• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kombi dhe feja

July 1, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Shqiptarët nuk kanë tolerancë ndërfetare. Ndërtimi i tolerancës ndërfetare midis tyre bëhet veçse shkatërrim. Shqiptarët përherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim ndërfetar. Nëse për botën toleranca ndërfetare është vetë suksesi, ne gjithmonë ishim përtej kësaj e kishim më shumë se kaq. Për çështjen e religjionit dhe fesë, shqiptarët janë para botës, janë shembull që duhet ndjekur të tjerët. Toleranca është durim i tjetrit, i qenies e i pranisë së tjetrit. Ajo nënkupton që ekzistojnë arsye për të mos toleruar dikë a diçka, por ja që po ndodh toleranca. Toleranca ngjan përkundër jotolerancës duke e etabluar pikërisht jotolerancën si parësore. Andaj, nga personi i toleruar pritet të jetë mirënjohës e falenderues që po tolerohet. Toleranca është vetëpërmbajtje, është mosveprim në kushtet kur veprimi do të ishte i dëmshëm. Bashkëpunimi është veprim në kushtet kur veprimi është i dobishëm.

Shqiptarët muslimanë, katolikë e ortodoksë nuk e kanë toleruar asnjëherë njëri-tjetrin sepse gjithnjë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk kishin si ta toleronin njëri-tjetrin sepse aty s’kishte tjetër. Të qenit shqiptar, pra kombi, konsiderohej vlerë përbashkësuese shoqërore e historike dhe rëndësi strategjike politike e ushtarake. Para pak ditëve, si në Detroit, po ashtu edhe në Worcester e në Boston e gjetëm flamurin kombëtar shqiptar: te Imam Shaip Gërguri, te Dom Fran Kolaj, si dhe te Imzot Nikon e Atë Liolini.

Në fund të shekullit XIX e përgjatë shekullit XX kështu mbijetuam. Të gjitha ngritjet e kryengritjet, rezistencat e luftërat çlirimtare u zhvilluan në emër të kombit e për hir të kombit. Hoxhallarë, priftërinj e klerikë të tjerë, besimtarë shqiptarë të të gjitha religjioneve e feve, bashkoheshin si shqiptarë. Njëkohësisht, edhe armiqtë e shqiptarëve nuk bënin shumë dallim se kush çfarë feje ishte kur i sulmonin shqiptarët. Armiqtë tonë ishin e janë armiq të kombit tonë. Dëshmorët e kombit i kemi të të gjitha feve në secilën luftë tonën çlirimtare.

Nga pikëpamja fetare, kombi shqiptar njëmend është heterogjen, por ai nuk është edhe aq i vetëdijshëm për atë heterogjenitet. Kjo vetëdije cytet prej jashtë, prej koncepteve, nocioneve e kategorive të importuara (kryesisht perëndimore). Ngjashëm sikurse që shqiptarët as për së afërmi nuk e quajnë e njohin veten e tyre për gegë e toskë sa e bëjnë këtë gjë politikanët e diplomatët, studiuesit e gazetarët e huaj. Ndarjet midis nesh nuk janë tonat.

Tema e fesë dhe e religjionit te shqiptarët nuk është aq e vetë shqiptarëve. Kohëve të fundit këtë temë dhe aspekte të saj po i sjellin në debatin publik gjithnjë e më shpesh qeveritarët kosovarë thua se duan të na e konfirmojnë që Qeveria e Kosovës nuk është e shqiptarëve. Medie të regjimit kohë pas kohë nxjerrin video inçizime të vjetra të klerikëve për të ndezur polemika që i sipërvendosen aktualitetit politik në shtetin e Kosovës që po dështon. Lansoje një temë fetare duke shfaqur video nga arkiva (kush e di edhe sa të tilla i mbajnë për t’i publikuar më vonë?) dhe askush s’do të flasë për një kohë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, privatizimin e KEK-ut e të PTK-së, varfërinë e papunësinë në rritje. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe: tash kur Thaçi po merret vesh me Serbinë për ridimensionimin e shtetit të Kosovës nevojitet të krijohet përshtypja që armiku kryesor nuk vjen prej jashtë (Serbia) por nga brenda (islami). Dhe, kësisoj të normalizohet Serbia brenda Kosovës e të nxjerret islami jashtë, duke barazuar islamin tradicional që e kemi prej shekujsh me tendencat e pasluftës të bazuara në lexime e interpretime të tjera të Kuranit.

Në anën tjetër, posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit, Qeveria e Kosovës dhe analistët e regjimit e kanë humbur debatin me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si për çështjet politike e kombëtare po ashtu edhe për ato sociale e ekonomike. Ata nuk kanë shpresë tjetër përveç religjionit. Kjo është karta e fundit që u ka mbetur. Duke e ditur heterogjenitetin brenda shqiptarëve që reflektohet edhe brenda subjekteve politike përfshirë këtu VETËVENDOSJE!-n, ata duan përçarje të alternativës ndaj saj për ta maskuar pafuqinë e vetë asaj. Meqenëse VETËVENDOSJE! doli të jetë kështjellë e pamposhtur në diskutimet për politikën e bashkimit kombëtar, zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, dhe shtetin e së drejtës e atë social, le ta provojmë me religjionin thonë ata, sepse dihet që njerëzit mbajnë bindje e qëndrime personale të ndryshme. Ana tjetër e së njëjtës medale është që duke nxitur tensione ndërfetare e fetare të kërkojnë buxhet shtesë e vazhdim të kontratës për ShIK-un nga qarqe të caktuara amerikane: pa ShIK-un pa dyshim që PDK-ja jo vetëm se dobësohet, por me gjasë edhe zhduket fare.

Këto debate do të vazhdojnë sepse pushteti i ka mundësitë e fuqinë për nxitjen e përhapjen e tyre. Tash kur antagonizmat themelorë janë ato midis popullit shqiptar dhe Serbisë si dhe midis shumicës së varfër e të shpronësuar kundrejt privatizuesve të pasur, përmes një video sekuence të para tetë muajve por të shfaqur para disa ditëve, po përpiqen të na bindin që antagonizmi themelor e vendimtar na qenka ai midis burrit dhe gruas (sic.).

Morali nuk duhet kufizuar te religjioni e religjionet. Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të religjionit e të religjioneve pa dallim dhe ku çështjet e etikës konsistojnë te ndërgjegja e njeriut. Paralelisht me këtë, rrënjët e moralit të qytetarëve mund t’i gjejmë jashtë tyre: te gjendja sociale e materiale, te trajtimi që ua bën pushteti, te lloji i organizimit shtetëror. Në kohëra e në vende të ndryshme, në ekonomi e shtresa të ndryshme të popullsisë, nuk gjejmë morale të njëjta. Kështu, milionerët e skamnorët kanë gjykime etike fort të ndryshme ndërkaq prostitucioni është përgjithësisht skllavëri. Aty ku besojmë që kemi identifikuar shkaqet, më shpesh seç mendojmë, mund të kemi parë veçse pasojat.

Dallimi gjinor nuk bën të na e organizojë shoqërinë. Dhe, sa më shumë barazi, aq më pak dallime. Barazia shoqërore duhet ta përfshijë dhe ta nënkuptojë barazinë gjinore. Pa barazi, nuk ka dinjitet, por dominim e frikë, që do të thotë se nuk ka as liri. Barazia është vlerë: edhe pikënisje, edhe synim. Dinjiteti i grave e i burrave duhet të mbrohet e të respektohet njësoj.

Në vjeshtën e vitit 2008, pas krizës financiare me pasoja globale, në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kemi një rikthim të rolit të shtetit dhe kombit. Po nuk e kuptuam ne shqiptarët këtë gjë, do ta paguajnë shtrenjtë edhe brezat e ardhshëm. Shqiptarët janë një komb i fuqishëm por me shtete të dobëta (të Kosovës e të Shqipërisë). Bashkimi kombëtar nuk e ka kuptimin e një kombi të ri të bashkuar por e një shteti të ri të bashkuar për kombin.

Përderisa kishte mirëqenie të përgjithshme, lulëzonin organizmat e mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo porsa u cenua ajo mirëqenie secili popull e komb iu kthye shtetit të vet dhe kozmopolitanizmi nisi t’ia lëshojë vendin sërish nacionalizmave. Natyrisht, problemi është që edhe ai kozmopolitanizëm i mëhershëm ishte prej së larti (apo, siç thoshte me një rast një filozof francez: kur ta dëgjosh fjalën kozmopolit dije që një perandori po zgjerohet), por edhe ky nacionalizëm është përgjithësisht reaksionar meqë organizohet rreth dallimit kombëtar e lakmisë e jo çlirimit kombëtar dhe barazisë.

Shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘perëndimit të krishterë’. Sepse, pikë së pari, këso figurash që përbëjnë imagjinatën e ndarjes lindje-perëndim të fetarizuar janë ato të doktrinës së mbrapshtë të përplasjes së civilizimeve. Përplasja e civilizimeve është orvatje për kulturalizmin e më pas edhe fetarizimin e kundërthënieve socio-ekonomike e gjeo-politike (duke i depolitizuar ato).

 

 

Prishtinë, qershor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albin Kurti, Kombi dhe feja

SEKTARIZMI QË POLLI NJË DORËHEQJE POLITIKE

July 1, 2013 by dgreca

Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën./

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të lexosh historinë e nocionit që llafos institucionin e dorëheqjes politike (shqiptare), nuk mjafton që të jesh politikan, historian, intelektual a diçka tjetër. Ky lexim kërkon diç më tepër, sidomos kur ke parasysh se ky koncept në spektrin politik shqiptar gjatë kohë  ka qenë një organizëm i vdekur. Se këtë do ta lexosh me syze me dioptri, se do ta lexosh me a pa tarafe, do ta lexosh mes rreshtash dhe me (jo) korrektesë dhe, së fundi, do ta lexosh me inate e me paragjykime, kjo fare pak ka rëndësi. Sot të dëgjosh një deklaratë, një kumtesë a një fjalim, qoftë ai të jetë edhe politik, nuk mjafton ta dëgjosh me vëmendje, nuk të mjaftojnë vetëm veshët. Me rëndësi është që ta kuptosh mesazhin që del nga ai shkrim a edhe nga mjeshtëria e gojëtarisë. Dhe, kur kjo nuk do të ndodhë, atëherë vetvetiu humbet raporti mes autorit dhe lexuesit, ndërmjet oratorit dhe dëgjuesit. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se vështrimi mbetet thjesht arkaik, ndërkaq retorika do të konceptohet boshe…, ose, së fundi, është një diçka që i përngjan “thesit me kashtë”!

Në këtë vështrim timin të radhës nuk do të shkruaj për vakitë e 23 qershorit të motit 2013, nuk do të shkarravis as për fitoren e socialistëve, as për disfatën e demokratëve, as për zhgënjimin e kryeparit të Partisë Demokratike, nuk do të shkruaj as për lotët e gëzimit dhe ato të dëshpërimit, as për nocionet politike, siç janë: autoriteti, autoritarizmi (despotik), lidershipi…,“fundregjimi”. Nuk do të shkruaj as për nocionet abuzuese: stili i arrogancës politike, injoranca, diletantizmi, mendjemadhësia, diktatura, jotoleranca, egoizmi, provincializmi, egërsia…, nuk do të shkarravis as për mungesën e parimeve të lidershipëve (politikë), as për intuitën e mprehtë të votuesve që kësaj radhe ishte shumë para intuitës së elitës politike, në veçanti të atyre që deri dje kishin pushtet të pakufizuar, nuk do të shkruaj as për sharjet, për ofendimet, korrupsionin, për Gërdecin, 21 janarin e bulevardit, për fjalorin denigrues të kryeparlamentares, zonjës së nderuar Jozefina Topalli, nuk do të shkruaj as për votuesit dhe votat e tyre “…, që dikush sot me të (pa)drejtë i quan vota kopilësh, vota rospish, vota sakatësh, vota të verbërish, vota jetimësh, vota të burgosurish, vota që u shitën për lesh, vota të zhveshurish, vota të gocave të pamartuara, vota të meshkujve që nuk bëjnë seks e të tjera vota”!?…, nuk do të shkruaj për rotacionin politik që ndodhi në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të shkruaj sepse të gjitha nocionet e lartpërmendura, lëre që “shkuan për lesh”, por pse kryekëput janë të anashkaluara, po edhe të harxhuara. Sikur edhe të shkruash këtë, ambienti publik, lëre që nuk do ta lexojë, po as që do ta pranojë si të tillë.

Historianët mund të thonë se institucioni i dorëheqjes politike daton që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemal Bej Vlorës, kur ministri i tij, Mit’hat bej Frashëri, duke qenë i pakënaqur me rezultatet e asaj qeverie, braktisi postin që kishte. Kjo dorëheqje ishte konform natyrës së tij, sa politike, po aq edhe etike. E gjithë kjo ishte edhe një shembull a një leksion i tij për politikanët e ardhshëm se si duhet vepruar.  Ai ishte politikani i cili me këtë dorëheqje përcolli mesazhin se asnjeri nuk është dhe që as mund të jetë i abonuar për të qenë i përjetshëm në postin e lidershipit të partisë politike, po edhe në postin e kryeministrit. E gjithë kjo nderoi etikën e tij politike. Me të ikur nga ajo qeveri, ai pos që vazhdoi të bëjë punë të mençura, por edhe hezitoi ta lexojë përrallën që llafoste qëndrimet e tij politike. Një dorëheqje paksa (goxha e vonuar) më ndryshe u duk në kohën kur përfunduan zgjedhjet  parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Këtë e bëri kryeministri aktual z. Sali Berisha. Gojëkëqijtë, po edhe ca kundërshtarë politik të tij, do të thonë se në ditën “fjalim-dorëheqjes” kinse u hetua agonia e tij politike, sa e mërzitshme, po aq edhe e sikletshme, u hetua dezertimi i tij politik, u hetua lodhja e tij, sa fizike po aq mentale…, kundërshtarët do të vazhdojnë të thonë se “fjalim-dorëheqja” ishte e mbushur plot e përplot me emocione dhe fare pak u dëgjua zëri i arsyes! Në fjalimin e tij u hetua edhe një “gafë politike a shprehje e thënë fare pa vend”!…, ai në asnjë paragraf të tij nuk fajësoji bashkëpunëtorët e tij sa ipërket disfatës së thellë që përjetoi partia e tij. A mos vallë ishte një modesti e tij e tepruar apo një modesti e rreme, a mos vallë deklarata e tij e dorëheqjes nga posti i lidershipit nuk ishte një qëndrim a shfaqje politike sektare apo edhe diç tjetër!?

Mbështetësit politikë të z. Sali Berisha do thonë me plot gojën se nëse je i paanshëm, atëherë duhet të thuash se kryeministri i nderuar dhe i çmuar, vazhdoi promovimin e idesë së institucionit të dorëheqjes politike, duhet të thuash se ai ishte politikani i radhës që iu ngjit listës së politikanëve shqiptarë që respektuan institucionin në fjalë. Sot, ta ironizosh, ta dehumanizosh, ta deemanciposh, ta nëpërkëmbësh, ta përqeshësh, ta keqinterpretosh dhe ta keqkuptosh dorëheqjen e doktorit (po edhe të ndonjë politikani tjetër shqiptar) nga posti i lidershipit të Partisë Demokratike, do të thotë ta abuzosh filozofinë dhe etikën e institucionit: braktisje a dorëheqje politike e vullnetshme (pa porosi a me urdhër). Tekefundit, ky gjykim i matur dhe ky leksion i avancuar politik i z. Berisha, ose kjo “ikje” nuk është vetëm një shprehje e lirë e tij, por është edhe një guxim politik që në spektrin politik shqiptar dhe përreth tij zgjoi kureshtje të veçantë, aq më tepër kur ke parasysh se dorëheqjet e vullnetshme të lidershipëve shqiptarë gjatë kohë kanë qenë tabu temë. Kjo dorëheqje do të rrumbullakohej sikur të ishte kolektive, gjegjësisht largim kolektiv i të gjithë atyre politikanëve që ndërtuan po edhe shembën imazhin e partisë politike në fjalë!? Se e gjithë kjo “dorëheqje” ishte histori apo çast “histerie”, këtë do t’ia lëmë ta thonë të gjithë ata që ishin dëshmitarë të asaj vakie!

Të heqësh dorë nga institucioni që e udhëheq, assesi nuk do të thotë të ndërrosh mendje, bajrak a edhe identitet. Të heqësh dorë nga institucioni nuk do të thotë se do të shkelësh mbi parimet e moralit demokratik, përkundrazi është një gjest a një akt i guximshëm dhe assesi “falimentim” politik. Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën.

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, politike, qe polli doreheqjen, sektarizmi

“Mea culpa” e Berishës, dhe si mund të “Rilindësh” saktë nga dy mami

June 30, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

Berisha pranoi se nuk mundi të arrinte të realizonte  ëndrrën e tij të liderit që e bëri Shqipërinë një vend të zhvilluar evropian, ndërsa Rama pohoi se ai u çlirua nga paranoja e tij e vdekjes se ai do të ketë mundësi të zërë një vend në histori.  Jemi përpara një humbje të thellë të PD-së.  Është nga ato vota, masive që nuk të lë të krijosh iluzione për karakterin e votës së shqiptarëve.  Dikush thotë se Berisha, humbi për shkak të rrotacionit, dikush nga të pakënaqurit e Berishës brenda PD-së, dikush për shkak të autarkizmit, apo të arrogancës së PD-së, për shkak të mungesës së demokracisë, apo korrupsionit, një tjetër. Mund të jenë këto apo dhe të tjera, por unë do të theksoja elementet psikoanalitikë të personalitetit të dy liderëve.

PD humbi për shkak të projeksionit të personalitetit të Berishës në ëndrrën e tij evropiane, për një Shqipëri evropiane. Ndërsa Rama tashmë. siç pohonte vete në një intervistë të dhënë në 23 qershor për prestigjiozen franceze “Le Courrier des Balkans” fitoi se kërkon të lerë një emër në histori. Dhe në emfazë pohoi paranojën e tij nga vdekja tok me delirin e tij të madhështisë “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.”

PD  humbi për shkak se ëndrra evropiane e Berishës,( ai ka pohuar se nuk sheh ëndrra gjatë natës ) ishte makro dhe madhështore, por duke bërë këtë ai harroi mikron.  Mikromenaxhimin e elementeve të jetës së ekonomisë të njerëzve, ku kriza ekonomike kish futur kthetrat e saj. Ai humbi ndër të tjera edhe pse nuk kuptoi, nëse një shoqëri nuk ndihmon shumicën e varfër, atëherë ajo nuk ndihmon edhe të pasurit.

Berisha nuk ka ditur t’i shmangë krizat, madje  i krijonte apo i krijoheshin, dhe vetëm pastaj përpiqej t’i menaxhonte. Kriza e Piramidave e vitit 1997 është dëshmi për këtë. Berisha i toleroi piramidat me idenë se krijonte bollëkun, iluzionin e liderit që të linte një mesazh të madh në histori. Dhe piramidat po të kujtoni ndodhën pas udhëtimit të Berishës në Malajzi dhe në Brunei. Ai ndjeu se me ndonjë rrugë informale mund te krijonte, bumin ekonomik  dhe dështoi, për vetë modelin që krijoi, apo dhe për rrethana të tjera. Burimet e pastrimit të parave të u prenë, dhe Gjallica e Sudja e te tjera ranë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Le të thotë, si të dojë Berisha, por ai asnjëherë nuk ka qenë sinqerisht i qartë në ndjesën për atë që ndodhi.  Dhe shkaku pse kjo ndodhi, lidhet me dëshirat e tij për të lënë një gjurmë pozitive në Historinë e Shqipërisë. Por për të gjykuar berishizmin mund ta gjykosh nga anti- berishizmi dhe nga miti negativ për Berishën që armiqtë e tij të shumtë kanë në mendje.

Por a votuan shqiptarët më shumë kundër rizgjedhjes të Berishës, apo votuan për një shpresë ekonomike me të mirë? Ai ishte ky basti i fundit i tij?

Në fakt, Berisha mori përsipër vetë të gjitha madje dhe humbjen.  Ministrat dhe deputetët munguan në gjithë fushatën e tij. Rizgjedhja ishte sfida e tij dhe sfida e moshës së vet. Sado të duket paradoksale, lind pyetja: A u mund i anatemuari Berisha nga opozita, apo u mund nga populli?

A u mund ai nga rrotacioni politik, si konsum moral,  apo nga epitetet për të, si “gjysh”, megjithëse energjia e tij ishte e pashtershme,  dhe ata që do të vijnë, edhe pse të rinj nuk kanë së bashku as gjysmën e energjisë së tij.

Vetë Berisha, pat thënë në një intervistë duke qeshur se ai ka rënë nga kali dhe përsëri është ngritur. Dhe në qoftë kjo rënia e tij e fundit, edhe pse ende ka takat, nuk ka kohë të ringrihet. Socialistët kërkuan me ngut që ai t’i njihte zgjedhjet. Ndërsa ai i qetë po priste përfundimet, edhe pse tendenca fliste ndryshe.  Ai kishte humbur…

A pat humbur ai kontaktin me realitetin duke ndjekur imazhin e vet, apo ishte i kthjellët . Berisha me “mea culpa-n” e tij, sërish prapë pohoi se “kjo ka qenë fushata më e mirë që ka bërë” . Mundet po me shumë pak rezultat.

Natyrisht puthadorët dhe sahanlëpirësit  brenda partisë  nuk mundën ta ftillonin. Ai i besonte më shumë personalitetit  të vet, sesa ideve  të enturazhit e të këshilltarëve.  Kritikët dashamirë të partisë u eliminuan.  Zërat ndryshe, si:  Selami Xhepa apo Mark Marku, nuk u rikandituan, habi është mos kandidimi  i juristit Ilir Rusmaili, ende ka pikëpyetje. Mos Berishës, zelli i tij për të dalë në televizion iu duk si karshillëk, apo i mos i dukej Josefinës?  Kohët e fundit dhe i larguari Aleksander Biberaj u rikthye për të sfiluar për kryesinë e PD. A do të pranohen dhe të tjerët? A është në gjendje PD-ja të funksionojë pa Berishën dhe hijen e tij? Pse vetëm tani që Berisha që po kërkon të gatuajë portretin e dishepullit të vet në PD, flet për rregullin demokratik “një votues një votë”?  Pse do të duhej kjo humbje katastrofale për të kuptuar atë, që Berisha  s’mundi të zbatonte dot nga Makiaveli, edhe pse diti dhe shfrytëzoi shumë nga mekanizmat e tij të ruajtjes së pushtetit. Berisha pati dhe ka dhe një të metë të madhe, nuk diti të delegojë, nuk krijoi një ekip pasues, nuk gjeneroi një brez të ri për partinë. Ashtu si Dashamir Shehu pohonte në një debat disa ditë me parë se “në PD ishte Berisha , ishin 100 vende bosh dhe pastaj vinin të tjerët”.

Mendja e tij, që e majta e quan djallëzore, autoritare dhe që i frikësohet edhe sot atë edhe kur Berisha është e mundur, nuk mundet të punojë ndryshe.  Berisha humbi se ai luajti për veten dhe jo për partinë e vet.

Ai nuk diti të kuptonte se imazhi i ndryshimit të zgjedhjeve të 2005, KOP-i, nuk u sendërtua si normë në PD. Ndoshta Berisha filloi t’i druhej më shumë hyrjeve të reja, sesa xhaketave të vjetra të PD-së, të cilët i pranonte mjaft që të pranonin pushtetin e vet. Çfarë i sollën Imamët dhe Cekat partisë ? Në fakt, çdo skizmë brenda PD-së dështoi të konsolidohej. Ai i mundi dhe si të mundur i futi në vathën e vet. Por kjo forcë e karakterit të tij, që mbante partinë ishte dhe një makth për të majtën.

“Për fat, shkruante një analist, nga ata që janë paguar për të nxirë çdo gjë kundër Berishës, “, mosha e tij, nuk do t’i lejojë amnezisë legjendare të shqiptarëve që ta rikthejë në pushtet. Ai që përçau shqiptarët, që zgjidhjen e konflikteve e bënte duke ngjizur të reja, që luante pamëshirshëm me instinktet më të ulëta, që ngjallte ambiciet më të zeza, që promovonte njerëzit e deformuar dhe me mbështetjen e tyre qeveriste, që shfrytëzonte dobësitë për t’i përdorur, tashmë nuk do jetë më dhe nuk rrezikon të rikthehet.”  Por ai bëri atë që e majta nuk e ka bërë , pranoi  Mea Culpa, kjo e lartëson a të moralisht më shumë se dyshja e batalionit e  “Rilindja” me komandant Ramën, dhe komisar Metën  “.

“Dy mami e nxjerrin çyryk fëmijën”, thonë. Por a mund të vijë Rilindja nga dy mami si PS dhe LSI kur i ndan në mes një kurban?  Kjo është  një pyetje që lind natyrshëm dhe shpjegon atë pse e majta edhe sot shpreh një gëzim të përmbajtur. Me gjithë 16 votat e Metës, diversioni i përhershëm që e mbajti të majtën të përçarë, i rri si shpata e Damokleut për koalicionin. A mund të ketë një përçarje të ardhshme mes tyre. Ambiciet janë aty. Meta garanton, por nuk besohet.  Atij PS nuk i beson se ai ka kaluar shpesh herë ylberin. Ndaj dhe gëzimi është jo aq i shfaqur . Meta më së fundi deklaroi se kryeministri i takon PS-së dhe se ai do të marrë vendin e spikerit . Nëse do të jetë kështu nga pikëpamja pragmatiste, çka do të fitojë Meta më shumë nga aleanca “e natyrshme “me PS-në, sesa fitoi nga ajo “e panatyrshme” me PD-në.

Nga ana tjetër, vetë anëtarët e koalicionit duhet ta lexojnë me kujdes dhe modesti fitoren. Përmbysje të tilla, para së gjithash vijnë për shkak të mbingopjes nga një qeverisje, dhe jo prej programeve ose shpresës që ngjallin të ardhurit  rishtas.   Shqiptarëve iu mërzit Sali Berisha dhe  riciklimi i tij, më shumë  sesa keqadministrimi i qeverisë. Ajo që është e sigurt, ka lidhje me faktin, se vota “pro” opozitës, vjen  para së gjithash nga refuzim i Berishës, sesa nga ndonjë parapëlqim i ngjyrës “mavi”.

Shqiptarët presin që dyshja Rama – Meta, t’iu tregojë se janë diçka ndryshe, nëse janë të paktën mami të kujdesshme.  Fuqia e LSI si një parti që mori më shumë vota “pse të fut në punë” do të bjerë shpejt pasi nuk janë të mundur të punësohen të gjithë ata zgjedhës.  Çelësi për të kuptuar humbjen e fitoren e këtyre zgjedhjeve lidhet me të kuptuarit  pse fitoi LSI-ja. Pasi niveli i përqindjes të votës së PS-së është po ai rreth 41%. Këtu lind pyetja a do të ketë një mandat të plotë katërvjeçar. Apo kriza më shumë se fuqia e opozitës së re do të paraqesë zgjidhje të reja. Shumë nga premtimet populiste të opozitës para zgjedhjeve lokale do të jenë dëshmuara se ishin vetëm mashtrime elektorale. Pasi ekuacionit me shumë të panjohura të programit populist të PS-së, të cilës as dhe ekonomistët e PS-së nuk mund t’ia bëjnë provën.

 

Megjithatë se çfarë do që të bëjnë socialistët, nuk mund ta largojnë Berishën nga historia. Ajo  kujton shpesh se veprat e mëdha dhe gabimet e mëdha i bëjnë ata që janë autoritarë dhe ndjekin vizionin e tyre. Berisha bëri rrugë dhe tunele si Ajzenauri në SHBA që krijoi boom-in ekonomik të pas luftës në SHBA, por i duhej dhe pak kohë.  Shihni, gazsjellësi TAP u miratua edhe me lobimin e Berishës.  Por gjatë mandatit të dytë qeverisja e Berishës ra më shumë  viktimë e vet projeksionit të tij në histori, dhe krizës ekonomike botërore, sesa e autoritarizmit të tij . Gjatë kësaj kohe  Berisha u mor më shumë me idenë e vet, sesa me hallet e njerëzve për një jetë më të mirë, shëndetësi, arsim dinjitoz. Këto qenë pikat e dobëta që opozita i kapi dhe ato i dhanë asaj fitoren. Ai mendoi me të drejtë se veprat e mëdha do të sjellin begati ekonomike, por për zgjedhësin e thjeshtë është me e prekshme  shtrimi falas në spital, sesa koha që do të fitojë nga tuneli i Elbasanit. Por megjithatë ka mundësi që premtimet që i sollën opozitës së majtë fitoren mund t’i sjellin edhe asaj rënien.

Dyshja e majtë që do të qeverisë vendin në katër vitet që vijnë, rrënjët i kanë në vitin e trazuar ‘90-të. Janë pjesëmarrës aktivë të ngjarjeve të kohës, rrjedhimisht kanë gjithë virtytet dhe veset e saj. Kurbani i Ramës e ilustron këtë.  Por tani qeveria e së majtës i ka gjithë shanset të mos t’i zhgënjejnë të qeverisurit e tyre. Por a do të dinë të bashkëjetojnë, pasi Rama psikologjikisht priret drejt ndarjes ?

Votuesit shqiptarë e bënë zgjedhjen. E kanë bërë detyrën e tyre. Po presim që të rinjtë .” e vjeter” te ardhur në fuqi, do të dinë të ngrenë një shtet me fytyrë njerëzore dhe në shërbim të shtetasve, një administratë profesionale dhe të karrierës, drejtësi të pavarur. Por kjo më shume se një asfiksi e pushtetit të demokratëve, është rezultat i demoniakizimit të figurës së Berishës nga propaganda e majtë. Vetëm disa dalje televizive në fund të fushatës nuk zbuluan dot anët njerëzore të tij. Rama në fjalën e tij u tregua kalorësiak ndaj Berishës. Premtoi se nuk do të ketë hakmarrje ndaj zgjedhësve dhe mediave, të paktën kështu kanë deklaruar. Por a mund t’u besosh,  Metës me video korrupsioni qoftë dhe të montuar, apo Ramës që largoi nga Partia gjithë detashment e mendimit ndryshe, dhe mbajti vendin për një vit jashtë mundësisë për kandidimin në BE, ai se ka hedhur poshtë ende librin “Kurban”.

Në fakt fitorja e arritur nga Aleanca e Majtë është një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani. Ky është një proces demokratik ,ku ka fituar shumica e cila tashmë i takon edhe të qeverisë për katër vitet e ardhshme.  Duke u ndalur tek sfidat e integrimit, një vend kandidat duhet që qeveria t’i plotësojë me rigorozitet të gjitha këto kërkesa, pa zvarritje dhe mungesë vullneti nga të gjitha palët. Votuesit kanë dhënë votën për ata (të majtët) dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t’u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Sfidat që ka përpara Shqipëria janë të shumta.  Kjo do te varet se sa opozita do dijë të zbatojë mësimin e J.F. Kenedit “Detyra jonë nuk është të rregullojmë duke fajësuar të kaluarën, por të rregullojmë kursin e së ardhmes.”

 

Filed Under: Komente Tagged With: analize per humbjen e berishes, Rafael Floqi

,,Nova Makedonija,,dhe manipulimet për popullin shqiptar

June 30, 2013 by dgreca

Reagim i SHSHA-së në Çikago kundër analistit bulevardesk Zidos Daskalovski/
Shkruan: Skënder Karaçica/Chikago/

Për këto 65 vjet të veprimtarisë botuese dhe informative të së përditshmës maqedonase,,Nova Makedonija,,në Shkup,gjithherë ka qenë në ballë të skenarëve të pushtetit sllavokomunsit dhe tashti edhe në vijat e demokracisë së brishtë kundër çështjes shqiptare,thekson në fillim të reagimit SHSHA-ja në Çikago që ka të bëjë me manipulimet për popullin shqiptar për përkatësinë kombëtare të tij(krejt skandaloze)më pak se 20 përqind(!).

Kjo e përditshme informative e afërt me qeverinë e Nikolla Gruevskit përmes skenarëve të vjetër rithekson sikundër dhe shumë herë tjera se ,kjo ka qenë arsyeja kryesore për ndërprerjen e regjistrimit të fundit të popullisisë në Maqedoni,që nuk përkon më të vërtetën ngaqë saherë që ka pasur ,,regjistrime,,të popullsisë Enti Republikan i Statistikave(pa asnjë shqiptar të punësuar tash e sa vjet)ka manipuluar si ka dashtë dhe si i ka shkuar për shtati politikës ditore maqedonase kundër çështjes shqiptare të pa mbrojtur,thuhet më zërin e arsyes të këtij asociacioni politiko-kombëtar të Çikagos.Tërë fryma lidhur me përbërtjen kombëtare të shqiptarëve me statistikat e dorës së falsifikimit me vulën zyrtare kemi informacione të sakta se ato kanë shkuar madje edhe në zyrën për shënimet ndërkombëtare mbi popullsinë në OKB në Nju Jork.Përkitazi me këto manipulime subjekti politik shqiptar ndër vite dhe (BDI-ja)në kaulicionin pa marrëveshje paraprake dhe jashta taborrit kushtetues nuk besojmë se është në dijeni për të gjithë kolovajzën polititike antishqiptare karshi statistikave me vulën e manipulimeve(!).

Në analizën e ,,Nova Makedonija,,na del sheshazi analisti bulevardesk Zidos Daskalovski,i cili për qudinë tonë,,zbulon,,(sic!)se shkaku i ndërprerjes së regjistrimit të popullsisë paskësh qenë fakti se numri i shqiptarëve në Maqedoni është më pak se 20 përqind(!),gjë që do të nikonte në atë që (populli shqiptar)të mos mund të shfrytëzojë të drejtat që i parasheh (lexo:Kushtetuta e këtij vendi)për komunitetet(lexo:pakicën shqiptare!)në përberjen më të ulët se 20 përqind me numrin e përgjithshëm të popullsisë në këtë vend,janë disa nga venerimet politike të SHSHA-së në Çikago.Për hirë të së të vërtetës dhe duke iu kundërvënë ,,analizave,,redaktoriale të ,,Nova Makedonija,,po ritheksojmë se për pesëdhjetë vjet të regjimit sllavo-komunist në Maqedoni,në ballë të statistikave të kohës ka qenë (vetëm)një numër prej 17 për qind të përbërjes kombëtare të popullit shqiptar pa e ndryshuar deri më sot,thuhet në reagimin e shqiptaro-amerikanëve të Çikagos.

Po i tregojmë ,,Nova Makedonija,,dhe analsitit të bulevardit Zidos Daskalovskit se në Samitin e NATO-s në Çikago(mbajtur në maj të vitit 1012)është thënë zyrtarisht se përberja kombëtare e popullit shqiptar në trojet e veta etnike në Maqdoni është 40 për qind për këto të dhëna pati dëgjuar edhe delegacioni nga Maqedonia që mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit me kryetarin maqedonas Gjorgje Ivanov.Përkitazi me këto statistika të vjetra dhe të pakorrigjuara asnjëherë,kujtojmë se qeveria e Nikolla Gruevskit po luan lojën me buxhetin dhe të drejtën (e pashkruar kushtetuese)që tash e sa vjet nuk ka ndarë asnjë cent për politikën ekonomike të investimeve në komunat shqiptare prej 20 përqind të mjeteve nga buxheti vjetor prej 2 milion e shtatqind milion eurove që kjo shumë do të akordojë 200 milion euro që sadopak do të zbuste gjendjen e rëndë ekonomike dhe do të ndalte migrimin e qindra shqiptarëve për në rrugët e botës,kështu ia bënë të ditur analizës në të përditshmën maqedonase,analsitit bulevardesk Daskalovskit dhe të gjithë atyre që mendojnë bashakarisht për aktualitetin shqiptar në Maqedoni me statistikat kuturu dhe falso edhe para opinionit ndërkombëtar,thkeson në fund të këtij reagimi SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Komente Tagged With: manipuli i shqiptareve, Nova Makedonia, Skender Karacica

Atributet e epokës “Berisha”

June 30, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Lideri i demokratëve shqiptarë, Sali Berisha, dha më 26 qershor dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike. Ai e udhëhoqi këtë parti për gati 23 vite, ndërkohë që e dominoi drejtimin e shtetit shqiptar për 13 vite radhazi. Dorëheqja e Berishës erdhi si pasojë e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kalimit në opozitë të Partisë që ai drejtoi. Ishte e pritshme së paku prej të hënës e deri mbëmjen e të enjtes, që ai të deklarohej se do t´i jepte fund drejtimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri. Erdhi ky moment kur të gjithë kolegët e tij të Lindjes Europiane të jenë larguar prej shumë vitesh nga skena politike. Berisha ishte i vetmi që përballoi sfidën dhe u shfaq disa herë si feniksi në skenën politike shqiptare.

Deklarata e dorëheqjes së Berishës e të enjtes shkaktoi ndjesi dhe reagime të ndryshme te shqiptarët. Shumica prej tyre e përjetuan këtë ngjarje politike me dhimbje, trishtim e keqardhje. Pakica, një pakicë mospërfillëse, festoi në atë mënyrë, që në miniaturë të kujtonte festimet e 1997 me krisma kallashësh, kur Presidenti Berisha dha dorëheqjen prej postit shtetëror që kishte. Por kjo nuk përbën ndonjë shqetësim të madh. Në një demokraci do të gjenden një grusht njerëzish të pakënaqur ose të “militarizuar” ideologjikisht që do të festojnë gjithmonë dështimin e kundërshtarit politik.

Objekt i kësaj analize nuk është përshkrimi i mësipërm. Nuk do të marr kohë të analizoj në detaje humbjen e demokratëve dhe as do të përpiqem të sajoj ndonjë monografi apo biografi të liderit shqiptar të demokracisë, Sali Berisha. Thjesht do të përpiqem të jap versionin tim asaj çfarë përfaqëson Sali Berisha në botën shqiptare, sigurisht duke kundërshtuar disa versione të shfaqjeve të shpërfytyruara të disa analistëve, në përpjekjen e tyre për të përbaltur figurën politike të ish-kryetarit të Partisë Demokratike. Në fillim më duhet të theksoj se nuk kam ndërmend gjithashtu të analizoj gabimet dhe të metat njerëzore të Berishës, të cilat e kanë shoqëruar natyrshëm atë gjatë karrierës së tij politike. Kjo për arsyen e thjeshtë se kritikët e Berishës vazhdojnë të zbrazin thesin “e gabimeve” të tij, shumica e të cilave vazhdojnë të vijnë përmes instrumenteve të spekullimit, shpifjeve, trillimeve, ose lidhjes metafizike të aspekteve që nuk mund të qëndrojnë bashkë. Dhe nëse do të ballafaqonim vlerat që ai përfaësoi dhe gabimet e kësaj natyre të tij, atëherë peshorja do të shkonte dukshëm në drejtimin e vlerave.

Dorëheqja e Berishës ishte dinjitoze, mbresëlënëse, e pazakontë. E tillë ajo u përjetua dhe në këtë përjetim vjen në kujtesë ardhja e tij në skenën politike. Të njëjtat emocione si në dalje dhe në mbyllje. Personalisht u ndjeva keq atë mbrëmje të datës 26 qershor, por në vetëdijen time do të ndjehesha edhe më keq, nëse Berisha nuk do të dorëhiqej. Ai nuk mund të vijonte më të bënte rolin e opozitarit. Nëse do ta bënte këtë, do të dëmtonte veten dhe partinë, të cilën ai e themeloi dhe udhëhoqi për 23 vite. Me dinjitet të pakontestuar Berisha bashkë me dorëheqjen tërhoqi pas vetes përgjegjësinë e humbjes, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Jo se kreu I PD-së nuk ka përgjegjësi për humbjen e 23 qershoorit, porse ai u përpoq gjatë fushatës të mbyllte sa më shumë plagë që i krijuan në qarqe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Dhe këtë e dinë të gjithë këta, të cilët e ftonin dhe i kërkonin: “Doktor hajde në këtë zonë, se kemi problem”. Dmth, hajdeni e na ndihëmoni, se pa ndihmën tuaj ne jemi të dështuar. Prandaj dhe në këto zgjedhje nuk dështoi vetëm Berisha, dështuan më së shumti të dërguarit e tij në qarqe.

Të njëjtat emocione u shfaqën në mbyllje të karrierës shtet-ndërtuese të Sali Berishës, si edhe në daljen e tij në skenën politike më 1990. Por midis daljes e mbylljes qëndron një epokë, një kohë, e cila ka marrë e do të marrë një emër: Epoka e Sali Berishës… Si do të vlerësohet e gjykohet kjo kohë, për këtë do të shkruajnë historianët.

 

1. Berisha si reformator dhe liberator

 

Historia do ta mbajë atë gjithë jetën si udhëheqësin e parë antikomunist në Shqipëri, si promotorrin e demokracisë, si njeriun e parë në Shqipëri dhe Lindjen Europiane, i cili u deklarua për anëtarësim në NATO dhe e orientoi Shqipërinë drej Perendimit. Historia do t’i rezervojë atij meritat për reformat e mëdha politike dhe ekonomike në Shqipëri, meritat për vizionin e tij për zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës dhe krijimin e klimës politike stabile në rajon, si dhe për një ekulibër të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sali Berisha do të përmendet në histori për hapat e rëndësishëm të integrimit në Bashkimin Europian e në veçanti për liberalizimin e vizave. Sali Berisha do të përmendet si i pari dhe i vetmi personalitet e udhëheqës politik që la pas infrastrukrurën qindravjeçare më të prapambeturën në Europë dhe e futi vendin në hartën e vendeve me infrastrukturë moderne. Ai do të shënohet si ideatori i zhvillimit të industrisë energjitike, përfshirë dhe gazifikimin e Shqipërisë. Shumë vepra njerëzia në breza do t’i identifiokjë me emrin e Berishës. Këto arritje e suksese të epokës Berisha, të cilat u përmenden më lart, nuk do të zhvleftësohen nga arkivat, dokumentet dhe fakte të pazbuluara. Ato janë të dukshme, të prekshme, të pakontestuara.

Në këtë pikëpamje lideri shqiptar postkomunist, Sali Berisha, mbarti me vete guximin e madh për ta kaluar Shqipërinë nga një vend të izoluar, në një vend të hapur e në marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europën. Ai manifestoi vendosmërinë e rrallë për të bërë reformat më radikale në historinë e Shqipërisë në ekonomi dhe kalimin e saj të plotë nga një ekonomi e centralizuar dhe tufëzuar në një ekonomi të tregut të lirë. Berishës i përket merita e padiskutueshme e pranimit të Shqipërisë në NATO, jo vetëm se ishte i pari europiano-perendimor që kërkoi të jetë anëtar i kësaj aleance, porse zbatoi me përpikmëri reformat e kërkuara për të arritur në finish, kur Shqipëria ngriti flamurin e saj në selinë e Aleancës në Bruksel më 4 prill 2009. Berishës i takon merita e pakontestuar e plotësimit të të gjitha kërkesave europiane për liberalizimin e vizave. Në këtë kuptim pasaporta shqiptare do të kujtohet gjithmonë si pasaporta e kohës së Berishës. Si në asnjë vend tjetër europian, qeveria Berisha u përball në procesin e liberalizimit të vizave jo vetëm me qëndrimet strikte të Brukselit, por edhe me lëvizjen antiliberale të lëvizjes së shqiptarëve në Europë nga ana e opozitës, tashmë të ardhur në pushtet. Historianët e kohëve të ardhshme do ta kenë shumë të vështirë të vlerësojnë fakte të tilla, se për ta pas disa dekadash nuk do të mund të konceptohet sesi një opozitë e jona të mund të ketë bllokuar procese të tilla, por ata nuk do të mund të gjejnë asnjë argument kundër këtij fakti të trishtueshëm. Bllokada e opozitës i dha Berishës të drejtën që ta përvetësojë njëmijë përqind meritën e liberalizimit të vizave.

 

Shumë kundërshtarë të zotit Berisha kanë vjellë vrer kundër tij, madje vazhdojnë dhe në ditët e sotme të shprehin opinione pa asnjë fakt për sjelljet e ish-udhëheqësit më karizmatik të periudhës postkomuniste në Shqipëri. Më së shumti sulmet kundër tij vijnë nga kundërshtarët e përhershëm politikë, por edhe nga ajo pjesë e elitës politike, të cilën Berisha e promovoi në krye të shtetit dhe institucioneve shqiptare. Kjo kategori njerëzish duket se nuk ka mundur të përballojë këmbnguljen, vendosmërinë dhe integritetin personal, familjar e moral të udhëheqësit shqiptar, Sali Berisha. Kjo kategori analistësh, politikanësh e përfituesish nga mbështetja e kreut të mazhorancës, duket se kanë dëshmuar në përpjekjet e tyre për denigrimin e Berishës se janë inferiorë në intelekt, në dije, në kulturën politike e të përgjithshme krahasuar me të dhe për pasojë kanë kultivuar në qenien e tyre atë lloj egoizmi, cmire e xhelozie shpesh herë të shfrenuar. Rrallë herë ka ndodhur që në trojet shqiptare të vegjetojë një udhëheqës politik e shtetëror me integritet të tillë si Sali Berisha. Deri tani binjak i tij mund të konsiderohet vetëm Ibrahim Rugova.

Por sado të shfaqen opinione, historia dhe historianët kanë një metodologji strikte në vlerësimin e ngjarjeve e të figurave historike. Ato nisen nga rezultatet, nga ajo çfarë është arritur dhe nga drejtësia e vendimeeve që janë marrë. Për fatin e keq të kritikëve të liderit shqiptar post-komunist rezulton dhe do të rezultojë se epoka e Berishës ka qenë shumë e sukseshme, se vendimet dhe vizioni i tij për një Shqipëri të zhvilluar kanë qenë të një udhëheqësi të papërsëritshëm. Sali Berisha ka shtruar tashmë trasenë e zhvillimit modern të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo është arritja më e madhe e shtetit shqiptar në këto 100 vjet të ekzistencës së tij. Mos harrojmë se kryeministri serb, Nikolla Pashiç, që më 21 janar 1913 paracaktonte qëllimet politike të Serbisë kundrejt Shqipërisë. Në një letër drejtuar ministrit të tij në Petersburg, Pashiç shkruante se “Krijimi i Shqipërisë përbën një rrezik të madh, jo vetëm për serbët, por për krejt Lidhjen Ballkanike” dhe rekomandonte që, nëse krijohej një shtet shqiptar, ai duhej të mbahej i pazhvilluar dhe pa asnjë ndikim në gjeopolitikën e rajonit. Sali Berisha është i pari udhëheqës politik shqiptar që sfidoi këtë lloj politike të fqinjëve tanë dhe kuptoi se ekzistenca e Shqipërisë varet nga dy faktorë: Së pari nga zhvillimi i saj i shpejtë dhe së dyti: nga integrimi në strukturat e sigurisë euro-atlantike. Këta fqinjë antishqiptarë u përpoqën ta pengojnë këtë zhvillim historik në vendin tonë. Por ata nuk patën sukses, siç kishin pasur në dy dekadat e para të pavarësisë si dhe gjatë diktaturës komuniste. Dalja në skenë dhe udhëheqja me vizionin e një misionari të madh si Sali Berisha dhe ekipi i tij demokrat ka lënë gjurmë të pashlyeshme në sfidën ndaj përpjekjeve të armiqve të Shqipërisë për ta penguar zhvillimin e vendit. Në një farë mënyre kjo xhelozi është shprehur para disa muajsh edhe nga ana kryeministrit aktual të Serbisë, Daçiç, kur thoshte se nëse Shqipëria pranohej në BE para Serbisë, atëherë ai “do të duhej të vriste veten”.

Pohimi që bëra më sipër nuk është thjesht opinion teorik. Integrimi i Shqipërisë në BE ishte penguar nga grindjet politike dhe bojkoti i opozitës. Berisha me dorëheqjen e tij i hapi rrugë këtij procesi dhe mazhoranca solide e krijuar më 23 qershor nuk do të ketë më me kë të grindet, që të japë sinjale negative për imazhin dhe integrimin e vendit. Berisha dhe qeverisja e tij mënjanuan recesionin ekonomik e financiar, gjë që mund të përdorej si alibi tjetër pengesë e pranimit të Shqipërisë në BE. Për herë të parë qeverisja e Berishës ndërtoi autostrada dhe rrugë të shumta për ta bërë vendin të aftë në rrugën e zhvillimit ekonomik. Për herë të parë ai la pa punë dhjetramijë gjeneratorë, sepse siguroi poltësisht nevojat e vendit për energji elektrike. Për herë të parë u dha një vizion kombëtar për zhvillimin e turizmit. Mbi të gjitha Berisha ishte i pari udhëheqës që kuptoi resurset e mëdha energjitike të vendit dhe dizanjoi zhvillimin energjitik të Shqipërisë. Arkivat do të dëshmojnë se projekti TAP, dhe qindra hidrocentralet në të katër anët e vendit janë vizioni, këmbngulja dhe priotiteti i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

 

Në numrin e nesërm: Berisha, kritika unikale dhe gabimet njerëzore të tij

 

Filed Under: Komente Tagged With: atributet e epokes Berisha, Enver Bytyci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 461
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • …
  • 487
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT