• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Guximi për të Shpëtuar një Jetë: Një Trashëgimi e Lidershipit dhe Humanizmit

December 24, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Nëpërmjet këtij shkrimi po ndaj një histori thellësisht personale, që ka formësuar vlerat dhe këndvështrimin tim mbi lidershipin dhe humanizmin. Është historia e gjyshit tim Arshi Imer Beqiri, një partizan nga Tërbaçi i Vlorës dhe komandant gjatë Luftës së Dytë Botërore, guximi i të cilit shkonte përtej fushës së betejës.

Në mes të kaosit të luftës, kur emocionet ishin të ndezura dhe vendimet përcaktonin jetë a vdekje, gjyshi im mori një vendim të guximshëm. Një njeri, i akuzuar si tradhtar, për një fjalë goje, ishte pranë ekzekutimit nga partizanët. Por gjyshi im, përtej akuzave dhe zemërimit të turmës, pa një jetë që vlente të shpëtohej. Ai ndërhyri dhe i shpëtoi jetën këtij njeriu.

Arshi Beqiri, nip i patriotit Halim Xhelo (1894-1937), u përfshi në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, në Brigadën e V-të Sulmuese, ku mbante detyrën e komandantit të sigurisë së udhëheqjes. Por, menjëherë pas Operacionit të Dimrit të nazistëve dhe Luftës së Gjormit, ndodh i ashtuquajturi “incident” i shkurtit 1944. 

Një burrë nga Tërbaçi i Vlorës ishte shprehur se “partizanët janë shpartalluar dhe morën fund…” Kaq do të mjaftonte që ai të arrestohej nga partizanët dhe të gjykohej si armik. Ai nxirret i lidhur para burrave të fshatit Tërbaç. Pas situatës së tensionuar burrat e Tërbaçit u tërhoqën. Ata lejuan që i arrestuari të merrej nën pranga nga partizanët. Fati i tij ishte vulosur tashmë, dënim me vdekje…

I gjendur nën këto rrethana të jashtëzakonshme komandanti partizan, tridhjetë e tre vjeçar, u gjend para një dileme ekzistencialiste. Të lejonte ekzekutimin e tërbaçiotit ose të merrte përgjegjësinë, duke shmangur vëllavrasjen. Ai preferoi që të shpëtonte një jetë, duke sakrifikuar veten e tij, por duke fituar mirënjohjen e përjetshme të brezave…

Arshi Beqiri nuk lejoi që të gjakosej Tërbaçi. Gjithsesi, pas përfundimit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ai arrestohet në Sarandë. Aty ai ishte duke shërbyer si komandant kompanie në Brigadën e XII-të Sulmuese. Gjykata Ushtarake e Vlorës, pasi tentoi pa sukses dhënien e një dënimi më të rëndë me akuza të pavërteta, me një vendim që mban datën, 20.7.1946, përfundimisht e dënoi me tre vite burgim.

Kundërshtimi i vëllavrasjes, plagës më të madhe të LANÇ, do t’i kushtonte atij shtrenjtë. Por, akti i tij nuk ishte thjesht dhe vetëm shpëtimi i jetës së një individi; ishte mbrojtja e thelbit të humanizmit në kohët më të errëta. “Ai që shpëton një jetë, shpëton gjithë botën,” mëson Talmudi. Vendimi i gjyshit tim mishëron këtë të vërtetë të thellë.

Kjo histori na kujton se lidershipi nuk matet vetëm me forcën apo strategjinë, por mbi të gjitha me guximin moral. Lidershipi është të qëndrosh për atë që është e drejtë, edhe kur kjo është e papëlqyer, edhe kur është e rrezikshme.

Njerëzit e thjeshtë të Tërbaçit dhe Labërisë e respektuan, aq sa në Labëri njerëzit shkruajnë dhe këndojnë për të. Në një këngë këndohen këto vargje kuptimplotë: “Arshi Imeri namlart, /Alilekajt rrezeartë”, në një tjetër: “Kush e mbajti unitetin,/ Këtu në fshat të Tërbaçit,/ Hysni Kapo komisari,/ Arshi Imeri gurë stërralli”, dhe akoma më tej: ”Arshi Imeri trimëria,/ Burrë i madh dhe mençuria/ sa shumë flet dhe historia,/ Do të mbetesh krenaria…”  Dhe populli është i saktë në vargjet e tij.

Teksa reflektoj mbi këtë trashëgimi, më vjen në mendje se veprimet tona—sado të vogla apo të mëdha—kanë fuqinë të ndikojnë për breza me radhë. Akti i fisnikërisë së gjyshit tim më ka frymëzuar që punën dhe jetën time ta udhëheq me të njëjtin përkushtim ndaj drejtësisë, guximit dhe humanizmit.

Thuhet se “nëse duam që të shpëtojmë botën dashuria është përgjigjja e vetme.”  “Pa dashur që të zvogëlojmë aktet kurajës për të cilat njerëzit kanë dhënë jetën, ne nuk duhet as që të harrojmë aktet e kurajës me të cilat njerëzit kanë jetuar,” – shkruante presidenti Xhon F. Kenedi. Uroj që historia e tij të shërbejë si frymëzim për të gjithë ne, një dëshmi e fuqisë së përhershme të dhembshurisë, edhe në kohët më të vështira.

Tërbaç, Labëri, Vlorë

Filed Under: Histori

“HISTORIA E INTERNIMIT NË SHQIPËRI 1944-1990”

December 23, 2024 by s p

Brisejda LALA/

Vendosja e regjimit diktatorial në Shqipëri u shoqërua me dhunë dhe represion jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe familjarëve të tyre. Të shpreheshe kundër regjimit, të largoheshe nga vendi, të ishe i pasur ose relativisht i pasur kategorizoheshe automatikisht në kundërshtar të regjimit. Familjarët e emigrantëve politikë u arrestuan dhe u internuan në kampet më famëkeqe të ngritura nga komunizmi duke u privuar çdo lloj komunikimi me të afërmit e tyre. Çështja që ngrihet për diskutim lidhet me represionin ndaj familjarëve të kundërshtarëve politik dhe sa legjitim ishte persekutimi i tyre. Gjatë përpjekjeve për të anatemuar çdo gjë që lidhej me të kaluarën, regjimi injoroi të gjitha ligjet dhe marrëveshjet që kishin ekzistuar gjatë monarkisë. Kjo la një vakum ligjor i cili domosdoshmërisht duhej mbuluar me legjislacion të ri, gjë që regjimi komunist nuk e realizoi gjithmonë në kohë dhe me efikasitet.

Studimi “Historia e internimit në Shqipëri 1944-1990”, ka për qëllim të hedhë dritë në një pjesë të rëndësishme dhe të pastudiuar të historisë së vendit. Edhe pse kjo temë ka zgjuar interesin e historianëve, nuk janë bërë më parë studime specifike që lidhen me familjet e internuara gjatë diktaturës. Bazuar në dokumentet arkivore shqiptare por edhe historitë e transmetuara nga dëshmitarë të kohës, janë analizuar faktet historike mbi internimin dhe dëbimin si masë administrative gjatë regjimit komunist.

Përveç bazës ligjore mbi internimin një rëndësi të veçantë në këtë studim është analiza e kushteve në të cilat kanë jetuar familjet e internuara gjatë periudhës së internimit. Në këtë kuadër vlen të përmendet që kushtet jetësore, mjekësore dhe higjenike linin shumë për të dëshiruar. Për të bërë një sintezë më të saktë të ndodhive nuk bazohemi vetëm në historitë gojore por edhe në dokumentet arkivore të kohës, të cilat hedhin dritë mbi disa aspekte të veçanta të procesit të internimit. Për të bërë një panoramë sa më të plotë të temës, krahas vështirësive të shumta mbi analizën e represiont komunist dhe sistemit të internimit është bërë edhe një përmbledhje mbi hipotezat e parashtruara duke i parë ngjarjet në kontekstin e kohës.

Ky studim synon të analizojë, argumentojë dhe konkludojё mbi disa hipoteza të rëndësishme të regjimit komunist në raport me të drejtat e të dënuarve me masën e internimit dhe persekutimin e tyre, duke i dhënë përgjigje pyetjeve: Sa e ligjshme ishte që këto persona të internoheshin në kampe të rrethuar me tela me gjemba apo vende internimi? Cilat ishin të drejtat dhe kushtet jetësore që gëzonin familjet e internuara në Shqipëri në raport me vendet e tjera dhe atyre që nuk e kishin këtë status? Çfarë statistikash mund të sjellim lidhur me represionin komunist ndaj të internuarve në periudhën 45- vjeçare të qeverisjes së tyre. Në këtë punim jam munduar që të paraqes në mënyrë të detajuar dhe të plotë, me aq sa lejojnë burimet që disponojmë mbi këtë temë, jetën e famileve të internuara në përditshmëri dhe vështirësitë e tyre gjatë komunizmit. Pasqyrohen në këtë studim një numër i madh dokumentash mbi ligjshmërinë e procesit të internimit, kushtet e jetesës në kampe dhe vende internimi, shkeljen e të drejtave të individit etj.

Vështirësitë kryesore që kam hasur gjatë hulumtimit dhe ngritjes së narrativës historike kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e dokumenteve arkivore për këtë temë. Dokumentacioni arkivor në dispozicion të studiuesve është i cunguar dhe burokracitë e shumta në aksesin e dokumentacionit e kanë bërë akoma më të vështirë këtë hulumtim.

Informacioni në dokumentacionin vendas, sidomos për kampet e internimit mungon ose nuk është lehtësisht i aksesueshëm ndaj më është dashur të referohem tek burime të arkivave të huaj ose në dëshmitë e ish të internuarve. Këto burime ndonëse të vyera krijojnë vështirësi analitike kryesisht përsa i përket relativitetit të historisë së rrëfyer. Burimet bibliografike gjithashtu nuk janë të shumta dhe mungojnë studimet e thelluara historike mbi këtë temë.

Grumbullimi i dokumenteve arkivore si edhe procesi i seleksionimit të materialeve burimore ka qenë i vështirë për shkak të mungesës së burimeve arkivore të deklasifikuara lidhur me këtë çështje. Arkivat nuk ofrojnë një material burimor të pasur, konkret mbi internimin dhe kampet me tela me gjemba. Megjithatë për të pasur një bazë të gjerë burimesh primare jam konsultuar me dokumentacionin e Arkivit Qendror të Shtetit. Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme vë në dispozicion materiale dokumentare kryesisht qëndrimit të organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljen e të drejtave të individit në vendin tonë, që përbëjnë një vlerë të shtuar në këtë studim. Raportet dokumentare te CIA-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen në Shqipëri kanë një rëndësi të veçantë në këtë studim.

Pjesën më të madhe të informacionit CIA e merrte nga emigrantët politikë, të cilët referonin shifra jo gjithmonë të sakta por furnizonin me një informacion shumë të rëndësishmë mbi kushtet e jetesës, mungesën e ushqimit dhe cënimin e të drejtave në vend. Ky infiormacion i detajuar përbën sot një burim të rëndësishëm në studimin historik të sistemit të kampeve të internimit të ngritura në Shqipëri. Gjithashtu kam shfrytëzuar një numër të madh dosjesh që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Brendshme si edhe te Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), kryesisht referuar shifrave dhe vendimeve të dhëna për internimin dhe dëbimin si masa administrative.

Për të analizuar më qartë sistemin e internimit dhe krijimin e kampeve të internimit në vend më kanë ardhur në ndihmë botimet dokumentare të botuara më parë. Një zë të rëndësishëm në këtë studim kanë dëshmitë e ish të internuarve, të cilët ndajnë me ne përvojat e tyre nëpërmjet intervistave. Përgjatë viteve ISKK i ka kthyer këto intervista në disa vëllime me botime memuaristike nën titullin “Zërat e Kujtesës”.

Metodologjia e përdorur në këtë punim është ajo klasike që ndërtohet dhe shtrohet mbi analizën e internimit fenomenit historik duke përgjithësuar dhe trajtuar çdo rast si unik por edhe si pjesë e një strukture të tërë shtetërore që funksiononte mbi bazën ideologjike të luftës së klasave.

Në punim nuk mungojnë vështrime krahasuese të fakteve, sjellë nga dëshmitarët me qëllim që të evidentohet më së miri e vërteta historike bazuar mbi materialet që disponojmë.

I gjithë punimi është ndërtuar në rend kronologjik, i ndarë në kapituj, ku secili prej tyre trajton çështje të caktuara. Përmbajtja e studimit fillon me listën e shkurtimeve, parathënien, hyrjen ku bëhet një historik i fenomenit historik dhe shpjegim i termit internim dhe dëbim. Studimi ndahet në tre kapituj ku secili prej tyre trajton çështje të caktuara. Kapitulli i parë, me titull: “Një histori e shkurtër e ligjit të internimit” trajton historikun e insticionit të internim- dëbimit në nivel krahasues me periudhat e mëparshme, duke specifikuar aspekte ligjore dhe problemeve që buronin nga aplikimi i ligjeve për këto masa administrative.

Kapitulli i dytë fokusohet në klasifikimin e kampeve të punës dhe të internimit duke bërë një kategorizim të tyre referuar edhe shembujve të marrë nga vendet e tjera. Në këtë kapitull një vend të veçantë zënë aspekte të jetesës në kampe me tela me gjemba si edhe në fshatra internimi, ku burimet arkivore hedhin dritë mbi problemet kryesore që hasnin në përditshmëri të internuarit.

Në kapitullin e tretë bëhen analiza statistikore referuar të dhënave që sjellin arkivat e kohës lidhur me këtë fenomen. Studimi mbyllet me konkluzionet dhe bibliografinë e shfrytëzuar për këtë punim. Shtojca e përfshirë në këtë studim synon të japë një pasqyrë më të qartë të kampeve të internimit të ngritura në vend.

Përpjekjet për të hedhur dritë mbi historinë e internimit dhe dëbimit në Shqipërinë komuniste janë për tu vlerësuar dhe mendoj që ky studim do të jetë i rëndësishëm në këtë kontekst. Përmes këtij studimi synoj të vë në pah mbi disa çështje që nuk janë trajtuar sa duhet në të kaluarën duke sjellë fakte të reja që pasurojnë tablonë mbi represionin komunist. Ky studim është produkt i bashkëpunimit që kam patur me punonjësit e ISKK, të cilët kam kënaqësinë t’i falenderoj. Një falenderim i veçantë i dedikohet ish-drejtoreshës së Studimeve pranë ISKK-së, Znj. Luljeta Lleshanaku, pa këmbënguljen dhe kontributin e së cilës ky studim nuk do të mund të vinte në këtë formë sot. Gjithashtu i detyrohem mirënjohjen të thellë të gjithë ish të internuarve të cilët ndajnë me stafin e ISKK përvojën e tyre duke dhënë një kontribut të madh për të ardhmen dhe brezat që vijnë.

Filed Under: Histori

Fotoja historike e gazetës vjeneze “Das Interesante Bllatt”

December 22, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Gazeta vjeneze “Das Interessante Blatt” e date 19 dhjetor 1912, ne balline e saj boton fotografinë historike te pese ambasadoreve te Fuqive te Medha mëdha evropiane dhe te ministrit te Jashtëm te Britanisë se Madhe: Max Fürst Lichnowsky (Gjermani), Alexander Graf von Benckendorff (Rusi), Albert Graf von Mensdorff, (Austro-Hungari) Jules Cambon (France) , Marchese Gugliemo Imperali (Itali) dhe ministri i Jashtëm Edward Grey (Britani e Madhe), të cilët ndërmjetësuan për ruajtjen e paqes evropiane dhe zgjidhjen e problemeve midis Aleancës Ballkanike dhe Perandorisë Osmane.

Takimet ne këtë konference kishin një karakter pothuajse familjar, pasi ambasadorët e Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Gjermanisë, përkatësisht Albert Graf von Mensdorff, Alexander Graf von Benckendorff dhe Max Fürst Lichnowsky, ishin të gjithë kushërinj.

Ne kete konference mbi të gjitha bëhej fjalë për të ardhmen e Shqipërisë. Konferenca filloi në dhjetor nën kryesimin e Sir Edward Grey në Pallatin e St James dhe zgjati deri maj 1913.

Në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës fuqitë e mëdha vendosën të krijonin një Shqipëri të rrumbullakët, e cila përfshinte vetëm gjysmën e të gjitha territoreve të populluara shqiptare. Më shumë se 50% e popullsisë shqiptare mbeti jashtë këtij shteti dhe kryesisht ra nën sundimin serb, pasi Serbisë iu dha pjesa e Kosovës. Kufiri i sotëm Kosove-Serbi është në thelb në përputhje me linjën e miratuar nga Kongresi i Berlinit dhe është një nga kufijtë me te vjetër ne Ballkan. Siç e pranoi sinqerisht Sekretari i Jashtëm britanik Sir Edward Grey në atë kohë, pikëpamjet etnike nuk luajtën asnjë rol në çështjen e demarkacionit. Ishte vetëm për të kënaqur interesat e fuqive të mëdha.

Kjo është e rëndësishme sepse “politika e balancës” gjermane e ndjekur në konferencë pati një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e Shqipërisë. Austro-Hungaria dhe Italia mbështetën me forcë pavarësinë shqiptare, Monarkinë e Danubit, sepse kjo do t’i mohonte Serbisë hyrjen në Adriatik, ndërsa italianët shpresonin të ishin në gjendje t’i nënshtronin vullnetit të tyre shtetin e ri të dobët në anën tjetër të Adriatikut. Rusia mbështeti Serbinë dhe Malin e Zi. Franca u pajtua me qëndrimin rus. Gjermania dhe Britania e Madhe qëndruan neutrale. Çështjet e tjera territoriale u vendosën kryesisht në favor të Serbisë dhe Greqisë.

Theodor Niemeyer e vlerësoi situatën politike në Evropë nga viti 1912 deri në vitin 193 si më poshtë: “Interesat ballkanike të Rusisë dhe Austrisë ishin diametralisht të kundërta. Nevojat e Italisë ishin kryesisht në të njëjtat linja me ato të Austrisë.

Nëse lufta do të kishte shpërthyer në 1912 ose 1913 si rezultat i mbështetjes së Rusisë ndaj pretendimeve serbo-malazeze, Rusia do ta kishte vendosur menjëherë Italinë si fuqinë e radhës më të interesuar.

U gjet teatri i luftës dhe në krah të tij, natyrisht, jo vetëm Austria, por edhe Gjermania, por ndoshta edhe Turqia, si dhe një ose dy shtete ballkanike. Anglisë do t’i duhej të qëndronte në mbrojtje të Rusisë me Francën, ndoshta përmes mbështetjes së armëve. Një situatë e tillë lufte duhet të jetë dukur katastrofë për Anglinë jo vetëm për arsye të përgjithshme, por edhe politikisht dhe ushtarakisht të pafavorshme për shkak të pjesëmarrjes aktive kryesore të Italisë dhe pjesëmarrjes së shteteve lindore.”

Filed Under: Histori

DAILY EXPRESS (1930) / “DIKTATOR ËSHTË AI QË SHPËRFILL KUSHTETUTËN…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN ZOG I NË SHQIPËRI

December 21, 2024 by s p


Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Dhjetor 2024

“Daily Express” ka botuar, të mërkurën e 2 korrikut 1930, në faqen n°8, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogu – një mbret shumë modern

Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8

Nga Alexander Levvey Easterman

Mbreti Zog refuzon të mbajë një kurorë

Nuk do të ketë ceremoni kurorëzimi

Personalisht mbikëqyr çdo departament të shtetit të tij

Mendon se gratë duhet të qëndrojnë jashtë politikës dhe është idhulli i popullit të tij

Tiranë, Shqipëri.

Sapo pata një intervistë të gjatë dhe magjepsëse me një Mbret të ri të mrekullueshëm, i cili, megjithëse ulet në fronin e mbretërisë më të re, më të vogël dhe më pak të njohur evropiane, mund të ketë fuqinë për të ndaluar ose për të shkaktuar shpërthimin e ardhshëm të luftës në Evropë. Kërcënimet dhe sfidat e zjarrta por të paqarta të Musolinit gjatë ditëve të fundit do të kenë një kuptim më të qartë në dritën e vendit të këtij Mbreti në Ballkan.

Zogu, Mbreti i parë i Shqipërisë, është një risi tek monarkët. Ai është i vetmi sundimtar që refuzon të mbajë një kurorë. Ai refuzon, kundër këshillës së ministrave të tij, të ketë një ceremoni kurorëzimi, sepse është shumë i zënë me ndërtimin e shtetit të tij dhe sepse kostoja e ceremonisë, thotë ai, mund të përdoret më mirë në rregullimin e mbretërisë së tij. Ai personalisht drejton çdo departament të shtetit të tij, nga politika e jashtme e lartë deri tek ndërtimi i një rruge të re në kryeqytetin e tij. Ai është autokrat i padiskutueshëm i vendit të tij dhe idhulli i popullit të tij.

Mbreti Zog është vetëm tridhjetë e tre vjeç. Dy vjet më parë, kur ai ishte një qytetar privat, ai krijoi, i vetëm, Mbretërinë e re të Shqipërisë nga një rrëmujë tipike kaotike ballkanike e fraksioneve të panumërta të vogla dhe fiseve ndërluftuese – një ferr grindjesh politike, revolucionesh dhe grindjesh të vazhdueshme. Ai ngriti fronin e tij dhe krijoi një dinasti të re.

Ai qeveris vetëm 800.000 subjekte, por ai mban çelësin e një situate politike që është e mbushur me mundësitë më të rrezikshme për prishjen e paqes europiane.

Ai është i rrethuar nga të gjitha anët nga shtete të reja të fuqishme dhe ambicioze që shkëlqejnë në mënyrë ogurzezë mbi njëri-tjetrin dhe e shikojnë atë me ankth. Në njërën anë qëndron një Jugosllavi e zgjeruar dhe ambicioze nën diktaturën e mbretit Aleksandër, e cila kërkon dëshpërimisht të hapë një dalje në Mesdhe.

Nga ana tjetër, figura e madhe dhe e frikshme e Musolinit bllokon rrugën drejt kësaj daljeje. Mes të dyve, mbretëron një armiqësi kërcënuese, në rritje dhe e rrezikshme. Të dy po luftojnë për kontrollin e Adriatikut që të çon në Mesdhe dhe në fuqizimin botëror.

Mbreti i ri i Shqipërisë dhe mbretëria e tij e sapolindur shtrihen gjeografikisht mes këtyre dy rivalëve të egër. Këto dy kombe po shikojnë me ankth ngritjen e këtij Mbreti të ri; të dy janë rivalë për miqësinë e tij dhe secili është xheloz për çdo shenjë favori që mund t’i tregojë tjetrit. Në atë rivalitet qëndron fara e telasheve për Evropën. Musolini ka shënuar suksesin e parë duke i dhënë hua mbretit Zog 2,000,000 £.

Në këmbim, Italia ka fituar ndikimin tregtar dhe të drejtën për të trajnuar ushtrinë shqiptare. Si pasojë ka tërbim dhe hidhërim në Jugosllavi. “Shkëndija e Ballkanit” më përshkroi Shqipërinë një zyrtar i lartë britanik. Ajo është Belgjika e Evropës Lindore.

Mbreti Zog ka armiqtë e tij xhelozë, të cilët përdorin metoda të çuditshme për të shkatërruar prestigjin e tij dhe për të minuar mbretërinë e tij. Raporte të çuditshme kanë qarkulluar për shumë muaj nëpër kryeqytetet e Evropës se ai po vdiste nga një atentat i ngadaltë në pallatin e tij nga helmi i administruar në mënyrë misterioze dhe se mbretëria e tij, e copëtuar nga revolta, ishte gati të shkërmoqej.

Erdha në Shqipëri për të mësuar të vërtetën për këtë monark të ri dhe aktivitetet e tij. Për dy orë sot, Zogu i Parë më tregoi për sprovat e tij, punën e tij dhe ambiciet e tij për popullin e tij. Ai u përgjigj me gjallëri pyetjeve të mia, por me një vigjilencë të jashtëzakonshme.

Kjo intervistë me një sovran në pushtet ishte, për informalitet, më e veçanta në përvojën time.

Ne u ulëm përballë njëri-tjetrit në një tavolinë të vogël pune, të mbushur me letra, në fund të një dhome të gjatë, të mobiluar thjesht në pallatin dykatësh, me ngjyra, i cili është thjesht një vilë e vogël, me shumë pak pretendime.

Mbreti Zog është një i ri i pashëm, shtatlartë, i zhdërvjellët, me pamje nervoze, me ngjyrë të zbehtë, me mustaqe paksa të gjata, siç është stili shqiptar. Ai u ul në një karrige të madhe, si një fron, të gdhendur me shqiponjën dykrenare shqiptare dhe kishte veshur një uniformë të thjeshtë kaki pa asnjë dekoratë të vetme.

Unë shpreha habinë e këndshme që e pashë atë në një shëndet kaq të mirë, pasi raportet e këqija kishin shprehur të kundërtën.

“Unë nuk jam i befasuar dhe as i mërzitur nga këto forca”, u përgjigj mbreti. “Shumë forca po punojnë kundër meje në një klimë kërcënimesh, sepse unë e kam bashkuar vendin tim dhe i kam kthyer fytyrën drejt paqes dhe përparimit. Këto forca inkurajohen në qarqe të fuqishme dhe janë aq tinëzare, saqë mjetet që kam në dispozicion i shoh shumë të dobëta për t’i luftuar ato.”

“A do të më tregojë Madhëria juaj pikat kryesore të politikës suaj?”

“Me kënaqësi. Është, me një fjalë, liri dhe përparim për vendin tim dhe paqe me fqinjët e mi. Emri i lashtë i vendit tim është, ju kujtohet, Illyria, që do të thotë liri. Ne kemi luftuar dhe vuajtur për të për qindra vjet kundër pushtimit dhe shtypjes së vazhdueshme të huaj.”

“Po politika juaj e brendshme ?”

“Kjo është e thjeshtë. Ju e dini se për shekuj vendi im ka jetuar në një gjendje kaosi për shkak të keqqeverisjes së huaj. Unë kam ndërmend ta ndryshoj atë. Politika ime është ajo e rindërtimit – të përpiqem të kapërcej dekadencën disashekullore dhe ta sjellë Shqipërinë në përputhje me idetë dhe nevojat moderne.”

Mbreti u përkul dhe buzëqeshi me mirënjohje ndërsa unë e përgëzova për këtë veprimtari të jashtëzakonshme. Rrugës për në kryeqytetin kisha parë ndërtesa, rrugë të ndërtuara, laboratorë kërkimorë bujqësorë dhe shumë biznese të tjera të reja.

“Kishte gjithashtu vështirësi fetare,” shtoi ai. “Në Shqipëri ka tre fe të ndryshme dhe të gjitha ishin të përziera në politikë. Unë tani e kam ndarë plotësisht fenë nga shteti. Unë kam dekretuar lirinë dhe barazinë e plotë fetare. Vetë shteti nuk ka fe zyrtare dhe njerëzit janë të lirë të bëjnë çfarë të duan.”

Unë iu referova pozitës së gruas. Kisha lexuar se në Shqipëri pozicioni i tyre tradicional ishte ai i “orendive”. “A do të garantoni barazi gjinore si në Perëndim ?” — e pyeta unë.

“Unë besoj në lirinë kulturore të grave dhe barazinë e tyre përpara ligjit,” ishte përgjigja, “por nuk mendoj se ato duhet të marrin pjesë në politikë. Dua t’i edukoj gratë, por edhe t’i mësoj që të jenë nëna të mira dhe menaxhere shtëpie. Unë dua që gratë shqiptare të jenë gra të mira – si ajo.”

Mbreti u kthye dhe tregoi portretin e një gruaje të pashme në mur, në moshë të mesme. Ai u përkul pothuajse në mënyrë të padukshme para fotografisë. “Ajo është nëna ime,” — tha ai thjesht.

I përmenda se fejesa e fëmijëve dhe martesa kanë qenë të zakonshme në Shqipëri, fejimet e fëmijëve edhe para lindjes. “Unë e kam shfuqizuar të gjithë këtë me një dekret të veçantë dhe” – kjo me një ndjesi krenarie – “është pranuar nga të gjithë pavarësisht zakonit shekullor.”

Mendoj se ky është një nderim i veçantë për aftësinë dhe ndikimin e tij. “Thuhet se sundimi juaj është një diktaturë, një formë qeverisjeje që nuk është shumë e popullarizuar në Perëndim.”

Mbreti Zog ktheu sytë e tij të shkëlqyeshëm nga unë : “Varet se çfarë do të thuash të dish se si qeverisen vendet e tjera, por unë e njoh vendin tim dhe njerëzit e mi. Ashtu si rrobat janë bërë për t’iu përshtatur personit, ashtu edhe sistemet qeverisëse janë krijuar për t’iu përshtatur kombeve individuale. I dhashë vendit një qeveri kushtetuese – një kabinet dhe një parlament. Por qeveria duhet mbajtur nën kontroll të rreptë dhe qeveria ime është përgjegjëse ndaj Kurorës. Është e vërtetë që unë zgjedh kabinetin, por është përgjegjës edhe para Parlamentit. Diktator është ai që shpërfill Kushtetutën. Por unë nuk do të toleroj ‘lobimet qeverisëse’”, shtoi ai ndjeshëm.

E pyeta se çfarë mendonte për mbretërimin në përgjithësi dhe si kishte ndikuar tek ai. “I vetmi ndryshim që ka bërë për mua,” tha ai i zymtë, “është se në vend që të punoj shtatë apo tetë orë në ditë, tani punoj tetëmbëdhjetë dhe mbaj përgjegjësinë e të gjithë shtetit. Unë jam vetëm një punëtor i thjeshtë që bëj punën time. Kjo është gjithçka do të thotë për mua mbretërimi.”

Ai donte të ulej dhe të bisedonte, por duke parë masën e letrave në tavolinën e tij, u ngrita për t’u larguar.

I dhashë lamtumirën time. “Shpresoj se do të vini sërish,” tha ai.

Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve, është një i ri shtatlartë me inteligjencë të jashtëzakonshme. Unë parashikoj që do të dëgjojmë shumë për të dhe se ai do të bëhet një nga shtetarët më të talentuar në Evropë.

Filed Under: Histori

“PERA PALAS” I STAMBOLLIT NGA NISI RRUGËTIMI I PAVARËSISË SË SHTETIT SHQIPTAR

December 21, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

Stambolli 2692 vjeçar, i shquar në historinë e botës

Stambolli (Istanbul) është qytet i gjurmëve të thella historike, muzeve, kulturës, civilizimit, arsimimit, pasurisë, turizmit, tregëtisë, transportit tokësor, detar e ajror, qytet i zhurmshëm me jetë e gjallëri plot ngjyra, një qytet përherë i zgjuar. Në Stamboll gjenden rrënjët aristokratike të tre perandorive: Romake (Roma e Lindjes/Roma e re), Bizantine dhe Osmane. Stambolli është në fakt qendra kryesore kulturore, ekonomike dhe industrial, është i vetmi qytet në botë që gjendet në dy kontinente dhe i ndarë në tre zona kryesore Stambolli i vjetër (Emininy dhe Fatih, Bejollu pranë Gallatës që të dyja në pjesën e Stambollit europian si dhe Yskidari dhe kadikoji në pjesën e Stambollit anadollian). Në Stamboll gjenden qindra objekte luksi dhe turizmi, si dhe objekte kulti të besimit veçanërisht të ngritura nga viti 1453 deri me rënien e kalifatit më 1923, por edhe në këtë shekullin e fundit, ku vetëm lagjia “Fatih” ka 340 xhami, ndërkohë që gjithë Stambolli ka rreth 3400 xhami. Stambolli është ndër qytetet më të populluar të planetit, që daton si kohë themelimi më 667 para erës sonë, në të dy anët e Bririt të Artë, një vend i mahnitshëm i ngrohtë dhe me hotele luksozë, një oaz që i gjen të gjitha në zemër të metropolit, qytet i imazheve dhe befasive për vizitorët e botës.

Hoteli evropian “Pera palace” tek “mesi i botës” edhe “pronë” e shqiptarëve!

“Pera palace” në Stamboll është 130 vjeçar dhe mjaft i njohur në qytetin e dy kontinenteve dhe tre perandorive, në qytetin e kontrasteve, vlerave tradicionale, në qytetin e histories. Hoteli është përmbushja e dëshirave të botës, me portat drejt bukurive të çmuara, që vizitorët e botës e kanë pagëzuar si “kryeqytet i botës”, ura që lidh Evropën me Azinë, qytet i skutave të historisë, me metro që nga viti 1875, qytet i djegur disa herë, por sërish i ngritur gjithmonë dhe më i bukur. “Pera palace” është vendosur 7.4 km larg nga “kërthiza” e qytetit, 32 km nga Aeroporti “Mustafa Atatürk”. Hoteli ndodhet në zonën “Tepebashë” të lagjes “Beyoglu”, që tradicionalisht është quajtur si “Evropa e vogël”, ku zhvillohen aktivitete kulturore e sociale gjithëvjetore. Hoteli historik ‘Pera Palas’ i Stambollit u ndërtua për të famshmin “Orient Ekspres”, për pritjen e pasagjerëve që vinin në Stamboll me trenin luksoz Ekspres të Orientit, i cili në vitin 1888 nisej nga Parisi dhe mbërrinte në Stamboll pas një udhëtimi 80 orësh, në rreth 3000 kilometra nga stacioni Gare de l’Est i Parisit deri në Stamboll. Hoteli priste burokratë, artista, aristokratë të nivelit të lartë, pasagjerët elitarë europianë që kërkonin cilësi europiane në zemër të Stambollit. Ndërtimi i hotelit Pera (Pera Palas) filloi në 1892 dhe përfundoi më 1895, duke qenë mjaft komod për kohën sikurse edhe hotelet cilësore perëndimore. Pera është një fjalë me kuptime të ndryshme në disa gjuhë të botës si para, monedhë, përtej, dardhë, vlerë e çmuar etj. Në këtë hotel muze kanë qëndruar figura të politikës e sidomos të diplomacisë së Fuqive të Mëdha, bankierë, pronarë restorantesh, eksportues, hotelierë, ushtarakë të niveleve të larta, shkrimtarë si Agatha Christie, Alfred Hitchcock, Ernest Hemingëay e dhjetra qindra të tjerë të shquar në fushën e letrave. Hotel “Pera Palas” është një nga ndërtesat madhështore të Stambollit dhe hoteli i parë i Stambollit europian me standarde evropiane, me energji elektrike, i pari me ashensor elektrik dhe ujë të ngrohtë, që u inagurua më 1895 me një ballo speciale në hollín e tij. Duke qenë dëshmitare e shumë ngjarjeve të rëndësishme në Stamboll që nga Lufta e Parë Botërore, “Pera Palas” u bë pikë referimi në Turqi, dhe në platformat ndërkombëtare, ndërkohë që ka qenë dhe ka ngelur “kripa e gjellës në supën” e ekonomisë dhe kulturës popullore turke, fryma europianiste e hotelerisë europiane në Stamboll. Një shekull më parë Stambolli kishte rreth 1200 restorante, por dhe një mundësi të konsiderueshme akomodimi, ku edhe shqiptarët kanë pasur dhe kanë pjesën e tyre të kontributit në zhvillimin e këtij qyteti modern, edhe pse duhet thënë se një shekull më parë qyteti me më së shumti shqiptarë në botë.

Çfarë ishte “Pera Palas” për shqiptarët dhe pavarësinë e shtetit shqiptar?

Në hotelin “Pera Palace” në Stamboll, më 1912 mblidhej gjithashtu ajka e mençurisë intelektualiste e mbarë shqiptarisë, atyre që trashëgonin vetitë më të mira të platformës së Shqipërisë të së nesërmes. Natyrisht nuk mungonin edhe çështjet komplekse si dhe nga ndonjëri edhe çështja e interesave. Ishte vendi ku “ndeshej” mendimi progresiv dhe mendimi konservator. Në këtë vend historik në “Pera Palas” në këtë ndërtesë e stilit klasik evropian të Stambollit, dikur kanë bujtur me dhjetëra njerëz të famshëm të botës. Pikërisht këtu u takuan Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Syrja Vlora, Aziz Vrioni, Myfit Libohova dhe Esat Toptani për të diskutuar për Pavarësinë e Shqipërisë. Në dokumentat fotografike gjejmë edhe një fotografim të realizar nga patrioti i shquar shqiptar Hasan Prishtina i cili e ka realizuar në vitin e pavarësisë më 1912. Për shqiptarët është fakt historik se nga hoteli historik “Pera Palas” i Stambollit, nisi rrugëtimi i Pavarësisë së shtetit shqiptar, të Ismail Qemal bej Vlorës. Ndër njerëzit e famshëm të Stambollit është dhe vlonjati (Avlonyali) Ismail Kemal beu. Në azhendën historike të kombeve “Pera Palas” është edhe “pronë” e shqiptarëve, një pikë e rëndësishme historike në formën e një peligrinazhi për arsye se, prej këtij hoteli filloi rrugëtimi i Ismail Qemal Vlorës 68-vjeçar, që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Pera Palas ngeli përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve si pikënisja e Pavarësisë, si vend peligrinazhi, si stacioni ndër më të vizitueshmit të Arnavutëve në qytetin e trëndafiltë, kaq të njohur dhe të dashur. Ndërkohë që në këtë qytet Sami Frashëri ose sikurse e thërrasin “birin e tyre” turqit e vjetër dhe të rinj “Shemsedin Sami” personalitetin e shquar të letrave turke dhe shqipe, pasi ai shkroi aq shumë për Shqipërinë e tij imagjinare dhe për Perandorinë Osmane reale, në këtë qytet, ku i biri i tij Ali Sami Jen, u bë president i një ekipi të njohur futbolli deri në ditët e sotme.

Ismail Qemali, Lauzanne, “Le Matin” dhe misioni i gazetarit

Misioni i gazetarit është i njohur në mbarë botën, sikjurse edhe misioni i diplomatit, i atdhetarit por veçanërisht i shtetarit dhe shtetformuesit mendimtar dhe vizionar, që dinte të lexonte aktualen dhe perspektivën. Por në kohë historike kur definohen shtetet dhe vendoset e ardhmja e kombeve vlejnë edhe më shumë dëshmitë e të gjitha llojeve, edhe ato gazetareske kur shkruhen me vërtetësi dhe që garantojnë besueshmëri. Gazetat dhe revistat evropiane dhe jo vetëm në kohën dhe vendin e duhur shkruan për shqipërinë dhe shqiptarët. Në një pjesë të rëndësishme flitet e shkruhet edhe për fatin e kombit shqiptar. Edhe ideja dhe nisma për themelimin e shtetit të fundit në Ballkan ishte pjekur pikërisht në Stamboll. Prandaj edhe shgrimtarë, gazetarë, historian, kanë hedhur dritë e sigurisht do të vijojnë të ndriçojnë një nga periudhat më shpresëdhënëse të kombit, përfshi këtu veçanërisht ataqë janë thelluar në zbulimet që vijnë bazuar në dokumentacion autentikë dhe që për ne janë dokumenta RHK (dokumenta me rëndësi historike kombëtare). Kështu sipas Ilir Ikonomit gazetarit dhe shkrimtarit historik “Në kujtim të Ismail Qemalit”, shkruan: “Në “Pera Palace” shihje shpesh ato ditë të vitit 1912 një francez të shëndoshë, me flokë të zinj, të ndarë në mes dhe me mustaqe të trasha.

Ai ishte kryeredaktor i së përditshmes “Le Matin”, një prej gazetave më të njohura të botës dhe kishte ardhur nga Parisi për të mbuluar ngjarjet në Stamboll. Lauzanne njihej personalisht me Ismail bej Vlorën. Ndonjëherë mbrëmjeve, Ismaili i afrohej gazetarit dhe e pyeste fare shkurt: “Ndonjë të re?” Lauzanne i tregonte për humbjet dhe fitoret. Herë-herë, Ismail Qemali shprehte kënaqësi dhe thoshte vetëm kaq: “Sa mirë!” Në fytyrë nuk i shfaqej ndonjë emocion kushedi çfarë, pavarësisht se kush kishte humbur dhe kush kishte fituar. “Sa mirë!” përsëriste. Një ditë gazetari e pyeti: “Si ka mundësi që për ju është njëlloj mirë, si atëherë kur turqit fitojnë ashtu edhe kur ata munden?”. Ismaili vuri buzën në gaz si rrallë ndonjëherë dhe me fjalë të qarta e të matura, tha: “Eshtë mirë, sepse cilido qoftë fitimtari ose i munduri, ka ardhur ora që unë kam pritur gjithë jetën dhe që populli im ka pritur me shekuj: ora kur Shqipëria më në fund do të heqë zgjedhën dhe do të bëhet shtet i pavarur.” Stephane Lauzanne, fatmirësisht ka fiksuar në një shkrim të tij skenën e largimit të Ismailit nga Stambolli për të shkuar në Shqipëri. Një mëngjes, tregon ai, takova Ismail Qemalin, i cili po nisej me një torbë në dorë. Ishte e shtunë, 2 nëntor 1912. “Ku po shkoni kështu? – e pyeta. “Do të marr vaporin. Do të shkoj në Shqipëri,” – tha. Ismaili dhe njerëzit e tij do të niseshin me anijen rumune “Regele Carol”, që bënte rregullisht rrugën Stamboll-Konstancë. Anija mbante emrin e mbretit të Rumanisë, me të cilin Ismaili ishte njohur dekada më parë. Me të njëjtën anije do të niseshin edhe Nabi beu, ambasadori i Turqisë në Itali dhe Hilmi pasha, ambasadori në Austri. I pari shkonte për të vulosur paqen përfundimtare me Romën, pas humbjes së perandorisë në luftën për Tripolin. Tjetri do të bisedonte me Vjenën dhe do të kërkonte ndërhyrjen e fuqive për t’i dhënë fund përparimit të ushtrive ballkanike. Të dy negociatorët kishin me vete valixhe të mëdha, kujton Lauzanne. Por bagazhi më i rëndë për nga shpresat dhe nga vendosmëria ishte ai brenda torbës së vogël të Ismail Qemalit”. (sipas librit të Ilir Ikonomi “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”. Për “Pera Palas” është folur dhe do të flitet, pasi nga ky hotel është pelegrinazhi patriotik për shqiptarët. Këtu nisi rrugëtimi real drejt Pavarësisë së Shqipërisë, pasi në këtë hotel shkuan dhe qëndruan njerëz të famshëm por mbi të gjitha kaluan netë e ditë njerëz me vlera për kombet sikurse ishte Ismail Qemali që kishte marrë mbi supe një ndër barrët më të rënda dhe më të vështira të historisë, atë të shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar. Edhe plani i shpalljes së Pavarësisë shqiptare e ka zanafillën pikërisht në këtë hotel të famshëm europianist në Stamboll. Plani u thur dhe u programua nga Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina më 12 janar 1912 pasi ky i fundit një ditë më herët, kishte mbajtur një fjalim të fuqishëm në emër të grupit të deputetëve shqiptarë në seancën plenare që u mbajt në Parlamentin Osman.

Prej këtu, vendosën tē përfshinin në planin e tyre edhe deputetët e tjerë shqiptarë duke u mbledhur një ditë mē vonë më 13 janar 1912 në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, i cili ishte deputet i mexhlisit (kuvendit) osman e kushëri i dytë i Ismail Qemalit, që gjendej afër sheshit “Taksim” jo larg prej Pera Palace. Nē takimin e Taksimit bashkë me deputetin e Beratit Aziz Pashë Vrioni, të Gjirokastrës Myfid bej Libohova dhe tē Durrësit Esad pashë Toptani, të gjithë lidhën besën duke u betuar mbi Kuran se do të ngrinin në revoltë popullsinë e zonës ku kishin ndikim. Kjo mbledhje e ky betim njihet në histori si pikë kthese me emrin “Komploti/ Mbledhja e Taksimit”, që në fakt është një pakicë deputetësh edhe pse në Parlamentin Osman të asaj periudhe (1912) ishin 26 deputetë për nga gjaku shqiptar. Ismail Qemali e dinte mirë se “Pera Palace” shërbente edhe si qendër takimesh patriotike, por dhe qendër e spiunëve, si hotel i gjeneralëve britanikë, shkrimtarëve, tregtarëve të armëve, udhëtarëve të ndryshëm të Orientit në një ndër lagjet më të frekuentuara dhe të pëlyera të Stambollit. “Pera Palace” ishte përshëndetja e fundit e Perëndimit përgjatë rrugës drejt Orientit, hoteli më i shkëlqyeshëm i llojit perëndimor në kryeqytetin e perandorisë osmane, që në fakt shtrihej në 8 milionë kilometra katrorë. Me këtë hotel Stambolli linte pas të kaluarën osmane dhe po katapultohej në kohëra modern. Stambolli dhe veçanërisht ky hotel kishte parë edhe refugjatë, oficerë të larguar nga shërbimi, përjetoi fundosjen e Kalifatit, dëshmonte se jeta matej me orën e Parisit, Londrës dhe Neu Yorkut. Në tranzicionin e pushtetit Mustafa Kemal Atatürk, adhurues i kulturës perëndimore solli një imazh të ri të shekullarizmit, me identitetit të ri perëndimor, kun ë fakt ky hotel ishte pranvera e parë perëndimore në Stambollin e “ndryshkur” nga çallma osmane e shekujve. Pesha e udhëtimit të babait të kombit ishte pasha e halleve të një kombi të tërë, pesha e pavarësisë shqiptare. Ismail Qemali që dikur para 112 vitesh qëndronte ulur në hollin e vogël të hotelit, nuk është më një “plak”, 68-vjeçar, që rrethet intelektuale të Stambollit dhe jo vetëm e thërrisnin “Avlonyali Ismail Kemal bej”, por një figurë përfaqësuese e mençurisë shqiptare që jetonte dhe pulsi i rrihte për ardhmërinë e kombit por dhe zemra ja donte një gjë të tillë. Përtej rehatisë së “Pera Palas”–it qëndronte një komb i tërë, prandaj dhe misma e tij që nisi në këtë hotel ndonji një rrugëtim prej 4122.5 kilometra të gjatë në rrugëtimin me karrocë, me anije, me tren, sërish me anije dhe që përfundoi në Vlorë sërish me karrocë nëpër rrugët e përbaltura të Myzeqesë edhe duke fjetur dy netë një në Çermë të Lushnjës dhe një tjetër në Libofsh të Fierit përpara se të mbrinte në Vlorën e tij dhe përpara se të trupëzohej dhe të hynte në histori si vigani i flamurit kombëtar dhe themelues i shtetit të parë shqiptar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT