• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KIM JONG – UN, DHJETË VITE PËRBETIMESH E HAKMARRJESH NË TIMONIN E KORESË SË VERIUT

December 14, 2021 by s p

Nga GUIDO SANTEVECCHI

“I madhërishmi shok Kim Jong – un ka zbritur nga qielli, i ngjizur nga i shenjti Mal Paektu”. E paraqiti kështu më 20 dhjetor 2011 Rodong Sinmun, megafoni i regjimit të Phenianit. Ishin ditë lajmërimesh tronditëse për popullin  koreanoverior dhe inteligjencën botërore. Më 19 dhjetor një spikere e ngashëryer e televizionit shtetëror kishte dhënë lajmin se Udhëheqësi i Dashur Kim Jong-il kishte pushuar së marri frymë dy ditë më parë, më 17 dhjetor, nga një pushim zemre, ndërsa ishte në udhëtim mbi trenin e tij të blinduar. U njoftua se i biri Kim Jong-un kishte marrë fuqitë e plota si “Pasuesi i Madh”. 

Mbasi vdiq Kimi II kishte hipur në fronin e Republikës demokratike popullore të Koresë (emri zyrtar i Koresë së Veriut) Kim III, një njëzeteshtatëvjeçar i panjohur për publikun e gjërë. Shërbimet e fshehta, nga Seuli në Washington, në Tokio u befasuan, edhe se prej vitesh Kim Jong-il ishte dobësuar në mënyrë rrënqethëse dhe nuk lëviste më dorën e majtë, shenjë e një sërë sëmundjesh të rënda. Qe një dështim edhe fakti që u muar vesh kthesa nga televizioni koreanoverior me pesëdhjetë orë vonesë. Megjithatë, qindra analistë perëndimorë kalojnë ditët e tyre duke studjuar çdo imtësi sado të vogël që filtron nga Pheniani, pikërisht për të dhënë piskamën në rast paqëndrueshmërie, të një tronditje në udhëheqjen e një Vendi të rrezikshëm dhe t’armatosur me armë bërthamore.

Nuk qe ai i vetmi gabim i inteligjencës. Më 28 dhjetor të dhjetë viteve më parë, nën një shtrëngatë bore, në rrugët e Phenianit, kaloi një vargan i përmortshëm shumë i gjatë. Arkëmorti i Udhëheqësit të Dashur, i vënë mbi një shtrat lulesh të bardha, u trasportua në një limuzinë të zi, një Lincoln Continental të fabrikimit amerikan (i mbërritur kontrabandë), ndërmjet krahësh të turmave në lotë, në një heshtje të thyer vetëm nga britmat e dëshpërimit të qindra mijra vetëve. Në Korenë e Veriut, këto ceremoni shërbejnë për të zbërthyer marrëdhëniet e forcave, në bazë të rrjeshtimit të personazheve, të listës së autoriteteve të ftuar. Lincolni i këthyer në një karro funebre, ishte i shoqëruar në dy anët nga tetë burra në këmbë. Kim Jong-un dhe shtatë hierarkë, të vendosur në dy rradhë. Duke i vështruar me lente zmadhimi ato pamje, analistët dhanë gjykimin se të shtatë të “de profundis” të Kim Jong-il do të përbënin Këshillin e Kujdestarisë së “ të papërvojsit dhe të papregatiturit Kim III”. Kim Jong-un mbahej në pasqyrëzën që shihte mbrapa, ndoshta për të qënë simbolikisht në kontakt thuajse fizik me Udhëheqësin e Dashur  të vdekur, ndoshta për të mos rrëshqitur në dëborë.   

Mbas tij Jang Song-thaek, burri i hallës së Kimit dhe dy zyrtarë të lartë politikë, nga e majta e Lincolnit katër gjeneralë. Xhaxha Jangu ishte prej vitesh në krye të programit ekonomik, njeriu i riferimit për marrëdhëniet me Kinën e fuqishme, që shtynte për reformat e tregut. Thuhej se lartësia e hirtë Jang ishte zotuar për t’i siguruar një trashëgimi të qetë nipit, por u muar vesh më vonë se në të vërtetë ishte përbetuar, ndoshta me shokët kinezë, për të marrë kontrollin e për të përdorur Kimin si një kukull, si një bedel për t’i a paraqitur masave adhuruese koreanoveriore, të rritura në mitin e Dinastisë. Nga krahu tjetër i makinës katër ushtarakë: vargani i tyre udhëhiqej nga nënmarshalli Ri Yong-ho, komandanti i Ushtrisë popullore, që i u betua për besnikëri menjëherë udhëheqësit të ri: “Çdo element i ushtrisë do të jetë pushkë dhe bombë njerëzore për t’a mbrojtur” shkruajti e zakonëshmja Rodong Sinmun. Mbas gjashtë muajsh Ri u hoq nga komanda “për arsye shëndetësore” dhe që atëherë nuk është parë më.

E paparë dhe tronditëse dalja nga skena e kujdestarit tjetër të hamendësuar: xhaxhi Jangu u arrestua në fund të vitit 2013, gjatë një mbledhjeje të Byrosë Politike. Propaganda e regjimit tregoi pastaj çastin kur dy ushtarë e ngritën peshë dhe e tërhoqën rrëshqanthi drejt proçesit të menjëhershëm e pastaj drejt togës së pushkatimit. “Ka kryer veprime të mallkuara pabesie, ishte më keq se një qen”, komentoi Rodong Sinmun. Janë humbur gjurmët edhe të pesë të tjerëve të varganit mortor: Kim Ki-nam, shefi i propagandës, i zëvendësuar nga Kim yo-jong, motra e vogël e Kimit; i tretur në asgjë Kim Yong-chun, zëvëndës marëshall dhe ministër; i zëvendësuar Kim Jong-gak, gjeneral; i lënë mënjanë e ndoshta i spastruar U Dong-chuk, shefi i policisë së fshehtë; Choe Tae-bok, përgjegjësi i vjetër i çështjeve të jashtëme është nxjerrë në pension.

Nga ai grusht njerëzish në zi, i rishpagëzuar “vargani i të zhdukurve”ka mbetur vetëm Kim Jog-un, që tani mbush dhjetë vjet si Marshall i Respektuar dhe ka patur kënaqësinë të takonte tri herë presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. U tall me parashikimet e fatkeqësisë në 2020, kur nuk u duk për më shumë se një muaj dhe u dha për i vdekur. Për kronikë, në 52 ditët e fundme është shfqur vetëm një herë, por tani shërbimet e fshehta koreanojugore janë të bindur se është mirë dhe që dobësimi me 20 kg i ka bërë shumë mirë. Parashikim i gabuar dhe ai që e donte Kimin si reformist, mbi bazën e hapjes së tij botës së jashtëme: kishte studjuar (me emër të rremë) në një kolegj zviceran, thuhet se ka udhëtuar n’Evropë si i panjohur, ndoshta edhe në Milano ku dikush betohet se e ka parë në San Siro në një ndeshje të Interit.

Sigurisht është një tifoz i basketbollit, aq sa të ketë pritur shumë herë në Korenë e Veriut ish kampionin amerikan të Chicago Bulls Dennis Rodman, i quajtur “the worm” (krimbi). Diktatori nuk e ka lehtësuar shtrëngimin, nuk e ka hapur ekonominë, nuk ka reshtur së përsosuri raketat dhe armët bërthamore, vetëm ka luajtur duke marrë kohë me nisma diplomatike. Që nga 2020, nga Pheniani arrijnë vetëm komunikata zyrtare që kullojnë propagandë. Kanë ikur pothuaj të gjithë diplomatët e huaj, të sfilitur nga shtrëngesa e lëvizjeve, e rënduar nga frika e Covid-it (i cili zyrtarisht dhe mrekullisht në Korenë e Veriut nuk paskej arritur). Fotografitë e fundit satelitare tregojnë lëvizje të mëdha në kryeqytet. Nuk janë lajmëruar kremtime e festa publike për dhjetëvjetorin e Kimit. Por për “fundin e dhjetorit” është vënë në kalendar Plenumi i Partisë së punonjësve. A do të dalë ndonjë lajmërim befasues? Joe Biden është kthyer në të lashtin “durim strategjik”, në fakt Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të mos e përfillin Kimin dhe hedhjen e tij sporadike të raketave (nëntë në 2021). Presidenti jugokorean Moon Jae-in ëndërron të nënëshkruajë me Kimin një “Deklaratë paqeje” simbolike, për t’i dhënë fund Luftës së Koresë të viteve 1950 – 1953, ende të ngrirë në armëpushimin e Panmunzhonit. Moon ka shumë ngut, sepse në mars lë Shtëpinë Blu të Seulit dhe pasuesi mund të jetë shumë më pak i gatshëm të bisedojë me koreanoveriorët. Shtetet e Bashkuara heshtin, dyshojnë se një traktat paqeje ndërmjet dy Koreve do t’i jepte Kimit mundësinë të kërkonte tërheqjen e forcave amerikane që mbrojnë Jugun. Marshalli i Madhërishëm ka ende shumë zgjedhje për të befasuar analistët.

“Corriere della Sera”, 3 dhjetor 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Komente

Shqipëria e Kosova kanë partner dhe aleat strategjik e jetik SHBA-të

December 13, 2021 by s p

Nga Skënder Sadri KAPITI


A mundet ndonjë që ta mohojë këtë fakt. Prej 100 vitesh , kush e mbështeti ekzistencën e shtetit shqiptar të Shqipërisë, dhe kush e shpëtoi Shqipërinë londineze nga fshirja si shtet sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës në vitin 1915?Kush e ka mbështetur Shqipërinë në vendosjen e demokracisë, në antarësimin e saj në NATO. Shqipëria u antarësua në NATO vetëm se e mbështetën SHBA-të,pasi çfarë kushtesh plotësonte Shqipëria dhe ushtria shqiptare për t’u bërë pjesë e NATO-s, kur në ato vite Shqipërinë e destabilizonin dy apo tre banda.SHBA e antarësoi Shqipërinë në NATO për sigurinë shtetërore e territoriale të saj pasi Shqipëria kishte në atë kohë një ushtri të shpartalluar nga ngjarjet katastrofike të vitit 1997 kur ushtria e shteti u rrënuan për 24 orë. Shqipërinë e antarësuan SHBA në NATO në mënyrë që të mos përdorej ushtria për manipulim zgjedhjesh dhe as politikisht.Pavarësisht se SHBA nuk janë antarë të BE-së kush e mbështesin më shumë se sa ato Shqipërinë në rrugën e integrimit europian?!Kurrë nuk do të ishte bërë i mundur clirimi i Kosovës dhe formimi i shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës, pa ndërhyrjen dhe pa mbështetjen amerikane. A mendojnë për një çast se çfarë mund t’ë ndodhë sikur SHBA-të ta braktisin Shqipërinë, dhe për Kosovën nëse nuk janë SHBA-të aty dhe në mbrojtje të Kosovës, kush mund ta ndalojë Serbinë e Rusinë për ta destabilizuar Kosovën e ndoshta edhe ripushtimin e saj nga Serbia?! Pa SHBA-të shqiptarët do të ishin si jetim, sepse SHBA është dhe sillet si një vëlla. Për SHBA-të me rëndësi është Shqipëria, shteti dhe kombi shqiptar dhe jo individët e politikanët.Shteti amerikan ka parimet,ligjin,institucionet dhe drejtësinë mbi politikën dhe këtë model demokracie duhet ta marrë edhe Shqipëria,edhe Kosova. Politika dhe politikanët shqiptarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në deklarimet e tyre politike ndaj SHBA-ve,sepse pavarësisht se kush vjen në pushtet e zgjidhet President në SHBA , ato, SHBA-të dhe aleanca e mbështetja amerikane për shqiptarët mbetet gjithmonë e pandryshuar në ndihmë e përkrahje të kombit shqiptar.Se kush janë partnerë të SHBA-ve e tha në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri në vizitën e tij i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili dha mesazhe mjaft të rëndësishme:“Mesazhi që po jap është: i shohim partnerët tanë mes njerëzve që janë të përqendruar tek integrimi europian, partneriteti në NATO, dhe kundër korrupsionit. Me këta jemi në partneritet. Dhe meqë ra fjala, nuk janë të gjithë në sferën politike, ndaj, nëse nuk i gjejmë në sferën politike, do t’i gjejmë tek shoqëria civile, në grupet e të rinjve, në sektorin privat, kemi shumë partnerë këtu dhe do t’i bëjmë gjërat të ndodhin.” Dhe në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër po ua kujtoj të gjithë atyre që nuk e dinë, që e kanë harruar dhe atyre politikanëve e pushtetarëve që u intereson vetëm interesi i ngushte politik e personal, po ua sjellë në kujtesë këto mesazhe nga Fjalimi për Nder të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Hillary Clinton, Sekretare e Shtetit Amerikan ne Kuvendin e Shqiperise: “Njëqind vjet më parë si këtë muaj, Presidenti i SHBA Udrou Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi ndarjen e vendit tuaj gjatë pasojave të Luftës së Parë Botërore.Në dhjetëvjeçarët që pasuan, udhëheqësit amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, në mënyrë të përsëritur u ngritën për të mbështetur të drejtat dhe liritë tuaja, jo vetëm këtu në Shqipëri por anekënd rajonit.Si President, Presidenti Klinton themeloi një fond sipëmarrjeje për të sjellë investime amerikane në Shqipëri, për të mbështetur zgjedhjet demokratike këtu, dhe punoi me Shqipërinë dhe aleatët tanë në NATO për të mbrojtur Kosovën dhe për të rivendosur stabilitetin në rajon. Më pas, pesë vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush u bë presidenti i parë në detyrë që vizitonte Shqipërinë. Dhe, në vitin 2009, Presidenti Obama ishte krenar që ju mirëpriti juve, sëbashku me Kroacinë, si anëtarët tanë më të rinj në NATO.Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.

Filed Under: Komente

Një muze për pendesën dhe faljen

December 10, 2021 by s p

Agim Baçi/

“Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”, shkruante shkrimtari i famshëm Milan Kundera, teksa përshkruante atë shembje të shoqërisë në diktaturë, ku gjithçka njerëzore futej në një të tatëpjetë të pamundur për t’u ngritur nga asnjë Sizif. Por, kaq vite pas rënies së asaj diktature, ata të lindur në fund të viteve ’80 dhe ata pas vitit 1990, që fatmirësisht nuk e kanë jetuar atë tmerr, që nuk janë përballur me shkallët e errëta të asaj ligësie njerëzore, kanë merituar nga ne të paktën një muze – një muze që nis nga fjala që duhet ta thonim me zë të lartë për atë njerëzore të rrëzuar dhe rrënuar, një muze që duhet të niste nga rishkrimi i historisë, nga thënia e të vërtetave të dhimbshme për ata që u pushkatuan pa gjyq, që u internuan, që iu mor prona, që u poshtëruan dhe turpëruan vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e tmerrit, se nuk pranuan të ishin turma e tundjes së kokës për të aprovuar të keqen. E megjithatë, nuk është kurrë vonë të kërkojmë ndërtimin e muzeut të dhimbjes dhe të mos ngurrojmë të përfshijmë jo vetëm atë dhimbje që do të drithëronte edhe Danten teksa shkruante “Rrathët e Ferrit”, por edhe atë dhimbje për secilin nga ne, të paktën nga ne që ishim të rritur në atë kohë, që nuk këmbëngulëm që ajo e shkuar të shkruhej me të gjitha gërmat e errësirës, me të gjitha penelatat e tmerrit që prindërit apo gjyshërit tanë i bartën në kurrizet e përditshmërisë së tyre. Ky ngurrim i shoqërisë sonë ndaj zbardhjes së të shkuarës, shkaktoi atë që nuk ndodhi në ansjë vend tjetër që kaloi rregjime gjakatare si shoqëria shqiptare, ne përfunduam një shoqëri pa të penduar për krimet dhe terrorin. Duke mos pasur të penduar, u mohuam fuqinë dhe mirësinë e faljes atyre që, edhe kur panë persekutorët e tyre përballë, u treguan më fisnikë se sa ata, duke mos notuar në urrejtje, e aq më pak në hakmarrje. Shumë nga ata që mbijetuan në atë tmerr, zgjodhën të hakmerreshin duke jetuar, duke ndërtuar jetën, edhe pse në muret e përditshmërisë së tyre mungonte guximi ynë që t’ia zbardhnim si duhet të shkuarën dhe të dërgonim në dyert e pendesës ata që guxuan të ishin ideatorë apo gardianë të së keqes. Ky ishte mëkati ynë i dyfishtë, sepse mbetëm pa njerëz që të pranonin fajin e tyre. Kjo pafuqi e jona, ky dështim, bëri që një pjesë prej atyre që ishin kalorës të së keqes, të riktheheshin e të jepnin leksion për demokracinë, leksion për ta ardhmen. Poshtë xhaketave të fjalimeve të tyre dallohej ajo veshje e brendshme e ngjyrës së të shkuarës, që i mbartte fort nëpër trup, duke i rrethuar lëkurën, rrahjen e zemrës, e duke lënë nostalgjinë e së shkuarës së diktaturës të vallëzojë pa frikë përballë nesh.Duhet ta themi hapur: Moszbardhja e së djeshmes kriminale në diktaturë nuk është thjesht çështje historie. Ajo e shkuar, fatkeqësisht, ka vijuar të jetë dominuese në mjaft nga institucionet e arsimore-shkencore, në institucionet ligjvënëse, në institucionet ligjzbatuese, duke lejuar që të mbetet e fuqishme mes nesh ajo kulturë dhe ajo ideologji e asaj kohe, ku “njeriu i ri” mori gjithçka në dorë duke persekutuar, burgosur, vrarë e injoruar atë që dinte, atë që besonte në Zot, atë që kish njohur pronën dhe vlerat njerëzore. Media dhe studiuesit e rinj duhet medoemos të kontribuojnë në leximin e së shkuarës. Jo thjesht për të ndëshkuar ndokënd me burg, siç bënë ata dikur. Por për të kuptuar se si një e keqe ideologjike mund të shndërrojë njeriun në adhurues të krimit dhe të zhdukjes së njerëzores, edhe pse për jetën në diktaturë janë prej kohësh janë bërë publike qindra apo mijëra fakte persekutimi, dhunimi e zhdukjeje të atyre që guxuan të mos e pranojnë humbjen e qenies njerëzore.

Filed Under: Komente

Presidentja Osmani: Kosova beson në vlerat e OKB-së…

December 10, 2021 by s p

-Presidentja Osmani priti në takim ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ndihmës administratore e UNDP-së znj. Mirjana Spoljaric – Egger/

PRISHTINË, 10 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njëherësh ndihmës administratore e UNDP-së, znj. Mirjana Spoljaric – Egger, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen që kjo organizatë i ka dhënë Kosovës që nga vitit 1999.

Sipas Presidentes Osmani, me këtë mbështetje UNDP-ja ka kontribuar në rritjen e perspektivës së zhvillimit në vend dhe në këtë kontekst ka përmendur se pandemia ka goditur shumë biznese të udhëhequra nga gratë. Ajo ka theksuar nevojën e përfshirjes më të madhe të grave në tregun e punës për të realizuar potencialin e plotë për zhvillim ekonomik të një vendi. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova beson në vlerat e OKB-së dhe vizionin e saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Në takim me znj. Spoljaric- Egger, Presidentja Osmani ka theksuar se për një zhvillim të qëndrueshëm, duhet të investohet në kapitalin njerëzor. Sipas saj, objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përfaqësojnë një udhërrëfyes për një mirëqenie më të mirë. Të dy bashkëbisedueset kanë folur edhe për transformimin digjital, tranzicionin në energjinë e gjelbër dhe financimin inovativ. Ne këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi nevojën për financim të konsiderueshëm për të realizuar tranzicionin e drejtë energjetik në Kosovë, i cili ka në konsideratë shtimin e kapaciteteve prodhuese nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe koston e përballueshme të energjisë për qytetarët.

Filed Under: Komente

Presidentja Osmani: Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit

December 9, 2021 by s p

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot në Samitin për Demokraci organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden…/

PRISHTINË, 9 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po përfaqëson Kosovën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden. Samiti zhvillon punimet virtuelisht më 9-10 Dhjetor 2021, marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.DEKLARATË E PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, VJOSA OSMANI, NË SAMITIN PËR DEMOKRACI I nderuari President Biden,Të nderuar pjesëmarrës,Po ju drejtohem si Presidente e Republikës së Kosovës, një nga demokracitë më të reja por edhe më aktive në botë.Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci.Sot, Kosova vazhdon të përparojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me tranzicion paqësor të pushtetit, liri të pacenuar të mediave dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në kushtetutën tonë.Por, Demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar apo i kufizuar në kohë. Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës. Ne do të:1. Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm. 2. Forcojmë rolin e gruas në shoqërinë tonë duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore.3. Do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë.Ne nuk duhet ta marrim demokracinë si të mirëqenë dhe duhet ta mbrojmë pa u dorëzuar asnjëherë. Qoftë një vend i madh apo i vogël, ne të gjithë mund të bëjmë një ndryshim, veçanërisht nëse i bashkojmë forcat. Andaj, ne zotohemi së do të punojmë me ju të gjithë për t`i arritur objektivat tona, për t`i ndarë praktikat më të mira, për ta kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën.Në këtë frymë, unë do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022 që do të bashkojë liderë nga e gjithë bota.Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë.Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje!Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT