• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deputetët serbë kthehen në parlament e Kosovës

March 27, 2017 by dgreca

Pas gjashtë muaj bojkoti, lista Srpska vendosi të kthehet në parlamentin e Kosovës, për ta kundërshtuar themelimin e mundshëm të ushtrisë së Kosovës.

Nga Bekim Shehu/

Deputetët e serbëve të Kosovës, nga lista ”Srpska”, kanë marrë vendim që të kthehen në Kuvend, pas disa muaj bojkot që u bënë institucioneve të Kosovës. Vendimin për kthim në Parlamentin e Kosovës deputetët serb e morën, siç thanë, ”për ta kundërshtuar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ( FSK) në ushtri të Kosovës”. Sllavko Simiq, shef i grupit parlamentar të listës “Srpska”, tha për mediet lokale serbe, se ky subjekt politik kthehet në institucione për të mbrojtur interesat e komunitetit serb.

“Pas konsultimeve që kemi pasur brenda listës “Srpska”, kemi vendosur që të përdorim të gjithë mekanizmat, që përmes institucioneve ta kundërshtojmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë të Kosovës. Dhe tjera ta nisim procesin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ne konsiderojmë që marrëveshja për Asocacionin është për popullin serb të Kosovës dhe nuk duam që Prishtina zyrtare ta themelojë statutin e asociacionit pa përfaqësuesit e serbëve”, tha Sllavko Simiq.

Vendimin për kthimin e Listës “Srpska” në institucionet e Kosovës pas bojkotimit disa mujor e mbështeti edhe qeveria në Beograd, përmes drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Qeveria në Beograd e mbështet vendimin e përfaqësuesve serbë për kthim në Kuvendin e Kosovës dhe që pavarësisht rrethanave të vështira, aktivisht ta kundërshtojnë krijimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës”, tha Marko Gjuriq për televizionin publik serb RTS.

Ndërkohë, nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka mirëpritur vendimin e Listës “Srpska” për t’u kthyer në kuvend dhe qeveri dhe këtë ai e ka cilësuar si sukses të Kuvendit të Kosovës.

“Është interes i komunitetit serb që t’i ketë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, sepse vetëm duke qenë në institucione ata mund t’i përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës. Kjo është me rëndësi për ta dhe për funksionimin e institucioneve. Ne kemi një shoqëri shumetnike dhe duke qenë kështu, të gjithë duhet të punojmë së bashku edhe përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”, tha Xhavit Haliti.

Deputetët e serbëve të Kosovës bojkotuan institucionet e Kosovës që nga miratimi i ligjit për Trepçën nga kuvendi i Kosovës në tetor 2016, ligj ky që u kundërshtua ashpër nga qeveria në Beograd. Më vonë arsye tjetër për mospjesëmarrje në institucione, lista “Srpska” paraqiti edhe mosnisjen e procesit për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas kundërshtimit të Prishtinës zyrtare, e cila thotë se “pa u shuar të gjitha strukturat paralele, nuk mund të themelohet asociacioni”.

Lista “Serpska” e mbështetur nga qeveria në Beograd kundërshtoi kategorikisht së fundi nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që me ligj ta transformojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke shmangur kështu ndryshimet e nevojshme Kushtetuese. Për transformimin e FSK-së në ushtri, duhet ndryshuar Kushtetuta me dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve serbë. Kjo tash për tash duket e pamundur, për faktin që kthimin në kuvend pas gjashtë muaj bojkoti, përfaqësuesit e serbëve po e bëjnë pikërisht, siç thonë, “për ta kundërshtuar qoftë me ndryshime kushtetuese qoftë me ligj, Transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

E nga ana tjetër, Presidenti Hashim Thaçi, vazhdon ta përsërisë qëndrimin, se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk mund të pres pafundësisht dhe nuk mund të jetë, siç thotë, “peng i Beogradit dhe listës Srpska”.

Transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës përmes ligjit e kanë kundërshtuar edhe ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara. Ata nuk janë kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës, por thonë që “kjo duhet bërë me një proces gjithëpërfshirës dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese”.(DW)

Filed Under: Komente Tagged With: deputetet serbe, kthehen, në parlament e Kosovës

NGJARJET E VITIT ’97, ISMAIL QEMALI, SALI BERISHA DHE…TË TJERËT

March 27, 2017 by dgreca

1 ISMAILNga Ramiz LUSHAJ/2 Ismail1
 “Muzeu Kombëtar i Pavarësisë” në Vlorë e mori këtë status më 1962, në festimet e 50 vjetorit të Pavarësisë. Ma herët, në vitin 1936 deri në fillime të Luftës së Dytë Botërore, ishte “Muze Historik Kombëtar”, i pari muze historik në Shqipëri, pasi në këtë godinë dykatëshe të shek. XIX, u festua përvjetori i parë i Pavarësisë në nëntor 1913 dhe ishte për disa muaj selia e parë e të parës Qeveri Shqiptare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Në vitin 1963, për vet vlerat e mëdha historike kombëtare u shpall edhe “Monument Kulture”.
Përplot njëzet vite ma herët, ngjarjet e marsit 1997 në Vlorë e përfshinë në vorbullen e tyre, në cunamin e tyre edhe këtë objekt historik e kulturor të një randësie tejet të veçantë. U sulmua nga banda të rebelimit të armatosur (jo)politik. U cënue keqas shenjtëria e këtij institucioni të rrallë kombëtar dhe shenjtëria e objekteve të saj. Nuk e mbrojtën dot as misioni i saj kombëtar, as piedestali historik, as ombrella e statusit të saj të dyfishtë. Ishte një akt antikombëtar, që vështirë të përngjasë edhe në vendet ma të pa zhvilluara të botës së sotme globale.
Banditë të armatosur hynë brenda Muzeut Kombëtar të Pavarësisë me një revansh antishqiptar. Çartanisht. Pabesisht. Paturpësisht. Antikombëtarisht. 
E sulmuan edhe Ismail Qemal Bej Vlorën, “Baba i Pavarësisë”, themeluesi i Shtetit të ri Shqiptar, kryetari i Shtetit dhe kryeministri i parë i pas Shpalljes së Pavarësisë të 1912-tës. Aktet e tyre i tregojnë këto dy foto: 
E para, e paraqet burrshtetasin Ismail Qemali me kokën e mbështetur tek valvitja e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Banditët e kanë goditur me tre plumba në të djathtë të fytyrës së tij të bukur, tek balli dhe afër syrit të tij. Ata e goditën me 7 plumba edhe Flamurin Kuqezi. 
Foto e dytë e paraqet portretin e Plakut të Vlorës e të Pavarësisë tek Shqiponja dykrenare. Banditët ia kanë çarë gjoksin dhe kokën me bajonetë të armëve të tyre kriminale, mafioze. 
Banditët rrëmbyen në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë edhe disa objekte të rralla me vlerë kombëtare të veçantë. Një prej tyre ishte edhe Aparati Mors, me të cilin iu dha lajmi Botës për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë në 28 nëntorin e 1912-tës nga Vlora e Ismail Qemalit, që dhanë lajmin se Shqipëria “bahet në vehte, e lirë, e mosvarme”.
Dy vlonjatë atdhetarë të njohur, nga dyer të shquara vlonjate, flokëthinjur nga vitet, e gjetën aparatin Mors të hedhur në një kanal aty pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ishte krejt i përbaltun. E morën në duar, e pastruan me gjithë shpirt’ e plot dritë. Ia rikthyen Muzeut. Dveta para disa ditësh. Më thanë se ishte aty. Mirëpo, çështja shtrohet ndryshe: obkete të tilla tepër të rralla shtete të botës së sotme i ruajnë nën masa të jashtëzakonshme sigurie nga akte të tilla, nga kriminelët e çdo kohe, edhe nga rebelime të tilla “shqiptarçe”!
Pra, kështu, kësisoj, ngjarjet e vitit të mbrapshtë ’97, rebelimi i armatosur i Vlorës, nuk ishte thjesht ndaj Presidentit të Shqipërisë së asaj kohe, prof. dr. Sali Berishës, po ishte dhe kundër themeluesit të Shtetit të ri Shqiptar, kundër Ismail Qemal bej Vlorës të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Ishte një goditje ndaj identitetit kombëtar shqiptar. Ishte një veprimtari që shkoi deri në akte e veprimtari antikombëtare, që dëmtoi imazhin e Shqipërisë, që ngadalësoi zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Në marsin e çdo viti dhe të çdo dite në kalendarin e kohës shqiptare zbardhen dëshmi për politikat antikombëtare të fqinjve e aleatëve të tyre, klane të politikës shqiptare e aleatëve të tyre në “Kryeqytetin e Rebelimit” në Vlorë: Tre gishtat e simbolit serb të ngritur në Vlorë, në Rebelimin e ’97-tës – që akademik Rexhep Qosja i Kosovës e “Qytetar Nderi” i Vlorës, e keqcilëson “Revolucion i vonuar”(!) apo ndokund tjetër fjalathuhet se filantropi klanor Xhorxh Soros e mbështeste këtë Rebelim të Vlorës. Agjensia Italiane e Lajmeve (ANSA) komentonte më 2 mars 1997: “I gjithë skenari po shfaqet si një strategji politiko-ushtarake dhe jo si një manifestim spontan popullor”. Disa ditë ma vonë, më 13 mars 1997, Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) deklaronte: “Trazirat në Shqipëri ishin një grusht shteti i ushtarakëve”. Shkrimtari shqiptar, kandidat i Nobelit, Ismail Kadare, nga Parisi i Francës, në një intervistë në “Zëri i Amerikës” më 13 mars 1997, deklaronte: “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në Luftën Civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-1944”.  Kryetari i SHIK-ut e, njëherash, Kryetari i Operacionit për Rivendosjen e Rendit, Bashkim Gazidede, më 26 mars 1997, fliste botnisht për një plan “Lotos” të Qeverisë Greke, që kishte objektiv themeltar e primar “çlirimin e Vorio-Epirit nga sundimi shqiptar me anë të një rebelimi të armatosur” dhe akuzonte me emër e mbiemër individë e qarqe greke në Greqi e në SHBA, lobuesin pro-helen Nicholas Gage. Edhe TV Grek “MEGA”, qyshce më 5 mars ’97, pohonte: “Sot, grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë Flamurin e Vorio-Epirit. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës së Jugut nga pjesa tjetër e vendit, duke filluar nga Tepelena, duke shpallur kështu edhe autonominë e Jugut të Shqipërisë”. Një Fondacion Amerikan për Europën Lindore i drejtonte një letër Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ku – ndër të tjera, argumentonte më 10 mars ’97, se: “Është naivitet i madh të mos e kuptosh se Komiteti i Vlorës dhe udhëheqësit e tij janë të frymëzuar nga mafia e tipit komunist dhe të KGB-së”. Fakte e komente të tilla ka plot. E vërteta prêt të zbardhet përfundimisht e përjetësisht.
Ngjarjet e vitit ’97 nuk janë drejtue kundër emrave të përveçëm, as ndaj Ismail Qemal Bej Vlorës dhe as ndaj Sali Berishës, por kundër një emri të përgjithshëm kombëtar, kundër Shqipërisë etnike e euro-atlantike.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismail Qemali, Ramiz Lushaj, Sali berisha, Viti 97

Një koment për Drtitan Hilën dhe fansat e tij

March 27, 2017 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj /Publicisti dhe drejtuesi i Arenës tek OraNews Dritan Hila ka debatuar me shkrimtarin Agron Tufa në lidhje me të shkuarën diktatoriale.Shkas u bë një akt-ekspertizë e bërë nga Diana Çuli në vitin 1976 e cila u përdor pastaj për pushkatimin e poetit Genc Leka.Dritan Hila reagoi ashpër duke e fyer zotin Tufa si krijues dhe pas kësaj Agron Tufa botoi një dokument ku krimineli Feçor Shehu i jepte një mirënjohje Yll Hilës, të jatit të Dritanit, për kontributin që kishte dhënë kundër të dënuarve të Spaçit, në një kohë kur i jati i shkrimtarit Agron Tufa ishte i burgosur në Spaç.Dritan Hila u mbrojt duke thënë se i jati i tij ishte pjesë e kundërzbulimit, ndërsa dokumenti i paraqitur nga Agron Tufa tregonte të kundërtën.

Pas kësaj në rrjetin social Dritan Hila vendosi foton e të jatit dhe shkroi në anglisht: “Ai ishte babai im. Jam krenar me ty vëlla. Ju e bëtë Shqipërinë të madhe dhe të respektuar!”Periudha gati gjysmë shekullore diktatoriale sigurisht nuk lë shteg për të ndjerë krenari, veç turp dhe vrarje ndërgjegje, sepse eshtrat e të vrarëve të pafajshëm kanë bërë një mal më të lartë se Korabi!

Ndërsa vuajtjet e të dënuarve dhe sidomos shtresës vulnerabël, grave dhe fëmijëve, që regjimi ua ka djegur jetën, janë turp kombëtar!Është shumë i rëndë fakti që në Shqipëri nuk është mbajtur qendrim ndaj krimeve të diktaturës, edhe 26 vjet pas rrëzimit të sistemit.

Kjo ka krijuar kaos duke e kthyer Shqipërinë prapa.Enver Hoxha vazhdon të mbetet Hero i Popullit, ndërsa është aktori kryesor i tragjedisë shqiptare.

Gjatë një ballafaqimi që pati këtyre ditëve në aeroportin Malpensa të Milanos me Keda Kacelin, të mbesën e një të pushkatuari nga regjimi hoxhist, Ilir Hoxha, i biri i diktatorit vazhdon e krenohet me të jatin.Dhe ai ka të drejtë, në fund të fundit, sepse as PD dhe as PS as nuk kanë tentuar që t’ja heqin këtë titull të lartë.

Natyrisht kur është fjala për prindin, kjo është një temë e vështirë, por vendi dhe shoqëria nuk mund të mbeten peng i së shkuarës, as për hir të Ilir Hoxhës apo të kujdo tjetër, aq më tepër kur ata vazhdojnë t’i kenë idhuj etërit e tyre.Bashkim Shehu, i biri i Mehmet Shehut, është rast unik, që i ka denoncuar krimet e diktaturës dhe të të jatit.

Sado e vështirë të ketë qenë, sepese familja e Mehmet Shehut pastaj u kthye vetë në viktimë, sipas asaj që thotë populli se çfarë bën e gjen, denoncimi i Bashkim Shehut nuk ka ndikuar për keq, por përkundrazi, ka qenë një katharsis. Bashkim Shehu ishte i biri i të jatit, por s’kishte asnjë faj për fajet e të jatit.

Shoqëria nuk mund të fajësojë bijtë për fajet e prindërve. Këtë gjë e bënte diktatura që i çonte në skëterrë bijtë se ishin të prindërve të tyre.

Si Bashkim Shehu, duhet të veprojnë edhe bijtë e atyre që patën një rol sistemin kriminal që ka shkaktuar viktima me mijra.

Kështu duhet të veprojnë nëse duan të bëjnë karierë duhet ta kenë ndërgjegjen e pastër përpara publikut.

Pastaj pyetja është a duhet të ndjejë shoqeria shqiptare keqardhje për persekutorët, për hetuesit, për ata që kanë torturuar apo kanë kryer akt-ekspertiza duke marrë në qafë jetë njerëzish ?

Kjo është një pyetje retorike. Një pyetje idiote !Natyrisht që jo!

Shoqëria shqiptare duhet të ndjejë mëshirë për viktimat!

Shoqëria shqiptare i është në borxh vuajtjeve dhe torturave të viktimave të diktaturës që janë me mijra e mijra.

Diktatura nuk ishte krenari, as për t’u krenuar, por ishte tmerr, ishte ferr dhe turp kombëtar sepse ka shkaktuar tragjedi njerëzore ndaj njerëzve të pafajshëm dhe familjeve të tyre.

1 dokumenti

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Një komen për Drtitan Hilën

NATO PER KOSOVEN DHE SHQIPTARET

March 24, 2017 by dgreca

Nga Ismail GASHI/
Më 24 mars 1999 / e mërkurë /,- Datë kjo, që ndryshon kahen e ngjarjeve, ndoshta ndryshon edhe fatin historik të kësaj hapësire shqiptare e cila duhet të shpëtojë nga fanitja. Datë që ndryshon shekujt, ndryshon jetën, largon robërinë, dhunën dhe barbarinë serbe nga trojet dhe kurrizi i shqiptarëve të ndjekur në këtë tokë të djegur. Kjo do të jetë dita e fillimit të pavarësisë së Kosovës, shtet i pavarur e demokratik. Kjo ditë do të korigjojë lëshimet e padrejtrësitë e kaluara ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Do të korigjojë Shen Stefanin e Berlinin si dhe Londrën e 1912 dhe Parisin e Vërsajin. Kjo datë do te ndal fatkeqesinë shqipëtare të Lindjes ortodokse sllave dhe ate të Lindjes osmane islame. Sot, nese Miloshi nuk pranon kushtet e Holbrulut, Sollana, Sekretari i NATO-s, do të urdherojë sulmet kundër Sëbisë.Ky do të jetë intervenimi i veçantë i NATO-s për shpetimin e fatkeqësisë njerëzore,  Sot tërë dita ishte në ankth e frikë nga eksponomi i dhunës serbe mbi shqiptarët. Askush nuk qarkullonte pa ndonjë arsye të madhe. Rrugët ishin thuaja të palëvizshme. Popullata shqiptare largohej nga Lypjani dhe kërkonte strehim të ngutshëm diku në fshatrat e afërta si Banullë, Gllogoc apo edhe në lagjet periferike të qytetit që ishte me shumicë shqiptare. Sot, siç u informuam dhe njoftuam QIK-un, aty kah ora 15-të në rrugën Prishtinë-Lypjan u vra Ismet Asllani, komandant i Logjistikës në Zonën e Llapit, përkrahës i UÇK-së e bisnismen nga Hallaqi i Vogël. Ismeti, mu pse ishte veprimtarë i UÇK-së me inskenim u vra nga forcat serbe.
            Derisa gjatë ditës, kishte shqetësime të popullatës kudo në Kosovë, ishin të theksuara edhe sulmet e forcave serbe në shumë mjedise të Kosovës. Dalloheshin Zona e Shalës, Vushtrrisë, Zona e Dukagjinit dhe brezi kufitar. Ndërsa kufiri Kosovë-Maqedoni ende qëndron i mbyllur nga pushtuesi serbë. Gjatë ditës isha në Zyrë me z. Xhervat Ollurin, Fehmi Ibrahimin dhe Aziz Hysenin, pritej mbrëmja dhe fillimi i bombardimeve nga forcat e NATO-së. Shqetësime kishte si ndër shqiptarët e frikësuar nga dhuna serbe që i kërcënonte, ashtu frikësohej edhe popullata serbe nga sulmet e NATO-së dhe improvizonte rrezikim të popullatës civile, duke akuzuar kështu veprimin e NATO-së, për veprim mbi popullatën civile serbe. Shqiptarët realisht ishin të rrezikuar nga dhuna policore e ushtarake serbe e përqendruar para 3-4 ditësh nëpër shumë mjedise e pika të vendbanimeve shqiptare. Kurse veprimet e UÇK-së ishin shpresa e vetme e mbrojtjes së shqiptarëve në tokë, meqë sulmet e NATO-së parashihen vetëm nga ajri. Pika vendosjeje të forcave serbe ishin edhe në mjedise të Lypjanit. Në mbrëmje u ktheva në banesë i vetmuar në një qytet thuaja tërësisht i boshatisur nga shqiptarët. U muarrëm vesh me Abdyrrahman Konjufcën të jemi bash gjatë natës dhe ashtu vepruam, ishim në banesën e Manit. Miloshi kishte afatin e fundit deri në orën 20-të, të deklarojë për nënshkrimin ose jo nënshkrimin e marrëveshjes, ai para orës 20-të në ekran u deklarua kundër nënshkrimit të marrëveshjes, u kuptua se do të fillojnë sulmet e NATO-së. 10 minuta para orës 20-të u ndal rryma, filluan sulmet e NATO-së, shkrepi flaka, themeli i pavarësisë së Kosovës ne Aeroportin e Kosovës në Sllatinë të Lypjanit, qyteti u boshatisë për pak minuta, serbët ishin vendosur në disa kafene, policia ishte larguar nga stacioni policor dhe ishte vendosur në disa shtëpi private në lagje shqiptare, për ti ikur sulmit, e njëherit, nëse vazhdon bombardimin NATO, të rrezikon vet shqiptarët. Ishin strehuar madje edhe vet ushtarët dhe policët serb që gjatë mbrëmjes ushtria serbe pat vendosur artileri dhe antiajror edhe nëpër hyrje të pallateve të banimit. Që nga ora 20-të ndihej erë kërcënimi për shqiptarët nga dhuna serbe, dhunë e cila eksponohej me gjuajtje dhe kallje të lokaleve shqiptare me thirrje për vrasje dhe strukje nga frika e sulmeve të NATO-së. Ky fillim ishte, jo vetëm kërcnim për vdekje, por edhe shpresë për shpëtim. U dëgjuan detonime të shumta, shihej flake në Sllatinë, Ajvali e shumë mjedise tjera të Kosovës dhe Serbisë, kështu lajmëronin radiostacionet që mund të dëgjoheshin. U dhanë informatë se asaj nate janë sulmuar 40 objekte e sisteme të ushtrisë serbe. Dita gëdhiu me shqetësime e zbrazje të hapësirës e largime masive të popullatës shqiptare. Natën e kaluam të zgjuar, të ngazëllyer e ndjenjë lirie-çlirimi, dhe të frikësuar, paralelisht. Pata kontakte telefoni me disa veprimtarë nga terreni dhe familjen time. Tentova të dëgjohem edhe me QIK-në por nuk pata sukses. Gjatë natës te Mani erdhën edhe pjesa e mbetur e familjes së Nazmi Matoshit, Nëna, gruaja dhe një djalë i tij, si dhe Sanija, bashkëshortja e Ibishit të ndjer, me nusen e djalit me fëmijtë e saj. Kaluam disa orë bashkë të Mani, Pastaj ato familje shkuan në banesën e Matoshve, ne dy ngelëm në banesë të Manit tërë natën, deri në orën 7-të të mëngjesit, kur unë shkova në banesën time e Mani ngeli në të vetën, me qëllim që pastaj të shkon në Prishtinë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismail Gashi, NATO PER KOSOVEN DHE SHQIPTARET

E VERTETA MBI BESIM NDREGJONI

March 23, 2017 by dgreca

Nga Namir Lapardhaja/

Ka një problem me të vërtetën në Shqipëri. Sa herë që dikush hedh një akuzë, të vërtetë ose jo, del dikush tjetër që bën një kundërakuzë dhe, duke u krijuar një tymnajë, askush nuk e merr vesh se si qëndron e vërteta.Në këtë realitet, njerëzit e painformuar në përgjithësi, ndjekësi i thjeshtë  i portaleve, lexuesi i gazetave dhe dëgjuesi i lajmeve e ka të vështirë ta filtrojë të vërtetën, duke qenë se ai bombardohet nga mëngjesi në mbrëmje vetëm me informacione, shpeshherë të paverifikuara.

Një gjë e tillë bën që palët të qëndrojnë në llogoret respektive, hendeku të thellohet, ndërsa e drejta dhe e vërteta të mos merren vesh asnjëherë.

Në ditët e sotme, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga rënia e komunizmit, një ndër akuzat më të përhapura është ajo e bashkëpunëtorit të ish-sigurimit të shtetit. Duke qenë se dosjet nuk u hapën kurrë, partitë poltike nuk ndërmorën asnjëherë një nismë serioze që ta sqaronte këtë problem përfundimisht, çdokush ka “të drejtë” të akuzojë tjetrin për spiun dhe bashkëpunëtor të ish-sigurimit famëkeq të shtetit.

Një gjë e tillë ndodh rëndom me shtresën e ish-të përndjekurve dhe ish-të persekutuarve, qoftë ndërmjet njëri-tjetrit, qoftë kur bëhen vegla të pushtetit, për të sulmuar bashkëvuajtësit e tyre të djeshëm.

Duke mos mbajtur të njëjtin qëndrim për xhelatët e djeshëm, viktimë të propogandës qeveritare të majtë më së shpeshti bëhen viktimat e sistemit diktatorial.

Një problemi të tillë i vjen në ndihmë edhe një opinion i gjerë publik, i cili, duke qenë në një krizë të thellë morale, nuk interesohet për të verifikuar dhe për t’i vajtur të drejtës dhe të vërtetës deri në fund.

Si shembull të këtij spekulimi me të vërtetën do të marrë rastin e Besim Ndregjonit, i cili shpeshherë ka qenë në qendër të këtyre akuzave.

Vala e kësaj propagande u ndez sërish pak ditë më parë, ku zoti Ndregjoni u gjend në krah të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në një aktivitet në çadrën e Partisë Demokratike, e cila prej një muaji vazhdon protestën në bulevardin përpara kryeministrisë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Portale të majtë nxituan ta akuzojnë dhe iu turrën Ndregjonit me një valë akuzash, të paqënda dhe të pavërtetuara, vetëm e vetëm për të bërë pis e për të hedhur baltë mbi të, por edhe mbi kauzën e Partisë Demokratike.

Besim Ndregjoni është aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe ish-të Përndjekurve Politik të Shqipërisë.

Gjatë kohës së regjimi komunistë atij iu privuan e drejtat e arsimimit dhe e punësimit, duke u caktuar të punojë në punë të rënda dhe hapje tunelesh, ndërsa i ati i tij, Imeri, bëri 17 vite burg.

Sot ai duhet të përballet me akuza të paqena dhe të sqaruara më parë.

Filtrin e parë Ndregjoni e ka kaluar në vitin 1996, ku kandidoi për herë të parë nën siglën e partisë së Lëvizjes së Legalitetit.

Kështu, vendimi nr. 8, Tiranë, më 20.04.1996, i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personavë të Tjerë nën kryesimin e Hajri Mezinit, thotë se “duke vepruar në zbatim të ligjit numër 8043, dt. 30.11.1995, në mbledhjen e tij të datës 20.04.1996, mbasi shqyrtoi dokumentet zyrtare që ju vunë në dispozicion vendosi që z. Besim Imer Ndregjoni NUK rezulton të ketë bërë pjesë në funksione të përfshira në Nenin 2 të ligjit.” (Shih vendimin bashkëlidhur shkrimit).

Neni 2 i ligjit Nr. 8043, dt. 30.11.1995, veç të tjerave, parashikon: “c) Të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; ç) të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent, rezitent a strehues) ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në ­­—dispozicion të Sigurimit të Shtetit); d) të mos ketë qenë denoncues, dëshmitar i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; dh) të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë.”

Në këtë kuptim, ajo që del qartë është fakti se strategjia e së majtës ka qenë kostante: të vendosim ekulibër në raportin me të keqen midis atyre që u persekutuan dhe persekutorëve. Nëse nuk ke qenë komunist, ke qenë bashkëpunëtor me pushtuesin, nëse nuk ke qenë sigurims, patjetër që ke qenë spiun. Kështu plotësohej mozaiku shqiptar me bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor. Fajtorët asnjëherë nuk i ndanë privilegjet e tyre me viktimat, pëkundrazi i burgosën, i torturuan, i vranë, i lanë pa familje, pa shkollë, pa të ardhme. Kur komunizmi ra, u predikua që barra e fajit të ndahej me të gjithë popullin dhe kështu ndodhi. Fajtorët u fshehën, nuk u ndëshkuan, faji u shpërnda. Pas ca kohësh fajtorët u bënë biznesmenë, deputetë , madje edhe ministra. Viktimat u mjaftuan vetëm me kënaqësinë se për herë të parë në jetën e tyre nuk u diskriminuan, por u bashkuan dhe u bënë solidarë në ndarjen e fajeve e krimeve të diktaturës: ne kemi plagët ju keni armët, ndaj jemi një edhe bashkëfajtorë edhe bashkëvuajtës.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: e verteta, MBI BESIM NDREGJONI, Naimir Lapardhaja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • 214
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT