• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në përvjetorin e 35-të të Kushtetutës së Kaçanikut – Akti më demokratik në ish-federatën jugosllave

September 6, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Nga miratimi i Kushtetutës më 7 shtator 1990 deri te afirmimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës

Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990 përbën një prej akteve më të rëndësishme të konstitucionalizmit modern shqiptar dhe një moment kthese në historinë juridiko-politike të Kosovës. Ky akt ishte përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë kushtetuese të Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 dhe ndaj centralizimit autoritar të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Në thelb, Kushtetuta e Kaçanikut përfaqësonte një deklarim solemn të së drejtës për vetëvendosje, sovranitet dhe pavarësi shtetërore të shqiptarëve të Kosovës, duke u mbështetur në parimet universale të së drejtës ndërkombëtare publike – Kartën e Kombeve të Bashkuara (1945), Aktin Final të Helsinkit (1975),Dokumentin E Parisit 1990,për një Evropë të Re dhe të Bashkuar dhe jurisprudencën e hershme mbi parimin e effectivité në proceset e dekolonizimit.

Deklarimi i barazisë dhe sovranitetit

Kushtetuta e Kaçanikut e shpalli Kosovën njësi të barabartë federale brenda ish-Jugosllavisë, duke e pozicionuar si subjekt të së drejtës kushtetuese me elemente të shtetësisë së veçantë. Ky akt synonte të mbrojë identitetin politik dhe juridik të Kosovës nga shkrirja në strukturën unitariste të Serbisë, duke i dhënë një bazë legale aspiratave kombëtare për barazi dhe liri.

Në krahasim, aktet kushtetuese të republikave të tjera të federatës – si Deklarata e Pavarësisë së Kroacisë (1991) apo Kushtetuta e Sllovenisë (1991) – u trajtuan nga bashkësia ndërkombëtare si shprehje të së drejtës për vetëvendosje. Edhe pse Kushtetuta e Kaçanikut u injorua fillimisht, ajo përmbante të njëjtat elemente thelbësore që më vonë do të përbënin bazën e shtetësisë së Kosovës.

Heqja e autonomisë dhe represioni sistematik

Suprimimi i autonomisë me amendamentet kushtetuese të vitit 1989 shënoi fillimin e një politike represive të paprecedent ndaj shqiptarëve të Kosovës. Serbia, përmes më shumë se 50 ligjeve diskriminuese dhe mbi 500 akteve nënligjore:

-përjashtoi rreth 250.000 shqiptarë nga puna në sektorin publik,

-ushtroi kontroll të dhunshëm mbi arsimin, shkencën dhe kulturën,

/përdori arrestimet, torturat dhe ndalimet arbitrare si mekanizëm frikësimi.

Ky proces përbënte shkelje flagrante të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (1966) dhe të parimit të ndalimit të diskriminimit racor, duke i vendosur shqiptarët e Kosovës në pozitën e një populli të nënpushtuar brenda federatës.

Kushtetuta e Kaçanikut si akt mobilizues

Miratimi i Kushtetutës ishte akti që institucionalizoi rezistencën politike të shqiptarëve të Kosovës. Ajo:

-legjitimoi lëvizjen e rezistencës paqësore të viteve ’90,

-shërbeu si bazë për ndërtimin e institucioneve paralele të arsimit dhe shëndetësisë,

-krijoi kuadrin juridik mbi të cilin më vonë do të konsolidohej rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në aspektin teorik, Kushtetuta e Kaçanikut përfaqësonte konceptin e constitutionalism of resistance, të ngjashëm me përvojat historike të vendeve të Europës Lindore që sfiduan regjimet autoritare përmes akteve juridike legjitime.

 Kontributi i juristëve dhe elitës intelektuale

Kushtetuta u hartua nga një grup eminent juristësh dhe intelektualësh, ndër ta Akademik Gazmend Zajmi dhe Prof. Dr. Ismet Salihu, të cilët u kujdesën që teksti kushtetues të mishëronte:

-parimet e demokracisë kushtetuese,

-garantimin e të drejtave dhe lirive themelore,

-ndarjen e pushteteve dhe kontrollin reciprok,

-mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Ky proces dëshmon se Kushtetuta nuk ishte akt i improvizuar politik, por dokument i bazuar në doktrinat më të avancuara të së drejtës kushtetuese krahasuese, i krahasueshëm me përvojat e Lituanisë, Letonisë e Estonisë në periudhën e tranzicionit post-sovjetik.

Reagimet ndërkombëtare dhe mosnjohja formale

Bashkësia ndërkombëtare, në fillim të viteve ’90, nuk e njohu Kushtetutën e Kaçanikut për shkak të ruajtjes së status quo-së territoriale të Jugosllavisë. Megjithatë, ajo:

-nxiti rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar mbi represionin serb,

-shërbeu si bazë për mbi 50 rezoluta të Parlamentit Evropian,

-ndikoi në miratimin e katër rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ky dualitet – mosnjohje formale por pranim faktik të represionit – e vendosi çështjen e Kosovës në agjendën ndërkombëtare, duke e përgatitur terrenin për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

 Nga represioni te ndërhyrja humanitare

Pas Kushtetutës, Serbia intensifikoi dhunën, duke arrestuar delegatët dhe duke kriminalizuar strukturën institucionale të Kosovës. Kjo situatë përshkallëzoi konfliktin që kulmoi me luftën e viteve 1998–1999 dhe ndërhyrjen humanitare të NATO-s, të mbështetur në Kapitullin VII të Kartës së OKB-së dhe në doktrinën e Responsibility to Protect (R2P).

Kështu, rruga e nisur me Kushtetutën e Kaçanikut përfundoi me krijimin e një realiteti të ri juridiko-politik – administrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe më vonë shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. 

 Dimensioni juridiko-historik

Kushtetuta e Kaçanikut përfaqësonte një akt të konstitucionalizmit të rezistencës, ku populli shqiptar u përpoq fillimisht të përdorë mjete paqësore dhe juridike përpara se të detyrohej në rezistencë të armatosur. Ajo mbetet shembull i rrallë i kombinimit të legjitimitetit popullor me legalitetin kushtetues, i krahasueshëm me rastet e Çekosllovakisë gjatë Pranverës së Pragës apo të Polonisë me lëvizjen “Solidarnost”.

Mesazh për të ardhmen

Në 35-vjetorin e saj, Kushtetuta e Kaçanikut duhet të lexohet si testament politik dhe si dokument themeltar i shtetësisë së Kosovës. Për të avancuar më tej afirmimin ndërkombëtar, është e domosdoshme që:

-Qeveria e Kosovës të zhvillojë diplomaci proaktive,

-të angazhojë kapacitetet akademike dhe institucionale të ASHAK-ut dhe juristëve eminentë,

-të forcojë partneritetin strategjik me SHBA dhe BE.

Vetëm përmes kohezionit kombëtar dhe strategjisë së integruar diplomatike e juridike, Kosova do të mund të sigurojë anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE, duke përmbyllur ciklin historik të nisur në Kaçanik.

Kushtetuta e Kaçanikut nuk ishte vetëm një akt juridik, por një testament historik i vendosmërisë së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ajo shënoi pikënisjen e procesit që përfundoi me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe që mbetet sot bosht i identitetit shtetëror dhe juridik të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente

SHQIPTARËT NË TURQI: 1877-1967, Preokupim dhe obligim i Institucioneve shqiptare  

September 2, 2025 by s p

FETI MEHDIU/

Prania e shqiptarëve në Anadoll-Turqi, zë fill nga gjysma e shekullit XV, kur Mehmet Fatihu NGADHNJIMTARI – ngadhënjeu kundër Bizanti dhe mori Stambollin, në të cilën fitore mori pjesë edhe një komandant shqiptar nga Kosova _ Zaganoz pasha. *) Nga  ajo kohë deri në vitin 1807, është faza e parë e pranisë së shqiptarët në Anadoll, dhe jo vetëm.*)  Gjatë asaj kohe kanë ushtruar funksione të rëndësishme dhe kanë themeluar institucione, kanë ndërtuar objekte e kanë themeluar qytete që i kemi edhe sot. Për atë periudhë dhe  motivet e praninë e tyre atje, nuk do të ndalemi më gjerësisht këtu.*)

Me vitin  1807 vazhdon faza e dytë e pranisë së shqiptarëve në Turqi, por këtu do të trajtohet vetëm periudha nga dhjetori i vitit 1877* deri në vitin 1918.*) kur shqiptarët në Turqi gjetën strehim, si POPULL I DËBUAR- I PËRZËNË nga vatrat e tyre stërgjyshore.*) 

U përqendrova në periudhën 1877-1917., sepse kjo periudhë ngërthen çështjen shqiptare nën sundimin e sulltanatit Osman. Pas vitit 1918, kjo çështje i përket Mbretërisë SKS, RSFJ dhe Republikës së Turqisë. Këtë periodizim e kushtëzojnë rrethana dhe motive të ndryshme pse shqiptarët sot janë në Turqi, disa milion. Dhe Kjo çështje nuk është trajtuar si e meriton.

Duke u mbështet në veprën RUMELI`DEN  TÜRK GÖÇLERI, të autorit turk në dy vëllime do të sjelli disa raporte telegrafike nga dhjetori i vitit 1877 kur fillon dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.

Telegramet në vazhdim janë këmbyer ndërmjet  Komandantit të Nishit, gjeneral-kolonel Halil Pashës,  guvernatorit të  Nishit Reshid Pashës dhe Komandantit të përgjithshëm të Rumelisë – Sulejman pashës.

Disa fragmente nga telegramet:

Nr. 113

Nish, 16 dhjetor, 1877.

“Ora tetë…Dje rreth njëqind shtëpi u zhvendosën drejt Leskovcit…….një pjesë e tyre u vendosën në dyqane e nëpër medrese… për shkak se nuk kishte mjaftueshëm shtëpi për strehim…”

Nr. 115

20 dhjetor, 1877,  “ me mjetet që kishin në dispozicion, me tërë pasurinë …  janë shpërndar,  kanë ikur të hutuar, pa e ditur se çfarë të bëjnë…..rrugët për Prokuple dhe Leskovc janë bllokuar, prandaj qerret që ishin nisur sot, janë kthyer prap.”;

Nr, 116

22 dhjetor, 1877,  “… është urdhëruar që popullsia islame e Nishit të largohet prej këtu…  popullsia myslimane hezitojnë të shpërngulen dhe në një telegram të ardhur në emër të popullsisë së Nishit, ankohen për gjendjen e zyrtarëve dhe njerëzve me ndikim…”

Nr. 117

22, dhjetor, 1877 ,, Disa fshatra të vilajetit të Kosovës janë zaptuar nga serbët,  administrata e Leskovcit ka kaluar në Vranjë. Disa familje kanë ngarkuar qerret dhe kanë ikur… në Kumanova është përhapur  panik dhe ka filluar përgatitja për mbrojtje, por nuk ka armë dhe municion.” 

Kjo gjendje, që na rikujton vitet 1997-1999, kur dëboheshin shqiptarët nga Kosova, kërkon nga studiuesit e Historisë, filologjisë, diplomacisë, ekonomisë, etj., që zhvillimet e proceseve të tilla t`i emërtojnë me saktësi dhe qartësi duke bërë dallimin SHPËRNGULJE dhe  DËBIM.

Derisa nga shekulli XV deri në fund të shekullit XVIII, shqiptarët në Turqi mund të trajtohen si emigrant, muhaxhirë etj., nga fillimi i shekullit XIX, shqiptarët në Turqi kanë gjetë strehim si POPULL I DËBUAR, POPULL I PËRZËN nga vatrat e veta stërgjyshore me qëllim të realizimit të projektit:  “për shfarosjen dhe dëbimin e popullatës joserbe”*) 

Me këto veprime të dhunshme e mizore Serbija gjatë shekullit XIX, e katërfishoi territorin fizik.

Për këtë dhunë sistematike e reprezalje të intensitetit të lartë, kundër shqiptarëve, me qëllim të spastrimit të territoreve të marra nga sulltanati Osman, flasin burime të ndryshme historike në gjuhën turke, frenge e në gjuhën shqipe, të cilat kam pasë mundësi t`i shfrytëzoj për këtë kontribut modest.*) ( Shimshiri, Karpati, Gjidara, Uka, Gjoshi, Mehmeti, etj… ) 

Janë botuar libra të veçanta*) e studime sporadike*) në mbështetje të literaturës, apo dokumenteve arkivora të vjelura në arkiva,  të dorës dytë*), që gjithsesi vlejnë, por pjesa dërmuese FLASIN PËR SHPËRNGULJE, MIGRIME…zhvendosje-vendosje,  etj., të shqiptarëve në Turqi pa dallim, prej shekullit XV e deri  në shekullin XX.,  që si rezultat ka mohimin apo relativizmin  e DËBIMIT të shqiptarëve gjatë dy shekujve të kaluar. 

Tani më janë krijuar kushtet, si nga aspekti profesional ashtu edhe këndvështrimi material,  çështja e shqiptarëve në Turqi  të merret në shqyrtim duke shfrytëzuar dokumente të dorës parë që ruhen në Arkivat e Kryeministrisë në Stamboll e në Ankara dhe t`i afrohen opinionit shkencorë sipas standardeve më të reja e të besueshme, të pajisura me faksimile. Vetëm kështu mund të formohet një pasqyrë e qartë se PREJ CILIT VEND U DËBAN SHQIPTARËT  dhe NË CILIN VEND  janë strehuar dhe jetojnë sot në Turqi. 

Një pasqyrim të tillë sot kemi për TË DËBUARIT NGA NISHI 1877-1896,  e që KANË GJET STREHIM NË Tetovë, Gostivarë, Kërçovë e gjetiu. Numri i tyre dhe në cilat lagje të qytetit e në cilat fshatra u vendosën, si në  Shemshovë, Përshevc, Poroj, Xhepçishtë, Reçicë, Nepërshten, Sedllarcë, etj. 

Disa të dhëna statistikore sipas autorëve: Bilal Shimshir dhe Kemal Karpat, mund të ndihmojnë studiuesit e fushave përkatëse të thellojnë njohurit e tyre për këtë periudhë. 

Sipas autorit Bilal N.SHIMSHIR, në vitin 1877: 

Nishi kishte 283.000 bullgar*)  dhe  148.000 jo-bullgar*) = 430.900.

Shkupi kishte 99.850 bullgar dhe 206.850  jo bullgar = 306.790 

Manastiri kishte 167.350 bullgar dhe  297.550 jo bullgar = 454.900 

Sipas autorëve  KEMAL KARPAT dhe FIKRET KARÇIQ,  në vitin 1911: 

Kosova kishte 959.175 musliman *92.541 grekë*531.000 bulgarë*3287 hebrenj*16.493 të tjerë.

Manastiri kishte :181.980 musliman*149.785 grekë*199.938 bulgar*5.454 hebrenj*1715 të tjerë.

Sot më lehtë se kurrë më parë mund të shfrytëzohen arkivat valide të sulltanatit Osman që presin hulumtuesit shqiptarë në Stamboll, në Ankara e gjetiu.

Janë përpiluar dokumente, konventa, marrëveshje – madje edhe të panënshkruara – për të zbatuar DËBIMIN  e shqiptarëve dhe jo vetëm këta, nga  hapësira e Ballkanit. Të gjitha këto duhet rishqyrtuar dhe të vlerësohet validiteti i tyre nga këndvështrimi juridik, historik, diplomatik, politik, strategjik, ekonomik, etj. 

Këtu duhet vënë theksin ç`është  PREOKUPIMI DHE OBLIGIMI I INSTITUCIONEVE SHQIPTARE

1-Preokupimi i hulumtuesve… studiues të fushave të ndryshme t`i emërtojnë me emrin e vërtetë –  saktësisht dhe qëndrueshëm shkencërisht: Popullsia e dëbuar nga Sanxhaku  i Nishit a ishte turke dhe bullgare?, siç thuhet te autori Shimshir; u shpërngulën apo u dëbuan?; në Kosovë ishte luftë apo konfliktë? ; u vendosën në Turqi apo u strehuan në Turqi dhe ku janë sot? Çfarë ishte qëllimi i DËBIMIT TË SHQIPTARËVE NGA  TORJET STËRGJYSHORE dhe çfarë pasojash kishte për shqiptarët NË TURQI? Po ashtu të dallojë dhe të periodizojë format dhe metodat e DËBIMIT: Dëbimi me pushkë e zjarr dhe dëbimi me Pendë e projekte të ndryshme, si reforma agrare, aksioni i mbledhjes së “tepricës”, aksioni mbledhjes së armëve, etj.(1877-1917; 1918-1941; 1945-1966; 1990-1999).

 2 – Obligimi i qarqve shtetërore …të  vlerësojnë veprimet e tyre, të deritashme,  angazhimin konkret dhe të marrin masa që shqiptarët në Turqi të ndihen dhe të frymojnë si shqiptarë, të mbajnë lidhjen e gjuhës e të gjakut me  të parët e tyre, me vendin prej nga janë dëbuar. Të afrojnë mundësitë që shqiptarët që jetojnë në Turqi ta ndihmojnë vendlindjen e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre.

SEMINARI NDËRKOMBËTAR… është njëra nga format e realizimit të këtyre qëllimeve, që tani më është dëshmuar si institucion i cili e luan këtë rol me sukses.

Feti Mehdiu, Prishtinë,  044 897 439, fetimehdiu44@gmail.com

Prishtinë, 22. Gusht, 2025

Nga tryeza: Shqiptarët në Lindjen e Mesme – Seminari… 43, Prishtinë, 22 gusht, 2025

****

Filed Under: Komente

Gjykata e Kosovës në Hagë – pa Kosovën, pa simbolet e Kosovës

August 27, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë (të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale për Kosovën) përbën një nga fenomenet më paradoksale dhe më kontroverse të drejtësisë ndërkombëtare dhe tranzicionale. Juridikisht, kjo gjykatë është e Republikës së Kosovës, e ngritur mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2015 dhe e funksionalizuar me Ligjin nr. 05/L-053, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Por praktikisht, është një gjykatë e zhveshur nga shteti që e ka krijuar: pa Kosovën dhe pa simbolet e saj shtetërore.

Në sallat gjyqësore të saj në Hagë nuk shfaqet flamuri i Kosovës, stema e saj kushtetuese, apo shqiponja dykrenore në sfond të kuq, që mishëron identitetin kombëtar dhe sakrificat historike të popullit shqiptar. Në vend të tyre, qëndron vetëm një logo neutrale, e dizajnuar për të shmangur çdo lidhje simbolike me shtetin e Kosovës.

Kjo situatë prodhon një paradoks të pashembullt: një gjykatë që në emër është e Kosovës, që në teori funksionon si pjesë e sistemit të saj gjyqësor, por që në realitet operon si një mekanizëm ndërkombëtar, i shkëputur nga çdo element i sovranitetit kushtetues dhe simbolik të Republikës së Kosovës.

Aspekti juridik – një gjykatë e Kosovës me karakter ndërkombëtar të imponuar

Gjykata Speciale është juridikisht një gjykatë hibride, por me elemente të njëanshme ndërkombëtare.

-Baza kushtetuese dhe ligjore: Ajo është themeluar mbi bazën e nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit nr. 05/L-053. Këto dispozita e bëjnë Gjykatën formalisht pjesë të sistemit gjyqësor të Kosovës.

-Vendndodhja: Për arsye të supozuara të sigurisë dhe mbrojtjes së dëshmitarëve, vendndodhja u zhvendos në Hagë. Ky transferim, megjithatë, solli edhe një shkëputje institucionale dhe simbolike nga Kosova.

-Simbolet shtetërore: Meqenëse disa shtete, përfshirë Serbinë, kundërshtonin përdorimin e simboleve të Kosovës, gjykata u dizajnua si një strukturë neutrale, pa elemente që do ta lidhin vizualisht me Republikën e Kosovës.

Kështu kemi një dualitet juridik: de jure gjykatë e Kosovës, de facto një organ ndërkombëtar i importuar në Hagë.

Aspekti politik – imponimi i “neutralitetit” ndaj Kosovës

Heqja dorë nga simbolet shtetërore nuk ishte vendim juridik, por kompromis politik i imponuar:

-Serbia e kundërshtoi hapur që një gjykatë me simbolet e Kosovës të trajtonte krime të luftës, duke e interpretuar këtë si legjitimim të shtetit të Kosovës.

-Bashkimi Evropian, duke ndjekur politikën e “neutralitetit ndaj statusit të Kosovës”, insistoi që gjykata të jetë e zhveshur nga simbolet e saj shtetërore.

-Kosova, nën presion ndërkombëtar, pranoi këtë model, duke sakrifikuar elemente të sovranitetit në mënyrë që gjykata të funksionalizohej.

Ky kompromis i dhimbshëm prodhoi perceptimin e një shteti që pranon të mos shihet si i plotë dhe sovran në një nga institucionet që vetë e ka themeluar.

Aspekti krahasimor – gjykata hibride me dhe pa simbole

Në krahasim me raste të tjera:

-Sierra Leone (2002): Gjykata Speciale mbante flamurin e Sierra Leone-s krah atij të OKB-së.

-Kamboxhia (2006): Dhomat e Jashtëzakonshme zhvilloheshin me simbolet e shtetit kamboxhian.

-Timor-Leste (1999-2005): Gjykatat hibride kishin simbolet kombëtare të Timorit të pranishme.

-ICTY për ish-Jugosllavinë dhe ICTR për Ruandën: Nuk kishin simbole shtetërore, por vetëm ato të OKB-së – pasi ishin tribunale tërësisht ndërkombëtare, jo pjesë e ndonjë sistemi kombëtar.

Ndryshe nga të gjitha këto, rasti i Kosovës është unik: një gjykatë që është formalisht pjesë e një shteti, por që nuk mban asnjë element që e identifikon atë shtet.

Aspekti simbolik dhe diplomatik – drejtësi pa identitet

Mungesa e simboleve prodhon pasoja të rënda:

-Në Kosovë: krijon perceptimin se gjykata nuk është e saj, por një strukturë e huaj e imponuar.

-Në arenën ndërkombëtare: shfaq Kosovën si një shtet me subjektivitet të kufizuar, i paaftë të afirmojë simbolet e veta në një institucion juridik të vetin.

-Për viktimat dhe publikun: prodhon ndjesinë e një drejtësie “pa Kosovën”, që zhvillohet në emër të saj por jashtë identitetit të saj kombëtar.

Në këtë kuptim, gjykata është perceptuar si një “njollë mbi Kosovën”, sepse ndëshkon në emër të saj, por pa praninë e shtetit dhe pa dinjitetin e tij institucional.

Gjykata Speciale për Kosovën është një fenomen juridik i pa shembullt në historinë e drejtësisë hibride dhe ndërkombëtare:

-Është juridikisht pjesë e sistemit të Kosovës, por fizikisht e vendosur jashtë saj.

-Është themeluar nga Kosova, por pa simbolet e Kosovës.

-Është gjykatë e një shteti, por pa shpirtin institucional dhe identitetin simbolik të atij shteti.

Në përmbledhje:Është një gjykatë e Kosovës në Hagë – por pa Kosovën, pa simbolet e saj, pa dinjitetin e saj shtetëror.

Ky është një paradoks i pashembullt në botë, që tregon se sovraniteti i Kosovës ende perceptohet si i kufizuar dhe se është e domosdoshme një strategji e re diplomatike dhe juridike për ta afirmuar identitetin shtetëror dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në çdo forum të drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare.

Filed Under: Komente

NËNË TEREZA – NGA SHKUPI NË PËRJETËSI

August 26, 2025 by s p

Prof. dr. Skender ASANI/

Jemi mbledhur për të kujtuar dhe për të nderuar një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një nga krenaritë më të mëdha të kombit shqiptar Nënën Terezë, Gonxhe Bojaxhiun e Shkupit. E lindur në rrugicat e thjeshta të këtij qyteti, ajo u ngrit në lartësitë e shenjtërisë duke dëshmuar se dashuria, përulësia dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë forcat që e ndryshojnë botën.

Nënë Tereza nuk e zgjodhi rrugën e famës, por misionin e shenjtë. Ajo u bë Nënë për jetimët e Kalkutës, për të sëmurët, për të braktisurit, për të gjithë ata që bota i kishte harruar. Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Themelimi i Misionareve të Bamirësisë u shndërrua në një rrjet botëror shprese, ku çdo njeri pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit gjente dashuri dhe kujdes.

Por madhështia e saj nuk matet vetëm me veprat, por me dashurinë që ajo i vendosi në to. Ajo na mësoi se lumturia e vërtetë nuk qëndron tek ajo që marrim, por tek ajo që japim. Në çdo hap të saj, në çdo fjalë të butë e në çdo buzëqeshje të qetë, fshihej një mesazh i përjetshëm: “Duajeni njëri tjetrin ashtu siç unë ju desha ju.”

Tërmeti i vitit 1963 kishte rrënuar shtëpinë ku kishte lindur dhe ishte rritur Gonxhja. Por gjatë vizitës së saj në Shkup, në vitin 1980, kur u shpall qytetare nderi e kryeqytetit, me një akt simbolik dhe domethënës ajo mbolli një bredh për të shënjuar vendin e lindjes. Ky gjest nuk ishte vetëm rikthim i kujtesës historike për shtëpinë e saj, por edhe një përkujtesë për lagjen e katolikëve shqiptarë në sheshin e Shkupit. Më pas, autoritetet vendosën pranë bredhit një pllakë përkujtimore, duke e shënuar atë vend si pikën e nisjes së jetës së Gonxhe Bojaxhiut.

Në vitet ’90, me rënien e sistemit njëpartiak dhe hapjen e një epoke të re politike, ky vend mori një kuptim të dyfishtë: nga njëra anë u shndërrua në simbol të kujtesës së qëndrueshme për jetën e Nënë Terezës, ndërsa nga ana tjetër u bë edhe fushë beteje e narrativave që tentonin të deformonin identitetin e saj kombëtar. Pikërisht në këtë periudhë u intensifikuan përpjekjet për të fshirë gjurmët shqiptare të figurës së saj, por njëkohësisht u forcuan edhe iniciativat qytetare dhe institucionale për ta mbrojtur atë kujtesë.

Megjithatë, me lindjen e projekteve djallëzore që synonin të fshinin këtë kujtesë, ky vend hyri në shënjestër të mohimit. Falë rezistencës së shoqërisë së vetëdijshme për rëndësinë e tij, tashmë prej tri dekadash aty përkujtohet ditëlindja e saj me homazhe dhe manifestime të ndryshme kulturore ndër të cilat edhe ky promovim i tri librave që sot i kushtohen figurës së saj.

Tri botime të fundit kushtuar figurës së saj e sjellin këtë dritë nga kënde të ndryshme, por të ndërthurura në një të vetme. Libri im “Gonxhja e Shkupit në Kurorën e Botës” përpiqet të shpalosë figurën e Nënës si një simbol frymëzimi për identitetin tonë kombëtar, duke treguar se Shkupi, me rrënjë të lashta ilire dhe dardane, ka dhënë bijë që ndriçuan botën. Ndërkaq, libri “Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – nga misioni në shenjtëri” është një mozaik i rrëfimeve të gjalla, i dëshmive të Dom Lush Gjergjit, motrës Ivana dhe Nasta Mihillit, që na e sjellin Nënën jo si një figurë të mitizuar, por si një shenjtëreshë që qëndroi gjithmonë pranë më të varfërve.

Në këtë vijimësi përkujtimore vjen edhe libri i ri i Dom Lush Gjergjit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, i cili përmbledh urtësinë e saj shpirtërore dhe mesazhet e përjetshme që ajo la pas. Ky libër nuk është vetëm një fjalorth i thjeshtë porosish, por një udhërrëfyes i jetës së përditshme, ku dashuria, falja dhe përulësia shfaqen si themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më njerëzore. Në këto faqe gjejmë fjalët e saj të thjeshta, por të ngarkuara me peshë morale, që na kujtojnë se shenjtëria nuk është e largët, por mund të bëhet realitet në çdo zemër që guxon të dojë pa kufij. Ky botim është një thirrje e qartë që trashëgimia e Nënës të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të kthehet në përvojë të gjallë për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Këto tri botime nuk janë vetëm libra; ato janë gurë themeli të kujtesës sonë kombëtare dhe shpirtërore. Njëri na tregon se si Gonxhja e Shkupit u bë kurorë e njerëzimit, tjetri na kujton se ajo nuk ishte vetëm, por e rrethuar nga bashkudhëtarë që ndanë me të sakrificën, dhimbjen dhe shpresën, ndërsa i treti na e sjell zërin e saj të gjallë përmes porosive të përjetshme që mbeten udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme.

Në këtë ditë të shenjtë, ditëlindjen e saj, ne nuk përkujtojmë thjesht lindjen e një njeriu, por lindjen e një misioni. Një mision që e bëri dritë në errësirë, balsam për plagët e të harruarve, shpresë për një botë më të drejtë. Dhe ky mision vazhdon në çdo dorë që shërben, në çdo zemër që fal, në çdo shpirt që zgjedh dashurinë mbi urrejtjen.

E për ne shqiptarët, Nënë Tereza është një bekim dhe një përgjegjësi. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “bijë e popullit shqiptar”. Në këtë dhuratë hyjnore që Zoti i bëri kombit tonë fshihet një detyrë e madhe: të jemi bartës të dritës së saj, dëshmitarë të dashurisë që ajo shpërndau pa kufij.

Prandaj sot, duke nderuar Nënën Terezë, ne shpallim se drita e saj nuk ka perënduar. Ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga kombi ynë te mbarë njerëzimi. Ajo mbetet një fanar udhëzues për të sotmen dhe për të ardhmen, një thesar shpirtëror që nuk shuhet kurrë.

Filed Under: Komente

Liri për çlirimtarët, jo konfuzion!

August 25, 2025 by s p

Hisen Berisha/

(Lista e zezë e SHBA-së nuk lidhet me Dhomat Speciale të Kosovës në Hagë. Është ICC-ja në shënjestër, jo Dhomat Speciale)

Vendimi i administratës Trump për të futur në “listën e zezë” të sanksioneve amerikane gjyqtarë, prokurorë dhe vet institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Këto masa, të nënshkruara përmes një urdhri ekzekutiv, i bllokojnë pasuritë e zyrtarëve të ICC-së në SHBA dhe u ndalojnë atyre hyrjen në territorin amerikan. Kurse interpretimi i këtij vendimi dhe veprimeve juridike të mëhershme të administratës amerikane, nga të gjithë në Kosovë po krijojnë konfuzitet të padrejtë.

Sipas Uashingtonit, arsyetimi qëndron në faktin se ICC po heton krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të pretenduara ndaj shtetasve amerikanë dhe izraelitë, përfshirë hetimet që prekin Kryeministrin e Izraelit dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për veprimet në Gaza dhe territoret palestineze.

Por një pyetje që lind edhe në opinionin publik shqiptar është kjo: A janë përfshirë në këtë listë gjyqtarët dhe prokurorët e Dhomave të Specializuara për Kosovën, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës dhe që veprojnë në Hagë, apo ky vendim prek vetëm ICC-në?

Përgjigja është e qartë: sanksionet nuk kanë të bëjnë aspak me Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Administrata Trump ka targetuar ekskluzivisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila është një institucion ndërkombëtar i krijuar mbi bazën e Statutit të Romës, dhe që ka mandat global për të gjykuar krimet më të rënda ndërkombëtare – krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërsa Dhomat e Specializuara për Kosovën janë një mekanizëm i veçantë, i themeluar me ligj nga Kuvendi i Kosovës dhe i integruar në sistemin juridik të Kosovës.

Ato nuk janë pjesë e ICC-së, por funksionojnë si gjykatë hibride (kosovare me seli në Hagë) dhe merren vetëm me rastet që lidhen me pretendimet për “krime të kryera gjatë dhe pas luftës” së Kosovës.

Për këtë arsye, lista e zezë e SHBA-së nuk përfshin gjyqtarët, prokurorët dhe stafin e Dhomave të Specializuara për Kosovën, por vetëm zyrtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Ky dallim është thelbësor për të mos krijuar konfuzion në opinionin publik. Ndërsa, Trump sfidon hapur ICC-në dhe autoritetin e saj mbi shtetasit amerikanë dhe izraelitë, SHBA vazhdon të mbështesë Dhomat e Specializuara për Kosovën si pjesë e kornizës ligjore që “vetë Kosova ka themeluar”.

Koincidenca që disa gjyqtarë dhe prokurorë që kanë operuar ose ende operojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë qenë të angazhuar edhe në nisma penalizuese ndaj zyrtarëve amerikanë apo izraelitë, siç është rasti me z. Smith dhe z. Guillou, ka shkaktuar konfuzion në opinionin publik. Megjithatë, duhet bërë e qartë se sanksionimi në listën e zezë nuk lidhet me Dhomat Speciale, por me angazhimin e këtyre individëve në procesin juridik të ICC.

Një tjetër çështje që meriton vëmendje është thirrja për protestë në Hagë më 14 shtator 2025, me moton: “Liri për çlirimtarët!”. Kjo protestë duhet të shihet si pjesë e mobilizimit qytetar mbarëkombëtar për të kërkuar drejtësi të barabartë.

Sugjerimi im për të gjithë bashkëluftëtarët dhe qytetarët, si nga vendi ashtu edhe nga diaspora, është që protestat të organizohen gjithashtu edhe para dy institucioneve kyçe: Këshillit të Evropës dhe Kuvendit të Kosovës. Pse para këtyre institucioneve? Kuvendi i Kosovës është themeluesi i këtyre Dhomave Speciale. Kurse Këshilli i Evropës, sepse me ligjin për Dhomat Speciale, kompetencën për të konstatuar përfundimin e punës së këtyre dhomave e ka vetë Këshilli i Evropës.

Kërkesa kryesore ndaj tyre duhet të jetë e qartë: amendamentimi i ligjit për Dhomat Speciale, në pjesën që ka të bëjë me dëshmitë dhe provat e ofruara nga shërbimi sekret serb, prokuroria serbe dhe ajo ruse, si o ndërtuar baza ligjore e funksionimit të këtyre Dhomave.

Një tjetër hap konkret që duhet ndërmarrë është organizimi i një peticioni që mbështet lirimin e liderëve të UÇK. Meqenëse procesi gjyqësor është tashmë në fazën e ofrimit të dëshmive nga mbrojtja, ky peticion me nënshkrime do të shërbente si një akt solidariteti dhe mbështetjeje të drejtpërdrejtë ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 487
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT