• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtesa antifashiste në një shkëmbim korespondence

May 8, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Në shfletimin e korespondencave të vjetra filatelike, akti i kërkimit shpesh është i qetë, pothuaj rutinor. Zarfe që pasojnë njëri-tjetrin, vula datare, emra dërguesish e marrësish, një rend i njohur për çdo koleksionist që është mësuar të lexojë objektin postar si dokument. Megjithatë, ka raste kur kjo vijimësi ndërpritet papritur. Një zarf i vetëm mjafton për të ndryshuar ritmin e leximit dhe për ta zhvendosur vëmendjen drejt interpretimit. Pikërisht në një moment të tillë, gjatë shqyrtimit të një korespondence familjare të ruajtur prej dekadash, u shfaq kjo gjetje, e cila, ndonëse modeste në pamje, rezulton e pasur në kuptimin qe ajo mbart.

Mes shumë zarfeve të zakonshëm në një shkëmbimi filatelik me Italinë, një zarf i Ditës së Parë (“Primo Giorno di Emissione”) i qarkulluar 61 vite me pare, tërheq vëmendjen jo aq për tipologjinënje e tij, por për mënyrën se si është ndërtuar nepermjet tij nje mesazh. Në një vështrim të parë, ai nuk ndryshon nga objekte të tjera të ngjashme, por në një lexim më të kujdesshëm, nis të zbulojë një shtresëzim kuptimesh që e tejkalon funksionin e tij si objekt koleksionimi. Korespondenca rezulton të jetë zhvilluar midis dy filatelistesh me përvoja jetësore nga lufta e dyte boterore. Ne nje ane një filatelist shqiptar, i cili kishte kaluar përmes internimit në kampet italiane gjatë vitit 1942-43, dhe ne anen tjeter derguesi zarfit një ish-ushtarak italian që, pas kapitullimit të Italisë fashiste, ishte bashkuar me formacionet partizane në Shqipëri. Në këtë kontekst, shkëmbimi i zarfeve tejkalohej si një praktikë rutine filatelike. Ai shndërrohet në një formë komunikimi të nënkuptuar, ku objekti postar bart një përmbajtje që nuk artikulohet domosdoshmerisht apo drejtpërdrejt me fjalë.

Zarfi italian me postim rekomande (i regjistruar), është konceptuar si një strukturë terheqese simbolike. Vula datare mban datën 24 prill, pikerisht nje dite para dates se 25 prillit, Dites se rezistences antifashiste te popullit italian.. Një zgjedhje e tillë, vështirë se mund të konsiderohet rastësore. Në praktikën filatelike, data nuk është vetëm një tregues kronologjik, ajo mund të funksionojë si element kuptimor, pjesë e një kalendari që riprodhon dhe përforcon kujtesën historike. Në këtë rast, data e vulës duket si një akt i vetëdijshëm vendosjeje në kohë, një mënyrë për të evokuar, pa e deklaruar, një përvjetor me peshë në ndërgjegjen kolektive italiane. Kuptimi i këtij akti bëhet edhe më i qartë kur vendoset në raport me kalendarin përkujtimor shqiptar. Vetëm pak ditë më vonë, më 5 maj, në Shqipëri përkujtohen dëshmorët e rënë në luftën antifashiste. Kështu keto dy data që i përkasin dy konteksteve kombëtare të ndryshme vendosen pranë njëra-tjetrës, duke krijuar një afërsi që nuk është thjesht kohore, por thelbësisht simbolike. Ky afrim nuk është rezultat i një marrëveshjeje të dukshme, por i një ndjeshmërie të përbashkët, që gjen shprehje përmes zgjedhjeve filatelike.

Edhe imazhi i pullave kontribuon në këtë ndërtim kuptimor. Secila prej tyre përfaqëson një fragment të narrativës së rezistencës italiane, por në tërësi ato krijojnë një reflektim që mund të lexohet përtej kufijve kombëtarë. Për filatelistin shqiptar të viteve ’60, këto figura dhe skena nuk ishin thjesht pjesë e një historie të huaj, ato rezononin me përvojën vendase të luftës antifashiste dhe sakrificës. Në këtë mënyrë, zarfi shndërrohet në një hapësirë takimi mes kujteses se dy popujve, duke i vendosur ato në një marrëdhënie dialogu dhe njohjeje reciproke. Kjo e zhvendos filatelinë nga statusi i saj tradicional si praktikë koleksionimi drejt një funksioni më të thellë komunikues. Në këtë rast, ajo vepron si një gjuhë e koduar, e aftë të përcjellë qëndrime dhe ndjeshmëri pa pasur nevojë për formulime të drejtpërdrejta. Dy miqte filateliste që jetojnë në sisteme të ndryshme politike, me narrativa të ndryshme, arrijnë të gjejnë një pikë takimi përmes një objekti të vogël postar. Përballë përvojës së përbashkët historike të antifashizmit, dallimet ideologjike zbehen, duke lënë vend për një kuptim të përbashkët human.

Natyrisht, në planin historik, këto dallime mbeten të rëndësishme. Italia e ndërton kujtesën e saj antifashiste si një proces reflektimi ndaj një të kaluare të brendshme, ndërsa Shqipëria e përjeton atë si një luftë çlirimtare kundër pushtimit. Por pikërisht fakti që këto dy perspektiva mund të bashkëjetojnë brenda të njëjtit akt komunikimi filatelik e bën këtë rast veçanërisht domethënës. Ai nuk i anulon dallimet, por i relativizon ato përballë një përvoje që perceptohet si e përbashkët. Si gjetje në një arkiv privat, kjo korespondencë nuk ofron vetëm të dhëna, por një mënyrë për të depërtuar në klimën shpirtërore të një kohe të caktuar. Ajo sugjeron se filatelia, përtej funksionit të saj koleksionist, ka mundur të shërbejë si një formë komunikimi e kujdesshme, por njëkohësisht e sinqertë. Në mungesë të deklarimeve të hapura, objektet postare merrnin mbi vete barrën e shprehjes. Në këtë kuptim, zarfi nuk është një objekt i zakonshem filatelik, por behet një dëshmi e një dialogu njerëzor që zhvillohet përtej kufijve shtetërorë dhe sistemeve politike. Përmes tij, bëhet e dukshme se si individë të ndryshëm, të formuar nga përvoja të ndryshme historike, kanë gjetur mënyra për të komunikuar dhe për t’u kuptuar. Dhe ndoshta kjo është vlera më e qëndrueshme e kësaj gjetjeje, fakti që tregon se edhe në forma të vogla, si një zarf i udhëtuar, mund të përfshihet një univers i tërë kuptimesh, ku filatelia shndërrohet në një mjet të kujtesës dhe të komunikimit njerëzor.

Filed Under: Komente

Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim

May 7, 2026 by s p

Ditëlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është një datë historike, një kujtesë e gjallë e lindjes së një epoke, e një fryme që i dha kuptim lirisë dhe shtetformimit të shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti është një figurë e papërsëritshme në historinë tonë kombëtare. Ai nuk ishte vetëm një prijës i madh ushtarak, por një vizionar që kuptoi se liria nuk fitohet pa unitet, pa sakrificë dhe pa besim në idealin kombëtar. Me të, shqiptarët nuk fituan vetëm beteja, lindën si vetëdije politike dhe si komb që kërkon të jetojë i lirë në trojet e veta.

Në një periudhë kur kontinenti përballej me përplasje të mëdha civilizimesh, qëndresa e Gjergj Kastriotit mori një dimension më të gjerë se ai atdhetar, duke u shndërruar në një mburojë afro 28 vjeçare, të vlerave dhe identitetit evropian. Lufta e tij nuk ishte vetëm për tokën, por për ruajtjen e një trashëgimie shpirtërore dhe kulturore që përcaktoi drejtimin e historisë në këtë pjesë të botës.

Përtej aftësive të tij ushtarake, Kastrioti dëshmoi edhe zgjuarsi të veçantë diplomatike i edukuar në Londër, duke ndërtuar ura komunikimi me fuqitë e kohës dhe duke e bërë çështjen shqiptare pjesë të vëmendjes ndërkombëtare. Ai përfaqëson modelin e udhëheqësit që e kupton rëndësinë e diplomacisë në shërbim të lirisë dhe të shtetit, duke vepruar me maturi dhe vizion në raport me aleatët dhe interesat strategjike.

Betejat e tij mbeten ndër më të lavdishmet në historinë evropiane. Ato nuk janë thjesht përballje ushtarake, por dëshmi e qëndresës, dinjitetit dhe refuzimit për t’u nënshtruar. Kjo frymë rezistence ka vazhduar ndër shekuj, duke u bartur brez pas brezi, deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare, ku u rikthye si amanet e motiv i pathyeshëm për liri.

Sot, në këtë përvjetor, mesazhi i tij mbetet më aktual se kurrë. Ashtu siç ai bashkoi princat shqiptarë përtej ndasive, edhe sot kërkohet bashkim rreth interesit kombëtar. Jo bashkim formal, por bashkim në vlera, në përgjegjësi dhe në vizion për të ardhmen.

Historia nuk e përsërit vetveten, por ajo na mëson. Dhe figura e Gjergj Kastriotit na kujton se pa unitet nuk ka forcë, pa drejtësi nuk ka shtet, dhe pa sakrificë nuk ka liri.

Heronjtë kanë vetëm ditëlindje.

Lavdi përherë veprës dhe trashëgimisë së tij.

Hisen Berisha

Filed Under: Komente

Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë

May 5, 2026 by s p

Mihal Ciko/

Ceremonia e hapjes së shkollës shqipe në komunën e Francavilla al Mare, Abruzzo, Itali.

Në ritmin e qetë të pranverës, kur natyra zgjohet dhe çdo gjë merr frymë me një jetë të re, në një cep të Italisë çeli një tjetër lule e bukur e identitetit shqiptar: një shkollë shqipe për fëmijët e diasporës. Kjo nismë nuk është thjesht një hapësirë mësimore, por një vatër e gjallë ku gjuha, kultura dhe traditat shqiptare marrin jetë në zemrat e brezit të ri.

Larg atdheut, në një realitet të ri kulturor e shoqëror, fëmijët shqiptarë rriten mes dy botësh. Ata janë si filiza të rinj që kërkojnë dritë dhe rrënjë njëkohësisht. Pikërisht këtu merr kuptim të thellë ekzistenca e shkollave shqipe në diasporë – si vende ku gjuha amtare nuk është vetëm mjet komunikimi, por një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, një thesar që ruan kujtesën dhe forcon identitetin.

Në klasat modeste, por të mbushura me dashuri dhe përkushtim, çdo shkronjë e mësuar është një hap drejt vetëdijes kombëtare. Çdo abetare e hapur është një dritare drejt historisë dhe kulturës shqiptare. Fëmijët mësojnë jo vetëm të lexojnë e të shkruajnë në shqip, por të ndiejnë, të kuptojnë dhe të mbajnë gjallë një pjesë të pandashme të qenies së tyre.

Këto shkolla janë shumë më tepër se institucione arsimore – ato janë një shtëpi e dytë për fëmijët dhe një pikë takimi për komunitetin. Ato krijojnë një hapësirë ku prindërit gjejnë mbështetje në përpjekjen për të ruajtur gjuhën dhe kulturën, ndërsa fëmijët ndërtojnë miqësi dhe identitet në një mjedis që i përket rrënjëve të tyre.

Në një kohë kur globalizimi shpesh sfidon ruajtjen e identitetit, iniciativa të tilla janë dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë dhe dashurisë për origjinën. Ato tregojnë se, pavarësisht distancës gjeografike, lidhja shpirtërore me atdheun mbetet e fortë dhe e pandërprerë.

Si lulet e pranverës që çelin çdo vit, edhe këta fëmijë do të rriten, do të përhapen nëpër botë dhe do të ndërtojnë jetët e tyre në shoqëri të ndryshme. Por falë këtyre përpjekjeve, ata do të mbajnë gjithmonë brenda vetes aromën e gjuhës shqipe, kujtimet e traditave dhe krenarinë e identitetit shqiptar.

Hapja e një shkolle shqipe në diasporë nuk është vetëm një ngjarje lokale – është një akt i rëndësishëm kulturor dhe kombëtar. Është një investim në të ardhmen, një premtim se rrënjët nuk do të thahen dhe se gjuha shqipe do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet e brezave që vijnë. Sepse aty ku mësohet gjuha amtare, aty jeton kombi.

Filed Under: Komente

NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË

May 1, 2026 by s p

Rezoluta amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO si instrument i rikonfigurimit strategjik të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare ekzistojnë akte politike që, ndonëse nuk prodhojnë menjëherë efekte juridikisht detyruese, kanë fuqinë të gjenerojnë pasoja strategjike afatgjata, të riformësojnë ekuilibrat diplomatikë dhe të hapin horizonte të reja në arkitekturën e sigurisë kolektive ndërkombëtare.

Në këtë kategori hyn edhe rezoluta e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e cila mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Në thelbin e saj politik dhe strategjik, kjo rezolutë nuk mund të lexohet thjesht si një akt formal parlamentar apo si një deklaratë simbolike politike. Ajo përfaqëson artikulimin e një orientimi të qartë strategjik amerikan për konsolidimin e Kosovës brenda arkitekturës perëndimore të sigurisë kolektive dhe për integrimin e saj gradual në sistemin euro-atlantik të mbrojtjes.

Në kontekstin e transformimeve të reja gjeopolitike në Evropë—veçanërisht pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe rikthimit të logjikës së balancës së fuqive në kontinent—kjo rezolutë fiton një peshë strategjike dukshëm më të madhe sesa dimensioni i saj procedural.

Kosova: nga objekt i sigurisë ndërkombëtare në subjekt aktiv të sigurisë kolektive

Që nga ndërhyrja ushtarake e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Milosheviqit, Kosova ka qenë pjesë e një hapësire të garantuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Për një periudhë të gjatë, Kosova është perceptuar kryesisht si përfituese e sigurisë dhe si territor nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Megjithatë, realiteti strategjik bashkëkohor ka ndryshuar rrënjësisht.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimi i kapaciteteve mbrojtëse, konsolidimi i rendit demokratik dhe orientimi i pakthyeshëm euro-atlantik e kanë zhvendosur Kosovën nga pozita e objektit të sigurisë në atë të një subjekti aktiv dhe kontribuues në sigurinë kolektive.

Ky transformim ka rëndësi thelbësore në filozofinë strategjike të NATO-s, sepse anëtarësimi në Aleancë nuk matet vetëm me fuqinë ushtarake, por mbi të gjitha me stabilitetin institucional, kontrollin civil demokratik mbi forcat e armatosura, kulturën kushtetuese dhe përputhshmërinë strategjike me vlerat e demokracive perëndimore. Në këtë aspekt, Kosova tashmë ka ndërtuar një bazë të rëndësishme të legjitimitetit strategjik.

Pengesa reale: jo kapaciteti, por arkitektura politike e njohjes

Megjithatë, pengesa themelore për integrimin e Kosovës në NATO nuk është e natyrës ushtarake apo operacionale; ajo mbetet thellësisht politike.

Sipas Traktatit themelues të NATO-s, çdo zgjerim i Aleancës kërkon konsensus unanim të të gjitha shteteve anëtare. Pikërisht këtu qëndron nyja kryesore diplomatike për Kosovën.

Mosnjohja e Kosovës nga Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia krijon një barrierë politike që nuk lidhet me standardet demokratike apo me kapacitetet institucionale të Kosovës, por me kalkulimet e brendshme politike dhe kushtetuese të këtyre shteteve. Kjo dëshmon një realitet thelbësor të sistemit ndërkombëtar: në praktikën diplomatike, legjitimiteti politik shpesh i paraprin legalitetit formal.

Precedentët historikë e mbështesin këtë tezë. Maqedonia e Veriut mbeti për vite të tëra jashtë NATO-s për shkak të kontestit identitar me Greqinë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila krijoi bazën politike dhe juridike për integrimin e saj. Ky rast dëshmon se pengesat politike mund të tejkalohen përmes diplomacisë së strukturuar dhe marrëveshjeve strategjike.

Rezoluta amerikane si arkitekturë e mesazheve strategjike

Në planin diplomatik dhe strategjik, kjo rezolutë artikulon tri mesazhe themelore.

Së pari, ndaj Kosovës:

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kosovën pjesë integrale të projektit strategjik perëndimor në Ballkan dhe të ardhmen e saj brenda arkitekturës euro-atlantike të sigurisë.

Së dyti, ndaj Serbisë:

Çdo përpjekje për zvarritjen artificiale të statusit të Kosovës apo për destabilizim rajonal bie ndesh drejtpërdrejt me interesat strategjike amerikane.

Së treti, ndaj aktorëve të tretë destabilizues, veçanërisht Federatës Ruse:

Ballkani Perëndimor mbetet pjesë e interesit strategjik të Perëndimit dhe nuk do të lejohet rikthimi i tij në zonë ndikimi gjeopolitik anti-perëndimor.

Kosova në NATO: jo vetëm interes kombëtar, por interes strategjik amerikan

Dimensioni më domethënës i kësaj rezolute qëndron në faktin se integrimi i Kosovës në NATO nuk paraqitet vetëm si realizim i aspiratës shtetërore të saj, por edhe si interes i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare amerikane.

Kur një çështje hyn në kategorinë e interesit strategjik amerikan, ajo kalon nga niveli i mbështetjes politike në nivelin e prioritetit strategjik. Historia e zgjerimit të NATO-s pas përfundimit të Luftës së Ftohtë e dëshmon qartë këtë logjikë. Integrimi i Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë nuk ishte vetëm zgjerim institucional, por konsolidim i vijës strategjike të sigurisë perëndimore në Evropën Qendrore. Në këtë kuadër, Kosova përfaqëson një hallkë të rëndësishme të stabilitetit rajonal dhe të arkitekturës së re të sigurisë në Ballkan.

Çfarë duhet të bëjë Kosova tani? Një strategji e re diplomatike

Kosova duhet ta kuptoj këtë rezolutë si kapital të ri diplomatik dhe si mundësi strategjike.

Së pari, duhet të ndërtojë një platformë të veçantë diplomatike të fokusuar ndaj katër shteteve mosnjohëse brenda NATO-s, përmes qasjeve të diferencuara dhe të personalizuara, duke marrë parasysh ndjeshmëritë e tyre të brendshme politike dhe kushtetuese.

Së dyti, duhet të përshpejtohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve doktrinare dhe operacionale të NATO-s.

Së treti, duhet të synohet integrimi gradual përmes mekanizmave paraprakë, si Partneriteti për Paqe (Partnership for Peace), si fazë tranzitore drejt anëtarësimit të plotë.

Së katërti, duhet të intensifikohet koordinimi strategjik me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe qendrat kryesore vendimmarrëse të Aleancës.

Diplomacia e momentit dhe arti i leximit të historisë

Në diplomaci, jo çdo rezolutë e ndryshon historinë; por ka rezoluta që e paralajmërojnë atë. Kjo rezolutë amerikane mund të jetë pikërisht njëra prej tyre. Ajo nuk e anëtarëson sot Kosovën në NATO, por e afron atë ndjeshëm me orbitën strategjike të Aleancës.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, afërsia strategjike pothuajse gjithmonë i paraprin integrimit formal. Kosova ndodhet sot përballë një dritareje të re historike dhe strategjike. Nëse vepron me maturi shtetërore, koherencë institucionale dhe mençuri diplomatike, kjo nismë amerikane mund të shënojë fillimin e një etape të re në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë në sistemin euro-atlantik të sigurisë.

Historia e shteteve ka dëshmuar se nuk ndërtohet vetëm mbi sakrificë, por mbi aleanca strategjike, vizion afatgjatë dhe aftësi për ta lexuar drejt momentin historik.

Filed Under: Komente

KUR PUSHTETI SFIDON KUSHTETUTËN: KRIZA E PERSONALIZIMIT TË SHTETIT

April 29, 2026 by s p

Supremacia kushtetuese si garanci kundër arbitraritetit politik dhe deformimit institucional.

Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Në teorinë bashkëkohore të së drejtës kushtetuese ekziston një aksiomë themelore: pushteti politik nuk është burim i së drejtës kushtetuese, por produkt i saj. Kushtetuta nuk lind nga pushteti; përkundrazi, pushteti lind nga Kushtetuta, legjitimohet përmes saj dhe kufizohet nga ajo.

Ky raport përbën themelin e demokracisë kushtetuese moderne dhe shpreh esencën e shtetit juridik: askush dhe asnjë institucion nuk qëndron mbi normën kushtetuese. Çdo tejkalim i këtij kufiri prodhon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe krizë legjitimiteti institucional.

Historia kushtetuese e shteteve demokratike ka dëshmuar se degradimi institucional fillon pikërisht aty ku pushteti tenton ta relativizojë Kushtetutën dhe ta interpretojë atë sipas nevojës politike të momentit.

Kushtetuta si mekanizëm kufizues i pushtetit

Funksioni themelor i Kushtetutës nuk është ta fuqizojë pushtetin, por ta kontrollojë atë.

Ky është dallimi esencial ndërmjet demokracisë kushtetuese dhe sundimit arbitrar. Në demokraci, shumica qeverisëse vepron brenda kufijve normativë të përcaktuar nga Kushtetuta; në sistemet e deformuara, shumica tenton ta vendosë veten mbi Kushtetutën.

Në momentin kur vullneti politik fillon të zëvendësojë procedurën kushtetuese, shteti hyn në një fazë të rrezikshme të deformimit institucional.

Pikërisht në këtë hapësirë lindin dy fenomene të rrezikshme për demokracinë: personalizimi i pushtetit dhe absolutizimi i lidershipit politik.

Personalizimi i pushtetit si deformim institucional

Një ndër format më problematike të devijimit kushtetues është përqendrimi i autoritetit institucional te individi.

Kur vendimmarrja fillon të buron nga vullneti personal dhe jo nga procedura institucionale, atëherë institucioni humb autonominë funksionale dhe shndërrohet në instrument të individit.

Ky fenomen është parë në shumë sisteme politike.Në France, periudhat e paqëndrueshmërisë institucionale para konsolidimit republikan treguan se stabiliteti shtetëror mund të ndërtohet vetëm mbi forcën e institucioneve dhe jo mbi dominimin e figurave politike.

Në Itali, përvoja e regjimit të Benito Mussolini dëshmoi se kur pushteti personal dominon mbi institucionin, Kushtetuta humb funksionin e saj garantues dhe shteti juridik shndërrohet në mekanizëm kontrolli autoritar.

Historia e ka provuar vazhdimisht: kur individi zë vendin e institucionit, demokracia humb substancën e saj.

Kulti politik i individit dhe rreziku për rendin kushtetues

Më i rrezikshëm se personalizimi i pushtetit është identifikimi i pushtetit me vetë individin.Në këtë fazë, lideri politik fillon të perceptohet — dhe shpesh ta perceptojë veten — si qendra e funksionimit të shtetit.Kjo prodhon një deformim të rëndë të vetëdijes kushtetuese: krijohet bindja se pa individin institucioni nuk funksionon.

Por demokracitë e konsoliduara e kanë refuzuar këtë logjikë.

Në United States, skandali historik Watergate scandal konfirmoi se as kreu i shtetit nuk qëndron mbi Kushtetutën. Dorëheqja e Richard Nixon mbetet precedent i fuqishëm i epërsisë së rendit kushtetues mbi pushtetin personal.

Në Germany, përvoja e regjimit të Adolf Hitler shërbeu si mësim historik për ndërtimin e një sistemi kushtetues me mekanizma të fortë mbrojtës ndaj kapjes së shtetit.

Gjykata kushtetuese si gardiane e rendit demokratik

Asnjë demokraci moderne nuk mund të mbijetojë pa mekanizëm kontrolli kushtetues.Vendimi historik Marbury v. Madison vendosi parimin universal të kontrollit kushtetues: çdo akt që bie ndesh me Kushtetutën është juridikisht i pavlefshëm.Ky parim mbetet sot themeli i të gjitha sistemeve kushtetuese demokratike.

Gjykatat kushtetuese nuk janë instrument politik; ato janë mekanizma juridikë mbrojtës të rendit kushtetues.Kur pushteti tenton të zgjerojë kompetencat përtej kufijve kushtetues, ndërhyrja e gjykatës kushtetuese bëhet domosdoshmëri sistemike.

Kosova përballë provës së maturisë kushtetuese

Në Kosovo, sfida më e madhe nuk është vetëm ndërtimi formal i institucioneve, por ndërtimi i kulturës kushtetuese.Shtetet e reja janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rrezikut të personalizimit të pushtetit, relativizimit të procedurave dhe instrumentalizimit të normës kushtetuese.

Roli i Constitutional Court of Kosovo është thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe për mbrojtjen e rendit juridik nga deformimet politike.

Në momentin kur procedura zëvendësohet me vullnet personal, kur afatet kushtetuese relativizohen dhe kur kompetencat interpretohen sipas interesit politik, fillon erozioni i rendit kushtetues.

Tri parime të panegociueshme të demokracisë kushtetuese

Demokracia kushtetuese qëndron mbi tri shtylla themelore:Parimi i legalitetit.Çdo veprim i pushtetit duhet të ketë bazë të qartë juridike.Parimi i institucionalitetit.Institucionet janë të përhershme; bartësit e tyre janë të përkohshëm.Parimi i kufizimit të pushtetitPushteti është legjitim vetëm brenda kufijve kushtetues.

Kushtetuta si vijë e kuqe e demokracisë

Kushtetuta mbetet kufiri juridik dhe politik i çdo pushteti demokratik.Ajo nuk është tekst simbolik dhe as instrument politik; ajo është garancia themelore kundër arbitraritetit, kundër përqendrimit të pakufizuar të pushtetit dhe kundër identifikimit të shtetit me individin.

Kur pushteti tenton ta relativizojë Kushtetutën, ai nuk sfidon vetëm një normë juridike — ai sfidon vetë rendin demokratik.Parimi mbetet universal dhe i pandryshueshëm:Institucioni është mbi individin.Shteti është mbi pushtetin personal.Kushtetuta është mbi të gjithë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 504
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT