• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËN NËNË TEREZA DHE DIPLOMACIA E VLERAVE

May 26, 2026 by s p

Vizita e Sekretarit Amerikan të shtetit, Marco Rubio në Kalkutë si mesazh i humanizmit amerikan dhe fuqisë universale të figurës shqiptare të Nënë Terezës.

Nga Frank Shkreli

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë të themeluar nga Nënë Tereza në Kalkuta gjatë turneut të tij zyrtar katërditor në Indi nuk ishte thjesht një ndalesë protokollare apo një akt formal respekti fetar. -Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf –Ajo ishte një ngjarje me simbolikë të thellë politike, diplomatike dhe morale, e cila tregoi se në politikën ndërkombëtare të shekullit XXI vazhdon të ekzistojë një vend i rëndësishëm për figurat universale të humanizmit dhe për diplomacinë e vlerave.

Në kohën kur marrëdhëniet ndërkombëtare dominohen nga rivalitetet gjeopolitike, luftërat ekonomike, tensionet ushtarake dhe përplasjet strategjike mes fuqive të mëdha, zgjedhja e diplomatit më të lartë amerikan për të vizituar vendin ku ka jetuar dhe shërbyer Nënë Tereza kishte një mesazh të qartë: Amerika kërkon të projektojë në botë, jo vetëm fuqinë e saj politike dhe ushtarake, por edhe dimensionin moral dhe human të lidershipit global.

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të mëdha morale të kohës moderne. E lindur si Gonxhe Bojaxhiu në një familje shqiptare, ajo u shndërrua në simbol universal të dhembshurisë njerëzore. Misioni i saj në Kalkutë, mes më të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve, krijoi një trashëgimi morale që kapërceu kufijtë kombëtarë, fetarë dhe ideologjikë. Ajo nuk ishte vetëm një murgeshë katolike; ajo u bë një ndërgjegje morale globale. Pikërisht kjo e bën figurën e saj jashtëzakonisht të rëndësishme edhe për diplomacinë moderne. Kur Rubio bëri homazhe pranë varrit të Nënë Terezës dhe takoi motrat e Misionareve të Bamirësisë, ai nuk po nderonte vetëm një figurë fetare. Ai po lidhej simbolikisht me një trashëgimi universale të humanizmit, sakrificës dhe shërbimit ndaj njeriut. Në thelb, kjo vizitë ishte një shembull i asaj që quhet “soft power” — fuqia e ndikimit përmes kulturës, moralit dhe vlerave njerëzore.

SHBA-të e kuptojnë se partneriteti strategjik me Indinë nuk mund të mbështetet vetëm në marrëveshje ushtarake, tregti apo teknologji. Aleancat afatgjata ndërtohen edhe mbi respektin kulturor, ndjeshmërinë historike dhe simbolikën morale. India sot është një nga partnerët më të rëndësishëm të Amerikës në Indo-Paqësor, sidomos përballë rritjes së ndikimit kinez. Por diplomacia amerikane kërkon që marrëdhëniet me Nju Delhin të mos perceptohen vetëm si aleancë kundër Kinës. Për këtë arsye, vizita në shtëpinë e Nënë Terezës krijoi një dimension njerëzor dhe emocional të turneut diplomatik të Rubios. Fakti që vizita ndodhi në Kalkutë kishte gjithashtu rëndësi të veçantë. Ky qytet mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me misionin historik të Nënë Terezës dhe me kujtesën morale të shërbimit të saj ndaj më të varfërve. Z. Rubio doli përtej itinerarit tradicional diplomatik të kufizuar në kryeqytete politike dhe tregoi vëmendje ndaj dimensionit shpirtëror e social të Indisë moderne.

Për vetë Marco Rubion, kjo vizitë ndihmon në formësimin e profilit të tij si Sekretar Shteti.

Gjatë karrierës së tij politike ai është identifikuar me mbrojtjen e lirisë fetare, të drejtave të njeriut dhe rolit moral të Amerikës në botë. Frank Shkreli: Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane? | Gazeta Telegraf. Nderimi ndaj Nënë Terezës përforcoi pikërisht këtë identitet politik dhe diplomatik. Frank Shkreli: Marco Rubio, kryediplomati i ri i Shteteve të Bashkuara | Gazeta Telegraf

Por kjo ngjarje ka një domethënie të veçantë edhe për shqiptarët. Nënë Tereza është figura shqiptare më universale e shekullit XX dhe një nga emrat më të njohur në historinë moderne të njerëzimit. Origjina e saj shqiptare i jep Kombit shqiptar një vend të veçantë në hartën morale të botës. Çdo homazh ndërkombëtar ndaj saj është njëkohësisht edhe njohje e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.

Në një kohë kur kombet e vogla shpesh luftojnë për dukshmëri në arenën globale, figura e Nënë Terezës vazhdon të mbetet dëshmia më e fuqishme, se ndikimi i një kombi nuk matet vetëm me territorin, ekonominë apo fuqinë ushtarake, por edhe me kontributin moral që ai i jep njerëzimit.

Prandaj vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës nuk ishte rastësi. Ishte një akt i menduar diplomatik, një mesazh politik dhe një njohje e fuqisë universale të humanizmit që përfaqëson figura e saj. Kjo vizitë rikujtoi një të vërtetë që politika botërore shpesh harron: fuqia më e qëndrueshme nuk është vetëm ajo e armëve apo ekonomisë, por ajo e vlerave njerëzore. Dhe në këtë dimension, figura e Nënë Terezës vazhdon të mbetet një nga zërat më të fuqishëm moralë të historisë moderne — një figurë shqiptare që i përket tashmë gjithë njerëzimit.

Për më tepër, vizita e Kryediplomatit amerikan, Marco Rubios në Shtëpinë e Misionareve të Bamirësisë të Nënë Terezes në Kalkutë, mund të konsiderohet vërtet një moment i jashtëzakonshëm për diplomacinë amerikane, jo sepse ishte një akt politik klasik, por pikërisht sepse kapërceu kufijtë e diplomacisë tradicionale dhe hyri në territorin e simbolikës morale globale. Në diplomacinë e fuqive të mëdha, sidomos të Shteteve të Bashkuara, çdo gjest publik i Sekretarit të Shtetit është i kalkuluar me kujdes. Zakonisht, vizitat zyrtare përqendrohen tek takimet me liderë politikë, marrëveshjet ekonomike, çështjet ushtarake dhe interesat strategjike. Por Rubio zgjodhi të fillojë një pjesë të rëndësishme të vizitës së tij në Indi jo në një institucion shtetëror, por në një vend të lidhur me dhembshurinë, varfërinë dhe humanizmin universal. Kjo e bën vizitën të pazakontë dhe jashtëzakonisht, domethënëse.

Në fakt, janë shumë të rralla rastet kur diplomacia amerikane i jep kaq shumë peshë simbolike një figure morale dhe humanitare gjatë një misioni strategjik në Azi. Kjo tregon se Uashingtoni e kupton se, siç thashe më lartë, fuqia globale nuk ndërtohet vetëm mbi ushtri, ekonomi dhe teknologji, por edhe mbi autoritetin moral dhe aftësinë për të komunikuar vlera universale. Vizita ishte gjithashtu e domethënse sepse ndodhi në një moment kur bota po kalon polarizime të forta gjeopolitike. Në një klimë ndërkombëtare të mbushur me luftëra, rivalitete mes fuqive të mëdha dhe tensione ideologjike, ndalesa në shtëpinë e Nënë Terezës krijoi një kontrast të fortë simbolik: mes logjikës së fuqisë dhe logjikës së humanizmit.

Vizita ishte po ashtu e jashtëzakonshme për shkak të figurës së vetë Nënë Terezës. Ajo nuk është thjesht një figurë fetare. Po ajo është edhe një simbol global i ndërgjegjes njerëzore. Edhe për shqiptarët, kjo e bën ngjarjen edhe më të rëndësishme. Nuk ndodh shpesh që figura më e lartë diplomatike e SHBA-ve të nderojë në mënyrë kaq të dukshme një personalitet me origjinë shqiptare gjatë një vizite ndërkombëtare me rëndësi strategjike. Kjo përforcon edhe njëherë, statusin unik të Nënë Terezës si figura shqiptare me ndikimin më të madh moral në historinë moderne botërore.

Në përfundim – edhe njëherë, në një kuptim më të thellë, pra, kjo vizitë tregoi se edhe në epokën e superfuqive, teknologjisë dhe rivaliteteve globale, diplomacia vazhdon të ketë nevojë për figura që mishërojnë ndërgjegjen morale të njerëzimit, siç është Shën Nënë Tereza shqiptare. Dhe pikërisht këtu qëndron jashtëzakonshmëria e asaj vizite se Amerika, përmes diplomatit të saj më të lartë, zgjodhi të flasë me gjuhën e humanizmit përpara se të fliste me gjuhën e strategjisë politike të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Ronald Reagan në Shtëpinë e Bardhë – qershor, 1985 duke i dorëzuar Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Presidenti Reagan: “Nënë Tereza është një heroinë e kohëve tona. Kështuqë, përveç shumë nderimeve dhe dekoratave, që i janë dhënë asaj, përfshirë Çmimin Niobel për Paqë, me dashuri të madhe dhe me respekt të pafund, i dorëzojmë Nënë Terezës, “Medaljen Presidenciale të Lirisë.”

Filed Under: Komente

MEMORIAL DAY DHE BIJTË SHQIPTARË TË AMERIKËS

May 25, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në fundin e çdo maji, kur Amerika hyn në pragun e verës dhe qielli mbushet me flamuj që valëviten mbi qytete, fusha dhe varreza ushtarake, vjen një ditë që hesht më shumë sesa flet. Memorial Day nuk është vetëm një festë kombëtare amerikane. Është një liturgji kujtese. Një çast kur kombi më i fuqishëm i botës përkulet para të rënëve të vet, para atyre që nuk u kthyen më nga luftërat e historisë. Në Arlington, mbi kodrat e bardha të varrezave ushtarake, mijëra flamuj të vegjël vendosen pranë çdo guri mermeri. Era lëviz ngadalë mbi emra që dikur ishin djem, bija, baballarë, studentë, emigrantë, ëndërrimtarë. Disa prej tyre mbanin mbiemra anglezë, irlandezë apo italianë. Por mes atyre emrave ka edhe mbiemra shqiptarë — emra që kanë ardhur nga Korça e Gjirokastra, nga Malësia e Madhe, nga Kosova, Çamëria, Ulqini e Tetova. Emra njerëzish që e gjetën Amerikën si strehë dhe më pas e mbrojtën atë me jetën e tyre.

Memorial Day është dita kur Amerika kujton bijtë e saj të rënë. Por për shqiptarët e Amerikës, kjo ditë ka një jehonë edhe më të thellë. Ajo prek kujtesën e emigrimit, mallin për lirinë, dhimbjen e luftës dhe mirënjohjen ndaj një vendi që për shumë shqiptarë u bë atdheu i dytë. Historia e shqiptarëve në Amerikë nuk është vetëm histori fabrikash, restorantesh, biznesesh apo sakrificash emigracioni. Është edhe histori uniformash ushtarake, histori betejash dhe varresh të mbuluara me flamurin amerikan.

Kur shqiptarët e parë mbërritën në brigjet amerikane në fillim të shekullit XX, ata sillnin me vete plagët e Perandorisë Osmane, varfërinë e Ballkanit dhe ëndrrën për liri. Amerika për ta nuk ishte vetëm tokë pune; ishte një premtim. Dhe shumë prej tyre besuan se ky premtim duhej mbrojtur.

Prandaj, kur Amerika thërriti bijtë e saj në luftë, shqiptarët nuk qëndruan mënjanë.

Në Luftën e Parë Botërore, shqiptarë emigrantë veshën uniformën amerikane dhe shkuan në frontet e Francës. Mes tyre përmendet Sotir Noke, një ndër shqiptarët e parë që shërbeu nën flamurin amerikan. Ishin burra që kishin ardhur nga një komb i vogël pa shtet të konsoliduar, por që në Amerikë gjetën një ideal më të madh: lirinë.

Më vonë erdhi Lufta e Dytë Botërore — lufta që ndryshoi botën. Shqiptaro-amerikanët luftuan në Evropë, në Paqësor, në qiell dhe në det. Disa nuk u kthyen më. Jorgji Josifi ra në Normandi, në tokën ku aleatët shkruan një nga kapitujt më dramatikë të historisë moderne. Të tjerë, si Spiro Kosta, Llambi Qiriazi apo koloneli Llazar Papen, u dalluan për trimëri dhe sakrificë.

Historiani Viron Prodani ka dokumentuar afro pesë mijë shqiptarë që shërbyen në Luftën e Parë Botërore dhe mijëra të tjerë në Luftën e Dytë Botërore. Këto shifra janë më shumë se statistika. Janë dëshmi se shqiptarët nuk ishin vetëm spektatorë të historisë amerikane; ata u bënë pjesë e saj me gjakun dhe jetën e tyre.

Fan Noli, që e njihte shpirtin e emigrantit shqiptar më mirë se kushdo, thoshte se shqiptarët i kishin Amerikës një borxh të madh moral për mbështetjen ndaj Shqipërisë. Dhe shumë shqiptarë e paguan këtë borxh me shërbim ushtarak.

Por historia nuk ndaloi aty.

Nga Koreja në Vietnam, nga Lufta e Gjirit në Afganistan dhe Irak, breza të rinj

shqiptaro-amerikanësh vazhduan traditën e uniformës amerikane. Në fotografitë familjare të komuniteteve shqiptare në Detroit, Bronx, Boston apo Connecticut, shpesh sheh një djalë të ri me uniformë ushtarake amerikane dhe pranë tij një flamur kuqezi. Dy identitete që nuk përplasen, por bashkëjetojnë me krenari.

Pas 11 Shtatorit, kjo lidhje u bë edhe më emocionale.

Sulmet terroriste mbi Kullat Binjake prekën drejtpërdrejt komunitetin shqiptar. Mes viktimave ishin edhe shqiptaro-amerikanë si Rrok Camaj, Simon Dedvukaj dhe Mon Gjonbalaj. Ata nuk ranë në një fushëbetejë tradicionale, por u bënë pjesë e tragjedisë që ndryshoi historinë moderne amerikane.

Dhe pas atij mëngjesi të errët shtatori, shumë të rinj shqiptarë vendosën të hynin në ushtrinë amerikane. Për ta, ishte një akt patriotizmi, por edhe mirënjohjeje ndaj vendit që kishte shpëtuar Kosovën nga shfarosja më 1999.

Në Afganistan dhe Irak shërbyen qindra shqiptaro-amerikanë. Disa prej tyre humbën jetën. Emra si Ervin Dervishi apo Gentian Marku mbeten sot pjesë e kujtesës së heshtur të Memorial Day. Ata ishin bij emigrantësh shqiptarë, por ranë si ushtarë amerikanë.

Kjo është madhështia dhe tragjedia e emigracionit: të lindësh me kujtesën e një atdheu dhe të vdesësh duke mbrojtur një tjetër.

Në shumë komunitete shqiptare të Amerikës, Memorial Day nuk është një ditë abstrakte kalendarike. Është një kujtim personal. Ka familje shqiptare që kanë fotografi të djemve të tyre me medalje ushtarake. Ka nëna që kanë marrë telegramin e zi të ushtrisë amerikane. Ka veteranë që ende mbajnë plagët e Vietnamit apo Irakut.

Në paradat e Memorial Day në New York, Michigan apo Connecticut, shqiptarët marshojnë me flamurin amerikan në njërën dorë dhe atë shqiptar në tjetrën. Dhe kjo pamje përmbledh historinë e tyre më mirë se çdo fjalim politik.

Sepse shqiptarët e Amerikës e kuptojnë ndoshta më mirë se shumë të tjerë çmimin e lirisë.

Ata kanë ardhur nga troje ku liria është mohuar, ku diktaturat kanë burgosur mendimin, ku luftërat kanë djegur shtëpi e kanë ndarë familje. Kanë parë komunizmin, spastrimin etnik, emigrimin e dhimbshëm. Për këtë arsye, Amerika për ta nuk ka qenë vetëm një superfuqi; ka qenë ideja e shpëtimit.

Ndoshta prandaj flamuri amerikan valëvitet ende me aq dashuri në trojet shqiptare. Ndoshta prandaj në Kosovë ka rrugë me emrin e presidentëve amerikanë dhe statuja kushtuar miqësisë me SHBA-në. Për shqiptarët, Amerika nuk është thjesht një aleat diplomatik; është simbol i lirisë.

Dhe Memorial Day është dita kur kjo mirënjohje bëhet më e ndjeshme.

Sepse në heshtjen e kësaj dite dëgjohen edhe emrat shqiptarë.

Ndoshta jo gjithmonë të shkruar në tekstet e mëdha të historisë. Ndoshta jo gjithmonë të njohur nga publiku i gjerë. Por të gdhendur në kujtesën e diasporës shqiptare.

Një gur varri në Arlington mund të mbajë një mbiemër shqiptar. Një fotografi e vjetër në Bronx mund të tregojë një ushtar të ri me sy nga Ballkani dhe uniformë amerikane. Një nënë shqiptare në Detroit mund të ndezë një qiri për birin që nuk u kthye më nga lufta.

Këto janë historitë e heshtura të Memorial Day.

Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e kësaj dite: jo tek paradat apo ceremonitë zyrtare, por tek kujtimi njerëzor. Tek fakti se liria amerikane është mbrojtur nga njerëz të ardhur nga çdo cep i botës, edhe nga shqiptarë që dikur zbarkuan në Amerikë vetëm me një valixhe, një ëndërr dhe një shpresë.

Sot, ndërsa Amerika ul kokën përpara të rënëve të saj, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan përkulet me respekt. Sepse në historinë e madhe amerikane, shqiptarët kanë lënë gjurmën e tyre të besnikërisë, sakrificës dhe nderit.

Dhe ndërsa flamujt lëkunden mbi varret e bardha të ushtarëve, duket sikur historia pëshpërit një të vërtetë të thjeshtë:

Liria amerikane është mbrojtur edhe nga bij shqiptarësh.

Filed Under: Komente

Kosova: Mosha e dytë e shtetit!

May 24, 2026 by s p

Çdo shtet i ri ka dy mosha. E para është mosha e së drejtës për të lindur. Ajo nis kur një popull nuk pranon më të jetë plagë pa emër, kujtesë e administruar nga tjetri, jetë e pezulluar në një hartë ku të tjerët vendosin për të. Në këtë moshë, historia flet me zë të rëndë. Ka frikë, pushtim, dhunë, rezistencë, varre, dëshmi, ndërhyrje, aleancë dhe gjykim moral.

Populli nuk kërkon ende përsosmërinë e shtetit. Kërkon që jeta e tij të mos mbahet më në dorë nga mohimi. E dyta është mosha e aftësisë për të qëndruar. Ajo fillon kur e drejta, sado e shenjtë, nuk mjafton më. Atëherë shteti i ri duhet të provojë diçka më të vështirë se lindjen, duhet të provojë se plaga që e solli në jetë mund të bëhet rend që mban. Duhet ta kthejë lirinë në institucion, njohjen në besueshmëri, mbrojtjen në siguri, aleancën në maturi, flamurin në punë të përditshme, kujtesën në përgjegjësi dhe dhimbjen në një qetësi që nuk shembet.

Liria e fituar nuk është ende shtet, bëhet shtet vetëm kur plaga që e lindi kthehet në rend që mban. Kjo është prova e dytë. Në moshën e parë, bota pyet nëse një popull ka të drejtë të dalë nga mohimi. Në moshën e dytë, qytetari, aleati dhe kundërshtari pyesin diçka më të ftohtë, a di ky shtet të qëndrojë? A di të mbrojë pa u nxituar? A di të lidhet pa u zvogëluar? A di të forcohet pa u vetmuar? A di ta kthejë arsyen e lindjes në jetë të përditshme? Kosova është një nga vendet ku kjo pyetje shihet me qartësi të rrallë. Ajo e fitoi moshën e parë me dhimbje që nuk mund të shkurtohet në formula.

Doli nga një histori mohimi, dhune dhe rreziku ekzistencial, me qëndresën e vetë dhe me ndërhyrjen perëndimore që e hapi hapësirën ku shteti i saj mund të lindte. Ajo moshë nuk duhet harruar kurrë. Pa të, nuk do të kishte as emër politik, as kufi, as institucione, as frymëmarrje të lirë. Por një shtet nuk jeton vetëm nga arsyeja e lindjes së vet. Në moshën e dytë, pyetja ndryshon. Nuk mjafton të thuhet se Kosova kishte të drejtë të bëhej shtet. Duhet të shihet se Kosova di të bëhet shtet që mban, me siguri që nuk rrëshqet në nerv, me diplomaci që nuk e lë të vetmuar, me ekonomi që nuk e mëson të riun ta shohë largimin si formë sigurie, me institucione që nuk dridhen sa herë politika e ditës humb durimin.

E drejta e lindjes e nxjerr një popull nga mohimi.

Kapaciteti i përditshëm e nxjerr shtetin nga brishtësia.

Kjo është arsyeja pse Plani Merz dhe Xhandarmëria nuk janë dy çështje të ndara. Janë dy prova të së njëjtës moshë.

Plani Merz pyet nëse Kosova mund t’i afrohet Europës pa mbetur në pritje.

Xhandarmëria pyet nëse Kosova mund të forcohet pa mbetur vetëm.

Të dyja, në thelb, pyesin të njëjtën gjë, a di Kosova ta bëjë sovranitetin e vetë më të plotë, pa e shkëputur nga arkitektura që e mbron?

Kjo është nyja e sotme.

Realizmi e mëson Kosovën të mos refuzojë urat që i japin frymëmarrje.

Dinjiteti nuk e lejon ta quajë urën shtëpi.

Pa të parin, shteti mbetet jashtë mundësive. Pa të dytin, mësohet me padrejtësinë.

Një korridor është i mirë kur të çon diku.

Bëhet padrejtësi kur shpallet fat.

Kosova nuk ka nevojë për një dhomë pritjeje me emër më të bukur.

Nuk ka nevojë për një afërsi që qetëson Europën më shumë sesa e afron Kosovën me vendin e saj të plotë.

Çdo hap i ndërmjetëm ka vlerë kur e zvogëlon padrejtësinë e përjashtimit, bëhet i rrezikshëm kur e mëson kontinentin të jetojë rehat me një shtet shqiptar jashtë derës.

Pra, po urës europiane.

Jo dhomës së pritjes.

E njëjta pjekuri kërkohet te siguria.

Një shtet nuk piqet vetëm kur ka flamur, parlament dhe qeveri.

Piqet kur di ta mbrojë rendin pa e kthyer forcën në nerv.

Siguria nuk është thjesht mjet fuqie.

Është gjuhë e shtetit.

Me të, një republikë i thotë qytetarit se nuk është i braktisur, i thotë aleatit se di të koordinohet, i thotë kundërshtarit se nuk është e dobët, i thotë vetes se nuk ka nevojë ta ngatërrojë vendosmërinë me ngut.

Forca që lind si institucion e rrit shtetin. Forca që lind si nerv e lodh shtetin.

Prandaj Xhandarmëria, nëse ndërtohet, duhet lexuar me këtë masë, po si kapacitet shtetëror, jo si flamur momenti, e aq më pak si flamur elektoral.

Po me ligj, mandat, kontroll civil, disiplinë, komunikim të qartë dhe koordinim me KFOR-in, SHBA-në dhe NATO-n.

Jo si strukturë e paqartë për aleatët, e përdorshme për fushatë dhe e kapshme nga propaganda serbe.

Kosova ka të drejtë të forcohet, por forca e saj duhet të jetë aq perëndimore në formë, aq e ligjshme në themel dhe aq e koordinuar në veprim, sa askush të mos mund ta shesë si rrezik.

Kundërshtari i një shteti të ri pret gjithmonë një paqartësi.

Pret një gjest të nxituar, një imazh të gabuar, një fjalë të pakujdesshme që mund ta shesë si rrezik.

Pjekuria nuk është të mos forcohesh. Pjekuria është të forcohesh në mënyrë që propaganda të mos gjejë vend ku të ngulë akuzën e vetë.

Kjo nuk është dobësi. Është mjeshtëri shteti.

Sovraniteti i pjekur nuk matet nga sa pak dëgjon aleancën.

Matet nga sa mirë arrin ta bëjë vullnetin e vetë të ligjshëm, të koordinuar dhe të kuptueshëm brenda saj.

Vetmia nuk është provë force.

Shpesh është vetëm keqkuptim i forcës.

Një shtet i ri që ka lindur brenda një arkitekture aleance nuk e rrit sovranitetin duke e përbuzur hapësirën ku ai sovranitet u bë i mundur.

E rrit kur bëhet aq i besueshëm sa aleanca nuk e sheh si barrë, por si pjesë të rendit.

Kosova nuk duhet të zgjedhë mes sovranitetit dhe Perëndimit.

Kjo është zgjedhje e rreme.

Nëse zgjedh sovranitetin si vetmi, rrezikon ta kthejë forcën në izolim.

Nëse zgjedh Perëndimin si miratim të jashtëm pa kapacitet të brendshëm, rrezikon të mos e pjekë shtetin e vetë.

Detyra është më e vështirë, të tregojë se sovraniteti i saj është forma më serioze e përkatësisë perëndimore të shqiptarëve.

Kjo kërkon edhe politikë të brendshme më të pjekur se nxehtësia e pushtetit.

Në një shtet ende të ri, qeveria nuk ka luksin ta bëjë sigurinë flamur momenti, opozita nuk ka luksin ta bëjë shtetin peng të kundërshtimit.

Secila palë e prek fatin e shtetit kur mendon se po prek vetëm pushtetin.

Shteti i ri nuk ka rezerva të pafundme besimi.

Nuk mund të shpenzojë vazhdimisht durimin e qytetarit, kredinë e aleatit dhe energjinë e institucioneve për çdo valë të nxehtë politike.

Një shtet i ri nuk rritet kur palët e tij e përdorin shtetin si skenë.

Rritet kur edhe përplasja më e ashpër nuk e rrëzon arsyen që i mban të gjithë brenda të njëjtit fat.

Sovraniteti nuk është vetëm ndjenjë e ngritur.

Është kapacitet i përditshëm.

Është kufiri që ruhet pa aventurë.

Është rendi që nuk bëhet hakmarrje.

Është policia që qytetari e sheh si mbrojtje, jo si pronë të pushtetit.

Është gjykata që besohet edhe kur vendos kundër të fortit.

Është shkolla që formon njeri të lirë, jo vetëm diplomë.

Është ekonomia që nuk e mëson të riun ta shohë largimin si të vetmen formë sigurie.

Është diplomacia që nuk e lë vendin të ketë të drejtë, por të mbetet i vetmuar.

Një shtet nuk piqet vetëm në tavolinat ku flitet për kufij.

Piqet kur i riu nuk e sheh ikjen si të vetmen mënyrë për të qenë i sigurt.

Këtu Kosova bëhet më shumë se çështje e Kosovës.

Bëhet provë e shqiptarizmit modern.

Sepse shqiptarizmi i sotëm nuk mund të mbetet vetëm kujtim, këngë, flamur, dhimbje, zemërim apo krenari.

Ai duhet të provojë se di të prodhojë shtet.

Shtet që mbron pa u çmendur.

Shtet që aleatohet pa u nënshtruar.

Shtet që forcohet pa u vetmuar.

Shtet që nuk ia kërkon qytetarit besimin si borxh emocional, por ia fiton me siguri, punë, rend dhe të ardhme.

Kosova është vendi ku shqiptarizmi nuk mjafton të jetë ndjenjë.

Duhet të bëhet kapacitet shtetëror.

Mosha e parë e Kosovës kërkoi sakrificë. Mosha e dytë kërkon besueshmëri.

E para kërkoi që bota të shihte krimin dhe të njihte të drejtën.

E dyta kërkon që qytetari, aleati dhe kundërshtari të shohin rendin që mban.

E para ishte çasti kur Kosova duhej të shpëtohej nga mohimi.

E dyta është koha kur Kosova duhet të dëshmojë se nuk është vetëm e drejtë historike, por shtet që prodhon siguri, ekonomi, liri dhe aleancë të qëndrueshme.

Kjo është pjekuria më e vështirë.

Është më e lehtë ta duash Kosovën si plagë sesa ta ndërtosh si institucion.

Është më e lehtë ta mbrosh me fjalë të mëdha sesa ta bësh të aftë në hollësitë e përditshme.

Është më e lehtë ta shpallësh sovranitetin sesa ta ushtrosh në mënyrë të tillë që qytetari ta ndjejë, aleati ta besojë dhe kundërshtari të mos ketë ku ta mohojë.

Kosova nuk bëhet më pak sovrane kur vepron me aleatët që e ndihmuan të lindë.

Bëhet më sovrane kur arrin t’u tregojë atyre se nuk është vetëm projekt i mbrojtur, por shtet i aftë.

Nuk bëhet më europiane duke pranuar çdo zgjidhje gjysmake.

Bëhet më europiane kur di të hyjë në çdo urë pa pranuar që ura të quhet shtëpi.

Nuk bëhet më shqiptare duke e kthyer çdo çështje në britmë.

Bëhet më shqiptare kur shqiptarizmi i saj bëhet rend që funksionon.

Në fund, mosha e dytë e Kosovës nuk do të matet me sa fort e shpall të drejtën e vetë, por me sa qetë e bën atë të funksionojë, në urën europiane që nuk kthehet në pritje, në forcën që bëhet institucion e jo nerv, në aleancën që nuk e zvogëlon sovranitetin dhe në qytetarin që e ndjen shtetin jo si kujtim të plagës, por si rend që mban jetën e tij.

Liria e fituar nuk është ende shtet.

Bëhet shtet kur qytetari e ndjen si rend, aleati si besueshmëri dhe kundërshtari si fakt që nuk rrëzohet dot.

Një shtet i ri nuk piqet kur bota pranon arsyen e lindjes së tij.

Piqet kur plaga nga e cila lindi nuk mbetet më vetëm kujtim, por bëhet rend që qytetari e ndjen, aleati e beson dhe kundërshtari nuk e mohon dot.

Arian Galdini

Filed Under: Komente

Shqiptarët në Ballkan dhe kërkimi historik për dinjitet, barazi dhe vetëvendosje kombëtare

May 22, 2026 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Historia e popullit shqiptar është një nga historitë më të lashta dhe më të ndërlikuara të kontinentit evropian. Në zemër të Ballkanit, ndërmjet perandorive, pushtimeve dhe transformimeve të mëdha politike të shekujve, shqiptarët kanë mbijetuar si një popull autokton me gjuhë, kulturë dhe identitet të veçantë. Që nga koha e ilirëve e deri në ditët moderne, historia shqiptare nuk ka qenë vetëm histori e ekzistencës biologjike të një populli, por histori e rezistencës së vazhdueshme për të mbrojtur kujtesën, tokën, gjuhën dhe dinjitetin kombëtar.

Në studimet historike dhe gjuhësore moderne, shqiptarët konsiderohen pasardhës të drejtpërdrejtë të popullsive ilire që banonin në Ballkanin Perëndimor shumë kohë përpara krijimit të shteteve moderne sllave. Gjuha shqipe, si një ndër degët më të vjetra të familjes indo-evropiane, mbetet një dëshmi e vazhdimësisë kulturore dhe historike të këtij populli. Përkundër pushtimeve romake, bizantine, osmane dhe trysnive të ndryshme politike gjatë historisë, shqiptarët arritën të ruajnë identitetin e tyre kombëtar nëpërmjet gjuhës, traditës, zakoneve dhe kujtesës kolektive.

Megjithatë, historia moderne e Ballkanit solli një nga padrejtësitë më të mëdha ndaj shqiptarëve: copëtimin e trojeve etnike shqiptare. Pas rënies së Perandorisë Osmane dhe krijimit të shteteve të reja ballkanike, shumë territore me shumicë shqiptare mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1912. Kjo solli ndarjen e shqiptarëve në disa shtete dhe krijoi një realitet politik ku miliona shqiptarë jetuan si pakica kombëtare në trojet e veta historike.

Në Kosovë, shqiptarët përjetuan dekada të tëra represioni politik, diskriminimi institucional dhe mohimi të të drejtave kombëtare. Regjimet e ndryshme serbe ushtruan politika të asimilimit, të spastrimeve etnike dhe të kufizimit të arsimit e kulturës shqipe. Universitetet, shkollat dhe institucionet shqiptare u mbyllën ose u kontrolluan vazhdimisht. Lufta e Kosovës në fund të shekullit XX ishte kulmi tragjik i një shtypjeje shumëvjeçare. Mijëra civilë humbën jetën, qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore shqiptare u shkatërrua. Megjithatë, pavarësisht dhimbjes, populli shqiptar i Kosovës arriti të mbijetojë dhe të ndërtojë institucionet e veta shtetërore mbi parimin e lirisë dhe të vetëvendosjes.

Edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar një histori të gjatë sfidash politike dhe identitare. Ata janë një komponent historik dhe autokton i atij territori, por për dekada me radhë janë përballur me përfaqësim të pabarabartë në institucionet shtetërore, me kufizime në përdorimin e gjuhës shqipe dhe me mungesë të zhvillimit ekonomik proporcional në zonat ku jetojnë. Demonstratat shqiptare në Maqedoni nuk lindën nga dëshira për konflikt, por nga nevoja për barazi dhe njohje institucionale.

Protestat për legalizimin e Universitetit të Tetovës, demonstratat për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kërkesat për përfaqësim të drejtë në administratë ishin shprehje të një kërkese legjitime qytetare. Shumë shqiptarë ndiheshin qytetarë të rendit të dytë në shtetin ku jetonin, ndonëse përbënin një pjesë të rëndësishme të popullsisë. Konflikti i vitit 2001 në Maqedoni ishte rezultat i akumulimit të gjatë të pakënaqësive politike dhe sociale. Marrëveshja e Ohrit solli përmirësime të rëndësishme në të drejtat e shqiptarëve, por shumë analistë dhe intelektualë shqiptarë vazhdojnë të argumentojnë se zbatimi i plotë i barazisë mbetet ende sfidë.

Në Mal të Zi, shqiptarët kanë ruajtur identitetin e tyre ndër shekuj në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci dhe rajone të tjera historike. Edhe pse shpesh të margjinalizuar ekonomikisht ose politikisht, ata kanë mbetur faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe i bashkëjetesës në rajon. Historia e shqiptarëve në këto territore është histori e rezistencës paqësore dhe e përpjekjeve për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare.

Në të njëjtën kohë, edhe vetë shteti shqiptar përjetoi një nga diktaturat më të ashpra të Evropës gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Për afro pesëdhjetë vjet, shqiptarët jetuan në izolim total politik dhe kulturor. Burgosjet politike, internimet, ekzekutimet dhe ndalimi i lirisë së mendimit krijuan trauma të mëdha kombëtare. Elita intelektuale dhe fetare shqiptare u godit rëndë, ndërsa populli jetoi nën frikë dhe kontroll absolut shtetëror. Kjo periudhë mbetet një kujtesë e dhimbshme për rëndësinë e lirisë, demokracisë dhe pluralizmit.

Sot, në shekullin XXI, shqiptarët gjenden të shpërndarë në disa shtete të Ballkanit, por të lidhur nga një identitet i përbashkët kulturor, historik dhe gjuhësor. Në këtë kontekst, shumë intelektualë dhe studiues shqiptarë kanë argumentuar se bashkëpunimi ndërmjet liderëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi është i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe për forcimin e pozitës së shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim nuk duhet kuptuar si thirrje për konflikt apo destabilizim të rajonit, por si koordinim diplomatik dhe politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Në një Evropë moderne, popujt kanë të drejtë të ruajnë identitetin e tyre, të kërkojnë barazi dhe të mbrojnë kulturën e tyre kombëtare në mënyrë demokratike dhe paqësore.

Në konferencat ndërkombëtare dhe institucionet evropiane, liderët shqiptarë duhet të paraqiten me vizion të përbashkët strategjik, me gjuhë diplomatike dhe me argumente historike, juridike e njerëzore. Ata duhet të kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në çdo shtet ku jetojnë: të drejtën për arsim në gjuhën amtare, përfaqësim të drejtë institucional, zhvillim ekonomik proporcional dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një komb nuk forcohet vetëm me emocione patriotike, por me dije, institucione të forta, arsim cilësor dhe unitet kulturor. Shqiptarët nuk duhet të ndërtojnë të ardhmen mbi urrejtjen ndaj popujve të tjerë, por mbi vetëdijen për historinë dhe mbi dinjitetin kombëtar. Kombet e mëdha nuk maten me numrin e luftërave që kanë bërë, por me aftësinë për të mbijetuar me identitet dhe për të ndërtuar paqe me drejtësi.

Historia shqiptare është histori vuajtjesh, por edhe histori qëndrese. Është histori e një populli që, edhe pse i ndarë nga kufijtë politikë, ka ruajtur gjuhën e tij të lashtë, këngët, zakonet dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Në një botë ku identitetet shpesh treten nga globalizimi, mbijetesa e kulturës shqiptare mbetet një dëshmi e forcës shpirtërore të këtij kombi.

Prandaj, rruga e shqiptarëve në të ardhmen duhet të jetë rruga e mençurisë politike, e diplomacisë moderne dhe e unitetit kulturor. Vetëm përmes dijes, bashkëpunimit dhe respektit ndaj vlerave demokratike mund të sigurohen të drejtat e plota të shqiptarëve dhe një paqe e qëndrueshme në Ballkan.

Filed Under: Komente

Të dashur sovranistë! Ambasadori Eric Wendt do rikthejë SHBA-në në Shqipëri

May 21, 2026 by s p

ROLAND QAFOKU/

Atyre politikanëve të majtë dhe të djathtë që u diqte barku për sovranitetin shqiptar ndaj SHBA-ve. Atyre politikanëve dhe që deklaronin se ç’punë ka SHBA me punët në Shqipëri. Atyre që rrinin pas ekranit të kompjuterit me duart në tastierë dhe që shkruanin të ekzaltuar se më në fund e thyen mitin e ambasadorit amerikan në Shqipëri. Atyre që denigruan pothuajse çdo ambasador amerikan, nga burra si Chris Hill e deri te Donald Lu dhe nga gra si Marisa Lino e deri te Yuri Kim, me ofeza vulgare personale nga më të turpshmet. Atyre që hapën shampanjën kur SHBA shpalli politikën e përkohshme për të mos qenë pjesë e politikave të brendshme të shteteve të ndryshme, përfshi edhe Shqipërinë.

Nga dje ka një lajm të keq për ta dhe të mirë për Shqipërinë: Në Tiranë pritet të mbërrijë shumë shpejt si shef i ambasadës amerikane Eric Wendt, një gjeneral me 3 yje mbi supe dhe 11 medalje të varura në gjoks që për 34 vjet shërbeu si ushtarak aktiv i përgatitur për luftë dhe që gjsat ajnë që do ti hedhë ujë çdo flake që u ndez në këto vite ndaj diplomacisë amerikane në Shqipëri. Si mazhoranca dhe opozita duhet të dinë mirë se sesioni i ri politik do ketë një arbitër politik si kurrë më parë, por mbi të gjitha një mbështetës të lufës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe veçanërisht luftës ndaj trafikut të drogës. Se këto cic-micet e politikës së ditës për të janë “bukë e thatë me djathë të bardhë”.

Me nisjes e punës prej Wendt, unë nuk e besoj që do ketë ndonjë ministër që të njoftojë me shpoti se ambasadori amerikan do vijë, apo do iki, siç bëri ministrja Xhaçka me Yuri Kim. Ashtu siç nuk besoj se do ketë ndonjë politikan që ta quajë SPAK organizatë kriminale dhe të krijuar nga ambasadori amerikan për interesa personale. I diplomuar për marinë si dhe për shkenca dhe arte, por mbi të gjitha me një aktivitet ushtarak si oficer komandant i sa e sa operacioneve pjesë e NATO-s, ai do jetë një kockë e fortë për çdo politikan shqiptar që do përpiqet ta ketë kundërshtar atë.

Ka një fakt interesant me Wendt. Ai është ambasadori i dytë me profesion ushtarak në histori që SHBA ka dërguar në Tiranë. A ju kujtiohet ambasadori James Jeffrey? Me një të folur lakonike dhe ndonëse me një shqipe modeste ai tha qartë dhe prerë gjatë detyrës në Tiranë më 11 janar 2003: Baronë të krimit, ne e dimë ku fshiheni. Ose deklarata tjetër edhe më e fortë se e para e dhënë më 5 prill 2003: Krimi i organizuar është kërcënimi më i madh për Shqipërinë. Pa mbaruar mandatin në Tiranë, presidenti George Bush e thirri në zyrë Jeffrey-n dhe i tha: Të kam emëruar zëvendësambasador në Irak. Jo vetëm që ishte ambasada më e madhe me 250 punonjës por në atë kohë ishte ambasada amerikane më e rëndësishme në Botë për shkak të zhvillimeve atje. Pak a shumë këtë profil do ketë edhe Eric Wendt. Mbi të gjitha Wendt do vijë me një mision të posaçën në Tiranë: Të rikthejë SHBA-në, jo vetëm pas tri viteve mungesë të një titullari të ambasadës me detyrën e ambasadorit, por edhe të rikthimit të prezencës aktive të politikë amerikane në Shqipëri. Boshllëku i krijuar në këto tri vite solli aq pasoja të rënda për politikën shqiptare saqë shumë e shumë probleme kanë rrëshkitur drejt humnerave dhe vendi ka bëra hapa pas.

Është për tu theksuar se në 104 vjet marrëdhënie diplomatike ShBA-Shqipëri, Eric Wendt do të jetë drejtuesi i 25-të i ambasadës amerikane në Tiranë, ose i 11-ti me titullin Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Kujtojmë se 5 drejtues të ambasadës kanë qenë me titullin Ministër Fuqiplotë dhe i Dërguar i Jashtëzakonshëm, 1 ishte Komisioner, 2 ishin drejtuesë misioni dhe 6 ishin Të ngarkuar të Përkohshëm me Punë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 504
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT