• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Lu: Lutjet dhe Urime….

November 9, 2016 by dgreca

-Ambasadori emrikan ne Tirane : Lutjet per viktimat e permbytjes, urime per Presidentin e 45-te te SHBA, Donald Trump/ambasadori-lu-sot-Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Mëngjesin e Zgjedhjeve Presidenciale të SHBA (9 nëntor 2016)/

I Nderuar President Nishani, anëtarë të parlamentit, miq të rinj, zonja dhe zotërinj.!Më lejoni ta filloj këtë mëngjes duke ofruar mendimet dhe lutjet tona për viktimat e kësaj përmbytjeje të tmerrshme që ka ndodhur në Shqipëri këto ditë.Dhe më lejoni të vazhdoj me një rrëfim. Kam disa versione të ndryshme të këtij fjalimi sot. Dhe mendoj se kjo është një gjë e mrekullueshme e demokracisë. Është e paparashikueshme, është emocionuese, dhe është diçka të cilën e bashkëndajnë si Amerika dhe Shqipëria.

Nëse shihni rreth e rrotull kësaj salle, do të shihni se qëllimisht kemi ftuar shumë të rinj për të qënë këtu me ne sot për të festuar zgjedhjen e një Presidenti të ri amerikan. Pse do të kërkonim kaq shumë të rinj – dhe kur them të rinj e kam fjalën të rinj në moshë dhe të rinj në zemër – të bashkoheshin me ne sot. Sepse ju jeni e ardhmja me të vërtetë e kësaj demokracie.

Demokracia është diçka që na bashkon të gjithë neve, amerikanë dhe shqiptarë. Është e rrëmujshme. Është e komplikuar. Dhe shpesh, është e mbushur me konflikte dhe polemika, siç ishte këtë vit në Shtetet e Bashkuara. Por, në fund, demokracia na garanton liritë që i konsiderojmë kaq të vyera.

Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara – Donald J. Trump.  Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në Shtetet e Bashkuara, por kjo nuk do të thotë se do të ketë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë patur marrëdhënie të ngushta si gjatë administratave Republikane, dhe atyre Demokrate. Ne jemi aleatë në NATO. Ne jemi partnerë në Afganistan. Kemi qëndruar bashkë kundër agresionit rus në Ukrahinë dhe në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Kam besim se marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta edhe gjatë Administratës Trump.

Një nga gjërat më të rëndësishme në një demokraci është debati energjik dhe ndonjëherë antagonist.  Në këtë cikël zgjedhjesh, ne kemi parë kandidatët, median, mbështetësit e të gjitha krahëve të diskutojnë çështje – të mëdha dhe të vogla – që ndikojnë vendin tonë dhe botën. Këtë mëngjes ju dëgjuat nga Presidenti i zgjedhur Trump se çfarë e përkufizon vërtet një demokraci: kalimi paqësor i pushtetit dhe ecja përpara së bashku si një komb.

Teksa Amerika përfundon këtë sezon fushatash politike, Shqipëria po fillon të sajën. Tek fillojmë të shërojmë ndasitë politike mes njerëzve në të djathtë e në të majtë në Amerikë, shqiptarët do të fillojnë një debat të gjatë që do të kulmojë me zgjedhjet e qershorit.

Si dy demokraci të mëdha, më lejoni të ofroj shpresën – në emër të të gjithë amerikanëve sot këtu – se qytetarët shqiptarë do të bëjnë zgjedhje të mençura. Se ata do të debatojnë për çështje me rëndësi. Dhe se ata do të vazhdojnë të përqafojnë vlerat demokratike që bashkojnë Shqipërinë me Europën dhe Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Faleminderit shumë që keni ardhur.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Lu, Lutje dhe urime

Le të hapen dosjet!

November 9, 2016 by dgreca

Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi…/

1-reshat-kripaNga Reshat KRIPA/Këto ditë një miku im më dha një poezi që sapo e kishte shkruar. E lexoj:“Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,/ Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,/Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,/Thua të  jenë engjëj, apo faqezinj?”…/…..Lexoj dhe para syve më dalin këta “shakaxhinj të përparimit”, siç i quante Noli, që në një kor të përbashkët po këlthasin për hapjen e dosjeve të regjimit komunist.  Por nuk e dimë nëse këto monstra kanë vuajtur nga pasojat e këtyre dosjeve apo, ndoshta, janë nga zbatuesit e dikurshëm? Sepse në këtë botë absurde ku jetojmë më tepër ndihen zërat e korbave të dikurshëm se sa viktimave të tyre.Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi..Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.Le të hapen dosjet që të mos kemi më “të përndjekur politik” që natë e ditë i dëgjon të dërdëllisin për heroizmat e tyre.Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Le të merren me çfardo aktiviteti privat, por të mos kërkojnë të bëjnë karrierë duke spekulluar me detyrat që mbajnë.Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes. Ajo ishte vendi që pësoi genocidin më të egër në krahasim me vendet e tjera të lindjes.Dua të theksoj gjithashtu edhe një çështje tjetër mjaft  të rëndësishme. Mos ky ligj i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë do të përdoret për të bërë presione politike mbi palën kundërshtare ose individë të ndryshëm? A do të jetë një proces i ndershëm dhe i hapur? Duhet që komisioni që do të ngrihet për verifikimin e dosjeve të jetë shumë i kujdesshëm. Më lejoni t’ju sjell një shembull.Para disa vitesh kur diskutohej ligji i dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në zyrën e shoqatës paraqitet  gazetarja  e një medie të përditëshme. Midis të tjerave ajo më pyet:Cili është neni më i kontestueshëm i këtij ligji?Dhe unë i përgjigjem:Neni më i kontestueshëm është neni 6,  sipas të cilit  nuk  përfitojnë dëmshpërblim  ish-anëtarët e byrosë politike, ish-punonjësit  e Sigurimit të Shtetit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit, pra të gjithë ata që kanë qenë pjesë e nomenklaturës së diktaturës komuniste. Ndërmjet tyre kanë futur edhe ish bashkëpuntorët e sigurimit. Te kjo e fundit ne kemi shumë rezerva, sepse duhet të kujtojmë gjithnjë se çfarë presioni është ushtruar mbi ata persona. Duhet të kemi parasysh torturat që kanë kaluar në hetuesi, duke filluar nga ato fizike deri tek torturat psikologjike. Ka patur raste kur i kanë përdhunuar vajzën apo gruan në sytë e tyre, thjeshtë për t’i detyruar të bashkëpunojnë. Atëherë ne shtrojmë pyetjen se a është e drejtë që këta njerëz  të mos marrin dëmshpërblimin?Nuk  kishte  kaluar më shumë se një  javë,  kur  më  erdhi  një  letër  pa  autor  dhe  pa adresën e dërguesit.   Ishte    një   letër  e  shkurtër,  vetëm  një  faqe fletoreje. Midis të tjerave autori i saj shkruante:“Edukata, kultura dhe veçanërisht humanizmi i një bashkëvuajtësi, mund të shfaqte një largpamësi të thellë dhe një ndjenjë të paarritshme për ata fatkeq të nenit mbi të drejtat e përfitimit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. Jam edhe unë një nga ata fatkeqë të këtij neni. Jam intelektual dhe në një ose tjetër rrethanë gabova dhe pas dhjetë vjet burg po vuaj persekutimin e atyre dhjetë vjetëve dhe më tepër të atij neni, sepse nuk kam çfarë t’u them fëmijëve  të  mi  përse  nuk  e  përfitoj  dëmshpërblimin.  Është  e  tmerrshme   dhe  nuk  di  si  t’u shpjegohem juve dhe fëmijëve të mi. Dëshiroj që para jush të mbetem një bashkëvuajtës anonim. “

U preka tepër. Përmbajtja e asaj letre më zgjoi disa kujtime të tjera, të harruara.  Ata një pjesë nuk janë më, kanë ndërruar jetë dhe ndoshta kanë bërë mirë për të mos dëgjuar se si  kërkojnë t’i diskreditojnë. Të tjerët që janë ende gjallë shohin punën e tyre dhe nuk kërkojnë të bëhen as deputetë, as këshilltarë ose kryetar bashkie dhe komune. As qeveritarë ose punonjës të rangjeve të larta të administratës shtetërore. As prokurorë ose gjykatës. As kryetarë partish politike ose shoqatash të ndryshme dhe as drejtues të mediave. Në  rast  se  duhej pastruar, e para duhej të ishte politika që duhej të jepte shembullin. Duhej të ishin të pastra parlamenti, qeveria, organet e drejtësisë, të zgjedhurit vendorë, administrata shtetërore, mediat e shkruara dhe ato vizive. Le t’u hapen atyre më parë dosjet. Mos vallë trembeni për përmasat që mund të marrë largimi i tyre?  Para   syve   më   dilnin   disa  raste  të  tilla  që  ishin detyruar të nënshkruanin një deklaratë të tillë. Më kujtohej heroi i romanit tim, inxhinier Agroni, që përfaqësonte një peronazh të njohur timin, në kohën kur ishim së bashku në burg. A mund të ndëshkoheshin tani për këtë vepër? Më parë duheshin ndëshkuar ata që i detyruan të nënshkruajnë. Lërini   të   qetë  këta  gjynahqarë  që  u  detyruan forcërisht për të bërë një veprim të tillë. Dhe hipokrizia qëndron në atë që sot, këta qyqarë, do t’i rigjykojnë përsëri po ata punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe komiteteve të partisë ose bijtë e tyre. A mund të ketë moral një veprim i tillë? Ky do ishte në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të nënshkruara edhe nga shteti ynë. Dua t’i drejtohem Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit ministrave përkatës, deputetëve, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediave të shkruara dhe vizive, opinionit publik në përgjithësi  dhe t’u them:

– Kujtoni rrugën nëpër të  cilën  kanë  kaluar  këta fatkeq! Mos ua lëndoni më plagët e tyre që ende nuk janë tharë! Mos i detyroni të turpërohen para fëmijëve, të afërmve dhe miqve të tyre!  Kujdes për  ata që janë  rrëzuar! Në rast se keni vendosur të bëni një gjë të tillë, atëhere hapuani më parë atyre që i detyruan të bëjnë një veprim të tillë! Hapuani  atyre që duan të ngjisin shkallët e karrierës, atyre që janë në majat e larta të politikës dhe shtetit shqiptar!  Ndaj mendohuni mirë para se të vendosni!

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Le të hapen dosjet!, Reashat Kripa

Pangallos dikur pranonte: Arbërishtja është shqipja e vjetër

November 8, 2016 by dgreca

Replikë me Teodor Pangallos, i cili në vitin 2002 thoshte: Po të humbim arbërishten, është si të humbim atdheun/

Nga Arben Llalla/

Përherë, kur Athina ka probleme serioze politike me Shqipërinë, Greqia detyron grekët me origjinë shqiptare-arvanitase që t’i kundërvihen shqiptarëve. Shkrimi i botuar këto ditë nga politikani i njohur arvanitas Teodor Pangallos tregon se ai gëlltit fjalët e tij për hir të politikës së gënjeshtrës së Greqisë. Pangallos shkruan sot se tjetër është arvanitas e tjetër shqiptar dhe më tej vazhdon se himariotët janë grekë. Nëse shfletojnë fjalorin e gjuhës greke-shqipe, fjala “arvanitas” në greqisht përkthehet në shqip “shqiptar”. Më 1994, kur marrëdhëniet greko-shqiptare pësuan ngrirje, tensionime të mëdha, Greqia dërgoi dy misionarë për shkrirjen e akujve me Presidentin Berishën. Ata ishin studiuesi i njohur Aristidh Kola dhe politikani Karolos Papulias. Pra, dërgoi grekët me origjinë shqiptare, të cilët gëzonin respektin e politikanëve të Tiranës. Edhe sot, Greqia ka nxitur politikanin Teodor Pangallos që t’i kundërvihet politikës zyrtare të Tiranës.Tre “grekë” ka angazhuar shteti grek për të kritikuar përditë me shkrime nëpër gazetat e Athinës kryeministrin Edi Rama. Ata janë tre grekë të njohur, për të cilët deri dje kishin shumë respekt intelektualët, politikanët dhe në përgjithësi shqiptarët: Teodor Pangallos, diplomati Aleksandros Mallias dhe publicisti Stravros Çimas. Që të tre këta kanë njohje personale dhe familjare me shumë shqiptarë. Ka disa ditë që Pangallos, Mallias dhe Çimas hedhin baltë mbi Edi Ramën për çështjen shqiptare-çame dhe Himarën.

Meqenëse unë e dua të vërtetën dhe faktet janë kokëfortë përpara çdo njeriu po ribotoj edhe njëherë fjalimin e Teodor Pangallosit mbi gjuhën shqipe që e flasin aq bukur arvanitasit dhe që kuptohet lehtë nga ne, vëllezërit e vegël të tij. Ky fjalim u mbajt nga Teodor Pangallos përpara shumë intelektualëve grekë, arvanitas dhe shqiptarë. Meqenëse dikur zoti Pangallos ka thënë që nuk është historian që të sjellë mendime të bazuara në histori, por është arvanitas, politikan, atëherë duhet të mbajë vendin që i takon, atë të arvanitas-politikanit dhe mos t’i hedhë benzinë zjarrit të historisë.

Në tetor të vitit 2002 në sallën e Arkivit folkloriko-muzikor në Athinë u bë prezantimi i Antologjisë së Këngëve Arvanitase të Greqisë, përgatitur me kujdes nga këngëtari dhe muzikologu i shquar arvanitas Thanasi Moraiti. Midis shumë personaliteteve të shquara të jetës politike e kulturore arvanitase në Greqi që vlerësuar librin shkencor foli edhe deputeti i PASOK-ut, arvanitasi Teodor Pangallos, i cili tha për gjuhën mëmë të tyre arvanitase:“Për ne që u lindëm në shtëpi, ku gjyshja jonë fliste arbërisht, këtë gjuhë që nuk është siç dëgjojmë të thonë sot ca karafilë, greqisht me ca fjalë të tjera, por është shqip, shqipja e pastër e shekullit XIV dhe këtë na e dëshmojnë edhe emigrantët e sotëm shqiptarë që ndodhen në Mesogjia dhe na thonë: Ju flisni shqipen e vjetër. Dhe kjo është shumë e logjikshme nga pikëpamja gjuhësore, pasi gjuha e shqiptarëve që u vendosën këtu në shekullin XIV, panë gjuhën e tyre të evoluojë në greqishten dhe ajo që erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes. Për ne humbja e gjuhës arbërishte është si të kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë, të cilën jo në kushtet e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk mund t’i shtypte kush në Greqi, ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit, jo në kushtet e një shtypjeje, pra, por vetë ata e “gëlltitën” të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën ta zhdukin gjuhën arbërishte, të cilën askush nuk e flet sot, të paktën nga mosha ime e poshtë. Tani, lavdi zotit, na kanë mbetur ende ca gjyshër e gjyshe që e flasin. Mirëpo është mëkat që kjo gjuhë të humbasë dhe besoj se puna që ka bërë Thanas Moraiti ndihmon që të mos jetë arbërishtja një atdhe i humbur. Duhet të dalin në dritë, gjuha, kultura, zakonet, doket, sepse përndryshe, po mbeti në errësirë do të jetë vërtetë një atdhe i humbur.

Nuk jam historian që të sjell një mendim të bazuar historik, por jam Arvanitas dhe di historinë e familjes time ashtu siç e dinë edhe shumë arvanitas të Athinës. Le të mos harrojnë lexuesit se në kundërshtim me Athinën, periferia e Athinës zotërohej deri vonë dhe në shumë raste vazhdon të zotërohet nga fshatra që rrënjët e tyre shkojnë shumë mbrapa dhe thellë atje ku vetë familjet njihen mirë mes tyre.”

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, dikur pranonte: Arbërishtja, është shqipja e vjetër, Pangallos

Lëvizja Vetëvendosje: Aktivisti i burgosur Astrit Dehari humb jetën

November 7, 2016 by dgreca

-Ramush HARADINAJ-AAK:Shteti duhet të japë përgjigje për çfarë ndodhi sot në Prizren/
protesta-vv
-Ministria e Drejtësisë e qeverisë së Kosovës në një komunikatë sonte bën të ditur se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për vdekjen e të paraburgosurit në Spitalin Rajonal të Prizrenit/

astrit-dehari

Prishtinë, 5 Nëntor 2016/ Një i ri aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën në moshën 26 vjeçare në Prizren, ka njoftuar subjekti më i madh opozitar në Kosovë.

Astrit Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor, bëhet e ditur në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kërkohet zbardhje e plotë e rastit dhe përgjegjësi institucionale për humbjen e jetës së Astrit Deharit.

Në komunikatë më tej thuhet: Në këto momente të rënda për familjarët dhe shokët e Astrit Deharit, dhe për të gjithë ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ndjek nga afër deklaratat kontradiktore të organeve të shtetit të Kosovës lidhur me vdekjen e tij. Astrit Dehari po mbahej në burg prej 68 ditësh bazuar mbi akuza të montuara për terrorizëm nga Prokuroria dhe Policia e kapur e Kosovës. Astrit Dehari ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë. Të gjitha këto janë informata kontradiktore dhe të papërputhshme.Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë disa herë thirrje dhe protesta për lirimin e aktivistit Astrit Dehari dhe 5 aktivistëve të tjerë që ende mbahen si të burgosur politikë. Protesta e fundit për lirimin e aktivistit Astrit Dehari është mbajtur dje pranë burgut të Prizrenit, por kërkesa jonë e drejtë ka rënë në vesh të shurdhër.

Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.

MINISTRIA E DREJTËSISË ËSHTË NJOFTUAR NGA SHËRBIMI KORREKTUES I KOSOVËS PËR VDEKJEN E TË PARABURGOSURIT

Ministria e Drejtësisë e qeverisë së Kosovës në një komunikatë sonte bën të ditur se është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për vdekjen e të paraburgosurit A.D., në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Në momentin e marrjes së lajmit, janë aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante për t’u marrë me rastin.Zyrtarët e Shërbimit Korrektues, tashmë po kryejnë veprimet për sqarimin e rastit. Përveç kësaj, me kohë janë njoftuar ekipet e policisë, ndërkohë ekipi i Mjekësisë ligjore dhe Prokurorisë janë duke punuar për hetimin dhe sqarimin e rastit.Ministria e Drejtësisë i shpreh ngushëllime pjesëtarëve të familjes së të ndjerit A.D, duke ndjerë keqardhje të thellë për rastin tragjik dhe siguron opinionin se do të njoftohet me kohë, posa të merret raporti zyrtar nga organet gjegjëse.

NJOFTIMI I SHËRBIMIT KORREKTUES TË KOSOVËS

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin se sot, më 5.11.2016, në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D., ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh keqardhje të thellë për rastin tragjik të ndodhur sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse, së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik.
I pandehuri A.D. ishte në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënpar. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale neni 374 par. 1 të KPRK.

DEKLARATE E RAMUSH HARADINJAT

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj deklaroi:Vdekja e Astrit Deharit, një aktivisti politik, në një burg në Kosovë, pavarësisht rrethanave të vdekjes, është një ngjarje e trishtë për të gjithë ne, edhe si politikë edhe si shtet!

Kemi mundur të kishim bërë më shumë për Astrit Deharin dhe shumë bashkëmoshatarë të tij, të cilët po shohin gjithnjë e më pak shpresë në këtë vend!

Shteti duhet të japë përgjigje për çfarë ndodhi sot në Prizren.

Në këto momente dhimbjeje për familjen, miqtë dhe kolegët e tij në Vetëvendosje, në emrin tim dhe të kolegëve të mi në AAK, ngushëllimet më të sinqerta!

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Dehari, humbi jeten, vetevendosja

Clinton, Trump përqendrojnë fushatën në shtetet e pavendosura

November 4, 2016 by dgreca

1-klinton-trumpKandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Hillary Clinton i përqendruan te Enjten përpjekjet e tyre në Karolinën e Veriut dhe Florida, dy shtete që shihen nga të dyja fushatat si jetike për të fituar zgjedhjet e 8 nëntorit.

Zoti Trump realizoi katër tubime të planifikuara gjatë ditës përgjatë bregut lindor duke filluar në qytetin Jacksonville në veri të Floridës dhe duke shkuar më pas në lindje të Pensilvanisë dhe duke përfunduar ditën me dy ndalesa në Karolinën e Veriut.

Ndërkohë, zonja Clinton kishte dy tubime të planifikuara në Karolinën Veriore, të parën në Greenville dhe më pas në Raleigh. Presidenti Barack Obama do të bëjë fushatë për zonjën Clinton në Florida, me një ndalesë herët në mëngjes në Miami dhe një tjetër në Jacksonville, vetëm 50 kilometra larg dhe në të njëjtën kohë me aktivitetin e zotit Trump.

Anketat e fundit nga të dyja shtetet tregojnë se kandidatët kanë pothuajse të njëjtën mbështetje ndërsa i vjen fundi fushatës. Megjithatë duket se fushata e zotit Trump është favorizuar nga rritja e mbështetjes, duke mbyllur një hendek prej 4 për qind në Florida dhe tre për qind në Karolinën e Veriut, që nga fillimi i javës së kaluar, sipas përllogaritjes së një mesatareje të sondazheve të Real Clear Politics.

Karolina e Veriut dhe Florida konsiderohen shtete të pavendosura, sepse ndryshe nga shtetet e tjera mund të votojnë ose për njërën parti ose tjetrën në zgjedhjet presidenciale.

Për shembull, Karolina e Veriut votoi për zotin Obama në vitin 2008 por në vitin 2012 mbështeti Republikanin Mitt Romney. Florida votoi dy herë për republikanin, George W. Bush in 2000 dhe 2004 por votoi për zotin Obama në 2008 dhe 2012. Përfundimi i 2012-ës u përcaktua nga një diferencë prej vetëm 0.9 për qind.

Një anketë e gazetës Uashington Post dhe e televizionit ABC tregon se mes votuesve të mundshëm në shkallë vendi, zonja Clinton ka 47 përqind mbështetje kundrejt 45 përqind për zotin Trump.

Të mërkurën zoti Trump tha se një presidencë Clinton do të krijonte një krizë të stërgjatur dhe se çështja e emaileve do të shoqëronte gjithë presidencën e saj.

Pasi Drejtori i FBI-së tha se po e rifillonte hetimin për emailat, zonja Clinton tha se autoritetet se autoritetet do të arrijnë të njëjtin përfundim si edhe në korrik, që nuk “ka çështje për t’u ndjekur penalisht”.(VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Clinton & Trump, Lufta, ne shtetet e pavendosura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT