• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prelec: Fitorja e Kurtit lë mënjanë dialogun me Serbinë

February 15, 2021 by dgreca

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, përbën diçka gati revolucionare. Sipas tij, nëse Albin Kurti do të jetë kryeministër i ri i Kosovës, ai do të përballet me shumë sfida, në krye të të cilave do të jenë korrupsioni dhe dialogu me Serbinë. Sa i përket procesit të dialogut, Prelec beson se për aq kohë sa Kurti mund të jetë në pushtet në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiq në Serbi, marrëveshja përfundimtare është vite larg. I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në, Prelec ka thënë se nuk e di deri në çfarë shkalle mund t’i bëjnë presion Kurtit zyrtarët amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Prelec, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, pritet të shënojë fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Krahasuar me vitin 2019, dallimi është i madh. Çfarë mendoni se ndodhi ndërkohë?

Marko Prelec: Mendoj që njerëzit nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si është rrëzuar qeveria e kaluar e Kurtit. Ka ekzistuar ndjenja që diçka nuk është në rregull lidhur me këtë gjë. Më pas ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paditur dhe është tani në Hagë në gjykim, bashkë me një numër liderësh nga partia e tij, por edhe nga Vetëvendosje. Një tjetër gjë që është rëndësishme është se zyrtarët e një prej partive kryesore në opozitë tashmë, partia e kryeministrit në shkuarje, Avdullah Hoti, Lidhjes Demokratike e Kosovës, i janë bashkuar partisë së Kurtit në listë. Po flas për Vjosa Osmanin, ushtruesen e detyrës së presidentit. Pra, janë mbledhur një varg faktorësh, mirëpo ne duhet të kemi parasysh se ka diçka gati revolucionare në këtë moment. Asnjë parti nuk ka fituar kurrë një përqindje kaq të madhe në Kosovë, kurrë. Është një referendum i qartë për njerëzit që e kanë udhëhequr Kosovën në pjesën më të madhe të 20 vjetëve të fundit dhe kjo ka qenë si deklaratë që ‘mjaft më, nuk ju duam më, duam dikë ndryshe’.

Radio Evropa e Lirë: Kurti po ashtu i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum. Por, a mendoni se ai mund t’i ndryshojë gjërat rrënjësisht? Kosova po përballet me pasojat e pandemisë ashtu sikurse secili shtet në botë.

Marko Prelec: Po, ai do të përballet me shumë sfida, disa prej të cilave janë relativisht më të lehta dhe disa më të komplikuara. Është shumë herët të flasim për këtë. Ai me shumë gjasë do të jetë kryeministër dhe do të ketë shumë rol në marrëdhëniet me jashtë. Pikëpamja e tij për dialogun me Serbinë do të jetë ajo që do të ndodhë. Mendoj se dialogu, në thelb, do të ndalet për disa vjet.

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se mund të ndalet për disa vjet?

Marko Prelec: Mund të mos ndalet formalisht, mund të ketë ende takime në Bruksel, mirëpo asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë. Ajo që është më e vështirë për ta refomuar është sistemi në Kosovë. Kjo është diçka që mbetet të shihet, por është diçka për të cilën janë zotuar Kurti dhe Vetëvendosje. Mirëpo pushteti gjen mënyra të të korruptuarit. Mbetet të shihet deri në çfarë shkalle do të ecin përpara me premtimet e tyre kundër korrupsionit. Mund ta luftoni korrupsionin duke gjykuar ata që tashmë nuk janë nëpër pozita, dhe kjo është gjë e lehtë, apo mund ta luftoni korrupsionin duke mos u korruptuar vetë, që është më e vështirë. Shpresoj shumë që Vetëvendosje do të bëja të dyja këto gjëra. Ka nevojë për llogaridhënie, por ka edhe nevojë për të vazhduar pastër rrugën drejt së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendet dialogun, prisni përfshirjen më të madhe të Bashkimit Evropian në këtë proces, edhe pse ju e thatë që mund të shtyhet për disa vjet?

Marko Prelec: Mendoj që nuk kemi të bëjmë me shtyrjen, por mendoj se pozicionet mes palëve janë aq të largëta. Kurti nuk ka pasur kurrë qasje pozitive ndaj dialogut. Deri më tani, komentet e tij kanë qenë negative për gjërat të cilat nuk i pëlqejnë për këtë proces. Dhe kjo qasje ka përjashtuar pothuajse gjithçka që ka qenë në tavolinë sa i përket çështjes së madhe të arritjes së marrëveshjes me Serbinë dhe nëse Serbia do ta njohë Kosovën. Kjo pyetje pritet të jetë jashtë tavolinës së negociimit për disa vjet, për aq kohë sa (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq është në pushtet në Serbi dhe Kurti është në pushtet në Kosovë. Atyre do t’iu duhet kohë që të gjejnë gjuhë të përbashkët. Nuk është e pamundshme që ata të pajtohen për një varg gjërash praktike, natyrisht kjo është e mundshme, dhe do të ishte gjë e mirë. Një gjë e cila është shumë e rëndësishme dhe të cilën pres ta shoh unë dhe shumë persona tjerë është se si Kurti do të veprojë me popullsinë serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se ai ka thënë se do t’i mbështesë dhe do të punojë për mirëqenien e tyre..

Marko Prelec: Po, mirëpo përfaqësuesit e tyre politikë që janë zgjedhur tani, janë në fakt shumë besnikë ndaj Beogradit, dhe Serbia ka ende disa institucione që i funksiojnë brenda territorit të Kosovës. Se a do ta vazhdojë ai politikën e qeverisjes së kaluar, duke i injoruar dhe duke lejuar që të vazhdojnë përpara, apo nëse do të ketë qasje më konfrontuese, kjo gjë mbetet të shihet. Nuk pres që të ndodhë diçka urgjentisht, sepse ai mund të gëzojë mandat të gjatë, mirëpo mendoj se ka arsye për shqetësim. Mendoj se marrëdhëniet do të jenë më të tendosura sesa në të kaluarën.

“LDK dhe PDK, në krizë ekzistenciale”

Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi në Kosovë. Çfarë mendoni për Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo humbje për ta, që është e konsiderueshme në përqindje?

Marko Prelec: Po, lë shije të keqe. Nuk e di, nëse unë do të isha në pozitat e tyre, do ta shihja këtë situatë si krizë ekzistenciale. Nuk është tani puna si të përmirësojnë pozicionet e tyre, por pyetja është nëse vërtet mund të mbijetojnë si lëvizje politike. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Në gjithë Evropën ne kemi parë disa raste të partive që dikur kanë udhëhequr, sidomos të së majtës, të cilat janë zvogëluar në 5 ose 6 për qind të popullaritetit, dhe për kohë shumë, shumë të vogël, pothuajse brenda natës. Prandaj ato duhet të vendosin se çfarë mund të ofrojnë te votuesit. Qartazi sfida e radhës do të jetë përgatitja për zgjedhjet lokale dhe të tentojnë të fitojnë të paktën disa komuna. Mendoj se PDK-ja është pak në pozitë më të mirë në krahasim me LDK-në. Mirëpo përshtatja në rolin e opozitës dhe përshtatja në rolin e të mos pasurit fuqi, kjo do të jetë gjë e vështirë për ata.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur paraqysh rivalitetin e madh politik, a do të jetë sfidë për Kurtin që të arrijë marrëveshje me ndonjërën parti nëse i duhet për të formuar qeverinë. Deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Marko Prelec: Mendoj se është shumë herët që të flasim. Nuk pres që Kurti të synojë koalicion. Ai mund të ketë një lloj ujdie me disa parti politike opozitare për çështjen e presidentit, gjë që duhet të ndodhë shpejt, pothuajse menjëherë. Edhe nëse do të mund të zgjidhte presidentin vetëm me votat e minoriteteve, pra nëse ka më shumë se 60 ulëse (në parlament) dhe 20 vota të minoriteteve janë mjaftueshëm. Është pak e pakëndshme që të mbyllen të gjitha mundësitë për partitë me shumicë shqiptare. Mendoj se do të ketë negociata interesante për këtë çështje.

“Sa u përket marrëdhënieve me SHBA-në, nuk janë më vitet e 90-ta”

Radio Evropa e Lirë: A keni parashikuar ju diçka të tillë? Ju i njihni çështjet e Ballkanit, kjo duket se është fitore e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje?

Marko Prelec: Nuk dua të pretendoj se kam parashikuar fitore kaq të madhe. Sikurse të gjithë të tjerët kam pritur që Vetëvendosje të rritet për dallim nga hera e kaluar. Mirëpo sinqerisht nuk e kam pritur që do të fitojë kaq shumë. Jam pak i befasuar, por jo në mënyrë të pakëndshme. Fitorja mund të jetë edhe më madhe, ne ende jemi duke pritur për votat e diasporës.

Radio Evropa e Lirë: T’iu kthehemi marrëdhënieve me jashtë. Qeveria e kaluar e Kurtit nuk është pëlqyer shumë nga administrata e kaluar amerikane. Cilat janë mundësitë e tij me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden?

Marko Prelec: Ata nuk janë pëlqyer nga askush në komunitetin ndërkombëtar. Vetëm disa vjet më parë ka ekzistuar një lloj embargoje joformale kur ka qenë fjala për ta, gjë për cilën si Kurti, ashtu edhe (Vjosa) Osmani, kanë punuar shumë për ta tejkaluar, me sukses të konsiderueshëm. Ai e ka mbështetur Bidenin. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të kenë gatishmëri për të punuar me të. Mendoj se SHBA-ja do të ushtrojë presion për të qenë më fleksibil në dialog, mirëpo nuk e di sa i madh do të jetë ai presion. Dhe në fakt nuk e di se sa do të ketë mundësi SHBA-ja ta bëjë Kurtin që të ndryshojë pozicionet e tij. Nuk janë vitet e 90-ta më, kur Uashingtoni ka mundur të ndërhyjë. Do të mbetet të shihet, por mendoj se marrëdhëniet do të jenë të sinqerta.(Kortezi: krenare Cubolli-Evropa e Lire)

Filed Under: Interviste Tagged With: Albini Kurti, Dialogu me Serbine, Marko Perlec

Një jetë…disa histori- LORETA STAMO

February 12, 2021 by dgreca

Marjana Zeneli BULKU-Një Informaticiene në një botë ku informacioni ka kaq shumë pushtet sepse burojnë të dhënat që orientojnë / çoriontojnë botën,si ndjeheni ju aty?

 LORETA STAMO- Ndjehem mire, si në ‘shtepinë  time! Është e vërtetë që është koha e analizave në bazë të informacionit, madje edhe e marrjes së vendimeve nga njësitë robotike, pa patur nevojë për nderhyrjen e përdoruesit  ose të informaticienit. Fusha e Inteligjencës  artificiale (Artificial Inteligjence) dhe e kompjuterave të mësuar  (Machine Learning) po hyn në çdo drejtim. Makinat pa shofer, bankieri robot që të identifikon në varësi  të sinjalit zanor, doktori robot që të dikton direkt  gjithë opsionet ekzistuese në varesi të analizave dhe ankesave, shahisti robot që mund edhe vet kampionet e shahut, edhe ata që e kanë programuar etj, etj…duken të frikshme për brezat më të vjetër , por s’ka asnjë mister aty tanimë . Në bazë  të të gjithave është mendja e njeriut por që edhe mendja vet ‘dorezohet’ para fuqisë  dhe shpejtësisë  llogaritese të super-kompjuterave të sotëm. Problem shoh edhe me të rinjtë e sotëm  që janë obsesuar me mediat sociale në atë masë sa nuk mund t’i ç’bëjnë  dot gjurmët e tyre kur rethanat personale ndryshojnë . Si mund t’ia mbushësh  mendjen një adoleshenti që të kuptoje siç duhet që një mendim i hedhur ashtu kot në një postim apo koment, mund t’i sjellë  probleme në pranimin në një universitet që ka për zemër mê vonë, ose edhe në sigurimin e nje pune në të ardhmen. Si t’ia shpjegosh asaj moshe që do i mendojë  gjerat ndryshe kur të piqet dhe ca?! Edhe mesuesit e tyre vet, nuk i kuptojne shumë nga këto nocione të web-informacionit, sigurisë  etj. Problemi që do vazhdojë  të thellohet është se teknologjia po përparon me hapa marramendese dhe njerezit nuk arrijnë  dot ta ndjekin në çdo moment…

Për çdo ditë në  maredheniet e mia me miq e të afërm, nuk ngurroj të shpjegoj diçka praktike nga gjithë këto , për shembull; t’i mbush mendjen dikujt që ka një biznes  që s’ka nevoje të shkojë në bankë  çdo ditë të çojë çeqet e pagesave pasi është më  e lehtë dhe më e sigurt ta bësh  depozitimin nga telefoni keshtu ke edhe nje rekord elektronik per depoziten qe do te duhet me tej. Ose kur bie fjala per mesazhet/emailet që vijne gjoja nga institucione ose individe të ‘besuar’ dhe perdoren nga dërguesit për të vjedhur informacion sensitiv me qëllim keqperdorimi në moment ose në të ardhmen. 

Një tjeter bisede që e gjej veten ta bëj gjithmonë është kur prinderit janë të shqetesuar dhe nuk e kontrollojnë  dot  prezencen dhe komunikimin e femijeve të tyre nëpër rrjetet sociale. Shpesh kalojnë në kontroll extrem dhe i ndalojnë të kenë llogari në to. Personalisht nuk mendoj që kjo është e mirë , sepse në radhë  të parë ajo moshë di edhe më shumë se prinderit për teknologjinë dhe lehtësisht hapin accounte sekrete që i bën ata edhe më të ‘lirshem’ te përdorin këto web-komunikime keq. Gjithashtu mendoj që është më mirë për adoleshentet të fillojnë të familjarizohen me internetin dhe informacionin digital dhe të fillojnë  të lene aty gjurmët  e tyre te vërteta, duke parandaluar kështu  që dikush tjeter t’i portretizoje negativisht ata, për diçka  që ata s’janë. 

Informacioni digital do vazhdojë  të rritet eksponencialisht në vitet që vijnë dhe profesionet që merren me analizen e informacionit, inteligjencen artificiale etj që perfshihen nën Data Science janë dhe do të vazhdojnë  të jenë shumë të kerkuara.

 Marjana Zeneli BULKU- A besoni se keni bërë zgjedhjen e duhur duke ditur se jeni bijë mjekësh të cilēt do apo nuk do profesionin e tyre duan ta tradhëgojnë?

LORETA STAMO- Absolutisht! Te gjithe mendonin se do behesha mjeke si prinderit, por une isha e prerë për inxhinieri ose matematike. Është fat që njeriu të mund të gjejë  herët çfarë i pëlqen dhe çfarë bën më mirë në jetë , kështu s’do humbasë  kohë e energji gjatë rrugës së gjatë të nxënies dhe gjithmonë do ta bëjë  punën  me qejf. I vetmi ‘problem’ me këtë profesion, është se duhet të vazhdosh të mësosh çdo ditë , për gjithë jetën. Në çdo profesion, do thoni ju, është kështu dhe është e vërtetë , por jo si me teknologjine dhe informatiken. Në këtë fushë të duhet ta ‘rifillosh’ gjithmonë ; sepse avancimet janë dramatike dhe shpeshherë  s’kanë  lidhje me metodat e përdorura  më parë . E mira e kësaj , është se ngelesh menderisht gjithmone i ri dhe të duket vetja student, gjithë jetën.

 Marjana Zeneli BULKU- Ju jeni ndër shqiptarët e parë që keni emigruar drejt Amerikës pas viteve 90-të,a ju ndodh shpesh të takoni shqiptarë në mjediset e tua të punës, udhëtimeve, trajnimeve, sa rol luan shkollimi apo fati në stabilitetin eko-social të shqiptarëve në emigracion? 

LORETA STAMO- Është e vërtetë që emigrova herët në Amerikë , qysh  në Maj të vitit 1993. Do i pergjigjesha shumë ndryshe kësaj  pyetjeje  nqs do bëhej fjalë për 5 vitet e para. Në ato vite kishte shume pak shqiptare këtu , por s’kishte as celulare e internet që të lidheshim kollaj. Për  çdo informacion do të duhej të vizitoje biblioteka e librari dhe të ishe me fat nqs do arrije tek informacioni më i mirë që po kërkoje. Por njekohesisht do e mbaj mend si kohë të bukur sepse  më lidhi me shumë njerëz të mirë që perndryshe s’do i kisha takuar ndonjehere në jetë , me të cilët i ruaj lidhjet edhe sot. Janë shqiptarë  nga të gjitha trevat, tet feve të ndryshme, të bizneseve të ndryshme, të perkatesive politike të ndryshme. Sot më duket vetja shume e pasur me këtë larmi miqsh që kam!

Une e kam shprehur gjithmonë që isha me fat për profesionin qe kisha, sepse e gjeta punen e pare si programiste me 20 resumete e para që dërgova , ashtu direkt me shkollat e Shqipërisë . Shpesh më duhej ta theksoja që isha ‘Albanian’ jo ‘Armenian’ dhe nuk isha nga Albany, NY :-). Amerikanet degjuan per Albanians gjate luftës  së Kosoves, por prape nuk mësuan shumë për ne. Mbaj mend që sa herë prezantohesha, e kisha shume të lehtë të provoja krenari për vendin tim, ca nga mungesa e informacionit për ne shqiptaret, dhe ca nga mungesa e paragjykimit për një vend i vogel si i yni. Vija re shpesh që tregonin kërshëri  për Shqiperinë .

Sot shqiptaret emigrante të mbas viteve 90 janë shumë , janë të sukseshem, femijet e tyre i bënë shkollat këtu dhe u integruan shumë më mirë . Kenaqesh kur i shikon se  sa shumë kanë arritur! 

Marjana Zeneli BULKU- Midis ritmit të jetës së përditëshme plot angazhime dhe progres profesional dhe nostalgjisë të së kaluarës që lidhet me vendlindjen cila dominon më fort në jetën tuaj nga këto të dyja?

LORETA STAMO- Gershetohen te dyja si dy sinjale me frekuenca e amplituda të ndryshme; njëherë  dominon njera, njehere tjetra…ndonjëherë tjeter bashkohen e dyzohen. Nuk e di në është mosha apo nostalgjia, por me kalimin e viteve kam një tërheqje  më  të madhe nga Europa. Sidomos në këtë vit Covid-i kur izolimi në mendje është edhe më i madh se ai 6 feet-shi, mendja më shkon më shpesh atje…dhe mbase vjen një ditë që të jetoj në të dyja botët e mia.

Marjana Zeneli BULKU- Sa e ndiqni jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, si ka ndryshuar ajo?  

LORETA STAMO- Kam qenë gjithmonë e angazhuar me komunitetin shqiptar, sidomos në New York, New Jersey, Boston, dhe Waterbury me të cilat jam edhe afer, por edhe në South Florida.

Për  më shume se  20- vjet kam qenë edhe në bordin e AAWO ‘Motrat Qiriazi’ dhe kam ndihmuar me çdo mënyrë , profesionalisht dhe njerezisht. Aty kam mesuar shumë më  tepër sesa dija për komunitetin shqiptar të të gjitha trevave, zakonet, traditat, dialektet. Sa herë kishte nje aktivitet komuniteti dhe mund te vidhja kohë nga jeta ime profesionale, merrja pjese me shume dëshirë . Është kenaqesi të gjesh një pjesë të vendit tënd në emigracion dhe të ndjehesh rehat si në shtëpinë tënde . Në vitet e para, këto aktivitete ishin shumë më  emocionale, sepse perballeshe me shumë halle emigrantesh dhe pasiguri për të ardhmen. Në dekadat e fundit ndjesia është krejt  ndryshe, takon njerez të plotesuar familjarisht e profesionalisht, që janë shkeputur disi nga origjina dhe diskutojne më  shume për këtu , sesa për atje.

Marjana Zeneli BULKU- Çfarë ka trashëguar nga ju vajza juaj, çfarë do donit që ajo të trashëgonte nga ju?
LORETA STAMO- Besoj se ka trasheguar indipendencën  e mendimit, altruizmin, dëshirën për të zbuluar botën dhe njerezit, dashurinë për shkencen, dhe pelqimin për djathin e bardhe (feta). (Hahah)

Por besoj ka marrë më shumë nga Agroni, sidomos qetesinë  dhe humorin. Miqtë e perbashket na thonë  që e kemi ‘programuar’ mirë se ka marrë më  të mirat e të dyve, dhe kjo ma mbush zemrën plot! 

Do doja të ishte më e fokusuar në organizimin e deshirave dhe projekteve të saj, por është në fakt një krijuese shumedimensionale dhe e apasionuar në shumë drejtime. Sinqerisht nuk e di cila është pika e saj më e forte dhe çfarë do perfundoje të bëjë në jetë , por uroj që ta gjejë  saktësisht udhën e duhur.
Tani për tani është e fokusuar në Environmental Science dhe këtë qershor do ketë  2 graduime një nga High Tech High School dhe një nga Hudson County Community College, besoj me rezultate  shumë të larta. Edhe aplikimet për kolegj i ka bërë në  të njejtën  fushë  Environment Science and Engineering.

Marjana Zeneli BULKU-Diku në shënimet e tua lexova; “Të gjitha fotot e vjetra familjare u humbën në një valixhe udhëtimi drejt emigrimit” – u preka thellësisht dhe u ndjeva njësoj si ju, çfarë mbeti e përjetêshme në kujtesën tuaj teksa udhëtoje drejt emigrimit?

LORETA STAMO- Ne kishim shumë foto familjare për standartin e asaj kohe dhe sigurisht që i doja të gjitha këtu , ashtu si solla pjesë -pjesë edhe librat e preferuar të bibliotekes sonë . U merzita shumë kur humbën , m’u  duk sikur 26- vjet të jetës time humbën  pergjithmone… por me vite, dhe sidomos pas lidhjeve familjare dhe shoqerore në  facebook, filluan të më vinin ca xhevaire aty-këtu Fotot bëheshin  në  2 kopje ato vite në Shqiperi, dhe qellonte që një kopje ta kishte mami, një daja, një shoqja e keshtu kam mbledhur disa.

E ku i dihet mbase do mbledh akoma më shumë nga koha e lënë pas, teknologjia vazhdon të na surprizojë ! 

Filed Under: Interviste Tagged With: Loreta Stamo, Marjana Zeneli Bulku

INTERVISTA E FUNDIT ME PRESIDENTIN HISTORIK RUGOVA-RILINDJA 12 SHKURT 2005

February 12, 2021 by dgreca

Gazeta DIELLI riboton intervistën ekskluzive të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që ka zhvilluar me Presidentin historik Rugova korrespondenti i tashëm në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI.

Mbititulli: PRESIDENTI I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, I DHA INTERVISTË EKSKLUZIVE GAZETËS RILINDJA NË JUBILEUN E 60-VJETORIT

Titulli në faqen 1 e 2: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN

 Titulli në faqen 3: SHUMË INSTITUCIONE NDËRKOMBËTARE E KANË KUPTUAR SE PAVARËSIA E KOSOVËS DUHET TË BËHET SA MË SHPEJT

Titulli në faqen 4: RILINDJA KA NDIHMUAR DHE DO TË VAZHDOJË TË NDIHMOJË ZHVILLIMIN DHE PERSPEKTIVËN E KOSOVËS 

——————–

Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo 
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i 
bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.

 “Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,  kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e 
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka deklerësuar z. Rugova.

——————–

 Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për 
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë. 

RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje. 

RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt. 

RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës. 

RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre. 

RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 

PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave. 

Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara. 

RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik. 

Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj. 

Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë. 

RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. 

RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë. 

RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit. 
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.

***

KUJTESA- Gazeta historike e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 76 viteve

-Numri i parë i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me datë 12 Shkurt 1945 i botuar në Prizren, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 11 Shkurt 2021/ Para 76 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, nisi të dalë gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja, e vetmja në gjuhën shqipe në Kosovë, nisi të dalë me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua dhunëshëm nga Serbia okupatore në vitin 1990, gazetarët dhe punonjësit tjerë të saj sfiduan ndalimin – revistën  e përdymuajëshme “Bujku” e shëndërruan në gazetë të përditshme të rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë – themelues i së cilës isha.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli nga 18 Janari 1991 deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova…

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm dhe për festa.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

 Zgjidhja për Rilindjen pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila është autoritet mbi ndërmarrjet e pronat shoqërore. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Gazeta “Rilindja” e gjithë viteve të daljes ruhet në Arkivin Shtetëror të Kosovës dhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si dhe në biblioteka tjera…

Filed Under: Interviste Tagged With: 76 Vjet, DR. IBRAHIM RUGOVA, Rilindja

Serge Métais : Të rikthehet procesi i gjykimit të UÇK-së në Prishtinë*

February 8, 2021 by dgreca

Serge Métais : Të rikthehet procesi në Prishtinë*

Gjykata e Posaçme për Kosovën i hodhi poshtë së fundmi kërkesat për lirim me kusht për Hashim Thaçin e të bashkakuzuarit e tij. Në stadin e sotëm, vendosmëria që ajo po tregon është shqetësuese. Ka rrezik që mekanizmi gjyqësor i ngritur në Hagë të shndërrohet së shpejti në mekanizëm djallëzor. A ka ende kohë për ta ndalur? Sado që mund të duket e çuditshme, përgjigja është se po. Gjykatën e Posaçme e ka krijuar Kuvendi i Kosovës dhe po ai mund të vendosë për fatin e saj: Çka është bërë me ligj mund të zhbëhet me ligj. Ky kuvend e ka në dorë që ta rikthejë procesin në Prishtinë.

Për ta kuptuar më mirë këtë sfidë, është e udhës të saktësojmë që Gjykata e Posaçme për Kosovën nuk është një gjykatë penale ndërkombëtare:

  • Ajo nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (GjPNJ), e cila ishte e detyrueshme për të gjithë qytetarët e shteteve të dala nga Jugosllavia (Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi);
  • Ajo nuk është krijuar as përmes ndonjë traktati ndërkombëtar si në rastin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GjPN), e cila bazohet në një traktat të quajtur “Statuti i Romës” e të hyrë në fuqi më 2002. Ajo ka për detyrë të gjykojë personat e akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid dhe është sot i vetmi juridiksion penal ndërkombëtar i përhershëm dhe me prirje të përbotshme[1].

Gjykata e Posaçme është krijuar, në fakt, vetëm nëpërmjet ligjit të votuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015 (nenit 162 të Kushtetutës dhe Ligjit nr. 05/L-053 “për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”). Ajo është pra një institucion gjyqësor i Republikës së Kosovës… i zhvendosur në Hagë.

Kjo krijesë shumë origjinale shpjegohet vetëm me emocionet që ngjalli raporti Marty, i miratuar në mënyrë masive nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në janar 2011. Pretendimet për trafik organesh njerëzore, që përmbante raporti, ishin me natyrë tejet çnderuese për rezistencën shqiptare: disa robërve serbë u qenkëshin hequr organe të cilat qenkëshin “eksportuar” pastaj përmes aeroportit të Tiranës për t’ua vendosur pritësve jashtë shtetit. Raporti hedh mendimin se kjo paskësh ndodhur me qindra herë. Krimi qenkësh i përbindshëm. Shumë tmerre ishin parë tashmë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, si masakra e Srebenicës, e kryer nga serbët dhe e cilësuar si gjenocid nga GjPNJ-ja. Mirëpo kësaj radhe do të shihnim që edhe shqiptarët nuk mbetkëshin prapa në punë tmerri: Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) paskësh bërë tregti fitimprurëse me organe të marra nga robër serbë!

Raporti ishte, në të vërtetë, produkti i një prej operacioneve më të suksesshme të dezinformimit që prej shembjes së regjimeve komuniste. I kurdisur prej shërbimeve të fshehta serbe, ai mori një mbështetje vendimtare nga ana e shërbimeve ruse. Te një i zgjedhur zviceran, Dick Marty, ai gjeti një idiot të dobishëm mjaft efikas[2]. Raporti i tij është një përmbledhje e hartuar me dhelpëri duke u nisur nga shënimet e shërbimeve të fshehta serbe si edhe nga dosjet e akuzave të GjPNJ-së ose të gjykatave të Kosovës. Pak rëndësi kishte që ato dosje nuk kishin të bënin fare me trafik organesh njerëzore. I gjithë raporti Marty luan në thelb me sugjerimin, insinuatën ose probabilitetin.

Emocionet që ngjalli ky raport i shtynë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të krijonin, në shtator 2011, një “Grup Pune të Posaçëm Hetimor” (Special Investigative Task Force). U ra dakord për të caktuar në krye të tij në prokuror amerikan, Clint Williamson. Në maj 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për bashkëpunimin me këtë grup pune, çka i dha mundësi këtij të fundit të kryente një hetim penal të pavarur rreth pretendimeve që përmbante raporti.

Më 29 korrik 2014, pas më shumë se dy vjet hetimi, prokurori Williamson, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, deklaroi që trafiku i organeve nuk mund të vërtetohej veçse në “më pak se dhjetë raste”. Ai shtoi: “Të ekzagjerohen shifrat ose të thuhet se çdo serb i vrarë apo i shpallur i zhdukur qenka bërë objekt i ndonjë heqjeje organesh nuk i shërben kurrfarë interesi, por vetëm sa shton dëshpërimin e familjeve të personave të humbur, sepse nuk ka asnjë provë të vetme”.

Si nata me ditën në krahasim me ato qindra raste që sugjeronte raporti Marty! Dhe, domethënia e fjalëve “më pak se dhjetë” mund të ishte fare “zero”. Mirëpo edhe kaq mjaftonte që aleatët amerikanë dhe evropianë të ndiheshin të detyruar që të ushtronin një trysni miqësore mbi udhëheqësit e Kosovës: këta duhej të votonin përmes Kuvendit të tyre një ligj për krijimin e Gjykatës së Posaçme.

Mes klasës politike kosovare debati qe i dhimbshëm, sepse thjesht ideja që të votohej për krijimin e një gjykate të posaçme ishte e padurueshme. Por mesazhi që po u jepej ishte i qartë: ose votoni ligjin e tregoni që nuk keni pse të trembeni lidhur me trafikun e organeve, ose mos pranoni dhe do të konsiderohet se jeni fajtorë për krimet e urryera që pretendohen në raportin Marty. Më në fund, me mbështetjen e pikërisht këtyre udhëheqësve që sot ndodhen të burgosur në Hagë, ligji për krijimin e Gjykatës së Posaçme u votua në Kuvendin e Kosovës me një shumicë prej dy të tretash.

Pikërisht kjo gjykatë e ka prodhuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të lartë të UÇK-së, të bërë publike më 4 nëntorin e kaluar[3]. Një aktakuzë tek e cila nuk gjen dot absolutisht asgjë lidhur me pretendime për trafik organesh.

Vërtetohet kështu plotësisht që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe amerikanët janë mashtruar keqas nga një operacion dezinformimi të përmasave të mëdha. Por, prapëseprapë, suksesi i këtij batakçillëku mbetet i plotë.

Ai qëndron në vetë ekzistencën e Gjykatës së Posaçme. Si edhe në një aktakuzë që, ndonëse nuk përmban asgjë lidhur me trafiqe të pretenduara organesh, mund të çojë megjithatë në dënime shumë të rënda. Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, sot të burgosur në Hagë, akuzohen në fakt se paskan krijuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale”. Sipas aktakuzës, ata “ngarkohen secili personalisht me përgjegjësi penale” për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga kjo sipërmarrje gjatë luftës, më 1998-1999, dhe në vitin 2000. Aktakuza as që do t’ia dijë fare se ata vetë nuk paskan qenë veprues të drejtpërdrejtë të atyre krimeve, as se një pjesë e atyre krimeve qenkan gjykuar tashmë në suazë të disa juridiksioneve të tjera, GjPNJ-së apo gjykatave të Kosovës. Ajo që paraqitet si një “sipërmarrje kriminale” është organizata e Rezistencës, kurse ata që shihen si penalisht përgjegjës për krime që ajo paskësh kryer janë ish-udhëheqësit e saj.

E gjithë kjo është e papranueshme. Është e papranueshme, jo sepse krimet e pretenduara në aktakuzë – keqtrajtim ndaj robërve, akte torture, ekzekutime pa gjyq, vrasje “tradhtarësh”, “bashkëpunëtorësh me armikun” apo kundërshtarësh politikë të hamendësuar – nuk paska sesi të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nuk u dashkan gjykuar. E papranueshme ajo është për dy arsye thelbësore. 

E para është se ekzistenca e Gjykatës së Posaçme në Hagë nuk përligjet dot përveçse me pretendimet për trafik organesh nga ana e raportit Marty. Mungesa në aktakuzë e trafikut të organeve e bën këtë gjykatë të papërligjur.

Arsyeja e dytë është se, duke gjykuar në Hagë, do të bëhej një padrejtësi. Gjykimi në Hagë do të nënkuptonte, faktikisht, që t’i jepet Gjykatës së Posaçme një status të cilin ajo nuk e ka: atë të një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo, në një gjykatë të tillë, nuk do të mund të gjykoheshin krimet e kryera nga Rezistenca shqiptare pa u gjykuar aty gjithashtu edhe krimet e kryera nga forcat e sigurisë, ushtria dhe paraushtarakët serbë në Kosovë. Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që ata kanë kryer janë mjaft të shumta, masive dhe të dokumentuara mirë. Lënda nuk mungon aspak për të ngritur një dosje akuze, madje edhe për krim gjenocidi. Sidomos tani, njëzet vjet pas përfundimit të luftës, kur gati një mijë trupa shqiptarësh të Kosovës, të zhdukur në vitet 1998-1999, janë zbuluar në disa varre masive në Serbi, dhe kur së fundmi janë gjetur përsëri trupa të tjerë në një minierë kripe në afërsi të Rashkës. Në qoftë se do të gjykohej vetëm njëra nga palët – ajo e sulmuara, Rezistenca – dhe nuk do të gjykohej pala tjetër – ajo agresore, fuqia pushtuese –, atëherë do të bëhej një padrejtësi. Do të shkelej parimi i trajtimit të barabartë mes palëve, të cilin duhet ta respektojë çdo gjykatë penale ndërkombëtare.

Për këto arsye, por edhe për të ndalur atë që po shfaqet gjithnjë e më shumë si një mekanizëm djallëzor, duhet të merret një vendim: të mbyllet Gjykata e Posaçme dhe të transferohet dosja e akuzës në Kosovë. Këtë vendim, Kuvendi i Kosovës mund ta marrë. Nuk do të ishte fare fjala për të ndërprerë një procedurë gjyqësore. Thjesht, procesi që duhej të zhvendosej në Hagë, do të rikthehej në Prishtinë.

E mira do të ishte që nismën për këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Ai mund të konsiderojë që përligjet një kërkesë për transferim të dosjes së akuzës drejt gjykatave të zakonshme të Kosovës. Këtë mund ta bëjë përpara se Kuvendi i Kosovës të shprehet vetë dhe të shkaktojë një krizë me aleatët e tij evropianë e amerikanë.

Të pranohet që procesi të mbahet në Hagë do të ishte një padrejtësi (shkelje e parimit të trajtimit të barabartë të palëve në konflikt). Për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të ishte njëlloj sikur ata të vazhdonin të pranonin që t’i tërhiqnin nga hunda. Mbyllja e kësaj gjykate të posaçme do të ishte gjithashtu më i pakti ndër sanksionet që meritojnë autorët e këtij mashtrimi të madh.

Serge Métais

Autor i librit Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo (Histori e shqiptarëve. Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës) të botuar në Francë më 2006 nga shtëpia botuese Fayard e të përkthyer edhe në shqip e në bullgarisht.


[1] Nga 193 vende anëtare të OKB-së, Statuti i Romës është nënshkruar dhe ratifikuar deri më sot nga 123 shtete, mes të cilave të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar. Ato nuk e njohin pra juridiksionin e GjPN-së, ashtu si edhe Kina (e cila nuk e ka nënshkruar fare).

[2] Shih artikullin tonë “Kosovë: Gjykata e Posaçme, pjellë e një mashtrimi të madh”, gazeta Dita, 5 dhjetor 2020.

[3] Aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të lexohet në sajtin “Kosovo Specialist Chambers and Specialist Prosecutor’s Office”. Shih çështjen me numër KSC-BC-2020-06.

****. 

INTERVISTA

Për çfarë e keni saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund t’u shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?

Mekanizëm djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të masës.

I tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mospranimi për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të mirë.

Pse doni që të mbyllet Gjykata e Posaçme?

Më duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka dy arsye thelbësore:

Së pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti.

Së dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një padrejtësi e kulluar.

Personeli i Gjykatës së Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet këtë kompetencë?

Gjykata e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh.

Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj.

Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës, në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim.

A nuk keni frikë se kjo gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë dhe amerikanë?

Sigurisht, kriza do të ishte serioze.

Idealja do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë.

Kuvendi i Kosovës mund të veprojë në dy faza:

  • Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës në Kosovë.
  • Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015.

Ndërkohë, kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me radhë.

Kuptohet vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet atëherë si fryt i një marrëveshjeje.

A mendoni ju që do të mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?

Jo. Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën.

Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të Kosovës.

Pikërisht edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh, nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në Hagë.

  • Perktheu :Arben Leskaj-E dergoi per Diellin : Bardhyl Mahmuti

Filed Under: Interviste Tagged With: Rikthim I procesit, Serge Métais, uck

“RTV ZËRI I KOSOVËS”, ZËRI I SHQIPTARËVE NË DANIMARKË

January 22, 2021 by dgreca

Adnan Aliti gazetar në “RTV Zëri i Kosovës”, në Kopenhagen, Danimarkë, flet për Diellin e Vatrës New York në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja.  

“RTV ZËRI I KOSOVËS” NJË HISTORI E FILLIMIT TË TRANSMETIMEVE

RTV Zëri i Kosovës funksionon si multimedia shqiptare në diasporë, që nga viti 1989, fillimisht si radio dhe më vonë edhe si Tv, e përcjellë nga web-faqja e saj www.rtvzeri.com (më herët rtvzik.com dhe zeripress.com). Ky medium u emërua Zëri i Kosovës si sinonim i solidarizimit dhe mbështetjes aktive të kërkesave të drejta të shqiptarëve në Ish Jugosllavi. Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në Kosovë dhe aty ku jetonin shqiptarët, nga ana e federatës Jugosllave, nisi procesi i heqjes së atyre pak të drejtave që kishin shqiptarët. Në shumë institucione të Kosovës, regjimi i Beogradit po vendoste masa të dhunshme. Në fakt, pak vjet pas vitit 1981, gjithë zinxhiri komandues dhe represiv do të kontrollohet nga Beogradi. Më 23 mars 1989 në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë të dhunshme ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe shpalljes zyrtare si pjesë e Serbisë, Kosova vendoset në shtetrrethim, e cila manifestohet me vrasje brutale, burgosje, tortura, deportime etj. Në një atmosferë të tensionuar, më 2 korrik 1989, Kuvendi legjitim i Kosovës i asaj kohe, shpall deklaratën kushtetuese me të cilën Kosova definohej si njësi e barabartë në federatën jugosllave. Duke qenë të vetëdijshëm, se lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, diaspora shqiptare filloi të organizohet në forma të ndryshme, për të ndihmuar Kosovën në proceset e mëtejshme drejtë pavarësisë së saj. Në këto kushte lindi Radio Zëri i Kosovës në Danimarkë më 20 gusht 1989, e themeluar nga një grup bashkatdhetarësh në Danimarkë, me në krye Ibrahim Xhemajlin, ish i burgosur politik. Radio Zëri i Kosovës ka filluar transmetimet e para në rrjetin tokësor, në FM 95,5 Mhz në Kopenhagë dhe ka qenë një nga radiot e para në gjuhën shqipe në Diasporë, e pranuar dhe e financuar nga Ministria e Kulturës së Danimarkës. Spikeret e para të radios kanë qenë Shpëtime Fida dhe Emine Xhemajli. Ndërsa më vonë radios do ti bashkëngjiten edhe Ixhet Lutfiu, Naim Jumniu, Havzi Sulejmani, Bedri Mustafi, Jusuf  Mustafai, dhe nga viti 1997, unë Adnan Aliti. Është filluar me gjysmë ore program në Kanalin e Kopenhagës, për të zgjeruar shumë shpejt kohën e emetimit në 45 minuta e pastaj në 90 e më vonë në 3 orë në javë. Me kalimin e kohës dhe fitimin e eksperiencës, redaksia jonë arriti të pavarësohet dhe t’i ketë edhe valët e veta, duke emituar program në gjuhën shqipe prej 36 orëve në javë. Në vitin 2002, pas mbledhjeve të shpeshta me kolegët danez, arritëm marrëveshje për të zgjeruar aktivitetin tonë mediatik, duke filluar me emetimin edhe programe televizive në gjuhën shqipe, në kanalin kombëtar të Danimarkës, TV2, me shikueshmëri në të gjithë territorin e Danimarkës. Çdo të shtune nga ora 13:00-14:00, Danimarka fliste shqip, dhe kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për ne shqiptarët e Danimarkës, një privilegj që asnjë nga etnitetet e tjera të Danimarkës, me numër shumë më të madhe se ne, nuk e kishin. Me hapjen e TV Zëri i Kosovës, akronimit të radios iu shtua edhe akronimi tv për t’u bërë RTVZIK. Vlen të theksohet se, barrën kryesore të transmetimeve në radio dhe në tv, me dekada të tëra e kemi pasur unë, Ixhet Lutfiu dhe Ibrahim Xhemajli. Ishte punë vullnetare në momente edhe shumë e mundimshme, por vullneti dhe sakrifica jonë për të qenë në disponim të mërgatës tonë dhe në disponim të rrjedhave historike të kombit, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ishte ajo që na jepte forcë dhe kurajo. Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës ndiheshim shumë krenarë, sepse që nga fillimi deri në fund të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë, ne kishim zgjedhur rrrugën e drejtë, atë që sollën lirinë e Kosovës. Pra liria ka emër, UÇK. Zëri i Kosovës përjetoi dhe kontribuoi gjatë zhvillimit të tri luftërave çlirimtare të popullit tonë. Falenderim i veçantë shkon për popullin danez dhe autoritetet daneze, të cilët vazhdimisht i kanë përkrahur mediat tona, duke financuar nëpër vite harxhimet mediatike.

MEDIA SI RUAJTËSE E IDENTITETIT SHQIPTAR DHE GJUHËS SHQIPE NË DANIMARKË

Duke shikuar në retrospektivë punën e mediave tona, mund të konstatohet, se të gjithë kontribuesit dhe bashkëpunëtorët e “RTV Zëri i Kosovës”, duhet të mburren me rolin historik që kanë luajtur mediat tona, si në diasporë në përgjithësi ashtu edhe në Danimarkë në veçanti.  
“RTV Zëri i Kosovës” krijoi dhe afirmoi vlera të mirëfillta kombëtare, ndihmoi në integrimin e shqiptarëve në Danimarkë dhe shmangien e asimilimit të gjeneratave të reja. Luajti një rol të madh në kultivimin dhe ruajtjen e traditave të mirëfillta shqiptare dhe transformimin e tyre te brezat e reja. Evidentoi dhe pasqyroi histori suksesi të bashkatdhetarëve tonë që me të arriturat e tyre nderuan Danimarkën, por ia shtuan krenarinë gjithë shqiptarëve. Jo vetëm për shqiptarët por siç cek me një rast eksperti i çështjeve ballkanike Tue Magnussen-RTVZIK ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin e demokracisë daneze duke zbuluar aferën Panteliç ku autoritetet daneze kishin autorizuar një avokat ultranacionalist serb për verifikimin e lëndëve të azilkërkuesve shqiptarë në Danimarkë etj. Ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji kaluan gati 32 vite të themelimit të Radio Zërit të Kosovës dhe misioni i tij vazhdon edhe sot në evidentimin, pasqyrimin e vlerave të mirëfillta kulturore, sportive dhe të lëmive të tjera (kombëtare), si për shqiptarët e këtushëm ashtu edhe më gjerë.

DOKUMENTARËT, EMISIONET KRYESORE DHE BASHKËPUNIMET

Në vitet e fundit, më shumë jemi fokusuar në përgatitjen e kronikave dhe dokumentarëve të ndryshëm televiziv. Përvoja e gjatë me media, na ka aftësuar që të krijojmë vepra mediatike, të cilat do të mbahen mend dhe do të lënë gjurmë në jetën e mërgatës shqiptare në botë. Në kohën e transmetimeve të drejtpërdrejta në radio, unë kam udhëhequr programin E SHTUNA ARGETUESE, emision rekreativo-zbavitës, me inkuadrime të drejtpërdrejta telefonike të dëgjuesve nga e gjithë bota në studio (përpos në FM transmetonim edhe në internet), dëshira muzikore, përshëndetje, intervista, etj. Historia e transmetimeve të “RTV Zëri i Kosovës”, shënon bashkëpunime të shumta me mediat simotra, si në vendlindje ashtu edhe në diasporë, si për shembull urat radiofonike me radio-stacionet në Tetovë, Kosovë, Zvicër, Londër, Neë York etj.

NGJARJET KRYESORE TË SHQIPTARISË NË “RTV ZËRI I KOSOVËS”

Pa dyshim, çdo ngjarje historike e kombit tonë, pa asnjë hezitim ka gjetur përkrahje dhe publicitet të jashtëzakonshëm te mediat tona. Këtu duhet të theksojmë në veçanti, kohën e mbylljes së mediave shqiptare në Kosovë nga regjimi serb dhe terit informativ që mbretëronte në Kosovë në vitet 90, Radio Zëri i Kosovës rreshtohej si një nga radiot e rralla që transmetonte në gjuhën shqipe, bashkë me Radio Zagrebin, Zëri i Amerikës, DË, BBC. Gjatë luftës në Kosovë, bënim intervista të drejtpërdrejta me telefon satelitor nga fronti i luftës me luftëtarët e lirisë.

ÇMIMET E FITUARA DHE VLERËSIMET E MARRA 

RTV Zëri I Kosovës ka fituar dy çmime nga Ministria e Diasporës së Kosovës, të përzgjedhur si dokumentarët më të mirë në diasporën shqiptare për vitin 2017 dhe 2018 me filmat: ”Me Arbëneshët e Zarës”- të regjisorit Adnan Alit dhe “ Rrënjët shqiptare, dheu danez” të regjisorit Ixhet Lutfiu, por gjithnjë me kontributin e pa shmangshëm të Ibrahim Xhemajlit. 

RADIO E TV SOT DHE SFIDAT E SË ARDHMES

Radio Zëri i Kosovës transmeton 24 orë muzik live nga ëebfaqja e saj rtvzeri.com ndërsa televizioni transmeton po ashtu muzikë të përzgjedhur 24 orë dhe shikohet në të gjitha platformat digjitale si IP TV. Paralelisht me radion dhe tv, ëebfaqja jonë rtvzeri.com funksionon nga viti 2004, moderator i të cilit jam unë, po ashtu është shumë aktive dhe vizitohet nga shumë vizitorë nga e gjithë bota. Në faqen tonë nuk ka censure dhe funksionon sipas normave demokratike të Danimarkës, të respektimit të mendimit të lirë, që dmth. çdo kush ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, por me përgjegjësi personale të autorit. Ne do të vazhdojmë të merremi me media edhe më tutje, sepse ajo na fle në zemër, ndoshta me një intensitet më të ulët, por do të jemi gjithmonë në shërbim të diasporës, kudo që do të paraqitet nevoja për mbështetjen tonë profesionale. Kemi bashkëpunim të rregullt me mediat kombëtare në vendlindje me RTK, Klan TV, TV Diaspora, AlbSE, për të cilët raportojmë si korrespondentë, për ngjarjet më të rëndësishme në Skandinavi. Gjithashtu bashkëpunojmë edhe me Radio Rilindja dhe Radio Zëri I Arbit në Norvegji etj. Pos kësaj, do të përqendrohemi në përgatitjen e filmave dokumentarë ku kemi fatin që në ekipin tonë të ngushtë të kemi regjisorin Ixhet Lutfi, i cili, pas disa dokumentarëve të suksesshëm, tani më llogaritet si mjeshtër i vërtetë i filmave dokumentar. Po ashtu kolegu tjetër Ibrahim Xhemajli, gjithmonë vjen me ide dhe aktivitete të reja, i cili nuk di të ndalet kur janë në pyetje aktivitetet kombëtare si: organizimi i Ditëve të Kulturës Shqiptare në Danimarkë, Festat e Nëntorit etj.

Filed Under: Interviste Tagged With: Adnan Aliti, RTV ZIK, RTVZIK, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT