• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VAZHDON AKTIVITETI KOMBËTAR I LIGËS QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE

April 27, 2026 by s p

Nën udhëheqjen e figurave të njohura Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, një delegacion i Bordit Ekzekutiv dhe i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane qëndroi për disa ditë gjatë kësaj jave në Washington.

Ngjarja kryesore ishte pjesëmarrja aktive në takimin vjetor të Organizatës së Ish-Anëtarëve të Kongresit Amerikan (FMC – Former Members of Congress). Në këtë takim bashkohen ish-anëtarë me anëtarë aktualë të Kongresit, ndahen mirënjohje për senatorë dhe kongresmenë të dalluar, si dhe diskutohen përvoja dhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit amerikan.

Ishte një kënaqësi e veçantë të dëgjoheshin deklaratat për bashkëpunim nga përfaqësues të të dy partive kryesore politike, republikane dhe demokrate.

Delegacioni i Ligës zhvilloi bashkëbisedime dhe takime të shumta e të rëndësishme para dhe gjatë këtij aktiviteti, me kongresmenë, senatorë dhe anëtarë të rëndësishëm të stafit të tyre, të specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndër ta veçohen: kongresmeni Gregory Meeks, nënkryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve; senatori John Boozman; senatori Raphael Warnock, kongresmeni Bill Huizenga; Grace Cason, asistente legjislative e senatores Tammy Duckworth; Samantha Schifrin, këshilltare për mbrojtje dhe politikë të jashtme, si dhe Wonyong Shim, asistent legjislativ i senatorit Cory Booker.

Temat kryesore të diskutimit përfshinin avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis popullit shqiptar dhe atij amerikan, përballjen me hegjemonizmin serb në Ballkan dhe zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia mbetet burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në Ballkan. Regjimi i Millosheviçit shkaktoi katër luftëra, të cilat i humbi, dhe kreu gjenocid në Bosnje dhe Kosovë me synim dominimin rajonal dhe zgjerimin territorial. Politika e sotme e regjimit të Aleksandar Vuçiç vazhdon në të njëjtën linjë, megjithëse me metoda të ndryshme.

NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u detyrua të ndërhyjë ushtarakisht për të ndalur gjenocidin në Kosovë. SHBA-të kanë ndihmuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kanë investuar vazhdimisht në ndërtimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit.

Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Për këtë arsye, përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara konsiderohet e domosdoshme. Po ashtu, shtimi i pranisë së trupave amerikane në Bondsteel shihet si një faktor stabiliteti.

Vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të ndalojë përfundimisht agresionin serb dhe të garantojë paqe të qëndrueshme në rajon.

Për këtë arsye, kërkohet një angazhim më i madh i senatorëve, kongresmenëve dhe stafit të tyre profesional, në bashkëpunim me administratën amerikane, për forcimin e shtetit të Kosovës — një objektiv që përkon edhe me interesat strategjike të SHBA-ve në Evropë.

Populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar mbeten ndër aleatët më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm të Amerikës, ndërkohë që Serbia vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me shtete si Rusia, Kina, Irani dhe aktorë të tjerë në kundërshtim me interesat amerikane.

Agim Aliçkaj

Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Komente

Ibrahim Kodra, in memoriam…

April 24, 2026 by s p

Dr. Bledar Kurti/

“Incluso su firma es una obra de arte.” (Edhe firma e tij është vepër arti.) tha Pablo Picasso për Ibrahim Kodrën. Poeti i madh francez, Paul Eluard, në vitin 1946 e quajti Kodrën “primitivi i një civilizimi të ri.”

Shqipëria ka nxjerrë shumë emra artistësh të cilët kanë arritur suksesin në botë, megjithatë, Ibrahim Kodra mbetet artisti emër-madh më i rëndësishëm shqiptar i shekullit të 20-të. Ai lindi më 22 prill, 1918, në Ishëm, qarkun e Durrësit, ku sot është edhe vendi i tij i prehjes.

Viti i lindjes, pra 1918, njihet zyrtarisht, por sipas burimeve të familjarëve tē Kodrës, viti i tij i vërtetë i lindjes ishte 1914. Arsyeja e ndryshimit të vitit ndoshta ka të bëjë me mundësinë e studimeve në Itali. Për ta fituar këtë të drejtë studimi, pasi hasi pengesë nga ministria e kulturës nën Mbretin Zog, Kodrës iu desh t’i dërgonte një letër Mbretëreshës Geraldinë, shoqëruar me një portret që ai i kish bërë Mbretëreshës.

Sipas burimeve, ishte ndërhyrja e Mbretëreshës, e mahnitur nga talenti i Kodrës, që bëri t’i jepej leja për të shkuar me studime në Itali, ku jetoi e prodhoi rreth 6 mijë vepra, që mbeten një trashëgimi e jashtëzakonshme jo vetëm për artin shqiptar por edhe artin botëror. Figura emblematike e Ibrahim Kodrës konsiderohet ndër më të rëndësishmet në artin e shekullit të 20-të, duke ekspozuar veprat e tij anëembanë botës, në galeritë më presigjoze, përkrah kolosëve të artit, si Pablo Picasso, Henri Mattise, Marc Chagall, Amedeo Modigliani, Salvador Dali, Georges Braque, e të tjerë. Miqësia e tij e ngushtë me Pablo Picasso lindi në Romë në vitin 1948.

Gazeta të kohës shkruanin për Picasso-n bashkë me Kodrën, duke e konsideruar shqiptarin si “postkubisti i fundit në Evropë.” Vetë Picasso e quante Kodrën “Shqiptari im,” jo vetëm nga prejardhja por edhe nga reflektimi i elementeve tradicionalë shqiptarë në veprat e tij, si peizazhi i Ishmit, kostumet popullore, ngjyrat tradicionale, etj. Veprat e Ibrahim Kodrës gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti Italian) në galeri e muze të njohura, dhe koleksione private në të gjithë botën.

Kodra e vizitoi Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003, e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në vendlindjen e tij, në fshatin Likmetaj në Ishëm. Ai prehet pranë Kalasë së Ishmit, në një peizazh madhështor, ku nderohet nga vendasit dhe vizitorë të shumtë. Por, ka ardhur koha që emri i tij të lartësohet edhe më shumë përmes krijimit të një muzeu apo galerie me emrin dhe në nder të artistit të madh, pasi rrallëherë ndodh që të lindin sërish figura të tilla të cilët mbeten ambasadorë të përjetshëm të Shqipërisë në arenën dhe historinë botërore.

Ishmi, Durrësi, e gjithë Shqipëria, duhet të krenohen me Ibrahim Kodrën. Jeta dhe veprat e tij duhet të mësohen më shumë në shkolla pasi ai do mbetet njē trashëgimi tejet e çmuar dhe e rrallë e artit shqiptar.

Filed Under: Komente

21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka

April 21, 2026 by s p

Nga Roland Qafoku/

21 prilli i vitit 1921 është një ditë e madhe e shtetit shqiptar. Si sot 105 vjet më parë, për herë të parë, u mblodh parlamenti i parë, i dalë nga zgjedhjet e 5 prillit të atij viti, të parat të organizuara në historinë e shtetit shqiptar. Kjo ngjarje shënon një moment kulmor historik për mënyrën e funksionimit të shtetit shqiptar, vetëm 9 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Në orën 10.00 të asaj dite të bekuar, 56 deputetë ishin ulur në të vetmen sallë të përshtatshme për një parlament në Tiranën e asaj kohe, që ishte shtëpia e Zija Toptanit, godina ku sot është Akademia e Shkencave dhe realizuan një moment solemn hapjen e asaj që e quajtën Këshilli Kombëtar.

Ishte deputeti 55-vjeçar nga Tirana, Mytesim Këlliçi, ai që hapi seancën si më i vjetri mes të gjithë kolegëve. Pas verifikimit të mandateve, Deputeti i Korçës Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i parlamentit. Më 27 mars pasdite ky parlament nisi punimet normale me seancën e parë parlamentare nën drejtimin e tij. Në shkrimin kryesor të numrit të datës 1 maj 1921, gazeta “Taraboshi” që botohej në Shkodër, shkruante për këtë ngjarje:

“Parlamenti u hap. Vllaznit t’onë q’i janë larg nesh, larg atmës, do të thonë: A mos jena n’ander? E qe besa, gadi gadi se dhe na që gjendena në Shqypnie mendohena: A thue mos t’jemi në andër?”. (Foto 2)

Po, kush ishin ata 56 deputetët e zgjedhur dhe që hapën parlamentin e parë? Në foton që po publikoj janë disa prej tyre që as më shumë e as më pak kishin vërtetë përkufizimin baballarët e kombit; Sejfi Vllamasi, Stavro Vinjau, Ali Këlcyra, Ali Koprëncka, Ahmet Zogu, Bahri Omari, Rexhep Mitrovica, Bajram Fevziu, Pandeli Cale e të tjerë. (Foto 1).

Mes tyre do veçoja dy Ali-të. I Pari Ali Këlcyra, deputeti i Gjirokastrës dhe pinjoll i familjes së madhe Këlcyra. Për atë që bënte dhe jepte në parlament, beu i Këlcyrës është cilësuar oratori i parlamentit. Fjalimet e tij janë të papërsëritshme edhe sot e kësaj dite dhe kanë hyrë në historinë e parlamentarizmit si më të bukurat, më të veçantat dhe më një fjalor të pasur politik dhe juridik. Ali Këlcyra bëri një akt personal në parlamernt teksa hoqi dorë nga titulli bej dhe kjo më pas u pasua edhe nga të tjere me një ligj të posaçëm. I dyti ishte Ali Koprëncka, deputeti i parë dhe i vetëm në atë parlament i Skraparit. Një nga më të arsimuarit e atij parlamenti, me akademi ushtarake dhe me kulture gjenerale të admirueshme, ai njihej edhe si armik personal i Ahmet Zogut.

Fjalimet e tij në parlament kanë mbetur në memorien e asaj kohe, ndërsa për studiuesit janë një lëndë e parë për startin e jetës parlamentare. Shumë ligje të asaj kohe kanë iniciatvën dhe ideimin prej tij. Për fat të keq Ali Koprëncka u vra më 12 korrik 1930, 9 vjet nga zgjedhja si deputet i parlamenti të parë. Ai kishte lidhje të largët me firmëtarin e pavarësisë Xhelal Koprëncka po nga Skrapari, si dy patriotë që e donin Shqipërinë kur nuk kishte Shqipëri.

Edhe Xhelal Koprëncka pati të njëjtin fat. U vra më 21 tetor 1919, 7 vjet pasi hodhi firmën e rëndë në proklamatën e Pavarësisë, duke treguar edhe një herë se bijtë më të mirë ky vend nuk i ka dashur. Si vrasja e Xhelal Koprënckës dhe ajo e deputetit Ali Koprëncka janë turpe të mëdha të asaj kohe. Por më me turp na bën sot mosrespektimi dhe mosvlerësimi i këtyre figurave, deri në raste ekstreme si mospranim nga shoqëria. 105 vjet më pas na takon të nderojmë atë parlament dhe ata deputetë që e bënë atë parlament.

Filed Under: Komente

Po Itaka ime sa larg është?

April 17, 2026 by s p

Kastriot Fetahu/

Nuk kam bërë gjëra të tmerrshme në jetë, por është jeta që më trajtoi tmerrësisht. Debati me Gustave Le Bon, pse ai shkroi: “Rreziku më i madh për një shoqëri nuk është rebelimi, por pranimi i ngadalshëm i padrejtësisë”, vazhdon akoma. Dua të kuptoj, a jam fajtor pse linda në mes të atij pranimi? Ajo që për Le Bon ishte padrejtësi, ravijëzohej për mua fat që s’e kishte pjesa tjetër e botës. Sepse nuk më mësoi askush se, ashtu si mungesa e dritës ndërpret ditën, mungesa e lirisë ndërpret jetën.

Kur ndihesha vërtet i vetmuar, edhe një llambë, apo një zog, një libër apo një ëndërr, ishte shoqëri e mirë. Kjo nuk zgjaste shumë, pasi do të më dilte gjithmonë përpara një tabelë e kuqe, apo një njeri i dyshimtë me kostum njëngjyrësh. Dukej se fati im ishte një skenar i mbyllur me një “The End” të njohur nga i njëjti skenarist. Kot e mësova se Sartri mendon: njeriu nuk ka fat, ka përgjegjësi për kuptimin. Ai nuk e dinte se kujdesi im për gjykimet kategorike ishte absolut, sepse për të tjerë është gjendur gjithmonë dikush që ka marrë thikën dhe ia ka ngulur në zemër, kur njëri prej nesh kishte mësuar dhe shprehur kuptimin.

Ndahesha shpejt nga ata dhe strehohesha tek Homeri, pasi Odiseun e zgjodha si heroin tim. Doja të mësoja se sa më bashkonte gjeografia, sa historia dhe sa fati me të. E ndiqja në udhën e tij, por papritmas ngela në një ngushticë, edhe pse Odiseu ma bënte me shenja se si duhej të vazhdoja. Duke menduar me anijen ndalur para Shilës dhe Karibdit, nuk di kë të zgjedh.

Jam i detyruar të zgjedh mes dy të këqijave, ku shmangia e njërës më afron, pa dëshirën time, rrezikshëm me tjetrën.

Pse jeta ime ndodhet gjithmonë përballë zgjedhjesh tragjike? Shila të vret drejtpërdrejt, ndërsa Karibdi të përpin ngadalë, duke të zhdukur pa gjurmë.

Shila të jep mundësinë e një varri, Karibdi nuk të mban as si statistikë, edhe pse të dy janë magnetikë.

Kam dashur t’i largohem përsëritjes së asgjësë, sepse në të ka fantazma vrastare dhe, po kështu, ka jehona fantazmash misterioze edhe në jetën pa asgjënë.

Pas kam lënë njerëz që i përkasin Republikës së Platonit dhe, ashtu i vetmuar, anija më mëshiron me heshtjen e saj. Ajo e kupton se zgjedhja është me humbje dhe do të ndahemi së afërmi. Ndërsa unë dua të ndahem nga Republika me shpikje të pambarimta hajdutësh, nga sirenat përtace të fikura, nga formula e rrënuar e pagëzimit dhe altarët e djegur nga mungesa e nuseve. Dua të ndahem nga maskat e ngrëna nga përdorimi prej njerëzve të kollarisur, nga plagët e reja të mbivendosura mbi të vjetrat, nga xhuxhë dhe dordolecë pa dëshira dhe ëndrra.

Dua të ndahem edhe nga katedralet e shkishëruara dhe drejtësia sokratike pa gjykatës. Dua të ndahem nga përcjellësit e të vdekurve që janë më të shumtë në numër se në çdo ngjarje tjetër familjare. Anija e di se të dyja zgjedhjet dhembin njëlloj. E di se Odiseu nuk triumfoi asnjëherë me fitore në mbijetesën e tij të plagosur, por edhe nuk humbi kurrë. Ndërkohë Odiseu i la pas Shilën dhe Karibdin, po unë?

Tund kokën, se më duket absurde ideja “ç’më duhet mua, njeriut të shekullit të XXI, rruga e njeriut të shekullit VIII para Krishtit”, pasi nuk gjej ide tjetër.

A nuk mund të gjej një tjetër hero që më shpëton nga dilema akt-pasojë?

Projeksioni i turmës më përjashton nga pranimi i humbjes së pjesshme për të shmangur humbjen e jetës. Nuk ka pendesë në shpirtin e tyre. A kanë shpirt?

Nuk ka turp në shikimin e tyre. A kanë shikim? Nuk ka vetëdije në mendjet e tyre. A kanë vetëdije? Morali im lind midis aktit dhe pasojës, ndërsa morali i tyre nuk lind asnjëherë nga akti.

Ndërsa akoma më mundon pyetja se çfarë kanë bërë të parët e mi për 28 shekuj? Ndaj mendoj se Le Bon është i pafajshëm, pasi nuk është shqiptar. Shila më duket vrasëse e bukur, ndërsa Karibdi më zgjat jetën e vuajtur. Dikush prej nesh duhet të jetë i pari të kalojë midis tyre; kur ia arriti Odiseu, unë pse të mos shpresoj? Të kthehem pas më pret shkatërrimi i plotë, më pret një lloj funerali pa varreza. Të provoj me Shilën, mund t’i mbijetoj plagëve që rrjedhin gjak, se ndoshta nuk arrijnë në zemër, po përfundojnë me humbje gjymtyrësh. Kërkoj vetëm frymën, shpresën, kërkoj të mos humbas veten. T’i them “po” edhe asaj jete, edhe pse po më godet padrejtësisht. Pas kësaj nuk e di nëse do të jem send, apo njeri?

Karibdi nuk ka surpriza, është e njohur rruga e shkurtër për në stacionin e tij të fundit. Të dy duken të bukur, të veshur me uniformën e kamerierit me pesë yje. Jam shumë i ngatërruar. Nga Republika dëgjohen vetëm “urra” të fuqishme, që më ndjekin me optimizmin e tyre vulgar, si tentakulat e zgjatura të një oktapodi me botë të ngushtuar. Ato më kërcënojnë vetminë e ndershme me pandershmërinë e tyre, sepse e quajnë çikërrimë kalimin e ngushticës.

Ndërsa antropologët ideologjikë organizojnë meshën në kishën e Republikës për mua.

Kush është zotndjekës, unë apo ata?

Dua të iki në Itakë që të mos kemi më të njëjtën meny.

Endërroj më tej të shkoj në Kamboxhia, të endem në xhunglën e saj, të shëtis zbathur nëpër tempuj, si Rita Levi-Montalçini, pa qenë pacienti i saj.

Pacientët e saj jetojnë me pasojën.

Dua të qartësoj veten nëse çlirohem nga kotësitë e antropologëve ideologjikë, apo duan të më çlirojnë ata nga kotësia ime.

Mendimi flet me anijen që lëkundet nën frymëmarrjen e qetë të ujërave neutrale.

Ai kërkon ndihmë se si të gjejmë një rrugë që të mos humbas as anijen, as veten.

Më ka lodhur “etika rrethanore” e shterur si një krua në verë.

Odiseu më largohet vazhdimisht, si një far që lëviz, edhe pse te Shila humbi disa shokë.

Tani u barazua me një pikë në horizont.

Po Itaka ime sa larg është?

Filed Under: Komente

Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri

April 16, 2026 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri nuk është thjesht një zhvillim diplomatik. Ajo është një goditje politike direkte ndaj modelit të keq qeverisjes që ka instaluar Sekti i Rilindjes këto 14 vite.

Le ta themi pa dorashka: Pse “Rilindja” duhet të ketë frikë reale nga ky emërim:

Në një vend ku korrupsioni është bërë sistem, ku zgjedhjet manipulohen dhe ku krimi i organizuar bashkëqeveris me politikën, ardhja e një gjenerali amerikan me integritet të provuar është një kërcënim real për status quo-në.

Për shkak se korrupsioni i nivelit të lartë do të fillojë të trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare dhe jo më si “problem i brendshëm”. Një gjeneral amerikan si gjenerali Eric P. Wendt mendoj se do ta konsiderojë korrupsionin e Rilindjes si një faktor destabilizues jo si kompromis politik.

Sepse lidhjet e politikës me krimin nuk do të mbulohen më me propagandë njëlloj si samiti i turpshëm i diasporës që ishte një shfaqje cirku, e cila dështoi plotësisht me pjesmarrjen vetëm të shërbëtorëve të Ramës jashtë vendit, pa asnjë përfaqësues të saj të rëndësishëm dhe që nuk adresoi asnjë shqetësim të diasporës.

Sepse manipulimi i zgjedhjeve prej 14 vitesh do të jetë në fokus direkt

të një ambasadori me këtë profil, i cili nuk do të pranojë fasada demokratike. Ai do të kërkojë standarde reale, jo rezultate të fabrikuara rilindase.

Sepse kapja e plotë e drejtësisë me punësimin e patronazhistëve do të sfidohet hapur, për shkak se deri tani kemi parë se sistemi i drejtësisë të kontrolluar politikisht, vazhdon të jetë themeli i mbijetesës së paligjshme të pushtetit aktual dhe pikërisht këtu pritet përplasja më e fortë.

Sepse Washingtoni zyrtar e ka humbur durimin dhe pikërisht ky nominim është sinjal i qartë se SHBA-të nuk do të tolerojnë më një elitë politike që ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor.

Sepse propaganda e gënjeshtër e Rilindjes nuk funksionon më me Washington-in, pasi nuk mjaftojnë më konferencat, raportet e zbukuruara me gënjeshtra dhe lobimi i shtrenjtë por faktet në terren janë vendimtare.

Sepse do të kërkohet me fakte goditja e interesave financiare të pushtetit të Rilindjes, ministrave të saj të korruptuar, ku paratë e korrupsionit, lidhjet me trafikun e drogës dhe pastrimi i tyre përmes ndërtimeve, ekonomisë dhe informalitetit do të jenë nën vëzhgim të drejtpërdrejtë.

Sepse ka mbaruar epoka e ambasadorëve “komodë”, të cilët në shkëmbim të çantave firmato, mbrëmjeve erotike nën tingujt e tymit, muzikës por jo vetëm deklarojne sukseset imagjinare të Rilindjes. Tashmë nuk do të ketë më tolerancë diplomatike për një realitet që bie ndesh me interesat strategjike të SHBA-ve në rajon.

Në thelb, ky emërim është një mesazh i prerë nga Washingtoni duke vërtetuar se Shqipëria nuk mund të mbetet më një shtet i kapur, një bazë operative e krimit të organizuar dhe një demokraci fasadë.

Një ambasador si gjenerali Wendt nuk do të fokusohet në retorikë diplomatike, por në rezultate të matshme në luftën kundër korrupsionit, në funksionimin e institucioneve dhe në respektimin real të standardeve demokratike.

Ky emërim është gjithashtu një kundërpërgjigje e fortë ndaj ndikimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur ndikimi i Rusisë dhe i Kinës në rajon është në rritje, duke sinjalizuar një angazhim më të fortë amerikan në Ballkan dhe një impakt të fortë në fushën e reformave të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Për polikanët e korruptuar shqiptarë të cilët e kanë ndërtuar pushtetin mbi frikën, korrupsionin dhe manipulimin e zgjedhjeve, ardhja e një figure si gjenerali Wendt nuk është thjesht problem, por është fillimi i fundit të tyre politik.

Së fundi por jo nga rëndësia personalisht ruaj respektin dhe vlerësimet më të larta për lidershipin e tij gjatë planizimit dhe drejtimit të misioneve shumë të vështira të operacioneve speciale gjatë dislokimit të Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt-it në Afganistan në vitet 2011-2012.

Diaspora shqiptaro-amerikane ne çdo rast qe do te kerkohet nga ambasadori Wendy do te jete e gatshme qe te kontriboje me ekspertizen e saj ne te gjitha fushat e nevojshme: siguria kombetare, lufta kunder krimit te organizuar dhe kudo qe te jete me interes per USA.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 504
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT