• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske

July 5, 2013 by dgreca

Shkruan:Hajro Çini M.A. Economics/

Në liri e drejta e shprehjes, e drejta e përzgjedhjes, e drejta e vlerësimit, apo jo, dhe shumë të drejta të tjera janë vlera kaq themelore sa që ti imponohesh dikuj, qoftë edhe me dashamirësi, është e jashtkohshme. Kështu edhe me letrën që një djalë 16 vjeçar, plot ëndërra, i lutet Dr. Berishës të mos largohet nga politika dhe Dr. Berisha me shumë kulturë përgjigjet. Një akt i tillë ka shqetësuar jo pak një zonjën Buçpapaj, që e mban veten për gazetare, dhe përpiqet ti imponohet të tjerëve që të mos e lexojnë atë këmbim.

Me zonjën në fjalë, unë jam ndeshur shpesh, kështu që edhe kjo përgjigje e rradhës nuk përbën risi.

Zonja në fjalë deklaron se është gazetare dhe merr kredit që i përket antikitetit, më konkretish Kasandrës, në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, ku ajo shprehet se e kishte paralajmëruar verdiktin e popullit, “sovranit” siç kanë qejf ta quajnë shpesh politikanët kur janë të mbështetur nga ai.

Janë bërë disa analiza edhe në gazetën Dielli, ku më të spikaturat, për mendimin tim, kanë qënë shkrimet e Dr. Enver Bytyçit dhe shkrimi i Dr. Elton Marës, “Fitoi apo humbi sovrani/populli”.

Si cilësia e shkrimeve, si niveli etik dhe profesional i të dy personave ka qënë shumë i lartë. Pakrahasueshmërisht më i lartë krahasuar me të tjerë, që, vend e pa vend përmëndin titullin gazetar.

Unë nuk do ti hyj arsyeve personale dhe vetiake të zonjës në fjalë, për ngazëllimin e humbjes së PD-së, se nuk dua të bie në atë nivel, por po parashtroj disa gjëra që mua më kanë bërë përshtypje në këto zgjedhje dhe pak më gjërë.

Së pari, është hera e parë që komunistët, të kamufluar si socialistë apo LSI-stë, vinë në pushtet pa dhunën e armëve, por me një mënyrë pak më paqsore. Ata erdhën në pushtet me votën e blerë të “sovranit”. Ka me qindra raste të kapur në Shqipëri në këtë aktivitet. Edhe pse kjo dhunë quhet në perëndim, për standartet ku ka kaluar Shqipëria është progres.

Së dyti, për herë të parë, pala humbëse e njeh rezultatin pa asnjë kontensim, edhe pse atje ka me mijra raste të regjistruara. Edhe ky është një progres për tu përshëndetur. Këtu dallon ana që punon për kombin dhe jo për veten me palën që nuk do t’ja dijë asfare për komb, por për interesa të shovinizmit fqinjë, që edhe i organizoi më 8 nëntor 1941 në një parti kriminale.

Së treti, pas 8 vitesh në pushtet rotacioni është një gjë normale në një demokraci, qoftë edhe të brishtë.

Së katërti, të gjithë akuzat që i bëheshin Dr. Berishës si diktator, që po përpiqej të zaptonte të gjithë institucionet, për të sunduar, morën fund mbrënda natës. (Zonja në fjalë ka qënë ndër zërat më të çjerrë kundër kësaj “diktature”).

Së pesti, humbi ajo anë që kishte bërë shumë për çështjen kombëtare, që kishte bërë shumë për zhvillimin kombëtar, për progres dhe përparim. Kishte futur Shqipërinë në NATO, kishte hequr vizat për shqiptarët në Europë, kishte ndërtuar një infrastukturë fantastike nëpër gjithë Shqipërinë, dhe “sovrani” votoi anën tjetër, që për 50 vjet e kishte vrarë “sovranin”, e kishte shkatërruar në çdo anë, qytetare, kombëtare, ekonomike, politike shoqërore etj. Më e çuditshmja pa asnjë program të qartë elektoral.

Së gjashti, pala humbëse, e drejtoi Shqipërinë për 8 vite. Me gjithë progresin në shumë fronte, qeverisja pati edhe mangësi. Pati edhe fusha ku dështimi ishte total, si tek pronat, pati fusha ku duhej të ishte bërë më shumë. Është dëmshpërblyer vetëm 25% e asaj që duhej bërë për shtresën e persekutuar, (edhe pse kjo qeveri është e vetmja që ka bërë diçka dhe ajo që po vjen jo vetëm që i ka shkaktuar krimet, jo vetëm që i neglizhoi kur ishte në pushtet për 8 vjet, por edhe do të bëj të njëjtën gjë sapo të marrë pushtetin.)

Administrata tregoi një paaftësi, arrogancë me qytetarin, dhe një korrupsion të papranueshëm. Por etika, mendoj unë, është problem kombëtar. Njeriu i Ri që formoi rregjimi komunist nuk ka as ndërgjegje as etikë. Duke shtuar këtu edhe faktin se prokuroria, ajo që duhet me kushtetutë të luftojë korrupsionin, ishte një celulë komuniste në shërbim të agjendës politike, në shkelje të Kushtetutës, të ish Presidentit Bamir Topi. Megjithatë pavarësisht nga shkaqet “sovrani” ndëshkoi këtë aspekt të kësaj qeverie, duke vërtetuar qartazi, se ai ka mundësi, me votime, të shprehet pa frikë.

Së shtati, “sovrani” ndëshkoi jo vetëm partinë më të madhe që kishte qënë në pushtet për 8 vjet, por edhe partinë më të madhe opozitare. Nga 66 deputetë që kjo parti kishte më 2009, sot ka vetëm 61. Dhe kjo duke mos qënë në pushtet, pra e pakonsumuar nga pushteti, nuk arriti të fitojë, të paktën të kishte qënë në nivelin e para 4 viteve. “Sovrani” shpërbleu me shumë gjenerozitet, partinë e tretë më të madhe në Shqipëri. Atë që kishte qënë në pushtet per 45 muaj dhe opozitë pak më pak se 3 muaj. Kjo parti kishte edhe një specifikë shumë domethënëse. Kryetari dhe nënkryetari i saj, kur ju prishën pazaret, u shfaqën në TV me zë dhe figurë, me bllok në dorë duke kordinuar aktete e tyre korruptive. Të dy dolën jo fajtorë, sepse pavarësisht se çfarë shprehu gjykata, regjistrimi ishte bërë pa aprovimin e një gjykate dhe për rrjedhim prova ishte ligjërisht e papranueshme në gjykatë. Por ndërsa Meta mund të mos dënohej ligjërisht, me të drejtë, kjo nuk mund të thuhet moralisht. Bota perëndimore ka një standart interesant, konliktin e interest në fakt dhe në aparencë. Kur ka një hije dyshimi për një shkelje standarti, qoftë edhe e pafaktuar, personi i dyshuar nuk mund të kryejë funksionin. Thënë qartë, një gjykatës që është pare për shëmbull në një klub sporti, ku rastësisht shihet edhe dikush që do të gjykohet në atë gjykatë është arsye e mjaftueshme që ai gjykatës të mos jetë pjesë e gjykimit, edhe pse ai mund të mos ketë pasur asnjë kontakt me personin që po gjykohet.

Së fundi, të marrësh atributet dhe statusin e gazetarit, duhet në rradhë të parë duhet, mendoj unë, të mos jetë ithtar politik i cilido krahu qoftë, apo më keq, kur të prishen pazaret, të hidhet nga ithtar në kundërshtar të rreptë. Një rast i tillë tregon shumë edhe për integritetin professional apo etik të gazetarit dhe sipas standardeve ndërkombetare të gazetarit profesionist, të skualifikon direkt nga ai status.

Hajro Çini M.A. Economics

Filed Under: Komente Tagged With: Hajro Cini, qejfmbetjet gazetareske, Votimet me te mira

NË KËRKIM TË ZËVENDËSIT TË BERISHËS

July 5, 2013 by dgreca

Basha apo Olldashi? Njëri prej dy kandidatëve tashmë të vetëm do të jetë pasardhësi i Sali Berishës në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Gara për pasardhësin e kryetarit historik të Partisë Demokratike,(PD) Sali Berisha do të ketë vetëm dy finalistë: Lulzim Bashën, kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe Sokol Olldashin, Minisër i Transporteve dhe i Punëve Publike, në qeverinë në largim të kësaj partie. Dy kandidaturat u zyrtarizuan dje kur Berisha, kur deklaroi se “Kryesia paraqet para anëtarësisë Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin si kandidatura zyrtare të PD për postin e kryetarit të saj”. Pas rreth dy javeësh, më 22 Korrik, gara do të përfundojë dhe në krye të PD do të jetë njëri prej të dyve.
Paraqitja e kandidaturave filloi një javë më parë kur Berisha vendosi të japë dorëheqjen nga të gjitha postet drejtuese në PD, si reflektim për humbjen e thellë të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Edhe pse gara ishte e hapur dhe për këtë post mund të kandidonte çdo anëtar i PD, pati vetëm 4 kandidatura, nga të cilat kryesia e PD përzgjodhi vetëm dy. Pasardhësi i Berishës do të marrë përgjegjësinë “ të ngrejë PD nga humbja e thellë në një fillim tëri , të fuqishëm” si deklaroi Berisha në ditën e shpalljes së vendimit për dorëheqje.

Fillim i ri për rikthimin në pushtet – një anëtar, një votë.

Fillim i ri projektohet në një mënyrë të re zgjedhjeje të pasardhësit. Për herë të parë që nga krijim i saj në vitin 1991, Partia Demokratike, do të votojë për dy kandidaturat sipas parimit “një anëtar, një votë”. Zgjedhjen e kryetarit të ri të PD sipas këtij parimit e deklaroi vetë Z. Berisha kur tha se “PD ka pësuar një humbje dhe për të është jetike një fillim i ri”. Fillimin e ri e premtojnë dy kandidatët për të marrë postin e kryetarittë PD. Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, premton se qëllimi i tij si kandidat për të qënë pasardhës i Berishës do të jetë” ringritja e PD dhe fitorja e ardhëshme, ngritja e një sistemi të qartë dhe transparent të meritës dhe kreditimit për kontributet e çdo anëtari të saj”. Ndërsa Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit, deputet në katër legjislatura, premton të “rindërtojë themelet morale, mbi të cilat PD do të duhet të rikthehet në pushtet”.

Pasardhësi i Berishës, demokracia e brendshme dhe ridimensionimi i PD

Votimi më 22 korrik do të përcaktojë se cili do të jetë fituesi i garës për të marrë postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Aanalisti i pavarur politik në Tiranë, Aleksandër Çipa mendon se nuk ka reflektim për humbjen, nuk ka garë të vërtetë. ”Mënyra sesi u zgjedhën dy kandidaturat, e ka përjashtuar leximin drejt të votës kundër që më se 1 milion qytetarë të Shqipërisë i dhanë PD. Votimi sipas parimit demokratik “një anëtat, një votë” kur dy kandidaturat i përzgjodhi me dorën e vet Berisha, mendon se kthehet në një alibi përballë opinionit publik, përballë anëtarësisë së PD lidhur me mungesën e dermokracisë së brendshme në PD, zotërimin e të gjitha pushteteve nga kryetari i partisë. Përsëris, dy kandidaturat finale janë dizenjuar nga kryetari historik, Sali Berisha. Dy kandidaturat nuk qetësojnë grupet e përfaësimit në PD dhe aq më pak idealistët e PD”.

Përzgjedhja e Bashës dhe Olldashit si kandidatët e vetëm për të qënë pasardhës të Berishës, shihet më tepër sesa si kandidatura në inters të Berishës sesa për ringritjen e PD nga gropa e thellë e humbjes. “Berisha me përzgjedhjen vetë të pasardhësit, kërkon garanci politike dhe garanci pë trashëgiminë politike. Kjo zgjedhje do të bunkerizojë PD. Ridimensionim i PD për të riardhur në pushtet është vetëm një utopi, sepse nuk ka asnjë provë për reflektim ndaj votës së sovranit popull” thotë Aleksandër Çipa .Ish deputeti i PD, anëtar i forumeve të larta të saj, Aleksandër Biberaj, mendon se “përzgjedhja nuk reflekton humbjen në 23 qershor. “ Berisha vazhdon të sillet me të njëtën arrogancë që e coi në humbje. Nuk ka konkurrencë reale, nuk ka garë, kandidatët janë të emëruar nga lidershipi aktual i PD. Do të jetë një lidership i ri, që do të vazhdojë në rrugën e lidershipit të vjetër” thotë Biberaj. Ai e cilëson arrogancë ekstreme faktin që nuk u lejua të depozitojë dokumentacionin për të vënë kandidaturën e tij për postin e kryetarit të PD.

Lideri historik dhe pasardhësi

Modeli politik i drejtimit të PD nga Berisha humbi më 23 qërshor. Por deri tani duket se kjo nuk e ka zbehur vendimmarrjen, pothuajse absolute në PD.

“Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik, burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat” tha pasardhësi i tij potencial, Lulzim Basha. Opinioni i analistëve politikë të Tiranës mendon se Basha do të jetë kryetari i PD. Nëse kjo ndodh atëhere ai do të drejtojë partinë e djathtë më të madhe në Shqipëri, që në shtator kalon në opozitë, duke mos qënë deputet në Parlament. Kjo do ta vërë atë në të njëjtën pozitë si kryeministri i ardhshëm Edi Rama, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i PS, pozitë që Basha e kritikoi me forcë, në fushatën e zgjedhjeve lokale të 2011-ës, kur erdhi në krye të bashkisë së Tiranës me vendim të Kolegjit Zgjedhor.

”Ky është një tregues i mungesës së qëndrimeve parimore dhe integrale të PD” shprehet për DW Aleksandër Çipa. PD fitoi në mënyrë plebishitare zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 dhe Berisha u zgjodh President i Shqipërisë. Ai erdhi sërish në krye të PD në vitin 1997, kur humbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të atij viti, pas trazirave që shkaktuan rënia e firmave piramidale dhe rënia e qeverisë së PD, me kryeminister Aleksandër Meksin. Për 16 vjet me rradhë, 1997- 2013, PD, më e madhja në spektrin e djathtë të Shqipërisë u drejtua nga Sali Berisha. Gjatë kësaj periudhe, PD ka qënë 8 vjet në opozitë dhe 8 vjet në qeverisje , ku Sali Berisha ka mbajtur të dyja postet : atë të kryetarit të PD dhe të kryeministrit të Shqipërisë. Partia Demokratike e Shqipërisë ështe anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe e Bashkimit Ndërkombëtar Demokrat.(Ani Ruci, DW)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Basha apo Olldashi, zevendes i Berishes

Beogradi me lojë të dyfishtë në veri

July 5, 2013 by dgreca

Beogradi zyrtar ka kritikuar të ashtuquajturin Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin përfaqësuesit e serbëve të veriut e kanë themeluar ditën e enjte në Zveçan.
Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë shprehur dyshimet dhe vlerësimet se Beogradi po bën lojë të dyfishtë dhe se themelimi i këtij kuvendi nuk ka mundur të ndodhë pa dijen dhe pëlqimin e Beogradit.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Serbia dhe serbët duhet të nxjerrin mësime nga historia e tyre dhe nuk duhet të punojnë në dëm të vetvetes.
Ai ka theksuar se themelimi i të ashtuquajturit “kuvend” në veri të Kosovës nuk do ta ndihmojë popullin serb atje.
Sipas tij, mjetet dhe mënyrat me të cilat populli serb sot lufton për interesat e veta janë të tjera nga ato që janë përdorur deri më tash.
“Neve nuk na ka informuar askush lidhur për këtë që ka ndodhur dhe kjo nuk është bërë në përputhje me ligjet aktuale, kushtetutën etj. Krejt çka mund të them në këtë moment është se kjo nuk shkon në favor as të Serbisë e as popullit serb në Kosovë”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se nuk do të ketë reagim në raport me diçka që nuk ekziston, duke aluduar në kuvendin e themeluar në veri.
Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se është e sigurt që negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë shkuar në formën e duhur, për faktin se ata që do të duhej të jenë zbatues të marrëveshjes, kanë dalë kundër saj.
“Unë besoj se situata do të komplikohet, në vend se të shtjellohet, në vend se të zgjidhen problemet, të cilat janë hapur, posaçërisht, në mënyrë dinake, pasi që Serbia e ka marrë datën e negociatave“.
“Në këtë kuptim, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe kjo të jetë pjesë e lojës së dyfishtë që është nisur nga Beogradi, e kinse se nuk është bërë në lidhje me njohuritë që i ka pasur për veprimet në veri edhe pse atje, dihet mirëfilli se ata i kanë bazat e veta të informacionit dhe njerëzit që punojnë me vite të tëra”, ka thënë Beqaj.
Analisti i çështjeve politike, Ardian Arifaj ka theksuar se ajo që ka ndodhur ne veri ka ngritur shumë pikëpyetje.
Sipas tij, veprimi i përfaqësuesve serb të veriut të Kosovës mund të jetë në kundërshtim me interesat e Beogradit dhe, siç thotë ai, është normale të ketë fërkime ndërmjet Beogradit dhe liderëve politik të serbëve të veriut të Kosovë.
Por, sipas tij, ekziston edhe bazë e fortë për dyshime se kjo është një lojë e dyfishtë e Beogradit zyrtarë.
“Në anën tjetër, po e shohim se kryetari i kësaj organizate më të re që e shpallën serbët në veri të Kosovës, në fakt, është nga partitë të cilat sot janë në pushtet në Serbi. Pra, është i afërt me pushtetin politik që është në Serbi”.
“Po ashtu, pra, janë me të drejta edhe dyshimet se prapa kësaj ekziston edhe një lojë tjetër e Beogradit, për të vazhduar për ta cenuar shtetin e Kosovës, por edhe për më tepër, për të vazhduar ta ruaj prezencën e vet në pjesën veriore të Kosovës, e pse jo edhe në tërë Kosovën”, u shpreh Arifaj.
Arifaj shpreh mendimin se Serbia po përpiqet të gjejë arsye për ta zvarritur zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
E gjithë kjo situatë, sipas tij, siç kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në vend, tregon se me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit, Serbia nuk ka dëshiruar që t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën dhe nuk shihen shenja që Serbia dëshiron ta ndryshojë në thelb qasjen e saj ndaj Kosovës.
Politologu Beqaj, ka theksuar se, marrëveshja e Brukselit, nuk do të jetë përfundimtare, dhe se koha do të dëshmoj se ajo është vetëm një zgjidhje e përkohshme.(Kortezi: Bekim Bislimi)

Filed Under: Komente Tagged With: Bekim Bislimi, loja e dyfishte e Beogradit

Çfarë do të thotë të jesh lider?

July 5, 2013 by dgreca

Në mjediset shqiptare flitet shpesh se si politikanë blejnë vota. Pse? Sepse ata nuk kanë asnjë nga cilësitë që një lider duhet të ketë./

Shkruan: Faik KRASNIQI/

Dwight D. Eisenhower thotë: “Lidershipi është arti kur dikush tjetër bën diçka që ju doni të bëhet, sepse ai dëshiron ta bëjë”.

Colin Powell thotë: “Më jep njerëzit e duhur dhe nuk më intereson se çfarë organizate do më japësh. Gjëra të mira do të ndodhin”.

“Strategjia pa taktika është rruga më e ngadaltë për fitore. Taktikat pa strategji janë zhurma para mposhtjes”, thoshte Sun Tzu

Duke qenë se kam lexuar pak nga Makiaveli, po shkruaj një thënie të tij, sepse në detaje dhe fakte siç e përshkruan ky diplomat gjenial pozicionin e një lideri, nuk besoj se e përshkruan ndonjë diplomat tjetër i mëvonshëm.

“Nuk është e rëndësishme për një lider (Princ) të këtë të gjitha cilësitë që kam përmendur unë, por është e nevojshme për liderin të duket sikur i ka të gjitha ato cilësi… ai duhet të rrezatojë i gjithi (vetëm duke e parë dhe duke e dëgjuar atë) mëshirë, besnikëri, integritet, dashamirësi, besim, por mendja e tij duhet të jetë e përshtatur në atë mënyrë që në qoftëse është e rëndësishme të mos ketë gjithë këto cilësi, atëherë ai duhet të dijë se si të ndryshojë në të kundërtën e këtyre cilësive… ai duhet të dijë sesi të hyjë nga ana e ligësisë kur është e nevojshme.

Njerëzit në përgjithësi gjykojnë më shumë nga sa shikojnë, sesa nga sa ndiejnë, kështu që të gjithë shikojnë se si dukesh, po pak e kuptojnë se çfarë je, dhe ata pak që e kuptojnë, nuk guxojnë të kundërshtojnë mendimin e të shumtëve të cilët kanë madhështinë e shtetit si mbulesë që i mbron”, është shpjegimi perfekt nga Makiaveli. Kjo është e vërteta sesi duhet të jetë një lider i suksesshëm.

E. M. Kelly thotë: “Ndryshimi midis bosit dhe liderit është ky: ndërsa një bos thotë: ‘Shko!’ – një lider thotë: ‘‘Le të shkojmë!’”.

Lider i mirë është ai që atë që thotë me gojë e zbaton me vepra! Për një lider nuk është e domosdoshme njohuria, besimi në vetvete, humori etj. Një lider e ka të shkruar në sy. Lider lind në jetë.

Lidershipi ka dy përbërës: Sakrificën plus mbrojtjen e së drejtës! Lidershipi ka dy produkte: Bashkimin plus inspirimin!

Liderët e mëdhenj dallojnë nga demagogët, se ata gjithmonë sakrifikojnë gjithçka nga jeta e tyre për një kauzë më të madhe se vetja dhe gjithmonë mbrojnë të drejtën me çdo çmim, edhe atëherë kur kjo e drejtë mund t’u kushtojë pushtetin personal. Liderët dinë të kërkojnë edhe falje kur gabojnë; demagogët i mbulojnë gabimet e tyre me premtime të gënjeshtërta. Liderët janë të mirëpritur kudo dhe gëzojnë respektin e popullit të tyre duke u kthyer kështu në një burim inspirimi dhe shembulli të mirë për brezat në vazhdim.

Dale Carnegie thotë: “Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë. Barka e sigurt kurrë nuk lundron shumë larg bregut”.

Motivimi, që është pasioni për të punuar për arsye që shkojnë përtej parasë apo famës. Tendenca për të arritur objektivat me energji e këmbëngulje. Karakteristikë kryesore e motivimit është dëshira e madhe për të arritur diçka, dhe optimizmi, edhe në rast dështimi. Motivimi i njerëzve kërkon vërtet talent. Propaganda nuk ndihmon. Të inspirosh njerëzit kërkohet më shumë se para.

Në mjediset shqiptare flitet shpesh se si politikanë blejnë vota. Pse? Sepse ata nuk kanë asnjë nga cilësitë që një lider duhet të ketë.

Filed Under: Komente Tagged With: faik Krasniqi, Lideri

KLITHMAVE KUNDËR PRONARËVE DUHET TI THOTË STOP MEDIA, MAXHORANCA DHE OPOZITA

July 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrapo Hajredin Danushi*/

Kjo është një pergjigje e detyruar prej intervistës së z. Alket Islami me titullin bombastik “Ndërtim monstruoz në Llogara për 2 javë“ i botuar në faqen 12 të gazetës Shqiptarja.com, ku janë publikuar dhe dy shkrime të tjera të shkurtëra, njëri me titullin Nisma,  botuar po në këtë faqe ku thuhet se nga data 3 Korrik 2013 në rrjetet sociale paska filluar të qarkullojë një peticion që i drejtohet kryeministrit Sali Berisha për prishjen e këtij ndërtimi. Gjithashtu po në këtë faqe botohet një Apel drejtuar socialistëve me titull “Banorët e Orikumit në protestë për pronat”

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” që përfaqëson pronarët e ligjshëm të konfiskuar nga dikatura 45 vjeçare e Enverit, që u pasua nga një zgjatim 23 vjeçar me anarki të titujve të pronësisë shpreh indinjatë për këto tre shkrime që në mënyrë të qartë mohojnë shtetin ligjor dhe shtetin e së drejtës..Në shkrimin me titull “ Cili është sovrani dhe çfarë kërkon shoqata Bregdeti nga sovrani” botuar nga gazetat “Dielli” “Zeri i Popullit” “Telegraf”, datë 28 dhe 29 qershor 2013, trajtohet prona si problemi më i rëndësishëm që shqetëson popullin shqiptar. Ky Apel i Bregdetit i drejtohet ambassadorëve  por në mënyrë të veçantë z. Edi Rama fitues i zgjedhjeve dhe kryeministrit në largim z. Sali Berisha, që të kuptojnë se pa kthyer pronën tek i zoti, nuk ka pranim në BE.

Intervista telefonike e botuar në Shqiptarja.com me titull “Ndërtim monstruoz në LLogara për 2 javë“, thotë se pronari me emrin Paskal nga Vlora, që është pronar i tokës në majë të Llogarasë, na paska ndërtuar në pronën e tij … Nëse z. Paskal nuk është pronar i tokës gazetarja, i intervistuari Alket Islami dhe federata e parashutizmit kanë shumë të drejtë të ngrenë zërin. Por nëse është i vërtetë fakti se z. Paskal është pronari i kësaj toke ne e kundështojmë me forcë këtë interviste. Nese federatës së parashutizmit i pëlqen ky vend kaq piktoresk, kjo nuk i pengon ata të futen me bisedë me pronarin e tokës, t’ja marrin me qira dhe të zbatojnë kushtet e marëveshjes pronar-përdorues. Eshte e tepert te themi se ata mund t’ja blejnë tokën z. Islam i cili pas aktit të shitjes do të jetë ish-pronar. Por sa kohë pronari ka ndërtuar mbi tokën e tij ndërtimi nuk mund të quhet monstruoz. Në intervistë zotit Edi Rama i rikujtohet fakti se është deputet i Qarkut Vlorë dhe së bashku me z. Berisha duhet të veprojnë.

Në njoftimin botuar përbri intervistës, thuhet se ne peticionin drejtuar kryeministrit Berisha pretendohet se nëse nuk shembet ky ndërtim monstruoz  turizmi do të dëmtohet rëndë. (!!!) A mund të zhvillohet turizmi kur pronat në zonat turistike i kanë përvetësuar politikanët ?? Nëse ndërtimi është bërë nga pronari i tokës dhe ka leje nga Bashkia  askush nuk ka të drejtë ta kërkojë shembjen e ndërtimit me një intervistë telefonike. Por edhe nëse ndërtimi eventualisht është pa asnjë lloj leje nuk ka pse shembet sepse pronari ka ndërtuar në tokën e tij. Nëse aty në një të ardhme do të bjeri plani për të zgjeruar rrugën apo çdo tjetersim për nevoja publike, pronarit i paguhet kompensim për tokën që i tjetersohet por nuk i paguhet ndërtesa që ai ka ndërtuar pa leje në tokën e tij. Kërkesat dhe peticionet për shembje duhet të fillojnë me ndërtimet pa leje me të cilat perona të tretë kanë pushtuar tokën që nuk e kanë të tyren. Në po këtë faqe shkrimi tjetër flet për përprotestat e  banorëve të Orikumit , por stili i të shkruarit është i ngatërruar dhe nga lexuesi nuk kuptohet nëse protestuesit mbrojnë matrapazllëqet e bëra me ligjin antipronar 7501 apo mbrojnë pronën e të parëve të tyre. Askush nuk ka të drejtë ta mercenarizojë median dhe ti bëjë thirrje kryeministrit në largim dhe kryeministrit të ri të veprojë në shkelje të parimeve dhe të detyrimeve kushtetuese për respektimin e nenit 181 dhe 41 të saj. Cili është parimi apo morali me të cilin një gazetë i bën apel politikanëve për shkeljen e Kushtetutës ?

 

Kujt i intereson ky qëndrim kontradiktor me kushtetutën, me kërkesat e GJEDNJ dhe të KE, si dhe me përgjigjet që i kanë ardhur Shoqats nga kancelaritë e huaja. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, mbështet ata që kërkojnë pronat e të parëve të tyre që qeveritë e deri tanishme pseudo të djathta dhe pseudo të majta nuk jua kanë kthyer megjithse ka 23 vjet që kuvendi i Shqipërisë ka miratuar se i respekton të drejtat e njeriut .Po ashtu i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të heqin dorë nga grabitja e pronave të tjetrit me ligjin 7501 apo me marifete të tjera se prona e dhënë me një ligj të gabuar sot nga një kryeministër për interesa elektorale apo interesa të tjera do vijë koha që të hiqet me një ligj tjetër. Shoqata nëpërmjet faqes së internetit të përbashkët me shoqatën Bregdeti www.defendingproperty.com dhe veprimtarive të tjera do të sensibilizojë ambasadorët dhe qeveritë e vendeve të BE dhe Shtëpinë e Bardhë që t’a detyrojnë kryetarin e maxhorancës dhe atë të opozitës, të zbatojnë këtë kërkesë kyç përrespektimin e pronës së trashëguar, që përcakton kalimin nga anarkia në demokraci. Nëse në këto tre shkrime të botuara në faqen 12 të Shqiptarja.com kërkohet të vazhdojë qëndrimi antipronar, kjo është një klithmë antikushtetuese kundër pronarëve që duhet tu thotë stop e gjithë media pasi është rruga e tradhëtisë kombëtare. .Ftojmë që gjithe ata që përdorin internetin, ta vizitojnë faqen e shoqatës ku të shprehin mendimet e tyre. Për sa më sipër e ftoj gazetaren Anila Basha dhe të gjithë mediat dhe analistët ti përgjigjet këtij debati publik me bindjen se kështu i ndihmojmë zhvillimin e demokracisë, ndihmojmë z. Edi Rama dhe z. Sali Berisha që ti reformojnë forcat politike qe ata drejtojnë. Ka ardhur koha që Edi Rama, Sali Berisha dhe e gjithë media të thonë “prona tek i zoti” në  të kundërt pranimi i Shqipërisë kandidat në BE do vazhdojë të jetë i sabotuar

*Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve

“Pronësi me Drejtësi”

 

Filed Under: Komente Tagged With: media stop, Rrapo Danushi, thirrjeve kunder pronareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 460
  • 461
  • 462
  • 463
  • 464
  • …
  • 490
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT