• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KODORKOVSKI, ISH OLIGARKU I PËRFUNDUAR NË GULAG: “PUTINI ËSHTË  NJË KRIMINEL, DO TË NDALOHET VETËM ME FUQINË USHTARAKE”

March 31, 2022 by s p

Nga FEDERICO FUBINI/

Në 2003 Kodorkovski ishte dyzet vjeç, një pasuri të vlerësuar në pesëmbëdhjetë miliardë dollar dhe kontrollin e gjigandit të naftës Jukos, i përfunduar në duart e tij në xhunglën e privatizimeve ruse të viteve 90. Sot, që është pothuaj gjashtëdhjetë vjeç, është një i mbijetuar kushteve të gulagut gjatë një dhjetëvjeçari burgu me dënime për mashtrim dhe evazion fiskal, mbasi kishte kërkuar t’organizonte një forcë kundërshtare të pushtetit të Vladimir Putinit. Që nga 2013 diktatori I Kremlinit e ka liruar dhe sot Kodorkovski, duke punuar nga Londra, është pa dyshim disidenti kryesor rus në mërgim. Në këtë rol i foli Corrieres rusisht e nëpërmjet një përkthyeseje. 

Juve e keni takuar shumë herë Putinin njëzet e më shumë vite më parë, kur ju ishit një sipërmarrës i madh dhe ai ishte kryeministër ose në  mandatin e tij të parë si president. A e gjeni të ndryshuar shumë apo shihni një vazhdimësi?

“Nuk kemi qënë kurrë shokë, nuk mund të them se e kam njohur nga afër. Un isha në drejtimin e një sipërmarrje të madhe dhe Putini ishte president, kishim marrëdhënie profesionale. Në dukje është ndryshuar, po. Njëzet vite pushtet e kanë ndryshuar dhe në këtë drejtim rasti i tij nuk është i vetëm. Sot i lejon vetes të bëjë gjëra që më parë nuk guxonte. N’atë kohë sillej në mënyrë më normale, njihte qënien e disa caqeve. Por në thelb është gjithmonë ai. Ishte një kriminel e ka mbetur i tillë. Ka mendësinë e një përfaqësuesi të krimit të organizuar. Është ajo që drejtuesit perëndimorë nuk e kanë kuptuar kurrë, nuk e kuptojnë tani e – më vjen keq – por simbas mendimit tim nuk do t’a kuptojnë kurrë”.

A mendoni se ka ndryshuar sepse është i rrethuar nga njerëz që e kanë frikë dhe nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën?

“Pa dyshim agresioni kundër Ukrainës ka qënë frut i një përceptimi të gabuar e i një të vërtete të shtrembëruarî

Disa në Perëndim dhe n’Itali thonë se përgjegjësia e kësaj lufte është edhe e NATO-s, sepse paskej shkaktuar kundërveprimin e Rusisë, duke premtuar të shtrihej edhe n’Ukrainë. E bashkëndani?

“Nuk mendoj se Putini ka patur frikë nga zgjerimi i NATO-s n’Ukrainë. Ai e urren NATO-n por nuk i frikësohet. Më shumë është i pushtuar nga një lloj misioni mesianik: është i zaptuar e kuptohet nga fakti që ka bërë të vihet para Kremlinit shtatoren e princit Vladimir (shtatorja e lartë 17,5 metra e Vladimirit të Madh, zotëria e Novgorodit dhe Kievit, ndërmjet viteve 980 dhe 1015 mbas Krishtit, sh.i red.)

Doni të thoni se Putini njëjtësohet me mbretërit dhe Carët e historisë ruse?

“Është një mendësi dhe përsosmërisht normale për një kriminel në moshë pensioni. Njerëzit e këtij soji përfundojnë të pushtuar nga një ide e vetme, nga një mision që i zotëron. Njëzet vite më parë ishte më i arsyeshëm”.

Tani, edhe nëse do t’arrinte të thyente ushtrinë ukrainase e të hynte në Kiev e në qytetet e tjera të mëdha, pushtimi i Vëndit duket i papërballueshëm. Si besoni se do të zhvillohet kjo luftë?

“Janë dy skenarë. Në të parin nga ana perëndimore detyrohet një no-fly zone dhe Ukraina arrin të qëndrojë. Në këtë rast Putini do të humbasë pushtetin brënda dy vitesh”.

Por qeveritë perëndimore nuk kanë ndërmënd të detyrojnë një no-fly zone, sepse do të shtohej rreziku i një përplasjeje të drejtpërdrejtë me ushtrinë ruse e pra një lufte të tretë botërore, a është kështu?

(Psherëtin). “Ky është gabimi themelor i Vëndeve aleate. Udhëheqësit e Vëndeve evropiane mendojnë se kanë të bëjnë me një shtetist që arsyeton si ata. Ndërsa ai funksionon në një mënyrë krejtësisht të ndryshme: mendon si një kriminel. Nëse një krimineli ti i tregon dobësinë tënde ai nuk ndalet: do të vazhdojë gjithënjë të shkojë përpara. Është pikërisht ajo që Putini po bën. Fakti që Perëndimi nuk po vepron e nxit të shtyhet gjithmonë e më tutje”.

Po skenari i dytë kush është?

“Nëse gjithshka shkon si në këtë çast, ai do të pushtojë Ukrainën dhe pastaj do të jetë një guerrilje partizane qëndrese. Përfundimi do të jetë që gjëndja ekonomike e Rusisë do të jetë gjithnjë e më shumë e poshtëruar. Nga Ukraina do t’arrijnë gjithënjë e më shumë arkëmorte të ushtarëve rusë dhe morali i popullsisë në Rusi do të përkeqësohet gjithënjë e më shumë”.

Çfarw do të bëjë Putini në një situatë të tillë?

“Janë tre raste të këtij lloji në historinë e tij. Në 2008, në 2014 e tani në këtë gjëndje, ai ka shpërthyer gjithmonë luftëra të reja mbas atyre që kishte bërë. Edhe këtë herë do t’a bëjë, një luftë e re: do të jetë e katërta”.

“Mund të jenë Vëndet Balltike. Mund të jetë Polonia. Jo Moldavia sepse është tepër pak për dëshirat e tij”.

Pra ju thoni se po nuk u bllokua me një no-fly zone tani, do të sulmojë një tjetër Vënd makar mbas dy o tre vitesh?

“Besoj se proçesi këtë herë do të jetë më i shpejtë, nuk do të presë tre vjet. Moldavia do të gëlltitet që në këtë fushatë ushtarake. Përsëris, fushata tjetër do të jetë o mbi Poloninë o mbi Vëndet Balltike”.

A mendoni se mund t’a fillojë menjëherë mbasi të ketë marrë, me gjasë, kontrollin e Ukrainës?

“Mbas pushtimit të Ukrainës do të presë për pak kohë që morali i popullsisë ruse të ngrihet pak. Por do të jetë një fazë kalimtare. Do t’a përdorë këtë periudhë për të riorganizuar ushtrinë e pastaj do të hidhet në një fushatë të re mësymjesh, kur morali në Rusi të fillojë të zbresë. Atëherë do të niset agresioni i ri”.

Qeveritë evropiane besojnë në faktin se sanksionet kundër Moskës do të jenë aq të ashpra, sa shpejt a vonë, regjimi nuk do të jetë në gjëndje të përballojë pushtimin e Ukrainës dhe elitat ruse do të ngrenë krye kundër Putinit. Ju a i besoni?

“Kam përshtypjen se elitat perëndimore n’universitet nuk kanë studjuar mirë historinë e luftës së dytë botërore. Po sillen saktësisht siç bënë përballë Hitlerit e e dijmë të gjithë se ku çoi ai qëndrim. Në regjimet diktatoriale, sipërmarrësve të pasur nuk u shkon fjala dhe nuk kanë fuqi politike të mjaftueshme për të imponuar një ndryshim në majë. Tek ne është diktatura. Të gjithë këta sipërmarrës që sot i shohim të goditur nga sanksionet për Putinin nuk janë asgjë. Janë shërbëtorë. Nuk janë në gjëndje të bëjnë asgjë, dijnë vetëm të shërbejnë”.

Pra përgjigja me sanksione nuk mjafton, as duke vënë në embargo naftën dhe gazin rus?

“Çasti i sanksioneve ka mbaruar. Jam i bindur se faza në të cilën mund të zgjidhej problemi me sanksione është mbas shpatullave. Tani jemi përballë një alternative: ose i jepet Putinit një demostrim fuqije ushtarake, që të bëjë të mundur bisedimet e vërteta; përndryshe , në mungesë të këtij demostrimi force, ai do të vazhdojë të shkojë përpara, deri sa të ndeshet në një qëndresë të tipit ushtarak”.

Shumë veta mendojnë se Putini në të vërtetë po humbet, sepse nuk do t’arrijë të mbajë pushtimin e Ukrainës në darën e krizës ekonomike të detyruar Rusisë nga sanksionet. Çfarë ju bën të mendoni të kundërtën?

“Nuk e marr vesh sepse njerëzit në Perëndim mendojnë se populli në Rusi nuk mund të luftojë, kur të jetë varfëruar më shumë. Putini do të arrijë lehtësisht  t’a bindë  popullin e varfëruar të luftojë. E për të luftuar paratë do të mjaftojnë”.

Në fillim të luftës ju thonit se skenari i një qëndrimi në pushtet i Putinit edhe për dhjetë vite të tjera tashmë bëhej më pak i mundshëm. Përse tani jeni më pesimist?

“Shoh se si kundërvepron Perëndimi. Kuptoj se nëse Putinit nuk i bëhet qëndresë, bëhet më pak e mundur t’arrihet të ndalohet. Mos më keqkuptoni, jam i bindur se mund të frenohet. E duhet të ndalohet. Në Rusi, një diktator që humbet luftën nuk mund të qëndrojë gjatë në shalë. Kam menduar gjithmonë e vazhdoj të mendoj se Ukraina mund të ndalojë Putinin me ndihmën e Perëndimit”.

Shtresat e mesme të Moskës dhe Shën Peterburgut po gjinden të zhytura në një klimë varfërie dhe autokracie prej Bashkimi Sovjetik. Deri edhe vetë familiarët e njerëzve në pushtet protestojnë, siç ka bërë bija e zëdhënësit të Kremlinit Dmitri Peshkov. A me të vërtetë e gjithë kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie?

“Kemi të bëjmë me një rast tipik të diktaturës. Këto pseudo elita vlejnë pak. Vlenin deri sa formonin bazën e miratimit të Putinit. Sot, si çfarëdo diktatori, ai kalon mbi kokat e tyre e i thotë popullit: “jemi në rrezik, të gjithë na kërcënojnë, duhet të mbrohemi”. Dhe populli i beson. Madje është i gatshëm të shtrëngojë rrypin për këtë. Ndërsa për përfaqësuesit e elitave, nëse protestojnë kundër një diktatori që shpall se don të mbrojë popullin, asgjësohen. Pozita e Putinit në Rusi do të lëkundet nëse humbet luftën dhe në sytë e njerëzve të zakonshëm nuk do të ketë qënë i aftë të mbronte popullin. Është aty që një diktator humbet pushtetin: kur humbet luftën”.

Pra, nuk ka alternativë kundrejt një zotimi ushtarak të Perëndimit?

“Sot, nesër e pasnesër, për dy javë, deri sa ushtarët ukrainas do të vijojnë të luftojnë, Perëndimi mund t’i ndihmojë pa u futur detyrimisht në luftë. Por mbas tre javësh ky çast do të jetë i humbur. Dritarja e mundësive do të jetë e mbyllur”.

Të vendoset no-fly zone nuk është si të hyhet në luftë?

“Jo: nuk do të thotë hyrje në luftë, edhe se disa politikanë kanë frikë se mund të jetë”.

Juve, duke organizuar lëvizjen Open Rusia, jeni vënë në qendër të një nisme të bashkërendimit ndërmjet disidentëve rusë në mërgim. Çfarë ndikimi do të arrini të keni në brendësi të Vëndit tuaj?

“Ne punojmë me ata që në këtë çast mbeten në Rusi. Inkurajojmë njerëzit të manifestojnë nëpër rrugë, i drejtohemi atyre nëpërmjet kanaleve social dhe milionë njerëz shohin programet tona. Kërkojmë të shpjegojmë si qëndrojnë me të vërtetë gjërat. E, sigurisht, punojmë shumë edhe me të ikurit rusë”.

A po kërkoni të organizoni  një qeveri në mërgim?

“Sot për sot komiteti kundër luftës ka një qëllim më të kufizuar: duam të veprojmë për të ndaluar luftën. Nuk e përjashtoj se ky komitet ose një pjesë e tij, në një farë pike mund të marrë një rol më të gjërë”.

U shqetëson rusofobia ose racizmi kundrejt rusëve në Perëndim?

“Kombëtarizmi nuk ka sjellë asnjëherë ndonjë gjë të mirë. Të ndahen njerëzit mbi bazën e kombësive është gjithmonë një gabim i pafund. Njerëzit janë të ndryshëm dhe është e rëndësishme të kuptohet se çfarë mendojnë, çfarë qëndrimesh kanë. Nëse rrjeshtohen kundër luftës, kundër regjimit të vrasësve, atëherë janë njerëz të mirë që nuk duhen diskriminuar. Nuk ka rëndësi se kujt kombësie ose etnie i përkasin”.

Oligarkë si Roman Abramoviç, Mihail Fridman dhe Oleg Deripashka janë shprehur kudër luftës. Juve jeni në kontakt me ta ose të tjerë afaristë?

“Në këtë gjëndje nuk mjafton qënia kundër luftës. Të qënit kundër luftës mund të thotë edhe të kërkohet dorëzimi i Zelenksit. Një pjesë e këtyre njerëzve e shpjegon pozitën e tyre saktësisht me këto terma. Cilido që nuk është i gatshëm të njohë se ai që ka kryer krime lufte këtu është Putini, që regjimi i tij është kriminal, atëherë qëndron nga ana tjetër e barrikadës”.

Kur ju ishit aktiv si afarist,kishte shpresa të mëdha se Rusia do të kishte patur një kalesë drejt demokracisë. Çfarë nuk ka shkuar mbarë? A ka qënë vërtetë faji i Putinit apo ka patur tepër përqëndrim në duart e pak njerëzve?

“Problemi kryesor ka qënë dëshira për të kryer reformat drejt demokracisë shumë shpejt, e viktima kryesore u bë vetë demokracia. Kjo ka ndodhur më 1993, kur Boris Jelcin (atëherë presidenti rus, sh. i red.) hapi zjarrin kundër selisë së parlamentit, Shtëpisë së Bardhë. N’atë çast un isha në krahun e Jelcinit, por po gabonja”.

A e keni idenë se sa i rrezikshëm mund të jetë Putini për ju?

“Prej shumë vitesh jetoj në një gjëndje në të cilën mund të më vrasë në çdo çast. Kur është kështu, ose do të vazhdosh të jetosh ose do të jesh i detyruar të fshihesh. Un nuk jam i gatshëm të fshihem”.

Por siguria e juaj vetiake nuk ju shqetëson?

“Është diçka me të cilën duhet të bashkëjetoj”.   

“Corriere della Sera”, 15 mars 2022     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste

Intervista e Kryeministrit Kurti për “La Repubblica”

March 22, 2022 by s p

“Tentakulat e carit mbi Ballkanin- Kosova është ende në rrezik”

Nga: Paola Brera

Kur shikon fqinjin e tij përtej kufirit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, 46 vjeç, nuk sheh  Presidentin serb Aleksandar Vuçiq: sheh “një kukull të Kremlinit “ në krye të qeverisë së një vendi që imiton Rusinë edhe pse nuk është”. Ai e sheh përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin duke “përsëritur modelin”.

Serbia si Rusia?

 “BRSS është kthyer në një oktapod me Federatën Ruse në qendër dhe tentakulat e saj: Donbass, Krime, Transnistria, Osetia e Jugut … Ish-Jugosllavia është një oktapod me Serbinë në qendër, entitetin serb në Bosnje, një entitet serb në Mal të Zi që nuk e njeh pavarësinë dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës.

Serbia e Madhe e serbit boshnjak Dodik si Nëna e Madhe ruse e Putinit? Një mit që duhet të rikrijohet të kushtojë sa të kushtojë?

“Ne e dënuam menjëherë pushtimin rus. Na tronditi, por nuk na befasoi. E kemi parë të vijë me buildup ushtarake. Putin dështoi blitzkrieg, por nuk dëshiron të ulet për të negociuar me Zelenskyn, ai dëshiron ta bëjë këtë me Biden. Ai dëshiron një Jaltë të re. Ai ndihet si Stalini dhe sheh Roosevelt-in e tij në Biden, por nuk dëshiron Churchill midis këmbëve. Ai dëshiron të rishkruajë historinë dhe mendon se është në lartësinë e tij. Lufta në Ukrainë, ku ai nuk po arrin rezultate të mëdha, nuk do t’i mjaftojë: do t’i duhet ta zgjerojë nëse do të bëjë traktativa me Biden. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar: Ballkani Perëndimor është një rajon në të cilin mund të përpiqet ta bëjë këtë. Dhe ai mund të përdorë armë kimike siç ka bërë tashmë në Siri”.

Në Ballkan?

“Këtu janë tre vende të NATO-s: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Pastaj është Kosova ime, e cila nuk është në NATO, por ka NATO-n në vetvete (misionin e paqes KFOR, i cili ishte dhe do të kthehet nën udhëheqjen italiane). Ne duhet të bëjmë një hap të mëtejshëm drejt partneritetit në Programin e Paqes të NATO-s: është vendimtare për sigurinë e zonës dhe ne llogarisim në ndihmën e Italisë.

Serbia nuk ju njeh dhe sigurisht nuk do të anëtarësohej në NATO.

“Ajo dëshiron paratë evropiane dhe armët ruse. Dhe gazin rus, të cilin e merr një çmim të volitshëm, por në fakt shumë të shtrenjtë: të jetë kukulla e Kremlinit. Vitin e kaluar Kosova mori pjesë me 350 ushtarë në stërvitjen më të madhe të NATO-s, Defender Europe 2021. Serbia, nga ana tjetër, mori pjesë me Rusinë dhe Bjellorusinë tek “mburoja sllave”. Kanë këto mite mesjetare, pansllaviste dhe shumë të errëta”.

Ata ju akuzojnë se e trajtoni pakicën serbe ashtu siç ukrainasit trajtonin pro-rusët në Donbass.

“Presidentit Putin i pëlqen të mistifikojë ndërhyrjen e NATO-s për të justifikuar hegjemoninë ruse. Ne kishim zgjedhjet në Kosovë dhe një referendum në kohën e pushtimit serb, por referendumet në Krime dhe Donbas ishin shumë të ndryshëm: qendrat zgjedhore ishin në duart e ushtarëve të armatosur rusë. Pastaj ishte OKB-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare që e bëri të qartë se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë tani?

 “Ka elementë që mund të na bëjnë të parashikojmë të ardhmen. Serbët shpenzojnë 2.9% të PBB-së për ushtrinë dhe e rritën buxhetin e tyre me 70% nga viti 2015 në 2021. Rritja shtyu Kroacinë që të shpenzojë një miliard dollarë në avionë luftarakë. Serbia ka 40 Mig. 8 “të dhuruar” nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Ajo ka 30 tanke T72 dhe 30 automjete të tjera të blinduara dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore. Në vitin 2012, para Vuçiqit, kishte dy programe të përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Serbisë. Në vitin 2016 ishin 50, vitin e kaluar njëqind. Qendra e Sputnik-ut në Ballkan është në Beograd; dhe 160 kilometra nga Prishtina është “Qendra Humanitare” ruse: ato janë zemra e luftës hibride në Ballkanin Perëndimor, dhe siç e kemi parë nuk është një zëvendësues për luftën: është përgatitja e saj”.

A keni frikë nga një Ukrainë e re këtu?

Vuçiq e ka parë Putinin 19 herë. Herën e fundit, më 25 nëntor, i foli për “standarde të dyfishta” dhe “hipokrizi ndërkombëtare” dhe i tregoi veriun e Kosovës në hartë. Gazprom ka 56% të industrisë serbe të naftës dhe 51% të njësisë së madhe të magazinimit në Vojvodinë. Lukoil, Hekurudhat Ruse, Vtb bank. Rosatom, Roscosmos dhe Sberbank janë të gjitha atje: është hardueri i pranisë ruse në Serbi dhe Vuçiq është softueri “

Ju jeni një lider nacionalist. Nacionalistët e UÇK-së po gjykohen në Hagë si terroristë.

“Kanë bërë luftë të rëndë me Serbinë, kemi pasur dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të rangut të lartë të Kosovës në burg që luftonin për liri ndërsa Vuçiq, ministri i Millosheviçit, flirton me Putinin. Është një nga paradokset europiane”.

​ 


​

Filed Under: Interviste

Ministri Mehaj, priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të NATO-s, znj. Ariella Viehe

March 15, 2022 by s p

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, znj. Ariella Viehe. Me këtë rast, Ministri Mehaj e njoftoi znj. Viehe me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK si dhe planet për të ardhmen. Gjithashu, Ministri Mehaj e njoftoi edhe me bashkëpunimin e ngushtë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) si dhe shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në Ministri dhe FSK. Në vazhdim, Ministri Mehaj me Znj. Viehe diskutuan për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Ministri Mehaj, përveç bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, potencoi rolin shumë të rëndësishëm të NATO-s me operacionin KFOR në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Për angazhimet zyrtare të institucioneve të vendit, Ministri Mehaj e njoftoi znj. Viehe edhe me strategjinë aktuale shtetërore në funksion të proceseve integruese të Kosovës në NATO.

Filed Under: Interviste

ELBASANASI MEHMET GJEVORI – MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË NË KOSOVË

March 7, 2022 by s p

-“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/

Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2022,  riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të para 12 viteve – 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 7 Mars 2010/  Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.

Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.

Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.

Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:

“Më 11. 8. 2002

Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.

Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.

Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!

Mehmet Gjevori”.

Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.

Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jipeshin për botim.”

Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.

“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:

“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: Interviste

QEVERIA E RE ME MANDAT DHE OBJEKTIVA TË KUFIZUARA

February 28, 2022 by s p

Në pritje të formimit të Qeverisë së re, pavarësisht se si do të quhet  e pakicës apo teknike, nën udhëheqjen e Lëvizjës “URA”, dhe e mbeshtetur nga opozita aktuale, ajo do të jetë  me mandat të kufizuar deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku do të ballafaqohet me disa objektiva që kanë mbetur të pa realizuara më parë së sajë të mos koordinimit nga konstituentët e ish shumicës parlamentare.

Nail Draga

Pikërisht kemi të bëjmë me ca çështje të cilat kanë qenë të veçanta në lidhje me demontimin e qeverisjës së kaluar, por fatkeqësisht nuk u miratuan në parlament, duke mbetur premtim për qytetarët në përgjithësi e elektoratin votues në veçanti. Duke marrë parasysh se do të kemi një shumicë të re parlamenztare ku shpresohet se do të jetë konstruktive, ekzistojnë të gjitha gjasat që disa nga premtimet e prezantuara ma herët të realizohen në praktikë. 

Qeveria e pakicës para sfidave të mëdha

Çështjet të cilat do të jenë parësore për Qeverinë e pakicës, janë me peshë shoqërore dhe politike për të ardhmën e Malit të Zi janë: miratimi i ligjit për prejardhjën e pasurisë, ligji i lustracionit, nënshkrimi i kontratës me Kishën Ortodokse Serbe dhe regjistrimi i popullsisë. Në lidhje  me këto çështje  duhet konsenzus jo vetëm ne mes shumicës parlamentare por edhe nga opozita, sepse kemi të bëjmë me çështje me rëndësi të veçantë shoqërore dhe shtetërore. 

Por, me të drejtë bëhët pyetja, se a thu do të votohet fjala vjen ligji për prejardhjen e pasurisë nga ana e deputetëve të DPS-it të cilët janë në kontekst të aferave të ndryshme korruptive në të kaluarën. 

Nuk ka dilemë se për realizimin e objektivave të tilla  penalizim mund të jetë  mandati  i kufizuar kohor i Qeverisë prej një viti, andaj, duhet gadishmëri politike me u ballafaquar me realitetin shoqëror dhe politik në Mal të Zi. Nuk mjafton vetëm deklarimi formal në parlament apo në komisionet përkatëse nga shumica parlamentare, sepse këto janë obligime për të gjitha partitë  parlamentare.

Kontestohet  marrëveshja me kishën serbe dhe regjistrimi i popullsisë

Në sajë të raportëve aktuale politike në vend si pasojë e rënies së qeverisë, e cila për momentin është teknike, për Qeverinë e pakicës do të mbesin të kontestuara dy çështje e ata janë marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe  dhe regjistrimi i popullsisë. Pasi marrëveshja për kishën serbe nuk është në harmoni me Kushtetutën e Malit të Zi duhet të pësojë ndryshime tekstuale andaj ajo do të shtyhet për më vonë,  e po ashtu edhe regjistrimi i popullsisë, sepse paraqet çështje të ndieshme politike. 

Madje është bërë praktikë qe në ato vende ku do të ketë zgjedhje parlamentare nuk praktikohet të mbahet regjistrimi i popullsisë. Në këtë aspekt, Mali i Zi ka edhe përvojë, sepse në sajë të situatës jo të favorshme politike, regjistrimi i popullsisë i cili është dashur të mbahet në vitin 2001, është mbajtur në vitin 2003.

Popujt pakicë duhet  të jenë pjesë e Qeverisë

Çështja e pjesëmarrjës së popujve pakicë në kuadër të Qeverisë në Mal të Zi  deri më tash nuk ka qenë e definuar me asnjë akt normativ apo ligjor, por është varur nga disponimi i partisë – shtet e cila për tridhjetë vite ka qenë DPS-i. Ndryshimi ne këtë aspekt në skenën politike ndodhi nga viti 1998, ku pjesëtarët e popujve pakicë u bënë pjesë e qeverisë, dukuri e cila zgjati deri në vitin 2020. 

Por, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30.8.2020, nga shumica e re parlamentare ndryshoj qasja ndaj partive politike të popujve pakicë, duke mos treguar bashkëpunim të sinqertë për pjesëmarrje të tyre në pushtetin ekzekutiv, ndërsa në rrethana të reja  kanë mundësi reale të jenë pjesë e saj, duke dëshmuar në praktikë përbërjën multinacinale në Mal të Zi. Eshtë çështje tjetër se çka do iu ofrohet  atyre në përberjen e qeverisë së pakicës dhe nga kush do të përfaqësohen.

Përfaqësimi dhe prezantimi

Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me çështje me rëndësi të veçantë në prezantim dhe përfaqësim, sepse për ne shqiptarët mundësia e tashme duhet të shfrytëzohet me tërë kapacitetin e mundshëm. Në këtë aspekt duhet të bëhët zgjidhje me kuadra të dëshmuara në profesionin e tyre e jo me militant partiak. Andaj, është koha e fundit të prezantojmë vlera dhe profesionist të dëshmuar, sepse kemi të bëjmë me përfaqësuesit autentik të shqiptarëve në këtë mjedis. 

Por,më të drejtë bëhët pyetja se a duhet shqiptarët të jenë pjesë e Qeverisë, pavarësisht se çka iu ofrohet atyre. Mendoj se para se të diskutohet për ofertën e mundëshme nga mandatari i Qeverisë, partitë shqiptare duhet të ulën dhe të bisedojnë shtruar mes vete për pjesëmarrje në Qeveri. Në mungesë të një platformë politike shqiptare në nivel lokal e ate shtetëror, strukturat udhëheqëse të partive politike të shqiptarëve duhet të trajtojnë   ofertën e mundshme dhe pozitat optimale. Në rënd të parë duhet të jetë pozita dhe statusi i shqiptarëve e jo funksionët për individë të ndryshëm.

Partner në koalicion

Në sajë të përvojës së deritashme, duke marrë pjesë në koalicionin qeveritar nga viti 1998-2020, nga ana e DPS-it shqiptarëve iu është ofruar në mënyrë të vazhdueshme Ministria e Popujve Pakicë, e cila ishte formuar enkas si duket për ta. Duke marrë parasysh këtë konstatim, mendoj se ka ardhur koha që shqiptarët meritojnë ndonjë ministri tjetër, ma me peshë dhe me mundësi në ndikimin e zhvillimin shoqëror në mjedisin përkatës. Një veprim i tillë do të eliminonte paragjykimet e kriuara ndaj shqiptarëve në aspektin e kuadrave në kyçje në ministri të tjera. 

Por, për të qenë serioz, përfaqësuesit e shqiptarëve duhet të paraqesin kërkesat e tyre në formë të shkruar, që do të jenë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Vetëm ne këtë formë do të ishin serioz ndaj elektoratit të tyre votues dhe partner në kuadër të koalicionit të qeverisë se re, e cila do të ketë mandat të kufizuar ne veprimtarinë e saj. 

                                                                                                                                   (Shkurt 2022)

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 214
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT