• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSE LARGOHET “TRURI”?

December 22, 2021 by s p

Erion Muça

Kronikat e fundit lidhur me rritjen e largimit të të rinjve nga Shqipëria pasqyrojnë një realitet të dhimbshëm dhe nje konstatim të saktë. Ndërkohë që arsyet lidhen me pagat e ulëta, arsimimin e dobët, shëndetësinë problematike dhe mungesën e prespektivës. Në parim janë të gjitha arsye që qëndrojnë por nuk janë të vetmet dhe të prezantuara në këtë formë dhe përmbajtje duken të përgjithshme dhe pa përgjegjësi adresimi, identifikim të faktorëve dhe aktorëve fajtor si dhe modelet sesi mund të përmirësohet situata. Ndërkohë kur të gjithë vrapojnë të vetëgjykohen dhe ndjejnë keqardhje për përkeqësimin e gjendjes askush nuk shqetësohet sesi mund të japë kontributin e vet në këtë drejtim. Nuk duhet bërë shumë vetëm të kërkojmë dhe pretendojmë më shumë të drejta, vlerësim dhe pritshmëri page në punë dhe jo të ulim hundën dhe kokën nga nevoja.Nuk duhet të bëjmë asgjë veçse mos pajtohemi me paaftësinë në arsim dhe mospranojmë mosmjaftimin dhe pakënaqësinë mbi cilësinë e arsimit por të kërkojmë me ngulm ndryshimet me anë të revolucionit duke kërkuar reforma të thella që do sjellin shpejt ndryshimin e ku secili prej nesh të jetë jo vetëm nismëtar por dhe protagonist në këtë proces.Nuk duhet të bëjmë shumë vetëm të solidarizohemi me mjekët dhe infermierët për tu bërë bllok dhe përfshirë në protesta të vazhdueshme për ti mbështetur për më shumë stimul dhe kushte ndaj tyre… minimumi duke i shpërblyer me paranë informale sekuestruar nga veprimtaritë e paligjshme dhe korrupsioni.Nuk duhet të bëjmë shumë përveçse të ngremë kryet për të drejtat që shqetësojnë më tepër shoqërinë se ato që bezdisin partinë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të irritohemi ndaj padrejtësive e reagojmë ashpër për të përmirësuar çfarë të mundemi e jo të shikojmë interesin e ngushtë meskin duke shpërfillur hapësirën e përbashkët ku jetojmë e punojmë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse se të pranojmë absurditetin dhe mungesën e modeleve si realitet të pranishëm e të rreshtohemi fort për mos ti pranuar duke i luftuar jo vetëm me imponim alternativash të denja por paralelisht duke qenë armiq të palëkundur të antivlerave, banalitetit dhe imoralitetit.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të mos tolerojmë mungesën e sindikatave dhe pafuqinë e tyre por të orientojmë njerëzit për nga institucionet dhe institucionalizimi duke u përpjekur ti largojmë nga politika dhe dëmet që i ka sjellë ajo.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të kemi vetëm një rrugë për të qenë të suksesshëm atë që bazohet në hapa të merituar, konkurencë të ndershme bazuar në aftësi, njohuri dhe vlera si dhe shanse të barabartë për punësim dhe karrierë.Nuk duhet të bëjmë gjë tjetër veçse të organizohemi, koordinohemi, dhe nisim një revoltë të fuqishme dhe pandikueshme për të rikthyer atë që mungon në shoqërinë tonë si e vetmja menyrë për të kthyer optimizmin tek njerëzit dhe kthyer vendin në destinacion atraktiv për të jetuar, punuar dhe u promovuar në karrierë.Problematikat e sipërpërmendura kam frikë se na bëjnë të gjithë nga pak shkaktar si nga indiferenca dhe neglizhenca dhe si nga mos të parit dhe ndjerit jashtë pragut të shtëpisë apo interesit personal…Sido që të jetë e vërteta apo arsyet që lidhen me të fakt është që vendi po braktiset e për këtë jemi të gjithë nga pak fajtorë…

Filed Under: Komente

Si e pashë Malalën në sytë e vajzave afgane në Shqipëri…

December 20, 2021 by s p

Rajmonda Xhetani 

Frymëzimi për të shkruar diçka, vjen kur një situatë apo ngjarje i provokon emocionet tona.

Marrëdhënia ime me librin ka qenë gjithmonë e ngushtë.

Libri i parë që mora në dorë gjatë pandemisë, ishte një libër që më ishte dhuruar nga një mikesha ime, disa javë më parë. Fillova të lexoj me kureshtje, “Unë jam Malala”.  Kisha dëgjuar për Malalën, kisha dëgjuar dhe për bestseller-in  me 351 faqe që Christina Lamb kishte shkruar.  

Nuk mbaj sesi arrita deri në fund të librit,  Me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, renditeshin të gjitha ngjarjet në Pakistan,  thyerja e tabuve sociale, lufta ndaj analfabetizmit  e fuqia  e penës. 

Kauza fisnike, për të cilën luftoi një vajzë e vogël si Malala, u përkrah e u vlerësua nga aktivistët për të drejtat e grave.  Malala luftoi për të drejtën e tyre  për arsimim, duke e cilësuar “penën” si një fuqi të madhe. Vetëm në këtë mënyrë gratë mund të luftonin krah për krah me burrat. 

Ishin shtatë librat e autores Jean Sasson që pasuan leximin e “Unë jam Malala”.  Ngjarjet zhvilloheshin në Arabinë Saudite. Ndryshonin fytyrat, ndryshonte vendngjarja por mënyra si trajtoheshin vajzat dhe gratë ishte e njëjtë. 

Në këto libra, dëshmohej historia  e vërtetë e  princeshës Sulltana dhe princeshave të tjera që i përkisnin familjes së saj.  Princesha Sulltana ishte e vendosur për ti dhënë fund shtypjes së grave dhe vajzave në vendin e saj. Shtypja që ju bëhej grave dhe vajzave aty, në cdo kulturë tjetër do të shihej  si një  shkelje e  tmershme e  të drejtave njerëzore.  Nuk ndaloja së lexuari, isha e etur për t’u informuar në lidhje me ngjarjet atje edhe pse shpesh ishin  çnjerëzore.

Pas leximit të tyre kërkova  informacion për Ligjin e Sheriatit, çfarë përmbante dhe deformimin qe  i  bëhej.

Ligji i Sheriatit do të thotë, ligj fetar, kod ligjor i legjitimuar fetarisht, i pandryshueshëm.

Realiteti tregonte që që ky kod fetar, po keqinterpretohej, e të prekura shumë nga ky keqinterpretim ishin vajzat dhe gratë.  

Edhe pse të gjithë këto libra  të “gozhdonin” kishte shumë momente që ishte e nevojshme, të bëje  një frymëmarrje të thellë e ti ktheheshe sërish librit. 

Kur kërkoja në google shfaqeshin disa foto që tregonin dëshirën e madhe të vajzave dhe grave për t’u përfshirë në jetën sociale dhe politike të vendit.  Më tërhoqën vëmendjen, fotografitë  e disa vajzave afgane duke punuar në një internet-kafe ( 8 Mars 2012),  fotografia  e Nima Suratgar kandidate për parlamentin afgan ( 2010) si dhe një futbolliste afgane ( 2014).

Gjatë këtij viti kur tensioni në Afganistan arriti kulmin, lexoja të gjitha lajmet që informonin për gjendjen atje.  Sigurisht që ishte e pamundur të mos përfshiheshe emocionalisht, kur mendoje një popull që vuante nga shkelja e të drejtave minimale.

Në verën e këtij viti, Shqipëria ishte një nga shtetet që hapi dyert për shtetasit afganë. Gjendesha përtej kufirit (jo shumë larg)  kur e lexova në lajmet e ditës. 

Nuk e dija që do të ishte pikërisht institucioni ku unë punoja, “ streha” e parë që do t’u ofrohej shtetasve afganë ,  e që do të isha  unë  një nga personat që do  të udhëzohej për ti mirëpritur. Më në fund kisha mundësi të ofroja ndihmën time modeste, atë që e kisha imagjinuar shpesh herë. 

Pavarësisht dëshirës së madhe nuk e dija që do të vinte një moment i tillë. 

Eshtë e vështirë, ndoshta e pamundur që ta përcjell si duhet emocionin që përjetova kur mbërriti autobuzi i parë  (që vinte nga Aeroporti Ndërkombëtar). Në fund të fundit, emocionet e forta nuk mund të tregohen.  Të qenit vajzë, grua, punonjëse sociale, më nxiste akoma më tepër për t’u gjendur aty gjatë atyre ditëve.  Jam e bindur që shumë prej personave që gjendeshin aty për t’i mirëpritur përjetuan emocione të forta. Ishin orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht 03.15.  Autobuzi  ishte i mbushur me  burra, gra dhe shumë fëmijë. 

Në mendje më vinte Malala,  më vinte princesha Sulltana, e  çdo rresht i atyre librave. 

Në hapësirën kohore të tre minutave, të rrugës që ata përshkuan nga autobuzi deri në holl, m’u shfaqën  shumë imazhe e shumë ngjarje. 

M’u kujtuan fjalët e Malalës  ndërsa tregonte përjetimin pas plagosjes. 

Pas asaj nate shumë shtetas të tjerë afganë erdhën. 

Ishte e dhimbshme të mendoje që ata njerëz kishin lënë vendin e tyre, por shumë e bukur kur i shikoje të gjallë e plot dëshirë për të vazhduar jetën. 

Sigurisht që bëmë maksimumin që t’ua bënim disi më të lehtë qëndrimin pranë nesh. 

Gjatë atyre ditëve pashë vetëm sy të qeshur fëmijësh, pashë burra që ndihmonin bashkëshortet dhe që kujdeseshin për familjarët e tyre, e gra që kërkonin një vend ku të respektoheshin të drejtat e tyre.

Më erdhi keq që kaluan shumë shpejt ato ditë derisa  erdhi momenti që ata të akomodoheshin në një tjetër vend.

U larguan mirënjohës, me një dëshirë të jashtëzakonshme për të vazhduar përpara. 

Cdo vajzë  të vogël e shikoja si një ”Malala”  dhe çdo grua si një princeshë “Sulltanë”.

Tiranë, 20 Dhjetor 2021

Rajmonda Xhetani

Filed Under: Komente

FAN S. NOLI THEMELUESI I DIPLOMACISË SHUMPALËSHE TË SHTETIT SHQIPTAR

December 18, 2021 by s p

KASTRIOT ALIAJ

Në këtë 101 vjetor të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, shqiptarët ndihen më dinjitoz se kurrë ndonjëherë, që edhe fjala e tyre do dëgjohej jo më në tryeza  të vogla, por në një kuvënd  botëror. Kjo Lidhje do të ngjallte shpresa të mëdha, për vetë kushtet dhe gjëndjen në të cilën ndodhej Shqipëria e traumatizuar nga  barbaritë e shumta të disa perandorive, por edhe nga rreziku i  fshirjes nga harta ballkanike.Pranimi në këtë kuvënd të madh,do të ngjallte shpresa të mëdha, për më shumë drejtësi,që për shqiptarët kishte mbetur vetëm një ëndërr, për më shumë garanci për popujt e vegjël, sidomos pas ngjarjeve dramatike pas Luftës së Parë Botërore. Për shqiptarët pranimi në këtë Lidhje, ishte një ngjarje madhore,për vetë faktin se kurorëzoj përpjekjet e shumta të tyre,që sfiduan synymet e Fuqive të Mëdha që kërkonin ta ndanin Shqipërinë si tortat festive. Garancia që i dhanë SHBA përfaqësuesve të diplomacisë shqiptare, në Konferencën e vetvendosjes më 1919 në Paris, nga përfaqësuësi i tyre ish-Presidenti Ëndrooë Ëillson, u bë e mundur mbijetesa e kombit tonë dhe konsolidimi i shtetit shqiptar. Lidhja e Kombeve 101 vjet më parë, do të sillte një element të ri në marrdhëniet ndërkombëtare, në diplomacinë publike si dhe atë të debatit të hapur, por më shumë se aq atë të sigurisë kolektive pas gjithë atyre ngjarjeve makabre të Luftës së Parë Botërore. Pranimi i Shqipërisë në këtë Lidhje ishte meritë e mërgatës shëiptare, e cila nuk kishte rreshtur për asnjë cast, që Shqipëria të bëhej pjesë e sofrës së madhe të kombeve.Sipas dokumenteve të MEPJ, qeveria shqiptare e atëherëshme e konsideronte antarësimin në këtë organizatë më 17 dhjetor 1920,si një garanci për një trajtim më të drejtë, të statusit të kufijve të Shqipërisë, në tryezat vendimmarrëse të Fuqive të Mëdha të kohës. Duke u bërë e njohur më parë se më 15 dhjetor 1920, do të hapej sesioni i parë i Asamblesë së Lidhjes në Gjenevë të Zvicrës, përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare bënë përgatitjet e nevojshme, ku fjala e Nolit u vlerësua si një nga fjalimet më të mira në atë asamble. Më 12 tetor kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes Pandeli Evangjeli, i dërgoj një letër sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Erik Dummond,ku në emër të popullit shqiptar, i kërkoj që Shqipëria të pranohej në atë asamble dhe të merrte pjesë në hapjen e saj më 15 Nëntor. Në atë peridhë kohore në krye të qeverisë ishte Sulejman Delvina, i cili dekretoj imzot Fan S. Nolin, si kryetar të delegacionit që do të merrte pjesë në mbledhjen e parë të Lidhjes së Kombeve. Duke qënë i njohur në rrethet e ngushta shqiptare,si intelektual dhe diplomat ai loboj fort, duke shfrytëzuar kontaktet personale, bashkë me Mid-hat Frashërin, Hil Mosin,si dhe Benedikt Blinishtin. I gjithë ky proces senzibilizues me gjuhë diplomatike, u finalizua më 17 Dhjetor 1920, ku Shqipëria u bë antare e rregullt e Lidhjes së Kombeve. Ky event historik për Shqipërinë dhe mërgatën që investoj aq shumë, për t’u bërë antarë të kësaj Lidhje,e kurorëzoj Nolin si themelues të diplomacisë shumpalëshe të shtetit shqiptar.Kështu Fan S. Noli kishte nderin të ishte fjala e Shqipërisë, në asamblenë e parë të Lidhjes së Kombeve. Si një njeri me përvojë në takimet diplomatike, ai shpresonte shumë tek ky organizëm ndërkombëtar, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe shtetet e vegjël, përballë tryezave të mbylluara më parë, ku Fuqitë e Mëdha përcaktonin fatet e shteteve sipas pazareve për interesat e tyre. Noli me diplomacinë e tij bindi qeverinë e Tiranës e sapo transferuar nga Lushnja, për të nënëshkruar pa hezitim deklaratën për mbrojtjen e minoriteteve. Ky veprim ishte një hap i guximshëm,në vitin 1920 të shek. XX-të,  në një rajon si Ballkani  që trashëgonte probleme të mëdha, në trajtimin e pakicave kombëtare, si pasojë e qëndrimeve përcudnuese që kishin ndodhur më parë. Ja si do të shkruante Noli në raportin e qeverisë, që do të mbante në punimet e para të Lidhjes në Gjenevë;” Më në fund, sikur edhe konferenca e ambasadorëve t’apë një mendim kundra interesit tonë, ne na rrin shtegu i hapët për me u përpjekë, por duhet me dijtë se një vendim i dhanun prej konferencës së ambasadorëve, pa dyshim që ka me influencuem në Lidhjen e Kombeve. Nga ky shkak marrveshja me Italinë cfaqet e domosdoshme. Në qoftë se Shqipnia e 1913 pështon, pa pasur nevojën e një marrveshje italiane, këjo ka me qënë një mbrekulli, në vënd qi politika e një shteti nuk themelohet kurrë mbi cudina”.Kjo periudhë e vitit 1920 nga Tetori deri me 17 Dhjetor, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, ishte një fund viti intensiv me punë diplomatike. si në Paris ashtu dhe në Gjenevë, ku spikati edhe ndihma e deputetit britanik Aubrey Herbert. Antarsimi i Shqipërisë në këtë organizatë të diplomacisë ndërkombëtare, përbënte një nga ngjarjet më të mëdha, që zëri saj të dëgjohej sa edhe i vëndeve të tjera. Përfaqësuesit e Shqipërisë ishin gjithnjë aktiv,për qëndrime korrekte, si në fushën e integritetit teritorial ashtu dhe në respektimin e të drejtavi të cdo kombi. Një vëmëndje të vecantë ata i kushtonin edhe trajtimit të pakicave minoritare, sipas rregullave dhe standarteve të miratuar nga Lidhja e Kombeve.

Filed Under: Komente

Strategji e re e bashkëpunimit të qendrave albanologjike Tiranë, Prishtinë dhe Shkup

December 16, 2021 by s p

Tiranë, 16.12.2021 –

Pas disa konsultimeve paraprake që u bënë në Shkodër, Prishtinë dhe Shkup, sot në Tiranë u nënshkrua memorandumi i ri i bashkëpunimit mes qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Kështu, në aktin e nënshkrimit të Strategjisë së bashkëpunimit, hodhën firmat e tyre drejtori i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë – Luan Përzhita, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës – Hysen Matoshi dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup – Skender Asani.Ky memorandum erdhi si një nevojë e bashkërendimit të aktiviteteve të këtyre tri qendrave kryesore albanologjike në rajon, të cilat zotohen për një varg angazhimesh të përbashkëta në fushën e shkencave albanologjike.Drejtori i ITShKSh, Skender Asani, tha se Instituti ynë do të jetë bartëse kryesore e projekteve mbi historinë dhe identitetin kombëtar në trevat lindore shqiptare. “Me këtë, Shkupit po ia rikthejmë kuptimin dhe lavdinë e dikurshme, duke integruar albanologjisë shqiptare në një strategji të re bashkëpunimi. Shpresojmë që tash e në të ardhmen shkenca dhe kultura t’i prijë politikës me projekte integruese në botën shqiptare”, tha Asani.“Ne si ITSHKSH po integrohemi në këtë strategji bashkëpunimi me një histori të pasur suksesesh dhe shpresojmë që përvojën që do ta sjellim, do të jetë e barasvlershme me pritjet që ne i kemi nga qendrat albanologjike në Tiranë dhe në Prishtinë, që edhe përvojat e tyre të mbindërtohen në strategjinë tonë të përbashkët. Shkupi historikisht ka qenë jo vetëm një qytet i udhëkryqeve dhe civilizimeve, por ka qenë edhe një organ tepër vital në trupin e madh të etnisë shqiptare me shekuj të tërë. Sa herë që erërat e serta preknin këtë organ, efektet anësore arrinin edhe në pjesët tjera të etnisë sonë, prandaj Shkupi bashkë me Manastirin, për një kohë bukur të gjatë luajti rolin e piemontit shpirtëror të shqiptarëve”, u shpreh Asani.Ndryshe, një ditë më parë Akademia e Studimeve Albanologjike e Tiranës, nga 15 deri më 17 dhjetor organizoi edicionin e XII-të të “Ditëve të Albanologjisë”, me temën boshte: “Albanologjia e mijëvjeçarit të ri”, me pjesëmarrës të shumë studiuesve të albanologjisë nga e mbarë bota.

Filed Under: Komente

“BARDHËSITË E ATDHEUT”- LIBRI MË UNIVERSAL- GJITHËPËRFSHIRËS DHE MË I KOMPLETUAR PËR HERONJTË DHE SAKRIFICAT E ATDHEUT

December 16, 2021 by s p

Afrim Mustafa, „BARDHËSITË E ATDHEUT, Enciklopedia e dëshmorëve të luftërave të UÇK-së 1997 – 2002“, botoi: Autori, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së në Prishtinë, Radio “Zëri i Sharrit” dhe Shtëpia Botuese “NEWBORN PUBLISHING”, Prishtinë 2018, ISBN: 978-9951-8818-1-4

, Libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheut” i publicistit, Afrim Mustafa, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës… Jo vetëm për nga volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe në trojet shqiptare. Prandaj, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre dëshmohet e vërteta e Luftës së lavdishme të UÇK-së, UÇPMB-së dhe UÇK-së… Regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, por edhe për dy luftërat e tjera është një respekt i drejtpërdrejt për këto  luftëra, ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim dhe respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi…

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Vepra: “Bardhësitë e Atdheut”, është radhitur si libër enciklopedik me rëndësi kapitale për autorin, për shoqërinë dhe për historiografinë e Kosovës. Afrim Mustafa, shquhet si mbledhës i kujdesshëm i shënimeve për dëshmoret dhe të rënët në luftë, kurse libri është dëshmi e Luftës së Kosovës dhe luftërave të tjera në hapësirën shqiptare në Ballkan.  Libri “Bardhësitë e Atdheut” është ribotuar disa herë, (shqyrtimi ynë ka të bëjë me një botim të vitit 2014), por secili botim i mëvonshëm është plotësuar dhe është zgjeruar me portrete dhe të dhëna të reja për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, duke e bërë librin një Enciklopedi e sojit të vet, një përkushtim i rrallë për t’i publikuar të gjithë dëshmorët, heronjtë dhe veteranë e luftëtarë të Luftës së Kosovës 1998-1999. 

Autori, është përkujdesur në aspektin profesional për të angazhuar emra të njohur të luftës, shkencës dhe fesë, me të cilët ka krijuar stafin e librit, një vlerë tjetër universale, e cila bartet edhe në brendësinë e librit. Në mesin e këtij stafi, janë: Dr. Jakup Krasniqi, Akad. Esat Stavileci, Akad. Pajazit Nushi, Dr. Don Lush Gjergji, Gjeneral, Kudusi Lama, Dr. Jahja Drançolli, dr. Teuta Hadri, Mr. Naim Tërnava etj. Ndërsa, diku në brendësi në një faqe të plotë është “Ekipi këshillëdhënës i monografisë”, që kanë ndihmuar autorin për mbledhjen e të dhënave, duke i falënderuar ata publikisht, e për vete autori ka dëshmuar vlerë intelektuale dhe qasje humane. Libri “Bardhësitë e Atdheut”, hapet me Tri emblemat e UÇK-së, të shoqëruara me tekstit e Betimit, të cilin e ka bërë ushtari në luftë. Pastaj, është fjala e kryerecensentit, dr. Jakup Krasniqi, atëherë, kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës, e në vazhdim, janë prezantuar: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadani, Adrian Krasniqi, Xhevë e Fehmi Lladroci, Ismet Jashari, Mujë Krasniqi, Ilaz kodra, Halit Geci, Gursel e Bajram Sylejmani, Salih Çekaj, Ilir Konushevci, Gjylsere Saiti, Bekim Berisha, Hyrë Emini, e shumë të tjerë.  Në parathënien e shkruar nga vet autori, ai ka vlerësuar kontributin e secilit intelektual, luftëtar dhe veprimtar për kauzën kombëtare, duke ua përmendur meritat, gjithësecilit. Këtë vlerësim, autori e ka bërë edhe për Presidentin Historik: dr. Ibrahim Rugova, për të cilin shkruan: “Pa mëdyshje, një nderim të jashtëzakonshëm me veprimet e TIJ Madhore e Thellëpërkushtuese për Kosovën, për Lirinë dhe për Pavarësinë e saj dhe për gjithë Shqiptarinë, na dha deri në fund të Jetës së tij, Presidenti Historik i Kosovës, Dr. IBRAHIM RUGOVA (1944 – 21 janar 2006). Rugova, Ky Binom i të Mirave Kombëtare, e veçanshëm Kontribuues dhe Ndërtues Unikat i Lirisë së Republikës së Kosovës, do të kujtohet e nderohet përjetë e mot, bashkë me të gjithë ata që dhanë edhe Jetën për Ditët që sot i jetojmë. Emri dhe Vepra e Presidentit Historik janë frymëzim dhe sinonim i unitetit të Veçantë e të Jashtëzakonshëm, që reflektoi AI në jetë, në veprim e në punë për Liri, Pavarësi e Sovranitet Gjithëkombëtar…”. Po me këtë elan, po me këtë përkushtim, ua përmend meritat edhe prof. dr. Fehmi Aganit, Anton Çettës, Ali Hadrit, Zekiria Canës, Gazmend Zajmit, si dhe ka shkruar për dhjetëra femra-dëshmore të UÇK-së, duke radhitur më pas, personalitete të shquara ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë kontribut për lirinë e Kosovës, siç janë: Presidenti Amerikan Bill Clinton, bashkë me Hillari Clinton, Medlin Olbrajt, Wsli Clark, Riçard Hollbruk, Gjorgj Robertson, Xhemi Shea, Barak Obama, Toni Bler, Zhak Shirak, Viliam Valker, Angela Merkel e shumë të tjerë, të cilët kompletojnë më mirë angazhimin e secilit prej tyre për pavarësinë e Kosovës.

“Bardhësitë” … pasqyrë e atdhedashurisë

Në libër ka shënime të tjera për personalitete me ndikim, qoftë në aspektin humanitar e liturgjik siç është Nënë Tereza, por autori nuk ka ngurruar t’i citojë dhe përmendë të gjithë shqiptarët, që kanë ndikuar në imazhin pozitiv për Kosovën, siç janë sportistë e artistë të ndryshëm, këngëtarë e krijues artesh. të cilëve u janë theksuar meritat për përhapje të imazhit pozitiv për Kosovën. Natyrisht, kjo dyndje kaq e madhe, nuk ka kaluar pa shumë vështirësi e sakrifica, por qëllimi i autorit duket i qartë, ai mbron idenë për të ndërtuar konceptin e librit, duke e prezantuar sa ma mirë kontributin e secilit, sepse për të ardhur Vendi Ynë deri këtu, është dashur angazhim i secilit, andaj autori ka bërë përpjekje që t’i ketë të gjithë brenda librit të tij.  Një pjesë e madhe e kësaj enciklopedie u kushtohet dëshmorëve, heronjve, dhe luftëtarëve, prezantimet e tyre i nënshtrohen kriterit të alfabetit, për të cilët autori ka bërë edhe shënime biografike, të cilat janë shoqëruar edhe me fotografitë e protagonistëve. Me të njëjtën metodologji, autori ka vepruar edhe me dëshmorët dhe martirët e UÇPMB-së për Kosovën Lindore dhe të rënët në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Afrim Mustafa ka publikuar një listë me Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ka dhënë edhe një shpjegim se, lista nuk është përfundimtare, për të cilën ka shkruar se do të ndryshohet, do të shtohet dhe do të plotësohet nga botimi në botim. Në këtë kapitull, është publikuar edhe lista e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe për Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në trevën e Maqedonisë, si dhe një listë dhe fotografi, ku i ka prezantuar edhe 71 dëshmorë e luftëtarë nga Shqipëria, të cilët kanë qenë të angazhuar në luftërat e shqiptarëve për pavarësi, si dhe një listë e grave dhe vajzave shqiptare, të cilat,  janë dëshmore të lirisë së Kosovës.   “Bardhësitë e Atdheut”, është libri më universal, më gjithëpërfshirës dhe më i kompletuar që është botuar deri më tani. Aty, janë prezantuar protagonistët kryesorë të luftës, secili në kohën e vet, dhe secili në betejën e caktuar. Siç duket, Autori, nuk ka bërë ndarje, aq më pak anatemime për të rënët për lirinë e atdheut. Të gjithë ata që janë flijuar dhe kanë kontribuar për luftën, kanë zënë vend brenda Enciklopedisë “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa. Brenda librit, Afrim Mustafa, ka botuar, reportazhe, portrete dhe raporte nga fronti i luftës, nga tubime e manifestime të shumta, nga përvjetorë të caktuar, si dhe shumë mendime – recensione për librin “Bardhësitë…”. 

” Bardhësitë e Atdheut”- Përjetësim i heroit, ringjallje e kujtesës, faktit dhe dëshmisë së lavdisë…

Padyshim, Afrim Mustafa, ka punuar pareshtur, për ta kompletuar sa ma mirë veprën, e cila jo vetëm për kah volumi, por më shumë për kah përmbajtja mbetet libri më i kompletuar i kësaj natyre, i botuar deri më tani në Kosovë dhe më gjerë. Prandaj, mendojmë se, vetëm me një përkushtim të kësaj natyre mund të dëshmohet e vërteta, dhe autori ka kurorëzuar me sukses veprën e tij, e cila do të rrojë dhe do të dëshmojë edhe atëherë kur vet autori nuk do të jetë në mesin e të gjallëve … Përfshirja e portretit të Afrim Zhitisë, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe të tjerëve, e bën lidhjen e një vazhdimësie të përpjekjeve për liri e pavarësi, që e kanë bërë breza të shumtë shqiptarësh, sikurse prezantimi i klerit mysliman dhe atij katolik e kompleton edhe më tej konceptin e Enciklopedisë, brenda së cilës krijohet përshtypja se është “Një Kosovë e Vogël”. Aty janë përfshirë, gazetarë, rapsodë, veprimtarë dhe mërgimtarë, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët me angazhimin e tyre, me dijen e tyre kanë dhënë shumë për vendin, shoqërinë dhe njerëzimin, në mesin e të cilëve janë prezantuar: Afrim Maliqi, Haki Braha, intelektualë e shkrimtarë, si Fehmi Agani, Latif Berisha, Ymer Elshani, Bardhyl Çaushi, Bajram Kelmendi me fëmijët e tij etj. Kësaj enciklopedie ia shton vlerën edhe lista e dëshmorëve të Kosovës, të rënë mes viteve 1964-1992, të cilët autori i kategorizon. 1- Të vrarë me atentat, 2- Të vrarë në luftim, 3- Veprimtarë të mbytur në burg, 4- Të vrarë në demonstrata, e më pas, është publikuar edhe Lista e 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Kosharës, si dhe lista të tjera, statistika të shumta dhe fakte që tronditin secilin lexues, sidomos prekin ndjenjën e atyre që luftën e mbijetuan me sakrifica të shumta. Afrim Mustafa, me këtë vepër të përmasave enciklopedike, ka arritur të bëhet emër më i dashur, sepse t’i publikosh ngjarjet, të cilat i ka sistemuar në këtë Libër është një përjetësim i heroit, është një ringjallje e faktit dhe dëshmisë, por më shumë ringjallje e kujtesës për dëshmorin, a heroin që u flijua për lirinë. Kjo që theksuam, është një karakteristikë e rrallë, vlerë kjo që do të mbetet përgjithmonë, prandaj regjistrimi kaq i kujdesshëm për të rënët në Luftën e Kosovës, është një respekt i drejtpërdrejt për atë luftë, ku vet autori ishte pjesëmarrës, është nderim e respekt për heronjtë dhe dëshmorët, si dhe të rënët e tjerë, por më shumë është një respekt për lirinë, për të tashmen dhe për ardhmërinë e këtij vendi. 

Autori, duke qenë reporter i drejtpërdrejtë i luftës së UÇK-së, dhe duke kryer gjatë asaj lufte punë me rëndësi të veçantë, substanca e prezantuar në libër është koncept i asaj kohe, kur nuk dihej kush fiton, e kush shpëton, por si koncept mjaft i kompletuar dhe si mënyrë tejet fisnike. Afrim Mustafa, është ndër personalitetet e pakta, i cili zhvillimet e luftës nuk i sheh të ndara, ai në enciklopedinë e tij i ka përfshirë të gjithë dhe të gjitha kategoritë, libri shënon hapin konkret profesional për t’i përfshirë të gjithë dëshmorët e të tri luftërave të UÇK-së, sepse ideali i tyre, ishte Liria e Atdheut dhe përparimi i vendit. Në këtë pikë, Afrim Mustafa e ka përmbushur misionin e tij të luftëtarit për t’ia sjellë Kosovës Lirinë, kurse me misionin e gazetarit, sikur ka dhënë mesazh për t’u afruar edhe në fushat  e tjera të përbashkëta.

Përveç figurave të rëndësishme komanduese e udhëheqëse të luftës, Afrim Mustafa ka publikuar edhe një listë me ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave në mes të viteve 1981-1992. Në Enciklopedi, janë publikuar portrete me emrat e dëshmorëve, duke i formuar listat sipas rretheve e regjioneve dhe komunave të caktuara, por autori në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, ka arritur t’i përfshijë, pothuajse të gjithë dëshmorët e rënë heroikisht në luftëra: UÇK në Kosovë, UÇPMB në Kosovën Lindore dhe UÇK në Maqedoni. Në këtë enciklopedi janë prezantuar dhjetëra-mijëra dokumente, dëshmi e fakte të rëndësishme për historiografinë kombëtare, duke filluar nga vitet 1900 e gjerë në vitin 2002. Me këtë vepër, autori ka treguar se, Lufta e Kosovës ishte vazhdimësi e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për lirinë e vendit, për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë shqiptarësh, prandaj janë përfshirë edhe figura të rëndësishme të viteve 1943-1945, pastaj të viteve: 1968, 1981, 1989 etj. Pra, nga Shaban Polluzha e Mulla Idriz Gjilani te Fazli Graiçevci, nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla me Kadri Zekën te Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e Ylfete Humolli etj. dhe kjo nuk mund të jetë vetëm rastësi?!

Fotografia e Afrim Mustafa

Enciklopedia e z. Afrim Mustafa- qasja dhe përpjekja më reale e një autori për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale…  

Por, siç e mban edhe titullin, enciklopedia i kushtohet Luftës së UÇK-së, në qendër të trajtimit janë: Adem, Shaban e Hamzë Jashari, Zahir Pajaziti, Agim Ramadanin e Salih Çekaj, Ilaz Kodra , Fehmi e Xhevë LLadrovci, vëllezërit: Gursel e Bajram Sylejmani etj; por edhe dr. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Anton Çetta, Latif Berisha, Bajram Kelmendi dhe personalitetet të tjera, të cilat bëhen pjesë e “Bardhësisë intelektuale!”.

Në enciklopedinë “Bardhësitë e Atdheut”, janë përfshirë edhe dëshmorë të veçantë, siç janë shqiptaro-amerikanët, përkatësisht, vëllezërit: Mehmet, Agron dhe Yll Bytyçi, si dhe disa dëshmorë nga shtetet e huaja: Algjeriani, Murad Muhamed Ali, francezi, Arnaud Pierre Paillard dhe italiani, Françesko Bider Biella. Libri enciklopedik “Bardhësitë e Atdheut”, me autor, Afrim Mustafa, përmbyllet me fotografitë dhe shënimet për 45 presidentët amerikanë, që nga Xhorxh Washington e deri te presidenti aktual, Donalt Trump.

Shikuar në përgjithësi, enciklopedia e Afrim Mustafës, është qasja dhe përpjekja më reale e një autori, për ta prezantuar luftën pa anime politike dhe pa ndikime rajonale. Kjo vepër e bën Afrim Mustafën gjurmues dhe hulumtues të zellshëm, kryesisht i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara. Ai, duke shfrytëzuar burime të shumta dhe të ndryshme e ka bërë faktin më të besueshëm, kurse qasjen e trajtimit, mjaft serioze.

Sigurisht, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e autorit në luftë ka ndikuar edhe në konceptin e Enciklopedisë, e cila si e tillë është libër mjaft i kompletuar. Këto gjurmime dhe hulumtime i bëjnë secilit nder, sepse mbledhja dhe publikimi i gjithë këtyre të dhënave brenda një libri, jo vetëm për dëshmorët e rënë për liri, por u ka bërë një nder të veçantë familjeve dhe familjarëve të tyre, duke i dhënë dimension më universal veprës “Bardhësitë e Atdheut”… Andaj,  do të ishte mirë, sikur institucionet e Kosovës ta ndihmojnë autorin, në mënyrë që enciklopedia edhe në aspektin teknik, të ketë parametra të lartë dhe libri, gjithsesi, të botohet me ngjyra… Në këtë mënyrë, rritet vlera artistike e veprës në njërën anë, kurse në anën tjetër tregohet edhe përkushtimi i shoqërisë për dëshmorët, sepse autori (edhe kështu siç është ky libër), e ka kryer misionin e tij në raport me ATA, që na sollën lirinë!

Autori, i pasionuar pas të vërtetës dhe realitetit që ka ndodhur në rrethana të caktuara…

Brenda, “Bardhësisë së Atdheut”, janë prezantuar dëshmi e fotografi për masakrat e terrorit serb, në fshatrat Reçak, Abri, Stagovë, Izbicë, Rakoc, Lybeniq, Suharekë, Kotlinë, Llashticë, si dhe në Sllupçan të Kumanovë, në maj të vitit 2001. Gjithsesi, libri enciklopedik, “Bardhësitë e Atdheut” i Afrim Mustafës, shtjellon fakte të shumta, pasqyron ngjarje dhe luftën e UÇK-së, të cilat edhe nëse i kemi dëgjuar, memoria e shoqërisë nuk i ka arritur t’i mbajë të gjitha në mend, andaj duke shfletuar këtë libër, i rikujtojmë ngjarjet e mëdha, e duke rikujtuar nuk i harrojmë ato sakrifica dhe ato flijime për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës…

Libri, “Bardhësitë e Atdheut”, i Afrim Mustafës, mund të trajtohet edhe në dimensione të tjera, sigurisht këtë do ta bëjnë specializantë dhe kompetentë në fusha përkatëse. Por, Afrim Mustafa dhe shoqëria jonë  kanë sfida të madha para vetës, për të vazhduar mbledhjen dhe sistemimin, pse jo edhe publikimin e atyre të dhënave, që nuk janë prezantuar këtu dhe në botime të tjera të autorit, si dhe nëpër librat e kësaj natyre me autorë të  tjerë. Këtë obligim karshi autorit, e kanë të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët dinë dhe kanë fakte të reja, duhet t’ia afrojnë autorit për t’i radhitur e sistemuar. 

Mendoj se, po me këtë përkushtim ndaj luftës dhe të rënëve, duhet të paraqiten edhe përpunues teknikë të fotografive, në mënyrë që fytyra e luftëtarit dhe e dëshmorit të duket pasqyrë e tashmes dhe e lirisë së Kosovës, tamam ashtu siç ishte e pastër Lufta e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Autori, Afrim Mustafa, e ka përmbushur misionin e tij prej luftëtari, i cili në Lirinë e Kosovës, historiografisë shqiptare ia dhuroi një vepër me përmasa të një enciklopedie nacionale!…

St. Gallen, 17 Dhjetor, 2018

Fotografia e Afrim Mustafa

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT