-Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miraton Masë të përkohshme për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe/
-Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata/
PRISHTINË, 10 Nëntor 2015-B.Jashari/ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës miratoi Masë të përkohshme për marrëveshjen Kosovë – Serbi për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në njoftimin e sotëm të Kushtetueses kosovare thuhet:
Në seancën e mbajtur më 10 nëntor 2015, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbajti këshillime dhe njëherazi miratoi Masë të përkohshme në rastin KO130/15, në kërkesën e paraqitur nga Presidentja e Republikës së Kosovës “Lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së ‘Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore’ me frymën e Kushtetutës, nenin 3, paragrafin 1 [Barazia para Ligjit], Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Ky Vendim për Masë të përkohshme është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës.
Në 30 tetor njoftohej se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Në Kosovë, “aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me mbi 200 mijë nënshkrime, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’”, janë paralajmërimet e vazhdueshme të opozitës që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Kosovë-Serbi, zbatim marrëveshjesh
-Avancon zbatimi i marrëveshjes së IBM në dy fusha të rëndësishme, në dogana dhe drejtësi/
Prishtinë, 10 nëntor 2015/ Pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërshtetëror (IBM), në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për dy fusha të rëndësishme siç janë: Marrëveshja për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore sipas standardeve evropiane (SEED) dhe Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve (MLA).
Ndërmjetësuesi i BE-së e ka njoftuar zyrtarisht ministren për Dialog, Edita Tahiri se pala serbe është pajtuar dhe ka filluar së zbatuari plotësisht marrëveshjet për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore dhe Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve, bën të ditur njoftimi dërguar sot nga qeveria e Kosovës.
Përfitimet nga Marrëveshja për Shkëmbimin Sistematik Elektronik të të Dhënave Doganore (SEED) për shtetin e Kosovës, janë si vijon:
Shteti i Kosovës ka përfitime ekonomike dhe politike nga kjo marrëveshje sepse ajo mundëson rritjen e kontrollit të mallrave që eksportohen nga Serbia në Kosovë, rritjen e buxhetit të Kosovës përmes rritjes së të hyrave nga taksat doganore si dhe luftimin e informalitetit në fushën e eksport-importit. Po ashtu, me këtë marrëveshje Kosova kompleton standardet evropiane në fushën e shkëmbimit elektronik të të dhënave doganore në bashkëpunimet rajonale.
Qëllimi kryesor i marrëveshjes për SEED është ndërtimi i një sistemi të përbashkët standard regjional për këmbimin elektronik dhe automatik të të dhënave në kohë reale, përkatësisht para arritjes së mallrave të eksportuara tek doganat e shtetit tjetër. Këmbimi i të dhënave për mallrat e eksportuara para arritjes së tyre në dogana ndihmon në rritjen e kontrollit të saktë doganor dhe ka për qëllim të rrisë luftën kundër dukurive negative si mashtrimi, informaliteti dhe kontrabanda.
Marrëveshja për SEED ka për qëllim lehtësimin e tregtisë së ligjshme në mes të shteteve, duke realizuar para-njoftimet me ç ‘rast arrihet që në mënyrë të konsiderueshme të reduktohet kohëzgjatja e kontrolleve doganore. Përmes tij arrihen rezultatet më të mira në luftën kundër tregtisë informale, domethënë nëpërmjet kontrolleve doganore në shënjestër të mirë (zyrtarët doganorë të shteteve përfituesve janë në gjendje për të identifikuar ndryshimet në deklaratën doganore në mes të pikave të kalimit kufitar).
Përmes këtij projekti rritet numri i konfiskimeve, parandalohet kontrabanda dhe rrjedhimisht rriten të hyrat përmes doganave, kjo ndihmon po ashtu në parandalimin e korrupsionit dhe ndihmon luftën kundër krimit të organizuar (shkëmbimin automatik të informacionit para mbërritjes, do të kufizojë qëllimin për manipulimin e procedurave doganore në kufi).
Ky sistem njëkohësisht e rritë bashkëpunimin rajonal dhe e promovon Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK) si njëri nga standardet e rëndësishme dhe kriter për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Përfitues të marrëveshjes për SEED janë përveç Kosovës edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i zi, Bosnja dhe Serbia.
Në kuadër të Marrëveshjes së IBM-së dhe Planit të Veprimit të arritur në dhjetor të vitit 2012 për zbatimin e plotë të marrëveshjes për IBM-n ishte paraparë që Doganat përkatëse ajo e Republikës së Kosovës dhe ajo e Serbisë të respektojnë standardet evropiane në shkëmbimin të dhënave doganore në mënyrë elektronike dhe automatike përmes projektit të Komisionit Evropian i njohur si SEED (këmbimi sistematik elektronik i të dhënave). Mirëpo, pala serbe kishte dështuar ta bëjë këtë në mënyrë të plotë duke bërë këmbimin selektiv të të dhënave për eksportet nga Serbia në Kosovë, në kundërshtim me standardet evropiane. Pala e Kosovës i kishte raportuar vazhdimisht BE-së për këtë dështim të Serbisë.
Përfitimet nga Marrëveshja për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike mes dy shteteve (MLA), për shtetin e Kosovës, janë si vijon:
Kjo marrëveshje avancon zbatimin e Protokollit teknik të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në fushën e sundimit të ligjit në të dyja shtetet sepse që të dyja shtetet zotohen zyrtarisht që të krijojnë procedura të cilat lehtësojnë procedimin e kërkesave për ndihmë të ndërsjellë Juridike (NNJ) për rastet kur paraqitet nevoja. Kjo praktikë përkon me standardet evropiane në fushën e sundimit të ligjit dhe obligimet për bashkëpunim mes shteteve që aspirojnë integrimin në BE.
Zbatimi i kësaj marrëveshje do të bëhet në mes të ministrive përkatëse të drejtësisë, asaj të Republikës së Kosovës në njërën anë dhe të Serbisë në anën tjetër.
Marrëveshjet për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike janë marrëveshje ose traktate në mes një apo më shumë shteteve me qëllim të këmbimit të informatave për forcimin e sundimit të ligjit.
Kjo marrëveshje është arritur në janar të vitit 2013, por se zbatimi i saj, ishte ndërprerë nga Serbia në tetor të vitit 2014, kur BE-ja transferoi kompetencat nga EULEX-i tek Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë (PSBE). Derisa Kosova kishte dhënë pëlqimin për vazhdimin e ndihmës së ndërsjellë juridike përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, ishte Serbia ajo e cila e ndërpreu njëanshëm zbatimin e kësaj marrëveshje, për t’ju rikthyer zbatimit tani. Pala e Kosovës i kishte raportuar vazhdimisht BE-së për këtë dështim të Serbisë.
Pas kësaj zvarritje dy vjeçare të zbatimit të marrëveshjes nga ana e palës serbe, kjo e fundit më në fund ka pranuar që Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë dhe Delegacioni i BE-së në Serbi, të veprojnë si ndërmjetës për të ndërmjetësuar komunikimin përmes transmetimit të kërkesave për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në mes të dyja shteteve.
TEKSTI I MARRËVESHJES PËR NDIHMË TË NDËRSJELLË JURIDIKE:
Duke njohur që përpjekjet për fuqizim të Sundimit të Ligjit avancohen duke miratuar qasje bashkëpunuese dhe në pajtim me Protokollin Teknik për zbatimin e konkluzave të dakorduara të dialogut për MIK[1], palët pajtohen të krijojnë procedura të cilat lehtësojnë procedimin e kërkesave për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike (NNJ):
1. Palët do të krijojnë një kanal komunikimi për NNJ ndërmjet organeve të tyre përgjegjëse, në pajtim me juridiksionin relevant të secilës palë;
2. Fushëveprimi i kërkesave që do të barten do të përbëhet nga:
2.1 Kërkesat e përgjithshme për NNJ
3. Palët pajtohen që nga Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë (PSBE) dhe nga Delegacioni i BE-së në Serbi (DBES), të kërkohet të veprojnë si ndërmjetës për të ndërmjetësuar komunikimin vetëm me transmetimin e kërkesave për NNJ dhe përgjigjet e palëve për to. Palët pajtohen që PSBE dhe DBES, në asnjë mënyrë nuk mund të thirret në përgjegjësi për dëmet ose të jetë përgjegjës për mossukses në zbatimin e kërkesave.
4. Teknikisht, ndërmjetësimi në komunikim ndërmjet palëve do të bëhet si vijon:
Organi kërkues do t’ia dorëzojë kërkesat ose përgjigjet PSBE/DBES. Pas pranimit, PSBE-i, në përputhje dhe gjatë kohëzgjatjes së mandatit të tij, do të bashkëngjit një shkresë përcjellëse në të cilën do të specifikohen bashkëngjitjet e kërkesës ose përgjigjes, dhe do ta bartë atë me dokumentet e bashkëngjitura të pala pranuese sipas rastit.
5. Procedurat e paraqitura nuk do të ndikojnë në detyrimet e palëve lidhur me juridiksionin relevant të zbatueshëm, traktatet ose aranzhimet e tjera në fuqi.
6. Palët do të përpiqen që të zgjidhin çfarëdo mosmarrëveshje që mund të shfaqet lidhur me pranimin, zbatimin ose realizimin e këtyre procedurave. Me ndërmjetësim të PSBE/DBES palët do të takohen së paku një herë në vit për këtë dhe me qëllim të vlerësimit dhe përmirësimit të zbatimit të këtyre procedurave. Për më tej, me kërkesë, palët mund të takohen në çfarëdo niveli kompetent të palëve, përfshirë PSBE/DBES, këto të fundit do të mbajnë shënime zyrtare, për të cilat do të pajtohen palët.
7. Palët do të përballojnë kostot dhe shpenzimet e veta që paraqiten lidhur me pranimin, zbatimin ose realizimin e këtyre procedurave.
8. Pas konsultimit me BE-në, secila palë është e lirë të njoftojë për shkëputjen e këtyre procedurave, gjë që do zbatohet përmes njoftimit të të gjitha palëve. Shkëputja do të hyjë në fuqi tre muaj pas njoftimit.
9. Pas pranimit të këtyre procedurave me shkrim nga secila palë, BE-ja do të njoftojë palët për hyrjen në fuqi të këtyre procedurave./b.j/
Ajo dite e zezë, 8 Nandori 1941
Nga Gjergj LACUKU-Jacksonville/Florida/
N’ket muaj , pra sot 71 vjet ma pare, me Nandor,nji tufe djajsh te kuq do mblidheshin per te vulose aktin e vrajses se nji Kombi. Rete e zeza e mblun qiellin shqiptar . Kto rê nuk ishin rê te zakonshme por do te shperthenin ne bubullima e vetetima tuj sjell nji shi me pika gjaku, tuj sjell nje fortune uragane vujtjesh fizike e shpirtnore.
Ah kjo dite e mallkune e atij Nandori te larget nen hijen e zeze te djajve te kuq te nji hibridi ma te shemtum turko-sllav , do perhapte polenen e se keqes ane e mban kopshteve te jetes shqiptare. Judejt e ri Iskariot me puthjen e ftohte do fillonin shkatrrimin e jetes qe ne embrion. Qi nga ajo dite e shemtume e mbrapa , ne Shqipni edhe dielli ishte friksue e rrezet e tija edhe sod e ksaj dite kan frike me kalu mbi ket hapsine Hadi te mbitokshem.
Ne vend te dashnise xuni vend urrejtja, ne vend tolerances ndeshkimi, fjala e mendimi u xevendsum me plumba e gropa vorresh, na njoften nga kafshet vetem prej fetyres. Djajte e etun per pushtet te paligjshem krimin e kthyne ne mjet zbavitjeje te shpirtnave te tyne te piste, çdo gja u permbys e u rrokullis ne boshllekun e krijum nga sadizmi ruso – anadollak .Kjo dite do sillte agun a muzgun e asaj nate ma te gjate te kohes njerzore, nji nate qe akoma rrokulliset meridianve e mundohet me dale prej territ qe e ka kaplu prej dekadash.
Laboratoret sadiste ndermoren eksperimentet ma monstruoze; aty u shemtue geni njerzor , u krijue nji njeri i ri, pa forme, pa shpirt, pa ndjenja, thjesht nji robot qe komandohej nga pultet e laboratorve sadist. Kjo nate a dite e zez mundohet te hape syte e saj te mekun ne terrin shpirtnor e i lutna Zotit qe ne momentin e drites syte e saj te jene jo me drejtim nga lindja qe i solli vdekjen por nga perendimi i ringjalljes.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris, Kosova, Të Hënën Votimi
*Kumbaro: Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i merituar/
*Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit/
TIRANË, 7 Nëntor/Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi sot në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”.
“Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, nënvizoi Kumbaro.
Kisha ortodokse serbe, vijoi ajo, njihet në Kosovë, identiteti I saj, dhe te drejtat e saj, mbrohen nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera te vendit.
Ministrja Kumbaro theksoi se nuk është thjesht një çështje anëtarësimi në UNESCO, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur.
“Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit .Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde , madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit”, u shpreh Kumbaro.
Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova , por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë”, tha Kumbaro.
“Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja Kumbaro deklaroi se “është koha që Ballkani, i cili prej shumë kohësh mban në supe klishenë si “fuçi baruti në Europë”, sot të kthehet në “ fuçinë e Kulturës” në Europë. Ftojmë Serbinë ta kapë këtë mundësi për të dëshmuar se ka një shpirt bashkëpunues dhe të drejtë në raport me angazhimet e marra, të shkëpusë lidhjet me një të shkuar të errët dhe të shohë drejt një të ardhme europiane tek e cila serbët dhe shqiptarët duhet të shkojnë sëbashku.
“Ky është thelbi i Historisë dhe kjo do të jetë, pa asnjë dyshim, dhe një nga fitoret e shumta dhe të matura të Kulturës”, vazhdoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se vendi im, Shqipëria, krenar që është anëtar i familjes së UNESCO-s, ka dëshmuar se ka vullnet të hekurt për të respektuar dhe ndjekur objektivin tonë të përbashkët në mbrojtjen e kulturave dhe zhvillimin e edukimit. Gjej rastin të falenderoj përzemërsisht Komitetin e Trashëgimisë Botërore, jo vetëm se u qëndron në krah institucioneve tona gjatë përpjekjeve të tyre për mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe për mirëpritjen e përpjekjeve të ndërmarra nga shteti shqiptar për t’iu përgjigjur rekomandimeve të Komitetit”.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s përkrahu kërkesën e Shqipërisë dhe i rekomandoi Konferencës së Përgjithshme futjen e çështjes së pranimit të Kosovës në këtë organizatë në axhendë.
Sesioni i 38-të i Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s nisi të martën, 3 nëntor 2015, në Paris dhe do të zgjasë dy javë. Në mesin e shumë çështjeve që do të konsiderohet është edhe rekomandimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Konferenca e Përgjithshme ka 195 anëtarë, nga të cilët 111 e kanë njohur Kosovën, e 84 jo, dhe rekomandimit i duhen dy të tretat e votave për të kaluar.
Votimi për pranimin e Kosovës në UNESCO pritet të mbahet në seancën e 9 nëntorit. Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në agjencinë e OKB-së, janë shtuar zërat në përkrahje të Kosovës, ndërsa Serbia në anën tjetër zhvillon një fushatë të gjerë diplomatike institucionale kundër synimeve të Kosovës për anëtarësim(Sipas ATSH-se)
TRADITË QË PO HUMB
Nga Pëllumb Gorica/
Martesat me shkuesi shpesh lulëzojnë dhe kthehen në përkushtim të sinqertë. Sandra Gulland/
Në tendencën drejt rendjes globaliste,përpjekja për të ruajtur elementët e traditës, për të gjithë ne është një domosdoshmëri jetike.
Në krahinën e Sulovës , që shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, banorët shquhen për shpirtin bujar dhe respektues të traditave, të rrënjosura në gëzimet dhe hidhërimet, dhe të rëndësishme në vargun e gjatë të shekujve. Në këtë trevë dhe të tjera si këto jeta është rregulluar nga norma të pashkruara, e të trashëguara brez pas brezi në ndërgjegjen e banorëve. Një numër prej tyre që kanë të bëjnë me familjen, duke u shprehur në një formë të përgjithshme kanë mbijetuar. Njeriu në jetë ka tre moment kryesore; lindjen, dasmën dhe vdekjen, për të cilat ka një angazhim serioz ku gjithmonë sipas kushteve dhe mundësive kryhen ceremoniale me rite interesante. Martesa thith një angazhim moral e material, për t’i dhuruar çiftit përgjegjësitë për jetën. Fejesa është akti i parë nga më të bukurit në fillesën e lidhjes për të kaluar tek dasma, si gëzimi më i madh i jetës bashkëshortore. Është trashëguar kjo traditë e veçantë e krijimit të familjes si një ritual përsëritës i jetës thuajse tërësisht e natyrisht me elementë të shumtë, thellësisht shpirtëror dhe me ndjesi të mëdha gëzimi. Thuajse në të gjithë kohërat, lidhjet martesore ishin krijuar nga një institucioni i veçantë ai i lajmësit (mblesë, ndërmjetës, etj). Kjo përbën një vlerë, që koha e ka njohur, trashëguar dhe respektuar. Riti i fejesës është simbol i krijimit të familjes dhe shpesh këtë rol e luanin njerëz të zotë, që me gjuhën e tyre të komunikimit bindnin krushqit për lidhjen e re. Natyrisht, kjo nuk vinte vetvetiu, por duhej ndërhyrja e tij. Fejesa me normat e saj të detyrueshme, norma, që dikur zbatoheshin me përpikmëri, padyshim rrezatonte virtytet më të mira. Për të është shkruar fare pak.
Me dëshirën për të sjellë një studim të mirëfilltë për traditën e fejesës dhe institucionin e lajmësit, në të cilën do të shprehemi me këtë studim, është respektimi, gjë që e ka bërë ato të shquhen. Të trajtosh fejesën dhe normat e institucionin e lajmësit, kaq me rëndësi në krijimin e familjes për kohën e shkuar kërkon patjetër të hulumtosh thellë. Pa e nëpërkëmbur rolin e lajmësit si dukuri zakonore tradicionale, për vetë anën arkaike, duhet të theksojmë se për të shpjeguar atë nuk kërkohet zbërthim, por pasqyrim të tij në kohëra dhe vlerat. Kjo dukuri e së kaluarës për shkak të ndryshimeve të kohëve moderne ka pësuar zbehje. Sot kanë ndryshuar shumë gjëra, brezat po ashtu janë ndërruar e mbi të gjitha edhe shumë nga ata që i kanë zbatuar nuk jetojnë. Studimet në këtë drejtim janë shumë të pakta, përveç disa studiuesve, që falë vullnetit dhe ambicieve për vlerat tradicionale të familjes dhe traditave të krahinës së tyre, në përputhje me norma e rregulla të pashkruara janë munduar të thonë diçka.
Në përgjithësi kur fëmijët, djali apo vajza i afroheshin moshës për t’u fejuar fillonin përpjekjet për të gjetur njeriun e duhur. Riti i fejesës kalonte nëpër disa faza deri në përfundim, sepse si familja e vajzës edhe ajo e djalit ishin të interesuara t’i fejonin fëmijët e tyre, siç thuhej në xhis të mirë. Në fejesë lajmësi kishte një detyrë të rëndësishme. Për këtë caktohej një njeri i pjekur me përvojë në këto punë dhe i njohur nga të dy familjet. Ata kanë luajtur rol të madh në krijimin e familjes dhe ishin të vendosur e të sigurt në lidhjet që krijonin. Zotësia e disa prej atyre që e kryenin këtë gjë për të bashkuar çiftet e krushqitë ishte proverbiale. Lajmësi mund të ishte i afërm, vëllazëri ose mik i familjes së djalit dhe, që i zinte vend fjala. Ai dërgohej gjithmonë nga familja e djalit. Këtë detyrë mund ta merrte kushdo përsipër, që dinte të shquhej për oratorinë apo fjalën e urtë, të lëvdonte me doza cilësitë e vajzës, e natyrisht edhe të djalit. Përpjekjet, takimet, bisedat janë të lodhshme, sepse kur bëhet marrëveshja e krushqisë dhe shpallet fejesa nevojitet njohje e hollësishme. Kjo patjetër kërkonte kohë të mjaftueshme dhe zotësi komunikimi e vetëkuptohet që kishte vështirësi duke përdorur njohjet, miqësitë. Njohja ishte edhe domosdoshmëri e detyrueshme. Gjithsesi në lidhjet e brendshme e të thella familjare fejesa e lidhja e miqësisë nuk bëhej pa pëlqimin e dy familjeve dhe rrethit miqësor e kjo detyrë i takonte padyshim lajmësit. Me fjalë të tjera përpiqej të krijonte një miqësi të re, duke marrë përsipër të lidhte çiftin dhe familjet në krushqi, me ecejaket e tij të shpejta në të dyja familjet vajtje- ardhje, sa te njëra te tjetra. U fliste për familjen që do lidheshin, autoritetin që gëzonin, pasurinë, zotësinë, miqësinë që kishin. Në rastin më të parë ai u hedh fjalën dhe këmbëngulte tek propozimi. Atëherë ishin edhe kohëra kur mundësitë për t’u njohur të rinjtë ishin të rralla, sepse vajzat pa mbushur 15 vjeç mbylleshin brenda. Për fejesë sulovarët gjithnjë kanë preferuar një djalë, a vajzë nga familje të mira, të ndershme. Nga vajza për nuse kërkohej bukuri dhe zotësi në punë, nga djali dhe familja e tij veç gjendjes së jetesës, kërkohej të ishin punëtorë e të pushkës. Ishin kërkesa këto që përcaktonin cilësitë e djalit, që do të martohej. Familja e djalit pyeste më shumë për vajzën, pyeste për shtëpinë, që ajo të ishte bujare mikpritëse, si dhe për cilësitë e vajzës në sjellje, pamje, vetëm pasi bindeshin për këto cilësi vinte koha për të kërkuar vajzën. Familja e vajzës zakonisht nuk e jepte pëlqimin menjëhershëm, kështu që lajmësi duhej të shkonte 3-4 herë e nëse vendosej jepej fjala. Ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur të gjendej një diçka që të kënaqte ndonjëherë edhe tekat e palës së nuses, kur kërkonin haraç për këtë lidhje. Ndonjëherë fejesat ishin edhe interes ndërmjet familjeve, por edhe rregullim i miqësive të prishura në kohëra. Në shumicën e rasteve deri në mes të shekullit të kaluar, fejesat bëheshin në moshë të re, mosha e zakonshme në të cilën ata e kryenin fejesën ishte 16 vjeç për vajzën dhe 18-20 për djemtë. Kanë ndodhur fejesa edhe në djep, që ishte një fenomen i trashëguar në shekuj. Kishte raste, që dy familje jepnin fjalën njëri-tjetrit, që po të lindnin djalë e tjetra vajzë do të bënin krushqi. Edhe pse ndonjë mund të dilte budalla apo çalaman. Të vjetrit tregojnë raste të lidhjeve të fejesave që në bark të nënës, por ajo që duhet theksuar ishte se femrat nuk pyeteshin për fejesë. Ajo nuk e njihte burrin. Këtë e kishin në dorë prindërit, sepse qoftë djali e sidomos vajza nuk kishte të drejtë as të jepte mendim me dëshirën e tyre për fejesë e martesë. Zakonet i ndrydhnin shpirtin e i mpinin të rinjtë.
Lajmësi e quante të përfunduar detyrën e tij, kur dy të rinjtë martoheshin dhe lidhnin kurorë me njëri-tjetrin. Por, dua të vë në dukje detajin e rëndësishëm. Lodhja e lajmësit merrte rrugëzgjidhje dhe kjo ka arsyet e veta. Që këtej ka rrjedhur edhe shakaja e lezetshme e cila në atë kohë përmendej shpesh në Sulovë: I paguam këpucët. Familja e djalit për mundimin që bënte i jepte si shpërblim të holla. Kjo ishte një dhuratë respekti, por edhe një rregull i trashëguar, sepse ishte personi që është lodhur e në këtë mënyrë ka krijuar krushqinë. Roli i lajmësit ishte i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të mohohej. Ai ishte ndërlidhës mes miqve dhe ata nuk mund të bënin asnjë veprim pa pyetur më parë atë. Ky zakon sado i tillë kishte edhe detyrime të tjera për lajmësin deri në ditën e martesës së çiftit. Bashkimi i çifteve kishte edhe të keqen se ata nuk njiheshin më parë dhe duke mos e njohur as karakterin e njëri-tjetrit kishte edhe prishje të fejesës. Mendohej gjithmonë ana e keqe se si djali apo më tepër vajza mund të ishte e shëmtuar apo moshë e madhe, por edhe me arsyetimin e thjeshtë se femrës i duhej gjetur një burrë ndodhte të lidhej me ndonjë që mund të ishte leshko, çalaman. Pasi i shpleksin muhabetet me ndërhyrje sqaruese në kohën e duhur me vajtjet dhe ardhjet e tij për të saktësuar gjërat e prishnin miqësinë, që ndodhte rrallë, por më shpesh i martonin shpejt e shpejt. Por, kur çdo gjë shkonte mirë gëzimi nga të dyja palët ishte i madh, sidomos nga ana e vajzës që tregonte shumë, e më kryesorja asaj i gjendej burrë për të mos u bërë barrë në shtëpi. Lajmësi ishte më i suksesshëm kur çiftet martoheshin, e më pas krijonin familje dhe jetë në harmoni. Kjo ishte edhe fillimi i një jete të re të çiftit, duke arritur në përfundimin e bukur se krijimi i familjes kishte edhe vlerë të madhe. Është interesante dhe një psikologji karakteristike që fejesat me lajmës në Sulovë kanë qenë të qëndrueshme.
Duke pasur koncepte të rrepta për martesën brenda gjakut, që sipas traditës ka pasur një stërgjysh të përbashkët, në këtë krahinë kanë qenë të ndaluara fejesat apo krushqitë brenda farefisit e lidhjeve të gjakut, megjithëse duhet thënë që në kohërat e sotme kjo ka filluar të lëshojë pe, e me raste të veçuara. Para se të lidhej një krushqi e re pyetej mirë për lidhjen fisnore të djalit apo dhe vajzës dhe vetëm pas kësaj jepej fjala. Pyetej me rrënjë e me degë, për të mos bërë, siç thonë në Sulovë ilaka. Ndikonte në zgjedhjen e krushqisë besimi, gjendja social-ekonomike dhe këtu e gjente shprehjen e vet diferencimi klasor. Djali e vajza duhej t’i përkisnin të njëjtës shtresë sociale. Një i varfër nuk merrte guximin të kërkonte për djalin, vajzën e një të pasuri, apo i pasuri të merrte për djalin vajzën e një të varfëri. Ky rregull rrallë prishej. Janë vënë re, dy lloj martesash: dhënia e dy motrave në një derë dhe ato me këmbim, pra duke dhënë vajzën në një derë e duke marrë prej asaj dere vajzën e tyre. Me shumicë dërmuese është preferuar vajza që shkon te djali, ndërsa e kundërta ka ndodhur rrallë, pasi personat që e bëjnë këtë gjë shihen me përçmim nga rrethi shoqëror, madje përbuzen. Fejesat dikur në përgjithësi bëheshin jashtë vendbanimit, por brenda krahinës, dhe rrotull Sulovës: Shpat, Dumre, Vërçë, Myzeqe, Nahije të Beratit, që thuajse traditat i kanë të njëjta. Sulova me dëshirë i martonte vajzat e saj në Myzeqe, Nahije të Beratit që të kishin miq e mbështetje në ato krahina, apo edhe në Elbasan, Berat, Tiranë, që ato të jetonin mirë. Më pak i martonte në Vërçë, Shpat i Sipërm, Tomorricë ngaqë në këto krahina ishin malore e të varfra, që me dëshirë i kërkonin vajzat e Sulovës, se ishin punëtore e të fisme, kurse sulovarët trima, mikpritës e bujarë.
Prej shekujsh fejesa ishte një rit i zakonshëm, edhe pse stuhia e çuditshme në vitin 1967 tronditi jetën e mentaliteteve dhe traditat e patraiakalizmit. Qeveria e partia në pushtet kërkonte me ngulëm prishjen e fejesave në djep me një propagandë gati histerike për këtë traditë të vjetër, me lëvizjen në emër të luftës kundër fesë e zakoneve të rënda të së shkuarës. Por, megjithë presionin e egër të regjimit ateist, institucioni i lajmësit nuk u zhduk, ai mbijetoi, edhe pse shndërrimet sociale rolin e tij e zbehën. Në mjediset e reja të krijuara, shkollat, ndërmarrjet prodhuese, aksionet, të rinjtë njiheshin dhe dashuroheshin e kjo solli një stepje të traditës së fejesës që në djep e ndërvarur nga rrethanat. Femra mori disa të drejta, ndonëse ajo mbeti thjesht në marrëdhënie shoqërore, edhe pse në krahinën e Sulovës zakonet ishin më të buta në krahasim me krahina të tjera. Zhvillimet e reja, krijuan kushte të tilla që të rinjtë të vendosin për fejesë e shumë herë pa anën e prindërve apo të afërmve. Ishte koha kur pjesa më përparimtare e shoqërisë krijoi një hap të madh në krahasim me të kaluarën, kur çiftet atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin parë kurrë. Lajmësi përsëri vazhdonte të kryente rolin si protagonist në takimet, që atëherë quhej parje. Me këtë parje, nëse të rinjtë ishin në një mëndje, vendosej për fejesë. Një kohë kjo gjë u bë traditë ku vajza dhe djali së bashku me të afërmit, e me një numër të caktuar pjesëmarrësish nga të dy familjet dhe lajmësin në krye pinin kafetë e shkëmbenin nishanet në të cilën futeshin ora, këpucë, unazë etj. Ndodhte që vajza apo edhe djali merrnin vendime për ta prishur fejesën d.m.th pendoheshin për këtë lidhje, duke rënë dakord pas fjalës së dhënë. Mjafton të ndalemi në një aspekt tjetër që martesa pa pëlqimin e prindërve ishte një veprim i rëndë. Për këtë ka tregime.
Në përputhje me të gjitha rregullat e sipas zakonit fejesa bëhej në shtëpi. Zakonisht ajo shpallej thjesht dhe pa bujë. Fejesa bëhej të shtunën. Gjithnjë bëhej në fillin në familjen e vajzës e shndërrohej në një festë të gëzueshme. Në bufenë e fejesës 7-9 vetë nga familja e djalit, në disa raste edhe më shumë shkojnë në familjen e vajzës. Ja si mund ta përshkruajmë në pak fjalë gostinë e fejesës, për të paraqitur sadopak karakterin e gëzueshëm të këtyre çasteve e riteve të gëzueshme. Të lumtur për zgjedhjen që kishin bërë dhe miqësinë, miqtë priteshin me nderime rrethuar nga dashamirësia dhe hareja. Kënga, vallja e muhabeti ka lezet. Në këto raste shkëmbeheshin disa herë duart, gotat tokeshin gjithë gëzim dhe në sofër shtrohen të gjithë të mirat me meze, mish e raki pikë e parë, se Sulova është një krahinë e njohur për dollinë e rakinë! Kënga me bejte për mirëseardhjen e miqve. Miqësi e nder. Miqtë, lajmësi hyjnë sipas sërës brenda në konak me shtrëngime duarsh. Burrat ulen dhe rrethojnë qoshen e oxhakut. Graria, vajzat, djemtë terë kureshtje rrinë në këmbë te dera e konakut, korridori, shkallët e deri në oborr. Më pas ndizet muhabeti në konak, që plekset me shakara, hidh njëri e tjetri prit. Më plaku që ishte në qoshe të oxhakut pyeste.
– Nga udhë e mbarë o miq?
I pari i qoshes tjetër, pra pala e miqve, përgjigjej:
-Ndoqëm gjurmët e një thëllëze, që u fut këtu.
-Rrini rehat e bëni muhabet se këtu është!- ia kthente ai që pyeste. Dhe, me këto shakara e të tjera, për të ndezur edhe më shumë bisedën, niste qerasja e miqve me raki, kafe e llokum sipas zakonit të fejesës duke uruar: “Me trashëgime e këmbë të mbarë!”. Shpallej kështu fejesa me një miqësi të përjetshme, lidhje midis dy familjeve që forconte me tepër edhe të farefisit. Pastaj tregohen nishanet. Në ritin e ndërrimit të nishaneve bënin pjesë: fustane ose copë për fustan, këmishë nate, vathë, gjerdanë, unazë, kuti tualeti, këpucë, etj dhe dorovë për pjesëtarët e familjes së vajzës, prindërit, motrat, vëllezërit, për gjyshërit, dajat e xhaxhallarët, hallat, tezet. Pastaj vazhdohej me të ngrëna e të pira. Sofrat shtrohen plot me meze e raki. Dollia ngrihej me shëndete e urime të bukura: “Me trashëgime, në dasmë, me miqësi të pandarë, me bukë të ëmbël!.’’ Fjala merr zjarr e kënga ndizej. Secila anë përshëndet me këngë në mes të dollisë e detyruar sipas zakonit. Çaste me të vërtetë gëzimi e lumturie që nguliten për të mos u harruar kurrë. Pas një jave a dy pala e vajzës kthen vizitën në familjen e djalit, si rregull me dy më shumë se sa numri i atyre që shkoi nga familja e djalit. Një ceremoni e vogël kjo për të shkëmbyer edhe bukën, siç thuhej në mënyrë simbolike dikur në Sulovë. Me këtë rast bëhej edhe shkëmbimi i nishaneve, që ishte i ligjëruar si zakon. Ato kurrë nuk kanë qenë të caktuara në mënyrë të prerë, por në tërësi sipas gjendjes nga të dyja palët dhe periudhat historike. Pas fejesës familjet e ndjenin nevojën shpirtërore të kësaj lidhje.
Kohë e re, mundësi të reja. Fenomeni institucional i lajmësit dhe fejesat me mblesëri në përgjithësi janë të rralla dhe lajmësit po ashtu. Ai që e praktikon, sidomos në zonat rurale ka përvetësuar një kulturë demokratike, duke iu përshtatur riteve të botës moderne. Më kryesorja, tashmë të rinjtë lidhen ose me njohje direkte ose nëpërmjet elektronikës dhe e kërkojnë vetë fjalën për fejesë në familje. Vitet kalojnë, vlerat në krijimin e familjes kanë rëndësi e më së shumti janë pasuri e pazëvendësueshme e traditave të mrekullueshme dhe trashëgimi për brezat.
- « Previous Page
- 1
- …
- 385
- 386
- 387
- 388
- 389
- …
- 484
- Next Page »