• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NEN DRITEN E FAKTEVE DHE DESHMIVE HISTORIKE

July 9, 2013 by dgreca

Nga Adem Demaçi/Nderi i Kombit/

Tani për tani, emri dhe bëmat e Astrit Lekës nuk janë të njohura aq sa duhet. Të paktën “me shkrim”. Kjo është arsyeja që
monografia Astrit Leka, Një jetë e stuhishme, e përgatitur me ngrohtësi, profesionalizëm, realizëm dhe objektivitet shkencor, në dritën e fakteve dhe dëshmive historike, nga Akad.
Kopi Kyçyku, përbën një kontribut të rëndësishëm ngaqë, duke marrë shkas nga veprimtaria dhe meritat e mëdha e të shumta të luftëtarit të shquar për liri e demokraci, Astrit Leka, njëherazi hedh dritë në etapat e ndryshme të historisë sonë moderne.Dëshiroj të theksoj se bërja e njohur e figurave si Astrit Leka është më fort një detyrë, sesa një e drejtë, sidomos sot kur mundësitë për t’i paraqitur në dritë të vërtetë janë praktikisht të pakufizuara.

Është bërë zakon të shkruhet vetëm për heronjtë apo dëshmorët që janë flijuar në fushën e nderit. Kjo është mëse e drejtë, madje tingëllon si detyrim ndaj tyre dhe ndaj brezave. Por ka edhe nga ata, shumica luftëtarë të thjeshtë, që kanë mbetur gjallë dhe kanë kryer akte heroizmi njëlloj si të rënët. Pra, janë heronj dhe duhen trajtuar si të tillë.

Sikurse dëshmon autori Kyçyku, Astriti, me gjuhën e përflakur nga pasioni e nga dashuria e pamatë për kombin e nga dëshira për ta parë atë në radhët e para të përparimit njerëzor, ia hapi zemrën, pa mbajtur as më të voglën rezervë. Atëherë Kyçyku mendoi: “Këto duhet t’i mësojë çdo shqiptar, i kudondodhur”. Dhe mendoj se nuk e kishte keq, përderisa mjaft të përmendet fakti që jeta dhe vepra e Astrit Lekës, përpos që përbëjnë një kontribut pa të dytë për mbrothtësinë tonë, shërbejnë si shembull për këdo.

Por, gjithaq me rëndësi është fakti që, njerëz si Astrit Leka, tanimë fort të rrallë, janë dokument i gjallë dhe autentik i gjithçkaje që ndodhi gjatë një kohe tepër të gjatë, që fillon të paktën me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe vazhdon, pandëprerje, edhe në ditët tona.

Vlera e pazëvendësueshme e dëshmive të Astritit, – të cilat janë konfirmuar katërcipërisht nga dokumente të panumërta, me shkrim e me gojë, – qëndron sidomos në faktin që nuk mund të “retushohen”, nuk zbukurohen dhe as shëmtohen dot më, siç ka ndodhur tepër dendur, në varësi nga përgatitja dhe përkatësia politiko-ideologjike e përpiluesit, qoftë ky institucion, person juridik, apo person fizik. Për të ilustruar këtë, mjaft të përmendim se figurën e luftëtarit për liri fashistët e vizatonin me ngjyrat më të errëta, ashtu siç vepronin zyrat e kuadrit dhe përgjithësisht organet e diktaturës në komunizëm me demokratët e vërtetë, të ndershëm dhe jokonformistë, si Astrit Leka.

Kur Akad. Kopi Kyçyku e vuri në dijeni se vendosi të merrte përsipër hartimin e një monografie për jetën e veprën e tij, Astriti u prek dhe, pasi e falënderoi, si për ta orientuar që të jetë sa më i saktë dhe i paanshëm, i tha me çiltërsi: “Unë nuk dua të dal para publikut mbarëshqiptar si një figurë me bëmat e mia, por si një aktor aktiv, i cili, në shumë raste është edhe bartës i kujtimeve të drejtpërdrejta të atyre që kanë qenë në odat e burrave në kohën e Lidhjes së Prizrenit, si, bie fjala, Hamdi bej Ohri, nipi i Iljaz pashë Dibrës, e sa e sa të tjerë të periudhës së Shpalljes së Pavarësisë, të Kongresit të Lushnjës apo të kohës së Fan Nolit e të Zogut, kur fillova të bëhem edhe vetë një miniprotagonist, objekt dhe subjekt evenimentesh të ndryshme … Nga ky këndvështrim, vepra që do të shkruash, ka për të qenë sui generis, unikale, se, për hir të së vërtetës, praktikisht nuk kanë mbetur shumë shqiptarë të brezit tim që t’u kenë bërë ballë ashtu siç duhet të gjitha vështirësive në etapat e ndryshme të historisë sonë të dhimbshme, të shoqëruara me goditje të papara në historinë e Ballkanit. Dhe, ç’është më interesantja, kam qenë gjithmonë në ngjitje. Duke sfiduar fiziologjinë, dola në Perëndim kur i kisha mbushur të 65 vjetët. Dhe ti e di mirë se bëj pjesë në radhët e atyre shqiptarëve të rrallë, të cilët pas shembjes së diktaturës kanë në aktivin e tyre gati njëzetepesëvjeçar rezultate mbarëkombëtare, madje edhe ndërkombëtare. Në SHBA, ku shkova fillimisht, para hapjes së ambasadave të huaja në Tiranë, si shtetasi i parë shqiptar atje, me pasaportë dhe vizë të rregullt, pas një ndërprerjeje mbi gjysmëshekullore qysh prej 7 prillit 1939 (me përjashtim të të arratisurve politikë), pata fatin të dëgjoj drejtpërdrejt nga goja e Nelson Mandelës të sapoliruar nga burgu, veprimtarinë në të mirë popullit të vet e të mbarë njerëzimit Nga ai moment, u frymëzova edhe më shumë dhe e quajta detyrë atdhetare të bëja diçka, qoftë edhe modeste, për kombin tim e për të drejtat e njeriut. Dhe mundësitë për një gjë të tillë kishin ardhur, njëherazi me revoltat e mbarë popullit shqiptar në Kavajë, Shkodër e gjetiu dhe që arritën kulmin me ngjarjen e ambasadave në Tiranë. Aq më shumë që edhe shqiptarët në Jugosllavi ishin ngritur në këmbë për të drejtat e tyre të ligjshme, të shprehura me zërin e fuqishëm të Parlamentit të parë të Kosovës, në Kaçanik. Kontaktet që pata në ato ditë të zjarrta në Nju Jork me parlamentarë dhe personalitete të tjera shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, më dhanë forcë dhe optimizëm të ri“.

Identiteti i Astrit Lekës është shprehja e vullnetit për të respektuar shenjtërisht një program jete dhe e një ndjeshmërie të pazakontë të fituar nga evenimentet shoqërore dhe historike. Pikërisht jeta e nxiti të përcaktonte, të qartësonte opsionet dhe të zbulonte vokacionin e vet të vërtetë. Janë dukuri, të cilat sot përkufizojnë një ndërgjegje, një vepër, një mënyrë origjinale të jetuari e të vepruari në Shqipëri e në dhé të huaj. Bëhet fjalë për ecurinë drejt majash shkencore e shpirtërore, të një europiani të mirëfilltë, të një shqiptari që ka “pushtuar” Europën, por edhe kontinente të tjera. Me forcat e meritat e veta, duke dëshmuar se kombi ynë ka potencial krijues të pamatë.

Dua të veçoj faktin që Akad. Kyçyku, ashtu si për krejt tematikën e gjerë e të larmishme që shtjellon, ia ka dalë mbanë të nxjerrë në pah kontributin vendimtar të Astrit Lekës në njohjen e luftës së drejtë të UÇK-së nga komuniteti ndërkombëtar. Përçapjet e njëpasnjëshme, këmbëngulëse dhe me kompetencë të Astrit Lekës, si ndërmjetës midis NATO-s dhe UÇK-së, duke futur në “valle”, si garante të besueshme, personalitete të dorës së parë të politikës botërore, u kurorëzuan me heqjen e cilësimit të UÇK-së si “terroriste” dhe me futjen në radhët e Organizatës Botërore të Veteranëve të Luftës, si anëtare me të drejta të plota. Sikurse dihet, aleanca NATO – UÇK çoi në fitoren e luftës dhe në çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga zgjedha e shovinistëve serbë. Dhe, së fundi, – por jo për nga rëndësia, – është rasti të vëmë në dukje se prania, për herë të parë, në Forumin e Kran Montanës, më 1992, e një përfaqësuesi të qeverisë së sapokrijuar të Kosovës, – e cila ishte ende shumë larg njohjes nga bota, – u bë e mundur vetëm falë përpjekjeve diplomatike të Astrit Lekës.

*Parathënie e Adem Demaçit për librin e Kopi Kycukut kushtuar Astrit Lekes

Filed Under: Komente Tagged With: Adem Demaci, libri i Kycykut, per Astrit leken

Gozhda e Nastradinit

July 8, 2013 by dgreca

Nga Bedri Blloshmi/

Këtë shkrim dua ta filloj me një paralelizëm,për tu kuptuar nga të gjith lexuesit.Nastradini nxorri shtëpin në shitje dhe dikush që kërkonte ta blinte shtëpin e merr vesh dhe shkon të bisedoj me Nastradinin .E pa shtëpin i pëlqeu e  ranë dakort  për pazarin, lanë dhe ditën që do futeshe në shtëpinë e posa blerë.Atë ditë Nastradini i tha blersit,e sheh atë gozhdëatje ngulur në murë? Po, i tha blersi ajo gozhdë është e imja dhe nuk do e lëvizhësh nga vendi se gozhdën nuk ta kam shitur. Dakort, i tha blersi, gozhdën nuk ta prek as kush.Pas ca ditësh Nastradini kalon tek ish-shtëpia e tij, ngjitet në katin e tretë heq xhaketën e varë në gozhdë dhe iku.Në mbrëmje vjen i zoti i shtëpisë e pa në gozhdë se ishte varur një xhaketë. Menjëher i thërret të shoqes dhe i thotë; çështë kjo xhaket e varur këtu?E shoqja i përgjigjet, kishte qënë Nastradini kishte varur xhaketën dhe kishte ikur.I zoti i shtëpisë  i bërë tym, nuk doli nga shtëpia dhe po priste Nastradinin, i cili vjen dhe ngjitet  sipër  pa i folur asnjërit nga të zotët e shtëpisë merr xhaketë dhe niset për të dalë jashtë .Athere i zoti i shtëpis e ndali  dhe i tha të mos ta lëri më xhaketën aty sepse unë ta bleva shtëpinë ti nuk ke më punë këtu .Nastradini ja kthen qetë- qetë, dëgjo zotëri “Unë të kamë shitur shtëpin jo gozhdën zotëri”Këtu do vij sa herë të më teket dhe do e varë xhaketën te gozhda ime. Atëhere të dalim për ku jemi nisur. Partia e Debatikasve e udhëhequr nga një sekretar partie prej 23 vjetësh, këtë herë që nuk vodhi dotë votat se kishte shumë vëzhgues ndërkombëtarë, doli e verteta në shesh dhe Debatikasit ranë drejtë e në humnerë. Tashti i detyruar kryetari i partisë Debatikase duke mos pas asnjë mundësi tjetër manovrimi, me shumë përtesë dhe jashtë vullnetit të tij deklaroi me gjysëm zëri.Jap dorheqjen nga të gjitha fuksionet dhe si kryetarë partie, por tani lind pyetja, a e beson kush këtë se do largohet nga partia kryetari i humnerës? Caktoi ata kanidat që patjetër i binden verbërisht dhe i bien në gjunjë duke i lëpirë dhe këpucët  të shoqëruara me lotë Krokodili.Ky që është caktuar Kryetarë Bashkie mbasi partia e Debatikasve e humbi gjith shqipërinë në zgjedhjet lokale, ndërkombëtarët e mishëruan dhe ja dhanë Bashkinë e Tiranës.
Po ky Kryetarë Bashkie, duke shëtitur ministri më ministri mbasi u akuzua për vjedhje me shifra të mëdha 240 miljon Euro të grabitura dhe si hyri një ferre në këmbë. Tani do bëhet Kryetarë i partisë së shkërrmoqur Debatikase, me këtë rastë të mos ketë mundësi qeveria e ardhëshme tia hapi dosjen sa një mal që fle tek prokurori i përgjithshëm Llalla. Prokurori Llalla kur mori karriken që ka sot bëri deklarata premtuese dhe i prerë se do zbatonte ligjin pa asnjë mëdyshje. Të njëjtën gjë bëri dhe para ardhësi i Llallas, madje shkuan shumë më largë, si Kryeministri i ikur dhe Kryetarja e Parlamentit po të ikur duke parashikuar se do ishte një Silva Konti. Kanidati tjetër vjen nga një familje Ministrash të diktatorit por është i shquar dhe për terrorin në zonën e Lumës edhe sot po tua përmëndësh Dashnor Mamaqin ata dridhen edhe sot e kësaj dite.Partia e Debatikasve dhe qeveria e ikur u krijua me bijtë e Ministrave të diktaturës, bijtë e sekretarve të parë të kryetarëve të Degëve të punëve të brënshme, me bijtë të sekretarëve të partisë ,me bijtë e sigurimit të shtetit dhe të bashpunëtorëve të tyre ,me kryetare shoqatash të Enverit. Themi shkurt se aty  në  qeveri ishin ata që kishin lidhje të forta me komunizmin ose lidhje po aq të forta me sigurimin famëkeq.Kryetari i partis Debatikase që tani përhap tymnaja se ka dhënë dorheqjen si besnik fanatik i Zv. diktatorit  Alia, e mbajti fjalën, e përcolli me shtrat topi u tregua shumë korrekt në zbatimin e porosive të Katovicës dhe të gjith këta bij komunistësh e sigurimsash jo që i punësoi në vende kyçe  të pushtetit por i la të vjedhin dhe grabisin sa të donin duke i siguruar se do i mbronte dhe nga proçedimet penale. Kjo është vërtetuar se asnjë ministër, drejtor apo ku di unë, në sektorët e tjerë ku vidhej para me tendera nuk shkoi në prokurori. Si këta që ikën nga pushteti, si këta që po vijnë thërrasin dhe premtojnë në sy dhe të ndërkombëtarve se do e luftojmë korrupsionin dhe se toleranca  është gjithmon zero. Mbas revolucionit të armatosur të vitit 97 partia e Debatikasve e humbi pushtetin duke ja marrë gjysma tjetër e Partisë së Punës. Ne demokratët  me në Krye sekretarin e Partisë dilnim çdo ditë në protesta duke dëgjuar kryetarin se kur të vinim në pushtet  do fusnin në burg të gjith të korruptuarit me në krye Fatos Nanon. Në 2005 pushteti i kaloi  partisë Debatikase dhe as njëher nuk u pëmënd, e jo më ti fuste në burg për abuzimet e bëra.Unë shtroj pyetjen, mos vallë këto dy parti kanë një marveshje të heshtur? Duke ja lënë qeverisjen në çdo 8 vjet  njëra -tjetrës?
Këta që po marrin pushtetin me një fitore të vertetë çdo bëjnë me dosjet e ministrave të korruptuar, do heshtin?Po prokurori i përgjithshëm gjithmon do hesht? Korrupsioni nuk është abstrakt është i prekshëm  gjithë ato vila, dyqane, prona,si janë ndërtuar. Mirë për miljonat e Eurove që janë depozituar në bankat jashtë shtetit, po këto që duken si do justifikohen? Në qoftëse, largë qoft do futet ndonjë ministër në burg pasuria që ka vjedhur do ti shtetëzohet? Gjykatat tona po ashtu dhe prokuroritë, kur ndodh që dëgjojm sa për sy e faqe pasuria e vjedhur nuk i sekuastrohet. Të presim, të shohim mbase prishet marrveshja e heshtur. Të shohim se sa do bëhet i besueshëm Luli për kryetar të partisë Debatikase, jo për ta votuar se ai është caktuar dhe ështe kryetare, por sa për farsë do ketë për ta mashtruar popullin se do e ngrej dhe një herë Partin Debatikase dhe ta nxjerri nga humnera ku e  hodhën.A do i pastrojnë spiunët, sigurimsat dhe vrasësist? Siç është rasti i Librazhdit, Se për bijtë e komunistëve dhe hajdutët nuk bëhet fjalë se mund të largohen. Jam kurjoz ta dëgjoj se si do të justifikohet me pronarët dhe të burgosurit politik. A do të garantojnë se sa po të vijnë në pushtet do ti detyrojnë prap të vetë  sakrifikohen? Po pronarëve çfarë përralle do ju sajojnë?Le të presim ,sherri ka nisur,Lufta vazhdon.
Po e mbyll këtë shkrim me urimin nga zemra.
E gëzofshi humnerën ku ratë.

Filed Under: Komente Tagged With: Bedri Blloshmi, gozhda e Nastradinit

SHËNJTËRIMI I NJË PAPE TË MADH

July 7, 2013 by dgreca

MIK I GJITHË NJERËZIMIT – E VEÇANËRISHT I SHQIPTARËVE/

Nga Frank Shkreli/

Vatikani njoftoi të Premtën që kaloi se Papa Françesku ka nënshkruar dokumentacionin për shpalljen e Papa Gjon Palit II — i cili ndërroi jetë 8 vjetë më parë —  shenjtor i Kishës Katolike.   Këjo ndodhi pasi Papa Françesku  aprovoi mrekullinë e dytë që i atribohet Papa Gjon Palit të II.  Vatikani gjithashtu njoftoi njëkohsisht edhe kanonizimin e Papës Gjonit 23-ët, i cili për 5 vjetë udhëhoqi riorganizimin dhe modernizimin e Kishës Katolile deri në vitin 1963, kurë ndërroi jetë.Mirëpo, Papa Gjon Pali II është konsideruar si kandidat për shënjtor,pothuaj menjeherë pas vdekjes.  Në prill të vitit 2005, turmat e mëdha  në Sheshin e Shën Pjetrit, bërtisnin, “Santo Subito” të Shënjtërohet Menjëherë.

Papa Gjon Pali II kujtohet si njëri prej udhëheqësve më me influencë i shekullit të kaluar.  Është i famshëm tanimë roli i tij në rrëzimin e komunizmit.  Ai, së bashku me Presidentin amerikan Ronald Reagan — dy udhëheqës gjigantë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar — konsiderohet si personi  i cili ndihmoi në rrëximin e komunizimit në vendlindjen e tij në Poloni dhe eventualisht  në mbarë Evropën.   Ai shërbeu si frymëzim shpirtëror për bashkatdhetarët e tij polakë, gjatë një periudhe shumë të vështirë për ‘ta, nga mbarimi i 70-ave dhe fillimi i 80-ave të shekullit të kaluar.  Ish-udhëheqsi i sindikatave polake, Lek Walesa ka thënë se Papa Gjon Pali II u dha polakëve kurajo dhe shpresë për të bërë ndryshime. Sipas Walesës, askush deri atëherë nuk kishte ide se si të rrëzohej komunizmi.  Gjatë vizitës së tij në Poloni  në vitin 1979, Gjon Pali II u tha bashk-kombasve të tij: “Mos kini frikë”, ndërkohë që iu lutë Perëndisë që të ”sillte Shpirtin e Shënjtë mbi këtë tokë dhe të ndryshonte imazhin e vendit.” Gjatë   vizitës së dytë në Poloni më 1983, Gjon Pali sfidoi strukturat shtypëse të shtetit komunist duke u bërë thirrje bashkatdhetarëve të tij, që të keqen ta quajnë të keqe dhe të mirën të mirë duke mos pushuar së kërkuari të vërtetën absolute. Gjon Pali II besonte në paqë dhe e konsideronte luftën si një humbje për të gjithë njërzimin.  Ai ka shkruar se, “Shëmbja e bllokut sovjetik nuk u realizua me luftë, por nepërmjet “angazhimit të pa dhunë të njerzëve, në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të zbuluar të vërtetën”.

Gjatë mandatit të tij, presidenti amerikan Ronald Reagan ishte në kontakt të vazhdueshëm dhe shkëmbente rregullisht korrespondencë me Papën Gjon Palin II, gjatë kësaj periudhe shumë kritike për Evropën dhe botën, në atë që revista e njohur amerikane Tajms e pat cilësuar, si një “aleancë e shënjtë për të shembur sistemin komunist” në Poloni dhe në botë.  Njihet mirë admirimi që Presidenti Reagan kishte për Gjon Palin II dhe për rolin që ai ka luajtur në shembjen e Murit të Berlinit.   Madje edhe bashkohasi i tij, ish-udhëheqsi  komunist sovjetik Mikail Gorbaçov, duke folur për admirimin dhe respektin që ai kishte për Gjon Palin e II, ka thënë se “Shëmbja e Perdesë së Hekurt do të ishte e pamundur pa Papa Gjon Palin II.”

Ish-presdienti amerikan Xhorxh Bush në vitin 2004 i akordoi Medaljen e Lirisë Gjon Palit II, me motivacionin: ”Këtij biri të Polonisë…parimet e të cilit në mbështetje të paqës dhe lirisë kanë frymëzuar miliona njerëz për të shembur komunizmin dhe tiraninë.”

Historianët thonë se Papa Gjon Pali i II, nga pozita e tij si udhëheqës i Kishës Katolike, bëri shumë edhe për përmirësimin e marrëdhënjeve të Kishës me fetë e tjera, përfshirë judeizmin, islamizmin dhe ortodoksizmin.  Thuhet se një prej objektivave kryesore si Papë ishte që të vendoste Kishën në qëndër të një aleance të re fetare duke bashkuar tri fetë e mëdha botërore, judeizmin, islamizmin dhe kristjanizmin, në një aleancë të madhe  fetare.

Si promovues i të drejtave të njeriut,  dindjitetit njerëzor dhe solidaritetit ndërkombëtar,Papa Gjon Pali II udhëtoi anë e mbanë botës, duke vizituar gjithsejt 130 vende, gjatë periudhës që ai ka shërbyer si udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike.

Një nga këto vende që vizitoi Gjon Pali ishte dhe Shqipëria, kur me 25 prill, 1993, ai puthi tokën arëbërore, “tokën e harmonisë të tre besimeve”, sipas Ismail Kadaresë. Ismail Kadare ka shkruar  për këtë vizitë se, “Papa Gjon Pali i Dytë u prit në Shqipëri me të njëjtin ngazëllim nga gjithë populli shqiptar, katolikë, ortodoksë e myslimanë, bashkë. Dhimbja njerëzore, ëndrra për lirinë i kishte afruar më shumë se çdo gjë tjetër, të tre besimet. Me udhëtimin e tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II, kreu udhëtimin e ndërprerë të një pape tjetër në shekullin e 15-të. Liria e shqiptarëve ishte në kërcënim përballë ushtrisë otomane, dhe Papa Kaliksi do të vinte për t’u dhënë zemër shqiptarëve, në aktin e fundit të qëndresës së tyre.  Papa Gjon Pali II erdhi bashkë me fillimet e lirisë”, ka shkruar Kadare, për vizitën e historike të Papës në Shqipëri.

Në sheshin Skenderbe në Tiranë, para mijëra qytetarve që kishin dalur për ta pritur, Gjon Pali II me fjalët baritore, inkurajuese dhe shpresësdhënse — drejtuar një populli të vuajtur por bujar — për një të ardhme më të mirë për kombin shqiptar, iu drejtua me këto fjalë: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit. Është një rrugë e vështirë kjo, por në ‘të janë mbjellë farat e shpresës.  Të shoqëroftë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare.”

Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha përshëndeti me atë rast Gjon Palin në  emër të të gjithë shqiptarëve, duke theksuar lidhjet historike midis Vatikanit dhe të kombi shqiptar. “Lidhjet e Shqipërisë me Selinë e Shënjtë janë lidhje shpirti dhe lirie”, tha udhëheqësi shqiptar. “Në historinë e tyre, shqiptarët kanë patur në Selinë e Shënjtë  mikun dhe aleatin e tyre, kanë gjetur mbështetjen  e fuqishme në luftën  dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur lirinë, ndërsa tek Ju, mikun e shquar që lutej gjithnjë për Shqipërinë.  Zoti e ka dëgjuar lutjen Tuaj dhe sot Ju vini në një Shqipëri të lirë.  Ne, dhe brezat që do vijnë, do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës”, tha ndër të tjera ish-presdienti i Shqipërisë Sali Berisha

Lidhjet e Papës Gjon Palit me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar kalonin nepërmjet Nënë Terezës, me të cilën ai kishte jo vetëm  njohuri, por edhe bashkpunim të ngushtë, por mbi të gjitha ai shprhte gjithmonë respekt për të dhe për kombin që lindi këtë bijë të madhe.  Nënë Tereza, e shoqëronte Papën në këtë vizitë historike në Shqipëri dhe Papa Gjon Pali falënderoi kombin shqiptar dhe iu drejtua Nënë Terezes duke thënë se, “Nuk mund të mos përshëndes sot një njeri që ndodhet sot midis nesh, Nënë Terezen e Kalkutës.  Të gjithë e dimë se cili ështe atdheu i saj.  Atdheu i saj është këtu! Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërëve që përfaqësonte  në të gjithë botën emërin e Atdheut të saj.  Me personin e Nënë Terezës, Shqipëria është  nderuar gjithmonë”, ka thënë Papa.

Papa Gjon Pali II ishte gjithashtu edhe shumë afër Kosovës gjatë kalvarit të saj, dhe jo vetëm shpirtërisht.  Nga pozita e tij si një udhëheqës botëror dhe fetar, ai përpiqej që të zgjonte ndërgjegjen e botës mbi krimet që po ndodhnin në Kosovë.   Në një deklaratë “Urbi at Orbi”, dmth. drejtuar Romës dhe botës, udhëheqsi i Kishës Katolike, prononcoi uratën e tij para botës, “Për tokën e martirizur të Kosovës, ku lotë e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjet e tyre, për ata që janë detyrua të ikin larg…Të mobilozohet solidariteti i të gjithëve anë e mbanë botës,” vazhdoi Gjon Pali i II, “që më në fund të flitet serish për vëllazërim e paqë.  Si mund të qëndrojmë pasiv para lumit të dhimbshëm të burrave e grave të Kosovës që trokasin në derën tonë duke kërkuar ndihmë”?, sfidoi botën Papa Gjon Pali, për të bërë diçka për Kosovën martire.  Si një shëmbëll i seriozitetit të Papës për të sensibilizuar  botën mbi gjëndjen tragjike në Kosovë, dhe për thirrjet e tija për aktivizim ndërkombëtar në mbështetje të Kosovës, ish-presdienti amerikan Bill Klinton shënon në biografinë e tij, telefonatën që ai shkruan se mori nga Papa Gjon Pali II, me të cilën, Papa i drejtohet atij me kërkesën: “Zotëri President. Duhet të bëni diçka për Kosovën. Këjo gjëndje nuk mund të tolerohet më.”

Njëri ndër këta burra të Kosovës që trokiti në derë të Papës Gjon Palit II për t’i kërkuar ndihmë për Dradaninë e tij të vuajtur, ishte Presidenti Ibrahim Rugova, i cili ka patur disa takime me Gjon Palin II.  Pas vdekjes së Papës, Presidenti Rugova ka thënë se, “Papa Gjon Pali ishte një mik dhe At për Kosovën.  Ai ka merita të mëdha për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës.  Mund të them se isha mik i një Pape dhe njeriu të Madh.  Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi, do ta kujtojnë si At të shënjtë të Madh, i cili ka bërë shumë për kombin tonë”, ka thënë Ibrahim Rugova.

Edhe ish-presdienti i ShqipërisëAlfred Moisiu e ka vlerësuar  Gjon Palin II si, “një figure të madhe, pasi ai është jo vetëm baritori i  katolikëve në mbarë botën, por edhe i mbarë njerëzimit, sepse kontributi i tij ka përmasa të tilla…ai i ka dhënë njerëzimit atë që i ka munguar, dashurinë e njeriut për njeriun”, ka thënë ish-udhëheqsi shqiptar.

Ndërsa, Dom Lush Gjergji, që ka takuar shpesh Gjon Palin II, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pas vdekjes së Gjon Palit, ka venë në dukje mbështetjen e palëkundshme të Papës për Kosovën, gjatë takimeve private  në Vatikan me të dhe me Ipeshkvin e atëhershëm të Kosovës, Imzot Nikë Prela.   Sipas Dom Lush Gjergjit, “Do të mbetet një kujtim i paharrueshëm fjala e madhe e Papës Gjon Palit, thënë më 1981 pak para shpërthimit të ngjarjeve të Kosovës se “pas popullit tim polak”, i tha ai Imzot Nikë Prelës dhe mua, “po ua shploj zemrën dhe po u them se më së tepërmi e dua popullin shqiptar, sepse keni vuajtur shumë dhe padrejtësisht dhe na e keni dhuruar Nënë  Terezën”.  “Kur e përqafoi Nikë Prelën në karrocë, Papa i tha dhe këtë fjalë që më ka mbetur gjithnjë në zemër dhe në veshë. “Kosova – shpresa jonë, Kosova-plaga jonë”, kujton Dom Lush Gjergji.

Gjatë gjithë kohës që jetoi, në personin e Gjon Palit II — sidomos në kohë të vështira — kombi shqiptar kishte një përkrahës aktual dhe të fortë në këtë botë.  Tani, shqiptarët kudo, kanë një Shënjt mbrojtës që së bashku me Nënë Terezën do të luten, sipas vet uratës së Gjon Palit kushtuar kombit shqiptar, “Për një ditë në të cilën ky popull fisnik të shohë edhe njëherë të realizuara dëshirat më të thella të shpirtit të tij, atëbotë kur të gjithë — bijë e bija të tij — do të kenë mundësi të bashkohen në harmoni të plotë për të rindërtuar një të ardhme në drejtësi e paqë.”

Këjo ishte lutja e Papës Gjon Palit II, mikut të madh të shqiptarëve për fatet e kombit shqiptar. Këjo është dëshira e madhe e të gjithë shqiptarëve, në këtë vit të shënjtërimit të tij.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: mik i shqiptareve, Shenjterimi i ne pape te madhe

SEVDALLINJTË MANJAKË TË PARTIVE – DIVERSION EDHE KUNDËR MEDIAVE ONLINE

July 7, 2013 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Njëfarë lexuesi i botimit online të gazetës ‘Dielli’, i cili nënshkruan gjithnjë me ndajshtimin profesional ‘M. A. Economics’, mëtoka tashi t’ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Sipas tij në ‘Dielli’ u dashka të botojnë ekonomistë, mjekë, aparatçikë, por të mos botojnë gazetarë profesionistë të dëshmuar një jetë të tërë. Kjo do të ishte njëlloj sikur ne gazetarët t’i urdhëronim ekonomistët të na e lënë ne profesionin e tyre meqë edhe ne e dimë sa bëjnë 3+5. Me të njëjtën logjikë, t’i urdhëronim mjekët, juristët, inxhinierët, politikanët e të tjerët të na i lënë ne klinikat, studiot, laboratorët, karriket, pushtetet e tyre. Sidomos këtë ta bënin ata që janë më të shquarit në fushat përkatëse.

Unë mendoj se ‘Dielli’ bën mirë që i boton mendimet e ndonjë Çini. Edhe ne ia kemi botuar në gazetën tonë online sa herë që Çini na i ka dërguar. Natyrisht, nuk kemi menduar se ia shtonim kështu vlerat gazetës, por e kemi respektuar dëshirën e tij të padëmshme për të shprehur mendimet e tij publikisht për një çështje të caktuar. Prej kohës kur botues i ‘Diellit’ është kolegu i nderuar Dalip Greca ne kemi një partneritet të frytshëm me këtë gazetë. Kjo periudhë, për më tepër, përkon edhe me një nga kohët më të ndritshme të Federatës Panshqiptare Vatra, të drejtuar nga atdhetari i ndritur Dr. Gjon Buçaj, duke na i kthyer në kujtesë kohët e dritëshme të Vatrës së Konicës, Nolit dhe kolosëve të tjerë vizionarë të shqiptarisë.

Në shkrimin “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, lexuesi Çini, krahas kënaqësisë prej të përvuajturi ndaj kësaj arritjeje të 23 qershorit 2013, shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj për letërkëmbimin publik midis Dr. Berishës dhe Gentjanit 16 vjeçar që i lutet idhullit të tij të mos largohet asnjëherë nga politika. Në shkrimin e saj zonja Buçpapaj, fare thjesht, pa lënduar njeri, vetëm duke ia kujtuar Berishës arsyet për se Gentjani të mos e lexojë përgjigjen e Berishës, shprehet kundër një forme të tillë bajate të propagandës. Shqetësimi i kryesor që ngre zonja Buçpapaj në shkrimin e saj është politizimi i parakohshëm i fëmijëve, moshë lehtësisht e lëndueshme, çka çon edhe në zhgënjime të cilat shndërrohen po aq lehtësisht në trauma për brezin e ri.

Misioni i gazetarit, siç është i ndryshëm ndaj misionit të ekonomistit, mjekut, juristit, inxhinierit e tjerë, është i ndryshëm ndaj misionit të politikanit. Është politikani ai që vendos për mënyrën dhe kohën e largimit nga politika, ashtu siç ka vendosur ai për mënyrën dhe kohën e ardhjes në politikë. Është punë e tij si e percepton ai verdiktin e Sovranit në kohë të caktuara. Ndërsa gazetari e ka për mision të pasqyrojë dhe ta shprehë të vërtetën cilado qoftë ajo. George Orwell, të cilin, për shembull, Berisha e parapëlqen në retorikat e tij, thotë se gazetaria është edhe ajo që iu pëlqen veshëve tanë, edhe ajo që nuk iu pëlqen.

Sikur të ishte duke marrë fjalën në ndonjë mbledhje të organizatës bazë të partisë, ky Çini, stigmatizon shembullin që nuk duhet lejuar dhe që duhet ndaluar, si dhe stimulon shembullin e përparuar, që duhet përhapur dhe inkurajuar. Shembull i përparuar për shkrimet me temën e 23 qershorit, sipas tij, janë shkrimet e Dr. Enver Bytyçit dhe të Dr. Elton Marës. Shkrimet e Bytyçit me këtë temë unë nuk i lexoj, sepse e marr me mend se çfarë mund të shkruajë një drejtor aktual i marrëdhënieve publike të Ministrisë së Kulturës në këtë rast. Ndërsa shkrimet e Marës i lexova. Më 21 qershor ai bën thirrje për votim sa më masiv, iu kundërvihet thirrjeve për bojkotim të votimeve, ashtu siç kemi bërë edhe ne me shkrimet tona. Ai beson se qeveria, me punën e madhe që ka marrë, do të fitojë një mandat të tretë. Më 3 korrik Mara ngre pyetjen a fitoi apo humbi sovrani me votën e tij të 23 qershorit. Ai i shtron me qetësi dhe mirësjellje mendimet e tij, pa rënë në sevdallosje ndaj ndonjë partie apo lideri, pa tone arrogante, brutale, fyese, si ato të lavdëruesit të tij.

Lexuesi i lartpërmendur i ‘Diellit’, z. Cini, e krahason rolin e zonjës Buçpapaj me rolin e Kasandrës së antikitetit. Ai bie në skemën e biografit zyrtar të Berishës dhe, padashur, kështu e lartëson rolin dhe figurën e së kritikuarës së tij. Kasandra e mitologjisë greke, nga Homeri e deri sot, në penën dhe gojën e poetëve, filozofëve, oratorëve, është simbol i profecisë së pagabueshme. E vetmja mbresë negative që e shoqëron emrin e saj është se profecitë e saj nuk janë dëgjuar në kohën kur ajo i ka shpallur. Ajo është parashikuese e tragjedive. Zonja Buçpapaj nuk ka parashikuar asnjëherë tragjedi, dhe 23 qershori nuk ishte e tillë, siç e kishin paralajmëruar shumë Kasandër dhe Kasandra, ‘të djathtë’ apo ‘të djathta’, e cila, sipas tyre, do të ndodhte po të fitonte e majta.

Sikurse e thotë vetë titulli i shkrimit “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, autori e mban lugën e tij plot duke i mëshuar idesë së përkryeshmërisë së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo, në fakt, është ide e vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërsa humbësit e zgjedhjeve në thelb nuk pajtohen me këtë përkufizim. Ata të gjithë shpallin se votat e LSIsë ishin të blera me para në dorë. E çfarë organizimi të mirë kanë votimet e blera. E çfarë organizimi të mirë kanë zgjedhjet ku 30% e votimit ishte votim familjar?

Organizimi i votimeve të 23 qershorit është një precedent që nuk bën të përsëritet me kurrë në Shqipëri për një fakt tjetër tejet kapital: mbajtjen e vendit për rreth tetë muaj rresht në fushatë të pandërprerë parazgjedhore dhe zgjedhore. Një ekonomist fare i thjeshtë, edhe z. Çini, mund t’i bjerë lapsit dhe të llogarisë humbjet e Shqipërisë nga këto zgjedhje. Në maj dhe qershor, për shembull, PD shpall se ka nxjerrë në sheshe 2 milionë njerëz. Partitë tjera kanë nxjerrë pjesën e mbetur. Të mbash në sheshe 3 milionët e vendit tënd me muaj të tërë është një papërgjegjshmëri e pafalshme. Përveç kostos shumë të lartë, për një vend kur një pensionist merr mesatarisht as 100 Euro në muaj, në një vend ku zgjedhjet kostojnë me miliona Euro por ku partitë i fshehin burimet dhe po ashtu edhe bëjnë edhe ekonomistët militantë.

Z. Çini është ngelës edhe në profesionin e tij. Ai dështon edhe kur e llogarit si humbje rezultatin zgjedhor të PS – kur në fakt është rreth 100 000 vota më shumë se katër vjet më parë. Edhe kur llogarit numrin e deputetëve përsëri gabon.

Tashi ‘demokratët’ mëtojnë se kocka në fytin e tyre të humbësve është pikërisht LSI e larguar nga koalicioni. Kur Meta u largua nga koalicioni, ndonjë allçak i PDsë shpallte se, me këtë largim, PD do të merrte 40% elektorat më shumë se në vitin 2011 kur kishin qenë aleatë PD-LSI. Zonja Buçpapaj e quante një fantazi të pabazuar dhe kundërproduktive një mendim të tillë. Allçaku përdorte faceboookun për të sharë zonjën Buçpapaj dhe mua. Për këtë ai gradohej menjëherë zëvendëministër i Jashtëm. Tash Metës ia përmendin bllokun në dorë të gjithë në PD, nga i pari tek i fundit, por ata ishin faktor kryesor i mosdhënies së drejtësisë ndaj njeriut me bllok në dorë, për çka zonja Buçpapaj i pati kritikuar në kohën kur ndodhte. Kur Berisha mori bashkinë e kryeqytetit, ne e përkrahëm, sepse ishte precedent krejt i papranueshëm që Edi Rama të kërkonte një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit. Kur Berisha mori presidentin, kryeprokurorin, kreun e SHIKut, në përplasje madje me aleatët amerikanë dhe evropianë, ne e kritikuam si të dëmshme për të ardhmen e tij politike, të PD, demokracisë, integrimeve. Ne nuk u pajtuam as me mosndriçimin e skandaleve të shumta gjatë qeverisjes së PD, sidomos në mandatin e dytë.

Më tej autori i shkrimit “Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske”, ia lejon vetes ta kritikojë PDnë për çështjen e pronës, për çështjen e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, për çka ne e kemi kritikuar sistematikisht për politikë ekstremisht të majtë të PD në këtë tetë vite, sidomos në mandatin e dytë.

Z. Cini nuk harron as në këtë shkrim të merret me ish presidentin Bamir Topi. Këtë temë në fakt nuk e harroi as PD, e cila e vuri makinerinë e saj propagandistike kundër Topit dhe Spahiut më shumë se kundër Ramës. Ndërsa Metën, gjoja si padashje, e harruan fare, për çka u kuajtuan vetëm tashi. Në fakt kinezëria e kohës së Revolucionit Kulturor e PD se Meta do ta tradhtonte Ramën dhe do të kthehej tek fitimtari Berisha pësoi fiasko totale.

Partia e Bamir Topit fitoi 30 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, por, falë ligjit aktual zgjedhor, nuk fitoi asnjë deputet. Nëse bashkohej me PS ose PD e kishte të sigurtë një grup parlamentar. Por Topi dëshmoi integritet dhe nuk u bashkua me Islamët, Kadelët, Dogjanët dhe Dukët e PD dhe aleatëve të saj.

Qëndroj tek kjo temë, sepse z. Çini e ka alergji të jashtëzakonshme Bamir Topin, për çka nuk kërkoj arsye personale, siç bën Cini me të tjerët. Siç e përmenda më lart, ne Cinit ia kemi botuar të gjitha opinionet e tij kundër Topit. Por ne nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë rolin diversionist në mediat, qoftë ato audiovizive, qoftë të shtypura, qoftë online, qoftë sociale.

Z. Çinit, i cili na ishte paraqitur si mik i një mikut tonë të ngushtë, i duket burrëri e madhe që të përdorë miqësinë në facebook për të kundërkomentuar çdo koment të zonjës Buçpapaj në facebook, për të bërë komente negative kudo që zonja Buçpapaj boton në mediat online, për të organizuar edhe miq të tij që t’i bashkohen në këtë mision.

Ne e kemi për detyrë t’ia kujtojmë atij dhe çdokujt se çdo media ka politikën e saj botuese. Përpjekja për t’ua imponuar atyre politikën botuese është një totalitarizëm stalinist i kulluar. Edhe në facebook secili e administron vetë faqen e tij dhe është ai pëgjegjës për të. Përpjekjet për stalking janë të dënueshme dhe të papranueshme. Prandaj facebooku ka vënë në dispozicion mjetin e bllokimit dhe ka paraqitur tek çdo përdorues kujtesën e etikës së facebookut.

Këto ne i respektojmë me skrupulozitet. Dhe askush nga miqtë e facebook nuk ka pse të ndihet i cënuar pse ne i parashtrojmë mendimet tona edhe kur janë të ndryshme apo të kundërta me të tjerët. Komunikimi funksionin kur ekziston mirëkuptimi i ndërsjellët për ndryshueshmërinë apo kundërshtinë e pikëpamjeve. Demokracia ua kthen të gjithëve funksionin e të menduarit, të cilin diktatura ua kishte marrë, pasi për ta mendonte Vëllai i Madh.

Faqet në facebook dallohen edhe për nga përkatësia profesionale: Gazetarët paraqesin rubrikat e tyre, arritjet e tyre, idetë e tyre; piktorët paraqesin punimet e tyre; kineastët paraqesin sekuencat e filmave të tyre; këngëtarët albumet e tyre; politikanët samitet e tyre. Nga ana tjetër, paraqesin edhe pjesë të jetës së tyre private që duan t’i ndajnë me miqtë. Kjo nuk ka pse të lëndojë askënd.

Edhe ne kemi të drejtën tonë t’i profilizojmë faqet në facebook, ku t’i përfshijmë edhe botimet e reja, shkrimet e reja, gazetën tonë online e tjerë. Ato janë pjesë e suksesit tonë të një karriere të gjatë, qoftë kur kemi qenë në Shqipëri, qoftë në Perëndim prej gati 20 vitesh ku e ushtrojmë profesionin e gazetarit me sukses të plotë. Një arritje rekord për ne përbën gazeta e përditshme “Bota sot”, e botuar në Evropë, Amerikë, Kosovë, Maqedoni, e cila arriti tirazhin rekord me 200 000 kopje, diçka e paarritshme në mediat shqiptare në tërësi, diçka e paarritshme nga mediat e këtij lloji të të huajve në Perëndim. Ky sukses është i lidhur shumë ngushtë me rolin tonë – unë si kryeredaktor dhe zonja Buçpapaj si redaktore kolumniste.

Duke qenë gazetarë profesionistë me një karrierë të gjatë dhe tejet të suksesshme, ne jemi edhe anëtarë aktivë të disa shoqatave ndërkombëtare, perëndimore, zvicerane apo shoqatave të krijuesve artistikë. Ky është një kapital profesional, etik, njerëzor i cili nuk mund të zbehet as të mohohet prej askujt. Zonja Buçpapaj kohët e fundit, përveç botimeve poetike, ka bërë edhe botime publicistike. Vlerësimet e autoriteteve të larta të mendimit, kulturës, dijes publicistikë, shkrimeve shqipe si ato të Jusuf Buxhovit dhe të Dr. Përparim Kabos për librin “Tirania e tranzicionit” apo të Frank Shkrelit për librin “Trauma e tranizicionit – Ditari i një gazetareje” janë dëshmi objektive e padiskutueshme.

Urojmë që z. Çini, në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri, çka shpresojmë të ndikojë edhe në emancipimin e mendësive edhe tek shqiptarët nëpër botë, të mos merret më me zonjën Buçpapaj. Le të merret me temat e veta apo të nxitura nga shkrimet e autorëve të tjerë. Dhe të mos mëtojë për grada nga një regjim i cili tashmë ka pushuar përfundimisht së dhëni grada.

Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t’i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t’ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

Me këtë rast, edhe një herë shprehim vlerësimin tonë ndaj botuesit të Diellit, z. Dalip Greca dhe kryetarit të Vatrës, z. Dr.Gjon Buçaj, që përmes Diellit, i kanë dhënë dritë fjalës së lirë, së cilës në Shqipëri i është zënë fryma në Shtratin e Prokrustit.

 

Filed Under: Komente Tagged With: sevdallinjet e partive, Skender Bucpapaj

Dite e re Z/Kryeminister

July 6, 2013 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

Sa here që kam ndjekur, lexuar apo dëgjuar Edi Ramën, kam pëshpëritur një pyetje, sa larg mund të shkonte ky njeri pa megallomaninë? Ndofta shumë, ndofta asgjëkundi. Por ndofta edhe këtu, ku është tani, është pikërisht prej saj. Kutadish?
Po a ka rëndësi të merresh me tiparin e mendjemadhësisë së Tij? Sigurisht, është Kryeministri I vendit tim. Domethënë, I pari I shtetit. I pari, është si ushtari dhe ashtu siç thotë Stënesku, ”poeti, ashtu si ushtari nuk ka jetë vetjake”. Pra, njeriu me mision, njeriu në detyrë. Kështu edhe shtetari.
Për më tepër që nuk jemi popull mendjemadh, por I (të) përvujtuar. Po kemi tipa mendjemëdhenj dhe, me shumicë biles.
Konkretisht, po lexoj intervistën e Kryemintrit Edi Rama, dhënë në Klan Kosova gazetarit Baton Haxhiu, në lidhje me breshkat. Nuk besoj se ka shumë njerëz që nuk e dine, se breshkat sipas mjeksisë popullore të vendeve afrikane, ndihmojnë njerëzit që vuajnë nga astma. Një problem civil I mbarë njerëzimit, ashtu si sëmundjet e gjakut, tensioni, sheqeri apo kolesteroli. Autizmi, etj…, gjëra për të cilat komuniteti mbarë global, ka një përkushtim të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e masave. Edhe në kompaninë ku unë punoj, bëhet një punë e paimagjinueshme për të ndihmuar në mbledhje fondesh për nevojtarët në mbarë botën. Pra, jo vetëm në Amerikë. Gjithsesi, më vjen mire që Kryemistrit tim, prania e breshkave e ndihmon në problemet që Ai ka me astmën. Por nuk e kuptoj përse këto krijesa të javashta, tështitëse, plot koracë, etj., duhet t’i nominoj me emrat e para ardhësve të tij, Nano e Berisha.?. Apo kur thotë se ngjyra purpurt, është nga bashkimi I blusë me të kuqen.
Të gjithë e kanë kuptuar, megjithëse pak po analizojnë se, një politikë më e butë ndaj Nanos, sigurisht sot do I kish dhënë Ramës më shumë se numri 65, që është më I vogël se 66. Dhe po të shikosh dhe emrat e ndërfutur, shifra bie akoma. Dhe pa diskutim më pak se numrat që ka LSI. Mirëpo per Ramën e rëndësishme është të na tregojë se si lind ngjyra e purpurt, pavarsisht se ne shohim se si po zmadhohet e kuqja. E rendësishme per Ramen, është nominimi I breshkave me emrat e Nanos dhe Berishës.
Nga ana tjetër, këmbëngul me krenari se po I merr prej dore Nanon me Berishën, me
analogjinë tekstore të Ismail Qemalit, kur u tha Osmanëve se, ”me sjelljen tuaj po tregoni se jemi ata që keni qënë, këtu e pesëqind vjetë me radhë”. (Nga filmi, Nëntori I dytë).  Kaq e vështirë qënka, që një politikan shqiptar të bëj përjashtim? Ju e keni shancin, mos humbni.

 

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 459
  • 460
  • 461
  • 462
  • 463
  • …
  • 490
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT