• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURSAT E MBRETËRVE TË SHQIPËRISË

February 13, 2016 by dgreca

(Intervistë imagjinare dhënë Rudina Xhungës, në Dritaren…(time!)
NGA PELLUMB KULLA/*
UNË: Urdhëro Rudina, hyrë në Dritare! Sqaroj ty dhe gjithë lexuesit e mij që edhe kjo është një intervista e fundit, po e fundit fare ama, që trajtoj ty dhe zonjën Nexhmije. Dhe uroj që askush të mos të të ngacmojë më në 105 vjetorin e saj, kur t’i marrësh intervistën e radhës. Kurse sot, të falenderoj që më dhe rastin.
RUDINA: Kjo është intervistë imagjinare, zotëri! E shkruar nga ty. Unë ty nuk do të të afrohesha kurrë për tëtë intervistuar. E kuptojnë lexuesit këtë?
UNË: Lexuesit e mi po. Të tutë… Nuk ve dorën në zjarr. Urdhëro! Pyet çfarë të duash!
RUDINA: Nuk do të më japësh pyetje të përgatitura nga ty vetë?! Siç më akuzoje sikur m’i jepte ajo, që intervistova?
UNË: Ai qortim ishte një figurë satirike. Kërkoj ndjesë. Ti në këtë intervistën e tretë e dije vetë se çfarë duhet t’i pyesje Nexhmijes.
RUDINA: Do të jemi seriozë?
UNË: Unë e kam vështirë, por do të përpiqem. Pastaj dhe në shaka,unë do të jem thellësisht serioz. Shakatë dalin të shpifura po nuk qenë mbështetur mbi gjëra serioze dhe të vërteta. Të garantoj vetëm që do të jem i vërtetë. Ti do të më besosh?
RUDINA: Të shohim. Nuk e di.
UNË: Ti para dy-tri ditësh e dije shumë mirë që po dëgjoje një mal me gënjeshtra dhe besove. Mua, që nuk kam dërguar asnjë shoqe dhe shok në atë botë, nuk më beson?! Mirë pra, si të duash.
RUDINA: Kur je lindur?
UNË: Zogu qe arratisur. Enveri nuk kish nisur as jetën me parti dhe as atë me dashuri.
RUDINA:Zogu, në arratisje e sipër, para se të kalonte kufirin pat ndaluar në shtëpinë tuaj?
UNË: Afërsisht. Në shtëpinë përkrah.Por edhe ata njerëzit tanë ishin. Mua nuk më pyetën a ta pranonin në shtëpi mbretin, apo jo. Sepse, siç të thashë, nuk më pyesnin dot pa lindur unë akoma. Por nuk do t’i kundërshtoja dot. Ata ishin zogistë.Pastaj mbreti i një vendi ndalon ku të dojë. Më vonë edhe presidentë, psh, Berisha dhe Topi kanë ndaluar në shtëpinë time. Edhe Enveri, po të vinte puna…
RUDINA: Çfarë lidhje kishte gjyshi yt me mbretin?
UNË: Kanë qenë friends në fejsbuk!.. Hajde, mos zgjatemi tani! Ka qenë shefi i rojeve të parlamentit të atëhershëm. Për atë ndalesë të shkurtër të mbretit, gjyshin e pushkatuan.
RUDINA: Ti, pra, konsideroheshe me prejardhje reaksionare. Me biografi të keqe.
UNË: Si urdhëron! Shumë.
RUDINA: Kush ta hapi derën për në shkollë të lartë?
UNË: Nuk më pyete më parë kush ma kishte mbyllur! Apo…
RUDINA: Jo, unë pyes: kush të lejoi?
UNË: Enver Hoxha! Dhe për këtë i jam shumë mirënjohës.
RUDINA:Fillove të tallesh tani?!
UNË: Aspak! Unë edhe tani e falenderoj. Edhe sot, 56 vjet më vonë, e përsëris këtë. Falë atij unë po të jap sot këtë intervistë. Falë atij unë u bëra i njohur dhe me një farë rëndësie. Falë atij unë bëra një jetë mjaft interesante dhe të bukur mes artistësh të mrekullueshëm, kolegësh shkrimtarë, gazetarësh të talentuar. Falë atij, dyzet e ca vjet më vonë, edhe Berisha, më emëroi…
RUDINA: Nuk rri dot dy minuta pa bërë shaka?!
UNË: Nuk bëj aspak. Sikur të mos kishte ndaluar Enver Hoxha pranë tornos sime në repartin e mekanik të uzinës “Enver” atë 10 prill të vitit 1960… Po të mos më kishte vënë re kur i ngrita dorën, unë nuk do të isha kulturuar kështu si jam sot, nuk do të kisha shfaqur fytyrën në ekranin e TV shqiptar, ku nuk fluturonte dot as miza dhe nuk do të numëroja sot ata 20 libra të botuar! Me emrin që bëra, i duhesha dhe Berishës që pat marrë përsipër të tregonte se komunizmi qe përmbysur dhe gjërat ishin krejt ndryshe tani…
RUDINA: Pse a nuk është ashtu? Nuk është përmbysur komunizmi?
UNË: Do të vijmë dhe aty, po lemë të të ritheksoj falënderjen ndaj fatit dhe ndaj atij që ndaloi tek tornoja ime në uzinë. Falenderimi është një shfaqje kortezie pa shumë interpretime përmbajtësore. Nuk është një poemë madhore për të, as monument, apo qoftë edhe këngë për udhëheqësin. Berishën, bile edhe mua, për ca vite na kanë thirrur “shkëlqesi”. Thjesht kortezi është! Nuk është se unë dhe Berisha shkëlqenim!
RUDINA: Por ti nuk je për Enverin aq mirënjohës sa thua me gojë. Me vepra ti ke nxirë gjithëçka… Ke shkruar 1001 të zeza për të, dhe për të shoqen.
UNË: Nuk duhet t’i bëja këto?!
RUDINA: Aspak. Atij, ti i detyrohesh…
UNË: Prit, prit! Mirënjohja ime është e sinqertë, por mbaron këtu. Tani,çfarë bëri ai duke më dhënë shkollën? Heroizëm? U hodh në lumë dhe më nxori në breg?
RUDINA: Pothuaj! Rregulli ishte që fëmijët e armiqve…
UNË: Fëmijët e pafajshëm të shqiptarëve, thuaj! Kush e pat vendosur atë rregull? Stalini? Apo vetë ai? Ai theu rregullin për mua, por nuk e theu më për mijëra e mijëra fatkeqë të tjerë, që nuk i lejonte të drejtën e shkollimit, përfshi vëllezërit e mi dhe deri në kushurinjtë e mi të katërt. Pastaj, Rudina, koha e tregoi se unë e meritoja. Dhe në fushën që studjova, bëra paaaaakëz vend, apo jo?
RUDINA: Ja, pra! Vendimi i tij për të të ndihmuar doli që…
UNË: Zotëronte nuhatje gjeniale, thua?! Ato çaste, më 10 prill ‘60 ai me gjenialitetin e tij nuhati se ky djali njëzet vjeçar me kominoshe, e meriton?!.. Phë! Pastaj, atë që ti dhe Nexhmija e quani bursë… Mua bursë nuk më dhanë kurrë! Asnjë qindarkë! Thjesht lejë që të studjoja. Një qytetar i lirë, i pafajshëm i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, u lejua të shkonte në auditore universiteti! Pa mbështetje financiare! Ama, për atë barrë të familjes në katër vitet studentore unë punoja me pagesë që nga kanalet deri te përkthimet e Gogolit, Pirandelos, Sartrit, Çehovit, Kuprinit. Dhe rusishten time nuk e pata sjellë nga ndonjë bursë në Leningrad! Ishin katër vite të bukur shkolle, mbushur me nostalgji tani. Edhe pse pa bërë kurrë pushime verore të një studenti. Por po ta dinit, ti dhe një shoqja jote, kuptimin e fjalës bursë, këto që listova nuk janë ashtu. Ishte punë, punë pa ndërprerje e muajve të verës! Në Bistricë, Kurbnesh, në kantjeret e ndërmarrjes Rruga-Ura. Familja, e babait tim me shumë fëmijë, ishte në gjendje të mjeruar financiare. Me këtë kriter meritoja kategorikisht bursë,por ja, nuk m’u akordua!
RUDINA: Babai yt ka qenë me Ballin Kombëtar?
UNË: Asedhenjë sekondëzë të vetme! Ti, Rudina, i nxjerr pyetjet nga shporta e plehrave, plot me komentatorë frikacakë, me 3-4 emra të rremë dhe të ndryshëm sejcili… Pra unë nuk kam patur bursë, siç të ka thënë zonja e vjetër. Në dokumentat e këtyre ditëve është përmendur, ama, bursa që i ka dhënë tre vjet rresht vetë mbretit Enver, mbreti Zog. Dhe ministri i Arsimit, Ivanaj, ia preu atë bursë, ngaqë mbreti Enver, gjatë tre vjetëve nuk dha dot asnjë provim. Me të ardhur në pushtet, pastaj, ministrin Ivanaj e vendosi para skuadrës së pushkatarëve. Tre vjet në Francë! Asaj i thonë bursë! Unë i dhashë të gjitha provimet. Shoku Komandant nuk pati mirënjohje dhe nuk pushoi së anatemuari Zogun tërë jetën e duke i vrarë edhe kuzhinjerët e tij! Dhe duke e dënuar atë vetë me vdekje në mungesë! Shkrimet e mia kundër mirëbërsit tim nuk janë asgjë në krahasim me ato të tiat kundër mirëbërësit të vet. Unë nuk hodha në erë me dinamit varrin e ndonjë Nëne Mbretëreshë! Dhe më beso, Rudina, asnjëherë në ëndrat e mia nuk bëri pjesë ndonjëra për ta vrarë mbretin Enver në mungesë. As atë, as të shoqen!
RUDINA: Atëherë si shpjegohet antienverizmi yt i egër? Mos ndofta për shkak të gjyshit të ekzekutuar?
UNË: Gjyshin unë nuk e kam njohur dhe, thellë-thellë, ndjenjat ndaj tij janë të një dashurie ashtu-kështu… Gjyshi pat zgjedhur kundërshtarin e tij politik. Fati i tij! Kundërshtari doli më i zoti, fitoi dhe e pushkatoi. Unë pas shkollës që m’u dha, u rrita, u ndërgjegjësova, u pajisa me parime të shëndosha e të patundura. Dëmi i madh moral në historinë e kombit nuk ishte ngase Enveri pushkatoi gjyshin tim, të cilin unë e doja, por sepse pushkatoi shokun e tij, Beqir Ballukun, të cilin nuk e desha aspak!
RUDINA: Por ti gjatë gjithë jetës i ke shërbyer atij me besnikëri në detyrën e “edukimit komunist të masave.”
UNË: Unë u angazhova në atë edukim, por me qëllime sabotimi. Ti e ke parë edukimin enverian se çfarë rezultate dha pas sabotimit tim? A i sheh në ç‘gjëndje të mjeruar janë masat tona sot? Të ze të qarët. Pranojnë të mblidhen ende ushtarakisht nëpër manifestime. Mes tyre bën kërdinë pabesia, hajdutëria, shitja e shokut, shitja e shoqes, shitja e vajzës, servilizmi, mungesa e llahtarshme e guximit për të thënë të vërtetën, paaftësia për të zgjedhur dhe mbështetur njerëzit që meritojnë. Kjo e gjitha ka ndodhur sepse sabotova unë!
RUDINA: Ti u ktheve te shakatë! Ti, more zotëri, ishe shërbëtor në sektorin ideologjik, ku i thurrnit himne udhëheqësit, i bënit dhithirambe partisë…
UNË; Lere tani, Rudina! E zgjate përsëri dorën në shportën e karavidheve! Më mirë ti dhe ata që duan të më bëjnë të skuqem më gjeni një varg, apo një këngë. Edhe në atë fushë unë kam qenë me fat se nuk m’u kërkua kurrë ndonjë himn! Në atë shkretëtirë, unë dhe shokët e mi mbajtëm gjallë të qeshurën. Ishte një lumturi e madhe kur njerëzit halleshumë, që ju i quani masa, dilnin të çelur nga salla ku ne jepnim komeditë, gazin e ditës, karakteret qesharakë të burokratëve, servilave, demagogëve. Edhe partia kish nevojë për artin tonë e për stigmatizimin e veseve dhe burokracisë. Ishte një pikë ku takoheshim me partinë.E ne angazhoheshim sinqerisht atje, bile duke qenë krenarë për ato suksese profesionale që arrinim. Unë, moj zonjë, bëj pjesë në ata shkrimtarë dhe artistë të paktë, që nuk kanë mohuar asgjë nga ato që kanë bërë dhe shkruar. Jo vetëm nuk kam zhdukur asnjë vepër, por asedhenjë rresht nuk u kam ndryshuar atyre.
RUDINA: Po ato me ballistë dhe partizanë?
UNË: Ju i shihni që unë nuk kam kërkuar ndalimin e tyre, siç kanë bërë disa… Për ballistët kam të njëjtin mendim.Edhe për partizanët po atë. Ju digjeni nga dëshira të kem ndryshuar mendje tani.
RUDINA: Po për kuadrot e atëhershëm të partisë?
UNË: Natyrisht, kam po atë vlerësim që kisha. Edhe për të zinjtë edhe për të bardhët.Vetëm atëherë nuk e shfaqja se nuk isha as i marrë dhe as Don Kishot, siç më quan ti.Me shumë nga kuadrot e atëhershëm kam patur marrëdhënie të drejta dhe të sinqerta. Nuk është mirë kur i fusim tërë në një kosh. Ekziston një film, “Listat e Shindlerit” titullohet, ku një gjerman i fuqishëm shpëtonte hebrenjtë. Kjo nuk ishte tipike në Gjermaninë naziste, por egërsia e nazizmit mund të evidentohej edhe duke nxjerrë në dritën e artit, një gjerman jo tipik. Kështu edhe tek ne, unë mendoj se diktaturën e egër komuniste ne mund ta pasqyrojmë edhe duke nxjerrë në pah funksionarë komunistë të ndjeshëm, mes egërsisë të përgjithëshme.
RUDINA: Të kanë dërguar në gurore për ndëshkim?
UNË: Po. Disa muaj. Tre vjet pasi mbarova shkollën e aktorëve, në Vlorë më degdisën pa shpjegim, pa motiv zyrtar që bile, nuk e di as sot. Por pa asnjë hipokrizi dhe shtirje ruaj kujtime të bukura edhe nga ata njerëz aty. Pas gurores më dërguan në Ndërmarrjen e Ndërtimit, xhenerik, poshtë kamionave. Dhe prej aty ruaj kujtime të mira për njerëzit. Edhe për qendrimin tim. Unë nuk jam shprehur ndonjë herë se dominant ishte persekutimi mbi mua. Jam lodhur shumë, por edhe kam fituar shumë. Fitoret e mia, të arritura mes shumë përpjekjesh e armiqësish, ndrisin! Dhe unë jo një herë kam deklaruar dhe po deklaroj edhe sot, se jeta ime ka qenë shumë e bukur. Një jetë që do ta shoh me kokën lart për pastërtinë dhe mosndotjen e saj. Më fal që po e them ndryshe të njëjtën fjalë. Por edhe jam përkrahur nga njerëz të mirë që Shqipëria ka ende plot.
RUDINA: Flasim për marrëdhëniet e tua me postkomunizmin… Berisha?
UNË: Kam folur shumë për atë njeri e nuk dua të flas më.
RUDINA: Kur i ktheve kurrizin Saliut?
UNË: Mot i mirë sot, eh Rudina?… Pak ftohtë por dimri ende…
RUDINA: Lere motin! Ti ke qenë në marrëdhënie të mira me të.
UNË: Dhe jam krenar që i shërbeva me besim dhe devocion kur ai udhëhiqte punët e shtetit. Ministrat, dhe diplomatët që kanë punuar me të i shërbenin shtetit, jo atij. Siç mendohej se i shërbente dhe ai. Në detyrat që më dha nuk i kundërshtova asnjërën sepse nuk më dha asnjë detyrë për t’u kundërshtuar.
RUDINA: Përse u armiqësove me të?
UNË: Zhyt dorën në shportën e komentatorëve dhe zgjidh aty një përgjigje siç e mendojnë ata. Një arsye:“sepse nuk më dha atë, apo këtë!”Arsyeja është seçerekshekulli i tij mund të quhet periudha e mashtrimit të shqiptarëve. Dhe më mirë të jesh i mashtruari se sa mashtruesi. Ai sundoi dhe e katandisi Shqipërinë në mënyrë të tillë që të nderonte Enverin. Sinqerisht nuk u ve faj qindramijëra shqiptarëve që tani e qajnë Enverin. Gjeni atje një poezi që i kam kushtuar Berishës, apo, më mirë, një letër himnizuese.
RUDINA: Po Enver Hoxhës i ke drejtuar ndonjë letër të tillë?
UNË: Pyet atë shoqen tënde të moshuar. Ajo ka arkiv, thua ti. Dhe ka vërtet. Një herë u dha gazetave një letër që i pat shkruar asaj Kadareja. Dhe prit të ta citoj dy a tri fraza: “Shoqja Nexhmije… Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj… më shtyu një arsye e fortë…… Është fjala përsëri për apartamentin e ri,….E ndjej veten… në vend që t’ju drejtohesha për probleme më të rëndësishme, detyrohem t’ju shkruaj për një çështje strehimi……. Me respekt Ismail Kadare” E nxorri për gazetat! Një gjest i turpshëm që zonja vejushë, shpresonte se do ta vinte në dritë të keqe Kadarenë.
RUDINA: Nuk e vuri?
UNË: Aspak! Vuri veten. Unë kam besuar se kjo grua ka aq të zeza në karakter, por që të ketë qenë aq budallaqe, sa të kujtojnte se me këtë letër nuk dëmton fare veten dhe të shoqin, nuk e besoja! Si mundet ajo t’u kujtojë edhe një herë shqiptarëve, se edhe për të marrë një apartament duhet t’i luteshe me ballë në tokë Enverit dhe Nexhmijes?! Ç‘është kjo shefe e madhe e strehimit qëruan letrat hallexhinjve?! Po a ka pikturë më të madhe mjerimi, se sa të dëshmosh që shkrimtari më i mirë i Shqipërisë, i Ballkanit e ndoshta i Europës, i lutet gruas më pa vlerë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe ndoshta Europës, për një shtëpi të futë kokën?! Dhe mendon se poshtëron Ismailin duke i rikujtuar atij se ai i kërkonte falje për shqetësimin dhe se kish konsideratë të lartë për atë zonjë me frazën mbyllëse “me respekt Ismail Kadare”
RUDINA: E ka botuar këtë ajo?!
Unë: Po, shoqe, po! Të gjithë u gëzuan se kujtuan se filloi hapja e dosjeve. Por qe e pjesëshme. Dosjet deri më sot i ka hapur vetëm Nexhmija. Ato dosje që i duhen.A thua ajo mban dhe arkivin e Komitetit Qendror? Se atëherë duhet të ketë ankesat që unë i kam dërguar Ramizit, Paçramit, Pali Miskës, Kadri Hazbiut… Por ato janë ankesa, shoqe! Ankesa! Nuk janë urime ditlindjeje! Ju thashë më lart se më kanë dëbuar nga skenat dhe kam djersitur pesë vjet në gurore dhe ndërtim pa asnjë motivacion zyrtar. Thyeja gurë dhe nuk më linin t’i thyeja të paktën në guroren e Tiranës, ku kisha familjen. Jo! Duhet t’i thyeja në guroren e Kaninës së Vlorës dhe të flija …në hotel! Në dukje të jashtme dukesha si një kuadër i lartë, dërguar në Kaninë me dieta, si specialist i thyerjes së gurëve me metoda bashkëkohore! Në ka ruajtur ndonjë nga ato letra, gjë që është thellësisht e turpshme, se nuk i janë drejtuar asaj, – le t’i nxjerrë por le të japë tërë tekstin jo vetëm atë rresht hyrës ku shkruhet “I nderuar … kërkoj ndjesë që po ju shqetesoj… me respekt, Pëllumb Kulla”
RUDINA: Mirë, mirë… Ju mbani bindjet tuaja. Do ta mbyll me një frazë tipike intervistuesish: çfarë do t’i uroni lexuesve?
UNË: Do t’i uroja të kuptojnë se lufta e klasave nuk ka pushuar kurrë në Shqipëri. Se enverizmi po përmbyt këtë vend të vuajtur. Se Rudina me shoqet dhe shokët e saj nga pozita qiellore edhe sot përdorin fjalën “të kemi dhënë bursë” duke lënë të kuptohet se mbreti i gjysmës së dytë të shekullit 20 i jepte këto nga rroga gjashtëmbëdhjetë mijë lekshe. Se nuk mjafton që prona nuk u janë dhënë atyre që iu rrëmbyen, se nuk mjafton që të burgosurve pa faj me vite të gjata pas hekurave dhe telave nuk u janë dhënë dëmshpërblimet e premtuara, por ende nga miliarderët dhe milionerët që kaluan nga parajsa në një parajsë më të mirë, shihen përsëri me përbuzje. Dhe ata e meritojnë atë përbuzje!
(Ne foto:Pellumb Kulla, 1958)

Filed Under: Interviste Tagged With: Bursat e Mbreterve te Shqiperise, pellumb Kulla

NJIHUNI ME MANUSHAQE NURA, OFICEREN E FORCES SE SIGURISE SE KOSOVES

February 12, 2016 by dgreca

Lufta në Kosovë e la vendin krejtësisht të rrënuar, por shpresa ime për një të ardhme më të mirë nuk u rrënua kurrë – tregon Togere Manushaqe Nura/
Intervistë nga Liliana Pere/
Profili i Manushaqe NURA/
Manushaqe Nura është oficere në Forcën e Sigurisë së Kosovës me gradën Toger.E lindur në vitin 1990 në qytetin e vjetër të Vushtrrisë. Është rritur në një familje ku mbizotëron një frymë e shëndoshë patriotike dhe një shprehi e vazhdueshme e punës dhe përkushtimit. Dikur liria dukej e pa arritshme, por ja ku po qëndrojn ajo vetë dëshmitarja e lirisë. Arritja e lirisë dikur e pamundur, ishte motivi i saj i parë për të zgjedhur një profesion kaq sfidues, profesionin e ushtarakes.
Familja e saj gjithmonë ka vlersuar lartë shërbimin ndaj atdheut dhe shkollimin, andaj ajo ka qenë përkrahëse e zgjedhjeve të saj jetësore dhe vazhdon të mbetet e tillë, si nga ana morale ashtu dhe per te qene nje paqeruajtëse e denje..
Në gusht të vitit 2008, vitit në të cilin edhe Kosova u pavarsua ajo iu bashkangjit Akademisë Ushtarake në Prishtinë “Qendra për Studime Universitare”.
Në të njëjtën kohë si pjesë e programit të akademisë ajo filloi edhe studimet në Universitetin Amerikan në Kosovë në degën Teknologji Informative dhe Komunikim në Media. Në të dyja institucionet suksesshëm diplomoi në vitin 2012, ku më pastaj i erdhi një mundësi të cilën po e ëndërronte që nga viti i dytë i studimeve në akademi.
Manushaqja studio dhe u diplomua në Akademinë Ushtarake Mbetërore të Anglisë Sandhurst që u bë një tjetër realitet që shënonte një hap të madh në karrierën saj.
Të qenurit lidere ushtarake për të dikur ishte vetëm një ëndërr, por ajo asnjëherë nuk lejoi që kjo të mbetet e tillë. Sot, ajo është oficere në FSK me gradën Toger. Nga kjo pozitë udhëheq 29 pjesëtarë të togës së saj. Pjesëtarë me të cilët ndanë në minimum tetë orë të ditës, duke u përkujdesur që ata të jenë të trajnuar dhe të gatshëm për të përmbushur misionin e FSK-së
Pas përfundimit të studimeve në akademinë ushtarake mbretërore në Britani, ajo u kthye në Kosovë për të shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës me gradën e nëntogerit. Në FSK i ishte caktuar detyra e komandantit të togut në Brigadën e Reagimit të Shpejtë (njësi ushtarake prej 30 pjesëtarësh) ku udhëhiqte 29 pjesëtarë të kësaj njësie.
Kjo eksperiencë e re ishte një sfidë tjetër për të, por për fat, gjatë shkollimit të saj në akademi asaj i`u ishin besuar pozita me përgjegjësi të madhe, andaj këto përvoja i kanë dhënë më shumë kompetencë në kryerjen detyrës së komandantit. Një ndër këto përgjegjësi ishte edhe detyra e komandantit të kadetëve në akademi në Prishtinë që i ishte besuar gjatë shkollimit të saj. Poashtu edhe në akademinë mbretërore ka arritur të jetë pjesë e ekipeve garuese ku ka përfaqësuar akademinë në gara të brendshme të ushtrisë Britaneze, ku edhe ka marr shumë medalje dhe mirënjohje si në nivel ekipi ashtu edhe individual.
Ndërsa kulmi i arritjeve të saj si oficere e re në detyrë, u shënua me datën 27.11.2013, ku Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave. Kjo medalje e cila i`u është dhënë për kontributin e dhënë në fushën e sigurisë, sukseset brenda dhe jasht vendit dhe thyerjen e barrierave kulturore si grua në uniform. E mira e kësaj arritje ka qenë se pas pranimit të medaljes, ajo ndjente përgjegjësi edhe më të lartë që të performoj me ndershmëri.
Ju lutem ndiqni bashkebisedimin
***
E dashur Manushaqe. Jeni kaq e re, e bukur , e virtytshme ,me një karakter unik shume te vendosur, ’’një Shote Galicë e vërtetë’’ me një vendosmeri që te lë pa fjalë , nga kush familje vjen Manushaqja? Keni një përgatitje të shkëlqyer ne artin ushtarak, si ka ndikuar familja juaj ? Cfarë mbresash ruani për qytetin e ëndrave?sa mbështetëse ka qenë familja në ëndrrën tuaj?
***
Jam Manushaqe Nura oficere në Forcën e Sigurisë së Kosovës me gradën Toger. Kam lindur në vitin 1990 dhe jetoj në qytetin e vjetër të Vushtrrisë. Vushtrria është një qytet i lashtë ku aty këtu mbijeton arkitektura orientale e trashëguar nga perdandoria Osmane. Cilësohet për kalanë që ndodhet në mes të qytetit, për kishën pa prift dhe për urën pa lum. Është një qytet i vogël që i ka sjellur vendit shumë njerëz të zot e të shkolluar. Unë jetoj në një familje ku mbizotëron një frymë e shëndoshë patriotike dhe një shprehi e vazhdueshme e punës dhe përkushtimit. Shumica e familjarëve të mi janë të fokusuar në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë, ndërsa për dallim nga të tjerët unë vendosa që të bëhem një oficere ushtrie. Babai im Fazliu është një inxhinier i makinerisë dhe punon në këtë fushë. Gjatë jetës së tij ai ka përjetuar sfida të mëdha si shërbimi në ushtrinë ish jugosllave dhe burgosja e tij me motive politike, problemet financiare dhe infrastrukturore që i vështërsuan shkollimin, pastaj rritja dhe edukimi i gjashtë fëmijëve q e bënë tim atë njeri më të fortë. Ndërsa nëna ime është një amvise, e cila gjatë gjithë kohës ka dhënë maksimumin e saj qe ne të kemi një jetë sa më të mirë. Ka pasur shumë vite në të cilat ajo ka bartur rolin e kryefamiljares e vetme, duke u përballur me të gjitha sfidat qe i sillte regjimi i padrejtë serb në atë kohë. Një ndër sfidat e saj më të mëdha ishte periudha e luftës në Kosovë, ku si një nënë e vetme atëkohë, kishte për obligim sigurinë dhe mirëqenien tonë. Gjithashtu unë kam edhe tri motra dhe dy vëllezër të cilët kanë profesione të ndryshme, dhe janë një fryt i suksesshëm i punës së palodhëshme të prindërve të mi. Familja ime gjithmonë ka vlersuar lartë shërbimin ndaj atdheut dhe shkollimin, andaj ajo ka qenë përkrahëse e zgjedhjeve të mia jetësore dhe vazhdon të mbetet e tillë, si nga ana morale ashtu edhe me vepra.
***
E dashur Manushaqe; Ju u motivuat PËR TË QENË NJË USHTARAKE në profesion duke thyer barrierat që vet shoqëria i kishte vënë femrës në Kosovë, duke u bërë shembull për gjenerata që besuan dhe punuan për liri, dhe vazhdojne te besojne ne integritet dhe panvaresine Kosoves. Sa ndërgjegjësuese ishin arësyet e tua per këtë zgjedhje ?
***
Ka shumë arësye se pse kam zgjedhur profesionin të cilin tani e ushtroj. Kryesisht ndikimin më të madh në zgjedhjen time e kanë pasur përjetimet e mia si fëmijë i rritur në vitet e 90-ta. Fokus të veçantë do t`i vëja vitit 1999. Lufta e fundit në Kosovë e la vendin krejtësisht të rrënuar, por ishte shpresa për një të ardhme më të mirë që në zemrën time nuk u rrënua kurrë. Lufta në Kosovë, ka qenë dhe mbetet përjetimi im më i rëndë jetësorë, duke filluar nga lëshimi i pragut të shtëpisë, e deri tek shtegëtimi i mbijetesës nëpër rrugët në cep të të cilave digjeshin shtëpitë tona. Ndërsa kthimi në Kosovën e lirë ishte një paradoks në vehte. Unë nuk isha e sigurt se ç`kishte ndodhur me tokën time, me familjarët, shokët dhe shoqet. S`kisha ide se ç`i kishte ndodhur vendit të cilin e lashë e larë në lot dhe e trishtuar. Përkundër faktit se aty përjetova shumë gjëra të padëshiruara, unë isha e sigurt se aty përkas, se ajo është toka ime dhe kjo më bëri më të fortë. Si fëmijë i rritur në një vend ku nuk respektoheshin të drejtat e njeriut, ardhja e lirisë ishte një ngjarje vendimtare në jetën time. Me ardhjen e lirisë, ëndrra ime për të ndërtuar të ardhmen e vendit tim filloi të nxirrte shkëndiat e para, por si një mur i lartë ngritur përballë meje po qëndronte një shoqëri e tërë patriarkale. Sa më e madhe që bëhej ëndrra ime, aq më i lartë bëhej ky mur që në fillim dukej i pa kapërcyeshëm. Megjithatë, unë kisha një shembull, shembullin e lirisë, shembullin që më dëshmonte që jeta nuk ka limite. Dikur edhe liria dukej e pa arritshme, por ja ku po qëndroja unë vetë dëshmitarja e lirisë. Arritja e lirisë dikur të pamundur, ishte motivi im i parë për të zgjedhur një profesion kaq sfidues, profesionin e ushtarakes. Një profesion përmes të cilit do të thyeja barrierat që vet shoqëria i kishte vënë femrës në Kosovë, duke u bërë shembull për të tjerët ashtu si për mua u bënë shembull gjenerata që besuan dhe punuan për liri.
***
Togere Manushaqja: Diplomimi juaj ne nje Akademi Ushtarake , dhe me pas në Universitetin Amerikan në Kosovë në degën Teknologji Informative dhe Komunikim në Media. Suksesshem definuan ëndrrën tuaj për të qenë një lidere ushtarake . A ndiheni krenare për këtë arritje, pasi suksesi yt u bë nje model për të ndjekur nga shumë femra të tjera të të cilave ju dukej e pamundur?
***
Në gusht të vitit 2008, vitit në të cilin edhe Kosova u pavarsua unë iu bashkangjita Akademisë Ushtarake në Prishtinë “Qendra për Studime Universitare”. Në të njëjtën kohë si pjesë e programit të akademisë unë fillova edhe studimet në Universitetin Amerikan në Kosovë në degën Teknologji Informative dhe Komunikim në Media. Në të dyja institucionet suksesshëm diplomova në vitin 2012, ku më pastaj me erdhi një mundësi të cilën po e ëndërroja që nga viti i dytë i studimeve në akademi. Kjo mundësi ishte shkollimi në Akademinë Ushtarake Mbetërore të Anglisë Sandhurst që u bë një tjetër realitet që shënonte një hap të madh në karrierën time. Ndihesha jashtëzakonisht krenare për këtë arritje, pasi që me këtë sukses personal kisha arritur ti hapja dyert edhe për shumë femra të tjera të cilat të paktën do të kishin një shembull real që të mos i druheshin të pa mundurës. Të qenurit lidere ushtarake për mua dikur ishte vetëm një ëndërr, por unë asnjëherë nuk lejova që kjo të mbetet e tillë. Sot, unë jam oficere në FSK me gradën Toger. Nga kjo pozitë udhëheqë 29 pjesëtarë të togës sime. Pjesëtarë me të cilët ndaj në minimum tetë orë të ditës, duke u përkujdesur që ata të jenë të trajnuar dhe të gatshëm për të përmbushur misionin e FSK-së.
***
Manushaqe: Tregoni ju lutem sfidat tuaja në raport me sukseset në profesionin në detyren e e komandantit të kadetëve në akademi në Prishtinë , si edhe në akademinë mbretërore ku keni arritur të jeni pjesë e ekipeve garuese, keni përfaqësuar akademinë në gara të brendshme të ushtrisë Britaneze, dicka me tepër për njohje për lexuesit ju lutem ?
***
Pas përfundimit të studimeve në akademinë ushtarake mbretërore në Britani, unë u ktheva në Kosovë për të shërbyer në Forcën e Sigurisë së Kosovës me gradën e nëntogerit. Në FSK më ishte caktuar detyra e komandantit të togut në Brigadën e Reagimit të Shpejtë (njësi ushtarake prej 30 pjesëtarësh) ku udhëheqja 29 pjesëtarë të kësaj njësie. Kjo eksperiencë e re ishte një sfidë tjetër për mua, por për fat, gjatë shkollimit tim në akademi mua më ishin besuar pozita me përgjegjësi të madhe, andaj këto përvoja më kanë dhënë më shumë kompetencë në kryerjen detyrës së komandantit. Një ndër këto përgjegjësi ishte edhe detyra e komandantit të kadetëve në akademi në Prishtinë që më është besuar gjatë shkollimit tim. Poashtu edhe në akademinë mbretërore kam arritur të jem pjesë e ekipeve garuese ku kemi përfaqësuar akademinë në gara të brendshme të ushtrisë Britaneze, ku edhe kemi marr shumë medalje dhe mirënjohje si në nivel ekipi ashtu edhe individual. Të gjitha këto përvoja dhe sfida që me mund arrita ti kaloj, kanë bërë që unë të ngris vetbesimin dhe pritjet për të ardhmen. Në tre mujorin e parë të punës sime si komandant togu unë u sfidova jashtzakonisht shume, por kjo gjë e bënte punën time sa kërkuese ashtu edhe atraktive. Ndërsa kulmi i arritjeve të mia si oficere e re në detyrë, u shënua me datën 27.11.2013, ku Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga më dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave. Kjo medalje e cila m`u është dhënë për kontributin e dhënë në fushën e sigurisë, sukseset brenda dhe jasht vendit dhe thyerjen e barrierave kulturore si grua në uniform. E mira e kësaj arritje ka qenë se pas pranimit të medaljes, unë ndjej përgjegjësi edhe më të lartë që të performoj me ndershmëri dhe integritet, si dhe të kontibojë edhe më shumë në mbështetjen dhe zhvillimin e brezave të rinjë.
***
Togere Manushaqja: Sa jeni në gjendje ju në punën tuaj të drejtoni, të vendosni mardhënje ndërkolegjiale, pozitive dhe të arrish respektin e ndërsjellë përmes shembullit tënd, të ndjehesh e obliguar për të përmbushur detyrën në fushat që kërkohet, dhe sa ndjehet ndihma e kolegëve ushtarak me eksperiencë tek ju?
***
Në vitin 2015 unë jam graduar me gradën e Togerit dhe ende shërbej në Brigadën e Reagimit të Shpejtë si komandant togu në të njejtë njësi. Detyra ime është që të i udhëheqë, motivoj, trajnoj dhe vlerësoj pjesëtarët nën komandën time, në mënyrë që ata të jenë gjithmonë të gatshëm në përmbushjen e misionit të FSK-së. Pjesa e motivimit është një ndër detyrat që e kryej me kënaqësinë më të madhe dhe e ndjej edhe si obligim. Të jesh në gjendje t`a ndryshosh mënyrën e të menduarit të një individi apo grupi nga pikpamja negative në atë pozitive dhe të arrish respektin e ndërsjellë përmes shembullit tënd, është me të vërtët një ndër arritjet më të mëdha jetësore. Me që FSK është një organizatë e re, kontributi jasht njësisë sime dhe me orar të zgjatur për zhvillimin e FSK-së në fushat që kërkohet është një tjetër obligim, të cilin unë e përmbushë me vullnet të plotë. Qëllim i kryesor i punës time dhe të kolegëve të mi dhe bashkpunimit tonë të shkëlqyeshëm, është ndërtimi i një baze të fortë për ushtrinë tonë, ku do të mbizotërojë një kulturë e mirëfillt ushtarake.
***
E dashur Manushaqe:’’ Ushtarake’’ Nje profesion i vështirë, dhe një vajzë simpatike me syrin e bukur pishë, mban përgjegjësi, mban kapelën që nuk do ti shkonte askujt më shumë si një modele, e përgatitur, me kulture ushtarake përendimore , a ka patur ndonjë moment të ndjeshëm në karrierren tuaj?
***
Profesioni i cili kam zgjedhur përmban në vete shumë momente të ndjeshme, si vështërsie ashtu edhe lumturie. Një moment i ndjeshëm që ka ngelur në mendjen time që edhe sot më motivon është takimi me një burrë të moshuar gjatë kohës kur isha kadet. Në akademi në Prishtinë pjesë e uniformës është kapela në formë anijeje. Kjo kapelë gjason me kapelat ushtarake të ish Jugosllavisë, duke iu dhënë të gjithë të moshuarve një nostalgji për kohët e vjetra, dhe njëkohësisht është një simbol që i lidh ata me ushtrinë. Një ditë pushimi përderisa unë po kthehesha në shtëpi e veshur në unifrmë, një njeri i moshuar më ndalë në rrugë. Unë e pershëndes duke i zgjatur dorën, ndërsa xhaxhai shpërthen në lot dhe fillon të më puth duart. Ishte me të vërtët një moment për të cilin asnjëherë nuk isha përgaditur dhe as nuk dija se si të reagoj. Për një moment mbeta e shtangur, dhe disi me vështërsi fillova të nxjerrë ca fjalë ngushllimi pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë. U ofrova një hap dhe përqafova xhaxhain, i cili nga mallëngjimi nuk mund të nxirrte asnjë fjalë. Pastaj u largua nga krahët e mi dhe duke më mbajtur duart tha: “unë e kam dhanë birin tim që ni dit t`shoh ty n`uniform dhe të bindem që gjaku i tij nuk ka shkue kot”. Fjalët e këti xhaxhai sot e asaj dite ngelën në mendjen time duke më bërë të kuptojë fisnikërinë e profesionit tim dhe përgjegjësinë e plotë që kisha marrë mbi supe, AMANETIN E ATYRE QË RANË PËR LIRI.
***
Togere Manushaqja. Si ka mundur Manushaqja të arrije ëndrrën e saj, të ecë në karrierën ushtarake duke i bërë sfide moshatarëve , dhe të gjitha vështirësive ‘’Mbrojtja e Mëmëdheut është qëllimi kryesor i profesionit tim’’ thote ajo… ajo jep maksimumin intelektual në edukimin e të rinjve, me punë dhe përkushtim, dashuri, që gruaja gjithmonë të jetë shtyllë e shoqërisë. Suksesi yt ka disa çelesa ?
***
Mendoj se po. Të arrish të ngrisësh veten në të gjitha aspektet nuk kërkon ndonjë shkencë në vete. Gjithçka fillon nga gjërat e vogla, e kam veten dëshmitarë sepse ashtu kam filluar dhe unë. Një ndër hapat e parë që kam marrë për të arritur këtu ku jam sot, është guximi për të ëndërruar qe të bëhem një grua lidere.
Pastaj natyrisht se unë asnjëherë nuk kam lejuar që kjo të mbetet vetëm një ëndërr e mbyllur në sirtarin tim.
Përkundër paragjykimeve dhe sfidave, unë kam vazhduar të ndjek ëndrrën time, duke marrë vendimin e parë drejt realizimit të këtij qëllimi që ishte përgaditja dhe aplikimi për në akademi.
Këtë e kam arritur përmes ngritjes sime në karrierë hap pas hapi, që ka dëshmuar që me punë dhe përkushtim arrihen të gjitha qëllimet tona dhe se çdo kush do të detyrohet të i pranojë ato.
Dashuria ndaj punës që bën është pjesë e këtij çelësi, sepse të shtynë të realizosh çdo qëllim. Mbrojtja e mëmëdheut është qëllimi kryesor i profesionit tim, gjë që më bën të ndihem shumë krenare për rrugën që kam zgjedhur, spese ky qëllim më shtynë të jap maksimumin në edukimin e brezave të rinjë dhe se kështu arrij të i`a dëshmojë popullit tim që gruaja ka gjithmonë ka qenë dhe do të jetë shtyllë e shoqërisë.
***
E dashur Manushaqe: çelës i pushtimit të majave të suksesit është kur përmes punës suaj arrini të i inspironi të tjerët. Shkollimi i vazhdueshëm ka qenë rruga të cilën ju keni ndjekur, në mënyrë që përmesë të qenurit shembull i gjallë i suksesit, të arrini të i ndërgjegjësoni gjeneratat e reja.Sa te veshtire e ka pasur Manushaqja rrugën kete profesion ?
***
Çdo profesion i ka vështërsitë e veta të çdo lloj natyre. Edhe për mua të qenurit lider në një profesion të dominuar nga meshkujt dhe në një shoqëri patriarkale ka qenë sfida ime më e madhe përgjatë rrugëtimit tim. Por unë asnjëherë nuk kam humbur kohën time të vlefshme duke u marrë me paragjykimet ndaj meje apo me krahasimet gjinore. Gjithmonë kam punuar me përkushtim dhe kam luftuar për të drejtat e mia, duke e dëshmuar veten në do mundësi sado e vogël që më është dhënë
***
C’fare I pelqen tjeter Manushaqes te ushtroje? Nga biseda mesova se ju pelqen sporti- vrapi, kjo mos ndoshta per tu kalitur, dhe nje filozofi per te arritur majat?
***
Si të gjithë të tjerët edhe unë kam kohën time të lirë të cilën e shfrytëzoj që të merrem me aktivitete të ndryshme. Pasion e kam atletikën, posaçërisht vrapinnë distance të gjata. Në shumicën e ditëve të javës përkundër obligimeve të shumta, unë gjitmonë një kohë ia kushtoj vrapit. Një kënaqësi të vecantë e përjetoj kur vrapoj në grup me shoqërinë e Gërmia555 (klub atletik) me të cilët këtë vit do të vrapojmë një maratonë për nderë të ditës së pavarsisëku do të shënjojmë rrugën për maratonën e poarë kombëtare Gjakovë – Bajram Curr të cilën e cila do të mbahet në Vjeshtë. Gjithashtu aktivitetet e bamirësisë dhe leximi janë dy aktivitete tjera të cilat më japin qetësi shpirtërore.
***
E dashur Manushaqe; A keni nje mesazh sensibilizues per lexuesin, te rinjtë dhe gruan shqiptare?
***
Filozofia e vetmohimit ka qenë dhe është baza e sukseseve të mia. Gjithmonë duke tentuar të jem reflektim i njeriut që dua ta shohë në shoqërinë tonë.
Do dashuri, fal dashuri
Do sinqeritet, bëhu e sinqert
Do respekt, respekto
Dhe në fund do të marrësh atë që ke dhuruar
***
FALENDERIM
Znj. Liliana unë i`u falëndorj nga zemra për punën tuaj të palodhëshme në ngritjen e figurës së gruas shqiptare në botë dhe për mundësinë që më dhe që sado pak edhe unë të jem në gjendje që përmes historisë sime të kontribojë në këtë fushë.Jam e lumtur qe njoha nje grua me kaq vlera si ju.
***
Falenderon Liliana.
Ju falenderoj nga zemra e dashur, Togere Manushaqe. syshqiponjë, Shote Galica e re Kosovare, Ishte nje obligim, dhe kenaqësi biseda me ju.Bisedova me nje vajze tepër te vendosur në missionin e saj, te fortë, me nje kulturë ushtarake perendimore të plotë, Dashuria juaj per lirinë , panvaresinë e Kosoves eshte ne qender te vëmëndjes së punes tuaj .Me vendosmerinë dhe karakterin e forte ju do te coni ne vend amanetin e te vrarëve ne lufte per liri. Atdheu liria dhe panvarësia per ju jane te shtrenjta. Jeni nje model sfidanteje per te thyer barrierat ne lidhje me kete profesion, që vet shoqëria i kishte vënë femrës në Kosovë. Je lulja Manushaqe e pare e pranveres Kosovare në profesionin tuaj, me karakterin tuaj të forte të pashembullt. Manushaqe lulja e parë e pranverës Kosovare ushtarake, e brishtë, e dashur dhe me ambicje te medha duke e hedhur veshtrimin larg per vendin e saj të dashur Kosove.
Lumja ti Kosova trime per keto çika! Faleminderit .
Dr.Liliana Pere
Ing Informatic
President: International Organization.
” Albanian Woman in the World
‘’Peace Missionary & Honorary Advisor of DMP’’

Filed Under: Interviste Tagged With: FORCES SE SIGURISE, Liliana Pere, MANUSHAQE NURA, OFICEREN E, se Kosoves

David Phillips: Nutri i të radikalizuarve në Kosovë po rritet

February 11, 2016 by dgreca

“Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, nag Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, keni shkruar së fundmi se historia e gjatë e Kosovës e “të pasurit karakter sekular, është duke ndryshuar”. Pse mendoni se po ndryshon?
David Phillips: Fillimisht dua të nënvizoj se shqiptarët etnikë kanë qenë gjithmonë fuqishëm pro-amerikanë. Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bashkëpunuar ngushtë për ta ndalur agresionin e Serbisë, dhe rrjedhimisht për të ecur drejt pavarësisë. Pra, është një lidhje shumë e thellë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve.
Megjithatë, lënia pas dore e Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara ka pasur ndikimin e vet në psikologjinë e kosovarëve.
Shkalla e papunësisë është shumë e lartë, Shtetet e Bashkuara kanë përqëndruar vëmendjen gjetkë; qeveria në Kosovë është dëshmuar të jetë e paaftë në zgjidhjen e problemeve në vend dhe në shumë rrafshe madje i ka përkeqësuar problemet…
Prandaj, për fat të keq ajo lidhja e ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është zbehur. Mendoj se mund të rivendoset, por duhet të bashkëpunojmë më nga afër, ndërkohë që edhe perspektiva evropiane e Kosovës duhet të fuqizohet.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Phillips, autoritetet vlerësojnë se rreth 300 qytetarë i janë bashkuar grupit militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak, një numër që Kosovën e bën kontribuesin më të madh në Evropë, për kokë banori. Autoritetet në Kosovë kanë ndërmarrë masa parandaluese, por të shumtë janë ata që thonë se ato nuk ishin dhe nuk janë të mjaftueshme. Ju si mendoni?
David Phillips: Autoritetet na kanë dhënë një numër prej 300 kosovarësh, të cilët janë rreshtuar përkrah Shtetit Islamik. Kjo është e dhëna zyrtare. Në fakt, unë mendoj se numri është thelbësisht më i lartë, mbase 1,000.
Megjithatë, numrat nuk janë të rëndësishëm, e rëndësishme është të theksohet mungesa e gatishmërisë nga ana e qeverisë në Kosovë për të krijuar mundësi punësimi, arsimimi, për t’u dhënë të rinjve në Kosovë shpresë dhe mundësi.
Qeveria është përgjegjëse për politikat e brendshme të vendit, por edhe komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar shoqërinë civile apo për të mbështetur punën e qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe njerëzor.
Pra, faji qarkullon përreth, e ndërkohë bota paguan çmimin, kur kushdo që shkon në Siri dhe Irak për t’iu bashkuar Shtetit Islamik, ai person paraqet rrezik me t’u kthyer – edhe në Kosovë – se mund të jetësojnë aftësitë që kanë marrë atje për të organizuar sulme, për të shënjestëruar të tjerët.
Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë “mozaik të radikalizimit” në Kosovë, është një pjesëz që për shumëkë nuk ka kuptim; fakti që në njërën anë, siç e thatë edhe ju në fillim të kësaj interviste, popullata shqiptare shumicë në Kosovë është fuqishëm pro-amerikane, pro-perëndimore, kurse në anën tjetër kjo popullatë ka edhe këto elemente të rrezikshme përbrenda. Si do ta shpjegonit këtë?
David Phillips: Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jenë pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë, por numri i atyre që po radikalizohen është në rritje. Ata janë radikalizuar për të njejtat arsye nga të cilat janë radikalizuar myslimanët tjerë anembanë: ata nuk mendojnë se kanë mundësi të barabarta ekonomike dhe arsimimi, njohja e pavarësisë së Kosovës tani është ngrirë dhe mendoj se numri ende qëndron në 110 shtete që kanë njohur shtetin e Kosovës… njerëzit kanë ndjesinë e mundësive të kufizuara.
Nëse Shtetet e Bashkuara e mendojnë seriozisht luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, atëherë duhet ta mirënjohin rolin thelbësor që kanë, ta afrojnë Kosovën, ta trimërojnë Bashkimin Evropian të integrojë edhe më Kosovën, për shembull përmes liberalizimit të vizave dhe përmes një rruge më të përshpejtuar drejt anëtarësimit në BE.
Me të ndodhur këto, do të shohim ndryshime në cilësinë e shoqërisë në Kosovë; përgjegjësia për këto ndryshime mbetet barrë e kosovarëve, por Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar mund të kenë rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.
Radio Evropa e Lirë: Ku mendoni se është burimi i radikalizimit në Kosovë, por edhe në rajon – me të njejtin problem përballet Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja? Kushtet e rënda ekonomike dhe sociale në Kosovë nuk janë nga sot, apo jo?
David Phillips: Përgjegjësia mbi këtë fenomen bjen mbi kosovarët dhe popullatat vendore. Por, nuk duhet ta neglizhojmë mundësinë për të kuptuar rolin shumë rolin tinëzar që Turqia po luan në radikalizimin e vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Turqia po eksporton agjendën islamiste të Partisë për Drejtim dhe Zhvillim [AKP], po shfrytëzon Agjencinë Turke për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Bashkëpunim si mekanizëm për të promovuar agjendën e saj ideologjike, për të mbështetur atë që ajo e cilëson si kapituj të vëllazrëisë myslimane në botë, duke rindërtuar xhami dhe institucione të tjera islame.

Procesin e deradikalizimit e kanë udhëheqësit vendorë, dhe ata duhet të pavarësohen nga agjenda e Turqisë dhe kësisoji, Kosova të marrë vendin e duhur si vend mik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: Për fund, në rrafshin global, shumë vende i janë bashkuar koalicionit kundër grupit militant Shteti Islamik; ky grup ka humbur territor gjatë 2015-s në Siri dhe Irak, por megjithatë është ende në këmbë…Si mund të mposhtet, si dhe nga kush saktësisht?

David Phillips: E vetmja mënyrë për ta mposhtur është kur popullatat e prekura direkt nga ky grup ngriten kundër kontrollit që Shteti Islamik ka. Të vetmit që kanë treguar kapacitet dhe përkushtim në Siri dhe Irak, për t’iu kundërvënë Shtetit Islamik janë kurdët. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar armatim dhe mbështetje të afërt nga ajri partisë më të madhe kurde në Siri, PYD, dhe peshmergave në Kurdistan të Irakut.
Armatosja e tyre duhet të zgjerohet, duhet të shtohet bashkëpunimi taktik në fushëbetejë dhe duhet bashkëpunuar më ngushtë me këto grupe, mbi nisma diplomatike.
Nëse administrata e zotit Obama e mendon seriozisht mposhtjen e Shtetit Islamik dhe jo vetëm kufizimin e tij, duke ia lënë në agjendë administratës tjetër, ajo duhet të bashkëpunojë me luftëtarët lokalë.
Kurdët janë të vetmit luftëtarë lokalë që kanë dëshmuar se janë të denjë për partneritet, njësoj siç ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitet e 90-ta.
Shtetet e Bashkuara duhet ta dijnë se kurdërt janë miqtë e vetëm dhe më të mirë në rajon dhe duhet ta zgjerojnë bashkëpunimin në rrafshin e sigurisë, dhe atë politik me kurdët, për t’u dhënë mbështetje ta kundërshtojnë Shtetin Islamik dhe të vazhdojnë të rikthejnë territore në Siri dhe Irak.(Bisedoi per Radion Evropa e Lirë, Arbana Vidishiqi)
*Arbana Vidishiqi është shefe e programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Filed Under: Interviste Tagged With: David Phillips: Nutri i të radikalizuarve, në Kosovë po rritet

Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë…

February 10, 2016 by dgreca

Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë…– NE KETE INTERVISTE DR. MYFTIA TREGON EDHE SI DEPERTOI I DERGUARI I SIGURIMIT TE SHTETIT, CUFE MULLAI NE RADHET E LEGALISTEVE NE BELGJIKE-/
KUJTESE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NE SHBA- Ne kujtim te Dr. Fuad Myftia, 9 vjet pas vdekjes/
INTERVISTE E DR. FUAD MYFTIA, DHENE GAZETARIT DALIP GRECA, EDITOR I SEC. SHQIP TE GAZETES ILLYRIA(Sot Editor i Gazetes DIELLI), SHTATOR 2008/
– Por kur erdhi Fuadi në Amerikë?, – e pyes bashkëbiseduesin.
– Kjo është një tjetër aventurë me telashe, – thotë Fuadi, që vazhdon të tregojë me detaje historinë e jetës së tij: – Në Amerikë erdha në 1958-n, sepse në Greqi u mbyll zyra amerikane. Babai vazhdonte të ishte në Aleksandri. Unë isha martuar dhe doja të sillja edhe babanë të qëndronte pak kohë me ne. Ia dhanë vizën për 24 orë dhe qëndroi dy javë me ne në Greqi. Më pas ai iku përsëri në Egjipt. Kishte ardhur koha që bashkë me gruan të udhëtonim drejt Amerikës. Kisha dy mundësi: ose të shkoja me aeroplan, ose me vaporin “Constituation” që ishte komod për atë kohë. Mirëpo donim të shkonim në Itali tek njerëzit e gruas, se më kishte lindur vajza. S’kishim pasaporta e asnjë lloj dokumenti. Unë udhëtoja me një letër që ma kishte dhënë zyra amerikane. Për vajzën, kur lindi, na dhanë vizën në një copë letër. Shkuam në konsullatën italiane për vizë, se ishte një vapor që nisej ne fundjave për në Gjenova e mbas dy javësh, po ky vapor, do të udhëtonte për në Amerikë. Përsëri telashe; kur shkoj atje, më thonë se tani për tani nuk ka mundësi, por do të kërkojmë autorizimin nga Roma, kjo zgjat nja 5-6 javë. Unë s’kisha kohë; për 5-6 ditë nisej vapori. Nga kjo situatë e vështirë më nxori Ernest Koliqi, të cilit i bëra një telefon. Ndërhyrja iku lart deri tek Andreoti. Ernesti kishte miq të fortë në qeverinë italiane. Të nesërmen shkova në konsullatë për vizë. Konsulli, që nuk i erdhi mirë, që unë kisha trokitur larg dhe lart, më pyeti; ç’miq paske në Romë se na ka ardhur një telegram emergjence andej?
– Mora vizat dhe shkuam në Itali. Pas 15 ditësh u nisëm po me atë vapor prej Gjeneve në Barcelona, pastaj në Lisbonë e prej Lisbone në Kanë. Takuam Mbretin Zog me Mbretëreshën. Princin e kishin në Zvicër. Vapori qëndroi tri ditë në Kanë. Mbas tri ditësh u nis direkt për në Nju Jork. Udhëtimi ishte tepër i gjatë dhe ne ishim me fëmijë të vogël dhe vështirësitë shtoheshin. Kemi bërë rrugë 15 ditë gjithsej.
Si depërtoi Sigurimi i Shtetit në radhët e legalistëve?
Sigurimi i Shtetit gjithnjë ka luftuar që organizatat nacionaliste t’i përçajë dhe në radhët e tyre të fusë agjentët e vet. Fuadi mendon se një pjesë prej tyre kanë kaluar nga Beogradi dhe e kanë treguar veten me veprimtari përçarëse, madje ndonjëri vazhdon edhe sot të veprojë kundër interesave të mbretëroreve. Disa kanë qenë “dhuratë” nga Sigurimi i Shtetit dhe kanë depërtuar nga Athina. Një pjesë janë zbuluar rastësisht, ndërsa disa të tjerë janë zbuluar dhe janë përjashtuar nga partia, ndonjë dhe ka mbetur pa u zbuluar, por jo pa rënë në sy.
E pyes për historinë më të bujshme, atë të agjentit Cufe Mullaji, i cili arriti qe të zinte poste deri në Komitetin Qendror të legalsistëve, pasi pat zënë edhe pozicionin e numrit një të legalistëve të Belgjikës, degës më të madhe të mbretërorëve në Evropë. Cufja, kujton Fuadi, hyri nga Greqia dhe qëndroi ca kohë në kampin e Lavrios, ku ishte dhe vetë Fuadi.
-Kur e zbuluat Cufen si agjent të sigurimit të shtetit?, – e pyes Fuadin.
– Ne s’kemi qenë të zotët për t’i zbuluar, se nuk na shkonte mendja kurrë se ai ishte agjent. E kanë zbuluar të tjerët. Mandej unë e kam përkrahur, e kam vënë në kontakt me shokët tanë që ishin në Bruksel.
– Si u paraqit agjenti i Sigurimit tek ju? Si e takuat Cufen, ju kujtohet fillimi i prezantimit me të?
– Kur erdhi Cufia, unë isha në Greqi atëherë. Ka qenë viti 1956. Grekët u bënin intervistën dhe pastaj i binin në kampin e Lavrios. Mandej vinin për të na parë atje e për të na dhënë ndonjë lajm për Shqipërinë. Siç vinin të gjithë erdhi edhe Cufja. Prezantohet. Në të vërtetë ustallarët e kishin llogaritur mirë punën, ai ishte i besueshëm se i ati kishte pas qenë toger i mbretit Zog. Më thotë se jam filani, kam simpati për Legalitetin, por jam me Hasan Dostin. Që sot e mbrapa unë do të jem pa parti e do të mundohem të kontribuoj në mërgatën shqiptare. Unë jam gati të bashkëpunoj me ju. Këto ishin fjalët e para të tij. Fillimisht ka qëndruar si qengj. E kemi ndihmuar edhe financiarisht e i gjetëm dhe një punë. Punoi si ndërlidhës me Athinën, ku shkonte e vinte, bënte telefona. Siç duke tani mezi e ka pritur atë pozicion se ishte i lirë me i raportu Sigurimit. Jo rrallë vinte edhe në shtëpi. Të them të drejtën, e para që ka dyshuar tek ai si njeri i dyshimtë, ka qenë gruaja ime. Ajo më thoshte shpesh; se çfarë ka ky njeri; gjithmonë është i shqetësuar. Duket si i dyzuar. Ke parë se si i lëviz këmbët, si i dridhen duart kur merr filxhanin e kafesë?
– E po i vjen zor, i thosha unë. Ajo këmbëngulte në të sajën: ai është shumë nervoz. Duhet të ketë probleme.
– Kjo ndodhte ngaqë ai ishte përherë i dytë në veten e tij; ishte legalist, nacionalist, roli që luante dhe ai i vërteti, agjenti i Sigurimit. Herën e parë që emigroi në Belgjikë, desh të regjistrohej në Legalitet. Tashti, na tha, po e kuptoj se duhet të regjistrohem në Lëvizjen e Legalitetit mbasi po shkoj në Belgjikë. Sikur të isha regjistruar më përpara, do të thoshit se po e bëja për oportunitet, domethënë, që kisha nevojën tuaj. Tashti s’kam më nevojë, jam duke u nisur për në Belgjikë, besoj se s’mundeni të thoni se po e bëj për oportunitet. Unë i thashë se këtu nuk është nevoja. Ne kemi degën atje. Të regjistrohesh në Belgjikë. Nuk e dija dhe atëherë, por ishte si princip që të pranonte dega atje. Sidoqoftë Cufja arriti ta realizojë qëllimin e vet. Ai u bë kryetar i degës më të madhe, asaj të Belgjikës. Më vonë, arriti të zgjidhet edhe në Komitetin Qendror të Organizatës.
– Mendoni se Cufja kontrollonte gjithçka në radhët tuaja?
– Nuk mendoj se tek ne kishte sekrete të mëdha, por është fakt se ai ushqehej me të gjithë informacionin që ushqeheshin anëtarët e Komitetit Qendror, pra parësia jonë. Në atë kohë unë isha Sekretar i Komitetit dhe korrespondoja me të gjitha degët në botën e jashtme. Ishin 19 degë e ndër më aktivet ishte dega e Waterbyr- it, e Detroitit, e Kanadasë dhe e Belgjikës.
Kur u bë Kongresi i parë i Legalitetit ai u zgjodh anëtar i Komiteti Qendror nën kryesinë e Nuçi Kotës, si Sekretar i Përgjithshëm. Kështu që ai merrte informacion mujor për gjithçka dhe besoj se i ka kënaqur ustallarët e vet të Tiranës.
– Por kur e mësuat të vërtetën?
– Dyshimet kishin kohë që po dukeshin. Çuam në Belgjikë dy shokë gjoja se po studionin historinë e mërgatës, të cilëve u dhashë me vete edhe një rekomandim, që të ndihmoheshin. Duke qenë se ata qëndruan gjatë dhe nuk e linin t’u dilte nga kontrolli, atij i duhej të shkëputej për t’u lidhur me qendrën e vet, por nuk e dinte se survejohej nga ne. Kështu që dyshimet u vërtetuan. Pas kësaj nuk bëmë ndonjë veprim të hapur, veçse ia shkurtuam postën. I çonim fillimisht pak informacion të përgjithshëm, derisa ia shkëputëm fare. Ai merrte në telefon dhe ankohej, unë i thosha se ta kam nisur por shih se mos ka ngecë gjëkundi…
-Dhe kur u largua Cufja?
– Ka ikur tamam në ditën e festës së Flamurit, më 28 nëntor 1967…
– Ka pasur të tjerë të dërguar nga Sigurimi që janë zbuluar?Në kujtimet e veta Cufja thotë se edhe ai që e zëvendësoi ishte bashkëpunëtor i Sigurimit. Ju si mendoni?
– Po, unë thashë se Sigurimi ka bërë shumë përpjekje me e pasë në dorë mërgatën dhe nuk i ka rresht përpjekjet për të futë bashkëpunëtorë të tij në radhët tona. Në kampin e Lavrios kemi pasur një çam. Ai jo vetëm që vepronte vet, por filloi t’i bënte presion dhe një elbasanlliu, të cilin e kërcënoi se djali që kishte në burg në Shqipëri do ta pësonte nëse ky nuk bashkëpunonte. Ka dhe raste të tjera, për të cilët është marrë masa e përjashtimit nga Partia…
11 kongreset e legalistëve në emigrim/
Refuzimi i ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë për ta regjistruar PLL-në në zgjedhjet e para pluraliste, prapaskenat e kongresit të 13-të që u mbajt në Tiranë më 1996
-Dr. Fuad Myftia është një ndër drejtuesit që ka qenë në krye në legalistëve për më shumë se tri dekada, ndërkohë që jetë aktive në strukturat e mbretërorëve ai ka rreth gjysmë shekulli. E filloi aktivitetin që në demonstrimet antifashiste në vitet ‘40 të shekullit të kaluar e vazhdoi në kampet e pasluftës, në Itali dhe Greqi. Kur legalistët filluan të organizojnë strukturat e tyre, edhe Fuad Myftia ka pjesën e vet të kontributit. Pas kongresit I, atij të Zall-herrit të nëntorit 1943, kongresi tjetër do të mblidhej pas 19 vjetësh jashtë atdheut. Shkak u bë vdekja e Mbretit Zog. Një grup eksponentësh, dr. Nuçi Kota, avokat Selim Damani dhe dr. Fuad Myftia, u bënë nismëtarët e një përkujtimi madhështor. Përkujtimi u bë në Manhattan në qershor 1961, ku morën pjesë personalitete të botës shqiptare në mërgim dhe personalitete ndërkombëtare. Ky rast shërbeu për riorganizimin e Lëvizjes Legaliste. Një Këshill Provizor mori përsipër parapërgatitjen e kongresit, i cili u mblodh në nëntor 1962. Fuadi kujton se ai qe një manifestim shumë i organizuar i legalistëve. Në përfundim të punimeve u zgjodhën drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Lëvizjes së Legalitetit. Dr. Nuçi Kota u zgjodh sekretar i përgjithshëm, ndërsa avokat Selim Damani nënsekretar. Fuadi u zgjodh në Komitetin Qendror. U vendos që të krijoheshin degë të Lëvizjes në çdo kontinent ku kishte shqiptar të mërguar. Numëroheshin atëherë 19 degë në Evropë, Amerikë, Kanada, Zelandën e Re, Australi etj. Lëvizja e Legalistëve e përjetoi me dhimbje humbjen e sekretarit të përgjithshëm, dr. Nuçi Kota, i cili vdiq në mënyrë të papritur në vitin 1965. Vendin e tij e zuri avokat Selim Damani, i cili drejtoi deri në vitin 1968. Në nëntor të atij viti u bë kongresi dhe avokati Damani dha dorëheqje për mospajtim idesh; Fuadi u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Ai arriti ta udhëheqë me metoda demokratike Lëvizjen e Legalitetit dhe forcoi demokracinë e brendshme. Ishte kjo arsyeja që ai do të triumfonte edhe në kongresin e pestë edhe në atë të gjashtin. Për të kuptuar demokracinë e brendshme që kishte kjo organizatë politike, që natyrisht ishte më e madhja në mërgim, po sjellim si pikë reference kongresin e gashtë të legalistëve, i cili i zhvilloi punimet nga 26 deri në 27 nëntor 1977 në New York. Pas procedurave të rregullta, që nga seanca e parë që filloi në orën 10 të mëngjesit, deri në seancën e fundit, pas zgjedhjes së kryesisë së përkohshme për drejtimin e kongresit, e përbërë nga Shehat Osmani, kryetar; Mustafa Kulla, nënkryetar dhe Rasim Sina, sekretar deri tek kontrolli i mandateve; pas fjalimeve të të ftuarve dhe fjalimit të sekretarit të përgjithshëm, dr. Fuad Myftia, u erdhi radha zgjedhjeve. Është një model që mund t’u shërbejë dhe partive të tjera politike sot në Shqipëri. Dolën dy kandidatë për postin e sekretarit të përgjithshëm: Fuad Myftia dhe Idriz Basha. Secili nga ata paraqiti platformën para delegatëve. Dr. Fuadi gërshetoi përvojën që kishte fituar me objektivat që e prisnin Lëvizjen Legaliste në të ardhmen; ndërsa Idriz Basha tregoi aktivitetin e tij individual politik në shërbim të çështjes monarkiste, demaskimin e politikës së Tiranës përmes shkrimeve që ai vetë kishte botuar në “Lë Mond” dhe gazeta të tjera; secili nga kandidatët paraqitën listën e bashkëpunëtorëve të tyre me të cilët do të realizonin objektivat e paraqitura. Dr. Idriz Basha,në rast se fitonte kishte zgjedhë si nënsekretar të përgjithshëm zotërinjtë Ragip Lohja e Ibrahim Kulla dhe kishte hartuar një listë me 26 anëtarë të KQ-së; ndërkohë që dr. Fuad Myftia kishte përzgjedhë si zëvendës të tij, bashkëpunëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanaj dhe Arif Fazo si dhe 36 anëtarë në KQ të OKLL-së. Të 154 delegatët i duartrokitën të dyja platformat dhe më pas kaluan në votim të fshehtë. Platforma e dr. Fuadit kishte bërë për vete 99 delegatë, ndërsa dr. Idriz Basha mori 55 vota. Në mes të duartrokitjeve, dy kundërshtarët i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuan nën duartrokitjet e sallës. Kjo përvojë është e vlefshme sot si për vetë legalistët e Shqipërisë, të cilët e kthyen në rrëmujë kongresin e tyre në vitin 1996 në Tiranë, ashtu edhe për partitë e tjera, të cilat e kanë kthyer në skematizëm formal konkurrimin e alternativave brenda partive.
Duke ndjekur kronologjinë e zhvillimeve në kampin e legalistëve mësojmë se dr. Myftia u tërhoq në kongresin VII, që u mblodh në nëntor 1980. Arsyeja ishte shëndetësore. Menjëherë u paraqitën katër kandidatura: Shehat Osmani, Nderim Kupi, Fahri Barolli dhe Idriz Basha. “Pati ca tensione ai kongres, – thotë Fuadi, – pasi për herë të parë konkurruan katër kandidatë”. “Pas shumë debatesh fitoi kandidatura e Nderim Kupit, i cili nuk qe se arriti një periudhë të artë drejtimi, përkundrazi, organizata pati shumë probleme”, – shton ai.
Pas presionit të miqve legalistë, Fuadi e rivë kandidaturën në kongresin e tetë. Ky kongres i ka zhvilluar punimet me 1983. Kandidatura e Fuad Myftisë fitoi lehtësisht. Përballë, sërish kishte kandidaturën e Idriz Bashës, i cili këtë herë nuk mundi të fitonte më shume se 30 vota.
“Kam pasur fatin, – thotë Fuadi, – që të punoj me Hysen bej Prishtinën si kryetar të Këshillit Kombëtar, ndërkohë që Hysen Mulosmanaj ka qenë një ndër ndihmësit e tij shumë të kualifikuar”. Në aktivitetin e tij ai thotë se ka pasur në mbështetje dhe këshillat e vazhdueshme të heroit të 7 prillit, Abas kupit.
Kongresi IX i legalistëve sërish u mblodh në mërgim, në Nee York. Punimet e këtij kongresi, si dhe të kongresit të Bllokut Kombëtar dhe të Kongresit IX të Partisë së Punës së Shqipërisë, gazeta e Vatrës, “Dielli” i ka paraqitur në faqen e parë të numrit të 31 janarit 1987, ku janë ballë përballë portretet e mëdha të Ramiz Alisë dhe Fuad Myftisë, në mes qëndron vendi bosh i kryetarit të Bllokut, Ndue Gjomarkaj. Le ta citojmë “Diellin” për legalistët: “Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit mbajti kongresin IX të saj më 29-30 nëntor. Punimet e këtij kongresi u zhvilluan në “Sheraton Hotel”, në New York… Punimet e kongresit u zhvilluan në katër seanca. Kongresin e hapi z. Ibrahim Kulla, i cili zëvendësonte sekretarin e përgjithshëm, z. Fuad Myftia, që ishte i pamundur atë ditë. Kryetar i kongresit u zgjodh z. Xhemal Laçi, i mirënjohuri ushtar i kombit dhe i legalitetit, i cili e drejtoi kongresin në mënyrë të pëlqyeshme”.
Fuadi kujton si tregues të madhështisë së kongresit pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të partive politike shqiptare në mërgim, përfaqësues të fesë, si dhe përfaqësues nga vendet e robëruara nga komunizmi. Nga këta të fundit përshëndetën kongresin dërgata e Mbretërisë së Bullgarisë, ajo e shtetit të Kroacisë, dërgata e Republikës Çekosllovake në mërgim, e kryesuar nga z. Jan Kuncir, i cili shërbente si ministër i Jashtëm i Çekosllovakisë në mërgim, dërgata e Polonisë, e kryesuar nga z. W. Veleman në detyrën e ministrit të Jashtëm të Polonisë në mërgim, dërgata e Mbretërisë Rumune, dhe dërgata e Këshillit të Evropës Qendrore.
Z. Myftia ka paraqitur raportin, ndërsa për veprimtarinë 3-vjeçare të Këshillit Kombëtar foli kryetari Hysen Prishtina. Sekretar i përgjithshëm u rizgjodh Fuad Myftia, zëvendës të tij Ibrahim Kulla dhe Fari Barolli. Kryetar i këshillit u rizgjodh Hysen Prishtina, zëvendës të tij Ramiz Dani dhe Safet Malushi.
Dr. Myftia në arkivin e tij ruan dokumentacion të shumtë të Organizatës që ka drejtuar për dhjetëra vjetësh dhe letërkëmbimin privat. Në arkivin e tij gjenden edhe letërkëmbimet me familjen mbretërore dhe personalitete politike e shtetërorë në Evropë dhe në Amerikë. Në 15 nëntor 1986 ka korrespondencë me zv.presidentin amerikan, George Bush, ku përgëzohet për problemet që Fuadi ka ngritur në emër të “Albanian-American Community”. I shkruajnë nga zyra e Presidentit të Austrisë, dr. Franz Parak, ku e falënderojnë për informacionet dhe shqetësimet e ngritura për shqiptarët në Jugosllavi. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Geraldina, që e niste prej Spanje, flitet për hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Në një faqe e gjysmë format të shkruar shqip, me shkrim dore, përcillen shqetësimet e çështjes shqiptare dhe problemet shëndetësore. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Suzana, përcillen falënderimet ndaj Fuadit, në një tjetër letër, të dërguar nga ambasadori anglez në Washington, i cili e falënderon për informacionin që ai i ka përcjellë Kryeministres së atëhershme britanike, Margaret Thatcher, janë me qindra letra; i shkruan nga Londra, Nicholas Bethell, e falënderon Alfons d’Amato, për problemet që ka ngritur për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, i shkruajnë nga kongresi, nga Shtëpia e Bardhë.
Fuadi tregon se si e zhvendosën organizatën e tyre legaliste në Shqipëri dhe pengesat e mëdha që nxorën komunistët për t’i penguar. Në fakt alarmi ishte dhënë me kohë nga Ramiz Alia, i cili tek kërkonte pluralizëm mendimi, nuk mund të pranonte pluralizëm politik, pse kjo nënkuptonte pikërisht rikthimin e partive kundërshtare të komunistëve, partive tradicionale, Balli dhe Legaliteti. Kërkesës së legalistëve për të regjistruar Partinë Lëvizja e Legalitetit në zgjedhjet e para pluraliste, u refuzua nga ministri i Drejtësisë. Fuadi ende e kujton replikën me ish-ministrin atëhershëm të Drejtësisë, Muçi: “Nuk mund të pranojmë parti që janë themeluar jashtë territorit të Shqipërisë…!” Jo, mor zotëri ministër, legaliteti është themeluar brenda në Shqipëri, madje jo shumë kilometra larg kryeqytetit, në Zall-herr, ne e mbajtëm gjallë në mërgim”, – i pat kthyer përgjigje Fuadi. Mirëpo koha iku, dhe legalsitët nuk morën pjesë në ato zgjedhje.
“Kthimi i organizatës në Shqipëri i kaloi nëpër shumë vështirësi, – thotë dr. Myftia dhe flet pa konsideratë për Guri Durollarin, i cili me metodat e tij gati e falimentoi partinë. Ai futi metoda jodemokratike në jetën e legalistëve, përçau radhët e organizatës dhe krijoi grupime interesash në parti. Një pjesë e ndërzeve që i kanë sjellë kokëçarje legalistëve, kryesisht kanë kaluar nëpër shkollat e Beogradit, mendon Fuad Myftia. Sipas tij, pak nacionalistëve u janë dhënë të drejtat për të studiuar në universitetet e ish-Jugosllavisë, ndërsa u është mohuar atyre që kanë qenë të betuar për Shqipërinë etnike.
Dr. Fuadi mendon se me kthimin në Shqipëri, Lëvizja e Legalitetit ka pasur një dëm të brendshëm. Në kongresin e 12-të pati krizë figurash. Na duhej një figurë simbol, por nuk mundëm ta gjenim. Bardh Kupi ishte një figurë e kompletuar, por ai u tërhoq. Më pas mbetën Rasim Sina dhe Guri Durollari. Tërheqja e Rasimit, fatkeqësisht e la partinë në duart e Gurit, i cili e tregoi veten plotësisht në kongresin e 13-të, që i zhvilloi punimet në vitin 1996. Nga ana tjetër, edhe Nderim Kupi me kongresin e vet paralel me tonin, nuk bëri gjë tjetër veçse uli vlerat që patëm sjellë nga mërgata.
Dr. Fuad Myftia ndërroi jetë në shkurt të vitit 2007, në moshën 83-vjeçare, në New York dhe u varros me nderime ne varrezën e Queens-it, ku janë varrosur edhe Abaz Kupi, Abedin Mulosmani, Hysen Mulosmani dhe legalistë të tjerë.
*Kjo eshte vetem nje Pjese nga Intervista me te ndjerin Dr. Fuad Myftia, Botuar fillimisht ne Gazeten ILLYRIA NE NEW YORK dhe me pas ne gazeten “Standard” ne numrat e 21, 22, 23, 24 shtator 2008)

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë...

KREU I GJYKATES SE LARTE FLET DHE PER 21 JANARIN

February 10, 2016 by dgreca

Zaganjori: Unifikimi i praktikave gjyqësore kryefjalë; 21 Janari, shumë shpejt vendimi/
Nga Arbi Fortuzi/ TIRANË, 10 Shkurt/Kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori pasqyroi të mërkurën punën e institucionit të tij, teksa vuri theksin tek unifikimi i praktikave gjyqësore si rruga më e mirë drejt zgjidhjes së shumë çështjeve në një kohë sa më të shkurtër.
Gjatë fjalës së tij në një takim me gazetarët, Zaganjori tha se Gjykata e Lartë ka punuar me ritme të larta. Ai në mënyrë narrative dhe statistikore sqaroi se cilat janë objektivat për këtë vit kalendarik dhe arritjet e vitit të mbyllur një muaj më parë.
Sipas Zaganjorit, Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë gjatë këtij viti rreth 13 000 dosje. “Në vitin 2013 janë regjistruar 5 385 çështje dhe janë shqyrtuar 4 207. Një vit më pas u regjistruan 6 698 dosje, teksa u shqyrtuan 6 448, ndërsa vitin e shkuar fluksi ka qenë më i lartë, 9 051 dosje dhe puna jonë mjaft voluminoze, pasi i kemi dhënë zgjidhje 7 400 dosjeve. Pra gjatë vitit 2015 kanë ardhur 2 353 dosje më shumë se një vit më parë, teksa janë çuar për gjykim 912 çështje më shumë”, tha Zaganjori.
Ai tha se puna e Gjykatës që ai drejton do të ishte më e lehtë në rast se do të punohej më shumë me unifikimin e praktikave. “Ka vende në botë që kanë shumë më shumë popullsi dhe shumë më pak çështje dhe kjo, pasi në Gjykatën e Parë nuk shkojnë të gjithë, ka mirëkuptim dhe marrëveshje para gjyqësore. Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo, vjen edhe për shkak të unfikimit të praktikave, të cilat i japin mundësi të gjithëve të kenë transparencë mbi argumentat e përdorura për një vendim e kështu të mos ndërrmarrin hapa në rast se çështja është e ngjashme”, tha Zaganjori. Ai shtoi se lidhur me unifikimin e çështjeve, vitin e kaluar kalendarik janë përcjellë 4 vendime, ndërsa këtë vit janë nisur dhe 6 praktika të tjera, që presin vetëm vulën.
Gjykata është duke shqyrtuar çështjet penale të 2015-ës. “Lajm i mirë, tha Zaganjori, është që kemi shpejtuar punën për dosjet penale, duke shqyrtuar dosjet e 2015-ës, pra të një viti më parë. Tek dosjet civile dhe administrative jemi në vitin 2013”, shtoi ai. Ai tha se është rritur transparenca. “Një pikë tjetër që lufton korrupsionin është transparenca dhe për këtë arsye ne kemi ndërmarrë nisma të rëndësishme, si publikimi online i vendimeve dhe krijimin e revistave periodike me argumentat e dhënë për një vendim”, vijoi ai.
Sipas Zaganjorit, problem kryesor mbeten pronat dhe pensionet e ushtarakëve. Për të parën, Zaganjori u shpreh se duhet më parë vendimi i Kushtetueses dhe më pas ne dhe Gjykata e Strasburgut do veprojmë. Sa i takon pensioneve të ushtarakëve, ai tha se po shqyrtohet mundësia e unifikimit të vendimeve.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Zaganjori u shpreh se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për të rritur efiçencën e punës së gjykatave dhe për të relaksuar punën e Gjyaktës së Lartë, por nuk mbajti një qendrim të plotë mbi çështje konkrete.
Ai u rezervua të shprehte qëndrim të qartë mbi krijimin e një Gjykate të Lartë Administrative, apo të vendosurit nëse Gjykata e Lartë do të jetë karriere apo e ndërthurur. “Mendoj se një gjykatë paralele administrative do të ishte e nxituar, edhe pse mund të bëhej shumë kollaj. Them e nxituar për shkak të eksperiencës së vogël që kemi në këtë drejtim, kështu është shprehur dhe komisioni Venecias. Sa i takon çështjes së Gjykatës së Karrierës, tha Zaganjori, unë jam i idesë se kjo duhet të jetë Gjykatë Karriere, pasi është e rëndësishme eksperienca, por nëse ne do na duhet të bëjmë vendime të unifikuara, atëherë është e nevojshme që pedagogë me eksperiencë të bashkohen e ndërthuren në punën tonë për t’i dhënë zgjidhje problemit të unifikimit”, tha ai.
Zaganjori u shpreh plotësisht dakord me rishkruajtjen e Kodit të procedurës Penale dhe Civile. “Është një kod i vjetër, i përkthyer keq nga italishtja. Duhet një rishkrim dhe duhet adaptuar me problematikat e momentin”, tha Zaganjroi.
Lidhur me 21 Janarin, Zaganjori deklaroi se çështja është në dhomën e Këshillimit. “Relacioni është shkruar dhe tashmë pritet që grupi të mblidhet të marrë një vendim, besoj se shumë shpejt vendimi do të dalë.

Filed Under: Interviste Tagged With: per 21 Janarin, shpejt vendimi, Zaganjori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 210
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT