• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA SHQIPE, STUDENTËT DHE KONFLIKTET E PËRÇARJET POLITIKE SHQIPTARE NË RAJON

May 20, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në një kohë kur në rajon po rikthehen narrativa të vjetra nacionaliste dhe memorandume që vënë në pikëpyetje identitetin, historinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e plotë dhe të barabartë të gjuhës shqipe në institucionet publike nuk janë thjesht kërkesa administrative. Ato përfaqësojnë një betejë më të thellë për dinjitet, barazi dhe njohje politike. Sot, në trojet shqiptare, ekziston një paradoks i madh historik: shqiptarët kanë më shumë shtete, institucione dhe përfaqësim politik se kurrë më parë, por njëkohësisht duken më të fragmentuar politikisht, më të përçarë se kurrë në vizion kombëtar dhe më të dobët në bashkrendim strategjik të interesave të përbashkëta afatgjata kombëtare.

35-vjet tranzicion “post-komunist”, Shqipëria e polarizuar dhe e konfliktuar, politikisht – për fat të keq të vetin dhe të tjerëve për rreth, vazhdon të jetë pa projekt dhe bashkrendim kombëtar. Në Tiranë, politika shqiptare vazhdon të mbetet e mbërthyer në një konflikt që duket i përhershëm, mes mazhorancës dhe opozitës, sidomos ndërmjet dy partive kryesore politike. Diskursi i përditshëm politik public, në media dhe në parliament, dominohet nga akuza për korrupsion, kontroll institucional, aautoritarizëm dhe luftë për pushtet, ndërsa çështjet kombëtare nuk trajtohen fare, ose trajtohen shpesh vetëm në nivel retorik, sa për sy e faqe. Klasa politike shqiptare, pavarësisht deklarimeve patriotike, me ndonjë rast kur i përshtatet interesave partiake, nuk ka arritur të ndërtojë një platformë të qëndrueshme kombëtare për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç ndonjë vizite “folklorike” sa për dukje, gjatë viteve nga kryeminstrat ose presidentët e Shqipërisë. Në vend që Tirana zyrtare të jetë një qendër koordinimi kulturor, arsimor dhe diplomatik për shqiptarët në rajon, ajo shpesh shfaqet e fokusuar vetëm në kapjen dhe ruajtjen e pushtetit dhe në krizën e saj të brendshme politike. Kjo dobësi pasqyrohet edhe në mungesën e reagimeve të forta institucionale ndaj sfidave me të cilat janë përballur e përballen çdo ditë e gjithnjë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës apo Mal të Zi.

Ndërkaq, ndonëse kujtimet e luftës dhe krimet e Serbisë në atë vend gjatë luftës së fundit, dhe megjith mbështjetje e fortë ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, Kosova vazhdon me një shtetësi të papërfunduar dhe me tensione të vazhdueshme politike edhe ata për pushtet e karrige – diçka që është shumë e vështirë të kuptohet, duke marrë parasyshë sakrificat nepërt të cilat ka kaluar ai popull. Por diçka që i bën sfidat e Prishtinës, edhe më komplekse. Kosova vazhdon të përballet me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar dhe me tensione të përhershme me Serbinë, që vështirson gjëndjen politike të konfliktuar të udhëheqjes shqiptare atje, (por nuk e justifikon). Këtë e provon edhe publikimi i ditëve të fundit i një memorandumi të studentëve serbë për Kosovën që tregon se ideologjia shoviniste e mospranimit të realitetit të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës vazhdon të ekzistojë në segmente të rëndësishme të shoqërisë serbe, madje e dhe në brezin e ri, siç përfqësohet në studentët serbë dhe memeorandumit e tzyre të fundit mbi Kosovën. Çfarë mesazhi dërgojnë studentët protestues në Serbi me “Memorandumin” për Kosovën? (Radio Evropa e Lirë).

Në këtë kontekst, kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup për përdorimin e gjuhës shqipe marrin një dimension edhe më të ndjeshëm dhe më urgjent sepse ato lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe me të drejtën për të ekzistuar si komunitet i barabartë. Megjithatë dhe për fat të keq, ashtu si në Tiranë, edhe politika shqiptare në Kosovë mbetet e polarizuar. Konflikti i vazhdueshëm mes pushtetit dhe opozitës, tensionet me aleatët ndërkombëtarë dhe mungesa e një konsensusi të gjerë strategjik, kontribojnë ndjeshëm në dobësimin e pozicionit mbarë-shqiptar në rajon në fillim të shekullit XXI, që dikur ishte deklaruar me pompozitet, si “shekulli i shqiptarëve”. Kosova shpesh është e detyruar të reagojë ndaj krizave ditore dhe akuzave absurde nga Beogradi, duke humbur mundësinë për të ndërtuar politika afatgjata kombëtare në bashkrendim me Tiranën ngurruese zyrtare dhe me shqiptarët në rajon.

Ja rasti konkret i kohëve të fundit. Në Shkup, çështja e gjuhës shqipe vazhdon të mbetet testi më i madh i barazisë ndëretnike në atë vend, por jo vetëm. Edhe pse shqiptarët janë popull shtetformues dhe Marrëveshja e Ohrit garantoi të drejta të rëndësishme pas konfliktit të vitit 2001, zbatimi praktik i barazisë vazhdon të hasë pengesa zyrtare të autoritetve, duke shkaktuar, me të drejtë, reagime dhe protesta e studentëve shqiptarë. Kërkesat e studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe — gjuhën e Nënës — nuk janë aspak radikale. Ato janë kërkesa minimale demokratike në një shtet multietnik, që pretendon të jetë demokratik, anëtar i NATO-s dhe me aspirata për antarësim në Bashkimin Evropian. Reagimet negative të autoriteteve zyrtare shtetërore të Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë, tregojnë se — ashtu si edhe në Serbi – edhe në Maqedonië e Veriut, ende ekzistojnë struktura politike dhe shoqërore me mendësi që e shohin gjuhën shqipe si kërcënim, e jo si pasuri të përbashkët shtetërore. E çfarë të themi për klasën politike shqiptare në atë vend!?

Pothuaj ashtu si në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut shpesh janë konsumuar nga rivalitetet për pushtet dhe pjesëmarrje në qeveri, duke humbur besueshmërinë tek një pjesë e madhe rinisë shqiptare. Me protestat e tyre, studentët shqiptarë atje po e artikulojnë gjithnjë e më shumë vetë dhe me mjete paqësore, frustrimin e tyre, jashtë kontrollit tradicional partiak.

Unë jam i mendimit se shpresa e Kombit shqiptar, mund të jetë dhe duhet të tjetë, rinia shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare, me një vizion të ri e të përbashkët për veprim në të ardhmen. Sepse është e qartë se – në mungesë të një strategjie të përbashkët — midis Tiranës, Prishtinës e Shkupit — një element i përbashkët i rinisë shqiptare në gjithë hapësirën shqiptare, është zhgënjimi i madh i rinisë ndaj elitave politike aktuale. Studentët shqiptarë sot nuk kërkojnë vetëm të drejta gjuhësore. Ata kërkojnë respekt, meritokraci, përfaqësim dinjitoz dhe një të ardhme që nuk i detyron ata të largohen nga trojet e të parëve të tyre. Kështuqë, një BRAVO e madhe rinisë shqiptare për aktivizimin e saj! Ndërkohë që politika shqiptare gjithandej vazhdon të mbetet e përçarë, rinia po artikulon nevojën për një vetëdije të re kombëtare, më moderne, më demokratike dhe më të koordinuar. Gjuha shqipe në këtë betejë nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është simbol i identitetit, kujtesës historike dhe i të drejtës për të qenë të barabartë në vendin dhe trollin e të stërgjyshërve.

Në përmbledhje të këytre mendimeve, dua të them se trojet shqiptare sot ndodhen përballë një sfide të dyfishtë: nga njëra anë presionet dhe narrativat nacionaliste serbo-maqedonase që rikthehen në rajon dhe nga ana tjetër, fragmentimi dhe konfliktet e vetë politikës shqiptare. Ashtuqë, uroj dhe shpresoj që nëse Tirana, Prishtina dhe Shkupi vazhdojnë të funksionojnë pa bashkrendim strategjik dhe pa një vizion të përbashkët kulturor e kombëtar, atëherë boshllëkun do ta mbushin krizat, konfliktet dhe frustrimi shoqëror. Ndonëse në një botë normale, do të dëshironim që studentët kudo, të ishin në klasat e mësimit dhe jo në protestat e rrugës, studentët shqiptarë po japin një sinjal të qartë se të drejtat kombëtare, identiteti, gjuha dhe dinjiteti nuk mund të mbeten peng i kalkulimeve të klasës politike aktuale shqiptare. Dhe ndoshta pikërisht nga kjo gjeneratë mund të lindë një qasje e re shqiptare — më e bashkuar, më e vetëdijshme dhe më larg konflikteve të vjetra e të reja partiake, siç po ndodhë me klasën aktuale politike shqiptare anë e mbanë trojeve.

“Një komb, një gjuhë, një flamur! Ka momente në historinë e një kombi kur heshtja bëhet padrejtësi. Sot, shqiptarët kudo që jetojnë — në trojet e tyre etnike apo në diasporë — kanë detyrimin moral dhe kombëtar të ngrihen në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët po kërkojnë asgjë më shumë, as më pak, se një të drejtë themelore njerëzore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare, e garantuar edhe nga konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.

Filed Under: Komente

Shqiptarët ndërmjet identitetit kombëtar dhe atij shtetëror: sfidat politike, juridike dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare

May 19, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Një analizë historike, juridike, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare

Identiteti kombëtar shqiptar përfaqëson një nga vazhdimësitë më të fuqishme historike, kulturore dhe shpirtërore në Gadishullin Ballkanik. Ai është produkt i një historie të gjatë rezistence, mbijetese dhe përpjekjeje për liri, shtetformim dhe afirmim ndërkombëtar. Pavarësisht pushtimeve të shumta, copëtimit territorial dhe ndarjeve politike të imponuara nga rrethanat historike dhe vendimet e fuqive të mëdha, kombi shqiptar arriti të ruajë unitetin e tij kulturor, gjuhësor dhe kombëtar.

Raporti ndërmjet identitetit kombëtar shqiptar dhe identiteteve shtetërore të Shqipërisë,Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkan paraqet një çështje me rëndësi të veçantë historike, juridike, politike dhe gjeostrategjike.

Kjo temë nuk duhet parë vetëm përmes emocioneve kombëtare, por edhe në prizmin e:së drejtës ndërkombëtare;të drejtave kolektive të popujve;proceseve historike;dhe arkitekturës moderne të sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

I. IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR – NJË VAZHDIMËSI HISTORIKE DHE CIVILIZUESE

Identiteti kombëtar shqiptar nuk është krijim artificial i periudhave moderne, por vazhdimësi historike që lidhet me:gjuhën shqipe;kulturën kombëtare;kujtesën historike;traditën shpirtërore;dhe vetëdijen kolektive për përkatësinë kombëtare.

Ky identitet ka mbijetuar përballë:pushtimeve osmane;politikave asimiluese;ndarjeve territoriale;dhe përpjekjeve sistematike për mohimin e ekzistencës shqiptare në Ballkan.

Vendimet e Congress of Berlin (Kongresit të Berlinit) dhe më vonë të Treaty of London (Traktatit të Londrës) prodhuan një nga padrejtësitë më të mëdha historike ndaj shqiptarëve, duke lënë jashtë shtetit shqiptar një pjesë të madhe të trojeve etnike shqiptare.

Megjithatë, as kufijtë politikë dhe as represionet shtetërore nuk arritën ta shuajnë vetëdijen kombëtare shqiptare.

II. SHQIPËRIA DHE KOSOVA – DY SHTETE TË TË NJËJTIT KOMBI

Shqipëria dhe Kosova përfaqësojnë sot dy realitete shtetërore të të njëjtit komb shqiptar.

Në aspektin juridik:ato janë dy shtete sovrane;me kushtetuta të ndara;institucione të pavarura;dhe subjektivitet ndërkombëtar të veçantë.Por në aspektin:historik;kulturor;gjuhësor;dhe kombëtar;ato i përkasin të njëjtës trungësi kombëtare shqiptare.

Kjo ndarje shtetërore nuk e zhbën identitetin e përbashkët kombëtar. Përkundrazi, ajo përfaqëson një realitet të ri politik në Ballkanin bashkëkohor.Kosova u ndërtua si shtet mbi:sakrificën për liri;luftën çlirimtare;ndërhyrjen humanitare të North Atlantic Treaty Organization (Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior – NATO);dhe mbështetjen e botës demokratike.

Ndërsa Shqipëria mbetet:shteti amë i shqiptarëve;simboli historik i pavarësisë kombëtare;dhe boshti tradicional i identitetit shtetëror shqiptar.

III. TROJET E TJERA SHQIPTARE – PJESË E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

Identiteti kombëtar shqiptar nuk kufizohet vetëm në territorin shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai shtrihet edhe në trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku shqiptarët jetojnë prej shekujsh si popull autokton.

Këtu përfshihen:shqiptarët në Maqedoninë e Veriut;shqiptarët në Mal të Zi;shqiptarët në Serbi (Luginën e Preshevës);si dhe diaspora shqiptare në Evropë, Amerikë dhe më gjerë.

IV. SFIDA E NARCIZOIZMIT POLITIK DHE ZBEHJA E IDENTITETIT SHTETËROR

Një ndër sfidat më serioze të kohës moderne për shqiptarët, e veçanërisht për Kosovën,është fenomeni i narcizoizmit politik dhe institucional, i cili në mënyrë të heshtur po e zbeh identitetin shtetëror në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Narcizoizmi politik nënkupton:dominimin e egos individuale mbi interesin shtetëror;personalizimin e institucioneve;kultivimin e protagonizmit politik;mungesën e kulturës institucionale;dhe tendencën që politika e jashtme të ndërtohet mbi emocione personale e jo mbi doktrinë shtetërore.

Ky fenomen bëhet veçanërisht i rrezikshëm për shtetet e reja dhe ende të pakonsoliduara plotësisht në arenën ndërkombëtare, siç është Kosova.

Kur identiteti shtetëror fillon të zëvendësohet nga:retorika populiste;konfliktet personale;polarizimi ekstrem politik;dhe diplomacia emocionale;atëherë dobësohet vetë serioziteti ndërkombëtar i shtetit.

Në rastin e Kosovës, narcizoizmi politik shpesh është manifestuar përmes:mungesës së unitetit institucional;konflikteve të vazhdueshme ndërmjet bartësve të institucioneve;përplasjes së egove politike;diplomacisë joprofesionale;dhe mungesës së konsensusit për interesat strategjike shtetërore.

Kjo ka prodhuar pasoja të dukshme në:zbehjen e imazhit ndërkombëtar;dobësimin e partneritetit me aleatët strategjikë;vonesat në integrimet euro-atlantike;dhe krijimin e perceptimit të një shteti me krizë të brendshme funksionale.

Shteti nuk mund të ndërtohet mbi narcizëm politik, sepse:shteti kërkon kulturë institucioni;durim strategjik;profesionalizëm diplomatik;dhe vetëpërmbajtje politike.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk respektohen emocionet politike të momentit, por:serioziteti institucional;stabiliteti demokratik;koherenca shtetërore;dhe besueshmëria strategjike.

V. KOSOVA DHE SFIDA E KONSOLIDIMIT NDËRKOMBËTAR

Kosova vazhdon të mbetet projekt i rëndësishëm gjeopolitik i botës demokratike perëndimore në Ballkan.

Megjithatë, konsolidimi i saj ndërkombëtar kërkon:unitet të brendshëm;kulturë shtetformuese;diplomaci profesionale;dhe shmangie të politikës së narcizoizmit.

Një shtet i ri nuk mund të forcojë identitetin e tij ndërkombëtar duke prodhuar vazhdimisht:tensione të brendshme;krizë institucionale;retorikë konfrontuese;dhe mungesë të koordinimit me aleatët strategjikë.Kosova ka nevojë për:elitë shtetformuese;diplomaci vizionare;dhe kulturë të përgjegjësisë kombëtare.

Sepse identiteti shtetëror nuk ndërtohet vetëm me simbole dhe deklarata politike, por mbi:funksionalitetin institucional;respektin ndërkombëtar;sundimin e ligjit;zhvillimin ekonomik;dhe partneritetin strategjik me botën demokratike.

VI. IDENTITETI SHQIPTAR DHE DIMENSIONI EUROPERËNDIMOR

Identiteti modern shqiptar është identitet:evropian;demokratik;perëndimor;dhe euro-atlantik.

Në këtë kuptim:Shqipëria; Kosova;dhe shqiptarët në trojet tjera etnike;duhet të shihen si faktorë stabiliteti dhe partnerë strategjikë të Perëndimit në Ballkan.

Integrimi në European Union (Bashkimin Evropian) dhe bashkëpunimi me North Atlantic Treaty Organization (Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior – NATO) mbeten objektiva strategjike për të gjithë shqiptarët në rajon.

Identiteti kombëtar shqiptar është unik, historik dhe i pandashëm, pavarësisht realiteteve të ndryshme shtetërore dhe kufijve politikë të krijuar nga historia.

Shqipëria dhe Kosova përfaqësojnë dy shtylla shtetërore të të njëjtit komb, ndërsa shqiptarët në:Maqedoninë e Veriut,;Mal të Zi);Serbi (Luginën e Preshevës);dhe diasporë;janë pjesë organike e trungut kombëtar shqiptar.

Por njëkohësisht, shqiptarët përballen edhe me sfidën moderne të narcizoizmit politik, i cili rrezikon ta dobësojë kulturën shtetërore dhe ta zbehë seriozitetin ndërkombëtar të institucioneve, sidomos në Kosovë.

Prandaj, e ardhmja e shqiptarëve duhet të ndërtohet mbi:unitetin kombëtar;kulturën institucionale;diplomacinë profesionale;përgjegjësinë shtetërore;integrimin euro-atlantik;dhe ruajtjen e identitetit historik e kombëtar.

Vetëm kështu, shqiptarët mund të ndërtojnë shtete të fuqishme, demokratike dhe të respektuara në arenën ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin historik dhe orientimin e tyre perëndimor në shekullin XXI.

Filed Under: Komente

Midis heshtjes së politikës dhe zërit të një brezi të ri

May 14, 2026 by s p

Prof.dr Skender Asani/

Në historinë bashkëkohore politike të shqiptarëve në Maqedonin e Veriut, rrallëherë kanë ekzistuar momente kaq dramatike, kaq të ngarkuara me ankth kolektiv dhe njëkohësisht me shpresë të fshehur, sa situata aktuale e ndikuar nga lëvizja studentore shqiptare. Në një kohë të karakterizuar nga paraliza e mekanizmave institucionalë, nga natyra vetëshkatërruese e politikës shqiptare përmes rivaliteteve të pafrytshme dhe nga zbehja graduale e frymës së Marrëveshjes së Ohrit si pasojë e manovrimeve të pandërprera politike, studentët janë shfaqur si bastioni i fundit i ndërgjegjes publike të një populli që refuzon ta pranojë erozionin e heshtur të pozitës së tij kushtetuese dhe historike.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte thjesht një kompromis politik i lindur nga zhvillimet e vitit 2001. Ajo përfaqësonte marrëveshjen etike dhe juridike mbi të cilën u rindërtuan paqja, stabiliteti dhe struktura multietnike e shtetit. Shqiptarët pranuan jo sepse aspiratat e tyre historike u përmbushën plotësisht, por sepse besuan se ajo do të hapte një epokë të re të bashkëndërtimit shtetëror, ku ata do të trajtoheshin si pjesë përbërëse e shtetit dhe jo si periferi politike e varur nga nevojat kalimtare të pushtetit.

Megjithatë, tragjedia politike e dy dekadave të fundit qëndron pikërisht në erozionin e ngadaltë të thelbit transformues të kësaj marrëveshjeje. Procesi i paraparë për konsolidimin e barazisë kushtetuese u shndërrua në një administrim teknik të pafund, ku zbatimi përdorej më shumë si instrument shtyrjeje sesa si mekanizëm realizimi. Në vend të ndërtimit të një kulture të re politike mbi pronësinë e përbashkët të shtetit, u krijua një logjikë e vazhdueshme relativizimi të të drejtave shqiptare.

Ky degradim nuk buron vetëm nga taktikat e burokracisë maqedonase. Një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë historike bie edhe mbi partitë politike shqiptare, të cilat gradualisht dështuan ta konceptojnë çështjen shqiptare si projekt strategjik kombëtar. Politika u reduktua në administrim pushteti, ndërsa parimet e barazisë reale u zëvendësuan me retorikë elektorale dhe kalkulime afatshkurtra. Klasa politike shqiptare krijoi kështu një paradoks të thellë: zyrtarisht mbetet pjesë e qeverisjes, por në mënyrë progresive po humb ndikimin mbi drejtimin politik të shtetit.

Në këtë boshllëk të madh moral dhe institucional hyn tani brezi i ri shqiptar.

Studentët nuk protestojnë vetëm për një çështje administrative apo sociale. Ata po artikulojnë një krizë shumë më të thellë: humbjen e besimit në politikën përfaqësuese shqiptare dhe deformimin gradual të idesë mbi të cilën u ndërtua paqja pas konfliktit në shtet. Pas shumë vitesh, në diskursin publik rikthehet pyetja themelore që politika kishte hezituar ta artikulonte: çfarë ka mbetur nga vizioni për barazi, bashkëjetesë dhe partneritet shtetformues mbi të cilin u ndërtua Marrëveshja e Ohrit?

Pikërisht për këtë arsye protestat studentore kanë prodhuar një reagim emocional kolektiv që tejkalon shumë kërkesat e tyre konkrete. Shqiptarët i panë studentët jo vetëm si protestues, por si pasqyrim të identitetit të tyre politik të zbehur. Ata shohin një brez që beson se dinjiteti kolektiv nuk duhet të jetë objekt negociatash të përhershme dhe se statusi kushtetues i shqiptarëve nuk mund të trajtohet si koncesion politik i përkohshëm. Në një ambient të mbushur me zhgënjim, ankth dhe lodhje historike, studentët janë shndërruar në simbolin e fundit të shpresës.

Në këtë kuptim, kundërshtimi i tyre merr pothuajse përmasa historike. Ai përfaqëson kryengritjen etike të një brezi që refuzon të pranojë heshtjen politike të elitave të lodhura. Përbën refuzim të normalizimit të degradimit institucional. Është një thirrje kundër përçarjes së brendshme shqiptare. Është revoltë ndaj një kulture politike që prej vitesh ka zëvendësuar strategjinë kombëtare me improvizime të përditshme. Dhe mbi të gjitha, është rikthimi i vetëdijes kolektive në një kohë kur politika kishte filluar ta humbiste kujtesën historike.

Në historinë shqiptare, studentët kanë qenë shpesh në vijën e parë të lëvizjeve kombëtare dhe demokratike. Edhe sot ata rikujtojnë një të vërtetë të vjetër politike: popujt nuk i humbin fillimisht të drejtat përmes dhunës, por përmes normalizimit të heshtjes. Reagimi i tyre nuk duhet parë si destabilizim i rendit demokratik, por si përpjekja e fundit për ta ruajtur substancën demokratike të shtetit nga degradimi moral dhe institucional.

Në kushtet e rikthimit të gjuhës nacionaliste në diskursin politik të qeverisë së Hristijan Mickoski, lëvizja studentore po merr dimensionin e një paralajmërimi historik. Zbehja e vazhdueshme e statusit kushtetues të shqiptarëve nuk përbën më vetëm një çështje etnike, por edhe rrezik për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të shtetit. Për dekada me radhë, shqiptarët kanë qenë mbështetësit më konsekuentë të orientimit perëndimor, evropian dhe të NATO’s në vend. Margjinalizimi i tyre prodhon jo vetëm padrejtësi të brendshme, por edhe dobësim të themeleve strategjike mbi të cilat ndërtohet orientimi ndërkombëtar i shtetit.

Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, në thelbin e saj politik dhe semantik, nuk përfaqëson vetëm një thirrje për durim institucional, por edhe një përpjekje për të disiplinuar energjinë qytetare dhe për ta zhvendosur diskursin nga substanca e të drejtave të garantuara drejt kompleksitetit të interpretimeve procedurale. Pikërisht në momentin kur ai u bën thirrje studentëve shqiptarë të përmbahen nga protestat, ndërsa paralelisht kushtëzon zgjidhjen me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, krijohet një paradoks politik: një e drejtë që buron nga vetë rendi kushtetues trajtohet sikur të ishte objekt negocimi administrativ. Kjo strategji synon ta zbehë frymën emancipuese të protestave studentore, duke e shndërruar një reagim legjitim qytetar në një proces pritjeje burokratike.

Megjithatë, vetëdija kolektive e studentëve shqiptarë tashmë e ka tejkaluar këtë kurth diskursiv, pasi ata kanë deklaruar qartë se të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe me vetë parimet themelore mbi të cilat pretendon të ndërtohet shteti demokratik i Maqedonisë së Veriut janë të panegociueshme. Për pasojë, protesta e tyre nuk paraqet sfidë ndaj sundimit të ligjit, por rikujtim se ligji e humb autoritetin e tij moral atëherë kur zbatohet në mënyrë selektive dhe kur barazia mbetet vetëm një formulë retorike. Në këtë kontekst, mobilizimi studentor nuk përfaqëson tension të fabrikuar, siç përpiqen ta paraqesin narrativat qeveritare, por shprehjen e një vetëdijeje politike që refuzon ta pranojë heshtjen si nënshtrim dhe pasivitetin si zëvendësim të së drejtës.

Megjithatë, në këtë atmosferë të rënduar politike, protestat studentore kanë rikthyer një ndjenjë pothuajse të shuar: bindjen se shoqëria ende ka aftësi të reagojë. Në krizat e mëdha historike, shpesh nuk janë institucionet ato që mbajnë gjallë frymën e një populli, por brezat që refuzojnë t’i nënshtrohen frikës dhe nënshtrimit. Studentët shqiptarë të sotëm po e kryejnë pikërisht këtë rol jo si elitë politike, por si ndërgjegjja etike e një kombi që përpiqet të ruajë identitetin e vet.

Kjo lëvizje përcjell një mesazh thelbësor: kur politika bëhet e shkretë, kur institucionet harrojnë drejtësinë dhe kur kompromiset prodhojnë vetëm heshtje, historia shpesh zgjedh studentët për ta zgjuar ndërgjegjen e përbashkët.

Shkup, 18 maj 2026

Filed Under: Komente

Rilindasit shqiptarë në filateli, mes përfaqësimit dhe mungesës

May 12, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Rilindja Kombëtare Shqiptare mbetet një nga periudhat më të ndritura të historisë sonë, ku mendimi intelektual, veprimi politik dhe krijimtaria letrare u ndërthurën për të formësuar identitetin kombëtar dhe për të çuar drejt Pavarësisë. Figura si vëllezërit Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada e shumë të tjerë janë shtylla të kësaj lëvizjeje, por mënyra se si ato janë reflektuar në filatelinë shqiptare ngre jo pak pikëpyetje. Nëse pulla postare është një dokument zyrtar që përfaqëson kujtesën dhe vetëdijen e një shteti, atëherë përfaqësimi i rilindasve në të duhet të ishte i qëndrueshëm, i plotë dhe i menduar mirë. Në realitet, ai ka qenë i fragmentuar, shpesh i kushtëzuar dhe jo në lartësinë e rolit që këto figura kanë pasur në historinë kombëtare.

Në periudhën para vitit 1944, mungesa e rilindasve tane në pullat shqiptare është e plotë. Filatelia e kohës u përqendrua kryesisht në imazhin e mbretit, në simbolikën shtetërore të monarkisë apo të regjimit fashist, duke lënë në hije pikërisht ata që krijuan bazat e këtij shteti. Ky realitet nuk mund të shpjegohet vetëm me rrethanat e kohës, pasi nxjerr në pah një kundërthënie të qartë, qe shteti i ngritur mbi idealet e Rilindjes nuk arriti t’i reflektojë ato në një nga mjetet më të drejtpërdrejta të komunikimit publik.

Emisioni pare për Rilindjen Shqiptare

Gjatë periudhës 1945–1990, prania e disa rilindasve në filateli bëhet më e dukshme, por kjo nuk duhet mbivlerësuar. Përfshirja mbeti selektive dhe e filtruar nga optika ideologjike e sistemit. Figura si Naimi, Samiu, Abdyl Frashëri, Dora D’Istria, Çajupi apo Petro Nini Luarasi u përfshinë, por shumë të tjerë me kontribute të rëndësishme, si Gjergj Fishta, Koto Hoxhi, Nikollë Kaçorri apo një pjesë e mirë e arbëreshëve, u lanë jashtë. Rilindja, në vend që të paraqitej si një mozaik më i gjerë figurash dhe kontributesh, u reduktua në disa emra të pranueshëm për diskursin zyrtar. Edhe kur trajtohej, ajo shpesh zhvendosej nga individët drejt ngjarjeve dhe institucioneve, si Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit apo shkolla e parë shqipe, duke shmangur një qasje më të plotë dhe përfaqësuese. Ndërkohë, vendin që do t’u takonte figurave rilindase e zunë shpesh figura ideologjike vendase apo botërore, si edhe aktivitete të mbingarkuara nga spektri politik, vendas apo i huaj. Tematikat e patriotëve rilindas dhe të ngjarjeve të lidhura me ta zunë një përqindje shumë të ulet të emisioneve postare.

Pas vitit 1990, me rënien e kufizimeve ideologjike, do të pritej një rishikim më i thellë dhe një hapje më e guximshme ndaj figurave të lëna në harresë. Megjithatë, kjo pritshmëri nuk është përmbushur në masën e duhur. Edhe pse janë shtuar disa emisione dhe janë përfshirë figura të reja të papërfaqësuara më parë, në tërësi vërehet një mungesë vizioni afatgjatë. Një orientim i tepruar drejt tematikave ndërkombëtare, disa here pa një arsyetim të qartë për përzgjedhjen e tyre, ka bërë që filatelia shqiptare të humbasë një pjesë të funksionit të saj identitar. Si pasojë, shumë rilindas mbeten ende jashtë këtij komunikimi simbolik, ndërsa përfaqësimi i atyre që janë përfshirë nuk krijon një panoramë të plotë të kësaj periudhe themelore.

Imazhet në pullat që paraqesin rilindasit shoqërohen zakonisht me elemente të njohura si libri, pena, flamuri apo shqiponja dykrenare, duke ndërtuar një narrativë të qartë mbi rolin e dijes, gjuhës dhe identitetit. Megjithatë, edhe këtu vërehet njëfarë standardizimi që shpesh e varfëron mesazhin dhe nuk arrin të pasqyrojë individualitetin dhe kompleksitetin e secilës figurë dhe kur kësaj i shtohet edhe mungesa e shumë emrave të rëndësishëm, rezultati është një kujtesë filatelike e cunguar. Në këtë kuptim, filatelia shqiptare ka mundesi të ndërtojë një raport të plotë mbi trashëgiminë e Rilindjes, duke mos mbetur një pasqyrë e pjesshme, për sa kohë që përzgjedhja e figurave është e kufizuar, ndërkohë që ka emra te tjere qe duhet të gjejë pasqyrimin e merituar sipas kontributit që ka dhënë, duke e bërë filatelinë një “libër të hapur” edukues për brezat e rinj. Pikërisht për këtë arsye, nevoja për një rivlerësim të thellë mbetet e domosdoshme, duke mos lënë jashtë emisioneve postare asnjë veprimtar të Rilindjes, të cilët janë të shumtë dhe kërkojnë vijimësi në studimin e tyre nga shkenca e historisë, si dhe për të ndërtuar një qasje më gjithe përfshirëse, sidomos në shekullin XXI, kur çështja kombëtare nuk është zgjidhur në mënyrë përfundimtare. Në këtë kontekst, rilindasit do te zinin vendin që u takon si themelues të vetëdijes kombëtare dhe jo të mbeten figura të rastësishme në një program filatelik.

Filed Under: Komente

Vizioni për fuqizimin e diasporës shqiptare të Malit të Zi dhe ndërtimin e urave për të ardhmen

May 9, 2026 by s p

Edon Alibegu/

Emërimi im në Këshillin për Bashkëpunim me Diasporën–Mërgatën e Malit të Zi përfaqëson për mua shumë më tepër sesa një përgjegjësi formale. Është një nder personal, por edhe vazhdim i një përkushtimi të përjetshëm ndaj ruajtjes së identitetit tonë, forcimit të diasporës sonë dhe avancimit të shqiptarëve të Malit të Zi dhe pakicave të tjera të tij në kuadër të komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

Si një amerikan me prejardhje shqiptare, rrënjët familjare të të cilit në Ulqin shtrihen për më shumë se njëmbëdhjetë breza, gjithmonë kam besuar se diaspora jonë bart njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi: privilegjin për t’i përkitur dy botëve dhe përgjegjësinë për të ndërtuar ura kuptimplota mes tyre.

Gjithashtu besoj se përfshirja dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Këshill është jashtëzakonisht i rëndësishëm — jo vetëm në mënyrë simbolike, por edhe institucionalisht dhe historikisht. Shqiptarët kanë luajtur një rol jetik në zhvillimin shoqëror, kulturor, demokratik dhe historik të Malit të Zi, përfshirë rrugën e tij drejt pavarësisë dhe identitetit multikulturor. Sigurimi që shqiptarët e Malit të Zi të kenë një zë të respektuar brenda institucioneve kombëtare të diasporës forcon besimin, përfshirjen dhe parimin se çdo komunitet ka një vend kuptimplotë në formësimin e së ardhmes së vendit.

Për breza me radhë, shqiptarët nga Mali i Zi kanë ruajtur gjuhën, traditat, vlerat dhe identitetin tonë kulturor pavarësisht distancës, ndryshimeve të kufijve, ngritjes dhe rënies së perandorive dhe shteteve kombëtare, si dhe migrimit. Në të njëjtën kohë, diaspora jonë ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zhvillimin ekonomik, arsimor dhe shoqëror si të Malit të Zi ashtu edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, besoj se ka ardhur koha të kalojmë përtej njohjes simbolike dhe të punojmë drejt një partneriteti më serioz, institucional dhe afatgjatë mes Malit të Zi dhe komuniteteve të tij të ndryshme etnike në diasporë.

Vizioni im brenda Këshillit përqendrohet në disa prioritete: forcimin e përfaqësimit të diasporës, mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor shqiptar, fuqizimin e brezave të rinj, promovimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies së komunitetit, zgjerimin e mundësive arsimore dhe profesionale, si dhe ngritjen e komunave shqipfolëse si Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava, Gucia dhe komuniteteve të tjera si ura kulturore dhe strategjike mes Malit të Zi dhe diasporës shqiptaro-amerikane.

Fuqizimi i Komunave Shqipfolëse përmes Angazhimit të Diasporës

Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava, Gucia dhe komunitetet e tjera shqipfolëse zënë një vend unik dhe historik brenda Malit të Zi dhe botës më të gjerë shqiptare. Këto komuna përfaqësojnë breza të tërë qëndrese, ruajtjeje kulturore, bashkëjetese dhe kontributi. Besoj se ato kanë potencialin të bëhen qendra të rëndësishme të angazhimit të diasporës, duke lidhur Malin e Zi me komunitetet shqiptare në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.

Një nga qëllimet e mia kryesore është të mbështes partneritete më të forta institucionale dhe kulturore të përqendruara rreth këtyre komunave. Kjo përfshin zgjerimin e partneriteteve të qyteteve binjake, iniciativave të diplomacisë kulturore, shkëmbimeve arsimore, zhvillimit të turizmit dhe bashkëpunimit ekonomik që lidhin drejtpërdrejt komunitetet në Mal të Zi me popullatat shqiptaro-amerikane në Nju Jork, Çikago, Detroit, Miçigan, Florida, Kaliforni dhe qendra të tjera të diasporës.

Vendosja me sukses e Marrëveshjes së Qyteteve Binjake mes Ulqinit dhe Staten Island-it në Nju Jork tregoi se çfarë është e mundur kur komunitetet dhe institucionet e diasporës punojnë së bashku me qëllim të përbashkët dhe vizion afatgjatë. Shpresoj të vazhdoj të mbështes iniciativa të ngjashme që krijojnë partneritete të qëndrueshme në arsim, kulturë, biznes, turizëm dhe bashkëpunim ndërkombëtar për komunat në të gjithë Malin e Zi.

Gjithashtu besoj fuqishëm se historia, traditat dhe karakteri multikulturor i këtyre komuniteteve duhet të promovohen më aktivisht në arenën ndërkombëtare përmes aktiviteteve kulturore, forumeve të diasporës, platformave digjitale, iniciativave arsimore dhe programeve për angazhimin e të rinjve.

Fuqizimi i Zërit të Shqiptarëve të Malit të Zi Jashtë Vendit

Shqiptarët e Malit të Zi përfaqësojnë një nga komunitetet më të organizuara dhe më të suksesshme të diasporës në Shtetet e Bashkuara. Nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi deri në Detroit, Çikago e më gjerë, komuniteti ynë ka ndërtuar biznese, institucione arsimore, organizata fetare, iniciativa humanitare dhe shoqata kulturore që kanë ruajtur trashëgiminë tonë për breza të tërë.

Megjithatë, shumë anëtarë të diasporës ende ndihen të shkëputur nga proceset institucionale të vendimmarrjes. Një nga prioritetet e mia është të ndihmoj në krijimin e kanaleve më të forta dhe më të drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet institucioneve të Malit të Zi dhe komuniteteve shqiptare në diasporë.

Diaspora nuk duhet të shihet thjesht si një zgjatim nostalgjik i atdheut, por si një partner strategjik i aftë për të kontribuar me lidership, ekspertizë, investime, mentorim dhe ndikim ndërkombëtar. Besoj se përfshirja dhe përfaqësimi më i madh i shqiptarëve në kuadrin e politikave të diasporës forcon jo vetëm komunitetin tonë, por edhe vetë Malin e Zi si një shoqëri demokratike dhe multikulturore.

Ruajtja e Gjuhës Shqipe dhe Identitetit Kulturor

Si dikush i rritur në diasporë, e kuptoj thellësisht se sa të brishta mund të bëhen gjuha dhe identiteti ndër breza nëse nuk ruhen dhe mbështeten në mënyrë aktive. Gjuha shqipe nuk është thjesht një mjet komunikimi; ajo është një lidhje me kujtesën, historinë, familjen dhe përkatësinë.

Do të vazhdoj të mbështes forcimin e mbështetjes institucionale për arsimin në gjuhën shqipe, programet kulturore dhe ruajtjen e trashëgimisë si në Mal të Zi ashtu edhe në komunitetet e diasporës jashtë vendit. Kjo përfshin mbështetjen e iniciativave në gjuhën shqipe për brezat e dytë dhe të tretë të diasporës, zhvillimin e platformave digjitale edukative dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore dhe organizatave të diasporës.

Identiteti ynë nuk duhet parë kurrë si pengesë për integrimin apo unitetin kombëtar. Përkundrazi, diversiteti i Malit të Zi është një nga pikat e tij më të forta dhe një nga themelet e së ardhmes së tij evropiane dhe demokratike.

Investimi në të Rinjtë dhe Brezat e Ardhshëm

Ndoshta përgjegjësia më e rëndësishme që kemi është të sigurojmë që brezat e rinj të mbeten të lidhur me rrënjët e tyre, ndërsa fuqizohen për të pasur sukses në nivel ndërkombëtar.

Shpresoj të mbështes iniciativa që krijojnë shkëmbime arsimore, programe bursash, mundësi lidershipi, rrjete mentorimi dhe rrugë zhvillimi profesional që lidhin të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi me institucione dhe mundësi si në Mal të Zi ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.

Të rinjtë në diasporë duhet të ndiejnë krenari — jo konflikt — për identitetin e tyre. Ata duhet të kuptojnë se ruajtja e trashëgimisë së tyre mund të bashkëjetojë me suksesin akademik, profesional dhe pjesëmarrjen kuptimplote në shoqëritë ku jetojnë.

Gjithashtu besoj se duhet të krijojmë më shumë mundësi që të rinjtë e diasporës të vizitojnë Malin e Zi, të rilidhen me qytetet dhe fshatrat e të parëve të tyre dhe të zhvillojnë një marrëdhënie të sinqertë me atdheun përtej politikës apo simbolikës.

Shëndeti Mendor, Mirëqenia e Komunitetit dhe Dinjiteti Njerëzor

Si psikoterapist, besoj gjithashtu se shëndeti mendor dhe mirëqenia e komunitetit duhet të bëhen pjesë e bisedave tona më të gjera kombëtare dhe të diasporës.

Në komunitetet ballkanike, përfshirë tonin, ende ekziston një stigmatizim i madh rreth mirëqenies emocionale, traumës dhe kërkimit të mbështetjes psikologjike. Migrimi, sfidat e identitetit, presioni ndërbrezor, traumat historike dhe dhimbjet e pazgjidhura që barten ndër breza vazhdojnë të ndikojnë në heshtje shumë individë dhe familje.

Për shumë komunitete në Ballkan, trauma nuk përfundoi vetëm me një brez. Përvojat e luftës, zhvendosjes, diskriminimit, paqëndrueshmërisë politike, varfërisë, përçarjes dhe vuajtjeve kolektive vazhdojnë të jetojnë brenda familjeve dhe komuniteteve shumë kohë pasi ngjarjet origjinale kanë kaluar. Shumë shpesh, këto plagë mbeten të pashprehura, të brendësuara dhe barten nga prindërit tek fëmijët ndër breza.

Besoj se duhet të gjejmë guximin për t’u përballur me këto realitete me ndershmëri, për të pranuar dhimbjen që shumë njerëz kanë trashëguar dhe për të krijuar hapësira për shërim, dialog dhe pajtim. Të bësh paqe me të kaluarën nuk do të thotë të harrosh historinë apo të braktisësh identitetin; do të thotë të refuzosh që dhimbja historike të përcaktojë përgjithmonë të ardhmen tonë.

Nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me mentalitetin e viktimës, të burgosur nga plagët e së kaluarës. Duhet të bëhemi komunitete emocionalisht të forta, të vetëdijshme dhe të orientuara drejt së ardhmes, të afta për ta shndërruar vuajtjen në urtësi, dhembshuri dhe rritje.

Shpresoj të kontribuoj në iniciativa që promovojnë ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, reziliencën e të rinjve, dialogun komunitar dhe sistemet e mbështetjes kulturore si në Mal të Zi ashtu edhe në komunitetet e diasporës në Shtetet e Bashkuara.

Një shtet i fortë nuk matet vetëm me ekonomi apo politikë, por me mirëqenien, dinjitetin, shëndetin emocional dhe stabilitetin e njerëzve dhe familjeve të tij.

Ndërtimi i Urave, Jo i Ndarjeve

Në thelb të vizionit tim qëndron bindja se e ardhmja e Malit të Zi duhet të ndërtohet mbi dhembshurinë, dinjitetin, respektin reciprok dhe solidaritetin ndërmjet të gjitha komuniteteve të tij. Çdo qytetar që e quan Malin e Zi shtëpi meriton të ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i lidhur me të ardhmen e vendit.

Besoj thellësisht se pakicat në Mal të Zi nuk duhet të trajtohen kurrë si mendime të dorës së dytë politike apo simbole përçarjeje, por si partnerë të barabartë në formësimin e së ardhmes së vendit. Dallimet tona nuk duhet të frikësohen apo politizohen; ato duhet të kuptohen si pjesë e pasurisë dhe forcës së identitetit multikulturor të Malit të Zi.

Gjatë gjithë punës sime, jam përpjekur të mbroj jo vetëm shqiptarët e Malit të Zi, por një vizion më të gjerë të bazuar në bashkëjetesë, dialog dhe dinjitet njerëzor. Besoj se diaspora mund të shërbejë si urë ndërmjet komuniteteve, brezave, kulturave dhe institucioneve — duke ndihmuar rajonin tonë të lëvizë përtej plagëve historike drejt një të ardhmeje të ndërtuar mbi bashkëpunim dhe qëllim të përbashkët.

Nuk mund të lejojmë që të mbetemi viktima të së kaluarës; duhet të bëhemi arkitektë të një të ardhmeje më të ndritur. Vota historike prej 55% për pavarësinë e Malit të Zi u arrit përmes mbështetjes dhe unitetit të komuniteteve pakicë që besuan në një të ardhme demokratike të përbashkët për vendin. Ajo e ardhme mund të forcohet vetëm kur të gjitha komunitetet ndiejnë se kanë vendin e tyre në të, kur të rinjtë trashëgojnë shpresë në vend të përçarjes dhe kur ne zgjedhim mirëkuptimin në vend të resentimentit.

Besoj se përgjegjësia e brezit tonë nuk është të thellojë ndarjet e vjetra, por të lërë pas institucione më të forta, komunitete më të forta dhe marrëdhënie më të forta për ata që do të vijnë pas nesh. Forca më e madhe e Malit të Zi do të jenë gjithmonë njerëzit e tij — dhe e ardhmja e tij do të jetë më e fortë kur çdo komunitet të ecë përpara së bashku.

Në fund, kësaj përgjegjësie i qasem si një individ i pavarur — jo përmes ndonjë ideologjie politike apo partie, por përmes një besimi të sinqertë në shërbim, dinjitet dhe kontribut konstruktiv. Shpresa ime është të ndihmoj në krijimin e lidhjeve më të forta ndërmjet Malit të Zi dhe diasporës së tij, duke siguruar që Ulqini, Tivari, Tuzi, Plava, Gucia dhe komunitetet shqiptare, së bashku me të gjitha komunitetet pakicë në Mal të Zi, të vazhdojnë të njihen si pjesë thelbësore dhe të respektuara të identitetit dhe të ardhmes së vendit.

Diaspora posedon potencial të jashtëzakonshëm intelektual, profesional, kulturor dhe humanitar. Nëse angazhohet siç duhet, ajo mund të bëhet një nga forcat më të mëdha të Malit të Zi në dekadat që vijnë.

Siç ka thënë dikur Robert F. Kennedy: “Qëllimi i jetës është të kontribuosh në një mënyrë apo tjetër për t’i bërë gjërat më të mira.”

Gjithmonë kam besuar se ndryshimi kuptimplotë fillon me dhembshuri, shërbim, dialog dhe guximin për të ndërtuar ura aty ku dikur ekzistonin ndarjet. Nëse përqendrohemi në ato që na bashkojnë të gjithëve — familja, shëndeti, arsimi dhe traditat — besoj se mund të krijojmë një të ardhme të përcaktuar jo nga barrët e së kaluarës, por nga dinjiteti, mundësia dhe qëllimi i përbashkët.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 504
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT