Ura e Kamarës është 20 km në verilindje të Elbasanit. Ajo është ndërtuar nga osmanët rreth viteve 1715. Për më shumë se 300 vjet ajo u ka rezistuar ujërave të rrëmbyer të Lumit Shkumbin, edhe pse kurrë nuk është vënë dorë për forcimin e saj. Ky fakt shpjegohet me strukturën ndërtuese të kësaj ure. Në këmbët e saj janë të vendosura disa dritare shkarkuese, të cilat mbrojnë këmbët e urës duke shkarkuar ujin në rast të prurjeve të mëdha. Pjesa ballore e saj është e ndërtuar në formë lundre e quajtur ujëthyese për të zbutur forcën goditëse të lumit, ndërsa pjesa e pasme është cilësuar si ujë shuarse që bën shpërndarjen e ujit pasi kalon nga ura. Në atë kohë ura shërbente për të komunikuar mes tyre qendrat tregtare, siç ka qenë Elbasani i asaj kohe, ndërsa sot ende përdoret nga banorët e zonës. Ndërsa një gjysmëurë është ndërtuar në vitin 2008. Në 7 vitet e saj të jetës ajo u shërbeu 3 mijë banorëve të fshatit Gryksh i Madh dhe disa fshatrave të tjerë të Bashkisë së Peqinit. Edhe pse e ndërtuar me këmbë të mëdha betoni dhe me një strukturë të përforcuar hekuri ajo u shemb katër ditë më parë nga prurjet e lumit. Por ura e Grykshit nuk është e vetmja urë e shembur mbi Shkumbin këtë vit. Të njëjtin fat pati edhe ura e Broshkës e ndërtuar në vitin 1999, apo një sërë urash të tjera të ndërtuara mbi përrenj. Shkumbini këtë vit nuk kurseu as aksin kombëtar Elbasan-Librazhd, i ndërtuar në vitin 1999. Në Xibrrakë rruga thuajse është përgjysmuar dhe sipas specialistëve pjesa e mbetuar është ajo që mbahet poshtë nga rruga ekzistuese e ndërtuar në vitet ’30. Më herët, një tjetër urë në Elbasan u shemb nga furia jo shumë e fortë e një përroi. Kjo ndodhi sepse këmbët e saj ishin vetëm disa centimetra thellësi, nga 2.5 metra që parashikohej në projekt. Kjo është arsyeja se përse urat e inxhinierëve modernë janë të një cilësie shumë më të dobët sesa ato të inxhinjerëve osmanë të para tre shekujve.
Policia e Kosovës përgënjeshtron VetëVendosjen
VetëVendosja: Kriminelët po punësohen në polici/
-Policia e Kosovës ka dërguar sot një sqarim për media pas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje. I sjellim të plota:
SQARIM PËR MEDIA/
Policia e Kosovës demanton komunikatën e Lëvizjes “Vetëvendosje” të publikuar në media me titull ” Kriminelët po punësohen në polici”
Prishtinë 12 janar 2016
Lidhur me shkrimet e publikuara sot nëpër media që i referohen një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje ku flitet për punësimin apo integrimin e punonjësve në PK; (Sipas komunikatës së VV: “Kriminelët po punësohen në polici”)Policia e Kosovës për hir të informimit të drejtë të qytetarëve tanë dhe mediave në përgjithësi sqaron se:
Deklarimet e tilla janë të pavërteta, të pabaza dhe me tendencë për të zvogëluar besueshmërinë e lartë të Policisë së Kosovës që gëzon nga qytetarët e Republikës së Kosovës, institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët dhe mediat që të mos bien pre e manipulimeve të tilla deklarative dhe sqaron se aktualisht nuk është në zhvillim e sipër asnjë proces i rekrutimit, seleksionimit, punësimit apo integrimit të ndonjë individi në PK, e që ndërlidhet me komunikatën e publikuar nga Lëvizja VV.
Procesi i rekrutimit, seleksionimit dhe punësimit të punonjësve të PK-së, çdo herë është realizuar përmes konkurseve të hapura, duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe duke respektuar parime dhe procedura standarde, ku të përfshirë kanë qenë të gjitha komunitetet pa dallim.
Për secilin kandidat për punonjës në kuadër të PK-së gjithashtu kryhen hetime relevante dhe aty ku ka elemente dyshimi për implikime në vepra penale çdo herë nga autoritetet relevante të kontrollit dhe mbikëqyrjes merren masat adekuate.
Të gjitha proceset e tilla të rekrutimit të punonjësve duke përfshirë edhe procesin e integrimit të pjesëtarëve serb të ish-MPB vite më parë, kanë qenë publike, transparente dhe të gjitha detajet janë bërë të ditura përmes mediave dhe aktualisht nuk ka asnjë proces të integrimit që ndërlidhet me Policinë e Kosovës.
Me respekt,
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës
DPP-Prishtinë,
….
Kriminelët po punësohen në polici
Shteti i Kosovës është shndërruar në plaçkë, e cila po copëtohet e po ndahet midis partnerëve të koalicionit qeverisës. Nuk ka mbetur asnjë pjesë e buxhetit shtetëror, administratës dhe e sektorit publik e cila nuk po plaçkitet prej subjekteve qeverisëse, ndërkohë që shtresat e gjera popullore gjithnjë e më shumë varfërohen.
Institucioni i fundit që po e dëshmon këtë logjikë të kapjes është Policia e Kosovës. Ky institucion që duhet të ishte në shërbim të publikes, është mbushur me militantë të partive, të cilët nuk hezitojnë të abuzojnë edhe me ligjin, për të zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre. E së fundi, me integrimin e “Mbrojtjes Civile” në shtetin e Kosovës edhe Lista Serbe po e merr hisen e vet në shtetin e kapur të Kosovës, bashkë me PDK e LDK të cilët e ndanë shtetin porsi një plaçke të tyre nëpërmjet marrëveshjes për koalicion të 8 dhjetorit 2014.
Kjo qeveri e ‘Zajednicës’ nuk u shqetësua aspak për të vërtetuar se çfarë kanë bërëkëta persona të sapopunësuar në Policinë e Kosovës para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Këtë e themi duke e ditur se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile i paguan e i kontrollon Beogradi.
Po vërtetohet sërish qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! se dialogu në Bruksel nuk po i integron serbët në Kosovë, por po integron Serbinë dhe strukturat e saj në shtetin gjithnjë e më të varur të Kosovës.
E për më keq, ky “integrim” i strukturave paralele të Serbisë në policinë e Kosovës, është edhe një skandal ekonomik.Në një vend si Kosova, ku papunësia është enorme dhe ku për një vend pune aplikojnë me qindra qytetarë, sot po pranohen pa konkurs paramilitarët serbë të“Mbrojtjes Civile”.Punësimi i tyre me rrogëqë del nga buxheti i Kosovës, pa konkurs e thjesht përmes marrëveshjes politike me Serbinë, është gjithsesi një krim ndaj të varfërve shqiptarë, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj, egjiptas etj. pra, ndaj të gjithë atyre që s’janë serbë e nuk i shërbejnë Serbisë.
Kjo polici e cila integron ish-kriminelët e të gjitha llojeve, nuk mund të jetë në shërbim të drejtësisë.
12 janar 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!
NDAL DHUNES…-Pllakat nga Atjon Zhiti
Stop dhunes seksuale…Nuk eshte vetem ngjarja e Kelnit ne Gjermani, qe e shqeteson publikun boteror, por ne mbare rruzullin fenomeni shfaq rrezikshmeri shoqerore…Atjon Zhiti na la pas kete grafike kunder sulmeve seksuale, qe mund te perdoret per sensibilizimin e shoqerise.Ky pllakat eshte realizuar nga Atjon Zhiti, kur ishte nxenes ne Rome, rreth vitit 2008-2009.
Gazeta Dielli po e ndane me publikun.
VEZE KUNDER KRYETARIT TE KOMISIONIT TE KUFIRIT SHTETEROR
Kosovë-Përsëri goditje me vezë/
-Qeveria dënoi sulmin ndaj kryesuesit të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror/
Prishtinë, 11 janar 2015/Qeveria e Republikës së Kosovës në një komunikatë për media e dënon ashpër sulmin qyqar të grupeve parapolitike brenda tre partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, kundër Murat Mehës, kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
“Aktet e ulëta dhe të dhunshme të kryera nga aktivistët e tre partive opozitare, të cilët po hedhin ‘molotovë’ mbi policët dhe institucionet e vendit, po dëmtojnë pronat private dhe po lëndojnë qytetarët dhe gazetarët, janë veprime që kanë për synim zhytjen e vendit në anarki, duke mos kursyer tashmë as jetën dhe shëndetin e njerëzve”, thuht në komunikatë.
Më tej shtohet se, pas djegies së planifikuar të institucioneve një ditë më parë, tashmë aktivistët e tre partive po sulmojnë qytetarët e vendit me qëllim që të mbjellin frikë dhe mundësisht të provokojnë reagime dhe konflikte ndërmjet qytetarëve të vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët që të mos bien pre e këtyre provokimeve, por që të bashkuar të refuzojnë skenarët e errëta të cilët po synojnë t’i zhbëjnë të gjitha sukseset e arritura në Kosovë për dekada të tëra, me të vetmin qëllim realizimin ambicieve politike”, thekson komunikata.
Qeveria e Kosovës fton organet e rendit që të marrin masa për kapjen e kryesve të këtyre sulmeve qyqare dhe parandalimin e përsëritjes së veprime të tilla të ulëta, të dirigjuara nga selitë e tre partive opozitare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj të plotë, për të punuar në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane, me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundohet në komunikatë./b.j/
….
Goditet me vezë Murat Meha
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e goditën me vezë sot Murat Mehën, Kryetarin e Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
“Ai si Kryetar i atij komisioni, ka bërë lëshime të mëdha, me ç’rast mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës ia ka dhënë Malit të Zi. Si rezultat i marrëveshjeve të tilla që dëmtojnë rëndë sovranitetin e Republikës së Kosovës, shteti jonë tash e sa muaj është në krizë të thellë politike. As pas konstatimeve të ekspertëve se marrëveshja për demarkacionin është gabim, ky milioner i qeverisë së kosovës nuk reflektoi.
Aksionet dhe protestat tona nuk do të ndalen, deri në tërheqjen e marrëveshjeve të dëmshme, dhe deri në largimin e kësaj qeverie. Deri atëherë, përgjegjësit për këto dëme nuk do t’i lëmë të qetë”, deklaroi VV.
Intervista-Testament e Peshkopit Janullatos Për televizionin Publik Grek …dhe ca të vërteta ndryshe
Nga Arben LLALLA/
Me rastin e festave të fundviti 2015, Kryepeshkopi Anastas Janullatosi si gjithnjë dha një intervistë për televizionin publik grek(ERT1,https://www.youtube.com/watch?v=iYEYTVy5qr8), që u transmetua pas Krishtlindjeve. Ku ai shpalosi dhe njëherë tezat e jetës së tij, teza që në mënyrë të përsëritur i ka thënë dhe në intervista të tjera, por këtë herë dukej sikur shqetësimi i tij, ishte t’i theksonte ato, sikur donte të formulonte më qartë një testament shpirtëror si për të shpjeguar misionin dhe filozofinë e tij. Intervista ishte e ngarkuar emocionalisht, ku Janullatosi me një zë të hollë, përpiqej të ngrinte mitet e jetës së tij, ku duhet të bazoheshin ata që në të ardhmen do të merren me jetën dhe figurën e tij, por autobiografia, sot është një nga burimet, jo i vetmi, sepse studiuesit do shohin dokumentet, do deklasifikohen arkivat sekrete, do flasin dëshmitarë që ndoshta sot heshtin prej trysnive nga drejtime të ndryshme. Pra, sigurisht që historia do merret me të, dhe duket se kjo pjesë, se çfarë do të thuhet për të, pasi ai ta ketë përfunduar misionin e vet mbi tokë, dukej se e shqetësonte hirësinë dhe kjo ndihej në zërin dhe lëvizjet e tij gjatë intervistës. Në këtë shkrim do mundohem t’i paraqes sa më përmbledhtazi tezat-mite të tij si:
1 .Miti i thirrjes misionare. Janullatosi thotë se u befasua kur e telefonuan dhe e pyetën nëse donte të vinte në Shqipëri, dhe se kjo kërkesë iu duk e papritur pasi ai nuk dinte asgjë për Shqipërinë. Dhe ai pasi u mendua disa ditë, u përgjigj nga Afrika e largët, se ishte dakort, mjafton që t’a donte Patriarkana, qeveria dhe populli shqiptar. Jemi të mendimit se ky është një mit, pasi Janullatosi kishte kohë që përgatitej për misionin e tij në Shqipëri dhe se zgjedhja e tij u bë me presion prej qeverisë greke ndaj qeverisë së Tiranës ku mund të flasin për këtë gjë ish-ministri i jashtëm, Muhamed Kapllani dhe akademiku, Ylli Popa. Sigurisht historia se si u bind dhe cilat mjete bindëse u përdorën për autoritetet shqiptare, dihen tashmë prej ekspertëve të fushës. Kurse populli shqiptar që reagoi publikisht edhe ditën e fronëzimit të tij, nuk është se e pyeti njeri.
2. Miti i shpresës së ringjalljes. Janullatosi e proklamon veten si predikuesin e parë të fesë në Shqipëri dhe se popullit shqiptar që i ishte të ndaluar të kërkonte mistiken dhe shpirtëroren, mundësinë ia dha Eksarku i Fanarit. Edhe ky është një mit, që u thuhet kryesisht grekëve, që nuk janë mësuar me realitete multifetare. Sigurisht që për ortodoksët mund ta ketë bërë ndriçimin e natës ateiste, por besimtarët e feve të tjera, kishin klerikët e tyre po aq dinjitozë dhe kurajozë të cilët filluan të predikonin besimin përkatës. Pra, nuk u ngjall në Shqipëri vetëm ortodoksia nga Janullatosi, u ngjallën të gjitha fetë, por asnjë kryetar tjetër komuniteti, nuk guxoi që të lidhëte ngjalljen e besimit, me emrin e tij, sepse në fe, nuk ka vend egocentrizmi, po kjo nuk i përket rastit të Janullatosit, që çdo gjë që ka hapur në Kishë, nga gazeta deri te katedralja e Tiranës, që e quan “Ngjallja=Anastasis”, për të përjetësuar në këtë mënyrë emrin dhe kultin e individit të tij.
3. Miti i kishës lokale. Hirësia mbështet tezën se erdhi për të ngritur kishën lokale, me kler lokal, ku gjuha e përdorur do të ishte shqipja, por dinakërisht, e quan kishën shqiptare, si multietnike, dhe justifikon edhe përdorimin e gjuhëve të tjera, sepse kjo kishë, sipas tij, ka edhe anëtarë, grekë, serbo-malazezë, vllehë etj. Ky është një mit, pasi Anastas Jnaullatosi ka 25 vjet që predikon dhe jep mesazhe në gjuhën greke, dhe siç do ta shohim pak më poshtë, ka bërë të pamundurën për lëvrimin e greqishtes në shkollat dhe kishat që ka hapur në Shqipëri.
4. Miti i autonomisë ekonomike. Për çerek shekulli, Janullatosi e mësoi kishën shqiptare që çdo gjë, investimet dhe iniciativa do të vinte prej tij, dhe e vuri në gjumë dhe e dobësoi deri në pasivitet, në mënyrë që të ushtrojë, nëpërmjet varësisë ekonomike, kontroll absolut mbi të gjitha qarqet dhe në të gjitha nivelet kishtare. Sigurisht, ai shpall se do të ndërtojë disa hidrocentrale për këtë qëllim, por statusi dhe pronësia e tyre është akoma e dyshimtë, siç është i fshehtë investitori i vërtetë që fshihet pas Janullatosit. Ne, në një shkrim tjetër do të shpjegojmë, se cilit qëllim i shërben ndërtimi i këtij investimi gjigant në energjitikë.
5. Miti i mbështetjes gjatë krizës në Kosovë. Gjatë intervistës Janullatosi, ndoshta pa dashje, zbulon se ndihmat dhe milionat e dollarëve të mbledhura për gati 30 mijë kosovarë, siç numëron në intervistë, nuk patën origjinën nga bota ortodokse, as nga shteti grek, që në atë kohë ndihmonte Serbinë që bombardohej nga NATO, por nga peshkopët e kishës ungjillore gjermane, të vendeve skandinave dhe Konferencës së Kishave Europiane, që iu përgjigj kësaj emergjence humanitare. Janullatosi ankohet gjatë intervistës për mosmirënjohje dhe kërcënime nga ana e shqiptarëve.
6. Miti i restaurimit të monumenteve. Janullatosi thekson se janë mirëmbajtur monumentet, por e vërteta është se janë ndërtuar vetëm kisha të reja, me qindra, edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, dhe se tempuj historikë që mbartin historinë e shqiptarëve, janë në rrezik shkatërrimi total, pasi nuk i intereson askujt dëshmia e lashtësisë shqiptare në krishtërim. Ndërhyrjet janë bërë sa për sy e faqe, dhe ne së shpejti do sjellim të dokumentuar se ku janë katandisur monumentet madhështore të shqiptarisë.
7. Miti i misionarëve të paktë grekë. Janullatosi i referohet vdekjes së Rrok Mirditës, kryepeshkopit katolik dhe thotë se katolikët kanë rreth 550 misionarë të huaj, priftërinj e murgesha, ndërsa ortodoksët e huaj janë vetëm 10. Sërish, argumenti është qesharak, pasi nuk mund të krahasohen këto dy kisha, ku në katolicizëm koncepti i autoqefalisë është i huaj, por edhe sepse nuk ka asnjë misionar të huaj katolik që të mos dijë shqipen rrjedhshëm, në ndryshim nga misionarët grekë, që nuk duan ta mësojnë shqipen. Shembulli klasik është, që dy nga katër mitropolitët që udhëheqin dioqezat e KOASH-it, komunikojnë edhe pas 25 vjetësh me përkthyes, pra edhe Anastasios i Tiranës, edhe Dhimitrios i Gjirokastrës. Nuk është te sasia hirësi, është te cilësia, katolikët e huaj, kanë treguar që e duan shqiptarinë më shumë se misionarët ortodoksë
grekë.
8. Miti i kërcënimit të jetës. Kryepeshkopi Anastas deklaron se në Shqipëri, çdo ditë mund të jetë dita e tij e fundit, dhe rreziqet mund të jenë të jashtme dhe të brendshme (me këtë të fundit ndoshta deklaron se mund të rrezikojë nga stafi i tij i ngushtë). Në këtë intervistë, harron të përsërisë historinë e plumbit të snajperit që ka mbetur mes dy xhamave të dritares së dhomës së tij, mit që Nikolaos Goxojanis, ia kishte botuar në një dedikim, në një suplement amerikan.
Historia qesharake që tregon Janullatosi ka të bëjë me një atentat të dështuar kundër tij, por hirësia bën sikur nuk e di, që qitja me këto lloj armësh nuk ndalohet nga xhami i një dritareje. Ka shumë të ngjarë, që në 1997, xhamin e dritares së Janullatosit ta ketë thyer ndonjë plumb qorr, siç kanë ndodhur dhjetëra raste të ngjashme të atyre ditëve.
9. Miti i lypsit ndërkombëtar. Janullatosi deklaron sikur të ardhurat ia japin miqtë e tij ndërkombëtarë, duke fshehur faktin që misioni i tij financohet direkt prej shtetit dhe qarqeve greke të diasporës. Në intervistë hirësia thotë se ka ndërtuar një hidrocentral që do prodhojë dhe shesë energji të mjaftueshme, sa për të mbajtur pavarësinë ekonomike të kishës, por ai harron të thotë se tashmë Kisha ka institucione private fitimprurëse, si spitale, shkolla, universitete, pasuri të patundshme të pafund, që nxjerrin fitime multimilionëshe, dhe që këto të ardhura shkojnë për të mbajtur qendra të mësimit dhe përhapjes së greqizimit në Shqipëri. Në këtë mënyrë, Janullatosi tregon se KOASH, tashmë është një kompani që investon në tregun shqiptar me qëllim maksimizimin e fitimit për të financuar misionin e tij, me kulm, përkujdesin për shkollat greke të Korçës, Himarës, Nartës, Durrësit, Tiranës, etj.
10. Miti i përparësisë paqësore të krishtërimit ndaj islamit. Në një pikë të intervistës së tij, Anastasi harron pozicionin e tij delikat si kryetar i një komuniteti fetar shqiptar, që ruan traditën e harmonisë fetare, dhe sulmon hapur islamin, duke thënë se: “Në Kuran, gjenden vargje që bëhen ushqim për agresivitetin dhe dhunën e Islamit”. Janullatosi deklaroi se sot, shumica e terroristëve, frymëzohen nga Islami, por fakti është që përgjatë historisë, edhe krishtërimi është bërë i dhunshëm me kryqëzatat, luftërat, dhunën ndaj muslimanëve, hebrenjve etj. Por Janullatosi këmbëngul në mendimin e tij, se Europa e luftoi krishtërimin dhe boshllëku që kjo gjë la pas, sot tentohet të mbushet nga një fe tjetër, dhe insinuon që Europa po e paguan këtë gabim dhe jep si zgjidhje që vetëm rikthimi në rrënjët kristiane, do të na shpëtojë nga përparimi i tendencave moderne të konvertimit të europianëve në Islam. Kështu, indirekt Anastasi, i njeh edhe vetes rolin që nëpërmjet ungjillëzimit, po e pengon përhapjen e kësaj fryme dhune në Shqipëri.
11. Miti i vetëpromovimit të kultit vetjak. Gjatë gjithë intervistës hirësia e tij, Janullatosi nuk përmend, asnjë shenjtor, asnjë at të kishës, apo teolog botëror, përveçse disa vargjeve biblike mbi dashurinë. Atë që ai bën, në kundërshtim me frymën e përulur që duhet të kenë prelatët ortodoksë, është të jetë autoreferencial i mërzitshëm deri në fund, pra, që idetë gjeniale, vizioni i tij, frymëzimi dhe vendimet e mëdha, i vijnë nga vetvetja, nga mendja e tij, jo nga ndonjë personalitet apo ideal tjetër kishtar. Historia e meditimit të Patmosit, e ritreguar edhe herë të tjera, që tregon një dialog të brendshëm kërkimi të Perëndisë dhe vendimi për të ndjekur rrugën e fesë, i buron vetëm nga mendja e tij, me shprehjen e thënë me dhjetëra herë: “A të mjafton Perëndia, dhe nëse jo, te cila Perëndi beson?” Pra, ky mendim i tepër i çmuar nuk gjendet në asnjë libër të shenjtë, veçse buron si pjellë e mendjes së tij.
Shembuj të tjerë të ngjashëm ka dhe gjatë intervistës. P.sh. diku vijon, që i thosha vetes (autoreferencë sërish), që për të luftuar rrezikun e egoizmit, përpiqu të ngelesh gjithmonë student dhe dhiakon, kjo, si strategji gjeniale e tij, për të luftuar megallomaninë e peshkopëve dhe profesorëve bashkëkohës me të, duke akuzuar kështu të tjerët dhe duke mburrur vetveten që s’është si të tjerët. Pohime të tilla mburracake i gjen gjatë gjithë intervistës.
12. Miti i origjinës familjare. Janullatosi, ashtu si edhe në intervista të tjera, himnon origjinën e tij prej Pireut, rritjen e tij në qendër të Athinës dhe ndikimin e madh që ka ushtruar në jetën e tij, nëna që ishte shumë besimtare. Por, për çudinë tonë, gjithmonë, kur i referohet familjes së tij, mungojnë komentet dhe kujtimi i të atit, sikurse do ta shmangë rolin dhe prezencën e babait në jetën e tij. Edhe personalitete të tjera e kanë shmangur përmendjen e etërve të tyre, gjë që lidhet me elementë të formimit të karakterit të tyre, por që nuk është diskutim i këtij momenti, por i një shkrimi tjetër ku do të behet analiza psikologjike e arsyes së harresës së njërit prind, që në rastin e Janullatosit, nuk është e rastësishme.
Intervista përfundon me pyetjen nëse Janullatosi ka një ëndërr të parealizuar ende, dhe përgjigja të lë pa gojë, të habit guximi dhe dalja hapur e qëllimeve të tij. Ai thotë se do që të hapë
Fakultetin e Gjuhës Greke, dhe ta atashojë atë, së bashku me Fakultetin Teologjik, brenda Universitetit “Logos”. Kështu, pa iu dridhur qerpiku, duke patur parasysh që publiku grek që e sponsorizon, do të ekzaltohej kur ta dëgjonte këtë intervistë, Janullatosi shpall se misioni i tij në Shqipëri ka dy shtylla kryesore, kristianizim të tipit ortodoks dhe helenizim te tipit grekoman. Kështu, Janullatosi mund t’i hapë rrugë dhe mitit të fundit, atij të shpalljes së tij shenjtor, sepse edhe murgj të tjerë grekë që e kanë vizituar këtë vend, për këtë janë shenjtëruar nga Fanari, se kanë ortodoksizuar dhe greqizuar shqiptarët. Arsye të mjaftueshme këto për t’u bërë kulte adhurimi, për të shtuar mite dhe legjenda megalloideiste në këto troje.
Por nëse me kristianizimin, statistikat tregojnë frikshëm se Janullatosi ka dështuar, pikërisht sepse e ka përzierë kishën me politikën greke, duke marrë një kishë që numëronte gati 25% të popullsisë si ortodokse, duke ke katandisur në kufirin skandaloz të nën 6.8%, minimum ky historik, sipas statistikave zyrtare dhe kokëforta të censusit të fundit, që hirësia e tij nuk dëshiron t’i pranojë kurrë.
Kështu sërish, Janullatosi, nuk hezitoi ta shkatërronte institucionin historik të KOASH-it, duke e sakrifikuar atë pa mëshirë në altarin e greqizimit me çdo kosto dhe pa llogaritur asnjë pasojë, të popullit shqiptar. Por nëse me kristianizimin dështoi, se i largoi njerëzit duke i ofenduar në gjënë më të shenjtë, në identitetin kombëtar, me greqizmin e shqiptarëve do të dështojë akoma më rëndë, pasi ky popull heroik, ka treguar se prej luftërave, genocideve, përpjekjeve për asimilim apo dhe zhbërje, ka dalë akoma edhe më i fortë. Kështu, historia do e tregojë jetën dhe veprën e tij, jo si nëpër intervistat e porositura nëpër kanalet shtetërore greke, por sipas fakteve të pamohueshme, mbështetur në metodologji të sakta dhe të paanshme shkencore. Dhe sërisht e çliruar një ditë prej tij, Kisha Ortodokse Shqiptare do t’i kthehet ditëve të lavdisë së saj të dikurshme në ballë të zhvillimeve shpirtërore dhe atdhetare të kombit shqiptar, siç e konceptuan dhe e ideuan etërit e saj themelues.
- « Previous Page
- 1
- …
- 369
- 370
- 371
- 372
- 373
- …
- 482
- Next Page »