Nga Skënder Sadri KAPITI
A mundet ndonjë që ta mohojë këtë fakt. Prej 100 vitesh , kush e mbështeti ekzistencën e shtetit shqiptar të Shqipërisë, dhe kush e shpëtoi Shqipërinë londineze nga fshirja si shtet sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës në vitin 1915?Kush e ka mbështetur Shqipërinë në vendosjen e demokracisë, në antarësimin e saj në NATO. Shqipëria u antarësua në NATO vetëm se e mbështetën SHBA-të,pasi çfarë kushtesh plotësonte Shqipëria dhe ushtria shqiptare për t’u bërë pjesë e NATO-s, kur në ato vite Shqipërinë e destabilizonin dy apo tre banda.SHBA e antarësoi Shqipërinë në NATO për sigurinë shtetërore e territoriale të saj pasi Shqipëria kishte në atë kohë një ushtri të shpartalluar nga ngjarjet katastrofike të vitit 1997 kur ushtria e shteti u rrënuan për 24 orë. Shqipërinë e antarësuan SHBA në NATO në mënyrë që të mos përdorej ushtria për manipulim zgjedhjesh dhe as politikisht.Pavarësisht se SHBA nuk janë antarë të BE-së kush e mbështesin më shumë se sa ato Shqipërinë në rrugën e integrimit europian?!Kurrë nuk do të ishte bërë i mundur clirimi i Kosovës dhe formimi i shtetit të pavarur shqiptar të Kosovës, pa ndërhyrjen dhe pa mbështetjen amerikane. A mendojnë për një çast se çfarë mund t’ë ndodhë sikur SHBA-të ta braktisin Shqipërinë, dhe për Kosovën nëse nuk janë SHBA-të aty dhe në mbrojtje të Kosovës, kush mund ta ndalojë Serbinë e Rusinë për ta destabilizuar Kosovën e ndoshta edhe ripushtimin e saj nga Serbia?! Pa SHBA-të shqiptarët do të ishin si jetim, sepse SHBA është dhe sillet si një vëlla. Për SHBA-të me rëndësi është Shqipëria, shteti dhe kombi shqiptar dhe jo individët e politikanët.Shteti amerikan ka parimet,ligjin,institucionet dhe drejtësinë mbi politikën dhe këtë model demokracie duhet ta marrë edhe Shqipëria,edhe Kosova. Politika dhe politikanët shqiptarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm në deklarimet e tyre politike ndaj SHBA-ve,sepse pavarësisht se kush vjen në pushtet e zgjidhet President në SHBA , ato, SHBA-të dhe aleanca e mbështetja amerikane për shqiptarët mbetet gjithmonë e pandryshuar në ndihmë e përkrahje të kombit shqiptar.Se kush janë partnerë të SHBA-ve e tha në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri në vizitën e tij i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili dha mesazhe mjaft të rëndësishme:“Mesazhi që po jap është: i shohim partnerët tanë mes njerëzve që janë të përqendruar tek integrimi europian, partneriteti në NATO, dhe kundër korrupsionit. Me këta jemi në partneritet. Dhe meqë ra fjala, nuk janë të gjithë në sferën politike, ndaj, nëse nuk i gjejmë në sferën politike, do t’i gjejmë tek shoqëria civile, në grupet e të rinjve, në sektorin privat, kemi shumë partnerë këtu dhe do t’i bëjmë gjërat të ndodhin.” Dhe në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër po ua kujtoj të gjithë atyre që nuk e dinë, që e kanë harruar dhe atyre politikanëve e pushtetarëve që u intereson vetëm interesi i ngushte politik e personal, po ua sjellë në kujtesë këto mesazhe nga Fjalimi për Nder të 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Hillary Clinton, Sekretare e Shtetit Amerikan ne Kuvendin e Shqiperise: “Njëqind vjet më parë si këtë muaj, Presidenti i SHBA Udrou Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe ndaloi ndarjen e vendit tuaj gjatë pasojave të Luftës së Parë Botërore.Në dhjetëvjeçarët që pasuan, udhëheqësit amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, në mënyrë të përsëritur u ngritën për të mbështetur të drejtat dhe liritë tuaja, jo vetëm këtu në Shqipëri por anekënd rajonit.Si President, Presidenti Klinton themeloi një fond sipëmarrjeje për të sjellë investime amerikane në Shqipëri, për të mbështetur zgjedhjet demokratike këtu, dhe punoi me Shqipërinë dhe aleatët tanë në NATO për të mbrojtur Kosovën dhe për të rivendosur stabilitetin në rajon. Më pas, pesë vjet më parë, Presidenti Xhorxh Bush u bë presidenti i parë në detyrë që vizitonte Shqipërinë. Dhe, në vitin 2009, Presidenti Obama ishte krenar që ju mirëpriti juve, sëbashku me Kroacinë, si anëtarët tanë më të rinj në NATO.Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.