PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari/ Agjencia Kosovare e Privatizimit sot ka publikuar në faqen e saj të internetit listën e uzurpatorëve aktualë dhe uzurpatorëve të mëparshëm të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Publikimi i këtyre listave është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në takimin me Bordin e Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit më 29 janar dhe drejtuesit e Agjencisë më 12 shkurt 2016. Kryetari i Kuvendit ka theksuar shqetësimin e tij lidhur me çështjen e pronave të uzurpuara, një problem ky mjaft shqetësues, i cili kishte përcjellur punën e Agjencisë që nga viti 2002.
Agjencia Kosovare e Privatizimit paraprakisht ka konsultuar Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka dhënë opinionin ligjor se publikimi i të dhënave me emrat e uzurpatorëve aktualë dhe të mëparshëm të cilët i kanë shfrytëzuar apo aktualisht i shfrytëzojnë pronat e ndërmarrjeve shoqërore nuk paraqet shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia Kosovare e Privatizimit deklaroi se është e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen dhe administrimin në mirëbesim të pronës shoqërore.
Listat e publikuara periodikisht do të azhurnohen, përderisa ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në zyret rajonale të Agjencisë.
Ndërkohë, sipas kërkesës së Policisë më 15 janar 2016, Agjencia sot njoftoi me shkrim paraprakisht edhe Policinë e Kosovës – drejtorinë përkatëse me listën e pronave të uzurpuara në pronësi shoqërore dhe pronave të shitura me uzurpatorë.