Zv.ministri i jashtëm, Kreshnik Çollaku e ka cilësuar të pabazë deklaratën e homologut të tij grek për respektimin e komuniteteve fetare. Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Çollaku thotë se në këtë plan Shqipëria mund tu japë leksione shumë vendeve të BE-së, e ndër më të parave Greqisë.
“I pabaze pretendimi i zv ministrit te jashtem grek,per respektimin e komuniteteve fetare ne Shqiperi. Ne cdo plan historik apo aktual,individual apo shteteror,shqipetaret dhe Shqiperia kane qene e jane model i harmonise e tolerances nderfetare…Ne kete plan Shqiperia mund tu jape leksione harmonie e bashkejetese fetare shume vendeve te BE dhe nder me te pareve Greqise…”—shkruan Çollaku në Facebook.
Zv/ministri i Jashtëm grek: Ngjarjet në Përmet, të papranueshme
Zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Kourkoulas i ka cilësuar ngjarjet në Përmet si të papranueshme, ndërsa ka theksuar se “ajo që është e vërtetë për vendet e tjera, të cilët janë të interesuar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, vlen edhe për Shqipërinë.”
Në një intervistë për gazetën, Eleftherotypia, Kurkulas thotë se hyrja në familjen evropiane kërkon hormizim të ligjeve në frymën e normave evropiane.
“Kjo përfshin respektin për pakicat kombëtare, etnike, kulturore si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Ngjarje, si në Përmet kohët e fundit janë të papranueshme. Në kerkojmë thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe kjo besoj është edhe dëshira e palës shqiptare. Shpresoj se pala shqiptare do të jetë në gjendje të izolojë incidentet, për të mos minuar marrëdhëniet tona.”- thotë Kurkulas, në përgjigje të pyetjes, nëse ngjarjet e fundit në Shqipëri do të ndikojnë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Ndër të tjera në këtë intervistë, Kurkulas thotë se Greqia mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perendimor. Me marrjen e Presidencës greke në BE, në janar të vitit që vjen, Kurkulas thotë se do të fillojnë negociatat për pranimin e Serbisë në BE.