• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Përkrahet puna e Ministrisë së Diasporës

October 26, 2016 by dgreca

-Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme/

2-diaspora

-Për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë dhe po punohet për vënien në funksion të regjistrimit online/

-Gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit/

-Bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe/

-Ministri i Diasporës, Valon Murati,  është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e  mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet  e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Tetor 2016/ Ministri i Diasporës, Valon Murati, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për punën e Ministrisë që e udhëheqë.

Në raportin e tij, ministri Murati prezantoi detajisht aktivitetet e realizuara nga Ministria e Diasporës por edhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë realizimit të tyre.  Në këtë takim u diskutua edhe rruga që duhet ndjekur në raport me diasporën tonë.

Ministri Murati mori përkrahje nga të gjithë anëtarët e komisionit, si nga deputetët e pozitës, po ashtu edhe nga ata të opozitës, të cilët i ofruan mbështetje atij  dhe Ministrisë së Diasporës për punën që po e bën dhe qasjen ndaj diasporës.

Në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ishte ftuar ministri i Diasporës, Valon Murati, të raportojë për aktivitetet e ministrisë të cilën e drejton dhe për gjendjen e mërgatës sonë të fuqishme në vende të ndryshme të botës.

Që në fillim të fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit,  Murati ka theksuar se  sipas Ligjit dhe të Strategjisë për diasporën dhe mërgatën, si objektivë është identifikuar fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik me diasporën për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës, për promovim dhe tërheqje  e lehtësim investimesh. Për këtë qëllim, ka thënë ministri, janë krijuar 23 rrjete që ndërlidhin bizneset e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë, si dhe rrjeti qendror që e koordinon punën e rrjeteve në nivel shtetesh. Ai tutje ka pohuar se Ministria e Diasporës udhëheq me njërën nga katër grupet punuese të Këshillit Kombëtar  për zhvillimin ekonomik, përkatësisht me Grupin për tërheqjen edhe lehtësimin e  investimeve nga diaspora në Kosovë.

“Diaspora është jo vetëm potencial njerëzor, por edhe kapital kulturor dhe ekonomik për vendin tonë”, ka theksuar Murati, duke e vlerësuar lartë kontributin e saj, jo vetëm për mbijetesën  e banorëve të Kosovës gjatë viteve të okupimit serb, por edhe për luftën e UÇK-së. Ai ka prezantuar edhe probleme dhe vështirësi që hasin mërgimtarët tanë kur duan të investojnë në Kosovë, apo thjesht ta vizitojnë vendin e lindjes: që nga sigurimet e shtrenjta kufitare, Kartoni i gjelbër, pastaj problemet për gjetjen e parcelave për të ngritur biznesin e tyre, sigurinë e pamjaftueshme ligjore për funksionimin e tyre, etj.

Duke pohuar se gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit, Murati ka pohuar angazhimin e tij që të gjenden mundësitë që në ekonominë e vendit të investohet rreth 8 për qind e kësaj vlere. Ministri ka mbështetur idenë se duhet të krijohen lehtësira për investimet e kapitalit të bashkëkombësve tanë nëpër botë, për të rigjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe eksport të mallrave  e të shërbimeve.  Ai ka pohuar gjithashtu se nëpërmjet panaireve të ndryshme që ka organizuar Ministria e Diasporës për produktet e prodhuara nga kompani të mërgimtarëve tanë në vende të zhvilluara ekonomike, si për shembull të atyre në Gjermani, janë krijuar një mijë vende pune për qytetarë tanë.

Murati ka përmendur aktivitete të shumta të Ministrisë , të cilën e drejton, si takimin me Odën e Avokatëve të njerëzve tanë nëpër botë, krijimin e asociacioneve të tjera të intelektualëve, ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm, të artistëve etj, duke theksuar faktin  se shqiptarët migrantë në botë më nuk janë vetëm forcë krahu, por edhe  krijues vlerash intelektuale e shkencore, madje edhe profesorë universitetesh të njohura dhe deputetë në parlamentet e vendeve ku jetojnë dhe veprojnë.

“Bashkatdhetarët tanë nëpër shtetet perëndimore duhet ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, por edhe të integrohen në vendet ku jetojnë dhe punojnë”, ka theksuar Murati, duke pohuar për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë, dhe se po punohet për vënien në funksion të regjistrimit on-line.

Duke folur për arsimin shqip të fëmijëve nga radhët e mërgimtarëve tanë ai ka përmendur një var vështirësish dhe  problemesh, si: mplakja e kuadrit arsimor, financimi i tyre, sigurimi i hapësirave për mësim plotësues, etj. Në këtë kuadër ai është angazhuar që universitetet publike, por edhe ato private në Kosovë dhe Shqipëri të kujdesen për ngritjen e kuadrit të ri për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duke rezervuar një numër solid studentësh nga fëmijët e mërgimtarëve, për të mbajtur gjallë dhe kultivuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtarë të trashëgimtarëve. Ai ka pohuar se bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe, kurse ka thënë se nuk ka probleme për sa i përket furnizimit të nxënësve me tekste shkollore falas.Ministri për Diasporë, Murati, është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e  mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet  e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës.

Anëtarët e Komisionit, të pranishëm në takim: Blerta Deliu Kodra, Ismet Beqiri, Pal Lekaj, Zafir Berisha dhe Luljeta Veselaj- Gutaj , por edhe deputetja Aida Dërguti, e cila nuk është anëtare e Komisionit, e kanë komplimentuar Muratin si rrallë ndonjë ministër tjetër për punën e tij dhe të dikasterit që e udhëheq. Ministri Murati kishte ardhur me ekip më të numërt të bashkëpunëtorëve se sa numri i anëtarëve të Komisionit, të  pranishëm në takim.Ministri Murati me bashkëpunëtorë u zotua se MeD-ja do të vazhdojë të punojë edhe më shumë, me gjithë buxhetin e vogël që ka, në mënyrë që lidhjet me diasporën të vazhdojnë të forcohen.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Përkrahet puna e, Ministrisë së Diasporës

Ambasadori LU flet për luftën kundër terrorizmit

October 25, 2016 by dgreca

Ambasadori LU flet për luftën kundër terrorizmit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes/

ambasadori-lu-me-kursantet

Pak ditë më parë në sallën e konferencave të Akademisë së Forcave tona të Armatosura, Ambasadori i SHBA-së, zoti Donald LU, zhvilloi një leksion me tematikë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Dëgjues të këtij leksioni ishin kursantët e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në fjalën e tij zoti LU theksoi se, “rritja e kontigjenteve të të rekrutuarëve për tu bërë pjesë e grupeve dhe organizatave terroriste që veprojnë kryesisht në Siri, Irak, etj. është një shqetësim serioz. Ky numur ka qenë në rritje nga vendet ballkanike, kryesisht Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj. Rekrutimi i terroristëve ka baza ideologjike dhe ekonomike, e cila e bën më të vështirë luftën kundër tyre. Ndaj mbështetja dhe asistenca nga institucionet e sigurisë të SHBA do jetë e vazhdueshme, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe rajonin e më gjerë”, theksoi zoti LU. Ndërkohë nga pjesmarrësit u bënë pyetje të shumta, të cilave zoti LU ju përgjigj me qetësi e kompetencë. Në fund, Komandanti i Akademisë së Forcave tona të Armatosura, Kolonel Ruzhdi Kuci, i dha zotit Ambasador, Donald LU, certifikatën “Për kontributin në përformancën e zhvillimit të Kursit të lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes,{KLSM} si lektor nderi.”, si dhe një libër me përmbledhje të tematikave dhe leksioneve të zhvilluara në KLSM. {SH.K}.

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasadori Lu, kundër terrorizmit

LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

October 18, 2016 by dgreca

Donald Trump duhet të refuzojë kriminelët e luftës që e mbështesin dhe të qartësojë pikëpamjet e tij për Luftrat në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrjet e NATOs/

1-vojislav-seselj-donald-trump

Javën e kaluar, Donald Trump u akuzua, mbase pa të drejtë, se “kishte kërkuar ndjesë” për ndërhyrjet që ndaluan dy herë vrasjet masive, që përfshijnë krime të genocidit, të më shumë se 100,000 civilëve të pafajshëm në ish-Jugosllavi. Incidenti tërhoqi vëmendjen nga kritika e hershme e zotit Trump për fushatën e bombardimit nga NATO që ndali luftën e Kosovës, duke shpëtuar mbase dhjetëra mijë jetë njerëzish. Për më tepër, është e pamundur të injorosh ngurrimin ofendues të zotit Trump për të refuzuar mbështetjen nga një prej kriminelëve më të njohur të atyre luftrave, Vojislav Seselj.

Si qytetarë amerikanë që u shpëtuan atyre luftrave, dhe si ish përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, autorë, aktivistë të drejtash të njeriut dhe akademikë që studiojmë shpërbërjen e Jugosllavisë dhe pasojat e saj, deklaratat e zotit Trump për këto çështje na duken thellësisht shqetësuese.

Në 1999, zoti Trump ishte në favor të ndërhyrjes nga toka dhe pushtimit të mundshëm të Serbisë, në vend të bombardimeve objektive, ndonëse jo të përkryera të NATO-s.  Këtë verë, ai sinjalizoi se si President nuk do të ndërhynte kur regjime dhunuese masakrojnë qytetarët e tyre.  Është e rëndësishme të shënohet se Boshnjakët (myslimanë) nga Bosnia dhe Hercegovina si dhe shqiptarët nga Kosova dhe kroatët u vunë në shënjestër dhe u vranë në mënyrë sistematike gjatë luftërave të Ballkanit.  Për ata mes nesh që kanë shpëtuar e që janë myslimanë, deklaratat e zotit Trump për një ndalim të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, nëse do të zbatohej kur ishim ne që u detyruam të braktisim shtëpitë, do të kishte sjellë padyshim vdekjen tonë.

Më së fundi, ai nuk është distancuar nga Vojislav Seselj, që është paditur për krime lufte nga Gjykata Kriminale e për Ish-Jugosllavinë.  Gjatë Luftës së Bosnjes, Seselj nxiti tmerrin në zemrat dhe mendjet e burrave, grave dhe fëmijët gjatë invazioneve të fshatrave nga milicia e tij e dhunshme, duke kryer vrasje, përdhunime dhe tortura, në Bosnjen Lindore.

Sot, Seselj është anëtar i parlamentit të Serbisë dhe besohet se do të kandidojë për president të vendit në 2017.   Në shtator, Seselj ‘mirëpriti’ zëvendës-presidentin Joseph Biden në Beograd me një tubim politik shumë të reklamuar në mbështetje të zotit Trump.   Ai u kishte bërë thirrje më herët serbo-amerikanëve që të votonin për zotin Trump.   Platforma e tij vazhdon të përqendrohet në retorikën e dhunshme, krijimin e “Serbisë së Madhe”, ngadalësimin e përparimit të Serbisë drejt Bashkimit Europian dhe kërkon lidhje me të ngushta me Rusinë.   Në mënyrë të rregullt, ai djeg flamujt e NATO-s në publik.   Ai ka shfrytëzuar gjithashtu politikisht çështjen e pazgjidhur të vrasjes me mbështetje të shtetit të Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanëve nga Kosova, të cilët u ekzekutuan dhe u hodhën mbi një varr masiv, në 1999.

Me sa duket, Vojislav Seselj sheh Donald Trump si një aleat për kauzën e tij. Zoti Trump nuk ka bërë asgjë që të refuzojë mbështetjen nga Seselj.

Për shkak se zoti Trump po kandidon për një nga pozitat më të fuqishme të botës, përfitojmë nga kjo mundësi për ta kujtuar atë se politikat e tij do të kishin qenë katastrofike për të gjithë Europën Juglindore.   Shtetet e Bashkuara dhe NATO vepruan si një forcë për të mirë në këto ndërhyrje, ndonëse mbase tragjikisht vonë në Bosnje.   Vërtetë, akoma më alarmuese për ne është se qendrimi i zotit Trump ndaj NATO-s përputhet me atë të Federatës Ruse, e cila kundërshton NATO-n dhe zgjërimin e saj në rajon, duke përfshirë Maqedoninë dhe Malin e Zi.   Për ata mes nesh që u kanë mbijetuar luftrave të tmerrshme të drejtuara nga udhëheqës autokratë, admirimi që zoti Trump ka shprehur për Vladimir Putinin është alarmues, sidomos kur mendon angazhimin në rritje të Putinit me ata udhëheqës të Serbisë dhe njësisë serbe të Bosnjës, të cilët refuzojnë të pranojnë përgjegjësitë për krimet e të kaluarës, përfshi edhe genocidin.   Rusia ka bllokuar në mënyrë aktive anëtarësimin e Kosovës në OKB. Shpërfillja që tregon Putini për të drejtat e njeriut flet vetë kur shikon sulmin mbi shoqërinë civile ruse.  Prandaj një presidencë me Donald Trump që mban anën e Rusisë dhe të ekstremistëve të Ballkanit nuk do t’u shërbente interesave të SHBA-së dhe mund të shtynte një rajon edhe kështu të brishtë, drejt një krize të plotë.

Prandaj, bëjmë thirrje që Donald Trump të refuzojë mbështetjen nga Vojislav Seselj, dhe deklaratat e tij të kaluara për ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugollavi. Ai duhet të përqafojë politikat që shpëtuan shumë prej jetëve tona dhe që mund të ndalojnë në të ardhmen katastrofat njerëzore.

Sinqerisht,

Ajla Delkic, Bosnian American Human Rights Advocate

Richard Lukaj, Philanthropist and Public Policy Advocate

Tanya Domi, Adjunct Professor, Columbia University; former Spokesperson, OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Praveen Madhiraju, Human Rights Attorney

Amb. (ret.) Robert L. Barry, former Head of the OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Amb. (ret.) Richard D. Kauzlarich, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina;

Adjunct Professor, Schar School of Policy and Government, George Mason University

Amb. (ret.) John K. Menzies, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina; former U.S. Chief of Mission in Kosovo

Shawn M. Byrnes, Senior Foreign Service Officer and chief of the U.S. Diplomatic Observer Mission in Kosovo (1998–99) and of the U.S. Diplomatic Mission to the Republic of Montenegro (1999–2002).

James Zogby, President, Arab American Institute

Kurt Bassuener, Founder and Senior Associate, Democratization Policy Council

Ken Biberaj, Public Policy Advocate

Mirsad Hadzikadic, Professor, University of North Carolina at Charlotte

Valbona Karanxha, Ed.D. New Haven Public Schools, Yale University Research Fellow

David L. Phillips, Institute for the Study of Human Rights, Columbia University

Shinasi Rama, Ph.D. Clinical Professor of International Relations NYU

Grid Rroji, Lecturer of International Relations NYU, Editor for Bletashqiptare.com

Gerard Toal, Virginia Tech, National Capital Region

Samuel Totten, Professor Emeritus, University of Arkansas, Fayetteville

Sarah Wagner, Associate Professor of Anthropology, George Washington University

Martin Shkreli, former Chairman of the Board for the National Albanian American Council

Frank Shkreli, former Eurasian Division Director of the Voice of America

Adisada Dudic, Attorney, Human Rights Advocate, Srebrenica Genocide Survivor

Meto Koloski, Macedonian American Human Rights Advocate

Elmina Kulasic, Human Rights Advocate

Steve Rukavina, Croatian American Activist

Klara Buda, former Head of the Albanian Department of Radio France Internationale, Paris, March 1999–2010.

 

Filed Under: Komente Tagged With: David Philips, Frank shkreli, LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

KERCENIMET E MINISTRIT TE JASHTEM GREK KOTZIAS

October 18, 2016 by dgreca

Kotzias kërcënon Shqipërinë nën ndikimin e këshilltarit të Putinit/

1-kotziasNe Foto:FOTO:1.Nikos Kotzias me Aleksander Dugin, 2013/

Nga Arben LLALLA/

Gjuha kërcënuese që ka përdorur në deklaratën e fundit ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, sipas të cilit Greqia ka dhjetëfish ushtrinë më të fortë, ekonominë, armët e kështu me radhë, nuk i shkon përshtat një ministri të BE-së. Një ministër e Europës nuk mund të kërcënojë aleatin e tij, anëtar të NATO-s.

Retorika e Kotzias (Koxhas) nuk është e rastësishme, ai prej disa vitesh, para se të bëhej ministër i jashtëm i Greqisë, merrte leksione diplomatike nga këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandër Dugini. Disa herë kam shkruar në media për lidhjet e ngushta të Nikos Kotzias me partinë Fronti Nacionalist Bolshevik në Rusi. Gjatë periudhës që Nikos Koxhas drejton Ministrinë e Jashtme të Greqisë ai ka bërë takime të shpeshta me vendet, të cilat njihen si pro ruse dhe antiamerikane apo antieuropiane.

Nikos Koxhas është njeriu që krijoi lidhet e ngushta të kryeministrit Aleksi Cipras me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin. Në Prill të 2013, Nikos Koxhas ftoi në Greqi për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin në Pireut, Aleksandër Dugin, ideator i partisë Fronti Nacionalist Bolshevik. Kotzias e shoqëroi për disa ditë në Greqi Duginin dhe i siguroi atij një takim me drejtuesit e lartë të nazistëve të Agimit të Artë. Aleksandër Dugin është këshilltar i Putinit dhe i ka sugjeruar që Rusia sa më shpejtë të pushtojë Gjeorgjinë e Ukrainën duke i rithemeluar Perandorinë Ruse. Një tjetër këshillë ekstremiste që Dugin i tha Putinit ishte heqja e shtetësinë ruse për të gjithë liderët opozitarë dhe disidentët.

Sulmet e disahershme ndaj PDIU-së prej Nikos Koxhas nuk janë të rastësishme. Këto sulme të shprehura nëpër mediat greke vijnë si pasojë e presioneve të BE dhe SHBA për zgjidhjen sa më parë të Çështjes Çame. Vitet e fundit PDIU është bërë zëri i vetëm i fuqishëm për politikat kombëtare në Ballkan dhe kuptohet që sllavët e grekët nuk u pëlqen që në Shqipëri të ekzistojë një parti mbarëkombëtare, e cila vlerëson se shqiptarët duhet të shohin nga perëndimi, SHBA dhe BE.

Dalja në skenë e paketës së problemeve që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të paraqitur nga ministri Ditmir Bushati tek Komisioneri Hahn i ka hapur shumë telashe Nikos Kotzias. Kjo gjë ka bërë që kryediplomati grek, Nikos Kotzias të shprehet me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënuese ndaj Shqipërisë, gjuhë që është jashtë protokollit diplomatik.

Kryeministri Aleksis Tsipras është nën presion të vazhdueshëm për shkarkimin e Kotzias, si nga partia e tij, ashtu edhe nga aleati qeveritar Panos Kamenos i ANEL.

Për deklaratat kërcënuese për ushtrinë e fortë që ka Greqia përballë Shqipërisë, Nikos Kotzias duhet të ketë parasysh faktin se ne jemi dy vende fqinje, anëtare të NATO-s, ku kemi rreth 30 mijë martesa të përziera vetëm këto 20 viteve të fundit pa folur për ato me pakicën greke në Shqipëri. Ne jetojmë në shekullin XXI, ku demografia në Ballkan tregon se shqiptarët janë një komb në rritje dhe jo në rënie siç është Greqia.

Historia na thotë se kur shqiptarët nisën kryengritje e 1821, ata ishin një grusht i vogël përpara gjithë asaj perandoria osmane. Koha tregoi atë që sot Nikos Kotzias ka kombësi ortodokse greke, se përndryshe mos të ishin shqiptarët nga Morea, Nafplio e Çamëria, Kotzias dhe shumë Koxhas të tjerë do ishin sot qytetarë të denjë myslimanë të Turqisë.

Në përfundim të fjalës së tij kërcënuese Nikos Kotzias lëshon një thirrje: “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”.

Ky është një tjetër kërcënim që rrëfen se Greqia po planifikon bllokimin e procesit integrues për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Natyrisht që duhet të çelen bisedimet shqiptaro-greke për çështjet e pazgjidhura, por si të barabartë, pa eufori dhe folklorin kërcënues. Shqipëria i ka letrat e hapura duke patur primare zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, çështjen e pronave të shqiptarëve nga Thraka e deri në Çamëri. Për këtë duhet zbatuar Marrëveshja e Lozanës për minoritetin shqiptar që ekziston ende në Greqi. Kështu mund të krijohet besimi tek njeri-tjetri dhe grekët të çlirohen nga ankthet. Vetëm në këtë mënyrë grekët dhe shqiptarët mund ta shohin njëri-tjetrin në sy, pa drojë, inate, mllefe duke mos ngritur barriera e kurthe.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara. Këto po do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt.

Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë mes dy popujve.

Nuk e dimë se çfarë të papriturash na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MINISTRIT TE JASHTEM GREK, KERCENIMET, Kotzias

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI- DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

October 18, 2016 by dgreca

MENTALITETI I PËRÇARJEVE, MËRGATA SHQIPTARE DHE DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR TË PSEUDOPATRIOTIZMIT/

ESAD GJONBALAJ/ NJU JORK/

Trevat shqiptare nën Mal të Zi po vuajnë nga shumë plagë. Njëra nga këto është plaga e rëndë e mërgimit, plagë kjo që rëndon dhe që rrezikon rëndë qenien shqiptare në trojet tona stërgjyshore. Por kjo plagë bëhet edhe më shumë e acaruar kur mërgimtarët përzihen në politikën shqiptare në Mal të Zi.

Gjendja politike e faktorit shqiptar në Mal të Zi është e rëndë. Por ditëve të fundit jemi dëshmitarë edhe të dobësimit të mëtejshëm të faktorit shqiptar në Mal të Zi.

Dhe kjo vjen për shkak të presioneve nga joshqiptarët. Vjen edhe nga mungesa e nje ideologjie të qartë. Vjen, edhe më dukshëm si rrjedhojë e mentaliteteve bajraktareske të disa të ashtuquajturve pseudoliderë politikë. Janë këta liderë të shqiptarëve në nivele zonash, që nën ombrellën e kultivimit të “patriotizmit te zjarrtë” në fakt po ia vejnë zjarrin interesave të përgjithshme kombëtare të shqiptareve që sot jetojnë nën Mal të Zi.

Politikat e tyre kanë dështuar dhe këto zgjedhje kuvendare provuan pikërisht këtë. Rezultatet dhe shifrat e dala nga zgjedhjet e përgjithshme në Mal të Zi janë tronditëse. Këto janë edhe argumenti më i fortë dhe më bindes i një dështimi klasik dhe dobësimi të mëtejshëm të pozicionit të shqiptarëve nën Mal të Zi.

Mospërgjegjësia ndaj interesave të përgjithshme dhe veprimet egoiste, klanore dërgojnë ujin ne mullirin e atyre që gjithnjë luftuan dhe sajuan plane famëkeqe kundër qenies shqiptare në këto treva të përvuajtura.

Në vend që të marrim tre-katër deputetë, sikur të ishim te gjithë në një listë ne arritëm të sigurojmë vetëm një deputet e tërë kjo fal “pseudopatriotizmit të zjarrtë” që çoi në përplasje dhe dobësim të dukshëm të faktorit shqiptar.Në këto zgjedhje, shqiptarët dolën me tri subjekte, me dy koalicione dhe me Listën e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve.

Mandatin e vetëm në Parlamentin e Malit të Zi e ka fituar Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” Forca-UDSH-ASH ka fituar 1 mandat. Ky koalicion i ka fituar 4.500 vota ose 1.20 për qind. Koalicioni shqiptar “Me një qellim” PD-IQ-LDMZ-Perspektiva i ka fituar 3.500 vota ose 0.90 për qind, kurse Lista e Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve i ka fituar 1.500 vota ose 0.40 për qind.

Sikur të ishim bashkë, do të merrnim të paktën tre deputetë dhe do të ishim një faktor real dhe për tu vlerësuar.Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë politike. Kultura e mos përgjegjësisë politike është shprehje mungese e qëllimeve të sinqerta dhe mungesë e vetëdijes se pastër kombëtare duke shpërfillur dështimin e tyre. Shkaku? Kjo vjen si rrjedhojë e paaftësisë politike dhe e lidershipit te dobët. Kjo është, edhe shprehje e kulturës gangrenë të politikes aktuale shqiptare.Një pjesë e madhe e fajit vjen edhe nga mërgimi. Shqiptarët në mërgim mbështesin klanet e tyre dhe kushërinjtë por nuk ndjekin çështjen kombëtare.

Ne që jemi në mërgim me dhembje dhe ankth shohim se si avazi i vjetër i përçarjeve të shqiptareve luhet edhe sot, edhe sot kur vetvetes i themi se udhëhiqemi nga intelektualet tanë.

Një kontribut indirekt në këto përçarje, fatkeqësisht po e luan edhe diaspora me disa individë të prirë nga lidhjet familjare e jo nga lidhjet që kanë të bëjnë me aspektet parimore kombëtare. Ironi e llojit te vet për kohen qe jetojmë!

Duke parë dhe duke analizuar tërë këtë lamsh problemesh, çdo qytetar shqiptar shumë thjesht vjen në disa përfundime. Njëri përfundim i dukshëm është se na duhet bashkimi I faktorit politik shqiptar. Tjetri përfundim që vijon është se me këta njerëz, me këto klane dhe me këto struktura të këtij mentalitetit, lokalist, bjaraktaresk nuk shoh ne horizont ndonjë perspektiv dhe vizion të qartë për përmirësimin e e pozitës se shqiptarëve nen Mal te Zi. Kështu do të vazhdojmë të mbesim të përcarë dhe do të humbim peshën reale politike që na duhet me zgjidhë problemet jetike të shqiptarëve në Mal të Zi.

 

Filed Under: Komente Tagged With: DËSHTIMET POLITIKE NË EMËR, Mali i Zi, TË PSEUDOPATRIOTIZMIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • …
  • 480
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT