Nga Nikollë Gjomarku, New York/
Këto ditë mbushet 1 vit, kur mbylli sytë pranë familjes, miqve dhe shokëve të ngushtë të idealeve antikomuniste vëllai im Deda, në Kullën historike të Familjes Gjomarku, në qytetin e lashtë të Shkodrës.
Ende sot, më kujtohen vuajtjet e gjata dhe të mundimshme, që ai kaloi në sketerren e tmerrshme të diktaturës komuniste në Shqipëri, gjatë viteve 1944-1990.
Për 44 vite me radhë, kalove rininë dhe burrërinë dhe u thinje në qelitë e ftohta të burgjeve komuniste të diktatorit Enver Hoxha.
Jeta juaj ishte një qendresë stoike dhe shembull i pamposhtur përballë makinës shfarosëse antinjerëzore komuniste. Ato burgje e kampe perqendrimi, i kalove edhe unë për aq kohë sa isha në Shqipëri (mbasi u arratisa), por jo më shumë vite dhe me keq se sa ju vëllai im i dashur.
E ruaj të freskët në kujtimet e mia, momentin e ndarjes fizikisht, nga ju vëllai im i shtrenjtë Dedë. Në mendje dhe zemrën e familjes Gjomarku dhe të gjithë miqëve dhe shokëve bashkëvuajtës ish të burgosurve politik të Shqipërisë, emri dhe shembulli juaj do të mbetet i skalitur me germa të arta.
Familja e jonë sot falënderon nga zemra të gjithë ata miq e shokë, që na u gjenden pranë, në ato ditë zie, personalitetet e larta të pushtetit lokal dhe qendror, veteranët e pamposhtur antikomunistë, që sot janë në moshë, intelektualë, gazetarë, studiues, banorët e shumtë mirditorë, që me zemer na u gjenden pranë në ato ditë pikëllimi, profesorë të universiteteve të Shkodrës dhe Tiranës, etj.
Fjalë zemre dalin nga ne pjesëtarët e familjes Gjonmarku për dajën e familjes sonë bashkëvuajtës në sketerrën komuniste për një kohë të gjatë Lek Pervizi; Prof. Dr. Romeo Gurakuqin, nipi i mikut të shtëpisë sonë Akademik Prof. Karl Gurakuqi; Ish i perndjekuri politik Eugjen Merlika, studiues, nipi i personalitetit të shquar të botës shqiptare Mustafa Kruja, me të cilin na lidh një miqësi e hershme familjare; gazetarin e mirënjohur shqiptaro-amerikanë ish bashkëvuajtës në kampet e perqendrimit me familjen Gjomarku, zotin Beqir Sina, bijen e pervuajtur të trojeve shqiptare studiuesen e ditëve tona zonjen Fatbardha (Mulleti) Saraçi, e cila me botimet e saj të shumta antikomuniste, po zbardh mbijetesën e bashkëvujtësve në kohën e regjimit të zi komunist, studiuesen e re Leonora Laçi që e quajti Princi i bardhë i Mirditës, shkodranin Zef Luka, një parashutist dhe trim i pamposhtur, i cili, disa herë hyri dhe doli nga Shqipëria, duke luftuar heroikisht me armë në dorë, për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri.
Në librin e tij me kujtime, Zefi, miku jonë i dashtur i ka lënë si epitaf fjalët vlerësuese tuajat, gjatë takimit të pare, mbas rënies së komunizmit në vitin 1990. Ai nder të tjera, gjatë takimit me ju vëlla, thotë këto fjalë: “A je burr i fort Kapidan Deda? – E ju u pergjigjet: “O Zef Luka: – Burrat e fortë janë pushkatue në Zall të Kirit!!!”
Edhe Z.Nue Oroshi, i cili, ju vizitoi disa herë dhe bëri intervista me ju në Kullën tone, ka shkruar dhe referuar kumtesa historike, në simpoziumet e shumta të organizuara nga E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike (Trojet e Arbërit).
Një falënderim të veçantë dua të përcjell sot, për mikun e hershëm të familjes tonë Tomë Mrijaj, i cili, gjithnjë punoj pa u lodhur për shumë vite me radhë me penden e tij hulumtuese, duke qendruar pranë nesh, ai arriti me durim të zbardh me fakte dhe argumente të vertetat historike të familjes tonë nder shekuj. Me Familjen Mrijaj, qysh në Kosovë nder shekuj në kemi pasur dhe ruajmë ende sot në New York, një miqësi tradicionale të panderprerë.
Trupi juaj sot pushon krenar në vorrezat historike të Rrmajit në qytetin e Shkodrës, i rrethuar nga kapidanët e tjerë, që gjatë jetës së tyre bënë histori të lavdishme për Mirditën dhe trojet shqiptare.
Ju kujton me shumë mall perherë vëllai juaj Nikollë Gjomarku me familje. Gjithashtu ju kujton edhe familja e vëllait Ndue Gjomarku, i cili, pushon në Nju Jorkun e largët, që gjithë jetën e tij (për 96 vite) e vuri në shërbim të Atdheut dhe Mirditës, duke i ruajtur nderin dhe lavdinë e përheshme familjes Gjomarku.
Krimet e luftës në Kosovë, dënohet një politikan serb nga veriu i Mitrovicës
-Shpallet aktgjykimi për rastin e Oliver Ivanoviçit/
Nga Behlul Jashari PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dje, një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë e shpalli Oliver Ivanoviçin fajtor për kryerjen e veprës penale “Krime të luftës kundër popullatës civile.”
Gjykata vërtetoi se më 14 prill 1999, forcat serbe i larguan me forcë shumë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe i mblodhën jashtë në rrugë. Një grup i paramilitarëve/policëve e ndau dhe mori një grup të meshkujve nga ushtria derisa arritën tek pika e kontrollit të policisë/paramilitarëve. Oliver Ivanoviçi ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policisë të pranishëm në pikën e kontrollit. Ai mbante uniformë të kaltër dhe ishte i armatosur.
Pastaj, këta meshkuj u shoqëruan përmes kësaj pike të kontrollit. Katër meshkuj u vranë derisa ky operacion u ndal për shkak të ardhjes së një personi të uniformuar, i cili dha urdhër për t’u ndalur.
Oliver Ivanoviqi ishte në dijeni të operacionit për dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve. Atë ditë, ai me dashje u pajtua me këtë plan duke e ditur që si pasojë e kësaj do të ndodhnin vrasjet.
I akuzuari Oliver Ivanoviç, u dënua me 9 vjet burgim.
Në lidhje me ngjarjet e 3 shkurtit 2000, pika e dytë e aktakuzës, Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit Oliver Ivanoviç, Dragolub Delibashiç, Nebojsha Vujaçiç, Ilija Vujaçiç dhe Aleksandar Lazoviç, prandaj i liroi ata nga të gjitha akuzat.
Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.
Trupi gjykues vendosi që të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak. Prokuroria mund të ankohet kundër këtij vendimi gjatë 24 orëve në vijim, njoftoi EULEX.
Në 28 janar 2014 EULEX njoftonte se, me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), në mëngjes një gjykatës ndërkombëtar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës ka urdhëruar një muaj paraburgim për Oliver Ivanoviçin, i cili dyshohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë, bën të ditur EULEX në njoftimin e dërguar.
Me marrëveshje paraprake në mes të prokurorit ndërkombëtar të PSRK-së dhe përfaqësuesit ligjor të Oliver Ivanoviçit, një ditë më parë ai ishte paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut. Pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarit, me urdhër të prokurorit, Ivanoviç u arrestua dhe u dërgua para gjykatësit ndërkombëtar të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, përfundointe njoftimi.
Oliver Ivanoviç është politikan i komunitetit serb në Kosovë, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar ishte kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore, ndërsa kishte funksione të ndryshme. Ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës para shpalljes së pavarësisë .
I kërkoj ballafaqim publik Dick Marty-t
Intervistën e Agjencisë së Lajmeve “Presheva Jonë” me senatorin zviceran Dick Marty dhe sidomos titulli bombastik që tregon se kush janë “peshqit e mëdhenj” të krimit në Kosovë dhe kush do të jenë “mysafirët e parë në Hagë” ndikuan që ky lajm të shpërndahet nga disa portale në gjuhën shqipe. Sikur intervista të ishte kufizuar në spekulimet e lartpërmendura nuk do të reagoja për të vetmen arsye se “Loja e kapuçave” me logjikën “Teste-Bosh” ka kohë që ka filluar. Madje, disa që pretendojnë se posedojnë informata nga ata që fshehin emrat “Nën kapuç” vazhdimisht spekulojnë me emra të përveçëm. Edhe pse janë të vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë për lojë kapuçash por, për një situatë të rrezikshme ku mund të “përzihen kapuçat shumë keq”.
Ajo që më shtyri të reagoj lidhur me intervistën e Dick Marty-t ka të bëjë me shpërndarjen e të pavërtetave. Nëse është i saktë pohimi se Dick Marty ka deklaruar se gjoja “as ai e as raporti i tij nuk janë kundër UÇK-së e as kundër pavarësisë” po them publikisht se kjo është gënjeshtra më e madhe e vitit. Nëse pohimet e lartpërmendura janë vërtetë të Dick Marty-t atëherë unë, Bardhyl Mahmuti, autori i librit «Mashtrimi i Madh» i bëj apel publik që të ballafaqohemi në një debat publik ku do t’ia sjell provat e pakontestueshme që dëshmojnë se:
– Dick Marty asnjë herë nuk e ka ngritur zërin kundër dhunës që shteti serb ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës,
– Dick Marty ka qenë kundër intervenimit të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviqit;
– Dick Marty ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës;
– Dhe se Raporti që mban emrin e tij nuk është asgjë tjetër pos sintezë e të ashtuquajturit “Libër i Bardhë “ i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb.
Të gjitha provat e lartpërmendura janë analizuar në detaje në librin tim «Mashtrimi i Madh». Të gjithë ata që janë të interesuar ta dinë të vërtetën mund të konfrontojnë argumentet.
Me respekt për lexuesit
Bardhyl Mahmuti
Betim Muço, “Mjeshtër i madh” {pas vdekjes}
Nishani i jep titullin “Mjeshtër i madh”, {pas vdekjes}, shqiptaro-amerikanit Betim Muco
Në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes), shkencëtarin dhe poetin nga komuniteti shqiptaro-amerikan Betim Muço. Presidenti Nishani vlerësoi ndihmesën e Betim Muços si shkencëtar në shkencën e sizmologjisë dhe si shkrimtar e përkthyes i letërsisë botërore. Dekorata ju dorëzua në Tiranë familjes së shkrimtarit, në një ceremoni të organizuar me rastin e ditëlindjes së tij, ku morën pjesë familjarë dhe miq të shkrimtarit. Në ceremoni foli edhe bashkëshortja e Betim Muços, Marta Muço, e cila tha mes të tjerash:-“Unë dua shumë që sot ne të gëzojmë ditëlindjen e tij të gjithë bashkë, ta kujtojmë ashtu siç donte ai të kujtohej duke qeshur; së bashku me fëmijët ju falenderoj shumë që keni ardhur ta ndajmë këtë gëzim me mua. Nga ana tjetër, sot kemi edhe një tjetër eveniment; Betimi është dekoruar nga Presidenti i Republikës dhe unë e falenderoj Presidentin nga zemra për dekoratën që i ka dhënë”. Betim Muço jetonte në Maryland të SHBA, dhe ai u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, më 15 janar të vitit të kaluar. Profesor Betim Muço njihet si autor i shumë librave me poezi dhe prozë, ndonëse me profesion ishte sizmiolog. Pas zhvendosjes në SHBA në vitin 2001, ai i shumëfishoi forcat në fushën letrare. Librat e tij njihen për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, për stilin elegant dhe fjalën e qëlluar. Familja tha se ai ishte duke përfunduar një roman të ri. Poezia e Betim Muços është përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërkohë që ai vetë ishte një shqipërues i talentuar. Profesor Muço ishte i pari që solli në shqip tregimet e nobelistes Alice Munro, para se ajo të nderohej me çmimin e madh. Shquhen gjithashtu shqipërimet prej tij të James Joyce-it dhe Vladimir Nabokov-it. Ai ka qenë fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në Shqipëri. Betim Muço ishte edhe një shkencëtar i njohur. Nga viti 1993 deri në 1997 ka qenë drejtor i Institutit të Sizmiologjisë në Tiranë. Edhe pas ardhjes në SHBA, Profesor Muço vazhdimisht merrte pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kontribuonte për shkencën në forma të tjera. Ai kishte mbaruar studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe për shumë vite ka qenë drejtuesi i Rrjetit Sizmiologjik të Shqipërisë. {SH.Kercelli}
Dekorata e Rugovës për Robertson
-Ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Robertson i dorëzohet “Medalja e artë e lirisë”, dekoratë nga Presidenti historik Rugova/
-Presidentja Atifete Jahjaga priti lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Janar 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim lordin George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, të cilit i dorëzoi “Medaljen e artë të lirisë” për kontributin e lartë për lirinë e Kosovës, që i është ndarë nga Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në vitin 2004.
Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në periudhën më të rëndë dhe në fazën e shtetndërtimit të saj. Presidentja Jahjaga tha se intervenimi i NATO-s, pjesë e cilës ishte edhe Britania e Madhe, ishte vendimtar për të ndaluar gjenocidin në Kosovë dhe për ta shpëtuar popullin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga çmoi kontributin e Lordit Robertson në çlirimin e Kosovës dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike të botës të përparuar. Ajo tha se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e mijëra djemve dhe vajzave që shërbyen në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe misioneve ndërkombëtare, duke garantuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Lordi Robertson shprehu falënderimin e tij për dekoratën dhe nderimin që i është bërë dhe e cilësoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si një veprim të drejtë, i cili përcaktoi edhe jetën e tij. Ai shtoi se është krenar me të arriturat e Kosovës, duke u shprehur se e ardhmja e Kosovës është në duart e vet qytetarëve të saj.
Në Ditën e Lirisë, 12 qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë në 12 qershorin e vitit 1999, Presidenti në atë kohë Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.
Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:
“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 367
- 368
- 369
- 370
- 371
- …
- 482
- Next Page »