Dani dhe David, një çift i ri izraelitësh, janë duke jetuar në Sarandë që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Ata kanë ngritur një bisnez të vogël turistik dhe janë të entuziazmuar me Shqipërinë. Hoteli ku banojnë është areduar thjesht dhe ata shpresojnë që ai të bëhet streha e të gjithë vizitorëve që nuk dinë asgjë asgjë për vendin tonë. “Kisha një shok këtu që kishte një hotel të vogël. Nuk e njihja fare Shqipërinë më parë dhe desha ta vizitoj si vullnetare, por ai më tha se i duhej një menaxhere. Pasi e diskutuam me Davidin, që në atë kohë ishte i dashuri im, vendosa që të vij. Ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme duke filluar me njerëzit, natyrën, malet, detin dhe diellin. Vizitorët po rriten dhe në pak vite të gjithë do të vijnë këtu”, thotë Danielle Richer. Dani tregon se megjithë avantazhet që e sollën atë dhe Davidin në Shqipëri, burokracia shpesh bëhet pengesë për t’u informuar dhe për të ndjekur procedurat ligjore. “Dija vetëm gjëra të vogla nga filmat para se të vija. Kur Dani hodhi idenë e ardhjes m’u duk se ishte një plan ekzotik dhe fillova të lexoja ca gjëra sepse mendoja se kisha të bëja me një vend rural. Më pas pashë fotot e Danit dhe thashë, le të shkojmë. Ju gëzova shumë kësaj pamjeje. Ajo që unë nuk e përball dot është burokracia dhe kjo është pjesa e Danit. Megjithë gjërat e mrekullueshme që keni këtu ajo që duhet korrigjuar menjëherë sidomos për të huajt është nevoja për t’i orientuar ata, gjithçka duhet të jetë më e aksesueshme.” Dani dhe David, tashmë banorë të Sarandës, do të presin këtë verë klientët e tyre të parë.
Delawie-Veseli: Kosova, e sigurt në rrugën e saj
-Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane, theksoi ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie, në takim me kryetarin i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli/
PRISHTINË, 10 Maj 2016/ “Kosova është e sigurt në rrugën e saj, pasi që vazhdon si një storie e përbashkët suksesi e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit”, tha sot kryetari i Kuvendit kosovar, Kadri Veseli gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Greg Delawie. Gjatë takimi ambasadori Delawie i uroi kryetarit Veseli zgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe suksese në përgjegjësitë e reja politike, thekson njoftimi dërguar nga zyra e shtypit e Kuvendit.Më tutje në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave, pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian.
Ambasadori Delawie me këtë rast theksoi se kjo është tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane.Delawie shtoi se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështes Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.
Nga ana e tij, kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Delawie për urimet e tij, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ai si ambasador dhe Uashingtoni japin për Kosovën në të gjitha drejtimet./b.j/
MOS E PREKNI VALBONEN- Ne natyren e paprekur eshte qendrueshmeria e botes!
Nga Ferhat Ymeri/Kent, Washington/
Kam ndjekur me shqetesim te madh shkrimet e Mehmet Elezit dhe te Dr. Islam Laukes mbi rrezikimin e Valbones…Kjo nuk guxon te ndodh! Nje: eshte nje fyerje ndaj inteligjences dhe ndaj te arriturave shkencore ne fushen e mjedisit!
Valbona eshte nje perle e Natyres (shqiptare dhe europiane). Ajo duhet te ruhet e te mbrohet per te miren e Shqiperise, te Europes e te Botes.
“In wilderness is the preservation of the world”
(“Ne natyren e paprekur eshte qendrueshmeria e botes.”)
thote Thoreau.
Ne shtetin Washington, duke respektuar dijen dhe parimet bashkekohore te shkences se mjedisit, u lirua lumi Elwha
nga prangat e dy hidrocentraleve, te cilat e kishin prangosur kete lum malor ne gjatesi prej 45 miljesh per 100 vjet, qe nga viti 1910. Projekti i rrenimit te hidrocentaleve zgjati nga shtatori i v. 2011 deri ne shtator te v. 2014. Ishte ky projekti me i madh botnor i heqjes se pendave te ndonje hidrocentrali.
Sot, “zhurma e gjeneratoreve eshte zevendesuar me kengen e lumit zaplot, duke hequr zgjedhen e nje shekulli si te mos kishte qene fare. Zgjimi i natyres eshte i dukshem gjithandej.”
” Gjera te medha mund te ndodhin kur njerezit kembengulin,” tha Mike McHenry, biolog i fisit Klallam ne rrjedhen e poshtme te lumit Elwha, i cili e nisi veprimin
per heqjen e pendes kur ende mendohej se ajo ishte nje ide e krisur.”
Por jo me.”
Tashti lumi dhe natyra jane ringjallur, duke perfshire dhe lloje te cmuara te peshkut salmon.
Vendimi per lirimin e Lumit Elwha u mor me nje akt te Kongresit te SHBA ne v.1992. “Me 83 per qind te shtratit te lumit te mbrojtur si pjese e Parkut Nacional Olympic,
eksperimenti Elhwa i cili kushtoi 325 million dollare ofroi nje mundesi unike per te filluar serish.”
“Dukej sikur i gjithe shtrati (menzi) po priste.”
Pra, te mesojme nga kjo praktike e ndritur e mendjeve te urta ne SHBA (ne Washington State), qe mos te prangoset Valbona per njeqind vjet, dhe, pastaj, pas nje shekulli
te shpenzohen me qindra miliona (ndoshta miliarda) leke
per te liruar lumin e mrekullishem Valbona nga prangat
e roberise, te paditurise e te krimit te tmerrshem qe po i
kercenohet.
Uroj qe Shqiperia, dhe mbrojtesit e mjedisit ne Europe, ne SHBA e kudo ne bote, nuk do te lejojne nje gjeme te tille,
e cila do te ishte vertet nje krim i llahtarshem jo vetem ndaj natyres shqiptare po dhe ndaj inteligjences dhe arsyes njerezore!
Ferhat Ymeri
Kent, Washington
Burimi i citimeve: artikulli :ROARING RESURGENCE
ELWHA RIVER After the removal of two dams, nature takes its course
By LINDA V. MAPES
Seattle Times environment reporter
THE SEATTLE TIMES, SUNDAY, FEBRUARY 14, 2016
( Te interesuarit mund te bejne nje udhetim virual mbi lumin Elwha: ” Take a virtual trip the the Elwha:
at sattletimes.com)
Reforma në drejtësi
* Ambasada e SHBA-së: Mbështetja unanime, e pazakontë në Shqipëri/
* Vlahutin: Ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave /
Ne Foto: Ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, dy arkitektet e marreveshjes se detyruar/
TIRANË, 9 Maj/- Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi për të pranuar në parim draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese, të përgatitur sipas rekomanimeve të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias.
“Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme”, thuhet në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane.
Ambasada e SHBA-së vlerëson se mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri, ndaj dhe përgëzon Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi.
Vlahutin: Ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave
Miratimi në parim i Reformës në Drejtësi nga komisioni i posaçëm duket se është pritur mjaft mirë nga ndërkombëtarët. Pas reagimit të Ambasadës Amerikane, është shprehur edhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin.
Ambasadorja e BE-së tha nga Shkodra se ka ardhur momenti që KE në fund të vitit të japë rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. “Jam e lumtur që sot u votua në parim drafti për reformën në drejtësi. Votimi është një lëvizje e mirë, por gjërat ende nuk kanë përfunduar. Vendi ka shumë punë, por kjo do të jetë pika e kthesës”, tha Romana Vlahutin….
***
NJOFTIMI I ZERI TE AMERIKES
Reforma në Drejtësi Miratohet në parim
Tiranë, 9 Maj 2016- Votë në favor edhe opozita. Palët në Komisionin e Posaçëm ranë sot dakort që t’i hapin rrugë diskutimit nen për nen. Vendimi përshëndetet nga ambasada amerikane dhe ambasadorja e BE-së
Në Shqipëri Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar sot në parim projektin e ndryshimeve kushtetuese, të rishikuar nga ekspertët e Misionit amerikan të Ndihmës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS. Miratimi është bërë në unanimitet si nga përfaqësuesit e shumicës dhe nga ata të opozitës, duke i hapur rrugë diskutimeve nen për nen. Vendimi u përshëndet menjëherë si nga ambasada amerikane ashtu dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian.
Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës, ishte paraprirë nga jo pak dilemma. Një natë më parë opozita duke shprehur qëndrimin e saj në favor të tekstit të rishikuar nga ekspertët e misioneve amerikane dhe europiane, OPDAT dhe EURALIUS, ishte shprehur kundër miratimit të saj në parim, si një “procedurë ekstrakushtetuese”. Megjithatë duket se situata kishte evoluar dhe palët ranë dakort gjatë që ta votonin në parim.
Pas mbledhjes nënkryetari i Komisionit demokrati Eduard Halimi e shpjegoi se “Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve, të diskutimeve nen për nen të amendamenteve Kushtetuese, nuk duhet të interpretohet, ashtu siç dhe u ra dakord në mbledhje, nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike, të cilat ekspertët e misionit të EURALIUS dhe OPDAT nuk i kanë marrë në trajtim”
Kryetari i Komisionit socialisti Fatmir Xhafaj e quajti votimin e sotëm në parim “një hap të mirë përpara. Me këtë votë në parim, sot i hapet rruga diskutimit nen për ne të procesit në ditët në vijim, votimit në tërësi dhe më pas shqyrtimit në seancën plenare në kuvendin e Shqipërisë”
Sipas opozitës, projekti i rishikuar ka përfshirë përmirësime të shumta, por se do të duhet të diskutohen diskutohen pikat për të cilat janë ofruar disa zgjidhje. “Janë çështje që kanë të bëjnë me institucione të reja Kushtetuese dhe me emërimet e këtyre institucioneve apo me ndërprerjen e mandateve kushtetuese, janë çështje politike për të cilat qoftë ekspertiza ndërkombëtare, qoftë Komisioni i Venecias pothuajse në të gjitha paragrafët e tij, ia adreson politikës”, deklaroi zoti Halimi.
Nga ana e tij zoti Xhafa tha se ka propozuar një kalendar intensiv punimesh për ditët në vijim: “E kemi ndarë procesin në 6 kapituj dhe kam propozuar një axhendë të ngjeshur pune anëtarëve të komisionit dhe shpresoj të ecet me këtë ritëm, me shqrtimin e cdo kapitulli hap pas hapi. Nëse ka realisht vullnet të sinqertë ne do të mund të përfundojmë në kohë të gjithë këtë proces”
Vendimi i sotëm i Komisionit u përshëndet menjëherë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara. “Mbështetja unanime për këtë vendim duhet t’i japë popullit shqiptar shpresën se tani udhëheqësit politikë janë të përkushtuar ndaj miratimit të kësaj reforme. Mbështetja unanime është e pazakontë në Shqipëri dhe ne e përgëzojmë Komisionin e Posaçëm për këtë hap të rëndësishëm përpara në reformën në drejtësi”, thekson deklarata e Ambasadës amerikane.
Ndërsa nga Shkodra, ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, shprehu një entuziazëm të përmbajtur: “Është një lëvizje e mirë, por gjërat nuk kanë përfunduar deri në momentin që do të përfundojnë me të vertetë. Megjithatë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse është krijuar tashmë momenti i duhur në mënyrë që, në fund të këtij viti, me punën që do të bëjmë së bashku, ne të krijojmë mundësinë që Komisioni Europian të japë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Prapë, do të duhet shumë punë, sepse edhe në rast se votimi i reformës do të bëhet plotësisht , atëherë duhet të shikojmë edhe elementet e parë të zbatimit të mirë dhe të duhur të kësaj reforme. Por, sinqerisht, kjo do të jetë pika e kthimit”, u shpreh ambasadorja Vlahutin në mesazhin e saj për Ditën e Europës.
Edhe drejtuesit më të lartë të shumicës, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta, përshëndetën vendimin e marrë duke e cilësuar si mesazhin më të mirë pikërisht në Ditën e Europës.
Kosovë-Misioni i OSBE-së, shkollë gazetarie në veri
-Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes/
PRISHTINË, 9 Maj 2016-B.Jashari/ Misioni i OSBE-së në Kosovë u ndihmon të rinjve të ndjekin karrierë në gazetari, të promovojnë lirinë e shprehjes.Në Mitrovicë të veriut ka nisur sot shkolla dhjetë-ditore e gazetarisë e organizuar nga Misioni i OSBE-së për rreth 20 të rinj nga Kosova veriore. Gjatë programit në fjalë, të udhëhequr nga Davor Glavaš, gazetar i mirënjohur dhe ligjërues në Universitetin e Zagrebit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të fitojnë njohuri praktike mbi raportimin, aftësitë e shkrimit dhe përdorimit të mediave sociale e teknologjive të reja, si blogjet dhe portalet e internetit. Forcimi i këtyre aftësive do t’iu ndihmojë në karrierën e tyre dhe do t’i kontribuojë pluralizmit të mediave në Kosovë.
“Për shoqëritë demokratike është jetike që të kenë gazetarë të arsimuar mirë që janë në gjendje të raportojnë në mënyrë objektive, faktike dhe të pavarur. Gjithashtu, është e rëndësishme që të rinjve me ambicie t’iu sigurohen mundësi arsimimi për të ndjekur karrierë në gazetari”, tha Christopher Tuetsch,Drejtor i Departamentit për Demokratizim në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Në kuadër të këtij aktiviteti, Misioni i OSBE-së synon t’iu ndihmojë mediave në Kosovën veriore t’i forcojnë kapacitetet e tyre njerëzore dhe të rrisin pluralizmin e informacionit që i ofrohet publikut” , bëri të ditur ai.
Pas përfundimit të suksesshëm të programit, katër kandidatët më të mirë do të vazhdojnë praktikën për gjashtë muaj, aktivitet ky që do të zbatohet bashkërisht me katër media në Kosovës veriore, gjegjësisht: TV Mir, Radio Kosovska Mitrovica, Radio Kontakt Plus dhe portalin KoSSev.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.
- « Previous Page
- 1
- …
- 304
- 305
- 306
- 307
- 308
- …
- 482
- Next Page »