Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/
Nuk mund ndihemi evropianë, ndoshta për faktin që kurrë nuk kemi pasur mundësi të shkojmë në vendet evropiane për të parë ngjashmëritë apo dallimet që mund të jenë ndërmjet të rinjve që jetojnë në ato vende evropiane dhe të rinjve në Kosovë.
Kështu përgjigjen shumë të rinj në Kosovë, kur pyeten se a ndihen se i përkasin familjes evropiane.
Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, shumë prej tyre tregojnë se ndihen të diskriminuar karshi të rinjve të vendeve të rajonit e më gjerë.
Thonë se ndihen të izoluar dhe se kanë nevojë dhe dëshirojnë të udhëtojnë kudo në botë, pa pasur nevojë për viza, e jo vetëm në katër shtete. Konsiderojnë se janë pjesë e Evropës, por ndihen se janë shumë larg saj.
Lulzim Halili është 21 vjeç nga Prishtina. Gjithçka që di për Evropën, e ka mësuar nga televizori apo interneti. Ai asnjëherë nuk ka udhëtuar drejt ndonjë vendi evropian.
“Jemi pjesë jashtë Evropës. Nuk kemi viza, nuk kemi gati asgjë çfarë mund të ketë një vend evropian. Nuk ka organizim të duhur institucional që të rregullohen gjërat që edhe ne, si të rinj, të ndihemi evropianë, mungojnë shumë gjëra”, thotë Lulzimi.
Republika e Kosovës, si një shtet i ri evropian, me banorët e saj të njohur si evropianët më të rinj, vazhdimisht nga udhëheqësit e institucioneve të vendit ishte cilësuar se është e gatshme të luajë rolin e saj si një vend që di të marrë përsipër përgjegjësitë e veta.
Këto deklarata të vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë të rinjtë i quajnë retorika boshe që asnjëherë nuk u jetësuan.
Valoni është student i Fakultetit Ekonomik. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e shumë kritereve për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe si të tillë të rinjtë e Kosovës, shton ai, kanë mbetur të izoluar.
“Nuk i kemi plotësuar të gjitha kushtet që të jemi evropianë. Kemi shumë fusha ku duhet të punohet më shumë. Ka rregulla për të qenë pjesë e Evropës, duhet punë”, shton Valoni.
Ngjashëm mendon edhe Nita Ndrecaj:
“Nuk ndihem si evropiane. Jemi shume larg Evropës. Kemi shumë fusha ku nuk kemi ecur përpara”.
Derisa vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe kanë hequr vizat me Bashkimin Evropian, Kosova ende nuk ka filluar negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Aktualisht, vendi është duke pritur nga Bashkimi Evropian që më 25 qershor të këtij viti t’i i jep dritën jeshile për fillimin e negociatave. Fillimi i negociatave konsiderohet të jetë hapi i parë, me të cilin Kosova hyn në një proces të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
Ndërsa, sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian i ka dorëzuar Kosovës udhërrëfyesin për vizat më 14 qershor të vitit 2012. Por, që deri më tani, thuhet se Kosova nuk ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza.
Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkret në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.
Po ashtu, aty përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.
Shteti i Kosovës mund ta ketë flamurin e vet, himnin kombëtar dhe pasaportat , por jo të jetë shtet evropian, thotë Leutrimi.
“Ndoshta i takojmë në një përqindje Evropës, por jemi shumë larg në disa fusha. Gjeografikisht jemi në Evropë, por jo evropianë. Nuk kemi arritur t’i plotësojmë kriteret që na janë përcaktuar”, thotë Leotrimi.
Ajo se çfarë i dallon të rinjtë e Kosovës me të rinjtë e shteteve evropiane, sipas Diana Gashit, është edhe shkollimi dhe kushtet e jetesës. Ajo thotë se sistemi arsimor në Kosovë është shumë larg edukimit që kanë vendet tjera evropiane, derisa sa i përket punësimit, siç thekson ajo, është shumë më lehtë në vendet evropiane.
“Shumë gjëra mungojnë në Kosovë. Evropa ka shumë gjëra që ne nuk i kemi. P.sh edukimi, pastaj të rinjtë në Kosovë, shumica janë të papunë derisa në Evropë papunësia nuk është në shkallë shumë të lartë si te ne. Kushtet atje janë më të mira”, konsideron Diana.
Derisa, Vjosa Kaçaniku shprehet optimiste se në një të ardhme të afërt të rinjtë e Kosovës mund ta konsiderojnë veten evropianë, por që aktualisht thekson ajo, jemi larg.
“Jemi larg Evropës, nuk kemi kushte për t’u konsideruar evropianë, megjithatë shpresoj se do të bëhet mirë”, shprehet Vjosa.
Ndryshe, nga Vjosa e Diana, mendon Melihate Kastrati. Ajo thotë se ndihet evropiane, pavarësisht shumë gjërave që i kanë të rinjtë në Evropë e që nuk janë në Kosovë.
“Ndihem si evropiane. Ka disa kushte që duhet të plotësohen, por shumë prej këtyre kushteve ne i kemi plotësuar. Me realizmin e disa kritereve që i cakton BE-ja, ne do të jem pjesë e Evropës”, mendon Melihatja.
Ngjashëm shprehet edhe Lulzim Muholli:
“I takojmë Evropës, plotësisht i kur i takojmë territorit evropianë mund të themi se ndihemi evropianë, mirëpo pa integrim evropian nuk mund të themi me plot fjalën se ndihemi evropianë. Na mungojnë disa gjëra. Në fakultetet tona mungojnë disa fusha të studimeve që do të dëshironim t’i studionim”.
Ndërkaq, Liridona Tahiri konsideron se të rinjtë e Kosovës nuk mund të krahasohen me ata të rinj që jetojnë në vendet evropiane. Kushtet, në të cilat jetojnë ata, thotë Liridona, nuk krahasohen me kushtet e të rinjve në Kosovë
“Jetën dhe kushte e jetesës i kanë më të mira, janë më të integruar. Kanë mundësinë e lëvizjes së lirë. Kanë edukim më të mirë. Në të gjitha këto fusha ne jemi shumë mbrapa”, thotë Liridona.
Kosova më 9 maj shënoi Ditën e Evropës. Në këtë ditë në Kosovë ka pasur performanca, përmes së cilave janë shprehur pakënaqësitë për, siç është thënë, një qeverisje të keqe, rritje të korrupsionit dhe një ekonomie të dobët, e që sipas organizatorëve, janë probleme kyçe që Kosovën po e pengojnë në rrugën drejt integrimit evropian.(Kortezi:Evropa e Lire)
Rilindje…. pa rilindas!!! (II)
Nga Enver Bytyçi/
Në demokracinë e paparcit formalisht ruhen fasadat e një zhvillimi demokratik. Por tipar kryesor i saj është zbatimi selektiv i ligjit. Edhe shtetet më të organizuara në botë, siç është Franca, e kanë të pamundur të funksionojnë përmes kësaj demokracie. Sepse krimi ekonomik e financiar, informaliteti dhe fshehja e të ardhurave do të favorizohej nga ikja prej detyrimit të ligjit të taksës progresive. Të mos flasim për transferimin e kapitaleve e madje lënien e shtetësisë, duke kërkuar strehë në vendet e tjera me taksë të sheshtë.
Ndërsa në Shqipëri duket se kja masë aplikimi synohet posaçërisht për të legjitimuar gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë. Tek ne taksa progresive nuk do të polarizonte shoqëronë thjesht për shkak të një ligji absurd në taksimin e të ardhurave, por dhe për shkak të seleksionimit politik të qeverisë që do ta aplikonte atë, e majtë ose e djathtë qoftë ajo. Fatmirësisht e djathta shqiptare ka qenë dhe mbetet e vendosur në aplikimin e taksës së sheshtë, e cila nuk le hapësirë për spekullime të këtij lloji në zbatimin e saj.
Së dyti, nëse shqyrtojmë me kujdes procesin e fushatës elektorale në Shqipëri, çdo kush ve re lehtësisht disa karakteristika, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me Rilindjen e proklamuar nga opozita. P.sh Rilindja nuk ka asnjë lidhje me bojkotin, me bllokun e bllokimin, me dhunën e rrugës e të shejtanit. Deri më sot asnjë “shenjtan politik” në Shqipëri nuk ka grumbulluar njerëz të protestojnë përballë shtëpisë së kundërshtarëve të tij politikë. Predikuesit e Rilindjes shqiptare u bënë shumë herë të pabesueshëm në këtë aspekt. Por kur ata bllokuan hyrjen e pallatit ku banon Kastriot Islami u bënë dhe qesharakë e njëkohësisht dhanë mesazhin e një polarizimi të paparë në Shqipëri e në vendet e tjera të tranzicionit rreth nesh. Kjo sjellje e përsëritur me tërheqjen e përfaqësuesve në komisionin qendror të zgjedhjeve nuk është mënyrë që përcakton një proces rilindjeje, por një akt revolucionar të tipit bolshevik. Ndërkaq asnjë ekspert në botë nuk i ka përcaktuar revolucionet si akte të rilindjes. Kombet gjithashtu nuk kanë lindur përmes revolucioneve, por përmes një procesi relativisht të gjatë të rizgjimit kombëtar, të rikthimit të identitetit dhe kulturës kombëtare, të rilindjes si komb e si popull me dinjitet, pra përmes një procesi normal evolucioni. Nëse rilindasit në krye të Partisë Socialiste i përceptojnë revolucionet si kusht të Rilindjes, atëherë atyre u duhet dhënë e drejta ta quajnë edhe fushatën elektorale të 23 qershorit si “fushatë të Rilindjes”.
Së treti, në të vërtetë sllogani për Rilindjen ka karakter të pastër politik dhe aspak moral. Kjo duket qartë kur shohim sesi janë ndërtuar koalicionet, si janë përzgjedhur kandidatët për deputetë, si janë përjashtuar figurat qendrore të PS-së nga kandidimi e për pasojë edhe nga jeta politike e kështu me radhë. Në moralin e rilindasve ishte përbashkimi, jo përjashtimi. Ndërkaq pas slloganit të Rilindjes nuk qëndron vetëm përjashtimi, por edhe linçimi. Ndarja në “besnikë” të udhëheqësit e në “tradhëtarë” të udhëheqësit të Partisë është filozofi morale që demanton çdo pretendim për rilindje. Ndërkohë krijimi i një koalicioni me ata “që fundosën Shqipërinë në këto katër vitë”, nëse i referohemi kreut të “skuadrës së Rilindjes”, dmth me LSI-në e Ilir Metës, do të trondiste çdo akt serioz të një lëvizjeje për Rilindje, këtij sllogani mashtrues të zotit Rama.
Nga pikëpamja filozofike rilindja dhe rilindasit nuk mund t´i përmbahen skemës së mohimit të arsyetuar me nihilizmin ekstrem. Aq më pak bëhet i besueshëm partneri kryesor i “rilindasve” socialistë, pra zoti Meta, kur në mitingjet elektorale flet për “skëterrën qeverisëse”, skutat më të errëta të së cilës i takojnë atij personalisht si dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeverisje. Nuk besoj se në këtë konstatim them ndonjë gjë të re, po të kemi parasysh se para shpalljes së koalicionit opozita kishte në shënjestër si vrima e zezë e qeverisjes pikërisht ministritë që zoti Meta kishte marrë me qera nga demokratët. Për këto arsye sfondi për Rilindje, sepse përmbajtje nuk ka mundur të ketë kurrë, është shpërfytyruar dhe ka dalë boje. Përdorimi i këtij sllogani, vetëm sa i irriton spektatorët e të gjithë krahëve, pasi çdonjëri prej tyre e kupton faktin se Rilindja e zotit Rama është thjesht një mashtrim elektoral.
Së treti, Rilindja duhet të ketë medoemos si çdo patentë ose vepër tjetër autorët e saj. A ka autorë Rilindja e proklamuar nga opozita shqiptare? Në të vërtetë ajo ka të ashtuquajtur autorë. Të tillë janë vetëreklamuar Rama, Ruçi, Kokëdhima, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Fatos Klosi e në mesin e tyre kanë marrë edhe Spartak Brahon, personin të cilin Meta e shiti te Rama, se nuk ia pranonte askush në skuadrën e tij elektorale. Edhe emrat e tjerë të lartpërmendur nuk do t’i pranonte askush në asnjëlloj skuadre. Ndaj ata gjetën strehë te “skuadra e rilindjes” e zotit Rama. Kështu “Rilindjen” e marrin përsipër një grup njerëzish të komprementuar. Unë nuk e di sesi mund të quhet rilindas p.sh një kryetar bashkie, I cili që jep leje dërtimi për të mbjellë pallate me 5-10 metra larg njëri-tjetrit. Dhe këtë nuk kemi për ta mësuar kurrë në rastin e zotit Rama, i cili në 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka ndërtuar me qindra palate të tilla të paligjshme. Nuk mund të kuptohet se si një rilindas mund të jetë i tillë edhe kur që t´i marrë frymën qytetarëve të vet, thjesht për përfitime personale e korruptive. Nuk mund të kuptohet gjithashtu fakti se si një rilindas sillet në mënyrë vandale e banale me qytetarët që ai ka pretenduar se i qeveris. Nëse Rama do të ishte një rilindas i vërtetë, atëherë nuk do të kishte të bënte me aksionet politike për bojkot dhe për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë. Edhe në këtë pikë ai spekullon me të ashtuquajturin “Koalicionin e Shqipërisë Europiane”, sepse e kishte në dorë që Shqipërinë ta çonte në dyert e Europës që para tri vitesh. Por nuk deshi dhe këmbënguli deri në fund që ta ç´orientojë Shqipërinë, duke bllokuar mirsatimin e ligjeve europiane.
As vetë zoti Rama nuk të jep dot shpjegim sesi mund të realizohet ndonjë projekt rilindjeje me Ruçin, Fatos Klosin apo Spartak Brahon në listat e sigurta të deputetëve?!!! Nëse keta dhe klanet e tyre përbëjnë atë grupim që i sjell Shqipërisë ndonjë Rilindje, atëherë Shqipëria do të duhej të kishte rilindur me dhjetra herë deri më sot. Çka i bie se ajo do të ishte varrosur gjithashtu me dhjetra herë. Por fatkeqësisht autorët e Rilindjes së proklamuar e të predikuar për vetëmashtrim mësë shumti kanë qenë dhe janë autorë të rrënimit të Shqipërisë. Megjithatë ata e kanë një meritë: Ia kanë arritur që punën e varrëmihësit t´ia faturojnë kundërshtarit politik. Në këtë kuptim ata nuk mund të quhen të paaftë, përkundrazi specialistë të zotë, siç i kishte përcaktuar i urti dhe i çmuari Pjetër Arbnori.
Së katërti, me nocionin Rilindje nënkuptohet edhe ringjallja. Psh Janullatosin e pamë para disa ditësh, në ditën e Pashkëve, kur na thoshte të vetmet fjalë në shqip “Krishti u ngjall”. Ngjallja e Krishtit është njësuar me rilindjen. Rilindja e Krishtit i dha udhë kristianizmit, këtij besimi fetar me një cikël mbi 2000 vjeçar në qytetërimin tonë. Në këtë kuptim rilindja e opozitës sonë do të duhej të nënkuptonte ringjalljen e Shqipërisë. Domethënë ringjalljen pas 23 qershorit. Ndërkohë kjo do të nënkuptonte se shqiptarët jetojnë në një Shqipëri të vdekur, të varrosur, të bërë kurban, nëse i referohemi librit të liderit të opozitës. Po cila është e vërteta? A është Shqipëria sot më e dobët, më e ligë, se dje? Pa bërë pyetjen retorike, nëse ajo është e gjallë apo “e vdekur”.
Që ta marrësh përgjigjen e kësaj pyetjeje do të duheshin shkruar libra të tërë. Por për ilustrim mund të shpjegohet ajo me disa matës të dukshëm. Shqipëria dhe shqiptarët i japin jetë sot me kontributin e tyre proceseve botërore të globalizimit. Mjafton të shihet kontributi ynë në strukturat e NATO-s e të operacioneve paqesore të saj. Shqiptarët sot ndjehen shumë krenarë kur zbresin në aeroportet e portet e Europës, sepse aty ata gjejnë ngrohtësinë dhe respektin e barabartë me të gjithë europianët, edhe pse deri para pak vitesh ne ishim si “bishti i qenit”. Shqipëria sot është me kilometra më mirë në stdandardet e saj, sesa në kohën dhe cakun ku e lanë pseudorilindasit e sotëm socialistë, qofshin këta grupime klanesh mafioze, apo mumje ose kufoma politike, nëse marrim në konsideratë etiketimet që ata i bëjnë vetë njëri-tjetrit.
Shqipëria sot është vendi i një infrastructure të paimagjinueshme në kohën dhe cakun ku e lanë atë pseudorilindasit. Shqipëria sot është Shqipëria e banorëve me nga dy banesa, me internet, me shkolla, spitale, me rrugë të reja, edhe pse në kohën e pseudorilindasve ishte Shqipëria e territ, e gjeneratorëve dhe zhurmave të tyre kumbuese në mes të kryeqytetit e në mes të ditës. Shqipëria është ndryshe, por jo ajo Shqipëri që e duam ne të gjithë. Ne duam vërtet një Shqipëri që t’i ngjajë Europës. Jo thjesht në ifrastrukturë, por para së gjithash në mentalitet, në sjellje, në mendim, në kulturë, në arsyetimin e proceseve e të fenomeneve e në vlerësimin e të shkuarës, të sotmes e të përspektivës. Ndërkaq Rilindasit kanë në kokë një Shqipëri virtuale, perfekte, të tillë, që nuk mund të ketë shembull në Europë e në botë. Por virtualja mbetet e tillë, thjesht si përceptim, jo si realitet. Ndaj asgjë virtuale nuk sjell ndonjë rilindje. E megjithatë “rilindasit” e sotëm nuk besoj se janë aq idealistë dhe ëndërrimtarë, sa të mendojnë qoftë dhe virtualisht krijimin e një Shqipërie tjetër. Ata janë të prirur që virtualen, ëndërrën ta shesin si parim, si perfeksion, pra kanë prirjen, dëshirën dhe apetitin që të mashtrojnë poblikun shqiptar. Ndërkohë grupimi i “rilindasve” të shquar të kupolës së opozitës nuk ka dhënë deri më sot asnjë provë konkrete as në pozitë, as në opozitë se ka të bëjë diçka me idealizmin e rilindasve të vërtetë.
Së pesti, rilindasit si në art, si në filozofi, kanë evokuar dhe ringjallur një traditë, një histori njerëzore të përcaktuar. Rilindasit e vetëshpallur të së majtës shqiptare në ditët e sotme në vend të evokimit, operojnë me mohimin nihilist të çdo gjëje. Pastaj kthehen dhe akuzojnë kundërshtarët e tyre politikë për virtualitet. Eshtë qesharake kur sheh që në këtë kor është bashkuar aktivisht partneri kryesor e njëkohësisht gllabëruesi i pamëshirshëm i resurseve të pushtetit të Berishës, pra kreu i LSI-së, zoti Meta. Mohimi, pa pohuar një alternativë të qenë e të dukshme është thjesht vepër e rrënuesve, nuk është e nuk mund të jetë vepër e rilindasve. Rilindasit i ndërtojnë fillimisht themelet e asaj që ëndërrojnë, më pas strukturojnë arkitekturën e asaj që do të ndërtojnë e më në fund shpallin një program ringjalljeje shpirtërore e kombëtare. Rilindasit tanë virtualë nuk bëjnë asgjë nga këto. As nuk na kanë thënë se cilat janë themelet e asaj që do të ndërtojnë në këtë vend, as na kanë treguar ndonjë projekt për të qenë të infrastrukturës që ëndërrojnë. Në Vlorë lideri i “rilindasve” u premtoi vlonjatëve se “do ta ndërtojë baypassin e këtij qyteti. Por si mund të premtohet diçka që ka marrë udhë në projektet e kundërshtarëve të tij politikë?! Eshtë absurditet t’i marrësh shaka të tilla për rilindje. Kaq shkon e gjithë ajo çfarë rilindasit i premtojnë në këtë fushatë elektorale zgjedhësve shqiptarë.
Në këtë kuptim keqpërdoret, keqinterpretohet dhe abuzohet me termin Rilindje. Rilindja nuk vjen prej hiçit, çfarë edhe përfaqëson nihilizmi. Nihilistët nuk kanë sjellë ndonjëherë ndonjë markë të rilindjeve dhe nuk kanë nxitur kurrë procese zhvillimore. Ata thjesht kanë abuzuar me sllogane të tilla, por nga pikëpamja filozofike, politike e praktike nuk mund të promovojnë ide, vizione, praktika dhe veprimtari zhvillimore. Nga ky këndvështrim, është e udhës që të kuptohet dhe interpretohet lëvizja elektorale e së majtës shqiptare “për rilindjen e Shqipërisë”.
Thelbin e koncektit filozofik e politik të rilindjes e përbën ideja dhe vizioni për të ardhmen. Ndërkohë në diskursin elektoral të së majtës spektatorët dëgjojnë thjesht premtimin “Ne e kemi një vision për të ardhmen”. Ky premtim vjen mbas një mijë akuzave dhe shpifjeve e trillimesh për realitetin e sotëm shqiptar. Mbasi është derdhur një lumë fjalësh e frazash të zeza, shqiptarëve u serviret dogma: “Ne e kemi një zgjidhje”. Po cili është ky vision, cila është kjo zgjidhje, e ndryshme nga ajo që ofron me vepra e me programin e saj mazhoranca? Zgjedhësit shqiptarë deri më sot ende nuk e kanë dëgjuar, jo më ta kenë absorvuar dhe përthithur mediakisht, ose konkretisht. Dhe a mund të ketë rilindje pa një vision?! A mund të ketë rilindje pa një alternativë bindëse, konkrete e të qartë?! A mund të vijë rilindja në një realitet shoqëror thjesht për shkak të përzgjedhjes së një sllogani dhe më së shumti, a mund ta sjellin rilindjen ata që në më shumë se 23 vite, pra në demokraci e para saj, kanë dëshmuar se i përkasin një detashmenti tjetër dhe që sot e kësaj ditë janë të përkushtuar në iluzionin e rikthimit të metodave staliniste të drejtimit të shtetit, por në kushtet e një sistemi të ndryshëm nga sistemi stalinist në Shqipëri?! Nihilizmi ishte tipari kryesor i sistemit komunisto-stalinist në vendin tonë. Ndërkaq shohim se nihilizmi është thelbi i politikës së “rilindasve” të sotëm, të cilët identifikohen shumë lehtë si pasardhës të sistemit disa dekadash të diktaturës komuniste në Shqipëri. Nëse stalinizmi dhe besnikët e stalinizmit në vendin tonë mund të quhen rilindas, atëherë mund të besojmë se pasasrdhësit e tyre të sotëm janë dhe mbeten rilindas!!! Por është shumë e vështirë që dikush ta pranojë këtë logjikë…
Në numrin e ardhshëm: Ku ndryshon rilindja e shekullit XIX me pseudorilindjen e “rilindasve” të sotëm?
Shajkaqa, perandor i Romës?
Faksimil i librit” Serbi Perandor i Romës” i Relja Novakoviçit (1999)/
Nga Fahri XHARRA/
Civilizimi i parë në tokën e Bulgarisë së sotme ishte ai i Thrakasve.Politikisht e copëtuar por shumë e ngritur në art ,kulturë dhe ekonomi ,Thrakia e arrijti kulmin e saj në shek.VI-të prK . Të dhënat historike flasin se duke iu falënderuar mosbashkimit të tyre politik ,ata shpesh ishin të sulmuar ,pushtuar dhe në fund edhe të humbur. … Në shekullin e katërt pas Krishtit ,kur Imperatoria e Romës u nda në mes Romës dhe Konstatinopolit ata që mbetën në Thraki iu nënshtruan ,kulrurës së lindjes dhe e morrën krishtërimin. Jemi me qëllim në Bullgari që të spjegohet më lehtë se me kë u ballafaqua Ballkani në shekullin VII-të të erës sonë. Hordhitë e Bulgarëve erdhën në këto anë. Bulgarët ishin një përzierje turke e Azisë ( fjala e vjetër turke “Bulgar” do të thotë “ i përzier “ , pra pa pëcaktim etnik) Të ardhur nga regjionet në mes të Uralit dhe Volgës ,stepave të veriut të Detit Kaspik bulgarët ishin të njohur si kalorës të fortë ushtarak, dhe kishin një organizim të madh politik duke iu falënderuar pricërve të tyre të quajtur “khan”. Ishte viti 681 kur Khani Asparukh e detyroi Impetarorin e Bizantit , Konstantinin e V-të , që të njihte shtetin Bulgar , me kryeqytet Pliskan.(historymedren.about.com/library/text/ntxtbulgaria).
Asparuhi , ishte pra themeluesi i shtetit të parë Bulgar ( 680-681) ( në gjuhën iraniane , të dikurshme perse do të thoshte “”aspa’’- “kali” dhe “rukh”- “shpirti” pra Shpirti i Kalit).
Të kotë e kanë serbët që mundohen të lashtësojnë vetën në këto toka. Ata këndejpari kanë ardhur si endacak të nevojshëm për një “kore bukë” ,dhe kanë qenë shërbëtorë të perandorive të kohës. “Serbët para se të vendoseshin në Ballkan kanë qenë mercenar në shërbim të sundimtarëve iranian, dhe si mercenarë edhe erdhën këndej parit. Ky status i këtyre kalorësve-avar në ambientin e ri të Ballkanit u garantua edhe nga perandorët bizantin. ”(S.Riza) Atyre iu mungon arkeologjia dhe poçaria e filigranologjia, armët dhe mënyra e tyre e varrosjes,kronologjia, seragjistika, heraldika, gjenealogjia, bibliografia, arkivistika, toponimia, fitonomia . Të gjitha këto mundohen ti marrin nga ne, dhe t`i quajnë serbe.
Deri sa ne luhateshim në djepat e kohës me përralla dhe përgjumoheshim dhe flinim, serbët punuan në një drejtim që për ta ishte shumë efikas ,dhe me histori të vjedhur nga ne ia siguruan vendin veti në rradhën e popujve të Europës. Lexoje librin :Sima M. Ćirković : Serbët në mesin e pupujve të Europës”
Kësaj rradhe për analizë, i morra dy libra të autorëve serb ,të cilët me një përvetësim të paskrupullt të historisë së huaj ( në këtë rast ,asaj t`tonës) mundohen t`i krojnë vetit një themel të lashtë ,bile shumë të lashtë për historinë serbe.Më qudit fakti se si nuk iu mirren mendët duke fluturuar aq largë, e mu në kohërat kur ana aziatike e tyre posa kishin zbritur nga drunjt.
”Perëndesha Diana , perëndesha e xeheroreve të argjendit në tokën e Serbisë” nga Bojana Plemiç si dhe ” Serbi ,perandor i Romës ” nga Relja Novakoviç.Sa më shumë po lëxoj librat e këtij lloji aq më shumë po e çmoj të kaluarën tonë që padyshim ,mu ashtu si toka e jonë ishte pre e ardhacakëve. Sa më shumë që po i lexoj këto libra , aq më shumë po më forcohet bindja që historianët e llojit të Oliver Jens Schmitt ,nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se në stilin copy-paste i marrin këto dhe e ”ribindin” Europën për historinë e ”bujshne”serbe. Historia është një , nga ata që e kanë bërë ,nga ata që e kanë lënë të përjetuar dhe si e tillë nuk i ka dy protogonist . Kush janë ata protogonistë : Serbët? Të shofim se çka shkruajnë autorët e lartë përmendur:
Bojana Plemiç shkruan se për kultin e Dianës si perëndeshë mbrojtëse e e xeheroreve të argjendit kemi shumë dëshmi. Për hulimtim janë marrë disa shembuj të monedhave të argjendta të Kosmajit, Guberavicës, Kolovratit të Prijepoljes, Çaçakut si dhe dëshmitë tjera nga malet e Jelicës , reliefi i breut të lumit Kuçajne. Autorja vie në përfundim se shumëfaktësia e rritë besimin dhe provat që Perëndesha Diana ishte mbrojtëse e të gjitha minierava të argjendit në tokat e Serbisë Ajo i përshkruan më tutje se duken ato monedha: ”Në gjetjet e Kosmajit takohen dy shembuj nga seria e monedhave me legjendën Metal Delm të cilat lidhen me Mbretëreshën Diana (Simić i Vasić 1977) , të cilat lidhen me kohën e sundimint të Hadrianit. Ay është koka e gruas ,me flokë të grumbulluar në ”kapakun” e kokës ; kurse në anën tjetër të monedhës është drenusha,që mund të lidhet me ate që ndoshta ishte shtazë e kultit të Dianës..
Pra çka gjëndet në tokat e Serbisë së sotme është e trashëgimisë serbe .Dhe aspak nuk është e quditshme pse asnjëherë nuk i përmendin shqiptarët që ishin të parët e këtyre anëve. Shtrembërimi ,dhe përvetësimi i tyre i historisë nuk e lejon këte.
Relja Novakoviç ,ne librin e tij fillimisht ankohet që sa herë është shkruar historia e Serbisë ,asnjëherë nuk janë çfrytëzuar burime te vjetra vendëse (pra Serbe) ku ngjarjet dhe personalitetet e kanë sajuar historinë serbe ; rasti ëshë edhe me Liciniusin i cili ishte në farefisni me Konstatinin e I-rë , nje figure e rëndësishme e krishterimit .( Gaius Valerius Licinianus Licinius Augustus c. 263 – 325) i l;indur në Moesinë e Epërme afër Zajeçarit (sot Serbi ) ishte Imperator I perandorisë së Romës( 308 – 324 psK) Gjatë gjithë kohës së mbretërimit ishte edhe mik edhe rival i Konstantinit të Pare dhe që dytë ishin autorë të Ediktit të Milanos ,i cili e lejonte Krishterimin në imperatorinë Romake të Lindje dhe të Perëndimit.. Ai u mund në betejën e Krisopolisit dhe pastaj me urdhërin e Konstantinit të parë edhe u egzekutua..Verejtja e ime)
(Nga Edikti i Milanos “Kur unë Konstandini Augusti dhe Liciniusi Augusti , fatmirësisht u takuam në Mediolanum ( Milano) dhe shqyrtuam gjithëçka që ka te bëjë me sigurinë dhe mirëqenjen publike ku adhurimi i Hujnive natyrisht duhet të ishte i pari ,ne vendoseëm tu japim të krishterëve dhe të tjerëve autoritetin e plotë të besojnë në atë çfarë duan… prandaj është kënaqesi për ne që kemi hequr të gjitha pengeat ndaj të krishterëve në Ediktin e dhëne zyrtarisht me shkrim. Tash e tutje ,kush deshiron te besoj në ate Fe mund t`a bëj atë lirisht,hqapur dhe pa pengesa … “ (Nikollë Loka& Gjet Kola “Iliria Biblike”)
Sipas autorit Novakoviq , figura e Liciniusit , në historinë serbe ka mbetur pa u qartësuar mirë.Kur njëfarë Ljuba Stojanoviç në vitin 1927 e paska pas bërë Historinë e atdhetarëve serb ai nuk e paska pas dhënë qartas prejardhjen serbe të Liciniusit . Burimet kishtare ,thotë Novakoviçi ,nuk është që pa arsye që e kanë përmendur Liciniusin si Serb. ata dini diçka. Ata ishin të bindur që serbë në gadishullin Balkanik kishte edhe para kohës së Konstatinit të Madh ,pra shumë më herët dhe si të tillë ishte normale që ato burime kishtare serbe të ceknin lidhjet e Perandorisë Romake me serbët dhe ndodhitë e kohës ku serbët ishin pjesëmarrës. Në ato rrethana që egzistonin e të mos përmendet Liciniusi ishte dhe është e pa kuptueshme. Nuk është fjala vetëm për qëndrimin e tij ndaj Krishterimit si ideologji por edhe për shtetin e popullit që ai e udhëhiqte , e ai popull që jetonte qoft në anën e epërme të Danubit në Daki , qoft në lindje të Danubit në Anadollinë Serbe Liciniusi ishte Serb.
“ Në çdo rast , nëse nuk përmendet Liciniusi si serb ,historia e Serbisë nuk është komplete , pa marrë parasyshë se cilën imperatori ai e udhëhiqte. “ .“ Të shofim se si shkrimtarët tonë kishtarë (serb fxh) të vjetër e përmendnin Liciniusin si Serb edhe si imperator. Kështu në Gjenealogjinë e Karlovcit shkruhet :” Ky ,Licininusi ishte sundues dhe zotëri dalmatas , me origjinë serbe dhe i rodit të Konstantinit djalit të Bela Uroshit.”
“Në atë gjenealogji shkruhe se lindja e Krishtit lidhet me kohën e sundimit të imperatorit Augustus, prap se prap përmendet Liciniusi serb i cili e muarr motren Konstanitinit për grua”
Pa dashur të komentoj më tepër po i japi edhe ato se çka shkruan Miroslav Qosoviç””Kam shkruar për projektin poltik me anë të të cilit serbizmi është menduar si ideologji politike në gjysmën e parë të shek XIX-të ,dhe që i pari njeri që e ka filluar përhapjën e serbizmit ishte Sima Milutinoviç Sarajlija. Dhe me këte kuptohet që asnjë Petroviç , Balshiq , apo Vojisavljeviç nuk e konsideronte vetën serb për nga kombi apo për nga përkatësia etnike “
11.05.13 Gjakovë
A mund të jetë “Rilindje” modeli i demokracisë së paparacëve?! (I)
Nga Enver Bytyçi/
Prej se ka filluar fushata elektorale e deri më sot Partia Socialiste ka adaptuar dhe nuk heq dorë nga sllogani i saj për “Rilindjen”. Madje ajo nuk hoqi dorë dhe pas shpalljes së koalcionit të saj me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në sytë e publikut shqiptar përceptohet si antipodi i slloganit të opozitës, për shkak të historisë së saj në qeverisjen e katër viteve të shkuara. Kjo histori, nëse gjykojmë me realizëm, është më shumë e trishtë, sesa e sukseshme, jo vetëm në raport me kërkesat e një opozite, por dhe në raport me pjesën tjetër të qeverisjes së vendit. Kreu u opozitës më datën 10 maj ishte në Shkodër dhe u premtoi shkodranëve se “Rilindja do të fillojë nga Shkodra”. Një ditë më pas ai shkoi në Vlorë dhe u tha vlonjatëve se “Rilindja fillon nga Vlora”. Kudo që ka shkuar ka folur për rilindjens.
Partneri i tij kryesor në koalicion, zoti Meta, e ka përmendur më pak slloganin e rilindjes në takimet e tij të shumta elektorale. Por ai me datën 11 maj u tha simpatizantëve të tij në Pogradec, se e njeh gjendjen e mjeruar të minatorëve të këtij rrethi dhe se e kupton që gjendja e tyre duhet ndryshuar.
Mora vetëm këto shembuj të shenuar në dy data. Por mund të përmendësh me qindra shembuj të tjerë të cilët një hulumtues modest i fushatës elektorale tek ne mund t´i qëmtojë dhe t´i skedojë. Të gjithë kandidatët për deputetë të PS-së shfaqen para elektoratit me slloganin e “Rilindjes”. Ndërkaq çdo rast lakohet në të gjitha rasat koalicioni “Për Shqipërinë europiane” e kështu me radhë. Por një vëzhguesi të kujdesshëm nuk mund t´i shpëtojnë disa aspekte të nocionizimit, konceptimit, përceptimit dhe propagandimit të këtij sllogani. Kjo është arsyeja pse mora të shkruaj rreth kësaj teme interesante.
Rilindja si nocion
Fjala Rilindje është përdorur për herë të parë nga piktori dhe biografi i piketurës italiane, Giorgio Vasari, në vitin 1550. Në fakt kjo fjalë që në latinisht do të thotë “Renaissance” shprehu aso kohe gjithë procesin e e zhvillimit të artit e kulturës italiane, i cili konsiderohej si rikthim dhe rilindje e artit antik romak. Nëse përmendim fjalën Rilindje, atëherë domozdo do të na shkojë mendja te piktori i shquar italian Leonrado da Vinçi, ose te shkrimtari i famshëm Dante Aligeri, ose Uilliam Shekspir.
Kjo do të thotë se figurat që kanë rikthyer traditën më të lartë të artit, shkrimit dhe filozofisë, kanë bërë epokë, kanë rilindur një mënyrë të mendimit dhe pasqyrimit të realitetit të shuar në shekujt e zhvillimit të botës. Personalitetet e Rilindjes Europiane rikthyen në jetë artin e Homerit, Eskilit, Sofokliut si dhe filozofine e Platonit, të të madhit Aristotelit, apo Sokratit, të cilin na e sjell aq këndshëm ndër ne aktori i shquar shqiptar Mirush Kabashi. Prandaj dhe kjo periudhë përbën atë që quhet “Rilindje”.
Në historinë e kombeve Rilindja ka ardhur përmes krijimit të tyre. Çka do të thotë se në formën më të lartë të saj në shekullin e 19-të lindën shtetet kombëtare, të cilat në formën e vet kishin zënë jetë në periudhën e lulëzimit të qytetërimit helen e romak, në të cilin kishte një vend të veçantë qytetërimi iliro-dardan. Për shqiptarët fillimet e rilindjes kombëtare datojnë diku nga vitet 1840, më Naum Veqilharxhin e Kostandin Kristoforidhin, pra me fillimet e lëvizjeve kulturore e gjuhësore kombëtare shqiptare dhe arrijnë kulmin në fund të shekullit XIX, kur dy kolosët e mendimit filozofik të ndërtimit të shtetit shqiptar, përkatësisht Sami Frashëri dhe Pashko Vasa, vunë themelet e mendimit teorik të Shqipërisë moderne.
Nëse ekzaminojmë atë çfarë ka përfaqësuar Rilindja Europiane apo Rilindja Shqiptare e më gjerë, atëherë do të na duhet të bëjmë një pasqyrë të tipareve të lëvizjeve të mëdha, që në histori kanë marrin emrin “Rilindje”.
Së pari, duhet thënë se Rilindjet janë lëvizje progresive që lënë gjurmë në jetën e shoqërisë e të kombeve për shekuj të tërë. Ato rikthejnë vlerat më të qenësishme të shoqërisë dhe të kombëve.
Së dyti, Rilindja është një nocion që përcakton rikthimin në jetë të një mënyre të të menduarit artisik, etik, filozofik, e cila ka qenë e pranishme dikur, para disa shekujsh dhe vjen në trendin e zhvillimit si domozdoshmëri për rikthimin e atyre vlerave që ajo mbart.
Së treti, Rilindja është koncept përfaqësues, përgjithësues, përbashkues, dhe arti e filozofia e Rilindjes dëshmon e synon një sipërmarrje të pajetuar nga disa breza me radhë, pra përfaqëson një teori e doktrinë, e cila në mënyrë të sigurt i sjell shoqërisë një kthesë historike të pashëmbullt e të papërjetuar prej disa brezave të marrë së bashku.
Së katërti, nëse ekzaminojmë teorinë, doktrinën dhe filozofinë e Rilindjes Shqiptare, në terrenin e së cilës përdoret sot sllogani “Rilindje”, atëhere do të duhej të theksonim se kjo rilindje kishte si objektiv bashkimin territorial, politik, shpirtëror dhe infrastrukturor të të gjitha trojeve shqiptare.
Së pesti, Rilindja Shqiptare u bë mbi bazën e bashkimit e jo të përjashtimit. Aso kohe kishte personalitete shqiptare dhe madje grupime të orientuara sa na Porta e Lartë, aq nga Austro-Hungaria, Vatikani, Franca, apo vendet fqinje, Serbia e Greqia. Por asnjëherë Rilindja Shqiptare nuk u përpoq të ndajë shqiptarët në grupime fetare, klane, krahinarizma, apo sekte politike.
Së gjashti, Rilindja Shqiptare u quajt e tillë, sepse rilindi përpjekjet e shqiptarëve për t´u orientuar drejt Europës, drejt Perendimit, për herë të parë, që kur Perandoria Romake ishte ndarë më dysh.
Së shtati, Rilindja Shqiptare ka meritën që ne sot ruajmë dhe njëkohësisht krenohemi për traditën e shkëlqyer të harmonisë fetare. Për shkak të kësaj harmonie si dhe për shkak të orientimit perendimor, rilindasit tanë zgjodhën si simbol të kombit tonë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Së shtati, Rilindja nuk mund të depërtojë pa rilindasit. Ndërkaq rilindasit janë e duhet të jenë njerëz me kapacitete gati mbinjerëzore, që përmbysin mentalitete, një doktrine, teoritë e zhvillimit njerëzor, ose një filozofi të ngjizur për shekuj në mendimin shoqëror. Në këtë kuptim as Marksi, as Hegeli, as Emmanuel Kant, as Sartri, Cvajk, Kamy, Frojdi e të tjerë filozofë me famë, nuk kanë mundur të thyejnë kufirin midis epokave e të bëjnë epokën e tyre, që mund të quhej Rilindje. Këta filozofë më së shumti kanë shënuar kthesë në mendimin filozofik, duke themeluar një rrymë të re në këtë fushë, por jo të risjellin në jetë diçka hyjnore, të cilën njerëzimi e kishte humbur dikur.
Mund të rendisim më dhjetra tipare e karakteristika të rilindjes në përgjithësi e të rimidnjes shqiptare në veçanti, por nuk dua të ndalem më shumë në këtë pjesë. I përmenda këto thjesht për të bërë një ballafaqim midis asaj çfarë përfaqëson Rilindja si nocion, si proces, si fenomen, me atë çfarë përfaqëson sllogani për Rilindje i liderit të opozitës, zotit Rama.
“Rilindja” si sllogan e demagogji mashtruese
Në terrenin shqiptar të veprimtarisë politike e shoqërore është spekulluar gjithmonë me sllogane dhe epitafe të shumta, të cilat në më të shumtën e herës nuk kanë përfaqësuar realitetin ekzistues. Kjo mënyrë e të konceptuarit dhe theshtëzimit të nocioneve të mëdha, me kuptim përgjithsues universal, është servir nga shumë prej politikanëve tanë edhe në këto periudha të tranzicionit të Shqipërisë nga një sistem diktatorial në një sistem të vlerave perendimore. Besohej se sa më shumë i afroheshim daljes së tranzicionit, aq më shumë politika shqiptare do të largohej nga dogma të tilla mashtruese e pa kurrëfarë sensi në jetën tonë. Por mesa duket kreu i opozitës shqiptare ka menduar se mund ta përdorë nocionin ose slloganin “Për Rilindje”, me qëllim që të duket i madh, shumë i madh, më i madhe se Ismail Qemali, sa i përket ndikimit të tij në politikë e ndërtimin institucional të shtetit shqiptar. Në fakt po të analizojmë një për një të gjitha domethëniet e nocionit “Rilindje” do të vinim re se zoti Rama nuk reflekton as edhe një prej tyre, për të qenë bartës i një filozofie të caktuar të momentit, jo më të një epoke, me të cilën lidhen zakonisht lëvizjet për Rilindje.
Edhe në këtë rast dua të bëj një analizë konkrete të asaj çfarë ofron koncepti per “Rilindje” i zotit Rama:
Së pari: Rilindja nuk është vullnet i një individi, aq më pak vullnet politik i tij. Nuk është vullnet gjithashtu i një grupi shoqëror ose partiak. Rilindjen e një epoke e përcaktojnë rrethanat politiko-shoqerore në të cilat bëhet zhvillimi njerëzor. Në realitetin shqiptar, edhe nëse fiton koalicioni i majtë, nuk mund të bëjë asnjë ndryshim esencial në teorinë, doktrinën dhe praktikën e ndërtimit dhe funkdionimit të shtetit, nëse pranojmë se Rama me Rilindjen e tij pretendon të bëjë një shtet tjetër. Si do ta bëjë ndryshe ai shtetin? Do të amendojë kushtetutën e ligjet e tij? Nëse ai do t´i përmbahet premtimit dhe slloganit “Koncensionet janë skllavëri”, kjo do të thotë se do të luftojë kundër koncennsioneve. Kjo do të thotë gjithashtu se ai do të rikthejë një nga nenet e kushtetutës së vitit 1976. Po kush prej njerëzve me mend do ta konsideronte këtë akt si “Rilindje” të Shqipërisë?! Të gjitha gjasat janë se do të kishim një efekt të kundërt me zhvillimin, dmth një regres të padiskutueshëm?!. Eksperienca e diktaturës është e freskët për memorien shqiptare.
A mund të quhet bërje epoke alternativa e zevendesismit të taksës së sheshtë me taksën progresive?! Asnjëherë jo. Edhe sikut taksa progresive të sillte zhvillimin e shoqërisë e të ekonomisë shqiptare. Ndërsa në rastin kur taksa progresive po pëson disfatë të pakthyeshme në vendet e tjera ku drejton e majta europiane, mund të parashikohet lehtë s cilat do të jenë efektet e një lëvizje të tillë të zotit Rama, i cili i ka dhënë ngjyrën e Rilindjes. Duke mos shkuar më tej, do të doja të kthenim kokën e të shihnim se çfarë po ndodh në Francë.
Presidenti Hollande pas një premtimi elektoral euforik aplikoi taksën progresive, sipas parimit “Të pasurit duhet të paguajnë më shumë”. Por ç´ndodhi? Ka ndodhur ajo që pas një viti, gazeta më e madhe me orientim të majtë liberal, “Le Mond”, të shtrojë pyetjen: A mund të qeverisë më një president i padëshiruar nga populli? Kredencialet e presidentit francez kanë rënë në nivelet më të ulëta në historinë e Republikës së Pestë Framceze. Vetëm 26 për qind e zgjedhësve janë shprehur së fundmi në mbështetje të presidentit Hollande, ndërkohë që 74 për qind janë kundër politikave të tij fiskale e posaçërisht kundër politikës së taksës progresive. Vetë ministrat e Hollande kanë fshehur fitimet e të ardhurat, me qëllim që t´i ikin tatimit progresiv. Kjo ka çuar në uljen e investimeve dhe për pasojë në rritjen e të papunëve. Në vitin e parë të qeverisjes së Hollande papunësia u rrit në Francë me 300 mijë, ose aq sa Rama ka premtuar se do të punësojë në katër vitet e qeverisjes së tij. Edhe Hollande kishte premtuar se me taksën progresive do të ulte numrin e të papunëve. Ndërkaq reagimet e francezëve janë spektakolare. Deri presidenti i Asamblesë Kombëtare, Claude Bartolone, deklaroi para disa ditësh së demokracia franceze është cënuar në rendjen pas kontove të qytetarëve të saj. Madje ai e quajti qeverisjen e tij si qeverisje në një demokraci të paparacëve.
Nuk po zgjatem më shumë se çfarë po ndodh në Francën e ëndërruar prej zotit Rama. Por vetëm mund të shkojmë drejt përfundimit logjik se në Shqipëri politika e Rilindjes së taksës progresive do të sillte në Shqipëri një katastrofë të vërtetë. Nëse në Francë ministrat e kabinetit qeveritar fshehin të ardhurat për t´i ikur taksës progresive, çfarë do të ndodhë me ministrat e Ramës, si Kokëdhima, e të tjerë?! A ka aftësinë dhe integritetin e nevojshëm Rama që këta milionerë në kupolën e partisë së tij, t´i disiplinojë në hullinë e politikës së tij të taksës progresivë? Për pasojë sa miliarda do të fshiheshin në bankat e huaja? Sa investitorë do të largoheshin nga vendi e më pas a mund të shkojmë në përfundimin se jo 300 mijë vende pune shtesë, por 300 mijë vende pune më pak do të ofronte kreu i opozitës për shqiptarët. Pas gjithë kësaj situate të provuar në një nga gjashtë vendet më të industrializuara të botës, a mund të kishim vërtet Rilindje për shqiptarët?! Ja pse sllogani për Rilindje është një sllogan i mashtrimit të madh, që nuk mund të sjell zhvillim e përparim, por vetëm regres dhe prapambetje. Pikërisht për të fshehur këtë situatë paszgjedhore, nëse koalicioni i majtë i fiton zgjedhjet e 23 qershorit, është gjetur e po përdoret formula e e mashtrimit të ri të krerëve të PS-së për të ashtuquajturën “Rilindje”. Programi dhe alternativa e Ramës është regresi. Demokracia që ai na ofron, e shumta mund të jetë “Demokracia e paparacit”.
Në numrin e ardhshëm: Rilindje!!!… pa rilindës….
Pse po sulmohet personaliteti i Gjergj Kastriotit
Nga Gjon KEKA/
Pse po sulmohet personaliteti mbikohor i Gjergj Kastriotit ?,
shtrohet pyetja sot ne kete shekull ,e qe natyrshem nuk do te duhet te kishte pyetje te tilla po te ishin gjerat ne vendin e vete :
E para ai sulmohet sepse eshte drita e kombit,
e dyta sepse ai eshte mbrojtesi i qenjes sone kombetare e identitare dhe tere civilizimit te familjes europiane,
e treta sepse ai eshte rrenja dhe fisi me frytdhenese i kombit shqiptar europian,
e katerat sepse ai eshte i vetmi mbret i kombit shqiptar me merita te dyfishta , gje qe nuk ka pasur ne historine e mbreterve ne europe,
e pesta sepse ai dhe shpirti i tij i fuqishem eshte tmerri ne syte e turqeve dhe mbetjeve te tyre,
e gjashta sepse ai eshte lider, strateg dhe personalitet mbikohor i perjetshem ,ai nuk vdes edhe pse kete e duan turqit dhe mbetjet sulltaniste,
e shtata sepse ai eshte deshmia me e mire e vleres se pavdekshme te rrenjeve tona dhe themeleve te lashta europian te kombit shqiptar,
e teta sepse ai e ka bere shtetin e Arberit model dhe faktor vendimtar te fatit politik te kontinentit tone,
e nenta sepse ai eshte akoma edhe sot hero i preferuar i shume kombeve e popujve ,por ja qe ai eshte shqiptare dhe i tille do te jete deri sa te kete bote shqiptare nen qiellin e tij,
e dhjeta sepse ai ka lene pasardhes.