk i deshën te mirën popullit shqiptar, mundohen qe edhe sot te arsyetojnë servilizmin tyre ndaj popujve sllave. Harrojnë, jo vetëm krimet makabre serbe qe u kryen ndaj popullsisë shqiptare ne trojet e veta etnike, para fillimit të Luftës se Dyte Botërore, por edhe krimet e kryera serbe gjatë Luftës se Dytë Botërore, mbi popullsinë shqiptare, po perëndim masakrën e Bihorit. Planet për vrasjen e popullsisë jo serbe,  çetniket serbe përgatiten jo vetëm ndaj popullsisë shqiptare ne trojet e tyre etnike, por edhe ndaj popullsisë kroate ne Kroaci. Dhe këto plane vrastare ishin ne dijeninë e pushtuesve Italian, madje edhe me lejen e tyre, këtë edhe e pohojnë studiuesit kroat.

Gjatë kohës se Krujës si kryeministër dhe Koliqit si ministër i Arsimit, kishte në Shqipëri një shtyp shumë me i lirë se në periudhën e instalimit komunist në vend. Po në këtë kohë Koliqi  themeloi  “Institutin  e  Studimeve  Shqiptare”,  që u bë  baza  e  universitetit  të ardhshëm,  dërgoi  kuadrat  dhe  përgatiti mësues  nga  Shqipëria  e Kosova,  për  të  plotësuar  nevojat arsimore  të  krahinave  shqiptare  të  bashkuara  me  Atdheun. Kështu Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes se themeleve të arsimit shqiptar. Gjithashtu, falë kontributit të tij kemi hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, hapjen e Liceut në Prizren e Tetovë, hapjen e shkollës Normale në Gjakovë, hapjen e institutit Teknik Bujqësor si dhe Gjimnazit në Pejë. Është e nevojshme te thuhet se periudhën  e heshtjes  a të pushimit të  vërtetë  letrar prodhues  të  Koliqit  gjatë  luftës e  karakterizon  përkujdesa  dhe  përhapja  e  arsimit  kombëtar në trojet  Etnike. 

Vetëm në këtë kohë fëmijët shqiptar në Kosovë e vendet tjera etnike shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, patën rastin të mësonin në gjuhën e nënës. Gjuhë kjo e cila me parë ishte ndaluar me firman nga Sulltani, vazhdoi ndalimi i saj me dhunë edhe nga pushtuesit serbe, qëllimi i vetëm i të cilëve ishte asimilimi i popullsisë autoktone shqiptare. Ministria e Arsimit, nga një organ i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një organ shtytës nxitës i terë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohësisht duke funksionuar si asnjëherë me parë, edhe si organ largpamës administrativ. Duhet shtuar se një përkushtim i tillë, një unifikim i tillë, çfarë në të vërtetë ishte ne Kohën e Krujës e Koliqit,  për avancimin e shkollës shqipe nuk ekziston as në ditët e sotme.

Duhet shtuar se Kryemistri i Serbisë, Nikolla Pashiqi me herët kishte deklaruar “Vetëm prapambeturia e popullit shqiptar, nuk e rrezikon politikën serbe dhe nuk shpreh ndjenja nacionale”. Por këta mësues nuk ndoqën vijën ideologjike te armiqve sllave, por ndoqën idealet e atdhetareve shqiptar. Po nga këta mësues dolën kuadro qe me gjithë qenien ndihmuan ne emancipimin, përparimin dhe formimin e shtetit të Kosovës. Këto kuadro dhanë një kontribut te pashembullt ne luftimin e analfabetizmit ne Kosove, kontribut te pashembullt ne mos nënshtrimin ndaj pushtuesve serbe, kontribut te pashembullt ne ruajtjen e arsimit ne gjuhen amtare përkundër përndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve te tyre. Misioni i këtyre  pishtarëve te arsimit, ishte  dalja në dritë e se vërtetës, apo sikur edhe thotë profeti: “Drita do të mund errësirën”. Shembulli me i mirë i ngadhënjimit te dritës ndaj errësirës, i ngadhënjimit te lirisë ndaj robërisë, është mësuesi nga Prekazi, heroi i Kosovës, Shaban Murat Jashari. Duhet cekur se baca Shaban, ishte qe mësimet e para si dhe dashurinë për atdheun e mori nga këto kuadro te mësuesve qe Qeveria e Mustafa Krujës i dërgojë ne  viset etnike shqiptare për te shtrire dritën e diturisë. 

Mustafa Kruja se bashku me kabinetin e tij qeveritar, kishin dhënë  shumë  nga  sedra  e  tyre,  por  u  shpërblyen  me bashkimin  e  tokave  amnore  shqiptare  jashtë  kufijve të Shqipërisë londineze, përderisa  komunistet shqiptar e bene të  kundërtën:  për  ambicie personale,  jo  vetëm  qe  falën  tokat  shqiptare  sllaveve,  por  edhe vranë  vëllezërit  e  vetë  pa  pikë  mëshire  duke  dërguar  brigadat e kuqe me gjeneralët Peçi  e Marku  në Kosovë (Drenicë B.M.),  Mal  të  Zi (Malësinë e Mbishkodrës B.M.)  e  Maqedoni (Zajaz B.M.) dhe duke bërë kështu  turpin  e pashembullt  në  historinë  tonë  kombëtare. Duhet shtuar se në një rast, Kruja kishte deklaruar “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njanjën dysh: a ma mirë me humbun Kosovën apo lirinë, pëlqejmë ma parë të humbasim lirin, mbasi këtë, të bashkuem më Kosovën, jemi të sigurte se mund t’a fitojmë prap”. Si mund të mendonte ndryshe ky atdhetar në plotë kuptimin e fjalës, i cili më 23 prill të vitit 1942 detyroi italianët që të hiqnin fashot e Savojës nga flamuri kombëtar.

Por, qe do qe fati i mjerë e deshi, qe për fatin e popullit shqiptar të vendosin kancelaritë e huaja, nga të cilat dolën elaborate për shfarosjen e popullit shqiptar. Rasti konkret elaborati i Vaso Qubrilloviqit (1937).  Tani ky elaborat po gjente zbatim nga “shtetasit shqiptar” por në një formë me ndryshe. Me krijimin e kampeve të përqendrimit, me ndjekje të intelektualëve, me burgosje e pushkatime ne masë. 

Sot ka ardhur koha, që të rishkruhet historia e jonë e vërtete. Kjo mendoj se duhet bërë jo në kuptimin e rehabilitimit të krimineleve komunistë, por në kuptimin e vlerësimit dhe të nderimit të figurave të mëdha të kombit tonë. Historianët tanë dhe patronët e tyre janë të llojit sikur do të shprehej Tolstoi: “Gjithkund flitet për drejtësinë njerëzore dhe mohohet ajo”. Dokumentet janë dëshmia më e mirë. Në dëshmi bazohen popujt e qytetëruar. Mohuesit e veprimtarisë atdhetare, intelektuale e njerëzore të Mustafa Krujës, janë mohues të mjerë, janë mohues të verbër, janë mohues (lexo: shërbëtor) qe njohin vetëm patronin. 

Filed Under: Histori

AFRIKË E JUGUT, 1982 / “LINDJA E PRINC LEKA II, MBRETËRESHA GERALDINË, DASHURIA PËR SHQIPËRINË…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE E MBRETËRESHËS SUZANË ME RASTIN E LINDJES SË PRINC LEKA II

December 10, 2024 by s p


Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  10 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…

Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 30 qershor 1982, faqe n°16

Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.

Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.

Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.

Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.

Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës  dhe martesës së saj.

Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.

Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.

Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.”

Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.”

Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.

“Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.

Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”

Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.”

Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.

“Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.”

Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.

“Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.

Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.

Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.

Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.

Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.

Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.”

Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.”

MARGARET GAGANAKIS

Filed Under: Histori

Libri “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, biografia e munguar e Ismail Qemalit

December 9, 2024 by s p

“Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP!

Një libër që duhet ta ketë çdo shqiptar në bibliotekën e tij!” – Mediaprint

Nga EVARIST BEQIRI

Veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Lidershipi është një rrugëtim e jo një destinacion. Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte. Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet.

Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë.

Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.

Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon,

mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte.

Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Karakteri është thelbi i lidershipit. Edhe zgjuarsia, edhe strategjia luajnë rolin e tyre, por pa karakterin e fortë ato nuk shërbejnë shumë.

Disa nga cilësitë e lidershipit të tij i shohim natyrale, disa ai i zhvillon me vetëdije përgjatë jetës së tij. Studimet mbi lidershipin evidentojnë si element thelbësor të këtij procesi liderin dhe kontekstin ku ai bashkëvepron me ndjekësit. Rrethanat shoqërore, historike, politike dhe mjedisi ku lideri vepron kanë rëndësi dhe nxjerrin në pah cilësitë e veçanta të tij.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte një njeri perfekt dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz perfekt. Por, ai i donte pa kushte njerëzit e tij dhe synonte përsosmërinë. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar.

Lidershipi, më tepër se një disiplinë shkencore është arti i udhëheqjes së njerëzve nga vetë njerëzit. Kthimi pas në kohë për të ravijëzuar dhe karakterin e personazheve që kanë bërë krenare historinë tonë është një mënyrë jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të ndërtuar veti dhe elemente që posedon një lider i vërtetë.

Ismail Qemali është lideri transformues, i cili afron diçka për t’u përvetësuar nga brezat e rinj të liderëve dhe te biznesit. Stili i lidershipit dhe filozofia e udhëheqjes së Ismail Qemalit paraqet interes për liderët e tanishëm.

Vlerësime për librin:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.” – ISMAIL KADARE

“Rast i shkëlqyeshëm leximi i këtij libri shumë inspirativ, mbi lidershipin e “Atit Themelues” të Shqipërisë. Evarist Beqiri është një djalë i mbarë, një burrë i vërtetë shqiptar. Figura e Themeluesit duhet e freskët dhe frymëzuese në çdo ditë të jetës sonë si shqiptar. Kush nuk di sa duhet për Ismail Qemal Vlorën, nuk di mjaftueshëm për shtetin shqiptar. Ky libër duhet të jetë në çdo bibliotekë familjare shqiptare. Ismail Qemal Vlora është Themeluesi i Shqipërisë, gjeniu shqiptar i diplomacisë.”

-MILAZIM KRASNIQI

“Evarist Beqiri ka shkruar monografinë më të mirë për Ismail Qemalin. Për stilin e të shkruarit të Evarist Beqirit, unë do t’i referohesha eseve memorialistike dhe profileve të Stefan Cvajg, për zhdërvjelltësinë e stilit dhe karakterizimet.” – ALEKSANDËR ÇIPA

“Evarist Beqiri ka shkruar një libër të shkëlqyer. Libri është shkruar me një stil tërheqës dhe elegant, me të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare.” – Ethem Ruka

“Libri me titullin kuptimplotë “Themeluesi”, i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri, Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot! Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit.

Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e cila e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm.”

-AURELA ANASTASI

“Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.

Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj.

Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.”-NEVILA NIKA

“Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike.” -ALBERT HABAZAJ

“Autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian.

Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë.

Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.”

-MONIKA HASANI

“Evarist Beqiri na sjell modelin më të mirë të lidershipit, atë të Ismail Qemalit. Në studimet tona jemi mësuar ta shohim ndryshe të trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Bie në sy marrja në konsideratë e të dhënave të shumta, të rralla e shumë të vyera që studiuesi ka vendosur në fokus të punimit të tij. Një punë tejet e mundimshme , kur bëhet fjalë për analizimin e një figure të jashtëzakonshme si Ismail Qemali, e cila këndvështrohet në disa drejtime. Në librin “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, autori jo thjesht e lartëson figurën e Ismail Qemalit, por e analizon gjatë përmes një strukture që nxit mendimin kritik. Përmes një analize të thellë autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider që “udhëheq me shembullin e vet”. Ky libër është biografia e munguar e Ismail Qemalit, parë nga një vështrim tridimensional i Evarist Beqirit, i cili na ndihmon ta shohim ndryshe themeluesin e shtetit shqiptar. Autori i nxjerr tiparet e tij si lidership në dritën e kohës. Libri i përket zhanrit biznes lidership dhe ofron një qasje që nuk është sjellë më parë në Shqipëri.”

-EDLIRA ÇERKEZI

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, është libri i vetëm që është shkruar për një figurë historike nga pikëpamja e lidershipit. Miku im, Evaristi, ka shkruar një libër brilant.”

-ENVER HOXHAJ

“Libri “Themeluesi”-Lidershipi i Ismail Qemalit”, vlerësohet për origjinalitetin e qasjes në trajtimin modern me karakter publicistik që i bën figurës historike të Ismail Qemalit, parë nga këndi i teorive të reja dhe studimeve bashkëkohore të lidershipit.”

– JURIA E ÇMIMIT “LUMO SKËNDO”

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit, është vlerësuar si libri më i mirë i vitit 2022, në kategorinë e librit non-fiction dhe studimor.”

Platforma Bukinist.al dhe blogu Leximtari.

Filed Under: Histori

8 Dhjetori, Dita e Rinisë, 34 vjet nga protestat studentore kundër regjimit komunist!

December 8, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot më 8 Dhjetor, festohet Dita e Rinisë! 34 vjet më parë, studentët protestuan kundër regjimit komunist. Kjo datë, përkujtohet dhe festohet si festë kombëtare, në nder të gjithë studentëve të Dhjetorit ‘90, të LIBERATORËVE, të cilët u bënë iniciatorë të kthesës së madhe historike, që solli paqësisht rënien e komunizmit dhe lindjen e Demokracisë në Shqipëri.

Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, studentët kërkuan në emër të një populli, atë ç’ka i mungonte Shqipërisë e shqiptarëve: pluralizmin politik, Lirinë e Demokracinë.

Studentët dhe prijësit e tyre kuptuan se ndërgjegjja dhe logjika bëhen një në të vërtetën e madhe të lirisë dhe se liria është e vetmja rrugë e përshkueshme për të arritur progresin kombëtar dhe shoqëror.

Idealet e rinisë studentore të Dhjetorit ‘90 ishin dhe mbeten idealet më të larta, më fisnike, më njerëzore të shqiptareve.

Ndaj dhe 8 Dhjetori ‘90 është dita e nderimit të lirisë dhe vlerave të saj.

Është dita e “bijës” së kësaj Lëvizjeje, Partisë Demokratike, e cila nëpërmjet liderit të saj, Sali Berisha, themeluesve të tjerë Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Arben Broci, Pjetër Arbnori rikthyen atdheun në botën perëndimore, në liri e demokraci.

Është dita e nderimit të udhëheqësit të tyre, Azem Hajdarit.

Është dita e Heroit të Demokracisë, Arben Broci dhe e të gjithë atyre që u sakrifikuan për Demokracinë.

Në këtë datë do të dëshiroja të falenderoja një për një të gjithë ata studentë kurajozë të atij brezi dhe veçanërisht të gjithë studentët vlonjatë, Mimoza Ferraj, Ardi Stefa, Alma Bendaj, Albert Kushti, Arian Nika, Ermal e Alban Arapi, Enela Pici, Enkeleida Stefa, Dorian Sofia, Alban Xhiku, Luan Meçe,Arben Meçaj, Besnik Dervishi, Arben Petro, Lad Kordhaj, Sokol Bala, Edmond Ruçi, Altin Llupa, Edmond Banushi, Marsela Ahmeti, Petrit Zeqiri, pedagogen Liljana Elmazi dhe pedagogun Herkole Sava, e dhjetëra të tjerë, të cilët me guxim, kurajo e vendosmëri ishin në ballë të protestave, ishin nga firmëtarët e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kontribuan në themelimin e degës së Vlorës dhe qëndruan konseguentë të vlerave e idealeve të Dhjetorit ’90!

Ju jemi mirënjohës përjetësisht!

Sot, 34 vjet më vonë, studentët dhe të rinjtë e Shqipërisë, të thirrur nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të protestojnë në Tiranë kundër narkoshtetit të Edi Ramës dhe grabitjeve të pasurisë kombëtare nga sektiRama në këto 12 vite në pushtet dhe politikave antikombëtare që ky sekt i zi ka realizuar në Shqipëri. Ti bashkohemi të gjithë kësaj proteste !

Filed Under: Histori

SPANJË, 1976 / “NË BOTËN E FORTESËS SË MBRETËRESHËS SUZANI…” — NJË SHKRIM PËR MBRETËRESHËN SUZANË, NËNËN E PRINC LEKA II

December 7, 2024 by s p


Mbreti i Shqipërisë në mërgim, Leka, me Mbretëreshën e lindur në Australi në pronën e tyre në Spanjë, ku ata po krijojnë një shtëpi dhe seli të pavarur. Mbreti është 6 këmbë e 7 inç i gjatë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2


Nga Aurenc Bebja*, Francë –  7 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 14 prillit 1976, në faqen n°4, një shkrim asokohe për mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në botën e fortesës së mbretëreshës Suzani 

— ku Mbreti Leka mban një armë… dhe mbretëresha e tij australiane është gjithashtu qitëse e mirë.

Anne Matheson ishte mysafire në shtëpinë e tyre.

Fotografitë nga Alec Murray

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Mbreti Leka I i shqiptarëve hoqi një revolver të vogël elegant Colt të varur në një rrip lëkure të bukur dhe e lëshoi pa shqetësim në divanin pranë meje.

Për këtë Mbret dhe mbretëreshën e tij, australianen Susan Cullen-Ward, armët dhe rojet janë një pjesë e domosdoshme e jetës së tyre dhe e imja për fundjavën që isha mysafire e shtëpisë së tyre në Spanjë.

Leka lindi në një botë krizash, kërcënimesh për jetën e tij dhe armiqësi të pafshehura nga ata që nuk kanë asnjë simpati për qeverinë e tij në mërgim.

Vendi i tij është nën sundimin komunist dhe ai ka shumë kundërshtarë edhe në Spanjë ku ai dhe Mbretëresha kanë shtëpinë e tyre.

Festimet në Madrid pas martesës së tij me Susan Cullen-Ward në tetorin e vitit të kaluar u lanë në hije nga zhurmat politike spanjolle që nuk janë shuar që kur miku i tij i ngushtë Mbreti Juan Carlos hipi në fron pas vdekjes së gjeneralit Franko.

Tani edhe jeta e mbretëreshës Suzani është nën kërcënimin e armiqve të kauzës së çlirimit të Shqipërisë, së cilës i është përkushtuar Mbreti. “Unë e bëra zotimin tim kur u betova për besnikëri ndaj popullit tim,” tha ai. “Susan e dinte këtë përpara se të martohej me mua. Ajo e dinte rrezikun me të cilin do të përballeshim në jetën tonë së bashku.”

Pra, është e kuptueshme që pasuria e tyre, 17 kilometra jashtë Madridit, duhet të ishte bërë një fortesë e sigurt.

Mbreti qëndron pranë portave të hyrjes prej hekuri me stemën mbretërore. Përveç një gardhi të lartë, prona ka sisteme të përpunuara alarmi. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Megjithatë, shtëpia, Finca Nuestra Sra de Guadalupe, nuk është një kështjellë mesjetare. Është një shtëpi simpatike koloniale spanjolle, e ndërtuar në një nivel në një shtrirje të gjerë, me një pamje të Madridit nga njëra anë dhe një pamje të maleve të bukura të Guadalupe nga ana tjetër.

Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Duket paqësore dhe këndshëm relaksuese, siç është në të vërtetë sepse puna e parë e mbretit Leka ishte të ruante shtëpinë dhe pesë hektarë tokë me një gardh 5 m (16 këmbë) dhe sisteme alarmesh të mbivendosura.

Ai vetë mban dy armë dhe shoqërohet nga një truprojë, një nga shqiptarët e lirë që e konsideron një nder të madh t’i shërbejë mbretit në mërgim. Ahmet Terpez shfaq një buzëqeshje të gjerë, miqësore, dhëmbët e tij të artë shkëlqejnë dhe bën përshëndetjen zogiste me krahun e djathtë përgjatë gjoksit për të formuar shkronjën Z të mbretit Zog, babait të Lekës.

Siguria e plotë

Ahmeti është në listën e rojeve të Mbretit. Ai erdhi nga Gjermania, ku ishte punëtor tekstili, për të kryer detyrën. Më vonë do të ketë dy truproja që do të jetojnë në kompleks, një për Mbretin dhe një për Mbretëreshën e tij.

Brenda pesë hektarëve, mbreti Leka po ndërton tani një sekretariat dhe shtëpi për oborrin e tij të shqiptarëve të lirë dhe stafin e tij. “Unë po shes zyrat dhe apartamentet e mia në qendër të Madridit dhe po përqendroj të gjitha operacionet e mia këtu në Pozuelo,” shpjegoi ai.

“Atëherë do të jem në gjendje të siguroj gjithçka plotësisht.”

Ai dëshiron që gjithçka të jetë e pavarur në çdo rast urgjence. Ata kanë ujësjellësin e tyre nga puset dhe po gërmojnë puse më të thella. “Ne kemi nevojë për më shumë ujë nëse duam të kultivojmë tokën dhe ta mbajmë pishinën të mbushur,” tha ai. Dhe ata prodhojnë energjinë e tyre elektrike.

Megjithëse Mbreti planifikon të kultivojë mjaftueshëm ushqim për t’i bërë ata të vetë-mjaftueshëm, kopshtari andaluzian e sheh këtë si një trill dhe vazhdon me rendin e tij të vendosur të mbjelljes së pranverës, duke vendosur pemë dhe lule zbukuruese.

Mbretëresha dëshiron një sipërfaqe të madhe të mbjellë me misër të ëmbël dhe pjepër australianë. “Ata duhet të rriten mirë këtu,” i argumenton mbreti kopshtarit. Por ai nuk e urdhëron.

Mbreti Leka dhe mbretëresha Suzani e mbajnë shtëpinë hapur gjatë fundjavave. Derisa të kenë ndërtuar dhoma për shërbëtorët e tyre dhe të sjellin stafin e tyre, shumica e ushqimeve për mysafirët e tyre përgatiten nga mbreti.

Unë isha mysafirja e vetme në shtëpi dhe thashë me habi kur mbreti Leka u shfaq nga kuzhina me një tas me spageti të shijshme në një salcë të shijshme për darkë : “Epo, është hera e parë që një mbret gatuan për mua dhe më servir një vakt.”

“Gjithmonë duhet të ketë një të parë,” tha ai me buzëqeshjen e tij djaloshare, e cila rri pezull mbi fytyrën e tij të çelur edhe kur ai është në gjendjen më serioze.

Dreka përbëhej nga një vakt shqiptar i përgatitur nga truproja i besuar, i cili ishte i lumtur t’i shpëtonte të gjitha atyre salsiçeve gjermane në Mynih ku punon. Ai bëri kosin më të shijshëm ndonjëherë, i cili më shndërroi në atë që e konsideroja fillimisht si një pjatë pa shije.

Pjata kryesore ishte një gjellë me copa të buta viçi dhe fasule të bardha të mëdha në një salcë pikante, me një pjatë anësore me qepë të papërpunuara. I kalova qepët; Mbreti hëngri dy me kënaqësi dhe mbretëresha shijoi të sajat.

Mbajtja e shtëpisë hapur nënkuptonte që të dielave të ftuarit vinin që nga mesdita. Ne hëngrëm një drekë byfe dhe në mbrëmje, rreth orës 21:00, mbreti dhe një nga të ftuarit e tij gatuan copën më të butë të viçit që kam provuar ndonjëherë.

Mishi i viçit ishte i mirë, i rrallë dhe i prerë në feta të trasha. Një copë e mirë viçi është e vështirë të gjendet në Spanjë, mësova më vonë. Dhe e tillë është mikpritja shqiptare, mbreti u ofroi fileta viçi mysafirëve të tij ndërsa ata niseshin.

Meqë ishim në Spanjë, ishte normale të bënim një sy gjumë pasdite. Nëna e mbretit, mbretëresha Geraldinë, erdhi për drekë dhe, pas një sy gjumë në dhomën e rezervuar për të, u kthye në shtëpi në kohë për një pije, një lojë bridge dhe darkë.

Dhurata e dasmës

Pranvera në Madrid ishte mjaft e ftohtë, ndonëse disa ditë ishin me shkëlqim. Mikpritësit e mi ishin jashtëzakonisht të sjellshëm dhe më thërrisnin për të parë një muzg të bukur, ose qenushin e tyre “boxer” të sapoardhur, dhuratën e dasmës së mbretëreshës për mbretin ose mjegullën që ngrihej mbi male.

Rutina e fundjavës për këtë çift të ngarkuar me punë është që të qëndrojnë zgjuar deri vonë natën dhe të zgjohen shumë vonë ditën, dhe biseda rrjedh natyrshëm. Ata nuk shohin televizor, megjithëse ka televizorë të vegjël të vendosur nëpër dhoma.

Disa nga historitë e mbretit për banditët dhe shqiptarët që qëllonin për të vrarë dukeshin të çuditshme, por ishin mjaft magjepsëse.

Ne e dimë që intrigat dhe atentatet janë një mënyrë jetese në Ballkan, por unë u habita kur më tregoi për një burrë të vogël që e kisha vënë re në dasmë, nervoz dhe energjik teksa mbante argjendin gjatë festës madhështore prej 200 kilogramësh havjar dhe 100 deshëve të pjekur të servirur para 1000 të ftuarve.

“Ai kishte një piceri në Nju Jork,” tha Mbreti, “dhe kur mafia kërkoi para për mbrojtjen e tij, ai refuzoi. Ata dërguan gjashtë nga njerëzit e tyre për ta qëlluar, por ai mbërriti i pari atje dhe i shtriu të vdekur për tokë. Për të shpëtuar fytyrën e saj, mafia dogji restorantin e tij.”

E pyeta mbretëreshën duke qeshur se si një vajzë e bukur australiane si ajo ishte ngatërruar me këta qitës profesionalë. “Unë vetë jam një qitëse e mirë,” u përgjigj ajo.

Finca Nuestra Sra de Guadalupe (Prona e Nënës sonë të Guadalupe) është ende e mobiluar vetëm pjesërisht. Susan Cullen-Ward, nga një familje fermere në Uellsin e Ri Jugor, ishte mësuese arti dhe dizajnere e brendshme përpara martesës së saj dhe mbreti Leka ishte koleksionist gjatë gjithë jetës së tij. “Së bashku gjetëm shtëpinë dhe së bashku e mobiluam,” tha Mbretëresha.

Koleksioni privat i qilimave persiane, ndoshta më i vlefshmi në botë, është i përhapur në katër dhomat e pritjes dhe gjetkë në shtëpi, duke përfshirë një Tabriz të artë që duket se ndryshon dhe shkëlqen kur e kap drita.

Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Dyert rrëshqitëse në dhomat e bollshme kryesore hapen për të krijuar një dhomë pritjeje të madhe për raste shtetërore. Ka tre “patios”, një sallë të vogël në hyrje me tualet dhe banjo, një bibliotekë, katër dhoma gjumi për mysafirë me banjo, si dhe apartamente private të çiftit mbretëror.

Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Ambientet shtëpiake aktualisht në ndërtim përfshijnë dy kuzhina, dhe shoferi, kopshtari dhe shërbëtorët do të jetojnë mbi garazhet.

Mbreti dhe mbretëresha Suzani do të largohen nga shtëpia e tyre në qershor në turin e parë mbretëror së bashku, kur do ta prezantojë atë para shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Bëhet fjalë për një turne katër javor. Më vonë ata do të vizitojnë Australinë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT