• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH

April 15, 2026 by s p

Albert HABAZAJ/

Ylli Riza Meçaj me jetën dhe veprën e tij të veçantë në disa fusha të artit dhe kulturës ka qenë me kohë “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë” dhe një nga krenaritë e kulturës kombëtare, jo vetëm, nga motivacioni argumentues: “Artist unikal shumë planësh, me një përvojë të pasur skenike mbi 65 – vjeçare i cili ka dhënë një kontribut të shquar në disa fusha të artit, si në teatrin profesionist të Vlorës, në estradën e qytetit, si dhe në kryeqytet. Meçaj është ndër pionierët e parë të cirkut në Vlorë dhe ndër më të mirët në rang republike deri në hapësirat ndërkombëtare, madje pasionin për cirkun e mbolli edhe në zemrat e fëmijëve të tij. Ai ka dhënë ndihmesë të dukshme në zhonglim, akrobaci dhe ekuilibër. Si iluzionist Ylli është i veçantë dhe ka realizuar para publikut vlonjat edhe më gjerë numra ku shpërfaq jo vetëm mesazhe argëtimi e kënaqësie, por sidomos për të rritur ndjenjën e guximit, sfidave dhe atdhetarisë. Profili artistik i tij merr përmasa kombëtare në rolin shumë të vështirë të sozive, si të Gjergj Kastriot – Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës dhe sidomos të Ismail Qemalit, të cilat i realizon me një nivel të lartë arstistik, me një ndjenjë të zjarrtë atdhedashurie dhe shpirtplotë. Ai ka arritur të realizojë edhe figura botërore si Tolstoi, si dhe filmin “Nëntori i Tretë”, etj.

Ky Ylli më bën përshtypje…

Ylli Meçaj ka lindur më 05.05.1950 në Kepenek të Tropojës në një familje atdhetare, kulturore dhe artistike me origjinë nga Dushkaraku i Vlorës.

Më bën përshtypje, se ndryshe nga mjaft të tjerë, edhe pse ka një jetëshkrim dhe prejardhje shumë të pasur e të pastër, Yllit, si me darë, mezi ia nxjerr të dhënat e domosdoshme, jo thjesht për njohje të udhëtimit jetësor dhe personalitetit të tij.

Yllit udhën ia ndriçojnë yjet

Babai i tij, Rizai (1925-1990), nip i Zoto Mahmutit me histori nga Smokthina, ka qenë partizan i Brigadës V S dhe mbas çlirimit ka shërbyer si oficer kufiri me gradën kapiten i parë në mbarë kufirin shqiptar nga Tropoja, në Kukës, Dibër, Korçë e gjer në Vlorë.

Rizai ka ardhur në Vlorë në vitin 1941, ka punuar si yzmeqar në furrën e bukës me Stavro Milen. Qysh atëherë u lidh ngushtë me Lëvizjen, ishte idealist dhe njeri me parime të larta.

Nëna e Yllit quhej Nafie Agolli nga Progri dhe rridhte nga një familje e dëgjuar në qarkun e Korçës, të njohur si bektashinj bujarë dhe trima. Xhaxhai i saj, Shefqet Agolli ka qenë luftëtar me armë në dorë në çetat patriotike të Themistokli Germenjit dhe Spiro Bellkamenit për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga shovinistët grekë. Gjyshi i Yllit, babai i Nafies ka pasur mullirin më të madh të zonës, ku bluanin Progri, Hoçishti e Bulgareci. Studenti i Teknikes së Korçës, Demir Shefqet Progri ka qenë intendent, anëtar shtabi e komisar i çetës partizane “Morava”, të Devollit ku vetë Fuat Babani “Hero i Popullit” ishte komandant i kësaj çete dhe më 7 mars 1943 ranë për lirinë e Atdheut kundër fashistëve italianë. Dëshmorin Demir Progri nëna e Yllit e kishte kushëri të parë.

Babai i Yllit, Rizai, kur shërbente në Korçë u njoh dhe u martua me Nafien më 1948. Ai ishte tashmë oficer karriere, komandant kufiri në Bilisht. Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Bilishtit ishte Sadik Agolli, bashkëpunëtor e shok i Rizait, që u bë dhe kunati tij, sepse Sadiku na qenkej vëllai i Nafies së bukur, vajzë me çika e kapedane, vijuese e gjurmëve të të parëve të saj. Sidomos në provokacionet greke të gushtit, 1949 Sadiku me Rizain e forcuan më shumë miqësinë, sepse spikati dhe shpirti i zjarrtë atdhetar dhe devotshmëria heroike në mbrojtjen e kufirit të shenjtë të Shqipërisë mëmë.

Në Vlorë erdhi si komisar i burgut. Ishte korrekt në detyrë, shumë i përgjegjshëm, i devotshëm, por kuadër me logjikë e njihej si liberal demokrat i civilizuar. Në vitin 1958 e përjashtojnë nga partia me preteksin e zbutjes së “luftës së klasave”. Edhe pse nuk u kthye më në parti, ai deri sa rrojti qe një burrë autoritar dhe atdhetar.

Rizai ishte shahist i fortë dhe me orë të tëra ai lozte me Yllin. Artisti i ri e kishte jo vetëm baba, por e kishte dhe shok të mirë dhe këshilltarin më të besueshëm. Burrë gjykimi e thërrisnin në krahinë e në qytet. Ishte tifoz i çmendur i “Dinamos” dhe shkonte në stadium së bashku me të shoqen.

Pas heqjes së gradave në ushtri (1966), ai punoi si kryetar i shitblerjeve në ndërmarrjet e “Bashkimit”, (siç quheshin atëherë) dhe vetë i ngriti të gjitha qendrat e shitblerjes në qytet, në qendrat e populluara, në fshatra.

Babai i Yllit ishte kampion në leximet e librave. Në statistikën e bibliotekës së qytetit emri i tij ishte në krye të lexuesve të dalluar të librit…

Tetë fëmijë bënë Rizai me Nafien (4 vajza e 4 djem) dhe përkatësisht: Ylli, (më i madhi), Adelina, Maksimi (vd.), Zhdanov (vd.), Veronika, Alberti, Mimoza, Luiza, [të tetë gjyshër].

Dy fjalë për Yllin

Arsimin fillor e ka kryer në shkollën fillore nr. 3, që ishte shkollë muzike (tek ish-Ekstratanini). Shtatëvjeçaren e kreu në Shkollën nr. 4, që ishte shkollë modelore (sot, shkolla “4 Heronjtë” – shembull). Ka përfunduar shkollën e mesme ekonomike. Ylli thotë, se nuk kreu shkollë të lartë, se ka qenë në lëvizje, nuk ka qenë stabël në Vlorë

Është martuar në vitin 1975 në Vlorë me zonjën Resmie Myslym Malasi nga Ballshi, e cila ka kryer shkollën e mesme mjekësore dhe është ndihmës mjeke. Kanë 3 fëmijë, 2 djem e 1 vajzë, të tre mbaruar gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë, të tre sot banojnë jashtë shtetit dhe janë të martuar dhe kanë fëmijë të tre. Tranzicioni i bëri mërgimtarë nga dheu i babës e nënës, por kurrë nuk e harruan, se njeriu e marrka me vete vendlindjen, e ka në lëkurë, në gjak, në frymë. Sipas moshës, fëmijët e tyre janë: Rudina (dtl. 1976, bashkëshorti italian) dhe jetojnë në Çezena [Cesena] Itali, Floriani (dtl. 1980, bashkëshortja hungareze) dhe jetojnë në Budapest, Arbri (dtl. 1984, bashkëshortja malazeze nga Tivari) dhe jetojnë në Ravena, Itali.

Floriani, djali i madh ka bërë emër të shquar në Vjenë, duke vijuar rrugën e të atit për ta përsosur më tej. Qysh kur ishte 30 vjeç për shfaqjet spektakolare të tij kanë shkruar dhe revistat gjermane.

Fillimet dhe udha e Yllit tonë

Ishte vetëm 12 vjeç kur filoi me lëvizjen artistike të qytetit në vitin 1962 si aktor teatri, më i vogli i trupës. Ylli ishte fëmija i parë në qytetin e Vlorës që lozte me artistët e mirënjohur Nazmi Bunjaku, Albert Verria, Liza Laska, me Kristo Shkurtin, Vasil Beqarin, Luan Toton, Hito Xhyherin, Vangjel Panozaqin për të vënë në skenë me teatrin profesionist dramën “Në emër të lirisë” e Ali Abdihoxhës. Ylli ishte nxënësi, luante rolin e pionierit në atë dramë.

Në vitet 1962 -1969 ka qenë pjesëtar i jashtëm i Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, ku ka lozur si xhongler dhe njihet si ekuilibristi i parë në Estradën profesioniste. Në vitin 1969 e thërrasin ushtar dhe atashohet pranë Estradës së Ushtarit në Tiranë. Aktivizohet në krahë të Koԭo Devoles, Zef Dedës, Tonin Tërshanës, Sejfulla Miftarit (Cekja i Beratit), Robert Kamanit, Nikolin Gjergjit, Rudolf Çamukut etj. Gjatë viteve të ushtrisë (1969-’71), trajnohet edhe si pjestar i Cirkut të Shtetit, Tiranë dhe luan me Telat Agollin, Bujar Budinakun, Ymer Pampurin, Skënder Sallakun e Vitore Sallakun, artistët e parë të Cirkut të Tiranës.

Fill pas lirimit nga ushtria, dhjetor 1971 – janar 1972 fillon punë si xhongler, ekulibrist, iluzionist (3 profesione njëkohësisht, falë talentit të jashtëzakonshëm) në estradën Profesoniste të Vlorës me Gaq Vishin, Myqerrem Ferrën, Leka Krutën, Mishel Lakon, Evgjeni Shtrepin, Meliha Ferrën, Kleopatra Skarçon, me trion e famshme: Meliha Doda, Reshat Osmani dhe Kostandin Thana e drejtor teatri Xhevdet Mahilaj. Jo vetëm si komedian, por si një arstist i spikatur, i guximshëm, edukativ dhe frymëzues, emri i Ylli Meçajt po bëhej shumë i pëlqyeshëm dhe mjaft i dashur për qytetarët.

Vlen të përmendim se vëllai i Yllit – Zhdanovi dhe motra – Veronika kanë lozur krahas Shpëtim Deliajt, Zenel Ibros, Petraq Gegës, Agron Hamos, Afrim Agalliut etj., qysh në vitin 1971, kur u shfaq premiera e parë e cirkut në skenën e qytetit me titullin kuptimplotë “Edhe cirk do të ketë”. Ajo shfaqje u mirëprit, bëri jehonë dhe shkroi edhe shtypi i kohës. Ishte një arritje e madhe në jetën kulturore – artistike të qytetit. Në atë shfaqje të parë me udhëheqës artistik Ylli Meçajn dhe regjisor Myqerem Ferrën, u angazhuan rreth 15 djem e vajza të moshave të ndryshme, të cilët shpalosën guximin dhe talentin në atë sipërmarrje të rëndë për shpatullat e tyre të njoma. Numrat që spikatën në program ishin “Plastikë me rryl”, “Vallja e biçikletave”, “Ushtrime force në karrige”, “Ekuilibër në tel”, “Numra shpejtësie”, “Pantomima” etj.

Pa vonuar, trupa filloi të jepte shfaqje për të rritur dhe për fëmijë në të gjitha rastet dhe në të gjitha vendet e mundshme.

Deri më 1976 – ën e kështuuuu. Me vendimin për shkurtimin e “hallkave të tepërta”, erdhi dhe shkurtimi i papritur e i pamenduar. E hoqën Yllin dhe këtu fillon absurdi i shkrirjes së cirkut të mezingritur në qytetin bregdetar. Fyerje e talenteve, shpërfillje e vlerave të veçanta e përfaqësuese. Kaq e pati dhe i pari dhe i fundit cirk si art në Vlorë. Kujtojmë edhe nga libri i autorit Kujtim Dumi “Cirku shqiptar: 1933-2008”, se cirku i Vlorës, si zjarr arkobatik ishte ndezur dinjitoz krahas cirkut të Tiranës dhe atyre të rretheve, si cirkut të Gjirokastrës, të Elbasanit, Bulqizës, Patosit, Shkodrës, Korçës dhe Peshkopisë, aq sa i bukur e i magjishëm po aq dhe i mundimshëm e që kërkonte veç talentit, sakrifica të paimagjinueshme e të rrezikshme për jetën e artistit.

9 bërthama akrobatike ishin në Shqipëri: I pari në kryeqytet dhe 8 në qytetet e sipërpërmendura, midis tyre dhe Vlora jonë. Ylli artisti u detyrua t’i rikthehej profesionit për të cilin kishte mësuar në shkollë dhe kalon direkt në prodhim si ekonomist dhe shef transporti deri në vitin 1996. Njëzet vjet në Ndërmarrjen Komunale e Mirëmbajtjes së Banesave në Vlorë, ku drejtor ishte Vasillaq Stavro Ndini, vëllai i dëshmorit të parë të qytetit të Vlorës -Teli Ndinit. Me një bashkëpunim shembullor me drejtorin historik të kësaj ndërmarrjeje pararojë, me fisnikun Vaso, Ylli bëri një emër të mirë dhe u dallua në punë për ndërgjegje të lartë e shpirt novator, madje ai nuk e harroi “zanatin e shpirtit”, përkundrazi e gjallëroi shumë jetën kulturore të qytetit, duke u angazhuar krejt vullnetarisht si drejtue si veprimtarive kulturore – artistike – sportive. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe faktin se Ylli bënte kampionate shahu, futbolli, ngriti estradën amatore, teatrin e fitoi 3 flamuj nderi në ato ngjarje të rëndësishme sportive – kulturore.

Në vitin 1996 erdhi asistenca e famshme, po famëkeqe, që ia uli ekonominë familjes, por jo moralin, forcën dhe fuqinë Yllit, sepse ai hapi të parin kënd lojërash për fëmijë në Sheshin e Flamurit në Vlorë, i cili pati jetë aktive tepër të gjallë deri në viti 2002.

Në viti 2002, rikthehet në Pallatin e Kulturës (sot – Qendra Kulturore dhe e Artit) Vlorë, ku drejton si trajner cirkun e qytetit (për herë të tretë).

Gjatë aktivitetit të tij artistik mbi 65 vjeçar, si profesionist pranë tearit të Vlorës është vlerësuuar 3 herë me medalje ari, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medalje pune për shërbim të mirë të popullit. Është president i Klubit Magjik “David Copperfield”, anëtar i Klubit Magjik “Kristofer” në Athinë, anëtar i Klubit Magjik “International” në Padova të Italisë.

Ylli Meçaj disa herë ka qenë i ftuar nga Agron Llakaj në spektaklin e madh të “Portokallisë”. Ylli i Vlorës ka qenë mik dhe shumë dashamirës me Sokratin shqiptar tw “Apologjisë” së skenës botërore, të pavdekshmin Mirush Kabashi.

Nuk mund të harrohet kontributi i Yllit si udhëheqës artistik i Tetatrit të Kukullave të Vlorës në Festivalin Ndërkombëtar, Pogradec, 2007, ku u paraqit denjësisht me trupën dhe erdhi në Vlorë me trofe, si fitues i Medaljes së Festivalit. Qe një përgatitje serioze dhe e mundimshme për të dalë me sukses një teatër eksperimental i mirëfilltë, aplikuar për herë të parë në Shqipëri, me udhëheqës artistik, interpretim, skenografi, kompozim artistik Yllin e Vlorës. Qe spektakël unikal, jo me kukulla tradicionale, por, duke dalë nga tradita për më bukur, më mirë e më pëlqyeshëm, futën interpretimin e kukullave me fije, siç bëhej në teatrot europiane. Marionetat për herë të parë i ka futur Ylli. Artisti ynë është i kompletuar dhe njihet si ekscentrik, por në këtë rast e ndjeu se i pëlqeu vetja, po nuk iu rrit mendja për atë që kishte realizuar me aq mjeshtëri artistike. Patjetër, kur e pëlqejnë të tjerët është më i nderuar, shumë i nderuar.

Po ashtu, janë të shumta veprimtaritë në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, që nga Mitrovica në Llapush, që nga Prishtina në Drenas, që nga Boletini në Prekaz, që nga Prizreni në Shkup, ku shqiptarët ndiheshin krenarë me Ismail Qemal Bej Vlorën e Ylli Meçajt, se u dukej vërtet sikur takonin Babain e Kombit, Plakun e Bardhë të Flamurit Kuqezi. Po ashtu të shumta janë turnetë e Yllit nëpër vende të ndryshme të Evropës

Ai ka arritur shumë lartësi, por lartësinë artistike – kombëtare e kap me realizimin e figurave të mëdha historike të kombit shqiptar apo personaliteve të letërsisë botërore. Historia e filmit “Nëntori i Tretë” është një sagë më vete, epope, sikurse ngjarja. Ylli është Ismail Qemali… Unikal në rang Shqiptarie, por asnjë kafe nderimi nuk i dhanë për mundimin, djersën, shqetësimin, realizimin e figurave të mëdha, fuqinë e imazhin që përçon. Ai është ballëlartë, i qetë me shfrytëzimin e energjive dhe mundësive të tij në shërbim të kombit dhe kulturës shqiptare. Ylli Meçaj është krenar me prejardhjen e tij atdhetare dhe misionin e tij realizuar më së miri, si shkollë për të tjerët, sepse është zemra që rreh papushim për frymëmarrjen e gjimnastikës artistike. Ylli Meçaj është shpirtplotë tek “kafja e Nestorit” në Vlorë, ku gjen shoqërinë e dëlirë, që përditë rrallohet, mpaket, ikën…

Ylli Meçaj – emblemë krenarie

Duke pasur në vëmendje gjithë këto cilësi, aftësi, virtyte të Yllit dhe ndihmesën e ndjeshme për emrin e lartë të Vlorës në fushat ku artisti atdhetar ka shkëlqyer Ylli Meçaj është vlerësuar nga artdashësit shqiptarë dhe populli i Vlorës me titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”. Vetë populli e bëri këtë motivacion. Ne vetëm po e shkruajmë dhe po e përcjellim për tek lexuesi: “Artist unikal shumë planësh, me një përvojë të pasur skenike mbi 65 – vjeçare i cili ka dhënë një kontribut të shquar në disa fusha të artit, si në teatrin profesionist të Vlorës, në estradën e qytetit, si dhe në kryeqytet. Meçaj është ndër pionierët e parë të cirkut në Vlorë dhe ndër më të mirët në rang republike deri në hapësirat ndërkombëtare, madje pasionin për cirkun e mbolli edhe në zemrat e fëmijëve të tij. Ai ka dhënë ndihmesë të dukshme në zhonglim, akrobaci dhe ekuilibër. Si iluzionist, Ylli është i veçantë dhe ka realizuar para publikut vlonjat edhe më gjerë numra ku shpërfaq jo vetëm mesazhe argëtimi e kënaqësie, por sidomos për të rritur ndjenjën e guximit, sfidave dhe atdhetarisë. Profili artistik i tij merr përmasa kombëtare në rolin shumë të vështirë të sozive, si të Gjergj Kastriot – Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës dhe sidomos të Ismail Qemalit, të cilat i realizon me një nivel të lartë artistik, me një ndjenjë të zjarrtë atdhedashurie dhe shpirtplotë. Ai ka arritur të realizojë edhe figura botërore si Tolstoi, Heminguej e Viktor Hygo si dhe filmin “Nëntori i Tretë”.

Dhe përsëri ai nuk ulet, do ta vijojë udhëtimin artistik në këmbë, si burrë me dinjitet, si i ati dhe traditën familjare të artit e përcjell si stafetë e dritës së bardhë nëpërmjet Florianit si ekulibrist dhe zhongler i shkëlqyer, nëpërmjet Arbërit si prestidigjiator e zbutës profesionist nëpër skenat, cirqet e spektaklet italiane, austriake e mbarë globit, ku vlerësohet dhe nderohet arti i vërtetë, të cilin njerëzit e pëlqejnë aq shumë. Ëndrra e Yllit është të realizojë dhe Pashko Vasën. Dhe do ta arrijë synimin se është guximtar dhe i zoti

Filed Under: Komente

Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…

April 13, 2026 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Pak ditë më parë, pata kënaqësinë që të rikthehem në Palermo dhe Siçili. Në vende që nuk janë thjesht hapësira gjeografike, por pjesë e memories sonë kombëtare. Në qendrën historike të qytetit, vetëm pak hapa larg nga Quattro Canti — zemra baroke oktagonale e qytetit, e ndërtuar mes viteve 1608–1621 në kryqëzimin e Via Maqueda me Corso Vittorio Emanuele — gjendet Palermo Centrale Palace Hotel. Pikërisht aty ku bujti Ismail Qemali, mbajta në duar librin tim “Themeluesi” (“The Founder”) Ky moment më bëri të reflektoj thellë: sa e fortë ishte atëherë lidhja mes shqiptarëve, përtej kufijve, përtej vështirësive, përtej kohës.

Ismail Qemal Vlora udhëtoi i shoqëruar nga shumë karroca (araba) nga Palermo drejt Piana degli Albanesi. Një pritje që sot duket pothuajse epike, me flamuj kombëtar, këngë, thirrje “Rroftë Shqipëria!”. Aty ishte një popull që e ndiente kombin si fat të përbashkët.

Në maj të vitit 1903, Ismail Qemal Vlora u prit nga arbëreshët jo thjesht si një politikan, por si shpresa e gjallë e një kombi që ende nuk kishte shtetin e vet.

Pyetja që më lindi natyrshëm është, a e kemi sot ne atë nivel ndërgjegjeje kombëtare?

Sepse kombi nuk është vetëm histori. Kombi është projekt. Dhe çdo brez ka detyrën ta ringrejë atë me të njëjtin pasion, me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin vizion që patën ata që e nisën.

Kujtimet e arbëreshit Pietro Scaglione dhe ato të Ismail Qemal Vlorës, përshkruajnë një atmosferë të jashtëzakonshme. Një bashkim emocional mes shqiptarëve të atdheut dhe atyre të diasporës arbëreshe. Ishte një moment kur ideja e kombit tejkalonte kufijtë dhe u bë përvojë e përbashkët.

Sot, më shumë se një shekull më vonë, ajo ndjenjë mbetet po aq e fortë. Sepse historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur në të shkuarën. Historia është ajo që vazhdon të na formësojë.

Prandaj, ky udhëtim nuk ishte thjesht një rikthim në të shkuarën. Ishte një kujtesë se projekti kombëtar shqiptar ka qenë gjithmonë më i madh se kufijtë politikë, dhe se lidhja jonë me diasporën është një nga asetet më të çmuara që kemi.

Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të vegjël kur kanë qenë bashkë. Dhe nuk do të jenë kurrë, nëse do të dinë të mbeten të tillë.

Filed Under: Komente

ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

April 12, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Ndarja nga kjo jetë e kongresistit Eliot Engel ka rikthyer në vëmendje jo vetëm figurën e një miku të madh të shqiptarëve, por edhe bashkëpunimin e tij të vyer me përfaqësues të shquar të diasporës, mes tyre edhe aktivisti dhe biznismeni i dalluar shqiptaro-amerikan, Harry Bajrkatari. Ky bashkëpunim, i ndërtuar mbi përkushtim dhe vizion të përbashkët, ishte një shtyllë e rëndësishme në promovimin e çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishte një kohë kur politika amerikane dhe veprimtaria e diasporës shqiptaro-amerikane u bashkuan në një aleancë të fortë për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare, në përgjithsi. Bashkëpunimi mes Eliot Engel dhe veprimtarit të njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari përbën një kapitull të rëndësishëm në historinë e angazhimit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në një periudhë kur çështja e Kosova kërkonte mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, ky bashkëpunim u shndërrua në një urë lidhëse mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe vendim-marrësve politikë në amerikane niveleve më të larta të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara.

Harry Bajraktari, si një nga zërat më aktivë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe botues i gazetës “Illyria”, luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mobilizimin e komunitetit shqiptaro-amerikan. Përmes aktiviteteve të shumta, lobimit dhe informimit të vazhdueshëm, me shumë të tjerë aktivistë, ai ndihmoi që çështja shqiptare e sdiomos çeshtja e Kososvës, të fitonte vëmendjen e duhur në qarqet politike amerikane. Në këtë kontekst, Eliot Engel u bë një aleat i palëkundur. Ai dëgjonte dhe merrte seriozisht shqetësimet e komunitetit, duke i reflektuar ato në qëndrimet dhe iniciativat e tij prej ligjvensi në Kongres. Bashkëpunimi i tij me Bajraktarin dhe figura të tjera të diasporës ndikoi drejtpërdrejt në forcimin e mbështetjes amerikane për ndërhyrjen e NATO kundër regjimit terrorist sllavo-komunist të Slobodan Milosheviçit.

Ky partneritet nuk ishte vetëm politik, por edhe strategjik. Bajraktari dhe komuniteti që ai përfaqësonte ndihmonin në artikulimin e qartë të kërkesave dhe prioriteteve të shqiptarëve, ndërsa kongresiosti Engel i shndërronte ato në veprim konkret në arenën politike amerikane dhe më gjërë. Përmes takimeve, aktiviteteve dhe komunikimit të vazhdueshëm, të dy kontribuan në krijimin e një fryme bashkëpunimi që ndikoi në mënyrë të qëndrueshme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si asnjë hetë më par në histlorinë e marrëdhënieve midis dy kombeve tona. Ata dëshmuan se kur diaspora është e organizuar dhe e lidhur me përfaqësues të fuqishëm politikë, ajo mund të luajë një rol vendimtar në çështje ndërkombëtare.

Sot, bashkëpunimi i ngusht gjatë dekadave të kaluara mes Eliot Engel dhe Harry Bajraktarit mbetet një shembull i qartë i fuqisë së unitetit dhe i ndikimit që mund të ketë një komunitet i angazhuar në mbrojtjen e interesave kombëtare. Shpresojmë që trashëgimia e tyre vazhdojë të frymëzojë breza të rinj në diasporë për të ndjekur të njëjtin rrugëtim të përkushtimit dhe veprimit.

Ky bashkëpunim është një dëshmi e qartë se kur përfaqsues të politikës amerikane dhe përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen për një ideal të drejtë, ndikimi i tyre mund të jetë i jashtëzakonshëm. Trashëgimia e Engel dhe kontributi i Harry Bajraktarit mbeten një frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm edhe në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.

Filed Under: Komente

Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim

April 7, 2026 by s p

Përktheu Rafael Floqi/

Astronautët e misionit Artemis II tashmë kanë kaluar më shumë se gjysmën e rrugës drejt Hënës dhe kanë kapur pa mjet e para të anës së largët të saj.

Në një intervistë nga hapësira për NBC News, astronautja e NASA-s, Christina Koch, përshkroi momentin kur pa Hënën nga dritarja e kapsulës Orion dhe kuptoi se ajo dukej ndryshe nga ajo që ishte mësuar të shihte nga Toka.

“Pjesët më të errëta nuk janë tamam në vendin e duhur,” tha ajo. “Dhe diçka brenda teje e ndien që kjo nuk është Hëna që jam mësuar të shoh.”

Koch tregoi se ajo dhe kolegët e saj, astronautët e NASA-s Reid Wiseman dhe Victor Glover, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen, krahasuan pamjet që shihnin me materialet e tyre studimore për të kuptuar më mirë atë që po shihnin.

“Kjo është ana e errët. Është diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë,” tha Koch.

Wiseman, Koch, Glover dhe Hansen u nisën të mërkurën në një udhëtim 10-ditor rreth Hënës, duke u bërë njerëzit e parë që ndërmarrin një mision të tillë pas më shumë se 50 vitesh. Ata janë gjithashtu të parët që u nisën me raketën Space Launch System dhe kapsulën Orion të NASA-s. Që nga e enjtja në mbrëmje, ata janë zyrtarisht në rrugë drejt Hënës, pasi anija realizoi një ndezje të rëndësishme të motorit që e nxori kapsulën nga orbita e Tokës.

Wiseman e quajti fluturimin një “arritje madhështore” dhe tha se aftësia për të parë njëkohësisht Tokën dhe Hënën nga anija është “vërtet mahnitëse”.

“Toka është pothuajse në eklips të plotë. Hëna është pothuajse në dritë të plotë, dhe e vetmja mënyrë për ta parë këtë është të jesh në mes të këtyre dy trupave qiellorë,” tha ai.

Koch shtoi se, megjithëse astronautët janë të emocionuar, ata kanë mundur të pushojnë dhe të flenë rehat në kapsulën Orion, e cila ka një hapësirë të brendshme të krahasueshme me një furgon kampingu.

Gjumi është vetëm një nga aspektet njerëzore që i shoqëron gjatë udhëtimit në kozmos.

“Të jesh njeri këtu lart është një nga gjërat më të bukura të këtij misioni,” tha Koch. “Ne jemi thjesht njerëz që përpiqemi të përballojmë ditën. Mund të shohim anën e largët të Hënës dhe të admirojmë madhështinë e saj, pastaj të mendojmë: ‘Ndoshta duhet të ndërroj çorapet’.”

Katër astronautët patën kohë të premten dhe të shtunën të flisnin me familjet e tyre, gjë që Wiseman e cilësoi si një nga momentet më të bukura.

“Ishte surreal,” tha ai. “Për një moment u bashkova sërish me familjen time të vogël. Ishte momenti më i bukur i jetës sime.”

Që nga nisja, ekuipazhi ka qenë shumë i zënë. Në orët e para testuan sistemet e jetesës në kapsulë dhe zgjidhën disa probleme teknike, përfshirë defekte në email dhe në tualetin e anijes, por në përgjithësi fluturimi ka shkuar mirë.

Në orën 12:41 të mëngjesit të së hënës, astronautët pritet të hyjnë në zonën e ndikimit gravitacional të Hënës, ku tërheqja e saj bëhet më e fortë se ajo e Tokës.

Fluturimi pranë Hënës do të ndodhë më vonë atë ditë dhe do t’u japë mundësinë të shohin pjesë të sipërfaqes që nuk janë parë kurrë më parë nga njerëzit. Këto zona nuk janë të dukshme nga Toka sepse ajo anë e Hënës është gjithmonë e kthyer larg saj.

Gjatë këtij kalimi, kapsula Orion do të arrijë një distancë rekord prej 252,757 miljesh nga Toka, duke thyer rekordin e Apollo 13.

Astronautët do t’i afrohen deri në 4,600 milje sipërfaqes së Hënës dhe do të bëjnë vëzhgime të detajuara, duke fotografuar kratere, kreshta dhe rrjedha të lashta lave, të cilat mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë formimin e Hënës dhe të sistemit diellor.

Në fund të këtij vëzhgimi, ekuipazhi do të përjetojë një eklips diellor nga hapësira, kur Dielli do të fshihet pas Hënës për rreth një orë.

Pas kalimit pranë Hënës, astronautët do të nisin kthimin drejt Tokës, i cili do të zgjasë tre ditë. Ata pritet të rikthehen të premten me një ulje në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të San Diegos.

Hansen tha se fluturimi deri tani ka qenë emocional, plot gëzim dhe habi. “Që në fillim ndihesh i përulur,” tha ai. “Fakti që vetëm katër prej nesh jemi këtu të sjell në gjunjë.” Ai shtoi se fotografitë e dërguara në Tokë janë mbresëlënëse, por përvoja reale është edhe më e jashtëzakonshme. “E di që fotot janë të mrekullueshme,” tha ai, “por më besoni, ajo që shohim këtu është në një tjetër nivel mahnie.”

Filed Under: Komente

Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…

April 3, 2026 by s p

Prend Ndoja/

Ka pasë shkruar një mirditor i madh, me origjinë nga Domgjoni i Fanit, Poeti Kombëtar, At Gjergj Fishta:

Vërtet kemi Bajram e Pashkë,

Por Shqipninë e kemi bashkë.

Me këto vargje prifti patriot e poet dëshmonte jo vetëm përparësinë e atdheut mbi çdo gjë, por edhe bashkëjetesën e harmonishme midis besimeve fetare ndër shqiptarë. Një traditë të tillë kombëtare dhe fetare e vazhduan edhe shumë misionarë të tjerë të besimit katolik, ndër ta ishte edhe prifti, Dom Kelmend Spaqi, që sot është ndarë nga jeta. Dom Kelmendi ishte një misionar i devotshëm, me origjinë nga Spaçi i Mirditës, i cili e kryente me besim e përkushtim detyrën e tij, gjithnjë në shërbim të popullit dhe të ruajtjes së traditave më të mira të kombit dhe të kishës katolike. Edhe për këtë prift me ndjenja të thella atdhetare e humane, besimtarët myslimanë e katolikë ishin vëllezër, ishin përpara së gjithash shqiptarë.

Këtë e dëshmon edhe një episod që ai e ka treguar vetë e që e kanë dëshmuar sa e sa besimtarë të Gllogjanit e të fshatrave përreth. Dom Kelmendi tregonte: Ishte data 4 prill i vitit 1999, koha e luftës së fundit në Kosovë, kur serbët mundoheshin ta zhduknin e ta zhbënin racën arbërore. Paramilitarët kishin marrë 12 burra dhe i shtynin me pushkë që t’i çonin tek vendi i pushkatimit. Dom Kelmendi shkoi drejt tyre e u doli përpara. “Nuk e di se si e gjeta forcën e guximin, – tregonte ai, – dhe ia mora serbit automatikun duke i thënë: Ti s’ke zemër me i vra. Ose do më vrisni edhe mua, ose asnjë”. Ata e panë sa i vendosur ishte, i lanë 12 burrat të ktheheshin në kishë dhe i thanë priftit: Ti dhe besimtarët e tu rrini në kishë. Myslimanët na i jep ne, e dimë ne se çka bëjmë me ta.

Në kishë ishin strehuar qindra besimtarë myslimanë e katolikë, burra, gra, fëmijë, të plagosur e të lodhur nga lufta. Pranë tyre ishin motrat e nderit, që u shërbenin me përkushtim. Por përgjigjja e priftit qe e prerë: Kurrën e kurrës. Këtu nuk ka as katolikë e as myslimanë. Ka shqiptarë, të gjithë njerëz të pafajshëm. Pushkatomëni së pari mua e motrat shërbyese të Zotit. Vetëm pasi të kaloni mbi trupat tanë mund t’i prekni ata.

Por nuk është vetëm ky episod që tregon integritetin atdhetar e fetar të këtij misionari të shenjtë. Traditën shqiptare dhe dashurinë për vëllezërit myslimanë ai e kishte treguar edhe në një rast tjetër, në muajin e Ramazanit. Njerëzit, të lodhur e të çorientuar nga lufta, e kishin humbur orarin kur duhej të bënin faljen sipas ritit mysliman. Aq më tepër që afër fshatit Gllogjan nuk kishte xhami. Dom Kelmendi u interesua dhe siguroi oraret e sakta të faljeve. Dhe kur vinte ora e faljes së iftarit dhe syfyrit, ai i binte me përpikmëri këmbanës së kishës, duke i njoftuar besimtarët se tani ishte ora e saktë. Me këtë gjest, sa fetar aq njerëzor, ai u thoshte vëllezërve të besimit tjetër: “Nuk jeni vetëm”.

Mbrojtja që iu bënte Dom Kelmendi besimtarëve myslimanë dhe kundërshtimi që u bëri serbëve duke mos i lënë të hynin në kishë, i tërboi forcat serbe. Ata e dinin mirë se po të vrisnin priftin dhe motrat që shërbenin në kishë, do të bënin jehonë në opinionin ndërkombëtar, sidomos tek Amerika dhe NATO-ja. Ndaj u tërhoqën. E keqtrajtuan priftin, por ai u rezistoi, duke treguar që përpara popullit nuk i dhimbsej jeta e tij, se i bindej vetëm misionit të tij të shenjtë dhe ndërgjegjes së tij shqiptare.

Qëndrimi i tij stoik na kujton Dom Luigj Palajn dhe plot martirë të tjerë të kishës katolike, që nuk u trembën edhe kur jeta e tyre ishte në fije të perit.

Nesër mbrëma Dom Kelmend Spaqi do të bënte ritin e Udhës së Kryqit, udhës së kalvarit të Krishtit, që e çonin drejt kryqëzimit. Kurse të dielën do të festonte tok me besimtarët Pashkën e ringjalljes së Krishtit. Por zemra e tij pushoi dhe shpirti i tij mori udhën e amëshimit pikërisht në këto ditë festash për të mbetur gjithnjë i paharruar në kujtesën e besimtarëve të tij dhe të popullit shqiptar të zonës ku jetoi e shërbeu me devotshmëri e atdhetarizëm.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 504
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT